17.5 C
Tirana
E hënë, 16 Qershor, 2025

Nuk ka pranga për miliona shqiptarë që kalojnë Rrugës Kombit

Azgan HAKLAJ

Jam i detyruar te bej ketë dekleratë për mbarë opinionin publik, mediat dhe përfaqësitë diplomatike të akredituara në Republikën e Shqipërisë.
Të nderuar bashkëkombas të mi, shkelqësi ambasadorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe të shoqatave për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut.
Si i persekutuar politikë në diktaturë dhe i burgosur politik në demokraci, si drejtues një dekadë i Partisë Demokratike në Tropojë, deputet i saj i zgjedhur ndonëse i burgosur politik, pushtetar lokal i Qarkut Kukës, gjithashtu prej mëse 15 vjetësh anëtar i Keshillit Kombëtar i Partisë Demokratike të Shqiperisë, dhe President i Unioni Artistik të Kombit Shqiptar deklaroj si më poshtë:
-Regjimi revashist i instaluar me dhunë e terror ne vitin 97 dha pasardhësit e tyre të ardhur në pushtet me paratë e krimit, drogës, bandave dhe trafiqeve nën siglen e Rilindjes kanë ushtruar një dhunë e terror të eger ndaj meje dhe familjes time ne vitet 97 – 2005, me burgosje politike dhe disa atentate politike ndaj meje dhe familjes time.
Çuditërisht edhe sot Kryeministeri Rama dhe segmentet e shtetit dhe të mediave të kapura prej tij, me kanë shpallur person në kerkim kur në fakt unë jam qytetarë i lirë dhe i paimplikuar në asnjë precedent që përbën veper penale apo administrative dhe po ushtroj detyrën time në sherbim të artit dhe kulturës kombëtare si qytetarë i lirë në Tiranë.

Nuk kam asgjë personale me Kryeministrin uzurpator të pushtetit, por jam i vendosur në betejën dhe kauzën time për mbrojtjen e vlerave të demokracisë, integrimit të Shqipërisë në strukturat Euro-Atlantike dhe të mbrojtjes së interesave kombtare, të cilat Kryeministrin Edi Rama i ka shitur si dikur Eseat Pashë Toptani, në kembim të mbajtjes së pushtetit të tij dhe bandave kriminale që e kanë sjellur në pushtet.
E kam akuzuar publikisht për shnderrimin e Shqipërisë në Kolumbi të Evropës, për tradhtinë ndaj Çeshtjes Çame, për marrëveshjen e fshehtë e mafioze të shitjes detit, për dhunën e burgosjet e njerëzve të thjeshtë e simpatizantëve të opozitës.
Kam denoncuar kursin e tij politik antikombtar, dhe marrëveshjet e tij të fshehta me Vuçiçin, Erdoganin dhe Putinin për ndarjen e Kosovës, tregun e përbashkët Ballkanik, si projekt të Serbisë Madhe.
Kam denoncuar publikisht sulmet e tij të egra ndaj simboleve kombëtare dhe elitës intelektuale kombëtare, Akademisë së Shkencave, Universitetit të Tiranës dhe së fundmi ndaj Teatrit Kombëtar.

Me dt 31 mars bera një shkrim kunder piramidave që ngriti në Rrugën e Kombit. Kundër traut pa alternativë si një e drejtë themelore e kushtetuese e levizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në hapsirën mbarëkombëtare. Kundër taksës së dyfishtë, duke i bërë thirrje qytetarëve shqiptarë për mosbindje civile, e drejtë themelore që i njihet opozitës të çdo vendi demokratik, si hap i fundit për të ndalur revanshin e një qeverie despotike, antipopullore e antikombtare.
Pushteti lokal i Kukësit, Hasit ,Tropojës organizuan me dt 31 mars një protestë paqësore kundër traut të Ramës pa alternativë dhe taksës së dyfishtë.
Mijëra qytetarë të qarkut Kukës e Kosovës i thanë Jo taksidarit Rama.
E ndjeva si obligim, si qytetar i këtij vendi, por dhe si ish pushtetar lokal dhe ish deputet e përfaqësues i mijra artistëve të Kombit Shqipetar dhe mora pjesë në këtë protestë legjitime e paqësore.
Papritmas qytetarët paqësorë u sulmuan dhunshëm nga trupat speciale.
Bëra ç’është e mundur në kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit e policisë, dhe qytetarët për të rikthyer qetësinë por fatkeqesisht skenari i Edi Ramës dhe Xhafajt ishte dhuna anatemimi i protestuesve, si vandalë e barbarë.

E gjithë veprimtaria ime paqësore e legale dhe në sherbim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë për të shmangur konfrontimin e transmetuar nga mediat e pacensuruara të Sulltan Ramës, u çertifikua nga dyshja Rama- Xhafa nepermjet mediave të tyre si person në kërkim, kur në fakt unë jam qytetar i lirë.
Ky vendim eshtë hakmarrje ndaj meje per opozitarizmin tim ndaj qeverisë Kuislinge që ka blerë pushtetin me paratë e drogës dhe po e mban me dhunë e duke shitur gjithçka nga pasuritë kombëtare, deri dhe Sovranitetin Kombëtar.
Dhuna e egër e barbare, etiketimi i protestuesve paqësorë si vandalë e barbarë dhe arrestimi i tyre me metodat e sigurimit të shtetit tregoj se Rama e ka kaluar vijën e kuqe.
Tashmë ai do të perballet me mosbindjen civile si vendim politik të opozitës dhe në rast të kembenguljes tij për ta kaluar këtë barrierë të fundit fjalen do ta ketë populli i lirë e sovran.

Një portal pranë qeverisë na kercënonte me turrën e druve të Xhordano Brunos. Unë po i përgjigjem duke perifrazuar Ajnshtajnin e madh: Jam gati të shkoj vetë vullnetarisht në burg për të mbrojtur liritë e të drejtat e njeriut dhe dinjitetin njerëzorë.
I kujtoj kryeministrit se nuk ka pranga për miliona shqiptarë që kalojnë Rrugës Kombit.
Ata janë të vendosur t’i heqin trarët dhe barrierat mes tyre, ta rrezojnë Ramën e banden e tij nga pushteti e ta çojnë para drejtësisë.
Tiranit Rama po i kujtoj dy vargje të Hymnit Kombtar të Francës , Atdheut të lirisë,: “Përpara bijtë e Atdheut, lavdia na thërret” dhe Hymnin tonë Kombëtar:
“Rreth flamurit të përbashkuar
Me një deshirë e një qellim
Të gjithë atje duke u betuar
Ta lidhim besën për shpetim.”
Edvin Rama ju i shpallët luftë mbarë Kombit, por shqiptarët të bashkuar rreth Flamurit Kuq e Zi do ta tregojnë vendin që meriton pikërisht në Vitin e Jubileut të Heroit të tyre Kombëtarë.

 

Albin Kurti: Rama i ka vendos gjobë Kosovës dhe Veriut të vendit

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, u shpreh kategorikisht kundër taksimit të Rrugës së Kombit.
Sipas Kurtit, Rama nuk mund të kishte gjetur kohë më të keqe për të taksuar këtë rrugë, ndërkohë që Kosova po kalon një situatë të vështirë në lidhje me Serbinë.
Së dyti, për kreun e Vetëvendosjes, tarifa është shumë e lartë dhe populli është kryesisht i varfër.
Për Albin Kurtin, së treti, kjo taksë e ngjashme me një gjobë për kuksianët dhe kosovarët.
Ai u shprehn në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ se ky taksim duhet diskutuar në mbledhjet e qeverisë shqiptare me atë të Kosovës.

Akademiku i njohur mbështet protestën dhe paralajmëron Ramën: “Të gjithë akademikët janë kuksianë!”

Akademiku i njohur, Artan Fuga tha se mbështet protestën e baniorëve të Kukësit kundër taksës në Rrugën e Kombit. Ai tha se në këto momentë, “të gjithë akademikët janë kuksianë!”
Në studion e Fax News, akademiku Artan Fuga foli edhe për debatin e madh në lidhje me reformën në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
Fuga tha se çështja e reformës në Akademinë e Shkencave është e njëjta gjë në thelb me çështjen e protestës së Kuksianëve kundër tarifës në Rrugën e Kombit.
Artan Fuga u shpreh se kryeministri nuk dëgjon askënd. “Këtë mund ta quaj autizëm institucional. Ne vuajmë si shoqëri nga autizmi institucional prej kohësh. Kjo sëmundje nuk është vetëm vertikale, por kjo është edhe horizontale në planin social. Ti flet dhe askush nuk të dëgjon.
Kjo sëmundje ka zënë dhe dikasteret. Unë personalisht për veten time kam pasur projekte alternative që prej 5-6 vjetësh dhe asnjëherë nuk jam dëgjuar nga kryesia e Akademisë. Asnjëherë nuk më kanë lejuar që propozimet që kam pasur, mirë a keq të m’i dëgjonin dhe të thonin që ‘të dëgjuam o Artan, tani si asamble po marrim një vendim që nuk na duhen këto propozime”, tha akademiku.

Fuga vijoi duke thënë se çështja u përkeqësua më tej.
“Unë fillova të reagoj në publik atëherë kur ndodhi një gjë shumë e shëmtuar: kryetari bëhet nënkryetar dhe nënkryetari bëhet kryetar dhe vazhdonim ashtu siç ishim. Unë dola në publik, zoti Rama foli nga ana e tij.
Çfarë ndodhi? Akademia u bllokua. Shkuam deri aty sa pushteti rrezikonte t’i priste fondet Akademisë duke i thënë që ‘ju nuk keni produkt’. Ata kanë të drejtë nga pikëpamja e analizës.
Ne jemi dhe një shoqëri minimaliste që po nuk e çuam gjënë në minimumin atje ku nuk mban më peri, ne nuk ndërhmë. Do të krijohej një komision i Akademisë që nëpërmjet asamblesë do të bënte reformimin. Po çfarë ndodhi?
Ministria, në fund të procesit, krijon një komision shtetëror dhe nuk pyet fare asamblenë e Akademisë. Nuk ka sot asnjë vendim të asamblesë së Akademisë për draftin që po prezanton komisioni që quhet shtetëror.
Kjo do të thotë se as akademiku nuk dëgjohet e jo më kuksiani. Unë po të them që të gjithë akademikët jemi kuksianë. Në ç’kuptim? Në kuptimin që nuk na dëgjon njeri”, theksoi Fuga.
Në lidhje me draftin e propozuar nga Ministria e Arsimit, professor Fuga tha se shkenca në Shqipëri është marrë peng nga Akademia.

“Akademia është marrë peng nga akademikët. Akademikët kanë qenë marrë peng nga kryesia e Akademisë dhe tani reforma është marrë peng nga ky komisioni shtetëror që na propozon një institucion i cili do të jetë buxhetor dhe i cili do të kontrollojë të gjithë shkencën në Shqipëri dhe do të jetë instanca më e lartë e shkencës në Shqipëri; që do të krijojë institutet e veta a thua janë pak këto institute që kemi krijuar. Në këtë institucion, akademiku do të jetojë përjetësisht si akademik dhe do të marri vendime për shkencën përjetësisht pavarësisht nga mosha ose pavarësisht se nuk është i atashuar në një grup kërkimi shkencor”, tha Fuga.

Berisha: Koha e revoltës qytetare, e mosbindjes civile

“Studimi i BE fakton se 20% e shqiptarëve deklaruan se kanë shitur votën. Në këto kushte zgjedhje nuk ka. Kanë shitur votën dhe deri sot kjo drejtësi që kontrollohet në çdo qelizë nga Rama nuk ka qenë në gjendje të ndëshkojë një njeri të vetëm, për votë, çka e ka bërë përpara në vitet e shkuara. Kurse tani asnjë njeri nuk është bërë përgjegjës për këtë akt”

– Zoti Berisha, vetëm një ditë më parë Opozita e Bashkuar bëri një mbledhje dhe mori një vendim të unifikuar, ende i papërcaktuar hap pas hapi, por thelbi është mosbindja civile, pra mospagimi i taksave të shtuara, taksave Rama, dhe atyre që janë një barrë ndaj qytetarëve. Pyetja ime është, përpos pjesës teknike se si do të implementohet kjo, mendoni se populli shqiptar ka arritur në pikën, ose nëse mund të themi që ka shtypur frikën që t’i kundërvihet në mënyrë civile qeverisë, e cila ka dhe forcën shtrënguese në anën e saj?
Eshtë e vërtetë që qeveria përdor mjete represive, përdor një kontroll të madh të mediave, me të cilat dhunon dhe manipulon opinionin publik, përdor si shpatë drejtësinë, duke dhënë vendime të njëanshme dhe bërë sulme vetëm kundra opozitës, përdor dhunën policore si një mekanizëm tipik të narkoshtetit, milionat dhe miliardat që disponon nga droga. Në këtë kontekst, qeveria ka arritur të vendosë mbi qytetarët shqiptarë, të cilët nga të gjitha të dhënat e statistikat janë më të varfërit në Europë, taksa dhe tarifa ndër më të lartat. Ndërkohë situata është dramatike në rrafshin ekonomik. Rritja ekonomike 4% është rritje kanabiste, rritje droge. Eshtë e vërtetë që ka individë, të cilët kanë qindra milionë, portë tjerët bëhen gjithnjë e më të varfër. Pra, nuk është kjo një tregues i mirëqenies ekonomike të shqiptarëve. Në këto rrethana, po të marrim historinë, taksat e larta kanë qenë historikisht të të gjitha kohërave shkaqe të revoltave popullore dhe revolucioneve.

Kjo erdhi më në fund dhe në Shqipëri. Qytetarët e Kukësit, Hasit dhe Tropojës vendosën t’i thonë Jo një taksë plaçkë, që Rama vendosi mbi “Rrugën e Kombit”. Them plaçkë se vërtetë është një plaçkitje e madhe që bëhet. “Rruga e Kombit”është një rrugë që lidh Shqipërinë me Kosovën dhe nëse t’i takson qytetarët e Kuksit, Hasit dhe Tropojës pse e përdorin dhe ata këtë rrugë dhe nuk takson qytetarët e tjerë shqiptarë, t’i bën një diskriminim të tmerrshëm ndaj tyre. “Rruga e Kombit” ka nevojë të madhe për mirëmbajtje dhe ne e bëmë studimin. Ne përcaktuam se sa kërkon kjo rrugë në vit për mirëmbajtje. Rama përpiqet të mbrohet me absurditete, por një tarifë që ne nuk e vendosëm dhe studimin e kemi të 2010, do të thotë që ne mirëmbajtjen do ta bënim me taksën e qarkullimit. Taksa e qarkullimit, të cilën ky e rriti me 3.5 herë, mjaftonte me nivelin që kishim ne, 2010 e saj për të mirëmbajtur pa asnjë vështirësi “Rrugën e Kombit” dhe rrugët e tjera. Por, Rama këtë taksë kombëtare që ka destinacion absolut rrugët kombëtare, e përdor për zyra, lukse dhe orgjira dhe nuk e përdor për rrugë. Kështuqë vendosi të plaçkisë qytetarët e Qarkut të Kuksit, por dhe mbarë qytetarët e Kosovës. Rruga sjell në vit mbi 300 mln euro të ardhura për shqiptarët. Sot, më të humbur nga rruga janë qytetarët e Lushnjës apo Kavajës, Beratit dhe Fierit sesa qytetarët e Kukësit. Atyre prodhimet u mbeten në fushë, sepse çdo ditë vinin me dhjetëra kamionë që të hiqnin prodhimet e tyre për në Kosovë. Sapo të fillojë sezoni turistik mbi 1 mln shqiptarë nga Kosova vijnë në brigjet e Shqipërisë për të kaluar pushimet verore. Kështuqë, ky veprim jashtëzakonisht i pastudiuar erdhi si derdhja e kupës.

U mbush kupa dhe u derdh. Filloi një revoltë qytetare e një guximi të jashtëzakonshëm kundër qeverisë, kundër Ramës për taksën e tij. Qytetarët e Kuksit, Hasit dhe Tropojës ja thyen turinjtë Edi Ramës, pushtuan kështjellën, vendosën aty flamurin e fitores së tyre. Ky është një frymëzim për të gjithë qytetarët shqiptarë të tjerë, të ngrihen për biznesin e vogël, të cilit këto ditë i hyri në fuqi vendosja e TVSH, e denoncuar dhe nga vetë FMN dhe unë i bëj thirrje dhe komunitetit ndërkombëtar të vijnë në Shqipëri të shohin pse ikin shqiptarët kaq masivisht dhe pse nuk iknin më parë. Ka trefishur faturën e ujit, ka rritur në mënyrë marramendëse taksën e pronës. Shqiptarët ndonëse më të varfërit në Europë, janë populli apo ndër 5 popujt që paguajnë më shtrenjtë naftën në botë. Pse? Sepse e ka bërë 320 lekë, apo 32 lekë taksën e qarkullimit. Për të gjitha këto së bashku, opozita vlerëson se është koha e revoltës qytetare, e mosbindjes civile. Revolucioni kundër taksave të larta është revolucion për thelbin e lirisë ekonomike, pa të cilën liritë e tjera vyshken dhe bëhen thjesht fasadë. Liria ekonomike ka një rëndësi kritike për jetësimin e të gjitha formave të tjera të lirisë. Ndaj dhe kam besim të madh që opozita mori dje një vendim historik dhe qytetarët shqiptarë do jenë në lartësinë e guximit të tyre për të përmbysur këtë regjim që ka tejkaluar të drejtën në të gjitha veprimtaritë etij.

-Pyetje për deklaratën e bërë dje në emisionin Debati në Channel One për mosmarrjen pjesë të PD në zgjedhje
Unë nuk them, të mos marri pjesë, por unë them që me Ramën zgjedhje nuk ka. U faktua kjo. Dhe njeriu nuk mund të bëjë të paditurin, eksperimenti u bë. Po marr vetëm dy fakorë: kohën televizive që ka përdorur Rama me kohën televizive të liderit të opozitës. Eshtë 152 min me gjithsej 53 min të liderit të opozitës, në një nga matjet flas. Më e tmerrshmja është blerja e votës. Studimi i BE fakton se 20% e shqiptarëve deklaruan se kanë shitur votën. Në këto kushte zgjedhje nuk ka. Kanë shitur votën dhe deri sot kjo drejtësi që kontrollohet në çdo qelizë nga Rama nuk ka qenë në gjendje të ndëshkojë një njeri të vetëm, për votë, çka e ka bërë përpara në vitet e shkuara. Kurse tani asnjë njeri nuk është bërë përgjegjës për këtë akt.

– Një tjetër kërkesë që vjen e përsëritur në publik nga ata që kanë nostalgji për kohën kur ju ishit lideri i PD, kjo dhe për shkak të nevojës për një bashkim të PD sot. Ju e keni thënë në mënyrë të qartë, që nuk ktheheni në pozicionin që keni qenë, nuk merrni më vendime, por a e keni menduar të jeni një figurë më e angazhuar për të bërë një afrim të atyre që janë larguar nga partia dhe që mund të jenë figura shumë të rëndësishme për PD?
PD kalon në një proces, i cili nuk është një proces i lehtë, por është një proces plotësisht i mundshën. Ky proces, në vlerësimin tim duhet të garantojë bashkimin e të gjitha kontributeve të saj nga njëra anë dhe nga ana tjetër të krijojë gjithë mekanizmat për elektrizimin, afrimin e të rinjve shqiptarë me PD. Ndryshime të rëndësishme statutore po bëhen, me ç’jam informuar, në të cilat do të gjejnë veten edhe ata, të cilët kanë patur vërejtje të ligjshme për ecurinë, zhvillimet dhe vendimmarrjet. Këto ndryshime duhet të garantojnë demokratët se, rruga e tyre për një konkurrencë të ndershme është e hapur në të gjitha nivelet, duhet të garantojë anëtarët e PD se zëri i tyre, për ata që do zgjidhen do të përfillet dhe do merret parsasysh, duhet të garantojë kufizimin e pushtetit të secilit. Kryetari i PD ka njohur gabimet e tij dhe është shprehur se, ai është i gatshëm me masa konkrete të korrigjojë ato gabime që u bënë me listën. Mendoj se, procesi i bashkimit të kontributeve kalon njëkohësisht nëpërmjet kompromiseve të të gjitha palëve. Dhe, në një sens, nuk mund të ketë demokratë dhe demokraci pa kompromise. Kështuqë, unë i shoh të mundshme. Do jetë mbledhja e Këshillit Kombëtar, e cila do miratojë ndryshimet statutore të propozuara nga flukse të ndryshme të PD. Do jetë Kuvendi Statutor që do i miratojë përfundimisht këto vendime, kurse përsa i përket rolit tim ky është një rol tërësisht i parëndësishëm dhe unë jam dorëhequr një herë e përgjithmonë, duke mbetur i betuar se do qëndrojë një avokat me të gjithë mundësistë e mia në interesin publik të shqiptarëve.

Intervista e dhënë për Abc News

Basha: Mosbindje civile, Rama nuk e arreston dot gjithë popullin

Kryetari i PD, Lulzim Basha deklaroi dje se PD dhe opozita do të udhëheqë popullin drejt mosbindjes civile dhe refuzimit pa kushte të grabitjes së Ramës përmes taksës korruptive së“Rrugës së Kombit”. Përmes një deklarate për mediat, Basha deklaroi se refuzimi pa kushte i vjedhjes së Ramës përmes kësaj takse është e vetmja përgjigje që populli do t’i tregojë Ramës deri në tërheqjen e këtij të fundit. Thirrja që unë i drejtoj është që të tërheqë menjëherë policinë nga Kukësi. Të lirojë të 23 personat e grabitur në mes të natës. Të arrestojë Saimir Tahirin. Të arrestojë Fatmir Xhafajt vëllanë e vet, që është i dënuar për drogë dhe vazhdon të jetë një ndër bosët kryesorë të drogës në Vlorë. Të arrestojë Balilin, të arrestojë Habilajt. Të mos merret me njerëzit e thjeshtë. Deri në atë moment, mosbindja civile, refuzimi i grabitjes së dyfishtë dhe padrejtësisë së dyfishtë, është rruga që opozita i tregon popullit dhe me të cilën do të udhëheqë popullin drejt refuzimit pakushte të kësaj grabitje dhe padrejtësie të dyfishtë. “Mashtrimet e Edi Ramës dhe sejmenëve të tij janë shenjat e panikut dhe dëshpërimit që e ka kapur. Thelbi i çështjes është ky: Rama i grabit dyfish shqiptarët dhe pastaj iu bie dyfish me kërbaç dhe reagimi i tyre në Kukës dhe reagimi i tyre në mbarë Shqipërinë është reagim kundër padrejtësisë dhe grabitjes.

Çfarë dua të them me këtë?Merr 200 milionë euro në vit nga taksat e shqiptarëve për mirëmbajtjen e rrugëve, nuk shpenzon asnjë cent nga këto lekë për “Rrugën e Kombit”,por vendos taksë të re të papërballueshme. Nuk shpenzon asnjë cent nga këto 800 milionë euro që ka mbledhur në këto 5 vite dhe taksën e qarkullimit që e ka rritur për mirëmbajtjen e rrugëve, por i jep ato me koncesion, pra iu vendos taksë të dyfishtë shqiptarëve. Ata që u çuan janë njerëzit më të varfër, më të shpërfillur, më të braktisurit e Shqipërisë ndër vite, ata u çuan për bukën e gojës.E dëgjuat atë burrin që thoshte se, jetoj 20 metra nga trau dhe s’kam mundësi të shkoj e të vij në shpi me 5 euro sa herë që kaloj traun.Kjo është arsyeja e revoltës së këtyre njerëzve të thjeshtë. Revoltë, e cila ka përkrahjen e gjithë shqiptarëve, të cilët po deklarojnë një zëri që janë dhe ndihen kuksianë.Pse e thonë këtë?!Sepse janë njësoj si kuksianët subjekt i grabitjes së dyfishtë të Edi Ramës; mbledh taksa, por këto taksa nuk i çon për arsyet që i mbledh, as për mirëmbajtje rrugësh, as për shkolla të reja, as për spitale të reja, i çon për inceneratorët e Arben Ahmetajt, i çon për milionat që merr Vilma Nushi. Asnjëri prej tyre nuk bën punë. Për Vilma Nushin, falsifikohen formularët dhe checkohen të vdekurit. Për 25 milionë euro në vit që merr Arben Ahmetaj, po bëhet gati të sjellë plehrat e Italisë”, tha Basha.

Kreu i PD dënoi faktin se, Rama i grabit dyfish shqiptarët dhe pastaj iu bie dyfish me kërbaç dhe reagimi i tyre në Kukës dhe reagimi i tyre në mbarë Shqipërinë është reagim kundër padrejtësisë dhe grabitjes. Basha tha se, kjo është padrejtësia e dyfishtë, ku kriminelët, ata që bëjnë drogën, politikanët e korruptuar, politikanët e lidhur me krimin bredhin të lirë, ndërsa njerëzit që çohen dhe protestojnë për të drejtat e tyre, që çohen dhe protestojnë kundër grabitjes dhe padrejtësisë, terrorizohen. “Me paratë e shqiptarëve nuk u shërbejnë shqiptarëve. Ndaj dhe kjo është në radhë të parë një reagim dhe kryengritje qytetarësh kundër grabitjes së dyfishtë që i bën Edi Rama dhe banda e tij e hajdutëve dhe oligarkëve që ndan këto para. Së dyti, është një reagim ndaj padrejtësisë së dyfishtë. Një javë i la kohë me Prokurorinë dhe Policinë e tij, Arbër Çekajt, të arratisej megjithëse kishte sjellë 180 milionë euro kokainë në Portin e Durrësit. Saimir Tahiri iu dha makinën trafikantëve të drogës dhe është kapur në përgjimet e Antimafies, bredh i lirë dhe i lirë bredh edhe Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, i dënuar si trafikant ndërkombëtar droge. Të lirë janë Habilajt, Balili dhe dhjetëra kriminelë, por iu turri policinë familjeve më të varfëra të Shqipërisë. Në mes të natës, arrestoi 23 kryefamiljarë. Pse?! Sepse protestuan për mbijetesën e tyredhe fëmijëve të tyre. Kjo është padrejtësia e dyfishtë. Kriminelët, ata që bëjnë drogën, politikanët e korruptuar, politikanët e lidhur me krimin bredhin të lirë, ndërsa njerëzit që çohen dhe protestojnë për të drejtat e tyre, që çohen dhe protestojnë kundër grabitjes dhe padrejtësisë, terrorizohen”, u shpreh Basha.

Thirrja e Bashës: Asnjë qytetar dhe biznes të mos paguajë taksat
Asnjë qytetar dhe asnjë biznes të mos paguajë taksat. Ka qenë kjo, thirrja e përsëritur e kreut të PD drejtuar të gjithë qytetarëve si shenjë e revoltës ndaj vjedhjes që Rama u bën në xhepat e çdo familjeje shqiptare. “Pse ushtrohet ky terror?! Ky terror ushtrohet që të mos ngrejnë zërin, që ti bëjnë shembull para shqiptarëve dhe kjo është mendësia e diktatura, kur iu afrohet fundit. Prandaj kam bërë thirrjen e djeshme për mosbindje qytetare, që do të thotë refuzim i padrejtësisë, refuzim i grabitjes. Po, do të thotë të mos paguajnë taksat e rritura. Është një thirrje ndaj sipërmarrjeve të vogla të mos e paguajë TVSH-në, sepse këto taksa nuk shkojnë për qytetarët. Këto taksa vidhen dhe shpërdorohen nga Edi Rama dhe banda në pushtet. Ndaj e përsërish këtë thirrje; mos paguani taksat. Nuk ka çfarë t’u bëjë. Nuk arreston dot të gjithë popullin. Kjo është rruga për t’ju kundërvënë grabitjes së dyfishtë dhe padrejtësisë së dyfishtë. Dhe në këtë rrugë dhe në çdo veprim që qytetarët do të ndërmarrin, opozita do të jetë tërësisht dhe në të gjitha format dhe mënyrat në krahun e tyre siç jemi sot në krahun e qytetarëve kuksianë, siç jemi sot në krahun e atyre 23 të arrestuarve që protestuan për fëmijët e tyre dhe për mbijetesën e tyre, që duhet të lirohen menjëherë”, tha kreu i PD. I pyetur nga gazetarët se kur do të fillojnë protestat, Basha u shpreh: “Protestat kanë filluar”.

Vasili: Protesta në të gjitha rrugët e vendit

“Nuk ka vendim për bojkot të Kuvendit, por do tëketë protesta në të gjithë vendin”. Kështu u shpreh kryetari i Grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, pak minuta më parë. Vasili është shprehur se protetat do tëkenë karakter ekonomik dhe shoqëror e do shtrihen në të gjithë vendin.
“Do të ketë protesta me fokus ekonomik dhe shoqëror në të gjithë vendin. Nuk ka vendim për bojkot të Parlamentit. Ky është një sistem skllavërues taksash. I ka kritikuar edhe FMN, ka qenë një politikë e gabuar që ka dëmtuar dhe shkatërruar të varfërit dhe ka ndihmuar oligarkët. Shqipëria është vendi i parë në Europë për emigracionin e moshës 7-17 vjeç. Kjo është tragjedia më e madhe që po përjeton ky vend. Është raportuar sipas organizatave ndërkombëtare, sipas Zërit të Amerikës”, u shpreh Vasili.
Po kështu është njoftuar nga opozita se protesta e parë do të jetë ditën e enjte, ku do të bllokohen 4 akse kryesore në vend.

Taksat nga 1 prilli, rëndojnë tek qytetarët
Nga 1 prilli ka nisur zbatimi i dy ndryshimeve të forta fiskale: përfshirja e biznesit të vogël me xhiro vjetore mbi 2 milionë lekë në skemën e TVSH-së dhe formula e re e taksës së ndërtesës, e cila do të aplikohet mbi vlerën e pronës. Profesori i ekonomisë Adrian Civici thotë se, taksat do rëndojnë mbi qytetarët. “Kanë efekte rënduese për qytetarët sidomos taksa e biznesit të vogël, për faktin, sepse akoma ekziston një shkallë e lartë informaliteti, besoj se institucionet tona fiskale nuk janë akoma të përgatitura për t’iu përgjigjur me eficencën e duhur mbledhjes së kësaj takse”, thotë Civici, raporton TCH.
Sipas Civicit, rreziku i shtrirjes së biznesit të vogël në skemën e TVSH qendron edhe në rritjen e informalitetit. “Duke parë edhe kostot në nivelin e rentabilitetit mënyrën sesi fuksionon biznesi mikro dhe biznesi i vogël në Shqipëri mendoj, që kjo taksë përveç se do të jetë një rëndesë për koston e këtij biznesi do tëkrijojë dhe shumë probleme për domosdoshmërinë për të qenë të formalizuar dhe korrekt me ligjin dhe me rregullin fiskal”, vijon eksperti. Barrë për qytetarët do të jetë dhe zbatimi i formulës së re për taksën e pronës thotë profesori i ekonomisë.
“E vënë bashkë me një sërë taksash të tjera, kjo mund të krijojë të ardhura në buxhet, mund të disiplinojë në një farë mënyre dhe tregun imobiliar, por për një kategori të caktuar sociale, natyrisht që do të ketë rëndesë në buxhetet familjare dhe në nivelin e jetesës së tyre”, tha Civici. Vetëm nga taksa e re e pronës parashikohet që të ardhurat në buxhetin e shtetit të rriten miliona euro, para këto që do të paguhen nga qytetarët shqiptarë.

 

Saimir Tahiri i lirë, nën arrest banorët e Kukësit që kundërshtojnë gjobvënien e Ramës

Në Tiranë është mbajtur përsëri një protestë nga qytetarë kryesisht nga Kukësi dhe familjarë të personave të ndaluar që dyshohen se janë të përfshirë në përplasjet me forcat e policisë në protestën e mbajtur kundër tarifave në "Rrugën e Kombit". Protesta është zhvendosur në Tiranë për shkak se disa prej të ndaluarve janë dërguar në Drejtorinë e Policisë Tiranë pasi u ndaluan nga Policia e Kukësit. ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Si e mendojnë të rinjtë, mënyrën e të funksionuarit të drejtësisë për “Çështjen Tahiri”?Kjo temë u diskutua në selinë e Partisë Demokratike me studentë të ekselencës së Fakulteteve të Drejtësisë.Sekretari i Grupit parlamentar Ervin Salianji bashkëbisedoi me të rinjtë, një pjesë e madhe e të cilëve, vizitonte për herë të parë selinë e PD-së.
“Mafia në pushtet po përdor Shqipërinë si pronë personale pa respektuar Kushtetutën e vendit”, tha Salianji, dhe rinia shtoi ai, ka qëndrimin e saj se ku po shkon Shqipëria sot.Rasti konkret i bandës së Habilajve dhe lidhjes së ngushtë të tyre me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, ishte referimi i z.Salianji.“Një grup i strukturuar kriminal, është kapur nga antimafia italiane, me më shumë se 2 mijë faqe përgjim. Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar tre prej drejtuesve të policisë në Vlorë, Drejtorin e Policisë, Shefin e Antitrafiqeve, Shefin e Antidrogës, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, kanë strukturuar këtë grup. Prokuroria ka nisur hetimin ndaj këtij grupi. Partia Demokratike ka denoncuar vite më parë se Saimir Tahiri ishte personi që mbante kontakte me mafian, me rekorde të rënda kriminale, për interes të Partisë Socialiste dhe Edi Ramës. Pas fitores së zgjedhjeve, si një projekt politik për të kapur pushtetin nëpërmjet bandave dhe krimit dhe për ta ndarë pushtetin me ta, Saimir Tahiri emërohet përfaqësues i bandave në qeveri dhe ,inistër i Brendshëm i Edi Ramës dhe i qeverisë.

Si përfaqësues i një bande, ai shkarkoi brenda një dite, të gjithë drejtuesit e policisë. Të 12 drejtorët nëpër qarqe dhe po në kundërshtim me ligjin, emëron ose persona partiak, të aktivizuar në PS, ose persona me preçedentë penalë, të cilët ishin larguar edhe nga ministra socialistë në qeveritë e mëparshme. Ai emëron drejtuesit e tij, me precedentë penalë, në çdo qark dhe emëron personat e kontaktit për të mbajtur lidhje me bandat ku drejtuesi kryesor është kryeministri, për katër vite, Shqipëria u mbush si kurrë më parë, me drogë”.
Deputeti Salianji theksoi se, bandat shfrytëzonin fshatarët e zonës, të cilët paguheshin deri në 1 mijë lekë të reja. Në katër vite, theksoi Salianji, nuk ka pasur asnjë ndërhyrje nga shteti shqiptar, çka provon se ky ishte një projekt i vendosur më parë nga Edi Rama.Studentët e ekselencës cituan Kushtetutën: “Ligji është i barabartë për të gjithë”.
Frenkli Lazimi student për drejtësi, tha se sot në Shqipëri, ligji nuk është i barabartë për të gjithë, sepse njerëz me pushtet nuk janë para ligjit, ndërsa njerëzit e thjeshtë janë të parët që duhet të japin llogari.Zhuljeta Mena studente e ekselencës tha se: “Ne jetojmë në një vend paradoksal, ku zyrtarë të lartë të shtetit nuk dënohen pavarësisht shkallës shumë të lartë të rrezikshmërisë shoqërore, ndërkohë që ne shohim qytetarë që mund të bëjnë një shkelje dhe dënohen”.Studentët gjithashtu u njohën se si funksionon i gjithë rrjeti i krimit në Shqipëri dhe pasojat që po sjell ai në shoqërinë dhe ekonominë e vendit.

Vetëm bashkimi dhe reagimi largon Aleancën e Qelbësirave

Kastriot ISLAMI

Shqiptarët e Veriut dhe të Kosovës që protestuan kundër taksës antikombëtare të “Rrugës së Kombit” duhen mbështetur nga të gjithë qytetarët e ndershëm. Ka ardhur momenti që të gjithë qytetarët e ndershëm të veprojnë të bashkuar dhe masivisht. Vetëm bashkimi dhe reagimi masiv është mënyra e vetme për të larguar paqësisht Aleancën e Qelbësirave.
Sepse shqiptarët e ndershëm, Rama i ka varfëruar, i ka lënë papunë, i ka nxitur të largohen nga vendi, i ka vjedhur votat, i ka burgosur në dhunim të ligjit për dritat, i ka rënduar në ekstrem të papërballueshëm taksat, i ka mashtruar, e tjerë e tjerë dhe më së fundmi i ofenduar duke i cilësuar si “organi seksual që nuk ngrihet dot”.
Veriorët dhe kosovarët, të parët dhanë kushtrimin e shpresës, përmes një reagimi paqësor dhe një kërkese paqësore kundër taksës antikombëtare të “Rrugës së Kombit”. Por ata në thelb reaguan paqësisht edhe kundër taksës që shërbeu për të derdhur gotën e mbushur plot nga një mori prapësish të tjera të kësaj Aleance të Qelbësirave.
Pra ata në thelb filluan të reagojnë dhe të tregojnë se në Shqipëri ka shpresë, ka ndjenjë reagimi, se shqiptarët e ndershëm janë të gatshëm të ngrihen kundër pandershmërisë, kundër Aleancës së Qelbësirave, kryetari i së cilës është Rama, që pasi i kishte ofenduar e kërkonte t’i nënshtronte duke i taksuar, duke i goditur me shkopa e plumba gome, duke i gjakosur dhe arrestuar, i konsideron vandalë dhe po përpiqet t’i izolojë nga revolta masive që zjen brenda çdo shqiptari të ndershëm. Prandaj duhet një bashkim i qytetarëve të ndershëm.

***
Ky bashkim duhet të jetë qytetar, mbarëkombëtar pa dallime partiake dhe pa synime politike. Ky bashkim mbarëkombëtar i qytetarëve të ndershëm ka për mision:
të kthehet në një bashkim të qytetarëve të ndershëm, që ndonëse me bindje të ndryshme, kanë shqetësime të përbashkëta, janë njëlloj të varfër, njëlloj të papunë, njëlloj të ngarkuar me taksa, njëlloj të përzënë nga vendi, njëlloj të ofenduar, të goditur, të burgosur, të arrestuar… ;
të largojë urgjentisht Aleancën e Qelbësirave dhe pjellën e saj Rilindjen;
të largojë sa më shpejt Aleancën e Qelbësirave që mban në pushtet me votat e blera Rilindjen e “korrupsionit, krimit dhe narkotrafiqeve”;
të konsolidohet si një bashkim i qytetarëve të ndershëm që janë dhunuar, poshtëruar, ofenduar nga Rama që është drejtuesi i Aleancës së Qelbësirave dhe së fundmi rrëmbyer nga shteti policor i Rilindjes.
të hedhë me neveri në plehra talljet, ofendimet dhe etiketimet denigruese e Ramës për çdo verior, kosovar apo shqiptar në përgjithësi, Rama në krye të Aleancës së Qelbësirave i ka bërë dhe po vazhdon me kokëfortësi më së fundmi edhe t’i përçmojë se nuk janë në gjendje të reagojnë e ti etiketojë si vandalë;

të mbështesë më së pari veriorët dhe kosovarët, që Rama i gjakosi, arrestoi dhe dhunoi, duke përdorur mekanizmat e mjetet policore dhe kriminelë të veshur me pushtet që drejtojnë Aleancën e Qelbësirave.
urgjentisht të mbështesë veriorët dhe kosovarët, sepse ata nuk u ngritën vetëm për interesin e tyre të ngushtë, ata ishin të parët që goditën në zemër Aleancën e Qelbësirave nga qyteti simbol i mikëpritjes të të dëbuarve nga regjimi i Milosheviçit;.
t’i japë goditjen e merituar dhe fatale bartësve të “korrupsionit, krimit dhe narkotrafiqeve” që janë gjeneralët e Aleancës së Qelbësirave.
të godasë klanin mafioz që po përçan shqiptarët dhe po përgatitet të fusë vendin në trazira e përplasje, sepse kështu tentohet t’i zgjatet jeta në pushtet Aleancës së Qelbësirave.
të shporrë të gjithë blerësit e votave e kërcënuesit e votuesve; sepse aty ka filluar ngjitja në pushtet e Aleancës së Qelbësirave dhe pikërisht aty qëndron edhe “forca” e saj për të tjetërsuar rezultatin zgjedhor;
të largojë nga pushteti të gjithë oligarkët që janë të lidhur me Ramën dhe që pasurohen dhe furnizojnë me para të dyshimta Aleancën e Qelbësirave;
të shkatërrojë lidhjen e krimit me shtetin, sepse me paratë dhe forcën e krimit ushqehet Aleanca e Qelbësirave dhe Rilindja;
të shporrë shkaktarët e papunësisë e të varfërimit të tyre, që drejtojnë Aleancën e Qelbësirave, sinonim i “korrupsionit, krimit dhe narkotrafiqeve”;
të shkatërrojë kapjen e shtetit, të medias, të Shoqërisë Civile nga Aleanca e Qelbësirave dhe Rilindja;
të largojë nga Parlamenti kriminelët e administrata publike, të paarsimuarit, sharlatanët që janë përfaqësuesit e Aleancës së Qelbësirave të emëruar nga Rama.
të shpëtojë vendin nga e Keqja që është bërë Model Suksesi dhe kërcënon të zbrazë Shqipërinë.

Absurdi i shifrave të privatizimit të “Rrugës së Kombit”

Fillimisht shqiptarët paguan për “Rrugën e Kombit” taksën “Majko”. U mblodhën 250 milionë euro, por nuk u ndërtua asnjë metër rrugë.
Taksa vjetore që shqiptarët paguajnë për mirëmbajtjen e rrugëve llogaritet sipas zv.ministrit të Ramës në 470 milionë euro në vit, por asnjë euro e vetme nga këto që paguhen nuk ka shkuar gjatë këtyre 5 viteve për të ndërtuar qoftë edhe një kilometër rrugë apo për të mirëmbajtur një rrugë.
“Rruga e Kombit” përllogaritet sipas qeverisë aktuale se ka kushtuar 1.2 miliardë dollarë dhe ka bashkuar fizikisht Shqipërinë me Kosovën.

Ministrat e Ramës thonë se do të marrin nga xhepi i taksapaguesve edhe 220 milionë euro të tjera për vetëm katër ura që sipas tyre do të ndërtohen në segmentin e mbetur, një shifër e fryrë sipas qejfit të Kryeministrit-vizë.
Më e bukura vjen në fund. Pasi nuk kanë mjaftuar rreth 2.5 miliardë dollarë në total për ndërtimin dhe mirëmbajtjen vjetore të “Rrugës së Kombit” të paguara nga shqiptarët, Rama i vendos edhe pagesën e fundit përmes koncesionit prej 10 eurosh vajtje-ardhje. Shuma që duhet të paguajnë vetëm për këtë koncesion të Ramës arrin shifrën e rreth 400 milionë eurove për 35 vitet e ardhshme.
Pra, e përllogaritur ndryshe. Vetëm për taksat e vendosura nga Rama dhe bashkë me taksën Majko, shqiptarët kanë paguar dhe duhet të paguajnë plot 1.34 miliardë euro. Më këto shuma do ndërtohen vetëm 4 ura.
Ndërkohë për të gjithë “Rrugën e Kombit” janë shpenzuar për ndërtimin e saj 1.2 miliardë dollarë.
E thënë ndryshe; sa lirë na ka kushtuar ndërtimi i kësaj rruge dhe sa shtrenjtë privatizimi i saj nga Rama.

Kronologjia e një revolte

Më 28 mars, qytetarët e Kukësit njoftuan zhvillimin e një proteste të madhe më 31 mars, kundër vendosjes së tarifave për përdorimin e rrugës Milot-Morinë, si pjesë e një marrëveshjeje koncesionare që do t’i kushtojë taksapaguesve shqiptarë rreth 66 milionë euro. Tarifa për autoveturat prej 5 eurosh për një segment prej 115 km e bën autostradën Milot-Morinë më të shtrenjtën në Evropë. Kukësi, nga ana tjetër është rajoni më i varfër i Shqipërisë, e cila është po ashtu një nga shtetet më të varfëra të Evropës.
Në seancën plenare të një dite më pas, Kryeministri Rama iu përgjigj ashpër thirrjes për protestë, duke deklaruar se populli shqiptar është i pafuqishëm për “t’u ngritur”:
“Nuk mundet dot ju të bllokoni asgjë dhe të pengoni asgjë. Për më tepër, kur fillojnë ato kërcënimet, “shiko se do ngrihen këta dhe do ngrihen ata”. Kjo e ngritjes është “thirri, thirri të të ngrihet, ai i shkreti kokulur s’të përgjigjet dot”.
Deklaratat e Edi Ramës u komentua gjerësisht në median sociale.
Një protestë e parë, më e vogël në përmasa, u zhvillua më 30 mars, nga tregtarë dhe qytetarë, nga Kosova e Shqipëria. Tregtarët kundërshtuan vendosjen e tarifave dhe thanë se, në tregti do të ketë pasoja negative; rritje të shpenzimeve të tregtarëve dhe rritje të çmimeve për klientët.

Një ditë më vonë, të shtunën, më 31 mars, rreth orës 10:40, qindra protestues u mblodhën para kabinave me pagesë të ndërtuara në dalje të tunelit në “Rrugën e Kombit”, e vetmja rrugë funksionale që lidh rajonin verilindor të Shqipërisë me Kosovën dhe pjesën tjetër të vendit.
Forcat e policisë, me qëllim për të mbrojtur kabinat ku bëhen pagesat, godisnin me shkopinj gome këdo protestues që tentonte të afrohej. Protestuesit u përgjigjen, duke goditur me gurë drejt policëve, të cilët më pas u detyruan të tërhiqen. Rreth orës 11:30, protestuesit arritën të çanin kordonin e policisë dhe i vunë flakën kabinave.
Sipas ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, 12 oficerë policie, përfshirë drejtorin e Policisë së Kukësit, Parlat Vatoci, u plagosën. Ndërkohë deputeti i LSI Petrit Vasili, foli për më shumë se 100 protestues që ishin plagosur nga përleshjet me policinë.
Në 12:39, Kryeministri Edi Rama bëri deklaratën e parë për protestën, në Facebook, duke i akuzuar qytetarët për “dhunën barbare ndaj pronës së përbashkët”. Shumë nga komentuesit i kujtuan Kryeministrit se në të vërtetë ata po mbronin pronën publike kundër taksës abuzive të vendosur nga koncesionari privat, me mbështetjen e shtetit.

Forcat speciale u nisën nga Tirana për në Kukës dhe protestuesit u shpërndanë rreth orës 14:30. Në orën 14:38, Rama shkroi në Facebook se do të jepte një deklaratë të drejtpërdrejtë në orën 19:00 në kanalin televiziv të tij, ERTV.
Gjatë deklaratës, përpara kamerave ishte një Kryeministër i shqetësuar, që i merrej fryma dhe mezi ishte në gjendje të mbajë veten. Kryeministri, për herë të parë, përmendi se përdoruesit e shpeshtë të autostradës nga zonat aty pranë do të paguanin një çmim të reduktuar, ndonëse nuk përmendi asnjë shifër konkrete. Rama po ashtu, bëri dallimin mes “njerëzve të vërtetë” të Kukësit dhe “agjitatorëve nga Tirana”, të cilët me sa duket kishin udhëhequr protestën. Kryeministri gjithashtu i përjashtoi menjëherë nga partia të gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak të PS që mbështetën protestën.
Gjatë mesnatës së 1 prillit, 19 persona u arrestuan nga policia për pjesëmarrje në protestë. Gjatë ditës, më 1 prill, Avokati i Popullit deklaroi se arrestimet ishin bërë në mungesë të dokumenteve të rëndësishme, përfshirë edhe urdhër-arrestet dhe se shumë prej të burgosurve nuk ishin ushqyer ose ishin lënë pa ujë për më shumë se 12 orë.

Për më tepër, dokumentet ekzistuese mbi të cilët janë bërë arrestimet, përmbanin informacione të gabuara. Zyra e Prokurorisë, po ashtu, nuk ka mundur t’i vërtetojë Avokatit të Popullit se zotëron urdhrat origjinalë të arrestit.
Në median sociale dhe intervistat në rrugë, arrestimet e paligjshme në mesnatë u krahasuan me momentet më të errëta të diktaturës komuniste.
Në orën 11:00, ERTV transmetoi një konferencë të Kryeministrit Rama me gazetarët, nga ku Rama njoftoi se brenda 60 ditëve qeveria do të shpallë tarifat speciale për përdoruesit e shpeshtë, banorët e zonës dhe më pas, do të nisë një fushatë informacioni. Ai fajësoi “dezinformimin” dhe “manipulimin” nga media dhe opozita për ngjarjet e një dite më parë. Megjithatë, shumica e mediave shqiptare janë në duart e oligarkëve pranë Kryeministrit.
Ndërkohë, qytetarët dhe aktivistët e Shoqërisë Civile u mblodhën në drejtoritë e ndryshme policore në Tiranë, ku protestuesit e sjellë nga Kukësi, po mbahen të burgosur për akuza ende të panjohura. Shumë protestues, familjarë dhe miq të të burgosurve, qëndruan gjatë natës në Tiranë dhe protestat vazhduan dhe më 2 prill.
Më 2 prill, policia ngriti padi kundër 8 prej aktivistëve të Shoqërisë Civile që protestuan përpara stacioneve të policisë, për “zhvillim të protestave të paligjshme”. Një studiuese amerikane u arrestua, pasi po filmonte protestën.
Sot, më 3 prill, protestuesit nga Kukësi kanë seancën e parë të gjyqit në Gjykatën e Shkallës së Parë në Kukës.