18.5 C
Tirana
E martë, 6 Maj, 2025

“Zbythet” mosbindja civile, deputetët e Berishës kërkojnë pazar të ri me Ramën

Nga Bato Kosova

Pas dështimit spektakolar të dy akteve të vakta të mosbindjes civile të thirrur nga Berisha, protestat e të cilit u bojkotuan nga qytetarët, duket se ka nisur dhe zbythja nga mosbindja civile në parlament.

Në aksionin e vakët përballë dyerve të Kuvendit, pa strategji e pa kuptim, ndërkohë që mazhoranca vijon punën e pashqetësuar, deputete “sovranistë” të Berishës i hapën rrugën ambasadorit të BE Gonzato, i cili parakaloi turmën e çoroditur të deputetëve për të dorëzuar në kuvend progres-raportin e KE. Më herët në seancë kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, “papritur” ju shtriu dorën dhe kërkoi nga opozita “revolucionare” që jashtë po bënte namin me 4 karrige të kthyera me këmbë përpjet dhe me po aq deputetë të ulur “më bythë”, që të ulen së bashku që sot dhe ta diskutojnë pazarin e rradhës!

Ambasadori i BE ndërkohë po ju çonte një progres-raport, që ka dëshmuar se amnistia e votuar nga Rama dhe Berisha, ishte një shqetësim për punën e SPAK-ut.

Ashtu siç ka dëshmuar se e vetmja gjë për të cilën BE është krenare për Shqipërinë është puna e SPAK kundër korrupsionit në vend, luftë e cila me frytet e saj do t’i hapë derën vendit tonë për BE, gjë kjo që bie ndesh me retorikën e Berishës dhe të mbështetësve të tij, të cilët vijojnë ta quajnë Prokurorinë e Posaçme si organizatë kriminale.

Nëse një vit më parë, pazari mes Berishës dhe Ramës, rezultoi me lirimin e të korruptuarëve, mbylljen e listave dhe njohjen zyrtare të Berishës nga gjykata dhe pushteti, ngelet për t’u parë se cili do jetë pazari i ri pas zbythjes së mosbindjes të lodhur civile?/Alfapress.al

SHBA sanksionon firmat serbe dhe malazeze për shkak të mbështetjes të luftës së Rusisë

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj kompanisë serbe, Ventrade, dhe ndaj International Business Corporation Bar (IBC), me bazë në Mal të Zi, për shkak të eksportimit të mallrave me përdorim të dyfishtë në Rusi, të cilat mund të përdoren në industrinë e mbrojtjes.

 

Zyra amerikane për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC) tha përmes një deklarate se Ventrade i ka shitur Rusisë radio të kategorisë ushtarake, ndërkaq IBC ka transferuar pajisje të përpunimit dhe kushineta të topave te kompanitë ruse, përfshirë te një kompani që është nën sanksione amerikane.

Sipas të dhënave të tregtisë të kompanisë Ventrade, kompani e themeluar në prill të vitit 2022, pak pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, kjo firmë eksportoi radio në Rusi në vlerë prej 570.000 dollarësh.

Këto eksporte ishin bërë në periudhën shtator 2022 deri në qershor 2023 përmes Gjermanisë, Malajzisë, Austrisë, Kinës dhe Meksikës.

Që nga viti 2021, IBC është në pronësi të shtetasit rus me bazë në Mal të Zi, Sergei Kokorev, dhe kjo kompani ka rritur fitimet më 2023 me rreth 1 milion dollarë.
Pesë firma të tjera serbe – MCI Trading, Kominvex, Goodforëarding, Soha Info dhe TR Industries – po ashtu veçse janë nën sanksione nga OFAC për shkak të bashkëpunimit me Rusinë.

Mali i Zi ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Ndërkaq Serbia, pavarësisht se është shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nuk i është bashkuar sanksioneve të bllokut evropian kundër Rusisë./REL/

E KRYER/ Hansi Flik i beson një tjetër “fëmije”, Barcelona i rinovon kontratën mesfushorit

Mesfushori Fermin Lopez ka nënshkruar një marrëveshje të re me Barcelonën deri në qershor 2029-ës.

Lajmi është bërë i ditur nga eksperti i merkatos, Fabricio Romano përmes një postimi në rrjetet sociale. Ai bën të ditur se shumë shpejt klubi blaugrana do ta konfirmojë këtë marrëveshje.

Ky nënshkrim vjen pas atij të Mark Bernal. Ndërsa radhën e ka Gavi, Pedri, De Jong dhe Arauho.

Rikujtojmë që Lopez po bën një punë fantastike saqë trajneri Flik i ka besuar rolin e titullarit

Vëllavrasja pas Marrëveshjes së Mukjes/ Lufta civile mes shqiptarëve dhe kërkesa e gjeneralit Wilson për Enver Hoxhën më ‘44: Me armët tona mos vrisni njëri-tjetrin!

Dr. Uran Butka

PJESA E DYTË

Në proklamatën e datës 3 gusht 1943, Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, paraqiti këtë program:

1. Luftë të përbashkët dhe të menjëhershme përbri Aleatëve të mëdhenj Anglisë, SHBA dhe Bashkimit Sovjetik si edhe të popujve të shtypur kundra pushtuesit barbar, me divizën rilindëse “Ja vdekje, ja liri”

2. Luftë për një Shqipëri të Pavarme, luftë për zbatimin e parimit të njoftun botërisht e të garantuara nga Karta Atlantike të vetëvendosjes së popujve, për një Shqipëri etnike .

3. Luftë për një Shqipëri të lirë, demokratike e popullore. Komiteti për shpëtimin e Shqipënisë do të vazhdojë luftën tue udhëhequn popullin shqiptar në rrugën e sakrificës dhe të nderit deri në formimin e një qeverie provizore.

Forma e regjimit do të caktohet prej vetë popullit me anën e një Asamblejeje kushtetuese të zgjedhur me sufrazh universal direkt.”

E veçanta e Kuvendit të Mukjes ishte trajtimi me përparësi dhe kompetencë i çështjes sonë kombëtare në krizë, veçanërisht i Kosovës. Në Mukje u bë përpjekja e parë institucionale për zgjidhjen e çështjes së Kosovës pas luftës sipas vullnetit të popullit të Kosovës dhe të kombit shqiptar për bashkim, në bazë të parimit universal të vetvendosjes së kombeve Mid’hat Frashëri insistoi që çështja e Kosovës detyrimisht të trajtohej e të përcaktohej në këtë kuvend dhe të luftohej për zgjidhjen e saj të drejtë, sepse, nëse nuk do të ndodhte kështu, atëherë, pas luftës, as që do të përmendej më çështja kosovare dhe Kosova do të ishte e humbur. Ai parashtroi që zgjidhja e statusit të saj të bëhej mbi të drejtën kombëtare të Shqipërisë etnike dhe mbi parimin e vetëvendosjes së kombeve, të garantuar nga Karta e Atlantikut.

Ky formulim respektonte vullnetin e popullit shqiptar për vetëvendosje dhe përjashtonte ndryshimin e kufijve me dhunë. Ky formulim harmonizohej edhe me politikën e Fuqive të Mëdha Antifashiste që kishin shpallur botërisht se nuk njihnin kufijtë e ndryshuar me dhunë nga pushtuesit nazifashistë, pra ishte njëherësh edhe një pohim edhe një bashkëreshtim në Frontin Antifashist Ndërkombëtar.

Një rol të rëndësishëm në arritjen e konsensusit luajtën sidomos Thoma Orollogai, Ymer Dishnica, Abaz Kupi, Hasan Dosti, Mustafa Gjinishi, Hysni Lepenica, Omer Nishani, Nexhat Peshkëpia e të tjerë.

Vendimet e Konferencës së Mukjes ishin të qenësishme, jo vetëm për momentin historik, por edhe për ardhmërinë e Shqipërisë e të kombit shqiptar, sepse ato konfirmonin bashkimin dhe jo ndarjen, siguronin luftë të përbashkët kundër çdo okupatori, për një Shqipëri të lirë e të pavarur, mundësonin në të ardhmen një Shqipëri demokratike dhe rreshtimin përbri Aleatëve të mëdhenj Antifashistë, por edhe përcaktonin rrugën më të drejtë për zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare.

Ky program i përbashkët u arrit, pasi të dyja përfaqësitë u treguan tolerante dhe i bënë lëshime njëra-tjetrës. Në këtë pikë, Mukja është edhe shembull i mendimit e i veprimit demokratik si pjesëmarrje, bisedim konstruktiv e tolerancë të admirueshme, një kompromis e një zotim i përbashkët. Është një model i dialogut kombëtar, i debatit dhe i mirëkuptimit. Aleanca që u arrit në Mukje, premtonte se edhe në të ardhmen forcat politike shqiptare do të merreshin vesh midis tyre për çështjet themelore. Mukja ishte triumfi i shqiptarizmit mbi nacional shovinizmin dhe internacionalizmin proletar, i ndërgjegjes dhe i veprimit kombëtar mbi atë antikombëtar, i drejtimit progresist perëndimor mbi atë lindor, aziatik e bizantin, i platformës thellësisht demokratike mbi atë totalitare, fashiste apo komuniste.

Menjëherë pas Konferencës së Mukjes, Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë, organizoi në datën 4 dhe 5 gusht 1943 një betejë të përbashkët në afërsi të Qafë Shtamës kundër ushtrisë italiane, që marshonte për në Mat.

PROKLAMATË

“Çetat vullnetare partizane të Ushtrisë NÇ dhe çetat e Ballit Kombëtar nën komandën e majorit Abaz Kupi më datën 4 të gushtit 1943, në orën 10.00, mbasi morën, vesh se ushtria italiane shkonte për në Mat, u nisën për t’i prerë rrugën në të gdhirë. Kur çetat mbërritën në këtë vend, ushtria armike, mbasi dogji disa shtëpi që ndodheshin afër rrugës si dhe komunën dhe zyrën e botores, kaloi dhe po i afrohej QafëShtamës. Mbasi çetat nuk mund të arrinin në kohë, në ato pozita ku do t’i pritnin, u detyruan të ecnin gjithë natën dhe si kaluan malin e Liqenit, i dolën përpara në kufirin e Matit, dy km afër Qafë-Shtamës.

Plot në orën 7.10 të ditës së nesërme, ushtria italiane e përbërë prej 750 vetave, mbërriti në vendin e pritjes e përnjëherësh filloi luftimi, i cili zgjati 3 orë rresht dhe mbaroi me shpartallimin e plotë të ushtrisë armike.

Humbjet e armikut janë: 150 të vrarë, 40 të plagosur, 7 robër. Në mes të të vrarëve italianë është edhe oficeri kolonel A. P. Scarpa, të cilit i është gjetur në xhep një medalje të fituar kur ka hyrë në tokën shqiptare ditën e 7 prillit 1939. Është kapur një material kolosal. Të numëruar deri tani janë: një mortajë e rëndë me gjithë municione, 6 mitraloza të rëndë komplet me municione, 10 mitraloza të lehtë dhe mjaft municione për to,160 armë lufte, 7 radio fushore marrësedhënëse, 5 kuaj. Gjithashtu janë marrë revolverë, materjal sanitar, batanije e materiale të tjera të ndryshme . Humbjet tona janë një i vrarë dhe dy të plagosur.”

KOMITETI PËR SHPËTIMIN E SHQIPËRISË

[1] Kjo luftë, dy ditë pas Mbledhjes së Mukjes, tregoi se kjo nuk ishte një shprehje historike, por një realitet, nuk ishte vetëm një marrëveshje në letër, por edhe një marrëveshje konkrete për bashkëpunim në luftë, nuk ishte një tradhti që, sipas E. Hoxhës – binte ndesh me interesat e Luftës antifashiste, “por ishte një lidhje bese në dobi të luftës çlirimtare dhe të çështjes kombëtare, nuk ishte një gjë “formale “ e një “grackë “ – siç thoshte E. Hoxha, po një vendim e një veprim i vullnetit të një populli; ishte, në fund të fundit, një ndërgjegje e kthyer në lëvizje e forcave partizane dhe atyre nacionaliste, që luftuan së bashku si shqiptarë e si vëllezër kundër okupatorëve, nën drejtimin e Komitetit Provizor për Shpëtimin e Shqipërisë.

Enver Hoxha, nën presionin e emisarëve të PKJ në Shqipëri, prishi dhe shkeli në mënyrë të njëanshme dhe arbitrare Marrëveshjen e Mukjes.

Marrëveshja e Mukjes prekte sidomos interesat dhe synimet e qarqeve shoviniste serbomëdha që sundonin në PKJ, të cilat kërkonin përjetësimin e pushtimit serb të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare, si edhe nënshtrimin e plotë të Shqipërisë ndaj Jugosllavisë. Prandaj edhe prishja e njëanshme e Marrëveshjes së Mukjes ishte kryesisht rezultat i ndërhyrjes jugosllave , të cilës nuk i interesonte kurrsesi marrja dhe plotësimi i atyre vendimeve. Reagimi i shpejtë e i vendosur i kolonit malazez në Kosovë, M. Popoviçit, ishte i kuptueshëm. Kur aktet e marrëveshjes së Mukjes iu dorëzuan “mentarit” të Enverit, ai i tërbuar i grisi ato, i bëri copëcopë dhe ia hodhi në surrat Enver Hoxhës.

Kjo ndërhyrje brutale e Partisë Komuniste Jugosllave në punët tona të brëndshme vërtetohet edhe nga një letër që udhëheqësi real i PKSH, M. Popoviçi, i dërgoi Titos: “Kemi ndikuar në PKSH dhe në LNÇL që gjithsesi të prishim Marrëveshjen e Mukjes “.

E. Hoxha, nën diktatin e M. Popoviçit, me të cilin ishte në Vithkuq, pa përfillur Këshillin e Përgjithshëm Nacionalçlirimtar, i cili kishte nënshkruar me B. Kombëtar Marrëveshjen e Mukjes, pra, pa mbledhur dhe pa marrë mendimin e Këshillit të Përgjithshëm NÇL, më datën 8 gusht 1943, si një partiak u dërgoi një letër –qarkore shokëve të partisë së Vlorës, Gjirokastrës etj: “Lajmëroheni se ju është dërguar nga Tirana një trakt për t’u shpërndarë, i firmosur prej Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë, ku flitet për bashkimin e plotë të arritur në mes të KNÇL dhe Ballit Kombëtar. Ky trakt është në kundërshtim me vijën nacionalçlirimtare dhe disaprovohet nga KQ i Partisë. Prandaj, në rast se nuk i keni shpërndarë, çirrini dhe të mos flitet më për të “

Vendimi zyrtar i PKSH për prishjen e Marrëveshjes së Mukjes dhe nisjen e luftës së armatosur kundër Ballit Kombëtar, u mor në Konferencën e Labinotit 4-8 shtator 1943. Më 9 shtator Enver Hoxha nisi urdhrin për luftë të pamëshirshme dhe pa kompromis kundër “armiqve e tradhtarëve”, me të cilët kishin nënshkruar një muaj më parë marrëveshjen e Mukjes. Si u shndërruan papritur brenda disa ditëve partnerët patriotë ballistë të marrëveshjes në armiq e tradhtarë, zoti Marenglen? Ishte e kundërta. PKSH dhe E. Hoxha e tradhtuan Marrëveshjen e Mukjes. Kjo është e vërtetuar katërcipërisht me dokumente arkivore shqiptare e të huaja, madje edhe me dëshmi të disa përfaqësuesve të NÇ, si Ymer Dishnica, Abas Kupi etj.

Shkak kryesor për prishjen e njëanshme të Marrëveshjes së Mukjes ishte çështja e pushtetit. Synimi i pushtetit është një akt normal në çdo kohë, por vendimi i PKSH për ta marrë pushtetin me dhunë e me gjak, duke shkelur edhe vendi min e përbashkët të Mukjes se çështja e pushtetit do të zgjidhej pas luftës me zgjedhje demokratike. Kjo solli edhe luftën civile në Shqipëri, pasoja më tragjike e prishjes së Marrëveshjes së Mukjes.

Ndërkohë M. Kasmi thotë se marrëveshjen e Mukjes e prishi Balli Kombëtar! dhe se nuk ka pasur luftë civile.

Luftën civile e ka pohuar edhe vetë E. Hoxha: “Në Veri, parulla “O me ne, o kundër nesh “ishte gjithë politika e shokëve, por edhe kur shihej se kishte mundësi të punohej me njerëz që kishin qëndruar jashtë Frontit, përgatitnin terrenin jo për marrëveshje por për t’i zhdukur këta njerëz nga prapa. Në Lumë po vihen në plumb kot së koti dhe në mënyrë histerike katundarë, të cilët dorëzohen dhe shokët tanë i pushkatojnë. Po vriten në Tiranë me duzina njerëz dhe oficerë të dorës së dytë, të cilët duke pasur besimin e plotë në drejtësinë dhe në shpalljen tonë, dorëzohen. Një punë e tillë nuk është okazionale, por është i tëri toni që i është dhënë punës organizative të Partisë dhe ushtrisë… Shokët tanë mendojnë vetëm të zhdukin çdo njeri që s’është me ne, që s’mendon si ne, të zhdukin bile edhe njerëz të thjeshtë të popullit, të zhdukin edhe anëtarët e Partisë, kokat e të cilëve bien pa i peshuar mirë”.

Lufta civile ndërmjet shqiptarëve e dobësoi dhe e shmangu luftën kundër okupatorëve nazifashistë. Luftime të përgjakshme u zhvilluan sidomos në qarkun e Vlorës, Mallakastrës, Korçës, Matit, Dibrës, Kukësit, Lumës, Shkodrës, Mirditës etj. Vetëm në Malësinë e Madhe lufta frontale ndërmjet ushtrisë qeveritare dhe malësorëve të Kelmendit vazhdoi një muaj e gjysmë, me viktima të shumta nga të dy palët ndërluftuese. Vetëm kur brigadat NÇ u futën nga Jugosllavia dhe me ndihmën e Jugosllavëve, atëherë u thye rezistenca ne Malësinë e Madhe.

Edhe misionarët e huaj ushtarakë e kanë vëzhguar dhe raportuar luftën civile sipas optikës dhe interesave të tyre, po të gjithë e kanë pranuar si një realitet të hidhur.

“Mendoja të ndaloja gjakderdhjen e popullit shqiptar, por nuk ia arrita dhe këndej e tutje unë nuk do të përzihem në vëllavrasjen tuaj “ – i thotë Gjenerali Dejvis E. Hoxhës.”

“Komunistët vendosën të zhduknin çdo rival të mundshëm, para se të ndodhte zbarkimi i pritshëm i Aleatëve, – konstatonte britaniku Xhuliano Emeri. – Për këtë arsye ata i drejtuan të gjitha energjitë e tyre kundër Ballit Kombëtar, pjesëtarët e të cilit ishin natyrisht armiqtë e tyre të klasës. Ballistët, nga ana e tyre, reflektuan në pranimin e kësaj ndeshjeje dhe marrëdhëniet ndërmjet dy organizatave u keqësuan shpejt, deri në fillimin e përleshjeve të armatosura.”

Taktika e komunistëve ishte t’i shpallnin armiq ata që s’mendonin njëlloj apo që nuk bashkoheshin me ta.” –shkruante britaniku Deivid Smajl.

Edhe gjenerali Uilson, komandanti suprem i ushtrisë Aleate të Mesdheut, kërkonte nga E.Hoxha: “Më duhet t’ju vë në dukje se armët dhe furnizimet që ju dërgojmë, janë të destinuara vetëm për një qëllime pikërisht për të ndihmuar forcat tuaja që të luftojnë armikun. Unë nuk mund të toleroj që ju t’i përdorni këto armë për të vrarë dhe likuiduar bashkatdhetarët tuaj për qëllime politike”.

Lufta civile në Shqipëri, që nisi pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes dhe vazhdoi përgjatë tre muajve të fundit të vitit 1943, kulmoi në vitin 1944. Viti 1944 ishte viti i përgjakshëm i luftës civile ndërmjet shqiptarëve, që shkaktoi me mijra viktima, shkatërrim të plotë të vendit, ekonomisë dhe të jetës, ndarjen nga Perëndimi dhe kyçjen në Perandorinë komuniste të Lindjes.

Udhëheqësia doktrinore e PKSH, dënoi për tradhti edhe delegatët e saj kryesorë në Kuvendin e Mukjes, edhe pse Këshilli i Përgjithshëm NÇ i kishte autorizuar me kompetenca të plota për marrëveshje. Mustafa Gjinishi u dënua me vdekje dhe u vra në vitin 1944 në një pritë të organizuar nga E. Hoxha, Ymer Dishnica, një nga protagonistët e shquar të Marrëveshjes së Mukjes, u dënua me burg dhe mandej me internim, po ashtu edhe disa nga delegatët e tjerë të Nacionalçlirimtares. Gjithashtu i quajti tradhtarë e kolaboracionistë delegatët e Ballit Kombëtar, me të cilët lidhi marrëveshje bashkëpunimi pak ditë më parë. Madje, nisi mësymjen e armatosur për asgjësimin e tyre.

Pasojat e prishjes së Marrëveshjes së Mukjes dhe të Luftës civile vazhduan për gjysmë shekulli komunizëm, por ndjehen e dhe sot, në ndarjen dhe politikën e sotme konfliktuale, në urrejtjen dhe armiqësinë, mungesën e kompromisit e të bashkëpunimit për interesat e popullit dhe ato kombëtare. Shqipërisë i duhet një Mukje tjetër, që t’i bashkojë shqiptarët në përpjekjen e tyre për një Shqipëri të pavarur, të lirë e demokratike, për integrimin brenda vetes dhe integrimin në familjen e madhe Evropiane

Mesazhi i Mukjes është aktual: shqiptarë, e mira dhe interesi i Shqipërisë, i kombit shqiptar dhe i çdo shqiptari kërkon mirëkuptimin e bashkëpunimin për interesat madhore të Shqipërisë e të kombit, dhe jo ndarjen dhe armiqësinë, interesat personale dhe luftën e paprinciptë politike. Mirëkuptimi është akti i parë i çlirimit të një kombi.

Zgjedhjet presidenciale në SHBA! Ankth dhe zhgënjim mes amerikanëve

Shumica e amerikanëve po ndjejnë shumë emocione në prag të zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit, por entuziazmi nuk është një prej tyre.

Një sondazh i ri nga agjencia e lajmeve Associated Press dhe Qendra NORC për Kërkimin e Çështjeve Publike (AP-NPRC) arrin në përfundimin se rreth 7 ndër 10 amerikanë thonë se ndjejnë ankth ose nervozizëm lidhur me fushatën presidenciale të vitit 2024, dhe një numër i ngjashëm thonë se janë të interesuar për to.

Vetëm rreth një e treta thonë se ndjehen entuziastë.

Java e fundit a fushatës për garën presidenciale të vitit 2024 po shoqërohet në përgjithësi me një ndjesi të gjerë pasigurie. Gara është e ngushtë në nivel kombëtar dhe në shtetet kyçe, që mund të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve, sipas sondazheve të fundit, as demokratja Kamala Harris dhe as republikani Donald Trump, nuk kanë një avantazh të qartë.

Ndërkohë, kandidatët kanë ofruar argumente përmbyllëse që janë në kontrast të plotë me njëri-tjetrin. Demokratja Harris argumenton se zoti Trump është i përqendruar tek hakmarrja dhe interesat personale, ndërsa republikani Trump iu referua zonjës Harris në një tubim të dielën në mbrëmje si “një e paaftë që ka shkatërruar gjithçka”.

Disa grupe votuesish janë edhe më të shqetësuar se sa ishin katër vjet më parë, edhe pse ato zgjedhje u zhvilluan në mes të një pandemie vdekjeprurëse.

Në vitin 2020, një sondazh i AP-NORC arriti në përfundimin se rreth dy të tretat e amerikanëve ishin të shqetësuar për zgjedhjet. Por për ata që mbështesin njërën palë ose tjetrën, ankthi është pak më i lartë. Rreth 8 ndër 10 demokratë thonë se ndjejnë ankth në këtë cikël, një numër pak më i lartë se rreth tre të katërtat në zgjedhjet e fundit. Rreth dy të tretat e republikanëve janë të shqetësuar, një rritje e moderuar nga rreth 6 ndër 10 në vitin 2020.

Ndërsa tek të pavarurit kjo ndjesi nuk ka ndryshuar në mënyrë domethënëse dhe ata ndihen më pak të shqetësuar se demokratët, apo republikanët. Rreth gjysma thonë se ndjejnë ankth, një nivel i ngjashëm me vitin 2020.

Emocionet e tjera janë intensifikuar në krahasim me ciklet e kaluara zgjedhore, përfshirë nivelin e entuziazmit. Rreth një e treta e amerikanëve thonë se ndjehen entuziastë për fushatën e vitit 2024, nga rreth një e katërta në vitin 2016. Por shumica e amerikanëve thonë se nuk janë entuziastë për garën e këtij viti.

Megjithatë, një faktor ka mbetur konstant: niveli i zhgënjimit të amerikanëve me fushatën. Afërsisht 7 ndër 10 amerikanë e përshkruajnë gjendjen e tyre emocionale si të zhgënjyer, një nivel i ngjashëm me vitin 2020. Megjithatë për ata amerikanë, ka një dritë në fund të tunelit: pas disa ditësh, zgjedhjet do të përfundojnë./VOA/

“Në Tiranë jam ndjerë si ‘Beatles’”- Koncerti i Albano Karrizit në 1989 dhe takimi me Kadarenë! Pandi Laço: S’kishte moderator, e drejtonin vetë, ai dhe Romina! Policia i kërkoi të ulte ritmin sepse….

UVIL ZAJMI/ Kanë kaluar 35 vite nga ai koncert i paharruar, kur në shtatorin e vitit 1989, për herë të parë në Shqipëri, në Tiranë dhe në një stadium, si ai kombëtar “Qemal Stafa”, do të organizohej një shfaqje madhore muzikore. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Protagonist, një personazh, personalitet të njohur të pëlqyer, të preferuar shumë popullor jo vetëm në muzikën e lehtë italiane, por edhe në Shqipërinë e brezave: Albano me gruan e tij, amerikanen, Romina Pauer. Fitues i festivaleve të Sanremos, protagonist absolut në evenimente, spektaklet në Itali e mbarë botën ata ishin ftuar të jepnin dy koncerte “live” në kryeqytet.

 

Me Pallatin e Kongreseve dhe tjetrin me “Qemal Stafën”, dëshmitar dhe publikun e madh, një koncert unikal për kohën, që do të ishte një sinjal i madh për ndarjen e dy epokave, një shpresë më shumë për një hapje me botën, në marrëdhëniet Shqipëri-Itali. Kryeqytetasit do të kishin fatin, ta shihnin nga afër, të ndiqnin, dëgjonin zërin e tij, që vetëm në radio e televizion kishin pasur mundësinë të komunikonin. Pastaj takimi Albanos me Ismail Kadarenë, dhe konsiderata e tij: “…në Tiranë jam ndjerë si Beatles”.

MUZIKA E LEHTË ITALIANE, HIT PARADE E LUTAZIT

Ka qenë dhe mbetet një ndër preferencat, frekuentimet, njohjet pa limite të saj me brezat, të rinj, të reja në Shqipëri. Nga Beniamino Xhili te Modunjo, nga Nila Pizi te Klaudio Vila, etj. Një brez pasionant, i etur për kulturirë, modë, art, sport, me veshin, te radioja, për të marrë informacion e dëgjuar edhe muzikë. Një traditë artistike, të përcjellë, trashëguar edhe nga ata që studiuan, u diplomuan në shtetin fqinj, folës të gjuhës, por jo vetëm. Me njohje edhe për muzikën klasike, kryeveprat e kompozitorëve italianë Verdi, Pucini, Rosini, madje mjaft vepra të tyre si Traviata, Berberi i Seviljes, janë shfaqur edhe në Tetarin e Operës e Baletit, me artistë të njohur shqiptarë. Gjithashtu, edhe në filmat italianë të ndjekura në kinematë e vendit, admirues të aktorëve të njohur, nga Sofia, Loren te Xhina Lolobrixhida, Kluadia Kardinale, Rosana Podesta, Marcelo Mastroiani, Raf Valone, etj.

Por, muzika, ajo e lehtë ka qenë një tjetër marrëdhënie, komunikim, që i ka lidhur shoqëruar shqiptarët nga festivalet e Sanremove, Teatro Dieci, Canoznissima, Un disco per l’estate, Cantagiro, etj. të ndjekura në kanalin Rai 1 në ato pak televizorë dhe në radio. Nga këngëtarët, Celentano, Doreli, Endrigo, Boby Solo, Litëll Toni, Albano, Leali, Di Bari, Dalla, Mal, Ranieri, Morandi, Don Baki, Batisti, apo Mina, Dalida, Sania, Zaniki, Berti, Kazeli, Milva, Vanoni, Pravo, Cinkueti, etj, etj si dhe grupet nga Nomadi, Aluni del Sole, Dik Dik, Camaleonti, Formula 3, Franco i Franco IV, Riki e Poveri, I Pooh, Mati Bazar, etj. Por, Hit Parade, ka qenë emisioni radiofonik më i ndjekur. Çdo të premte ora 12.50 dhe të hënën, përsëritje ora 13.20, drejtohej nga Lelio Lutazi, e paharruar shprehja e famshme e tij “Hiiiit Pareeeeid”. Dhjetë këngë, disqet më të shitura italiane dhe të huaja në Itali. Apo prezantuesit, nga Korrado te Alberto Lupo, Majk Bonxhiorno, Pipo Baudo, etj. Por do të jetë fillimi i vitit 1973, nga do të vijë ndarja shkatërruese, kur pas Festivalit të 11-të të këngës në RTSH, fjalimeve të diktatorit Hoxha, kundër shfaqjeve të huaja në kulturë dhe art, do të regjistrojë shkëputjen me Perëndimin, midis tyre edhe me Rai-n, duke i mbyllur kanalet e televizionit italian, për të lejuar vetëm lajmet e orës 20.00.

Vite, me ngjarje, pësoja të rënda për artistë, këngëtarë, drejtues, prezantues, kompozitorë deri edhe me burgime. Mbyllje totale me botën, në art, sport, në gjithçka. Do të shpiket zhurmuesi i vendosur te 15-katëshi në Tiranë, dhe pas viteve 80-të do të ketë përhapje ilegale, kanoçja e famshme, por vetëm për frekuencën UHF të JRT (Jugosllavia). Ajo që do të mbajë gjallë lidhjet me botën, do të mbeten valët e radios, të pazëvendësueshme për ne shqiptarët. Që bashkë me televizorin kanë qenë një dritare e vërtetë në komunikimin tonë me botën.

Albano Karrizi Romina Pauer Tirane 2

ALBANO, ARDHJA E PARË

Ka qenë viti 1985. Në librin e Zenepe Lukës, “Dashuria shqiptare për Albanon”, lidhur me ardhjen e tij të parë në Shqipëri, dhe cilat ishin lidhjet e tij me këtë vend, këngëtari i njohur tregon: “Në pranverën e 1985, ndërsa ndodhesha në Spanjë për disa koncerte, bashkë me familjen time, një ditë morra në telefon shtëpinë në Celino, prindërit për t’i pyetur si janë. Më thonë se babai kishte vajtur në plazh me vëllain. Gjithçka normale, por unë nuk isha e qetë. Një natë më parë kisha parë një ëndërr me babain duke vdekur dhe që më lutej ta ndihmoja. Ishte një ankth i madh. Telefonova sërish në shtëpi, më thonë se gjithçka është normale, babai nuk ishte aty, kishte dalë me miqtë e tij. Duke ditur “filozofinë” e prindërve për të mos i shqetësuar fëmijët kur ata janë jashtë me punë, nuk i besova. Vetëm kur u ktheva e kuptova që babi kishte pasur probleme në zemër, kishte pësuar një infarkt. Por ishte mirë.

Papritur në një çast më thotë: “Dëshiroj të kthehem në Shqipëri, para se të bëhem shumë plak për të udhëtuar”. Një dëshirë e babait, ishte një urdhër për mua. Marr kontakt me ambasadën shqiptare në Romë dhe konsulli më fiksoi një takim me ambasadorin, Bashkim Dino. Ishte një takim shumë i përzemërt, dhe kemi biseduar gjatë. Ai më kërkoi qëllimin tim në Shqipëri dhe çfarë lidhje kishte pasur babai im me fashizmin. Më tha, gjithashtu, se unë isha shumë popullor në vendin e tij, por vizën mund ta merrja pas gjashtë muajve. I tregova se unë kisha vetëm një javë mundësi dhe që shëndeti i babait nuk ishte shumë i mirë. Një ditë më pas, më njoftuan nga ambasada, duke më thënë se autoritet shqiptare e kishin pranuar kërkesën time.

U nisëm me anije nga Brindisi për në Greqi zbritëm në Igumenicë dhe me makinë vazhduam drejt Janinës, në kufi me Shqipërinë. Një udhëtim i gjatë, ndërkohë babai kishte nisur të përmirësohej te merrte energji. Një mrekulli për të, që po rikthehej në ato vende pas kaq vitesh. “Jeta është vërtet e çuditshme, sa e lehtë është të kthesh këtu pas kaq vitesh”- komentonte ai duke tentuar të fshihte emocionet. Ishte shumë i prekur. Ecte përgjatë rrugëve të Shqipërisë, duke u rikthyer mbrapa në kohë. Ka qenë perëndim kur u futëm në qytetin e Gjirokastrës. Babi ishte i lumtur si një fëmijë në festën e Krishtlindjeve, infarktinuk ekzistonte, ishte zhdukur. Babai dukej i ripërtërirë, plot entuziazëm. Sheshi qendror i qytetit ishte plot me njerëz që shëtisnin. Të nesërmen dy funksionarë shqiptarë na shoqëruan për në Elbasan e Përmet. Kishim vendosur të bënim të njëjtin udhëtim, itinerar që kishte bërë babai shumë vite më parë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjithçka ishte si më parë. “E shikon këtë urë, e kanë ndërtuar italianët”- më thoshte. Pastaj mbi këtë kodër mbetën të vrarë nga forcat greke tre shokët e mi, pasi këtu ishte vendqëndrim ynë. Dy shoqëruesit shqiptarë dëgjonin të mrekulluar nga rrëfimet e babai tim. Edhe ata shpjegonin se si lindi dhe u konsolidua rezistenca shqiptare kundër armikut. Në Sarandë, një qytet i vendosur përballë ishulli grek të Korfuzit, babai dha një intervistë për televizionin shqiptar”.

Albano Karrizi Romina Pauer Tirane 4

NJË FOTOGRAFI MBI TË NJË AUTOGRAF

Ndërkohë, Gazmend Mullahi, kompozitori i njohur, shoqëruesi i Albanos në atë udhëtim të parë të tij për në Shqipëri, shton: “Me Albanon, të atin dhe nënën e tij, udhëtuam edhe për në Tiranë. Një vizitë, takim paradite me artistë në RTSH, dhe në mesditë në Institutin e Lartë të Arteve, u improvizua një takim pa zhurmë, i thjeshtë, i shpejtë me një grup studentësh, që mbushën sallën qendrore të koncerteve. Personalisht edhe unë, bashkë me një mikun tim, Leonard Gjermenin, kam qenë në atë mbrëmje, në atë sallë. Rreth një orë ka vazhduar, ai takim surprizë me Albanon, përballë, të ulur në një tavolinë të vendosur në skenë. Një takim interesant, ku foli i ati, më pas ai dhe pastaj bisedat me studentët, të pranishëm.

Nuk këndoi, por për të dalë, duke ngjitur shkallët qendrore të sallës, të gjithë e rrethuan, me dëshirën të komunikonim me të, dikush t’i merrte në një letër të improvizuar firmën. Nga ajo mbrëmje, kam një kujtim të veçantë: “Një fotografi personale, mbi të nënshkrimi, firma e tij. E kisha marrë për atë qëllim”. Jemi në vitin 1985, kur diktatori kishte pak muaj që kishte ndërruar jetë. Jemi në një situatë të brendshme të tensionuar, asgjë nuk ka ndryshuar në rrafshin politik, marrëdhëniet me botën, hapjen, dhe kur ende çdo veprim, sjellje e padëshiruar e konsideruar nga sistemi, kishte pasoja për individin. Më parë, viti 1977, vetëm Marinella, këngëtarja e njohur e muzikës së lehte greke kishte qenë në një turne në Shqipëri me koncertet e saj në Pallatin e Kongreseve. Një tentativë pak vite më vonë, me këngëtarin e njohur italian Klaudio Vila për një koncert në Tiranë, por pikërisht në atë muaj, vdes Hoxha dhe koncerti do të anulohet. Ndërkohë, në shtator të atij viti, në një atmosferë të tillë Albano do të vijë në Shqipëri. Por, jo për të kënduar. Të nesërmen largimi, kthimi për në Sarandë, pa jehonë, zhurmë, as në gazetë, televizion, radio mjetet informues të kohës nuk u dha asnjë informacion”.

KONCERTET NË TIRANË, AI NË “QEMAL STAFA” SINJAL I MADH SHPRESE

Ato kanë qenë dy shfaqje spektakolare. E para, të mërkurën 20 shtator në Pallatin e Kongreseve, e dyta të nesërmen, e enjte 21 shtator në mbrëmje në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Koncertet e Albanos me gruan e tij Romina në Tiranë do të regjistrojnë një moment të rëndësishëm social, epokal, për shqiptarët, një sinjal, në ndarjen e dy sistemeve, epokave dhe për këtë arsye ato mbeten dy ngjarje të mëdha historike. Për herë të parë koncert i një këngëtari perëndimor në Tiranë dhe në stadium; për herë të parë, në skenë, kryeqytetasit do të kenë përballë do të prekin, do të dëgjojnë live një artist të admiruar ndër vite, Albanon, të parë e dëgjuar vetëm në televizion e radio. Për herë të parë, një skenë e improvizuar me drita, ndriçim si kurrë më parë; garderobë, veshje moderne, estetikë, modë, erë parfum, çka për shqiptarët deri pak muaj më parë, ishte e ndaluar dhe me pasoja. Pastaj tekstet e këngëve: Nga ato me sloganet e rëndomta “Bushtrisë, Bushtricë, nga ty shoh botën” dhe kur “Mësuesi dashurohej me një kooperativiste”, tek ato krejt ndryshe në përmbajte, melodi, interpretim, lirshmëri skenike, gjithçka.

Transmetimi televiziv nga TVSH me ngjyra, i parë edhe ky. Dy zëra të mrekullueshëm, përballë një spektatori të panumërt, të ulur, në këmbë, në sektorin përballë të stadiumit. Një atmosferë e jashtëzakonshme, dhe kush ka qenë atë mbarmë në stadium e kujton mjaft mirë. Deri tek interesimi, vështirësia për të gjetur një biletë, dhe shitja e tyre tek sportelet e biletave të sportit. Po në librin e tij, “Dashuria shqiptare për Albanon”, me kureshtjen për ditur diçka më shumë, lexojmë: “Në Shqipëri unë gjeta motivin për këngën “Saranda, Okinava”. Sapo u ktheva në Itali bashkë me Rominën dhe kompozitorin Vito Pallavicini vendosëm të kompozojmë një këngë dedikuar tmerrit të luftës. Saranda, Okinava, si dëshmitare të dy fëmijëve, baballarët e të cilëve kanë qenë në atë luftë: babai im në Shqipëri dhe i ati i Rominës në Japoni. Një këngë emocionuese, një kujtim shumë i bukur. Pastaj koncerti i parë në Shqipëri. Gjithmonë më kanë pyetur nëse ishte një dashuri për këtë vend, apo një sfidë për të qenë i pari këngëtar nga një shtet perëndimor që kërkon të sfidojë regjimin? Sigurisht të dyja bashkë. Të rikthehesha në Shqipëri për të dhënë dy koncerte me 19 dhe 20 shtator 1989, ishim këngëtarët e parë nga perëndimi që kishim këtë privilegj. Autoritet vendase na vunë në dispozicion Pallatin e Kongreseve për koncertin e parë, ndërsa për të dytin, stadiumin kombëtar. Ka qenë një ngjarje e paharruar, e jashtëzakonshme, ashtu si edhe takimi me shkrimtarin Ismail Kadare.

Sapo kisha lexuar librin e tij “Il generale dell’armata morta”, dhe isha shumë kurioz ta takoja. Në faqet e këtij libri unë gjeta babain tim, historinë e pabesueshme të tij në Shqipëri. Kadare erdhi të më takojë në hotelin ku unë qëndroja. Ishte bashkë me gruan dhe vajzën. Me një fizik të vogël, por me një zemër të madhe. Ai dinte të fliste shumë mirë edhe me heshtjen e tij. Pastaj koncerti i dytë. Atë mbrëmje stadiumi ishte i tej mbushur, ngopur me spektatorë, me spikerin që komunikonte titujt e këngëve në shqip, ndërsa unë dëgjoja zemrën të më rrihte shumë fort. Romina ishte me bronkit, por atë mbrëmje këndoi si të ishte në një formë të shkëlqyer. Publiku nuk ndalej duke duartrokitur e kënduar. Kur Romina po këndonte dhe isha në pritje të futesha në këngë, më afrohet një person i sigurisë dhe më një italishte gati perfekt më thotë: “Ju do të jeni përgjegjësi i vetëm nëse këtu ndodh diçka e papritur. Çfarë duhet të bëj e pyes? Ju më sugjeroni ta ndërpres koncertin”- i përgjigjem. Jo, jo nuk thashë këtë,- m’u përgjigj, duke më hedhur një shikim shumë të ashpër. Dy orë e gjysmë koncert, pa asnjë incident duke më rikthehej në kujtesë atë që kam parë në një koncert të Mik Xhekerit. Në Tiranë lashë kujtime të bukura falë edhe ndjeshmërisë, mesazheve që përcillnin këngët e mia. Si mund ta harroja Shqipërinë, Tiranën, aty ku jam ndjerë si të isha Beatles”.

REAGIMI I SHTYPIT SHQIPTAR

Edhe për gazetat, shtypin e kohës, ishte një befasi, që në faqet e tyre, të shkruhej të flitej për një koncert të një këngëtari italian të zhvilluar në Tiranë. Vetëm me Marinelën, këngëtaren greke, dhjetë vite më parë. Në faqet e atyre pak gazetave të kohës, lexojmë: “Mbrëmë këngëtari italian Albano Karrizi, e shoqja Romina Pauer, dhe grupi i tij dhanë një koncert në stadiumin “Qemal Stafa” në kryeqytet.

Pjesëmarrësit e mirëpritën koncertin për interpretimin me nivel artistik të këngëve, dhe melodive nga Albano e shoqja Romina dhe grupi i tij. U pëlqyen dhe u duartrokitën sidomos këngët “Toka ime”, “Saranda Okinava”, “Nën diell”, “Liria”, etj. Në fund të koncertit këngëtarëve miq, iu dhuruan buqeta me lule”.

******

pandi laco

Pandi Laço: “Me këngën “Liberta”, u dogj stadium”

Regjisori, moderator, autori i njohur i teksteve të këngëve, në atë kohë punonjës në RTSH, i rikthehet atyre koncerteve, duke i rrëfyer me dëshirë e pasion, pasi të tilla i kujton: “Edhe pse kanë kaluar 35 vite, i kam të paharruara ato shfaqje, sidomos atë në “Qemal Stafa”, shprehet Laco

Z. Pandi, çfarë ishin ato dy koncerte?

Ishte bërë një marrëveshje, me ambasadat, Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë, TVSH, që Albano të jepte dy koncerte live ë Tiranë, njërin në Pallatin e Kongreseve dhe tjetrin në stadium. Dhe TVSH të kishte të drejtën e transmetimit. Pa asnjë detyrim tjetër financiar, koncerte falas.

Ardhja, mikpritja ku u vendos këngëtari i famshëm?

Albano, Romina, grupi i tij me instrumentistë, teknikë u sistemuan në hotel “Dajti”. Para shfaqjeve ata bënë prova, si në pallatin e Kongreseve dhe paradite në stadiumin kombëtar. Ajo e dhënë në Pallatin et Kongreseve u transmetua direkt nga TVSH, ndërsa ajo e stadiumit më vonë dhe me disa montime.

Koncerti i parë, cila ishte atmosfera?

Në shfaqjen e parë hyrja ishte vetëm për zyrtarë, një seleksionim i personave, dhe me ftesa, jo bileta, siç veprohej asokohe. Madje në një çast gjatë shfaqjes, kur Albano ftoi disa të rinj të afroheshin dhe të uleshin me të në ato shkallë e vogla që ngjiteshe në skenë, disa të pranishëm në shenjë mosaprovimi u larguan nga salla, duke e lënë shfaqjen.

Vetëm 24 orë më pas, jemi në koncertin e dytë

Nuk kishte moderator, por e drejtonin vetë, ai dhe Romina. Albano ishte veshur me një kostum blu, kishte të lidhur me fasho dorën e majtë , ndërsa Rominën me një fustan të gjatë ngjyrë të kuqe. E shoqëronte një grup instrumentistësh, që kryenin edhe rolin e koristëve.

Ka një moment tensioni thoni ju?

Poshtë, në fushë polici e madhe. Kulmi arriti me këngën “Liberta”, kur entuziazmi i publikut ishte i papërmbajtur, duke djegur edhe këmishat, situata u tensionua. Kam qenë aty, kur forcat e policisë të shumtë në numër, i kërkuan Albanos të ulte ritmin, se mund të kishte probleme me njerëzit të ekzaltuar në ekstrem.

Keni edhe një detaj personal, familjar

Gruaja ime shtatzënë 6-muajshe me vajzën, ka qenë e pranishme në stadium. Nuk kishim parë asnjëherë në Tiranë një shfaqje të tillë dhe në stadium. Një atmosferë elektrizuese, situatë e ndezur jashtë çdo limiti.

Cilat ishin këngët, ato provokuese?

Ai këndoi mjaft këngë të njohura të repertorit të tij. Mbi 23 të tilla ka kënduar. Nga ato të fillimit të karrierës dhe sukseset e fundit, kryesisht ato të kënduara me Rominën, si “Felicita”, “Il Ballo del qua, qua”, ”Nell sole, Mattino”, ”Prima note d’amore”, “Sharzan”, “Felicita”, ”Acqua di mare”, “Sempre, Sempre”, “Saranda Okinava”, “Amara terra mia”, “Ci sara”, “Liberta”, “O sole mio”, etj.

******

Albano Karrizi Romina Pauer Tirane 3

Met Kruja: “Pati kërkesa për një koncert tjetër”

Ish-inxhinier i njohur i stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, i pranishëm ato ditë në organizimin e atij koncerti të Albanos për “Panorama” shprehet: “Hera e parë për ne, nuk kishim eksperiencë për një koncert në stadium. Skenografia, fonia, deri te gardëroba i sollën ato. Pastaj ndriçimi tjetër problem. Nuk pati asnjë incident”.

Z. Kruja, nga një ndeshje tek një koncert muzikor?

Ishte një urdhër, orientim nga zyrtarë të lartë të shtetit, dhe për këtë qëllim, drejtori Osman Palushi, na mblodhi si administratë e na tha se në stadium do të ngrihej një skenë, për një koncert që do të jepte një këngëtar i njohur italian, Albano me gruan. Sigurisht që ne pranuam por duke marrë masa, që të mos prishje, dëmtohej fusha. Nuk ka qenë e shtunë, apo e diel që të kishte ndeshje, por mes jave. Duhej një angazhim nga të gjithë ne, që nuk ishim më shumë se dhjetë punonjës, dhe pak ditë në dispozicion. Na mungonte një eksperiencë e tillë.

Kush u angazhua me montimin e skenës

Skena u montua, prej tyre, pasi elementët për ngritjen e skenës, projektorët, foninë, skenografinë deri veshjet, gardërobën e sollën vetë, me mjete transporti nga Italia. Ka qenë një skenë e madhe me parametrat e domosdoshme të mjaftueshme, për këngëtarët, grupin, muzikantët, akustikën. U vendos që skena të ishte me pamje nga sektori përballë, dhe jo tribunës qendrore. Për faktin se ai sektor ofronte mundësinë për një numër të madh spektatorësh. Ndërsa në fushë, u vendosën rreth 200 karrige, për zyrtarët, njerëzit e artit. Koncerti ka filluar rreth orës 19.00 dhe ka vazhduar më shumë se dy orë.

Problem ndriçimi, shfaqja vazhdon deri vonë

Po, pasi stadium nuk kishte ndriçim artificial. Ata sistemuan projektorët, kurse ne i garantuam teknikëve të tyre pandërprerje të energjinë elektrike, madje u angazhua edhe enti qendror i Tiranës. I liruam dhomat e zhveshjes së lojtarëve, arbitrave të stadiumit ku ata vendosën materialet dhe që të ishin në dispozicion të tyre.

Një biletë dhe shumë kërkesa

Kishte kërkesa të madha për bileta. Një e tillë kushtonte rreth 30 lek të vjetra madje u përdorën biletat e ndeshjeve për atë koncert. Një fluks i paparë, të gjithë donin të ishin në atë shfaqje.

Z. Meti, një koncert, shumë entuziazëm, por edhe kujdes e vëmendje

Nuk pati asnjë incident, përkundrazi, gjithçka nisi dhe u mbyll normalisht. Pa asnjë dëm material. Njerëzit u kënaqën. Madje pati kërkesa që Albano me Rominën të jepnin edhe një koncert tjetër, por nuk u realizua.

/Gazeta Panorama

Aksident i rëndë, makina përplas për vdekje të miturin

Një aksident  i rëndë  me pasojë vdekje është regjistruar  sot rreth orës 14:00 në rrugën Peqin-Elbasan, në afërsi të fshatit Pajovë.

 

Burime bëjnë me dije se në aksident janë përshirë  dy automjete.

Pas përplasjes njëri prej automjeteve ka dalë jashtë rruge duke përplasur për vdekje fëmijën e mitur rreth 10 vjeç.

Burime bëjnë me dje se viktima është Enjo Tabaku.

I mituri ka gjetur vdekjen e menjëhershme për shkak të plagëve të shumta. Fëmija u përplas nga automjeti  tip Volkswagen golf.

Automjeti drejtohej nga shtetasi Odorian Petriti 46 vjeç ndërsa automjeti tjetër tip Audi, drejtohej nga Mikel Petriti, 41 vjeç.

POSTRIBA KËRKON UJIN/ Banorët protestë para Bashkisë, kundër gurores

Banorët e Postribës u rikthyen në protestë para Bashkisë së Shkodrës. Ata thonë se prej vitit 2019 uji i pijshëm ndotet nga gurorja teksa akuzojnë se iu tjetërsuan firmat që hodhën për rrugën.

Banorët e Postribës u rikthyen në protestë para Bashkisë së Shkodrës. Ata thonë se prej vitit 2019 uji i pijshëm ndotet nga gurorja teksa akuzojnë se iu tjetërsuan firmat që hodhën për rrugën

Banorët e Postribës protestuan para Bashkisë së SHkodrës për ndotjen e ujit. Thonë se shkak është bërë gurorja dhe se për këtë kanë një proces në gjykatë dhe padi në prokurori duke akuzuar për ndryshim të destinacionit për të cilin kanë firmosur.

Protestat janë nisur që në vitin 2019 e që prej atij moment shprehen se uji nuk pihet.

Para derës së bashkisë edhe një herë kërkuan që t’u jepet zgjidhje shqetësimit të tyre.

Prokuroria ngre aktakuzë ndaj dy personave për krime lufte në Kosovë

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi të enjten se ka ngritur aktakuzë kundër dy të dyshuarve për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë më 1998-’99.

 

Prokuroria i ngarkon të dyshuarit me inicialet S.S dhe M.S. me një sërë akuzash si, vrasje, maltretime fizike dhe psikike dhe plaçkitje të pasurisë së luajtshme të popullsisë civile gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se në periudhën kohore 1998 – 1999, me dashje dhe në bashkëkryerje e kanë kryer veprat penale, krimi i luftës kundër popullsisë civile”, tha prokuroria në një njoftim për media.

Prokuroria nuk dha më shumë hollësi rreth këtij rasti e as rreth dy të dyshuarve.

Kjo është aktakuza e katërt e ngritur në dy muajt e fundit për krime lufte në Kosovë.

Dhjetorin e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte thënë se ka ngritur gjithsej 33 aktakuza, që përfshijnë 89 persona, për krime lufte në Kosovë.

Prej përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, rreth 70 persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX).

Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar lëndët në Prokurorinë e Kosovës dhe në gjykatat vendore.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-’99 janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë./rel

Shpërthen Lautaro: Nuk ka më drejtësi për “Topin e Artë”, prisja renditje më të mirë

Lautaro Martinez u rikthye të gjente golin dhe të ishte sërish vendimtar për skuadrën e Interit, ashtu si në kohët e arta.

 

Kapiteni zikaltër dha një asist dhe shënoi 1 gol duke qëndruar në fushën e lojës për 90 minuta. Ai foli për “DAZN” për ndeshjen, por jo vetëm. Lauti e ka vlerësuar Empolin si një nga ekipet më në formë të Italisë dhe nuk ishte aspak e lehtë.

“Empoli është një skuadër në shëndet dhe shumë e vështirë për t’u përballur. Është skuadër fizike dhe që luan shumë mirë në mesfushë. Por ne e kishim përgatitur mirë, por pastaj me një lojtar më shumë në fushën e lojës ishte më e lehtë për ne”, ka thënë Lautaro.

TOPI I ARTË- Një nga temat e diskutimit ishte edhe renditja e tij në “Topin e Artë” ku u pozicionua në vendin e shtatë. Ai bën ironi duke thënë se ka vend për përmirësim.

“Sinqerisht prisja që të renditesha pak më lart, por ndonjëherë këto çmime nuk vendosen në mënyrën e duhur dhe të drejtë në shumicën e rasteve”, tha Lautaro duke e mbyllur diskutimin.

FORMA- Nisja e sezonit për të ishte për t’u harruar, por pak nga pak është duke qenë vendimtar ashtu si në sezonin e vitit të kaluar.

“Jam i lumtur sepse po rigjejë formën. Kam ardhur shumë vonë në fazën përgatitore pas një sezoni të gjatë me Interin dhe në finalen e Kupës së Amerikës. Lodhja ishte e dukshme. Por jemi duke punuar të gjithë për të qenë në formë, për të dhënë maksimumin. Kampionati është shumë i gjatë dhe ne kemi besim për të mbërritur deri në fund dhe me objektiva të rëndësishëm”, përfundoi kapiteni i Interit.