23.5 C
Tirana
E diel, 4 Maj, 2025

“Asllani nuk mundi të hynte”, Inzagi pas duelit ndaj Juves: Zhgënjim i madh, tifozët neutralë do jenë kënaqur

Trajneri i Interit, Simone Inzagi, analizoi barazimin dramatik 4 me 4 që skuadra e tij regjistroi në shtëpi ndaj Juventusit. Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes në konferencën për shtyp, tekniku zikaltër deklaroi:

“Për mendimin tim, Zielinski bëri shumë mirë, ai luajti një ndeshje të shkëlqyer. Ne e dimë vlerën e Çalhangolu i cili arrin të bëjë mirë në të dyja fazat. Por ishte një ndeshje e vështirë për t’u komentuar, e patë të gjithë: këtu është një zhgënjim i madh, me një ndeshje si kjo ne merituam një rezultat ndryshe dhe tani jemi të kushtëzuar nga rezultati final.

Është e qartë se ka pasur gabime, ne të gjithë duhet të bëhemi më të përgjegjshëm, atëherë qartësisht duhet t’i shqyrtoj ato! Ka gabime të përsëritura. Të gjithë duhej të bënim më mirë, është e vështirë të flasim. Si një trajner, unë duhet të jem i qartë dhe të kuptoj, e di që tani jemi të ndikuar nga rezultati në njëmbëdhjetë ndeshje kundër Juventusit që nuk më ka ndodhur kurrë të krijoj tetë-nëntë raste një ekip solid.

Tifozët neutralë që e duan futbollin sigurisht që do të jenë kënaqur. Ne pak më pak, ne e dimë se çfarë përfaqëson derbi italian.

Do të ishte shumë e lehtë që një zëvendësim të ishte vendimtar, në pjesën e parë pësuam dy gola të ngjashëm me dy të tjerët. Të gjithë duhet të marrim përgjegjësi, nuk mund të jetë faji i mbrojtësve apo i një individi, por i të gjithëve.

Me rotacionet unë isha pak i shkurtër, Asllani nuk mundi të hynte dhe Buçanan bëri stërvitjen e parë të premten, ndoshta do të më kishin ndihmuar më shumë në atë moment”, u shpreh Inzagi.

Zbuloni shtatë ushqime që mund t’i ruani në ngrirje ose t’i blini të ngrira

Rafti i ngrirjes në frigoriferin tuaj mund të kthehet në vendin perfekt ku mund të ruani për një kohë të gjatë ushqimet më të shëndetshme.

Ushqimet e ngrira janë një nga mënyrat më të mira për të përgatitur shpejt një vakt, një pije, apo për të shijuar disa lloje ushqimesh që iu ka kaluar sitina e prodhimit.

Më poshtë AgroWeb.org zbulon për ju se cilat ushqime të ngrira janë opsionet më të mira që mund të mbani në ngrirje.

Frutat e pyllit

Grumbulloni një shumëllojshmëri frutash pylli dhe ruajini ato në ngrirje për javë ose në qofë edhe për muaj me rradhë. Ato përbëjnë një zgjedhje të shkëlqyer, pasi mund të shtohen lehtësisht në receta të ndryshme dhe në pije shumë të shëndetshme.

Bizelet

Ju mund t’i shtoni në pjatat e makaronave apo të orizit, për t’a pasuruar vaktin tuaj me proteina, fibra dhe shumë vlera të tjera. Një alternativë e shkëlqyer për rastet kur nuk keni perime të freskëta, por ende dëshironi që t’i përfshini ato në vaktin tuaj.

Spinaqi

Ju mund ta përfshini atë lehtësisht në pije, supë, gjellë të ndryshme dhe në pjata të tjera me perime dhe mish.

Misri

Kallinjtë e freskët mund t’i gjeni me lehtësi në stinën e verës, por jo gjatë muajve të ftohtë të vjeshtës dhe dimrit. Prandaj ruajtja e tij në ngrirje, do t’ju ndihmojë ta keni në tryezë gjatë gjithë vitit. Misri e ruan ëmbëlsinë e tij shumë mirë, biles edhe më mirë se misri i konservuar. Nuk keni nevojë të shkrini misrin e ngrirë përpara përgatitjes, por shpëlarja e shpejtë e tij mund të ndihmojë në shkrirjen e akullit.

Barbunjat

Një burim i mrekullueshëm priteiansh bimore, që mund ta shtoni në sallata dhe pjatat me perime në çdo kohë,

Mishi

Sigurisht që nuk kishte si të mungonte edhe mishi. Gjithmonë mbetet një veprim i mençur që në raftin e ngrirjes të ruani edhe mish. Ai mund të jetë i llojeve të ndryshme, e ju majde mund ta pastroni dhe ta prisni në feta, në mënyrë që kur ta gatuani t’i kurseni vetes kohë.

Karkalecat

Nëse jeni adhurues i ushqimeve të detit, jeni me fat. Në këtë listë mund të shtoni edhe karkalecat. Ato gatuhen në pak minuta, duke bërë një vakt të shëndetshëm e të pasur me proteina dhe jod. /AgroWeb.org

Pse Berisha, Rama, Meta humbën shansin e një Amnistie Penale, për të falur veten dhe veprat e shkuara

Tërheqja zvarrë e ish-kryeministrit Meta ka hapur një debat të madh në Shqipëri.

4 kryeministra janë proçeduar penalisht në këto 30 vjet: Fatos Nano, Vilson Ahmeti, Sali Berisha dhe Ilir Meta.

Mjafton ky fakt pët të kuptuar se tërheqja zvarrë s’është pritur mirë as nga Edi Rama, i cili në të ardhmen mund të hetohet për të njëjtat vepra penale.

Por a kishin hapësira ligjore Meta, Berisha, Rama të mos kishin lejuar të vinte kjo ditë?

Po Po ata kishin 100% mjetet ligjore të pengonin dhe mos vinte kjo ditë.

Kushtetuta parashikon në nenin 81 dhe 83 të drejtën e Kuvendit për të votuar Amnisti Penale.

Gjatë këtyre 34 viteve Berisha, Meta, Rama, Basha kanë miratuar me ligj disa Amnisti Penale.

Në disa Amnisti Penale janë falur me mijëra persona që kanë kryer vepra më të rënda se korrupsioni apo shpërdorimi detyrës.

Në disa amnisti janë falur persona për krime të jetës, plagosje, trafik lëndësh narkotike, vjedhje, kanosje, mashtrim etj etj.

A mundej Meta, Berisha, Rama të përfshinin në këto Amnisti me ligj edhe veprat penale:

– Korrupsion pasiv
– Shpërdorim detyre
– Fshehje pasurie
– Pastrim “parash” produkteve
– Mos deklarim pasurie

Përgjigjia është: Po, ata mund ti kishin votuar dhe sot nuk do ishin arrestuar sepse me ligj nuk hetohen veprat penale të amnistuara.

Ata nuk kanë pasur asnjë pengesë kushtetuese që nëse në vitin 2013, 2017, 2020 apo 2024 të kishin amnistuar këto vepra oenlale, askush që kishte kryer para momentit që do votohej ligji nuk do ishte subjekt i hetimit dhe gjykimit pasi prokuroria do detyrohej të pushonte çështjet penale sepse do ishin vepra të amnistuara dhe ligji ka efekt prapaveprues.

Dikush nga ju do pyes: Pse nuk e votuan?

Në vitin 2016 të 4 liderve politik një nga misionarët diplomatik i ngarkuar me reformën e drejtsisë ju bëri ofertën e fundit:

Votoni një Amnisti Penale ku të falni njëri-tjetrin për çfarë keni kryer në të shkuarën me kushtin që të largoheni nga politika.

Diplomati që ju kishte bërë ofertën, ishte një mik i Shqipërisë dhe e argumentinte propozimin me nevojën që Shqipëria do përfitonte më shumë të falte 4 qeveritarë që mbanin peng 4 milion shqiptarë.

Ai arsyetonte që nëse nuk falen sot, ata nga frika do e mbajnë peng 10 apo 20 vjet Shqipërinë deri sa drejtsia ti dënojë dhe largojë.

Atëherë nuk e mirkuptova dhe as nuk e besova.

Pas 10 vitesh ja vlen të pyesim:

Ja vlente të ishin larguar dhe Shqipëria të ishte çliruar 10 vjet më parë, apo 10 vjet që na morën zvarrë dhe të humbura nga jeta jonë?

Fakti që ata e refuzuan Amnistinë Penale dhe nuk e votuan faljen e njëri-tjetrit është tregues se ata kurrë s’kishin menduar që do vinte kjo ditë.

Erdhi dita, por sot ata janë penduar që nuk janë amnistuar me disa ligje që kanë votuar.

Tani është shumë vonë për ata dhe për popullin që u morr zvarrë disa dekada.

Askush nuk ja u kthen dot vitet e humbura, as videot me arrestime apo sekuestrime…

“Wir schaffen das”: Themelet që hapi Merkel në Ballkanin Perëndimor

Nga Valona Tela REL

“Wir schaffen das”, apo “Ne mund ta bëjmë këtë” – ishte refren i vazhdueshëm i Angela Merkelit në vitin 2015, atëkohë kancelare e Gjermanisë. Me të, shprehte vendosmërinë e saj për t’iu hapur dyert imigrantëve – shumë prej të cilëve iknin nga lufta në Siri, e të tjerët nga Afrika e Veriut, Iraku e Afganistani.

Më 2015 dhe 2016, mbi 1.2 milion njerëz aplikuan për azil në Gjermani dhe rreth 800.000 në pjesë të tjera të Evropës, duke shënuar kështu lëvizjen më të madhe të popullsisë në kontinent që nga Lufta e Dytë Botërore.

Një studim i publikuar në korrik nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik gjeti se shkalla e punësimit të imigrantëve në Gjermani në vitin 2022 ishte 70% – dukshëm më e lartë se në shumicën e vendeve të tjera të BE-së.

Me rritjen e së djathtës ekstreme ndër vite dhe pas disa sulmeve të kryera nga imigrantë të dyshuar, Gjermania sot ka ligje më të ashpra për azilin dhe kontrolle në të nëntë kufijtë e saj tokësorë.

Në margjina të një samiti të BE-së, javën e kaluar, kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se Qeveria e tij është duke luftuar me sukses imigracionin e paligjshëm.

“Në muajt e fundit, Gjermania kishte gati 50% më pak kërkesa për azil, krahasuar me një vit më parë, dhe dëbimet vazhduan gjithashtu”, tha Scholz.

Gjermania s’është e vetmja. Kontrolle në kufij vendosën edhe shtete të tjera, si Austria, Franca, Danimarka, Sllovenia etj., edhe pse bëjnë pjesë në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen.

Si arsye, shumë prej tyre përmendën kërcënimet terroriste dhe sistemet e mbingarkuara të azilit. Polonia, në anën tjetër, paralajmëroi se do ta pezullojë përkohësisht të drejtën për azil, pasi Finlanda më herët mbylli të gjithë kufirin me Rusinë, për shkak të azilkërkuesve.

Italia, ndërkohë, zgjodhi edhe një rrugë tjetër, duke hapur dy qendra imigrantësh në Shëngjin dhe në Gjadër të Shqipërisë, në të cilat planifikon të mbajë burra që kapen në ujërat ndërkombëtare, derisa përpiqen të kalojnë nga Afrika në Evropë.

Atje do të përpunohen vetëm aplikacionet e njerëzve nga vendet që Italia i konsideron të sigurta – në total 21 syresh. Ndaj, shumica pritet të refuzohen – ata që pranohen, çohen në Itali, të tjerët riatdhesohen.

Kështu kërkon marrëveshja që kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, nga e djathta ekstreme, bëri me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, vitin e kaluar.

Grupi i parë prej 16 imigrantësh arriti në Shqipëri më 16 tetor, por vetëm pas pak ditësh ata u dërguan në Itali, pasi Gjykata e Romës konstatoi se vendet prej nga vinin – Egjipti dhe Bangladeshi – nuk mund të konsideroheshin të sigurta.

Në përpjekje për ta shpëtuar marrëveshjen me Shqipërinë, Qeveria italiane e ngriti statusin ligjor të listës së vendeve të sigurta – nga dekret ministror në akt ligjor.

Vendimi i Gjykatës së Romës, megjithatë, hedh dyshime mbi realizimin dhe ligjshmërinë e planeve që edhe BE-ja po i diskuton, për ndalimin e imigrantëve në qendra jashtë bllokut.

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se “duhet nxjerrë mësime nga protokolli mes Italisë dhe Shqipërisë”.

“Shkalla e kthimit të imigrantëve të parregullt nga vendet e BE-së është aktualisht vetëm rreth 20% – që do të thotë se shumica dërrmuese e njerëzve që urdhërohen të largohen nga një shtet anëtar i BE-së, nuk e bëjnë këtë”, shkroi von der Leyen në një letër dërguar vendeve anëtare.

Në kontekstin e planeve të BE-së për t’i dërguar imigrantët përtej kufijve, Ravenna Sohst, nga Instituti i Politikave të Migracionit në Evropë, flet për rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor:

“Ballkani Perëndimor është një grup vendesh interesante, sepse ato janë afër Bashkimit Evropian. Disa shtete anëtare kanë marrëdhënie shumë të ngushta me to. Italia e Shqipëria janë një shembull, por edhe Gjermania është e lidhur me shumë prej tyre”.

“E, përveç kësaj, shtetet e këtij rajoni vijnë në mendje edhe për shkak të aspiratave të tyre për anëtarësim në BE”, thotë Sohst për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Duke ndihmuar Italinë, Qeveria në Tiranë siguron mbështetjen e saj në procesin e integrimit në BE. Sohst thotë se në këtë mënyrë mund të joshen edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat, përveç Kosovës, janë të gjitha kandidate për anëtarësim në bllok.

Eleonora Milazzo, nga Qendra e Politikave të Migracionit e Institutit Universitar Evropian, thotë se bashkëpunimi i jashtëm efektiv për menaxhimin e migracionit, kërkon përfitime të balancuara dhe gjithëpërfshirëse si për BE-në, ashtu edhe për vendet e përfshira partnere.

E pyetur nëse Ballkani Perëndimor mund të bëhet adresë për imigrantët që synojnë BE-në, Milazzo thotë:

“Tash për tash, mund të them se ka një interes të madh dhe thirrje të fuqishme për të eksploruar opsionin e ndalimit të imigrantëve dhe të përpunimit të kërkesave për azil në qendra të pritjes ose të dëbimit në vende të huaja. Kemi parë disa propozime të tilla edhe në ditët e fundit dhe rezultat i takimit të 27 liderëve të BE-së, javën e kaluar, ishte shtrëngimi i politikës së dëbimit”.

Në një adresim për gazetarët, javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk ka marrë ndonjë kërkesë për pranimin e imigrantëve, ashtu siç ka bërë Shqipëria.

“Ne kemi pranuar refugjatë nga Afganistani, pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara. Kur SHBA-ja kërkon diçka prej nesh, ne nuk e vëmë në pikëpyetje, por kërkesa të tilla nga pala evropiane nuk kemi pasur”, tha Kurti.

Kosova pranoi disa valë afganësh nga viti 2021, kur talibanët morën pushtetin në vendin e tyre.

Në maj të këtij viti, Kuvendi i Kosovës ratifikoi marrëveshjen për t’i lëshuar me qira Danimarkës një burg në qytetin e Gjilanit. Shteti danez pritet të sjellë aty rreth 300 të dënuar prej tij.

Aktualisht, burgu është në fazën e adaptimit sipas kërkesave të Danimarkës dhe më pas pritet transferimi i të burgosurve. Pasi ata ta vuajnë dënimin, do të deportohen.

Kjo marrëveshje u nënshkrua qysh në vitin 2022 dhe ministri i Drejtësisë i Danimarkës atëkohë, Nick Haekkerup, la të kuptohej se të burgosurit që do të dërgohen në Kosovë, nuk do të jenë shtetas të Danimarkës apo të vendeve të tjera të BE-së.

“Me këtë marrëveshje, Danimarka dërgon një sinjal të qartë për të huajt nga vendet e palëve të treta që janë dënuar me dëbim: e ardhmja juaj nuk është në Danimarkë dhe për këtë arsye nuk do ta kryeni dënimin tuaj këtu”, tha Haekkerup.

Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës se si do të procedonte nëse BE-ja ose ndonjë vend i saj anëtar do t’i kërkonte të strehonte imigrantë të tjerë, ngjashëm si Shqipërisë, por zëdhënësi Përparim Kryeziu konfirmoi se “një kërkesë e tillë nuk ka ardhur”.

Në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Bosnje e Hercegovinës dhe Malit të Zi nuk iu përgjigjën pyetjes së REL-it.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u shpreh kategorikisht kundër në një takim që zhvilloi këtë javë me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, dhe me kryeministrin sllovak, Robert Fico, në Komarno të Sllovakisë.

“Nuk më shkon mendja dhe nuk do të pranoja në asnjë rrethanë që Serbia të bëhej vatër e nxehtë. Nuk ka dredhi dhe lojëra të tilla. Miqtë e mi nuk kërkuan, as dikush tjetër nuk mund të kërkojë, sepse nuk mendoj ta diskutoj fare”, tha Vuçiq.

Gjatë krizës së vitit 2015, por edhe në vitet e mëvonshme, Serbia dhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, si Bosnje e Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut, u shfrytëzuan si rrugë transite nga imigrantët për të hyrë në vendet e BE-së.

Në Organizatën Ndërkombëtare për Migrim, e cila është pjesë e sistemit të Kombeve të Bashkuara, thonë për Exposenë se menaxhimi i migrimit është një prerogativë sovrane e shteteve dhe duhet të jetë në përputhje me detyrimet sipas ligjit ndërkombëtar dhe rajonal.

“Marrëveshjet jashtëterritoriale, në përgjithësi, mund të paraqesin sfida ligjore, etike dhe operacionale. Ne besojmë se bashkëpunimi midis shteteve për migrimin dhe azilin duhet të mbështetet në standardet më të larta të mbrojtjes dhe dinjitetit, sidomos për njerëzit në situatat më të cenueshme”, thotë zëdhënësi Ryan Schroeder.

Milazzo, nga Qendra e Politikave të Migracionit me seli në Firence, thotë se është e vështirë të vlerësohet efektiviteti i veprimeve të vendeve të BE-së, por thekson rëndësinë e solidaritetit dhe të ndarjes së përgjegjësive.

Ngjashëm sugjeron edhe Sohst, nga instituti me qendër në Bruksel. Sipas saj, politika e imigracionit nuk ka të bëjë vetëm me reduktimin e ardhjeve të reja.

“Politika e imigracionit është shumë më e madhe. Ka të bëjë me atë se si t’i mbrojmë njerëzit në nevojë sa më shumë; si t’u përgjigjemi tregjeve të punës që kanë nevojë për punëtorë të rinj; si t’u përgjigjemi ndryshimeve demografike. Të gjitha këto janë çështje vërtet të rëndësishme me të cilat duhet të merret politika e imigracionit”, thotë Sohst.

Sipas Agjencisë Kufitare të BE-së, Frontex, numri i kalimeve të parregullta kufitare në BE, në shtatë muajt e parë të këtij viti, ra për 36%, përkatësisht në 113.400, krahasuar me vitin 2023.

Për kritikët, politika e dyerve të hapura e Merkelit ishte “marrëzi”. “Fjalët e saj nuk mund të tërhiqen. Ajo e ka përkeqësuar një problem që do të jetë me ne me vite, e ndoshta edhe me dekada”, shkroi gazeta britanike, The Spectator.

Për mbështetësit, qasja e saj është një dëshmi e përkushtimit të Gjermanisë ndaj vlerave humanitare.

E, balancimi i të dyja këtyre qëndrimeve duket se do të jetë një e bëmë vërtet magjike e kohës sonë.

“Pluhuri përmban përqindje të lartë metalesh që shkaktojnë kancer!”- VOA: 2100 ton mbetjet të dyshuara të rrezikshme rikthehen në Shqipëri!

Në Shqipëri një anije e ngarkuar me 2100 tonelata mbetje industriale që dyshohet se përmbajnë lëndë të dëmshme, pritet të mbërrijë në portin e Durrësit. Ngarkesa që besohet se përmban mbetje nga hiri i oxhaqeve metalurgjike, ishte nisur nga Shqipëria në korrik të këtij viti me destinacion Tajlandën e cila e refuzoi atë pas alarmit të dhënë nga organizata joqeveritare ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’ me seli në Seattle, të Shteteve të Bashkuara.

Nuk është e qartë se si do të veprohet në këtë rast nga autoritetet shqiptare, të cilat thanë se, përsa kohë çështja është nën hetim, i takon Prokurorisë të përcaktojë procedurat që do të duhet të ndiqen

Pas një odiseje më shumë se 3 mujore lundrimi në det, deri në Azinë e largët, kontejnerët me mbetjet industriale të cilat dyshohet se janë pluhur helmues, që del nga oxhaqet e fabrikave metalurgjike, pritet të mbërrijnë në orët e para të mëngjesit të nesërm, në portin e Durrësit, ngarkuar në një anije të nisur nga Gioia Tauro në Itali. Pluhuri i dyshuar, i njohur me siglën EAF, përmban përqindje të lartë metalesh si plumbi dhe kromi dhe mbetje të tjera kimike që shkaktojnë kancer.

Ngarkesa u nis në muajin korrik nga porti shqiptar, si pjesë e një marrëveshjeje eksporti të kompanisë shqiptare “Sokolaj”, e cila i kishte blerë mbetjet nga kompania Kurum, prodhuese e çelikut dhe hekurit, në mjediset e ish kombinatit metalurgjik në Elbasan.

Dyshimet për përmbajtjen e tyre të rrezikshme, u hodhën nga organizata joqeveritare ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’, pas një sinjalizimi që ajo kishte marrë nga Shqipëria. Kompania Sokolaj, nuk i ka deklaruar si mbetje të rrezikshme, kur ato u grumbulluan në një mjedis të hapur në Portin e Durrësit përpara se të ngarkoheshin në kontejnerë.

Për këtë rast, është duke u kryer një hetim i dyfishtë, nga prokuroria e Durrësit në Shqipëri dhe nga zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve, OLAF, në Bruksel. Alarmi i dhënë nga “Rrjeti i Aksionit të Bazelit” bëri që Tajlanda, vendi pritës, të refuzonte shkarkimin e kontenierëve në portet e saj, ndërsa u njoftua se anijet do riktheheshin në Shqipëri.

Në atë kohë, në muajin gusht, ministria shqiptare e Infrastrukturës dhe ajo e Mjedisit, dolën me një qëndrim të përbashkët ku theksonin se “Shqipëria nuk mund të pranojë a priori rikthimin e ngarkesave të tilla, aq më tepër vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekullimeve, pa realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme”.

Për momentin nuk është e qartë se si do të veprohet nesër me anijen që pritet të mbërrijë në Durrës. Sipas autoriteteve shqiptare të kontaktuara nga Zëri i Amerikës, përsa kohë çështja është nën hetim, i takon prokurorisë të përcaktojë procedurat që do të ndiqen. “Rrjeti i Aksionit të Bazelit” ka bërë thirrje që “kontejnerët të hapen publikisht dhe në prani të grupeve të pavarura si BAN-i dhe mostrat të ndahen që të mund të analizohen paralelisht në laboratorë të ndryshëm”, tha drejtori ekzekutiv i grupit BAN, Jim Puckett.

Sot në hyrje të Portit të Durrësit, Partia Demokratike organizoi një protestë, me pjesmarrjen dhe te ekspertëve të mjedisit. Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi drejtoi gishtin e përgjegjësisë mbi qeverinë shqiptare: “Askush nuk e di çfarë po ndodh me këto mbetje toksike që do të helmojnë jetën e qytetarëve, fëmijëve tanë. Askush të mos tentojë ta shesë këtë si histori pazaresh mes privatësh. Secilit pjesën e përgjegjësisë që i takon, dhe më e rrezikshmja është e atyre që drejtojnë këtë vend”

Ndërsa ambientalistët, duke hedhur hije të forta dyshimi mbi rrezikshmërinë e ngarkesës me mbetje, deklaruan se ato nuk duhen pranuar përsa kohë nuk dihet se farë janë saktësisht./VOA

A po shembet klasa e vjetër politike 33-vjeçare/ Pas Berishës e Metës, Rama tashmë jo i sigurt për fatin e tij

Klasa politike e këtyre viteve nuk ka qënë dhe aq e larmishme në figura apo në qasje të reja. Prej pothuajse 34 vitesh Shqipërinë e kanë qeverisur pothuajse pak njerëz, por mund të cilësojmë se tre prej tyre kanë qënë më dominantët duke marrë dhe mbajtur pozicionet kyçe në vend.

Edi Rama, Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë qeverisur Shqipërinë duke bërë ligje, marrëveshje dhe një shtet siç atyre ju ka leverdisur.

Prej tyre sot ende në Shqipëri flitet për tranzicionin e gjatë që përjeton ende Shqipëria, ku emigracioni dhe korrupsioni janë dy pikat që njohin vetëm rekorde negative.

Edi Rama pothuajse ka që nga 1998 që mban një karrige pushteti, duke e nisur si ministër i Kulturës (1998-2000), e më pas 3 mandate në krye të bashkisë Tiranë. Prej 2013 ai mban postin e kryeministrit dhe synon mandatin e katërt.

Pushteti i Edi Ramës i shtrirë në kohë pothuajse zgjat 27 vjet deri në mbarimin e mandatit aktual.

27 vite dhe pretendon ende se ka diçka për të bërë ndryshe, kur ndërkohë ka qënë ai shefi i Saimir Tahirit, Ilir Beqajt, Arben Ahmetajt, Vangjush Dakos, Alqi Bllakos, Lefter Kokës e Jurgis Çyrbes.

I fundit Sali Berisha, president dhe kryministër i vendit. Pothuajse aktivi prej 1991 e deri më sot. I ndodhur nën hetim nga SPAK dhe me masë sigurie arrest shtëpie, Sali Berisha drejton sot Partine Demokratike dhe synon sërish pushtetit. Ai ka pasur pushtet në 1992-1997 dhe 2005-2013, pra pothuajse 13 vite.

Nëse do ti bashkonim vitet e tre personazheve kryesore të politikës ato do të shkonin rreth 50 vite, po aq sa Shqipëria vuajti në terrorin e diktatorit.

E po ta shohim me këtë sy kryeministrat e pas viteve 90 janë pothuajse të gjithë me akuza. Po të heqim Pandeli Majkon dhe Bashkim Finon që ishin kryeministra të përkohshëm të tjerët kanë pasur tjetër qasje me drejtësinë.

Nano u arrestua dhe bëri burg, Berisha është person nën akuzë dhe Ilir Meta ndodhet në burg, e ndoshta Edi Rama i frikësohet thyerjes së kësaj tabuje, pasi po të lidhje direkte me inceneratorët, chek-up e afera të tjera me siguri e pret një mega hetim i madh. /Alfapress.al

Indeksi i Safe Journalists: Gazetarët shqiptarë punojnë në mjedis armiqësor

Nga Erisa Kryeziu/ Citizens.al

Gjatë vitit 2023 gazetaria e pavarur në Shqipëri u përball me sfida të vështira si ndërthurja e interesave politike dhe ekonomike në vijën editoriale dhe kërcënimi fizik apo me padi.

Ky është përfundimi i nxjerrë nga Indeksi i përvitshëm i Lirisë së Medias dhe Sigurisë së Gazetarëve, përpiluar nga Safe Journalists Albania një platformë e përbashkët monitorimi e krijuar nga organizatat e gazetarëve të Ballkanit Perëndimor nën mbështetjen e Komisionit Evropian.

Indeksi ofron një vlerësim të situatës së gazetarisë dhe apelon për reforma në përmirësimin e mjedisit ligjor dhe institucional.

Për vitin 2023 monitorimi ka nxjerrë një panoramë relativisht të përkeqësuar krahasuar me një vit më parë ku nëse fokusohemi vetëm te sulmet ndaj punonjësve të medias, gjatë këtij viti u raportuan:

  • nëntë sulme të gazetarëve (njësoj sa 2022)
  • nëntë sulme ndaj mediave dhe organizatave mediatike
  • dy kërcënime për jetë të gazetarëve
  • pesë kërcënime dhe ngacmime jo-fizike

Shqetësues konsiderohen kushtet e punës dhe sidomos përqendrimi i pronësisë së medias.

Sipas indeksit kjo e kthen në sfidë gazetarinë e pavarur pasi pavarësia editoriale rrezikohet prej “ndërthurjes së interesave të pronarëve me ato të figurave politike dhe aktorëve ekonomikë”.

Klasifikimi i “shpifjes” si vepër penale mbetet praktikë legjislative që bie ndesh me praktikat ndërkombëtare.

“Kuadri ligjor krijon potencialin dhe barrë të rëndë në dëm të gazetarëve duke shtypur lirinë e shprehjes,” – thuhet në raport teksa paditë dhe gjobat e konsiderueshme për shpifje konsiderohen me ndikim negativ në qendrueshmërinë financiare të mediave.

Në fakt paditë ndaj gazetarëve u rritën gjatë vitit 2023.

Indeksi vëren se në total ishin 65 padi civile dhe 8 penale, të cilat u shqyrtuan në gjykatat e kryeqytetit dhe rretheve, përfshirë këtu Apelin apo Gjykatën e Lartë.

Sidoqoftë, gjatë vitit 2023 nuk u dënua me burg asnjë gazetar.

Shqetësues shihet edhe konfidencialiteti i burimeve të informacionit, ku hulumtuesit përballen me pengesa në sigurimin dhe ruajtjen e marrëdhënieve me burimet.

Indeksi këto vështirësi i lidh me shqetësimet për pasigurinë fizike apo të punës së gazetarëve të angazhuar në gazetari investigative mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Kjo, sipas indeksit, ndikon në lirinë dhe besimin e tyre për të vendosur e ruajtur kontakte që janë burim informacioni për punën e tyre.

Deklaratat apo konferencat për shtyp me pak mundësi ndërveprimi nga gazetarët shihet si problematike nga indeksi, i cili merr si shembull qasjen kufizuese për informacion, transparencë dhe të drejtë informimi nga ana e Bashkisë Tiranë.

“Kryetari i Bashkisë së Tiranës vazhdoi të shmangte konferencat për shtyp, të përjashtonte gazetarët nga aktivitetet publike dhe të furnizonte mediat me përmbajtje të gatshme për transmetim,” – thekson raporti.

“Në vitin 2023, këto konferenca vazhduan kryesisht si deklarata të njëanshme për shtyp, duke ofruar fare pak mundësi, në mos asnjë, për ndërveprim me gazetarët. Rrjedhimisht, në këto takime shpesh shiheshin vetëm operatorët e kamerave, me një mungesë të theksuar të gazetarëve”.

Komunikimet e departamenteve të qeverisë përmes grupeve të Whats-App-it konsiderohet gjithashtu kufizues ndërsa raporti vë në dukje një lloj perceptimi armiqësor të gazetarëve që raportojnë për media të konsideruara “të opozitës”.

Shqetësues shihet edhe mosrespektimi i të drejtës së informimit, ku numri i ankesave nga gazetarët ishte i konsiderueshëm gjatë 2023-it.

”Zyra e Komisionerit shqyrtoi 957 ankesa, ku rreth 390 u bënë nga gazetarë dhe 170 nga organizata të shoqërisë civile, duke evidentuar kështu sfidat e vazhdueshme lidhur me transparencën dhe të drejtën e informimit”.

Pavarësisht përcaktimeve ligjore institucionet priren të vonojnë deri ditën e fundit përgjigjjet duke sjellë vonesa në punën e gazetarëve të cilët detyrohen t’i drejtohen burimeve alternative. Paralelisht ka pasur raste ku institucionet kanë kërkuar tarifa të larta për atë që konsiderohet si “kosto e riprodhimit të dokumenteve”.

Përmes direktivash apo urdhrash të paqartë, gjatë vitit 2023, gazetarëve iu kufizua aksesi në mjedisin e Kuvendit, duke mos lejuar intervistat me ministra apo deputetë.

“Pavarësisht nga premtimet për rishikimin e rregullores, deri më sot nuk janë bërë ende ndryshime në të dheincidentet me kufizimet e imponuara nga Garda vazhduan edhe në gjysmën e parë të 2024,” – thuhet më tej në raport.

Sa i takon kushteve të punëspagat e papaguara, orët jashtë orarit të papaguara dhe puna në ditët e pushimeve zyrtare ishin disa nga shqetësimet e gazetarëve përgjatë vitit 2023.

“Në vitin 2023, gazetarët dhe punonjësit e medias në Shqipëri u përballën me kushte të vështira pune dhe pasiguri ekonomike, duke bërë që në Inspektoratin Shtetëror të Punës107 të paraqiten 26 ankesa ndaj 5 subjekteve”.

Pavarësisht kësaj gjendje, indeksi thekson se gazetarët apo punonjësit e medias hezitojnë të denoncojnë.

Në raport përmendet edhe rasti i Radio Televizionit Publik Shqiptar, ku Drejtori i Përgjithshëm shkarkoi rreth 140 gazetarë e punonjës të medias.

“Edhe pse [Drejtori] ka kompetencën ligjore të marrë në punë dhe të pushojë drejtorë drejtorie dhe shefa sektorësh, është e nevojshme që këto vendime të zbatohen me transparencë dhe në përputhje me të drejtat e punës që garantojnë mbrojtjen e gazetarëve,” – theksohet në raport.

Për RTSH-në indeksi sheh me shqetësim edhe pavarësinë editoriale ku konstatohen njëanshmëri në favor të partisë në pushtet gjatë edicioneve të lajmeve .

“Shqetësimet kryesore lidhur me presionin ndaj gazetarisë nuk burojnë nga presioni i drejtpërdrejtë i qeverisë, por nga marrëdhëniet komplekse dhe të ndërthurura mes drejtuesve të RTSH-së, politikanëve dhe aktorëve të tjerë me ndikim,” – shpjegon raporti.

Mediat jo-fitimprurëse shihen me më tepër përkushtim për pavarësi editoriale krahasuar me homologët fitimprurëse.

“Këto media shpesh respektojnë Kodin e Sjelljes së Gazetarëve për të ruajtur standardet profesionale dhe për të siguruar pavarësinë,” – thekson raporti duke nënvizuar se këto media përballen me sfida të qëndrueshmërisë financiare.

Numri i lartë i vdekjeve dhe shkatërrimi i Gazës nga Izraeli, OKB ngre alarmin: Po mohohen të drejtat ndërkombëtare humanitare!

Shefi i OKB-së Antonio Guterres ka thënë se është i tronditur nga nivelet e tmerrshme të vdekjeve, lëndimeve dhe shkatërrimeve në Gazën veriore, ku Izraeli ka nisur një sulm të ripërtërirë për të cilin thotë se ka për qëllim parandalimin e rigjenerimit të Hamasit.

Një deklaratë nga zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm u tha se përpjekjet e përsëritura” për të ofruar furnizime “thelbësore” humanitare po mohoheshin nga autoritetet izraelite.

Guterres po paralajmëron se shkatërrimi dhe privimi i gjerë si rezultat i ofensivës së Izraelit po i bëjnë kushtet e jetës të paqëndrueshme për popullsinë palestineze atje. Ky konflikt vazhdon të zhvillohet pa marrë parasysh pak kërkesat e së drejtës ndërkombëtare humanitare. Të gjitha palët duhet të “respektojnë dhe mbrojnë civilët” dhe të sigurojnë që përpjekjet humanitare të mos pengohen”, thuhet në deklaratë.

EULEX mirëpret nisjen e hetimeve lidhur me pretendimet për dhunimin e një qytetari në veri

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, tha se mirëpret vendimin e Policisë së Kosovës për të njoftuar Inspektoratin Policor për nisjen e hetimeve lidhur me pretendimet e një qytetari në veri se është rrahur nga Policia e Kosovës.

Më 26 tetor, Inspektorati Policor bëri të ditur se ka nisur hetimet për veprimet policore, pas pretendimeve të qytetarit nga Mitrovica e Veriut, Millosh Subotiq, se ishte rrahur nga Policia e Kosovës pasi ishte dërguar në stacion policor.

“Me vendosmëri, ne kërkojmë që çdo pretendim për keqtrajtim të hetohen menjëherë dhe në mënyrë efektive nga autoritetet relevante. Në këtë kontekst, sipas mandatit të EULEX-it, roli ynë është që të monitorojmë hetimet e kryera nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe, nëse vendoset, edhe nga autoritetet prokuroriale”, tha EULEX në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë.

Lidhur me pretendimet e Subotiqit, disa organizata joqeveritare njoftuan më 26 tetor për ndërprerjen e bashkëpunimit me EULEX-in derisa ky mision të mos deklarohet për këtë rast. Përmes një njoftimi, që u nënshkrua nga joqeveritare Aktiv, Nova Iniciativa Shoqërore, Qendra për Afirmimin e Veprimeve Shoqërore, Qendra për Mbrojtjen e Kulturës Demokratike dhe Instituti për Zhvillimin Ekonomik Territorial, u tha se Policia e Kosovës është “joprofesionale”.

Më 27 tetor, këto organizata reaguan sërish dhe i kërkuan EULEX-it që të informojë opinionin për hapat që ka ndërmarrë për të përcaktuar përgjegjësinë për “trajtim çnjerëzor dhe torturë në këtë dhe shumë raste të tjera që kemi parë muajve të fundit në veri të Kosovës.

“Mosveprimi dhe kalkulimi i misionit të EULEX-it në monitorimin e veprimeve të institucioneve të Kosovës në sistemin e sundimit të ligjit kontribuon në inkurajimin dhe institucionalizimin e politikës së mosndëshkimit dhe dhënies së imunitetit për individët dhe grupet brenda Policisë së Kosovës për përdorimin e forcës së tepruar kundër serbëve të Kosovës. Me heshtjen e tij, EULEX-i po bëhet bashkëpunëtor”, thanë organizatat joqeveritare.

Në përgjigjen dërguar REL-it, EULEX-i tha se tortura, trajtimi çnjerëzor apo denigrues janë absolutisht të ndaluara.

Ky mision tha se ka rol monitorues dhe këshillues dhe mbetet i përkushtuar që të mbështesë institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë në mënyrë që ato të mund të garantojnë në mënyrë efektive të drejta e të gjithëve.

Misioni i BE-së tha po ashtu se nëse përmes aktiviteteve të tij monitoruese vëren shkelje serioze, EULEX-i i adreson këto me autoritetet përgjegjëse.

Gara për Shtëpinë e Bardhë, DW: Kush do të jetë “i zgjedhuri” i Trump në BE nëse ai do të fitojë zgjedhjet?

Kush do të ishte bashkëpunëtori ideal i Donald Trump  në Evropë? Ka shumë kandidatë potencialë apo të pakërkuar, por jo të gjithë kanë të njëjtën “axhendë”. Ekziston një konsensus i gjerë rreth Mark Rutte, Sekretarit të Përgjithshëm të ri të NATO-s  dhe ish-kryeministrit holandez, i cili me siguri mund të negociojë me një president republikan për çështjet e sigurisë.

 

Por ka të paktën tre politikanë të tjerë kryesorë në Evropë, të cilët e paraqesin veten si bashkë-mendimtarë dhe për këtë arsye më të përshtatshëm për Donald Trump. Ata janë kryeministri hungarez Viktor Orban, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe presidenti polak Andrzej Duda.

Të paktën tre burime të NATO-s, të cilët dëshiruan të mbeten anonimë, i thanë Deutsche Welle-s se Rutte kishte një marrëdhënie të mirë me Donald Trump në mandatin e parë të kandidatit republikan dhe se kjo është një nga arsyet pse ai u zgjodh si kreu i ri i Aleancës.

Siç vë në dukje Camille Grand, një analist i politikave të mbrojtjes në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR), gjatë mandatit të parë të Trump, “Rutte dihej se ishte në gjendje të tërhiqte interesin e presidentit amerikan, por në të njëjtën kohë qëndronte i palëkundur në qëndrimet e tij”, si në kontaktet dypalëshe ashtu edhe në samitet e NATO-s.

Një rast i tillë ishte ndërhyrja kundër zjarrit e Rutte në vitin 2018, kur Trump kërcënoi se SHBA-të do të “shkonte rrugën e saj ” pasi evropianët refuzuan të rrisin ndjeshëm shpenzimet e tyre të mbrojtjes. Kryeministri holandez kujtoi me mirësjellje se “falë Trump” shpenzimet e mbrojtjes tashmë po rriten.

Ian Lesser, kreu i zyrës së fondit gjerman Marshall (GMF) në Bruksel, beson se nëse Trump fiton, Rutte do të përcjellë më së miri mesazhin e ndarjes së duhur të barrës brenda NATO-s, duke kërkuar siguri në këmbim se SHBA-ja do të mbajë një rol aktiv në Aleancën Atlantike dhe të vazhdojë të mbështesë financiarisht Ukrainën.

Kujtojmë se Trump ka kërcënuar më parë se do të shkurtojë ndihmën ekonomike për Kievin, duke inkurajuar Rusinë të bëjë çfarë të dojë siç thoshte ai në mënyrë tipike. Madje, ish-këshilltari i tij, John Bolton, beson se me Trump në Shtëpinë e Bardhë, është e mundur që SHBA të largohet nga NATO.

“Konkurrenti” i Rutte për favoritin e Trump do të jetë sigurisht kryeministri hungarez Viktor Orbán, i cili gjatë verës u takua me ish-presidentin amerikan pas një “misioni paqeje” të vetmuar me ndalesa në Pekin, Kiev dhe Moskë. Megjithatë, Susanna Weg, analiste për çështjet e Evropës Qendrore në GMF, ja atribuon ekstroversionin e Orbanit më shumë interesave të vetë kryeministrit hungarez dhe veçanërisht përpjekjes së tij për ta projektuar veten si një lider me shtrirje ndërkombëtare. “Një fitore e Trump do të inkurajonte gjithashtu Orbanin të vazhdojë politikat e tij autoritare dhe të minojë besueshmërinë e BE-së si një komunitet i vendeve demokratike,” thekson Susanna Wegg.

Analistët vlerësojnë se politika e Orbanit ndaj emigrantëve, por edhe ndaj komunitetit LGBTQ+, ka shkaktuar simpati të veçantë për Trump. Në fund të fundit, ish-këshilltari i tij, Steve Bannon, tha se kryeministri hungarez ishte një “Trump para Trump”. Ndërsa Orbán mban një marrëdhënie të ngushtë me presidentin rus Vladimir Putin  dhe nuk pajtohet me “vijën” evropiane në mbështetje të Ukrainës, disa besojnë se ai mund të sigurojë aksesin e privilegjuar të Kremlinit në Shtëpinë e Bardhë.

Megjithatë, vëren Ian Lesser, Orbán mund të jetë si Trump, por Rutte do të ishte një “bashkëbisedues strategjik”, i cili përfaqëson të gjithë Aleancën Atlantike dhe me sa duket do të ishte në gjendje të ushtronte më shumë ndikim.

Ambiciet e Melonit për të ardhmen

Në Itali, Antonio Giordano, një deputet i partisë në pushtet “Vëllezërit e Italisë”, sigurisht që përjashton rolin e Giorgia Melonit dhe thotë për Financial Times se kryeministrja e parë femër e vendit do të ishte një bashkëbiseduese e bindshme për Trump, nëse ai dëshiron të kuptojë se si duhet të sillet në Evropë.

Vetë Meloni nuk ka shprehur publikisht ndonjë preferencë përpara zgjedhjeve në SHBA. Sipas Philip Simonelli, një studiues në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Romë, kryeministrja është “bindshëm në favor të Aleancës Atlantike” dhe do të përpiqet të veprojë si një lidhje midis krahut të djathtë ekstrem të skenës politike evropiane dhe Komisioni i ri Evropian i Ursula von der Leyen, e cila tashmë po lëviz djathtas.

Rrjedhimisht, Meloni do të përpiqet të nxjerrë përfitimin maksimal nga ndryshimi i përgjithshëm i ekuilibrave në skenën politike./dw