15.5 C
Tirana
E martë, 6 Maj, 2025

Edi Rama (dhe)arsyeja e vërtetë përse nuk rriten pensionet në Shqipëri?!

Nga Sidi Hasanaj

Kryeministri Rama, në mënyrë diletanteske përpiqei mbrëmë në emisionin Opinion, të shistr ëndërra me “zhvillimin ekonomik të pandalshëm të Shqipërisë” dhe ndërkohë duke bëlbëzuar nuk i kthente dot as edhe një gjysëm përgjigje disa të moshuarve, kur e pyesnin se përse pensionet e tyre ishin jo më shumë se 200€ në muaj.

Si çdo person që nuk ka formimin e duhur për të qenë në krye të një shteti, që në epokën moderne aktuale ku jemi, do të thotë të jetë në krye të ekonomisë të shtetit; Rama e mbuloi mangësinë e tij të formimit minimal financiar me fjalë… me retorikë, si një sharlatan i vërtetë që mendos se fjalët e bukura apo elokuenca mund të prodhojë diçka me vlerë të shtuar për vendin.

Fjalët e bukura e kanl vendin për në sallat e teatreve ku mund të recitohen dhe interpretohen vepra letrare.
Shteti kërkon vendime të mençura, që përkthehen në zhvillim ekonomik.

Që në çastin që kryemministri Rama merrte si njësi matëse të progresit ekonomik të qytetarëve të vendit të tij, vetëm prodhimin e brendshëm bruto dhe borxhin publik, u kuptua që kemi të bëjmë me një lider me mangësira të mëdha, thelbësore të formimit të tij, i cili është i paaftë për pozicionin që ka… paaftësi që e mbulon me fjalë, shumë fjalë.

Analizat kryesore ekonomisë të Shqipërisë i ka bërë Eurostat dhe Banka Botërore për ne, por ne duhet të kemi sy ti evudentojmë ato.

Si është panorame e ekonomisë Shqipëtare?
Në vend të statistikave të pbb-së, mjaftojnë statistikat e të ardhurave!

Kryeministër Rama, sipas Eurostat dhe Bankës Botërore, të ardhurat për frymë në vend janë rreth 6,500 – 7,000 USD në vit ( terma nominale) ose 6- 6.5milionë lek të vjetra në vit.

Por si është strukturuar shpërndarja e Të Ardhurave në Shqipëri, pavarësisht të ardhurave mesatare kaq të ulëta?

• Pjesa e popullsisë që klasifikohet e varfër: Rreth 22-23%.
• Pjesa e popullsisë që klasifikohet e pasur: Rreth 1-3%.
• 46% e Popullsisë është në kufirin e varfërisë, ku shpenzimet jashtë atyre bazike, si ilaçet dhe kujdesi mjeksor, blerja e një apartamenti ose makine, pagesa e 1 jave pushimesh etj, janë të papërballueshme për thuajse gjysmën e popullsisë.

Por si është skaneri i strukturës së ekonomisë në Shqipëri?

Në Shqipëri, kapitalizmi dhe tregu i lirë duket se është një vëgim i largët. Kjo pasi struktura e numrit të bizneseve të vogla e të mesme, në krahasim me numrin e bizneseve të mëdha është jashtë ç’do raporti normal të standarteve të një vendi ku funksionon tregu i lirë:

Numri i Bizneseve në Shqipëri ndahet:

• Bizneset e mëdha: Rreth 700-800.
• Bizneset e vogla: Rreth 100,000-110,000.
• Bizneset e mesme: Rreth 6,000-8,000, ku janë biznese me xhiro vjetore 100,000-500,000$ dhe 10-25 punonjës.

Pra në Shqipëri, vetëm 1-3% e popullsisë konsiderohet e pasur, sipas vlerësimeve mbi statistikat më sipër por edhe mbi pronësitë që zotërojnë.
Kjo përqindje (1-3%) përfshin individë si dhe familje që kanë të ardhura dhe pasuri të konsiderueshme, të cilat i vendosin ata shumë mbi mesataren kombëtare në standardin e jetesës .

Bazuar mbi faktet më sipër, Shqipëria është vend me biznese dhe ekonomi që përformojnë shumë dobët… janë tepër të varfër.

E mqs rra fjalë te të ardhurat mesatare, sa janë të ardhurat e shtresës së mesme në Shqipëri Z.Kryeministër?

Të ardhurat mujore të shtresës së mesme janë reth 60,000 – 120,000 lekë (afërsisht 600 – 1,200 euro).

Mjafton të themi që ky nivel të ardhurash është i afërt me pensionet në Itali dhe kuptojmë nivelin e varfërisë që Shqipëria ka, një vend me të ardhura mesatare sa 1/3 e mesatares së vendeve të BE-së.

Por ky vend edhe pse kaq i varfër, me gjak ekonomie (pra me lek që qarkullojnë në ekonomi) tepër anemik, ka dhe një hemorragji tepër të madhe që nuk e lejon kurrë të shërohet si trup: Defiçiti tregtar!

Vlera e eksporteve: Rreth 3.4 miliardë euro, ndërkohë që Vlera e importeve është rreth 6.5 miliardë euro.
Si rezultat, Deficiti tregtar pasqyron se Importet (paraja që shkon jashtë ekonomisë vendase për të blerë) rreth 1.9 herë më të larta se eksportet.

Kjo është arsyeja përse Shqipëtia është e varfër, ka paga të varfëra, ka njerëz të varfër, ka pensionistë të varfër:
Sepse ka biznese të varfëra. Këto biznese janë të varfëra sepse një minorancë prej 1-3% kanë uzurpuar të gjitha sektoret e ekonomisë duke krijuar oligopole. Arkitekti i kësaj strukture është shteti, dhe Edi Rama është drejtuesi i këtij shteti të paktën prej 11vjetësh.

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri paraqitet në SPAK!

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme mëngjesin e sotëm (1 Nëntor).

 

Mësohet se ish-ministri i Brendshëm është thirrur për të dëshmuar në lidhje me dosjen “21 Janari”. Raportohet se ai do të pyetet si person që ka dijeni për çështjen.

Gjithashtu për dosjen “21 Janari” ditën e djeshme (31 Tetor) u mor në pyetje nga prokurorët e posaçëm edhe deputeti i PS-së, Xhemal Qefalia, po ashtu si person që ka dijeni për çështjen.

Kujtojmë që Saimir Tahiri u thirr në SPAK edhe rreth një vit pas daljes nga qelia për një çështje tjetër. Më 24 qershor 2024, ai u paraqit në ambientet e SPAK me avokatin e tij, ku është marrë në pyetje nga prokurorët e posaçëm për rreth 2 orë e gjysmë pasi një hetimi pasuror të nisur ndaj tij.

Kujtojmë se ish-ministri i Brendshëm Tahiri u lirua nga qelia më 2 qershor 2023, pas më shumë se një viti në burg.

Në një artikull të publikuar media investigative BIRN, shkruante se ndërsa Tahiri vuante vuante dënimin në burg për shpërdorim detyre, bashkëshortja e tij ngriti një perandori të vogël biznesi me investime në sektorin e turizmit, estetikës, ndërtimit dhe transportit detar, duke përmendur edhe ‘Eagle Residence’ pranë ish-sheshit ‘Shqiponja’ në Tiranë.

Investimet e familjes së tij, gjatë kohës që ish-ministri ishte në qeli tërhoqën vëmendjen e SPAK që nisën hetim ndaj të gjitha pasurive të Saimir Tahirit, si edhe të afërmve të tij apo personave të lidhur me të.

Megjithatë ish-ministri, ka pretenduar se sipërmarrjet e bashkëshortes janë mbështetur në prona të trashëguara nga prindërit dhe kredimarrje nga banka.

“Trualli ku po zhvillohet ndërtimi, është truall i trashëguar brez pas brezi i familjes së gruas time”, tha Tahiri në një përgjigje për median investigative, duke shtuar se vjehrri i tij kishte lindur në tokën ku po ndërtohej pallati.

Artikulli i plotë i BIRN

‘Eagle Residence’ është një projekt ndërtimi me njësi tregtare dhe apartamente në rrugën Tahir Kadare, pranë ish-sheshit ‘Shqiponja’ në Tiranë. Ky projekt nuk dallon në mënyrë të veçantë nga pallatet që po mbijnë në dy krahët e rrugës hyrëse të kryeqytetit, përveç faktit se është në pronësi të familjes së ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Investimet e familjes Tahiri kanë tërhequr vëmendjen e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. BIRN ka mësuar se kjo e fundit ka filluar prej disa muajve një verifikim të gjithë pasurive të Tahirit, familjarëve dhe personave të lidhur me të për të konkluduar lidhur me ligjshmërinë e burimit të krijimit të tyre apo nëse ka fshehje pasurie.

Megjithatë, Tahiri insiston se sipërmarrjet e bashkëshortes janë transparente dhe ato janë mbështetur në prona të trashëguara nga prindërit dhe kredimarrje nga banka.

“Trualli ku po zhvillohet ndërtimi, është truall i trashëguar brez pas brezi i familjes së gruas time,” tha Tahiri në një përgjigje me shkrim për BIRN, ndërsa shtoi se vjehrri i tij kishte lindur në tokën ku po ndërtohej pallati.

Ai theksoi se prona ishte shtetëzuar gjatë periudhës së regjimit komunist dhe ishte kthyer gjatë viteve 1990′ familjes së bashkëshortes – kohë nga e cila është shfrytëzuar për biznese shërbimi nga kunati.

“Gjatë komunizmit toka u shtetëzua dhe u rimor permes ligjit pas vitit 90,” tha ai.  “Që nga ajo kohë, kjo pronë është shfrytëzuar për biznesin e kunatit tim për më shumë se 20 vjet – dy restorante dhe bar, dhe gjithashtu e shfrytëzuar për biznese të tjera të familjes së bashkëshortes,” theksoi Tahiri.

Në lidhjet me hetimet e SPAK, ish-ministri i Brendshëm theksoi se nuk kishte asnjë deklaratë zyrtare por u shpreh i gatshëm “për të dhënë sqarime kur të jetë e nevojshme.”

SPAK nuk dha informacion deri në publikimin e këtij shkrimi, nëse është regjistruar hetim pasuror ndaj ish-ministrit të Brendshëm dhe familjarëve të tij.

Kompani të suksesshme

Saimir Tahiri, me një karrierë të gjatë në Partinë Socialiste, i emëruar si ministrër i Brendshëm në qeverinë ‘Rama 1′, u dënua me 3 vjet e 4 muaj për “shpërdorim detyre” pas një procesi të gjatë, ku u akuzua nga prokuroria për trafik të narkotikëve dhe grup i strukturuar kriminal.

Menjëherë pas shpalljes së vendimit të formës së prerë nga Gjykata e Posaçme e Apelit në shkurt të vitit 2022, ai u shoqërua për në ambjentet e paraburgimit të burgut ‘313′ dhe në vijim në burgun e Fierit.

Pasi kreu rreth 16 muaj vuajtje dënimi, Tahiri u lirua nga qelia me vendim të gjyqtares së Elbasanit Matlida Fetahu, e cila pranoi kërkesën e tij për zëvendësimin e dënimit me burg, në “qëndrim në shtëpi”.

Kërkesa për lirimin e Tahirit u bazua në ekspertiza mjeko-ligjore në të cilat parashtrohej gjendja shëndetësore e tij dhe e bashkëshortes.

Avokati i tij, Maksim Haxhia pretendoi atëherë se Tahiri nuk mund të qëndronte më në qeli dhe se duhej të kujdesej për fëmijët në një situatë kur bashkëshortja ishte e sëmurë – kërkime që u gjetën të drejta nga gjyqtarja Fetahu.

Megjithatë, investimet e bashkëshortes së Tahirit gjatë viteve të fundit duket se tregojnë se ajo ka qenë mjaft aktive dhe e suksesshme në biznes.

Në deklaratat e interesave private të dorëzuara në Inspektoriatin e Deklaraimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konflikiti të Interesit, ILDKPKI nga viti 2010 deri në vitin 2018, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri deklaron një pasuri familjare me vlerë 23.2 milionë lekë, e cila përbëhej nga pasuri të patundshme me vlerë 12.3 milionë lekë, likuiditete bankare prej 9.3 milionë lekë dhe kursime në ‘cash’ prej 1.5 milionë lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese kanë qenë në masën 28.6 milionë lekë, nga të cilat 51% kanë si burim pagën e ish-ministrit Tahiri dhe rreth 48% pagën e bashkëshortes si pedagoge në Universitetin e Tiranës.

Pas largimit nga puna të ish-ministrit për shkak të procesit penal, bashkëshortja e tij ka regjistruar një seri kompanish me aktivitet në fusha të ndryshme, të cilat sipas bilanceve të dorëzuara në Qendrën Kombëtarë të Biznesit kanë rezultuar të sukseshme.

Afro një muaj para se Saimir Tahiri të hiqte dorë nga imuniteti për t’i lënë rrugë caktimit të masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi”, më 4 prill të vitit 2018, bashkëshortja e tij, Fatlinda Tahiri kishte themeluar si ortake e vetme me një kapital prej 100 mijë lekësh shoqërinë Health Tourism Albania, HTC, me objekt veprimtarie “shërbime në fushën e mjekësisë dhe shëndetit për vendas dhe të huaj. Shërbime në specialitete të ndryshme mjekësore, vizita, konsulta, kontrolle mjekësore, ekzaminime etj.”.

Ndërkohë që Tahiri përballej me procesin penal, kompania HTC në pronësi të bashkëshortes së tij, ka blerë më 5 maj 2020 shoqërinë Constech group sh.p.k. për vlerën e kapitalit që kishte në atë kohë, në shumën 100 mijë lekë. Constech Group operon në fushën e ndërtimit.

Në vijim kompania ‘mëmë’ e krijuar nga bashkëshorjta e Tahirit në vitin 2018, ka investuar sërish duke themeluar më 16 qershor të vitit 2021 Lavender Clinic, me objekt shërbime mjekësore dhe estetike.

Më 7 dhjetor 2023, HTC me përfaqësuese Fatlinda Tahirin, në cilësinë e një prej tre ortakëve me 30% të kuotave, ka nënshkruar themelimin e shoqërisë ‘Albania Luxury Ferries’ sh.p.k., me kapital 1 milion lekë dhe me aktivitet transportin detar të udhëtarëve, si dhe agjenci turistike.

“Bashkëshortja ka nisur biznesin si agjensi për turizmin shëndetësor – aktivitet konsulence, e më pas, përmes nje kredie bleu për nje vlerë rreth 30 mijë euro një biznes estetike (Lavender Clinic) në vitin 2019, në një ambjent që edhe sot është me qera,” tha Tahiri. “Që nga blerja e deri me sot biznesi është rritur,” shtoi ai.

Ndërsa për kompaninë Albania Luxury Ferries, Tahiri theksoi se ai ishte një projekt i ri dhe “ka thuajse dy javë që është krijuar, dhe me asnjë ditë aktivitet.”

Kredi për investime

Më 17 tetor 2022, kompania Constech Group reklamoi në faqen e saj në rrjetin social Facebook, fillimin e punimeve për ndërtimin e ‘Eagle Residence’.

Sipas tabelës informuese për projektin të vendosur në rrethimin e kantierit, leja e ndërtimit është miratuar nga kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj më 1 nëntor 2021 dhe ka një afat prej 60 muajsh ose pesë vjet.

Trualli që po zhvillohet ka një sipërfaqe prej 4740 m2, ndërkohë që strukturat që po ndërtohen zënë 1888 m2. Një prej godinave është përcaktuar të jetë me 7 kate, ndërsa tjetra 4 kate.

Në tabelë shënohet se trualli i përket bashkëshortes së Saimir Tahirit, Fatlinda Tahirit dhe babait të saj, Burhan Berishës, në cilësinë e përfaqësuesit të familjes bujqësore.

‘Investim i zgjuar’, shkruhet në tabelat informuese të vendosura përreth kantierit dhe shënohet se në Eagle Residence – që reklamohet si një pol i ri i Tiranës vetëm 3.3 kilometra nga qendra, do të ofrohen shërbime shëndetësore, si dhe do të ketë bare, restorante, apartamente e dyqane.

Aktualisht, në faqe online të njoftimeve shfaqen apartamente të nxjerra në shitje nga kjo kompani me çmim  deri në rreth 1000 euro për m2.

Sipas pasqyrave financiare shoqëria “Constech Group” ka një vlerë asetesh rreth 2.5 milionë euro. Investimi është financiar nga një kredi bankare rreth 700 mijë euro nga Raifeissen Bank.

“Kompania Constech është e lidhur vetëm me ndërtimin në rrugën 29 Nëntori,” tha Tahiri. “Ky ndërtim është zhvilluar ekskluzivisht përmes kredisë,” theksoi ai.

Kredia nga Raifeissen nuk është i vetmi borxh që ka marrë familja Tahiri. Ish-ministri pranoi së bashkëshortja ka marrë edhe një hua prej 80 mijë euro nga biznesmeni Julian Morina, ndonëse është e paqartë se për çfarë është përdorur.

“I ka dhënë borxh 80.000 euro, me kontratë noteriale dhe me transfertë bankare,” tha Tahiri, ndërsa shtoi se borxhi është kthyer në po të njëjtën mënyrë. “Rrethana më transparente nuk mund të ketë,” përfundoi ai.

Edi Rama krekoset si kaposhi në majë të plehut!

Nga Namir Lapardhaja

Është për të ardhur keq që në një vend ku qeveria është thellësisht e korruptuar, me një kryeministër si Edi Rama që krekoset si kaposhi në majë të plehut, me skandale të tmerrshme korruptive të njerëzve të afërt me të, të cilët për shumë kohë janë paraqitur prej shefit të qeverisë si modele të shtetit dhe të pushtetit; me një qeverisje që përballë premtimeve të saj është në gjithçka defiçitare – ku do të mjaftonte vetëm mashtrimi i saj elektoral për pensionet dhe gjendja faktike e ‘rritjes’ qesharake të tyre; me një konsum të madh të pushtetit lokal dhe qendror, ku nuk ka shqiptar që të jetë i kënaqur me shërbimet dhe çdo zyrë shteti; me një vend që nuk prodhon asgjë përveç pasiguri dhe frikë, me një polici që i tregon njerëzve kërrbaçin, por është e paaftë për të reaguar ndaj të ‘fortëve’ të lidhur me drejtorin-deputetin-ministrin-kryeministrin; me një administratë tatimore që i merr frymën biznesit, sepse kështu janë urdhrat nga lart; me një sistem arsimor të shkatërruar, sepse është vënë në funksion të propagandës; me një sistem shëndetësor të rënuar, me qëllimin për të forcuar privatin, tek i cili ndahen koncensionet korruptive të partneritetit publik-privat; me një qeverisje që bëhet përditë e më shumë arrogante, si pasojë e qëndrimit të gjatë në pushtet…., sërish shpresat për të ndodhur ndryshimi i shumëpritur politik janë krejt të vakëta, të zbehta dhe aspak premtuese – dhe këtë e dinë dhe e pranojnë të gjithë – për shkakun e vetëm të gjendjes së tmerrshme në të cilën ndodhet opozita shqiptare, e cila është e gatshme të sakrifikojë të gjitha këto më sipër, si pasojë e një njeriu të vetëm, i cili që në krye të kësaj ‘ploje’ do të deklaronte se ‘një opozitë e cila nuk mbron themeluesin e saj, nuk e meriton të ekzistojë’ – dhe disa qorrave që e ndjekin nga pas, që nuk kanë as cipë, as ngjyrë, as plastikë në fytyrë, që as nuk nxihen, as nuk skuqen, as nuk zverdhen, as nuk mrrolen, kur vjen puna që ia thua dhe i besojnë të gjitha këto, por që nuk i interesojnë fare as t’i dëgjojnë e as t’i kuptojnë, për sa kohë që besojnë se më e rëndësishme se gjithçka është një vend i sigurt në listën e deputetëve të ardhshëm, po Shqipëria le të digjet, njerëzit le të vuajnë, rinia le të emigrojë, bizneset le të falimentojnë, arsimi le të degradojë, shëndetësia le të percipitojë, pensionet le të mos rriten, shpresa le të vdesë.

Spahiu: Deputetët e Berishës u bashkuan me PS-në për rrogat e tyre dhe listat e mbyllura, por jo për rezolutën e BE

Kreshnik Spahiu e shikon si të turpshme sjelljen e opozitës që nuk votoi për rezolutën e BE-së. Sipas tij PD dhe opozita e gjejnë mirë gjuhën me Ramën për të votuar amnistinë apo për listat e mbyllura, por jo për rezolutën e BE-së duke dashur bllokimin e Shqipërisë.

‘Moment historik për Shqipërinë, përgjegjësia e liderëve duhet të jetë e nivelit të lartë. Çështja është je patriot apo jo. Kjo opozitë që gjeti dialogun për listën e mbyllur, për të rritur rrogat nga 1000 euro në 3500 euro e gjeti konsensus dialogun me Edi Ramën, bën amnisti politike për të liruar të dënuarit e GJKKO. Kur bëhet fjalë për interesat e Shqipërisë këta e votojnë Shqipërinë dhe shqiptarët.

Mosdhënia e votës për rezolutën është një sjellje antikombëtare. Është sjellje personale nuk ka lidhje me Edi Ramën. Dje u plotësuan 14 kërkesa Fredi Belerit, u gjet dialogu pse nuk gjendet me Gaz Bardhin. Kam 34 vjet që studioj shtetin e së drejtës por nuk i marr vesh.’

“Bulevardi i Dibrës”, si u groposën 2.2 mln euro. Kush ishte firma që fitoi tenderin dhe inspektimi i Ballukut

Emisioni Vetting në News24 ka trajtuar çështjen e rikonstruksionit të bulevardit të Dibrës dhe fasadave të godinave. Fondi limit për këtë tender ishte 225 mln lekë ose 2.25 mln euro, ndërkohë që kompania fituese është shpallur “Alko-Impex General Construction” shpk, me ofertën 2.2 mln euro.

Peshkopia është një nga qytetet më të rëndësishme në verilindje të Shqipërisë dhe një nga nyjet kryesore të lëvizjes përsa i përket pozitës gjeografike pasi është kthyer edhe në qendrën e turizmit malor.

Kjo bashki ka qenë në qendër të betejës elektorale midis partive politike sepse rezultatet në këtë zonë kanë patur impakt të drejtpërdrejtë te zgjedhjet e parlamentare të 2017 dhe 2021, pasi ka qenë një zonë, që ka prodhuar rezultate zgjedhore surprizë.

Në këtë episod, “Vetting” do të trajtojë abuzimet dhe keqpërdorimin e parave publike nga Bashkia Dibër, ku evidentohen probleme që ndikojnë jo vetëm te infrastruktura e qytetit, por edhe te imazhi i tij.

Në mjegullën që mbulon prapaskenën e marrëveshjeve korruptive mpleksen interesat e zyrtarëve të lartë me të njëjtat kompani që janë nën hetim nga SPAK, por kanë lidhje familjare me pushtetin qendror.

Si gjithmonë, në qendër të grabitjes janë paratë publike, para që dalin nga xhepat e qytetarit shqiptar për ti ofruar shërbime, para që nuk janë pronë e zyrtarëve të bashkisë apo kompanive private, por duhet të menaxhohen nga ata që janë punësuar për ti shërbyer taksapaguesit shqiptar.

Këto taksa merren çdo vit nga puna e banorëve të kësaj zone, për tu plotësuar kërkesat sociale dhe ekonomike, që nuk po përkthehen në shërbime për qytetarin, por gjejnë rrugën te xhepat e disa individëve që shkelin ligjin.

Janë këta banorë, që denoncuan shkeljet e bashkisë, ku “Vetting” mori indiciet për të kryer një investigim, që tregon rrugën e fondeve publike që janë akorduar nga buxheti i shtetit deri te shpërndarja e tyre te bashkitë dhe zbatimi i projektit nga kompanitë private.

Por çfarë ka ndodhur? Emisioni Vetting ka zbardhur detajet

Më 20 maj 2024, Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të hapte tenderin “Transformimi Urban në Hapësira Publike Kryesore Rajoni 2” Projekt Zbatimi “Bulevardi i Dibrës”, i cili përfshin rregullimin e Bulevardit “Isuf Elezi” dhe të fasadave të godinave përreth me fond limit 225 milionë lekë ose 2.25 milionë euro.

Në garë morën pjesë 19 kompani dhe në fazën finale u skualifikuan të gjitha, duke u shpallur automatikisht fituese kompania “Alko-Impex General Construction” shpk me ofertën me vlerën rreth 2.2 milionë euro.

“Bulevardi i Dibrës”, si u groposën 2.2 mln euro. Kush

Automatikisht ky tender është shënuar me flamur të kuq nga Open Data Albania pasi paraqet indicie për korrupsion dhe favorizim të kompanisë.

“Bulevardi i Dibrës”, si u groposën 2.2 mln euro. Kush
Projekti i ri konsiston në rikualifikimin urban të Bulevardit të Dibrës, si dhe ndërhyrje pjesore për rikonstruksionin e fasadave përgjatë tij. Gjendja aktuale e Bulevardit të Dibrës është tepër e amortizuar. Gjithashtu disa fasada dhe një pjesë e trotuarëve kanë nevoje për ndërhyrje për rikonstruksionin e tyre.

Sipas një nga prej banorëve të Bashkisë Dibër, pllakat edhe mundet të zëvëndësoheshin, por këtu askush nuk e ka mendjen tek rregullimi i sheshit, por tek tenderat, si këta edhe ata që kanë ikur e do vinë. Këtu është krijuar ideja vetëm tendera, tendera, tendera”

Në një inspektim që zv. Kryeminisrja, Belina Balluku, ka kryer në Dibër u shpreh se “tani çfarë ka pasur gjithmonë problematike ky bulevard ka qenë se materiali i zgjedhur herën  e parë nuk ngjiste në gurin i cili nuk kishte mundësi të duronte të ftohtin që Dibra ka gjatë dimrit. Kështu që unë shpresoj që ky gur ti qëndroj kushteve atmosferike të vështira që kemi në këtë zonë gjatë dimirit”.

Pse Evropa pret me ankth rezultatin e zgjedhjeve në SHBA?

Aleatët evropianë të Shteteve të Bashkuara po përgatiten për një Amerikë që është më pak e interesuar për ata, pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet presidenciale. Ata gjithashtu mund të ndeshen me traumat e vjetra dhe probleme të reja nëse Donald Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë.

Zgjedhjet vijnë dy vjet e gjysmë pas fillimit të sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë ndaj Ukrainës, gjatë të cilit Uashingtoni ka dhënë kontributin më të madh në mbështetje të Kievit. Ndihma amerikane për Ukrainën dhe përkushtimi ndaj aleatëve të NATO-s mund të vihen në pikëpyetje nëse Donald Trumpi fiton zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara.

Fitorja e Nënpresidentes Kamala Harris do të sillte një vazhdimësi të politikës aktuale, megjithëse ajo do të përballej me kundërshtimin republikan dhe lodhjen në rritje të publikut amerikan me luftën në Ukrainë, që po rrisin shqetësimin në Evropë se mbështetja amerikane për Kievin mund të zbehet.

Thirrja e zotit Trump për vendosjen e tarifave ndaj partnerëve amerikanë gjithashtu po shkakton shqetësim në Evropë, e cila tashmë po ndeshet me një rritjet të ngadaltë ekonomike. Por nuk është vetëm mundësia e një presidence të dytë të zotit Trump, që po shkakton ankth për të ardhmen në Evropë.

Zyrtarët evropianë besojnë se përparësitë e Shteteve të Bashkuara janë diku tjetër, pavarësisht se kush fiton. Lindja e Mesme është në krye të listës së përparësive të Presidentit Joe Biden tani, por Kina është përparësia kryesore në aspektin afatgjatë.

“Pozicioni qendror i Evropës në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara është i ndryshëm nga sa ishte në fillim të karrierës politike të zotit Biden”, thotë Rachel Tausendfreund, studiuese në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë në Berlin. “Dhe nga ky këndvështrim, Joe Biden është presidenti i fundit transatlantik.”

Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta kthejnë vëmendjen nga Azia, thotë ajo. “Kjo do të thotë që Evropa duhet të përparojë. Evropa duhet të bëhet një partner më i aftë dhe të menaxhojë më mirë zonën e saj të sigurisë”.

Ministri i mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, gjatë nënshkrimit të një marrëveshjeje të re mbrojtje me aleatin e NATO-s, Britaninë, tha se Shtetet e Bashkuara do të përqendrohen më shumë në rajonin e Indo-Paqësorit, “pra pyetja shtrohet, a do të bëjnë ata (ShBA) shumë më pak në Evropë, apo vetëm pak më pak.”

Ian Lesser, ekspert për marrëdhëniet ndërkombëtare në Fondin Gjerman Marshall në Bruksel, thotë se “mbi të gjitha, Evropa po kërkon qartësi nga Uashingtoni” dhe kjo po mungon në një botë të trazuar, në të cilën çdo administratë do të përballet me probleme të tjera, që do të tërheqin vëmendjen e saj. “Por rreziku i përçarjes është qartësisht më i madh nëse Donald Trumpi kthehet në Shtëpinë e Bardhë.”

“Ekziston supozimi i vazhdimësisë së politikave aktuale” të Amerikës nëse Nënpresidentja Harris fiton, thotë ai. Shumë njerëz që janë marrë me politikat gjatë presidencës së zotit Biden ka të ngjarë të mbeten në detyrë. “Do të kishim një botë më të njohur, edhe nëse mjedisi strategjik do të sillte pasiguritë e veta.”

Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Evropa po përqendrohen gjithnjë e më shumë në konkurrencën me Azinë, lufta e vazhdueshme në Evropë nënkupton që “kostoja e zhvendosjes së vëmendjes amerikane larg çështjeve të sigurisë evropiane do të ishte sot shumë më e larta se disa vite më parë”, thotë eksperti Ian Lesser. Aftësia e Evropës për t’u marrë me këtë varet nga shpejtësia me të cilën dalin këto probleme, shton ai.

Shpenzimet e pamjaftueshme në fushën e mbrojtjes të Evropës kanë acaruar administratat amerikane të të dyja partive për vite me radhë, megjithëse anëtarët e NATO-s, përfshirë Gjermaninë, i rritën ato pas sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë ndaj Ukrainës në vitin 2022. NATO parashikon se 23 nga 32 vendet anëtare do të përmbushin objektivin e saj për të shpenzuar 2% ose më shumë të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen këtë vit, krahasuar me vetëm tre vende anëtare një dekadë më parë.

Gjatë mandatit të tij nga viti 2017 deri në vitin 2021, Donald Trumpi kërcënoi t’i braktiste vendet që nuk përmbushnin detyrimet e tyre financiare. Në fushatën e këtij viti, ai sugjeroi se Rusia mund të bëjë çfarë të dojë me këto vende.

Kritikat i tij kanë minuar besimin dhe kanë shqetësuar vendet që kufizohen me Rusinë, duke përfshirë Estoninë, Letoninë, Lituaninë dhe Poloninë.

Evropianët e shohin luftën në Ukrainë si një sfidë ekzistenciale. Me kalimin e kohës, Shtetet e Bashkuara mund të kenë mendim tjetër për këtë luftë, ndërsa shenjat e lodhjes kanë filluar të shfaqen edhe në vetë Evropën.

Nëse zoti Trump fiton, “ka shumë shenja se ai nuk do të jetë i interesuar të vazhdojë të mbështesë Ukrainën në këtë luftë” dhe mund të kërkojë arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi apo një zgjidhje, që mund të mos i pëlqejë Kievit dhe Evropës, thotë ekspertja Rachel Tausendfreund. “Gjithashtu nuk ka shanse që Evropa të mund të mbushë boshllëkun ushtarak, nëse Shtetet e Bashkuara do të tërhiqnin mbështetjen për Ukrainën.”

“Edhe nëse Nënpresidentja Harris fiton, ka një debat në rritje në të dyja anët e Atlantikut mbi strategjinë që duhet ndjekur pas përfundimit të luftës në Ukrainë”, thotë eksperti Ian Lesser.

Presidenti Biden theksoi nevojën për të vazhduar strategjinë aktuale në Ukrainë gjatë një vizite të shkurtër në Berlin, ku ai u takua me udhëheqësit gjermanë, francezë dhe britanikë.

“Ne nuk mund të heqim dorë nga ndihma për Ukrainën. Ne duhet të vazhdojmë mbështetjen tonë”, tha Presidenti Biden. “Ne duhet të vazhdojmë mbështetjen derisa Ukraina të fitojë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.”

Përvoja e ka mësuar 81 vjeçarin Biden se “ne nuk duhet nënvlerësuar fuqia e demokracisë dhe rëndësia e aleancave.”

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier, i cili i dha Presidentit Biden medaljen më të lartë të Gjermanisë për kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve transatlantike, shpreson që amerikanët do t’i dëgjojnë këshillat e zotit Biden.

“Në muajt në vijim, shpresoj që evropianët të kujtojnë se Amerika është e domosdoshme për ne”, tha ai. “Dhe gjithashtu shpresoj që amerikanët do ta kujtojnë se aleatët janë të domosdoshëm. Ne jemi më shumë se thjesht ‘vende të tjera’ në botë. Ne jemi partnerë dhe miq.”

Pavarësisht se kush do t’i fitojë zgjedhjet në Amerikë, vitet e ardhshme mund të jenë të trazuara.

“Pavarësisht se cili do të jetë rezultati i zgjedhjeve javën e ardhshme, gjysma e vendit do të jetë e zemëruar”, thotë eksperti Ian Lesser, duke vënë në dukje se shanset janë të mëdha për një qeverisje të ndarë në Uashington. “Evropa do të përballet me një Amerikë shumë kaotike dhe ndonjëherë jofunksionale”, shton ai. /VOA

Lacio dhe Fiorentina nxjerrin Juven nga zona Champions, Dibala shpëton pankinën e Juriç te Roma

Ndeshjet e mbrëmshme në Serinë A kanë sjellë fitore të skuadrave që pretendojnë për të zënë një vend në zonën Champions, me tre pikë të regjistruara nga ekipe si Fiorentina, Lacio dhe Roma. Një situatë që ka bërë që tashmë në klasifikim edhe Juventusi i cili shihej si pretendent për titullin, të jetë vetëm në vendin e 6.

Fillimisht ishte Fiorentina e cila fitoi 1-0 falë Gosens në transfertën ndaj Xhenoas, duke marrë tri pikë shumë të rëndësishme për ekipin e drejtuar nga Paladino. Më pas, në darke e kishte radhën Lacio që të mundte Komon në transfertë me rezultatin e thellë 5-1. Kështu, të dy skuadrat u ngjitën në kuotën e 19 pikëve, po aq sa Atalanta e vendit të tretë, duke lënë pas Juventusin që ka vetëm 18 pas 10 ndeshjeve të luajtura.

Ndërkaq, një fitore e rëndësishme ishte ajo 1-0 e Romës falë golit të Dibala, pasi suksesi ndaj Torinos duket se ka shpëtuar të paktën për momentin pankinën e trajnerit Ivan Juriç.

Kurkumina, antioksidanti popullor që ju nevojitet për të ngadalësuar plakjen

Kurkumina, përbërësi aktiv i shafranit të Indisë, shfaqet si një substancë e shkëlqyer antioksiduese me shumë përfitime për shëndetin dhe bukurinë tonë.

Meqenëse antioksidantët janë të rëndësishëm për trupin tonë, kurkumina duket se dallohet me vetitë e saj të shkëlqyera, duke ofruar mbrojtje nga dielli, duke reduktuar inflamacionin dhe potencialisht duke na ndihmuar të jetojmë më gjatë.

Pse është kurkumina e rëndësishme në ngadalësimin e plakjes?

Kurkumina vjen nga bima Curcuma longa dhe është një erëz e artë e përdorur gjerësisht në mjekësinë indiane dhe kineze. Siç ka deklaruar dermatologia njujorkeze Julie Russak, është një faktor i rëndësishëm në luftën kundër kancerit të lëkurës.

Një rishikim i kohëve të fundit i botuar në revistën Biomedicine & Pharmacotherapy sugjeron që kurkumina mund të kontribuojë në jetëgjatësinë duke reduktuar stresin oksidativ dhe duke rregulluar shprehjen e gjeneve. Megjithëse nevojiten më shumë kërkime për të sqaruar ndërveprimet dhe dozën ideale, rezultatet e hershme janë inkurajuese.

Ngadalësimi i plakjes së lëkurës

Një studim i botuar në Dermatology Times përdori nanoforma të kurkuminës tek minjtë dhe zbuloi se shafrani i Indisë zvogëlon dëmtimet e shkaktuara nga rrezatimi UV, si dhe stresi oksidativ dhe inflamacioni. Sipas dermatologes Marianna Blyumin-Karasik nga Davie, Florida, kurkumina ka potencialin për të rritur mbrojtjen e lëkurës nga dielli, megjithëse nuk zëvendëson produktet tradicionale të kremit të diellit.

“Studimet e fundit dermatologjike tregojnë se mund të veprojë edhe si një filtër kundër diellit, duke ndihmuar në mbrojtjen kundër dëmtimit UV. Pavarësisht nëse e përdorni atë në ushqimin tuaj, ose e përfshini në kujdesin tuaj të përditshëm të lëkurës, kurkumina mund të përmirësojë mirëqenien e përgjithshme të trupit dhe lëkurës tuaj”, shton eksperti.

Çfarë bën kurkumina për lëkurën?

Krijuesja dhe CEO e Elina Organics, Elina Fedotova, raporton se kurkumina është veçanërisht e dobishme për kushtet inflamatore, si puçrrat, rosacea dhe ekzema. Ajo funksionon duke penguar aktivitetin e enzimave dhe molekulave që shkaktojnë inflamacion. Vetitë anti-inflamatore të shafranit të Indisë mund të ndihmojnë në parandalimin e ndarjes së kolagjenit dhe elastinës, të cilat janë përgjegjëse për mbështetjen dhe elasticitetin e lëkurës. Duke reduktuar inflamacionin, shafrani i Indisë ndihmon në parandalimin e plakjes së parakohshme dhe zhvillimin e linjave të holla dhe rrudhave.

Veliaj vs Balluku/ Hiqen si rivalë, por zhvasin njësoj

Pavarësisht se për Erion Veliajn dhe Belinda Ballukun egziston një gojëdhënë që ka marrë dhenë publikisht, duke i paraqitur ata si rivalë deri në armiqësi, qëllon që të dy rilindasit të jenë më shumë të ngjashëm me njëri-tjetrin sesa mendohet. Këtë na e kanë shpalosur më së mirë dy emisione investigative që me një përkim të çuditshëm, u shfaqën në të njëtën mbrëmje të së mërkurës në ora 21 00. I pari “Kronos” në MCN tregonte se si skema  e “5D Konstruksion” nuk qe i vetmi skandal në Bashkinë kryeqytetit ku drejtorët e saj merrni para publike për ti kaluar ato në kompanitë e veta private. Gazetarët Ola Xama dhe Xhevahir Zhabina kishin vërtetuar me fakte dhe prova konkrete se si edhe në Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit në këtë bashki ka funksionuar i njëjta skemë e përvetësimit të fondeve publike po ashtu sikurse bënin Mareglen Qato dhe Redi Molla. Por kurioze ishte të shihej në Plug në Syri TV se si njësoj vepronin edhe vartësin e zv/kryeministres Belinda Balluku. Më konkretisht aty bëhej fjalë për drejtorin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë (OSSH) Blendian Dalipi. Edhe ky i emëruar dhe i preferuar i Belinda Ballukut. Ky i fundit nëpërmjet kompanisë ABNID në pronësi të tij dhe kompanisë IDK Konstruksion në pronësi të babait të tij, ka marrë mbi 30 milionë euro tendera publik. Lapsi.al e ka krahasuar imtesisht ngjashmërinë mes rasteve….

Bashkia emra të tjerë, skemë e njëjtë

Emisioni “Kronos” në MCN TV ka traguar se në Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit ka funksionuar një model i ngjashëm me atë të “5D Konstruksion”, ku ish drejtoresha e Përgjithshme Erinda Fino (foto krah Veliajt majtas) dhe vartësit e saj, drejtori i Pyjeve dhe Kullotave Redion Çatri apo shefja e sektorit Vilma Diçi kanë dhënë tendera te një kompani e cila zotërohej nga bashkëshorti i Vilmës, Fabjan Diçi. Përmes një skeme jo aq të komplikuar, sa Alitn Dumani ta konsiderojë si krim intelektual të vështirë për tu zbuluar ata dyshohet se kanë ndarë me njëri tjetrin qindra mijra euro.

Kështu në 2022, që vitin e parë të ushtrimit të aktivitetit ka fituar 165 mijë euro të ardhura si punë. Në 2023 xhiro u shumfishua në rreth 1 milion euro xhiro, falë dhe kontratave të marra gjithmonë nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit. Pavarësisht ndryshimeve të objektit apo emrit të kompanisë ky grup i vogël dyshohet se kanë bashkëpunuar në dhënie tenderash, shpesh pa konkurencë, për shitje makinash, pyllëzimin me akacje të parqeve të kryeqytetit, për furnizim me kafshë shumë më të shtrenjta se tregu dhe me ushqim për to për kopshin zoologjik, etj.

Por e bukura nuk përfundon këtu. Kushdo që kalon nga Liqeni artificial i ka parë dy fushate e tenisit të ngritura buzë tij. Pranë tyre është një kafene e cila qëndron plot edhe kur fushat janë bosh dhe të pamirmbajtuara. Të gjitha këto sëbashku i kanë kushtuar taksapaguesve afro gjysëm milioni euro. Por kush e shfrytëzon kafenenë? Natyrisht kompania e pronarit të dyshuar si fiktiv, Fabian Diçit. Ai paguan pak më shuëm se 1 mijë euro në muaj qira për një hapsirë rreth 600 M2 dhe deklaron rreth 300 mijë euro xhiro në vit.

Që të tre shefat e Veliajt janë në bashkëpunim me njëri tjetrin e vërteton edhe një fakt tjetër. Pasi Erinda Fino e la drejtorinë e parqeve dhe u emërua drejtoreshë e përgjithshme në ndërmarrjen “Tirana Parking”, ajo i mori me vete vartësit e saj të mëparshëm duke vebndosur në postin e drejtorit Redian Çatrin dhe atë të shefes së sektorit Vilma Diçin, bashkëshorti i së cilës kishte në emrin e tij kompaninë që dyshohet se qe e përbashkët. Dhe çfarë ndodhi? Menjëherë u organizua një garë ku kompania e tyre u shpall fituese e një kontrate të madhe me vlerë 120 mijë euro për blerje makinash elektrike me një ofertë sa 95% e fondit limit. Fatmirësisht kjo u anullua sepse ndërkohë skandali kishte plasur dhe ishin burgosur drejtorët e 5D.

Bela ndryshe, po po njësoj

Pak a shumë e njëjta skemë ka vepruar edhe nën hundën e Belinda Ballukut me të preferuarin e saj, drejtorin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë, Blendian Dalipi (foto krah Ballukut djathtas). Sipas investigimit të PLUG, të shfaqur të mërkurën në mbrëmje, Dalipi nuk kishte përdorur bashkëshortin e punonjëses së vet, por direkt të atin e tij. Kompania I.D.K. Konstruksion e babait, Bajram Dalipi, ka fituar rreth 30 milionë euro punë publike që kur socialistët kanë ardhur në pushtet në vitin 2013. Por sipas investigimit një pjesë e madhe e tyre janë dhënë nga institucione që kanë qenë në vartësi të Belinda Ballukut. Dhe jo vetëm kaq. Por drejtori i OSSH-së kishte ngritur edhe kompaninë e tij. Nga dokumentetet zyrtare që gjenden në qendrën kombëtare të biznesit, rezulton se kompania e Blendian Dalipit, ABNID shpk, ka përfituar mbi 11 milionë euro si punë të dhëna nga kompania e babait, I.D.K. Konstruksion, e cila paratë që merrte nga buxheti i shtetit, i dërgonte drejtpërdrejt në xhepin e drejtorit të Belinda Ballukut.

Natyrisht ndonëse në investigim nuk jepen prova konkrete nëse at e bir i ndanin fitimet me atë që kishin mbi kokë, logjika ta do se ka ndodhur pikërisht kështu. Pasi kompania e Bajram Dalipit ka fituar një licensë për ndërtimin e një parku fotovoltaik me procedura të përshpejtuara, me firmë të ministres Belinda Balluku. Ajo ka përfituar gjithashtu edhe mjaft tendera në bashki të drejtuara nga socialistët duke krijuar percedentin e çuditshëm të pasurimit të punonjësve të lartë shtetërore, si rezultat i findeve që jepen për punë publike.

Konkluzioni

Pavarësisht se nga mediat paraqiten si rivalë dhe armiq, Erion Veliaj dhe Belinda Balluku janë fatkeqësisht të ngjashëm deri në detaje. Ata dyshohen se kanë aplikuar, të njëjtat skema të për të arritur të njëjtat qëllime. Në institucionet që ara drejtojnë ka marrë fund koha kur për një punë të fituar jepej rryshfet. Në epokën e rilindjes me sa duket puna kalohet e gjitha tek të afërmit, familjarët apo të besuarit. Me siguri për të pasur në duar më shumë fonde për të korruptuar dhe për ti përdorur për zgjedhje. Kjo nuk ka shumë nevojë për tu kuptuar ndonëse protagonistët vijojnë të revitojnë variantin e bërë bozë nga shefi se janë ata poshtë që hanë kumblla dhe dardhë, pa djeninë e vendimmarrësit.

Metamorfoza spektakolare e kriminalitetit shqiptar

Ervis Iljazaj

Vrasja e stilit mafioz dje në Shkodër ka tronditur mbarë opinionin publik, jo vetëm atë lokal të Shkodrës, por edhe atë kombëtar, për dy arsye kryesore. E para, sepse në atë atentat mafioz humbi jetën një grua e pafajshme, dhe e dyta , sepse vrasja ndodhi në mes të ditës dhe në mes të rrugës. Gjithmonë e më shumë po ndodhin vrasje të tilla në Shqipëri nga anëtarë të bandave që lajnë hesapet me njëra-tjetrën. Vrasje të cilat bëhen në mënyrë ‘’spektakolare’’, karakteristikë e mafies për të çuar mesazhe atje ku duhet.

Për shkak të disa vrasjeve të zhurmshme, pikërisht të tipit spektakolar, të cilat shpesh ndodhin në zonat më të populluara të qyteteve, është krijuar ideja se krimininaliteti në vend, në terma sasiorë, është rritur.
Kjo për shkak edhe të mbulimit mediatik që marrin ngjarje të tilla, që zgjat me ditë të tëra, dhe, që kthehen ndonjëherë si telenovela me seri. Në këtë kuptim, perceptimi i opinionit publik është se, kriminaliteti në vend është gjithmonë në rritje në terma sasiorë.

Në fakt, e kundërta është e vërtetë. Kriminaliteti në bazë të statistikave është në ulje. Kjo tendencë ka filluar qysh me qeverinë Berisha e vazhdon ende me qeverinë Rama.
Për shembull, vrasjet në qytete të ndryshme të Shqipërisë, të cilat ishin pjesë normale e komuniteteve lokale, janë ulur ndjeshëm. Në ndonjë rast, nuk ekzistojnë fare.

Arsyeja e uljes të kriminalitetit, me ndonjë rast përjashtimor, nuk është aspak ashtu sikurse qeveri të ndryshme mundohen të na e paraqesin, si meritë e tyre.
Ulja e tij ka ardhur për shkak të fenomeneve dhe evolucionit të shoqërisë. Madje, kjo tendencë, nuk është vetëm një fenomen shqiptar, por, edhe një fenomen europian e botëror. Amerikanët e quajnë The great decline of crime (rënia e madhe e krimit).

Kudo shifrat tregojë se krimi, apo më saktë viktimat e tij janë gjithmonë e më shumë në ulje për dy arsye themelore.

Në radhë të parë, gjithmonë e më shumë njerëzit investojnë te siguria në mënyrë private. Edhe në shoqërinë shqiptare, dukshëm investohet në këtë aspekt. Kompanitë e sigurimit janë shtuar ndjeshëm, bizneset marrin masa për sigurinë e tyre, shpeshherë të shoqëruara nga roje sigurimi apo mjete të tjera që përbëjnë atë. Shkolla, ambiente të ndryshme që ruhen nga roje private. Në këtë kuptim, ndërgjegjësimi i vetë njerëzve për t’i kushtuar rëndësi sigurisë së tyre, ka bërë që kriminaliteti në vend të ulet.

Në radhë të dytë, ashtu sikurse kudo, edhe në shoqërinë shqiptare, demokratizimi i vlerave dhe emancipimi i shoqërisë, ka bërë që njerëzit të kenë më shumë akses në të mira materiale dhe vlera morale, të cilat kanë rindërtuar konceptin dhe rëndësinë e jetës.

Mirëpo, përtej këtij rekordi pozitiv, shoqëria shqiptare po haset me një formë tjetër të kriminalitetit. Që ndoshta nuk karakterizohet nga sasia, por nga ‘cilësia’ e tij. Sot krimi në Shqipëri është më i sofistikuar, ose mund ta quajmë më ‘elitar’. Apo siç quhet ndryshe në vendet europiane, ‘krimi i veshur me kravatë’. Cilësor edhe në kuptimin që lidhjet e tij tashmë kanë kaluar në nivele të larta të pushtetit. Ai mbrohet nga pushteti politik, madje ndonjëherë edhe nxitet prej tij dhe më pas përdoret në zgjedhje, ashtu sikurse tregojnë raporte të ndryshme ndërkombëtare të besueshme.

Në këtë aspekt, shteti shqiptar, po haset me një formë të ri kriminaliteti, të cilit ende nuk po di si t’i kundërpërgjigjet, ose në disa raste nuk do t’i përgjigjet. Sepse përballë një krimininaliteti të sofistikuar, në të gjitha aspektet që përmban ai, shteti shqiptar duket si një makinë e vjetër, e cila ecën ngadalë dhe harxhon shumë karburant pa qenë efikase.

Kështu që, për të luftuar vërtet krimin në Shqipëri, ka nevojë për një logjikë të re, për një mentalitet të ri dhe një organizim policor të ri. Tipare të cilat kanë nevojë për një vullnet të hekurt.

Shoqëria shqiptare, e cila ka meritë për uljen e kriminalitetit në vend, ashtu sikurse u përmend më lart, me sa duket i mbetet detyra të luftojë edhe krimin e sofistikuar, nëpërmjet qytetarisë dhe demokracisë së saj.