32.5 C
Tirana
E enjte, 28 Gusht, 2025

Oligarku Jaka, 5 milionë euro nga Rama në dy vite, ja pse sulmoi protestuesit në “Rrugën e Kombit”

Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, është një nga përfituesit më të mëdhenj të tenderave publikë, të cilat në pjesën dërrmuese janë fituar me çmime sa 99 për qind e fondit limit.
Deklaratat e “çuditshme” të Nikolin Jakës, kundër interesave të biznesit të vogël, që ai presupozohet të përfaqësojë dhe kundër protestuesve të rrugës Durrës-Kukës kanë nga pas interesa të forta ekonomike. Syri.net zbardh dokumentat zyrtarë që tregojnë se në dy vitet e fundit, ish i burgosuri për korrupsion Jaka, ka përfituar miliona euro tendera publikë nga qeveria, në shumë raste me ofertë sa 99 për qind e fondit limit.
Sipas të dhënave nga Agjencia e Prokurimeve Publike, vetëm përmes kompanisë Sori-Al, Jaka dhe ish bashkëshortja e tij, Alma Tafani kanë përfituar mbi 5 milionë euro tendera publikë në dy vitet e fundit.
Sori-Al është një kompani që merret me shërbimin e ushqimeve të gatuara. Kompania furnizon me ushqime një numër shumë të madh të institucioneve publike, falë tenderave që ka arritur të marr duke shfrytëzuar edhe influencën e kreut të Dhomës së Tregtisë me qeverinë.

Kontratat
Sori-Al është kompania që ofron shërbimin catering për Albcontrol. Tenderi me vlerë 1 milionë euro është fituar në vitin 2016 me një çmim sa 99.9 për qind e fondit limit.
Me të njëjtën vlerë ndaj fondit limit kjo kompani ka marrë edhe tenderin e furnizimit me ushqime të spitalit Shefqet ndroqi, të organizuar nga Ministria e brendshme. Lista e kontratave me vlerë mbi 99 për qind e fondit limit, që kompania Sori-Al ka përfituar nga qeveria është e gjatë. Vetëm për dy vitet e fundit, shuma e tyre arrin në 5 milionë euro dhe në shumë raste, kompania është shpallur fituese edhe pse ka patur ofertën më të lartë.
I tillë ishte tenderi për furnizimin me ushqim të repartit ushtarak 3006 në Farkë, I organizuar nga njësia e blerjeve të përqëndruara në Ministrinë e Brendshme. Në këtë tender u paraqitën tre oferta. Më e ulëta ishte ajo e kompanisë, Shpresa dhe l’Artist me vlerë 310 mijë euro. Por tenderi u fitua nga Sori-Al që kishte ofertën më të lartë me vlerë 351 mijë euro ose 40 mijë euro më shumë se sa oferta më e ulët.
“Miq” me përfitime
Pak muaj më parë kur qeveria lajmëroi nismën e shumëpërfolur që detyron biznesin e vogël të paguajë Tatim mbi Vlerën e Shtuar, Nikolin Jaka, ishte një nga zërat e pakët që e mbështeti publikisht. Madje duke bërë edhe deklarata kundër interesave të biznesit, të cilin presupozohet se duhet të përfaqësojë.
Gjatë një emisioni në Top Channel, ku u diskutua për barrën e TVSH për bizneset e vogla, Jaka tha se i gjithë informaliteti lind nga aty dhe vendosja e TVSH për këto biznese është zgjidhja e duhur që ato të mbyllen.
“Dyqanet e lagjeve duhet të mbyllen dhe do të mbyllen brenda 4-5 viteve. Qytetarët duhet të shkojnë të blejnë në supermarkete”, tha Jaka.

Por kjo nuk është deklarata e vetme, ku kreu I Dhomës së Tregtisë bën propagandën e qeverisë për të justifikuar nismat e saj abuzive kundër interesave të biznesit dhe qytetarëve.
Një ditë pas protestës për vendosjen e taksës në rrugën Durrës-Kukës ai ishte zyrtari i parë që ju bashkua etiketimeve fyese të Edi Ramës ndaj qytetarëve të Kukësit duke i quajtur ata vandalë.
“Sot ne si Forum, dënojmë çdo akt vandal që ka shkatërruar një pasuri të sipërmarrjes private. Nëse ne duhet ta neglizhojmë këtë fakt, secili prej nesh duhet ta braktisi këtë vend” u shpreh Jaka gjatë një takimi me shoqatat e biznesit.
Me këto qëndrime, duket qartë se kreu i Dhomës së Tregtisë, në vend të interesave të biznesit të ndershëm, përfaqëson ato të qeverisë. Madje edhe në ato raste kur veprimet korruptive të qeverisë dëmtojnë drejtëpërdrejtë biznesin.
Arsyeja del nga dokumentat zyrtarë të APP-së. Jaka dhe Rama duket se kanë një marrëdhënie me përfitime dy palëshe, duke shkëmbyer tenderat me mbështetjen publike nga një organizatë që duhet të përfaqësonte biznesin dhe jo propagandën qeveritare.
“Syri.net”

Prokuroria dokumenton lidhjet e Tahirit me milionerin që pastron paratë e drogës

Edi Rama, Partia Socialiste dhe së fundmi edhe Donald Lu kanë vënë në dyshim provat e Prokurorisë për lidhjet e Saimir Tahirit me bandën e Habilajve. Në këtë frymë, të gjithë bashkë kanë mohur edhe lidhjet e ish-ministrit të Brendshëm me Orest Sotën, djaloshit që iu gjendën 863 mijë euro dhe patentat e skafit të Tahirit në automjet, në nëntor 2017.
“Boldneës.al” ka siguruar të dhëna ekskluzive nga dosja gjyqësore, të cilat faktojnë njohjen e Tahirit me Orest Sotën, njeriun, për të cilin prokuroria dyshon se transportonte paratë e ish-ministrit të Brendshëm.
Nga të dhënat në dosjen që gjendet në Gjykatën për Krime të Rënda, rezulton se Saimir Tahiri ka tre dalje dhe dy hyrje me automjetin me targë AA973RX që është në pronësi të familjes Sota. Po ashtu, Saimir Tahiri ka një dalje me automjetin me targë AA101DJ që është në pronësi të shoqërisë “Ikona” me pronar Lefter Sota.
Ndërkohë, rezulton se shoferi i Tahirit, Gentian Çeka, ka dy dalje dhe një hyrje me makinën me targë AA718OS që është në pronësi të Orest Sotës. Shtetasi Gentian Çeka ka dy dalje dhe një hyrje me makinën me targë AA101DJ që është në pronësi të shoqërisë “Ikona” me pronar Lefter Sota. Shtetasi Gentian Çeka ka një hyrje me makinën me targë AA973RX që është në pronësi të Ardit Sotës.

– Më datë 01.09.2017, ora 01:28 shtetasi Orest Sota ka dalë nga Shqipëria nëpërmjet PKK Murriqan, me automjetin e tij AA718 OS dhe bashkë me të ka qenë edhe shtetasi Gentian Çeka (shoferi i shtetasit Saimir Tahiri). Janë kthyer me datë 03.09.2017, ora 13:58, nga e njëjta pikë kalimi dhe me të njëjtin mjet; Me datë 01.09.2017, ora 01:26 shtetasi Saimir Tahiri ka dalë nga Shqipëria nëpërmjet PKK Murriqan, me automjetin me targë AA 973 RX, që rezulton e regjistruar në emrin e shtetasit Ardit Sota, vëllait të Orest Sotës. Është kthyer me datë 03.09.2017, ora 13:47, nga e njëjta pikë kalimi dhe me të njejtin mjet. Pra, Saimir Tahiri rezulton që ka hyrë dhe ka dalë në të njëjtën kohë me Orest Sotën.
– Me datë 07.07.2017, ora 22:14 shtetasi Saimir Tahiri ka dalë nga Shqipëria nëpërmjet PKK Murriqan, me automjetin me targë AA 973 RX, që rezulton e regjistruar në emrin e shtetasit Ardit Sota, vëllait të Orest Sotës. Është kthyer me datë 09.07.2017, ora 15:39, nga e njëjta pikë kalimi dhe me automjetin me targë AA 101 DJ, që rezulton e regjistruar në emrin e shoqërisë “IKONA” me pronar Lefter Sota, babai i Orestit.
– Me datë 02.08.2016, ora 22:14, shtetasi Saimir Tahiri ka dalë nga Porti Durrës, me automjetin AA516NU(i regjistruar në emrin e një shtetasi nga Elbasani) nga linja “Bari-Rigel-Duni”. Është kthyer me datë 07.08.2016, ora 13:19, nga e njëjta pike dhe e njëjta linjë, por nuk ka të regjistruar mjetin me të cilin është kthyer. Me datë 02.08.2016, ora 22:14, shtetasi Orest Sota ka dalë nga Porti Durrës, me linjën “Bari-Rigel-Duni” (nuk ka të dhëna për mjetin apo mënyrën e lëvizjes së tij). Është kthyer me datë 07.08.2016, ora 13:22, nga e njëjta pike dhe e njëjta linjë. Me automjetin AA101DJ kanë hyrje-dalje shtetasit Orest Sota dhe Gentian Çeka. Pra, sërish Saimir Tahiri dhe Orest Sota kanë të regjistruar orë të njëjtë për hyrjen dhe daljen nga Shqipëria.

Neranxi: Protesta masive, të ndalojmë dorën që vjedh për ditë në xhepat e shqiptarëve

Nikollaq Neranxi, Kryetar i Shoqatës se Tregtareve Shqiptare për Biznesin e Vogël, në takimin e zhvilluar me kreun e Partisë Demokratike, ka thënë se të gjithë bizneset e vogla duhet të ulin qepenat derisa të iki Edi Rama.
Neranxi ka vënë theksin në ndërmarrjen e protestave masive, ndërsa ka akuzuar Ramën se ka punuar për të shkatërruar biznesin e vogël.
“Natyrisht jemi shumë vonë, Edi Rama ka gati 5 vite në pushtet dhe këto kanë qenë vitet ku ai ka punuar me këmbëngulje dhe përkushtim për të shkatërruar biznesin e ndershëm…
Ka qenë e gjitha një skenar i mirëmenduar për të nxjerrë nga tregu të gjithë ne që kemi vite që ndërtojmë me përkushtim dhe ndershmëri një aktitvitet privat, në mënyrë që të fusë në treg paratë e krimit, drogës dhe korrupsionit.
Paketat fiskale të miratuara në këto vite që ai është në pushtet dhe të rritura deri në absurditet edhe nga Bashkia e Tiranës, këtu ku janë të përqëndruara pjesa më e madhe e biznesve, kanë qenë vendime kriminale me qëllimin e vetëm për të na falimentuar.
Në vitin 2014 kur Bashkia Tiranë rriti të gjitha taksat ekzistuese dhe vendosi taksa të reja, me keqardhje e them se ju nuk arritët ta kuptonit se ku do na çonte kjo rrugë.

Nuk ishit të shumtë në protestat para Bashkisë. Tani në fakt është shumë vonë sepse ju e dini mirë se sa biznese kanë ulur qepenat nga kjo politikë falimentuese për biznesin e ndershëm”, tha ai.
Neranxi paralajmëroi se e keqja nuk ka fund, sepse Edi Rama nuk ndalet në marrëzinë e tij.
“Në cilësinë e Kryetarit të Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe të Tregut të Shqipërisë unë propozoj protesta masive me karakter ekonomik. Të ndalojmë dorën që vjedh për ditë në xhepat tanë. Kundër taksave absurde që kalojnë mundësitë e biznesit për ti paguar. Taksat e Ramës dhe Velisë janë taksa falimentuese. Të protestojmë kundër çmimit të lartë të energjisë elektrike, karburantit, ujit dhe çdo formë vjedhjeje që na bën ky pushtet.
Propoganda e bijve të komunistave është e frikshme. Jo vetëm që na vjedhin, por na tregojnë me gisht se ne gjoja nuk po e kuptojmë Ramën se ai do të bëjë shtet, ndërsa ne s’duam të paguajmë taksa. i themi Ramës se taksat, biznesi i ndershëm i ka paguar gjithmonë edhe kur nuk ishe ti në pushtet, nuk jemi kundër pagimit të taksave, por jemi kundër pagesës së taksave të larta dhe të papërballueshme.
Të vetmit që nuk paguajnë taksa në këtë vend janë tregtarët e drogës dhe klientët e pushtet që bëjnë kontrabandë duke shkatërruar konkurrencën”, shtoi ai.

Deklarata e fortë e Asqeriut kundër qeverisë: Ktheni pasuritë që keni vjedhur, po shkrini vendin për t’u pasuruar

Artistët dhe aktorët, që kundërshtojnë prishjen e Teatrit Kombëtar, kanë prezantuar projektin e ri për duke ruajtur godinën ekzistuese dhe kundërshtuar projektin e qeverisë, që parashikon shembjen e saj dhe ndërtimin e një godine të re.
Projekti i prezantuar parashikon një godinë me 4 kate, me të gjitha parametrat , por ka prishur atë aktualen.
“Teatri i rikonstruktuar do jetë me 4 kate dhe do te ketë 2 hyrje. Veshja e jashtme e teatrit do jetë prej metali e xhami.
Kostoja mund të shkojë deri në 10 milionë euro bashkë me rikonstruksionin. Salla do jetë me sistem të kondicionuar dhe me të gjitha parametrat”, thuhet në prezantimin e projektit nga artistët e mbledhur në ambientet e Teatrit Kombëtar.
Profesori Përparim Kabo u shpreh se janë kundër shembjes së godinës së Teatrit, pasi ajo është tempulli i qytetit dhe kultura kombëtare.
“Ju zotëri që na erdhët nga Danimarka, doja t’ju thoja a shemben teatrot në Danimarkë ku Hamleti u shqetësua dhe tha se Danimarka është një burg. Kjo godinë nuk duhet shembur, pasi kjo godinë është tempulli i qytetit dhe kultura kombëtare.
Këtu është memorja kombëtare dhe njerëzit janë bërë më të mirë. A e dini ju zotërinj parlamentarë se çfarë tha një grua që pa një shfaqje këtu: ‘Po ta kisha parë më parë këtë shfaqje nuk do ta kisha vrarë burrin’.
Ju nuk e kuptoni çfarë do të thotë të shembet godina e Teatrit Kombëtar dhe nuk e kuptoni rëndësinë e saj. Nëse kjo godinë shembet, unë e them sot që kjo shembje është bërë nga ministrja Mirela Kumbaro dhe kryeministri Edi Rama. Projekti që na u paraqit sot ishte një vlerë kombëtare, ku ruhen godinat e ekzistuese”, tha Kabo.

Aktori i madh Bujar Asqeriu ka marrë pjesë në protestën e rradhës së artistëve dhe aktorëve, ku gjithashtu është prezantuar edhe projekti i tyre për Teatrin e ri Kombëtar. Në këtë projekt, artistët ruajnë godinën aktuale, ndryshe nga varianti i propozuar nga qeveria për prishjen e saj dhe ndërtimin e një teatri të ri. Sipas artistëve, kostoja për projektin e tyre nuk i kalon 10 milionë euro.
Bujar Asqeriu ndërsa ka marrë fjalën ka dhënë edhe dy mënyrat që sipas tij mund të çojnë në sigurimin e fondit që kërkohet.
“Kam dy propozim për ti ardhur në ndihmë qeverisë.
I pari mund të duket utopik dhe ti bëj shumë veta për të qeshur. Para disa vitesh qeveria nxori një ligj për amnisti për të mos dënuar ata që kanë armë. Dhe unë e kam vlerësuar.
Unë propozoj një amnisti për ata që kanë vënë dorën në para publike, që ti dorëzojnë në thesarin e shteti. E para lajnë mëkatet dhe e dyta tregojnë burrërinë e tyre. Ti paketojnë bukur dhe ti dorëzojnë në thesarin e shtetit. Dhe shikoni juve se mund të bëhen jo një teatër por dhjetë teatro.

E dyta, ata që janë në diasporë, që po tu thuash që të dorëzojnë nga 5 euro për teatrin. Unë mendoj se të gjithë do të japin aq para”, tha Asqeriu.
“Kam dy propozim për ti ardhur në ndihmë qeverisë. I pari mund të duket utopik dhe ti bëj shumë veta për të qeshur. Para disa vitesh qeveria nxori një ligj për amnisti për të mos dënuar ata që kanë armë. Dhe unë e kam vlerësuar
Unë propozoj një amnisti për ata që kanë vënë dorën në para publike, që ti dorëzojnë në thesarin e shteti. E para lajnë mëkatet dhe e dyta tregojnë burrërinë e tyre. Ti paketojnë bukur dhe ti dorëzojnë në thesarin e shtetit. Dhe shikoni juve se mund të bëhen jo një teatër por dhjetë teatro.
E dyta, ata që janë në diasporë, që po tu thuash që të dorëzojnë nga 5 euro për teatrin. Unë mendoj se të gjithë do të japin aq para”.

Artistët reagojnë sërish kundër shembjes së Teatrit nga Rama, prezantojnë projektin e tyre

Artistët kanë paraqitur sot variantin e tyre për Teatrin Kombëtar, si alternativë ndaj projektit të paraqitur nga qeveria për një gjë të tillë, duke mbështetur variantin e rikonstruksionit, e jo atë të shembjes.
“Teatri i rikonstruktuar do jetë me 4 kate dhe do te ketë 2 hyrje. Do të këtë dhe 460 vende për publikun.Veshja e jashtme e teatrit do jetë prej metali e xhami. Kostoja mund të shkojë deri në 10 milionë euro bashkë me rikonstruksionin. Salla do jetë me sistem të kondiconuar dhe me të gjitha parametrat”, thuhet në prezantimin e projektit nga artistët shqiptarë të mbledhur në ambientet e Teatrit Kombëtar.
Përparim Kabo, një prej mbështetësve të kauzës për mos shembjen, përveçse ruajtjes së godinës së Teatrit Kombëtar bëri thirrje edhe për mos prishjen e teatrit të kukullave, pasi edhe ajo përfaqëson histori, duke qenë godina e parlamentit të parë shqiptar.
“Nëse Teatri Kombëtar shembet, nga ministrja e Kulturës dhe kryeministri, parlamenti dhe shoqëria nuk mund të heshtin, media s’mund të bëjë lojëra të dyfishta. OJF-të që marrin paratë e donatorëve, të mos fshihen vrimave, por të vijnë këtu të mbrojnë Teatrin e kombit. As teatri i kukullave të mos shembet, sepse është godina e parlamentit të parë shqiptar. Në një vend ku shembet godina e parlamentit të parë kthehet mbretëria”, u shpreh Kabo.
Ndërsa politikani dhe analisti Preç Zogaj tha se kjo është betejë që kërkon t’i japë një shenjë gjithë shoqërisë. “Bëj apel që të gjithë të jemi bashkë që kjo gjë të marrë zgjidhje”, tha Zogaj.
Artistët edhe sot kundërshtuan ashpër projektin e qeverisë ‘Rama’ për Teatrin Kombëtar.

Skandal! Miku i ministrit Bushati dhe zv/kryeministres përndjek një 20 vjeçare dhe i dërgon foto të turpshme, policia e mbron

Një 20 vjeçare ka denoncuar një rast skandaloz, ku një i moshuar e ngacmon seksualisht, madje i ka dërguar edhe foto të turpshme në rrjete sociale.
20 vjeçarja nga Shkodra i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha, ku ishkruan se ka bërë kallzim penal në polici ndaj personit që e përndjek, por nuk ka pasur asnjë lloj reagimi nga ana e policisë, pasi përndjekësi njihet si eksponent i PS-së, por edhe si ish-zyrtar i lartë në Policinë e shtetit.
“Shikoni si mbrojnë cubin siçilist, që dërgon foto lakuriq në facebook-un e një vajze, narko-horrat me uniformë të Edvinit!
Lexoni mesazhin shikoni fotot qe dergon qytetarja dixhitale”, shkruan Berisha në Facebook.
“Mirdita zoti Doktor, un qe po te shkruaj jam nje vajze nga Shkodra 20 vjece. Dua te denoncoj nje shtetas me emrin Bajram Qarri i cili me ka ngacmuar dhe ndjekur rregullisht neper Shkoder. Arriti te me gjeje dhe facebook-un timin dhe te me dergoje foto nudo te tijat.

Une me ti marre keto foto vajta ta denoncoja tek komisariati i policise Shkoder. Ne momentin qe hyra tek porta kerkova nje punonjes policie per te bere kallzim. Pasi e njoftuan nje oficer policie dhe mora kontakt me ate duke ja treguar shqetsimin qe kasha, por ne moment sa mori vesht per rastin dhe personin per ke bente fjale, hasa ne nje menefregisem dhe neglizhenc sa arriti oficeri i policise te me thoje qe mos ben kallzim sepse je vajze e re dhe do te dali emri ne televizor dhe esht turp.
Une u largova nga policia dhe tani po te shkruaj ty sepse personi qe behet fjali shtetasi Bajram Qarri eshte nje ish-punonjes policie i cili e gezon statusin e ushtarakut nga taksapaguesit. Ishte ky person qe lajmeroj ish koleget e vet qe te me nxirrshin jasht nga komisariati, ky person vazhdon te me beje presion pasi thot qe un jam njeri i shtetit dhe i qeveris ne pushtet partis socialiste dhe kam force te te bej cdo gje, zoti Berisha un po t’i dergoj ca foto ku m’i ka derguar ky ish-polic dhe militant i Partise Socialiste ne Shkoder, ku shihet me drejtues te larte te partis PS. ju faleminderit”, shkruan vajza

Kullë edhe në mes të pyllit të Divjakës – Mjafton të vjedhin miliona

Duket paradoksale por është e vertete. Një kullë e lartë po ngre krye në pyllin e Divjakës, ndërsa pak metra më poshtë shtrihet bregdeti i lënë në mëshirë të fatit, tërësisht i ndotur.

Por çfarë është kjo ndërtese e lartë?

Drejtori i urbanistikës në bashki, Llazar Vodo shprehet se “Kulla ka 3 funksione. Në radhë të parë është në shërbim të policisë kufitare, të pikës së zjarrfikëseve, të drejtorisë së parkut e zonave të mbrojtura dhe që do t’i shërbejë edhe turizmit për pamjen që ofron”.

Jashtë pyllit, një ndër plazhet më të mëdha të Adriatikut, po shkatërrohet. Peshkatarët dhe qentë janë vizitorët e vetëm të plazhit në këto ditë me diell të prillit. Leshterikët, plastika dhe trungje pemësh, kanë formuar pirgje të mëdha duke ndotur një hapësirë prej 11 km vijë bregdetare.

Veliaj tjetër tender 100 milionësh kompanisë kliente të tij

Kompania Fusha Sh.p.k fiton një tjetër tender pa garë në Bashkinë e Tiranës. Sipas Tpz.al  institucioni i drejtuar nga Erion Veliaj, i vetëpagëzuar me noftën “Lali Eri”, e ka shpallur fituese firmën për tenderin me objekt “shërbimi i pastrimit dhe gjelbërimit në sheshe mbi dhe nën tokë dhe terminale”.

Fondi për këtë tender shkon në rreth 100 mijë USD me TVSH, ndërsa fondet janë dhënë nga buxheti i shtetit. Kohëzgjatja e kontratës është deri në datë 31 dhjetor 2018, duke nisur nga data e lidhjes së kontratës. Sipas dokumenteve në tender ka qenë pjesëmarrës vetëm kompania Fusha sh.p.k, dhe që ka ofruar rreth 99 përqind të vlerës së tenderi. Natyrisht, tenderi pa garë, është një mundësi e mirë për kompanitë private që të vendosin çmimin tavan për ofrimin e shërbimit.

Bashkia e Tiranës kërkon fshirjen dhe pastrimin me punëtorë shesh parkimi, fshirja e rrugëve me makineri, larja e sipërfaqeve dhe larja e WC-ve. Sipas specifikimeve teknike, fshirja dhe pastrimi me punëtorë do të bëhet 4 herë në javë, ndërsa fshirja e rrugëve me makineri 2 herë në javë dhe larja e sipërfaqeve 1 herë në javë. Kërkohen të mirëmbahen sipërfaqet e gjelbra.

Ndërkohë, kjo kontratë do të shtrihet në sheshin Asllan Rusi, parkimin te Qyteti Studenti, parkimi te Selman Stërmasi, parkimi nëntokësor te sheshi Skënderbej, parkimi nëntokësor te ish Stacioni i Trenit, terminali i Autobuzave të Jugut, sheshi te Avni Rustemi dhe sheshi tek Diga e Liqenit.

Tpz.al ka denoncuar edhe më parë se kompania Fusha Sh.p.k renditet një nga të preferuarat e Lali Erit. Sipas të dhënave, në muajt e fundit, Bashkia e Tiranës hapi sërish procedurën me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës për tenderin “Ndërtimi i këmbëve të Urës Menik mbi lumin Erzen”. Vlera totale e përfundimit të kontratës është 15,405, 521 lekë me TVSH. Përfituesi është sërish firma Fusha Sh.p.k. Pra, edhe kësaj herë, nuk është bërë tender, por vetëm është negociuar çmimi!

Fusha Sh.p.k, është kompani e vjetër në fushën e ndërtimit, megjithatë me fitoren e Erion Veliajt në Bashkinë e Tiranës, ajo pësoi një rritje të ndjeshme ekonomike, falë tenderave publik. Të dhënat e siguruara nga Tpz.al, nga Thesari i Shtetit, bëjnë me dije se Fusha Sh.p.k, ka 4 fishuar punën përgjatë viteve 2015-2018, në krahasim me vitet e 3 vitet shkuara.

Rama mbyll gjykatat për hallet e qytetarëve, hapja e një çështjeje deri në 200 milionë lekë

Hapja e një çështjeje të re gjyqësore me sistemin e ri të tarifimit mund t’u kushtojë qytetarëve deri në 20 milionë lekë.

Miratimi i tarifave të reja të gjykatave mund të penalizojnë rëndë qytetarët. Alarmi vjen nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, sipas të cilit, hapja e një çështje gjyqësore me sistemin e ri të tarifimit mund t’u kushtojë qytetarëve deri në 20 milionë lekë.

Drejtoresha e këtij Komiteti, Erida Skëndaj thotë se nëse sistemi i ri i tarifave miratohet nga Ministria e Drejtësisë dhe e Financave pa ndryshime, kostot e çështjeve administrative do të jenë krejt të papërballueshme për qytetarët.

Skëndaj thotë se nëse në miratimin e sistemit të ri të tarifimit nuk merret parasysh mbrojtja e qytetarëve, Komiteti Shqiptar i Helsinkti, do kërkojë shfuqizimin e tyre në Gjykatën Kushtetuese.

“Tarifat janë shumë të larta dhe do të konkretizohen nga Ministri i Drejtësisë dhe Ministri i Financave. Ajo çka ne na bën përshtypje dhe na tërheq vëmendjen, në këto dispozita është marzhi tepër i gjerë  dhe i lartë midis minimumit dhe maskimumit të tarifave, dhe maksimumi është tmerrësisht i lartë. Për të vënë në lëvizje gjykatën e shkallës së parë  duhet të paguash një mkasimum deri në 20 milionë lekë të reja apo 200 milionë lekë të vjetra. Për të vënë në lëvizje gjykatën e apelit dhe gjykatën e lartë tarifat variojnë nga 2 mijë lekë të reja deri në 10 milionë lekë të reja” thotë Skëndaj për Tv Scan.

Sistemi i ri i tarifimit në sistemin gjyqësor shqiptar përcakton se qytetarët do të paguajnë 1% të vlerës së padisë për të gjitha gjykimet në shkallë të parë, 0.5% e vlerës së padisë për të gjitha gjykimet në shkallë të dytë dhe 0.5% e vlerës së padisë për të gjitha gjykimet në Gjykatën e Lartë.

Kush është shqiptari që kandidon për guvernator të Kalifornisë në SHBA

Klement Tinaj është një shqiptaro-amerikan 28-vjeçar me banim në Los Anxhelos, i cili ka hyrë në garën për guvernator të Kalifornisë si kandidat demokrat. Ai ka luajtur në disa filma të Hollivudit dhe është pronar biznesesh të vogla.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës Tinaj thotë se ka besim se do të dalë me sukses në këtë garë pasi mosha është thjesht një numër. Zgjedhjet brenda Partisë Demokrate mbahen më 5 qershor, ndërsa zgjedhjet për guvernatorin më 6 nëntor të këtij viti.

Zoti Tinaj, ju konkurroni në një garë të vështirë, ku ka shumë kandidatë, në një shtet të madh siç është Kalifornia. Si i shihni shanset tuaja për t’ia dalë mbanë dhe për të fituar në këto zgjedhje?

Klement Tinaj: Siç e thatë, Kalifornia është vërtet një shtet i madh, është ekonomia e gjashtë më e madhe në botë, ka një bujqësi të zhvilluar, është shtëpia e industrisë së filmit dhe e medias sociale. Unë jam kandidati më i ri në garë dhe luftoj për njerëzit e shtresës punëtore, sepse besoj se kandidatët e tjerë kontrollohen nga grupet e interesave të veçanta, nga sindikatat dhe bankat. Unë nuk pres ndihmë nga askush dhe e financoj vetë fushatën. Unë sjell në këtë garë besim dhe shpresë për shtresën punëtore, frymëzoj të rinjtë dhe shërbej si zëri i atyre që nuk kanë zë.

Kjo kërkon mjaft guxim, sigurisht. Ju erdhët në Amerikë në moshë shumë të re. Ju ishit vetëm 15 vjeç kur erdhët këtu. Më flisni ju lutem për ëndrrën tuaj amerikane. A është bërë ajo realitet deri tani?

Klement Tinaj: Shumë njerëz vijnë këtu për të kontribuar për ëndrrën amerikane dhe unë jam një prej tyre. Në fakt ky është i vetmi vend në botë ku ëndrrat mund t’i bësh realitet. Mund të ëndërrosh ç’të duash dhe ta bësh atë realitet nëse ke guximin për ta ndjekur ëndrrën dhe për të ndjekur pasionin që ke.

Dhe ju keni qenë i angazhuar në industrinë e filmit për një kohë, apo jo?

Klement Tinaj: Po, kam qenë në industrinë e filmit, kam edhe dy shkolla në Los Anxheles, që janë pronë e imja. Kam edhe disa biznese të vogla, jam pronar i festivalit të filmit United International, që është festivali i njëqindtë më i mirë i filmit në botë. Pra, kur i hyra garës për guvernator, pikërisht kjo më frymëzoi, sepse 50 për qind e banorëve të këtushëm punësohen nga bizneset e vogla. Duke qenë pronar biznesesh të vogla, unë e di mirë se sa të vështirë e kanë njerëzit dhe kush vuan më shumë, sidomos njerëzit me ngjyrë dhe komunitetet e varfra.

Ju keni luajtur në disa filma me rëndësi dhe me disa aktorë të njohur. Mendoni se kjo mund t’ju sjellë ndonjë mbështetje nga bota e Hollivudit?

Klement Tinaj: Po. Në fakt kam marrë mbështetje nga mjaft aktorë. Kam marrë mbështetje nga muzikantë, të cilët edhe kanë publikuar një video muzikore për fushatën time, që mund ta shihni në YouTube. Mendoj se mund të kemi një shans të mirë kur është fjala për Hollivudin. Në Los Anxhelos ka mjaft aktorë të rinj që po angazhohen. Ky është edhe synimi im, që të ketë sa më shumë të rinj të cilët të fillojnë të angazhohen me vepra konkrete në komunitetet e këtushme.

Nëse ju e fitoni këtë garë, ju do të ishit guvernatori i parë shqiptar në Amerikë dhe më i riu në Kaliforni. Cilat janë disa nga cilësitë që mendoni se keni dhe që mund të sjellin ndryshimin në këtë garë?

Klement Tinaj: E përsëris se qëllimi im është të frymëzoj të rinjtë, t’u jap zë atyre që nuk kanë zë dhe t’u jap shpresë shtresave punëtore si dhe njerëzve që deri tani kanë qenë të harruar. Unë mendoj se kam energjinë e duhur, kam gjithçka nevojitet për të përveshur mëngët dhe për t’i hyrë punës. Rivalët e mi në garë kanë qenë në politikë prej 15-20 vjetësh. Ata edhe sot kanë të njëjtën platformë që kanë patur 15-20 vjet më parë dhe nuk ofrojnë asgjë të re për shtetin tonë të mrekullueshëm. Unë jam i vetmi kandidat që në fakt kam një plan për Kaliforninë. Sapo kam bërë publik planin tim të veprimit prej 10 pikash. Ky është plani që do të vë në jetë për katër vitet e mandatit të parë si guvernator i Kalifornisë.

Pra ju e shihni faktin që jeni i ri si një faktor që mund t’ju ndihmojë të fitoni?

Klement Tinaj: Njerëzit duan ndryshim, ata kërkojnë gjak të ri. Ata kërkojnë dikë që është i ri dhe që ka një vizion krej të ri dhe ide të freskëta. Pikërisht kjo është ajo sjell unë në këtë garë. Njëzit po humbasin shpresën dhe besimin tek zyrtarët e zgjedhur. Të gjithë ata që po garojnë në partinë tonë kundër meje, kanë qenë për një kohë tepër të gjatë në politikë.

Por nga ana tjetër ju jeni vetëm 28 vjeç dhe kjo nënkupton njëkohësisht mungesë përvoje politike krahasuar me rivalët tuaj.

Klement Tinaj: Ju mund ta shihni edhe në atë vështrim, por nëse njeriu ka vizionin dhe enegjinë e duhur, mosha është thjesht një numër. Rëndësi ka të kesh një vizion dhe platformë të mirë, së cilës t’i përmbahesh dhe t’i besosh. Amerika është një vend i mundësive dhe i njerëzve guximtarë, prandaj besoj se kam një shans të madh. Vërtet që jam kandidati më i ri në garën për guvernator dhe jam shqiptari i parë, por nuk është kjo që më kualifikon për këtë post. Ajo që më kualifikon është fakti që si pronar biznesesh të vogla, unë e di mirë se cilët janë ata që e pësojnë më shumë. Ne kemi biznese të vogla që po largohen nga Kalifornia për shkak të taksave të larta, për shembull.

Zoti Tinaj, fakti që ju vini nga një familje imigrantësh, imigrantësh shqiptarë, a ju ndihmon kjo të bindni votuesit se ju i kuptoni problemet e tyre dhe mund t’i zgjidhni ato?

Klement Tinaj: Po, dhe kjo e bën Kaliforninë të veçantë, diversiteti, sepse 27 për qind e kalifornianëve kanë lindur në një vend tjetër. Ata sjellin shumë shpresë dhe enegji. Ne kemi nevojë për këta imigrantë të punojnë në bujqësi dhe në biznese të tjera të vogla, sepse Kalifornia është një shtet mjaft i madh. Deri në vitin 2030 ne do të kemi nevojë për të paktën 1.1 milion punëtorë të kualifikuar për ta bërë ekonominë të ecë përpara./VOA