28.5 C
Tirana
E enjte, 28 Gusht, 2025

Vrasja e gjyqtares Hafizi, dosja i kalon Gjykatës së Shkallës së Parë

Gjykata për Krimet e Rënda shpall moskompetencë për gjykimin e Fadil Kasemit, të akuzuarit për vrasjen e ish-bashkëshortes, gjyqtares, Fildes Hafizi. Deklarimi i moskompetencës u artikulua në seancë nga avokatët e Kasemit. Në zbatim të vendimit, dosja penale në ngarkim të Kasemit do t’i dërgohet Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
Kërkesa u motivua me vendimin e Gjykatës së Lartë të datës 16 mars 2018, i cili argumenton se Krimet e Rënda janë kompetente vetëm për gjykimin e veprave penale nën juridiksionin e SPAK.
Gjyqtarja Fildez Hafizi u ekzekutua me armë brenda në makinën e saj në fund të gushtit të vitit të kaluar nga ish-bashkëshorti i saj, Fadil Kasemi. Krimi i rëndë familjar, si pasojë e të cilit ngelën jetim dy fëmijë, ndodhi për shkak se i pandehuri nuk e pranonte dot divorcin me ish-gruan, e cila punonte si anëtare e trupës të Gjykatës së Rrethit Shkodër.

 

Fier, i riu vetëvaret në banesë, 17-vjeçarja qëllon veten me armë

Një 17-vjeçare është vetëplagosur me armë zjarri pasditen e djeshme në Fier. Policia sqaron se e reja me iniciale L.B, është vetëm plagosur me armën e gjahut të babait të saj. Shtetasja L.B ndodhet në sallën e operacionit në Spitalin Rajonal Fier.
Po sot, rreth orës 17:27, në fshatin Bishan, Fier është gjetur nga familjarët në banesë në gjendje të rëndë shëndetësore shtetasi Sh.V, 20 vjeç. Gjatë rrugës për në spital, i riu ka ndërruar jetë. Nga këqyrja paraprake dyshohet se shtetasi Sh.V është vetëvarur. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Ndërkohë, një trup i pajetë u gjet në breg të lumit Shkumbin në afërsi të Landfillit në Elbasan. Policia lokale thotë se, viktima është i seksit mashkull, rreth 50 vjeç. Në trupin e viktimës nuk janë konstatuar gjurmë dhune, ndaj dyshimet më të mëdha janë se ai mund të jetë mbytur. Aktualisht po punohet për identifikimin e viktimës.

Kjo taksë nuk duhej të ekzistonte

Dr.Ferat Shala

Çështja e taksave në rrugën e kombit, jo vetëm që është diskutuar në nivele të ndryshme mediatike dhe politike, por tashmë është bërë fakt i kryer. Pra ka filluar se zbatuari pagesa e saj në rrugën e kombit, gjegjësisht në korridorin rrugor Durrës-Morinë.
Korridori rrugor Durrës-Morinë, që nga ideja fillestare e deri me sot, është përcjell me zhurmë të madhe nga nivelet e pushtetit qendror në Kosovë dhe Shqipëri. Është diskutuar nga nivelet shkencore dhe akademike që trajtojnë problemet e infrastrukturës në të dy anët e kufirit, nga shoqëria civile dhe ekspertët e pavarur.
Ky debat i vazhdueshëm, me ide të qëlluara e të pa qëlluara, me taksa e pa taksa, me politikë e pa politikë, me atdhetarizëm e tradhti, me akuza e kundër-akuza për korrupsion e pastrim parash, fatkeqësisht rrallë herë ka rënë në rrafshin shkencor dhe profesional. Ndoshta ky është edhe fati i projekteve të mëdha nacionale te shqiptarët.
Ajo që dihet tashmë është se, para fillimit të këtij projekti kishte interesim dhe lobim të madh nga shumë qarqe ballkanike për të penguar dhe sabotuar këtë projekt, duke e parë këtë si projekt integrimi dhe bashkimi për kombin shqiptar, ashtu siç duhet ta kishim parë edhe Ne. Pra, frika e qarqeve dhe grupeve të interesit nuk ishte e vogël, prandaj edhe projekti ishte vonuar shumë herë.

Pa dashur të hyjë në detajet e gjeo-strategjisë së rrugëve ballkanike dhe evropiane, po i kthehem aktualitetit të problemit të sotëm.
A duhet të këtë taksë rrugore për rrugën e kombit! Nëse po, kur, sa dhe si?
Korridori Durrës-Morinë ka një të vërtetë shkencore. Ai nuk është i vet-qëndrueshëm ekonomikisht. Kjo është e ditur nga të gjitha studimet e para-fisibilitetit, fisibilitetit dhe analizave të tjera. Karakteri i kësaj rruge nuk ka qenë vetëm ekonomik, madje asnjë parametër shkencor apo studim nuk ka tentuar ta provoj arsyeshmërinë ekonomike të tij.
Mungesa e parametrave ekonomik të arsyeshëm është kompensuar me parametrat tjerë, të integrimit kombëtar dhe të sigurisë.
Pra, arsyeshmëria e kësaj rruge është kërkesë multi-disiplinare, që një komb i konsoliduar dhe i emancipuar, nuk do duhej ta shihte vetëm brenda dimensionit të arsyeshmërisë së një takse financiare.
E them me përgjithësi të plotë profesionale, se kur ka filluar ndërtimi i këtij korridori rrugor, askush nuk ka pasur ndërmend fitimet që do të merreshin nga taksa, sepse ai është menduar thjesht si një investim kombëtar. Ky projekt ka vlerën e tij në mundësimin dhe lehtësimin e komunikimit ekonomik, kulturor dhe social ndërmjet kombit shqiptarë.
Pra përfundimi më logjik nga faktet e përmbledhura më lartë do të ishte: Kjo taksë nuk do të duhej të ekzistonte!
Shikuar nga të gjitha dimensionet, si ai historik, social, kulturor dhe ekonomik, kjo taksë do të ketë ndikim negativ, veçanërisht për zonën e Shqipërisë së Veriut dhe Kosovën.
Megjithkëtë, arsyeshmëria e zbatimit të një takse rrugore duhet shikuar dhe trajtuar edhe nga këndvështrime dhe dimensione tjera.

Shërbimi paguhet?!
Nëse nisemi nga logjika e njohur që shërbimi paguhet, taksa për rrugën e kombit del të jetë e arsyeshme. Por, megjithatë shërbimi që paguhet duhet të merret i plotë. Sot rruga e kombit nuk të ofron shërbim të plotë. Këtu po përmendim vetëm disa nga të metat inxhinierike që e cenojnë shumë nivelin e shërbimit të kësaj rruge.
Gjeometria e këtij korridori as për së afërmi nuk i plotëson kriteret dhe standardet për ta konsideruar korridor rrugor, për atë që pretendohet.
Për shembull rrëzat e kthesave, shpejtësia e kufizuar e lëvizjes, uljet dhe ngritjet, terrenet anësore, mirëmbajtja, sinjalistika horizontale dhe vertikale, mungesa e objekteve rrugore si: urat, mbi-kalimet, nën-kalimet, nyjet lidhëse, kanalet kulluese e drenazhuese, mbrojtja e shpatit dhe shumë komponenta tjera nuk janë në nivelin e duhur.
E thënë me pak fjalë, sipas të gjithë parametrave shkencor dhe inxhinierik, siguria që ofron kjo rrugë është në nivel të ulët. Po ashtu, është fakt se kjo rrugë nuk ka përfunduar ende, as si ide, as si qëllim, as si shërbim dhe as si zbatim.
Por edhe nëse arsyetohet zbatimi i një takse rrugore në emër të një shërbimi që ofrohet, pyetja e pashmangshme që parashtrohet është:

Si mund të kërkohet taksë për një projekt të pa përfunduar?!
Kjo taksë duket më shumë si një parapagim që do të bëjnë qytetarët e Kosovës për një rrugë që pritet të përfundojë pas 5 ose 10 viteve, marrë parasysh dinamiken e punëve deri më tani. Pra, nëse e shikojmë në thelb, kjo nuk është një taksë rrugore, por është një pagesë në formë parapagimi.
Qëllimi i këtij korridori, nga fillimi, ka qenë lidhja e tij me korridorin 10 dhe korridorin 8, çka do ta bënte Kosovën një trekëndësh me një qendër logjistike të transportit multi-dimensional me ndikim më të gjerë në gjithë rajonin.
Në këto kushte ky korridor do të shërbente për transportin e njerëzve dhe mallrave të Ballkanit dhe Evropës Qendrore. Me këtë rast do të kishte shfrytëzim maksimal dhe multinacional dhe vetëm atëherë do kishte kuptimin e të një takse rrugore të arsyeshme për një shërbim të plotë që ofron ajo.

Autori është profesor në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Si Artur Bushi pret në besë për drogën njeriun e tij dhe e arreston

Nuk kanë rënë dakort për pazaret e drogës dhe kjo ka bërë që Artur Bushi të presë në besë njeriun e tij dhe ti dërgojë forcat e policisë që janë kthyer në bodiguardë të kryetrafikantit të drogës në Krujë.
Qytetari dixhital informon:
Artani u arrestua pasi nuk pranoi t’i shesë kanabisin:
-të dërguarit të Artur Bushit as dhe
-inspektorit të zonës.
Lexoni mesazhin e tij. sb
Mirëmbrëma zoti Berisha të lutem anonim. Lajmi për arrestimin e shtetasit Artan Kraja në fshatin Halil dje mbasdite është arrestim i paralajmëruar se ky shtetas, pasi kishte mbjellë me grupin e tij dy vite rresht hashash dhe kishte paguar 100 000 euro për lejen tek shefat e Komisariatit Krujë e kryetarit tëBashkisëKrujë z.Artur Bushi, këta ishin në dijeni për gjendjen e hashashit në shtëpinë e tij. Para 3 ditësh këtij shtetasi i ka shkuar një i afërm i kryetarit tëBashkisë z.Artur Bushi dhe i njohur me drejtuesit e Komisariatit tëPolicisëKrujë i ka kërkuar për t’ia blerë hashashin me 100 euro kg, por nuk është rënë dakort e dje paradite shtetasin e arrestuar e ka thirrë inspektori i zonës, i ka kerkuar 20 000 euro për të mos e ngacmuar e ky s’ka pranuar, duke i thënë se unëkam paguar 100000 euro dhe akoma se kam shitur e nuk kam nxjerrë lekët që kam hedhur për këtë punë. Mbasdite atij i mbërriti policia në shtëpi që e kishte lejuar për ta mbjellë,e vjelë kundrejt 30%. Eshtë i 5 rast që policët gjurmojnë duke prerë në besë ose duke u marrë hashashin njerëzve që vetë i kanë lejuar. Shumë qytetarë që mbollën hashash janë të mbytur në borxhe te fajdexhinjtë dhe tek bankat që dhanë kredi për mbjelljen e hashashit.

Brenda bunkerit të betonit ku strehohet Rama, fotot

“Është një shtëpi e ndërtuar me beton, s’ka suva, s’ka dritare, s’ka mobilje…”! Kështu e ka përshkruar Edi Rama shtëpinë e tij në Surrel para disa kohësh.
Paksa e çuditshme si shtëpi pasi më shumë të kujton një bunker, vila e Ramës në Surrel është komentuar shumë nga qytetarët.
Shumë prej nesh janë kuriozë të shikojnë sesi është brenda ajo. Duke marrë parasush karkaterin e Ramës, të gjithë e dimë se kjo shtëpi nuk është si shtëpitë e tjera, por jo deri këtu.
Para pak kohësh, Rama, në një emission televiziv, u shpreh se kjo vilë nuk ka as dritare dhe as suva.
“Është një shtëpi e ndërtuar me material beton komplet, s’ka suva. S’ka kolona me allçi, s’ka abazhur. Është me poça. Nuk ka brenda mobilie, dollapë të sjella nga firmat. Janë të bëra nga unë. Shtëpia është e ndërtuar ndryshe.”-pohoi Rama.
Pas kësaj deklarate, mediat online filluan të postojnë foto duke imagjinuar sesi mund të jetë shtëpia e çiftit kryeministror nga brenda. Duke u bazuar në përshkrimin e Ramës, këto foto janë të ngjashme me banesën e tij në Surrel.
Më pas vajza e gruas së kryeministrit Edi Rama, Rea Xhillari ka publikuar disa foto ne “Instagram” të një shtëpie, e cila ngjan me atë të kreut të qeverisë. Shtëpia e Edi Ramës ka ngjallur shpesh interes, pasi nuk ka dalë asnjë foto nga brenda e saj.
Por fotot e Reas ne “Intagram” krijojnë idenë se bëhet fjalë për të. Rama gjithmonë e ka përshkruar shtëpinë e tij si të thjeshtë, të pasuvatuar dhe me shumë punime druri e dritare te mëdha. A duket kështu shtëpia e Ramës? Këtë nuk mund ta themi me siguri.

Një fundërinë si Pëllumb Xhufi duhet ndëshkuar

Deklaratat e një bolsheviku të vjetër si Pëllumb Xhufi kanë ngjallur një revoltë në opinion dhe rrethet mediatike. Ai tha se kushtet në një kampet e diktaturës ishin jo të këqija dhe se të dënuarit ishin armiq të popullit, një huazim i diktaturës i përsëritur. Ai ka hapur plagë ende të pambyllura të shoqërisë dhe ka provokuar shqiptarët me deklaratat publike në emision. Xhufi dëshmoi se nuk është një historian sikurse mudohet të shfaqet, por një fundërrinë, i cili meriton të ndëshkohet në mos nga institucionet atëhere nga shoqëria.
Reagimet
Pëllumb Xhufi, një ish politikan dhe historian më së shumti i njohur për punën e tij mbi historinë e Mesjetës shkaktoi tronditje të mërkurën në mbrëmje kur pretendoi se ka lexuar raporte të CIA-s që i vlerësonin kushtet në kampin e Tepelenës si “jo të këqija”.
Xhufi po i referohej një kampi famëkeq në Tepelenë, Shqipëria e jugut, ku mijëra njerëz, më së shumti gra e fëmijë, u izoluan nga regjimi komunist mes viteve 1945 dhe 1955 sepse ata ishin familjarë të “armiqve” të shtetit.
Të mbijetuarit kanë dëshmuar gjerësisht mbi kushtet çnjerëzore. Disa nga kujtimet e mbledhura nga studiuesit pas rënies së komunizmit tregojnë se si qindra fëmijë vdiqën si pasojë e mungesës së ushqimeve dhe ilaçeve.

Gjithsesi, në një debat televiziv mbi historinë në Ora News, Xhufi e mohoi haptazi këtë.
“Absolutisht jo!” tha ai, duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse ishte e vërtetë se rreth 300 fëmijë vdiqën.
“Kampi funksionoi si kazermë ushtarake deri në vitet -60. Ai qe ndërtuar nga italianët, ishte ndërtesë solide me tulla. Në dokument [e CIA-s] shkruhet se kushtet ishin ‘no bad’ jo të mira,” shtoi ai ndërsa pranoi e Tepelena ishte në thelb një kamp pune të detyruar.
Sipas Xhufit, është “banalitet” të krahasohet kampi me kampet e përqendrimit të Nazistëve.
Fatbardha Saraçi, një studiuese që ka mbledhur kujtimet e të mbijetuarve të regjimit komunist, përfshirë të nënave që humbën dy fëmijë të vegjël në kamp, i quajti komentet e Xhufit fyese dhe poshtëruese.
“Është fyerje, në veçanti tregohen të pashpirtë për jetët e njerëzve që vdiqën në burgje dhe në kampet e internimit dhe të punës dhe që s’iu nda asnjëherë lufta e klasave,” tha Saraçi për BIRN.
“Kushtet në kampin e Tepelenës ishin çnjerëzore. Në barraka të vogla gjendeshin qindra njërës që jetuan për vite, të interntuar pa gjyq dhe të përdorur në punë të rëndë në prerjen e pyjeve. Krimi i tyre i vetëm ishte se i përkisnin familjeve që komunistët i konsideronin “armiq’,” shtoi Saraçi.
Enriketa Pandelejmoni, një profesore e historisë në Universitetin e Tiranës, tha se një diskurs i tillë mbi vuajtjet dhe krimet është absurt.
“Mendoj se është kriminale. Çfarë do të thotë ‘kushtet ishin jo të këqija?’ Studimet mbi atë kamp dhe dëshmitë nga të mbijetuarit janë shumë të qarta. Në secilën prej gjashtë kazermave ngjesheshin 100 deri në 200 persona, të cilët flinin në dërrasa pa kushte higjenike. Ata duhej të mbijetonin me vetëm 500 gramë bukë në ditë,” tha ajo.

Shqipëria përjetoi një nga regjimet më të egra komuniste në Europën Lindore. Rreth 6 mijë njerëz u ekzekutuan nga një popullsi prej vetëm 1 milionë banorësh më 1945 ndërsa përgjatë 45 viteve të sundimit diktatorial kishte dhjetëramijëra të burgosur dhe të internuar, shumica e të cilëve përdoreshin si punë e lirë nëpër miniera, ndërtim dhe bujqësi.
Pavarësisht vuajtjeve, ka gjithashtu nostalgji mbi komunizmin, dhe ndryshe nga shumë vende të tjera të Europës Lindore, nuk ka pasur drejtësi për viktimat e regjimit komunist në Shqipëri.
“Shoh një dashje dhe një instrumentalizim të së shkuarës komuniste dhe një justifikim të krimeve, me ironira të tipit ‘ashtu ka qenë koha’. Ka ende ceremoni publike që legjitimojnë narrativa të bazuara në mite të kohës së komunizmit,” tha Pandelejmoni.
Sipas saj, vendi ka nevojë për ligj për de-komunistizimin si dhe hetimin dhe përndjekjen e krimeve, një proces që Shqipëria nuk e ka kryer.
Aktualisht shumë familje janë ende duke u përpjekur kundër kohës për të gjetur varret e të vrarëve, përfshirë atyre që vdiqën në kampin e Tepelenës.
“Ka pasur përpjekje sistemike për të fshirë gjurmët e krimeve,” tha Saraçi.
“Ka dëshmi që tregojnë se si viktimat u rivarrosën deri në tre herë dhe vendi i preferuar ishte pranë lumit,” tha ajo.
Shqipëria nuk ka nisur ende të kërkojë në mënyrë sistematike varret e atyre që vdiqën nëpër burgje apo u ekzekutuan dhe u varrosën nëpër varreza secrete.
“Reporter.al”

Aktorët të vendosur drejt grevës së urisë: Nuk e dorëzojmë Teatrin

Aktorët nuk dorëzohen dhe janë të vendosur ti shkojnë deri në fund betejës me Ramën. “Kryeministri të mos mendojë se e ka fituar luftën!”. Kështu thotë aktori Arben Derhemi dhe kreu i Sindikatës së Artistëve të Teatrit Kombëtar, i cili një javë më parë ka prezantuar Aleancën Qytetare për Mbrojtjen e TK-së.
Një aleancë, e cila fton të bëhet pjesë e saj çdo intelektual dhe qytetar të këtij vendi, që edhe në kohët më të vështira, që ka kaluar Shqipëria, ka gjetur aty një dritare lirie dhe mendimi ndryshe. Derhemi e quan vjedhje të pastër atë që po ndodh me truallin e TK-së, duke e krahasuar me vjedhjen e bregdetit shqiptar.
Duke theksuar se kjo është një vjedhje e hapur në mes të Tiranës, në sy të të gjithëve, ai thotë, se nuk do të ketë asnjë lëshim nga ana e Aleancës, madje do shkohet deri në grevë urie. Ai i bën thirrje çdo qytetari që do të mbrojë historinë e qytetit të tij, të bëhet pjesë e takimeve të çdo të hëne, brenda apo jashtë ambienteve të TK-së.
“Ne do të shkojmë deri në grevë urie, do të flijohemi brenda asaj ndërtese”- thote ai. Pyetur nese nuk jane kujtuar vone per kete reagim, ai thekson: E vërtetë është, por nuk e menduam kështu. Ne nuk e dinim kaq malinj Kryeministrin dhe gjithë Rilindjen shqiptare. Po bën veprime antikombëtare dhe në një moment të caktuar ne e kuptuam logjikën e tij dhe pse po e bënte këtë. Por nuk duhet të mendojë, se e ka fituar luftën.

Elvis Roshi në Gjykatë, Prokuroria: U provua dënimi për përdhunim në Itali dhe trafik droge në Zvicër e Gjermani

Prokuroria e Tiranës dërgon në gjykatë dosjen e ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi. Prokuroria bëri të ditur se janë provuar akuzat ndaj tij për përdhunim dhe trafik droge në Itali, Gjermani dhe Zvicër.
Prokurori i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Enklid Gjini mbylli hetimet dhe dërgoi në gjyq dosjen në ngarkim të tij. Ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, stampave apo formularëve” parashikuar nga neni 190/1 i Kodit Penal.
Sipas njoftimit të prokurorisë “në datë 09 shtator 2016 mbi bazën e dokumentave të dorëzuara nga Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, Sektori i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë është regjistruar Procedimi Penal nr.4810 nr.4810, për veprën e mësipërme penale”.
Elvis Roshi u shkarkua nga detyra me vendim të Këshillit të Ministrave, më 29 dhjetor 2016, menjëherë pasi KQZ-ja hoqi mandatin e tij në bazë të verifikimeve të akuzës, në zbatim të ligjit të dekriminalizimit konkludoi se Rroshi ishte treguar i pasinqertë në formularët e dekriminalizimit mbi dënimet që kishte marrë jashtë vendit.

Ervin ose Elvis Rroshi ka qenë i dënuar për veprën penale të “përdhunimit” në vitin 1992 në Itali. Sipas dokumentacionit të Ministrisë së Drejtësisë së Italisë dhe Certifikatës Gjyqësore mësohet se vendimi ndaj Elvis Rroshit, asokohe me emrin Ervin Rroshi, është dhënë më datë 13 nëntor të vitit 1992, nga Gjykata e Minorenëve të Campobassos së Italisë.
Rroshi është dënuar për veprën penale të përdhunimit, ose siç njihet në Kodin Penal italian, “violenza carnale”, neni 519. Në Kodin Penal italian, neni 519, thotë se: “Kushdo që me dhunë ose kërcënim detyron dikë tjetër të kryejë marrëdhënie seksuale, është i dënuar me burgim nga 3 deri në 10 vjet”.
Kësaj vepre penale i është shtuar dhe kryerja e veprës penale në bashkëpunim, çka sipas vendimit të gjykatës, i lëshuar më datë 13 nëntor të vitit 1992, Elvis Rroshi është dënuar me një vit e katër muaj burgim. Asokohe, Elvis Rroshi ka qenë rreth moshës 17 vjeç, ndaj vendimi është dhënë nga Gjykata e Minorenëve të Campobasos së Italisë.
Për këtë vendim rezulton se është kërkuar rrëzimi në Apel, por Gjykata e Apelit për Minorenët në Campobasso ka lënë në fuqi vendimin e mëparshëm, me vendim të datës 28.02.1995.

Po ashtu, sipas të dhënave të mbërritura nga organet e Drejtësisë në Zvicër dhe Gjermani, rezulton se Rroshi ka precedentë penalë në trafik droge.
Në lidhje me rastin e trafikimit të drogës, sipas burimeve të Prokurorisë, rezulton se për njërin nga emrat e përdorur nga Elvis Rroshi, ka edhe aktualisht një hetim. Sipas përgjigjes së ardhur nga autoritetet italiane, rezulton se shtetasi Ervin Rroshi, lindur më 03.12.1975 është dënuar për një përdhunim të kryer në vitin 1995 në Campobasso. Referuar përgjigjes së ardhur nga jashtë në Prokurori, në të njëjtën ditë është lëshuar një dekret për ekspuls, pra për ta përzënë shtetasin në fjalë nga Italia.
Kanë qenë autoritetet zvicerane ato që kanë zbardhur më shumë detaje nga e shkuara e Elvis Rroshit. Sipas përgjigjes së dërguar nga autoritetet zvicerane, citohet nga burimet e Prokurorisë shtetasi Ervin Rroshi, lindur më 03.12.1975 në Kavajë, i biri i Azem dhe i Nasije, është njohur me këta emra: Ervin Rroshi, datëlindja 03.12.1975, Elvis Rroshi, Bashkim Hallulli dhe Enver Rroshi, i datëlindjes 03.12. 1975, si edhe Enver Proshi, me datëlindje 03.12.1975.

Bazuar në përgjigjen e administruar si provë nga Prokuroria, në prill 1993, Ervin Rroshi ka hyrë në mënyrë të paligjshme në shtetin zviceran dhe ka kërkuar azil.
“Më datë 14 maj 1993, ai është ndaluar nga Policia e Zyrihut për një rast droge, duke qenë se ky rast ka më shumë se 20 vjet, Policia e Zyrihut nuk ka mundur të sigurojë më shumë detaje, por duke marrë parasysh faktin se ai është dëbuar 4 muaj më vonë, ndoshta nuk ka qenë një rast për trafik droge, por vetëm konsumim i lëndës narkotike”, theksohet në informacionin e administruar nga organi i akuzës.
Autoritetet zvicerane kanë informuar Shqipërinë se kërkesa e tij për azil është refuzuar në shtator 1993 dhe ai është dëbuar për në Shqipëri më 24 shtator 1993. “Në korrik 1997, ai ka hyrë përsëri në mënyrë të paligjshme dhe ka kërkuar azil. Ai është arrestuar në gusht të vitit 1997, me urdhër të Gjykatës së Shtetit të Zyrihut dhe është dëbuar sërish.

Kryetarja e Bashkisë së Roskovecit i grabit 11.200 metra tokë një qytetari dhe ia jep krushkut të saj

Një tjetër skandal është zbuluar në Bashkinë e Roskovecit. Qytetari Nikollaq Deliu denoncon pranë televizionit Channel One kryebashkiaken Majlinda Bufi për grabitjen e tokës. Sipas tij, kryetarja e bashkisë i jep 11.200 metra tokë krushkut të saj në kundërshtim me ligjin. Dosja Investigative nisi hetimin e cështjes.
Në Roskovec në zyrën e Bashkisë na u tha që kryetarja Majlinda Bufi nuk ndodhej në Shqipëri e për këtë arsye përgjigje do të jeptë zv. Kryetari. Pyetjes sonë se si ishte e mundur dhe me çfarë dokumentesh ka përfituar këtë tokë krushku i kryetares së Bashkisë, zv.kryetari na u përgjigj duke thënë që ky projjekt vendim nuk është futur fare në mbledhje të këshillit.
Por dokumenti i zbuluar nga gazetarët tanë i rendit të ditës së mbledhjes së Këshillit Bashkiak e hedh poshtë këtë pretendim.
Më pas gazetarët tanë u takuan me ish-kryetarin e komisionit të ndarjes së tokës bujqësore në fshat, i cili në kamera të fshehtë pranoi skandalin. Krushku i kryetares së bashkisë nuk ka qënë banor i zonës dhe tokën e ka përfituar në kundërshtim me ligjin.
Megjithatë gazetarët tanë u drejtuan për ta sqaruar përfundimisht këtë çështje pranë Këshillit të Qarkut Fier. Aty ku ndodhen të gjithë emrat e përfituesve të tokavë nga viti 1991 e këtëj. Emri i z. Vasil Jani Pipa krushk me kryetaren e Bashkisë nuk ishte fare në listë. Pra nuk ka qënë banor i zonës dhe si I tillë nuk përfitonte as një metër tokë.
Dosja Investigative në Channel One, do të vazhdojë hetimin e thelluar të kësaj çështjeje dhe në puntatën e rradhës do sjellë të tjera dëshmi të abuzimeve të kryetares së Bashkisë së Roskovecit Majlinda Bufi me këtë cështje./Channel One/

Një barrierë midis Shqipërisë dhe Kosovës

Vendimi i qeverisë Rama për vendosjen e një tarife prej 5 eurosh për automjet dhe 22,5 eurosh për kamion, për çdo kalim të rrugës Milot-Morinë e bën më të shtrenjtë komunikimin Shqipëri-Kosovë, duke vendosur kështu një barrierë midis dy vendeve.
Çfarë dimë deri më tani për vendimin e qeverisë që nga dhënia e koncesionit deri tek vendosja e tarifës?
Viti 2015
Në nëntor 2015, ministri i atëhershëm i Transporteve, Haxhinasto, bëri publik lajmin se në tenderin për përfundimin e ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugës Milot-Morinë, dy konsorciume kompanish kanë shfaqur interes.
Ky ishte tenderi i dytë që ministria kishte hapur për këtë rrugë. Në tenderin e parë të para disa muajve nuk u paraqit asnjë kompani e interesuar.
Gjatë kësaj dalje për shtyp, ministri Haxhinasto njoftoi gjithashtu se, koncesionari mund të aplikonte një taksa kalimi në autostradë, por se ajo nuk do të jetë më shumë se 5 euro.
Pak javë më vonë, në dhjetor 2015, Sekretari i Përgjithshëm i MTI-së njoftoi se, ofertat e dy konsorciumeve ishin shumë të larta dhe se IFC ishte shprehur kundër pranimit të dy ofertave, pasi ishin jofitimprurëse.
Viti 2016
Në fillim të vitit 2016, MTI hapi tender të ri për dhënien me koncesion të aksit Milot-Morinë. Tenderi u mbyll më 31 maj 2016.

Në korrik 2016, Ministria e Transportit bëri publik lajmin se, konsorciumi që kishte shfaqur interes për koncesionin, bashkimi i kompanive shqiptare “Salillari” e “Kastrati” dhe kompania turke “Vendeka Bilgi Teknolojileri Ltd”, u shpall fitues i koncesionit.
Sipas kontratës, koncesionari duhet të ndërtojë një urë mbi lumin Drin, të ndërtojë segmente e pambaruara të rrugës, të pajisë rrugën me sinjalistikën e nevojshme dhe ta mirëmbajë atë për 30 vjet.
Në këtë rast, ministria nuk përmendi vendosjen e taksës për kalimin e rrugës.
Viti 2018
Më 23 mars 2018, Ministria e Transporteve lajmëroi qytetarët se që prej 15 prillit, kalimi në aksin Milot-Morinë, rreth 115 kilometra i gjatë, do të bëhet me pagesë.
Më saktësisht tarifat janë këto:
– Motorët do të paguajnë 2,5 euro për çdo kalim, pra 5 euro vajtje-ardhje;
– Autoveturat do të paguajnë 5 euro për çdo kalim, pra 10 euro vajtje-ardhje;
– Autobusët dhe kamionçinat do të paguajnë 11,2 euro për çdo kalim, pra 22,4 euro vajtje-ardhje;
– Kamionët e mesëm do të paguajnë 16,2 euro për çdo kalim, pra 32,4 euro vajtje-ardhje;
– Kamionët e rëndë do të paguajnë 22,5 euro për çdo kalim, pra 45 euro vajtje-ardhje.
Tarifat e vendosura nga qeveria do të mblidhen dhe përdoren nga koncesionari. Ato janë rreth katër herë më të lartë se sa tarifat e rekomanduara nga kompania e huaj konsulente, e cila ka hartuar strategjinë e tarifimit të disa rrugëve në vende ku përfshihet edhe “Rruga e Kombit”.
Në raportin konfidencial të kompanisë Egnatia Odhos parashikohej tarifa nga 1 euro deri në 2,5 euro për 100 kilometra.

Në raport shkruhet se një tarifë brenda këtyre rekomandimeve është më e përballueshme nga qytetarët shqiptarë. Në rastin më të keq, kompania shkruan se tarifa më e lartë e përballueshme nga familjet shqiptare është 3,5 euro për çdo 100 kilometra. Ndërkohë tarifa e kalimit në Milot-Morinë është 4,2 euro për 100 kilometra.
Po ashtu, krahasuar me tarifat e rrugëve evropiane, tarifa e “Rrugës së Kombit” është më e lartë.
Politikanë dhe aktivistë të tjerë kanë sqaruar për qytetarët se vendosja e një tarife të re, në një kohë kur qytetarët paguajnë dy taksa të tjera-një për mirëmbajtjen e rrugëve dhe taksa e regjistrimit të automjeteve-është e paligjshme dhe anti kushtetuese.
Zoti Pano Soko sqaron për Nismë Thurje se, shqiptarët paguajnë 32,4 lekë taksë për mirëmbajtje rruge për çdo litër karburant të blerë. Të ardhurat vjetore nga kjo taksë llogariten në rreth 117 milionë euro.
Po ashtu, qytetarët që zotërojnë një makinë paguajnë çdo vit 12 mijë lekë taksë regjistrimi të automjetit. Të ardhurat vjetore nga kjo taksë, që përdoren për mirëmbajtjen e rrugëve, llogariten në rreth 36 milionë euro. Pra në total, 153 milionë euro taksa mblidhen çdo vit për mirëmbajtjen e rrugëve.
Bazuar në studimin e Ministrisë së Transporteve dhe Bankës Botërorenë vitin 2015, shuma e nevojshme për mirëmbajtjen e rrugëve në Shqipëri llogaritet në rreth 60-65 milionë euro në vit.
Kjo do të thotë se shuma e mbledhur prej 153 milionë euro nga qytetarët përmes taksave vjetore e plotëson nevojën e vendit për mirëmbajtjen e rrugëve në të gjithë vendin.

“Exit.al”