13.4 C
Tirana
E mërkurë, 14 Maj, 2025

FAO: 290 mijë shqiptarë nuk ushqehen dot, Rama u shton edhe 20 mijë familje

Lulzim BASHA

Mblidhemi përsëri në këtë sallë sot dhe përpara kemi një qeveri dhe një kryeministër të papërgjegjshëm, një mazhorancë të falimentuar politikisht, moralisht dhe mendërisht që nga fillimi e deri në fund të vetmin avaz ka sulmet ndaj opozitës.
Asnjë fjalë nuk thanë sot për mbi 20 mijë familje shqiptare, të cilëve iu është hequr ndihma ekonomike dhe buka e gojës pa iu dhënë asnjë shpjegim.
Asnjë ndjenjë dhembshurie! Nuk duan t’ia dijnë, nuk i shohin, nuk i dëgjojnë, nuk shkojnë t’i vizitojnë. Është e njëjta kategori kur zuzarët kanë zgjedhje shkojnë dhe i blejnë me thesin e miellit, me 50 mijë lekëshin e Habilajt, Balilajt, Saimir Tahirit e të Edi Ramës. Por menjëherë pas zgjedhjeve i braktisin në mjerimin e tyre. Akoma më keq ua thellojnë më shumë mjerimin, iu heqin edhe kafshatën e fundit për t’i detyruar të marrin dy rrugë: ose largimin nga vendi, ose të pranojnë prapë 50 mijë lekëshin në procesin e ardhshëm kriminal të shitblerjes së votës.
Vendimi për heqjen e ndihmës ekonomike, ndryshe nga ç‘thanë në mënyrë të turpshme disa prej parafolësve, është vetëm i një njeriu. Është vendimi kriminal i Edi Ramës që iu heq bukën e gojës mijëra familjeve anembanë, pa asnjë shpjegim dhe pa asnjë bazë ligjore.
Ndihma Ekonomike është një detyrim i shtetit për të gjitha familjet që nuk kanë të ardhura.

Kanë shpikur një sistem pikëzimi, të cilën refuzojnë ta bëjnë transparent.
Ministria është në shkelje dhe abuzim të detyrës, tregoi në limitet e kohës se po të kesh sobë me dru nuk ke të drejtë të marrësh ndihmë ekonomike edhe kur nuk ke rrogë, nuk ke pension, nuk ke asnjë të ardhur.
Por refuzon të tregojë se çfarë sistem pikëzimi zgjodhën këta për të përjashtuar mijëra familje nga e vetmja e ardhur me të cilën mbajnë frymën gjallë. Pra, është një krim i dyfishtë; është një krim ndaj këtyre familjeve, pa dyshim një vepër penale e shpërdorimit të detyrës po të kishim një Prokurori të pavarur, do ta merrte menjëherë të pandehur marionetën e Edi Ramës dhe vetë Edi Ramën.
Sepse nuk ka krim më të madh, nuk ka krim më të madh sesa me vetëdije t’iu heqësh bukën e gojës më të pamundurve.
E keni lexuar dhe unë e kam parë me sytë e mi, sikundër e kanë parë të gjithë kolegët e mi të opozitës, gjendjen e mjeruar ekonomike të vendit.
Vini këtu të krekosur nga milionat që keni vjedhur përmes pushtetit tuaj abuziv dhe e mohoni këtë realitet.
Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë, FAO, botoi në vitin 2017, vitin që lamë pas, shifrën prej 290 mijë shqiptarësh që nuk kanë ushqim mjaftueshëm. Ky raport duhet të ishte një sirenë alarmi për çdo qeveritar të përgjegjshëm. Ky raport nuk duhet ta linte të flinte gjumë legjitim, një kryeministër i cili të paktën formalisht ndihet i përgjegjshëm para qytetarëve.

Por çfarë bëri Edi Rama?

I shtoi këtyre 290 mijë shqiptarëve edhe të paktën 20 mijë familje, dhe nuk llogaris këtu afërsisht edhe 5 mijë të tjera të personave me aftësi të kufizuara; e mijëra e mijëra të tjera, të cilat nuk e kanë, por e meritojnë ndihmën ekonomike, sepse nuk kanë asnjë të ardhur.
Nuk kanë asnjë të ardhur, sepse në 5 vite regjimi korruptiv të Edi Ramës, me politikat korruptive të taksave të larta, të rritjes së çmimit të energjisë dhe të naftës, mbylli qindra, mijëra biznese. Jo vetëm që nuk hapi 300 mijë vendet e premtuara, por mbylli mijëra vende pune.
Ky pra është përgjegjësi për mjerimin e thelluar që konstatojnë organet e besueshme ndërkombëtare dhe jo INSTAT-i, i cili është për vete për ndjekje penale, për falsifikimin e të dhënave zyrtare.

Erdhi këtu dhe dërdëlliti një nga parafolësit, duke na treguar rritjen ekonomike.
Ja cilat janë faktet e vetë INSTAT-it:
Bujqësia ulet numri i të punësuarve, por rezulton me rritje ekonomike,
Tregtia me shumicë ka rritje,
Tregtia me pakicë ka ulje,
Punësimi, rritja është në moshën mbi 64 vjeç.
Qesh ti (i drejtohet Ervin Bushatit), se i ka falsifikuar të dhënat ajo. Por nuk është vetëm ajo për burg, janë ata që ja shtyjnë dorën.
Kjo është rritja juaj ekonomike.
Kjo është një dramë e madhe, e cila shpaloset jo më larg se 2 km nga kjo sallë.
Kam qenë atje dhe i kam parë para dy ditësh dhe nuk iu kam besuar syve. Shkoni dhe shikojeni!
Po ku keni ju guxim ta shikoni varfërinë që keni thelluar me korrupsionin, hajdutërinë dhe babëzinë tuaj.

Lekët nuk mungojnë, por janë në duart e 50 banditëve

Lekët o shqiptarë nuk mungojnë, ky shtet i ka lekët për të paguar mjaftueshëm ndihmë ekonomike, për të gjitha familjet në nevojë, që të mos ketë asnjë familje dhe asnjë fëmijë që të shkojë të flejë me barkun bosh, pa bukë, pa drita, pa ujë.
Por këto lekë shkojnë në xhepat për luksin e Edi Ramës dhe ministrave të tij, ministrit të bixhozit, ministrit të inceneratorëve, ministrit të CEZ-it, hajdutëve dhe bandës së hajdutëve këtu prapa. Këta i kanë lekët. Dhe dje ua tha Transparency International, ua tha, kur konfirmoi përshkrimin e Komisionit Europian për një Shqipëri me një shtet të kapur nga një bandë qeveritare të zhytur në korrupsion dhe krim; jua tha duke zbritur vendin në një vit nga vendi i 83-të në 91-ishin, përfshi korrupsionin zgjedhor; jua tha duke konfirmuar një lajm të keq që vetë e pranoi me gjysëm zëri kryepërgjegjësi.
Po, negociatat dhe Europa janë në rrezik prej korrupsionit, prej krimit, prej Edi Ramës.
Ndaj i ftoj qytetarët shqiptarë t’i bashkohen punonjësve të By-Pass-it të Fierit, të cilët i përshëndes për protestën e tyre, t’i bashkohen të përndjekurve, pronarëve, studentëve, pedagogëve, artistëve.
Opozitën e kanë e do ta kenë në krah, ta çlirojmë Shqipërinë nga këta 50 banditë.
Ne jemi shumica, të marrim fatin tonë në duart tona!

Berisha: Mijëra familjeve ju pre kafshata e gojës, të sëmurët po çohen drejt vdekjes

Po rritet ekonomia sigurisht, ka shkuar në qiell pasuria e oligarkëve tuaj dhe e juaja, ka shkuar në humnerë gjendja ekonomike e qytetarëve
Shkoni takoni pak punëtorët e By Pass-it, dy vjet si plebej, si skllevër pa rrogë, sepse i urdhëronte nga zyra e Edi Ramës, Vali Bizhga. Janë të gjitha të regjistruara
Ish-Kryeministri Berisha reagoi ashpër dje në Parlament me situatën e rënduar ku gjenden familjet shqiptare sot, ku mijëra familje ju është prerë nga qeveria ndihma ekoomike e nga ana tjetër, të tjerë mijëra shqiptare dergjen spitaleve me medikamente dhe kushte për t’u kuruar. Berisha replikoi në Parlament me deputetët socialistë teksa theksoi se kjo qeveri teksa zhvat përmes tenderimeve paratë e taksapaguesve shqiptarë, duke i futur në xhepat e saj dhe të klientëve e nga ana tjetër po lë mijëra familje në mjerim të plotë.
“Parafolësi (Ervin Bushati) foli këtu sikur të ishte në Hënë e jo në Tokë, jo i atyre qytetarëve që sot në dhjetëra e mijëra raste ja u pret kafshatën e gojës. Jo i atyre qytetarëve që sot po qajnë nga Lëpusha gjer në Pogon me lot mjerimi, jo i atyre, të cilëve ju që pasuroheni çdo ditë në mënyrë marramendëse ja u pret dhe kafshatën dhe u thoni qërrohuni nga Shqipëria, se këtu ska vend për ju. Po rritet ekonomia sigurisht, ka shkuar në qiell pasuria e oligarkëve tuaj dhe e juaja, ka shkuar në humnerë gjendja ekonomike e qytetarëve.

Shkoni takoni pak punëtorët e By Pass-it, dy vjet si plebej, si skllevër pa rrogë, sepse i urdhëronte nga zyra e Edi Ramës, Vali Bizhga. Janë të gjitha të regjistruara. Dhe tani e tenderoni për së dyti e së treti. Këto janë investimet që bëni, i vidhni dhe i investoni serish. Ndaj dhe të dilni këtu e flisni, nuk po përdor një term që një gazetar amerikan i tha Nikita Hrushovit “po leh si qen në Hënë”, por unë nuk po e përdor këtë term, ama po të them që ti je një deputet që nuk njeh zonë, nuk njeh zgjedhësit në Shqipëri”, tha Berisha.
Ish-Kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar pashpirtësi, papërgjegjshmëri nga ana e shtetit, mungesën e Sintromës, holluesit të gjakut në farmaci, prej 5 muajsh për të sëmurët që kanë vendosur valvula në zemër. Në Kuvend, Berisha ka sulmuar nga salla, kryeministrin, pas fjalimit që mbajti ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. “Zoti Ruçi, iu drejtua Berisha, kryetarit të Kuvendit për mungesën e ilaçit “Sintromë”, kjo është në 80-90% e barabartë me vdekje. Nëse valvula nuk merr holluesin e gjakut, krijon droçka që e çojnë drejt vdekjes të sëmurin.
Duke cituar mesazhin e një qytetari, “Xhevahir Bushati, banues në lagjen 14 në Shkozët, – Berisha lexoi: “…thuaji asaj ndrikullës përpara, ka fjalën për Ramën, se atë (ministren) nuk e llogarit kush – se ka 5 muaj që nuk gjendet “Sintromë” në farmacitë e vendit. Nuk ka më katastrofë! Deri këtu…Se këta që luajnë me diamandë, si ky që foli para meje, e kanë të lehtë këtë botë, e kanë rozë, po këta që vdesin për valvulë se s’kanë “Sintromë” për të marrë e kanë Ferr, këtë botë. Kjo është super-emergjencë”, theksoi Berisha.

Vendi ka nevojë për zgjidhje, politika e ekonomia të çlirohen nga krimi e oligarkët

Imagjinoni çfarë ndodh në qytete të tjera apo në fshatrat e Shqipërisë. Por Edi Rama është një njeri, i cili e ka faktuar dhe e faktoi edhe sot se zgjedh të sulmojë opozitën. Të anatemojë opozitën me të vetmin qëllim për të fshehur këtë të vërtetë dhe përgjegjësi që ka karshi këtyre njerëzve.
Është njeri i pandjeshëm. Është autori i braktisjes së këtyre mijëra familjeve. Natyrisht, kushdo që ka abuzuar me ndihmën ekonomike nuk duhet të marrë ndihmë ekonomike, por kjo është një alibi e shëmtuar dhe e papranueshme për të lënë pa bukë, pa dritë, pa ujë mijëra e mijëra familje, dhjetëra e mijëra bashkëqytetarë. Kjo është përgjegjësia e Edi Ramës dhe ne do të bëjmë gjithçka që ta mbajmë përgjegjës për këtë akt kriminal, sikundër do të luftojmë me të gjitha mjetet dhe format që kjo emergjencë kombëtare të marrë fund dhe që familjeve, të cilave u është hequr me të padrejtë ndihma ekonomike apo familjet, të cilat meritojnë ndihmë ekonomike ta përfitojnë këtë ndihmë ekonomike si e vetmja shpresë sot për të mbajtur shpirtin me bukë. Natyrisht vendi ka nevojë për zgjidhje dhe zgjidhja nuk mund të jetë pafundësisht ndihma ekonomike. Vendi ka nevojë që ekonomia të çlirohet nga monopolet. Të çlirohet nga oligarkët, nga klientët e Edi Ramës, dhe kjo mund të vijë vetëm kur të çlirojmë politikën nga krimi, nga korrupsioni, nga keq-qeverisja.

Pyetje: Kur do të jetë protesta e radhës zoti Basha?

Basha: Protestat janë të vazhdueshme dhe janë të shtrira kudo. Sot shikuat dy protesta para Parlamentit. Kur do ta bëni ju protestën e radhës, gazetarët për nënçmimin, poshtërimin, për shkeljen e të drejtave tuaja? Ju siguroj që kurdo që do ta bëni ne do të na keni në krah. Faleminderit.

Presidenti i përbashkët, Carld Bildt: Ideja e Ramës nuk është mirëpritur

Carl Bildt, ish-Kryeministri i Suedisë, e ka cilësuar si të papritur deklaratën e Kryeministrit Edi Rama për një president të përbashkët me Kosovën. Gjithashtu ai i bëri thirrje politikës kosovare të votojnë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Në një takim me studentët, ish-kryeministri suedez Carl Bildt është shprehur në mënyrë kategorike kundër ndryshimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor, lojë që do të sillte gjakderdhje dhe situatë të paparashikueshme. Ai kujtoi se shumica e kufijve në Evropë janë ndryshuar në mënyrë të përgjakshme ndërsa tani janë kthyer në element thelbësor të shoqërive të integruara. Ish-kryeministri suedez i porositi ballkanasit që të zgjidhin në plan afatgjatë mosmarrëveshjet dypalëshe dhe të përkushtohen tek reformimi i sistemit ekonomik dhe atij gjyqësor për të ecur shpejt drejt BE-së. Në intervistën ekskluzive për Klan Plus, Bildt tha se deklarata e kryeministrit Edi Rama për një president të përbashkët të shqiptarëve në Shqipëri dhe Kosovë ishte e papritur dhe nuk është mirëpritur nga shqiptarët përtej kufirit. “Nuk jam unë që mund ta gjykoj zotin Rama për këtë çështje, por kam vënë re se kjo ide nuk ka ngjallur entuziazëm në Kosovë”, tha ai.

Institucionet dublojnë zyrat e shtypit, bëjnë tender për monitorimin e mediave

Një mori gazetarësh kanë lënë redaksitë dhe janë punësuar në disa institucione shtetërore. Vitet e fundit, zyrat e shtypit kanë filluar të përgatisin vetë lajmet dhe kronikat, madje ua çojnë të gatshme edhe gazetave apo televizioneve. Ky trend i ri duket se po largon më shumë lexuesit, ose atij i serviren lajme sipërfaqësore dhe aspak investigime të mirëfillta. Tpz.al ka mësuar se kohët e fundit, institucionet shtetërore kanë dubluar edhe zyrat e shtypit, duke bërë monitorimin e mediave me taksat e qytetarëve. Sipas dokumenteve që disponojmë, Kuvendi ka hapur procedurën me një fond prej 4.2 milionë lekësh me objekt “monitorimi dhe arkivimi elektronik i shtypit të përditshëm”.
Kuvendi kërkon arkivim dixhital të lajmeve të kategorizuar në rubrikat e mëposhtme: kronikë, njoftime, ekonomi, politikë, kulturë, internacionale. Kërkohet qasje online në uebfaqe të arkivit dixhital për të gjithë periudhën. Kërkohet gjithashtu mundësia e kërkimit në bazë të të dhënave të arkivit dixhital, sipas medias, datës, rubrikës së autorit. Madje, edhe gjenerim i raportit të pasqyrës së medias direkt nga uebfaqja. Pas këtij tenderi, me të drejtë lind pyetja; po zyrat e shtypit, çfarë pune bëjnë në Kuvend? Dhe përse duhet të shpërdorohen fondet publike, kur ky institucion ka me dhjetëra të punësuar tek zyra e shtypit.

Tpz.al ka siguruar dokumentet e një tenderi nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, me fond rreth 8 milionë lekë të vjetra. Kërkohet raportimi i të gjitha lajmeve që kanë lidhje me OSHEE dhe arkivimi dixhital i tyre në mënyrë që çdo lajm i publikuar të monitorohet. 25 faqe web në gjuhën shqipe në territorin e Shqipërisë, të gjitha gazetat dhe revistat në territorin e Shqipërisë në gjuhën shqipe dhe të paktën 8 televizione me emetim tokësornë gjuhën shqipe në territorin e Shqipërisë të jetë lehtësisht i aksesuar me anë të fjalëve kyçe.
Gjithashtu, kërkohet arkivimi dixhital i lajmeve në lidhje me OSHEE duhet të kategorizojë informacionet. Kërkohet edhe qasje online në web faqet, e arkivit dixhital të të gjithë lajmeve pa ndërprerje madje edhe kërkim të dhënash. “Kohëzgjatja e shërbimit të monitorimit të shtypit të shkruar dhe periodik shqiptar dhe të huaj, si dhe online do të jetë për të gjithë vitin 2018, nga e hëna në të dielë (7 ditë)”, thuhet në dokumentet e tenderit. Por në krahasim me Bashkinë e Tiranës, e cila harxhon dhjetëra milionë lekë për të kuruar imazhin në media, këto institucione po bëjnë shpenzime modeste në këtë drejtim.

I hiqet ndihma ekonomike se kishte gomar, reagon qytetari: Gomarin e kam në Kryeministri jo në shtëpi

Një nga kriteret e reja të qeverisë Rama për të përfituar nga ndihma ekonomike është që të mos kesh gomar. Se përse është vendosur gomari kriter këtë e di vetëm Kryeministri, por duket se do të ketë ndonjë inat me këtë kafshë punëtore.
Një qytetar është penalizuar dhe hequr nga ndihma ekonomike pikërisht sepse është provuar nga agjentët e Ramës në terren se ai dispononte një gomar. Familjari Kosta Demiri me banim në rrethinat e Tiranës ka reaguar me dëshpërim dhe revoltë pas ndërprejes së ndihmës ekonomike nga qeveria vetëm për shkak të gomarit. Ai e mohon që të ketë gomar dhe thotë se kjo kafshë nuk është as fitimprurëse dhe habitet se si qeveria dhe Kryeministri nuk e kupton këtë kur e kanë vendosur si kriter. “Gomarin e kam në Kryeministri dhe jo në shtëpi”, thotë Kosta, I cili kërkon të sqarojë Kryeministrin se gomari nuk bën as vezë që të shiten dhe as mishi nuk i hahet.

20 mijë familje të përjashtuara
Rreth 20 mijë familjeve shqiptare u është hequr ndihma ekonomike në 2018-n. Kryeministri Edi Rama ditën e sotme theksoi nga Kuvendi se janë evidentuar shumë subjekte që nuk meritonin ta përfitonin ndihmën dhe se aksioni i qeverisë do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë. Aksioni i qeverisë është kundërshtuar nga Partia Demokratike, e cila e konsideron çnjerëzore një akt të tillë.
Kriteret për përfitimin e ndihmës ekonomike kanë ndryshuar në dy qeverisje.
Kriteret që duhet të plotësonin qytetarët për të përfituar ndihmë ekonomike në 2012-n, kur në qeveri ishte Partia Demokratike:
Përfitojnë ndihmë ekonomike:
1. familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme;
2. jetimët të cilët nuk janë në institucione;
3. prindërit e fëmijëve të lindur trinjakë e më shumë njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë;
ç) viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore deri në çastin e punësimit të tyre;
1. viktimat e dhunës në marrëdhënie familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.
Për të përfituar ndihmë ekonomike kryefamiljari, së bashku me bashkëshorten paraqesin kërkesën pranë administratorit shoqëror të seksioneve të ndihmës dhe shërbimeve shoqërore në bashki/komunë, ku kanë vendbanimin, së bashku me:
Kopjen e kartës së identitetit të aplikantit dhe kopje të kartave të identitetit të anëtarëve të tjerë të familjes që kanë karta identiteti;
Certifikatën familjare që lidhet me regjistrin e familjes për të gjithë ata persona që janë pjesë e së njëjtës gjendje familjare;

Dokumente të tjera të nevojshme, për të përcaktuar të ardhurat familjare;
ç) Vërtetimin e trajtimit në institucionet e përkujdesjes shoqërore, për rastet e parashikuara në shkronjën “ç” të pikës 2 të këtij vendimi, të lëshuar brenda 30 ditëve të fundit;
1.Urdhrin e mbrojtjes ose urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes, për rastet e parashikuara në shkronjën “d” të pikës 2 të këtij vendimi;
2.Vërtetimin e gjykatës që bashkëshortët e familjes që paraqitet për të përfituar ndihmë ekonomike janë në proces zgjidhjeje martesore;
3.Kopjen e noterizuar për statusin e jetimit, sipas kërkesave të parashikuara në ligjin “Për statusin e jetimit”, të ndryshuar, për rastet e parashikuara në shkronjën “b” të pikës 2 të këtij vendimi;
ë) Kopjen e vërtetimit të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, për familjet që në përbërje të tyre kanë invalidë pune apo persona me aftësi të kufizuara që përfitojnë pagesë për aftësinë e kufizuar, përfshirë edhe dokumentet e tjera të përcaktuara në pikën 2 të këtij vendimi.
1. Certifikatën e pronësisë, të lëshuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme apo aktin e marrjes në pronësi ose në përdorim të tokës (tapinë e tokës), për zonat ku regjistrimi i pronësisë nuk ka përfunduar ende.
Në qeverisjen e kryeministrit Edi Rama kanë ndryshuar një sërë kriteresh. Ndër të tjera përfshihet dhe lloji i tualetit, televizori, frigoriferi, biçikleta, soba, etj./Politiko.al/

Skandali me tjetërsimin e pronave në Spille, nën akuzë kryebashkiaku i Ramës

Gjykata e Kavajës vendosi t’i bllokojë pasaportën dhe caktoi masë “detyrim paraqitje” për kryebashkiakun e Rrogozhinës, Beqir Nuredini, i zgjedhur në 2015 prej koalicionit mes PS-LSI-PDIU (ASHE), i akuzuar bashkë me 9 persona të tjerë për tjetërsimin e 56 hektarëve bregdet në zonën e Spillesë.
Veç Nuredinit 4 persona, përfshi ish-krye regjistruesin e Zyrës Vendore të Pasurive të Paluajtshme Kavajë, Asim Arkaxhiu u arrestuan, 2 janë shpallur në kërkim dhe ndaj dy të tjerëve janë marrë masa më të lehta sigurimi, ndërsa për një noter është caktuar “pezullim i aktivitetit”.
Në një reagim për median, Nuredini i mohoi akuzat, duke shtuar se ishte i hapur të hetohej.
“Mbështes hetimet. Autorët të vihen para përgjegjësisë. Unë kam zbatuar procedurën që parashikon ligji. Zbatova ligjin për regjistrim fillestar të pronave. I gatshëm gjatë hetimeve vura në dispozicion dokumentet”, deklaroi Nuredini.
Numri i të akuzuarve në këtë çështje, kryesisht zyrtar vendor, shkoi në 23 pas arrestimeve të nëntorit të vitit që shkoi.

Prokuroria dhe Policia në dy deklarata të ndryshme për mediat bënë me dije se, hetimet ishin vijim i operacionit të nëntorit të vitit të kaluar, kur u arrestuan 11 persona me akuza të ngjashme, ndërsa hetimet gjetën se pronat publike ishin tjetërsuar dhe përfituar nga të afërm të ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi dhe personave të tjerë pranë pushtetit lokal.
Sipas Prokurorisë, personat e ndaluar të hënën apo në kërkim, akuzohen për shpërdorim detyre, falsifikim dhe pastrim parash, ndërsa besohet se kanë tjetërsuar 56 hektarëve tokë në plazhin e Spillesë, përfshi edhe një poligon qitjeje në pronësi të Komandës së Forcës Ajrore.
Në vendimin e shkurtuar të Gjykatës për caktimin e masave të sigurisë, të cilin BIRN e disponon, vendoset bllokimi i pasaportës dhe masa “detyrim paraqitje” për kryebashkiakun e Rrogozhinës, Beqir Nuredini, i caktuar nga PDIU dhe mbështetur nga PS dhe LSI në koalicionin e vitit 2015, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”.
Ndërsa u ekzekutua masa e arrestit me burg për Asim Arkaxhiu, 44 vjeç, ish-drejtori i ZVRPP (Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme) me akuzën e “shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve”. Me të njëjtat akuza u arrestuan Aldo Kila, 27 vjeç, jurist pranë ZVRPP, Kavajë, Shpendi Dema, 31 vjeç, jurist në Bashkinë Rrogozhinë dhe Arben Daja, 51 vjeç, sekretar dhe protokollist në Bashkinë Rrogozhinë.

Dy persona të tjerë ndaj të cilëve po ashtu u morën masë sigurie “arresti me burg” u shpallën në kërkim nga Policia. Idlir Karkini, biznesmen, i cili akuzohet për “pastrim të produkteve të veprës penale” dhe Kryeinspektori i Mbrojtjes së Teritorit Vendor pranë Bashkisë së Rrogozhinës, Artur Tosku, i cili është nën akuzë për “shpërdorim detyre”.
Ndaj noterit Julian Zheleku u kërkua masë sigurimi me bug, por Gjykata vendosi “arrest shtëpie” me akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”, ndërsa ndaj noterit tjetër A.A i përfshirë në hetim, u vendos “pezullim i aktivitetit”. Masë sigurimi “detyrim paraqitje” u dha edhe për A.K, me detyrë Inspektor i Mbrojtjes së Territorit Vendor, pranë Bashkisë Rrogozhinë.
Prokuroria bëri me dije se, hetimet për tjetërsimin e pronave në këtë zonë iu bashkuan një dosje më të hershme, pas kallëzimit të Komandës Ajrore, e cila kishte zbuluar tjetërsimin e pronës së saj një poligon qitjeje. Sipas Prokurorisë ishte mësuar se persona të ndryshëm kishin filluar pastrimin e poligonit me urdhër të biznesmenit me shtetësi italiane Idlir Karkini, i cili është shpallur në kërkim.
“Në pronën Poligoni i Qitjes Rreth-Greth me numër pasurie 368 është konstatuar prerje pyjesh dhe pastrim i barishteve nga një grup punëtorësh. Këta punëtorë janë sjellë nga shtetasi Idlir Karkini, i cili ka çertifikatë pronësie për këtë sipërfaqe toke në pyllin dhe rërën buzë detit”, thuhet në kërkesën që Prokuroria bëri pranë Gjykatës për caktimin e masave të sigurisë. Sipas të njëjtës kërkesë, në mënyrë “të çuditshme” edhe pse “Ministria e Mbrojtjes kishte aplikuar 3 herë për regjistrimin e pronës së saj nga viti 2005-2007, ajo nuk i është regjistruar, ndërsa në vitin 2016, kjo pronë regjistrohet në favor të Idlir Karkinit”.

Prokuroria dhe Policia njoftuan se operacioni, të cilin kjo e fundit e ka pagëzuar “Ranishtja”, është vijim i atij të nëntorit të vitit që shkoi kur u arrestuan 11 persona të tjerë me të njëjtat akuza, por për 36 hektarë në zona të tjera të Kavajës. Në pranga atëherë përfunduan Fatos Kaja, ish-zyrtar i Njësisë Administrative Kryevidh që deri në maj 2017 mbante postin e nënprefektit të Tiranës si dhe dy ish-zyrtarët e së njëjtës komunë, Behgjet Pjeci dhe Dashnor Çullhaj, drejtori i ALUIZNI-t Kavajë, Altin Çoba dhe ish-shefi i Kadastrës, Nezir Leçini, Dritan Kazazi, hartograf, ZVRPP, Kavajë, Andi Gjeçi, jurist, ZVRPP, Kavajë, Ilir Kaja, zyrtar i Njësisë Administrative Kryevidh, Kavajë, Agron Xhelezi, ish-kryetar i Komisionit të Ndarjes së Tokave, Kavajë, Enver Duqi, ish-drejtor i Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, Kavajë dhe Seid Cikaleshi, ish-drejtues i Hipotekës së Kavajës.
Prokuroria thotë se, skema e tjetërsimin në të dy rastet është e ngjashme dhe përfshin po ashtu falsifikimin dhe fshehjen e dokumenteve të Këshillit të Qarkut Tiranë. Ndërkohë në hetimin e fundit janë përfshirë edhe ndërtimi i 27 lokaleve në të njëjtën zonë, që dyshohet se është bërë në shkelje të ligjit.
Hetime të Prokurorisë në Vlorë dhe Kavajë, kanë zbuluar tjetërsim të disa qindra hektarëve pronë publike kryesisht në bregdet, ndërsa në një shkrim të mëparshëm BIRN mësoi se edhe pas këtyre hetimeve shteti e kishte të vështirë të rimerrte në pronësi tokat e tjetërsuara.

Dy vendet europiane që Rama nuk i bind dot për negociatat e anëtarësimit në BE

x-default

“Viti 2025 është vetëm një datë indikative, jo garanci. Ajo i detyron Shtetet e Ballkanit Perëndimor, por edhe BE që të merren seriozisht me një anëtarësim, i cili premtohet prej vitesh”. Kështu shprehet në një intervistë dhënë numrit të sotëm të gazetës gjermane “Die Ëelt” Komisioneri i Bashkimit Evropian për zgjerimin, Johannes Hahn.
Hahn thekson më tej se, megjithatë datën e përmendur “vetëm ai që i plotëson njëqind përqind të gjitha kushtet politike, të shtetit juridik dhe kushtet ekonomike mund të anëtarësohet.” Me perspektivën e konkretizuar të zgjerimit në rajon krijohet një presion për motivim.
I pyetur për trajtimin e konflikteve të pazgjidhura kufitare midis shteteve ballkanike që duan të anëtarësohen në BE, në lidhje me Serbinë dhe Kosovën Johannes Hahn thotë se “Po të dojë të bëhet anëtare Serbia, ky vend duhet të lidhë me Kosovën një normalizim me një formë juridike detyruese. Marrëveshja duhet të jetë e gjerë, përfundimtare dhe detyruese në pikëpamje juridike”.

Së shpejti rekomandimi për Shqipërinë e Maqedoninë
Në lidhje me momentin e fillimit të negociatave të anëtarësimit për në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë, Hahn i thotë Die Welt se “Komisioni Evropian do t’u rekomandojë së shpejti shteteve anëtare – me shumë gjasa deri në verë – që të nisin negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë…Në fund të fundit do të jenë shtetet anëtare që do të vendosin se kur do të nisin bisedimet e anëtarësimit.
Franca, por para së gjithash Gjermania kanë rezerva të mëdha në rastin e Shqipërisë.
Shqiptarët natyrisht që vuajnë nën një imazh të caktuar”, thotë Hahn.
Por Shqipëria ka bërë “shumë veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar”, përfundon Johannes Hahn.

Nga fillimi i vitit janë mbyllur 2500 ndërmarrje

Çdo ditë në Shqipëri pezullojnë aktivitetin rreth 50 biznese, të cilat kalojnë në status pasiv. Shifra del nga të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Sipas Administratës Tatimore, nga fillimi i këtij viti kanë kaluar në status pasiv, duke pezulluar aktivitetin mbi 2470 ndërmarrje ose 48.5 ndërmarrje në ditë. Prej vitit të kaluar, Shqipëria po përballet me një valë masive të mbylljes së bizneseve.
Edhe pse këto ndërmarrje nuk çregjistrohen përfundimisht, për shkak të proçedurave burokratike, kalimi në status pasiv nënkupton se ato mbyllin aktivitetin e tyre dhe nuk kontribuojnë më në ekonomi.
Pjesa më e madhe e bizneseve të mbyllura janë persona fizikë, të vetëpunësuar. Biznese të tilla, kryesisht në tregti me pakicë, hapen dhe mbyllen vazhdimisht, teksa konkurrenca nga qendrat e mëdha tregtare dhe rrjetet e organizuara të tregtisë është shtuar ndjeshëm. Po kështu veç bizneseve të tregtisë, një tjetër degë ku bizneset po dalin nga tregu me shpejtësi, është ajo e shërbimeve, veçanërisht lokalet apo baret.

Gati TVSH

Nga 1 prilli, biznesi i vogël do të ketë edhe një vështirësi më tepër, pagesën e tatimit mbi vlerën e shtuar. Sipas paketës së re fiskale, nga data 1 prill, subjektet me xhiro vjetore mbi 2 milionë lekë do të paguajnë TVSH.
Administrata Tatimore ka njoftuar tashmë tatimpaguesit, të cilët kanë realizuar një qarkullim mbi 2 milionë lekë, për vitin e kaluar, por dhe ata që parashikojnë të realizojnë këtë xhiro gjatë këtij viti se nga 1 Prilli duhet të regjistrohen me përgjegjësinë tatimore të TVSH-së dhe të mbajnë rekordin e inventarëve.
Vendosja e TVSH u kundërshtua ashpër nga biznesi i vogël, por edhe ekspertët. Sipas tyre kjo masë do të rëndojë akoma më shumë sipërmarrjet e mbijetesës, duke krijuar efekte negative, jo vetëm për ekonominë, por edhe nga ana sociale për shkak të rritjes së papunësisë.

112 mijë biznese në pasiv

Në total numri i bizneseve me status pasiv ka arritur mbi 112 mijë subjekte. Këto janë biznese, të cilat kanë pezulluar aktivitetin e tyre në vite, por që nuk janë çregjistuar përfundimisht ndaj qëndrojnë me status pasiv.
Aktualisht numri i subjekteve pasive është thuajse i barabartë me ato të bizneseve që janë aktive. Kjo do të thotë se për çdo biznes që operon në treg, ka një biznes në pasiv.
Gjendja financiare e biznesit veç situatës së shtrënguar ekonomike, gjatë viteve të fundit është goditur rëndë edhe nga politika fiskale, në të gjitha nivelet. Në tre vitet e fundit, biznesi në Shqipëri është përballur me rritje taksash nga të gjitha anët. Fillimisht ishte qeveria, e cila ndërrmori dy rritje taksash rresht në vitet 2014-2015 me nga 200 milionë dollarë secila.
Por rritja e taksave qëndrore nuk ishte e vetmja. Në 2016-ën bizneset u përballën me një tjetër rritje, këtë herë të taksave lokale, veçanërisht në kryeqytet. Për disa taksa apo tarifa të caktuara, si ajo e pastrimit, barra u rrit deri në tre herë, duke çuar shumë subjekte në mbyllje të përkohshme dhe të tjera drejt mbylljes së plotë.

Investitorët e huaj po ikin nga hashashi dhe korrupsioni

Suzana Guxholli, këshilltare për investimet e Kryeministrit Berisha në qeverisjen e aso kohe flet për Ekonomix.al në lidhje me investimet e huaja. Ekspertja e ekonomisë evidenton klimën jo pozitive për biznesin, rritjen e papërfillshme ekonomike dhe korrupsionin si arsye që sipërmarrësit e huaj janë larguar nga Shqipëria. Ajo gjykon se për të përmirësuar klimën e krijuar duhen menduar politika efikase biznesi.

-Kryeministri Rama dhe ministri i Financave e i Ekonomisë, Arben Ahmetaj prej ditësh po takojnë biznesin e huaj (atë italian, austriak, çek, etj) duke i ftuar të investojnë në vend. Si paraqitet niveli i investimeve të huaja në vend sipas jush?
Takimet e çdo kryeministri me komunitetin e biznesit janë pozitive kur prodhojnë rezultat, rritje të investimeve të huaja dhe vendase.
Që nga fillimet e saj, kjo qeveri ka organizuar vazhdimisht takime me komunitete biznesi vendas dhe të huaj, por fatkeqësisht këto kanë mbetur në nivel ngjarjesh mediatike e biseda pa rezultat.
S‘ka asnjë investim të huaj të qenësishëm në sektorë prodhues, dhe po ashtu duhet thënë dhe për investimet vendase.
Me përjashtim të investimeve të filluara gjatë qeverisjes demokratike, si hidrocentrali i Ashtës, Devollit, etj, e dhjetëra të tjerëve të vegjël, që sot mbulojnë 30% të prodhimit vendas, apo projektit TAP, tërësisht pjesë e politikave mbështetëse dhe nxitëse po të qeverisë demokratike, etj., etj. Sot, veç ikjes së kompanive të mëdha me shitje biznesi apo procese gjyqësore, barrë tjetër e taksapaguesve shqiptarëe, zor se dëgjon për investime prodhuese.

Të vetmet biznese që lëvizën në këto 5vite janë fasonët dhe call centerat. Këto janë biznese të përkohshme, që lëvizin si nomadët nga një vend në tjetrin, me shpejtësi, në funksion të klimës së biznesit të përshtateshme për to, nuk kanë produktivitet, ofrojnë punësim në vendet ku gjejnë paga më të ulta, nuk zhvillojnë aftësitë e punonjësve që mbeten të pakualifikuar etj.
Vetëm nga projekti TAP dhe HEC i Devollit, u shënua një vlerë investimesh të huaja, rishmasi, vlerë që nuk pritet të mbahet në vazhdim, sepse këto dy projekte shteruan investimin e tyre, dhe më tej, mbyllin vende pune të hapura në këto vite, sepse i tillë është biznesi i tyre.
Takimet me biznesin duhet të kishin prodhuar investime në këto 5 vite e jo të mbeten në statusin e marrjes së ftesës nga kryeministri.

-Si është klima për biznesin?
Kur flasim për klimën e biznesit, duhen pasur parasysh shumë aspekte, në të cilat zhvillohet ajo dhe sa konkurues e bën vendin në rajon e më përtej.
Statusi i ekonomisë tonë, dihet e shihet qartë.

-A ka mjaftueshëm incentiva fiskale për të thithur sipërmarrësit e huaj të investojnë në Shqipëri?
Një ekonomi me rritje ekonomike anemike, pa investime, sepse biznesi nuk ka besim në të, papunësi e lartë me zyra pune të shumta.
Shqipëria nuk është më konkuruese në rajon, nga shume pikëpamje. Ka barrë fiskale të lartë, ka burokraci procesesh, nuk ka tituj të qarta pronësie, nuk ka qëndrueshmëri ligjore, besim të ulët tek qeveria, korrupsion të lartë, mungesë krahu pune të kualifikuar, emigrim truri të rinisë etj.
Pra incentivat për investime të huaja dhe të vendit pothuaj nuk ka.

-Nëqoftëse do të krahasonit investimet e huaja në kohën kur ju ishit në pushtet me ato të qeverisjes Rama si do ta përshkruanit tablonë?
Po të krahasohet qeverisja Berisha me atë Rama, përsa i takon investimeve të huaja dhe vendase, duhet thënë që qeveria Berisha arriti të ketë për disa vite rreth 1 miliard dollarë në vit, investime të huaja, sektori i energjisë dhe ai i burimeve natyrore mori hov e tërhoqi kompani të mëdha, realizoi projektin TAP, shtoi burimet hidrike të prodhimit të energjisë me rreth 30%, duke tërhequr investime vendase dhe të huaja.
Politikat konçesionare të asaj qeverie tërhoqën kapitalin privat drejt investimeve në fushat strategjike, duke mos prekur buxhetin e shtetit e paratë e taksapaguesve, ndërsa politkat koncesionare të sotmet, paguajnë në mënyrë klienteliste nga paratë e buxhetit, bizneset private, duke rritur fshehurazi borxhin publik.

Përmirësoi klimën e biznesit me reforma deregullatore, me lehtësim e thjeshtim të barrës fiskale, uli burokracinë e të bërit biznes, duke krijuar shërbimet me një ndalesë. Në vitin 2009, Shqipëria arriti të klasifikohet nga Banka Botërore si vendi i dytë reformator për lehtësinë e të bërit biznes, gjë që solli si pasojë tërheqjen e stokut të madh të investimeve.
Sot një sërë biznesesh të mëdha janë larguar, duke e shitur biznesin ose duke përfunduar në konflikt me qeverinë në Gjykata Ndërkombëtare me fatura të kripura për taksapaguesit shqiptarë, mbyllja e bizneseve, rritja e barrës fiskale të tyre, goditja e fuqisë blerëse, mungesa e burimeve të fuqishme financiare, krimi dhe korrupsioni i rritur – dëshmuar dhe sot nga Transparency International, që në raport e nxjerr Shqipërinë të përkeqësuar më shumë vende, kanabizimi i ekonomisë, që ka sjellë frenimin e të bërit biznes dhe krijimin e ngërçit për investime prodhuese.

-Çfarë duhet për të tërhequr sa më shumë investitorë strategjikë?
Investimet në sektorin e bujqësisë e blegtorisë, investimet prodhuese dhe produktive në sektorët strategjikë e të zhvillimit të qëndrueshëm, mbështetja e biznesit të vogël dhe dhënia e incentivave për investimet prodhuese, janë prerogativa për zhvillimin e ekonomisë dhe rritjen e mirëqenies.

-Për çfarë investimesh ka nevojë vendi?
Për të drejtuar e mundësuar zhvillimin e sektorëve përpunues e prodhues duhen më shumë politika biznesi për rritjen e konkurueshmërisë së ekonomisë në tërheqjen e investimeve.