27.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Gusht, 2025

Ushtria siriane përparon në luftimet në Gutën Lindore

This photo released by the Syrian Civil Defense White Helmets, which has been authenticated based on its contents and other AP reporting, shows a member of the Syrian Civil Defense group carrying a boy who was wounded during airstrikes and shelling by Syrian government forces hit in Ghouta, a suburb of Damascus, Syria, Sunday, March. 11, 2018. Syrian government forces divided the eastern Ghouta enclave outside Damascus into two, pro-government media said Sunday, dealing a major setback to rebels and threatening to exacerbate an already dire humanitarian situation at the doors of the nation's capital. (Syrian Civil Defense White Helmets via AP)

Forcat qeveritare siriane kanë bërë përparime të reja territoriale në pjesën lindore të qytetit të Gutës, që kontrollohet nga forcat e opozitës, duke shkëputur dy qytete nga bastioni i Ushtrisë së Lirë Siriane. Më shumë se 1,100 civilë janë vrarë nga luftimet në tre javët e fundit, mes njoftimeve se qeveria ka rifilluar përdorimin e një gazi helmues, ndoshta me mbështetjen e heshtur të aleatit të saj, Rusisë. Forcat qeveritare siriane përparuan më tej në Gutën Lindore të dielën, duke pushtuar një qytet tjetër të zonës së kontrolluar nga forcat e opozitës. Tanket qeveritare hynë në Mudeira me ndihmën e bombardimeve të rënda. Qeveria e Sirisë, e mbështetur nga Rusia, thotë se ofensiva është e nevojshme për të ndalur sulmet e rebelëve ndaj civilëve në Damask. “Ne hapëm zjarr para se të sulmonim pozicionet e grupeve të armatosura dhe bastionin e tyre, dhe pastaj forcat tona të këmbësorisë sulmuan pozicionet e tyre dhe përparuan disa kilometra”. Hyrja e forcave qeveritare në Mudeira të dielën, një ditë pas pushtimit të Mesrabas, ka shkaktuar një çarje të thellë në bastionin e forcave të opozitës pranë Damaskut. Kryengritësit e Ushtrisë së Lirë Siriane thanë të shtunën se nuk do të tërhiqen dhe nuk do të dorëzohen.

Më shumë se 1100 civilë janë vrarë në këtë zonë gjatë tre javëve të fundit. Ka patur njoftime se qeveria siriane, e mbështetur nga Rusia, ka përdorur gaz helmues në luftime.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, paralajmëroi presidentin sirian Bashar al-Assad dhe Rusinë kundër përdorimit të gazit. “Rusia ishte garantuese e marrëveshjes, sipas së cilës Assadi duhet t’i eliminonte të gjitha armët kimike. Rusia ose është e paaftë ose po bashkëpunon me Assadin. Ka njoftime të shumta për përdorimin e gazit klorik ose për simptoma që mund të rezultojnë nga gazet e klorit”. Mattis nuk tha nëse Shtetet e Bashkuara do t’u kundërvihen forcave siriane, nëse konfirmohen njoftimet për një sulm me gaz klorik. Por ai theksoi se, Presidenti Donald Trump kishte “hapësirë të plotë manovrimi politik” për të ndërmarrë veprime që ai mendon se do të ishin të përshtatshme.
“Vende të tjera perëndimore, që kanë qenë në kontakt me ne, po e ndjekin nga afër gjendjen dhe kanë qëndrime të njëjta me ne për këtë çështje”. Sekretari Mattis tha se, nuk ka dëshmi se në Guta është përdorur gazi klorik, por vuri në dukje se Rusia kishte ndërhyrë për të shpërbërë Mekanizmin e Përbashkët Hetimor, një ekip i Kombeve të Bashkuara që mund të vërtetonte nëse është përdorur gaz helmues.

Japoni, Kryeministri Abe kërkon falje pas një skandali të dyshuar

Kryeministri japonez Shinzo Abe kërkoi falje, pasi Ministria e Financave pranoi se kishte ndryshuar dokumentat që lidheshin me një skandal nepotizmi. Dokumentat kishin të bënin me shitjen e një toke në pronësi të shtetit një shkolle private me të cilën ka lidhje bashkëshortja e zotit Abe, me një ulje të konsiderueshme çmimi. Ministria e Financave konfirmoi se, dokumenta zyrtare ishin ndryshuar, duke hequr emrat e zotit Abe dhe gruas së tij, Akie. Zoti Abe tha se ndjehej përgjegjës. “Kjo është një situatë që ka tronditur besimin tek e gjithë qeveria. Dhe si kreu i saj, unë ndjej përgjegjësi. Do të doja t’u kërkoj thellësisht ndjesë të gjithë qytetarëve”. Zoti Abe u tha gazetarëve se donte që ministri i Financave, Taro Aso të sqaronte faktet: “Për të zbuluar se pse ndodhi kjo dhe për të qartësuar gjithçka, ne do të vazhdojmë hetimin tonë. Shpresoj që ministri i Financave Aso të përmbushë përgjegjësitë e tij”. Zoti Aso po përballet me thirrjet për të dhënë dorëheqjen. Ai kërkoi falje në emër të Ministrisë, por përsëriti se nuk do të jepte dorëheqjen. Mbijetesa e tij politike është thelbësore për ambicjet e zotit Abe për një mandat të tretë. Popullariteti i tij u godit rëndë për këtë çështje, gjë që ishte e dukshme edhe në një anketë këtë muaj. Dokumentat nga të cilët ishin hequr emrat e zotit Abe dhe bashkëshortes së tij, kishin të bënin me shitjen e një toke shtetërore një çmim jashtëzakonisht të ulur, një shkolle private me të cilën ka lidhje gruaja e kryeministrit. Drejtori i shkollës dhe e shoqja u arrestuan në korrik, nën dyshimet se kishin marrë subvencione të paligjshme. Zoti Abe ka mohuar vazhdimisht që të ketë favorizuar shkollën dhe ka thënë se do të japë dorëheqjen, nëse provat tregojnë të kundërtën.

Juncker: Britania do të pendohet për Brexit-in

Mbretëria e Bashkuar “do të pendohet” për largimin nga Bashkimi Evropian, tha presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker. Duke iu adresuar Parlamentit Evropian në Strasburg, Juncker tha se negociatat për Brexit-in tashmë janë bërë urgjente.
Ai tha se nuk dëshiron që qytetarët e BE-së “të bien viktimë e Brexit-it” dhe shtoi se është e rëndësishme që të sigurohen të drejtat e tyre. “Unë do të doja më shumë që Britania të mos kishte vendosur për t’u larguar nga BE-ja, por secili që e lë BE-në duhet të dijë se çfarë do të thotë kjo. Nëse vendosni të ikni, t’i lini prapa rregullat dhe marrëveshjet e përbashkëta, atëherë duhet të pranoni se gjërat nuk mund të mbeten ashtu siç janë”, tha Juncker. Ai po ashtu i kërkoi kryeministres britanike, Theresa May, të japë “më shumë qartësi se si Mbretëria e Bashkuar e sheh marrëdhënien e saj të ardhshme me BE-në”. Britania duhet të largohet nga Bashkimi Evropian deri në mars të vitit 2019. Ajo e ka marrë këtë vendim në një referendum të mbajtur në vitin 2016. Ritmi i negociatave midis Britanisë dhe BE-së ka ngecur për shkak të tregtisë dhe Irlandës Veriore.

Pacolli: Demarkacioni ratifikohet këtë javë

Marrëveshja për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi do të ratifikohet gjatë kësaj jave, ka thënë zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli. “Jemi lodhur me deklaratat e politikanëve ‘sot, nesër’. Unë ju kam thënë, në javën e dytë të marsit, që moti. Java e dytë e marsit do të jetë java kur do të kalojë, do të miratohet Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi”, ka thënë Pacolli. Megjithatë, ai nuk ka sqaruar nëse për ratifikimin e kësaj marrëveshje është arritur ndonjë pajtim me partneren e koalicionit qeverisës, Listën Serbe. Kjo e fundit, më herët ka thënë se çështja e Demarkacionit nuk ekziston për këtë subjekt dhe për të nuk paraqet kurrëfarë interesi.

“Guardiola, një trajner agresiv”!

Mbase i vetmi aspekt negativ i periudhës së Pep Guardiola-s te Bayern është ajo që ndodhi me Dr. Hans-Wilhelm Muller-Wohlfart. Muller-Wohlfart kishte 38 vite në Munich dhe ishte një nga njerëzit më të respektuar në profesionin e tij. Por mosmarrëveshje publike dhe private me tashmë trajnerin e Manchester City-t bënë që Wohlfart dhe ekipi i tij të largoheshin nga klubi gjerman. Tani ai ka nxjerrë në treg një libër autobiografik dhe shpjegon se çfarë ka ndodhur mes tij dhe Guardiola-s. “Nën drejtimin e Pep Guardiola-s, klima ndryshoi te Bayern Munich, dhe u bë më e qartë se ai nuk kishte besim tek unë dhe stafi im. Në njërën anë atij nuk i interesonin fare problemet mjekësore, por nga ana tjetër, ai priste që ne të bënim mrekullira”. “Guardiola shpeshherë portretizohej nga media si një person inovativ, për të mos thënë revolucionar. Por Bayern-in ai e ktheu shumë kohë mbrapa. Bayern gjithmonë ka qenë një nga klubet me më pak probleme dëmtimesh. Por pastaj erdhi Pep Guardiola. Dhe që në sezonin e parë numri i dëmtimeve muskulore u rrit ndjeshëm”.

“Dhe ai i dinte të gjitha më mirë se ne. Erdhi një moment që unë doja t’i raportoja gjendjen e lojtarëve të dëmtuar dhe ai më kthente shpinën”. “Mendoj se Guardiola është një person me vetëbesim të ulët, i cili bën gjithçka për të çorientuar të tjerët. Kështu që ai jeton gjatë gjithë kohës me frikë, jo aq shumë për humbjet, por që të mos humbasë fuqinë dhe autoritetin”.
Ndërkohë, legjenda e Bayern Munich, Giovani Elber thotë se, Robert Lewandowski është sulmuesi më i mirë në botë. Polaku edhe një herë është duke bërë biseda transferimi përpara merkatos së verës, me të ardhmen e tij te bavarezët në pikëpyetje. Paraqitja e mrekullueshme e Lewandowski në Gjermani, te Borussia Dortmund dhe në “Allianz Arena”, e ka parë atë të identifikuar si një “galactico” i mundshëm në “Santiago Bernabeu”. “Gjithkush dëshiron ta ketë një lojtar të tillë në ekipin e vet. Nëse ata kanë mundësinë për ta larguar Lewandowski nga Bayerni, do të bëjnë çmos për ta bërë këtë. Bayern Munich është paralajmëruar dhe Lewandowski ndihet shumë i vendosur me familjen e tij në Mynih. Ai e di se ka gjithçka te Bayerni. Unë shpresoj dhe pres që ai të qëndrojë me ne për një kohë të gjatë”, tha ai.

“Xhixhi Buffon është Maradona i portierëve”

Gianluigi Buffon është krahasuar me Diego Maradona-n teksa Antonio Nocerino ka nxitur Juventusin dhe portierin të shtyjnë pensionin për një tjetër sezon. I cilësuar si një nga më të mëdhenjtë e historisë, Buffon akoma nuk ka vendosur mbi të ardhmen e tij pasi festoi 40-vjetorin në janar. Megjithëse mosha e tij është e madhe për një futbollist, numri 1 i Juves mbetet një pjesë integrale në luftën e Zonjës për të fituar titullin kampion në Serie A dhe Champions League. “Për mendimin tim, Buffon është Maradona i portierëve”, shprehet Nocerino për “Omnisport”. “Në 20-25 vitet e fundit, ai ka qenë numri një në botë. Ai është më i miri”. “Më mërzit fakti se ai do të tërhiqet së shpejti. Nuk e di situatën brenda klubit, por shpresoj të luajë edhe për një vit tjetër”. Juventus dhe Buffon, që është në kërkim të Scudetto-s së 7-të radhazi, do të zbresin në fushë sërish të mërkurën.

Trump-Kim, takimi më i rëndësishëm i vitit

Në Uashington po flitet shumë për atë që mund të jetë zhvillimi më i madh diplomatik i dekadës së fundit, një takim i mundshëm mes Presidentit Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un. Siç na njeh edhe materiali në vazhdim, pothuajse nuk ka asnjë të dhënë konkrete mbi takimin, i cili u njoftua pa paralajmërim javën e shkuar, duke befasuar të gjithë botën. Pas muajsh përçmimi ndaj udhëheqësit të Phenianit, Presidenti Trump është mbuluar nga shkëlqimi i një “rrufeje diplomatike” lidhur me programin bërthamor të Koresë së Veriut. “Shumë njerëz menduan se po shkonim në luftë. Papritur, ofrohen për të zhvilluar një takim. Nuk ka lëshim raketash dhe ata duan të heqin dorë nga armët bërthamore”, u shpreh presidenti amerikan. “Do të vendoset për vendin dhe kohën e takimit. Nuk kemi të dhëna të tjera”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Raj Shah në një intervistë për emisionin “THIS WEEK” në stacionin televiziv ABC. Takimi Trump-Kim është në fazat e hershme të planifikimit, thotë zoti Shah. “Është rënë dakord për këtë takim të mundshëm. Nuk po përcaktohen kushte të tjera. Ata nuk mund të zhvillojnë prova me raketa apo prova bërthamore, nuk mund të kundërshtojnë publikisht manovrat e planifikuara ushatarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut”. Në mënyrë të përsëritur, Presidenti Trump ka akuzuar paraardhësit e tij se dështuan për të trajtuar në mënyrë efikase kërcënimin bërthamor nga Pheniani. Një këshilltar i lartë i ish-administratës së Presidentit Obama, Ben Rhodes, e shikon me mosbesim takimin për të cilin thotë se mund të ketë përfitime ose humbje të mëdha.

“Është ekstreme të mendosh se Pheniani do të pajtohet të heqë dorë nga raketat dhe armët bërthamore brenda një takimi. Nuk mendoj që dikush që e shikon rastin do ta besojë këtë. Nuk duhet nxituar që situata të trajtohet siç duhet. Sepse, nëse gjithçka bazohet tek një takim dhe takimi dështon, rreziku i konfliktit do të rritej”. Vetë presidenti amerikan zotëron taktikën e pritjes. “Nuk dihet çfarë do të ndodhë. Mund ti jap fund takimit menjëherë ose mund të arrijmë marrëveshjen më të mirë për botën dhe për të gjitha vendet, përfshi Korenë e Veriut. Shpresoj të ndodhë kjo”. Ligjvënësit amerikanë nga të dy krahët e politikës kanë shprehur mosbesim të thellë lidhur me qëllimet e Phenianit. Shumë thonë se mundësia e një zgjidhje diplomatike për një sfidë të ndërlikuar bërthamore është shumë joshëse për ta refuzuar.

Koreja e Jugut vlerëson rolin e Kinës
Këshilltari i Koresë së Jugut për Sigurinë Kombëtare vlerësoi Kinën për rolin që ka luajtur për të nxitur Phenianin drejt bisedimeve të reja për çarmatim bërthamor. Takimi i Chung Eui-yong-ut me këshilltarin më të lartë për Politikën e Jashtme të Kinës, Yang Jiechi pason njoftimin e javës së kaluar për një takim mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un. “Presidenti Moon Jae-in dhe qeveria e Koresë së Jugut besojnë se, përparimet drejt arritjes së qëllimit për paqe dhe çarmatim bërthamor të Gadishullit Korean janë arritur me mbështetjen aktive dhe kontributin e presidentit Xi Jinping dhe qeverisë kineze”, tha Chung. Zoti Yang përsëriti qëndrimin e Kinës për një gadishull pa armë bërthamore dhe zgjidhje të problemeve nëpërmjet dialogut. Të dielën zyrtarët amerikanë deklaruan se nuk do të bëjnë lëshime ndaj Koresë së Veriut përpara takimit Trump-Kim dhe se do të vazhdojnë të ushtrojnë presion ndaj Phenianit. “Nuk duhet gabuar, ndërsa këto negociatat janë në proces, nuk do të bëhet asnjë lëshim”, tha drejtori i Agjencisë Qendrore të Zbulimit, Mike Pompeo për “Fox News Sunday”.

Zoti Pompeo tha se udhëheqësi i Koresë së Veriut duhet të: “vazhdojë të na lejojë të kryejmë stërvitjet e nevojshme ushtarake me Korenë e Jugut dhe të sigurojë që në tryezën e bisedimeve të jetë diskutimi lidhur me çarmatimin bërthamor të ushtrisë së tij”.
Në të kaluarën, zoti Trump është tallur me mundësinë e bisedimeve të drejtpërdrejta me Korenë e Veriut. Në tetor të vitit të kaluar ai i tha Sekretarit të Shtetit, Rex Tillerson se po “humbiste kohë”, duke konsideruar mundësinë e negociatave. Por të shtunën zoti Trump vuri në dukje rëndësinë historike që do të kishte pranimi nga ana e tij të ofertës së udhëheqësit të Phenianit për t’u takuar. I pyetur se çfarë mund të arrijë zoti Trump, duke zbutur qëndrimet ndaj udhëheqësit të Phenianit, senatori republikan Ron Johnson nga Wisconsi i tha CNN të dielën “jo shumë”. Një kundërshtare politike e zotit Trump, senatorja demokrate Elizabeth Warren e Masaçusetsit, tha për televizionin NBC se, “dua të shoh presidentin tonë të shënojë sukses, sepse nëse ai ia del, Amerika shënon sukses dhe bota është më e sigurt. Por druhem se Pheniani do ta përdori për qëllimet e veta”.

Gjermani, partitë unioniste dhe SPD firmosin marrëveshjen e koalicionit qeveritar

Marrëveshja e koalicionit qeveritar mes CDU/CSU dhe SPD u nënshkrua. Kancelarja e lëvdoi marrëveshjen në ceremoninë e nënshkrimit. Krerët e partive dhe të grupeve parlamentare të CDU dhe CSU dhe SPD nënshkruan në Berlin marrëveshjen prej 177 faqesh për programin e tyre të ardhshëm qeveritar. Në ceremoninë përkatëse në ndërtesën Paul-Löbe-Haus të Bundestagut, kancelarja tha se marrëveshja e koalicionit u përgjigjet si duhet sfidave të kohës dhe ofron zgjidhje. Përpjekja për marrëveshjen ia vlejti, edhe në frymën e respektit për njëri-tjetrin. Marrëveshja parashikon përmirësime konkrete për njerëzit dhe njëkohësisht mban parasysh të ardhmen, shtoi ajo. Ministri i caktuar i Financave dhe zëvendëskancelari, socialdemokrati Olaf Scholz theksoi se, koalicioni i madh duhet të mbajë parasysh preokupimin për ta mbajtur të bashkuar shoqërinë. Ai shtoi më tej se është një sinjal i mirë që politika ndaj Evropës luan një rol kaq të madh në marrëveshjen e koalicionit. Për CSU-në, kryetari i partisë Horst Seehofer theksoi se, marrëveshja e koalicionit mban parasysh njerëzit me pak të ardhura. Dokumenti ka përmbajtje të fortë, tha ai. Tani rëndësi ka që ai të zbatohet me frymën e duhur dhe me ritëm. Më parë, kryetarët e partive patën theksuar se duan të përpiqen për një përafrim të kushteve të jetesës në Gjermani. Mirëqenia duhet të mbërrijë tek të gjithë njerëzit, tha Merkeli. Të mërkurën, në Bundestag do të hidhet në votë zgjedhja e Angela Merkelit si kancelare e Gjermanisë. Pas kësaj, pritet që qeveria e re të bëjë betimin.

Luftë markash për yjet e futbollit

(From L) FC Barcelona and Brazil’s forward Neymar, FC Barcelona and Argentina's forward Lionel Messi and Real Madrid and Portugal's forward Cristiano Ronaldo pose after a press conference ahead of the 2015 FIFA Ballon d'Or award ceremony at the Kongresshaus in Zurich on January 11, 2016. AFP PHOTO / OLIVIER MORIN / AFP / OLIVIER MORIN

“Nike” është çelësi, që Neymar të nënshkruajë për Real Madridin. Marka e njohur sportive është e gatshme të financojë një pjesë të transferimit, në shkëmbim për të qenë firma, që e sheh brazilianin me “Los Blancos”. “Adidas” e paguan Real Madridin vetëm 40 milionë euro dhe i përfundon kontrata në vitin 2020. Një luftë e re po afrohet mes dy markave sportive, që veshin lojtarët më të mirë në botë. Më poshtë iu ofrojmë listën e 25 lojtarëve të parë në garë për “Topin e Artë”, viti 2017 dhe cila është kompania sportive që i vesh ata.
1. Cristiano Ronaldo: Pasuria kryesore e “Nike”, pavarësisht faktit se Real Madridi vishet me “Adidas”. Ajo ka linjën e saj të veshjeve CR7. Siç është raportuar tashmë, portugezi përfiton miliona në sezon prej firmës së njohur amerikane.
2. Leo Messi: Vishet nga “Adidas”, edhe pse Barcelona është territor i “Nike”. Argjentinasi ka qenë me firmën gjermane prej 12 vitesh dhe rinovoi me të në shkurt 2017.
3. Neymar: Si Ronaldo, edhe ai ka linjën e vet brenda “Nike”: Neymar Jr., është i lidhur me këtë firmë deri në vitin 2022, edhe pse “Nike” mund ta zgjasë kontratën deri më 2024. Ekipi i tij, PSG, gjithashtu, vishet nga “Nike”.
4. Buffon: Veshja e tij ka qenë besnikëri absolute ndaj “Puma”, që kur nënshkroi marrëveshjen e tij të parë, në moshën 22-vjeçare, ende te Parma.

5. Modriç: Vishet me logon “Nike” që te Dinamo Zagreb.
6. Sergio Ramos: Kontrata e tij me “Nike” përfundoi vitin e kaluar dhe ai duhej të luante me “këpucë të zeza”. Në fund, ai ripërtëriu me “Nike” (2 milionë € për sezon).
7. Mbappé: Në mes të interesit të Real Madridit, “Nike” dhe “Adidas” luftuan për sulmuesin.
8. Kanté: Ish-mesfushori i Leicester dhe Chelsea aktualisht vishet nga “Adidas”.
9. Lewandowski: “Adidas” ka një përqindje të aksioneve të Bayern Munich, por “9” i bavarezëve promovon “Nike”.
10. Harry Kane: Vishet me “Nike”, ashtu si Tottenham (“spurs” marrin 35 milionë euro në vit).
11. Cavani: Një nga ikonat në fushatën e fuqishme të “Nike” me PSG, këtë sezon vesh këpucë me efekt reklamash të dyfishtë.
12. Isco: Muajin e ardhshëm do të jetë 26 vjeç dhe që kur ishte në Málaga, është sponsorizuar nga “Nike”.
13. Luis Suárez: Anëtar i “Adidas”, pavarësisht faktit se Barça vishet nga “Nike.
14. De Bruyne: Belgu ka një sponsor (Nike) me klubin e tij, Manchester City.
15. Dybala: Pasi kaloi 11 muaj me këpucë të zeza të markave të ndryshme, argjentinasi sapo ka nënshkruar një marrëveshje fitimprurëse me “Adidas”, e cila vesh edhe Juventusin (klubi bardhezi do të marrë 139.5 milionë euro për gjashtë vite).

16. Marcelo: Braziliani e filloi karrierën e tij me “Nike”, por në vitin 2013 kaloi në anën tjetër, në përputhje me “Adidas”, si Real Madridi.
17. Kroos: Është logjike që gjermani vishet nga “Adidas” që shumë i ri, e njëjta markë e Real Madridit. Mesfushori vesh të njëjtat këpucë që nga viti 2014: “AdiPure11Pro 2”, në të bardhë, të zezë dhe blu.
18. Griezmann: Francezi është, së bashku me Buffonin, një nga shtyllat e “Puma”, edhe pse “Nike” është markë që vesh Atletico Madrid.
20. De Gea: Që nga viti 2015, kur u largua nga “Puma”, ai është një nga atraksionet e “Adidas” në “La Roja” dhe Manchester United (do të veshë “djajtë e kuq” deri në vitin 2024).
21. Aubameyang: Gabonezi është pjesë e “Nike” dhe do të përfitojë dy milionë euro në vit deri në fund të karrierës së tij.
22. Bonucci: Mbrojtësi i Milanit vesh rroba dhe këpucë sporti të “Nike”.
23. Mané: Senegalezi mban këpucë “Nike”, edhe pse është parë në stërvitje me këpucë “New Balance”.
24. Falcao: Kolumbiani “kërceu” te “Nike” (kjo firmë, gjithashtu, vesh Monacon) në prill të vitit të kaluar.
25. Benzema: I lidhur me “Adidas” që nga fillimi i tij në Lyon.

Nishani: Pse alibia ruse e Ramës nuk ngjit

Ish-Presidenti i Republikes, Bujar Nishani i cilëson stisje artificiale dyshimet e ngritura nga revista amerikane “Mother Jones” se kompani ruse kanë financuar për lobim për Partinë Demokratike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të dëmtuar imazhin e Shqipërisë dhe krijimin e trazirave në Ballkan. Duke folur në një intervistë për Tv Klan mbi këtë çështje, artikullin preferon ta cilësojë një investigim bulevardesk, për të cilin thotë se është kthyer në kauzë nga qeveria shqiptare për të larguar vëmendjen nga situata e krimit, drogës dhe korrupsionit që po kalon vendi dhe njëherazi për të asgjësuar opozitën. “Është stisje e debatit politik që qeveria kërkon të krijojë një kauzë të re për t’i ikur problemeve si varfëria, azili i shqiptarëve, shkatërrimi i institucioneve, trafiku i drogës nga ai i kanabisit tek ai kokainës, dhe korrupsioni. Është një kauzë që nuk ngjit, sepse Partia Demokratike është lindur për të sjellë produkte pro-euroatlantiste deri në aktin më madhor të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Vet zoti Basha kryenegociatori diplomatik i procesit”. Ish-Presidenti thotë se lobimi nuk është një fenomen i ri për partitë politike shqiptare dhe si një mekanizëm ligjor të dikton bërjen e transprencës, proces që ai thotë se Partia Demokratike e ka bërë, e që sipas tij do të duhet ta përsërisë përballë akuzave në rritje që vijnë nga qeveria.
“Dokumentet që janë depozituar, komunikimi që është kryer i krijon të gjitha hapësirat për të pasur transparencë. Patjetër që këtë PD dhe zyrtarët e saj duhet ta përsërisin”.

Pas mbarimit të mandatit si President i vendit zhvillimet politike në vend dhe veçanërisht ato në Partinë Demokratike i sheh me sy kritik. Si ish-funksionar i lartë i kësaj force politike, Nishani thotë se kthimi në alternativë qeverisëse për Partinë Demokratike duhet të kalojë përmes bashkimit të kontributeve dhe afrimit të figurave që u lanë jashtë listave nga Lulzim Basha, si Imami, Topalli apo Patozi. “Opozita s’mund të qëndrojë strikt tek identifikimi i problemeve, por duhet të ofrojë modelin se si do të jetë ky ndryshim. Në këtë kontekst ka nevojë për këto zëra. PD ka potencial njerëzor që nga krijimi i saj, njerëz me reputacion, dhekëto janë të nevojshme për Partinë Demokratike. Këshilltarë të mirë do jenë edhe për liderin e PD”. Por cila është e ardhmja e Bujar Nishanit në Partinë Demokratike? “Jam rritur, formësuar brenda PD. Kam gëzuar besimin maksimal të PD, deri të qenit President, që është privilegj. I jam mirënjohës dhe besoj tek parimet e së djathtës së qendrës që politika e PD mbart mbi vete, tek alternativa qeverisëse që ka dhënë Partia Demokratike. Do jap ndihmesën time si qytetarë, politikan me synimin që t’i shërbejë të mirës publike”. Që prej mbarimit të mandatit të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani është vendosur në këtë zyrë te shtetit, nga ku ndjek çdo zhvillim në politikën shqiptare, me qëllimin për të vazhduar të japë kontribut në shoqëri, siç shprehet ai.