26.5 C
Tirana
E enjte, 19 Qershor, 2025

Të uritur për fitore, zikaltrit e Interit po shohin ëndrra me… Champions

Interi arriti fitoren e katërt radhazi në Champions dhe falë barazimit 0-0 kundër Mançester Sitit ka një ecuri të jashtëzakonshme në fillimin europian. Është skuadër e pamposhtur dhe pa pësuar gol. Ky format i ri i këtij kompeticioni mund të sjellë lumturi.

Interi ka filluar të ëndërrojë dhe ëndrrat janë falas. Me kalimin në turin e radhës sigurisht që këto ëndrra mund të bëhen realitet, por vetëm duke qëndruar me këmbë në tokë. Fitorja kundër Lajpcigut ishte përgjigjja se cili është objektivi i Interit në këtë sezon të Championsit:

Sigurisht që ta fitojë. Dhe është e vërtetë që të fitosh të ndihmon të fitosh. Katër ndeshje radhazi me fitore dhe pa pësuar gol është një sinjal që të besuarit e Inzagit i japin të gjithë Europës. Rrotacioni i tij nuk përbën më lajm, sepse pavarësisht se kush luan rezultati është i njëjtë.

“Për mua janë të gjithë titullarë”, ka thënë disa herë trajneri nga Piaçenca. Sepse ai bën zgjedhjet dhe lojtarët i pranojnë të gjitha ato pa bërë polemika. Pak rëndësi ka nëse luan Taremi apo Turam në sulm, pak ndryshon. Çdo lojtar është i rëndësishëm në lojën e Inzagit dhe trajneri e di që mund të mbështetet tek të gjithë. Imagjino kur rivalët shënojnë edhe autogol.

Por gjithçka është e merituar. Në ndeshjen e “San Siros” të fituar 1-0 ka shumë mesazhe të tjera. Ka dëshirë nga zikaltrit për të diktuar menjëherë ritmin e ndeshjes, për të futur në një cep kundërshtarin dhe për të marrë maksimumin me sforcot minimale. Edhe pse për të thënë të vërtetën nuk ishte ndeshje e qetë për t’u menaxhuar.

Duartrokitje për rezultatin, por ndonjë tërheqje veshi e meriton skuadra e Inzagit. Si mund të mos e mbyllësh këtë ndeshje të dominuar dhe të trembësh tifozët në aksionin e fundit për të pësuar golin e barazimit. Një 10 minutësh i fikur mund të kushtonte shtrenjtë.

Por Interi nuk e fitoi ndeshjen kurrsesi me fat. Ka gjetur kompaktësinë dhe është një tjetër skuadër në krahasim me sezonin e kaluar. Në Milano kanë nisur që të ëndërrojnë Champions-in edhe pse nuk është aspak e lehtë. Kompeticionet e tilla fitohen pas muajit janar. Aty ekipi duhet të tregojë forcën.

Bashkëfajësia, banaliteti i së keqes e mosbindja civile

NGA ADRI NURELLARI

Një fantazmë po endet mbi Evropën Lindore fantazma e asaj që në Perëndim quhet “mospajtim”. Kjo fantazmë nuk ka dalë nga hiçi, por është një pasojë e natyrshme dhe e pashmangshme e fazës aktuale historike të sistemit që ajo po sfidon. Kështu e nis Václav Haveli esenë e tij të famshme disidente “Fuqia e të Pafuqishmëve”. Një vepër që i kushtoi katër vjet burg, por që vazhdon të frymëzojë edhe sot, duke qenë tejet aktuale për një Shqipëri të zhytur në abuzim, korrupsion dhe apati shoqërore. Mesazhi kryesor është se regjimet autoritare mbahen në këmbë jo vetëm përmes shkeljes me dhunë, por edhe nëpërmjet një bashkëfajësie të heshtur të qytetarëve, të cilët pranojnë të jetojnë në një realitet të rremë të ndërtuar nga sistemi. Thënë ndryshe, autoritarizmi, mbështetet jo vetëm te forca fizike, por edhe te një iluzion fuqie, i cili mbijeton falë pranimit të heshtur dhe përsëritjes mekanike të atyre ritualeve që e bëjnë sistemin funksional. Eseja e tij nuk ishte thjesht një analizë e sistemit komunist në Çekosllovaki, por një manual politik për të gjithë ata që kërkojnë të sfidojnë autokracinë dhe faktikisht frymëzoi shumë disidentë anembanë bllokut komunist.

Mirëpo koncepti i bashkëfajësisë është trajtuar me hollësi edhe nga të tjerë studiues të shquar, që kanë analizuar faktorët që shkaktuan totalitarizmin në Evropë. Bashkëfajësia është një koncept kompleks që përshkruan mënyrën se si individët dhe shoqëritë, përmes heshtjes së tyre, kontribuojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi në ruajtjen dhe forcimin e regjimeve autoritare. Për ta kuptuar këtë dinamikë, është e dobishme të shqyrtojmë së pari studiuesen Hannah Arendt, në veprën e saj të famshme “Eichmann në Jerusalem: Një raport mbi banalitetin e së keqes”. Në këtë libër ajo argumenton se regjimet totalitare mbështeten jo vetëm te liderët e tyre dhe instrumentet e dhunës që ata kanë në dorë, por edhe tek individët që veprojnë si pjesë të një makinerie burokratike pa reflektuar për pasojat morale të veprimeve të tyre. Sipas saj, bashkëfajësia shpesh nuk buron nga urrejtja aktive apo nga qëllime keqdashëse, por nga mungesa e mendimit kritik dhe pranimi mekanik symbyllurazi i rregullave. Ky “banalitet i së keqes” krijon një sistem ku individët bëhen pjesë të një strukture represive, jo për shkak të urrejtjes, por për shkak të zbatimit të urdhrave në mënyrë pasive e rutinore. Raymond Aron nga ana tjetër, në analizën e tij të shoqërive totalitare dhe autoritare, thekson se kompromisi lind jo vetëm nga frika, por edhe nga një inercia shoqërore.

Sipas tij, individët shpesh zgjedhin të mos ngrenë krye ndaj regjimeve, jo sepse i mbështesin ato aktivisht, por sepse rezistenca mund të jetë e kushtueshme, e padobishme, ose thjesht preferojnë stabilitetin e rremë. Kjo formë pasive e bashkëfajësisë mbron rregullat ekzistuese të lojës, duke krijuar një konsensus të heshtur të pavetëdijshëm që mban pushtetet abuzive në jetë. Një argument të ngjashëm jep edhe Friedrich Hayek, në kryeveprën e tij “Rruga drejt bujkrobërisë”, ku thotë se regjimet autoritare lulëzojnë nëpërmjet erozionit gradual të lirive individuale, pasi individët tregohen të gatshëm që të heqin dorë nga liria në këmbim të rehatisë, stabilitetit ekonomik apo sigurisë. Koncepti i bashkëfajësisë është tejet i dukshëm në realitetin shqiptar, ku një pjesë masive e qytetarëve vazhdojnë të mbështesin një qeveri të zhytur në skandale korrupsioni, me përfshirje në krimin e organizuar në nivelet më të larta të pushtetit, dështime të dukshme në ekonomi dhe premtime të pambajtura elektorale. Arsimi dhe shëndetësia janë në rënie të vazhdueshme, infrastruktura mbetet e prapambetur, kostoja e jetesës vazhdon të rritet, ndërsa emigracioni masiv po zbraz vendin nga më të talentuarit, duke e kthyer gradualisht Shqipërinë në një azil pleqsh. Megjithatë, sondazhet dhe rezultatet zgjedhore tregojnë se një pjesë e shoqërisë zgjedh heshtjen dhe pranimin pasiv. Pavarësisht këtyre problemeve, një pjesë e madhe e shoqërisë vazhdon të tregojë tolerancë ndaj kësaj gjendjeje, shpesh për shkak të frikës nga e panjohura, inercisë, mungesës së besimit tek alternativat, ose përfitimeve të vogla klienteliste që i lidhin qytetarët me sistemin ekzistues.

Kjo heshtje apo përshtatje me status quo-në në Shqipëri nuk mund të shpjegohet thjesht me mungesën e një opozite, që është e paaftë për të ofruar një alternativë më të mirë. Fundja, mund të mos të pëlqejë opozita, por nuk ka asnjë arsye për të mbështetur apo pëlqyer një qeveri për të cilën ka pafund fakte kokëforta të keqqeverisjes. Albert Hirschman, në veprën e tij “Largim, Protestë apo Besnikëri” analizon opsionet me të cilat përballen individët nën regjimet autoritare: të largohen nga sistemi, të ngrenë zërin kundër padrejtësive apo të tregojnë besnikëri ndaj sistemit. Ai thekson se bashkëfajësia shpesh buron nga një llogaritje për mbijetesë personale, ku individët zgjedhin heshtjen për të shmangur ndëshkimet, ose sepse besojnë se kundërshtimi është i kotë. Në rastin e Shqipërisë, largimi apo arratisja është masive (duke kapur rekordin si vendi me përqindjen më të lartë të të larguarve në botë), besnikëria po ashtu duket tepër e madhe, ndërsa ngritja e zërit, mjerisht sa vjen e po zbehet.

Ky nënshtrim i heshtur ndaj një realiteti shtypës, qoftë nga frika, apatia, inercia apo përfitimet e vogla personale, është një karakteristikë e përbashkët e të gjitha regjimeve autoritare. Por si mund të thyhet ky rreth vicioz dhe të hapet rruga drejt ndryshimit? Haveli theksonte se fuqia e vërtetë për ndryshim qëndron te refuzimi për të jetuar në gënjeshtër – një akt që, edhe pse duket i vogël, ka potencialin të shembë të gjithë sistemin. Me këtë frymëzim nga Haveli dhe me shpresën te forca çliruese e së vërtetës, po e shkruaj edhe unë këtë shkrim faktikisht. Të jetosh në të vërtetën do të thotë të refuzosh të marrësh pjesë në gënjeshtrën kolektive që një sistem imponon mbi qytetarët. Kjo mund të shfaqet me anë të veprimeve të thjeshta, por domethënëse: një tregtar që nuk pranon të vendosë një poster propagandistik në dyqanin e tij, një punonjës që refuzon të marrë pjesë në një mbledhje të inskenuar për lavdërimin e regjimit, ose një intelektual, që ngre pyetje morale për padrejtësitë e pushtetit, pavarësisht rrezikut të ndëshkimit. Në thelb, ndershmëria dhe guximi moral mund të triumfojnë mbi shtypjen, duke treguar se edhe më të pafuqishmit mund të ndryshojnë historinë nëse zgjedhin që t’i kundërvihen frikës e mashtrimit përmes veprimeve të vogla, por me ndikim të madh.

Ndërkaq, Arendt sugjeron rikthimin e mendimit kritik dhe gjykimit personal. Ajo nënvizon se njerëzit duhet të ndalojnë së vepruari mekanikisht dhe të marrin përgjegjësi personale për pasojat morale të veprimeve të tyre. Nga ana tjetër, Aron dhe Hayek theksojnë rëndësinë e ndërtimit të një shoqërie që vlerëson lirinë individuale si dhe i reziston tundimit për stabilitet mashtrues. I pari theksonte se rezistenca nuk duhet parë si një luks, por si një domosdoshmëri për të shmangur degradimin e mëtejshëm të shoqërisë. I dyti shtonte se edukimi mbi liritë individuale dhe ndërtimi i institucioneve që mbrojnë të drejtat janë thelbësore për të mos rënë në grackën e dorëzimit gradual të lirive. Në këtë kontekst, siç kanë argumentuar figura të shquara historike si Mahatma Gandhi, Martin Luther King, mosbindja civile shfaqet si kura më e fuqishme për të thyer zinxhirët e bashkëfajësisë dhe për të sfiduar një status quo që mbijeton falë pranimit të heshtur.

Mahatma Gandhi zhvilloi konceptin e satyagrahas (forcës së të vërtetës), ku mosbindja civile pa dhunë duhet të përdoret për të përballuar padrejtësinë. Ai argumentonte se në vend të përplasjes fizike me shtypësit, indianët duhet të refuzonin bashkëpunimin me regjimin kolonial britanik, pasi ishte i bindur se një regjim i padrejtë nuk mund të mbijetonte pa pjesëmarrjen dhe miratimin e popullit të tij. Për të mosbindja civile paqësore nuk është thjesht protestë, por një akt moral, që synon të transformojë si shtypësin, ashtu edhe të shtypurin. Martin Luther King në letrën e tij të famshme nga burgu i Birminghamut, argumentonte se kompromisi me padrejtësinë lind nga heshtja dhe pasiviteti, veçanërisht nga ata që e konsiderojnë veten neutralë apo të pavarur. Strategjia e tij e veprimit të drejtpërdrejtë pa dhunë synonte të krijonte një tension që ekspozonte padrejtësinë, duke e detyruar shoqërinë amerikane që të përballej me bashkëfajësinë e saj në shtypjen sistematike raciste.

Termi i “mosbindjes civile” është përmendur dendur kohëve të fundit nga Partia Demokratike e Shqipërisë, prandaj duhet sqaruar se mosbindja e vërtetë civile është një akt moral dhe politik, që buron nga refuzimi për t’u bërë pjesë e një sistemi të padrejtë dhe jo kryengritjen, përmbysjen me anë të rrugës apo përballjen e dhunshme me të. Veprimet e deritanishme të partisë kryesore opozitare në vend që të frymëzojnë një formë të re të mosbindjes civile, duken si një përsëritje e demonstratave të dhunshme, që kanë dështuar në të kaluarën duke krijuar një ndjesi deja vu të kohës kur në krye ishte Lulzim Basha.

Mosbindja civile dhe kërkesa aktuale e PD-së për krijimin e një qeverie teknike dallojnë në mënyrë thelbësore në natyrë, mjete dhe qëllime. Mosbindja civile është një akt qytetar i paqtë dhe i qëllimshëm, ku individët refuzojnë të binden ndaj ligjeve ose politikave që i konsiderojnë të padrejta, duke sfiduar hapur normat dhe strukturat e një sistemi. Kjo lëvizje përfaqëson një nismë nga poshtë-lart dhe përdor mjete paqësore si bojkoti, refuzimi, ose protesta simbolike, ndërkohë që shmang dhunën dhe ka si synim edukimin dhe frymëzimin e shoqërisë. Nga ana tjetër, kërkesa për një qeveri teknike, siç është ajo e ngritur nga opozita shqiptare, është një manovër politike nga lart-poshtë, që synon krijimin e një administrate të përkohshme për menaxhimin e zgjedhjeve. Ndërsa mosbindja civile synon ndryshimin e ndërgjegjes kolektive dhe sistemit në thelb, qeveria teknike është një masë pragmatike për të zgjidhur një situatë politike kalimtare. Për më tepër, mosbindja civile është një veprim fisnik dhe universal që nuk favorizon asnjë palë politike, ndërsa kërkesa për një qeveri teknike ka për qëllim të krijojë avantazhe për opozitën në përballjen me mazhorancën.

Ndikimi i mosbindjes civile është më afatgjatë dhe shkon përtej lojërave politike të ditës, ndërsa qeveria teknike mbetet një zgjidhje e përkohshme. Shqiptarët duhet t’i kuptojnë mirë këto dallime, në mënyrë që të zgjedhin mjetet më efektive dhe të përshtatshme për të zgjidhur sfidat me të cilat përballen. Në Shqipëri, ku toleranca ndaj një qeverie të përfshirë në korrupsion dhe tejmbushur me dështime është bërë normë, mosbindja civile mund të marrë formën e bojkotit të shërbimeve dhe institucioneve të kapura apo bizneseve që janë të lidhura me qeveritarët; ngritjes së zërit përmes protestave paqësore dhe akteve simbolike të qëndrimit parimor. Po ashtu, një qytetar mund të refuzojë për të paguar ryshfete për shërbime publike, edhe kur kjo e bën procesin më të vështirë.

Një mësues apo nëpunës mund të refuzojë të marrë pjesë në aktivitete propagandistike të orkestruara nga pushteti. Një profesionist mund të zgjedhë të mos përfshihet në projekte që dihet se janë të kalbura në korrupsion. Qytetari mund të fillojë e të refuzojë që të konsumojë ato media të manipuluara që janë dukshëm të lidhura me pushtetin ose të thotë të vërtetën e të shprehë mospajtimin me realitetin në rrjetet e tij sociale e rrethin e afërt shoqëror. Mbase mundet edhe të shpërndajë “sekretet publike” apo informacionin censuruar përmes bisedave me miq, grupe sociale apo kanale të sigurta të komunikimit. Meqë po afrohen zgjedhjet, qytetarët mund të refuzojnë për të votuar në listat e hapura për kandidatët që njihen publikisht si të korruptuar apo kriminalizuar, duke kërkuar alternativa të ndershme apo të papërlyera. Të gjitha këto, e shumë të tjera të ngjashme janë mosbindja e vërtetë civile, akte të vogla personale, por me ndikim të madh, që sfidojnë bazat e regjimit duke dëshmuar se qytetarët nuk janë më të gatshëm të jenë pjesë e një “gënjeshtre kolektive”.

Mosbindja civile pra, nuk është thjesht një mjet për ndryshim politik elektoral, por është një akt i thellë etik, që iu jep qytetarëve dinjitet dhe kontroll mbi jetën e tyre. Ajo na kujton se e ardhmja nuk iu takon atyre që pranojnë në heshtje padrejtësinë, por atyre që kanë guximin ta sfidojnë atë me integritet, vendosmëri dhe paqe. Prandaj, mosbindja civile në Shqipëri duhet parë si një proces i vazhdueshëm kolektiv, ku çdo qytetar ka një rol të rëndësishëm dhe ku neutraliteti apo indiferenca nuk kanë vend. Duke ndjekur shembujt historikë të sipërpërmendur, mosbindja civile në Shqipëri mund të jetë një lëvizje që krijon presion paqësor, qëndresë virtuoze dhe solidaritet kolektiv për t’i dhënë fund bashkëfajësisë dhe për të kërkuar ndryshimin. Me anë të veprimeve modeste individuale, por me ndikim të madh, shqiptarët mund ta transformojnë realitetin e tyre dhe ta kthejnë vendin në një shoqëri më demokratike e më të lirë, ku të sundojë ligji dhe lulëzojë ekonomia e tregut. Në fund të fundit, një sistem i padrejtë nuk mund të mbijetojë pa pjesëmarrjen e qytetarëve të tij dhe refuzimi për të bashkëpunuar, duke thënë të vërtetën, është fillimi i fundit për çdo statusquo të padrejtë.

SHBA dënon shpërthimin në Zubin Potok! Ambasadori Hovenier: Kanali i dëmtuar, thelbësor për furnizimin me ujë të Kosovës dhe funksionimin e termocentraleve

Shtetet e Bashkuara e dënuan sulmin e së premtes në kanalin e furnizimit me ujë nga liqeni i Ujmanit në veri të Kosovës.

Në një deklaratë të publikuar nga ambasadori amerikan Jeff Hovenier, thuhet se Shtetet e Bashkuara e dënojnë fuqishëm sulmin e 29 nëntorit “në infrastrukturën kritike në Kosovë duke dëmtuar një kanal ujor në Zubin Potok që është thelbësor për furnizimin me ujë të Kosovës dhe funksionimin e termocentraleve të Kosovës. Ne jemi duke e ndjekur situatën nga afër, do të mbështesim një hetim gjithëpërfshirës dhe i kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë Qeverisë së Kosovës për të siguruar që personat përgjegjës për këtë sulm kriminal të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës”.

Shpërthimi në kanalin furnizues ndodhi pak kohë pas njoftimeve se policia e Kosoveës shtoi masat e sigurisë për shkak të disa shpërthimeve që ndodhën gjatë javës në veriun e banuar me shumicë serbe.

Ne gjithashtu dënojmë sulmet e fundit me granata në stacionin policor të Zveçanit më 26 nëntor dhe në ndërtesën e komunës së Zveçanit më 28 nëntor. Këto veprime të dhunshme nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe ata që janë përgjegjës për këto sulme kriminale kundër autoriteteve legjitime të Republikës. Së Kosovës duhet të mbahen përgjegjës”, thuhet në reagimin e ambasadorit Hovenier në të cilin theksohet se Shtetet e Bashkuara “do të vazhdojnë të solidarizohen me popullin dhe Qeverinë e Kosovës përballë sulmeve të tilla kriminale”.

Zyra e BE-së në Kosovë, dënon sulmin në Zubin Potok

E dënoj sulmin në kanalin e ujit në Zubin Potok që po lë pjesë të konsiderueshme të Kosovës pa furnizim më ujë”, tha në një reagim shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Aivo Orav.

Ai shkroi në rrjetet sociale se tashmë u ka ofruar autoriteteve të Kosovës ndihmën e BE-së duke nënvizuar se “ngjarja duhet të hetohet dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë”./VOA

Sulmi në Zubin Potok, reagon Basha: Vepër terroriste, mbeshtes institucionet e Kosovës

Lidhur me aktin terrorist të ndodhur natën e sotme në Zubin Potok në Kosovë, ka reaguar Kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, i cili ka dënuar me forcë aktin e terrorir dhe ka shprehur mbështetjen e tij për institucionet e Kosovës, duke i inkurajuar për hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes.

Basha shprehet se “nevojitet një vëmendje e shtuar nga misioni i NATO-s në Kosovë për të parandaluar çdo përpjekje tjetër për sulme të mundshme me pasoja të rënda për paqen dhe sigurinë në rajon e më gjerë”.

Më poshtë postimi i plotë:

Dënoj me forcë aktin e terrorit në Zubin Potok dhe mbështes e inkurajoj institucionet e Kosovës që të hetojnë dhe zbardhin sa më parë këtë ngjarje të rëndë kriminale.

Sulmet ndaj infrastrukturës jetike, që penalizojnë qytetarët në furnizimin me ujë dhe energji, janë vepra terroriste të frymëzuara nga ata që duan me çdo kusht tensione dhe destabilizim në rajon. Ky sulm, që pason dy të tjerët në stacionin policor të Zveçanit dhe në ndërtesën e komunës së Zveçanit, tregon se pas tyre qëndron një skenar i përgatitur për destabilizim.

Mosvënia para përgjegjësisë së autorëve dhe ideatorëve të sulmit të armatosur terrorist në Banjskë është një dështim, pasojat e të cilit i vuan jo vetëm Kosova, por e gjithë arkitektura e sigurisë euroatlantike. Prandaj, sot nevojitet një vëmendje e shtuar nga misioni i NATO-s në Kosovë për të parandaluar çdo përpjekje tjetër për sulme të mundshme me pasoja të rënda për paqen dhe sigurinë në rajon e më gjerë.

8 Konservat Më të Mira për Humbjen e Peshës

Kur bëhet fjalë për të humbur peshë, zgjedhjet e duhura ushqimore janë thelbësore. Ushqimet e konservuara mund të jenë një opsion i shkëlqyer për ata që kërkojnë të qëndrojnë të ushqyer mirë ndërsa ndjekin një regjim të shëndetshëm, por jo të gjitha. Mënyra se i zgjidhni këto konserva ka rëndësi për peshën tuaj.  Në këtë artikull do të gjeni 8 ushqimet më të mira të konservuara që mund t’ju ndihmojnë të humbisni peshë, të bazuara në rekomandimet e ekspertëve.

1. Peshk Ton në Ujë

Peshku ton është një burim i pasur i proteinave dhe acideve yndyrore omega-3, të cilat ndihmojnë në ndërtimin e muskujve dhe përmirësimin e funksionit të zemrës. Zgjedhja e tonit të konservuar në ujë, dhe jo në vaj, zvogëlon marrjen e yndyrës dhe kalorive.

2. Fasule të Zeza

Fasulet e zeza janë plot me fibra dhe proteina, duke ju mbajtur të ngopur më gjatë dhe duke ndihmuar në kontrollin e urisë. Ato janë gjithashtu një burim i mirë i hekurit dhe magnezit, të cilat janë të rëndësishme për funksionin e duhur të trupit.

3. Qiqra

Qiqrat janë të pasura me proteina dhe fibra, duke ndihmuar në stabilizimin e nivelit të sheqerit në gjak dhe përmirësimin e shëndetit të tretjes. Ato janë gjithashtu të mbushura me vitamina dhe minerale të rëndësishme.

4. Salmon

Salmoni i konservuar është një burim i shkëlqyer i proteinave dhe acideve yndyrore omega-3, të cilat mbështesin shëndetin e zemrës dhe të trurit. Ai gjithashtu përmban vitaminë D dhe kalcium, të cilat janë të rëndësishme për shëndetin e kockave.

5. Fasule të Bardha

Fasulet e bardha janë të mbushura me fibra dhe proteina, duke ndihmuar në mbajtjen e ndjenjës së ngopjes dhe në kontrollin e peshës. Ato janë gjithashtu një burim i mirë i vitaminave dhe mineraleve të ndryshme.

6. Domate të Konservuara

Domatet e konservuara janë të pasura me likopen, një antioksidant që ndihmon në mbrojtjen kundër sëmundjeve të zemrës dhe disa llojeve të kancerit. Ato gjithashtu shtojnë shije dhe vlera ushqyese në shumë receta të shëndetshme.

7. Sardele

Sardelet janë një burim i pasur i proteinave dhe omega-3, dhe gjithashtu përmbajnë kalcium dhe vitaminë D. Ato janë të shkëlqyera për shëndetin e zemrës dhe ndihmojnë në ndërtimin e muskujve.

8. Thjerëza

Thjerëzat janë të mbushura me proteina dhe fibra, duke ndihmuar në stabilizimin e nivelit të sheqerit në gjak dhe përmirësimin e tretjes. Ato janë gjithashtu një burim i mirë i hekurit dhe folateve, të cilat janë të rëndësishme për funksionin e qelizave të kuqe të gjakut.

Zgjedhja e ushqimeve të konservuara të shëndetshme mund të jetë një mënyrë e lehtë dhe e lirë për të fuqizuar qëllimet tuaja për humbje peshe. Sigurohuni që të lexoni etiketat dhe të zgjidhni opsionet me përmbajtje të ulët natriumi dhe pa sheqer të shtuar. Kombinimi i këtyre ushqimeve në dietën tuaj mund t’ju ndihmojë të arrini një mënyrë jetese më të shëndetshme dhe të balancuar./AgroWeb.org

Me çfarë ngrohen shqiptarët? Më shumë dru zjarri, ndjekur nga energjia elektrike, më pak panele

Stina e dimrit, shirat por dhe temperaturat e ulëta nxjerrin më në pah mënyrat e ngrohjes së familjeve shqiptare por dhe nevojave që kanë. Ndonëse qeveria po nxit përdorimin e burimeve të energjisë së rinovueshme, shumë pak qytetarë i aplikojnë.

Më shumë drutë e zjarrit, energjinë e elektrike dhe më pak panelet diellore janë mënyrat që shqiptarët ngrohin banesat e tyre.

Në zonat malore qytetarët përdorin ngrohjen me dru edhe sepse ka probleme në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike dhe për një arsye tjetër se qytetarët e gjejnë më lehtë kurse  pjesa tjetër përdorin vetëm energjinë elektrike e cila ndikon direkte në rëndimin e rrjetit sidomos tani dhe me ardhjen e festave të fundvitit.

Sipas qyteteve Kukësi, Dibra e Korça zë përqindjen më të lartë të përdorimit të druve si mënyrë ngrohje, ndërsa Tirana, Durrësi e Vlora përdorin më së shumti energjinë elektrike.

Jo të gjithë qytetarët kanë mundësinë të ngrohin të gjithë banesën e tyre. Pra përdorin thjesht një kondicioner dhe dhomat e tjera janë të ftohta. Nuk mund të flasim për mirëqenie por për mbijetesë.

Vetëm 4% e familjeve shqiptare në të gjithë vendin e përdorin gazin për ngrohje për shkak të rrezikshmërisë së lartë që ai paraqet. Por sipas ekspertëve implementimi i një sistemi qendror do të rriste cilësinë e jetesës.

Zgjidhje për të rritur dhe cilësinë e jetesës do të ishte një rrjet gazifikimi por duket që është shumë larg në vendin tonë dhe të paktën edhe për 15 vite të tjera”, tha eksperti i energjisë Azmer Duleviç.

Ndër vite, familjet në Shqipëri shprehin tendenca të ndryshme lidhur me zotërimin e pajisjeve afatgjata si: mikrovalë, panele diellore, kondicionerë apo pajisje me shumë funksione.

Sipas censit 2023 rezulton se 11.4% e familjeve shqiptare kanë instaluar panele diellore, duke e parë këtë metodë si një zgjidhje në banesat e tyre. Ndërsa qeveria përpiqet të nxisë rritjen e përdorimit të tyre nëpërmjet skemave subvencionuese.

Zekthi: Lëvizja e Berishës jashtë kohës! Nuk shikon nga vetja dhe është kundër SPAK

Analisti Fitim Zekthi, në një intervistë në rubrikën Opinion në News 24 deklaroi se Partia Demokratike sot është në një provë zjarri. Ai tha se Berisha ka kohë që thotë se e mund Ramën në zgjedhje dhe se kjo fjali do të shikohet nëse do rezultojë e vërtetë në zgjedhje. Sipas tij, Sali Berisha nuk e mund dot Ramën.

Për Zekthin, lëvizja e Sali Berishës nuk e mund dot qeverinë aktuale, pasi është jashtë kohës dhe flet me gjuhën e vjetër. Zekthi shtoi se lëvizja e Berishës nuk shikon nga vetja dhe fatkeqësisht është kundër SPAK.

Në PD janë gëzuar më shumë për faktin që “ne e mundëm SPAK-un” dhe kjo krijon një lloj entuziazmi. Ka një lloj entuziazmi në Partinë Demokratike. Fatkeqësisht, PD e cilëson SPAK-un kundërshtar. Ky lirim i Berishës është procedurë rutinë e zakonshme e gjykatave tona. Sali Berisha vazhdon të ketë marrëdhënien që kishte me sistemin e drejtësisë. Berisha do të shkojë në gjyq sërish. Nuk ka ndryshuar asgjë në thelb. Heqja e masës ndaj Berishës krijon normalitet politik. Berisha thotë shpesh që do ta mundë Ramën. PD është në një provë zjarri. Sali Berisha të provojë atë që ka thënë, se ai e mund Ramën dhe të qeverisë Shqipërinë mirë. Por, mendoj se Berisha do dështojë. Berisha po udhëheq një lëvizje jashtë kohës, që do i bjerë murit me kokë.

Unë do doja të fitonte, por Sali Berisha nuk do fitojë dot. Problemi kryesor që ka Berisha është se nuk mund të ndërtojë dot një parti, që është kundër kohës e kundër historisë. Kjo është lëvizje që rri tek një gjuhë, që nuk pranohet nga populli shqiptar. Është lëvizje që nuk sheh nga vetja. E thotë të vërtetën për Ramën, por për veten nuk e thotë. PD e Berishës është ajo që ka humbur zgjedhjet dhe aq më tepër që ka izolim ndërkombëtar. Kjo parti duhet të përkrahë reformën në drejtësi, të reformohet e atëherë do mundë Ramën thellë. Pastaj duhet një koalicion i madh, që qeveria Rama të bjerë. Do doja që Berisha ta fuste PD-në në një kurs pro reformës në drejtësi. Nuk besoj se do ta bëjë, marrëdhënia e PD me SPAK do jetë përplasja e prandaj nuk fiton dot”, tha Zekthi.

Më tej, analisti Zekthi shtoi se kryeministri Edi Rama ka interes politik që Berisha të jetë i lirë dhe të godasë SPAK-un.

“Edi Rama ka interes që SPAK të bëhet copë-copë, sepse rreziku kryesor për maxhorancën është SPAK-u. Rama nuk do që SPAK të hetojë njerëz shumë të lartë në pozita. Edi Rama nuk do që SPAK të prishë gjendjen e dikurshme. Rama do gjendjen që vjen në pushtet politikani A ose B. Edi Rama nuk do që Berisha të hetohet fare, pasi kështu fiton. Rama ka interes politik që Berisha të jetë i lirë dhe të godasë SPAK”, deklaroi Zekthi.

‘Sky’ dhe ‘Encrochat’ fundosën bosët e krimit, eksperti zbulon kush i solli telefonat e enkriptuar në Shqipëri!

Që të përdorësh aplikacionin ‘Sky ECC’, duhet të kesh një lloj telefoni specifik. Eksperti i sigurisë Lavdrim Lita ka zbuluar detaje të reja në lidhje me aplikacionin ‘Sky ECC’, i cili ishte kthyer në parajsën e komunikimit të botës së krimit në vendin tonë.

Duke folur në emisionin “Shqipëria LIVE”, ai tha se në vendin tonë, telefonat e enkriptuar për përdorimin e këtij aplikacioni vijnë nga mafia serbe.

Këta persona, ia shesin një shqiptari, i cili i shpërndan tek bandat dhe personat që e përdorin aplikacionin. Ai shtoi se identiteti i këtij personi deri më sot mbetet mister.

Që të përdorësh aplikacionin ‘Sky ECC’, duhet të kesh një lloj telefoni specifik. Shitësit e këtyre telefonave janë nga mafia serbe, Janë sjellë në veri rreth 1000-1500 telefona të enkriptuar dhe më pas, ata janë shpërndarë nga një shqiptar. Kompania kanadeze ua shiste shpërndarësve të saj, teksa tregtarët më të mëdhenj janë serbët. Nuk është zbuluar ende deri më sot kush është personi që i shiste në Shqipëri dhe që kujdesej për to. Personat që i përdornin paguanin rreth 2000 euro në javë, sepse ndryshe llogaria e tyre u mbyllej”, tha ai.

“Ndodhin 7 aksidente rrugore në ditë’, raporti i INSTAT tregon rritjen e shifrave krahasuar me 2023

Çdo ditë në Shqipëri kanë ndodhur mesatarisht 7 aksidentet rrugore në ditë gjatë vitit 2024. Vetëm në 10 muajt e parë të këtij vitit janë regjistruar 1,857 aksidente rrugore, 556 më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Tashmë ëshë e faktuar me anë të statistikave se numri i aksidenteve rrugore si dhe personave të lënduar prej tyre vjen në rritje nga një vit në tjetrin.

Të dhënat e fundit të publikuara nga INSTAT, nxjerrin në pah se vetëm në muajin tetor janë regjistruar 142 aksidente, me 186 persona të lënduar, disa prej tyre kanë humbur jetën.

Krahasuar me tetorin e vitit 2023, aksiendentet janë rritur me 44,9%. Sjellja e drejtuesit të mjetit dhe mos respektimi i rregullave të qarkullimit rrugor është bërë shkak për aksidentet në 90% të rasteve. Ndërsa grupmosha mbetet ajo 25-34 vjec me numrin më të  lartë të aksidenteve.

Në harkun kohorë të 10 muajve të vitit 2024, shumica e aksidenteve kanë ndodhur në Tiranë, pasuar nga Durrësi, Lezha,Fieri dhe Gjirokastra, ndërsa më pak aksidente kanë ndodhur në Berat.

Shefi i Shërbimit të Inteligjencës britanike: Rusia po kryen fushatë sabotimi në Evropë, duan të nxisin frikë për…

Rusia po kryen “fushatë të pamatur” sabotuese në Evropë dhe po ashtu po intensifikon retorikën bërthamore për të frikësuar shtetet e tjera në mënyrë që të mos e mbështesin Ukrainën, tha shefi i spiunazhit i Britanisë.

Richard Moore, që udhëheq shërbimin e inteligjencës sekrete britanike, të njohur si MI6, gjatë një fjalimi në Paris më 29 nëntor tha se nëse presidenti rus, Vladimir Putin, do të ketë sukses që ta shndërrojë Ukrainën në një shtet vasal, ai nuk do të ndalet aty.

Siguria jonë, britanike, franceze, evropiane dhe transatlantike, do të rrezikohej”, tha ai. “Ne kemi zbuluar një fushatë të pamatur të sabotimit rus në Evropë, edhe teksa Putin dhe aleatët e tij përdorin kërcënimet bërthamore për të nxitur frikë lidhur me pasojat e ndihmës së Ukrainës”, shtoi ai.

Moore tha se dihet çmimi i mbështetjes së Ukrainës, por shtoi se “çmimi i mosveprimit do të ishte pafundësisht më i lartë. Nëse Putini ka sukses, Kina do të peshonte pasojat, Koreja e Veriut do të inkurajohej dhe Irani do të bëhej edhe më i rrezikshëm”.

Fjalimi i Moore duket se kishte për synim të bashkonte aleatët evropianë dhe u drejtohej edhe skeptikëve lidhur me rëndësinë e Ukrainës.

Edhe shefat e tjerë të inteligjencës perëndimore kanë paralajmëruar se Rusia ka intensifikuar veprimet sabotuese. NATO dhe shërbimet perëndimore të inteligjencës kanë thënë se Rusia qëndron prapa një sërë aktivitetesh armiqësore në mbarë zonën euroatlantike, sikurse janë sulmet e vazhdueshme kibernetike, gjë që Moska i mohon.

Shërbimi i inteligjencës së brendshme të Mbretërisë së Bashkuar tha muajin e kaluar se shërbimi i inteligjencës ushtarake ruse, GRU, po synonte të nxiste “kaos” në Britani dhe Evropë./REL