15.5 C
Tirana
E martë, 6 Maj, 2025

“Zvarritje të temës deri pas zgjedhjeve”- Analiza e REL: Nëse jo Kurti, kush duhet ta formojë Asociacionin?

Çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është ndër temat e pakta, për të cilën flitet gati çdo javë dhe që secilën herë bëhet lajm.

 

Të gjithë kanë qëndrime për të dhe e komentojnë. Për të janë arritur marrëveshje e janë përpiluar propozime. Por, zgjidhja përfundimtare nuk është arritur kurrë.

Asociacioni u riaktualizua më 29 tetor, kur shefi i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, tha para mediave se, si kryeministër i një republike demokratike, nuk mund të formojë asociacione të komunave.

“Komunat asociohen me njëra-tjetrën, koordinohen, bashkëpunojnë. Ju tashmë e dini që ne e kemi një Asociacion të Komunave të Kosovës. Nëse dikush e dëshiron një asociacion tjetër, atëherë kjo duhet të vijë nga komunat… nëse kryeministri do të themelonte asociacion të komunave, ky do të ishte një imponim ndaj komunave”.

Cila është rruga përpara?

Pavarësisht se Kurti i bëri këto deklarata, ai është përfshirë në të kaluarën në diskutimet për themelimin e Asociacionit.

Sipas njohësit të çështjeve politike, Agon Maliqi, Kurti, si kryeministër, nuk mund t’i ikë kësaj përgjegjësie.

“Mënyra se si do të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashihet përmes Marrëveshjes mbi Asociacionin dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese – që si rrjedhojë kanë krijuar detyrim politik, por edhe juridik për Qeverinë për ta dërguar për shqyrtim statutin [e Asociacionit]”, tha Maliqi, në disa përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

Maliqi konsideron se në këtë rast nuk bëhet fjalë për një asociacion sikurse ai ekzistues i komunave, “por një trup të modelit të ri dhe me kompetenca shtesë, që duhet t’i shtohet rendit juridik, e që për rrjedhojë kërkon rregullim dhe përfshirje të të gjitha niveleve ekzistuese të pushtetit”.

Ndërkaq, Toby Vogel nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Bruksel i tha Radios Evropa e Lirë se deklarata e kryeministrit të Kosovës është e pasinqertë.

Sipas tij, “i ka takuar gjithmonë Prishtinës t’i krijojë kushtet për formimin e Asociacionit, por gjithmonë sipas një konteksti të caktuar”.

“Kosova vazhdon të jenë nën masa të Bashkimit Evropian, derisa Serbia nuk është përballur me asnjë pasojë për Banjskën, apo për refuzim të Marrëveshjes së Ohrit. Pse, atëherë, Kurti do ta ndryshonte pozitën e tij në këtë situatë? Nuk ekziston ndonjë përfitim zgjedhor apo diplomatik për të, nëse pranon ta formojë Asociacionin”.

Historiku i Asociacionit

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për formimin e Asociacionit më 2013 dhe një tjetër marrëveshje për parimet më 2015.

Por, Qeveria e Kosovës refuzon të formojë, siç thotë, asociacion njëetnik, ndërsa Serbia insiston për zbatimin e marrëveshjes.

Më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vlerësuar se marrëveshja për parimet nuk është në përputhje me Kushtetutën në 23 pika të saj, ndonëse ato mund të harmonizohen.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian insistojnë vazhdimisht që Kosova ta dërgojë në Gjykatën Kushtuese një draft-statut për Asociacionin, të cilin e prezantoi Perëndimi në tetor të vitit të kaluar.

E pyetur për të komentuar deklaratën e Kurtit, zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Nabila Massrali, i tha Radios Evropa e Lirë se themelimi i Asociacionit është obligim ligjor për Kosovën, sipas të drejtës ndërkombëtare.

Sipas saj, fakti që marrëveshjet për Asociacionin janë arritur në kuadër të dialogut, “nënkupton që secili propozim duhet të diskutohet me Serbinë dhe ndërmjetësuesin e BE-së”.

Edhe në Raportin e Progresit të BE-së për Kosovën, mungesa e hapave drejt themelimit të Asociacionit është përmendur si pengesë në procesin e normalizimit mes vendeve fqinje.

Departamenti amerikan i Shtetit i ka thënë Radios Evropa e Lirë se dialogu i Brukselit ka ofruar zgjidhje praktike, “të cilat do t’i promovojnë të drejtat e të gjithë shtetasve të Kosovës, përfshirë ato të serbëve në veri të Kosovës”, prandaj ka bërë thirrje për zbatim të marrëveshjeve, përfshirë atë për Asociacionin.

Radio Evropa e Lirë kërkoi nga Qeveria e Kosovës për ta sqaruar më tepër qëndrimin e Kurtit, por nuk mori përgjigje.

Prioritet: Marrëveshja Bazë

Në deklarimin para gazetarëve, Kurti ka insistuar në nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë – referencë për një marrëveshje për normalizim marrëdhëniesh, të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 2023.

Në një pikë të saj, ajo parasheh që komunitetit serb në Kosovë t’i ofrohet një nivel i caktuar i vetëmenaxhimit.

Agon Maliqi beson se pa e dërguar Kosova draft-statutin për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese, “vështirë se mund t’i shohë përfitimet e parapara nga marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar garanci të sigurisë nëse ndërkombëtarët insistojnë në formim të Asociacionit, edhe pas “tërheqjes së Serbisë nga Marrëveshja Bazë”.

I dërguari evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka deklaruar se Serbia e ka tërhequr letrën e nisur nga ish-kryeministrja Ana Bërnabiç, me të cilën kishte dalë kundër Marrëveshjes Bazë. Vetë Serbia nuk është deklaruar publikisht.

“Manovra për heqje të presionit para zgjedhjeve”

Kosova do t’i mbajë zgjedhjet e ardhshme parlamentare më 9 shkurt 2025.

Jo pakkush i ka parë deklaratat e bëra së fundmi për Asociacionin si zvarritje të temës deri pas zgjedhjeve. Agon Maliqi në mesin e tyre.

“Deklaratat e kryeministrit i shoh si, thjesht, manovra të përkohshme për heqje të presionit para zgjedhjeve”.

Toby Vogel, ndërkaq, paralajmëroi për presion të shtuar ndaj Qeverisë së radhës. Sipas tij, nëse Kurti i fiton zgjedhjet, “nuk do të mundet pafundësisht të paraqesë arsye të reja pse nuk mund të formohet Asociacioni”.

Ai tha se më e rrugës do të ishte nëse Kurti do t’ua sqaronte komuniteteve pse në situatën aktuale disa marrëveshje të dialogut kanë mbetur pezull, dhe që njëkohësisht Kosova t’ua bëjë të qartë partnerëve që edhe Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për veprimet e veta.

“Gjithë procesi duhet të zhbllokohet, jo vetëm ngërçi për Asociacionin”, theksoi ai.

Duke e parë situatën aktuale, Vogel vlerësoi se zor që mund të merret dikush me Asociacionin menjëherë pas zgjedhjeve./REL

“Mandati i Ramës në Durrës është prodhim i bandave të krimit”, Basha: Erion Veliaj ka zero shanse t’i shpëtojë drejtësisë

Në emisionin “Shqipëria Live”, kreu i Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, tha se mandati i Edi Ramës në Durrës është prodhim i votave të bandave të krimit dhe këtë sipas tij e tregoi arrestimi i ish-deputetit Jurgis Çyrbja.

Basha më tej tha se me gjasë edhe krzebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është në hapat e tij të fundit dhe se ka zero shanse t’i shpëtojë drejtësisë.

Pjesë nga fjala e Bashës:

Mandati i Edi Ramës është prodhim i krimit, i votave të krimit. Tashmë është një fakt gjyqësor, fakt i hetimit gjyqësor që mandate i Edi Ramës, vet mandati i Edi Ramës në Durrës është prodhim i votave të krimit, të bandave të krimit.

Faktin që sot e kemi me shumë gjasa Erion Veliajn në hapat e tij të fundit para masave që duhen marrë. Nuk pretendoj të flas në emër të organeve të drejtësisë, por një gjë që dua t’jua them, zero shanse që Erion Veliaj t’i shpëtojë drejtësisë. Të gjitha këto, nga njëra anë na bëjnë të reflektojmë për ta çuar përpara Reformën në Drejtësi, për të mbështetur SPAK-un, për të mbështetur Altin Dumanin dhe ekipin e tij dhe jo për t’ju kundërvënë.

“Mbështetje pa kushte për drejtësinë e re”, Basha: Mënyra e arrestimit të Ilir Metës ishte për të bërë pis SPAK-un

Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, në emisionin “Shqipëria Live” është shprehur se mënyra e arrestimit të Ilir Metës, ishte e qëllimshme për të bërë pis SPAK-un. Sipas tij, arrestimin e bëri policia që është nën varësinë e qeverisë dhe bëri atë shfaqje për të devijuar lajmin kryesor që ishte një ish-presidenti, ish-kryeministri dhe ish-kryetar Kuvendi, një nga politikanët më prominent të 34 viteve të fundit u arrestua nga SPAK për akuza të korrupsionit.

Basha më tej tha se drejtësia e re ka mbështetjen e demokratëve euroatlantikë dhe të qytetarëve të vendit, për faktin se po godet murin e pandëshkueshmërisë.

Pjesë nga fjala e Bashës:

Nuk është SPAK që e ka bërë arrestimi, e ka bërë policia, e cila siç dihet kontrollohet nga ekzekutivi, pra nga qeveria e Edi Ramës. Dhe fakti që diçka e till ndodhi, u filmua, u përhap i shërbeu në radhë të parë krijimit të një opinioni negative i cili u faturua fillimisht SPAK-ut. Dhe së dyti u bë një pjesë e barabartë me vet lajmin që është arrestimi i një ish-presidenti, ish-kryeministri dhe ish-kryetari Kuvendi mbi akuzat për korrupsion. Lajmi duhej të ishte që një ish-presidenti, ish-kryeministri dhe ish-kryetar Kuvendi, një nga politikanët më prominent të 34 viteve të fundit u arrestua nga SPAK për akuza të korrupsionit. Ndërsa kjo forma e arrestimit, kjo forma e shëmtuar e arrestimit e devijoi lajmin pikërisht tek forma e arrestimit të Ilir Metës. Dhe për më shumë përpjekja për t’ia faturuar këtë SPAK-ut. Qyetarët duhet ta dinë që nuk është SPAK-u që kryen arrestimin, nuk është as Byroja Kombëtare e Hetimit që kryen arrestimin, është policia. E cila dihet se kush e kontrollon dhe këtu padiskutim ngrihet pyetja kush përfiton.

Sot ka shpresë, ka një segment të rëndësishëm të drejtësisë që është SPAK, GJKKO dhe BKH, të cilët të trajnuar në mënyrën më profesionale nga partnerët tanë strategjikë, të mandatuar për fat të mirë në votimin unanim të vitit 2016 për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, për herë të parë në 34 vite po tregojnë diçka ndryshe. Për herë të parë në 34 vite ka prokurorë dhe gjyqtarë të cilët deri tani kanë provuar se nuk janë në xhepin e asnjë politikani, asnjë drejtuesi dhe ish-drejtuesi të lartë të vendit. Por pritshmëritë e njerëzve janë shumë, unë kam bindjen se me mbështetjen pa kushte që ne demokratët euroatlantikë i japim SPAK dhe me besimin e madh të qytetarëve, gjërat do të vazhdojnë të duken edhe më mirë dhe mund të jetë çështje ditës, orësh kur të marrim të tjera lajme që rrënojnë një nga një murin e pandëshkueshmërisë.

 

Zgjedhjet për Shtëpinë e Bardhë, Harris dhe Trump intensifikojnë fushatat! Dy kandidatë në garë shumë të ngushtë, përpjekje për të bërë për vete votuesit e pavendosur

Ndërsa kanë mbetur pesë ditë nga zgjedhjet për Shtëpinë e Bardhë, kandidatja demokrate Kamala Harris dhe rivali i saj republikan, Donald Trump, kanë intensifikuar fushatat dhe sulmet e ndërsjella. Fushata e demokrates Harris ka hasur vështirësi që të shtojë mbështetjen mes votuesve meshkuj ndërsa komentet e republikanit Trump për gratë kanë shtuar hendekun e mbështetjes për të.

 

Gjatë një tubimi të enjten në Arizona, demokratja Harris tha se komenti i kundërshtarit të saj se do t’i mbrojë gratë, pavarësisht nëse do t’u “pëlqejë atyre apo jo”, tregon se kandidati republikan për president nuk i kupton të drejtat e grave “për të marrë vendime për jetën, përfshirë edhe trupin e tyre”.

“Unë mendoj se është fyese për të gjithë, meqë ra fjala”, tha zonja Harris përpara se të niste fushatat në shtetet e pavendosura të Arizonës dhe Nevadës.

Gjatë një tubimi në Feniks të Arizonës, zonja Harris tha se kundërshtari i saj: “Nuk e respekton lirinë apo mençurinë e grave për të vendosur për gjërat që u interesojnë atyre dhe për të marrë vendime në përputhje me rrethanat. Ne kemi besim tek gratë”.

Komentet e zotit Trump vijnë ndërsa ai ka ndeshur vështirësi për të rritur mbështetjen mes votueseve. Kandidati republikan për president flet në përgjithësi për mbrojtjen e grave nga kriminelët, terroristët dhe elementët e huaj, çka përputhet me tablonë e zymtë të një vendi në rënie, siç e cilëson ai Amerikën.

“Unë do t’i mbroj nga emigrantët që vijnë. Unë do t’i mbroj nga vendet e huaja që duan të na godasin me raketa dhe shumë gjëra të tjera”, u shpreh zoti Trump gjatë një tubimi në Green Bay të shtetit Uiskonsin.

Sipas të dhënave nga firma analitike “TargetSmart”, rreth 1.2 milionë gra më shumë se burra kanë marrë pjesë në votimet e hershme në shtatë shtete që cilësohen si fushëbetejë.

Ndalesat e fundit të zonjës Harris mbrëmjen e së enjtes ishin qytetet Las Vegas dhe Reno të Nevadës, një shtet fushëbetejë.

Mbrëmjen e së enjtes, ish Presidenti Donald Trump zhvilloi një tubim në qytetin Albuquerque të shtetit New Mexico ndërsa ka në plan të ndalojë në Salem të Virxhinias të shtunën.

Ekipi i fushatës së republikanit Trump thotë se është optimist bazuar pjesërisht tek pjesëmarrja në votimet e hershme. Drejtuesit e fushatës thonë se ka gjasa që republikani Trump të fitojë në shtetet New Mexico dhe Virxhinia. Hera e fundit që këto shtete votuan për një kandidat republikan për Shtëpinë e Bardhë është në vitin 2004, për Presidentin George W. Bush.

Kandidatët e dy kampeve kundërshtare kanë zhvilluar tubime të shumta në shtetet fushëbetejë, me 21 tubime në Pensilvani, 17 në Miçigan dhe 13 në Karolinën e Veriut.

Ndërkohë kandidati republikan për president, Donald Trump, ngriti padi të enjten kundër kanalit televiziv CBS News, lidhur me një intervistë të rivales së tij demokrate të transmetuar në emisionin “60 Minutes” në fillim të tetorit, për cilën pretendon se ishte manipuluar, sipas dokumenteve të depozituara në gjykatë.

Aktpadia pretendon se rrjeti CBS transmetoi dy përgjigje të ndryshme nga kandidatja Harris për një pyetje në lidhje me luftën e Izraelit kundër Hamasit në Gazë.

“Pretendimet e përsëritura nga ish Presidenti Trump janë të rreme”, tha një zëdhënës i rrjetit CBS. “Padia e ngritur nga zoti Trump kundër rrjetit CBS është krejtësisht e pabazë dhe do të mbrohemi fuqishëm kundër saj”.

Demokratja Harris dhe republikani Trump janë në një garë shumë të ngushtë, ndërsa në ditët e fundit po përpiqen t’i bëjnë për vete ata që mund të jenë ende të pavendosur dhe për të mobilizuar pjesëmarrjen në votime të bazës së tyre./VOA

Del e dyta në konkurrim, si “shpërblim” mësuesja degdiset në dy fshatrat më të largët të Lushnjes

Afërdita Poçi nga Lushnja, është mësuese letërsie prej 20 vjetësh, por së fundi, teksa pretendohet se është futur në lojë “gara”, ajo thotë se po përballet me disa padrejtësi.
Ajo është detyruar të hyjë në konkurs me dosje pas rënies së normës mësimore.
Në këtë proces u rendit e dyta dhe i dhanë orë në 2 fshatra, ndërkohë, që mësuesen që u rendit e treta e lanë në shkollën qendër Bubullimë dhe në një shkollë tjetër në qytetin e Lushnjës.

“Pasi u bënë dosjet mësuesja e parë mori 15 orë Gjuhë Shqipe dhe 5 orë të tjera plotësuese. Një 5 orësh Gjuhë Shqipe për t’i ruajtur vendimin, 5 orë të tjera ia dhanë mësueses me dosje të tretë, jo mua. Jo unë që u rendita e dyta. Unë përfundova 15 orë në Rrapëz dhe 6 orë në Halilaj,” tregon për mikrofonin e emisionit “Stop” Afërdita Poçi.

Gazetarja: Mësuesja që u rendit e treta në këtë konkurs me dosje ku shkoi?

Afërdita Poçi: Ajo ka 10 orë në “Dhimitër Mino” që është shkolla qendër dhe 10 orë tek “Foto Puka” që është një shkollë 9-vjeçare këtu në Lushnje.

Gazetarja: Pse nuk ua dhanë ju ato orët e shkollës qendër, sepse ishit e dyta?

Afërdita Poçi: Po i vetmi justifikim ishte që “mjafton që je në punë, je në ngarkesë.”

Bashkë me Afërditën emisioni “Stop” ndoqi itinerarin e një dite të saj me ndarjen e bërë, 3 orë në fshatin Rrapëz, ku transportin duhet ta sigurojë vetë dhe 1 orë tjetër në fshatin Halilaj, me distancë të konsiderueshme nga njëri-tjetri, shpesh duke rrezikuar, të mos gjejë makinë dhe të mos kapë orën e mësimit.

Gazetarja: Në fakt është një distancë jo shumë e largët, por as e afërt me vendbanimin tuaj, që të vish deri këtu. Me çfarë vjen?

Afërdita Poçi: Kemi rregulluar bashkë me dy kolegë të tjerë që marrim një mjet transporti publik dhe vijmë deri këtu.

Gazetarja: Nuk është se ka fugon apostafat për ju mësuesit që t’iu shpërndajë nëpër shkolla.

Afërdita Poçi: Jo nuk ka një fugon apostafat.

Gazetarja: Kompensimi i pagesës iu bëhet 100%?

Afërdita Poçi: Jo, diku tek 3 orë.

Emisioni “Stop” shkoi në Shkollën e Mesme të Bashkuar “Dhimitër Mino” në Bubullimë, shkolla qendër dhe takoi drejtorin Arben Bame.

Arben Bame, drejtori i shkollës: Nuk është e vërtetë.

Gazetarja: Po si është?

Arben Bame, drejtori i shkollës: Edhe kandidatja është në punë dhe kjo është në punë, kaq.

Gazetarja: Po është në punë, por pse kjo preferenciale, ndarje?

Arben Bame, drejtori i shkollës: Nuk ka preferenciale.

Gazetarja: Pse nuk keni lënë, atë që doli e dyta në shkollën këtu, në Bubullimë dhe orët plotësuese në shkollën tjetër.

Arben Bame, drejtori i shkollës: Po e linim, por ajo vendosi vetë ashtu.

Gazetarja: Jo nuk e ka vendosur vetë.

Arben Bame, drejtori i shkollës: Bëri zgjedhjen, ra dakord dhe kaq.

Gazetarja: Pse zysha e cila doli e treta në renditje qëndron në shkollën qendër mban 10 orë këtu, ndërkohë që mund t’i kishte mësuesja e dytë.

Arben Bame, drejtori i shkollës: Mësuesja i nxjerr tani këto arsye. Zysha ra dakord.

Drejtori i shkollës, Arben Bame insistoi që për këto orë ka rënë dakord mësuese Afërdita, por kjo e fundit e mohoi një gjë të tillë.

Gazetarja: Cilat janë avantazhet nëse do iu ishin dhënë këto orët për të cilat ne po flasim.

Afërdita Poçi: Avantazhi i parë ishte, që transporti për në Bubullimë është i garantuar, në kuptimin që është më lehtë për të shkuar me fugonin që shkojnë mësuesit dhe orari për kthim është sërish me ata. E dyta është me lehtë kur i ke të ndara me ditë të veçanta.

Eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti e quan shkelje të rëndë këtë, që ka ndodhur.

“Renditja është shumë e qartë dhe sipas renditjes është qartësisht dhe udhëzimi, i jepen orët të parës, të dytës dhe më pas të tretës. Nuk ka renditje i pari, i katërti dhe i gjashti. Ai që është i dyti merr atë ngarkesë mësimore që ka mbetur në shkollë dhe pjesën tjetër e merr në një shkollë që është sa më afër për të mos cenuar cilësinë e mësimdhënies dhe për të pasur një qasje dhe një akses sa më të mirë mësuesi në shkollën e dytë,” sqaroi eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti.

Pas kësaj mësuese Afërdita futet në konkursin për Koordinatore e Këshillimit të Karrierës dhe fiton këtë pozicion në 3 shkolla, gjë që u konfirmua me shkrim nga DRAP Fier.

“E shkuar e pakryer”, vepra e parë e pedagogut Ermal Hasimja! Historia e gjyshes që u nda nga familja për 44 vite gjatë diktaturës

“Personazhi kryesor është gjyshja ime, në momentin që kam intervistuar dikë për të mbledhur informacione, më ka ndodhur që kam qarë, më ka ndodhur që kam qarë edhe duke shkruar librin

Histori që duken edhe të pabesueshme, si kjo e burgosjes së vëllait të gjyshes, në shtëpinë ku ishte rritur. Ose elementë të tjerë, në fund të viteve ’70 vjen një Ansambël Kosovar në Tiranë. Kur kthehen marrin dhe gjyshen time e çojnë në kufi dhe ajo nga një distancë 200-300 metër nga kufiri Jugosllav shikon familjen e vetë, ndërkohë që gjatë 44 viteve ky ishte kontakti i vetëm ‘fizik’ me familjarët. Libri është i gjithi me histori të tilla, të cilat janë fatkeqësisht të gjitha të vërteta”, tha Ermal Hasimja.

Me përjetime reale pa heronj apo fund të lumtur, vepra trajton harresën si strategji vetëmbrojtëse për të përballuar realitetin.

“Rrugës vura re një analogji shumë interesante midis efektit që shkakton harresa tek individi përmes sëmundjes, Alzhajmerit dhe nga ana tjerët, pasojat e mundshme që ka harresa e diktaturës nga shoqëria në tërësi”, u shpreh Hasimja.

Me modesti, pa ambicien për t’u identifikuar si shkrimtar, autori synon që kjo histori nga diktatura e shkruar në formë letrare të jetë e kuptueshme edhe për brezat e rinj, duke ua lënë lexuesve përgjegjësinë të analizojnë dhe të kuptojnë thelbin e komunizmit. A.K.

Censusi i banesave/ Në kullat bosh të Tiranës janë groposur 3 miliardë euro

Zgjerimi i vrullshëm i sektorit të ndërtimit në Tiranë duket se është shoqëruar me një efekt jo të vogël anësor. Ai është groposja e miliardave në struktura betoni të mbetura të pabanuara.

Instituti i Statistikave raportoi se në vitin 2024, kryeqyteti i Shqipërisë numëronte rreth 40 mijë hyrje pallatesh të pabanuara. Sipas të dhënave, pjesa dërrmuese e tyre gjendet në ndërtesat e mëdha, të cilat kanë minimalisht më shumë se 21 hyrje. Këto janë pallatet shumëkatëshe dhe kullat.

Por kush është impakti financiar i kësaj dukurie? Sipas të dhënave zyrtare, sipërfaqja mesatare e apartamenteve në pallatet e reja rezulton rreth 70 deri në 80 metër katrorë. Me çmimin mesatar 1 mijë euro për metër katrorë, kjo do të thotë se aktualisht në apartamentet bosh të Tiranës flenë rreth 3 miliardë euro të groposura në beton.

Ngritja me furi e pallateve dhe kullave të reja është shoqëruar me debate të shumta në publik duke ngritur disa shqetësime njëherësh. Së pari, shkatërrimin urbanistik të kryeqytetit, por mbi të gjitha atë të financimit të aktivitetit ndërtues përmes parave me origjinë të dyshimtë.

Me sa duket ky do të jetë një debat i cili do të vazhdojë gjatë. Por e sigurtë tashmë është vetëm kjo. Në kullat bosh të Tiranës janë të groposura rreth 3 miliardë euro.

BIRN: Rrugët e mbetura rrugëve

Makina ne trafik si pasoje e punes per riparimin e asfaltit ne aksin Maminas–Sukth, pjese autostrades, Tirane-Durres, e cila prej disa ditesh do te bllokohet ne disa pjese te saj per te mundesuar riparimin e pjeseve te demtuara rende./r/n/r/nCars stuck in heavy traffic as a result of work on repair of asphalt on the Maminas-Sukth road part of the highway Tirane-Durres, which will be blocked in some parts for several days.

Siç ndodh rëndom në një vit parazgjedhor, disa kantiere ndërtimi rrugësh janë hapur në mënyrë të bujshme gjatë javëve të fundit ndërsa qeveria është angazhuar në një fushatë në të cilën reklamon rrugë dhe ura në ndërtim. Por të dhënat e Buxhetit të Shtetit, të publikuara në faqen zyrtare të parlamentit, sugjerojnë se pjesa më e madhe e fondeve të kërkuara për këto projekte të nisura janë lënë për t’u financuar “pas vitit 2027”, gjë që do të thotë që shqiptarët do të duhet të presin edhe shumë e shumë vite para se të shohin punë realisht të përfunduara.

Lista e Projekteve të Investimeve Publike, një dokument që publikohet çdo vit bashkë me projekt-buxhetin për vitin pasardhës tregon se aktualisht sektori i rrugëve ka në zbatim apo të konceptuara investime të përgjithshme me vlerë 157 miliardë lekë të financuara nga burime të brendshme dhe 78 miliardë lekë me financime nga burime të huaja, të cilat janë kredi ose dhurata nga Bashkimi Evropian. Por 38 miliardë nga investimet e planifikuara me burime të brendshme dhe 45 miliardë me burime të huaja janë lënë “pas vitit 2027”, gjë që do të thotë se shqiptarët do të duhet të durojnë edhe për shumë dhe shumë vite trafik dhe ndotje të shkaktuar si nga trafiku, ashtu edhe nga punimet.

Unaza e Tiranës

Një numër i lartë zyrtarësh publikë, përfshirë ministren e infrastrukturës Belinda Balluku, publikuan gjatë javëve të fundit video propagandistike mbi një urë që po ndërtohet mbi Lumin e Tiranës dhe që është pjesë e Unazës së Tiranës. Punimet për Unazën e Tiranës kanë nisur që në vitin 2010. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, më shumë se gjysma nuk është përfunduar ende. Dhe, sipas planifikimit buxhetor, një e treta e të gjitha projekteve aktualisht në ndërtim, janë lënë për t’u kryer pas vitit 2027. Unaza e Tiranës është gjithsej 27 kilometra e gjatë.

Segmentet aktualisht në ndërtim janë ndarë në 14 kontrata apo shtesa kontratash për një kosto totale të planifikuar prej 23.7 miliardë lekësh. Këtu nuk përfshihen segmentet e ndërtuara më parë. Deri në fund të këtij viti janë kryer apo planifikohet të kryhen 14 miliardë lekë punime, ndërsa për vitet 2025-2027 janë planifikuar që në këtë segment të shpenzohen vetëm 1 miliardë lekë. Projektbuxheti i Shqipërisë mbështetet në planifikim trevjeçar të investimeve publike kështu që, projektet e lëna për pas kësaj periudhe përshkruhen thjeshtë si “për t’u paguar pas vitit 2027”. Dhe në lidhje me Unazën e Tiranës, shuma e lënë për t’u financuar në vitin 2028 e më tutje është në masën 7.9 miliardë lekë ose 33% e të gjithë kostos së segmenteve aktualisht në ndërtim.

Sipas parashikimit, Loti 3 i Unazës, i cili përfshin segmentin nga Pallati me Shigjeta te ish-Shqiponja, pritet të mos përfundojë as në vitin 2027 pasi për vitin 2028 e në vijim janë lënë të paguhen edhe 148 milionë lekë nga kostoja e përgjithshme prej 4.7 miliardë lekësh. Loti 4, i cili përfshin zgjatimin nga ura e re mbi Lanë për në zonën e Kinostudios pritet të vijojë pas vitit 2028 pavarësisht se ka prodhuar deri tani një numër të lartë videosh promocionale të shpërndara nga Rama apo nga Balluku. Qeveria ka përcaktuar 722 milionë lekë ose 30% të të gjithë kostos së segmentit për t’u paguar “pas vitit 2027”.

Lotet 6 dhe 7 duket sikur nuk do të përfundojnë kurrë pasi për këto, 55 dhe 61% e financimit respektivisht janë lënë për “pas vitit 2027”.

Tiranë-Durrës

Zgjerimi i autostradës Tiranë – Durrës me një korsi shtesë në secilën anë është projekti tjetër që ka nisur me fanfara por që, nëse shikohet plani i financimit, do të duhen edhe shumë e shumë vite durim para se të bëhet realitet. Sipas projektbuxhetit, ky investim do të kushtojë 12.5 miliardë lekë por vetëm faza e parë dhe faza e dytë, të cilat nisin nga Tirana, pritet të mbarojnë, nëse nuk do të ketë vonesa, në vitin 2027 ndërsa faza e tretë, e katërt dhe e pestë, do të nisë në vitin 2027 për të përfunduar në një kohë të pacaktuar diku “pas vitit 2027”.

Segmenti tjetër, Kombinat – Ndroq – Plepa, është premtuar gjithashtu të zgjerohet dhe të rindërtohet. Ky segment i ndërtuar gjatë kohës së pushtimit fashist ka pësuar ndryshime të pakta përgjatë dekadave dhe kuptueshëm, është në gjendje shumë të degraduar. Taksapaguesve u është kërkuar të shpenzojnë 4.8 miliardë lekë për rikonstruksionin e këtij segmenti, por plani i financimit parashikon që 2.3 miliardë lekë të përdoren “pas vitit 2027”, pra rruga mbetet praktikisht për t’u gëzuar diku në mandatin e pestë ose të gjashtë.

Korridori 8

Segmenti nga dalja e qytetit të Elbasanit për në Qafë Thanë ka filluar sakaq të punohet për t’u ndërtuar. Kostoja totale e projektit e vlerësuar aktualisht është 22 miliardë lekë. Nga këto, 9 miliardë lekë mbeten “për t’u paguar pas vitit 2027”. Qeveria ka në plan të ndërtojë edhe një segment të ri nga Elbasani për në Lekaj të Kavajës me kosto 18 miliardë lekë. Ky segment planifikohet të përfundojë në vitin 2027, nëse nuk do të ketë vonesa.

Perspektivë e largët për By-Pass-et

Qyteti i Elbasanit është kthyer aktualisht në pikën ndoshta më të ngarkuar të transportit rrugor në Shqipëri për shkak se qyteti disponon vetëm një unazë por jo një by-pass. Projekti për një by-pass është konceptuar, por punimet për të pritet të vijojnë përtej vitit 2028. Konkretisht, sipas dokumentit të Ministrisë së Financave për investimet publike, për këtë segment nuk është gjetur ende një financues i huaj ndërsa kostoja e përgjithshme e planifikuar është 22.3 miliardë lekë. Dokumenti cakton se 21.4 miliardë lekë ose 96% e projektit është “vlerë e bartur pas vitit 2027”.

Po kështu, ‘by-pass’-i i Tiranës, i cili duhet të lidhë autostradën e veriut dhe atë Tiranë- Durrës me autostradën e Elbasanit, planifikohet të kushtojë 24 miliardë lekë. Financimi është dakordësuar me WBIF/IBRD por 96% e shpenzimeve janë “vlerë e bartur pas vitit 2027”.

Qeveria nuk ka aktualisht plane për të ndërtuar rrugë më të gjerë në drejtim të Shkodrës ndërsa rruga Qukës – Qafë Pllocë, e cila ka filluar së ndërtuari në vitin 2015, sipas planit të financimit, nuk ka për të përfunduar së ndërtuari para vitit 2028./reporter.al

“Më paguaj që të mos të ngel”- Arrestohen disa pedadogë të Universitetit të Elbasanit, akuzohen për korrupsion nga studentët

Arrestohen disa pedadogë me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit pasi u akuzuan për korrupsion nga disa studentë.

 

Pedagogët i përkasin Fakultetit të Ciklit të Ulët dhe dyshohen për korrupsion aktiv dhe pasiv me disa studentë të këtij fakulteti, të cilët në këmbim të kalimit në lëndët ngelëse në muajin shtator kanë paguar pedagogët.

Raportohet se Prokuroria ka lëshuar masa ndalimi për 5 profesorë dhe një sekser.

Tragjedia natyrore me 158 viktima! Spanja përgatitet për reshje të reja pas përmbytjeve katastrofike

Ekspertët e motit paralajmërojnë për përkeqësim të kushteve atmosferike dhe reshje të reja shiu, pas përmbytjeve katastrofike në Spanjë.

 

Paralajmërimet e motit për shi janë vendosur në të gjithë brigjet lindore dhe jugperëndimore të Spanjës, me një paralajmërim të kuq të lëshuar për qytetin port të Huelva, shkruan BBC.

Të paktën 158 persona kanë vdekur pas reshjeve rekord dhe përmbytjeve në Spanjë: 155 viktima në Komunitetin Valencian, dy në Castile-La Mancha dhe një në Andaluzi

Ekipet e urgjencës po përpiqen të rivendosin shërbimet bazë në Valencia, raporton gazeta spanjolle El Pais.

spanja

Presidenti i Qeverisë së Valencias, Carlos Mazon, ka njoftuar 250 milionë euro (270 milionë dollarë) ndihmë për të prekurit.

Zyrtarët nuk kanë bërë të ditur ende numrin e personave të zhdukur, por thanë se ka “shumë”, pasi numri u rrit me rreth 60 vdekje të tjera të enjten.

Qytetarët u paralajmëruan të qëndrojnë në shtëpi për shkak të alarmit të për reshjet në jugperëndim të Spanjës

Agjencia meteorologjike spanjolle ka lëshuar një alarm të kuq për reshje shiu përgjatë bregdetit të Huelva në jugperëndim të vendit.

Paralajmërimi është dhënë për fashën 09:00 dhe 11:59 me orën lokale dhe parashikon reshje të akumuluara prej 140 mm gjatë 12 orëve.

“Vlerësohet se reshjet e shiut do të vazhdojnë me intensitet të madh në zonën e paralajmërimit gjatë orëve të ardhshme”, thuhet në përditësim.

Zona të tjera të provincës janë në alarm “portokalli”.

Mund të ketë përmbytje të mëtejshme

uuuu

Sistemi i ngadalshëm i motit “Dana” që solli reshje dhe përmbytje  në fillim të kësaj jave, tashmë ka filluar të dobësohet, por parashikohen disa reshje të tjera për të premten dhe të shtunën në vende.

Reshjet më të mëdha të shiut sot do të jenë të fokusuara në jug dhe lindje të Spanjës.

Paralajmërimet për reshjet janë në fuqi në veri të Valencias – veçanërisht rreth rajoneve Tarragona dhe Castellón, si dhe Menorca dhe Mallorca, në Andalucia jugperëndimore rreth Huelva dhe Condado.

Në këto rajone të prekura, mund të ketë 100 mm të tjera shi në 12 orët e ardhshme. Me tokën “e mbingopur nga shiu”, kjo mund të çojë në përmbytje të mëtejshme.

Shiu duhet të zbutet gjatë së shtunës, dhe një ditë shumë më e thatë parashikohet në të gjithë Spanjën deri të dielën.