18.5 C
Tirana
E premte, 20 Qershor, 2025

“Duhet hetim i plotë urgjent”- Ministri britanik dënon sulmin në Zubin Potok: Autorët të mbajnë përgjegjësi

Ministri i Mbretërisë së Bashkuar për Evropë, Stephen Doughty ka dënuar sulmin terrorist mbi kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok të premten.

 

Doughty e ka quajtur të tmerrshëm sulmin ndaj kanalit të ujit.

Sipas tij, ky sulm kishte për qëllimin pengesën e jetës në Kosovë.

“Përpjekjet e suksesshme të punonjësve të urgjencës për të frenuar dëmet kanë rivendosur infrastrukturën jetike. Duhet të ketë hetim të plotë urgjent. Ata që janë përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi”, ka shkruar ai në platformën “X”.

Edhe Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka reaguar ndaj sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok, duke shprehur shqetësimin për pasojat e mundshme që mund të ketë për furnizimin me energji dhe ujë në të gjithë Kosovën.

Shumica prej nesh i hamë çdo ditë, madje edhe fëmijët! Këto 4 ushqime rrisin rrezikun për t’u prekur nga diabeti

Sipas një studimi të kryer nga shkencëtarët britanikë, disa lloje të ushqimeve të përpunuara mund të rrisin ndjeshëm rrezikun e diabetit të tipit 2.

 

Studiuesit ndoqën pothuajse 312,000 njerëz nga tetë vende evropiane për një mesatare prej 11 vjetësh, dhe pothuajse 15,000 prej tyre zhvilluan diabetin e tipit 2.

Ushqimi i përpunuar me 10% u shoqërua me një rritje prej 17% të rrezikut të diabetit.

Ushqimet rrisin rrezikun e diabetit

Ushqimi që përmban shumë kalori, sheqer, yndyrë dhe kripë është më i dëmshmi dhe shkencëtarët kanë dalluar katër lloje:

  1. ushqime të kripura
  2. produkte me origjinë shtazore, si mishi i përpunuar
  3. ushqime të gatshme
  4. Pijet e ëmbla (lëngje dhe pije të tjera të ëmbla)

Hulumtimet kanë treguar se këto katër lloje ushqimesh lidhen me një rrezik më të lartë të diabetit.

Basha: Rama dhe Berisha nuk kanë më ça të japin. Do jemi në zgjedhje si alternativë ndaj tyre me 140 kandidatët tanë

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, në intervistën për Euronews Albania, foli edhe për lirimin e Sali Berishës që sipas tij është pjesë e marrëveshjes me Ramën. Basha u shpreh se bashkëpunimi mes tyre ka kaluar në disa etapa, dhe një nga etapat është edhe lirimi i ish-kryeministrit. Sipas tij, Berisha i duhet Ramës për luftën kundër SPAK.

“Nga pikëpamja politike, thashethemi ka nisur që në fillim të vitit se do të kishte një pakt midis zotit Ram dhe zotit Berisha, i cili do të kishte disa etapa. Etapa e parë u konkretizua për fat të keq që ishte lirimi i të korruptuarve të Edi Ramës me kartonat e Sali Berishës. Etapa e dytë ishte kalimi i vulës tek Sali Berisha në shkelje flagrante të vendimit të Gjykatës së Lartë dhe të ligjit shqiptar për partitë politike. Etapa e tretë ishte vota për të mbyllur listat, për t’i diktuar shqiptarëve lista të mbyllura me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dhe etapa e katërt është goditja frontale por edhe me krahmarrje ndaj SPAK që përbën sot kërcënimin më të madh dhe gjumëprishësin më të madh të Edi Ramës dhe kabinetit të tij qeveritar. Dhe për këtë i duhet të përdor këdo, sigurisht edhe njerëz që përballen tashmë me SPAK-un, siç është edhe Sali Berisha. Fakti është që prokuroria ka kryer hetimin, ka përfunduar hetimin dhe ka çuar dosjen në gjykatë. Gjykimi i çshtjes me sa di nis në mes të dhjetorit, është caktuar nisja e gjyqit për çështjen për të cilën akuzohet zoti Berisha. Kështu që nuk do të presim zbardhjen e vendimit, por nuk do të ishte e çuditshme nëse gjykata do të argumentonte që pas përfudnimit të hetimit, ka përfunduar edhe nevoja për masa shtrënguese ndaj zotit Berisha, duke qenë që ai do të përballet me procesin gjyqësor. Nuk dua të vendosem në pozita spekullimi sa i takon vendimeve të gjykatave. Fakti është që zoti Rama dhe zoti Berisha kanë një bashkëpunim shumë të ngushtë. Por nga ana tjetër shpresa është e madhe që SPAK përfshirë GJKKO do të vazhdojnë që çdo çështjeje t’i aviten me integritet dhe duke pasur si bazë për çdo vendimmarrje ligjin dhe vetëm ligjin. Nuk i takoj asaj kategorie njerëzish që kanë zgjedhur të bëjnë pazar me fatin e Sali Berishës. E di që ka shumë që hiqen si të lumtur por që u ka rënë pika, e kam fjalën për radhët e tij. E di që ka dhe të tjerë që e kanë lidhur ekzistencën e tyre politike me është apo s’është në arrest Sali Berisha. Të dy këto kategori meritojnë neverinë time në kuptimin politik të fjalës. Sepse janë njerëz të cilët e kanë lidhur ekzistenën e tyre politike, madje dhe ekzistencën e tyre njerëzore me çfarë ndodh me Sali Berishën. Shqipëria duhet të shkojë përpara, duhet të ecë përpara. Dhe që të ecë përpara duhet të lërë mbrapa Edi Ramën, Sali Berishën të cilët jo vetëm nuk kanë çfarë t’i japin më Shqipërisë, por qartësisht për interesat e tyre bashkëpunojnë kundër interesave të shqiptarëve” – u shpreh Basha:

Basha më tej theksoi se Shqipëria duhet të shkojë përpara dhe të lërë pas dyshen që nuk kanë më asgjë për të dhënë. Sipas tij, është koha për të refuzuar këta njerëz me votë ndërsa tha se Demokratët Euroatlantikë ofrojnë një alternativë të fortë me 140 kandidatë të rinj, të cilët kanë qëndruar besnikë interesave të qytetarëve dhe jo atyre personale.

“Këta njerëz duhe refuzuar dhe koha për t’i refuzuar me votë po afron. Alternativa po kështu do të jemi ne me 140 kandidatë, njerëz të sprovuar, që i kanë qëndruar interesit të qytetarëve dhe jo intereseresave të tyre personale. Dhe sa i takon kandidatëve për deputetë ju them që është një ndërthurje individësh të cilët në këto 3 vite kanë mbajtur një peshë të jashtëzakonshme. Peshë që u takonte këtyre që kanë pasur spaletet më të rënda të bronxit mbi supe dhe që shkuan dhe u zvogëluan në sytë e demokratëve për interesat e tyre personale, për karrigen e tyre personale. Por nga ana tjetër ka pasur kolosë, janë videntuar një korpus kolosësh politikë të cilët kanë ditur të qëndrojnë me sakrifica për diçka shumë më të madhe se vetja e tyre. Pa i diferencuar, sipas një procesi transparent dhe disa prej tyre janë në parlament” – tha Basha.

“Sulmet në Zubin Potok të ideuara nga Serbia”, Basha: Reagimet e Ramës sa për ‘sy e faqe’! Të miratojë amendamentin tim për ndihmë financiare për Kosovën

Në një intervistë për gazetaren Alba Xhani në Euronews Albania, kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, komentoi sulmet e fundit në Zubin Potok, të cilat sipas tij janë të ideuara nga Serbia për destabilizimin e Kosovës.

Basha kritikoi qëndrimin e presidentit serb Vuçiç dhe lidhjet e tij me figura pro-ruse, duke u shprehur se Serbia po sillet si një kërcënim për paqen dhe sigurinë rajonale.

Ai gjithashtu theksoi dështimin e Shqipërisë dhe të kryeministrit Edi Rama për të marrë hapa konkretë në mbështetje të Kosovës. Basha kërkoi që të nxirret nga syrtari propozimi i tij për një ndihmë financiare prej 50 milionë eurosh për forcimin e sigurisë së Kosovës, duke kërkuar veprime më të forta nga qeveria shqiptare.

Pjesë nga intervista e Bashës në Euronews Albania:

Lulzim Basha: Më habit qartësia e presidentit Vuçiç për t’u vetdemaskuar. Nga njëra anë distancohet nga sulmi, diçka që e ka bërë edhe ministri i tij i jashtëm. Nga ana tjetër thotë se e dimë kush janë autorët, dhe nëse e di, duhet t’i tregojë ata. Së fundmi, ai mundohet ta fusë në kornizën e një sulmi hibrid ndaj Serbisë. Nëse Serbia është vërtetë e përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit në rajon, duhet të kishte arrestuar Radoiçicin, kreun e sulmit paraushtarak terrorist në Banjskë, i cili endet i lirë rrugëve dhe hoteleve të Beogradit, duke pasur kontakte të përditshme me njerëzit më të lartë të lidershipit serb dhe të aparatit të sigurisë së Republikës së Serbisë. Kjo në vetvete shpalos vetëm dy mundësi teorike, që për mua janë të qarta. Mundësia e parë është që presidenti Vuçiç e ka situatën jashtë kontrollit, dhe se dërguari apo përfaqësuesi zyrtar i interesave të Vladimir Putin në qeverinë e Serbisë, Vulin, e ka vënë përfund. Dhe që sot, pjesë të rëndësishme të aparatit të sigurisë të Serbisë, përfshirë segmente të Forcave të Armatosura, të Inteligjencës, të Policisë janë nën kontrollin indirekt të Vladimir Putin, përmes kontrollit direkt të Vulin. Kjo do të thotë se presidenti Vuçiç është sot një kukull.
Sulm hibrit ndaj Serbisë nuk ka pasur. Mund të ketë një përpjekje të brendshme në pallat mes klaneve të ndryshme, nëse do të jetë klani haptazi i Putinit që do të marrë superxhiro në këtë periudhë që ata e konsiderojnë kritike, edhe për shkak të tranzicionit të administratave në Uashington, apo çfarëdo intrige tjetër pushteti. Por këto janë përgjegjësi të brendshme të një vendi. Në nivel rajonal dhe ndërkombëtar, Serbia po sillet si një shtet i papërgjegjshëm dhe një kërcënim për paqen dhe stabilitetin në rajon, si dhe për arkitekturën e sigurisë të NATO-s në të gjithë Europën.
Ajo që dua të vë në dukje është dështimi total i Shqipërisë për të qenë një faktor, dhe jo më një faktor i rëndësishëm, por të paktën një faktor. Nuk janë çështje që zgjidhen me deklarata sa herë që ndodhen incidente. Investimi i jashtëzakonshëm që kryeministri Edi Rama ka bërë në marrëdhënien personale me presidentin Vuçiç, përpara kryeministrit Vuçiç, demaskohet tashmë për leverdi personale dhe për fasada, sepse sa herë ka krizë në Kosovë të shkaktuar nga Beogradi, Rama reagon me vonesë dhe sa për sy e faqe.

Pyetje: Çfarë duhet të bënte konkretisht zoti Rama, përtej reagimeve në rrjetet sociale apo në media?

Lulzim Basha: Zoti Rama duhet të nxjerrë nga syrtari propozimin që ka aty, prej 18 janarit të këtij viti. Propozimin tim për të amenduar buxhetin e shtetit, këtë buxhet me 7.2 miliardë euro shpenzime dhe buxhetet e ardhshme, për një xhest, por jo vetëm xhest politik, që është ndihma financiare për mbrojtjen e Kosovës prej 50 milionë eurosh në vit. Çlirimi i këtij amendamenti të buxhetit, alokimin e këtyre fondeve në ndihmë ushtarake për Republikën e Kosovës, është në radhë të parë një ndihmë shumë e nevojshme dhe e mirëpritur për Kosovën. Dhe në radhë të dytë, një xhest i fortë që tregon se Shqipëria, anëtare e NATO-s, nuk do të rrijë duarkryq, apo të luajë rolin e një komentatori sportiv sa herë që Beogradi, për interesa të brendshme apo i përdorur nga Moska, dëshiron t’i fryjë zjarrit të destabilizimit në Kosovë. Pra, Shqipëria duhet të flasë me vepra. Sa më takon mua, pas zgjedhjeve të ardhshme do të flas me vepra, do t’i jap fund kësaj shfaqjeje me maska që politika zyrtare e zotit Rama ka marrë fund.

Prej një viti rrugët e Vlorës të shqyera, Bashkia fle gjumë dhe hedh valle në 3D

Kryetari i degës së PD-Demokratët Euroatlantikë, Vlorë, Gjergji Nika, ka denoncuar rrugët e shqyera në këtë qytet me demek për projektin e furnizimit me ujë 24 orë.

“Mbi rrugët e shqyera dhe mundimin e qytetarëve bashkia fle gjumë, hedh valle e promovon fasadën e projekteve 3D, të cilën realiteti e përgënjeshtron!” – shprehet më tej ai.

Më poshtë reagimi i plotë i Gjergji Nikës:

Ka gati një vit që rrugët në Vlorë janë të shqyera në të katër cepat!
Demek për projektin e furnizimit me ujë 24 orë.

U fol se rrugët e shqyera dhe të mbulluara me çakëll do të ishin të asfaltuara në qershorin që lamë pas, që të mos dëmtonte turizmin.

Nuk u asfaltuan as në qershor, as në korrik, as në tetor… Dhe as sot që hymë në dhjetor…

Por e keqja është se rrugët e shqyera të Vlorës do të vazhdonjë nja dy vite të tjera të jenë në të njëjtën gjendje, derisa “të përfundojë projekti!”…

Dhe qytetarët e Vlorës do të vazhdojnë të mundohen, të përmbyten, të sëmuren nga pluhuri i rrugëve që u hyn në mushkëri, nga balta, gjethet dhe mbeturinat që bllokojnë pusetat. Do të vazhdojnë të vuajnë në një trafik të krijuar artificialisht nga të paaftët në drejtim. Do të vazhdojnë të paguajnë për makinat që u dëmtohen. Do të vazhdojnë të dëgjojnë brroçkulla për turizmin nga ata që s’kanë strategji turizmi e zhvillimi!

Dhe mbi rrugët e shqyera dhe mundimin e qytetarëve bashkia fle gjumë, hedh valle e promovon fasadën e projekteve 3D, të cilën realiteti e përgënjeshtron!

Deri kur?

Donald Trump emëron një aleat besnik për të drejtuar FBI-në, presidenti i zgjedhur i SHBA kërkon transformim rrënjësor të agjencive të zbatimit të ligjit

Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, ka zgjedhur një ish ndihmës, Kash Patel, për të udhëhequr Byronë Federale të Hetimit, një agjenci që Patel e ka kritikuar shpesh.

 

Ish-shefi i shtabit të departamentit të mbrojtjes së SHBA-së në administratën e parë të Trump, Patel ka qenë një mbështetës i palëkundur i presidentit të ardhshëm republikan.

Përzgjedhja është në përputhje me pikëpamjen e Trump se agjencitë e zbatimit të ligjit dhe inteligjencës të qeverisë kërkojnë një transformim rrënjësor dhe dëshirën e tij të deklaruar për ndëshkim kundër kundërshtarëve të supozuar.

Që Patel të merrte këtë detyrë, drejtori aktual i FBI-së, Christopher Wray, do të duhej të jepte dorëheqjen ose të shkarkohet në janar, kur Donald Trump të marrë drejtimin e vendit.

Patel “luajti një rol kyç në zbulimin e mashtrimit të Rusisë, duke qëndruar si një avokat për të vërtetën, përgjegjshmërinë dhe Kushtetutën”, shkroi Trump të shtunën mbrëma në një postim në mediat sociale.

Juglindja nën ‘pushtetin’ e dëborës! Në disa zona trashësia shkon deri në 60 cm, vështirësi dhe problematika me energjinë elektrike

Gjatë natës në juglindje kanë vijuar reshjet e borës me intensitet të lartë. Nga informacionet e marrë bëhet me dije se në zonat malore në mbi 1200 metër, trashësia e borës varion nga 50 cm deri në 60 cm. Më konkretisht, në Dardhë trashësia ka arritur në 50 cm, por nuk ka probleme me qarkullimin pasi është bërë e mundur hapja e segmentit, megjithatë duhen goma dimërore.

 

Në Voskopojë, trashësia ka arritur në 20 cm por edhe në këtë fshat nuk ka probleme në qarkullim.

Sa i përket zonave malore si fshati Panarit, mësohet se në pikën e Mashkullorës ka arritur në 60 cm ndërsa do të ndërhyhet me borëpastruese për të mbajtur qarkullimin e hapur.

Në akset nacionale nuk shfaqen problematika në qarkullim, të gjitha akset janë të kalueshme.

Në rrugën e re të Ersekës është ndaluar qarkullimi dhe për të shkuar drejt këtij qyteti duhet të përdoret rruga e vjetër.

Në juglindje prej mbrëmjes së djeshme janë shfaqur probleme edhe në energjinë elektrike.

Sipas informacioneve në Vithkuq janë 6 abonentë pa energji, dhe 2 kabina që kanë shfaqur defekt në Brozdovec të Lekasit. Në zonën e Çervenakës në Gur të Kuq ka 12 abonentë pa energji, në Podgozhan 160 abonentë. Në Pustec ka rreth 570 abonentë pa energji elektrike, që përfshijnë Goricën e Madhe, Goricën e Vogël, Kallamas, Gollomboç. Në Devoll situata mbetet më e vështirë për arsye se pa energji elektrike kanë mbetur 3210 abonentë në të gjithë bashkinë. Mësohet se pa energji elektrike janë zona e Dardhës, Mollasit, Gjançit, Lavdarit, ku numri i abonentëve arrin në 270 abonentë. Mësohet se në Panarit ka probleme me 50 abonentë, ndërsa në Lozhan të Maliqit 100 abonentë kanë mbetur pa energji elektrike.

Në total në juglindje janë më tepër se 4000 abonentë pa energji elektrike, ndërsa grupet e punës ndodhen në terren për të riparuar çdo defekt të mundshëm por duhet të kujtojmë se të paktën zonat e thella malore kanë probleme me amortizimin e rrjetit çka e bën më të vështirë punën e ekipeve dhe kohëzgjatjen e mungesës së energjisë elektrike.

Instituti i Regjistrimit të Trashëgimisë, “i paralizuar” nga mungesa e akteve nënligjore

Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore (IKRTK) rreth 30 vite nga krijimi nuk ja doli që të përfundojë regjistrimin e pasurive kulturore të Shqipërisë dhe për shumicën e kompetencave është jashtë funksionit me pretekstin se pret miratimin e akteve nënligjore.  

Autor: Media Amfora

Një Vendim i Këshillit të Ministrave në vitin 1995 mundësoi krijimin e  Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, që e nisi rrugëtimin si një projekt i Bankës Botërore, me qëllim dokumentimin e të gjitha pasurive kulturore të Shqipërisë.

Pas miratimit të ligjit të ri në vitin 2018, “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”, ky institucion i kulturës u transformua në Institutin Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore (IKRTK).

Misioni i tij lidhet me regjistrimin e trashëgimisë kulturore në pronësi private dhe shtetërore, si edhe mundësimin e lëvizjes së tyre në mënyrë zyrtare. Megjithëse është qëllimi bazë i Institutit, ai nuk ka mundur ende të krijojë një panoramë të plotë të pasurive kulturore në gati 30 vite.

“Nuk ka statistika zyrtare se sa mund të jetë totali i pasurive kulturore që ekzistojnë”, u përgjigj zyrtarisht Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore (IKRTK). “Regjistrimi i pasurive kulturore është një punë që vijon që nga viti 1995”, shtoi përgjigja.

“Në rast se kjo vonesë është e pajustifikuar dhe nuk reflekton arsye objektive, mbështetur në parashikimet e Ligjit Nr. 27/2018, ‘Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë’, mund të themi se ka një mospërmbushje të detyrave të përcaktuara në këtë ligj…”, analizoi Eriselda Ndreca, juriste pranë Komitetit Shqiptar të Heksinkit.

Pasuritë kulturore në udhëkryqin e ligjit! 

Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore (IKRTK) që është në varësinë e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ndër disa detyra më të rëndësishmet lidhen me regjistrimin e pasurive kulturore, përditësimin e regjistrit dhe përgatitjen e dokumentacionit për lëvizjen e objekteve kulturore të luajtshme.

“…IKRTK-ja ka për kompetencë të regjistrojë dhe të dokumentojë të gjitha pasuritë kulturore, materiale dhe jomateriale, si edhe pasuritë e peizazhit në pronësi publike e private në territorin e Republikës së Shqipërisë”, citoi përcaktimet ligjore juristja Ndreca.

Objekte në Muzeun Ikonografik Onufri, Berat. Foto: Media Amfora

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) gjeti në shtator të vitit 2022 se nuk janë regjistruar të gjitha objektet që kanë klasifikimin “monument kulture”, krejt e kundërta nga sa përcakton ligji.

Sipas raportit të vitit 2022, “procesi i inventarizimit dhe vlerësimit të trashëgimisë kulturore materiale të paluajtshme nuk ka filluar ende, pavarësisht ekzistencës së Regjistrit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, kartelave të monumenteve të kulturës dhe detyrimeve që rrjedhin nga dispozitat e ligjit për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”.

Mungesa e regjistrimit jo vetëm për një pjesë të objekteve kulturore të luajtshme, ka krijuar shqetësime edhe për ato të paluajtshme.

“Pronësia shtetërore ka pësuar dëme gjatë metamorfozës së ndryshimeve me shumë godina shtetërore, si ish-Komiteti Qendror apo Shkolla e Partisë, etj.”, shpjegoi piktori Artan Shabani.

“Kujtoj se repartet ushtarake, shkollat, ish-ndërmarjet e mëdha, kanë qenë me vepra arti dhe me monumente, sot ato nuk kanë asnjë gjurmë nga regjistri historik”, shtoi Shabani.

Vonesa në përfundimin e fazës kryesore të këtij procesi nga IKRTK-ja cenon ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në raste fatkeqësish natyrore si tërmeti i 26 nëntorit 2019, nuk krijon një bazë të dhënash teknike për rimëkëmbjen dhe restaurimin e tyre në rast dëmtimi.

“Procesi i regjistrimit të pasurive kulturore është i një rëndësie të veçantë për disa arsye, duke përfshirë ruajtjen e infrastrukturës dhe formës së tyre, mbrojtjen ligjore dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe dëshmive historike…”, analizoi Eriselda Ndreca, juriste pranë Komitetit Shqiptar të Heksinkit.

Kategorizimi i pasurive kulturore është i gjerë, duke nisur nga veprat e artit, deri në dorëshkrimet e trashëguar, qofshin pasuri në pronësi shtetërore apo private.

“Duhet bërë një klasifikim i qartë se çfarë është pasuri kulturore dhe çfarë nuk konsiderohet e tillë. Në pasuri kulturore hyjnë edhe librat, volumet me vlera kombëtare, letra të shkrimtarëve, shtëpitë muzeale të Sali Shijakut apo Ismail Kadarsë…”, shpjegoi Artan Shabani, ish-drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve.

Një tjetër diemsion i pasurive publike janë peizazhet që janë trashëguar historikisht dhe kanë nevojë të regjistrohen dhe të mbrohen, por IKRTK-ja nuk ja ka dalë që të regjistrojë në 10 vitet e fundit asnjë “pasuri të peizazhit”.

“Nuk kemi asnjë proçedurë regjistrimi për pasuri të peizazhit në 10 vitet e fundit”, shpjegoi zyrtarisht për Median Amfora, Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore.

default

Sipas ekspertëve në ligj përcaktohen qartë kriteret mbi të cilat pasuritë kategorizohen si pasuri peizazhi, por jo çdo qytetar mund të identifikojë një pasuri të tillë dhe në mungesë të regjistrimit si pasuri kombëtare mund të sjelli dëmtime të tyre.

“Peizazhi në të shumtën e rasteve është shkatërruar jo aksidentalisht, por për qëllime totalisht spekulative që lidhen me ndërtimet dhe me histerinë e një lloj zhvillimi pa kufi”, shpjegoi Artan Shabani.

Pasuri pa nam e nishan!

Në Shqipëri herë pas here autoritetet kanë ndaluar trafikantë të veprave të artit, një pjesë e të cilave dyshohet se janë vjedhur në parqet arkeologjike apo në objektet e kultit, duke dëshmuar rriskun e lartë për mungesën e çdo të dhëne nëse rast se këto objekte grabiten.

IKRTK nuk ka mundur që të përfundojë procesin e regjistrimit të pasurive kulturore që ruhen në muzetë e vendit dhe galeritë, tek personat privatë apo në institucionet e specializuara. Megjithëse ky autoritet ka për mision krijimin, ruajtjen dhe përditësimin e “Regjistrit Kombëtar të Pasurive Kulturore”, në formë elektronike dhe të shkruar, i cili përfshin të gjitha pasuritë kulturore, materiale dhe jo materiale.

“Nuk mundet të llogarisim se sa është në total numri i pasurive kulturore që ruhen në rrjetin e muzeve, në galeritë e artit, nga personat privatë, nga institucionet e specializuara vendore e kombëtare dhe nga bashkësisë fetare”, shpjegoi zyrtarisht Instituti.

Ndërsa një raport i siguruar nga Amfora tregon se ky institucion deri në prill të vitit 2021 për pasuritë në varësi të institucioneve shtetërore kishte regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Pasurive Kulturore 23.596 objekte, nga totali prej 100.000 objektesh.

“Nuk jam në dijeni për regjistrimin në shkallë kombëtare, por në rastin e (GKA) janë regjistruar të gjitha veprat e fondit dhe po ashtu ato që mungojnë gjatë periudhës para dhe gjatë viteve’ 90, ekziston lista përkatëse për secilën vepër, të cilat nuk janë kthyer nga institucionet publike”, shpjegoi Artan Shabani për rastin e Galerisë Kombëtare të Arteve, (GKA).

Pavarësisht regjistrimeve në nivel vendor apo sipas isntitucioneve të caktuara, Instituti duhet të jetë përmbledhësi i të gjitha pasurive kulturore në vend.

“Mungesa e regjistrimit të pasurive në vetvete, e konsideruar si mospërmbushje e ligjit, dikton të njëjtën qasje edhe për mungesën e një numri të saktë të pasurive kulturore”, analizoi juristja Ndreca.

Situata e krijuar, me të dhëna që shpërndahen sipas institucioneve lokale, në bazë të vullnetit të tyre, ka krijuar risk për ruajtjen e kujtesës kombëtare dhe cenon të dhënat e plota për objektet e artit apo të trashëgimisë kulturore, në rast se ato dëmtohen apo grabiten.

“Mos hedhja e të gjitha të dhënave që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore materiale të paluajtshme në Regjistrin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore përbën risk konkret për trashëgiminë e kujtesës kombëtare të këtyre pasurive të paluajtshme…”, gjeti Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në vitin 2022.

“Mos nisja nga ana e IKRTK e procesit të inventarizimit dhe vlerësimit të trashëgimisë kulturore materiale të paluajtshme, përveçse është në kundërshtim me ligjin, nuk siguron transparencë për institucionet e tjera të përfshira në të gjitha hallkat e sistemit kombëtar të kujdesit ndaj trashëgimisë kulturore”, shtoi raporti i KLSH-së.

Instituti ka publikuar një studim për objektet e vjedhura në Shqipëri në periudhën 1990-2016, titulluar, “Katalogu i objekteve kulturore të zhdukura 1990-2016”, publikuar në vitin 2018, por ndjekja e këtyre rasteve sipas IKRTK-së kërkon miratimin e akteve nënligjore.

Sipas institucionit mungesa e krijimit të paketës ligjore mbështetëse është bërë shkak për bllokimin në luftën kundër trafikimit të objekteve të trashëgimisë kulturore të vendit tonë.

Gjithashtu “Katalogu Kombëtar i Pasurive Kulturore” duhej të ishte një sistem informatik i përdorshëm nga publiku dhe specialistët e fushës, por sipas Institutit ai është ende në pritje të miratimit të akteve nënligjore që të vihet në funksion.

“Ligji dhe aktet nënligjore janë në pritje prej disa vitesh, nëse nuk sgaboj që nga viti 2017, Katalogu Kombëtar i Pasurive Kulturore duhet të jetë i aksesueshëm nga çdo bashki, ent kulturor dhe privat, ajo është pasuria jonë kombëtare dhe si e tillë duhet mbrojtur nga të gjithë”, analizoi Artan Shabani.

Manastiri i Mesopotamit në Finiq, Sarandë, Monument Kulture. Foto: Media Amfora

Kontrolli i Lartë i Shtetit i kërkoi Institutit që deri në qershorin e vitit 2023 të niste procesin e përditësimit të Regjistrimit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.

“IKRTK, në bashkëpunim me institucionet e tjera të specializuara dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, të nisin procesin e përditësimit të Regjistrit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, në veçanti, sa i takon monumenteve të kulturës”, rekomandoi pa sukses KLSH-ja.

Nga ana tjetër Instituti duhet të pajisi me licensë të gjithë personat dhe subjektet që eksportojnë objekte të trashëgimisë kulturore, por ai është ende në pritje të akteve nënligjore për të lëshuar licensat e eksportit të pasurive kombëtare kulturore dhe nuk ka ende një Regjistër Kombëtar të Licensave të Eksportit.

Gjithashtu Instituti nuk ka ende zyra rajonale dhe zyra të eksportit të pasurive kulturore të luajtshme, duke mbetur peng i mungesës së akteve nënligjore.

Në 10 vitet e fundit Instituti ka regjistruar 39.4462 pasuri kulturore të disa tipologjive, si në arte pamore, etnografi, arkeologji, arkiterkurë dhe trashëgimi kulturore jomatariale, në pronëri shtetërore, të individëve privatë dhe të institucioneve fetare.

Po, ende rreth 30 vite nga krijimi i këtij institucioni me mision krijimin, ruajtjen dhe përditësimin e Regjistrit Kombëtar të Pasurive Kulturore, në formë elektronike dhe të shkruar, nuk ka statistika zyrtare se sa mund të jetë totali i pasurive kulturore që ekzistojnë në vendin tonë.

 

Kopertina e ‘THE ECONOMIST’: Si mund të kenë sukses bisedimet e paqes me Vladimir Putin

Gjithçka do të varet nga garancitë e fuqishme të sigurisë për ukrainasit

Për dy vjet lufta në Ukrainë është zhvilluar metër për metër e larë me gjak. Papritur, një ndryshim dramatik është afër. Një arsye është se përparimi i ashpër i Rusisë ka ekspozuar dobësi të mëdha në fuqinë punëtore dhe moralin që mund të çojë përfundimisht në një kolaps në linjat e Ukrainës. Më urgjent, Donald Trump e ka bërë të qartë se, si president, ai do të jetë i paduruar që të shtënat të ndalojnë

Kopertina e The Economist këtë javë, ndërkohë, ofron këshilla për Ukrainën dhe Perëndimin se si të kenë sukses rreth bisedimeve të mundshme të paqes me Vladimir Putin. Përparimi i ashpër i Rusisë ka ekspozuar dobësitë në fuqinë punëtore dhe moralin e Ukrainës; Donald Trump e ka bërë të qartë se, si president, do të jetë i paduruar që luftumet të ndalojnë. Një armëpushim do të paraqiste dy vizione konkurruese për të ardhmen e Ukrainës. Llogaritja e zotit Putin është se ai do të fitojë nga kjo një marrëveshje, sepse Ukraina do të kalbet, Rusia do të riarmatoset dhe Perëndimi do të humbasë interesin. Por imagjinoni që, me mbështetjen perëndimore, Ukraina të përdorë qetësinëpër të rindërtuar ekonominë e saj, për të rifreskuar politikën dhe për të penguar agresionin e Rusisë. Detyrë e Perëndimit, – shkruan The Economist në përmbledhjen e analizës së javës – është të sigurohet që ky vizion të mbizotërojë.

Programi më i madh i Investimeve në histori! Kompanitë që ndërtuan Bllokun e Ministrive, Portin e Durrësit e Pallatet Mbretërore

Pas shpalljes së Pavarësisë, Shqipëria do të vuante problematika serioze ekonomike e ndaj do të kishte diskutime të shumta lidhur me rrugën që duhej ndjekur për të arritur zhvillimin e vendit. Në këtë periudhë, në Shqipëri do të vinin studiues të huaj që do të analizonin potencialin ekonomik të vendit.

Vendi kishte dalë nga Perandoria Osmane me një prapambetje të thellë. Në vend mungonin rrugët, hekurudhat apo edhe mekanizmat financiarë të domosdoshëm për zhvillimin ekonomik.

Dy mendimet kryesore që mbizotëronin në vitet e para të Pavarësisë së vendit ishin ato për sigurimin e të ardhurave ekonomike përmes koncesioneve që do t’i siguronin disa të ardhura arkës së shtetit, ndërsa rryma tjetër do të ishte ajo e marrjes së një mbështetje financiare nga jashtë e përmes rolit të shtrukturave shtetërore të vihej në efiçencë pasuria nëntokësore.

Për të shmangur varësinë ekonomike që mund të krijonin koncesionet e kompanive të huaja, rruga e parë që u ndoq ishte ajo e kërkesës për një kredi nga jashtë. E në vitin 1922, Shqipëria do t’i drejtohej për një kredi Lidhjes së Kombeve, ku kishte pak kohë që ishte anëtarësuar.

Lidhja e Kombeve nuk i dha Shqipërisë huanë e kërkuar e opsioni që mbeti ishte marrja e një kredi zhvillimore për vendin, që parashikon te ndër të tjera programin më të madh të investimeve të ndërmarra ndonjëherë në Shqipëri.

Në mesin e viteve ‘20, kur Shqipëria ishte afruar me Italinë e kur Italia kishte arritur të merrte rolin e kujdestarit ndërkombëtar për Shqipërinë, u diskutua një kredi zhvillimore, pjesë e të cilës do të ishte edhe krijimi i Bankës Kombëtare të Shqipërisë.

Si u krijua Shoqëria për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë (SVEA)

Në funksion të realizimit të programit më të madh të investimeve të realizuar ndonjëherë në Shqipëri, u krijua një mekanizëm i veçantë i emërtuar SVEA, ose Shoqëria për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë.

Shoqëria, në bazë të konventave të nënshkruara në vitin 1925, kishte si funksion dhënien për shtetin shqiptar të një borxhi të destinuar për ndërtimin e veprave publike dhe kjo kredi do të garantohej nga të ardhurat e doganave dhe të monopoleve të vendit, ku bënin pjesë duhani e kripa.

SVEA ose Shoqëria për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë u themelua në Romë para se të krijohej Banka Kombëtare e Shqipnis’, me 23 prill 1925 dhe një muaj më pas me 29 maj 1925 u firmosën marrëveshjet mes qeverisë shqiptare, grupit financiar italian dhe vetë SVEA-s për të rregulluar pjesët e tjera të financimit.

Fillimisht parashikohej që borxhi të mos bazohej në një shtet të vetëm por të ishte i shpërndarë në disa shtete në formën e një huaje ndërkombëtare, -përmes obligacioneve me interes 7.5 %. Shteti italian parashikohej të mbante peshën më të madhe në këtë borxh, por në fund rezultoi se do të ishte vetëm shteti italian ai i cili do ta mbante atë.

Kapitali i kompanisë SVEA ishte 1 milion lira por më kalimin e kohës u shtua në 15 milionë. Presidenti i parë i saj ishte Angelo Valvassori Peroni, një figurë e njohur e politikës dhe financave italiane. Në vitet pasuese, kjo shoqëri do të drejtohej  nga guvernatori i Bankës Kombëtare, Mario Alberti, nga Baroni Pompeo Aloisi, nga Konti Giovanni Capasso Torre, nga Vincenzo Lojacono dhe në fund Giuseppe Bianchini.

Në Këshillin Administrativ bënin pjesë edhe kryesisht drejtuesit italianë të Bankës së Kombëtare. Po ashtu, pjesë e këshillit ishin edhe disa personalitete shqiptare.

Huaja për punët publiket të Shqipërisë u emetua me 12 nëntor të vitit 1925. Ajo ishte parashikuar të ishte 50 milionë franga por totali i shpenzimeve do të arrinte në 62.7 milionë franga për faktin se 12.7 milionë franga do të llogaritej puna e detyrueshme. Referuar ligjit të kohës, çdo mashkull shqiptar e kishte të detyrueshme që të paguante taksën e rrugës, që në thelb nënkuptonte ofrimin e disa ditëve pune pa pagesë në muaj.

Afati për shlyerjen e kësaj huaje nga Shqipëria ishte vendosur 40 vite.

Menjëherë pas miratimit të huasë, nisi një proces i hartimit të projekteve konkrete ku do të investohej.

Pjesa më e madhe e këtij fondi parashikohej të shkonte për ndërtimin e rrugëve, urave dhe të godinave administrative. Por plani do të ndryshonte rrugës…

Sa kushtuan veprat e italianëve dhe kush i ndërtoi ato?

Një nga veprat më të rëndësishme që u ndërtua nga ky program investimesh ishte zgjerimi i Portit të Durrësit. Ky investim kushtoi 8.6 milionë franga ar. Porti i Durrësit u zgjodh për një investim të tillë për faktin se ai konsiderohej porti kryesor i Shqipërisë dhe kishte ndërlidhje strategjike me kryeqytetin dhe qytetet e tjera të vendit.

Projekti fillestar i Portit të Durrësit u skicua nga inxhinieri Luigi Luigi dhe ai që u modifikua më vonë nga inxhinieri Tito Consigli, i cili kishte ndjekur që në fillim punimet për zgjerimin e tij.

Punimet u kryen nga kompania Mazorana e Triestes, ekipi i së cilës në Durrës drejtohej nga inxhinieri Piero Zampieri.

Me financimin e SVEA-s në Shqipëri u ndërtuan një serë godinash të rëndësishme mes të cilave Blloku i Ministrive në Tiranë dhe vilat mbretërore në Tiranë, Durrës dhe Shkodër.

Vila Mbretërore në Durrës u projektua nga arkitekti Florestano de Fausto ndërsa punimet për ndërtimin e saj u realizuan nga kompania shqiptare SITA dhe kompanitë italiane SCAIA dhe Staccioli. Kostoja e saj ishte rreth 1,5 milionë franga.

Vila Mbretërore e Tiranës u realizua nga kompania shqiptare SITA dhe kompania italiane Staccioli. Kostoja e saj ishte 365 mijë franga.

Rezidenca mbretërore në Tiranë iu nënshtruan rikonstruksionit dhe punimet u kryen nga shoqëria shqiptare SITA dhe shoqëria Staccioli. Punimet e rikonstruksionit kushtuan 338 mijë franga ari.

Vila Mbretërore e Shirokës u ndërtua nga sipërmarrja Fratelli Desideri dhe punimet kushtuan 13 mijë e 900 franga ari.

Pallatet e Ministrive në Tiranë u projektuan nga arkitekti Florestano de Fausto dhe punimet u kryen nga sipërmarrja shqiptare SITA dhe ajo italiane Staccioli.

Kostoja e 6 godinave të bllokut të ministrive kushtoi 2.7 milionë franga ari.

Në kuadrin e këtij projekti u ndërtuan edhe disa burgje.

Burgu i Tiranës u ndërtua nga sipërmarrja italiane Staccioli dhe sipërmarrësi Xhemal Kadesha dhe shoqëria SITA. Kostoja totale e tij ishte 343 mijë franga ari.

Burgu i Gjirokastrës u ndërtua nga shoqëria Krahu me një kosto 332 mijë franga.

Shkolla Teknike e Tiranës u ndërtua nga sipërmarrja e Harry Fultz me një kosto 203 mijë franga ndërsa shkolla profesionale e Gjirokastrës nga shoqëria shqiptare Krahu me një kosto 59 mijë franga ari.

Shkolla profesionale e Beratit u ndërtua po nga shoqëria Krahu me kosto 71 mijë franga ari ndërsa shkolla profesionale e Korçës nga sipërmarrja e inxhinierit Anastas Pilika, me një kosto prej 98 mijë franga ari.

Spitali Civil Zogu I në Tiranë u ndërtua nga sipërmarrja italiane A.M.Ragazzi dhe shoqëria SITA, me një kosto 991 mijë franga ari ndërsa Spitali Ushtarak i Tiranës u ndërtua nga 3 kompani italiane kundrejt  një kostoje 546 mijë franga.  

Rrugët që u ndërtuan nga SVEA

Në listën e rrugëve të ndërtuara në kuadër të projektit investues të SVEA-s ishin rruga Shkodër-Pukë, 33 kilometra e gjatë. Punimet u kryen nga sipërmarrja shqiptare e Nush Topallit ndërsa punimet u drejtuan nga dy inxhinierë italianë. Kostoja e kësaj rruge ishte 2.6 milionë franga ari.

Rruga Ura e Zogut-Dibër, me gjatësi 33.8 kilometra. Kjo rrugë u plotësua me urën në lumin Fan, në zonën e Rubikut, dhe me disa ura të tjera në Urakë e Shoshaj. Punimet u realizuan nga sipërmarrja italiane A.M.Ragazzi. Kostoja e saj ishte 800 mijë franga ari.

Rruga Krujë-Burrel me gjatësi 47 kilometra e ndërtuar po ashtu nga sipërmarrja italiane A.M.Ragazzi kishte kosto 800 mijë franga.

Rruga Tiranë-Elbasan me gjatësi 47,6 kilometra me 3 ura të mëdha, atë mbi Erzen, mbi Farkë dhe në Petrelë, u ndërtua nga shoqëria shqiptare e Durrësit e emërtuar Krahu, nga kompania Beça dhe disa kompani italiane. Kostoja e këtij aksi rrugor ishte 5.1 milionë franga.

Rruga Tiranë-Durrës, që ishte projektuar si hekurudhë, me gjatësi 26,4 kilometra dhe me ura të mëdha si Ura e Erzenit dhe Ura e Limuthit, u ndërtua nga kompania parashtetërore shqiptare, shoqëria Krahu dhe nga shoqëritë italiane A.M. Ragazzi dhe Ansaldo. Kostoja e kësaj rruge ishte 1.7 milionë franga ari.

Po ashtu, në ,kuadër të këtij projekti u ndërtuan edhe Ura të mëdha e të vogla si Ura e Lezhës mbi Drin, Ura mbi Lumin Shkumbin në aksin Durrës-Elbasan, Ura e mbi Lumin Buna në Shkodër, ura e Mbrostarit në Fier si dhe ura e Zogut mbi lumin Mat me gjatësi 474 metra dhe me një kosto 900 mijë franga ari.

Si u shpërndanë investimet e SVEA

Pjesa me e madhe e programit të investimeve të SVEA-s shkoi për ndërtimin e rrugëve. Italianët nuk e kishin parashikuar se ky program do të ishte i vështirë, për shkak të terrenit, çka solli një rritje të ndjeshme të buxhetit për rrugët dhe një ulje të numrit të kilometrave të tyre, ndryshe nga sa ishte parashikuar në programin fillestar.

Kostoja mesatare me të cilën u ndërtuan rrugët në Shqipëri në ato vite ishte 6400 franga për kilometër. Më shumë se gjysma e fondit të SVEAs shkoi për ndërtimin e rrugëve, ku nga 62.7 milionë franga, për këtë zë të projektit u shpenzuan 33.7 milionë franga.

Në këtë program madhor investimesh rezulton se pjesa më e madhe e punimeve janë kryer nga kompani italiane, që ishin në masën 69.6 % ndërsa 21,8 % ishin kompani shqiptare. 5.1 ishin kompani të shteteve të tjera.

Numrin më të madhe të punimeve e kryen kompanitë Ragazzi di Milano (kryesisht për rrugët dhe urat) dhe sipërmarrja Mazorana e Triestes që ndërtoi Portin e Durrësit dhe urën e Matit.

Çfarë u ndërtua me fondet e SVEA-s?

Brenda 10 viteve, italianët pretendonin në raportin e tyre për veprimtarinë e shoqërisë, se kishin shpenzuar në total 57.8 milionë franga,  për punimet e kryera nën supervizimin e autoriteteve shqiptare.

Projekti fillestar parashikonte zgjerimin e Portit të Durrësit, shtrimin e 965 kilometrave rrugë, ndërtimin e 27 urave të mëdha dhe 890 urave të vogla, ndërtimin e argjinaturave dhe kanalizimeve për bonifikimin e tokave, ndërtimin e hekurudhës Durrës-Tiranë si dhe ndërtimin e 14 godinave të reja e riparimin e godinave ekzistuese.

Në kuadër të financimeve të SVEA-s, Porti i Durrësit u zgjerua, një sipërmarrje që kushtoi 8.6 milionë franga ar. Po ashtu, u ndërtuan 275 kilometra rrugë, shumë më pak sesa ishte parashikuar në projektin fillestar, u ndërtuan edhe 110 ura ndërsa projekti fillestar për ndërtimin e një hekurudhe Tiranë- Durrës, ndryshoi duke u bërë rrugë automobilistike. Ndërkohë, u ndërtuan 37 godina të reja, ku bënin pjesë edhe blloku i ministrive në kryeqytet.

Rezulton se ndryshe nga projekti fillestar, 10 vite pas funksionimit të SVEA-s, u ndërtuan më shumë godina sesa parashikoheshin ndërsa u investuan më pak në rrugë. Projektet për rregullimin e porteve të Shëngjinit, Sarandës së Vlorës mbeten jashtë. Rrugët rezultuan të ishin pjesa më e kushtueshme duke marrë me shumë së gjysmën e fondit të parashikuar.

Gjatë realizimit të programit, autoritetet shqiptare dhe ato italiane hasën në shumë vështirësi edhe për shkak të rregullave të transferimit të parave nga një vend në një vend tjetër, ku kishte detyrime që duheshin respektuar për shkak të ndryshimeve valutore.

Ndërkohë, tensionet politike reflektoheshin edhe në ecurinë e programit më të madh të investimeve që Shqipëria kishte ndërmarrë ndonjëherë.

Sa i përket kësteve të kredisë, rezulton se në vitin 1930 pala shqiptare pagoi një këst prej 916 mijë frangash.

Shqipëria në fakt, nuk arrin të paguajë këstet e mëvonshme të kredisë, sikur parashikonte marrëveshja.

Kriza ekonomikë që përfshiu Shqipërinë në vitet ’30 si rrjedhojë e krizës globale që pasoi kolapsin e Wall Street dhe që shkaktoi atë që njihet si Depresioni i Madh, bëri që mes Italisë dhe Shqipërisë të rinegociohej borxhi.

Pas rinegociimit, Shqipërisë i akordohen nga Italia edhe 100 milion franga ari të tjera.

Ky hap shënoi edhe zhytjen e Shqipërisë në borxh kundrejt Italisë, një element që shërbeu edhe si shkak zyrtar në vitin 1939 për aneksimin ushtarak.

Pushtimi italian solli në fakt një përshpejtim të punimeve infrastrukturore dhe prezenca italiane u rrit ndjeshëm. Krijimi i zonës së lirës dhe vendosja e raportit të ri mes frangës shqiptare dhe lirës italiane si dhe bashkimi doganor i dy vendeve lehtësoi ndjeshëm transferimin e parave në Shqipëri.

Në këto kushte, u përfunduan pjesa më e madhe e veprave infrastrukturore që ishin parashikuar në këtë kredi.

Ndërkohë, deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria pagoi vetëm 2 këste të kredisë.

Gjithsesi, pasi përfundoi Lufta e Dytë Botërore, u bë bilanci i luftës dhe në fund rezultoi se Italia duhej të paguante reparacione lufte për Shqipërinë për faktin se paralelisht me investimet, ajo kishte shfrytëzuar edhe burimet natyrore të Shqipërisë.

*Marrë nga Emisioni DOSJA E në SCAN TV