23.5 C
Tirana
E hënë, 5 Maj, 2025

Atentati në Shkodër, Basha: Ngjarja tregon dorëzimin e shtetit para bandave kriminale

Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar për atentatin e fundit në Shkodër, duke e cilësuar situatën si një alarm për qytetarët.

Në një postim në facebook, Basha shprehet se krimi, i cili sipas tij është bërë njësh me shtetin, po godet i pandëshkuar, duke sjellë vdekje dhe terror. Ai thekson se ngjarja e Shkodrës tregon dorëzimin e shtetit para bandave kriminale dhe akuzon kryeministrin Edi Rama se është nën kontrollin e krimitKjo situatë, sipas tij, kërkon një reagim të menjëhershëm nga institucionet për të rikthyer rendin dhe sigurinë në vend.

Reagimi i plotë i Bashës:

Sot Shkodra është tronditur nga dora e krimit. Krimi i bërë njësh me shtetin godet i pandëshkuar, duke sjellë vdekje, terror dhe dhimbje. Ngjarja e Shkodrës është një kambanë e fortë alarmi, që tregon dorëzimin e shtetit para bandave kriminale.
Krimi e solli në pushtet Edi Ramën, sot ai i është dorëzuar pushtetit të krimit.

Talenti 17-vjeçari që po çmend botën, ja 33 rekordet e Lamine Jamal

Lamin Jamal vazhdon të thyejë rekord pas rekordi. Ai vazhdon të djegë çdo etapë të mundshme, duke lënë kohën pas siç bëri para tij Lionel Mesi.

 

Lamin Jamal dhe Barcelona pushtuan Bernabeun, pasi kishte dështuar në 4 përpjekje me radhë. Dhe e ka bërë si protagonist, duke shënuar një nga 4 golat e fitores së madhe të blaugranave. Dhe ndonëse vetëm 17 vjeç, spanjolli “kërcënon” të thyejë çdo rregull në futbollin botëror. Thyerja e rekordeve duket se është bërë diçka e përjavshme për 17 vjeçarin. Që nga debutimi i tij vetëm 15 vjeç kundër Betisit nën drejtimin e Ksavit, ai ka nisur një aventurë ndoshta të parakohshme dhe unike.

Më poshtë janë 33 rekordet e tij.

* Lojtari më i ri që shënon me fanellën e Barcelonës: 16 vjeç e 87 ditë (kundër Granadës);

* Lojtari më i ri që shënon në La Liga: 16 vjeç e 87 ditë (kundër Granadës);

* Lojtari më i ri që shënon një dygolësh në La Liga: 16 vjeç e 213 ditë, po ashtu ndaj Granadës;

* Lojtari më i ri që shënon në një Klasike; të shtunën kundër Realit;

* Lojtari më i ri që shënon në Kupën e Mbretit: Kundër Bilbaos me 16 vjeç e 195 ditë;

* Lojtari më i ri që shënon në Superkupën e Spanjës: Kundër Osasunës 2024;

* Lojtari më i ri që shënon me kombëtaren spanjolle: 16 vjeç e 57 ditë kundër Gjeorgjisë;

* Lojtari më i ri që shënon në një Europian: 16 vjeç e 362 ditë kundër Francës;

* Lojtari më i ri që jep asist me Barcelonën: 16 vjeç e 45 ditë;

* Lojtari më i ri që jep asist me Barcelonën: 16 vjeç e 45 ditë;

* Lojtari më i ri që jep asist në Champions: 16 vjeç e 153 ditë, duke lënë pas Bojan Kërkiç;

* Lojtari më i ri që jep asist në Europian: 16 vjeç e 339 ditë kundër Kroacisë;

* Lojtari më i ri që jep asist në finalen e një turneu madhor: Për Niko Uilliams kundër Francës;

* Lojtari më i ri që arrin 10 gola e 10 asiste në La Liga;

* Lojtari më i ri që shënon dhe jep asist në një turne madhor;

* Lojtari më i ri në një Klasike: 16 vjeç e 280 ditë në tetor 2023;

* Lojtari më i ri në fazën eliminatore të Champions;

* Lojtari më i ri në Superkupën e Spanjës;

* Lojtari më i ri që ka debutuar me Spanjën: 16 vjeç e 57 ditë;

* Lojtari më i ri në një Europian;

* Lojtari më i ri në fazën eliminatore të Europianëve;

* Lojtari më i ri në finalen e një turneu madhor;

* Lojtari më i ri që ka luajtur 50 ndeshje zyrtare me Barcelonën: 16 vjet, 10 muaj e 6 ditë;

* Lojtari më i ri që ka luajtur 10 ndeshje në Champions: 16 vjeç e 278 ditë;

* Lojtari më i ri titullar në La Liga: 16 vjeç e 38 ditë;

* Lojtari më i ri titullar në Champions: 16 vjeç e 83 ditë;

* Lojtari më i ri titullar në Europianë: 16 vjeç e 339 ditë;

* Lojtari më i ri që fiton çmimin më i miri i ndeshjes në një Europian;

* Lojtari më i ri fitues i një Europiani;

* Lojtari më i ri fitues i një turneu madhor;

* Lojtari më i ri që ka fituar çmimin si lojtari i ri më i mirë në një Europian;

* Lojtari më i ri që e mbyll mes 10 më të mirëve në “Topin e Artë”.

“Amnistia penale ndikoi negativisht te SPAK”, Basha: Progres raporti i BE dëshmon se bashkimi i votave mes Ramës e Berishës cenoi luftën kundër korrupsionit

“Amnistia penale ndikoi negativisht te SPAK”, Basha: Progres raporti i BE dëshmon se bashkimi i votave mes Ramës e Berishës cenoi luftën kundër korrupsionit

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar për progres raportin e BE-së, i cili ndër të tjera theksonte se bashkimi i votave për amnistinë penale ndikoi negativisht në punën e institucioneve të drejtësisë. Basha shprehet se u vërtetua edhe njëherë ajo që kishin paralajmëruar demokratët euroatlantikë që bashkimi i votave të Edi Ramës me Sali Berishën ishte kundër SPAK dhe GJKKO.

Ai më tej thotë se kokat që kërkojnë të mbajnë gjallë pandëshkueshmërinë, po punojnë për të mbrojtur veten dhe shërbëtorët e tyre nga ndëshkimi. Basha u bën thirrje atyre që me naivitet apo në mirëbesim u përfshinë në këtë votim, të distancohen. Sipas tij, e ardhmja europiane e Shqipërisë kalon përmes ndëshkimit të korrupsionit dhe se çdo përpjekje për të ruajtur pandëshkueshmërinë duhet të ndalet.

 

Reagimi i plotë i Bashës:

 

Ashtu siç kishim paralajmëruar, amnistimi i të korruptuarve nga bashkimi i votave mes Edi Ramës dhe Sali Berishës nuk ishte vetëm një shqetësim i drejtë i ngritur nga Demokratët Eruoatlantikë, por edhe një kambanë e fortë alarmi për Bashkimin Europian.

Raport progresi i BE-së pohon qartë se ai bashkim votash kundër punës së institucioneve të drejtësisë ndikon negativisht luftën e SPAK kundër korrupsionit.

Kokat që kërkojnë të mbajnë gjallë pandëshkueshmërinë dhe bishtat e tyre që gënjyen paturpësisht, duke deklaruar publikisht se nuk do të amnistoheshin të ndëshkuarit nga GJKKO, janë ekspozuar edhe njëherë se po punojnë për të mbrojtur veten dhe shërbëtorët e tyre nga drejtësia.

Ky raport progres është edhe një paralajmërim për ndalimin e menjëhershëm e planeve të fshehta të Trekëndëshit të Bermudës për të ndërhyrë në punët e SPAK dhe GJKKO përmes një amnistie të re, që pas amnistimit të “ushtarëve” synon aminstimin e korrupsionit të “kryetarëve”.

Frika e një grushti të vogël njerëzish nga e shkuara e tyre, nuk duhet të pengojë të ardhmen europiane të vendit dhe çlirimin e potencialit të jashtëzakonshëm të shqiptarëve, të penguar kaq gjatë nga korrupsioni i kudondodhur.

Kushdo që me naivitet, apo mirëbesim u bë pjesë i atij votimi të turpshëm, sot ka mundësinë të distancohet dhe t’i kërkojë ndjesë qytetarëve.

Rruga e shqiptarëve drejt Bashkimit Europian kalon përmes fundit të pandëshkueshmërisë.

“Moscenim i pronës dhe zgjedhje demokratike”- Letra e 18 korrikut 1943 që u shmang pas “Mukjes”! Çfarë shkruhej në dokument

Dr. Uran Butka

Pjesa e parë

Marrëveshja kombëtare e Mukjes ishte një shans e një akt i bashkëpunimit të shqiptarëve dhe politikës të asaj kohe, në luftën kundër pushtuesve për çlirim, si edhe një përpjekje kombëtare për një Shqipëri të pavarur, të lirë e demokratike.

Kjo marrëveshje nuk lindi e vdekur, siç pretendon Marenglen Kasmi në shkrimin e gjatë botuar në numrin e pardjeshëm dhe të djeshëm të gazetës “Dita”. Mukja lindi si një nevojë e kohës. Lindi në një moment kyç historik të Shqipërisë dhe u ndihmësua edhe nga aleatët antifashistë për një luftë të përbashkët të të gjithë faktorëve shqiptarë. “Në konformitet me rekomandimet e bëra nga Misionet ushtarake Aleate, ne zhvilluam një takim me përfaqësuesit komunistë në fshatin Mukje, afër Tiranës. Të dyja partitë arritën mirëkuptim, që u prit me entuziazëm nga populli shqiptar”[1]

Marrëveshja e Mukjes u kthye në një realitet, kur u firmos nga të dy organizatat politike dhe ushtarake: Balli Kombëtar dhe Këshilli i Përgjithshëm Nacionalçlirimtar; kur u formua Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë dhe kur ky komitet i përbashkët iu drejtua më 3 gusht 1943 me një proklamatë popullit shqiptar për gjithë vendimet e Kuvendit të Mukjes, por edhe kur një ditë më pas u organizua nga ky komitet më 4-5 gusht 1943 një betejë e përbashkët e nacionalistëve dhe partizanëve kundër italianëve në Qafë-Shtamë, e komanduar nga major Abaz Kupi. Në këtë luftë u vra kapiteni italian Scarpa, u zunë mjaft robër dhe armatime[2]. Këtë betejë të parë të përbashkët, produkt dhe dëshmi e Marrëveshjes së Mukjes, nuk e zë në gojë Marenglen Kasmi ose nuk e di.

Pra, Marrëveshja e Mukjes nuk lindi e vdekur.

Mbi bazën e vendimeve historike të Marrëveshjes së Mukjes, u zhvilluan edhe mjaft luftime e beteja të përbashkëta kundër pushtuesve italianë e më pas gjermanë si Lufta e Qafë-Shtamës, gusht 1943, akordi ButkaMaklin 6 gusht 1943 dhe luftimet kundër autokolonave gjermane përgjatë rrugës Qafë Thanë- kthesat e Barmashit-Leskovik, gusht 1943, lufta e Pocestës në afërsi të Pogradecit, shtator 1943, ku ranë dëshmorë 2 partizanë dhe një nacionalist, lufta Reçit, shtator 1943 etj., lufta e Drashovicës (shtator 1943), luftimet në qarkun e Vlorës kundër gjermanëve (gusht-shtator 1943) e të tjera.

Gjithashtu, Marrëveshja e Mukjes vazhdoi të jetojë e ndikojë jo vetëm gjatë luftës për çlirim, por edhe në vitet në vijim, madje edhe deri në ditët e sotme për vlerat historike dhe mesazhet që përcjell. Nuk është e rastit që edhe pas 80 vjetësh nga Marrëveshja e Mukjes, Marenglen Kasmi rimerret me të dhe rreket ta tjetërsojë, duke e quajtur këtë marrëveshje të vdekur. Por kur është e vdekur, pse lodhet e harxhohet kot me një të vdekur? Në të vërtetë atë e shqetëson fakti që Mukja nuk ka vdekur, se ajo ishte një akt historik për bashkimin e shqiptarëve në luftën për çlirim, por është edhe një mësim i madh i historisë: Shqiptarët, sidomos politikanët në çdo kohë duhet të merren vesh e të bashkëpunojnë, kur është fjala për çështje të rëndësishme dhe interesa kombëtare.

Dhe në vend që të theksojë këtë fakt e këtë mesazh, Marengleni thotë se Marrëveshja e Mukjes ngjall përçarje. Një absurditet fëminor, që s’mund ta shqiptojë një historian. E vërteta nuk sjell përçarje, fshehja apo deformimi i saj, po.

Përçarjen dhe luftën mes shqiptarëve e solli PKSH me E. Hoxhën në krye (e pranon edhe historiani Paskal Milo, kur shkruan- “Letrat e Enver Hoxhës dëshmojnë pa asnjë mëdyshje se PKSH-ja ishte nismëtarja e veprimeve të armatosura kundër Ballit Kombëtar), përçarjen e sjellin edhe mashtrimi e falsifikimi i të vërtetës historike nga Marenglen Kasmi etj.

Marengleni kundërshton dhe përgënjeshtron edhe veten, kur në vëllimin e katërt (ku është bashkautor) të “Historisë së shqiptarëve gjatë shekullit XX (1939-1944)-botimet albanologjike, Tiranë 2021, trajtohet objektivisht dhe vlerësohet pozitivisht marrëveshja e Mukjes, roli i saj, dhe ku dokumentohen pasojat dramatike të prishjes së saj nga PKSH, që çuan në luftën civile.

Marenglen Kasmi anashkalon edhe ndikimin e ndërhyrjen e komunistëve jugosllavëve në prishjen e Marrëveshjes së Mukjes. Janë me qindra dokumente që do t’i trajtojmë më poshtë, të cilët e vërtetojnë katërcipërisht këtë fakt. Po citoj vetëm letër të Miladin Popovicit drejtuar Titos” “Kemi ndikuar në PKSH dhe në LNÇl që gjithsesi të prishim Marrëveshjen e Mukjes[3], si edhe përsiatjet e Dushan Mugoshës për Mukjen[4].

Marrëveshja e Mukjes është një ngjarje e rëndësishme në historinë e Shqipërisë, por dhe një çelës për të hyrë brenda saj, për të ndriçuar e shpjeguar fenomenet e ngjarjet më të rëndësishme të Luftës së Dytë Botërore dhe të gjithë periudhës gjysmëshekullore që pasoi, është një mësim për të gjithë ata që duan të mësojnë nga historia, një mesazh i nevojshëm për sot dhe për të ardhmen. Një mësim edhe për Marenglenin.

Mbledhja e Mukjes, që ka dimensionet dhe vlerat e një kuvendi kombëtar, u zhvillua më datën 1–3 gusht të vitit 1943. Në një kapërcyell kohësh: në prag të kapitullimit të Italisë fashiste dhe të pushtimit gjerman të Shqipërisë; në një udhëkryq të historisë sonë: në prag të bashkimit kombëtar në luftën kundër okupatorëve, por edhe të ndarjes, të mosmarrëveshjes dhe të konfrontimit të madh brenda vetes; në një dualitet alternativash: nacionaliste apo komuniste, demokratike apo totalitariste, perëndimore apo lindore.

Për të ardhur deri në Mukje, u desh një rrugë e gjatë dhe e mundimshme e forcave kombëtare e demokratike, të cilat, të shqetësuara për fatet e Shqipërisë e të kombit në kushtet e pushtimit, kërkonin një zgjidhje, një levë të brendshme për t’i përballuar. Kjo levë ishte kodi shqiptar i besëlidhjes dhe i bashkëpunimit në rrezik.

Ndarja e madhe në dy grupime antagoniste të rezistencës shqiptare, ku përfshihej gati i gjithë populli, e kishte brenda mundësinë e bashkimit të përshpejtë, sidomos përballë pushtuesve nazifashistë, por e kishte brenda edhe rrezikun e konfliktit, sidomos përballë presionit sllavo– komunist; i kishte premisat objektive edhe për bashkëpunim, por edhe konfrontim midis tyre për pushtet, gjë që mund të sillte luftë civile. Përballë këtij rreziku të dyfishtë, e vetmja zgjidhje pozitive e shpëtimtare për Shqipërinë ishte bashkëpunimi midis dy grupimeve më të mëdha politike e ushtarake në luftë kundër armiqve të përbashkët të Shqipërisë, por edhe më tej.

Gjatë shekujve, shqiptarët kishin bërë marrëveshje historike për të ruajtur jetën, lirinë dhe integritetin territorial. Ndryshe nga marrëveshjet e njëzëshme të mëparshme të shqiptarëve, Marrëveshja e Mukjes bashkoi për interesa madhore dy krahët më ekstremë të mendimit dhe të politikës shqiptare: Organizatën nacionaliste të Ballit Kombëtar dhe Frontin komunist Nacional çlirimtar.

A mund të bashkoheshin dy të kundërtat, kur ishte në lojë interesi kombëtar? Po.

Së pari, sepse në këtë moment kritik bashkëpunimin e kërkonin të gjithë shqiptarët e ndershëm e patriotë. Bashkimi ishte bërë nevojë e vullnet i një kombi. Në mos në Mukje, diku tjetër do të kryhej ky akt madhor, i mbarsur në kohë. Duhej një luftë e përbashkët antifashiste dhe jo një luftë e pjesshme, partiake.

Së dyti, sepse të dy grupimet kryesore të rezistencës antifashiste: Fronti NÇ dhe organizata e Ballit Kombëtar, e konsideronin okupatorin si armik, shkelës së sovranitetit dhe të pavarësisë së Shqipërisë dhe si i tillë ai duhej luftuar.

Së treti, deri në Mukje grupimet kryesore politike ende e konsideronin njëri-tjetrin si kundërshtarë politikë, por jo si armiq. Fakti që gjatë vitit 1943, ishin nënshkruar e arritur mjaft marrëveshje lokale dhe kërkohej me insistim nga populli dhe nga përfaqësuesit e të dy organizatave në bazë që ky mirëkuptim të vendosej edhe në qendër, fakti që deri në gusht të vitit 1943, çetat nacionaliste dhe ato partizane në përgjithësi nuk erdhën në përpjekje të armatosur midis tyre, madje zhvilluan mjaft beteja të përbashkëta si në Gjorm, Pocestë, Reç etj, vërteton frymën ekzistuese të mirëkuptimit e jo të konfrontimit mes shqiptarëve.

Së katërti, sepse zgjidhja e çështjes sonë kombëtare, doli si problem jetësor i kombit shqiptar, sidomos gjatë Luftës së Dytë, mbi parimin e vetëvendosjes së popujve. Prandaj edhe në parim u shtrua në konferencën e Mukjes. Kërkesa e vullneti i shprehur i popullit të Kosovës për bashkim me Shqipërinë, sipas parimit të Kartës së Atlantikut, me plebishit, u bë shprehje e vullnetit gjithë kombëtar, gjë që impononte e kapërcente edhe mospajtimet politike të grupeve kryesore të rezistencës. Edhe përfaqësuesit e Këshillit të NÇL. në Mukje, megjithëse nuk e kishin në programin e tyre Shqipërinë etnike për arsyet që tashmë dihen, nuk dolën kundër dëshirës e vullnetit gjithëshqiptar për një Shqipëri të bashkuar etnike dhe, më në fund e pranuan këtë opsion. Në një letër të Miladin Popoviçit drejtuar Titos, në prag të Konferencës së Mukjes shkruhet ndër të tjera: “E tanë Shqipënia asht e okupueme prej këtij problemi”.

Së pesti, edhe situata ndërkombëtare në verën e vitit 1943 ishte më e favorshme. Koalicioni i madh antifashist po përparonte në luftën kundër nazifashizmit. Misionet aleate britanike kishin ardhur në Shqipëri dhe kishin kontaktuar si me Nacionalçlirimtaren ashtu edhe me Ballin Kombëtar, kërkonin bashkëpunimin mes tyre në luftë kundër ushtrive të Boshtit dhe e mbështetnin atë. Shefi i britanikëve, Bill Maklin i shkruante Kuartierit të Përgjithshëm në Bari- ”Jam informuar se këto ditë do të bëhet një takim midis përfaqësuesve të Ballit dhe LNÇ me qëllim bashkimi ose arritjen e një marrëveshjeje për të bërë të mundur një koordinim të ngushtë të aktivitetit kundër Boshtit. Është e tepërt të theksoj rëndësinë jetike të bashkimit të të gjithë patriotëve shqiptarë në luftën kundër armikut të përbashkët” [5]

Për këto arsye, marrëveshja e bashkëpunimi gjithëshqiptar ishin plotësisht të mundshme.

Është merita e vetëdijes kombëtare, përgjegjësia dhe angazhimi i figurave të shquara shqiptare, që në këtë situatë të brendshme e të jashtme të favorshme por edhe të rrezikshme për Shqipërinë, e kuptuan dhe e ndjenë nevojën e domosdoshme të bashkimit, e dëgjuan thirrjen për marrëveshje mbarëshqiptare dhe u përpoqën ta ngjiznin atë.

Mukja po trokiste në dyert e historisë shqiptare, se e kërkonte koha.

U bënë mjaft takime e konsultime paraprake ndërmjet eksponentëve kryesorë të të dy organizatave, por elementët kryesorë bashkues ishin Abaz Kupi nga Nacionalçlirimtarja dhe Ihsan Toptani nga nacionalistët.

Dokumenti më i rëndësishëm në rrugën drejt Mukjes ishte, pa dyshim, ai i datës 18 Korrik 1943, një mesazh i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar drejtuar Organizatës së Ballit Kombëtar, hartuar dhe firmosur nga Y. Dishnica, M. Gjinishi, A. Kupi dhe M. Peza, që shpreh parimet kryesore të Lëvizjes Nacionalçlirimtare mbi të cilat u arrit edhe mirëkuptimi. Ky dokument i rëndësishëm nuk është botuar më parë dhe është heshtur qëllimisht, sepse këto parime demokratike, si: lufta antifashiste ku të marrin pjesë gjithë atdhetarët pa dallim feje, krahine dhe ideje; moscënimi i pronës dhe i inisiativës private, zgjedhje të lira e demokratike pas shporrjes së pushtuesve, u shmangën më vonë.

Sipas procesverbalit të mbledhjes së Mukjes, të dyja organizatat u përfaqësuan nga këta. delegatë:

Delegacioni Delegacioni i Ballit Kombëtar i Këshillit të Përgjithshëm Nç

  1. Z. Av. Hasan Dosti 1. Major Abaz Kupi
  2. Z. Mid’hat Frashëri 2. N/Kolonel Jahja Çaçi
  3. Av. Thoma Orollogai 3. Kom. Myslim Peza
  4. Av. Skënder Muço 4. Dr. Ymer Dishnica
  5. Komandant Hysni Lepenica 5. Z. Mustafa Gjinishi
  6. Prof.Isuf Luzaj 6. Dr. Omer Nishani
  7. Komandant Kadri Cakrani 7. Dr. Sulo Bogdo
  8. Major Rauf Fratari 8. Z. Stefan Plumbi
  9. Prof. Nexhat Peshkëpia 9. Z. Shefqet Beja
  10. Av. Halil Mëniku 10. Z. Medar Shtylla
  11. Kom.Ismail Petrela 11. Z. Haki Stërmilli
  12. Prof.Vasil Andoni 12. Gogo Nushi

Kryetarë delegacionesh ishin Mid’hat Frashëri dhe Ymer Dishnica. Kryetar i punimeve të Kuvendit u zgjodh me propozim të Nacionalçlirimtares, Thoma Orollogai, delegat i Ballit Kombëtar, ndërsa sekretar Mustafa Gjinishi i PK.

Pas një debati prej tri ditësh, u arrit marrëveshja. Pika e parë e saj ishte krijimi i Komitetit “Për shpëtimin e Shqipërisë”. Atributet e tij të rëndësishme, flasin për një zgjidhje të re politike, për një përgjegjësi, pjekuri dhe angazhim të madh kombëtar të forcave politike kryesore në Shqipëri. Ky ishte forumi i parë pluralist në Shqipëri, si forma më demokratike e qeverisjes së botës së qytetëruar. Kjo mënyrë organizimi do të shtrihej edhe ne gjithë strukturat e bazës dhe do të unifikonte drejtimin, do të shmangte anësinë partiake, do të eliminonte përçarjen e antagonizmin, do të mënjanonte rrezikun e luftës civile, do të bashkonte në një front të përbashkët të gjithë shqiptarët pavarësisht nga bindjet politike, nga përkatësia partiake, fetare, krahinore, në luftë të përbashkët kundër okupatorëve dhe do të çelte udhën e demokracisë së vërtetë pluraliste perëndimore.

Serbia shpalli Kosovën “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale”, reagon BE: Serbia ka shkelur qartazi detyrimet nga dialogu, projektligji që miratoi…

Bashkimi Evropian ka thënë të mërkurën se Serbia i ka shkelur detyrimet e saj nga dialogu i Brukselit, duke e miratuar një projektligj për juridiksion gjyqësor serb në Kosovë dhe duke e shpallur Kosovën “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale”.

Qeveria e Serbisë njoftoi në fillim të javës se e aprovoi projektligjin për siç e quajti ajo organizimin dhe kompetencën e autoriteteve gjyqësore serbe në ndjekjen e veprave penale të kryera në territorin e Kosovës.

Të mërkurën, zëdhënësja e BE-së, Nabila Massralli, tha se duke bërë kështu, Serbia ka vepruar në kundërshtim me zotimet e saj në dialogun me Kosovën nën ndërmjetësimin e bllokut.

“Projektligjet e Qeverisë së Serbisë, në mënyrën si janë publikuar paraqesin shkelje të qarta nga ana e Serbisë të obligimeve nga dialogu dhe janë në kundërshtim me ripërkushtimin e shprehur rishtazi për dialogun”, tha Massralli.

BE-ja ia rikujton Serbisë se është e detyruar t’i respektojë të gjitha marrëveshjet e nga dialogu me Kosovën, të cilin është duke e zhvilluar nën ndërmjetësimin e bllokut prej vitit 2011, si pjesë e synimeve të saj për integrim evropian.

Ajo i bëri thirrje Serbisë ta rishqyrtojë këtë projektligj, i cili kërkon themelimin e një prokurorie speciale dhe një trupi gjykues special “për t’i ndjekur penalisht të gjithë ata që marrin pjesë në persekutimin e popullatës serbe” në Kosovë.

Projektligjit thotë se juridiksionin në lëndët penale në shkallë të parë ta kenë Prokuroria e Lartë Publike dhe Gjykata e Lartë në Beograd, ndërsa për procedurën në shkallën e dytë Prokuroria Publike e Apelit dhe Gjykata e Apelit në Beograd, sipas Qeverisë serbe.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për gjyqësorin në vitin 2015 dhe më 2017 u pajtuan për zbatimin e tij dhe integrimin e serbëve të Kosovës në institucionet e drejtësisë në Kosovë.

Por, Qindra pjesëtarë të komunitetit serb në veri dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, përfshirë komunat, policinë, gjykatat dhe prokurorinë, në nëntor të vitit 2022, të pakënaqur me vendimet e Qeverisë së Kosovës./REL

Vijon në Belgjikë gjyqi Sky ECC/ Kreu shqiptar i një organizate të madhe droge dënohet me 14 vite, sekuestrohen 20 mln euro

124 të pandehur, katër kompani dhe një person anonim janë pjesë e gjyqit më të madh penal i organizuar ndonjëherë në Belgjikë.

Eridan M.G., në krye të një rrjeti të gjerë aktiv në trafikun e drogës, u dënua të martën me 14 vjet burg nga Gjykata Penale e Brukselit në gjyqin Encro. Organizata kriminale u zbulua pasi policia deshifroi shërbimet e mesazheve Encrochat në 2020 dhe Sky ECC në 2021, të cilat ishin shumë të njohura nga trafikantët e drogës.

Edhe ky 51-vjeçar shqiptar ka marrë konfiskim në vlerën e 20 milionë eurove.

Kam qenë në krye të një organizate kriminale, kam marrë pjesë në trafikun e drogës dhe kam humbur”, ka pranuar në seancën e parë.

Në janar, prokurori publik kërkoi 15 vjet burg ndaj tij për drejtimin e një organizate kriminale aktive në trafikun e drogës. Atij gjithashtu ju shtua një vit për armëmbajtjen pa leje dhe tre vjet për rrëmbimin e një të pandehuri tjetër. Gjithsej 19 vite burg.

Avokatja e të pandehurit, Nathalie Gallant, besonte nga ana e saj se dënimi i klientit të saj duhet të ishte më i butë pas bashkëpunimit me sistemin e drejtësisë. Ajo kujtoi gjithashtu se Eridan M.G ishte torturuar pasi kishte humbur mallin.

Edhe nëse kjo nuk heq asgjë nga roli i tij si lider në Belgjikë, do të thotë se ai duhej të ishte përgjegjës ndaj palëve të treta dhe se njerëzit janë mbi të,” argumentoi ajo.

Gjyqi Encro ka të bëjë me një organizatë të madhe kriminale aktive në trafikun e drogës. 124 të pandehur, katër kompani dhe një person anonim janë në gjyq në atë që është gjyqi më i madh penal i organizuar ndonjëherë në Belgjikë.

Për shkak të numrit të madh të të pandehurve, gjykata nuk detajoi gojarisht arsyet e aktgjykimit për secilin.

Abdelwahab G., numri 2 në gjyqin Encro, dënohet me 17 vjet

Abdelwahab G., numri 2 në një çështje të madhe të trafikut të drogës, u dënua me 17 vjet burg të martën përpara Gjykatës Penale të Brukselit gjatë gjyqit Encro. Ky 57-vjeçar algjerian është një nga drejtuesit e dyshuar të një organizate kriminale ndërkombëtare të zbuluar pas dekriptimit të shërbimeve të mesazheve Encrochat dhe Sky ECC.

Gjykata vendosi edhe konfiskim në vlerën e 15 milionë eurove. Prandaj, dënimi me burg i Abdelwahab G. është më i rëndë se ai i vendosur ndaj Eridan M.G., organizatorit të çështjes.

Bilal I., një nga tre figurat kryesore në gjyqin Encro, i dënuar me 15 vjet

Bilal I., një nga tre figurat kryesore në gjyqin Encro, u dënua të martën nga gjykata penale e Brukselit me 15 vjet burg. Ky 35-vjeçar nga Brukseli njihej si një nga drejtuesit kryesorë të një organizate kriminale që qëndronte pas trafikut të gjerë ndërkombëtar të drogës. Rrjeti u zbulua pas deshifrimit të mesazheve Encrochat në 2020 dhe Sky ECC në 2021.

Gjykata vendosi edhe konfiskim në vlerën e tre milionë eurove.

Burri qëndronte pas importimit të sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut, të cilën më pas ia shiste Eridan M.G., një tjetër drejtues i organizatës dhe truri i këtij rasti. Prokurori kishte kërkuar ndaj tij dënimin me 20 vite burg dhe konfiskimin e 10 milionë eurove.

Megjithatë, për mbrojtjen, procedura ndaj klientit të tij duhej të shpallej e papranueshme. Në alternativë, Me Jean-Philippe Mainz kishte kërkuar lirimin e Bilalit I.

Prokuroria kërkoi arrestimin e menjëhershëm të Bilal I., i cili shfaqej me byzylyk elektronik. Masa u kundërshtua nga mbrojtja./ Përkthyer nga alfapress.al (dhnet.be)

Si përdoren inspektoratet shtetërore, 10 herë më pak gjoba përpara zgjedhjeve

Pesë muaj përpara zgjedhjeve lokale të vitit 2023, institucionet shtetërore e frenuan vendosjen e gjobave ndaj shkelësve në thuajse të gjithë sektorët. Të dhënat e grumbulluara nëpërmjet kërkesave për informacion tregojnë se në periudhën janar-maj 2024, kur nuk kishte zgjedhje, gjobat e policisë dhe të inspektorateve ishin dy deri në dhjetëfish më të larta sesa në të njëjtën periudhë të vitit 2023, kur u mbajtën zgjedhjet lokale të 14 majit.

Esiona Konomi

Teksa heq nga xhami i makinës gjobën e një parkimi të gabuar, Albjona, një mësuese, që banon në zonën e Komunës së Parisit, numëron muajt deri në zgjedhjet e radhës.

“Të paktën në fushatë jemi të qetë. Një muaj nuk na “luan” njeri”, – thotë ajo, e cila vetëm gjatë muajit tetor është penalizuar 3 herë.

Të dhënat e grumbulluara nga INA Media përmes kërkesave për informacion tregojnë se përpara fushatave zgjedhore institucionet publike e frenojnë vendosjen e gjobave. Të paktën 7 institucione të monitoruara kanë vendosur shumë herë më pak gjoba në muajt përpara zgjedhjeve lokale të vitit 2023, por nuk kanë treguar aspak “mëshirë” në të njëjtat periudha të një viti më pas, vit jozgjedhor.

Për ekspertët “zbutja” e inspektorateve lidhet me fushatat zgjedhore dhe kujdesin për të mos shkaktuar pakënaqësi te qytetarët përpara zgjedhjeve, por vetë inspektoratet pretendojnë se puna e tyre nuk ndikohet nga fushatat zgjedhore.

“Planet e inspektimit janë dhe inspektorët dalin në terren, por, kur porosia është: “Mos gjobisni”, ata shkojnë në terren dhe iu thonë: “Po ju falim, por kujdes”, – shpjegon Erjon Tase nga Akademia për Studime Politike.

Deri në 10 herë më pak gjoba

INA Media i pyeti të gjitha inspektoratet ligjzbatuese në Shqipëri se, sa masa administrative (gjoba) kishin vendosur në periudhën janar-maj 2023, periudhë që i paraprin zgjedhjeve lokale të 14 majit.

U kërkuan po ashtu gjobat për të njëjtën periudhë, janar-maj, por të vitit 2024, kur nuk kishte zgjedhje. Nga 8 institucione, që dhanë informacion, rezulton se 7 prej tyre kanë rritur ndjeshëm gjobat pas fushatës dhe i kanë tkurrur ato në muajt përpara se qytetarët të shkojnë të votojnë.

I vetmi institucion, që rezulton që të ketë dhënë ndëshkime më shumë përpara zgjedhjeve, sesa pas tyre, është Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.

Policia Rrugore ka vendosur gjatë 5 muajve të parë të vitit të shkuar 333.179 gjoba, me vlerë 920 milionë lekë. Për të njëjtët muaj, gjatë vitit aktual, që nuk ka zgjedhje, janë vendosur 482.083 gjoba, me vlerë 1.9 miliardë lekë. Dukshëm, gjobat në 5-mujorin jo-elektoral janë rritur me 1.7 herë. Janë penalizuar 148.904 qytetarë më shumë, ndërsa arkëtimet e gjobave janë rritur me 678.9 milionë lekë në vitin 2024.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve gjithashtu ruan të njëjtën tendencë, duke tkurrur gjobat gjatë vitit zgjedhor. Në periudhën janar-maj 2023 janë vendosur 76 gjoba, me vlerë 4.1 milionë lekë, ndërsa në të njëjtën periudhë një vit më pas janë vendosur 453 gjoba, me vlerë 21.5 milionë lekë. Diferenca është 377 gjoba më shumë, me vlerë +17.465.000 lekë. Pra, gjatë fushatës gjobat janë reduktuar me më shumë se 5 herë.

Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial rezulton të ketë ulur me 6.5 herë vlerat e gjobave në vitin elektoral. Në 5 muajt e parë të vitit të shkuar ky institucion vendosi 12 gjoba, me vlerë 1.130 000 lekë, ndërsa këtë vit, nga janari në maj, u vendosën 14 gjoba, me vlerë 7.400.000 lekë. Diferenca në numër është vetëm 2 gjoba më shumë, por vlera financiare është ndjeshëm më e lartë, plot 6.370.000 lekë.

Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut e ka reduktuar gjobëvënien përpara fushatës me 10 herë. Për periudhën janar-maj 2023 janë vendosur 8 gjoba, në vlerën 1.020.000 lekë dhe e ka shtuar, si vlerën, ashtu edhe numrin e gjobave, në periudhën jozgjedhore. Gjatë periudhës janar-maj 2024 janë vendosur 40 gjoba, në vlerën 10.000.000 lekë. Diferenca është +32 gjoba, me vlerë +8.980.000 lekë.

Inspektorati Shtetëror i Punës dhe i Shërbimeve Shoqërore konfirmon përmes të dhënave zyrtare të njëjtën tendencë si institucionet e tjera, me më pak ndëshkime të qytetarëve përpara datës së zgjedhjeve. Gjatë periudhës janar-maj 2023 janë vendosur 48 gjoba, me vlerë totale 12.465.000 lekë, ndërsa në periudhën janar-maj 2024 janë vendosur 63 gjoba, me vlerë totale 16.500.000 lekë.

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit mban rekordin si institucioni, i cili i ka tkurrur më shumë penalizimet përpara zgjedhjeve. Ato janë 12.5 herë më të ulëta se në të njëjtën periudhë të vitit aktual, jo-elektoral. Vetë IKMT i tha INA Medias se, në 5 muajt e parë të vitit të shkuar 84 gjoba iu kishin kushtuar qytetarëve 71.748.500 lekë, ndërsa në 5 muajt e parë të këtij viti numri i penaliteteve kishte shkuar në 330 masa ndëshkimore, me një vlerë prej 896.131.426 lekësh.

Imeldi Sokoli, një urbanist, që mori në analizë gjobat e Inspektoratit të Kontrollit dhe të Mbrojtjes së Territorit, tha për INA Median se, “nuk ka asnjë ndryshim ligjor në fushën e zhvillimit urban dhe as ndonjë fenomen të ri të ndërtimit të paligjshëm në këtë periudhë, që të justifikojë kaq shumë penalitete të grupuara”.

Ai sqaron se institucione, si IKMT, veprojnë me fushata dhe me aksione, të cilat ndërmerren “në kohë stabiliteti politik, pra, kur nuk kemi zgjedhje afër, që mund të krijojnë pakënaqësi”.

Policia Bashkiake, Tiranë i bashkohet trendit të institucioneve qendrore, duke treguar standard jo të njëjtë gjatë periudhave që korrespondojnë me fushata zgjedhore. Bashkia e Tiranës pohoi se në periudhën janar-maj 2023 numri i gjobave ishte 89.736, me një vlerë prej 103.063.500 lekësh. Për të njëjtën periudhë të këtij viti numri i gjobave është ndjeshëm më i lartë, plot 219.992 gjoba, ndërsa vlera e tyre, financiare është 422.302.000 lekë. Pra, bashkia e kryeqytetit ka arkëtuar 4 herë më shumë pará nga qytetarët pas zgjedhjeve.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit tingëllon si përjashtimi, që konfirmon rregullin. Ai është i vetmi institucion, inspektorët e të cilit në muajt përpara fushatës kanë vënë më shumë gjoba sesa pas saj. Gjatë periudhës janar-maj 2023 nga AKU janë vendosur 165 gjoba me vlerë 29.030.000 lekë, ndërsa gjatë periudhës janar-maj 2024 janë vendosur 142 gjoba me vlerë 25.150.000 lekë.

Ekspertët sugjerojnë për përdorim politik

Ekspertë të ekonomisë dhe të zhvillimeve urbane, si dhe aktivistë të shoqërisë civile, që monitorojnë veprimtarinë e institucioneve shtetërore, sidomos gjatë zgjedhjeve, janë të bindur se kemi të bëjmë me “zbutjen” e inspektorateve për të mos shkaktuar pakënaqësi te qytetarët përpara zgjedhjeve.

Ola Xama, një gazetare me eksperiencë të gjatë në çështjet ekonomike, pohon se ka parë ndër vite një tendencë historike të inspektorateve, që gjatë fushatave elektorale janë pro biznesit, pro qytetarëve, duke i këshilluar dhe duke i falur, por jo duke i penalizuar.

“Pas fushatave shohim menjëherë një ashpërsi të këtyre autoriteteve, që vendosin penalitete”, – i tha INA Medias gazetarja Xama.

Erjon Tase, drejtues i Akademisë për Studime Politike, beson se kjo është një nga mënyrat e përdorimit të burimeve shtetërore në zgjedhje.

“Si qytetarë e kemi prekur tolerancën, që nga polici, i cili është më i butë përpara fushate, sesa pas zgjedhjeve”, – thotë Tase.

Qëndresa Qytetare (QQ), një organizatë monitoruese e shoqërisë civile, po ashtu ndan bindjen se këto shifra të grumbulluara nga INA Media kanë lidhje me fushatën elektorale.

“Shifrat, që ju keni gjetur, e bëjnë edhe më dramatike situatën. Nuk kemi të bëjmë me situatë të vetvetishme. Pas këtyre shifrave fshihet një drejtues institucioni, që ka urdhëruar këtë armatë të tërë punonjësish, që të ndalojnë punën e tyre gjatë këtyre muajve. Prokuroritë duhet t’i hetojnë këto raste”, – tha Migen Qiraxhi nga QQ.

Gazetarja Ola Xama e sheh të pamundur që këto shifra të jenë një rastësi: “Nuk mund të jetë rastësi kjo diferencë shifrash në thuajse të gjitha institucionet njëkohësisht. Është sjellje e sinkronizuar dhe e orkestruar e këtyre institucioneve”.

Ajo e vë theksin te krerët joprofesionistë dhe politikë në këto inspektorate. Edhe Erjon Tase e lidh me drejtuesit valën e re në rritje të gjobave pas zgjedhjeve. “Mund të jetë një kombinim faktorësh, përfshirë edhe ndërrimin e drejtuesve të institucioneve në një situatë të caktuar”, – tha ai.

Institucionet thonë se “nuk i njohin zgjedhjet”

Pavarësisht diferencave në numër dhe në vlerë gjobash për të njëjtën fashë vjetore, në dy vite të ndryshme, inspektoratet i thanë INA Medias se puna e tyre nuk ndikohet nga fushatat zgjedhore.

Inspektorati Shtetëror i Punës komentoi me shkrim se, “inspektorët janë të pavarur në vendimmarrjen e tyre”, dhe përdori si argument për vlerën në rritje të gjobave faktin se ajo lidhet me pagën minimale dhe rritja e kësaj të fundit ka rritur automatikisht vlerën e gjobave.

“ISHPSHSH nuk ka në asnjë moment në konsideratë vitet, kur kryhen këto inspektime. Vetëm 30% e gjobave janë vendosur në inspektime të programuara, pjesa tjetër janë marrë në inspektime për ankesë dhe aksident në punë”, – tha Inspektorati Shtetëror i Punës dhe i Shërbimeve Shoqërore.

Edhe Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial, i cili i kishte 6-fishuar gjobat pas fushatës, nuk pranon të jetë ndikuar nga fushata zgjedhore.

Diferenca “ka ardhur si pasojë e politikave dhe reformave për zbatimin e ligjit”, – tha Inspektorati Shtetëror Teknik për INA Median.

Pas zgjedhjeve ky institucion ka ndërruar edhe drejtuesin e tij, megjithëkëtë ata thonë se nuk ndikohen nga data të caktuara: “Fushatat zgjedhore janë procese demokratike, që nuk kanë lidhje me objektin e veprimtarisë së ISHTI dhe nuk kanë asnjë ndikim në kryerjen e detyrave të tij, funksionale”.

Policia e Shtetit tha se, diferenca e numrit të masave administrative në rritje vjen si pasojë e shtimit të pajisjeve teknologjike gjatë këtij viti, konkretisht: radarë, dronë dhe teleskopë.

“Këto pajisje kanë konstatuar një numër të lartë shkeljesh, kryesisht në tejkalim të kufirit të shpejtësisë, parakalime të gabuara dhe përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit”, – tha Drejtoria e Komunikimit në Polici, e cila përjashtoi çdo lidhje të mundshme me datën e zgjedhjeve.

“Në asnjë rast Policia Rrugore dhe asnjë strukturë e Policisë së Shtetit nuk ndikohet nga fushata zgjedhore apo aktivitete politike, por përmbush me korrektësi misionin e saj”, – thuhet në reagim.

Interesimit të INA Medias iu përgjigj edhe Inspektorati i Mbikëqyrjes së Tregjeve, një institucion, gjobat e të cilit janë 10-fishuar pas zgjedhjeve. Ata e quajnë “të justifikueshme”, rritjen e gjobave, duke treguar se në vitin zgjedhor kanë kryer gjysmën e inspektime të planifikuara, por nuk tregojnë pse.

“Për periudhën janar-maj 2023, ISHMT kishte planifikuar 834 inspektime dhe ka realizuar 419 prej tyre, pra në një masë 50%. Për të njëjtën periudhë të vitit 2024, ISHMT kishte planifikuar 1.574 inspektime dhe ka realizuar 1.072 të tilla, pra në masën 68%”, – thotë Inspektorati i Mbikëqyrjes së Tregjeve. Ata përmendin kontrollin e ri për përdorimin e qeseve plastike si një tregues që justifikon vlerën e lartë të gjobave.

“Institucioni ynë nuk është ndikuar në vitin 2023, si vit fushate zgjedhore, për të “frenuar” ndëshkimin e qytetarëve apo të subjekteve”, – përfundon deklarata e ISHMT dhënë me shkrim për INA Median.

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit pohon se, “nuk ka tregues të veçantë, sektorialë, që ndikojnë në rritjen apo në uljen e numrit të gjobave”, por 12-fishimin e ndëshkimeve gjatë vitit 2024 e justifikon me faktin se, “IKMT ka qenë e përfshirë në lirimin e shesheve për disa projekte me interes publik”. Reagimi i këtij institucioni për INA Median mbyllet me zotimin se, “IKMT operon në mënyrë të pavarur nga fushata zgjedhore”.

Inspektoratet e tjera nuk dhanë përgjigje brenda afatit në funksion të publikimit të këtij shkrimi.

Gjobat ndaj qytetarëve mbushin arkat e institucioneve

Të dhënat e grumbulluara nga INA Media provojnë po ashtu se sa peshë të rëndësishme zënë në buxhetin e këtyre institucioneve paratë e marra nga xhepi i qytetarëve në formën e gjobave.

Vetëm në 5 muajt e parë të vitit 2023 dhe vetëm për këto 8 institucione, që ndanë të dhëna për INA Median, buxheti i shtetit ka përfituar 1.142.234.558 lekë ose mbi 11 milionë euro; ndërsa në 5 muajt e parë të vitit 2024 qytetarëve iu janë marrë në formën e gjobave 2.997.629.532 lekë ose 30 milionë euro.

“Gjobat përdoren si mundësi për të mbushur arkat e buxhetit. Përfitojnë nga stabiliteti politik dhe nuk ka më interes elektoral”, – tha urbanisti, Imeldi Sokoli.

Gazetarja Ola Xama e vendos theksin te deformimi i misionit të inspektorëve, tek edukimi, duke e kthyer matjen e performancës së tyre me sasinë e gjobave që vendosin.

“Policia Bashkiake në Tiranë ka vendosur 4 milionë euro gjobë për 5 muaj. Kjo është një taksë më vete për qytetarët. Policia Rrugore ka vendosur 12 milionë euro gjobë në vetëm 5 muaj, që është sasi edhe më e lartë se vetë taksa e pasurisë, që paguhet”, – llogarit Xama./ina.media


Ky shkrim është pjesë e projektit që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.

Senati i SHBA, zgjedhja e kahut nën hijen e presidencialeve! Si do të përcaktohet hapësira e veprimit për Harris ose Trump

Njëkohësisht me zgjedhjen e Donald Trump apo të Kamala Harris do të rizgjidhet edhe një pjesë e madhe e Kongresit amerikan. Këtu do të vendoset edhe se çfarë hapësire veprimi do të ketë presidenca e ardhshme.

Në fillim të nëntorit sytë e gjithë botës do të ndjekin me vemendje, se kush do të arrijë të hyjë në Shtëpinë e Bardhë: Kamala Harris apo Donald Trump?

Por sa do të jetë në gjendje të veprojë demokratja apo republikani në zyrën ovale, vendoset dy kilometra e gjysmë më larg, në Kongres, një pjesë e madhe e të cilit do të rizgjidhet gjithashtu më 5 nëntor. Parlamenti i Shteteve të Bashkuara ka dy dhoma.

Dhoma e Përfaqësuesve përbëhet nga deputetë, të cilët përfaqësojnë secili njërën nga 435 zonat elektorale me popullsi afërsisht të njëjta. Ata rizgjidhen çdo dy vjet, duke përfshirë edhe mandatet e ndërmjetme, mid terms, që ndajnë një presidencë në dy gjysma. Që nga mid terms (zgjedhjet e ndërmjetme) të vitit 2022 republikanët kanë mbajtur shumicën me një diferencë të ngushtë. Sondazhet presin një garë të ngushtë edhe kësaj radhe.

Në senat vetëm njëri ndër tre vende zihet rishtazi

Senati ka 100 vende, nga dy për çdo shtet. Kjo do të thotë se Wyoming, me më pak se 600.000 banorë, ka po aq ndikim sa Kalifornia me gati 39 milionë banorët e saj. 100 senatorët zgjidhen për gjashtë vjet. Megjithatë ato ndahen në tri të ashtuquajtura klasa, mandatet e të cilave janë të shkallëzuara në raport me njëra-tjetrën. Kjo do të thotë se një e treta e Senatit rizgjidhet çdo dy vjet. Këtë vit është radha e klasës I, e cila u plotësua për herë të fundit në mesin e presidencës së Donald Trump në vitin 2018.

Periudhat zgjedhore të mbishtresuara janë përcaktuar me kushtetutën e SHBA, për të ruajtur një shkallë të caktuar stabiliteti në dallim nga Dhoma e Përfaqësuesve, shpjegon Katja Greeson, drejtore e Programit Transatlantik në Institutin Aspen në Gjermani. “Ideja është e thjeshtë, që senatorët të mund të ndjekin qëllimet e tyre legjislative edhe për një kohë të gjatë, në vend që të fokusohen në fushatat zgjedhore. Pastaj nëse është kështu në realitet, për këtë jam pak skeptike – në SHBA ka një fushatë zgjedhore të vazhdueshme”, thotë Greeson në bisedë me DW.

Disavantazh strategjik për demokratët

Klasat janë të zëna në atë mënyrë, që nga çdo shtet të zgjidhet rishtazi vetëm një senator. Përjashtim përbën këtë vit shteti i Nebraskës, i dominuar nga republikanët, ku zëvendësohet një senator, që u largua para kohe. Këtë vit demokratët janë në një disavantazh strategjik: ata duhet të mbrojnë 19 vende, përveç kësaj skadon mandati i katër senatorëve të pavarur, të cilët zakonisht votojnë me demokratët. Nga 49 senatorët aktualë republikanë vetëm njëmbëdhjetë duhet të mbrojnë vendet e tyre, 38 të tjerët ndodhen ende në mesin e mandatit. Pra demokratët kanë shumë më tepër për të humbur.

Duelet më të rëndësishme

Me thellimin e polarizimit të peisazhit politik në Shtetet e Bashkuara është bërë më pak e zakontë, që në zgjedhjet presidenciale dhe të kongresit votuesit të votojnë për parti të ndryshme, thotë Katja Greeson. “Megjithatë, votimi i ndarë (splint voting) mund të jetë këtë vit vendimtar”. Ajo përmend si shembull Maryland, që në nivel presidencial konsiderohet një shtet i sigurt për Harris. Në senat nuk kandidon më mbajtësi demokrat i mandatit – demokratja Angela Alsobrooks përballet me republikanin e moderuar Larry Hogan. “Ai është shumë popullor në Maryland dhe unë pres gjithsesi, që të ketë disa votues, që do të votojnë për të dhe në të njëjtën kohë edhe për Harris”.

Në Montana sipas sondazheve demokrati Jon Tester mund të humbasë vendin e tij në Senat përballë republikanit Tim Sheehy. Sondazhet parashikojnë votimin më të ngushtë në Ohajo, mes deputetit aktual demokrat Sherrod Brown dhe kundërshtarit të tij republikan Bernie Moreno, ku nuk duken shenja se cili mund të jetë favoriti.

Ndërsa në shtetet e tjera ka favoritë të qartë: demokrati i njohur Adam Schiff pret të zgjidhet senator në Kaliforni – ai ka qenë më parë në Dhomën e Përfaqësuesve. Dhe madje edhe në shtetin shumë më të vogël Wyoming, mbajtësi aktual republikan i mandatit John Barrosso mund të marrë një mandat të katërt.

Senati dhe hapësira e veprimit për Harris ose Trump

Tani rezultati i zgjedhjeve në SHBA është ende plotësisht i hapur – kështu një president i mundshëm Trump mund të gjendej përballë një Dhomë Përfaqësuesish të dominuar nga demokratët, që ia kufizon atij lirinë në marrjen e vendimeve.

Një tjetër skenar i imagjinueshëm është, që një presidente e mundshme Kamala Harris do të duhej të përballej me një shumicë të ngushtë republikane në Senat. “Do të jetë një pengesë për Harris, nëse Senati është republikan”, mendon Katja Greeson nga Instituti Aspen në Gjermani. “Në muajt e parë do të ishte jashtëzakonisht e vështirë për presidenten, që të plotësonte postet e rëndësishme. Gjyqtarët, anëtarët e kabinetit të saj qeveritar dhe ambasadorët, për shembull, duhet të aprovohen nga Senati. Është historikisht e pazakontë, që shumë nga këto kandidatura të refuzohen, por nuk mund ta dish, “se në ç`masë senati i ri do ta thyejë traditën”.

Edhe në çështjet e politikave teknike – për shembull në politikën për klimën, mbështetjen për Ukrainën, tavanin e borxhit ose planet e Harris për të ulur çmimet e ushqimeve dhe për të investuar në banesa – do të kishte vështirësi. Greeson thotë: “Atëherë ajo do të duhej të kërkonte që në fillim kompromise mbipartiake”./DW

Zbardhet raporti i BE për Shqipërinë: SPAK ka bërë progres në luftën ndaj krimit të organizuar, por të punohet për pavarësinë e agjencive ligjzbatuese!

Në progres raportin e BE-së për Shqipërinë, thuhet se SPAK ka avancuar në luftën ndaj krimit të organizuar dhe pastrimit të parave duke u afruar kështu me legjislacionin e Bashkimit Europian.

Në raport thuhet se nevojiten veprime të mëtejshme për të forcuar kapacitetet e zbatimit të ligjit dhe për të përmirësuar efikasitetin e hetimeve si dhe më shumë punë për pavarësinë e organeve ligjzbartuese.

Gjithashtu në raport thuhet se është arritur njëfarë progresi në fushën e migracionit me miratimin e strategjisë së re të migracionit në përputhje me prioritetet e BE-së.

Pjesë nga progres raporti i BE-së për Shqipërinë:

Shqipëria është mesatarisht e përgatitur në përafrimin me acquis të BE-së në fushën e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë. Njëfarë progresi është bërë në luftën kundër krimit të organizuar duke rritur kapacitetet e Strukturave të Specializuara Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke përmirësuar përdorimin e hetimeve financiare dhe duke ndryshuar legjislacionin për substancat psikoaktive.

Nevojiten veprime të mëtejshme për të forcuar kapacitetet e zbatimit të ligjit dhe për të përmirësuar efikasitetin e hetimeve.

Është arritur njëfarë progresi në fushën e migracionit me miratimin e strategjisë së re të migracionit në përputhje me prioritetet e BE-së. Nevojiten përpjekje të mëtejshme për të përmirësuar aksesin në azil dhe për të përafruar politikën e vizave të vendit me atë të BE-së.

Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar janë zbatuar pjesërisht dhe mbeten  kryesisht të vlefshme. Në vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet të:

→ të vazhdojë zhvillimin e përdorimit sistematik të hetimeve financiare paralele kur kemi të bëjmë me krim të rëndë dhe të organizuar, trafikim të paligjshëm, terrorizëm dhe pastrim parash;

→ miratimi i kuadrit ligjor për ngritjen e një observatori kombëtar të drogës dhe një sistemi kombëtar të paralajmërimit të hershëm për zbulimin e substancave të reja psikoaktive;

→ përmirësoni sistemin e referimit të azilit dhe aksesin në procedurat e azilit, përmirësoni procedurat e kthimit, vazhdoni të trajtoni çështjen e kërkesave të pabazuara për azil në Shengen dhe vendet e lidhura dhe përafroni më tej politikën e vizave të vendit me atë të BE-së.

Lufta kundër krimit të organizuar

Shqipëria është mes përgatitjes së një niveli të caktuar dhe të moderuar në përafrimin me acquis të BE-së në këtë fushë. Është bërë njëfarë progresi në përmbushjen e rekomandimeve të vitit të kaluar duke rritur kapacitetin e SPAK-ut në hetimet financiare (me akses të përmirësuar në bazat e të dhënave), duke forcuar luftën kundër pastrimit të parave dhe sekuestrimin e aseteve të lidhura me krimin e organizuar. Shqipëria duhet të vazhdojë të punojë për të siguruar pavarësinë e agjencive të saj të zbatimit të ligjit.

Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar janë zbatuar pjesërisht dhe mbeten kryesisht të vlefshme. Në vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet të:

→ të forcojë më tej luftën kundër krimit të organizuar, duke përfshirë bashkëpunimin e vazhdueshëm me Shtetet Anëtare të BE-së dhe agjencitë e BE-së (përfshirë Europolin, në kuadrin e Platformës Multidisiplinare Evropiane kundër Kërcënimeve Kriminale (EMPACT) dhe Eurojust), të rrisë kapacitetin për të luftuar krimin kibernetik dhe paratë pastrimi, dhe parandalimi dhe

lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore;

→ ngritja e një zyre të rikuperimit të aseteve e ngarkuar me identifikimin dhe gjurmimin e aseteve kriminale në mënyrë që të rrisë efektivitetin e sistemit kombëtar të rikuperimit të aseteve dhe të lehtësojë bashkëpunimin operacional me zyrat e rikuperimit të aseteve në shtetet anëtare të BE-së pa vonesë, në përputhje me BE-në acquis;

→ përmirësimi i sistemeve dhe metodologjive të analizës kriminale për zgjidhjen e çështjeve komplekse kriminale.

Zbardhet raporti i BE për Shqipërinë: SPAK ka bërë

“Rama flet si drejtor azili duke fajësuar të tjerët”, Basha: Retorika përçarëse nuk e fsheh dështimin me pensionet

Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar në lidhje me deklaratat e kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se po përpiqet që të vendosë sipërmarrësit kundër qytetarëve, për të fshehur dështimin e tij përballë pensionistëve.

Basha thekson se dështimi i qeverisë në menaxhimin e skemës së pensioneve janë të dukshme, duke vënë në dukje se paratë e pensioneve po mbahen peng nga investitorë strategjikë dhe projekte korruptive, ndërsa pensionistët përballen me çmime të larta për ilaçet.

Sipas tij, Edi Rama flet si drejtor azili, duke u’a hedhur fajin të tjerëve, ndërkohë që kishte në dorë gjithë pushtetin për të përmirësuar atë.

 

Postimi i plotë i Bashës:

Retorika përçarëse e Edi Ramës, me të cilën përpiqet të vendosë sipërmarrësit kundër qytetarëve, nuk fsheh dot dështimet e tij përballë pensionistëve.
Paratë e pensioneve nuk po i mbajnë peng njerëzit që punojnë me sakrifica duke u përballur me taksa të larta, gjobat e tatimeve dhe taksidratët e Edi Ramës. Paratë e pensionistëve po i mbajnë peng investitorët strategjikë që nuk paguajnë taksa, hotelet dhe kazinotë e njerëzve të qeverisë, pagesat e PPP-ve korruptive dhe tenderat sekretë.
Edi Rama flet si drejtor azili, duke u’a hedhur fajin të tjerëve për dështimin e skemës së pensioneve, ndërkohë që kishte në dorë gjithë pushtetin për të përmirësuar atë. Talljet me pensionistët, që nuk kanë para për ilaçet, që janë më të shtrenjtat se në vendet e Bashkimit Europian, duhet të marrë përgjigjen e merituar në zgjedhje.
Pensionistët shqiptarë meritojnë më shumë!