14.8 C
Tirana
E martë, 20 Maj, 2025

Ushtrimet mendore që do t’ju bëjnë më të mençur

‘Neurobics’ është term që përdoret për të përshkruar një seri të ushtrimeve mendore. Kjo përfshin përdorimin e të gjitha shqisave: pamjes, dëgjimit, prekjes, shijes dhe nuhatjes. Ushtrimi i rregullt e stimulon rritjen e lidhjeve të reja neuronale në pjesë të ndryshme të trurit, i forcon qelizat nervore dhe promovon prodhimin e ushqyesve që forcojnë kujtesën. Këto janë disa nga ushtrimet mendore që do t’ju bëjnë më të zgjuar:
Pastroni dhëmbët me dorën jo-dominante
Studime shkencore kanë zbuluar se duke e përdorur hemisferën jo-dominuese të trurit (gjë që e kërkon ky ushtrim) rezulton në zgjerim të shpejtë të sipërfaqes kortiale.

Bëni dush me sy mbyllur
Shqisat e prekjes aktivizojnë pjesë të ndryshme të trurit. Me përdorimin e duarve mund të ndjeni teksturat e trupit që janë të pamundshme për t’i parë, kjo është fjalë nervave në duar që dërgojnë sinjale te truri kur preket lëkura.

Thyeni rutinën e mëngjesit
Disa studime kanë dëshmuar se ndryshimi i detyrave të përditshme e rritë trashësinë e lëkurës dhe e përmirëson aktivitetin e trurit, transmeton telegrafi.

Uluni diku tjetër në tavolinë
Në shumicën e familjeve, çdo anëtarë e ka vendin e caktuar se ku ulet, mirëpo truri ka nevojë të befasohet me eksperienca të reja për t’u zhvilluar.

Komunikoni më shumë gjatë ditës
Është dëshmuar shkencërisht që mungesa e komunikimit ndikon seriozisht në aftësitë njohëse.

Lexoni ndryshe
Ne aktivizojmë zona të ndryshme të trurit kur lexojmë apo i dëgjojmë personat tjerë. Leximi me zë apo në heshtje bën që truri të punoj më ndryshe.

Studimi: Taksat, Rama varfëroi shqiptarët

Banka Botërore publikoi së fundmi një studim me titullin “Ndikimi shpërndarës i sistemit fiskal” i fokusuar vetëm tek Shqipëria. Studimi përmbys të vetmin argument që mazhoranca aktuale përdori në mandatin e parë lidhur me taksën progresive.
Sipas autorëve kjo taksë ka varfëruar më shumë ata që konsideroheshin tashmë të varfër sipas pragjeve të vendosura mbi të ardhurat e disponueshme për konsum. Raporti thotë se rreth 29 për qind e ekonomive familjare u varfëruan dhe lëvizën tek të ardhurat e disponueshme për konsum (pas pagimit të taksave indirekte) në 4 dollarë në ditë kurse 8 për qind e tyre ranë në 2.5 dollarë në ditë.
Në këtë pikë Banka Botërore nuk është e vetme, pasi më herët ka qenë edhe një studim i PNUD, që trajtonte pikërisht këtë aspekt.

Por çfarë thotë në fakt studimi?
“Efekti i rritjes së varfërisë nga taksat direkte dhe kontributet është i vogël, por jo i parëndësishëm. Varfëria u rrit me 0.23 për qind tek niveli nën 2.5 dollarë në ditë të disponueshme për konsum. Efekti është më i madh për ata që janë në nivelin 4 dollarë në ditë me një kontribut marxhinal në varfëri nga Tatimi mbi të Ardhurat personale me 0.87 për qind dhe 0.91 për qind nga kontributet e sigurimit shoqëror dhe shëndetësor.
Kjo e rrit normën e varfërisë me 1.48 pikë përqindje, kur kombinohen të dyja. Ndikimi në varfëri i taksave direkte lidhet me pragjet relativisht të ulët për pagesën e secilës prej ndarjeve të Tatimit mbi të Ardhurat Personale. Nëse të paktën njëri prej anëtarëve të familjes fiton më shumë se 1.06 dollarë në ditë në sektorin formal (pagë apo i vetëpunësuar) ai anëtar paguan një Taksë mbi të Ardhurat Personale prej 13 për qind.
Pragu për pagesën e një niveli 23 për qind në Tatimin mbi të Ardhurat Personale për punonjësit me pagë është 4.58 dollarë në ditë. Në mënyrë të ngjashme një person që fiton më shumë se 0.80 dollarë në ditë paguan një sigurim shëndetësor dhe social.

Si rezultat i kësaj, 9 për qind e popullsisë në Shqipëri është varfëruar (u bënë të varfër ose ranë më poshtë në varfëri tek 4 dollarë në ditë) pas pagesës së taksave direkte dhe kontributeve”, thuhet në studimin e Bankës Botërore.
Por sikur të mos mjaftonte kjo edhe taksat indirekte kanë pasur një rritje të ndikimit të tyre në varfërimin e shqiptarëve. Banka Botërore sjell në vëmendje Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe Akcizën.
“Taksat indirekte në anën tjetër janë regresive dhe lehtësisht të pabarabarta dhe po rezultojnë në rritje në masë të varfërisë. Ky efekt udhëhiqet nga TVSH-ja. Kjo taksë ka shtyrë një pjesë të familjeve në varfëri. Akciza megjithëse progresive ka një ndikim negativ në varfëri. Rreth 29 për qind e ekonomive familjare u varfëruan dhe lëvizën tek të ardhurat e disponueshme për konsum (pas pagimit të taksave indirekte) në 4 dollarë në ditë kurse 8 për qind ranë në 2.5 dollarë në ditë”, vlerëson studimi.

FMN: Futja e biznesit të vogël në TVSH do ulë të ardhurat

Nga 1 prilli, të gjitha bizneset që kanë xhiro vjetore më të lartë sesa 2 milionë lekë në vit do të hyjnë në skemën e TVSH-së. Tatimet kanë vlerësuar se janë rreth 11 mijë biznese që në një fazë të parë do të duhet të deklarojnë dhe të paguajnë TVSH për herë të parë në muajin korrik (TVSH-ja e biznesit të vogël do të deklarohet një herë në tre muaj). Por, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka shprehur sërish skepticizmin lidhur me uljen e pragut të TVSH-së nga 5 në 2 milionë lekë. Në një takim me mediat, përfaqësuesja e Misionit të FMN në Tiranë, Anita Tuludhar tha se, përfshirja e këtyre bizneseve në skemë do të krijojë më shumë ngarkesë për administratën dhe do ta shpërqendrojë, në vend të fokusohet te ndërmarrjet e mëdha. Kjo mund të ndikojë në uljen e të ardhurave. Që në tetor të vitit të kaluar, kur qeveria prezantoi planin e saj për të ulur pragun e TVSH-së, FMN-ja e shprehu hapur skepticizmin e saj. Më herët, përfaqësuesi i përhershëm i FMN-së, në Shqipëri, Jens Reinke, është shprehur se “Pas vlerësimeve të shumta nga ekspertët tanë të taksave, ne e kemi këshilluar qeverinë fuqimisht kundër uljes së kufirit të TVSH-së nga niveli aktual. Ndërmarrjet e vogla përbëjnë gjysmën e të gjithë bizneseve, por sjellin vetëm 2% të transaksioneve të taksueshme. Zgjerimi i sistemit të TVSH-së do të jetë një barrë shumë e rëndë për burimet e Departamentit të Taksave. Informaliteti dhe evazioni i taksave mund të rritet dhe eficenca e administratës së taksave ka të ngjarë të bjerë. Sipërmarrjet e vogla do të mund të përballen gjithashtu me një barrë të shtuar të kërkesave për raportime”. Pavarësisht këshillave të FMN-së dhe ekspertëve të tjerë, qeveria u shpreh e vendosur që të vazhdojë me planin e saj dhe brenda pak ditësh ekonomia shqiptare do të testojë pasojat që do të ketë TVSH-ja te bizneset e vogla dhe tek të ardhurat buxhetore. Bizneset që kanë xhiro mbi 2 milionë lekë në vit do të përfshihen në skemën e TVSH-së, duke filluar nga data 1 prill. Në një vëzhgim të realizuar me kamerën e Televizionit SCAN, bizneset e vogla janë të frikësuar të flasin, pasi i druhen ndonjë penalizimi të mundshëm nga tatimorët. Por, jashtë kamerës pranojnë se nuk janë gati për një gjë të tillë. Ndërkohë, ka edhe nga ata përfaqësues biznesesh, të cilët janë më guximshëm e që flasin hapur se, përfshirja në skemën e TVSH-së do t’i detyrojë që të mbyllin aktivitetin e tyre. Opozita ka qenë kundër uljes së nivelit të xhiros vjetore nga pesë milionë në dy për biznesin e vogël. Sipas opozitës një gjë e tillë do të dëmtojë shumë familje, të cilat mbahen me biznese familjare. Ndërkohë që nga pozita TVSH tek biznesi i vogël do të ndikojë në formalizimin e tregut.

Aeroporti i Vlorës, Nëse ka sukses, faturën e paguan konsorciumi

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin që i hap rrugën ngritjes së një komisioni të posaçëm për përzgjedhjen me procedurë të veçantë të konsulentit për negociimin dhe lidhjen e kontratës, ndërmjet shtetit shqiptar dhe shoqërive “Çengiz Construction & Kalyon & Kolin Construction”, me objekt projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e Aeroportit të Vlorës”.
Komisioni do të përbëhet nga jo më pak se tre anëtarë, specialistë të fushave përkatëse të autoritetit kontraktor (juristë, ekonomistë dhe inxhinierë).
Ky komision do të kryejë identifikimin e shoqërive konsulente që ofrojnë shërbim në fushën e këshillimit juridiko-financiar e teknik, bazuar edhe në eksperiencat e mëparshme të bashkëpunimit të shtetit shqiptar me këto shoqëri, si dhe në vlerësimet e këtyre konsulentëve në publikime kombëtare dhe ndërkombëtare.

Kriteret që duhen plotësuar
Ftesa për ofertë duhet të përmbajë specifikimin e objektit dhe të llojit të shërbimit të kërkuar, nevojën e kontraktimit të konsulentëve, kriteret e përgjithshme e të veçanta që duhet të plotësohen nga konsulentët dhe datën përfundimtare të pranimit të kërkesës nga të interesuarit dhe:
a) në çdo rast, numri i shoqërive të identifikuara nuk duhet të jetë më i vogël se tre;
b) komisioni fton të gjitha shoqëritë që të paraqesin dokumentacionin për të provuar kapacitetin e tyre për përmbushjen e objektit të kësaj kontrate, brenda një periudhe jo më shumë se 7 ditë nga data e dërgimit të ftesës. Ftesa dhe kriteret e përzgjedhjes duhet të përmbajnë elementët që përcaktohen në këtë vendim;
c) komisioni vlerëson kompanitë që përmbushin kriteret dhe i fton ato për paraqitjen e ofertës teknike dhe financiare;
ç) në përfundim të vlerësimit, komisioni harton një raport përmbledhës për zhvillimin e procedurës dhe ia paraqet për miratim titullarit të autoritetit kontraktor;
d) komisioni vazhdon vlerësimin edhe në rast të paraqitjes së një oferte/operatori ekonomik të vetëm, brenda afatit të fundit të paraqitur në ftesën për ofertë;

dh) në rast kualifikimi të një ose më shumë ofertave, komisioni i lë kohën e nevojshme, por jo më shumë se 10 (dhjetë) ditë pune, ofertuesit/ofertuesve për paraqitjen e ofertës tekniko-financiare.
e) pas paraqitjes së ofertave/ofertës, komisioni, brenda 5 (pesë) ditëve pune, bën vlerësimin përfundimtar dhe harton raportin përfundimtar sipas përcaktimit në shkronjën “ç”, të këtij neni.
Kriteret ligjore, teknike dhe financiare që duhet të plotësojnë ofertuesit/operatorët ekonomikë për pjesëmarrje dhe kualifikim janë, si më poshtë:
a) Të kenë dokumentacionin e regjistrimit në QKB ose një dokument ekuivalent për operatorët e huaj;
b) Të kenë një vetëdeklarim që operatori nuk është në proces falimentimi dhe në ndjekje penale;
c) Të kenë, të paktën, një kontratë për shërbim të ngjashëm, të realizuar brenda tri viteve të fundit. Shërbimi duhet të jetë ofruar dhe realizuar për një investim me vlerë minimale 70 000 000 (shtatëdhjetë milionë) euro;

ç) Të kenë një xhiro vjetore mesatare të tri viteve të fundit jo më pak se 50% të vlerës së investimit;
d) Të kenë një përshkrim të detajuar i metodologjisë që do të përdoret për realizimin e shërbimit të kërkuar të shoqëruar me një grafik të hapave që do të ndërmerren dhe afatet përkatëse.
Ofertat e kualifikuara do të vlerësohen në bazë të çmimit të ofruar. Oferta me çmimin më të ulët do të jetë oferta fituese. Fondi limit është 20 000 000 (njëzet milionë) lekë, pa përfshirë TVSH-në.
Pas miratimit të raportit përmbledhës nga titullari i autoritetit kontraktor, komisioni, brenda 5 (pesë) ditëve, fton operatorin fitues të negociojë kushtet e kontratës. Çmimi si kriter i vlerësimit është kusht i panegociueshëm. Palët duhet të përfundojnë negociimin brenda 7 (shtatë) ditëve. Nëse dështojnë negociatat me operatorin fitues ose nëse ai tërhiqet, komisioni fton për negociim operatorin e radhës, nëse ka. Në rast se nuk mbetet asnjë ofertues në garë, autoriteti kontraktor do të rihapë garën.
Në rast të një procedure të suksesshme për negociimin dhe nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës me shoqëritë “Çengiz Construction & Kalyon & Kolin Construction”, komisioni i negociimit të kontratës do të vendosë si kusht në kontratën e konsulencës edhe detyrimin e këtyre shoqërive për të paguar vlerën përkatëse të paguar nga autoriteti kontraktor për konsulencën e dhënë nga operatori ekonomik fitues.

Gjermani, nis me grindje koalicioni i madh

Ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer ia doli brenda një kohe të shkurtër të trazojë qeverinë e re që sapo filloi nga puna. CDU nervozohet. Ndërkohë që me pikëpamjet e tij janë dakord shumica e gjermanëve. Çfarë ndodh kur i pyet politikanë të CDU-së për politikanë si Horst Seehoferi, ministri i Brendshëm Federal i CSU-së? Jo më ai, do të dëgjoje. Gjashtë ditë në postin e ri, dy herë ai ia ka acaruar nervat kolegëve të partisë CDU. Fillimisht me fjalinë, se myslimanët që jetojnë në Gjermani janë pjesë e Gjermanisë, por jo islami. Pastaj me propozimin për zgjatjen e kontrolleve kufitare në Gjermani e zgjerimin e tyre. A kemi nevojë për debate të tilla? Sekretarja e Përgjitshme e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer përmblodhi në fillim të javës atë që e mendojnë shumë gjermanë: Qytetarët presin që pas një kohe të zgjatur të krijimit të qeverisë, koalicioni të kthehet tek puna faktike. Të profilizohesh me punë të vendosur është në rregull, tha ajo, por kur erdhi puna të përmendte emra, nuk përdori atë të Seehoferit, por të ministrit të Ekonomisë, Peter Altmeier (CDU) që ka shkuar në Uashington për të mënjanuar një luftë tregtare me SHBA.

“Çfarë do të thotë ky debat?”
“Çarë do të thotë ky debat?”, reagon një politikan i zemëruar i CDU-së që nuk do të përmendet me emër. Ai ka parasysh deklaratën e Seehoferit se islami nuk i përket Gjermanisë. “Ne kemi shumë probleme të tjera, grindjen me SHBA, të ardhmen e BE. Digjitalizimin. Për këto duhet të kujdesemi”. Edhe kancelarja e refuzoi ftohtë Seehoferin. “Ndërkohë jetojnë katër milionë myslimanë në Gjermani. E po ashtu edhe feja e tyre i përket Gjermanisë. Pra edhe islami”, tha ajo. Nga ana tjetër ofensivën e Seehoferit për kontrollin e kufijve ajo e mbështeti për sa kohë që nuk është garantuar plotësisht mbrojtja e kufijve të jashtëm të BE”.

“Askush nuk do të shkallëzohet grindja”
Lidhur me debatin për islamin reagoi edhe partneri i koalicionit, SPD. “Debatet që ndajnë vendin, nuk i ndihmojnë askujt”, tha zëvendëskryetarja e partisë SPD, Manuela Schwesig. Shumë reagime nuk ka pasur edhe nga CDU për deklaratën e Seehoferit. Vetëpërmbajtja ka arsyet e veta: “Sigurisht grindja mes partive ndikon menjëherë në perceptimin në popullsi”, thotë Roberto Heinrich nga instituti i opinionit publik, Infratest për DW. “Pra askush nuk ka interes për shkallëzimin e grindjes”. Sidomos edhe SPD-ja mendon tani që të riorientojë kursin e saj në politikën e refugjatëve. Kredoja e ministres socialdemokrate për Familjen, Franziska Giffey është – oferta të qarta integrimi, por edhe sanksione, nëse rregullat nuk respektohen. Nga ana tjetër, të gjithë në qeveri e dinë se deklaratat e Seehoferit kanë mbështetje në popull. “Kur pyetëm herën e fundit, nëse islami i përket Gjermanisë, ishin 60% e të anketuarve që thanë se islami nuk është pjesë e Gjermanisë”, thotë eksperti i opinionit, Roberto Heinrich.

Një debat i vjetër
Horst Seehofer bën deklarata, por ato nuk do të kenë ndonjë pasojë konkrete, sepse çështjet e kontrolleve kufitare rregullohen brenda BE. Shumë vende të BE, krahas Gjermanisë edhe Austria, Suedia, Danimarka, Norvegjia, kanë futur kontrollet kufitare pas valës së refugjatëve në vitin 2015. Kontrollet konsiderohen në fuqi deri në maj. BE kërkon t’i heqë ato, por nëse kjo do të ndodhë varet nga bisedimet mes vendeve të prekura. Ndërsa debati tjetër, nëse islami i përket Gjermanisë, është një debat më i vjetër. Ai u ndez në vitin 2010, kur presidenti i atëhershëm, Christian Wulff tha se “islami i përket Gjermanisë”. Opozita kritikon, se Seehofer vepron si politikan i CSU-së dhe jo si ministër i Brendshëm.

Koncesionet, 39% e HEC-eve planifikohen në zona të mbrojtura

Në datën 16 shkurt 2018, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nisi procedurat për zgjidhjen e njëanshme të kontratës së koncesionit, për 3 hidrocentrale mbi lumin Osum, duke nënvizuar se mbështet veprat e reja energjetike, por projektet duhet të jenë në përputhje me kushtet teknike dhe në harmoni me mjedisin. Vendndodhja e HEC-ve të rinj ishin derdhja e përrenjve të Veleshnjës dhe Bigasit, degë e lumit Osum, që derdhet në Kanionet e Osumit, zonë që gëzon statusin e mbrojtjes “monument natyre”. Por, këto hidrocentrale nuk janë të vetmit, të projektuar në zonat e mbrojtura. Nga studimet më të fundit (viti 2017), të kryera në kuadër të fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”, nga organizata Riverwatch dhe Euronature, ka rezultuar se rreth 39% e HEC-ve të ndodhen në zona të mbrojtura. Referuar statusit të mbrojtës, hidrocentralet, nuk kanë kursyer zonat ‘Rezervë Strikte Natyore”, që është kategoria më e lartë ligjore e mbrojtjes, parqet kombëtare (kategoria II), por edhe zona me mbrojtje ndërkombëtare sikurse janë zonat Ramsar apo Emerald. Ndërtimi i hidrocentraleve në këto zona, bie ndesh me legjislacionin shqiptar “Për zonat e mbrojtura”, ku ndër të tjera thuhet se në këto zona “janë të ndaluara ndërtimi i zonave urbane, i autostradave, hekurudhave, linjave të prodhimit të energjisë, si hidrocentrale, linjave të tensionit të lartë dhe sistemeve të naftës e të gazit me shtrirje të gjatë”. Ndërkaq, pas skandalit të 3 hidrocentraleve mbi lumin Osum, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ka premtuar rishikim të të gjitha lejeve mjedisore të dhëna deri më tani. Ndërkohë që, e kontaktuar nga TV SCAN Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se, nëse Ministria e Mjedisit konstaton probleme në koncesionet e dhëna më parë, duhet të vërë në dijeni këtë dikaster e më pas të vijohet me procedurat e tjera që parashikon ligji dhe se ai do të zbatohet në çdo rast me rigorozitet.

Trump uron presidentin rus, dy liderët dakord për bisedime

Presidenti Donald Trump uroi Presidentin rus Vladimir Putin për rizgjedhjen e tij gjatë një telefonate të martën dhe dy udhëheqësit ranë dakord të zhvillojnë bisedime së shpejti.
“Ndoshta do të takohemi në një të ardhme jo shumë të largët, që të diskutojmë për armët, mund të diskutojmë mbi garën e armatimeve”, u tha Presidenti Trump gazetarëve përpara një takimi me princin e kurorës Mohammad bin Salman të Mbretërisë Saudite. Ai tha se, gara e armatimeve ka dalë “jashtë kontrollit”, por SHBA “nuk do të lejojë askënd të ketë diçka qoftë edhe të përafërt me atë që ne zotërojmë”. Çështje të tjera që do të diskutohen gjatë takimit dypalësh do të jenë Ukraina, Siria dhe Koreja e Veriut, shtoi Presidenti Trump. Gjatë thirrjes telefonike, Presidenti Trump theksoi çnuklearizimin e Gadishullit Korean, diskutoi mbi gjendjen e marrëdhënieve SHBA-Rusi dhe shprehu vendosmërinë për të vazhduar dialogun rreth “prioriteteve dhe sfidave të përbashkëta të sigurisë kombëtare”, sipas Shtëpisë së Bardhë. Në një deklaratë zyrtare të bërë të martën nga Kremlini thuhej se, Trump dhe Putin diskutuan mbi rëndësinë e bashkëpunimit në problemet e terrorizmit ndërkombëtar, në kufizimin e armëve bërthamore dhe për çështjet ekonomike. Zoti Putin fitoi mandatin e tij të katërt në zgjedhjet presidenciale të së dielës me 77 për qind të votave.

Presidenti Trump nuk tha nëse kishte diskutuar mbi ndërhyrjen ruse në garën presidenciale amerikane të vitit 2016 dhe mbi paralajmërimet e komunitetit amerikan të zbulimit se, Moska vazhdon përpjekjet për të ndikuar në zgjedhjet e SHBA. Menjëherë pas komenteve të bëra nga zoti Trump në Zyrën Ovale, senatori republikan John McCain i Arizonës e kritikoi ashpër Presidentin në Twitter. “Një president amerikan nuk e udhëheq botën e lirë, duke përgëzuar diktatorët për fitoren në zgjedhjet farsë”, shkruante McCain. “Duke vepruar kështu me Vladimir Putinin, Presidenti Trump fyen çdo qytetar rus, të cilit iu mohua e drejta për të votuar në zgjedhje të lira dhe të drejta”. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë fillimisht thanë se fitorja e Putinit nuk ishte befasi dhe se Shtëpia e Bardhë nuk kishte plane që zoti Trump t’i telefononte udhëheqësit rus për ta uruar. Si përgjigje, zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov u tha gazetarëve: “Kjo nuk duhet të shihet si një hap jo miqësor. Putini mbetet i hapur për normalizimin e marrëdhënieve me partnerët tanë amerikanë, aty ku kjo është me interes dhe me rëndësi”. Ai shtoi: “Nuk ka asnjë arsye për ta bërë qimen tra këtu. Madje, ekziston edhe një thënie e urtë: ‘Fli njëherë dhe mendoje përsëri kur të zgjohesh’”.

Votohet demarkacioni mes tymit dhe flakës në Kuvendin e Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka arritur të ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi me 80 vota pro, 11 kundër dhe asnjë abstenim.
Deputetët e Kuvendit i dhanë dritën e gjelbër kësaj marrëveshje. Kjo marrëveshje është votuar pas katër tentimeve për pengim që i bëri Vetëvendosje me hedhjen e gazit lotsjellës.
Si pasojë e këtyre veprimeve të deputetëve të VV-së, shumica nga ta u përjashtuan nga seanca.
Në momentin kur është votuar demarkacioni i pranishëm në seancë ka qenë vetëm deputeti i VV-së, Glauk Konjufca.
Në seancën e sotme, Kuvendi u përball për më shumë se tetë orë me gazin lotsjellës të hedhur nga deputetët e Vetëvendosjes.
Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi, e nënshkruar në Vjenë, në vitin 2015, kishte krijuar një situatë të tensionuar në Kuvend dhe jashtë saj gjatë kohës sa në krye ishte Isa Mustafa.


Kuvendi u përball me gaz lotsjellës e ndodhi të ndryshme edhe në të kaluarën nga opozita.
Pamundësia për ta çuar tutje Marrëveshjen me Malin e Zi, kishin rezultuar në rrëzimin e qeverisë “Mustafa”.
Mocioni i nisur nga opozita atëkohë, u përkrah edhe nga partneri qeverisës i Mustafës, PDK-ja.

Londër, largohen 23 diplomatë rusë

23 diplomatë rusë dhe familjarë të tyre u larguan sot nga ambasada në Londër me urdhër të autoriteteve britanike pas polemikave rreth një sulmi me agjent nervor në tokën britanike.
Rusia u hakmor, duke dëbuar 23 diplomatë britanikë, të cilët pritet të largohen nga Moska në ditët në vijim. Kremlini mohon të jetë përfshirë në helmimin e ish-agjentit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij, Julia në qytetin britanik të Salisbury-t më parë gjatë këtij muaji. Gjendja e tyre vazhdon të mbetet kritike. Britania akuzon Rusinë për helmimin, gjë të cilën fuqitë perëndimore e shohin si shembull të ndërhyrjes gjithnjë e më agresive të Rusisë jashtë vendit.

Tokat bujqësore në Tiranë 10 herë më të shtrenjta se vendet e BE

farmer on his tractor plowing the field, rural wyoming

Rrethinat e Tiranës dhe në përgjithësi të rajonit të qendrës së Shqipërisë, Durrës dhe Elbasan, kanë çmimin më të lartë të tokës bujqësore në Europë. Sipas të dhënave Eurostat çmimi mesatar i tokës në BE arriti në 63,000 mijë euro për një hektar (6.3 euro metri katror) në vitin 2017. Në Shqipëri çmimi mesatar i një metri katror në fshatrat e Tiranës varion mesatarisht në 70-90 euro për metër katror sipas të dhënave që dha ekspertja Xheni Jahja nga Tirana Real Estate. Sipas të dhënave krahasuese çmimi i tokës bujqësore në Shqipëri është rreth 10 herë më i lartë se në vendet e BE-së.
Ekspertja Jajha ka disa shpjegime për këtë deformim të tregut të tokës bujqësore në vendin tonë. Së pari, mungesa e planeve rregulluese dhe planeve të detajuara. Sipas saj, të pasurit e një plani eliminon abuzimin që bëjnë pronarët në ofertën që hedhin në treg. Ndaj dhe çdo ditë përballemi me oferta të fryra që nuk i përshtaten kërkesës që ka tregu, shtoi ajo. Së dyti, çmimi i lartë i tokës në zonat rurale është edhe për shkak të kërkesës së vazhdueshme për zhvillim të sipërfaqeve të mëdha për zona industriale. Ekspertët e fushës mendojnë se, shkak për deformimin e çmimeve të pasurive të paluajtshme në Shqipëri janë ndërtimet, të cilat vijojnë të bëhen jo konform planeve rregulluese. Për shkak se toka bujqësore është përdorur lirisht edhe për tokë truall vlera e saj është rritur artificialisht pas viteve 1990. Duke u ndryshuar distanconi i përdorimit të tokës pa mbikëqyrjen e shtetit, aktualisht Shqipëria paraqitet me çmimet më të larta të tokës në Rajon. Jahja thotë se së fundmi ka pasur një klient që donte të shiste një tokë në Kamëz dhe e mbante me 180 euro/m2, pasi ngulte këmbë se e shiste për ndërtim, ndonëse ajo ishte tokë arë.

Toka në Europë
Sipas të dhënave të Eurostat, Holanda regjistroi çmimin më të shtrenjtë të blerjes së një hektari tokë të punueshme në BE në vitin 2016 (63 000 euro). Çmimi i tokës së punueshme në çdo rajon të Holandës ishte mbi të gjitha mesataret kombëtare të BE-së.
Megjithatë, midis rajoneve të BE-së për të cilat disponohen të dhëna, çmimi më i shtrenjtë për tokën bujqësore ishte në rajonin Liguria të Italisë (mesatarisht 108 000 euro për hektar (10.8 euro). Ndërsa toka me e lirë u regjistrua në Rumani, ku një hektar kushton mesatarisht 1958 euro. Ky informacion, i publikuar nga Eurostat, vjen nga një grup i ri statistikash mbi çmimet e tokës bujqësore dhe qiratë, e cila mbulon shumicën e shteteve anëtare të BE.
Eurostat shpjegon se niveli i çmimeve të tokës varet nga ligjet kombëtare, rajonale (klima, afërsia me rrjetet) dhe faktorët lokalë (cilësia e tokës, pjerrësia, drenazhimi etj.) si dhe forcat e tregut të ofertës dhe kërkesës rregullat e pronësisë së huaj). Nga të dhënat në dispozicion, rritja më e madhe në çmimet e tokës bujqësore midis 2011 dhe 2016 ishte në Republikën Çeke (një rritje tre herë), Lituania, Estonia, Letonia dhe Hungaria (një rritje dyfish). Çmimet u rritën edhe në shtetet e tjera anëtare, edhe pse me norma shumë më të ulëta. Në pothuajse të gjitha rajonet, blerja e tokës bujqësore ishte më e shtrenjtë se blerja e kullotave (20 herë më të shtrenjta në ishujt grekë të Voreio Aigaio). Po ashtu, blerja e tokës së punueshme të ujitshme ishte më e shtrenjtë se tokat në të thatë. /Monitor/