22.5 C
Tirana
E martë, 6 Maj, 2025

Edi Rama do autorësinë e drejtësisë për ta delegjitimuar atë

Ervis Iljazaj

Dje në emisonin Opinion të Blendi Fevziut, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u shpreh se ai është autori i Reformës në Drejtësi dhe se amerikanët sollën Noc Rrokun, duke dalë kundër mendimit të përgjithshëm se kjo reformë është vepër e aleatëve të Shqipërisë, sidomos e Shteteve të Bashkuara. Menjëherë kritikët e kësaj reforme, sidomos të SPAK-ut, u hodhën në sulm duke thënë që tashmë Rama doli hapur dhe drejtësia kontrollohet prej tij. Duke u shprehur në këtë mënyrë, kryeministri i Shqipërisë e delegjitimon drejtësinë dhe i ul asaj besueshmërinë. Afërmendsh një reformë që është bërë nga një palë politike nuk mund të jetë e besueshme.

Deri më tani, opinioni publik shqiptar, në pjesën më të madhe të tij, ka besuar te kjo reformë jo vetëm për punën e saj, sidomos të SPAK, por edhe sepse mbrapa tij qëndrojnë amerikanët. Nëse ajo është vepër e Edi Ramës, pra e një pale politike, askush nuk mund t’i besojë. Por, asnjë kryeministër në botë, edhe nëse vërtetë e ka kapur drejtësinë nuk e thotë atë publikisht. Edhe në vendet me diktatoriale, diktatorët thonë që drejtësia është e pavarur dhe jo e tyre. Prandaj, tezat absurde të kundërshtarëve të SPAK-ut, se Rama doli hapur dhe ai ka kapur atë nuk qëndrojnë. Nuk ekziston asnjë kryeministër në botë që ta akuzojnë se ka arrestuar liderat e opozitës, dhe ai ta pohojë publikisht këtë gjë.

Në fakt, ajo që tha Kryeminsitri dje nuk është aspak e vërtetë, aq më tepër teza e kundërshtarëve të reformës, se Rama doli hapur që kontrollon drejtësisnë.
Reforma në Drejtësi në Shqipëri është në vazhdën e një strategjie amerikane në rajonin tonë. Nëse Rama ka bërë Reformën në Drejtësi në Shqipëri, atëherë ai e ka bërë dhe në Rumani, dhe në Bullgari, Kroaci apo Maqedoni. Është e qartë se drejtësia, dhe hetimi i klasës politike të korruptuar në Ballkan prej dy dekadash është një strategji amerikane në luftën kundër korrupsionit në këtë rajon, i cili ka qenë dhe është në nivel galopant.

Kryeminsitri shqiptar gënjen kur thotë që amerikanët sollën Noc Rrokun dhe se ai e ka bërë reformën, edhe për faktin se kjo reformë u votua në parlament unanimisht me 140 vota, si asnjë reformë tjetër. Të gjithë e mbajmë mend se si ish ambasadori amerikan shkonte nga një seli në tjetër për të bindur kryetarët e partive për të votuar pro, madje edhe duke i detyruar ata.

Sigurisht, Partia Socialiste pasi PD e braktisi aplikimin e reformës vazhdoi e vetme në këtë rrugëtim, prandaj edhe pjesë të drejtësisë sot i ndikon, por pjesë të tëra të saj, sidomos në SPAK dhe GJKKO janë qartësisht jashtë ndikimit politik. Dhe kjo falë këmbënguljes së ndërkombëtarëve dhe Shteteve të Bashkuara.

Atëherë, përse Edi Rama kërkon me patjetër autorësinë e Reformës në Drejtësi në Shqipëri? Për dy arsye kryesore. E para, sepse kërkon të hipi në karrocën e suksesit të luftës kundër korrupsionit që SPAK po bën dhe arritjet që ka patur. Duke qenë se ky institucion ka besueshmëri të lartë në opinionit publik, Edi Rama kërkon të bëhet pjesë e tij. Ndryshe nga kundërshtarët e tij që e mallkojnë dhe e quajnë organizatë kriminale kundër frymës së përgjithshme të opinionit publik, Edi Rama nuk sillet në këtë mënyrë. Duke qenë se nuk e ndalon dot arrestimin e bashkëpunëtorëve të tij, ai në vend që të shikojë fatkeqësi në këto arrestime, i kthen ato në avantazh. Duket paradoksale, por Edi Rama lëvdohet se përse në Shqipëri po arrestohen njerëz me pushtet për korrupsion, ndërkohë që duhet të jepte llogari për nivelin e lartë të korrupsionit të qeverisë së tij.

Arsyeja e dytë se përse Rama do autorësinë e drejtësisë është pikërisht fakti se kërkon ta delegjitimojë atë, sidomos punën e SPAK. Duke thënë që ai e ka bërë këtë reformë i jep të drejtë Sali Berishës dhe opozitës të cilët e akuzojnë se e ka kapur drejtësinë dhe po e përdor atë kundër tyre. Është fakt se puna e SPAK po i merr një nga një bashkëpunëtorët Edi Ramës. Ky institucion sot është ndoshta opozita kryesore kundër qeverisë, dhe për këtë arsye është kthyer në një problem.

Si nga mazhoranca, ashtu edhe nga opozita, punën e SPAK nuk e shohin aspak me sy të mirë. Opozita e kritikon hapur, ndërsa Rama publikisht e mbron, por nën rrogoz bënë të pamundurën për ta sabotuar atë. Dhe të shprehesh publikisht se kjo reformë është vepër e Edi Ramës, është një nga mënyrat për ta sabotuar. Edi Rama duke u sjellë në këtë mënyrë është duke i dhënë një ndihmë të madhe ‘’kundërshtarit’’ të tij politik, Sali Berishës.

Por më kot e kanë, shqiptarët e dinë që SPAK është një vepër amerikane në Shqipëri. Jo më kot, çdo zyrtar amerikan që vjen në Shqipëri, i të gjitha niveleve, takimin e parë e bën në SPAK. Nëse ky institucion do të vazhdojë me këtë ritëm, jo vetëm që politika majtas dhe djathtas nuk do të arrijë dot ta delegjitimojë, por përkundrazi, besueshmëria e tij do të vijë gjithmonë në rritje. Sa më shumë e sulmon politika drejtësinë, aq më shumë besueshmëri fiton ajo në sytë e shqiptarëve.

Basha: Arrestimi i Çyrbës rrëzon legjitimitetin e Ramës si kryeministër

Kryetarit të PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, në një postim në facebook, ka ndarë një pjesë nga intervista në emisionin “Shqipëria Live” ku komentoi arrestimin e Cyrbës. Basha shkruan se arrestimi i deputetit vërteton se kryeministri Rama ka marrë mandat nga krimi në Durrës.

Ai thekson se një situatë e tillë do të ishte e mjaftueshme për një kryeministër të dorëhiqej, por për Ramën, që ka ardhur në pushtet përmes krimit dhe mbijeton falë korrupsionit, kjo nuk ka rëndësi.

Postimi i plotë i Bashës:

Arrestimi i Cyrbës vërtetoi se Rama ka marrë mandat nga krimi në Durrës. Kjo do të mjaftonte që një kryeministër i përgjegjshëm të jepte dorëheqjen. Por kjo nuk vlen për një kryeministër që ka ardhur në pushtet nga krimi dhe mbijeton falë korrupsionit që ka përfshirë çdo qelizë të pushtetit të tij.

Turizmi prioritar, por uji me orar

 Nga Denis Tahiri

Ishte tetori i vitit 2018 kur qeveria e Kryeministrit Edi Rama deklaroi në një konferencë për turizmin se në harkun kohor të pesë viteve ia kishte dalë të dyfishonte të ardhurat nga turizmi falë rritjes së vizitorëve.

“Kemi kaluar nga 3.4 në mbi 6 milionë vizitorë […] me një reflektim domethënës dhe në punësim […] me mbi 30 mijë të punësuar në funksion të sezonit,” – do të shprehej Kryeministri duke treguar me krenari arritjen e kuotës 2 miliardë euro të ardhura.

Pesë vite më vonë, Shqipëria do të shënonte një tjetër “rekord”, ku sipas shifrave të dhëna do t’i kalonte 10 milionë turistë të huaj.

[…] Bashkë me Krishtlindjen kaloi edhe numri 10.000.000 i turistëve të huaj në Shqipëri, një arritje fantastike e paimagjinueshme deri pak vite më parë!”, shkruante Rama më 26 dhjetor 2023.

Në një kohë kur për 2024 objektivi i parashikuar ishte 15 milionë turistë, shifrat nuk lënë hapësirë për të qenë optimist, pasi nga janari në shtator kanë hyrë 9.7 milionë turistë të huaj.

Nga ana tjetër ndërsa flitet për turizmin si sektor prioritar të ekonomisë, dhe i cilësuar jo rrallë herë si e ardhmja e ekonomisë shqiptare, shumë rrallë flitet për investimet e munguara në infrastrukturë, sidomos në atë baziken, siç është infrastruktura e ujit.

Për Zak Topuzin, kreun e Shoqatës së Hotelerisë, rëndësia e sektorit të turizmit për peizazhin ekonomik të Shqipërisë është e pamohueshme.

Pavarësisht trajtimit si prioritet, zhvillimi i vrullshëm i turizmit në botë e veçanërisht në Mesdhe, vendin e kapi të papërgatitur”, shprehet ai, duke shtuar se nga problemet kryesore shqetësuese është infrastruktura ku përmblidhen probleme me rrugët, energjinë, ujin e pijshëm dhe derdhjen e ujërave të zeza në ujëra larës.

Realiteti është që furnizimi me ujë të pijshëm në rang kombëtar si në vitin 2022, ashtu edhe në 2023, mbetet në nivelin e 16.3 orë në ditë.

Qytetet e turizmit “thahen” për ujë

Durrësi, qyteti i dytë më i populluar, njëherësh rajoni me dendësinë më të madhe urbane në vijë bregdetare, vijon ta vuaj mungesën e ujit të pijshëm pavarësisht premtimeve të vazhdueshme për përmirësim të situatës.

Në përgjigje të një kërkese për informacion, Ujësjellës Kanalizime Durrës thotë se “furnizimi me ujë i Bashkisë Durrës varion nga dy deri në 24 orë”, duke vendosur në dispozicion oraret e furnizimit me ujë të pijshëm të lagjeve dhe njësive administrative që janë pjesë e bashkisë.

Nga 18 lagje që ka Durrësi, vetëm segmenti i një prej tyre furnizohet 24 orë me ujë të pijshëm. Më konkretisht:

Lagjja 15: Aksi Varrezat e vjetra-Porto Romano 24 orë; Aksi Kisha-Rrethrrotullimi (djathtas) 24 orë; Skolina fundore 24 orë”, thotë Ujësjellësi ndërsa për lagjet e tjera furnizimi total varion nga 2 orë e gjysmë deri në maksimumi 20 orë.

Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, njëkohësisht zona ku është përqendruar 32% e popullsisë së gjithë vendit, ka njohur gjithashtu rritje të turistëve gjatë viteve të fundit.

“Është kënaqësi e jashtëzakonshme që kemi një Tiranë plot me turistë sot. Është e rëndësishme që kemi marrëdhënie të mira mes shtetesh, […] por marrëdhëniet më speciale janë mes njerëzve, sepse çdo turist kthehet në ambasador që përhap lajme të mira për vendet që viziton”, do të shprehej Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj më 9 korrik 2024.

Në vitin 2017 Veliaj ishte në mandatin e tij të parë si Kryetar Bashkie, kur u zotua se brenda pesë viteve Tirana do të kishte furnizim të pandërprerë me ujë.

“Do ta kapim ujin 24 orë në Tiranë në 5 vitet e ardhshme”, do të shprehej Veliaj, i cili me këtë synim argumentoi edhe rritjen e çmimit të ujit.

Por në një përgjigje zyrtare të marrë nga Ujësjellës-Kanalizimet Tiranë, për vitin 2023, Tirana është furnizuar mesatarisht me 17 orë ujë në ditë.

Natyrisht, kjo mesatare vjetore ndryshon nga një muaj në tjetrin për arsye se gjatë periudhës së thatësirës orari mesatar i furnizimit me ujë të pijshëm është më i ulët sikundër në periudhën e dimrit ky orar rritet”, thuhet në përgjigjen e UKT-së.

Ndërkohë, Kruja, një nga qytetet me turizëm të lartë kulturor, është ndër qytetet në të cilin situata me ujin e pijshëm është edhe më e vështirë.

Në të gjithë territorin e kësaj bashkie, furnizimi varion nga një deri në 11 orë në ditë. Por, lagjet e brendshme të qytetit variojnë nga një në tre orë në ditë.

Në Shkodër, kryeqendrën e veriut dhe një atraksion i padiskutueshëm turistik, situata është komplet ndryshe.

Furnizimi me ujë të pijshëm në juridiksionin e bashkisë është rreth 22.15 orë në ditë. Por vet kjo bashki në një pjesë tjetër të përgjigjes së kërkesës për informacion të dërguar shprehet se:

Bashkia Shkodër mbulohet me shërbimin e furnizimit me ujë me rrjet shpërndarjeje të ujit të pijshëm në nivel 58%. Një pjesë e zonave rurale dhe zonat periferike (informale) të qytetit nuk kanë rrjet të shpërndarjes së ujit të pijshëm dhe për rrjedhojë nuk mbulohet me shërbim”.

Lezha, “ylli i vetmuar” i bregdetit të Adriatikut

Lezha, arrin të mbulojë me 24 orë ujë qytetin, por gjithashtu të ofrojë të njëjtin shërbim edhe në qytetin e Shëngjinit.

Qyteti Lezhë dhe zonat rreth saj mbulohen 100% me ujë të pijshëm, qyteti turistik Shëngjin mbulohet me ujë të pijshëm 100% duke përjashtuar pikat fundore Rëra e Hedhur dhe zona fundore Kune”, thotë zyrtarisht Bashkia Lezhë.

Në orët e furnizimit me ujë të zonave nën juridikionin e kësaj bashkie është edhe Ishull-Lezhe, me një furnizim me 24 orë në ditë.

Për ekspertin e turizmit, Mariglent Pepmarku, situata me furnizimin me ujë të pijshëm në qytetet bregdetare shqiptare, si Durrësi apo qytetet të tjera, paraqet sfidë për ekonominë e turizmit dhe bizneset.

“Në Durrës”, shprehet zoti Pepmarku, ku furnizimi është i kufizuar në më pak se 10 orë në ditë, “sjell pasoja të konsiderueshme”.

“Pamundësia për të siguruar ujë të mjaftueshëm për vizitorët dhe për shërbimet e hotelerisë ndikon në kënaqësinë e turistëve”, thotë ai duke shtuar se “kjo eksperiencë ndikon drejtpërdrejtë në reputacionin e biznesit akomodues dhe të vetë qytetit si destinacion turistik”.

Bizneset, sidomos ato që ofrojnë akomodim dhe restorante, përballen me kosto të larta për të siguruar ujin nga burime alternative, duke rritur çmimet dhe reduktuar konkurrencën”, thotë eksperti duke shtuar se kjo çon më pas edhe në investime të ulëta.

Për ekspertin Pepmarku sfidë të ngjashme ndan edhe Kruja.

Vizitorët me interes në turizëm kulturor shpesh kërkojnë komoditet dhe shërbime cilësore që përfshijnë bazën: ujë të pijshëm”, thotë ai, duke shtuar se pamundësia e sigurimit pa ndërprerje të ujit të pijshëm, mund të ndikojë në vendimmarrjen e turistëve për qëndrim më të gjatë në këtë qytet.

Ndër të tjera Pepmarku shprehet se kjo mungesë mund të dëmtojë imazhin e qytetit si një destinacion apo atraksion historik dhe kulturor.

Disa qytetet kanë bërë përparime në zhvillimin e infrastrukturës për turizëm që është evidente , megjithatë, shumë zona përballen me probleme të tilla si: Bregdeti i Jugut, zonë me investime të shumta por që gjithashtu përballet me sfida në furnizimin me ujë të pijshëm,” përfundon ai.

Edhe për ekspertin e turizmit, Luan Dervishaj, problematika me infrastrukturën në këtë sektor qoftë me ujin, energjinë apo mbetjet kanë impakt në dy drejtime.

Në rritjen e kostos së biznesit por edhe në cilësinë e shërbimit në destinacion”, shprehet ai duke vënë theksin se ky problem, është si pasojë e mos planifikimit të ndërtimit gjatë dekadave të fundit.

Ne, gjatë 30 viteve nuk e kemi parashikuar zhvillimin e planifikuar”, thotë ai duke shtuar se fillimisht është ndërtuar e më pas është vijuar me infrastrukturën edhe pse duhet të ishte e kundërta.

Këto tre dekada, praktikisht bizneset duke mos qenë në këtë klimë, janë munduar të ndërtojnë infrastrukturën e vet”, përfundon Dervishaj.

E ndërsa turizmi elitar, është objektivi i radhës i Shqipërisë në sektorin e turizmit, për ekspertin Mariglent Pepmarku ky lloj turizmi ka shumë potencial, por është i vështirë për t’u zhvilluar në një vend ku furnizimi me ujë të pijshëm nuk është i qëndrueshëm, 24 orë.

Turistët e këtij segmenti kërkojnë standarde të larta dhe shërbime si nga emri ‘elitar’ dhe pamundësia për të siguruar ujë të mjaftueshëm është një pengesë e konsiderueshme”, përfundon ai.

Probleme me furnizim me ujë kanë paraqitur dhe zonat elitare turistike si Green Coast, pasi shtimi i kapaciteteve akomoduese nuk është përballuar nga kapacitetet e burimeve ujore ekzistuese”, thotë Topuzi duke shtuar se të vetmet qytete turistike, ku furnizimi me ujë është i pandërprerë janë Korça dhe Pogradeci ku investimet për sistemet e ujit dhe kanalizimet e ujërave të zeza e të shiut janë investuar dhe supervizuar nga qeveria gjermane.

Nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë. Deti mes të thënës ‘ujë 24 orë’ dhe të bërës realitet të ‘ujit të pijshëm 24 orë’ në çdo rubinet ka qenë një nga detet më mëdhenj, më i dallgëzuari përpara nesh kur morëm detyrën. Mandati i tretë do të garantojë në disa faza, furnizimin me ujë 24 orë në Tiranë, përfshirë Kamzën dhe Vorën. E njëjta gjë do të ndodhë me Vlorën, Shkodrën dhe Durrësin”, u shpreh gjatë fushatës elektorale të vitit 2021 Kryeministri Rama.

Ne do të garantojmë më në fund 100% ujë të pijshëm 24 orë në zonat urbane në 61 bashki të vendit” do të vijonte ai.

Por tashmë që mandati i tretë i qeverisë Rama është drejt fundit dhe janë ndezur motorët e fushatës për mandatin e katërt, duket se përmbushja e këtij premtimi mbetet larg./Citizens.al

Kur Kushtetuta shkelet!

Nga Anila Hoxha

Nuk është vetëm dorëheqja e befte e gjyqtares Kushtetuese zonjës Elsa Toska, që bën të paqarta të vërtetat që po ndodhin në këtë gjykatë. Por edhe llogaritë mbi MANDATIN e Toskës dhe që duhet ti vijojë anëtari zëvendësues. Në rrezikun se KUSHTETUTA po shkelet hapur nga Kuvendi ( si organ emërtese) mbasi llogariti se mandati Toska përfundon në 14 nëntor 2028 dhe jo në 2025 .

Por në ndihmë na vjen vetë KUSHTETUTA.

Duke mos harruar cfarë thotë Komisioni I Venecias që llogarit se në përtëritjen e Gjykatës Kushtetuese sipas kësaj formule, të parit I përfundonte mandati në 2016 gjyqtarit Kushtetues Vladimir Kristos I cili e dorëzoi detyrën disa muaj më vonë. Ky mandat që vjen me organ emërtese Kuvendin merret në 2019 nga Elsa Toska për të cilën nëse kërkon në faqen www. parlament. Al nuk aksesohet historiku . Pra janë zhdukur gjurmët e procesurave qe nga raporti mbi vakancën deri tek vendimi për shpalljen aktuale

Per te mos harruar qe Kushtetuta urdhëron formulën e përtëritjes së Gjykatës kushtetuese cdo tre vjet të cilën nuk mund ta prekë askush.

As Kuvendi në këtë rast, siç edhe po ndodh; Çfarë thotë Kushtetuta?

Neni 179 : “Me qëllim përtëritjen e rregullt të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, gjyqtari që do të zëvendësojë gjyqtarin, të cilit i mbaron mandati në vitin 2017, do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2025 dhe gjyqtari i ri, që do të zëvendësojë gjyqtarin, të cilit i mbaron mandati në vitin 2020, do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2028. Gjyqtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese emërohen për të gjithë kohëzgjatjen e mandatit, sipas ligjit. ”

Qëllimi I Kushtetutës është tek ketë rotacion për tre anëtare në 2025. Thënë ndryshe në 2025 nën këtë rotacion për gjashtë muajt e parë duhet ti nënshtrohen edhe dy gjyqtaret e tjera kushtetuese Holta Zacaj dhe Sonila Bejtja dhe nese do ishte Toska edhe ajo. Ketij rotacioni llogjikisht duhet ti nenshtrohet pasuesi qe e zevendeson

Në të kundërtën me llogaritë që mandatet nuk përfundojnë në 2025 , por në 2028, në këtë vit Gjykata Kushtetuese hyn në kolaps sërisht. Mbasi sipas llogarive të keqllogaritura në Kuvendit, në 2028 duhet mbeten në detyrë vetëm tre Gjyqtarë Kushtetues

Dhe pyetja që mbetet është kujt I intereson ta preke Gjykatën Kushtetuese?

Përtej kësaj pyetjeje, KED këtë të premte do të hedhë shortin për të vendosur kush do të relatojë 10 kandidaturat , prej nga ku do të ketë vetëm një fitues. E sigurtë është që ndërkombëtarët do ta mbikëqyrin procesin të vënë nën diskutim.

E para, ashtu sic edhe për KED gjasat janë që sic edhe gazetarëve, edhe nëntë anëtarët nuk kanë patur asnjë mundësi të gjejnë praktikën e Kuvendit për Elsa Toskën ne faqen zyrtare Parlament. Al

Është e zhdukur.

Presidenca nga ana tjeter duhet te mbante te publikuara dekretet vetem per anetaret qe ka derguar ne Gjykate Kushtetuese. Te pakten ky eshte pretendimi se perse nuk gjenden gjurme per ish gjyqtaren kushtetuese Elsa Toska

E dyta, KED do të diskutojë për cështjen e mandatit përtëritës mbi parime të kushtetutës dhe të raportit të Komisionit të Venecias.

Por në këtë rast as KED nuk e urdhëron dot kuvendin, thjesht mund ti tërheqë veshin me sygjerime mbi zgjatjen e një mandati që më shumë se dhurimi I 3 viteve me teper dhe si padashje, është një lojë e madhe që duhet hetuar.

Pensionistet, “Profesori i Ekonomisë ” dhe 3 këshilla për këtë të fundit!

Nga Irena Beqiraj

Dje në Opinion Kryeministri kishte marrë përsipër t’u shpjegonte disa grave pensioniste përse nuk ishin rritur pensionet edhe pasi ai edhe qeveritë e tij , e kanë rritur ekonominë shqiptare me shumë se rajoni.

Teksa e dëgjoja pyeta veten 1) i është mbushur mendja se di te shpjegojë ekonomi që kur Ogerta Manastriliu e vendosi në Krye te Këshillit Shkencor apo pensionistet i duken të paditura se vetëm me pasionin që reciton “faktet” mendon se mund ti bindë?

Sokrati thotë: kur nuk përmirëson dot gjendjen, bëju “profesor “. Por meqe kesaj rradhe profesori eshtë edhe Kryeministri kam disa këshilla.

Këshilla e parë për” profesorin” : Në ekonomi krahasojmë shifrat reale jo nominale!
Pra vertet pensioni mesatar ishte 101 euro në 2013 edhe 183 euro në 2023 por për të arritur tek shifra reale e rritjes duhet të marrim parasysh efekin e kursit të këmbimit (35 % ) edhe efektin e inflacionit rreth 34 %.

Shkurt rritja reale e pensioneve ka qenë 0. ndaj gruaja që merrte kemp nuk jeton më mirë sot me 20,000 lekë pension nga çfarë kishte jetuar ne 2013 me 12,000 lekë.

Këshilla e dytë për “profesorin” jo cdo cështje shpjegohet me të njëjtat mjete propagande. Grafikët edhe argumentet që kishte zgjedhur nuk adresonin çështjen që shqetesonte gratë në atë sallë, të cilat qartazi artikuluan se cmimeve e shportës së tyre ishin rritur disa fish me shumë se inflacioni.

Pensionistët konsumojnë një shportë me produkte inferiore , ose ndryshe produktet më bazike me cmimet me të lira të mundëshme . Në periudha kur cmimet përgjithesisht tentojnë të rriten cimimet e këtyre produkteve rriten me shumë sesa cmimet e produkteve normale. Ndaj e gjora grua këmbëngulte të dinte pse cmimet e ushqimeve qe ajo konsumon cdo vit rriten më shume sesa indeksi i inflacionit.

Kryeministri ” profesor” dje kuptoi që pamundësia për të jetuar ka berë që pensionistet të binden se:
1) Indeksimi nuk është rritje pensionesh ,
2)konsumojnë produke inferiore që cmimet u rriten më shpejt e më shume sesa produkeve të tjera :
3) vlerësimi I lekut ka ulur vlerën e parave që u dërgojnë fëmijet , duke ulur kështu burimin e dyte të të ardhurave tëpensionisteve .
4) bonusi I fund vitit ose pensioni I trembedhjetë do të varet gjithmone nga çfarë do të mbeten pa shpenzuar në arkën e qeverisë edhe si e tille nuk ofron qëndrueshmëri .

Sikurse pensionistët pjesa me e rendesishme e elektoratit socialist ka kuptuan që”Profesori” Kryeministër nuk ka përgjigje për to! ekonomia” fluckë ” që ka ndërtuar këeo 12 vjet nuk ja mundesojne pergjigjet .

Pensionet nuk mund te rriten :
1)pa adresuar me mjetet e duhura ndryshimet strukturore demografike
2) pa diversifikuar një orë e më parë strukturën sektoriale ekonomike të vendit,
3) pa ndryshuar strukturën e takave të cilat I kemi përdorur herë si morfinë e herë si karamele per ulur dhimbjet e një ekonomie që nuk prodhon rezultate për të gjithë..

Këshilla e tretë edhe e fundit “për profesorin” : Në ekonomi madhësia e byrekut nuk ka lidhje fare me sa konsumon pensionisti “
Aritja e vetme në mbeshtetje te tyre në këto 12 vjet është vendosja e pensionit social. Flisni vetëm për të!.

Mish gjyshit

NGA EDISON YPI

Ku rruga që të çon në Kukur kthen për Gribë, nja një kilometër më tutje në thellësi të luginës, një djalë dhe një kalë po ecin anës rrugës. Është 24. Ka lindur dhe jeton në Poroçan, juglindje të Gramshit, kufi me Mokrën dhe Gorën. Sy të kaltër. Asnjë gram dhjamë. Qefull nga koka te këmbët. Fjalëpak. Po ikën në Sojnik. Te gjyshi nga mami. Nipi nga Poroçani, gjyshit në Sojnik, po i sjell mish. Mishi në thes. Thesi mbi kalë. Vet’ më këmbë. Kali nuk është ZIS me majtë edhe mishin, edhe nipin. As nuk pranon nipi ta lodhë kalin. Nipi është nisur nga Poroçani në 3 të natës. Po vjen mesdita.

Nipi nga Poroçani, që s’duket i lodhur, por as i çlodhur, ka pra, të paktën 9 orë që po udhëton më këmbë, nën qiejt, nëpër katundet, malet, pllajat, luginat, përrenjtë, pyjet, më të bukur në botë. Të hash krejt mishrat e Mokrës, byreqet e Gorës, ëmbëlsirat e Sulovës, ta pish ujin e Devollit bashkë me liqenet e dy hidrocentraleve, t’i mbushësh mushkëritë me ajrin e freskët të pyjeve të Stravanjit dhe Bishnicës, të jesh zhdëpur mirë e mirë me tërë këto të ngrëna e të pira, nuk mjafton për mos me t’u marrë mentë nga mahnitja e të rrëzohesh përtokë nga dehja. E pabesueshme energjia, vullneti, këmbëngulja, e këtij nipi, këtij mbinjeriu, këtij maratonomaku malor, më i fortë se Kolombi, Magelani, Marko Polo, Amudseni dhe të tjerë udhëtarë të çartun të historisë së botës. Me një ndryshim! Ata, për aventurë, nam, biznes. Nipi nga Poroçani nga dashuria dhe respekti për vendin, katundin, gjyshin. Poroçani, siç e thotë vetë fjala, etimologjinë e së cilës ma kanë bërë të ditur, “vendi më i vështirë për të jetuar”. Sojniku, “vendi ku për së pari lind dielli”.

Poroçani dhe Sojniku, malet në mes, nuk e shohin njëri-tjetrin, aq larg janë. Udhëtari Gramsh-Maliq, sado i vëmendshëm të jetë dhe sado mirë ta njohë hartën, katundet, malet, shkëmbinjtë, pyjet përrenjtë, kurrë mendja nuk i vete dhe kurrë nuk e beson, se dikush mund të niset më këmbë nga Poroçani dhe arrin gjallë në Sojnik. Le të mos e besojë udhëtari. Nipi nga Poroçani është nisur, ja ku është me gjithë kalë dhe për nja dy orë në Sojnik arrin. Atë që mendja s’e rrok, imagjinata e kap, nipi e bën. Lodhe po deshe edhe vrite mendjen për ta gjetur arsyen, shkakun, sebepin, e kësaj ndërmarrje titanike. Nuk e gjen dot. Arsyeja është tepër e lartë. Gines, Nobel, janë pak: Poroçani nuk ka diell, është i ftohtë, por ka mish. Sojniku është i ngrohtë, diell ka, por nuk ka mish. Mes të ftohtës, të ngrohtës, diellit, mishit, që jeta të vazhdojë, duhet ekuilibër.

Sipas një strategjie divine që e zbatojnë me përpikmëri banorët e atyre anëve: Gjysh në Sojnik, ku bën ngrohtë, por mish nuk ka, e ka martuar, sjellë, çupën, mamin e nipit, në Poroçan ta ndriti malin e errët dhe ngrohë fshatin e ftohtë. Ka diell në Sojnik. Por s’ka Mish. S’ka as problem. Nipi nga Poroçani i sjell çdo muaj me kalë gjyshit mish në Sojnikun e ngrohtë me pak mish. Komplementarët Poroçan dhe Sojnik, secili ferr për diçka dhe parajsë për diçka tjetër, duhen afruar, duhen pajtuar. Që “Jet’ e trembur të mos vdesë”, faktor themelor: dashuria e nipit për diellin, gjyshin, Poroçanin, Sojnikun, po aq sa dhe urtësia e gjyshit për nipin, diellin, mishin.

Pa ato ndjesi, Poroçanin do e kishin mbuluar drurët dhe shkëmbinjtë që sjell Holta sa e bukur dhe e frikshme kur prishet moti, Sojnikun do e kishin përpirë ferrat si në filmat e horrorit, që mbushin boshllëkun e të ikurve që kanë braktisur shtëpitë. Shqipëria nuk është vendi i mbijetesës përmes internetit, Fejsbukut, Instagramit, pocaqive letrare, muzikore. Aq më pak i mbushjes së buzëve me mishin e bythëve. Shqipëria është, fondamentalisht, vendi i diellit, mishit, gjyshit, nipit. Ka pasur e do ketë shqiptarë që kanë vajtur në Romë e janë bërë Papë, kanë mbërritur në Stamboll e janë bërë Sulltanë, sepse Shqipëria lind pareshtur viganë të vrenjtur si nipi nga Poroçani, me rrush sa Tomorri dhe kokrra të mëdha dhe të rënda sa Mokra dhe Gora.

“SPAK do hetojë, stuhia do ngrihet”/ Preç Zogaj komenton progres raportin e KE: Realist! Integrimin e përcakton forcimi i drejtësisë

Presidenti i Institutit Pashko, Preç Zogaj, në një intervistë me Skype në rubrikën Opinion në News 24 tha se raport progresi i KE për Shqipërinë është realist. Zogaj theksoi se korrupsioni ka qenë dhe mbetet një plagë e shoqërisë shqiptare.

Zogaj theksoi se SPAK po lufton korrupsionin dhe se beson se do ta hetojë çdo individ, pavarësisht se kush është ai. Sipas Zogajt, integrimin e vendit në BE e përcakton forcimi i drejtësisë.

Preç Zogaj, president i Institutit “Pashko”Jam optimist për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Ky raport vjen pas hapjes së grup-kapitujve për vendin tonë. Rruga për integrimin në BE është e gjatë. Korrupsioni është problem themelor në Shqipëri. Bashkohem me këtë shqetësim të raportit. Ka një sërë çështjesh, që duhet të zgjidhen. U vlerësua roli i SPAK, se ka kryer hetime ndaj të gjithë funksionarëve në të gjitha nivelet. SPAK është kthyer në institucion të shpresës së shqiptarëve për luftën ndaj korrupsionit. Pogres raporti i KE në tërësi ishte realist për Shqipërinë. SPAK po ngre stekën në luftën ndaj korrupsionit, por pritet më tepër nga ky institucion. Kërkohet nga SPAK që të arrestojë çdo person që ka kryer korrupsion ose është pjesë e krimit të organizuar, pavarësisht kush është ky individ. Rama thotë se më 2030 do jemi në BE. Kapja e kësaj date kërkon forcimin e drejtësisë.

Për anëtarësim në BE, kërkohet punë në çdo fushë të jetës. I bëj thirrje opozitës që të besojnë tek SPAK, sepse ky institucion po godet pandëshkueshmërinë. Nuk mendoj se SPAK vendos në raport me politikën. SPAK bën hetime dhe akuzë, drejtësinë e bën gjykata. Nuk mund të ndalet SPAK në hetime ndaj personave vetëm pse janë kryetarë partish. SPAK duhet inkurajuar që mos ndalet. Nuk shoh dy standarde nga Struktura e Posaçme. Për hetimet e SPAK, stuhia do ngrihet, çdo ditë po thërrasin deputetë e zyrtarë të lartë të opozitës e të partisë në pushtet.

“Show i bashkisë Vlorë”, Gjergji Nika: Pasi pritën shiun të lante rrugët pas përmbytjeve, tani i pastrojnë me mjete të mara borxh

Kryetari i degës së Demokratëve Euroatlantikë në Vlorë, Gjergji Nika, shprehet se bashkia e qytetit po bën show me pastrimin e rrugëve pas përmbytjeve të fundit.

Ai vëren se, pas një muaji pritje, bashkia vendosi të përdorë mjete larëse të marrë borxh nga qytete të tjera për të pastruar rrugët, duke e bërë këtë në një atmosferë të mbushur me prezencë zyrtarësh që jepnin intervista.

Sipas Nikës, pastrimi është bërë në mënyrë simbolike, ndërsa rrugët e lagjeve vazhdojnë të mbeten të ndotura dhe me baltë.

Ai thekson se është e rëndësishme të parandalohen situata të tilla në të ardhmen, përpara se të ndodhin katastrofa, duke kritikuar gjithashtu mungesën e përgatitjes dhe efikasitetit nga ana e bashkisë.

Postimi i plotë i kryetarit të Demokratëve Euroatlantikë dega Vlorë, Gjergji Nika:

Bashkia, show-n e radhës në Vlorë!

Pasi pritën një muaj se mos binte shi që të lante rrugët, të hiqte pluhurin dhe mushkonjat të ngordhnin, sot bashkia e Vlorës u kujtua se duhet të pastronte më në fund rrugët nga balta.

Për këtë mori borxh edhe disa mjete larëse nga Durrësi, Fieri, Himara e Selenica dhe nisi që në pikët të mëngjesit larjen me llastik të rrugëve nën praninë e shtuar të drejtuesve të lartë, të cilët lanë shtretërit e ngrohtë për t’i ndenjur punës në kokë!

Dhe, ndërkohë që rrugët laheshin me llastik me ujë zyrtarët bashkiakë jepnin intervista pa fund dhe së bashku me shoqëruesit e tyre shikonin me vëmendje ata pak punëtorë që pastronin me ujë e fshesa ndonjë trotuar dhe baltën e hidhnin ose në cep të tij, ose e linin në një mënyrë të tillë që ajo me shiun e parë të mbllokonte përsëri kanalizimet…

Sot, një muaj pas përmbytjes, e cila ishte katastrofike dhe që mund të bëhet edhe film nga Kinostudioja “Shqipëria e re”, u kujtuan të bëjnë show-n e radhës përpara qytetarëve vlonjatë në prani të kamerave dhe në prezencë të ministrit!

Kjo tregon se sa “shumë” punon bashkia!

Përpara përmbytjes me mospastrimin e kanalizimeve, marrjen e masave dhe efiçencën e hidrovorit dhe pas përmbytjes me vonesën një mujore të kthimit të qytetit në normalitet, pra të pastrimit të tonelatave të baltës e të pluhurit vetëm nga rrugët kryesore.
Sepse rrugët brenda nëpër lagje vazhdojnë të jenë plot baltë të tharë, pisllëk, mbeturina dhe vatra epidemish të mundshme.

Në mjekësi thonë: “Më mirë të parandalosh, se sa të kurosh!”

Dhe bashkia dhe zyrtarët e saj më mirë do të ishte të punonin dhe të parandalonin paraprakisht situata si ajo e datës 4 tetor, se sa të kujtohen “të punojnë e t’i përkushtohen qytetit” si “kofini pas të vjelit”.

Megjithatë, sot me ca llastikë lanë disa rrugë.

Deri në përmbytjen e ardhshme kur justifikimet përsëri do të jenë prurjet katastrofike dhe Ujësjellës Kanalizimet do të justifikohen zyrtarisht me bejten e radhës: “Erdhi uji nga mali, nuk e përballoi dot kanali”!
Dhe pastaj t’ja shtrojnë me ndonjë drekë të mirë…

Zakonet që ju shkaktojnë dhimbje koke dhe mënyrat për t’i shmangur ato

Sa herë e keni përjetuar atë dhimbje koke bezdisëse që shfaqet papritur? Pavarësisht nëse është një shqetësim i lehtë ose një dhimbje më e fortë, dhimbjet e kokës janë një përvojë e zakonshme për të gjithë ne.

 

Në fakt, shumë herë i shkaktojmë vetë pa e kuptuar, nëpërmjet zakoneve të përditshme. Nëse shpesh e gjeni veten duke pyetur veten “pse po më dhemb koka përsëri?”, atëherë është koha të shikoni disa gabime të zakonshme që mund të bëni.

Më poshtë do të gjeni pesë zakone që kontribuojnë në dhimbje koke dhe sugjerime se si t’i shmangni ato.

  1. Nuk konsumoni mjaftueshëm ujë:

Dehidrimi është një nga shkaqet më të zakonshme të dhimbjes së kokës. Kur trupi nuk merr mjaftueshëm lëngje, enët e gjakut në tru ngushtohen për të mbajtur ujin, gjë që mund të çojë në dhimbje koke. Kjo ndodh kryesisht në ditët kur jeni shumë i zënë dhe nuk pini ujin, ose kur konsumoni kafeinë, e cila mund të përkeqësojë dehidratimin tuaj.

Si ta parandaloni:

Mbani gjithmonë një shishe uji me vete dhe përpiquni të pini sasi të vogla gjatë gjithë ditës. Nëse keni probleme me kujtimin, ka aplikacione që mund t’ju dërgojnë njoftime për të pirë ujë, ose mund të vendosni rikujtues në telefonin tuaj.

  1. Ju kaloni shumë kohë para ekraneve:

Ju mund ta dini tashmë: përdorimi i vazhdueshëm i pajisjeve elektronike, si kompjuteri ose telefoni celular, mund të çojë në lodhje të syve, gjë që mund të shkaktojë dhimbje koke. Kur shikoni një ekran për një periudhë të gjatë kohore, sytë tuaj janë të tendosur dhe kjo “lodhje” e muskujve mund të ndikojë në trurin tuaj, duke shkaktuar dhimbje koke.

Si ta parandaloni:

Ndiqni rregullin 20-20-20. Për çdo 20 minuta që kaloni para një ekrani, bëni një pushim prej 20 sekondash dhe shikoni diçka 20 këmbë (6 metra) larg. Për më tepër, sigurohuni që të rregulloni ndriçimin e ekranit tuaj dhe ta mbani dhomën të ndriçuar mirë për të mbrojtur sytë nga tendosja.

  1. Anashkaloni vaktet:

Është shumë e lehtë të humbasësh sensin e kohës kur je i zënë dhe para se ta kuptosh, mund të kenë kaluar orë pa ngrënë. Kjo mund të jetë “receta” perfekte për një dhimbje koke. Mungesa e ushqimit mund të çojë në një rënie të sheqerit në gjak, gjë që shpesh shkakton dhimbje koke. Trupi juaj ka nevojë për energji dhe kur nuk e merr atë nga vaktet, mund të reagojë me dhimbje koke.

Si ta parandaloni:

Sigurohuni që të hani vakte në intervale të rregullta, edhe nëse ato janë pjesë të vogla ose ushqime të shëndetshme. Është një ide e mirë të mbani me vete shufra drithërash, fruta ose arra, në mënyrë që të keni gjithmonë një mundësi të lehtë kur mendoni se energjia juaj është e ulët.

  1. Nuk flini mjaftueshëm:

Gjumi është jetik për restaurimin e trupit dhe mendjes. Kur nuk bëni gjumë të mjaftueshëm ose cilësor, trupi juaj lufton të funksionojë siç duhet dhe një mënyrë e zakonshme që e manifeston këtë lodhje është përmes dhimbjeve të kokës. Mungesa e gjumit ndikon në nivelet e hormoneve dhe presionin e gjakut, gjë që mund të çojë në dhimbje koke.

Si ta parandaloni:

Vendosni një rutinë të qëndrueshme gjumi dhe përpiquni të shkoni në shtrat në të njëjtën kohë çdo natë. Është e rëndësishme të flini të paktën 7-8 orë çdo natë. Përveç kësaj, është mirë të shmangni përdorimin e ekraneve para gjumit, pasi drita blu mund të ndikojë negativisht në prodhimin e melatoninës, hormonit që rregullon gjumin.

  1. Qëndrimi i gabuar:

Qëndrimi i dobët, veçanërisht kur kaloni orë të gjata ulur në një tavolinë ose në divan, mund të çojë në tension të muskujve në qafë dhe shpatulla. Ky tension shpesh shkakton dhimbje koke tensioni të lidhura me qafën. Përkulja para kompjuterit ose përdorimi i jastëkut të gabuar gjatë gjumit mund të kontribuojë gjithashtu në këto dhimbje koke.

Si ta parandaloni:

Shikoni qëndrimin tuaj, veçanërisht kur jeni ulur për periudha të gjata. Sigurohuni që ekrani i kompjuterit tuaj të jetë në nivelin e syve dhe të keni mbështetjen e duhur të shpinës. Gjithashtu, sigurohuni që të bëni pushime të shkurtra për të shtrirë trupin dhe për të relaksuar muskujt e qafës.

“Jam katër gola larg kthimit në legjendë”, Myrto Uzuni: Më mungon ish-klubi, një ditë padyshim do kthehem

Myrto Uzuni po bën mirë me Granadën në Spanjë. Kështu ka tërhequr sërish vëmendjen e gazetarëve në Hungari, pasi kujtojmë se para transferimit te Granada ishte pjesë e Ferencvarosh.

 

Në një intervistë për mediat hungareze, Myrto Uzuni lë të hapur mundësinë e rikthimit te Ferencvaros. Po ashtu vë në dukje rekordin e 44 golave të Jusef El Arabi, që mund të thyejë te Granada, ndërsa aktualisht është në kuotën e 40 golave.

“Ndihem shumë mirë në Granada. Qyteti, tifozët dhe skuadra janë të mrekullueshëm. Fatmirësisht, po shkon mirë, kam shënuar 40 gola deri tani, jam 4 gola larg për t’u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e klubit. Jam afër që të përmendem në legjendat e klubit”, u shpreh Uzuni fillimisht.

Ferencvaros- “Sigurisht që më mungon. Kanë kaluar 3 vite qëkur u largova, por gjatë kësaj kohe e kam ndjekur skuadrën sa kam pasur mundësi, kam parë dhe ndeshje. Më mungon stadium, tifozët dhe çdo gjë që e rrethon Ferenvarosh. Do të ketë gjithmonë një vend në zemrën time. Kurrë nuk do t’i harrojë momentet kur tifozët këndonin me emrin tim pas ndeshjeve me Ujpest, Dinamo Zagreb apo Molde. Janë kujtime të paharrueshme.

Mund ta deklaroj që do rikthehem. Kur erdha nga Budapesti para 3 viteve, ajo “mirupafshim” nuk ishte përgjithmonë. Mbaj kontakte me presidentit Tamas Hajnal dhe Gabor Kubatov. Dhe ato më shkruajnë rregullisht dhe unë i uroj gjithmonë kur arrijnë rezultate të mira dhe suksese. Jam i sigurt që një ditë do të rikthehem te Ferencvaros, nuk ka dyshime”, tha ndër të tjera Uzuni.