22.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Qershor, 2025

Qeveria nën sulmin amerikan, Lu e Crawford shigjetojnë qeverinë

Dy deklarata të forta të drejtuesve të institucioneve diplomatike dhe tregtare kanë shigjetuar qeverinë Rama. E para, është një deklaratë e fortë e ambasadorit amerikan, i cili për herë të parë deklaron publikisht se drejtues të vendit kanë trafikuar vajza dhe deklarata tjetër vjen nga drejtuesi i Dhomës amerikane të Tregtisë, Crawford,i cili thotë se niveli i taksave të qeverisë për biznesin është më ilarti në rajon dhe arrin deri në 40%.
A janë deklarata të tilla të pakoordinuara? Kjo nuk ka aspak rëndësi. Deklarata të tilla nuk mund të jenë të rastësishme. Vetëm tre ditë më parë, ambasadori amerikan ishte prezent në raportin e fundit të publikuar nga Dhoma amerikane e Tregtisë, ku ka pasur edhe zhvillime të tjera. Ambasadori Lu ka kërkuar nga bizneset amerikane të ngrenë zërin për të drejtat e tyre dhe të mos lëshojnë pe.

Arrestoni dhe dënoni drejtuesit e vendit që trafikojnë
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu, ka lëshuar një deklaratë të fortë gjatë një takimi, ku ka folur për trafikantët e qenieve njerëzore. Donald Lu tha se, ndjen neveri që disa drejtues të votuar të vendit tonë, të cilët kanë shitur vajza të pafajshme në skllavëri.
“Ndiej neveri që disa prej drejtuesve të votuar të këtij vendi, ma merr mendja edhe nga vende të tjera nga rajoni, kanë qenë burrat që i shitën këto vajza të pafajshme në skllavëri. Ata duhet të arrestohen dhe të dënohen me të gjithë fuqinë e ligjit”, u shpreh Lu.
Në konferencën e mbajtur kundër trafikimit të qenieve njerëzore, gjithashtu Donald Lu i ka bërë një thirrje të fortë qeverisë shqiptare lidhur me trafikimin e qenieve njerëzore.

Crawfrod: Taksat më të larta në rajon
Biznesi ankohet se barra reale e taksave në Shqipëri është dy herë më e rëndë sesa thuhet zyrtarisht nga qeveria. Presidenti i Dhomës amerikane të Tregtisë, Mark Crawford, thotë se dhjetëra taksa dhe tarifa që shtohen vit pas viti e kanë bërë barrën fiskale të papërballueshme.
“Nëse shikon në letër 15 për qind, nuk duket një normë shumë e lartë krahasuar me botën. Por, janë 30 taksa dhe tarifa të tjera të vogla, të cilat e çojnë barrën e taksave 20-30 për qind, e ndoshta deri në 40 për qind të fitimit, ose të të ardhurave personale”, thotë Crawford.
Sipas tij, taksat e larta janë prej vitesh pengesa kryesore e biznesit në Shqipëri. Madje, ai thotë se politika fiskale shpesh është kaotike.
“Është e pamundur që një kompani të ndërtojë hotel me 5 yje, kur nga një anë hiqen taksat, por nga ana tjetër shtohet një taksë në rrugë për turistët nga Kosova që vijnë këtu”, thotë presidenti i Dhomës amerikane të Tregtisë.

Por taksat e larta nuk janë problemi i vetëm që vuan sipërmarrja. Crawford thotë se, ndryshe nga vendet e rajonit, në Shqipëri politika e taksave nuk ka qëndrueshmëri.
“Nëse ne e ndryshojmë paketën fiskale vit për vit dhe gjatë vitit shtojmë tarifat, është shumë e vështirë për një kompani të huaj të planifikojë. Ata kanë aksionerët e tyre, burimet e tyre dhe pritshmëritë e tyre nga jashtë”, shprehet Crawford.
Sipas kreut të Dhomës amerikane të Tregtisë, klima e paqartë dhe taksat e larta kanë dekurajuar shumë investitorë të huaj të vijnë në Shqipëri.
“Unë nuk jam shumë i shqetësuar për ata që janë këtu, madje duhet të kujdesem për ata që janë këtu, sepse janë publicitet më i mirë, ose më i keq, për të tjerët që mund të vijnë. Por jam i shqetësuar për ata që mund të kishin ardhur dhe nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Nuk jemi në nivelin që mund të jemi rehat me këtë situatë siç është aktualisht”, përfundoi Crawford intervistën për “Top Channel”.

Drejtori denoncon ministrin: Po fsheh korrupsionin me gjuetinë e shtrigave

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka bërë ditën e sotme kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës për shpërdorim të detyrës, ndaj tre ish-zyrtarëve të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve.
Sipas Ministrisë, Ardian Alushi, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve, Tiranë, Klevis Biçaku, ish Koordinator i projektit, Albens Alite, ish- Koordinator i projektit për periudhën Qershor 2015 – Tetor 2017 akuzohen se kanë shkaktuar shkaktuar një dëm prej 21 milionë lekë në buxhetin e shtetit.
Por menjëherë ka ardhur edhe reagimi i ish-drejtorit Alushi i cili shkruan se kjo është një stisje e motivuar politikisht dhe se ai ka zbatuar pikë për pikë ligjin.
Reagimi i plotë i Ardian Alushit:
E gjitha është një stisje e motivuar politikisht dhe që ka për autor ata që sot duan të fshehin abuzimet e tyre në drejtorinë e ujësjellësit. Unë kam zbatuar pikë për pikë ligjin dhe aktet rregullatore të tij. Çdo akt apo veprim juridik apo financiar është miratuar nga Banka Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar(JICA), në përputhje me marrëveshjen e miratuar në parlament në vitin 2008. E cila ka monitoruar dhe çertifikuar të gjithe ecurinë e projektit nga fillimi deri sot.

Projekti për të cilin zoti Gjiknuri pretendon se është abuzuar është audituar në detaje nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Përfundimet e tij mund t’i shohë dhe gjykojë kushdo. Ato janë të tëra në përputhje me ligjin dhe nuk është evidentuar asnjë shkelje.
Me cilësinë e drejtuesit kam respektuar ligjin pikë për pikë, por këtë gjë nuk kanë dashur ta shohin dhe evidentojnë audituesit politikë të Ministrisë së Energjisë.
Auditët politikë të inicuar nga ministrat e Edi Ramës janë thjesht shërbime për shefat që duan të fshehin korrupsionin e vërtetë të ministrave dhe të qeverisë.
Çdo përpjekje për të mbuluar të vërtetën dhe kërcënimet në emër të Prokurorisë janë jo serioze dhe të pavlera. Gjyqet politike të bekuara nga Edi Rama nuk tregojnë asgjë më shumë se mjerimin aktual të administratës që është tashmë pré e gjuetisë së shtrigave në emër të drejtësisë.
Shpreh bindjen dhe sigurinë së asnjë audit politik dhe i bekuar nga tarafet e korrupsionit sado të përpiqet nuk do të mund të hedhë baltë mbi punën tonë.

Çfarë ndodhi me 6 mësuesit turq në Kosovë dhe pse Haradinaj nuk dinte gjë?

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, shkarkoi të premten ministrin e Brendshëm Flamur Sefaj dhe shefin e Agjencisë së Zbulimit, Driton Gashi, pas arrestimit dhe deportimit të një dite më parë të gjashtë shtetasve turq, që kërkoheshin nga Ankaraja.
Kryeministri Haradinaj tha se nuk ishte i informuar për operacionin e arrestimit dhe deportimit dhe për këtë arsye “liron nga detyra të dy zyrtarët”.
Në vendimet e shkarkimit shkruhet se “operacioni i ndërprerjes së leje qëndrimit, i ndalimit, deportimit urgjent dhe të fshehtë të gjashtë qytetarëve turq nga territori i Republikës së Kosovës në Republikën e Turqisë, ka ndodhur pa informimin e Kryetarit të Qeverisë dhe pa lejen e tij!”
Autoritetet në Kosovë arrestuan të enjten pesë shtetas turq, punonjës të Institucionit Arsimor Gylistan, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për një përpjekje grusht shteti në Turqi, dy vjet më parë si dhe një mjek turk në Kosovë.
Ata u deportuan menjëherë në Turqi në një operacion të përbashkët të shërbimeve të zbulimit të të dyja vendeve.

Të enjten gjatë ditës ministria e Punëve të Brendshme ë Kosovë, tha nëpërmjet një komunikate se u kishte revokuar lejet e qëndrimit shtetasve turq, “për arsye të përcaktuara me ligjin për të huaj, konkretisht nenit 6 të ligjit ku flet për refuzimin apo revokimin e lejes së qëndrimit për rrethanat e sigurisë shtetërore”.
Tërë operacioni u përcoll u përcoll me paqartësi dhe informacione të pakta.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha nëpërmjet një deklarate se është informuar nga organet kompetente “pas ngjarjes se gjashtë shtetas janë deportuar sot në Turqi me arsyetimin se nuk kanë pasur leje qëndrimi në Kosovë. Ne tani duhet të sqarojmë arsyet që kanë çuar deri në deportimin e këtyre shtetasve turq për në Turqi”.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha nëpërmjet një komunikate se nuk kishte dijeni për operacionin.
“Ka disa elemente që e bëjnë të paqartë këtë operacion deri te urgjenca e deportimit. Si kryeministër i Kosovës duke mos qenë i informuar nga asnjë institucion vendor për ndalimin dhe deportimin e tyre, do të veproj në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore lidhur me këtë veprim dhe paqartësitë rreth këtij veprimi”, thuhet në deklaratën e kryeministrit Haradinaj.

Edhe kryetari i parlamentit, Kadri Veseli nëpërmjet një postimi në Facebook, tha se arrestimi nuk përfaqëson as formën e duhur të zhvillimit të sundimit të ligjit, as konsolidimit të nevojshëm të demokracisë.
Në orët e mbrëmjes nxënësit e Kolegjit “Mehmet Akif” ku punonin të arrestuarit u hodhën në protestë duke kërkuar lirimin e tyre. Turqia ka arrestuar më shumë se 50 mijë veta në operacionet kundër mbështetësve të dyshuar të Fethullah Gulenit, klerikut që akuzohet se qëndronte para grusht shtetit të korrikut të vitit të kaluar.
Kleriku Gulen që jeton në Shtetet e Bashkuara i ka mohuar vazhdimisht akuzat. Fondacioni i tij FETÖ drejton rreth 40 shkolla në Ballkanin perëndimor përfshirë 15 institucione në Bosnjë, 12 në Shqipëri, 7 në Maqedoni, pesë në Kosovë dhe në një Serbi.
Një goditje e gjerë qeveritare pas grusht shtetit që la pas vetes 250 të vrarë dhe mbi 2 mijë të plagosur, vuri në shënjestër mbështetësit e Gulenit dhe kundërshtarët tjerë të qeverisë turke.
Vëzhguesit thonë se ndikimi turk në Ballkanin Perëndimor ka shtrirje në mjedisit posaçërisht të banuara me myslimanë, siç janë Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina.
Një shqetësim të tillë vazhdimisht e kanë shprehur edhe ekspertë ndërkombëtarë të cilët thonë se Turqia përmes investimeve po provon që të shtrijë ndikimin e saj në Kosovë.

Erdogan: Do t’i ndjekim kudo përkrahësit e Gulenit
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha të premten se vendi i tij do të vazhdojë ndjekjen e mbështetësve të Fetullah Gulenit, duke konfirmuar deportimin e shtetasve turq nga Kosova.
“Së fundmi, agjencia jonë kombëtare e zbulimit, solli gjashtë përfaqësues të lartë të “FETO”-s nga Ballkani në bashkëpunim me agjencinë e zbulimit të Kosovës, dhe ua dorëzuan organeve policore. Ne kemi thënë se ata do të ikin, kurse ne do t’i ndjekim dhe sjellim këtu , kudo që të jenë”, tha ai gjatë një tubimi në Ankara.

Deputetët kërkojnë përgjegjësi
Fillimi i një seance të parlamentit të Kosovës u përshkua me debate dhe kërkesa për përgjegjësi të institucioneve pas deportimit të djeshëm të shtetasve turq.
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se nga sot institucionet e vendit kanë hyrë në një situatë të re dhe duhet të pajtohen për datën e zgjedhjeve.
“Është mese e qartë për mënyrës se si janë zhvilluar ngjarjet dje, kryeministri i vendit si shef i ekzekutivit nuk ka kontroll mbi qeverinë, mbi policinë dhe mbi institucionet e tjera, është gjithashtu e qartë se presidenti i vendit ka tejkaluar përgjegjësitë e veta në këtë rast dhe nuk është rasti i vetëm që ai kalon kompetencat kushtetuese’, tha zoti Hoti.
Shefi i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se aksioni i një dite më parë do të ketë pasoja të rënda për shtetin e Kosovës.
“Si është e mundur që në shtetin tonë të ketë struktura paralele të veprojnë pa e ditur politika vendimmarrëse, kjo është sfida të cilën e kemi përjetuar në ditën e djeshme. Sa i përket të drejtave të njeriut, kjo është një kthim i paimagjinueshëm prapa për Kosovën, për arsye se konventat më të rëndësishme evropiane të aplikueshme në Kosovë janë shkelur me ditën e djeshme dhe janë shkelur nga institucionet shtetërore të sigurisë, me deportimin e gjashtë shtetasve turq prapa në Turqi”, tha mes tjerash zoti Konjufca.
Kryeministri Ramush Haradinaj, ritheksoi në parlament se nuk kishte asnjë informacion për operacionin.
“Diku nga mesi i ditës kam kuptuar se ka ndodhur depërtimi”, tha Haradinaj, duke theksuar se shkarkimi i përgjegjësve është vendim i prerë dhe i pakthyeshëm.

Delawie: Transparenca dhe sundimi i ligjit – jetike
Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, shkroi në twitter se po ndjek nga afër zhvillimet rreth shtetasve turq të deportuar.”Transparenca dhe angazhimi ndaj procesit dhe sundimit të ligjit janë jetike”

 

Familjarët dhe avokatët të shqetësuar për fatin e të deportuarve

Familjarët e shtetasve turq, të deportuar një ditë më parë, u mblodhën para ndërtesës së qeverisë së Kosovës për të kërkuar informacione për të afërmit e tyre.
Avokati Leotrim Syla tha se nuk ka asnjë informatë nga organet zyrtare se ku gjenden dhe çfarë ka ndodhur me ta.
“Tash për tash po kërkojmë që të takohemi me kryeministrin në mënyrë që të na jap detaje rreth asaj se çfarë ka ndodh dhe le të shohim se çka do të ndodh tash e tutje, a do të mund të ndalet deportimi i tyre për shkak se nga organet turke nuk ka ndonjë deklaratë zyrtare se ata janë deportuar por nuk ka asnjë deklaratë zyrtare e cila vërteton që ata janë deportuar nga ana e shtetit të Kosovës kështu që në bazë të deklaratve jo zyrtare familjarët kanë kuptuar që ata gjenden ende në Kosovë dhe shpresojmë që në këtë mënyrë do të mund të ndalohet deportimi i tyre për shkak se kemi një brengë shumë të madhe në kahjen që Kosova do të merr”.

Ai tha se gjendja nëpër burgjet e Turqisë është e tmerrshme dhe ata që bashkëpunojmë me shkelësit e të drejtave të njeriut në një mënyrë janë kontribuues në shkeljen e atyre të drejtave.
“Andaj edhe çdo bashkëpunim me anë të ekstradimit apo deportimit dhe dhënies së qytetarëve turq të cilët përndiqen vetëm për shkak të bindjeve të tyre kundër pushtetit të tanishëm është shkelje e të drejtës ndërkombëtare gjegjësisht e Konventës evropiane për të drejtat e njeriut të cilën Kosova e ka marr si obligim për respektimin e saj. Këta njerëz rrezikohen të deportohen në një vend ku do të shkelën në mënyrë flagrante të drejtat e tyre”, tha zoti Syla.

Fabrika e konservimit në Shkodër, Prokuroria kërkon 4 arreste me burg

Prokuroria e Shkodrës dërgon në Gjykatë falsifikatorët e prodhimeve ushqimore dhe inspektorë të AKU-së. Një ditë pas zbulimit të fabrikës, e cila prodhonte produkte ushqimore në kundërshtim me ligjin, organi i akuzës thotë se ka përfunduar hetimin dhe dërgoi në Gjykatë çështjen në ngarkim të disa shtetasve të akuzuar për veprën penale të “Prodhimi i kundraligjshëm i artikujve dhe mallrave industrial dhe ushqimorë”, parashikuar nga neni 288/a/2 të K.Penal si dhe po zhvillon hetime për veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal.
Prokurori i çështjes Astrit Halilaj hetoi dhe ngarkoi me akuza të veprave penale shtetasit: Gëzim Bala, i datëlindjes 28.05.1958 në Shkodër dhe banues në lagjen “Ahmet Haxhia”; Elis Bala, i datëlindjes 19.05.1992 në Shkodër dhe banues në lagjen “Ahmet Haxhia”; Hydajete Elbasani, e datëlindjes 03.07.1958 në Shkodër dhe banuese në lagjen “Partizani”.

Ndërkohë është shpallur në kërkim më datë 28.03.2018, shtetasi Dritan Hoxha, i datëlindjes 14.10.1973, lindur dhe banues në Shkodër, inxhinier merceolog në subjektin “Kampion” shpk.
Prokurori Halilaj kërkoi të caktohet masa e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arresti me burg” ndaj personave nën hetim: Gëzim Bala dhe Dritan Hoxha (në mungesë). Masa e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj personave nën hetim Elis Bala dhe Hydajete Elbasani për vepren penale të “Prodhimi i kundraligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë”, nga neni 288/a/2 të K.Penal, ndaj shtetasve;
Masa e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest me burg” ndaj personave nën hetim Abdyl Bajraktari dhe Adnand Gradeci për veprën penale të “Shpërdorim i detyrës”, të kryer në bashkëpunim.

Kthehej nga shkolla, treni përplas për vdekje vajzën 12-vjeçare

Një 12-vjeçare u përplas për vdekje nga treni mesditën e sotme në Bradashesh të Elbasanit. E mitura, që mësohet se po kthehej nga shkolla, mori plagë të forta dhe ndërroi jetë pak orë më pas në Spitalin e Elbasanit, ku i është nënshtruar edhe një ndërhyrje kirugjikale.
Ngjarja ka nxitur reagimin e banorëve të zonës, të cilët siç mësohet sulmuan me gurë mashinistin në shenje revolte, duke e detyruar të largohet nga zona. Policia e Elbasanit në një njoftim paraprak, thotë se mashinisti është shoqëruar në Polici në funksion të zbardhjes së dinamikës së aksidentit.
Por dyshimet më të forta janë se vajza është përplasur nga treni vetem pak, pasi ka zbritur nga autobusi, dhe për shkak të zhurmës nuk ka arritur të identifikojë trenin që po i afrohej.

“Kumbara” e Ramës, aferë 100 milionëshe në Parkun e Butrintit

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro pas skandalit me një lokal në brendësi të Parkut Kombëtar të Butrintit, pas një heshtjeje mafioze që rifilloi puna dhe lokali përfundoi, tani përfshihet në një tjetër skandal financiar të një afere tenderuese 100 milionëshe. Bëhet fjalë pas një përfundimi kontrate të firmës policore private më datën 24 shkurt 2018, datë që regjistron edhe shkarkimin e drejtorit të këtij Parku, Gjergji Mano, me zëvendësimin e zotit Zhonga që, siaps ministres, kish fituar konkursin, por më parë në fundvitin 2017 qe miratuar politikisht nga kryesia e PS-së së Sarandës në këtë post.
Dhe zoti Mano u largua nga kjo detyrë vetëm se vinte nga radhët e LSI-së dhe bota akademike dhe s’mund të pajtohej me lodrat e Kumbaros. Menjëherë një firmë fantazmë merr në siguri parkun. Kjo përbën shkelje të proçedurave, sidomos me shërbimet e sigurisë policore, qofshin private, qofshin shtërore. Në bazë të ligjit shpallet tenderimi në aplikim Online. Kjo nuk është bërë dhe për një muaj firma private e Tiranës kryen këtë shërbim (për arsye etike dhe investigimi nuk përmendim emra). Ky shërbim kryhet jashtë ç’do rregulli dhe ligji. Pa tender, dhe nëse ka një pauz, e merr një firmë kontraktuese brenda qarkut operues.

Kjo nuk është kryer si proçes. Shteti po vidhet në mënyrë marramendëse nga këto firma. Vetëm të qëndrosh në faktin pse nuk është bërë tenderi dhe vijnë të gjitha. Maskarallëqet dhe abuzimet me Parkun Kombëtar të Butrintit nga kjo ministre vijojnë. Janë 100 miloinë për sigurinë, pse vijnë pa tender dhe pse nga Tirana, kur nuk kanë operativitet në Drejtorinë e Policë së Qarkut Vlorë? Kumbaro nuk ndalet.
5 muaj pas nisjes së punime, lokali brenda Parkut ka përfunduar. Ambientet i ka parë nga afër edhe vetë ministrja Kumbaro, e cila shpjegon se përse ajo dha lejen për rifillimin e punës.
“Pasi u pezullua për një periudhë të caktuar që të shteroheshin të gjitha pyetjet lidhur me interesin që kishte rehabilitimi i një pike shërbimi, grehinë ekzistuese që në ’75 e kam bërë të ditur me kohë që pas këtij pezullimi, punimet filluan për rehabilitimin e plotë. Pika turistike do të jetë gati për sezonin e ardhshëm turistik”, tha atëherë Kumbaro.
Projekti i ndërtimit brenda Parkut Arkeologjik, duke përdorur edhe beton, në një zonë ende të pagërmuar dhe që mendohet se nëntokë ka objekte të antikitetit, të përmendur nga UNSCO.

Në një raport të organizatës thuhet se ndërtimi që ka statusin e Trashëgimisë Botërore duhet të merrte leje edhe prej tyre. Ja çfarë ndodhi në nëntor të vitit 2017.
Parku i Butrintit po shkatërrohet nga dita në ditë me bekimin e ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro. Pas ndërtimit të një lokali në mes të Parkut, tani ka filluar të shkatërrohet një pjesë tjetër e Parkut të mbrojtur. Denoncimi është bërë nga një qytetar, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeminsitrit Berisha. “Ndërtime dhe shkatërrime në Parkun e Butrinit! Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital”, shkruan Berisha në një postim në Facebook.
“Përshëndetje zoti Berisha. Jam një qytetar nga Saranda. Bashkia Konispol na është kthyer një pronë rreth 300 hektarë po është në proces hipoteke për të dalë. Ajo ndodhet në fshatin Xarrë, po të dërgoni ndonjë përfaqësuesin juaj të shikoni se si skrepat punojnë dhe prishin kullotat me ndihmën e Shuaip Beqirit, që është në zonën e mbrojtur të Parkut të Butrintit. Nuk dua ta bëni pubike emrin se kemi qenë njëherë të persekutuar dhe na duket sikur do të persekutohemi për së dyti, duke thënë të drejtën faleminderit në qoftë se do e lexoni”, shkruan qytetari.

Dyshime për ekstradimin në Turqi të mësuesve turq, janë parë pranë aeroportit të vjetër në Prishtinë

Shtetasit turq janë parë sonte në ndërtesën e vjetër të Aeroportit. Së paku 3 nga shtetasit turq të arrestuar të enjten, janë parë sonte në hapësirat e vjetra të Aeroportit të Prishtinës. Lajmin e ka konfirmuar për KTV-në përfaqësuesi i shkollave gyleniste në Kosovë, Bujar Muzhaqi.
Ai ka thënë se një prind i ka parë shtetasit turq në ndërtesën e vjetër të aeroportit, që shërben për qëndrimin e personave VIP.
Muzhaqi ka thënë se i njëjti person i ka thënë se të arrestuarit kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Të shqetësuar e në ankth, familjarë të shtetasve turq që u arrestuan të enjten në Kosovë, për disa orë kanë qëndruar para objektit të qeverisë.
Përveç që kanë kërkuar të dinë se çka ka ndodhur me familjarët e tyre, ata kanë folur edhe për marrëdhëniet refuzuese të ambasadës turke në Kosovë, raporton KTV.

“Nuk dëshirojmë që t’i dërgojnë te regjimi i Erdoganit,” thotë në lot Nevin Erdem, gruaja e Mustafa Erdem.
“Te gjithë jemi shumë të mërzitur dhe po presim lajm prej tyre. Ne, përveç mirësisë në Kosovë, nuk kemi bërë asgjë tjetër”, ka thënë Erdem.
Ata kanë shpresuar në një takim me të parin e qeverisë.
“Po kërkojmë takim me kryeministrin Haradinaj, po kërkojmë informacione për vendndodhjen e shtetasve. Po kërkojmë sqarim personal prej tij”, ka thënë Mustafa Sabri Gunakan, djali i Hasan Hysen Gunakan.
E disa orë më vonë, ata u ftuan që të hyjnë në objektin e qeverisë, por jo për të takuar Haradinajn.
Ata u pritën nga shefi i stafit të kryeministrit, Avni Arifi, që i njoftoi për veprimet e të parit të ekzekutivit, duke i siguruar se do të bëjnë ç’është e mundur për të hetuar e zbardhur të vërtetën e asaj që ka ndodhur.

Si gënjen Baçi për vendimin e Gjykatës, Federata sqaron

Federata Shqiptare e Futbollit njofton opinionin publik se nga Gjykata e Tiranës nuk ka një vendim refuzimi apo konstatimi të paligjshmërisë së zgjedhjeve të fundit të organeve drejtuese të FSHF-së.
Ky vendim ka të bëjë vetëm me kthimin e kërkesës, për shkak të plotësimit të disa dokumenteve shtesë që ka kërkuar Gjykata.
Pasi të plotësohet dokumentacioni i kërkuar, FSHF-ja do t’i ridrejtohet Gjykatës për depozitimin e dokumenteve që parashikon Ligji.
Kjo praktikë në Gjykatë ka të bëjë vetëm me regjistrimin e akteve. Legjislacioni në fuqi kërkon që këto akte të regjistrohen në Gjykatën e Tiranës, dhe nga ana e saj, gjyqtarja e çështjes ka kërkuar vetëm disa plotësime në dokumentacionin e kërkuar, të cilat shumë shpejt do t’i vihen në dispozicion.
Pasi kërkuan të bëjnë regjistrimin e vendimit të Asamblesë, Gjykata u ka kërkuar që vendimin e Asamblesë ta bashkangjisin me listën e të gjithë anëtarëve që votuan, a janë ata të regjistruar në Gjykatë apo QKB, si janë të organizuar, kush ua dha mandatet për delegim vote, etj.
Në pamundësi për të fshehur që shumë prej votuesve kanë qenë të paligjshëm, të paregjistruar në Gjykatë apo QKB, ose të mandatuar në mënyrë abuzive, mësohet se Gjykata vendosi për të mos regjistruar vendimin e Asamblesë.

Një vendim i pritur nga Bashkim Fino dhe stafit të tij, pasi ishte një strategji juridike e planifikuar si para dhe pas zgjedhjeve.
Përpos denoncimit publik të manipulimit, u punua që të flasë edhe drejtësia mbi këto abuzime, për t’i treguar sportdashësve se falsifikimet do dalin në dritë.
Aktualisht futbolli shqiptar është në kaos. Presidenti Armand Duka dhe 9 anëtarët e Komitetit Ekzekutiv nuk janë të regjistruar në Gjykatë. Nuk e morën dot mandatin zyrtarisht. Zgjedhjet e reja priten së shpejt.
Ndërkohë pas këtij lajmi, ka reaguar dhe vetë Bashkim Fino i cili shkruan se: Pasi konstatova dhe denoncova publikisht paligjshmërinë e funksionimit të FSHF, mënyrën se si i manipuluan zgjedhjet, duke futur persona të pautorizuar dhe shoqata të paregjistruara, bashkë me stafin tim, vendosëm të ndjekim rrugën ligjore. Kisha besim te drejtësia dhe ajo u shpreh sot, duke mos e regjistruar Asamblenë Zgjedhore të datës 7.02.2018.
Përshëndes shpresën që dha sot drejtësia, që çdo manipulim, nuk do ketë sukses para ligjit.
Ky ishte një mesazh për të gjithë viktimat e këtij sistemi, që Armand Duka nuk ka për të pasur më sukses me metoda të paligjshme.
Procesi vazhdon edhe në KAS-in shqiptar dhe sidomos në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, për një futboll të pastër dhe të drejtë!

Pesë vende të BE duan rikthim të vizave për shqiptarët

Sekretari i Shtetit për Azilin dhe Emigracionin në Belgjikë, Theo Francken do të vizitojë Shqipërinë dhe Gjeorgjinë në muajt e ardhshëm. Lajmin e jep e përditshmja belge DE TIJD në faqen e saj online. Ajo shkruan se zyrtari i lartë do të përcjellë mesazhin se nuk ka më kuptim që shqiptarët të kërkojë tashmë një jetë të re në Belgjikë.
Sipas të njëjtave burime, përveç Belgjikës edhe shtetet anëtare të BE-së, si Gjermania, Franca, Suedia dhe Holanda, kanë pakënaqësi me rritjen e numrit të kërkesave për azil nga këto dy vende.
Në Belgjikë, vitin e kaluar ka pasur 799 kërkesa nga azilkërkues shqiptarë. Mesatarja është 67 kërkesa në muaj. Edhe në 3 muajt e parë të këtij viti kërkesat mbeten në të njëjtin fluks në rreth 60-70 aplikime të tilla.
Çdo kërkesë për azil shqyrtohet në mënyrë individuale, por statusi i “vendeve të sigurta” të cilin e ka edhe Shqipëria nënkupton që procedura e azilit trajtohet më shpejt. Ajo që e bën Belgjikën, Gjermaninë, Francën, Suedinë dhe Holandën kaq të frustruar për çështjet e emigracionit lidhet edhe me politikën e brendshme dhe rritjen e forcave politike të ekstremit.

Thuhet se shqiptarët është e vështirë t’i largosh pasi kanë kërkuar azil. Për këtë arsye po mendohet frenimi i lëvizjes pa viza. Shqiptarët mund të udhëtojnë pa vizë në një shtet anëtar brenda zonës Shengen që prej vitit 2010. Aty ku zbatohet lëvizja e lirë e personave ata mund të qëndrojnë ligjërisht atje për tre muaj.
Autoritetet janë të shqetësuara për shkak të rritjes së numrit të personave që qëndrojnë më shumë se 90 ditë në vendin e tyre të paregjistruar. Ata thonë se në këtë mënyrë kanë përfituar grupet kriminale që janë aktive në trafikun e drogës, prostitucionit dhe grabitjeve. Janë të shumta të dhënat që flasin për një rritje të kriminalitetit shqiptar në Belgjikë. Edhe politika e brendshme në këto vende po kërkon rikthimin e vizave. Në qarqet diplomatike cilësohet si “bombë atomike diplomatike”.
Por çfarë ndodh në Shqipëri? Qeveria e kryeministrit Rama duket e pa shqetësuar për të frenuar emigracionin e paligjshëm. Përveçse mungojnë fushatat ndërgjegjësuese, mungon edhe zbatimi i ligjit kundër atyre që e favorizojnë këtë emigracion. Njëlloj si me kanabisin, kryeministri Rama dhe qeveria e tij vazhdon të injorojë zërat e alarmit që ngrihen nga vendet e BE-së.