Të gjithë zërat nga Kosova flasin për dëm të biznesit që u shkaktohet nga taksa e lartë e qeverisë shqiptare për Rrugën e Kombit. Së fundmi ka qenë ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, i cili në emisionin “Përballje”, ka thënë se ministria që ai udhëheq është duke krijuar lehtësira dhe masa mbrojtëse për prodhuesit e vendit të saj.
Duke komentuar taksën e vendosur në Rrugën e Kombit, ai tha se mund të ndikojë tek bizneset dhe se kjo taksë prek edhe prodhuesit e Shqipërisë dhe të Kosovës.
“Jemi kundër taksave të larta, ne jemi dakord për një taksë, sepse ajo duhet të mirëmbajë rrugën mirëpo jo taksë të lartë…Pra shteti shqiptar është dashtë me pas kujdes… Ne a duhet edhe autostradës tonë t’i vendosim taksë sepse duhet të mirëmbahet por jo taksë të lartë”, – ka thënë Hasani.
Më tej Hasani ka theksuar se Kosova është shumë e gatshme për të hapur tregun me Shqipërinë por nuk ka gatishmëri nga ana e saj.
“Ka deklarime por nuk veprime konkrete”, ka thënë Hasani.
Nga 15 prilli i këtij viti, çdo kosovar që shkon në Shqipëri me veturë duhet të paguaj 5 euro për shfrytëzim të autostradës në vetëm një drejtim. Ndërsa autobusët duhet të paguajnë 11 euro, kamionët e mesëm 16 euro e ata të rëndë 22 euro.
Ministri i Tregtisë së Kosovës: Jemi kundër taksave të larta në Rrugën e Kombit nga Shqipëria
Qeveria në krizë, s’ka para për pagat, drejt largimit Ahmetaj
Qeveria është shumë keq me financat dhe mesa duket ministrit Ahmetaj mund t’i urojmë suksese në jetë.
Gazetari Denis Dyrnjaja ka paralajmëruar se së shpejti ministrit Arben Ahmetajt mund t’i prihet bileta e largimit.
Duke iu referuar “gojëve të liga”, Dyrnjaja thotë se punët e qeverisë me financat nuk janë dhe aq mirë, se se ministrit mund t’i urojmë suksese në jetë.
’Gojët e liga” flasin se qeveria nuk i ka punët mirë me financat ndaj ministrit të linjës i është prerë një biletë vetëm vajtje. Ndoshta Arben Ahmetaj po bëhet gati për suksese në jetë!”, shkruan Dyrnjaja.
Shprehja “gojët e liga” është bërë e njohur pas largimit nga qeveria të ish-ministrit të shëndetësisë Ilir Beqja. Nuk dihet nëse Ahmetaj do të ketë të njëjtin fat si Beqja, na mbetet të presim. Roli i tij në qeverinë Rama është fuqizuar ndjeshëm, sidomos pas bashkimit të financave me ekonominë.
Berisha: Grushti i dytë i rëndë turinjve për Ramën, publiku e braktis me neveri!
Ish-Kryeministri Berisha shkruan se, opinion public ka flakur në mënyrë masive kryeministrin Rama. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, gjatë një interviste në Opinion të enjten, publiku ka injoruar me neveri Edvin Kristaq Ramën. “Grusht i dyte i rende turinjve per Edvin Kristaq Ramen!
Flakje masive nga 70% e publikut ne Opinion!
Nga 45,4% qe ishte mesataria e ndjekjes se Opinionit per debatin midis perfaqesuesve te grupeve te ndryshme per Rrugen e Kombit diten e hene, kjo ndjekje ra ne 31,9% diten e enjte, ku ne Opinion ishte Edvin Neveria.
Pra nje renie katastrofale prej rreth 15% krahasuar me naten kur ai perfaqesohej ne Opinion nga bizdemeni( shenimi im) i tij siç e quajti veten Gjici, te cilin e lumturojne rojet me baulet plot me euro te bankes qe ruanin dhe qe per kete merite fiton 70% te tenderave te sigurimit te objekteve ne Shqiperi.
Ky eshte grushti i dyte turinjve qe Edvini merr per Rrugen e Kombit, por kesaj rradhe nga publiku shqiptar, i cili tregoi se ka neveri nga surrati i tij ne ekranin televiziv!”, shkruan Berisha.
510 milionë eurot e përfitimit vjetor nga Rruga e Kombit. Duan edhe taksën 10 euro
Pano SOKO
Kush ia ka gjetur Ramës këtë justifikimin e Taksës së Qarkullimit me pagesën e borxhit që është marrë për Rrugën e Kombit, duhet të jetë paguar nga opozita, se s’ka mundësi.
E para njëherë, unë nuk e kuptova sesa i di Kryeministri ripagesat që ne bëjmë për borxhin në vit, por këstet e borxhit në 2017-ën kanë qënë 300 milionë USD, jo 110 sa thotë Rama (kam një dyshim se e ka vetëm për ripagesat e borxhit të jashtëm, por gjithsesi dhe aty është 10 milionë USD më shumë..gjithsesi…)
Gjithsesi për t’u marrë me thelbin; nuk përdoret taksa e qarkullimit për të shlyer borxhin e Rrugës së Kombit, se është injorancë totale nga pikpamja ekonomike. Rruga shlyerjen e bën me të ardhurat që ajo vetë gjeneron nga aktiviteti që kryhet në të. Dmth shteti nga kjo rrugë dhe për shkak të kësaj rruge ka rritur vëllimin tregëtar me Kosovën me afersisht 210 milionë Euro në vit dhe, po për shkak të kësaj rruge është 5-fishuar numri i turistëve kosovarë në bregdetin tonë, me një impakt rreth 300 milionë Euro në ekonomi.
Nga i gjithë ky aktivitet i shtuar (rreth 500 milionë Euro), shteti përfiton aritmetikisht cdo vit rreth 100 milionë Euro ne formë taksash. Dhe janë pikërisht këto të ardhura të buxhetit që gjenerohen nga kjo rritje e vëllimit ekonomik, ato që klasifikohen si fondet e destinuara për të paguar këstet e kredisë që eshtë marrë për Rrugën.
Dhe nëse kësti i kredisë së Rrugës është 40 milionë USD në vit, atëherë të ardhurat që ajo gjeneron çdo vit e superojnë disa here këstin vjetor.
Dhe natyrisht, sepse Rruga e Kombit një gjë ka të sigurtë – fizibilitetin. Është idiot ai që e trajton Rrugën e Kombit si një barrë që na bie në qafë dhe që për të cilën na qenka sëkëlldisur qeveria se s’po ia gjen dot terezinë e pagesave.
Jo! Rruga e Kombit është ndoshta aseti me rendimentin më të lartë të përfitueshmërisë në Republikën tonë.
Dhe kur dëgjon Kryeministrin që thotë që “Na duhet të përdorim lekët e taksës së qarkullimit për të paguar kredinë e rrugës” personalisht më kalon një si e trazuar në stomak nga niveli i lartë i budallallikut dhe injorancës.
Raporti: 826 milionë euro u vodhën në 2017, por u burgosën 23 kuksianë pse protestuan kundër vjedhjes!
Shkeljet dhe abuzimet e institucioneve shtetërore i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit për periudhën janar-dhjetor 2017, dëm ekonomik me vlerë 826 milionë euro.
Dëmi ekonomik u deklarua dje nga kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, gjatë analizës vjetore të institucionit për 2017. Leskaj, tha se gjatë vitit të kaluar janë kryer 156 auditime.
Kreu i KLSH-së u shpreh se dëmet më të larta janë në administrimin e pronës shtetërore dhe tenderat. Për shkeljet me dëm ekonomik, KLSH në 2017 kallzoi në Prokurori për ndjekje penale 130 zyrtarë. Kryetari i KLSH-së tha se për 6 vjet janë kallzuar penalisht 847 zyrtarë, me një ritëm 1 kallzim në javë.
Leskaj u shpreh se për 6 vjet janë kallëzuar penalisht 847 zyrtarë, me një ritëm, një kallëzim në javë.
“Numri i kallëzimeve penale gjatë kësaj periudhe 6-vjeçare ka qenë tregues i punës sonë, duke realizuar 266 kallëzime penale apo indicie për 847 nëpunës të lartë, të mesëm dhe të ulët të administratës shtetërore, ose me një ritëm, një kallëzim në javë apo një kallëzim afërsisht çdo tre auditime, ose dy herë më shumë se në periudhën 7-vjeçare 2005-2011. Për vitin 2017, kallëzimet penale të institucionit kanë qenë 47 për 130 persona, drejtues kryesisht të rangut të mesëm dhe të lartë të administratës shtetërore”, tha Leskaj, shkruan Panorama.
Kreu i KLSH-së tha se institucioneve shtetërore u janë dhënë 91 rekomandime për ndryshim legjislacioni
“A janë bërë gjatë vitit 2017 strukturat qeverisëse më të përgjegjshme në menaxhimin e fondeve shtetërore, e cila qëndron në themel të rikthimit dhe rritjes së besimit të qytetarit ndaj qeverisjes, merr një përgjigje jopozitive, duke parë nivelin e dëmeve dhe shpenzimeve joefektive apo me efekte negative në Buxhetin e Shtetit. Nga auditimet e vitit 2017, KLSH ka zbuluar: Dëm ekonomik, parregullsi dhe shkelje financiare (në të ardhurat publike dhe shpenzimet e kryera) në nivelin e 11.5 miliardë lekë, ose 85.8 milionë euro, duke kërkuar shpërblimin e dëmit, pra, arkëtimin e këtyre parave në Buxhetin e Shtetit. Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, si në të ardhura dhe në shpenzime, në vlerën prej 99.05 miliardë lekë, ose rreth 740 milionë euro. Në total janë konstatuar shkelje në shumën 110.5 miliardë lekë, ose afërsisht 826 milionë euro”, u shpreh Leskaj.
Kreu i Kontrollit të lartë të shtetit, Bujar Leskaj tha se për 2017 sektorët me riskun më të lartë janë administrimi i pronës shtetërore dhe prokurimet. “Mungesa e inventarizimit të pronës publike vijon prej më shumë se 20 vitesh të jetë një nga problemet kryesore, e cila krijon efekte në konfirmimet e titujve të pronësisë nga institucionet publike që kanë për detyrë dhënien e vërtetësisë mbi këto tituj.
Kjo është evidentuar edhe si një nga shkaqet për ekzistencën e rreth 600 konflikteve gjyqësore në proces vetëm në Ministrinë e Financave, si rrjedhojë e procedurave të privatizimit ndër vite. Me qëllim miradministrimin e pronës publike, KLSH ka kërkuar, ndër të tjera, kryerjen e një analize më të hollë- sishme për shitjen e pronave publike, krijimin e kartelave të veçanta dhe zgjidhjen e problemit për kompensimin e ishpronarëve”, u shpreh Leskaj.
Për prokurimet publike, kreu i KLSH-së tha se për 2016, gjysma e vlerës së prokuruar është fituar nga 57 kompani ose 5 për qind e kompanive që marrin pjesë në tenderë.
“Po të analizojmë strukturën e dëmit të konstatuar nga auditimet gjatë vitit 2017, konstatojmë se grupi i dytë i shkeljeve dhe dëmeve më të mëdha konstatohet përsëri në fushën e prokurimeve publike. Në të gjitha procedurat e prokurimit të zhvilluara janë shpallur fitues 1140 operatorë ekonomikë për 5067 procedura prokurimi në total. Janë kryer teste të përqendrimit dhe nga analiza e bazës së të dhënave në lidhje me prokurimet e fituara evidentohet që gjatë vitit 2016, 50% e vlerës totale të prokuruar është përfituar nga 57 operatorë ekonomikë ose 5% e totalit të operatorëve, të cilët kanë fituar 14.7% prokurime nga totali i atyre të zhvilluara. Pra konstatohet një përqendrim i prokurimeve në një numër të kufizuar operatorësh, fakt që ndikon drejtpërdrejt në tregun e produkteve dhe ne konkurrencën e lirë”, u shpreh Leskaj.
Hetuesi i diktaturës, fundërrina Xhafa zbulon armiqtë e jashtëm të partisë tek protestat popullore
Hetueësi i diktaturës në krye të ministrisë së Brendshme, Fatmir Xhafa shpalosi skenarin e vjetër bolshevik të shpalljes së armiqve të jashtëm të partisë që kërkojnë të destabilizojnë udhëheqjen e partisë. Kjo është teza e njohur që përdorej në diktaturë sa herë regjimi ishte në vështirësi. Kjo ishte edhe teza e fundit e Ramiz Alisë para se të rrëzohej nga lëvizja popullore kur mbante fjalimi nga Komiteti Qëndror dhe etiketonte popullin si vandal dhe të nxitur nga fuqitë perëndimore për të destabilizuar drejtimin e vendit nga Partia Komuniste. Sot 28 vjet pasi ai regjim ka rënë shqiptarët po dëgjojnë të njëjtat teza, kësaj rradhe nga një pioner i Enverit në atë kohë dhe tani ministër i Brendshëm.
Pjesë nga intervista.
Xhafaj: Duhet të bëjmë dallim mes protestës së ligjshme dhe dëshirës për të protestuar dhe interesit që mund të kenë grupe të caktuara brenda dhe jashtë vendit për të destabilizuar vendin. Për të destabilizuar vendin padyshim që ka interesa, që do dëshironin të krijonin destabilitet, brenda dhe jashtë vendit.
Ka pasur një rrezik të shtuar në javët që lamë pas, forcat e policisë, agjencitë ligjzbatuese në vend, shërbimi sekret, agjencitë partnere kanë përballuar më së miri disa ngjarje që nëse do ndodhin do kishin pasoja të rënda. Kemi angazhuar një pjesë të mirë të policisë, shërbimit sekret e agjencive të tjera, të cilat janë të përfshira në këtë proces në parandalimin, vëmendjen e shtuar për të qenë të kujdesshëm dhe për të përballuar mundësitë që ekzistojnë potencialisht për ngjarje të rënda.
Protesta e Kalimashit, ju thatë se kishte elementë me të shkuar kriminale. Personat e arrestuar i referohen kësaj deklarate…
Të bëjmë një dallim mes atyre që protestuan për një të drejtë të ligjshme, për një shqetësim, banorëve të qytetit të Kukësit, që kishin pasur dhe një dakordësim me policinë, me ata që e shfrytëzuan protestën për të ushtruar dhunë ndaj forcave të policisë dhe për të dëmtuar pronën publike dhe pronën e një biznesi të ligjshëm në veprimtarinë e tij.
Ky dallim është shumë i rëndësishëm. Në deklaratën time kam folur për të drejtën e ligjshme që kanë qytetarët për të protestuar dhe detyrimin e policisë për t’ua garantuar këtë të drejtë. Policia ishte aty për këtë gjë, ajo çfarë ishte në shkelje të ligjit, të së drejtës edhe të atyre qytetarëve, ishte fakti se një grup njerëzish në mënyrë të papërgjegjshme, shkuan përtej kufijve që lejon ligji. Ne besoj policia bëri detyrën në këtë rast, në kufijtë e mundshëm të situatës konkrete.
Policia me shumë qetësi e profesionalizëm shmangu përplasjen që dëshirohej mes individëve të caktuar mes policisë dhe qytetarëve. Ky tubim u iniciua nga këshilli bashkiak i Kukësit dhe kur në krye të një tubimi janë këshilltarët e atij komuniteti, dhe forcat e policisë ishin të përgatitur dhe nuk kishin forca shtesë. Kishte dakordësi për kufijtë ku do zhvillohej protesta dhe për mënyrën paqësore. Ajo që ndodhi nuk besoj që nuk është pjesë e kërkesës apo dëshirës e atyre njerëzve që kishin dalë aty, por prapavijë e një grupi tjetër, që dëshironin ta shfrytëzonin kërkesën e ligjshme në një konfrontim mes policisë dhe banorëve. Polica shmangu një përplasje të kësaj natyre.
Prapavija është politike, opozita ka dashur tensionin dhe krimin politik në këtë moment. Opozita ka gjetur rrugine gabuar për të adresuar problemet, për të vendosur komunikimin dhe për të përfaqësuar njerëzit që mendon se i përfaqëson dhe që dëshiron të rrisë tensionin politik
Nga informacioni që keni a ka pasur tentativë për të destabilizuar vendin?
Duhet të bëjmë dallim mes protestës së ligjshme dhe dëshirës për të protestuar dhe interesit që mund të kenë grupe të caktuara brenda dhe jashtë vendit për të destabilizuar vendin. Për të destabilizuar vendin padyshim që ka interesa, që do dëshironin të krijonin destabilitet, brenda dhe jashtë vendit.
Ka pasur një rrezik të shtuar në javët që lamë pas, forcat e policisë, agjencitë ligjzbatuese në vend, shërbimi sekret, agjencitë partnere kanë përballuar më së miri disa ngjarje që nëse do ndodhin do kishin pasoja të rënda. Kemi angazhuar një pjesë të mirë të policisë, shërbimit sekret e agjencive të tjera, të cilat janë të përfshira në këtë proces në parandalimin, vëmendjen e shtuar për të qenë të kujdesshëm dhe për të përballuar mundësitë që ekzistojnë potencialisht për ngjarje të rënda.
A është në dijeni SHBA? Po bashkëpunoni?
Sigurisht, në mënyrë shumë aktive po bashkëpunojmë.
Është evident rreziku rus?
Besoj të qëndrojmë deri këtu për këtë pjesë…
Breshëri plumbash në Tropojë dhe Elbasan, një i vrarë dhe 4 të plagosur rëndë
Një i ri është ekzekutuar me armë zjarri në Tropojë, ndërsa autori i dyshuar është në arrati. Në malin e fshatit Luzhë, është vrarë me armë zjarri 25-vjeçari Rexhep Alihasani.
Sipas një rindërtimi paraprak të ngjarjes nga Policia, ka rezultuar se 25-vjeçari, i cili po kulloste bagëtitë në fshatin Luzhë dyshohet se është vrarë me armë zjarri automatik për motive të dobëta nga S.R., 23 vjeç, banues në Luzhë.
Policia njofton se po bën krehjen e zonës me qëllim kapjen e autorit të dyshuar, ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes ku po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit.
Ndërsa në Elbasan katër persona janë plagosur pas një sherri me thika. Bëhet me dije se ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen Sul Paprri. Ende nuk dihen motivet e ngjarjes kurse policia ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar, shtetarin me iniciale G.Sh.
Doganieri-deputet, si u bë pronar resorti me tokën e grabitur në Dhërmi dhe lejen e Ramës, rrëfimi i Irini Buas
Lindita ÇELA
Në qershor 2016, Këshilli Kombëtar i Territorit i udhëhequr nga kryeministri Edi Rama miratoi lejen e zhvillimit për kompleksin turistik ‘Ionian Olea’ – një resort vilash dhe apartamentesh luksoze në bregdetin e fshatit Dhërmi në bashkinë Himarë.
Leja zhvillimore e kompleksit, që shtrihet mbi katër parcela toke bujqësore në plazhin e Drimadhesit, të regjistruara në zonën kadastrale 1481 dhe 1481-1739 është miratuar me kërkesën e zhvilluesve Mirela Papuli dhe Artan Dumi.
Dy nga katër parcelat ku po ndërtohet resorti turistik ‘Ionian Olea’, të cilat kanë një sipërfaqe prej 5 mijë dhe 6 mijë metrash katrorë tokë bujqësore, janë në pronësi të zyrës ligjore ‘Hyseni & Associates’– e regjistruar në Tiranë dhe në pronësi të babait pensionist të deputetit Alket Hyseni.
Zyra ligjore ‘Hyseni & Associaties’ është drejtuar nga Alket Hyseni nga viti 2006 deri në vitin 2014, kur ai u zëvendësua në administrim nga kunati i tij, Idajet Çelaj. Nga viti 2014 deri në vitin 2016, Hyseni udhëhoqi task-forcën e ngritur nga kryeministri Edi Rama për të verifikuar tjetërsimin e paligjshëm të pronave shtetërore.
Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se origjina e tokës me sipërfaqe totale 11 mijë metra katrorë, për të cilën ‘Hyseni & Associates’ ka lidhur një kontratë sipërmarrje me zhvilluesit e resortit ‘Ionian Olea’ dhe pritet të përfitojë sipërfaqe ndërtimi me vlerë miliona euro është e dyshimtë, ndërkohë që verifikimi i mënyrës së tjetërsimit të saj ka qenë detyrë e task-forcës së drejtuar nga Hyseni.
“Nuk e akuzoj unë, por dokumentet,” shprehet Irini Bua nga Dhërmiu, e cila shton se deputeti Hyseni po ndërton në mënyrë të paligjshme në tokën e saj. “Prona ka qenë me masë sigurie që në vitin 2015. Shit-blerjet në pronë janë bërë pas masës së sigurisë nga gjykata. Ata e morën vesh që kjo pronë ka probleme dhe filluan shit-blerjet e pronës,” shtoi ajo.
Kjo pronë është pjesë e një sipërfaqeje më të madhe të fituar nëpërmjet ligjit 7501 nga familja Bua, e cila është transferuar përmes një serie transaksionesh financiare fillimisht te shtetasit Ilia Taka dhe Arjan Hasani dhe më vonë është shkëmbyer me deputetin Alket Hyseni për 2 apartamente dhe 3 garazhe. Hyseni ia ka shitur tokën firmës ligjore të regjistruar në pronësi të të atit me një çmim prej 30 milionë lekësh.
Nga kontrata e sipërmarrjes me zhvilluesit e resortit ‘Ionian Olea’, firma ligjore “Hyseni & Associates” pritet të përfitojë minimalisht 1100 metra katrorë sipërfaqe ndërtimi në resortin turistik, e cila ka një vlerë tregu prej 1.1 milionë euro. Në varësi të koeficentit të ndërtimit dhe vlerës së shitjes së pronave, përfitimet mund të shkojnë në disa milionë euro.
Në një intervistë për BIRN, deputeti Hyseni i hodhi poshtë akuzat, duke nënvizuar se prona që ai ka blerë nuk është ajo që i referohet Znj.Bua, e cila sipas tij është nën sekuestro. Deputeti socialist shtoi më tej se edhe pse kishte drejtuar task-forcën, ai nuk kishte qenë në dijeni të problemeve që toka kishte, pasi nuk e kishte blerë atë direkt nga familja Bua.
Hyseni insistoi që pasuria e tij e konsiderueshme është vënë me punë të ndershme.
“Unë nuk njoh asnjë prej personave që janë në konflikte për të drejtën e pronësisë në familjen Bua. Unë i kam blerë nëpërmjet shkëmbimit një sipërfaqe toke një biznesmeni, i cili kishte në bëshkëpronësi nëpërmjet dy biznesmenëve të tjerë një tokë që e kishin kontraktuar me shpresën për të ndërtuar,” tha Hyseni.
“Pra të jemi të qartë se bëhet fjalë për prona të ndryshme dhe që janë përfituar në mënyrë totalisht të ligjshme. Ka transaksione zyrtare, kam burime të ligjshme dhe të deklaruara , transaksione të deklaruara prej meje në institucionet përkatëse dhe nuk ka pasur asgjë për të fshehur nga unë,” shtoi ai.
Më shumë tokë sesa frymë
Historia e tokës që zotërohet nga zyra ligjore “Hyseni& Associates” nis prej 7 shkurtit 1994, kur komisioni vendor i shpërndarjes së tokës bujqësore në fshatin Dhërmi, në zbatim të ligjit 7501, ka marrë dy vendime në favor të familjes Bua me kryefamiljare Athina Buan.
Sipas vendimit të parë me nr. 9567, Athina Bua përfiton një sipërfaqe toke prej 44,450 metrash katrorë. Ndërkohë, me një vendim të dytë me nr. 9597, i biri Stefo Bua përfiton një sipërfaqe prej 49,420 metrash katrorë.
Në 1 gusht të vitit 1991, trungu familjar i Athina Buas kishte 7 anëtarë, përfshi kryefamiljaren. Sipas ligjit 7501, norma e shpërndarjes së tokës nuk duhet të ishte më shumë se 3 mijë metra katrorë për frymë.
Megjithatë, familja Bua prej 7 anëtarësh – njëri prej të cilëve ishte larguar nga fshati në vitin 1943, arriti të përfitonte 93,870 metra katrorë tokë. Është gjithashtu e paqartë pse komisioni i shpërndarjes së tokës ka dhënë një vendim të veçantë në emër të djalit të Athinasë, Stefo Bua – duke qenë se ai ishte pjesë e trungut të të saj familjar.
Sipas Irini Buas, kjo sipërfaqe është shtuar për shkak të falsifikimeve të bëra nga kunati i saj, Stefo Bua.
“Sipërfaqja e pastër, sipas të gjitha dokumenteve që i janë kthyer familjes Bua nuk është më shumë se 50 mijë metra katrorë,” tha ajo. “Stefo Bua nëpërmjet falsifikimeve ka shënuar 100 mijë metra katrorë,” shtoi ajo.
Tjetërsime të tilla me tokën bujqësore kanë qenë dhe arsyeja pse në korrik të vitit 2014, qeveria e kryeministrit Edi Rama krijoi një task-forcë për verifikimin e titujve të pronësisë, e cila udhëhoq për dy vite nga deputeti Alket Hyseni.
Për shkak të konfliktit të trashëgimtarëve mbi testamentin e kryefamiljares Athina Bua, e cila ndërroi jetë në vitin 1998, në Prokurorinë e Vlorës dhe në Task- Forcën e udhëhequr nga Hyseni janë bërë disa kallëzime penale në lidhje me pronën ku po ndërtohet resorti turistik ‘Ionian Olea.’
Irini Bua pretendon se prona ku po ngrihet resorti i është dhënë Athina Buas dhe është regjistruar nëpërmjet falsifikimeve në emër të Stefo Buas. Nga ana tjetër, Stefo Bua deklaroi në një intervistë për Report TV se toka e resortit i është dhënë direkt nga komisioni i tokës, ndërsa ajo e trashëguara nga Athina Bua është aktualisht e bllokuar në pritje të zgjdhjes së konfliktit civil me Irinin dhe të vëllanë Mantho Bua.
“Irini nuk ka asnjë pronë deri tani që flasim. Mbas ligjit 7501 mora tapi edhe nëna ime, edhe unë dhe këtu ka gabuar Irini që nuk do ta kuptojë, sepse s’ka të bëjë prona ime me pronën e nënës,” deklaroi Stefo Bua.
Sipas Irinit, pretendimet e Stefos nuk janë të vërteta, pasi prona e familjes Bua në zonën e quajtur ‘Megalohara’ në Dhërmi nuk është aq e madhe sa pretendon kunati i saj.
“Ajo nuk është e vërtetë, sepse sipërfaqja prej 22 mijë metrash në Megalohora ku është ndërtuar resorti – dhe tashmë nuk ka pronë të lirë, është e njëjta pronë e marrë nga vjehrra ime, Athina Bua dhe që ne jemi trashëgimtarë,” tha Irini.
“Po të shikosh me numrin kadastral, është i njëjtë me numrin e parcelës që janë bërë shitblerjet që ka përfituar Alket Hyseni. I kam kërkuar Prokurorisë të hetojë dhe të masë sipërfaqen e tokës,” shtoi ajo.
Hyseni pranoi që Irini Bua dhe i shoqi, Mantho Bua kanë bërë padi të shumta në Prokurori si pjesë e konfliktit familjar për trashëgiminë, por shton se prona që ai ka blerë nuk është tjetërsuar në mënyrë të paligjshme.
“Pjesa që unë kam, nuk ka lidhje dhe nuk përkon aspak me atë çfarë pretendon Irini dhe Mantho Bua, të cilët kanë bërë historikisht një sërë kallëzimesh penale ndaj Stefo Buas, ndaj institucioneve të ndryshme dhe ndaj blerësve, të cilat janë pushuar nga Prokuroria dhe janë lënë në fuqi dhe në gjykatë,” tha Hyseni.
“Së fundmi kanë bërë edhe ndaj meje [kallëzim], është pushur dhe ky kallëzim për dijeninë time,” shtoi Hyseni.
Kallëzimi fillestar është bërë nga Irini Bua në vitin 2015. Prokuroria e Vlorës ka nisur hetime mbi origjinën e pronës dhe i ka pushuar ato në vitin 2016. Edhe pse Prokuroria ka arritur në përfundimin se familjes Bua i është shpërndarë më shumë tokë se norma limit e lejuar, ajo është shprehur në vendimin e pushimit të kallëzimit 139/2016, se ‘i takon institucioneve përgjegjëse të administratës publike’ të verifikojnë sipërfaqen e përfituar.”
Një prej këtyre institucioneve duhej të ishte dhe task-forca e drejtuar nga Hyseni, i cili mbas një serie transaksionesh zinxhir është bërë pronar i dy parcelave me sipërfaqe totale prej 11 metrash katrorë të familjes Bua.
I pyetur nga BIRN, Hyseni pranoi se në jug të vendit ka pasur vërtet shumë probleme me shpërndarjen e pronës nëpërmjet ligjit 7501, por ai mohoi të ketë pasur dijeni për problemet me pronën e familjes Bua në periudhën kur ka qenë në krye të task-forcës.
“Nuk kam asnjë dijeni që të jetë marrë task-forca me këtë çështje, edhe pse na ka rezultuar që një numër i madh banorësh që nuk kanë qenë banorë në vitin 1991 kanë përfituar tokë me ligjin 7501, pra në shkelje flagrante të ligjit,” tha Hyseni.
“Task-forca u ngrit me synim për të verifikuar kalimin e pasurisë nga shtetit tek privatët ndër vite, pasi u bë një masakër e vërtetë. Qëllimet kryesore ishin vendimet e agjencisë së kthimit dhe kompensimit të pronave, ku ishte bërë batërdi me sipërfaqe shumë të mëdha, me dokumentacion totalisht të falsifikuar,” shtoi ai.
Zinxhiri i transaksioneve
Dy vendimet e shpërndarjes së tokës bujqësore të lëshura nga komisioni i fshatit Dhërmi në emër të Athina Buas dhe Stefo Buas, janë regjistruar në hipotekë pas një vendimi të Gjykatës së Vlorës në 29 janar 2013.
Pas regjistrimit të pronës dhe marrjes së certifikatës së pronësisë, Stefo Bua i shet 10 mijë metra katorë tokë shtetasit Ilia Taka me çmim 1 milionë lekë me datë 7 Prill 2015. Gjithashtu, Stefo Bua bën një transaksion të dytë me 19 Shkurt 2016, duke i shitur 9,900 metra katrorë shtetasit Arjan Hasani me një çmim prej 500,000 eurosh. Hasani ndërkohë ka shitur një pjesë të kësaj sipërfaqeje me vlerë 150,000 euro në favor të shtetasit Genti Malko.
Me 13 Prill 2016, Ilia Taka dhe Arjan Hasani lidhin dy kontrata sipërmarrjeje për dy parcela 5 mijë dhe 6 mijë metra katrorë me ndërtuesit Arjan Dumi dhe Mirela Papuli, të cilët po ndërtojnë resortin turstik “Ionian Olea”.
Më vonë, Arjan Hasani dhe Ilia Taka bëjnë një shkëmbim prone në parcelat e tyre, duke e kthyer Ilia Takën pronar të vetëm të sipërfaqes prej 11 metrash katorë që është pjesë e kontratës së sipërmarrjes së resortit turistik.
Me 26 Janar 2017, Ilia Taka i shkëmben parcelat e tij të tokës me deputetin Alket Hyseni dhe merr në këmbim prej tij dy apartamente dhe 3 garazhe në Sarandë me një vlerë totale prej 15.7 milionë lekësh.
“Një prej biznesmenëve, që është dhe klienti im, Arjan Hasani më vuri në dijeni se njëri nga bashkëpunëtorët donte të shiste pronën e vet dhe donte ta merrnim së bashku. M’u duk interesante, në një vend të lakmuar. Duke qenë se unë kam dhe origjinë ngë bregu, jam nga Borshi, e kam pasur ëndërr që patjetër të përfaqësohem atje … dhe nëpërmjet shkëmbimit ishte marrëveshje e mirë për t’u përfshirë,” shpjegoi Hyseni.
“Për të kultivuar ullinj nuk isha i interesuar, për një zonë që ishte në zhvillim isha i interesuar,” shtoi ai.
Në kohën kur Alket Hyseni hyri në biznes me Ilia Takën dhe shkëmbeu pronën me të, ky i fundit ishte nën procedim penal për falsifikim dokumentash nga Prokuroria e Vlorës për një sipërfaqe tjetër në fshatin Jal të Himarës. Taka u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Vlorës vetëm më 23 mars 2018.
“Për t’u arrestuar mund të arrestohet kushdo, por ai ka dalë i pafajshëm, gjykata e ka shpallur të pafajshëm,” tha Hyseni. “Megjithatë ky është një problem që nuk më përket mua, ai ishte një biznesmen dhe le të japë llogari për problemet e tij në organet e drejtësisë. Unë mbaj përgjegjësi për problemet e mia,” shtoi Hyseni.
Në 22 gusht 2017, Alket Hyseni ia shet tokën për 30 milionë lekë zyrës ligjore që ai ka themeluar, ‘Hyseni & Associates’ dhe që është në pronësinë e të atit Namik Hyseni. Një pjesë e pagesës ndaj Hysenit bëhet duke shuar një borxh të marrë më parë ndaj sudios së tij ligjore në vitin 2015 – nga i cili patën mbetur 10.4 milionë lekë të papaguara, ndërsa pjesa tjetër është paguar nga firma në dy këste.
Me kalimin e parcelave në pronësi të studios ligjore, kjo e fundit bëhet dhe përfituesja e kontratës së sipërmarrjes me ndërtuesit Artan Dumi dhe Mirela Papuli, duke përfituar dhe sipërfaqet e ndërtimit që rrjedhin nga ndërtimi i resortit.
Irini Bua i tha BIRN se ka bërë disa padi në Prokurori ndaj personave që ajo pretendon se kanë tjetërsuar pronën e saj.
“Çështjet civile dhe ajo e trashëgimisë janë pezulluar, pasi janë hapur një sërë çështjesh penale. Për akuzat që unë kam ngritur ndaj Ilia Takas, Genti Malkos dhe Arjan Hasanit, Gjykata e Apelit në Vlorë ka vendosur rikthimin e tyre në hetim në prokurori,” tha ajo.
“Vijoj ende të ndjek proceset, pasi pa mbaruar çështjet penale nuk mund të ketë zhvillime për çështjet civile- atë të përfitimit të së drejtës së trashëgimisë,” shtoi Irini.
Doganieri që u bë deputet
Deputeti i Partisë Socialiste, Alket Hyseni ëshë diplomuar si jurist në Universitetin e Tiranës në vitin 1999 dhe në vitin 2002 ka marrë licencën e avokatit. Karriera e tij në administratën publike ka filluar si përgjegjës turni në doganën e Kakavijës në mars të vitit 2000 dhe në vitin 2004 ai është transferuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave në Tiranë.
Në vitin 2006, ai themeloi studion ligjoren ‘Hyseni & Associates’ të cilën e ka drejtuar deri në vitin 2014. Në vitin 2014 deri në vitin 2016 ai ka drejtuar task-forcën ‘ Për verifikimin e ligjshmërinë e mënyrës së tjetërsmit të pronave të paluajtshme shtetërore,’ dhe në vitin 2016 u emërua si Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Parandalimit dhe Pastrimit të Parave, në Ministrinë e Financave. Hyseni u zgjodh deputet si pjesë e listës së Partisë Socialiste në Vlorë në zgjedhjet e 25 qershorit 2017.
Pasuria e Hysenit nga viti 2000, kur ishte një përgjegjës turni në Kakavijë deri sa u u zgjodh deputet ka regjistruar një rritje eksponenciale. Në qoftëse në deklarimin e parë periodik të bërë nga zoti Hyseni në vitin 2003 ai kishte vetëm 1.2 milionë lekë asete, në deklarimin e fundit deputeti socialist ka regjistruar një pasuri prej 174 milionë lekësh. Diferenca midis dy shifrave përbën një rritje pasuri prej 136.8 herë në 14 vite.
BIRN analizoi deklarata e pasurisë të bërë nga deputeti socalist pranë Inspektoriatit të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Pjesa më e madhe e pasurisë së deputetit Hyseni është e investuar në pasuri të paluajtshme, të cilat në vitin 2017 kapin një vlerë prej 110 milionë lekësh. Kjo kategori asetesh ndiqet nga likuditetet në banka me 38.3 milionë lekë dhe likuditete cash prej 1.3 milionë lekësh.
Shumica e kësaj pasurie është vënë gjatë periudhës 2006 – 2016, kur zoti Hyseni ka udhëhequr studion ligjore “Hyseni & Associates”. Sipas deklarimieve të pasurisë në ILDKPKI, gjatë kësaj periudhe e ka shtuar pasurinë me 170.1 milionë lekë. Nga ky shtim marramëndës pasurie Hyseni ka specifikuar të ardhura në vlerë 48.3 milionë lekë, të cilat vijnë nga pagat nga funksioni dhe firma ligjore, të ardhurat e bashkëshortes dhe fitimet neto nga shit-blerja e pasurive të paluajtshme. Pjese tjetër e deklaruar si shtesë asetesh prej 134.7 milionë lekë në vitet 2006 -2016 është me burime të paspecifikuara, të shprehuara në deklaratat e pasurisë si të ardhura nga ‘puna, biznesi, emigracioni dhe kursime familjare.”
Nga analiza e rritjes së pasurisë bruto të Z. Hyseni, rezulton se nga viti 2006 deri 2016 pasuria është rritur mesatarisht me 17 milionë në vit. Për të justifikuar këtë normë të rritjes së pasurisë, duhet që burimi financiar (të ardhurat neto) të ketë qenë mesatarisht 1,4 milionë lekë në muaj, pa llogaritur shpenzimet e jetesës.
Hyseni i tha BIRN që pasuria e tij ishte rrjedhojë e punës që në moshë të njomë dhe çdo të ardhur e ka deklaruar konform ligjit.
“Biznesi deklaron të ardhurat në Tatime dhe unë mund t’u them se nga biznesi im kam të ardhura në rendin e 2 miliardë lekëve dhe mbi 800 milionë lekë janë taksë dhe tatime. Nuk ka një studio të dytë që të ketë qenë kaq korrekte,” tha Hyseni.
“Unë kam punuar fort që 18 vjeç – unë, im atë dhe familja ime jetojmë mirë, nuk e mbajmë veten për të pasur. Kemi filluar të ndërtojmë bizneset tona dhe nuk ka qenë ky biznesi i vetëm në jetën time. Puna që kam bërë më ka dhënë emër dhe ka ndikuar indirekt edhe në biznesin e avokatisë dhe unë jam krenar për këtë. Nuk kam asgjë për të fshehur,” përfundoi Hyseni.
Policia shpall në kërkim Suel Çelën një javë pasi e përcolli jashtë Shqipërisë?
Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur arrest me burg në mungese për Suel Çelën, si njërin nga protagonistët për ngjarjen e 18 shtatorit 2017 në qytetin e Elbasanit.
Ndaj Suel Çelës adresohet vepra e vrasjes së oficerëve të policise të mbetur në tentativë, para tregut agro-ushqimor të këtij qyteti.
Por megjithë këtë vendim të Krimeve të Rënda për përplasjen që shkaktoi furtunë në radhët e uniformave blu, arrestimi i Suel Çelës deri më tani ka dështuar.
Masa e shpallur nga Krimet e Rënda evidenton qendrimin e prokurorisë që përshkruan se në fakt dyshohet se mjetin Audi që goditi policinë e ka drejtuar Suel Çela.
Burimet thonë se provat rrëzojnë alibinë e Enea Bekteshit, i cili më herët ka deklaruar se ai e goditi policinë, dhe se e kishte kryer këtë veprim pasi ishte trembur nga postblloku dhe të shtënat.
Në atë kohë Bekteshi e përshkroi veten, nën efektin e alkoolit. Për akuzën ky version është i pavërtetë. I dyshuari kryesor tashmë është Suel Çela sipas një vendimi gjyqësor që i kërkon policisë ta arrestojë.
Suel Çela është djali i Petrit Çelës, që është gjithashtu pronari i tregut agro-ushqimor dhe që është pyetur me herët nga autoritetet.
Por pas incidentit dhe pamjeve filmike të bëra publike megjithëse emri i Suel Çelës u përmend jo zyrtarisht, asnjë nga institucionet nuk e lakoi emrin e tij zyrtarisht. Pas ngjarjes ai qëndroi në kërkim policor për më shumë se një muaj.
Ndërkohë që me dosjen e Elbasanit luhej ping pong kompetencash herë në Tiranë e herë në Elbasan, policia e ka shoqëruar në muajin dhjetor Suel Çelën.
Por atij ndërkohë rezulton t’i kishin përfunduar afatet e kërkimit policor. Në këto kushte ai është lënë i lirë.
Pas kësaj në referim të provave, gjykata ka shpallur masën e sigurisë arrest me burg. Por kjo masë është vendosur një javë pasi Suel Çela, siç rezulton nga sistemi TIMS, kishte dalë nga Shqipëria, i lirë dhe i patrazuar nga drejtësia.