Sipas Kristina Vokos, Drejtoreshë Ekzekutive e BIRN Albania “miti se, pavarësisht problemeve, media shqiptare përfaqëson pluralizëm këndvështrimesh, është rrëzuar. Një grup i vogël familjesh mbërrijnë më shumë se sa gjysmën e audiencës dhe kanë mbi 90% të të ardhurave në tregun tonë të medias”. Ndërsa Olaf Steenfadt, drejtori global i Projektit të RSF Monitori i Pronësisë së Medias theksoi se, “pas shumë dekadash tranzicioni dhe përpjekjeve të shumta nga aktivistët e shoqërisë civile brenda Shqipërisë, si dhe pas kontributeve të rëndësishme nga bashkësia ndërkombëtare, panorama e medias duket se po rrëshket nga rruga drejt pavarësisë, pluralizmit dhe qëndrueshmërisë”, shprehet Steenfadt, duke i bërë thirrje “elitave të kuptojnë vlerën e një sektori mediatik me të vërtetë të shëndetshëm dhe të veprojnë në mënyrë të përshtatshme, duke marrë parasysh edhe përpjekjet e vendit për anëtarësim në Bashkimin Europian”.
Sejko me FMN, tetë çështje në diskutim, nga deeurozimi tek politika monetare
Tetë çështje, nga deeurozimi te politika monetare, u vendosën në fokus të takimit që Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, pati me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar në kuadër të monitorimit, pas përfundimit të marrëveshjes. Zhvillimet makroekonomike në vend zunë vend në diskutimin mes palëve, duke vënë theksin te treguesit kryesorë. Po kështu, takimi u ndal tek parashikimet për rritjen ekonomike të këtij viti, duke vlerësuar treguesit direktë dhe indirektë.
Guvernatori Sejko u ndal tek masat e marra nga Banka e Shqipërisë në funksion të nxitjes së konsumit dhe investimeve, si një kontibut i drejtpërdrejtë në ekonomi. Në kuadër të kësaj, kreu i BSH dha detaje mbi efikasitetin e politikës monetare, përcjelljen e saj tek interesi i kredisë dhe stimulit të përgjithshëm monetar në ekonomi.
Konsolidimi fiskal ishte çështja e katërt ku u ndalën bisedimet mes palëve, një çështje që FMN e ka pasur në vëmendje të veçantë, sidomos gjatë programit trevjeçar që pati me Shqipërinë, duke vënë theksin tek rritja e bazës së të ardhurave, ulja e shpenzimeve dhe caktimi i një rregulli fiskal për uljen e borxhit publik.
Banka e Shqipërisë ka dhënë detaje edhe mbi pritshmëritë e saj për ecurinë e kreditimit si dhe gjendjen e përgjithshme të sistemit bankar. Rënia e kredive të këqija dhe situata e tyre aktuale, pas zbatimit të një pjese të planit të masave e nisur tashmë prej kohësh, u bënë gjithashtu pjesë e analizës në takimin mes Guvernatorit dhe FMN.
Deeurozimi si një nga reformat më të fundit të Bankës së Shqipërisë u bë pjesë e diskutimit, ku u dhanë detaje lidhur me mënyrën sesi do të zbatohet si dhe impaktet e pritshme në ekonomi.
INSTAT, bie punësimi te Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme
INSTAT ka publikuar statistikat për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për vitin 2016. Sipas statistikave punësimi në NVM ka shënuar një rënie me 0.3%. Rreth 81,0% e të punësuarve janë punësuar nga NVM nga 81,3% që ishte në vitin e kaluar. Sektori i tregtisë punëson 23,0% të NVM-ve, i ndjekur nga sektori i shërbimeve të tjera me 16,1% dhe sektori i industrisë përpunuese me 15,1%. Sektorët me numrin më të vogël të të punësuarve në NVM-të janë sektori i industrisë nxjerrëse me 1,3% dhe sektori i energjisë elektrike, ujit dhe menaxhimit të mbetjeve me 2,2%. 77,8% të shitjeve neto realizohen nga NVM nga 77,6% të realizuara vitin e kaluar. Sektori i tregtisë mbizotëron me 43,4% të shitjeve neto. I ndjekur nga sektori i ndërtimit me 8,9% dhe nga sektori i industrisë përpunuese me 8,6%. Sektori me përqindjen më të ulët të shitjeve të realizuara nga NVM-të është sektori i industrisë nxjerrëse me 1,3%. 74,9% të investimeve kryhen nga NVM.
Kjo përqindje është rritur krahasuar me vitin e kaluar ku NVM investuan 66,5%. Sektori me përqindjen më të lartë të investimeve të kryera në NVM-të është sektori i energjisë elektrike, ujit dhe menaxhimit të mbetjeve me 34,5%. Nga ana tjetër, sektori i industrisë nxjerrëse ka përqindjen më të ulët të investimeve prej 2,1%. 66,9% të vlerës së shtuar realizohet nga NVM nga 66,3% të realizuara një vit më parë. Sektori që zë përqindjen më të lartë në vlerën e shtuar është sektori i tregtisë me 19,7%, i ndjekur nga shërbimet e tjera me 12,5%, sektori i industrisë përpunuese me 10,4% dhe ndërtimi me 10,2%. Sektorët me përqindjen më të ulët janë sektori i industrisë nxjerrëse me 2,0% dhe sektori i energjisë elektrike, ujit dhe menaxhimit të mbetjeve me 3,4%. Nëntë nga dhjetë ndërmarrje punësojnë më pak se 5 punonjës. Ndërmarrjet me 250+ të punësuar edhe pse përbëjnë vetëm 0,1%, punësojnë 19,0% të punonjësve, kryejnë 25,1% të investimeve, realizojnë 22,2% të shitjeve neto dhe 33,1% të vlerës së shtuar.
Euro dhe dollari nuk ndalin rënien
Monedha e përbashkët ka shënuar një tjetër rënie edhe gjatë ditës së sotme, duke vendosur një tjetër rekord të ulët të 10 viteve të fundit. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 131.57 lekë, me një rënie të fortë prej 0.26 lekësh në krahasim me ditën e mëparshme. Kjo është rënia më e fortë ditore që prej 15 janarit të këtij viti. Monedha e përbashkët u këmbye sot në nivelin më të ulët që nga gushti i vitit 2009.
Në rënie ka qenë edhe dollari, duke treguar për një dobësi të të gjitha valutave ndaj monedhës vendase. Një dollar u këmbye sot me 106.7 lekë, me një tkurrje prej 0.32 lekësh në krahasim me ditën e mëparshme. Edhe dollari po luhatet në nivelet më të ulëta të katër viteve. Në rënie, si rrallëherë kanë qenë të gjitha monedhat e tjera, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Në bursat ndërkombëtare euro këmbehet me 1.23 dollarë, në rënie të lehtë në krahasim me fundjavën e kaluar, por afër nivelit më të lartë të tre viteve të fundit.
Por, si shpjegohet ky mbiçmim i dukshëm i lekut në një ekonomi, ku deficiti i llogarisë korente është ndër më të lartët në rajon (rreth 10% të prodhimit të brendshëm bruto) dhe deficiti tregtar vijon të jetë i lartë për shkak të importeve që janë gati sa dyfishi i eksporteve. Nga ana tjetër, kjo nuk është një periudhë kur ka hyrje të valutës nga turistët, apo nga emigrantët. Ekspertët thonë se arsyet janë disa: Së pari, në treg po konstatohet një nivel i lartë valute cash i pakontrolluar që ka rritur dukshëm ofertët në euro, por edhe dollarë.
Së dyti, qarkullimi i monedhës vendase në ekonomi është i ulët. Së treti, politika e deeuroizimit të Bankës së Shqipërisë ka dekurajuar përdorimin e euros, duke bërë që kursimtarët të mos kenë interes ta mbajnë në banka, çka në afatin e shkurtër rrit ofertën në valutë. Së katërti, në datën 13 bizneset nxitojnë të paguajnë TVSH-në, pasi dita e nesërme që është afati i fundit është pushim. Bizneset që punojnë me valutë nxitojnë ta thyejnë atë. Së katërti, këmbimet e kompanive të huaja nuk po rezultojnë të larta. Ekspertët e tregut pohojnë se, përgjithësisht këtë periudhë ka kërkesë të madhe për valutë, për shkak të transferimit të fitimeve nga bizneset me kapital të huaj. Ekspertët presin që monedha vendase të vijojë të jetë e fortë sidomos me afrimin e verës, kur pritet ardhja e turistëve dhe e emigrantëve.
Importi rrezikon prodhuesit vendas
Sasia më e madhe e mallrave të prodhuara në Kosovë vazhdon të mbetet brenda territorit të vendit, duke bërë që shteti i Kosovës të jetë i varur nga importi i pothuajse të të gjitha produkteve të nevojshme nga vendet e rajonit, por edhe të Evropës. Kontributi i eksporteve në volumin tregtar në vit mbetet shumë i ulët, me rreth 300 milionë euro, kurse importi rreth 3 miliardë euro. Pavarësisht kushteve të rënda me të cilën përballet industria e prodhimit dhe tregu nuk mbulohet qind për qind me produkte “Made in Kosova”, megjithatë ka prodhime dhe shporta e konsumatorit mund të mbushet me produkte vendore. Por, disa qytetarë ende hezitojnë të furnizohen me këto produkte. Arlinda Berisha qytetare nga Prishtina, konsideron se prodhimet e industrisë së qumështit janë cilësore, por dyshon në cilësinë dhe kualitetin e produkteve tëtjera. “Jo të gjitha produktet janë cilësore, por ka të mira. Unë produktet e qumështit në shumicën e rasteve i blej nga prodhuesit vendorë”, thotë Arlinda. Kohëve të fundit me produktet kosovare ka filluar ta mbush shportën një qytetar tjetër, Blerim Ademi.
Ai thotë se është i kënaqur më cilësinë e prodhimeve, madje shprehet se paragjykimet e shoqërisë kanë ndikuar që prodhimet vendore të mbesin në vitrinat e dyqaneve. “Kam filluar të blej produkte ‘Made in Kosova’ është përmirësuar cilësia e tyre. Kur fillon t’i konsumosh, atëherë do nuk ndërrohen me produktet e tjera”, thotë Ademi. Ndryshe, përfaqësues të komunitetit të biznesit në Kosovë, thonë se duhet gjetur forma që paratë e buxhetit dhe qytetarëve të mbeten në Kosovë. Safet Gërxhaliu kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se, nëse vendi shndërrohet në shoqëri të varur nga importi, në Kosovë do mbillet varfëria dhe do vështirësohet perspektiva për zhvillim ekonomik. “Po, mbi të gjitha, paraja e diasporës, që fitohet me mund të madh nuk e meriton paraprakisht të jetë e gjykuar për t’u eksportuar, për të blerë mallra në vendet e rajonit”. “Në këtë drejtim janë bërë hapa, mirëpo nuk mjafton që të jemi të kënaqur, sepse krahas subvencionimit, ekonomia kosovare ka nevojë për mbrojtje nga një të themi agresivitet i vendeve të rajonit, të cilët në forma të shkruara dhe të pashkruara përgatitin pako të veçanta fiskale, vetëm për ta shkatërruar ose për ta shkatërruar prodhimin e Kosovës”, thotë Gërxhaliu.
Posta në situatë kaotike, s’ka para për paga
Bordi i Drejtorëve i ndërmarrjes publike Posta e Kosovës ka njoftuar se gjendja financiare në Postë është duke u rënduar nga muaji në muaj, ku si pasojë janë shkaktuar vonesa në ekzekutimin e pagave për mbi një mijë punonjës të Postës. Bordi i Drejtorëve nëpërmjet një komunikate thotë se ka shqyrtuar sot gjendjen financiare në këtë ndërmarrje. “Pas shkresave dhe njoftimeve që iu kanë drejtuar qeverisë, Bordi nuk sheh zgjidhje tjetër përveç t’i drejtohet edhe publikisht qeverisë së Kosovës, punëtorëve të Postës, sindikatave dhe opinionit publik se, gjendja financiare në Postë është duke u rënduar nga muaji në muaj. Kjo gjendje ka ardhur si pasojë e humbjeve financiare që ka Posta në ofrimin e Shërbimit Postar Universal si dhe në mos shlyerjen e obligimeve financiare për shërbimet që i ofron për operatorë të caktuar. Posta e Kosovës është e obliguar me ligj të ofrojë Shërbimin Universal Postar pa marrë parasysh koston dhe humbjen e vazhdueshme me vite të tëra. Nga ana tjetër, qeveria e Kosovës është e obliguar me ligj që të mbulojë humbjet në këtë shërbim. Për këtë ekziston edhe një marrëveshje mes Postës dhe Ministrisë për Zhvillim Ekonomik.
Për më tepër, edhe Gjykata e ka shqyrtuar këtë çështje dhe ka kërkuar nga MZHE që të kompensojë humbjen financiare që ka pësuar Posta gjatë ofrimit të këtij shërbimi. Deri më tash nuk kemi pasur mirëkuptim dhe gatishmëri nga qeveria që të zbatohet ligji dhe vendimet e gjykatës. Për shkak të mos mbulimit të këtij shërbimi, Bordi i Drejtorëve është obliguar që në fillim të vitit 2015 të bëj uljen e pagave për të gjithë punonjësit e Postës së Kosovës, gjithashtu, në fillim të vitit 2013 të ndalojë sigurimin shëndetësor për të gjithë punonjësit dhe të bëjë uljen e të gjitha shpenzimeve operative deri në masën ku ndonjëherë është penguar edhe operimi i mirëfilltë në ndërmarrje”, thuhet në komunikatë. Gjendja sipas Bordit, është rënduar edhe më shumë muajve të fundit, duke shkaktuar vonesa në ekzekutimin e pagave për mbi një mijë punonjës të Postës. Vonesa e ekzekutimit të pagave me kohë, Bordi thotë se ka shkaktuar pakënaqësi të theksuara në mesin e punëtorëve dhe sindikatave, të cilët kanë paralajmëruar grevë dhe protesta. “Kryeshefi Ekzekutiv dhe menaxhmenti, pavarësisht punës që kanë bërë edhe në lançimin e produkteve dhe shërbimeve të reja dhe në ngritjen e të hyrave në ndërmarrje, çdo vit, kjo rritje e të hyrave prapë ka qenë jo e mjaftueshme për të krijuar stabilitet financiar për ndërmarrjen pa u mbuluar Shërbimi Universal Postar.
Menaxhmenti i ndërmarrjes ka dërguar dhjetëra shkresa në qeveri për mbulimin e Shërbimit Universal Postar si obligim ligjor që ka qeveria, por deri më tani nuk është rimbursuar ky shërbim dhe si rrjedhojë ka sjellë ndërmarrjen në një gjendje të vështirë financiare për ekzekutimin e pagave. Menaxhmenti ka dërguar në qeveri në muajin nëntor të vitit 2017 edhe planin konkret për arritjen e qëndrueshmërisë afatgjatë financiare të Postës, me propozime dhe ide konkrete për shërbime dhe produkte të reja, përfshirë edhe propozimin për themelimin e Bankës Postare. Këto shërbime të kërkuara i kanë shumica e vendeve të rajonit dhe Evropës. Mirëpo, deri më tash nuk pa pasur asnjë përgjigje nga Aksionari (Qeveria). Duke e analizuar këtë situatë, ne njoftojmë qeverinë e Kosovës dhe opinionin publik se më datën 1 prill 2018 do të vijmë në një gjendje ku ndërmarrja mos të mund të bëjë ekzekutimin e pagave të punonjësve dhe të përballemi me aktivitete të ndryshme sindikale, të cilat ne i kuptojmë si të arsyeshme”, thuhet në komunikatën e Bordit. /Telegrafi/
RSF: Si i përdor Rama shpifjet për të mbuluar skandalet e tij
Organizata ‘Reporters Without Borders’ (RSF), me seli në Paris të Francës dhe BIRN Albania kanë publikuar të dhënat e një investigimi mbi median në vendin tonë, duke e konsideruar mit lirinë e saj. Në investigimin me titull “Media Ownership Monitor Albania” (MOM) konfirmohen akuzat që shumë gazetarë dhe intelektualë bëjnë ndaj kryeministrit Edi Rama, kur shprehen se ai sulmon pa të drejtë gazetarët që i drejtojnë pyetje, por ndërkohë mban lidhje të ngushta me pronarët e mediave. “Siç pasqyrohet në detaje, tregu shqiptar i medias kontrollohet nga një numër i vogël dhe i fuqishëm pronarësh me lidhje të forta politike. Në të njëjtën kohë, një numër i vogël gazetarësh dhe mediash të pavarura përballen shpesh me intimidim dhe abuzime verbale nga politikanët. Gjatë një konferencë në tetor të 2017-ës, kur u përball me pyetje për lidhjet e ministrit të tij të Brendshëm me një bandë të trafikut të drogës, kryeministri Edi Rama sulmoi gazetarët, duke i quajtur “injorantë”, “helm”, “kazan”, “skandalozë”, “sharlatan” dhe “armiq publik”. Retorika e Ramës përmban shpesh denigrimin e mediave. Gjatë viteve të fundit, ai ka preferuar gjithnjë e më shumë komunikimin nëpërmjet mediave sociale, duke shmangur gazetarët.
Disa komentues mendojnë se, “strategjia e abuzimit” që qëndron pas gjuhës së larmishme të përdorur nga Rama kundër mediave, synon të largojë vëmendjen e publikut nga skandalet, duke ofruar një spektakël televiziv të gatshëm. Të tjerë e shohin si një përpjekje për të delegjitimuar gazetarët dhe mediat kritike dhe të pavarura që nuk kontrollohen nga oligarkët, politikanët dhe miqtë e tyre”, thuhet në artikull. RSF denoncon edhe Autoritetin e Mediave Audiovizive si një institucion të kontrolluar nga politikanët dhe korporatat e mëdha. Në investigim konfirmohet fakti se shumë gazetarë detyrohen të vetëcensurohen për shkak të interesave politike dhe ekonomike që kanë pronarët e tyre. 80% e gazetarëve në Shqipëri pohojnë se nuk ndihen të sigurt për vendin e tyre të punës. “Tregu i medias në Shqipëri është i kontrolluar nga një grup i vogël pronarësh me lidhje të forta politike”: ky është një ndër përfundimet në të cilat ka arritur një studim i realizuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative në Shqipëri (BIRN Albania) dhe Reporterë Pa Kufij (RSF). Përmes një kërkimi tre mujor, rezultatet e “Monitorit të Pronësisë së Medias në Shqipëri” hedhin dritë mbi tregun e shqiptar të medias, duke publikuar se kush e ka nën pronësi dhe kush e kontrollon median. Monitorimi tregon “nivel shumë të lartë përqendrimi të audiencës në tregun shqiptar të medias”.
Sipas rezultateve “katër pronarët kryesorë në segmentin e televizioneve arrijnë gjysmën e audiencës totale (mes 48.93% dhe 58,60%. Tre pronarë kanë pesë licenca transmetimi dixhital, nga të cilat njëri ka marrë tre. Në radio, përqendrimi i audiencës është edhe më i lartë, ku katër pronarë kontrollojnë pothuajse dy të tretat (63.69%) e audiencës. Një nivel mesatar përqendrimi mund të dallohet vetëm te shtypi, ku katër pronarët kryesorë kanë një lexueshmëri të kombinuar prej 43.29%”. Ndërsa matjet edhe të pronësisë ndërsektoriale të medias, TV, shtyp, radio dhe online, “zbuluan se të tetë pronarët kryesorë arrijnë një audiencë që varion nga 72,1% deri në 80.1%”. Sa i përket “përqendrimit në treg”, studimi nënvizon se “tregu shqiptar i medias është i vogël dhe i mbisaturuar, duke krijuar presione të ashpra ekonomike” Nga analiza 12 të përditshmeve kombëtare “u identifikua një pronar që kontrollon 54% të tregut. Të katër botuesit kryesorë në vend kontrollojnë bashkërisht 86.5% të tregut të shtypit. Pavarësisht se numri i lartë i mediave sugjeron një varietet sasior oferte, të dhënat financiare tregojnë se, pjesa e luanit në të ardhura është e përqendruar në pak grupe mediatike nën pronësi familjare.
Përqendrimi brenda tregut të transmetimeve televizive pa pagesë te katër pronarët më të mëdhenj është 89.6% – ku dy më të mëdhenjtë më vete kontrollojnë më shumë se dy të tretat e tregut (71.7% të të ardhurave) – dhe rritet në 94% në rast se përfshihen edhe rrjetet e transmetimit dixhital si dhe transmetuesi publik”. Sipas studimit “masat rregullatore mbrojtëse mungojnë. Megjithëse tregu i medias audiovizuale është i rregulluar me ligj, shumica e ekspertëve të medias e perceptojnë organin rregullator, Autoritetin e Medias Audiovizuale, si nën ndikim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të aktorëve politikë dhe korporativë”. Rezultatet e kërkimit, bazuar në metodologjinë e ndjekur, arrijnë në përfundimin se “kontrolli politik mbi mediat në Shqipëri vlerësohet si i lartë. Audienca e pronarëve me lidhje politike varion nga 65,18% në 75,86%”. Një situatë e tillë sipas studimit ka bërë që, “për shkak të presionit që vjen nga pronarët e medias me interesa politike dhe ekonomike, shumë gazetarë shqiptarë përdorin vetëcensurën. Përveç rrjetit të komplikuar që krijohet rreth interesave të lidhura të pronarëve të medias, klima e medias në Shqipëri është nën presion edhe nga një seri faktorësh të tjerë, përfshirë reklamuesit e mëdhenj korporativ dhe institucionet qeveritare. Gjithsesi, asnjë nga këto faktorë të jashtëm nuk luan një ndikim aq të madh për t’i shtyrë gazetarët drejt vetëcensurës se sa interesat ekonomikë dhe politikë të pronarëve”.
Lubonja: Enverit i hoqën zvarrë statujën, Ramën do e tërheqin njerëzit të gjallë
Analisti Fatos Lubonja ka komentuar sot në studion e News24 në rubrikën “Opinion” projektin e teatrit të ri kombëtar që do të zëvendësojë aktualin. Lubonja i quajti mashtrues ordinerë si kryeministrin Rama ashtu edhe ministren e Kulturës, duke iu referuar deklaratave të mëparshme se nuk ka projekt për teatrin. “Ministrja tha s’ka projekt para një jave, dje doli projekti. Këta tallen me njerëzit, por këta s’kanë as dinjitet. Janë kthyer në mashtrues ordinerë, me në krye kryemashtruesin Edi Rama. Këta na kanë vënë poshtë. Mbrapa teatrit do ngrihen katër kulla që sipas disave do shkatërrojnë edhe sarajet. Dikush thotë që do i fusin në xham. Këto janë çmendurira. Çështja është këtu, a është çmenduria e Edi Ramës që po i përdor këta oligarkët? Është babëzia e këtyre? Apo është pastrim parash, sepse aty nuk ka asgjë tjetër dhe këto kulla janë çmimi që paguan qyteti. Pikëpyetje që duhet të ngrejë shoqëria shqiptare dhe jo është i bukur apo nuk është i bukur ai projekt. Për mua është i bukur ai projekt që është, sepse ka histori”, u shpreh Lubonja, raporton “BalkanWeb”. Ai tha se është pro rikonstruksionit të teatrit aktual pa e prishur strukturën e tij. “Logjika është që duhet të rikonstruktohen. Po të suvatohej ky shumë mirë, ai është një kompleks historik dhe shumë i bukur. Nga brenda ka nevojë t’i vihet dorë. Megjithatë nuk do të thotë që ne të kemi vetëm një teatër. Ti mund të bësh teatër tjetër”, tha analisti.
Fatos Lubonja ka shpërthyer sot fort kundër projektit të ri të Teatrit Kombëtar që është prezantuar dje. Duke komentuar për News 24 shfaqjen e djeshme pa oponentë dhe pa konkurs, ai tha se edhe në kohën e diktaturës për vepra të tilla kishte oponencë. “Edhe në kohën e Enverit kishte oponencë, merej mendim më i gjërë, nuk vendoste një njeri i vetëm si tani tha Lubonja i cili shtoi plot pezëm se me këto që po bën Rama do përfundojë më keq se Hoxha: “Atij i tërhoqën zvarë statujët, këtë do ta tërheqin njerzit të gjallë” tha ai.
“E para gjë që dua të komentoj nuk është projekti por është mënyra se si paraqitet projekti, në një zyrë të Kryeministrisë, një projekt që edhe në kohën e Enver Hoxhës ka pasur oponencë, ka pasur edhe konkurse, nuk emërohej vetëm. Ideja e konkursit ideja e konsultimit me publikun e shfaqjes së disa projekteve është gjeja e parë që kërkohet në një demokraci. Në Gjermani ishte një projekt nuk e di për një stadium, apo aeroport i Hitlerit u paraqit e doni kështu apo e doni ashtu. Dhe votoi me referendum populli i Berlinit. Pra bota përdor të tilla forma për këto projekte që janë kaq të rëndësishme. Ndërkohë që e gjithë shoqata e arkitektëve është kundër, ndërkohë që kushdo që flet jashtë skemave të Edi Ramës është kundër ne na imponohet me dhunë një projekt” tha ai për News 24.
Çipi: Projekti i Teatrit, plagjiaturë e studios ukrainase
Një ditë pasi kryeministri Edi Rama prezantoi projektin për Teatrin e ri Kombëtar, vepër e arkitektit danez, Bjarke Ingels, dalin dhe zërat e parë se bëhet fjalë për plagjiaturë.
Deklarata e fortë bëhet nga regjisori Kastriot Çipi, i cili thotë se, projekti i Ramës për TK është në fakt projekti i studios ukrainase Forma, fitues i çmimit të tretë (pra i skualifikuar) në konkursin për Operan e Busanit në Korenë e Jugut”.
Postimi i Çipit
Plagjiaturë e arkitektit danez apo paljaçatë e pushtetit? Projekti i Ramës për TK është në fakt projekti i studios ukrainase Forma, fitues i çmimit të tretë (pra i skualifikuar) në konkursin për Operan e Busanit në Korenë e Jugut. Shikojini fotot dhe gjykoni vetë!
Faleminderit për zbulimin Ervin Goci!
Faqja e studios Forma dhe projekti:
http://www.formaarchitects.com/projects.php?i=56
Teatri i ri me 4 kulla, arkitektët: Humbim një vlerë historike
“Do të shembet, sepse ai nuk bën as për teatër komune dhe jo për një teatër kombëtar”, është shprehur Rama.
I projektuar nga një prej arkitektëve më të njohur në botë, danezi Bjarke Ingels, teatri i ri kombëtar do të ketë hapësira tre herë më të mëdha se teatri aktual.
Ndërtesa moderne parashikon katër salla shfaqjesh nga një që është aktualisht si dhe kushte shumë më të mira për artistët. Por ky projekt vjen me një kosto.
“Me këtë nismë ne humbasim një vlerë historike të Tiranës”, thotë Ledian Bregasi, kryetar i Unionit të Arkitektëve.
Teatri i ri do të ndërtohet me koncesion nga një kompani private. Por bashkë me ndërtesën e teatrit, që do i shërbejë, publike privati do të ngrejë edhe 4 kulla për përfitimin e tij, pikërisht në qendrën historike të Tiranës.
“Është e pavend të komentojmë për projektin. Ai projekt është modern dhe mund të rrinte shumë mirë në çdo vend të botës, por jo aty. Tirana ka shumë zona që mund të zhvillohej, fjala vjen Bulevardin e Ri”, vijon Bregasi.
Argumenti kryesor i qeverisë është se nuk ka para ta ndërtojë teatrin vetë, ndaj ka zgjedhur këtë skemë. Por a është kjo zgjidhja e vetme për të patur një teatër më funksional dhe më të denjë?
“Ka disa zgjidhje. Ai mund të bëhej edhe thjesht, duke rindërtuar teatrin ekzistues ose duke bërë ndërhyrje për ta bërë atë më funksional dhe më të mirë”, shprehet kreu i Shoqatës së Arkitektëve.
Projekti i teatrit të ri ka shkaktuar shumë debate edhe mes vetë artistëve. Të gjithë bien dakord se, Shqipëria ka nevojë për një teatër më të mirë. Por jo të gjithë janë dakord me zgjidhjen e qeverisë.