15.5 C
Tirana
E diel, 15 Qershor, 2025

Taksa e pronës, gjoba e tjetër e Ramës që rëndon nga sot në xhepat e qytetarëve

547451008

Llogaritja e taksës së re të pronës në përdorim nuk ka dhënë ende efekte në tregun e pasurive të paluajtshmë, por agjentët imobiliarë presin që segmeti i qiradhënies të reflektojë pakënaqësi.
“Në vlerë nuk janë në vlera të konsiderueshme të të ardhurave vjetore për qira për pronarin, por pra të mbledhura bashkë janë goxha në gjykimin tim. Pronarët në fund të fundit do ta paguajnë, do ta pranojnë por presim pakënaqësi nga ana e tyre”, thotë agjentja imobiliare, Xheni Jahja.
Në thelb agjencitë imobiliare nuk janë kundër mënyrës së re të taksimit, pasi sipas tyre një shtëpi në Kombinat nuk mund të ketë të njëjtën taksë me një shtëpi si në zonën e ish-Bllokut, por në total barra fiskale po rëndon tek transaksionet për pasuritë e paluajtshme.
“Nuk ka sesi të paguajnë të njëjtën vlerë qytetari. Në fakt, kjo taksë bashkë me taksat e tjera që po vihen herë pas here pakësojnë të ardhurat e qytetarëve dhe sigurisht që kjo ndikon edhe në tregun e pasurive të paluajtshme”, shprehet Lefter Sila, ekspert imobiliar.
Agjencitë imobiliare presin që të ketë edhe rritje të vogël të ofertës për shitjen e shtëpive, pasi sipas tyre ka qytetarë që kanë disa apartamente dhe rritja e taksimit mund t’u rezultonte pa leverdi për pronarët e banesave.

Basha me eurodeputetin: Mosbindja civile dhe protestat janë reagimi i vendosur qytetar përballë grabitjes dhe padrejtësisë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, informoi raporterin e Parlamentit Europian për Shqipërinë Knut Fleckenstein se kryeministri Edi Rama po instalon në vend një sistem autokratik ku kontrollon të gjitha pushtetet, që po i përdor për të dhunuar dhe shkelur të drejta dhe liritë kushtetuese të qytetarëve.
Basha tha se qytetarët shqiptarë po vuajnë grabitjen e dyfishtë nga qeveria dhe drejtësinë me dy standarde, të kontrolluar nga qeveria. Qytetarët në burg dhe kriminelët në liri është standardi Rama për drejtësinë e kapur.
Sot 11 qytetarë të varfër janë në burg, sepse refuzojnë një taksë që nuk e paguajnë dot. Ndërsa kriminelët dhe politikanët e lidhur me krimin dhe të korruptuar si Saimir Tahiri, Vangjush Dako, Damian Gjiknuri, Klement Balili, Orest Sota dhe të tjerë janë të lirë, theksoi Basha
Kryetari i PD njohu raporterin Fleckenstein me faktet që provojnë se qytetarët nga Kukësi u arrestuan në dhunim të të drejtave kushtetuese, pas mesnatës, pa prova, pa urdhërarreste dhe se prokuroria fallsifikoi proçesverbalet për kohën e arrestimit të tyre.
Me urdhër të Edi Ramës policia dhunoi sot deputetët e opozitës në tentativë për të penguar transparencën e rrëmbimit të paligjshëm dhe dhunimit të të drejtave të protestuesve dhe familjarëve dhe fëmijëve të tyre, tha Basha.

Kreu i opozitës vuri në dukje se qytetarët nuk refuzojnë pagesën e taksave, siç deklaron qeveria, por refuzojnë grabitjen e dyfishtë, refuzojnë të paguajnë dy herë për të njëjtin shërbim. Basha tha se shqiptarët paguajnë taksën e qarkullimit, e dedikuar për mirëmbajtjen e rrugëve 200 milionë euro në vit dhe për të cilën nuk ka transparencë për çfarë përdoret.
Lulzim Basha rikonfirmoi qëndrimin e Partisë Demokratike për hapjen e negociatave pavarësisht se qeveria ka bërë regres në përmbushjen e 5 kritereve kyçe. Basha argumentoi se nga një vendim negativ për moshapjen e negociatave tyre përfiton sistemi autokrat që Rama po instalon nëpërmjet kapjes së shtetit, çka u tregua edhe sot me veprimet e paligjshme dhe të dhunshme të policisë, prokurorinë dhe gjykatën.
Kreu i opozitës theksoi se mosbindja civile dhe protesta janë reagimi i vendosur qytetar përballë grabitjes dhe padrejtësisë nga një qeveri që ka privatizuar policinë, prokurorinë dhe gjykatat për të grabitur pasuritë publike, për të terrorizuar njerëzit e thjeshtë dhe për të mos ndëshkuar krimin dhe korrupsionin.
Mosbindja civile është refuzimi që qytetarët i bëjnë grabitjes dhe padrejtësisë qeveritare theksoi kreu i opozitës.
Ai e siguroi Fleckenstein se opozita do të jetë në krah të qytetarëve në çdo protestë.

Reagon ish-ministri i Drejtësisë: Gjykatësja që la në burg kuksianët duhej të dorëhiqej

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, lidhur me vendimin e gjyaktës për të mbajtur në burg 11 qytetarë të Kukësit, të arrestuar pas protestës së të shtunës në rrugën e Kombit. Manjani shkruan se gjyqtarja duhej të ishte dorëhequr, pasi është bashkëshortja e një funksionari të policisë.
“Lexojeni vetë pikën ë të paragrafit 1. Është neni 17 i Kodit të Procedurës Penale.
Gjykatësja e Kukësit, përveçse gjykon në Tiranë, nuk e dimë se në bazë të cilit ligj, nuk bind në PAANSHMËRINË e saj.
Bashkëshorti i saj është drejtues në Policinë e Shtetit!
Këto arrestime që ajo gjykon nuk janë bërë nga gjykata, por nga Policia. Në këto raste Policia i përdor bashkshortët për të justifikuar veten…
Do kishte qenë në nderin e saj, përveç se në respekt të ligjit, që të dorëhiqej nga kjo çështje!
Cilido qoftë vendimi i saj, do jetë i paragjykuar!
E përsëris: që prej orës 10:00 sot ata janë ligjërisht të lirë…”, shkruan Manjani.

Lefteri lë qelinë dhe kthehet në shtëpi, gëzimi i të miturit kur takoi babain (Foto)

Servete Rexhmati udhëtoi mëngjesin e kësaj të mërkure nga Kukësi bashkë me djalin e saj të mitur.
Dy vajzat, njëra e paralizuar i la nën kujdesin e të afermve. Ajo priti 9 orë para Gjykatës së Tiranës me shpresën se burrin e saj do e lironin. Pritja e gjatë u shpërblye. Gjykatësja e Kukësit dha vendimin për të liruar Lefter Rexhmatin.
Policia e shoqëroi të arrestuarin në Drejtorinë e Policisë dhe pritja aty ishte më e shkurtër, i arrestuari në protestat e Rrugës së Kombit mori vendimin e lirimit.
Ai duhet të paraqitet rregullisht para prokurorit deri sa të dalë në gjyq.
Pritja e gjatë nuk e ka lodhur as të birin e mitur, i cili gëzon kur takon të atin. Lefteri doli të protestonte, sepse siç i tha Top Channel gruaja e tij, i duhej të paguante 22 euro në ditë, ose 900 mijë lekë në muaj, sepse punonte shofer furgoni për transportin e udhëtarëve nga Kukësi në Tiranë.
“Jam shumë i lumtur që jam pranë familjes. Vendimi i gjykatës, edhe i drejtë edhe i padrejtë. Do të vazhdoj aktivitetin tim. U ngritëm në protestë kundër asaj takse”, thotë Lefteri.
Protestuesi u nis në Kukës pranë vajzave të tij, por sërish do të duhet të paraqitet në Gjykatën e Tiranes, kur procesi ndaj tij dhe 23 të tjerëve do të rifillojë.

Rrfimi i gruas për terrorin policor: Si ma rrëmbyen burrin në 3:30 të natës
Një nga të arrestuarit e protestës së 31 marsit në Kalimash është edhe Lefter Rexhmati. Familja e tij ka 5 vjet që jeton në Kukës. Poshtë pallatit është furgoni i Lefterit. Ai punonte prej tre vjetësh duke bërë transport udhëtarësh Kukës-Tiranë, një rrugë në ditë. Lefterit i duhej të paguante 22 euro në ditë sipas tarifave të vendosura nga kompania koncesionare.
“I kushtonte 30 mijë lekë Lefterit që të linte tek sporteli që ishte vendosur atje. 1 milionë shkonte në muaj. Ai nuk merr aq dhe si do ta përballonte. Një ditë kishte punë, një ditë jo. Vjen edhe pa lekë në shtëpi, ka sjellë edhe vetëm 1 mijë lekë”, thotë Servetja, gruaja e tij.
Në familjen e Lefterit presin gruaja dhe tre fëmijët. Gresi është 9 vjeç, Andrea 2, dhe vajza e madhe Sihana 12 vjeç, e paralizuar, e shtrirë në krevat në gjendje vegjetative. “U lutem që Lefteri të vijë tek fëmija i vet, boll ta ledhatojë atë, se ajo nuk jeton dot pa ndihmën e babait të vet”, tregon ajo.
Vajza e paralizuar merr pagesë invaliditeti që bashkë me kujdestarinë e të ëmës bëjnë 260 mijë lekë të vjetra në muaj.

“I gjithë Kukësi u ngrit, jo vetëm Lefteri! Lefteri nuk është terrorist. Isha edhe unë me gra të tjera! Lefterin e kam parë vetëm në televizor që ishte me gjak”, rrëfen ajo.
Servetja thotë se, bashkëshorti flinte në furgon nga frika mos ja vidhnin. 44-vjeçarja tregon momentet kur policia erdhi për t’i arrestuar bashkëshortin.
“U ngrita dhe në derë po trokisnin pak në orën 3:30 të mëngjesit. Kur e hapa derën ishte një civil i gjatë që hyri brenda dhe kishte të tjerë të zinj, nuk dukeshin si njerëz. Ishin 7-8 vetë! E arrestuan në makinë”, thotë ajo.
Vajza e paralizuar duhej çuar në spital një natë më parë. “Nuk e çoj dot se është larg dhe nuk di çfarë t’i them shtetit! A ka shtet për ne?!”, rrëfen më tej ajo.
Gruaja është gjithë sy e vesh në televizion për të dëgjuar se çfarë do të bëhet me fatin e bashkëshortit të saj. “Ndjekim lajmet që të shohim se si do të vendoset për këta që u arrestuan jo për politikë, por për ekonomi”, tha ajo.

Gjyqtarja Alma Ahmeti del nga Gjykata e rrethuar me policë pas 4 orësh pasi dha vendimin për kuksianët (Foto)

Gjyqtarja Alma Ahmeti ka dalë nga Gjykata e Tiranës pas 4 orësh pasi kishte përfunduar seanca maratonë dhe e tensionuar. Ajo mori vendimin për 23 kukësianët e arrestuar pas protestës te Rruga e Kombit. Sic shihet nga fotot gjyqtarja shoqërohet nga forca policie.
Vendimi i saj i sotëm që la në ‘arrest me burg’ 11 prej të arrestuarve, ngjalli shumë zemërim dhe pakënaqësi tek protestuesit. Opozita e akuzoi Ahmetin si një gjyqtare të kapur nga Edi Rama. Ndërkohë ish ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka thënë se kjo gjyqtare duhet të jepte dorëheqje nga cështja pasi është në konflikt interesi. Bashkëshorti i saj tha, Erion Ahmeti, është kreu i policisë së qarkullimit rrugor në Tiranë.
Gjyqtarja Alma Ahmeti është bashkëshortja e shefit të Komisariatit të Policisë Rrugore të Tiranës, Erjon Ahmeti.
Vendimi u dha pas një seance të tensionuar që zgjati disa orë. Në përfundim të seancës gjyqësoreë, Ahmeti vendosi lënien në burg të 11 prej 23 të arrestuarve, 2 prej tyre mbetën në arrest shtëpie, kurse 10 u lanë me detyrim paraqitjeje.
Në fillim të seancës familjarët dhe deputetët e opozitës u përplasën me policinë që ndaloi hyrjen e tyre në seancë, duke vendosur zhvillimin e saj me dyer të mbyllura pa praninë e mediave.
Por më pas u lejua që mediat dhe disa deputetë të opozitës të futeshin brenda sallës së gjyqit.

Berisha: O sot o kurrë, është koha që qytetarët t’i dalin zot interesave të tyre jetike!

Pyetje: Sot kemi patur një shfaqje që ka ndezur debate në arenën politike. Masa arrestit të protestusve të të shtunës ka nxitur reagime zinxhir. Si i keni parë zhvillimet e ditës së sotme?
Berisha: Unë mendoj se Tirana pati sot një mëngjës të cilin, në memorien time nuk e ka patur as në kohërat më të zeza të diktaturës. Gjatë zhvillimit të një procesi gjyqësor nuk kam parë kurrë ndonjëherë që miëra policë të vërshojnë në rrugët e Tiranës, të rrethojnë Gjykatën, të mbushin mjediset e Gjykatës së Tiranës, të shtynë e të grushtohen me deputetë të Kuvendit dhe qytetarët. E gjitha kjo sikur po gjykoheshin 23 super-terroristë, fallanga të Bin Laden dhe jo 23 qytetarë të Kukësit, heronj të vërtetë të protestës qytetare, të cilët janë rrëmbyer në mënyrën më terroriste në orën 2-3 të natës nga fallanga dhe kapuçonë të zinj të policisë, njerëz të cilët s’kanë qënë kurrë në protestën e Kalimashit, midis tyre prindër me katër fëmijë. Janë rrënqethëse dhe tronditëse dëshmitë e tyre sot në Gjykatë. Invalidë të rënë me unaza në zemër, 66 vjeçar burri botës, apo tjetri, një person me arrest shtëpie me vendim gjykate për të cilin nuk ekziston asnjë foto apo fakt e dëshmi se ai ka qënë në protestë. Pra, pikërisht se po gjykohen qoftë protestues, heronj të vërtetë të protestës së Kalimashit, të rrëmbyer në shtëpitë e tyre, të rrëmbyer në thyerje flagrante të Kushtetutës, Edi Rama i tmerruar nga grushti turinjve që mori në Kalimash, nga thyerja e hundës që ata protestues i bënë në Kalimash, nga ai moment e deri sot sheh protestën tek zyrat e tij dhe kryeministria. Ai tani është lemeritur dhe nuk di se çbën pasi e kupton se dita po i vjen për ti dhënë përgjigje përfundimtare një njëriu, që sillet në mënyrën më kriminale ndaj qytetarëve. Të gjitha urdhër-arrestet janë dhënë me fletë boshe dhe në mënyrë kriminale nga prokurorë kriminelë, janë mbushur sikur ndalimet janë bërë në orën 10 të ditës në një kohë kur ka prej tyre që janë ndaluar edhe në ora 11 të natës të ditës së mëparëshme, dhe gjithë të tjerët nga ora 1 deri në 4 të mëngjesit. Prokurorë fallsifikatorë politikë, të cilët s’dinë çbëjnë përveçse shkelin ligjet, shkelin Kushtetutën, zbatojnë verbërisht urdhërat e kryeprokurorit Edi Rama. Kështuqë këto skena që panë sot shqiptarët, dhe që në memorien time nuk i kam parë nga vitet 58 në Tiranë e deri sot, unë nuk mbaj mend skena të tilla për procese gjyqësore ndonëse ka patur sigurisht procese politike nga më të rëndat por kjo prani e paimagjinueshme policësh, baditësh me uniformë, këto qëndrime banditeske të policisë ndaj deputetëve në sallën e gjyqit e në mjedise të gjykatës nuk kanë ndodhur kurrë më parë.

Pyetje: Pse u politizua kaq shumë kjo protestë?
Berisha: Sepse Edi Rama ka një urrejtje patologjike ndaj Kukësit. Ka të trashëguar urrejtjen e të atit, me të cilin ai firmosi si xhelat ekzekutimin, varjen e birit të shquar të Kukësit dhe Shqipërisë, Avzi Nelës në gusht të 88. Rama mendon dhe e di që ai për Kukësin është një armik i egër dhe i betuar. Ai i vuri traun Kukësit, Tropojës dhe Hasit për të ardhur në kryeqytetin e tyre. Kjo situatë e bëri atë të humbasë çdo arsye. Ka tre ditë që sdi gjë tjetër vetëm të thotë që këtë taksë e nisi Berisha…
Pyetje: Në fakt ministri Gjiknuri nxorri dhe një faxsimile
Berisha: Në fakt nxorri vetëm mashtrimin e tij. Sali Berisha në 2010 bëri studimin, se sigurisht rruga do mirëmbajtje, kjo nuk ka asnjë diskutim. Sigurisht që mirëmbajtja nuk do bëhet nga shteti por nga kompani private. Në këtë kontekst ne bëmë studimin se cila është kostoja për mirëmbajtjen e saj për makinë. Dhe ky studim, që është përfunduar në 2010, taksa nuk u vendos as në 2010, as në 2011 as në 2013, katër vite me radhë pra, dhe nuk do vendosej. Nuk e vendosa taksën sepse kisha vendosur që kompania private do të kontraktohej dhe kjo kompani do të paguhej nga taksa e qarkullimit. Taksa e qarkullimit që vumë ne në naftë, dhe që paguhej nga çdo shqiptar në 7 lekë, 1/10 e parave të kësaj takse mjaftonte për mirëmbajtjen e plotë të rrugës pa asnjë vështirësi. Dy vjet e kishte kompania për t’a mirëmbajtur. Kompania që e ndërtoi pra nuk e dorëzoi menjëherë rrugën por e ndërtoi dhe e mirëmbajti dy vjet e më pas po vinte koha t’a merrnim ne në mirëmbajtje.
Ky zotëri, prej pesë vitesh nuk mirëmbajti asgjë e një gur të vetëm nuk lëvizi. Prej pesë vitesh ky mbledh mbi 260 mln euro nga taksa e qarkullimit pasi e rriti atë nga 7 lekë në 32.5 lekë bashkë me TVSH, ky mbledh dhe 200 e ca milionë euro të tjera me akcizat, ky mbledh pra gjithsej nga nafta rreth gjysëm miliardë euro ndërkohë ka shpenzuar gjithsej për të gjithë rrjetin rrugor të Shqipërisë vetëm 5 mln euro. Sepse ky i përdor paratë, të cilat janë të caktuara me ligj për mirëmbajtjen e rrugëve, ky i përdor për orgjira, pritje përcjellje, lluks zyrash etj. Pra, këtu qëndron i gjithë dallimi.

Dhe ky mendon se shqiptarët mund të gënjehen. Shqiptarët nuk mund të gënjehen. Sali Berisha nuk e vendosi dhe nuk do e vendoste kurrë një taksë të tillë. Nuk mund ti bësh qytetarët të paguajnë dy herë për të njëjtën gjë. Hiqja taksën e qarkullimit dhe pastaj vendos taksën e rrugës në një proporcion siç e kanë vendet e tjera. Dhe në fakt këtë kërkojnë përfaqësuesit e biznesit të Kukësit. Por për ne zgjidhja e vetme sot është të hiqet urgjentisht ‘taksa plaçkë’ dhe kompania të paguhet me paratë e taksës së qarkullimit. Ato janë shumë, nuk duhen as 1/20 e tyre për të mirëmbajtur Rrugën e Kombit, e cila si peshë specifike ka mbi 45% të transportit në Shqipëri. Pra ne themi jepi 5% të taksës së qarkullimit për mirëmbajtjen e saj, siç i jep dhe vjedh me ndrikull Nushin nga paratë e check-up duke i bërë analizat të vdekurve, siç i jep muratorit çdo vit për të sterilizuar mjetet e mjekësisë, siç ka bërë rrush e kumbulla, siç ka dhënë për inceleratorët deri tani 170 mln dollarë Arben Ahemtajt nëpërmjet Klodjan Zotos, ish menaxher i Hermes me të. Pra këta vjedhin në të katër anët, nga mëngjesi deri në darkë dhe pastaj u thonë të varfërve paguani ju taksën për të ardhur në Tiranë. Shqiptarët duhet ta dinë se është ky Edi Ramë, i cili kur ka qënë kryetar bashkie ka patur idenë se do vendoste të njëjtën gjë që bëri në Kalimash, për të gjithë ata që donin të hynin në Tiranë, të cilët do paguanin për futjen e tyre në kryeqytet. Eshtë absolutisht e vërtetë kjo. Dhe mori një ultimatum që të mos guxonte ta bënte se s’mund të lështonte viza për qytetarët që donin të hynin në Tiranë.

Pyetje: Kryetari PD ka lajmëruar një mosbindje civile. A jeni për mosbindje civile në radhë të parë?
Berisha: Asnjë rrugë tjetër sot s’ka përveç mosbindjes masive civile. Vetëm revolta qytetare mund ti japë përgjigjen më të merituar këtij narkoregjimi. A mund të imagjinojë kush kurrë se për të dhënë masa sigurie për 23 protestues mund të ndërtohej dhe bëhej kjo shpalosje e paimagjinueshme e policisë së një vendi të lirë? As e një vendi të lirë por dhe as në një diktaturë kjo nuk bëhet. Kjo bëhet vetëm aty ku qeveris një skizofren i mirëfilltë, që ushqehet nga frikërat, fobirat dhe urrejtja, që duhet një minutë e më parë të largohet me të gjitha mjetet e mosbindjes civile nga pushteti.
Pyetje: A është lidershipi i PD dhe i opozitës i gatshëm që të marrë në dorë atë që po ja u ofron qytetarët e Kukësit.
Berisha: Në fakt mesazhi i qytetarëve të Kukësit është një mesazh i jashtëzakonshëm. Por në lëvizjet popullore, është në ligjin e tyre që në disa raste i udhëheq ti, në raste të tjera të udhëheqin ato. E rëndësishme është që populli opozitar, ndaj të cilit Rama ka një urrejtje dhe armiqësi primitive të papërmbajtur, të ngrihet në lartësinë e guximit të atyre djemve dhe burrave të Kukësit, Hasit dhe Tropojës dhe ti japë duart këtij regjimi të bazuar kryekëput në drogën, krimin, vjedhjen e parave publike të shqiptarëve.

Pyetje: Populli po por lidershipi?
Berisha: Lidershipi pa diskutim që është dhe do jetë dhe lidershipi ka ftuar tani mosbindjen civile…
Kukësi është frymëzues, është transformues. Nuk e shef si e transformoi Edi Ramën? E bëri të nxjerrë fytyrën e tij të vërtetë, mendësinë e të atit të tij xhelat. S’ka diskutim që liderët e opozitës i ka frymëzuar, i ka bërë me krahë dhe unë kam besim që kjo betejë do fitohet.
Pyetje: Kjo pranverë e opozitës e lajmëruar nga kryetari, të jemi pak edhe skeptikë sepse e njëjta situatë u pa edhe me 18 dhjetor kur u zgjodh Arta Marku. A druheni që edhe kjo mund të shuhet?
Berisha: Unë nuk besoj se kjo mund të shuhet, përkundrazi. Unë mendoj se kjo do të shumëfishohet si një dallgë e pandalshme, si një uragan i fuqishëm. Unë kam bindjen më të thellë se kësaj here, siç protestuan qytetarët e Kukësit, Hasit dhe Tropojës do ngrihen fuqishëm me qindra e qindra fermerë të Shkodrës, të Lezhës, të Durrësit, Kavajës apo Myzeqesë, Fierit, që çonin çdo ditë prodhimet e tyre në Kosovë dhe sot nuk i çojnë dot më. Do të ngrihen me dhjetëra mijëra biznesmenë të vegjël, të cilëve Rama iu dha goditjen e mëshirës duke i futur në sistemin e TVSH në kundërshtim të hapur me kërkesat e FMN. Do ngrihen mijëra qytetarë që u hoqën mizorisht nga lista e ndihmës ekonomike dhe iu pre kafshata e gojës fëmijëve të tyre. Do ngrihen të gjithë ata të cilët në vendin më me ujë pas Norvegjisë në Europë ju kërkohet të paguanin faturat më të shtrenjta të ujit. Do ngrihen ata të cilët ju dy-tre fishuan taksat e pronave. Pra unë besoj se o sot o kurrë është koha që qytetarët ti dalin zot interesave të tyre jetike.

Pyetje: Dhe kur duhet të ndalen?
Berisha: Deri në përmbysjen e narkoshtetit. Unë kam folur shumë për narkoshtetin dhe të tjerë flasin por këto skena të shëmtuara që panë sot shqiptarët dhe mbarë bota në rrugët e Tiranës, ato nuk i kam parë nga vitet 58 kur kam shkelur për herë të parë në këtë kryeqytet e deri sot, ato janë dëshmi e një narkodiktature, e cila njëlloj si i droguari humbet çdo arsye e nuk di çbën.
Pyetje: Një lëvizje e tillë popullore do dhe një prijës.
Berisha: Në fakt opozita ka udhëheqjen e saj dhe unë besoj se ajo do të ngrihet dhe do të jetë në lartësinë e aspiratave, lartësinë e kërkesave, lartësinë e guximit, e zemërimit dhe revoltës së qytetarëve shqiptarë.
Pyetje: A mund ti falet një gabim në këtë rast kreut të PD?
Berisha: Unë gjykoj se drejtimi i deritanishëm është siç duhet. Jashtë gabimeve s’del askërkush.
Pyetje: Po por nga gabimet cdo njëri mëson.. A ka mësuar nga gabimet deri tani Lulzim Basha?
Berisha: Sigurisht. Cdo njëri mëson në vlerësimin tim. Rëndësi kryesore ka që kjo revoltë mbarë popullore të ketë rezultatin që presin sot qindra mijëra shqiptarë dhe unë kam besim se ajo do ta ketë.

Pyetje: A duhet që ti bashkojë ky moment demokratët?
Berisha: Duhet ti bashkojë demokratët. PD është në një proces bashkimi të kontributeve. Kryetari dhe grupi i statutit ka bërë ndryshime, dhe është i hapur për ndryshime, në të cilat duhet ta gjejnë veten në parimet që besojnë edhe njerëz të cilët për arsye objektive apo subjektive janë ligjërisht të zemëruar e të pakënaqur. Sikundër kryetari është shprehur se ka njohur gabimet e tij. Kur një njëri njeh gabimet kjo do të thotë se merr masa, njëh përgjegjësinë e gabimeve dhe natyrisht përcakton rrugën e kapërcimit të pasojave të këtyre gabimeve.
Pyetje: A është përcaktuar kjo rrugë?
Berisha: Unë besoj se kryetari PD deri sa shpall një qëndrim dhe njohje të tillë, ai ka përcaktuar edhe rrugën e kapërcimit të pasojave të këtyre gabimeve.
Pyetje: Duhet ët jemi dhe pak skeptikë se ne shqiptarët themi se nga e thëna në të bërë …
Berisha: Nomal. Skepticizmi duhet të shoqërojë njëriun e qytetaruar gjithmonë por besimi im është ky që them.
Pyetje: A është reflektuar kjo?
Berisha: Unë shpresoj që po reflektohet dhe do reflektohet sepse, duhet të jemi realistë, nëse tjetri është zemëruar për shkak timin edhe mund të ketë bërë ndonjë teprim në thëniet e tij por përgjegjësia është e imja dhe unë do marr të gjitha masat të kapërcehen të gjitha pasojat e atij gabimi që u bë.

Pyetje: Çfarë i sugjeroni sot kreut të PD lidhur me pjesën e brendshme të PD që sot i bëjnë ballë kësaj situate?
Berisha: Nuk kam und asnjë sugjerim specifik sepse kreut të PD unë i sugjeroj gjërat që më pyet, po smë pyeti unë jam ..
Pyetje: Ju ka pyetur kohët e fundit?
Berisha: Unë jam në kontakt me ta. Sugjerimi është publik që PD ka nevojë të domosdoshme të bashkojë të gjitha kontributet e saj. Demokratët nuk janë njerëz të përsosur, nuk janë njerëz idealë, nuk janë njerëz që s’kanë bërë gabime dhe sdo bëjnë por shifi çdo ditë, janë në një terror dhe janë të paimplikuar as me krimin, as me drogën e as me vepra që s’duhet të jenë. Pra në tërësinë e tyre ata përbëjnë pjesën e vlerave të shoqërisë shqiptare. Ka 1001 arsye të bashkohesh me atë që mbart vlera.
Pyetje: A do i falej opozitës humbja e këtij momenti?
Berisha: Unë jam nga ata që beson se qytetarët, se kjo është një lëvizje qytetare, revolta qytetare e drejtuar nga opozita do arrijë fitoren e saj.

Kapet me 600 mijë euro drogë në makinë, arrestohet shqiptari në Gjermani

Një 28-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia gjermane, pasi në makinën e tij u gjetën 16 kg kokainë.
Lënda narkotike ishte e fshehur në pjesën e pasme të makinës e cila drejtohej nga i riu shqiptar.
Sipas autoriteteve gjermane, 28-vjeçari kishte takuar motrën e tij dhe më pas do të shkonte në Itali.
I riu u ndalua nga një kontroll i rastësishëm, por pilacia e kuptoj pasi drejtuesi i mjetit kishte shfaqur shenja nervozizmi.
Vlera e drogës së kapur nëse do të arrinte të tregëtohej është 600 mijë euro.

Familjarët e protestuesve pas gjyqit: Do ta tërheqim zvarrë Ramën

Gjykata e Kukësit e mbledhur në Tiranë la në burg 11 prej protestuesve në rrugën e Kombit.
Pas verdiktit të gjykatës, deputetët e Partisë Demokratike dhe të pranishmit në sallë kanë kundërshtuar në kor duke thjerrë: “turp”, “turp” “turp”.
Reagimi
“Gjykatësja dha vendimin që i ka kërkuar Edi Rama pasi ka kapur ekzekutivin, ekonominë sot kapi edhe gjykatën”,- tha deputeti Edmond Spaho.
Vendimi është cilësuar i padrejtë edhe nga familjarët e protestuesve. Ata thonë se do të vijojnë rezistencën deri sa të lirohet edhe kuksiani i fundit.
“Në burg krimineli do ta tërheqim zvarrë Edi Ramën”,- thotë një qytetar.
Dhuna
Dëshmohet me fakte dhuna policore dhe arrestimet e paligjshme në Kukës të protestuesve në Rrugën e Kombit, në mes të natës. Ndërkohë deputetja e LSI, Silva Caka, e cila po ndjek gjyqin e protestuesve në Gjykatën e Tiranës, shprehet se:
“Xhevahir Hereni, një nga të ndaluarit e protestës në Rrugën e Kombit, nuk ka këpucë! Ndalimi i tij është bërë në orën 3:10 të mëngjesit dhe jo pas orës 10:00 siç pretendon Prokurorja. Për këtë arsye, Xhevahiri nuk ka mundur të veshë as këpucët! Turp!”.

Për të fshehur shkeljet e policisë, që arrestoi në mes të natës protestuesit kuksianë, opozita akuzon se prokurorja e çështjes ndryshoi orën e arrestimeve në dosjen e akuzës, duke fshehur një shkelje të rëndë që kishin bërë policët pas protestës në Kukës. Dhjetëra familjarë të arrestuar denoncuan terrorin e policisë mesnatën e së shtunës duke nxjerrë në pah një shkelje të rëndë të policisë.
Në sallën e gjyqit, protestuesit e arrestuar theksuan edhe një herë se “janë marrë nga krevati me pizhame dhe nuk ishte e vërtetë që ishin arrestuar në orën 10:00 të mëngjesit, përkundrazi ishin arrestuar në orën 03:00 të natës”.
Ahmet Tobi, me dy koronare tha në gjykatë se është marrë nga shtëpia me forcë megjithëse është invalid.
“Jemi marrë në orën 10 të natës. Prokurorja gënjen. Nuk jemi arrestuar në mëngjes. Kanë ardhur me maska dhe na kanë marrë”, ka thënë Ahmet Tobi.
Avokati i tij tha në sallën e gjyqit se kishte folur me prokuroren në telefon mbas 24 orësh. Prokurorja nuk kishte marrë masa, madje kishte gënjyer, duke kryer një vepër penale. I arrestuari Tobi, tha avokati, është keqtrajtuar megjithëse është invalid.

Rruga e Kombit dhe trau i Ramës

“Monitor”
Pagesa për rrugët nga përdoruesit e saj është një formë e njohur dhe e pranuar si një kosto që qytetari është i gatshëm ta paguajë për të përfituar në këmbim shpejtësi, komunikim dhe siguri, lëvizje më të lartë sesa në një rrugë tjetër pa pagesë. Por Rruga e Kombit, për të cilën tani duhet të paguhet minimalisht 5 euro për çdo kalim, nuk mund të futet e të matet vetëm me këto kallëpe.
Anomalia e këtij trau të vendosur me pagesë nga qeveria Rama fillon që në koncept. Koncesionet e pastra në rrugë funksionojnë, së pari kur e gjithë rruga ndërtohet nga privati dhe më pas, tarifa e paguar nga publiku shkon si shpërblim për investimin e kryer prej tij. Kurse Rruga e Kombit u ndërtua nga paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe nuk ka se si më tej tarifa të mos kthehet mbrapsht në emër të tij, po t’i shkojë koncesionarit. Për të dhënë një rrugë me pagesë, duhet të paktën të plotësohen edhe kushte të tjera: qytetarët të kenë një alternativë tjetër rruge pa pagesë dhe sikundër në vendet e zhvilluara që aplikojnë koncesione të tilla, kërkohen edhe më shumë alternativa transporti (transport publik, hekurudha etj.).
Koncepti i tarifës së Rrugës së Kombit që paguhet nga ai që e përdor nuk qëndron dot në këmbë, edhe për një fakt tjetër. Të gjithë shqiptarët që kanë sot një automjet, e paguajnë taksën vjetore të qarkullimit si një detyrim për rrugët që përdorin, por pse në Rrugën e Kombit duhet të paguajnë dy herë. Vende të vogla si Shqipëria, që të shmangin shpenzimet operative, aplikojnë taksën vjetore, nuk vendosin tarifa të tjera për rrugët, ose dhe aty ku rrugën e ka ndërtuar privati, ekzistojnë rrugët paralele dhe ndërlidhëse pa pagesë mes çdo qendre të banuar. Ndërkohë që Rruga e Kombit është i vetmi aks që lidh verilindjen me Tiranën dhe e vetmja që lidh shqiptarët nga të dyja anët e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Nga vendosja e traut në Kalimash e pësojnë më shumë shqiptarët e Kosovës. Ka shumë autostrada në Shqipëri të cilat janë mbarur dhe për to mund të aplikoheshin tarifa, pasi ekzistojnë edhe rrugët paralele me to. Por përse qeveria e zotit Rama zgjodhi pikërisht Rrugën e Kombit???
Ata që dëmtohen më shumë në këtë histori janë shqiptarët e Kosovës, të cilët sot duhet të paguajnë për katër vajtje-ardhje në këtë rrugë sa gjithë taksa vjetore e rrugës në Zvicër. Do të rëndohet biznesi i Kosovës, i cili qarkullon më shumë përgjatë rrugës, do të dëmtohen financiarisht familjet kosovare që po përdorin masivisht edhe fundjavat e zakonshme për të pushuar në Shqipëri.
Qeveria e Tiranës gabon kur e shikon këtë rrugë thjesht një investim që duhet të kthejë mbrapsht në kohë paratë e paguara për të, pasi pasurinë më të madhe dhe përfitimin më të madh, duke bashkuar shqiptarët, ajo po e kthen teksa 7 mijë automjete lëvizin për ditë përgjatë saj.
Rruga e Kombit nuk është thjesht një aks infrastrukture, por është filli që lidh shqiptarët të ndarë forcërisht nga njëri-tjetri. Por trau i vendosur në rrugë tani u bën karshillëk shqiptarëve të Kosovës duke i diferencuar si qytetarë të një shteti tjetër dhe jo si shqiptarë të një kombi. Ndaj me traun e tij, zoti Rama i ka bërë ndërkohë një karshillëk të madh edhe aspiratës së shqiptarëve për të punuar e për të jetuar së bashku, duke rrezikuar që këtë rrugë të mos e quajmë me Rrugën e Kombit, por si rrugën e traut që po rindan shqiptarët.

Pasi lirohet nga Gjykata kuksiani i tregon Policisë peshkun e madh

Njëri nga 23 të arrestuarit që ndodheshin në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet, ka lëshuar një deklaratë të fortë në momentet e lirimit.
Në çastet kur uniformat blu po e transportonin të arrestuarin nga ambientet e Gjykatës drejt fugonit të policisë, ky i fundit ka thënë: “Ku i ka ky peshqit e mëdhenj, unë jam peshku i madh”.
Gjykata e Kukësit dha sot në Tiranë masat e sigurisë për 23 kuksianët e arrestuar për protestën në Rrugën e Kombit.
Në një shtetrrethim policor, ku janë më shumë se 1 mijë policë që kanërrethuar gjykatën, gjyqtarja e gatshme, Alma Ahmeti dha vendimet që u kundërshtuan jo pak nga opozita dhe shoqëria civile.