31.5 C
Tirana
E hënë, 16 Qershor, 2025

Drita që duhet të shohim në hyrje të tunelit

Sokol Gjoni

Protesta e banorëve të Kukësit në hyrje të tunelit të Kalimashit, e nxitur nga taksimi që iu bë “Rrugës së Kombit”, përveçse një shkundje e rehatisë, me të cilën Edi Rama mendonte të qeveriste pa pyetur qytetarët për vendimmarrje që cënojnë rëndë interesat e tyre, është dhe një ogur i mirë për diskursin politik të vendit.
I shpërfaqur në disekulibër me standardet e demokracisë dhe me një disbalancë arrogante me institucionet kushtetuese, Edi Rama, ia kishte arritur të ravijëzohej si një kryeministër prepotent, që shpërfill çdo gjë dhe gjithçka në përmbushje të synimeve të tij.
Manifestimi qytetar dhe reagimi demokratik i banorëve të Kukësit, vuri në pozita dihatëse kryeministrin e vendit, i cili nën efektin e përllogaritjeve të gabuara të optikës së situatës, nxitoi t’i konsideronte barbarë.
Tashmë, kur ngjarjet kanë eskaluar në trajektore përplasjesh dhe konfrontimesh, dhe revolta qytetare pritet të shtrihet anëkënd Shqipërisë, opozita e vendit duhet të kanalizojë energjitë e saj dhe të marrë përsipër rolin e udhëheqjes së shqiptarëve drejt largimit sa më parë të kësaj qeverie të zhytur në batakun e krimit, të drogës dhe të korrupsionit.

Gjuha e përdorur nga kryeministri së fundi, ndaj qytetarëve të tij, me cilësime dhe perifrazime të padenja, janë sosja e durimit dhe rruga e pakthimtë e shqiptarëve, në betejën e fateve të kombit, ku nuk mund të ketë asnjë mëdyshje tjetër përveçse largimin e Edi Ramës dhe të shpurës së tij qeverisëse.
Të zhuritur, të zhvatur dhe të nëpërkëmbur nga politikat ekonomike klienteliste të qeverisë, qytetarët shqiptarë nuk mund të presin pafundësisht eksperimente qeverisëse, të cilat po e rrëzhitin jetën e qytetarit dhe po e bjerrin perspektivën e tij.
Kukësi, ishte kushtrimi që u lëshua ortekshëm nga Alpet dhe si një jehonë do të përcillet shesheve të vendit për të kumbuar me lëvizjen e shpresës dhe të besimit qytetar.
Aty, te tuneli i Kalimashit, u ngjiz një lëvizje shpresëdhënëse, një barrikadë qytetare ndaj babëzitjes qeveritare, një fanar që i jep shkëndija ndriçuese reagimit mbarëpopullor.
Le të shërbejë ky tunel, dhe porta e tij hyrëse si një konvencion dantesk për ferrin e Edi Ramës, nëse ai nuk e lexon siç duhet mesazhin mbarëpopullor të lëshuar në trajtën “Njih veveten” dhe Largohu!

Pse u zgjodh Kukësi

Frrok ÇUPI

Nuk mund të fajësoj askënd që ka menduar se ‘kështu ndodhi… ata që u shtypën më fort, ata u çuan më këmbë!”. Kjo është pamja më e afërt; sigurisht e vërtetë.
Por Kukësin nuk e zgjodhën kuksianët për ta vënë në ‘sininë’ e Sulltanit. Kukësin e zgjodhi një dorë shumë e fshehtë, dhe po kaq e dallueshme. Tani ndodhemi para dilemës: O Kukësi merr fund, o dora që zgjodhi Kukësin ka punë me kombin shqiptar!…
Ja pse u zgjodh Kukësi për kokën në ‘sini’:
1.
Kuksianët duhet të vihen në morsë dhe të detyrohen që të lënë atdheun. Vendi ku jetojnë është një nga pjesët me pasurinë më kolosale në Ballkan; është si një “Trepçe’ e Kosovës. Rezervat minerale të hekur-nikelit (metali nga më të kushtueshmit në Bursën Botërore) janë kolosale, rreth 400 milionë tonë. Vetë Kanadaja do ta kishte zili. Rezervat energjetike të vendit dhe një pjese të Ballkanit, burojnë nga liqeni i Kukësit, ku janë përmbytur mijëra hektarë dhe banesa të këtyre njerëzve. Por këta janë njerëzit më të varfër në vend; mijëra janë burgosur vetëm pse nuk kanë mundësi të paguajnë energjinë elektrike që e prodhojnë vetë. Nëse këta njerëz të varfër nuk dëbohen nga trojet e tyre, atëherë krijojnë dy probleme: I pari, si malësorë antikomunistë dhe të varfër-mbeten ‘bombë për qeverinë. I dyti, se po të qëndrojnë këta ‘pabuksa’ në trojet e tyre, atëherë do t’i mbeten nëpër këmbë mafies që po ngulet në zonë për të rrëmbyer pasuritë.

2.
Kukësi është zona patriotike e vendit; aty i ka rrënjët Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, aty u strehua populli i dëbuar i Kosovës në tragjedinë e vitit 1999… As lideri serb Vuçiq, as lideri shqiptar Rama, nuk e shikojnë me sy të mirë bujarinë e kuksianëve që strehuan 500 mijë kosovarë të larguar nga lufta. Po të mos hapte kufijtë Kukësi në mars-prill 1999, atëherë do të krijohej zona ‘tampon’ në Prizren; ose Millosheviç do t’i shuante të gjithë; ose Amerika do të detyrohej të hiqte dorë nga ideja për Pavarësinë e Kosovës. Fajtori pse u arrit Kosova e pavarur, mbetet Kukësi. Tani ka ardhur koha për hakmarrje ndaj banorëve të tij.
3.
Bllokimi i Kukësit tani do të thotë ndarje e Shqipërisë që nga Ura e Matit e deri në Mitrovicë, duke krijuar një shtet kosovar të cunguar. Kosova bëhet e cunguar për dy arsye: E para, se nuk ka më frymëmarrje me Shqipërinë. E dyta, se sipas marrëveshjes Thaçi-Rama-Vuçiq, këtu nis shkëmbimi i territoreve. Sipas projektit, në llogari të Serbisë kalon Veriu i Mitrovicës dhe Presheva… Justifikimi kryhet përsëri duke përdorur Kukësin. Para çdo tribune, Thaçi dhe Rama do t’i shpjegojnë Kosovës: “Ju hoqëm Preshevën dhe Mitrovicën, por iu dhamë Kukës, Tropojë e Has…”. Në projektin për bllokimin e lëvizjes Kosovë-Tiranë- Durrës dhe Kukës-Durrës-Tiranë, është jo thjesht taksa (që nuk mund të paguhet), por shkëmbimi i territoreve.

4.
Bllokimi i Kukësit po kryhet për llogari të disa faktorëve ndërkombëtarë dhe me qëllim që të spostohen Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kukësi i tjetërsuar i jep shans të ri autokratit turk Erdogan që të thellojë influencat në rajon. Sipas tij, Kosova ndodhet në kthetrat ‘Erdogan’. Duke shtuar edhe Kukës, Tropojë e Has, zgjerohet territori i influencës. Aq më tepër që Turqia gjen një dalje më afër Adriatikut. Por vihet në eficiencë edhe investimi i mëparshëm i ‘Sulltanatit’- Aeroporti i Kukësit. Këtu, në një rast ekstrem, avionët turq mund të kërcënojnë këdo në rajon,ose edhe Europë.
Shtetet e Bashkuara nën Presidentin Trump-sipas projektit-spostohen nga rajoni. Janë dy mënyra për të spostuar: Njëra: duke rritur influencën turke, e, pas saj-ruse. Tjetra: duke zvogëluar territorin e kontrolluar nga qeveria sorrosiane e Tiranës, bëhet më i lehtë manipulimi i zgjedhjeve dhe qëndrimi në pushtet për një periudhë shumë të gjatë…
Kukësi është zgjedhur, nuk është ndodhur papritur në syrin e ciklonit.

260 milionë euro do të fitojë koncesionari me “Rrugën e Kombit”

Sipas parashikimeve nga kontrata për koncesionin e segmentit Milot-Morinë, të ardhurat e kompanisë pritet të jenë rreth 400 milionë euro gjatë 30 viteve nga të cilat rreth 338 do të financohen nga taksat dhe 61 milionë euro si subvencion për trafikun e munguar (shiko tabelën).
Sipas tabelës, në dhjetë vitet e para pritet që të merren nga trafiku i garantuar mes 8.5-10 milionë euro në vit. Përveç këtyre të ardhurave koncesionari do të marrë mesatarisht midis 1.5-1.7 milionë euro në vit nga buxheti për kompensim të trafikut të munguar (shiko tabelën: Tabela: Parashikimi i të ardhurave nga taksa e përdorimit të rrugës).
Pas vitit të dhjetë pritet që të ardhurat vjetore nga trafiku i garantuar të rriten, në 10-14 milionë euro në vit. Në rritje do të jetë dhe kompensimi midis 1.7 deri në 2.7 milionë euro në vit.
Deri në fund të koncesionit, pas 31 vitesh, kompania ka të garantuara 400 milionë euro të ardhura, pasi nëse nuk i merr direkt nga trafiku, do i marrë nga buxheti. Mbi këtë shumë, ajo do të ndajë gjysmën e të ardhurave.
Të ardhurat parashikohen në rritje vit pas viti, duke supozuar trafik më të lartë, por nëse tarifa do të ndikojë në uljen e trafikut, barra do të bjerë mbi buxhetin, që do të duhet ta kompensojë atë.
Në kontratën e koncesionit, lidhja me të dhënat e trafikut nuk është publikuar. Sipas studimit të IFC–së që dha konsulencë për koncesionin, gjatë periudhës mars 2014-mars 2015 lëvizën rreth 5000 automjete në ditë. Supozohet se me hyrjen në fuqi të koncesionit, lëvizja e automjeteve do të bjerë dhe qeveria do të financojë koncesionarin nga taksat e tjera të shqiptarëve, të cilat shkojnë në minimalisht 5 milionë euro në vit dhe maksimumi deri në 13 milionë euro. Por, nëse trafiku do të jetë mbi kufirin e supozuar nga IFC 5000 automjete në ditë, kontrata parashikon që fitimet e koncesionarit të ndahen përgjysmë me qeverinë.
Gjithashtu, kontrata ka paqartësi në lidhje me nivelin e investimeve, pasi në krye të saj, thuhet se do të investohen 40 milionë euro dhe më poshtë në brendësi të saj kur janë shpenzimet më të detajuara, vlera e punimeve llogaritet 100 milionë euro.

Sa fiton koncesionari?
Korporata Financiare Ndërkombëtare konsultente e qeverisë për koncesionet llogarit se për mirëmbajtjen e “Rrugës së Kombit” duhen shpenzuar 45.6 milionë euro, ndërsa në kontratën e koncesionit të miratuar nga qeveria, investimet nuk rrumbullakosen as në 40 milionë euro.
IFC llogariti se vlera mbi 45 milionë euro e investimit përfshin 15 milionë euro për urën e re në hyrje të qytetit të Kukësit, rreth 11 milionë euro për karrexhatat anësore, ndërprerja e kalimeve të paligjshme me 6,5 milionë euro, masat mbrojtëse të mjedisit 3 milionë euro, ndërtimi i sistemeve të pagesës 2.5 milionë, ndërsa ndriçimi dhe përmirësimi i masave të sigurisë, 7.3 milionë euro.
Koncesionari do të jetë përgjegjës për ndërtimin e urës së re të Kukësit, deri në fund të vitit 3 të periudhës së koncesionit. Ndërsa koncesionari do të jetë përgjegjës për përgatitjen e projekteve përfundimtare të detajuara. Shpronësimi potencial i kërkuar deri në 3 hektarë tokë, kërkon zhvendosjen e 5 familjeve.
Gjithashtu koncesionari do të investojë më pak fonde se rekomandimi i IFC-së. Mirëmbajtja rutinë gjatë gjithë periudhës së koncesionit do të kushtojë 199 milionë euro sipas studimit të IFC. Nga kjo shumë, 148 milionë euro janë shpenzime për mirëmbajtjen rutinë dhe 50.8 janë për mirëmbajtjen rutinë.
Ndërsa në kontratën që është në zbatim, vlera e investimit në mirëmbajtje për të gjithë periudhën e koncesionit është 14 miliardë lekë, pak më shumë se 100 milionë euro. Në total shpenzimet e koncesionarit do të jetë 140 milionë euro, ndërsa të ardhurat nga pagesat për të gjithë periudhën e koncesionit kalojnë minimalisht 400 mln euro. Në total, koncesionari fiton 260 milionë euro për 30 vite.

“Monitor”

Basha: Nuk do të marrim leje për protestat

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, të hënën, në mbledhjen e grupit parlamentar është shprehur se policia nuk arreston Olsi Ramën, Saimir Tahirin, Agron Xhafën, Balilajt e Habilat dhe kriminelët me shokë, por arreston qytetarët e varfër.
Basha tha se nuk ka për të pasur asnjë peticion apo kërkesë zyrtare për të marrë leje për mitingje.
“Le të vijnë t’ju arrestojnë ju, le të arrestojnë deputetët, le të vijnë e të më arrestojnë mua”, tha Basha.
“Ne kemi patur një takim të zgjeruar të opozitës parlamentare dhe të strukturave drejtuese të të gjithë partive opozitare në Shqipëri dhe kemi dalë me një vendim unanim; në krah të qytetarëve shqiptarë. Në krah të njerëzve të thjeshtë të këtij vendi të cilët po goditen, po vidhen, po përçmohen dhe po poshtërohen nga një bandë kriminale në pushtet. Në krah të atyre kuksianëve të cilëve iu grabit buka e fëmijëve dhe buka e gojës me taksën korruptive të “Rrugës së Kombit”.

Në krah të të gjithë shqiptarëve që goditen nga dita e sotme me taksat e reja të rritura mbi pronën, mbi banesat, me tarifat e shumëfishuara për faturat e ujit. Me heqjen e dhjetëra mijërave familjeve nga ndihma ekonomike. Kush kujton se ne e lëshuam këtë kauzë, pasi mbaroi debati në Parlament, e ka gabim. Shqipëria gjendet në prag të një humnere ekonomike dhe sociale. Shkaktari është Edi Rama, i cili sundon në mënyrë ilegjjitime, pasi vodhi zgjedhjet dhe bleu votat me paratë e drogës dhe krimit, vazhdon të qeverisë me bandat dhe banditët dhe një grusht oligarkësh, të cilëve u shet Shqipërinë cope-copë sipas ofertës më të lartë, duke u marrë shpirtin njerëzve të thjeshtë”, tha Basha. Sipas tij, kur ata të fillojnë të sillen si polici e ligjit edhe ne do t’i trajtojmë si polici e ligjit. Nuk kemi nevojë për media, të gjithë kemi Facebook, Smartfonë.Basha: Do të përcaktohen pikat nevralgjike nga ku do të nisë veprimi e do të përshkallëzohet veprimi. Do të thirren qytetarët e do t’u tregohet qartë që ky aksion bëhet për ju dhe vetëm për ju. Ne jemi në krahun tuaj dhe nuk ka rrugë tjetër. Nuk ka mbeturrrugë tjetër përballë kësaj bande në pushtet që shkel Kushtetutëne Ligjin dhe dhunon qytetarët për pushtetin e pasurinë e saj. Nuk ka rrugë tjetër!

Kokëdhima: Rama i tmerruar nga revolta, zemërimi popullor do të rrëzojë qeverinë e zuzarëve

Protestat në Rrugën e Kombit janë zemërimi i popullit të shtypur, të varfër, të braktisur e të harruar. Kështu u shpreh Kryetari i partisë Zgjidhja, ish-deputet i PS-së, Koço Kokëdhima.
Tarifa në Rrugën e Kombit, sipas Kokëdhimës, e vendosur nga qeveria Rama është ndër më të lartat në Europë, sepse reflekton nivelin e lartë të korrupsionit shtetëror.
Duke cituar filozofin John Locke, kreu i “Zgjidhjes” thotë se: “Për sa kohë vazhdon kjo situatë ‘përmbysja e qeverisë nga populli, me anë të kryengritjes n.q.s. është e nevojshme, mbetet një rrugëzgjidhje e legjitimuar’”.
“Rruga e Kombit nuk është një autostradë e zakonshme. Është arteria që bashkon pjesët e kombit tonë të ndara brutalisht e përdhunisht në të shkuarën historike. Ajo nuk mund të trajtohet si një “punë e brendshme” e qeverisë së zuzarëve të Tiranës dhe u përket shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës dhe viseve tona të tjera në Ballkan. Për Rrugën e Kombit duhet të vendoset me transparencë e gjithëpërfshirje, ajo duhet të mbetet rruga e bashkimit të shqiptarëve dhe jo rruga e përçarjes së tyre”, theksoi ai.
Sipas tij, koncesioneve famëkeqe të qeverive të shkuara qeveria e tanishme ua ka kaluar për së keqi në mënyrë të hatashme.

“Nuk kam dashur ta besoj një penë të shquar të gazetarisë ekonomike shqiptare, e cila thotë se kryeministri dhe zyrtarët e lartë janë dy përfitues të barabart? të 30 deri në 40 për qind të të ardhurave të çdo PPP-je që bën kjo qeveri. Populli dhe shteti janë të shitur në çdo negociatë dhe marrëveshje. Këtu sundon tradhëtia, hajdutëria dhe tirania e krimit. Kjo qeveri dhe partitë e vjetra të opozitës, në tërësi institucionet e pushtetit shtetëror nuk përfaqësojnë interesat dhe vullnetin e popullit, por punojnë kundër tyre.
Protestuesit nuk janë barbarë. Asnjë protestues nuk është vandal. Barbarët, vandalët dhe kriminelët janë në krye të shtetit, të partive dhe të qeverisë së Tiranës. Edhe zemërimi i pakontrolluar nuk i bën njerëzit vandalë e barbarë. Qeveria është e tmerruar nga rebelimi i mundshëm i popullit të shtypur e të përbuzur. Rama e kupton se shpërthimi i kuksianëve mund të zgjojë dhe të çlirojë nga frika gjithë popullin. Revolta e tyre është revoltë kundër tiranisë. Protestuesit mund të quhen si të tillë vandalë dhe barbarë aq sa mund të quhen kështu Volteri e Rusoi. Protesta e kuksianëve është një shërbim i madh ngaj popullit tonë për ndërgjegjësimin dhe ngritjen e tij kundër sundimit të elitës së korruptuar që është sjellur me këtë popull më keq se shumica e pushtuesve të huaj në histori”, tha Kokëdhima.

Tabaku: Mirëmbajtja e Rrugës së Kombit mund të mbulohet nga taksa e qarkullimit

“Rrugës së Kombit” i nevojiten vetëm 10 mln euro për mirëmbajtje dhe këto mund të mbulohen nga taksa e qarkullimit”.Kështu u shpreh deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, e cila ka reaguar pas deklaratës së ministrit Damian Gjiknuri për mirëmbajtjen e “Rrugës së Kombit”. Tabaku u shpreh më tej se: “Ministri dhe Kryeministri gënjejnë kur thonë se, mirëmbajtja e rrugëve ka kosto të papërballueshme për buxhetin e shtetit”.
“Rruga e Kombit” ka 5 vite që nuk mirëmbahet, kërkon një buxhet minimal, kërkon vetëm 10 milionë euro në vit për t’u mirëmbajtur kjo rrugë, ndërkohë që këtë gjë nuk e ka bërë qeveria. Sot përsëri gënjyen shqiptarët dhe u thanë që mirëmbajtja e rrugëve kërkon një shumë jashtëzakonisht të lartë, stratosferike për buxhetin e shqiptarëve. Sot përsëri dhe Rama dhe Gjiknuri gënjyen, duke thënë që ky buxhet është i papërballueshëm dhe duhet ta paguajnë shqiptarët. Qytetarët e Kukësit dhe shqiptarët kanë kthyer përgjigje që tarifa e “Rrugës së Kombit” është e papërballueshme për to”, tha Tabaku.
Deklaratën deputetja Tabaku e ka bërë nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, ku së bashku me qytetarë të shumtë kërkojnë lirimin e të arrestuarve për incidentet e ndodhura gjatë protestës për vendosen e tarifës për “Rrugën e Kombit”.

Kontrata konçesionare për “Rrugën e Kombit”
Kontrata konçensionare për “Rrugën e Kombit”parashikon një kohëzgjatje prej 30 vjetësh, ku për herë të parë për sistemin rrugor shqiptar, parashikohet edhe vendosja e një tarife për kalimin në rrugë nacionale, që varion nga 2.5 euro për motorët, në 22.5 euro për kamionët e rëndë (vetëm për 1 kalim). Në kontratë parashikohet që të përjashtohen nga pagesa vetëm katër lloje automjetesh të shërbimeve të ndryshme: Policia Rrugore (jo mjetet e tjera të Policisë së Shtetit), autoambulancat, mjetet zjarrfikëse dhe ato të ushtrisë. Referuar kontratës, sipas kategorive të ndryshme të mjeteve motorike, janë përcaktuar edhe tarifa të ndryshme. Në kontratë vendoset që tarifën bazë 5 euro ta paguajnë autoveturat, mikrobusët dhe mjetet e vogla komerciale.
Sa gjysma e kësaj tarife, 2.5 euro, është pagesa për motorë të ndryshëm. Më pas, “barra” e pagesës sa vjen e ngrihet: 11.25 euro, për autobusët normal; 16.25 euro, për kamionët e mesëm dhe autobusët e rëndë dhe, në fund, 22.5 euro, për kamionët më të rëndë, me katër apo më shumë akse. Ndërkohë, koncesionari, që parashikohet të përfitojë minimalisht 8 milionë euro vitin e parë të konçesionit, deri në 14.3 miliionë euro në vitin e 30-të, ka marrë përsipër të kryejë edhe disa punime, të lëna përgjysmë në këtë rrugë: ndërtimin e një ure të dytë për makinat dhe një për këmbësorë në Kukës, ndërtimin e gjashtë mbikalimeve dhe një rrethrrotullimi, si dhe ndërhyrje për mirëmbajtje në faqet e maleve, tunel, etj. Në rast se konçesionari nuk arrin të ardhurat e parashikuara, atëherë diferenca paguhet nga Autoriteti Kontraktor, pra nga Qeveria.
Por, kontrata konçesionare nuk ka asnjë angazhim për të dyfishuar segmentin nga Miloti në Rrëshen, çka do ta kompletonte “Rrugën e Kombit”me katër korsi në pjesën e saj më të madhe. Ndoshta kjo pritet të bëhet me fonde shtetërore ose me një koncesion tjetër. Gjithashtu konçesionarit i jepet e drejta të krijojë përfitime shtesë përveç tarifës, nga vendpushimet që mund të krijohen në autostradë.

Manjani: Taksat caktohen me ligj jo me kontrata konçesionare

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, përmes një komenti në rrjetet sociale shprehet se Kushtetuta në nenin 155 të saj përcakton se taksat, tatimet dhe detyrimet financiare i vendos shteti me ligj, as me vendim dhe as me kontratë me konçesionarin. Në këtë kuadër, Manjani shkruan se kushtetueshmëria e konçesionit në rastin e “Rrugës së Kombit” të paktën është e dyshimtë.
“Taksë apo tarifë, çfarëdo të quhet ajo që filloi të zbatohet në “Rrugën e Kombit”, duhet ta vendosë shteti dhe jo Privati! Këtë gjë thotë Kushtetuta në nenin 155 të saj. Lexojeni dhe do bindeni! Taksat, tatimet dhe detyrimet financiare i vendos shteti me ligj. As me Vendim e as me kontratë koncesioni, por me ligj!
I vendos shteti dhe jo Privati! Pse shteti? Shteti edhe mund ti ndryshojë për të ndërtuar politika të drejta publike. Privati sheh vetëm interesin e tij, fitimin! Prandaj kushtetutshmëria e këtij Koncensioni është të paktën e dyshimtë! Do ja vlente një gjykim kushtetues i kësaj katrahure. Por kur të kemi Gjykatën Kushtetuese që na e zhduku Rilindja…”, shkruan Manjani.

Prodhuesit kundër taksës në”Rrugën e Kombit”

Prodhuesit kanë dalë kundër pagesës së rrugës Durrës-Kukës, me argumentin se goditen në vlera të konsiderueshme eksportet shqiptare drejt Kosovës. Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve, z. Arben Shkodra deklaron për Ekonomix.al se qeveria ka bërë gafa me marrëveshjen koncesionare në dëm të prodhuesve dhe eksportuesve shqiptarë, pasojat e të cilave do t’i ndjejë ekonomia
-Sa preken prodhuesit dhe eksportuesit shqiptarë nga taksa e “Rrugës së Kombit?
Së pari, më lejoni të qartësoj qëndrimin dhe pozicionin e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë në këtë situatë kaotike, por edhe problematike në të njëjtën kohë. Si një organizatë, e cila është krijuar për të mbështetur prodhuesit dhe eksportuesit shqiptarë, ne kemi parë me shqetësim situatën e krijuar së fundmi, në lidhje me përplasjet e forta sociale, që ndodhen në rrugën Milot-Morinë, e cila ka sjellë një reagim të fortë, qoftë të qytetarëve, por edhe të sipërmarrjes në vend. Kjo situatë ka krijuar një pakënaqësi sociale të paevitueshme, por edhe vështirësi të shumta për sipërmarrjen prodhuese-eksportuese, sidomos ato që prekin tregun e Kosovës.

Sipas nesh, kjo situatë do të mund të evitohej, nëse autoritetet shtetërore do të kishin aplikuar me kohë konsultimin publik, qoftë me qytetarët, por edhe me sipërmarrjen, e cila preket drejtpërsëdrejti nga aplikimi i përcaktimeve të kontratës koncesionare.
Së dyti, konstatojmë me shqetësim një mungesë profesionalizmi në konceptimin e kontratës koncesionare, pasi përmendet vazhdimisht fjala “taksë”, ndërkohë që kjo vlerë është “tarifë”. Madje, gafa vazhdon edhe më tej, kur kësaj “takse” i shtohet edhe TVSH-ja. Kjo ka sjellë jo pak konfuzion edhe në analizën e ditëve të fundit, nëse është “taksë apo tarifë”. Siç e dimë, taksat në Republikën e Shqipërisë janë të përcaktuara qartazi në ligjin “Për Taksat Kombëtare”.
Së treti, e konsiderojmë të çuditshme sjelljen e qeverisë në lidhje me politikat e saj ekonomike, pasi në njërin krah diskutohen masat për “de-euroizimin” e tregut dhe nga ana tjetër, kjoqeveri harton, nënshkruan dhe implementon kontrata me sipërmarrës vendas në monedhën euro. Kjo sipas nesh, është çoroditëse dhe në vijim, krijon vështirësi për sipërmarrjen prodhuese-eksportuese. Më lejoni t’iu kujtoj për problematikën që vazhdon të sjellë ndryshimi i menjëhershëm i kursit të këmbimit, i cili dëmton rëndë eksportuesit shqiptarë.
Tani për t’iu kthyer pyetjes tuaj se sa preken prodhuesit-eksportuesit me Kosovën dhe rajonin, mund t’iu them, se deklaratat e ministrave të qeverisë se nuk do të ketë asnjë impakt në shkëmbimet tregtare janë krejtesisht të gabuara dhe ndoshta të papërgjegjshme.

-Cilët janë sektorët që e ndjejnë më shumë?
Sipas të gjitha të dhënave tona të deritanishme, në fushën e prodhimit, sektorët më të prekur do të jenë: prodhues-eksportuesit e fruta /perimeve, tullave, çimentos, ujit në shishe. Prej më shumë se një muaji kemi marrë sinjale shqetësuese nga anëtarët tanë, sipërmarrje prodhuese-eksportuese, të cilët kishin marrë informacion në rrugë jozyrtare për vlerën që ishte përcaktuar në kontratën koncesionare për mjetet e ndryshme të transportit. Tarifa prej 45 euro për çdo udhëtim vajtje-ardhje për një eksportues, i cili transporton një mall me vlerë mbi 10.000 euro, nuk sjell ndonjë rritje domethënëse të çmimeve, me të cilat konkurrojnë produktet tona në Kosovë, ndërsa për një eksportues, i cili transporton mallra me vlerë më poshtë se kaq, ndjeshmëria rritet dhe çmimet bëhen më pak konkurruese. Nuk duhet të harrojmë se, eksportuesit tanë e kanë kapur dhe dominuar tregun e Kosovës me forcat e veta dhe duke konkurruar fuqishëm me çmime dhe cilësi ndaj produkteve serbe apo maqedonase. Nuk duhet të harrojmë se përveç problemeve të shumta në procesin e prodhimit apo të barrierave në dogana, ato nuk kanë marrë asnjëherë ndonjë ndihmë domethënëse për promovim apo mbështetje nga qeveria për të kapur tregjet e huaja.
Në rastin e produkteve si uji, tullat, çimento apo fruta-perimet, situata kthehet bllokuese, pasi do të ketë një rritje të kostos së produkteve nga 7-12% vetëm me aplikimin e tarifës. Kjo përkthehet me humbjen e menjëhershme të tregut të Kosovës dhe të rajonit për këtë grup produktesh. Disa nga fabrikat e prodhimit kanë impenjuar një kapacitet prodhues prej 30% të dedikuar vetëm për këtë treg dhe mbyllja e saj do të krijonte një precedent edhe në punësimin gjatë muajve në vijim, deri në zëvendësimin e këtij tregu me tregjet e tjera përtej rajonit.

Taksa Rama bllokon importet e Kosovës
-A do të ketë ndikim edhe tek importet e Kosovës drejt Shqipërisë?
Në lidhje me efektin që do të sjellë në importet e Kosovës në Shqipëri, mund t’iu them se jemi në kontakt të vazhdueshëm me Klubin e Prodhuesve të Kosovës, të cilët janë mjaft të shqetësuar për këtë situatë, por edhe për efektet që do të prodhojë kjo politikë publike tashmë e koncesionuar. Sipas tyre, tarifat që do të fillojnë të aplikohen sipas kontratës koncesionare, janë bllokuese për importet e tyre dhe si fillim, do të sillnin rritje të çmimeve dhe më pas, humbje të tregut shqiptar për to. Më lejoni t’iu kujtoj përpjekjet e vazhdueshme që të dy Klubet e Prodhuesve kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë për krijimin e lehtësirave, qoftë fiskale, tarifore, por edhe proceduriale me qëllim rritjen e shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve dhe hartimin e një strategjie të përbashkët për t’u qasur ndryshe në Zonën Ekonomike Rajonale.

Rruga e Kombit dhe trau i Ramës

Pagesa për rrugët nga përdoruesit e saj është një formë e njohur dhe e pranuar si një kosto që qytetari është i gatshëm ta paguajë për të përfituar në këmbim shpejtësi, komunikim dhe siguri, lëvizje më të lartë sesa në një rrugë tjetër pa pagesë.Por “Rruga e Kombit”, për të cilën tani duhet të paguhet minimalisht 5 euro për çdo kalim, nuk mund të futet e të matet vetëm me këto kallëpe.
Anomalia e këtij trau të vendosur me pagesë nga qeveria Rama fillon që në koncept.Koncesionet e pastra në rrugë funksionojnë, së pari, kur e gjithë rruga ndërtohet nga privati dhe më pas, tarifa e paguar nga publiku shkon si shpërblim për investimin e kryer prej tij.Kurse “Rruga e Kombit”u ndërtua nga paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe nuk ka se si më tej tarifa të mos kthehet mbrapsht në emër të tij, po t’i shkojë koncesionarit. Për të dhënë një rrugë me pagesë, duhet të paktën të plotësohen edhe kushte të tjera: qytetarët të kenë një alternativë tjetër rrugë pa pagesë dhe sikundër në vendet e zhvilluara që aplikojnë koncesione të tilla, kërkohen edhe më shumë alternativa transporti (transport publik, hekurudha etj.).

Koncepti i tarifës së “Rrugës së Kombit” që paguhet nga ai që e përdor nuk qëndron dot në këmbë, edhe për një fakt tjetër. Të gjithë shqiptarët që kanë sot një automjet, e paguajnë taksën vjetore të qarkullimit si një detyrim për rrugët që përdorin, por pse në “Rrugën e Kombit” duhet të paguajnë dy herë. Vende të vogla si Shqipëria, që të shmangin shpenzimet operative, aplikojnë taksën vjetore, nuk vendosin tarifa të tjera për rrugët, ose dhe aty ku rrugën e ka ndërtuar privati, ekzistojnë rrugët paralele dhe ndërlidhëse pa pagesë mes çdo qendre të banuar. Ndërkohë që “Rruga e Kombit”është i vetmi aks që lidh Verilindjen me Tiranën dhe e vetmja që lidh shqiptarët nga të dyja anët e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Nga vendosja e traut në Kalimash e pësojnë më shumë shqiptarët e Kosovës.Ka shumë autostrada në Shqipëri, të cilat janë mbarur dhe për to mund të aplikoheshin tarifa, pasi ekzistojnë edhe rrugët paralele me to.Por përse qeveria e zotit Rama zgjodhi pikërisht “Rrugën e Kombit”???

Ata që dëmtohen më shumë në këtë histori janë shqiptarët e Kosovës, të cilët sot duhet të paguajnë për katër vajtje-ardhje në këtë rrugë sa gjithë taksa vjetore e rrugës në Zvicër. Do të rëndohet biznesi i Kosovës, i cili qarkullon më shumë përgjatë rrugës, do të dëmtohen financiarisht familjet kosovare që po përdorin masivisht edhe fundjavat e zakonshme për të pushuar në Shqipëri.
Qeveria e Tiranës gabon kur e shikon këtë rrugë thjesht një investim që duhet të kthejë mbrapsht në kohë paratë e paguara për të, pasi pasurinë më të madhe dhe përfitimin më të madh, duke bashkuar shqiptarët, ajo po e kthen teksa 7 mijë automjete lëvizin për ditë përgjatë saj.
“Rruga e Kombit”nuk është thjesht një aks infrastrukture, por është filli që lidh shqiptarët të ndarë forcërisht nga njëri-tjetri. Por trau i vendosur në rrugë tani u bën karshillëk shqiptarëve të Kosovës, duke i diferencuar si qytetarë të një shteti tjetër dhe jo si shqiptarë të një kombi. Ndaj me traun e tij, zoti Rama i ka bërë ndërkohë një karshillëk të madh edhe aspiratës së shqiptarëve për të punuar e për të jetuar së bashku, duke rrezikuar që këtë rrugë të mos e quajmë më”Rrugën e Kombit”, por si rrugën e traut që po rindan shqiptarët.

Basha thirrje Ramës: Liro protestuesit dhe arresto Tahirin, Habilajt dhe të gjithë trafikantët

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një dalje për mediat nga selia e partisë i bëri thirrje Ramës që të lirojë 23 protestuesit dhe të arrestojë Tahirin, Habilajt Balilin dhe dhe të gjithë trafikantët. Basha tha se, shqiptarëve u mblidhen 200 milionë euro në vit nga taksa e qarkullimit dhe asnjë cent nuk shkon për Rrugën e Kombit.
“Thelbi i çështjes është ky; Rama i grabit dyfish shqiptarët dhe pastaj ju bie dyfish me kërbaç dhe reagimi i tyre në Kukës është reagim kundër grabitjes. Merr 200 mln euro në vit nga taksa e qarkullimit për mirëmbajtjen e rrugëve, nuk shpenzon asnjë cent nga këto lekë për Rrugën e Kombit, por vendos një taksë të re. Nuk shpenzon asnjë cent nga 800 mln euro në 5 vite, por i jep me koncesion. Ata që u çuan janë njerëzit më të varfër dhe të braktisur në 20 vite.
Njësoj si kuksianët, shqiptarët janë subjekt i grabitjes. Mbledh taksa, por nuk i çon për mirëmbajtje rrugës, shkolla të reja, por i çon për inceneratorët e Arben Ahmetajt, i çon për milionat që merr Vilma Nushi. Asnjëri prej tyre nuk bën punë. Për Vilma Nushin falsifikohen formularët dhe çekohen të vdekurit. Për 25 mln eurot në vit që merr Arben Ahmetaj, janë gati të sjellin plehrat e Italisë”, u shpreh Basha.
Më tej kryetari i PD tha se, Saimir Tahiri ju dha makinën trafikantëve të drogës dhe është kapur nga përgjimet e antimafies, është i lirë. I lirë bredh edhe Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, i dënuar si trafikant ndërkombëtar droge. Të lirë janë Habilajt, Balili dhe dhjetëra kriminelë dhe u turri policinë, familjeve më të varfra të Shqipërisë. Në mes të natës, arrestoi 23 kryefamiljarë, sepse protestuan për mbijetesën e tyre.

Deklarata e plotë e Bashës
Mashtrimet e Edi Ramës dhe sejmenëve të tij janë shenjat e panikut dhe dëshpërimit që e ka kapur. Thelbi i çështjes është ky: Rama i grabit dyfish shqiptarët dhe pastaj iu bie dyfish me kërbaç dhe reagimi i tyre në Kukës dhe reagimi i tyre në mbarë Shqipërinë është reagim kundër padrejtësisë dhe grabitjes.
Çfarë dua të them me këtë?
Merr 200 milionë euro në vit nga taksat e shqiptarëve për mirëmbajtjen e rrugëve, nuk shpenzon asnjë cent nga këto lekë për Rrugën e Kombit por vendos taksë të re të papërballueshme. Nuk shpenzon asnjë cent nga këto 800 milionë euro që ka mbledhur në këto 5 vite dhe taksën e qarkullimit që e ka rritur për mirëmbajtjen e rrugëve, por i jep ato me koncension, pra iu vendos taksë të dyfishtë shqiptarëve. Ata që u çuan janë njerëzit më të varfër, më të shpërfillur, më të braktisurit e Shqipërisë ndër vite, ata u çuan për bukën e gojës.
E dëgjuat atë burrin që thoshte se, jetoj 20 metra nga trau dhe s’kam mundësi të shkoj e të vij në shpi me 5 euro sa herë që kaloj traun.
Kjo është arsyeja e revoltës së këtyre njerëzve të thjeshtë. Revoltë e cila ka përkrahjen e gjithë shqiptarëve, të cilët po deklarojnë një zëri që janë dhe ndihen kuksianë.

Pse e thonë këtë?!
Sepse janë njësoj si kuksianët subjekt i grabitjes së dyfishtë të Edi Ramës; mbledh taksa por këto taksa nuk i çon për arsyet që i mbledh, as për mirëmbajtje rrugësh, as për shkolla të reja, as për spitale të reja, i çon për inceneratorët e Arben Ahmetajt, i çon për milionat që merr Vilma Nushi. Asnjëri prej tyre nuk bën punë. Për Vilma Nushin falsifikohen formularët dhe checkohen të vdekurit. Për 25 milionë euro në vit që merr Arben Ahmetaj po bëhet gati të sjellë plehrat e Italisë.

Me paratë e shqiptarëve nuk u shërbejnë shqiptarëve. Ndaj dhe kjo është në radhë të parë një reagim dhe kryengritje qytetarësh kundër grabitjes së dyfishtë që i bën Edi Rama dhe banda e tij e hajdutëve dhe oligarkëve që ndan këto para.
Së dyti është një reagim ndaj padrejtësisë së dyfishtë. Një javë i la kohë me prokurorinë dhe policinë e tij Arbër Çekajt të arratisej megjithëse kishte sjellë 180 milionë euro kokainë në Portin e Durrësit. Saimir Tahiri iu dha makinën trafikantëve të drogës dhe është kapur në përgjimet e aftimafies, bredh i lirë dhe i lirë bredh edhe Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, i dënuar si trafikant ndërkombëtar droge.
Të lirë janë habilajt, Balili dhe dhjetëra kriminelë por iu turri policinë familjeve më të varfëra të Shqipërisë. Në mes të natës arrestoi 23 kryefamiljarë. Pse?! Sepse protestuan për mbijetesën e tyredhe fëmijëve të tyre. Kjo është padrejtësia e dyfishtë. Kriminelët, ata që bëjnë drogën, politikanët e korruptuar, politikanët e lidhur me krimin bredhin të lirë ndërsa njerëzit që çohen dhe protestojnë për të drejtat e tyre, që çohen dhe protestojnë kundër grabitjes dhe padrejtësisë, terrorizohen.

Pse ushtrohet ky terror?!
Ky terror ushtrohet që të mos ngrejnë zërin, që ti bëjnë shembull para shqiptarëve dhe kjo është mendësia e diktatura kur iu afrohet fundit. Prandaj kam bërë thirrjen e djeshme për mosbindje qytetare që do të thotë refuzim i padrejtësisë, refuzim i grabitjes.
Po, do të thotë të mos paguajnë taksat e rritura. Është një thirrje ndaj sipërmarrjeve të vogla të mos e paguajë TVSH-në sepse këto taksa nuk shkojnë për qytetarët. Këto taksa vidhen dhe shpërdorohen ngda Edi Rama dhe banda në pushtet. Ndaj e përsërish këtë thirrje; mos paguani taksat. Nuk ka çfarë tu bëjë. Nuk arreston dot të gjithë popullin. Kjo është rruga për t’ju kundërvënë grabitjes së dyfishtë dhe padrejtësisë së dyfishtë. Dhe në këtë rrugë dhe në çdo veprim që qytetarët do të ndërmarrin, opozita do të jetë tërësisht dhe në të gjitha format dhe mënyrat në krahun e tyre siç jemi sot në krahun e qytetarëve kuksianë, siç jemi sot në krahun e atyre 23 të arrestuarve që protestuan për fëmijët e tyre dhe për mbijetesën e tyre, që duhet të lirohen menjëherë.
Thirrja që unë i drejtoj është që të tërheqë menjëherë policinë nga Kukësi. Të lirojë të 23 personat e grabitur në mes të natës. Të arrestojë Saimir Tahirin. Të arrestojë Fatmir Xhafaj vëllanë e vet që është i dënuar për drogë dhe vazhdon të jetë një ndër bosët kryesorë të drogës në Vlorë. Të arrestojë Balilin, të arrestojë habilajt. Të mos merret me nejrëzit e thjeshtë. Deri në atë moment, mosbindja civile, refuzimi i grabitjes së dyfishtë dhe padrejtësisë së dyfishtë, është rruga që opozita i tregon popullit dhe me të cilën do të udhëheqë popullin drejt refuzimit pakushte të kësaj grabitje dhe padrejtësie të dyfishtë.