24.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Gusht, 2025

Artistët kundër projektit: Paqartësi për skenën dhe sallën qendrore

Pas prezantimit të projektit të ri për godinën e Teatrit Kombëtar, një grup i sindikatës së artistëve të skenës u mbodhën sot për të diskutuar rreth tij.
“Kemi një mbledhje për të diskutuar për projektin e djeshëm. Ne që s’ishim, ne armiqtë e klasës. Urdhër nga drejtori nuk lejojnë të hyjnë në godinën e TK. Dmth aty ku ne punojmë nuk lejohemi të hyjmë. Një projekt, i cili nuk ka lidhje me klasikun e TK. Me qelq e pamë TK, shiheshin aktorët se si visheshin, se si zhvisheshin, do të futen nga poshtë kur ti zerë shiu. U kënaqëm ne”, thotë aktori Arben Derhemi.
Artistët ndajnë mendime të ndryshme rreth projektit, por pothuajse të gjithë bien dakord që janë të paqartë për skenën dhe sallën qëndrore të teatrit në projekt.
“Kryeministri e deklaroi qartë që ky është një projekt për TK. Do të realizohet, nuk ka kthim mbrapa. Pashë edhe projektin në tërësi. Ishte atraktiv. Por, paqartësinë time e kam, sepse nuk pashë parametrat e sallës kryesore të sallës së TK”, thotë Helidon Fino.
“Kur kam qenë në projektin e turbinës dhe TOB është dhënë me detaje nga arkitekti salla, prapaskenat, ku do rrijë garderoba, ku do rrijë aktori, ku do punohet”, thotë aktorja Erjona Kakeli.

“Sigurisht që nuk ishim të ftuar. Ishin të ftuar disa të tjerë, kolegët tanë. Shumë mirë që ishin, por nëpërmjet mediave pamë një shfaqje shumë të shëmtuar të kryeministrit, një tallje që ai bëri me të gjithë komunitetin tonë dhe një arrogancë të paparë”, thotë Anila Bisha.
Artistët gjithashtu shprehen edhe kundër partneritetit publik privat, për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, ashtu siç të hënën e deklaroi edhe aktori i mirënjohur Rober Ndrenika.
“Kaq i pafuqishëm qenka nga ana financiare sa të ndërtojë një teatër siç i takon dhe siç është dinjiteti i shtetit shqiptar për një Teatër Kombëtar, një opera kombëtare, një galeri kombëtare, të denjë për Shqipërinë europiane të shek XXI? Unë mendoj se jo”, thotë Neritan Liçaj.
Projekti i Teatrit Kombëtar është konceptuar nga arkitekti danez, Bjarke Ingels, një ndër më të famshmit sot në botë për arkitekturën bashkëkohore. Ai deklaroi një teatër me sipërfaqe të trefishuar, gjashtë hapësira, dy salla eksperimentale, përveç asaj qëndrore, një teatër veror me taracë dhe një shesh poshtë ndërtesës unike, që do të përdoret për performanca artistike.

Epidemia e fruthit, 271 raste kanë rezultuar pozitivë, shtohet numri i të rriturve

Epidemia e fruthit ka marrë të tjera përmasa. Përveç fëmijëve nën 1 vjeç, të cilët janë prekur për shkak se nuk kanë mbushur moshën për vaksinë, janë shtuar edhe rastet e të rriturve të prekur nga virusi. 271 rastet kanë rezultuar pozitivë përsa i takon të prekurve me fruth, nga të cilët përqindja më e madhe me 64% janë fëmijë nën 1 vjeç të pavaksinuar. Përveç foshnjave, ka rritje të numrit të personave të rritur që i përkasin brezit të viteve ’80-’90. Në Shërbimin infektiv në QSUT çdo ditë paraqiten mesatarisht 7 raste me simptoma të fruthit, ku një pjesë e tyre rezultojnë pozitiv. “Vetëm këto dy javë në mars kemi pasur 50 raste me simptoma të fruthit”, thotë doktor Arjan Harxhi. Mjekët thonë se këto janë raste që ose nuk e kanë bërë vaksinën ose nuk kanë kirjuar antitrupa mjaftueshëm, çka bën që kur bie në kontakt me virusin të infektohen. Aktualisht ka vetëm 7 raste të rënda të shtruar në Infektiv. “Janë me pneumoni, po shyqyr nuk ka pasur raste me encefalit”, thotë Dr. Harxhi. Numri i rasteve të prekur gjithsej ka mbërritur në 271 ku shumicën e përbëjnë fëmijët nën 1 vjeç. Rastet jo të rënda të infektuar me fruth kthehen në shtëpi duke u këshilluar nga mjekët që të izolohen në mënyrë që të mos infektojnë familjarët e tjerë. Por a respektohet kjo nga të gjithë, mbetet për t’u parë. Ekspertë të Institutit të Shëndetit Publik insistojnë në vaksinimin e të gjithë personave që i përkasin fashës së viteve ‘80-‘90 dhe po ashtu edhe të atyre që dyshojnë se kanë bërë vetëm një dozë të vaksinës.

Emery: Neymar nuk do të largohet nga PSG

Nasser al-Khelaifi ka udhëtuar për në Brazil për të takuar Neymar dhe shumë vetë e kanë interpretuar këtë udhëtim të pronarit të Paris SG si një takim për të diskutuar për të ardhmen e sulmuesit, që sipas gjasave mund të shkojë te Real Madrid vitin e ardhshëm, edhe në bazë të ndikimit të sponsorit teknik “Nike”. Al-Khelaifi do të përpiqet ta bindë Neymar të qëndrojë.
Ndërkohë, trajneri i PSG, Unai Emery, sqaroi: “Pas eliminimit nga Real Madrid do të duhet pak kohë që gjërat të kthehen në normalitet. Presidenti dhe Neymar do të kenë një takim miqësor në Paris dhe për mendimin tim është e qartë se klubi ynë ka një projekt solid që bazohet te Neymar. Al-Khelaifi dhe drejtori teknik Artero Henrique do t’i tregojnë Neymar se cilat janë planet tona për të ardhmen. Ai nuk do të largohet nga PSG”. PSG do të kthehet në fushë pasditen e së mërkurës dhe do të presë në shtëpi Angers, një ndeshje e vlefshme për javën e 31-të, por që do të luhet sot për shkak se Parisi do të luajë finalen e Kupës së Ligës kundër Monaco 31 marsin e ardhshëm, kur do të luhen edhe ndeshjet e javës së 31-të të kampionatit francez. Kryesuesit e Ligue 1 pritet të marrin tri pikët e radhës mbrëmjen e sotme duke parë se ata i kanë fituar të 15 ndeshjet e këtij kampionati që kanë luajtur në shtëpi me rezultatin e përgjithshëm 59 me 9. Skuadra e Emery kryeson me një avantazh prej 14 pikësh ndaj Monaco dhe ka shënuar 25 gola në 5 ndeshjet e fundit të kampionatit. Angers, nga ana tjetër, është në vendin e 14 të renditjes me 32 pikë, katër pikë larg zonës së rënies nga kategoria. Miqtë kanë marrë dy fitore dhe një barazim në tri ndeshjet e fundit që kanë luajtur në kampionat. Ata kanë humbur 35% të ndeshjeve të kampionatit që kanë luajtur në transfertë dhe, bashkë me Montpellier, janë skuadra që ka regjistruar më shumë barazime në ndeshjet e kampionatit të luajtura larg shtëpisë. Ndeshja e fazës së parë është mbyllur 5-0 në favor të Parisit.

Zola jep “recetën”

Gianfranco Zola po mbështet ish-klubin e tij të mëparshëm për të bërë një surprizë kundër Barcelonës në Ligën e Kampionëve. Skuadra e drejtuar nga Antonio Conte udhëton për në “Camp Nou” me barazimin 1-1 të ndeshjes së parë të 1/8 finale të Ligës së Kampionëve, me synimin për t’u kualifikuar në çerekfinale, edhe pse goli i Lionel Messit në “Stamford Bridge” e vështirëson misionin e kampionëve të Anglisë në fuqi. Zola shënoi gol në fitoren 3-1 ndaj Barcelonës, në çerekfinalen e vitit 2000, përpara se gjigantët katalanas të përputheshin me atë rezultat në ndeshjen e dytë dhe të “kalonin lumin” në kohën shtesë. Këtë herë, Zola shpreson që Chelsea nuk do të vuajë aq shumë në “Camp Nou” dhe beson se Conte me lojtarët e tij mund t’ua bëjnë jetën të vështirë udhëheqësve të La Liga-s. “Nuk do të jetë e lehtë, duke luajtur në Barcelonë është një lojë e vështirë, por Chelsea është një ekip i fortë, me lojtarë të mirë, tha Zola për ‘Omnisport’. Unë mendoj se blutë mund të shkojnë atje dhe ta befasojnë Barcelonën, ata e kanë aftësinë ta bëjnë këtë. Chelsea ka llojin e lojtarëve që Barcelona nuk i pëlqen shumë, kështu që, sipas mendimit tim, është ende një lojë e hapur. Chelsea do të duhet të mbrohet mirë. Ndeshja e parë përfundoi 1-1, ndaj Barcelona do të përpiqet ta fitojë ndeshjen e kthimit, duke mos bazuar në avantazhin e golit larg fushe. Unë jam i sigurt se katalanasit do të duan të jenë të sigurtë me fitoren. Nëse Chelsea do të mbrohet më së miri, atëherë mund ta përdorë kundërsulmin, që di ta bëjë me të vërtetë mirë”.

Barcelona dhe Chelsea do të përballen mbrëmjen e së mërkurës në “Camp Nou” për të siguruar një vend në çerekfinalet e Champions League. Takimi i parë, i luajtur tri javë më parë në “Stamford Bridge”, është mbyllur në barazim 1-1, një rezultat që mban në lojë të dy skuadrat. Barcelona ka arritur në këtë fazë të Champions-it pa shumë vështirësi duke zënë vendin e parë në një grup ku përfshiheshin Juventus, Sporting dhe Olympiakos. Gerard Pique me shokë kanë pësuar vetëm një gol në gjashtë ndeshjet e luajtura në fazën e grupeve. Katalanasit kryesojnë në La Liga me një avantazh prej tetë pikësh ndaj Atletico Madrid dhe kanë siguruar një vend në finalen e Kupës së Mbretit. Kështu, Barça është në garë për të fituar gjithçka në këtë sezon. Gijgantët e futbollit spanjoll janë një nga ekipet favorite për të triumfuar në Europë, por të mëkurën do të kenë një pengesë të vështirë për të kaluar. Ata arritën të marrin një barazim në ndeshjen e parë dhe ajo që është edhe më e rëndësishme, shënuan një gol në transfertë, që mund të rezultojë vendimtar në fund. Skuadra e Antonio Conte nuk po kalon një moment të mirë në kampionat pas dy humbjeve të njëpasnjëshme të pësuara kundër dy ekipeve të Mançesterit. Gjithsesi, në javën e fundit të kampionatit ata kanë marrë një fitore 2-1 në shtëpi kundër Crystal Palace. Aktualisht, londinezët janë jashtë zonës Champion në Premier League, katër pikë larg vendit të katërt që mbahet nga Liverpool. Ecuria e tyre në Europë ka qenë pozitive deri në këtë moment, por për të siguruar një vend mes tetë më të mirave të Europës ata duhet të shënojnë në “Camp Nou”, një gjë aspak e lehtë për t’u realizuar.

Perez gati kontratën, Ronaldo futbollisti më i paguar i historisë

Cristiano Ronaldo do të shpërblehet me një kontratë të re nga Real Madrid, pasi ka shkëlqyer në këtë fillim viti kalendarik. “Ylli” i Real ka një kontratë deri në vitin 2021, por kohët e fundit kanë qarkulluar zëra se do të largohet nga “Bernabeu” duke shtuar hipotezat për një rikthim te Manchester United. Gjithsesi, 33-vjeçari që ka shënuar 17 gola në 12 ndeshjet e fundit, ka bindur presidentin “merengues” Perez për t’i ofruar një kontratë të re, më “luksoze” në historinë e futbollit. Sipas “Mundo Deportivo”, presidenti Florentino Perez i ka propozuar portugezit ta mbyllë karrierën te Real Madrid. Me këtë marrëveshje, ai do të bëhet më i paguar se Lionel Messi dhe Neymar. Në janar, në bazë të renditjes së “Marca”, Ronaldo është lojtari i gjashtë më i paguar i planetit, me Messi në vend të parë që merr 45.7 milionë euro në sezon, Neymar 38 milionë euro në sezon dhe dy futbollistët që luajnë në kampionatin kinez Ezequiel Lavezzi (29 milionë euro) dhe Oscar (26 milionë euro). Me kontratën e re, Ronaldo do të marrë 47 milionë euro në sezon për tre vitet e ardhshme, derisa të jetë 36 vjeç dhe të mendojë për të ardhmen e tij. Mes 10 futbollistëve më të paguar të planetit janë edhe Hulk, Kylian Mbappe, Paul Pogba e Graziano Pelle. Ronaldo kishte shënuar vetëm 13 gola para Krishtlindjeve, duke ngjallur dyshime për formën e tij, por që nga ajo ditë ai ka shënuar 20 gola në të gjitha veprimtaritë për ekipin e drejtuar nga Zinedine Zidane.

Balotelli: “Itali, jam gati të vij me vrap në kombëtare”

Italian forward Mario Balotelli celebrates after scoring during the penalty shoot out of the Euro 2012 football championships quarter-final match England vs Italy on June 24, 2012 at the Olympic Stadium in Kiev. AFP PHOTO / GIUSEPPE CACACE

Mario Balotelli ka konfirmuar se e do ekipin kombëtar dhe do të shkonte me vrap, por nuk e di nëse trajneri i përkohshëm Di Biagio do ta telefonojë. Sulmuesi i Nice nuk ka luajtur me Italinë që prej Kupës së Botës 2014 dhe është grumbulluar vetëm një herë nga Antonio Conte dhe asnjëherë nga Ventura. “Nuk di asgjë, por nëse më telefonojnë do të kisha shumë dëshirë të luaja sërish për kombëtaren, por siç e thashë nuk di asgjë”, shprehet Balotelli për “Tiki Taka”. Balotelli-t i skadon kontrata me Nice në fund të sezonit, dhe është pyetur se ku do të luajë sezonin e ardhshëm. “Akoma nuk kam vendosur asgjë. Ligue 1 është më fizike, ndërsa Serie A më taktike”. “Kam gjetur qetësi shpirtërore me një person. Sekreti është shtëpia, pastaj në vitet e fundit kam pasur probleme fizike, të cilat nuk i kam më”. “Kjo më ka përmirësuar”.

Busquets i përgjigjet deklaratës së Andre Gomes

Mesfushori i Barcelonës, Sergio Busquets, përballë mediave në konferencën për shtyp, në vigjilje të sfidës së skuadrës katalanase ndaj Chelseas, e vlefshme për takimin e dytë të të tetave të Champions League, foli ndër të tjera edhe për deklaratat shokuese të shokut të tij të skuadrës, André Gomes, në lidhje me përshtatjen e vështirë te klubi blaugrana. “Ne dimë diçka, por jo në këtë pikë, sepse është një çështje shumë personale. Ne kemi tentuar që ta ndihmojmë atë aq sa ka qenë e mundur, si një hobi ne duhet të bëjmë një hap përpara dhe të jemi më pozitivë. Sipas meje Andre është gati të luajë. Unë e shoh atë në stërvitje, duke punuar maksimalisht, pastaj ndodh ajo që nuk është e mirë për askënd dhe merr problemin me vete në shtëpi. Të gjithëve na ndodh. Kjo nuk i ka ndodhur vetëm atij, por të gjithëve”, deklaroi Busquets.

Dorëzohet Manchester City

Drejtori ekzekutiv i Manchester City, spanjolli Ferran Soriano, deklaroi se nuk ka asnjë shans që klubi i tij të blejë yllin argjentinas, Lionel Messi, të cilin e takoi kur ishte menaxher i Barcelonës. “Nuk ka shanse për të blerë atë. Unë e njoh mirë Leon dhe familjen e tij dhe di që ata janë mirë në Barcelonë, që është vendi ku ai duhet të jetë. Ne do të bëjmë rrugëtimin tonë pa atë, ndonëse do të jetë më e vështirë, sepse ai është futbollisti më i mirë në historinë e futbollit”, deklaroi Soriano në një intervistë të dhënë në Buenos Aires. “Një rregull që kemi diktuar është që të mos marrim vendime pas gëzimit, ose mërzisë së përjetuar në fushën e lojës. Nëse kombinohet puna dhe vizioni afatgjatë, gjërat do të shkojnë mirë. Messi është një gjeni dhe futbollisti më i mirë në historinë e futbollit. Messi ndryshon gjithçka”, deklaroi Soriano. Soriano ishte zëvendëspresident ekonomik i Barcelonës në vitet 2003-2008, periudhë gjatë të cilës bashkëpunoi me Messin dhe Josep Guardiolan, trajnerin aktual të Manchester City, shok dhe koleg. “Sekreti më i madh i Guardiolas është puna, ai punon më shumë se çdokush tjetër. Ndonjëherë njerëzit mendojnë se ai është një gjeni dhe ai është një punëtor i madh. Ai e di që futbolli është i paskrupullt dhe kur relaksohesh, atëherë pëson katër gola”, tregoi Soriano.

Sa para do të paguajmë për pronat nga prilli 2018?

Bazuar në ndryshimet fiskale që qeveria Rama miratoi në dhjetor 2017, taksa mbi pronat do të llogaritet si përqindje e vlerës së tyre dhe jo një taksë fikse si deri më tani. Të ardhurat nga kjo taksë do të mblidhen nga pushteti lokal
Përkthyer në llogaritje konkrete, për shumicën e familjeve në Tiranë taksa për banesën do të rritet. Po ashtu do të shtohen dhe taksa për garazhet, për të cilët më parë nuk paguhej
Qytetarët shqiptarë do të paguajnë më shumë taksa për banesat, bizneset dhe pronat e tyre të tjera, që prej prillit 2018. Bazuar në ndryshimet fiskale që qeveria Rama miratoi në dhjetor 2017, taksa mbi pronat do të llogaritet si përqindje e vlerës së tyre dhe jo një taksë fikse si deri më tani. Të ardhurat nga kjo taksë do të mblidhen nga pushteti lokal.

Si do të llogaritet taksa e pronës?
Taksa për banesat, bizneset, garazhet e magazinat do të llogaritet si një përqindje e çmimit mesatar fiskal. Ky çmim është përcaktuar nga qeveria Rama gjatë procesit të rivlerësimit të shtëpive, proces i përfunduar në maj 2017. Këto çmime reference ndryshojnë në zona të ndryshme të Tiranës dhe janë çmimet që përdoren nga zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në rastet e shit-blerjeve të banesave. Më konkretisht, Tirana ndahet në 11 zona të ndryshme, të cilat brenda tyre kanë disa nën ndarje sipas zonave kadastrale, dhe çmimet e referencës variojnë nga 60 mijë lekë në 190 mijë lekë për metër katrorë. Taksa për apartamentet është sa 0,05 për qind e çmimit mesatar fiskal të zonës ku ndodhet apartamenti. Taksa për garazhet e mbyllura, ato që ndodhen kryesisht në katet nëntokësore të pallatit është sa 0,2 për qind e çmimit fiskal të zonës. Taksa për ndërtesat që përdoren për veprimtari ekonomike është sa 0,15 për qind çmimit fiskal të zonës. Përkthyer në llogaritje konkrete, për shumicën e familjeve në Tiranë taksa për banesën do të rritet. Po ashtu do të shtohet dhe taksa për garazhet, për të cilët më parë nuk paguhej.
Sa paguanim më parë për një apartament dhe sa do të paguajmë tani?
Taksa për shtëpinë, deri në vitin 2017, 15 lekë për metër katror për një shtëpi të ndërtuar para vitit 1993, dhe 30 lekë për metër katror për një shtëpi të ndërtuar pas vitit 1993.

Pra, një familje që jeton në një apartament me sipërfaqe 100 metra katrorë, kudo në Tiranë, paguante 1500 lekë në vit nëse shtëpia është ndërtuar para vitit 1993, ose 3000 lekë në vit nëse shtëpia është ndërtuar pas vitit 1993. Kjo taksë paguhej e ndarë në 12 muajt e vitit. Bazuar në formulën e re, një familje që jeton në një apartament 100 metra katrorë të ndërtuar pas vitit 1993, tek zona Komuna e Parisit (ku çmimi i referencës është 107 mijë lekë për metër katrorë), më parë paguante 3000 lekë në vit, ndërsa tani do të paguajë 5350 lekë, pra 2350 lekë më tepër. Nëse i njëjti apartament prej 100 metrash katrorë do të përdoret për biznes, taksa që duhet paguar është 16 050 lekë. Nëse familja ka në pronësi dhe një garazh prej 15 metër katrorë, atëherë duhet të paguajë dhe 3210 lekë në vit si taksë për garazhin. Vetëm në rastet kur qytetarët e Tiranës banojnë në një apartament 100 metra katrorë në ato zona ku çmimi i referencës është 60 mijë lekë (Porcelan, Kinostudion, Linzë, Bregu i Lumit, Allias, “5 Maji”) taksa e shtëpisë shkon 3000 lekë në vit, pra e barabartë me taksën aktuale për shtëpitë e pas vitit 1993. Për të gjithë banorët e zonave të tjera, taksa e shtëpisë në vitin 2018 do të rritet.

Theresa May akuzon Rusinë për helmimin e ish-spiunit Skripal

Kryeministrja britanike Theresa May tha se, qeveria ka dalë në përfundimin se ka shumë gjasa që Rusia të jetë përgjegjëse për sulmin që ndodhi gjatë këtij muaji ndaj ish-agjentit të dyfishtë rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia. Duke folur të hënën përpara Dhomës së Komuneve, kryeministrja tha gjithashtu se, agjenti nervor që ishte përdorur për sulmin ishte një substancë ushtarake që prodhohet nga Rusia. Ajo i bëri komentet, pasi kryesoi një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Presidenti rus Vladimir Putin tha sot se, Britania duhet të sqarojë qëndrimin e saj lidhur me helmimin para se Rusia të prononcohet mbi këtë çështje.
Kremlini ka hedhur poshtë akuzat se ka qenë pas helmimit dhe fillimisht tha se nuk ka interes të përfshihet në hetime, pasi Skripali ishte agjent i dyfishtë që pat punuar edhe për britanikët dhe se incidenti ndodhi në tokë britanike. Zyrtarët britanikë të shëndetësisë thanë të dielën se, gjurmët e agjentit nervor të përdorur në tentativën për vrasje në Salisbury u gjetën në një klub ku kishin qenë viktimat, por se rreziku për publikun nuk është serioz. Zyrtarët e shëndetësisë thanë se, personat që kanë qenë në klubin Mill dhe restorantin Zizzi në Salisbury, në jugperëndim të Anglisë më 4 dhe 5 mars, duhet të marrin “masa paraprake, si psh të lajnë rrobat”. “Ndërsa nuk ekziston rrezik i menjëhershëm për shëndetin e atyre që mund të ketë qenë në këto dy lokale, përsëri ka rrezik që substanca e përdorur mund të ketë patur kontakt me rrobat, ose sendet e njerëzve përreth, duke infektuar lëkurën.

Me kalimin e kohës, kontaktet e vazhdueshme me objektet e infektuara mund të përbëjnë rrezik të vogël për shëndetin”, thuhet në deklaratën e publikuar nga Zyra e Shëndetit Publik të Anglisë. Zyrtarë të spitalit në Salisbury thanë se, nuk ka fakte për një sulm me përmasa të mëdha në qytet, përveç njerëzve që ndodhen në spital që pas sulmit ndaj Skripalit dhe vajzës së tij. Sekretari britanik i Mbrojtjes, Gavin Williamson, tha se Kremlini po sillet ashpër ndaj Britanisë për këtë çështje. Zyrtarët rusë mohojnë që Kremlini të ketë patur të bënte me tentativën për vrasje. Skripal ka punuar për agjencinë ushtarake ruse të zbulimit, GRU, dhe ai ishte në mesin e disa spiunëve të shkëmbyer në vitin 2010 në pistën e fluturimit të aeroportit të Vienës. Pasi qëndroi për katër vjet në burg në Rusi, i akuzuar si spiun të favor të shërbimit britanik MI6, Skripali ishte njëri prej katër agjentëve të dyfishtë rusë, që u shkëmbyen për 10 rusë të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara.

Lavrov mohon gjithçka
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, mohoi se Moska qëndron prapa helmimit të ish-agjentit rus, Sergei Skripal, dhe të vajzës së tij në Britani dhe refuzoi kërkesën e Londrës për shpjegim në lidhje me incidentin. “Rusia nuk është fajtore”, tha Lavrov në një konferencë për media në Moskë. Autoritetet britanike thonë se sulmi kundër Skripalit ka qenë i qëllimshëm dhe se për kryerjen e tij është përdorur një agjent nervor shumë toksik, i cili është zhvilluar në Rusi. Lavrov e bëri të qartë se Moska nuk do të plotësojë kërkesën e Britanisë për shpjegime deri në fund të ditës. Duke folur një ditë, pasi kryeministrja britanike, Theresa May, tha se ka “shumë gjasa” që Rusia të qëndrojë prapa helmimit, shefi i mbikëqyrësit të armëve kimike globale tha se është “jashtëzakonisht shqetësuese që agjentët kimikë ende përdoren për të dëmtuar njerëzit”. “Ata që gjenden përgjegjës për këtë përdorim, duhet të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre”, tha drejtori i përgjithshëm i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, Ahmet Uzumcu. Sergei dhe Yulia Skripal janë gjetur pa vetëdije jashtë një qendre tregtare në qytetin Sallsbëri të Britanisë, më 4 mars. Ata janë dërguar në spital, ku vazhdojnë të mbeten në gjendje kritike. Polici që i është përgjigjur i pari incidentit është po ashtu në gjendje të rëndë.