22.5 C
Tirana
E enjte, 19 Qershor, 2025

Raporti i BE telendis Ramën për aferat e qeverisë

Komisioni Europian i ka “mbyllur gojën” Athinës për zgjedhjet në Himarë, teksa i ka dhënë një tjetër shuplakë të fortë qeverisë lidhur me nivelin e korrupsionit në vend.

Komisioneri për zgjerimin Olivér Várhelyi, ka dalë me një qëndrim zyrtar lidhur me zgjedhjet e mbajtura në Himarë. Reagimi i tij vjen pas kërkesave të Athinës, por duket se një shuplakë merr edhe qeveria shqiptare.

Komisioneri përshkruan atë që ndodhi në Himarë dhe e vë theksin te “Thembra e Akilit”, korrupsioni. Sipas tij, ai është i shtirë në shumë sektorë dhe nuk po bëhet aq sa duhet për ta luftuar këtë fenomen.

Reagimi i komisionerit vjen edhe si përgjigje ndaj Greqisë, e cila këmbëngulte po ashtu për parregullsi në Himarë. Por duket se edhe atyre u është mbyllur goja, pasi BE vetëm prek çështjen e pronave, por pa mbajtur një qëndrim konkret.

Në Raportin e tij për Sundimin e Ligjit për vitin 2024, në kapitullin për Shqipërinë, Komisioni deklaroi se korrupsioni i përgjithshëm është i përhapur në shumë sektorë, madje gjatë fushatave elektorale. Dhe konstatoi se masat parandaluese vuajnë nga një kuadër ligjor tepër kompleks dhe vazhdojnë të kenë një ndikim të kufizuar, veçanërisht në sektorët vulnerabël. Përmes procesit të Stabilizim-Asociimit dhe Zgjerimit procesi, Komisioni gjithashtu ndjek nga afër mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe konsolidimin e të drejtave të pronësisë në Shqipëri dhe vlerëson progresin nëpërmjet raportit të saj vjetor”, thekson komisioneri.

Qëndrimi i plotë

Komisioni vuri në dukje se zgjedhjet e pjeshme bashkiake u zhvilluan në Himarë më 4 Gusht 2024. Mbajtja e zgjedhjeve transparente, gjithëpërfshirëse dhe të besueshme në përputhje me standardet ndërkombëtare, janë një kërkesë kyçe për çdo vend që aspiron të anëtarësohet në BE. Një numër i lartë ankesash nga përfaqësues të partive politike u trajtuan nga organet kompetente.

Komisioni vuri në dukje gjithashtu se Kolegji Zgjedhor vendosi të lërë në fuqi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili rrëzoi kërkesën e koalicionit opozitar për të shpallur të pavlefshëm rezultatet e zgjedhjeve në Himarë.

BE do të vazhdojë të inkurajojë autoritetet shqiptare që të adresojnë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias. Komisioni i kushton rëndësi më të madhe respektimit të shtetit të së drejtës dhe të drejtave themelore, duke përfshirë mbrojtjen e të drejtave pronësore në Shqipëri. Komisioni do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet zgjedhore në Shqipëri.

Në Raportin e tij për Sundimin e Ligjit për vitin 2024, në kapitullin për Shqipërinë, Komisioni deklaroi se korrupsioni i përgjithshëm është i përhapur në shumë sektorë, madje edhe gjatë fushatave elektorale. Dhe konstatoi se masat parandaluese vuajnë nga një kuadër ligjor tepër kompleks dhe vazhdojnë të kenë një ndikim të kufizuar, veçanërisht në sektorët vulnerabël.

Përmes procesit të Stabilizim-Asociimit dhe Zgjerimit procesi, Komisioni gjithashtu ndjek nga afër mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe konsolidimin e të drejtave të pronësisë në Shqipëri dhe vlerëson progresin nëpërmjet raportit të saj vjetor.

Si pjesë e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, BE-ja monitoron dhe mbështet nga afër konsolidimin e demokracisë, shtetit ligjor dhe të drejtave themelore në vend.

Vrasja e Martin Canit me thikë në zemër, analiza e DW: A është zgjidhje mbyllja e rrjeteve sociale për rritjen e sigurisë në shkolla?

Vrasja e 14 vjeçarit me thikë nga një bashkëmoshatar tronditi Shqipërinë. Pasuan protesta dhe debat. A është zgjidhja tek mbyllja e rrjeteve sociale?

Debat dhe protesta përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë pas vrasjes së Martin Canit, një 14 vjeçar i cili u sulmua me thikë nga një bashkëmoshatar. Të dy ishin nxënës të shkollës “Fan Noli” në Tiranë. Ngjarja tragjike e para disa ditëve tronditi opinionin publik dhe shtoi zërat për masa të reja dhe nisma ligjore për të ulur dhunën e të miturve në shkolla. Sherri mes dy nxënësve mendohet se u nxit nga rrjetet sociale.

“Ngjarja mund të ishte parandaluar”

Protestuestja, Eralda Itaj shprehet për DW, se “institucionet, shkolla, dhe shoqëria duhet të marrë përgjegjësi për pasigurinë që ne kemi sot për fëmijët tanë”. Mes protestuesve ishte edhe gazetarja Ermelinda Hoxhaj, që e shikon rastin tragjik të vdekjes së nxënësit si një “ngjarje që mund të ishte parandaluar”. “Ndaj ne kërkojmë rritje të numrit të psikologëve. Ndërkohë, duke qenë se po diskutohet buxheti, kërkojmë rritje të buxhetit të arsimit.”

Sidorela Vatnikaj, pjesëmarrëse në protestë kërkon edhe marrjen e përgjegjësive politike dhe thotë se ka dalë në protestë “për të kërkuar mbajtjen e përgjegjësisë nga kjo ministri, dorëheqjen e ministres së Arsimit dhe garantimin e sigurisë fizike të të gjithë fëmijëve në shkollat e Shqipërisë”.

Rritje e ndjeshme e bulizmit online

Në Linjën Kombëtare të Telefonit për Fëmijë “Alo 116” merren rreth 200 telefonata në ditë për situata dhune fizike apo online nga fëmijët. Drejtuesja e Linjës, Belioza Çoku, vëren një prirje në rritje të bullizmit në internet. “Pas vitit 2017 rritet ndjeshëm, 7 fijëshohet numri i telefonatave ndaj bulizmit online, ku përdoreshin pamje të fëmijëve, manipuloheshin video. Sot, në 2024, ne kemi rreth 14 000 telefonata, pra shkon në 22% raportimi për bullizëm online”, shprehet Belioza Çoku, drejtuesja e Linjës Kombëtare të Telefonit për Fëmijë “Alo 116” për DW. Sipas saj, grupmoshat që telefonojnë më shumë janë 10, 12 apo 13 vjeç, por si fashë e madhe është deri 17 vjeç.

Debate për mbylljen e rrjeteve sociale

Pas ngjarjes, në Tiranë me propozimin e qeverisë ka nisur një konsultim me mësues dhe prindër për të mbyllur disa nga rrjetet sociale në Shqipëri. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama madje u shpreh: “Të marrim një masë drastike për mbylljen e plotë të Tik Tokut, e pse jo, edhe të Snap Chat në Republikën e Shqipërisë”

Por Belioza Çoku, drejtuesja e Linjës Kombëtare të Telefonit për Fëmijë “Alo 116” nuk e sheh zgjidhjen tek mbyllja e rrjeteve sociale. “Mendoni se fëmijët nuk do të gjejnë një platformë tjetër që do të bëhet popullore, ku ata do të kenë mundësi të zbrazin edhe disa devianca që janë ngarkuar nga mbyllja e këtyre dy të tjerave?! Të shikosh në këtë perspektivë zgjidhjen do të thotë që ne për të 1 miliontën herë si qeveri dhe si shoqëri duam që të zvogëlojmë problemin dhe të arnojmë pasojën”.

Analiza e VOA: Administrata e re amerikane dhe qasja ndaj Iranit

Irani pritet të jetë lart në axhendën e politikës së jashtme të administratës së ardhshme të zotit Trump. Republika Islamike është përfshirë në konflikt me aleatin kryesor të SHBA-së në Lindjen e Mesme, Izraelin, ndërkohë që në të njëjtën kohë ka avancuar programin bërthamor.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Michael Lipin, analizon atë që pritet të ndodhë gjatë administratës së presidentit të zgjedhur Donald Trump në lidhje me Iranin.

Gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale këtë vit, Trump në komentet e tij mbajti një qasje pajtuese me Iranin, një vend kundërshtar i Shteteve të Bashkuara, të cilin ai gjatë mandatit të tij të parë si President i vendosi saksione ekonomike dhe e mbajti nën trysni ushtarake.

“Nuk dua të jem i keq me Iranin. Shpresoj se ne do të jemi miqësor me Iranin. Ndoshta. Ndoshta jo. Por ata nuk mund të kenë një armë bërthamore. Ata nuk do të kenë kurrë një armë bërthamore”, deklaroi Trump gjatë fushatës presidenciale.

Udhëqehësit islamikë të Iranit paralajmëruan këtë vit se ata mund të heqin dorë nga një premtim për mos zhvillimin e armëve bërthamore, nëse ekziston një kërcënim i jashtëm që rrezikon mbijetesën e tyre.

Në mandatin e tij të parë, zoti Trump u tërhoq nga një marrëveshje e vitit 2015 që Irani bëri me fuqitë botërore për të kufizuar programin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve. Zoti Trump tha se ai kërkonte një marrëveshje të re që do të ishte më e ashpër ndaj Teheranit. Gjatë mujait shtator një gazetar e pyeti atë nëse ende dëshironte të negocionte me Iranin.

“Sigurisht që do ta bëja. Ne duhet të bëjmë një marrëveshje, sepse do të ketë pasoja”, deklaroi ai.

Në muajin tetor, gjatë një interviste zoti Trump u pyet nëse ai dëshiron të shohë që udhëheqësit islamikë të Iranit të zëvendësohen nga monarkia, që ata përmbysën në 1979.

“Ne nuk mund të përfshihemi në këto zhvillime”, deklaroi Trump.

President i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara reagoi ashpër për sulmin me raketa balistike të Iranit më 1 tetor ndaj Izraelit. Si shembull ai përmendi dhe deklaratat e presidentit Joe Biden se Izraeli nuk duhet të godiste objektet bërthamore iraniane si kundërpërgjigje.

“Unë mendoj se ai e ka gabim. Përgjigja duhet të ishte: godit objektet bërthamore në fillim pastaj objektivat e tjera”.

Gjatë mandatit të tij të parë, zoti Trump vendosi sanksione ndaj Iranit, që kishin në shënjestër eksportet e naftës. Po ashtu një sulm ajror amerikan në Bagdad eliminoi komandantin më të lartë ushtarak, Qassem Soleimani.

Gjatë fushatë presidenciale zoti Trump nuk tha nëse do të përdorë të njëjtat politika ndaj Iranit. Por i emëruari i tij për Sekretar Shteti, senatori Marco Rubio, është një mbështetës i fortë i kësaj qasjeje ndaj Iranit.

Në një postim në rrjetin social X, zoti Rubio tha se “vetëm nëpërmjet trysnisë maksimale dhe masave të drejtpërdrejta dhe joproporcionale ekziston një mundësi për të ndryshuar veprimet e tyre kriminale”.

Ndërkohë Departamenti Amerikan i Drejtësisë tha se ka zbuluar një komplot të Iranit për të rekrutuar një shtetas afgan për të organizuar një atentat ndaj zotit Trump para ditës së zgjedhjeve.

Teherani mohoi përfshirjen. Por i zgjedhuri i zotit Trump për postin e këshilltarit të sigurisë kombëtare tha se Irani duhet të përballet me pasoja.

“Ne duhet të dërgojmë një mesazh të fortë dhe të qartë se kjo është një vijë e kuqe që nuk do të tolerohet kurrë për të gjithë kundërshtarët tanë dhe që do të ketë pasoja të mëdha. Ne duhet të rivendosim masa frenuese”, tha Michael Waltz, ligjvënës republikan.

Ajo që nuk dihet për qasjen e Presidentit të zgjedhur Trump ndaj Iranit është se çfarë lloj marrëveshjeje të re do të kërkojë dhe çfarë do të bënte nëse nuk mund ta arrijë një të tillë./VOA

Shkëlqeu me dy gola dhe asist në futbollin anglez, zbuloni notën dhe statistikat mbresëlënëse të Anis Mehmetit

Talenti shqiptar, Anis Mehmeti, regjistroi një paraqitje mbresëlënëse në Championship-in anglez, teksa shkëlqeu me dopietë golash dhe asist në triumfin 4-0 që skuadra e Bristol Sitit regjistroi në ndeshjen e kampionatit ndaj Plymuthit.

Mehmeti u vlerësua nga faqja e specializuar e statistikave “Sofa Score” me notën 9.8, teksa në total regjistroi 8 goditje, 6 prej të cilave shkuan në kuadrat.

Talenti shqiptar gjithashtu regjistroi edhe 3 pasime kyçe, 3 duele të fituara dhe 2 driblime të sakta. Një paraqitje kjo që duket se Anis Mehmeti do ta mbajë mend gjatë në karrierën e tij.

Për vetëm 30 minuta, zgjidhja kundër ankthit dhe depresionit

Aktiviteti fizik mund të jetë gjëja e fundit që u shkon ndër mend njerëzve që vuajnë nga depresioni apo ankthi.

Nga ana tjetër, ekspertët e fushës thonë se aktiviteti fizik kur kryhet në mënyrë të rregulltë zbut ndjeshëm simptomat e depresionit.

Tingëllon paradoksale apo jo?

Një studim i kryer nga Universiteti i Teksasit zbuloi se vetëm 30 minuta aktivitet i moderuar fizik në harkun kohor të pesë ditëve mund të zbusë në mënyrë të ndjeshme simptomat e depresionit, ose edhe t’i përgjysmojë ato.

Padyshim që aktiviteti fizik nuk luan rol zëvendësues për medikamentet kundër depresionit, por është pa kurrfarë mëdyshjeje, i mirë.

Përmirëson humorin

A e keni vënë re sa të gjallëruar dhe sa të hareshëm ndiheni pas një vrapi?

Studimet tregojnë se aktiviteti fizik është i fuqishëm në përmirësimin e humorit.

Njerëzit që vuajnë nga depresioni dhe kombinojnë barnat me aktivitetin fizik kanë mundësinë të dalin sa më shpejt prej sëmundjes.

Aktiviteti fizik ndihmon në sekretimin e hormoneve pozitive.

Një studim i publikuar në American Journal of Psychiatry ka zbuluar se vetëm një orë aktivitet fizik në javë mund të mjaftojë për të parandaluar depresionin duke u bërë kështu një forcë madhore për shëndetin mendor.

Më shumë vetëbesim

Aktiviteti fizik përmirëson edhe vetëbesimin tek njeriu, thonë ekspertët.

Sipas tyre, kryerja e aktivitetit fizik, pavarësisht kohës apo intensitetit nxit një imazh më të mirë të vetes.

Më pak frikë

Aktiviteti fizik lufton mjaft mirë simptomat e panikut dhe ankthit siç janë: djersitja, marramendja apo rrahjet e larta të zemrës.

Nëse njeriu kryen rregullisht ushtrime, ai bëhet më pak i ndjeshëm ndaj këtyre problemve mendore dhe emocionale dhe nuk percepton rrezik të shtuar.

Aktivitetet më të mira fizike për njerëzit që vuajnë nga depresioni janë: ecja, vrapi, çiklizmi, noti, aerobia, zumba dhe çdo gjë që vë trupin dhe trurin në lëvizje drejt mirëqenies së lakmuar./AgroWeb.org

“Pa ekstremizma të verbra”- Këshilla e Mid’hat Frashërit për qeveritarët e parlamentarët e Shqipërisë! Misionari i principeve demokratike, njihte politikën botërore

URAN BUTKA

PJESA E DYTË

Në kushtet që po kalonte Shqipëria ishin më se të nevojshme investimet e huaja. “Duhet të kuptojmë dobinë e investimeve të huaja edhe të zgjojmë interesin e investitorëve të huaj”. Kjo është, sipas Mid’hat Frashërit, njëra anë e medaljes. Ana tjetër, është politika.

M. Frashëri u bë një misionar i principeve demokratike. Themelimi i një parlamenti pluralist dhe demokratik ishte i një rëndësie të veçantë për fillimin e një jete politike demokratike dhe ndërtimin e institucioneve shtetërore. Mid’hati që e njihte jetën parlamentare të vendeve perëndimore, u këshillon qeveritarëve e parlamentarëve shqiptarë një politikë ekuilibriste të qendrës, e cila i shërben në çdo kohë Shqipërisë, pa ekstremizma të verbra, që i kanë shkaktuar dëm në çdo kohë Shqipërisë.

Mid’hat Frashëri është për një regjim republikan, ku forma e shtetit të ishte republikë parlamentare e vendosur me votim të përgjithshëm, si edhe për një pushtet institucional demokratik të zgjedhur me vota të lira, ku të përfaqësohen gjithë shqiptarët, edhe ata të diasporës. Ai luftoi për një shtet kombëtar shqiptar, apo për një Shqipëri etnike. Ai nuk është as për një Shqipëri të madhe e as për një Shqipëri të vogël, por për një Shqipëri etnike, që të përmbledhë gjithë trevat shqiptare ku banojnë tërësisht shqiptarë apo me shumicë shqiptare, mbi bazën e parimit të vetvendosjes së kombeve.

Zhvillimet në Shqipëri i lidh me rendin demokratik, i cili të ketë “pamje shoqënore” – siç shprehet ai, ku drejtimi, mirëkuptimi dhe rregulli të vijnë nga zbatimi i ligjit, përkundër nihilizmit, anarkisë dhe arbitrarizmit.

Ai shprehet kategorikisht kundër sistemit të sovjetëve, ku njerëzit kanë gjetur vdekjen në shpërbërjen e Rusisë. “Para së gjithash, i shkruan ai konsullit Iden të Britanisë së Madhe në Shqipëri, – e quaj të nevojshme t’ju them se do të ishte gabim të mendohet që ka një lëvizje bolshevike në Shqipëri. Kjo është një mendësi e mjerueshme, të ngatërrosh liberalizmin, demokracinë dhe dëshirën për ndarjen e tokave me sistemin e sovjetëve. Shqiptari është shumë konservator për t’u bërë bolshevik e leninist”. Duke i paralajmëruar shqiptarët e viteve ’30 për rrezikun e bolshevizmës dhe duke i siguruar ata që ajo është një ideologji e papajtueshme me terrenin, psikologjinë dhe të ardhmen e shqiptarit, nisur dhe nga frutet e hidhura që kishte dhënë në Rusi, Mid’hat Frashëri shprehet për një rend e zhvillim kapitalist të natyrshëm e social në Shqipëri, me evolucion ( reforma) dhe në mënyrë demokratike, me përmirësime e përsosje të vazhdueshme. Ai është kundër revolucionit, kundër përmbysjeve me dhunë, kundër rrëmbimit e shtetëzimit të pasurive, kundër centralizmit burokratik. Ringjalljen ekonomike, Mid’hat Frashëri e sheh te ekonomia e tregut, ndërsa ringjalljen politike e morale e gjen tek parimet e rendit demokratik. “Për mua ka vetëm një mënyrë që të normalizohet gjendja në Shqipëri: mbajtja e lidhjeve me Lëvizjen Demokratike Europiane”

Ai është kategorikisht kundër një shteti autokratik, që të mos mblidhet pushteti në një dorë të vetme dhe të mos abuzohet me pushtetin. Mid’hati është për një shtet demokratik që të respektojë të drejtat e liritë e individit, pronën dhe t’u hapë udhën iniciativës së njerëzve, lirisë së tyre për të jetuar, punuar, pasuruar, folur e vepruar. Mid’hat Frashëri është kundër parimit të centralizmit , që të çon në despotizëm e autarki. “Ka njerëz që duan që qeverija të detyrojë çdo njeri për punë, të shtrëngojë dhe të dënojë atë që s’punon; të tjerë njerëz duan që qeveria të rregullojë jetën e çdo dite, të mbrojë, të paguaj, të ndalojë, të shtyjë çdo gjë. Ky sistem do të na shpinte te komunisma dhe te bolshevizma, në qoftë se vërtet e aplikojmë…”

Që të mbahet shteti, duhet që edhe shtetasit të bëjnë detyrën e tyre. Këtë detyrim, Mid’hat Frashëri e quan “ndjenja e përgjegjësisë personale”: “Çdo njeri duhet të jetë i përgjegjshëm për punët dhe sjelljet e tij, të ngrerë gjithë barën e aktevet. Le të kuptojmë secili prej nesh dhe të kemi si themel të edukatës përgjegjësinë personale. Është i vetmi mjet që të arrijmë ne vete në përmirësim dhe përparim moral, e vetmja fushë që të bëjmë të rinjtë e Shqipëris’ sonë të bëhen të dobishmë e të vlefshmë” .Shqiptarët, thotë ai, duke mos qenë mësuar me jetë politike, s’kanë kuptuar ende barrën, detyrat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga një jetë indipendente. Si një mjek i sëmundjeve shoqërore, Mid’hati vëren dhe diagnostikon plagët e Shqipërisë, sëmundjet që brejnë shqiptarët, si edhe rekomandon shërimin e tyre. Ilaçi: PUNA. “Gjithë vlefta, gjithë fuqia, gjithë virtyti në këtë botë është puna”. Ky qëllim i vërtetë nuk arrihet vetvetiu . Është detyrë e individit, por edhe e kujdesjes së shtetit. Të mos presim nga tjetërkushi.

Tjetërkushi, sipas Mid’hat Frashërit, është edhe i huaji, të cilin as nuk duhet ta absolutizojmë, as ta injorojmë. Si njeri me kulturë të gjerë, demokrat e atdhetar i madh, ai mendon se Shqipëria duhet të përfitojë nga përparimi ekonomik, qytetërimi dhe kultura europiane perëndimore, “meqenëse qytetërimi dhe përparimi janë gjëra që shpiken fort vështirë dhe duhet të merren hua atje ku gjinden”.

Mid’hati është për të parë në botën e qytetëruar një dritë të re e një veprim të ri, është për të marrë shembullin më të mirë, më të përparuar dhe më të dobishëm për Shqipërinë e jo për një nënshtrim të verbër ndaj të huajës. ”Disa i kthejnë sytë nga perëndon dielli, jo për të parë një dritë të re, po një errësirë të bukur” – ironizon figurshëm ai

Shqipëria e ka kapitalin njerëzor edhe kapitalin fillestar financiar. Në krye, ndofta të vogël por që rritet duke punuar. Mid’hati depërton në thellësi të jetës dhe të shpirtit të shqiptarit. Ai vëren me dhimbje se shqiptari kënaqet me pak, natyrisht edhe kjo gjë e formuar historikisht nga varfëria, pushtimet dhe trazirat e vazhdueshme. Asgjë s’ka qenë e sigurt, madje edhe vetë jeta. Ambicia për të rrojtur më mirë dhe nevojë e luksit, e jetës komode, e bën njeriun të punojë dhe të fitojë gjithnjë e më tepër. “Populli ynë kënaqet me pakë, dua të them me bukë të misërtë dhe me shëllirë, dhe pa pasur askurrë ndonjë farë turpi, i bën shyqyr Perëndisë! Kështu, po patmë kollomoqin e shkretë, më nukë zëmë shatë me dorë.”.

Si diplomat, Mid’hati vlerëson si shumë ë rëndësishme për shtetin, politikën e jashtme, e cila ka çaluar apo shpesh ka qenë inekzistente. Ai kërkon nga shteti shqiptar marrëdhënie të mira të ndërsjellta dhe bashkëpunim me vendet fqinje dhe vendet e tjera dhe respektim të njëjtë të minoriteteve, që janë ura lidhëse midis shteteve.

Por ai ishte kundër politikave raciste e genocidiste të qeverive serbe e greke ndaj shqiptarëve në Kosovë, Çamëri e viset e tjera shqiptare dhe e ngriti zërin deri në Lidhjen e Kombeve.

Kur qeveria greke po bënte një spastrim të plotë etnik të shqiptarëve në Greqi, sidomos të krahinës së Çamërisë, Mid’hat Frashëri mendon që edhe qeveria shqiptare duhet t’i përgjigjet, jo vetëm me nota diplomatike, por edhe me masa e veprime konkrete, të bazuara në parimin e reciprocitetit. Shteti grek, i ngritur edhe me kontributin e madh të shqiptarëve, u kthye kundër shqiptarëve, duke shkelur edhe moralin njerëzor, edhe ligjet e vendit, edhe marrëveshjet ndërkombëtare të pranuara nga Greqia. Spastrimi etnik u shoqërua me grabitjet e pronave dhe të pasurive të shqiptarëve, me vendosjen e refugjatëve grekë në pronat e në tokat e shqiptarëve të dëbuar. Pra, një proces i dyfishtë, edhe gjenocidi edhe kolonizimi, për ta bërë fakt greqizimin e plotë të këtyre trevave shqiptare.

Në Shqipëri kishin ndodhur mjaft ndryshime politike, po Mid’hati kërkon nga qeveritë shqiptare një politikë kombëtare. Në këtë drejtpeshim ai kritikon çdo veprim antikombëtar, i kujtdo qoftë ai dhe që bie ndesh me interesin kombëtar, integritetin tokësor, siç ishte dhe çështja e Shën Naumit dhe Vermoshit. Mid’hat Frashëri nuk mund të pranonte cenimin e tërësisë tokësore të Shqipërisë, për të cilën ishte derdhur aq mund e aq gjak dhe nuk mund të pajtohej kurrsesi me aktin e dhënies si dhuratë të Shën Naumit dhe të Vermoshit, sikur të ishin plaçka personale apo plaçka tregu, e jo më pjesë të trupit të Shqipërisë. “Asgjë të mos japim nga trupi i vogël i mëmëdheut tonë!”

Në periudhën e fundit të indipendencës, duke pasur parasysh një përvojë kaq të gjatë arritjesh dhe mosarritjesh, Mid’hat Frashëri iu kthye sërish idesë së domosdosë së vetëdijësimit kombëtar, kulturor e qytetar nëpërmjet librarisë së tij Lumo Skendo” dhe botimeve te tij madhore.

Kështu, u shndërrua në një institucion kulture. Ai ishte i ndërgjegjshëm se kultura, shkolla ekonomia e zhvilluar dhe politika kombëtare do të ishin faktorët kryesorë të mbijetesës, përmirësimit, qytetarisë dhe pavarësisë së munguar.

Incidentet gjatë 28 Nëntorit në Maqedoninë e Veriut, “Levica’ kërkon ndalimin e flamurit shqiptar në vende publike

Policia e Maqedonisë së Veriut ka arrestuar tetë persona më 29 nëntor, lidhur me djegien e flamurit maqedonas në lagjen Bit Pazar të Shkupit, gjatë festimeve me rastin e 112- vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, djegien e flamurit maqedonas e cilësoi si “sulm direkt ndaj shtetit”, dhe tha se këto veprime janë dëshmi e paralajmërimeve paraprake nga MPB-ja për destabilizim të vendit.

Por incidentet pasuan dhe me hedhjen përtokë të një flamuri shqiptar nga një polic i Maqedonisë së Veriut.

Pas këtyre ngjarjeve, pushteti dhe opozita kanë vazhduar me akuza e kundërakuza se kush e ka fajin për incidentet gjatë kremtimit të 28 Nëntorit.

VMRO-DPMNE thotë se incidentet “kanë skenar të LSDM-së dhe BDI-së, që përmes dhe krijimit të tensioneve etnike, të përpiqen ta mbrojnë kapitalin e tyre të fituar përmes krimit”.

“Partitë anti-shtetërore LSDM-BDI përmes grupeve të manipuluara të dhunuesve politik shkaktuan sulm të drejtpërdrejtë ndaj shtetit përmes aktit të agresionit kundër dinjitetit të popullit maqedonas. LSDM-BDI pas 7 viteve pushtet kanë hyrë thellë në kënetën politike, janë të nervozuar, në panikë dhe të frikësuar për shkak të përballjes me drejtësinë. LSDM-BDI janë të pafuqishëm dhe në agoni për shkak se nuk kanë mbështetje për protesta dhe për këtë shkak po përpiqen të krijojnë tensione ndëretnike”, thonë nga VMRO.

Ndërkohë ka reaguar edhe partia “Levica”. Kjo parti, jo vetëm që kërkon përgjegjësi dhe dorëheqje të Ministrit Toshkovski, por rikujtojnë “Platformën Maqedonase”, që sipas tyre ishte kushti themelor për koalicion paszgjedhor me VMRO-DPMNE-në.

“Incidentet e fundit konfirmojnë se përse pushteti që udhëhiqet nga DPMNE nuk  pranoi nënshkrimin e ‘Platformës Maqedonase’ nga partitë pro-maqedonase me qëllim të konsensusit kombëtar për të parandaluar shantazhet që vijnë nga partitë e pakicës shqiptare. Pikat e Platformës duhet të jenë linjat minimale të kuqe për të gjithë partitë ku nuk do të ketë lëshime, nëse duam që të mbetet diçka nga Maqedonia”, thonë nga Levica.

“Levica” përmes komunikatës ka rikujtuar pikën e pestë të Platformës Maqedonase ku parashihet ndalimi i valëvitjes në vende publike të flamujve të shteteve tjera, me qëllim të parandalimit të situatave të tilla.

“Vëllai i drejtoreshës së AZHT, transferonte paratë”, Lala zbardh rolet e grupit të Suel Çelës në trafikun e kokainës: Ergys Dashi korruptonte zyrtarët e portit

Gazetarja Klodiana Lala zbërtheu me detaje mekanizmin si trafikonte kokainën nga Amerika Latine organizata e Suel Çelës. E ftuar në “Kjo Javë” me gazetaren Nisida Tufa në News24, Lala tha se Suel Çela kishte bashkëpunuar edhe me Ergys Dashin, i ekzekutuar në Ekuador 2 vite më parë, për të trafikuar sasinë e 446 kg kokaine nga Amerika Latine drejt Europës.

Lala zbardh edhe rolet e anëtarëve të grupit. Sipas saj, një nga vëllezërit e arrestuar të drejtoreshës së Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, Adelajda Roka, kryente transfertat e parave të kokainës. Ndërsa Ergys Dashi përmes të ardhurave nga trafiku i kokainës, korruptonte zyrtarët dhe punonjësit e porteve të Europës, nga ku do të nxirrej lënda narkotike për t’u hedhur më pas në tregun europian.

Suel Çela dyshohet i përfshirë në shumë episode, dy janë zbardhur. Bisedat direkte nuk i përdorim në respekt të vendimit të SPAK. 5 janar 2021, një sasi droge e nisur, është bllokuar 446 kg drogë në portin e Roterdamit. Suel Çela nuk bashkëpunon me Bujar Shegën, por me Ergys Dashin. Flitet për një takim mes Ergys Dashit dhe Ervis Matës dhe në këtë kohë Dashi, sipas SPAK, bën takim te tregu agro-ushqimor në Elbasan. Bien dakord për 446 kg kokainë. Niset sasia e drogës. Ergys Dashi nuk niste nën 300 kg kokainë sepse mbi këtë sasi kishte mundësi të korruptonte zyrtarë të porteve, sepse droga duhej nxjerrë nga portet e BE. Për këtë arsye kërkon aleancën e Suel Çelës. Sasia niset, por sekuestrohet. Fillon debati, si në rastin e parë. Gjino Roka, vëllai i drejtoreshës së zhvillimit të territorit, do të bënte të gjitha transfertat e parave. Vëllai i zyrtares që ka në dorë të gjitha lejet e ndërtimit, kishte në dorë transferat e parave të grupit kriminal. Ergys Dashi garanton se mund të niste 500-1 mijë kg nëse garantohej dërgesa. Këto ngarkesa janë kapur. Suel Çela ia ka dalë mbanë të trafikonte vetëm 50 kg kokainë. Ergys Dashi thotë se duke iu kapur droga kam humbur 4.5 mln euro. Pastaj ai u vra në një lokal të njohur në Ekuador, ndoshta për të përcjellë një mesazh, ishte një masakër. Do të duhet shumë kohë për të mësuar se kush ishte grupi kriminal”, tha Lala.

Goditja e grupit të Suel Çelës, gazetarja: Politikanë mund të thirren në SPAK

Teksa goditja e grupit të Suel Çelës ka marr vemendjen mediatike javën e fundit, gazetarja Klodiana Lala ka paralajmëruar se javën e ardhshme mund të kemi politikanë që do të merren në pyetje nga SPAK, ku figurë kyçe në trafikun e drogës ishte biznesmeni Bujar Shega.

Lala tha se Shega ishte person me lidhje të forta me politikën dhe kishte përfituar tendera publike.

Pjesë e organizatës për trafikimin e lëndës narkotike ishin disa persona me lidhje shoqërore me Suel Çelës që kishin rolet e tyre. Më kryesor në aktivitetin e trafikut të drogës del Bujar Shega që në Shqipëri njihet si biznesmen, kishte fituar tendera publike, me lidhje të forta me politikën.

 Në të ardhmen mund të kemi politikanë që mund merren në pyetje ose të hetohen nga SPAK. Ose zyrtarë të administratës që kanë firmosur tendera në favor të tij. Bujar Shega duhet parë si një figurë kryesore e krimit të organizuar”, tha Lala.

VIDEO/ Myrto Uzuni “përbindësh” në Spanjë, shënon golin e rekordit me fanellën e Granadës

Myrto Uzuni ka shënuar sot për Granadën. Kapiteni i klubit spanjoll bëri gjithçka mirë duke zhbllokuar sfidën e vlefshme për javën e 17-të të La Liga 2.

 

Goli i Uzunit erdhi pikërisht në momentet e fundit të pjesës së parë dhe ka vlerë të madhe për sulmuesin e Kombëtares. Kjo pasi tashmë Uzuni ndodhet në kuotën e 44 golave.

Po aq numëron dhe Jusef El Arabi, që më parë luante me Granadën. Ndryshe nga marokeni që ka shënuar këtë shifër golash në 134 takime, Uzuni ia ka dalë në sfidën e 102-të të tij.

Uzuni është kthyer kështu në një legjendë te klubi i Granadës, që kërkon në këtë sezon rikthimin te La Liga.

Goli i Myrto Uzunit: (VIDEO)