Një pjesë e madhe e familjeve shqiptare jetojnë në kushtet e mbijetesës, me të ardhura që nuk mjaftojnë as për nevojat bazë. Sipas të dhënave zyrtare nga Banka Botërore, aktualisht 32.1 për qind e familjeve shqiptare i kanë të ardhurat më pak se 34 mijë lekë në muaj ose 9 mijë lekë në muaj për person. Me këto para, ato duhet të përballojnë shpenzimet për ushqim, strehim dhe faturat e përditshme, në një kohë që kostoja e jetesës rritet nga viti në vit. Ndonëse zyrtarisht këto familje nuk klasifikohen si të varfëra nga qeveria, të ardhurat e tyre janë të pamjaftueshme edhe për nevojat më të domosdoshme të jetesës.
Një studim i Avokatit të Popullit doli në përfundimin se minimum jetik në Shqipëri llogaritet në rreth 16 mijë lekë në muaj për person. Kjo do të thotë se, për një familje me 3.8 veta, që është numri mesatar i personave në një familje shqiptare, të ardhurat duhet të ishin minimalisht 60 mijë lekë në muaj. Sipas Bankës Botërore 70 për qind e familjeve shqiptare i kanë të ardhurat nën nivelin e këtij minimum jetik.
70% e familjeve shqiptare nën minimumin jetik
Skandali, ja shembulli si i lëshon lejet e ndërtimit Erion Veliaj
Shumë nga kritikët e Erion Veliajt e kanë shpjeguar firmosjen e plot 167 lejeve të ndërtimit prej tij, pasi kishte premtuar gjatë fushatës zero ndërtime në Tiranë, me faktin se pas gjithë kësaj vale betonizimi fshihen motive okulte. Ndoshta edhe korruptive.
Lapsi.al sot disponon provën e zbardhjes së një leje ndërtimi, megjithëse në tokën ku po ndërtohet pallati 9-katësh një nga pronarët nuk e ka dhënë konsensusin. Dhe nuk bëhet fjalë për një ndërtim të fshehtë diku në periferi, por për një pallat në mes të Tiranës, mbrapa Restorant Piacës.
Dhe Bashkia e Tiranës i ka hapur dritën e gjelbër kësaj shkeljeje, ndërkohë që më parë edhe kryebashkiaku socialist Edi Rama, por dhe pasardhësi i tij Lulzim Basha, kishin refuzuar ta bënin këtë, pikërisht për problemet e pronësisë.
Si qëndron ky problem, për të cilin Lapsi.al disponon dosjen e plotë të korrespondencës me Bashkinë dhe të vendimeve të njëpasnjëshme të gjykatave? Në 4 shkurt 2003, Bashkia Tiranë, atëherë e drejtuar nga Edi Rama, miraton një leje ndërtimi për objekt komercial dhe banesë midis rrugëve “Sulejman Pasha” dhe “Mine Peza”. Por, prej një dekade e gjysëm kjo leje nuk zbardhet kurrë dhe punimet nuk fillojnë, sepse aty konstatohet një problem pronësie.
Këtë problem pronësie, të çertifikuar në formë të prerë edhe nga gjykatat shqiptare, e kanë njohur edhe me radhë tre administrata bashkiake, ajo e Edi Ramës, ajo e Lulzim Bashës dhe së fundi ajo e Erion Veliajt në fillimet e saj. Të gjitha, njëra pas tjetrës, në korrespondencën që i kanë dërguar njerëzve që pretendojnë një pjesë të pronësisë mbi truallin ku do të ndërtohet, shkruajnë shprehimisht se “vendimi për zbardhjen e lejes për kompaninë “Alb Toronto konstruksion” mbetet i pezulluar.
Bashkia e periudhës Rama konfirmon se vendimi do të mbetet i pezulluar. Madje edhe në fillimet e saj, Bashkia e Erion Veliajt e pranon problemin që shoqëria ndërtuese “Alb Toronto Konstruksion” ka me një nga pronarët e truallit, Ilirian Çelën dhe pranon se procedura e zbardhjes së lejes së ndërtimit ka mbetur e papërfunduar dhe projekti i zbatimit të arkitekturës nuk është vulosur.
Madje ndryshe nga dy bashkitë e para, ashtu sikurse mund të shihet në faksimilen poshtë, këtë dokument e nënshkruan vetë kryetari Veliaj, gjë që tregon se ai është i informuar dhe e njeh problemin që e pengon ndërtimin. Ndërkohë vitet kanë kaluar dhe kompanisë së ndërtimit Alb Toronto Konstruksion i përfundon leja e ndërtimit e dhënë nga Edi Rama.
Ajo i drejtohet Gjykatës dhe arrin të marrë vendimin për një shtyrje të afatit të kësaj lejeje. Pra, në thelb, me Gjykatë firma ndërtuese bën të vlefshme atë leje që i kishte dhënë Edi Rama që në vitin 2003. Por që më pas të gjithë kryebashkiakët me radhë nuk kishin pranuar ta zbardhnin dhe ta vulosnin për shkak të problemeve të pronësisë.
Por këtu, Erion Veliaj, megjithëse është në njohje të mirë të situatës, bën një gjë që nuk kishte pranuar ta bënte më parë (shiko shkresën e nëntorit 2015). Ai pretendon se gjoja pas vendimit të Gjykatës, ndërtimi nuk ka më arsye të mbahet pezull.
Pra ndryshe nga Rama, Basha dhe vetja e vet, ai hap dritën jeshile për ndërtimin mbi një truall, ku njëri nga pronarët, Ilirian Çela, nuk ka rënë dakord me ndërtuesin. Ai i hap kështu rrugë, përmes një artifici gjyqësor, me vetëdijen e tij të plotë, grabitjes së një prone m’u në mes të Tiranës.
Natyrisht, ajo që është në lojë nuk është e vogël. Vetëm shmangia e taksës së re të ndikimit në mjedis (për një leje që konsiderohet si e dhënë në 2003-shin) përbën një portofol prej qindra mijëra eurosh. Dhe vend për zhurmë nuk ka. Mediat më të mëdhaja në vend e tregojnë “Lali Erin” vetëm duke mbjellur pemë dhe bërë bamirësi. Askush nuk guxon të tregojë anën e errët të Bashkisë së Tiranës që ka në dorë lejet e ndërtimit. Për më tepër, në zhurmën e madhe të 167 pallateve të firmosura në Tiranë, fati i vetëm njërit prej tyre humbet si kripa në det. Dhe këto të gjitha bashkë, të shoqëruara me vendime kontradiktore gjykatash, bëjnë që të grabitet një tokë në mes të Tiranës.
Fotografia që po bën xhiron e botës, më shumë se 25.000 komente për të
Stephane Bahoken është kthyer në një nga idhujt e rinj të internetit. Sulmuesi i Strasbourg ka ndryshuar imazhin në profilin e tij në Twitter, por nuk mendonte se do të kthehej në personazhin e momentit. Bahoken ka publikuar një imazh që e shikon atë në këmbë, me një shikim krenar, para një Neymar të gjunjëzuar. Ai ka përshkuar këtë fotografi si #MyProfilePic. Ky moment është kapur gjatë ndeshjes së Ligue 1 të luajtur të shtunën e kaluar dhe që është fituar 5-2 nga Paris Saint-Germain dhe ka marrë mijëra “Like” nga përdoruesit e rrjetit social të famshëm.
Pas reagimit të papritur nga populli i Tëitter, sulmuesit 25-vjeçar ka sqaruar se ishte vetëm një shaka dhe se nuk kishte asnjë dashakeqësi: “Është vetëm një fotografi, jo një provokacion nga ana ime. Përkundrazi, është një nder të luash kundër një lojtari të madh si Neymar”, a shpjeguar ai.
Në kërkim për grabitje tokash biznesmeni i radarëve të ushtrisë
Idlir Karkini, biznesmeni i përfshirë në skandalin e vjedhjes së tokave në Rrogozhinë nuk është një emër i panjohur për publikun. Tre vjet më parë, kompania e tij “Idea Tel” u denoncua nga KLSH si e përfshirë në një aferë të rëndë të lidhur drejtpërdrejtë me cenimin e sigurisë kombëtare.
Bëhet fjalë për të ashtuquajturin skandali i radarëve të ushtrisë. Në dhjetor të vitit 2013, përmes një tenderi sekret Ministria e Mbrojtjes i dha kompanisë “Idea Tel” të drejtën për të menaxhuar sistemin e integruar të radarëve detarë, duke ja hequr atë gjigantit amerikan “Lockheed Martin”.
Por në dhjetor të vitit 2015, tenderi u auditua nga KLSH, i cili gjeti shkelje. Sipas KLSH e gjithë procedura ishte zhvilluar në kundërshtim me ligjin për të larguar “Locked Martin” dhe për të shpallur fituese kompaninë “Idea tel”, që në atë kohë kishte si aktivitet të saj vetëm një dyqan celularësh.
Sipas KLSH, Ministria e Mbrojtjes shpalli fituese kompaninë “Idea Tel”, e cila jo vetëm që nuk kishte ekspertizën e nevojshme për të menaxhuar vëzhgimin e hapësirës detare, por kishte ofruar edhe një çmim 4 herë më të lartë se sa “Lockheed Martin”.
Skandali u thellua më shumë në vitin 2016, kur një raport i Autoritetit të komunikimeve elektronike, gjeti se radarët ishin fikur duke i lënë kufijtë detarë të vendit pa kontroll. Opozita akuzoi se, largimi i “Lockheed Martin” dhe përzgjedhja e “Idea Tel” ishte e qëllimshme për të favorizuar trafikun qeveritar të drogës, duke e vënë gishtin tek ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.
“Në Narkoshtetin e Noriegës, sipas përgjimeve të partnerëve italiane, për kontrollin e radarëve të detit me urdhër të Noriegës, ndrikull Kodheli ua kishte besuar narkobandave, duke emëruar njerëz të tyre në qendrën e radarëve”, u shpreh Berisha, më 11 mars 2017.
“Radarët nga mesi i vitit 2012 deri në shtator 2013, ishin të gjithë në tokë. Të gjithë të fikur. Bëmë të mundur që në ditët e para të nëntorit të nxirrja nga fondi i veçantë i kontigjiencës 85 milionë lekë të reja për të bërë ristartimin e të gjithë sistemit”, u shpreh Mimi Kodheli më 2 nëntor 2017.
Dy vjet pas skandalit të radarëve të ushtrisë, Idlir Karkini është shpallur në kërkim. Këtë herë si i dyshuar për vjedhjen e tokave në bregdetin e Spillesë.
Sërish për pronat e Ministrisë së Mbrojtjes, të cilat sipas Prokurorisë janë tjetërsuar përmes falsifikimit të dokumenteve nga zyrtarët e Bashkisë së Rrogozhinës. Nga verifikimet e Prokurorisë ai rezultoi të ishte pronar, sipas një skeme falsifikimimi i tokës së ish-repartit të Poligonit të quajtur Rreth-Greth në Spille.
Biznesmeni dyshohet se vetëm pak ditë para se policët të trokisnin në derën e tij për ta arrestuar, është larguar jashtë vendit.
Spaletti vendos notat
Momenti është nga ato më të vështirët. Interi, pasi ishte protagonist në muajt e parë të sezonit, është ndalur në mënyrë efektive dhe rreziku në fund të sezonit është për të mos arritur qëllimin e madh, të kualifikimit për Ligën e Kampionëve, sezonin e ardhshëm. Trajneri i Interit, Luciano Spalletti, nuk është i fshehur dhe në një intervistë me “Il Corriere dello Sport” u përpoq të analizojë sezonin e zikaltërve, duke i vënë nota ekipit dhe vetes. “Çfarë note do t’i jepja Interit, nëse do të isha gazetar? Unë mund të vlerësoj një pjesë të parë të kampionatit me 9 dhe një pjesë e dytë nga 4, tha trajneri toskan. Nëse mund të kthehesha mbrapa, në qershor, do t’i thoja një ‘po’ më të bindur drejtimit të Interit, edhe pse do të isha më i vetëdijshëm për detyrën që më priste. Sa i përket objektivit, në rast të arritjes së Ligës së Kampionëve në fund të sezonit, do të jepja notën 10, maksimumin”. Sa për një ulje të mundshme në stolin e ekipit kombëtar, Spalletti për momentin nuk mendon për këtë: “E ardhmja ime është ajo që po përjetoj dhe ekipi që jam duke trajnuar, siguroi trajneri zikaltër. Në këtë moment, pra, synimi kryesor është që të sjell Interin në Ligën e Kampionëve. Njeriu i duhur për ekipin kombëtar është Ancelotti. Ai ka gjithçka që u pëlqen të gjithëve”. Intervista e Spallettit lëviz në merkaton e transferimeve, ku trajneri toskan nuk kursen as shakatë, duke filluar nga e ardhmja e Mauro Icardit: “Real Madrid, PSG dhe Manchester United interesohen për të? Fanella me shirita të zi dhe të kaltër është më e mirë se të tjerat, që janë të gjitha me ngjyra të ngurta. Është karakteri i personit që bën dallimin. Icardi nuk është një nga ata që duan të ndryshojnë pa lënë shenjën e tij në ekipin aktual”.
Jo pa batuta, gjithashtu, vjen edhe deklarimi në lidhje me angazhimin e mundshëm të Stefan de Vrij, të cilit është duke i skaduar kontratë me Lazion: “Nëse holandezi është përforcim ideal? Mund të jetë kapiten i ekipit virtual (qesh). Fjalët e mia? Unë nuk sulmoj asnjeri, por mbroj ekipin tim”. Intervista bëhet më serioze në lidhje me Radja Nainggolan, tek i cili Spalletti nuk ka asnjë dyshim: “Është i përshtatshëm për llojin e futbollit të çdo trajneri”. Dhe kush e di se ky nuk është një mesazh i qartë për dy drejtuesit e merkatos së klubit zikaltër, Ausilio dhe Sabatini.
Inceneratori i Fierit, qeveria miratoi ndërtimin mbi truallin e falsifikuar
Ndërsa debati mbi ndërtimin e inceneratorëve është përqendruar te rreziku relativ i ndotjes, disa të dhëna sugjerojnë se qeveria shqiptare mund të jetë kompromentuar në akte të falsifikimit të dokumenteve pronësore mbi tokën ku do të ndërtohen këta inceneratorë.
Hashtag.al ka realizuar një hulumtim mbi pronën ku do të ndërtohet inceneratori i Fierit, ndërsa të dhënat e zbuluara sugjerojnë se konvertimi i kësaj prone nga tokë bujqësore në tokë truall është kryer në mënyrë të dyshimtë.
Le të ta shpjegojmë fabulën në mënyrë elementare.
Trualli ku është përcaktuar ndërtimi i këtij inceneratori ndodhet në një nyje kufitare që lidh tre fshatra Mbrostar-Kallm-Verri.
Kjo zonë është e gjitha bujqësore, kështu ka qenë prej dekadash. Në regjistrin e Kadastrës së Fierit kjo zonë identifikohet me shifrën KZ-2636.
Ngastra konkrete ku është parashikuar ndërtimi i inceneratorit është KZ-2636 me numër pasurie Nr.1.
Kjo pasuri ka qenë përherë tokë bujqësore dhe për ta konvertuar në tokë truall(me qëllim ndërtimin e inceneratorit) duhet një vendim i posaçëm i qeverisë që autorizon konvertimin.
Hashtag.al bëri një kërkim të detajuar nëse ekzistonte një vendim i tillë qeverie, por një vendim i tillë nuk dukej askund.
I vetmi vendim qeverie ishte ai për shpronësimin e kësaj ngastre (lexo këtu vendimin e plotë), e cila konsiderohej automatikisht si tokë truall, bazuar në të dhënat e Hipotekës së Fierit.
Por si u konvertua nga tokë bujqësore në tokë truall kjo ngastër e çmuar ku do ndërtohet inceneratori?
A e kishte autorizuar qeveria konvertimin apo procesi është falsifikuar.
Për ta zbuluar këtë, ndoqëm një formulë të thjeshtë. Nëse do e kishte konvertuar qeveria me vendim të posaçëm, atëherë kjo ngastër jo vetëm do ishte regjistruar në hipotekë si tokë truall, por njëkohësisht ngastra do ishte fshirë dhe nga regjistri i tokave bujqësore të DAMT-së Fier.
DAMT-ja është një organ në varësi dyfishe nga Ministria e Bujqësisë dhe Këshilli i Qarkut të Fierit.
Për çdo vendim qeverie që autorizon konvertimin e tokës bujqësore në truall, në fund të vendimit shkruhet “autorizohet Ministria e Bujqësisë dhe Këshilli i Qarkut për zbatimin e këtij vendimi”.
Pra nëse do ekzistonte një vendim qeverie që kishte bërë konvertimin e ngastrës nga tokë bujqësore në tokë truall, automatikisht DAMT-ja do e kishte fshirë nga regjistri i saj i tokave bujqësore.
Për ta zbuluar nëse kjo ngastër ekzistonte ose jo në regjistrin e DAMT-së, Hashtag.al u interesua pranë DAMT-së Fier dhe zbuloi se kjo ngastër jo vetëm që ekzistonte e listuar si tokë bujqësore, por ishte dhe tokë bujqësore e kategorisë III. Me bonitet III.
Ligji imponon që të gjitha tokat bujqësore me bonitet nga I deri në V, nuk mund të konvertohen në tokë truall(zonë urbane) pa vendim të posaçëm qeverie.
Verifikimi zbuloi ngastra ishte e regjistruar si tokë truall në hipotekë, por në DAMT-në e Fierit ngastra vijonte të mbetej tokë bujqësore.
Pse ndodh kjo përplasje? Janë falsifikuar dokumentet në hipotekë dhe është bërë konvertimi pa vendim qeverie? Apo ekziston diku një vendim qeverie jo-publik, por në DAMT nuk janë fshirë ende të dhënat?
Zbardhja e së të vërtetës lyp një hetim institucional, mbi të gjithë procedurën e piketimit dhe të regjistrimit të kësaj prone në DAMT dhe hipotekë.
Për më tepër që Fieri është një zonë me hapësira të mëdha industriale-urbane, ndaj duket pakëz e çuditshme që qeveria ka shkuar m’u në mes të tokave bujqësore dhe ka vendosur të ndërtojë aty inceneratorin.
Nga ana tjetër, konvertimi i dyshimtë i kësaj toke bujqësore, ka sjellë dhe efekte financiare për pronarin e tokës dhe buxhetin e shtetit.
Vendimi i shpronësimit zbulon se pronar i kësaj ngastre ishte zonja Nevin Godo (Vrioni), ajo është bashkëshortja e politikanit të ndjerë, Sabri Godo. Zonja Godo është shpronësuar për këtë ngastër me sipërfaqe afro 11.1 hektarë, me një shumë prej afro 450 mijë dollarësh.
Qeveria ja ka shpronësuar zonjës Godo ngastrën duke e konsideruar tokë truall, me çmim 415 lekë/m2.
Por nëse kjo tokë do të shpronësohej si tokë bujqësore, çmimi i referencës i miratuar nga qeveria do ishte 269 lekë/m2. Pra dyfish më pak. / Hashtag.al
Më kanë urdhëruar që ta humbas ndeshjen
Mesfushori brazilian i Juventusit, Douglas Costa, ka rrëfyer për mediat një ngjarje aspak të këndshme të karrierës së tij. Ai ka thënë se në kohën kur luante në Brazil me skuadrën e Gremio është kërcënuar dhe detyruar që të humbasë ndeshjen ndaj rivalëve të Flamengos. “Ishin në rezultatin 1-1 në fund të pjesës së parë. Para fillimit të pjesës së dytë erdhi lajmi se Internacional do të bëhej kampioni i ri i Brasilerao. Duhej të luaja për të mos fituar. Nëse do të kishim mundur Flamengon, sot do të isha i vdekur”, rrëfen Douglas Costa për televizionin “Pilhado”. “Në fund, ndeshja përfundoi 2-1 për Flamengo dhe të gjithë ishin të lumtur. Na u urdhërua që ta humbisnim atë takim. Është normale që drejtuesit të zbresin në dhomat e zhveshjes, sidomos para një ndeshjeje të rëndësishme. Flamengo po duelonte për titullin, stadiumi “Maracana” ishte plot. Na thanë që të bënim atë që dëshironim, që përgjegjësia ishte e jona. Nëse do ta fitonim takimin, nuk do të largoheshim dot të gjallë nga ai qytet. Do të kishte qenë një njollë në historinë e Gremio, që t’i jepte titullin Internacional. Nëse do ta fitonim atë ndeshje, do të ishim të vdekur”, tha mesfushori bardhezi.
Loja e trefishtë, që dërgon Varane te United
Një lojë trefishe mes tri klubeve të mëdha në Europë e dërgon Raphael Varane në radhët e Manchester United të José Mourinhos verën e ardhshme, zbulon “Donbalon” në Spanjë. Trajneri portugez ka qenë prej kohësh në ndjekje të mbrojtësit francez, si një nga opsionet më të mira për të përforcuar prapavijën e “Djajve të Kuq” dhe do të ketë justifikimin ideal për të nisur haptazi kontaktet për nënshkrimin e tij sapo të përfundojë ky sezon. PSG-ja e Neymar, përveç kësaj, ka shumë të bëjë me gjithë këtë. Pala parisiene, gjithashtu, është shumë e interesuar në përforcimin e qendrës së mbrojtjes dhe në rastin e saj, ka vënë në qendër të vëmendjes argjentinasin Marcos Rojo. Qendrori i Manchester United nuk ka shumë minuta këtë sezon dhe klubi i kryesuar nga Nasser al-Khelaïfi dëshiron të përfitojë nga kjo rrethanë, për ta marrë atë në Paris për rreth 30 milionë euro, siç pretendojnë nga Anglia. Largimi i Marcos Rojo do të ishte justifikimi ideal për Mourinhon, që të kërkojë nga Manchester United të hidhet me gjithçka për të nënshkruar një Varane, i cili ka qenë prej kohësh në listën e tij të prioriteteve për qendrën e mbrojtjes. Dhe Real Madridi i Florentino Perez, përveç kësaj, tashmë ka një qëllim shumë të qartë për të bërë partner të ri “vallëzimi” të Sergio Ramos në mbrojtje të preferuarin prej kapitenit të “Los Blancos”, Leonardo Bonucci.
Juventusi do t’i rrëmbejë mbrojtësin italian United
Juventusi është i interesuar në sigurimin e nënshkrimit të mbrojtësit të Manchester United, Matteo Darmian. Anësori i djathtë ka luftuar për të pasur kohën e duhur të aktivizimit në “Old Trafford”, duke bërë vetëm katër paraqitje në Premier League, nën drejtimin e Jose Mourinhos, këtë sezon. Juve mund t’i ofrojë atij një rrugëdalje nga United, me gjigantët e Seria A që dëshirojnë të zëvendësojnë mbrojtësin 34-vjeçar, Stephan Lichtsteiner, i cili është i vendosur të largohet nga klubi bardhezi, kur kontrata e tij të skadojë këtë verë. Darmian, gjithashtu, ka qenë subjekt i interesimit të Napolit dhe Romës, por Mourinho deri më tani ka rezistuar për shitjen e tij, duke e vlerësuar atë si një anëtar të suksesshëm të skuadrës. Manchester United ka paguar rreth 13 milionë £ për të nënshkruar me mbrojtësin italian në vitin 2015, nën menaxhimin e Louis van Gaal, ndërsa ka bërë një total prej 80 paraqitjesh me “Djajtë e Kuq”. Kuptohet se Darmian mund të jetë i gatshëm ta lërë “Old Trafford” në verë për një kthim në Itali. Sidoqoftë, Manchester United nuk ka vendosur ende një vlerë për 28-vjeçarin, ndaj mbetet për t’u parë nëse Juventusi do të jetë në gjendje të negociojë një marrëveshje në fund të sezonit. Darmian ka luftuar veçanërisht për të luajtur rregullisht që kur Mourinho zëvendësoi Van Gaal si trajner, në vitin 2016, por insistoi përsëri në tetor se nuk u pendua që iu bashkua klubit nga “Old Trafford”: “Bëra një zgjedhje për të ardhur te Manchester United dhe nuk më vjen keq, tha italiani. Sigurisht, është normale që çdo lojtar dëshiron të luajë sa më shumë të jetë e mundur. Unë punoj shumë çdo javë dhe do ta vazhdoj ta bëj këtë. Unë nuk e shikoj gjithmonë futbollin italian dhe nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, ndoshta do të ketë një shans për t’u kthyer aty një ditë”.
Sammer e pranon: Gabim i madh, që Bayerni e largoi
“Ishte një gabim që Toni Kroos u la i lirë”, tha Matthias Sammer, drejtor sportiv i Bayern Munich në kohën e largimit të mesfushorit te Real Madridi. Këtë deklarim befasues, Sammer e bëri për “Sport Bild”. Ish-lojtari i Dynamo Dresden, Stuttgart, Inter dhe Dortmund zhvilloi një bisedë me këtë tabloid të njohur gjerman, teksa u përqendrua kryesisht në largimin e “8” te Real Madridi. “Ndonjëherë ka situata që duhet t’i analizoni me ndershmëri, duke shikuar prapa… Kush ka bërë gjithçka në jetë? Ndoshta, Bayern Munich do të kishte bërë më mirë, po të kthehet pas. Sot mund të them se ishte gabim që Toni Kroos të ikte”. Edhe pse pranoi se gabimi ishte gjithashtu i tij, Sammer tregoi se si ndikoi ky largim te Bayerni aposteriori. Ai e njihte Kroosin që kur ishte praktikisht një adoleshent, ndaj thotë se u përpoq t’ia ndryshonte mendjen: “Isha ulur në divanin e tij dhe u përpoqa t’ia ndryshoja mendjen. E njihja prej një kohe të gjatë, kur ai ishte 16 ose 17 vjeç… Fillimisht, largimi i tij nuk e tronditi Bayernin, por kur mendon nëse ishte mirë apo keq… Ishte patjetër keq, shumë keq, por për të ndryshimi rezultoi i saktë”, shtoi ish-libero i ekipit kombëtar gjerman. Por jo vetëm largimi i Kroos nga Bayern Munich u diskutua. Në një aspekt kombëtar, ish-futbollisti u pyet nëse preferonte të punonte në DFB (Federata gjermane e Futbollit) apo te Bayern. Sammer nuk ka zgjedhur në mënyrë të qartë, por pranoi se puna e tij te Bayern ishte mjaft e komplikuar dhe e lodhshme. “Detyra ime në Mynih ishte e lodhshme, edhe pse jam shumë mirënjohës për mundësinë që Bayerni më dha. Në këtë klub, duke punuar në mesin e liderëve si Uli Hoeness dhe Rummenigge, ishte një sfidë e madhe”, u përgjigj Sammer.