18.5 C
Tirana
E hënë, 16 Qershor, 2025

Betejë në Gjykatë, policia dhunon deputetin Spaho (Foto)

Policia ka vendsour shtetrrethim në Tiranë. Situata është tensionuar së tepërmi në Gjykatën e Tiranës ku ka nisur seanca ndaj 23 të arrestuarve të protestës në “Rrugën e Kombit”. Policia nuk ka lejuar deputetët e opozitës të futen në sallën e gjyqit. Bëhet e ditur se forcat e policisë kanë dhunuar nënkryetarin e Parlamentit, deputetin e PD, Edmomnd Spaho.
Si shkak i përplasjes mes protestuesve dhe policisë është thyer dera e sallës ku do të zhvillohet seanca. Ndërkohë që para gjykatës janë të shumtë forcat e policisë por dhe qytetarët të cilët kërkojnë lirimin e protestuesve të arrestuar me pa të drejtë. Gjykata ka vendosur që deputetët e opozitës të futen në sallën e gjyqit.
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, pasi përplasjes me policinë ku është dhunuar, ka telefonuar menjëherë Ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj, por ky i fundit nuk i është përgjigjur.
Ndërkohë që më herët Spaho pati një telefonatë dhe me drejtorin e Policisë ku i ka kërkuar se nga kush është urdhëruar që policët të ushtrojnë dhunë mbi qytetarët dhe deputetë.
Ndërkohë që përgjigja e drejtorit të policisë ka qenë: Nuk janë policët e mi, janë policët e shtetit.

Kontrata skandaloze për Rrugën e Kombit, Rama zbulon det në Kukës; koncesionari do paguhet për gërrmime në det

Kontrata koncesionare për Rrugën e Kombit zbulon një detaj skandaloz dhe qesharak në të njëjtën kohë. Një nga përfaqësuesit e biznesit në Kukës ka bërë prezente në “Opinion” një faqe të kontratës koncesionare. Në këtë faqe thuhet se koncesionari do të paguhet për gërrmime në det si dhe mbushjen e armaturës në det me gurë. E thënë ndryshe, Rama ka zbuluar det në Kukës dhe për këtë çmenduri duhet të paguajnë shqiptarët.
Një kolltuk ka mbetur bosh në emisionin “Opinion”, pasi njëri prej të ftuarve nuk ka ardhur. Sikurse vetë Blendi Fevziu ka thënë në fillim të transmetimit, i ftuari i tetë i emisionit të sotëm ka njoftuar vetëm 2 minuta para nisjes së transmetimit, se për shkaqe shëndetësore nuk do të paraqitej në emission.
Por njëkohësisht, Blendi Fevziu është shprehur se një tjetër i ftuar, ka anuluar paraqitjen në emision, gjithashtu për arsye shëndetësore, por ky i fundit kishte njoftur rreth orës 20:30, duke lejuar kështu stafin të merrte masa për ta zëvendësuar mne dikë tjetër.
“Ndoshta ka rënë ndonjë epidemi”, u shpreh Fevziu në transmetim direkt.

Disa zona në Shkodër vijojnë të jenë nën ujë, kërkohen ndihma ushqimore

Më e keqja ka kaluar për Shkodrën, e cila u godit nga përmbytjet gjatë muajit mars, megjithatë mbi 1645 ha tokë vijojnë të mbeten nën ujë. Bashkia Shkodër bën me dije se, nevojiten ndihma ushqimore dhe furnizim me ujë për banorët që vijojnë të mbeten të rrethuar nga uji. Nevojitet gjithashtu bazë ushqimore për bagëtitë.
Bashkia Shkodër ka bërë të mundur rivënien në punë të pompave të Ujësjellësit në Dajç, stacionin e ujësjellësit Oblika 2, stacionin e ujësjellësit në Trush e Bërdicë dhe po punohet tek Oblika 1 (megjithëse akoma ka prezencë uji).
Bashkia Shkodër gjithashtu ka bërë dezinfektimin e 2 shkollave në Njësinë Administrative të Dajçit pas largimit të ujit, në shkollën e Dajçit dhe atë të Samrishtit.
Grupet e punës të përbashkëta të specialistëve të Bashkisë Shkodër dhe Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë vazhdojnë proçesin e dezifektimit të vendqëndrimeve të gjësë së gjallë.
Deri më tani janë dezifektuar në total 5350 m2 sipërfaqe vendqëndrimesh të gjësë së gjallë në zonat ku uji është tërhequr .

Specialistët tanë janë në terren, dhe po bëjnë vlerësimet e dëmeve të shkaktuara.
Nga ana tjetër, duhet të merren masa për furnizim me klor për dizefektim për zonat e përmbytura pas tërheqjes së ujit.
Sipërfaqe të përmbytura
Njësia Administrative Dajç: 500 ha.
Njësia Administrative Ana e Malit: 1000 ha.
Njësia Administrative Bërdicë: 50 ha.
Njësia Administrative Rrethina: 50 ha.
Qyteti Shkodër: 45 ha(Livadhe).
Shtëpi të rrethuara nga uji: 170 shtëpi.
Njësia Administrative Ana e Malit: 150 shtëpi.
Njësia Administrative Rrethina: 10 shtëpi.
Qyteti Shkodër: 10 shtëpi (Livadhe).
Nevojat për mbështetjen e banorëve në zonat e prekura për ushqime dhe ujë të pishëm janë:
Njësia Administrative Dajç: 400 pako ushqimore dhe 1200 bidona (5 litër)
Njësia Administrative Ana e Malit: 400 pako ushqimore dhe 1000 bidona (5 litër)
Njësia Administrative Bërdicë: 250 pako ushqimore dhe 1000 bidona (5 litër)
Njësia Administrative Rrethina: 150 pako ushqimore dhe 1000 bidona (5 litër)
Qyteti Shkodër: 20 pako ushqimore dhe 500 bidona (5 litër)
Nevojat për bazë ushqimore (koncentrat + bar i thatë): 75 koncentrat dhe 90 bar i thatë.
Njësia Administrative Dajç: 20 t koncentrat + 30 bar i thatë
Njësia Administrative Ana e Malit: 20 t koncentrat + 20 bar i thatë
Njësia Administrative Bërdicë: 15 t koncentrat + 20 bar i thatë
Njësia Administrative Rrethina + Qyteti Shkodër (Livadhe): 20 t koncentrat + 20 bar i thatë

Kryebashkiaku i Tropojës thirrje Ramës: Liro protestuesit!

Kryetari i Bashkisë së tropojës, Besnik Dushaj, mbështet protestën e banorëve për heqjen e taksës në Rrugën e Kombit, dhe kërkon lirimin e të arrestuarve. Ai thotë se banorët e qarkut të Kukësit janë më të varfrit në Shqipëri, dhe sipas tij tarifat e larta të vendosura nga Qeveria janë të papërballueshme. Dushaj shprehet se në këto zona është rritur varfëria vitet e fundit, ndërsa shton se kanë munguar investimet e qeverisë.
“Qarku i Kukësit, ku përfshihen bashkitë e Kukësit, Hasit dhe Tropojës është qarku më i varfër në Shqipëri dhe taksa e rrugës së Kombit rëndon të gjithë qytetarët por në mënyrë të veçantë banorët e këtij qarku, dhe sigurisht edhe banorët e Bashkisë së Tropojës. Duke parë rritjen e varfërisë, rritjen e taksave të tjera që ka bërë kjo qeveri, do të ishte me vend rritja e investimeve në këto zona dhe jo vendosja e një barre siç është taksa në rrugën e Kombit. E them me bindje që kjo taksë është e papërballueshme për banorët në këto zona. Kjo taksë do të rrisë biletën e transportit, do të rrisë çmimin e ushqimeve dhe mallrave që i marrin nga Tirana dhe rrethe të tjera”, shprehet ai.

Kryebashkiaku i Tropojës thotë se kjo protestë nuk është politike. “Ne e mbështesim protestën e banorëve. Kjo nuk është protestë politike, por është protestë që kërkon t’i tregojë qeverisë se i gjithë ky qark janë shumë të varfër. Ka shumë të papunë, ka shumë familje në mjerim dhe ka nevojë urgjende për investimeve, të punësohen njerëzit e të rritet numri i turistëve. Kësaj nuk i shërben taksa.
Kam komunikuar vazhdimisht me përfaqësues të qeverisë dhe u kam kërkuar që taksa të hiqet për banorët e këtij qarku dhe ajo duhet të jetë 0 për këta banorë. Kërkoj që edhe ata 23 të arrestuar të lirohen menjëherë sepse protestuan me dinjitet, protestuan për përmirësimin e jetës së tyre dhe nuk protestuan për asnjë arsye politike. Varfëria i ka pllakosur. Ne do të mbështesim protestat e banorëve tanë por edhe të gjithë protestat që bëhen kundër varfërisë dhe rritjes së taksave. Do të mbështesim protestën për heqjen e taksës në rrugën e Kombit”, thotë Dushaj.

Gjokutaj: Arrestimet nën terror dhe në shkelje

Avokati Genc Gjokutaj i ftuar në “360 Gradë” në Ora Nes, thotë se arrestimet e banorëve të Kukësit gjatë natës janë bërë në shkelje nga ana e prokurorisë dhe e konsideroi “terror”.
“Vetëgjyqësia është kur një shtetas të drejtën që ai gëzon e zgjidh personalisht dhe nuk i drejtohet shtetit. Këta njerëz nuk i janë drejtuar shtetit sepse shteti është fajtori i gjithë kësaj shkeljeje. Njerëzit e kanë zgjedhur vetë. Prokuroria ka vepruar në shkelje flagrante, pasi si kontrolli i banesës, si arrestimi i personave që u dihet vendi, arrestimi nuk lejohet të bëhet natën. Ata janë familjarë, kanë fëmijë. Ky është një terror që nuk mund të lejohet në asnjë mënyrë. Këto janë metoda që vetëm e agravojnë situatën.
Kjo punë bëhet sepse kanë frikë se do ua nxjerrin njerëzit nga gjykata jo se nuk kanë salla. Ç’punë ka t’i sjellësh nga Kukësi në Tiranë. Këtu ka RENEA-n. Në Tiranë është shumatore.
Kjo qeveri do të mbahet mend si hasmi i të varfërve. Modeli ekonomik është i gabuar. Nuk mund të zgjidhet kjo punë me repression”, u shpreh avokati Gjokutaj.

Djegia e magazinës me hidrosanitare ende nuk janë zbuluar shkaqet

Vatrat e zjarrit riaktivizohen herë pas herë në magazinën, e cila u dogj plotësisht në rrugën, “Siri Kodra”. Rreth 30 automjete zjarrfikëse luftuan me flakët nga mesdita e së hënës, ndërsa magazina me materiale hidrosanitare u shkrumbua totalisht.
Flakët dukeshin nga disa kilometra larg kryeqytetit, pasi materiali ishte lehtësisht i djegshëm, duke krijuar panik tek banorët që ndodheshin shumë pranë me ndërtesën në flakë.
Bujar Kacana, efektiv i zjarrfikësve të kryeqytetit tregon luftën me flakët dhe ndihmën që i dhanë edhe kolegët e Fushë-Krujës, Durrësit si edhe ata të ushtrisë.
Për të përcaktuar shkaqet e rënies së flakëve, Kacana thekson se do të duhet ende kohë.
Fatmirësisht nga zjarri nuk ka pasur njerëz të lënduar, por u raportua se kërkuan ndihmën e parë disa efektivë zjarrfikës, pasi mbetën të asfiksuar nga flakët.

Dëmi është i konsiderushmëm, pasi nga magazina e cila tregtonte pajisje hidrosanitare dhe elektrike nuk ka mbetur asgjë, ndërsa fatmirësisht kanë shpëtuar banesat dhe objektet pranë saj.
Shefi i zjarrfikësve të kryeqytetit, Luan Shehu tha se, operacioni ka qenë i vështirë edhe për shkak të kushteve ku ndodhej objekti, pasi në zonën për rreth nuk ka burime hidrike.
“Ne punuam në kushte tepër të vështira, në një errësirë të plotë se hoqëm dhe mundësinë e pasjes së elektricitetit, pra u fikën me anë të KESH-it. Pastaj puna vështirësohet natën. Megjithatë, arritëm ta lokalizojmë brenda tre orëve dhe ta ndalojmë këtë incident dhe ta presim zjarrin që të mos na jepte premisa për të vazhduar tek shtëpitë”, tha ai.
Nuk është përcaktuar ende shkaku i zjarrit, por mësohet se flaka ka ardhur nga brenda magazinës, ku fatmirësisht nuk kishte punonjës. Vatra e zjarrit për neve ka qenë në qendër të magazinës dhe zjarri u shfaq menjëherë fuqishëm në brendësi të magazinës.

Rrëfimi për terrorin policor: Si ma rrëmbyen burrin në 3:30 të natës

Një nga të arrestuarit e protestës së 31 marsit në Kalimash është edhe Lefter Rexhmati. Familja e tij ka 5 vjet që jeton në Kukës. Poshtë pallatit është furgoni i Lefterit. Ai punonte prej tre vjetësh duke bërë transport udhëtarësh Kukës-Tiranë, një rrugë në ditë. Lefterit i duhej të paguante 22 euro në ditë sipas tarifave të vendosura nga kompania koncesionare.
“I kushtonte 30 mijë lekë Lefterit që të linte tek sporteli që ishte vendosur atje. 1 milionë shkonte në muaj. Ai nuk merr aq dhe si do ta përballonte. Një ditë kishte punë, një ditë jo. Vjen edhe pa lekë në shtëpi, ka sjellë edhe vetëm 1 mijë lekë”, thotë Servetja, gruaja e tij.
Në familjen e Lefterit presin gruaja dhe tre fëmijët. Gresi është 9 vjeç, Andrea 2, dhe vajza e madhe Sihana 12 vjeç, e paralizuar, e shtrirë në krevat në gjendje vegjetative. “U lutem që Lefteri të vijë tek fëmija i vet, boll ta ledhatojë atë, se ajo nuk jeton dot pa ndihmën e babait të vet”, tregon ajo.

Vajza e paralizuar merr pagesë invaliditeti që bashkë me kujdestarinë e të ëmës bëjnë 260 mijë lekë të vjetra në muaj.
“I gjithë Kukësi u ngrit, jo vetëm Lefteri! Lefteri nuk është terrorist. Isha edhe unë me gra të tjera! Lefterin e kam parë vetëm në televizor që ishte me gjak”, rrëfen ajo.
Servetja thotë se, bashkëshorti flinte në furgon nga frika mos ja vidhnin. 44-vjeçarja tregon momentet kur policia erdhi për t’i arrestuar bashkëshortin.
“U ngrita dhe në derë po trokisnin pak në orën 3:30 të mëngjesit. Kur e hapa derën ishte një civil i gjatë që hyri brenda dhe kishte të tjerë të zinj, nuk dukeshin si njerëz. Ishin 7-8 vetë! E arrestuan në makinë”, thotë ajo.
Vajza e paralizuar duhej çuar në spital një natë më parë. “Nuk e çoj dot se është larg dhe nuk di çfarë t’i them shtetit! A ka shtet për ne?!”, rrëfen më tej ajo.
Gruaja është gjithë sy e vesh në televizion për të dëgjuar se çfarë do të bëhet me fatin e bashkëshortit të saj. “Ndjekim lajmet që të shohim se si do të vendoset për këta që u arrestuan jo për politikë, por për ekonomi”, thotë ajo.

Revolta e socialistëve në Kukës, Këshilltari i PS: Nuk do t’i ndalim protestat kundër Ramës

Protesta kundër taksës në Rrugën e Kombit ka bërë bashkë demokratë e socialistë në Kukës. Anëtarët e këshillit bashkiak u bënë pjesë e protestë të shtunën në Kalimash pavarësisht bindjeve të tyre politike, ndërsa socialistët u përjashtuan nga partia nga Edi Rama.
Por kjo nuk i ka ndalur socialistët kuksiane që të vijojnë protestën kundër taksës në rrugën e kombit edhe në Tiranë. Një prej tyre është anëtari i këshillit bashkiak Kukës Ylli Çitaku, i cili u zgjodh në këtë post nën siglën e partisë socialiste. Sot, i përjashtuar nga radhët e socialistëve Çitaku rrëfen për In Tv se si e priti vendimin e kryeministrit Edi Rama.

“Jam Ylli Çitaku anëtarë i këshillit bashkiak, përjashtimi im është i padrejtë. Kam 6 vite pjesë e PS, i kam qenë Edi Ramës në zyrë, e sot jam i penduar”, tha ai.
Prej 6 vitesh pjesë e strukturave socialistet Ylli Çitaku thotë se sot është i penduar se përse votoj këtë parti, e cila sipas tij po ua vështirëson çdo ditë e më shumë jetën qytetarëve.
Më tej ai shton: Taksa e Rrugës së kombit, drita, ujë, taksa e ndërtesës. Nuk mund ti përballojmë dot.
Prej 3 ditësh ai qëndron në Tiranë në mbështetje të të ndaluarve pranë Drejtorisë së Policisë, ndërsa shfaq hapur se nga sot ai do të mbështesë Partinë demokratike.
“Tani do të angazhohem me Partinë Demokratike”, tha Çitaku.
Pranë drejtorisë së policisë së Tiranës vijon që prej së dielës protesta kundër ndalimit të protestuesve. Ndërsa pritet vendimi i masës së sigurisë për të ndaluarit nuk kanë munguar përplasjet mes protestuesve dhe policisë në kryeqytet.