14.5 C
Tirana
E diel, 11 Maj, 2025

Rënkimi i fundit i Enverit…

Mitro ÇELA

E hënë 18 shkurt 1991. Në zyrën e Berishës kishte nisur një mbledhje e komisionit nismëtar të PD-së. Hyri Azem Hajdari.
“Studentët e pedagogët mbyllën derën e Kinoklubit në Qytetin “Studenti”. Janë futur në grevë urie. Ju vazhdoni mbledhjen. Unë do të shkoj te studentët!”
Dy orë më vonë u ngjita në Qytetin “Studenti”. Gjallëri e madhe. Veç studentëve kishte edhe qytetarë. Një radhë e gjatë. Kishte kërkesa për vetëngujim. Çudia më e madhe e këtij fundshekulli! Ndoshta e paparë. Sakrificë e 723 jetë të rinjsh! Dhe përse? Për të hequr emrin e diktatorit nga universiteti?!
U ktheva në shtëpi. Ndjeja një trysni. Vendosa të shfletoj skedat. (Në atë mot në Tiranë nuk kishte më shumë se 5-6 kompjutera). Fillimisht pa ndonjë qëllim. Shënimet i lexova jo duke ndjekur kronologjinë e ngjarjeve, por të kundërtën e tyre. Një frazë e nënvizuar. Disa ditë më parë u përurua nga studentët “Sheshi i Demokracisë”. Sheshi? Diçka më ngacmoi kujtesën. Një shesh tjetër. Një shesh i largët. U ktheva në kohë. Sheshi Tienanmen në Pekin. Pranvera kineze. Mijëra studentë ato ditë qershori manifestuan për demokraci të vërtetë… Kundër tyre u drejtua një forcë brutale. Sa u vranë! Statistikat zyrtare kineze janë memece. Një manifestim i përgjakshëm për të festuar 10-vjetorin e reformave kineze dhe 40-vjetorin e Republikës Popullore. Plumba mbi një turmë të paarmatosur. U trondit bota. Qindra reportazhe. Kronika. Deklarata nga aktorët politikë.

Fransua Miteran, Presidenti i Francës tha: “Një regjim që për të mbijetuar qëllon mbi të rinjtë, nuk ka të ardhme”. Theçer, kryeministre e Britanisë së Madhe deklaroi: “Të qëllosh si i verbër kundër popullit! A nuk flet kjo për diferencat midis shoqërisë demokratike perëndimore dhe shoqërisë socialiste…” (Në atë vit kampi i lavdishëm socialist jetonte muajt e tij të fundit). Boris Elstin, Presidenti rus tha: “Krim kundër popullit…”
Ora 20:00. Një kronikë në TVSH për minatorët duke nxjerrë krom?!… Ndërrova stacionin. RAI jepte një lajm nga India: ishte përmbysur një autobus. Për Shqipërinë: asgjë. Po pse? Mos vallë “Sheshi i Demokracisë” mbartte më pak tension se sa Sheshi Tienanmen!?… Mora radion. Asgjë. Heshtje. Diçka përmendi Jugosllavi. Por gjithmonë sipas bojrave të tij. Reportazh të plotë dha vetëm “Zëri i Amerikës”…
Ora 22:00.Bie telefoni… Alo… Kemi mbledhjen e komisionit… Ju presim… Po pse? Partitë politike kishin kërkuar një takim me Presidentin. Berisha, Azemi, Eduardi dhe Preçi ishin nisur që në ora 21:00. Po kalonte mesnata. Disa humbën durimin dhe u larguan për në shtëpi. Unë me Frrok Çupin, kryeredaktorin e “RD”-së, vendosëm të presim te dera e Presidiumit. U hap porta. Takuam Eduard Selamin:
“Nuk ka perëndi që e kupton Ramiz Alinë! Vetë e pranoi në fillim idenë e një referendumi për heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga Universiteti. Por e dini si e përfundoi takimin? Nuk ka bazë ligjore për një veprim të tillë!!!”

U vendos të shkonim për të biseduar me përfaqësinë e studentëve dhe të pedagogëve. Ndërkohë, ora kishte arritur 2:00. Për shumë kohë më mbeti e regjistruar në mendjen time pamja e koordinatorëve, e shkallëve dhe sallave, ku kishin zënë vend studentët. Shumica flinin përtokë, duke shtruar në çimento nga një batanie. Disa rrinin ende mbi karrige. Të tjerë luanin me letra.
U futëm në një dhomë të veçantë. U ulëm. Mes nesh ishte Ylli Vejsiu, Përparim Dervishi, Blendi Goxhe, Ridvan Peshkëpia. Për disa çaste ra qetësia. Një qetësi mbytëse. Përfaqësuesit e studentëve dhe të pedagogëve edhe pse të lodhur e të cfilitur, edhe pse të pagjumë, mendjen e kishin të kthjellët. Të gjithë kishin një mendim: Nuk është koha për kompromise! Nuk dalim nga ngujimi ynë pa lexuar vendimin e qeverisë që Universitetit të Tiranës t’i hiqet emri i Enver Hoxhës! Ky është postulati i studentëve. Çdo alternativë tjetër është e pavlefshme.
U larguam. Te dera takova djalin e motrës, studentin e arteve Artjan Myrtezai.
“E mor dajë! Mos doni të na shisni?!…”
E martë, 19 shkurt. Ora 23:00. Bie dera… “Ju presin në selinë e Partisë Demokratike”. Nga ora 21:00 përsëri Presidenti në tavolinën e rrumbullaktë me përfaqësuesit e partive. Orë të tëra bisedimesh. Orë të tëra duke pritur. Shumica ishin skeptikë. Por përsëri kishim një fije shprese: jeta e të rinjve vlente më shumë sesa idiomat politike.

Ora 01:30. Në sallë hynë të dërguarit tanë. Dukeshin të lodhur. Të dërrmuar. E mori fjalën Sali Berisha:
“E çuditshme! Ramiz Alia mendon ta zgjidhë problemin me një formulë që ka për autorësi ministrin e Arsimit, Skënder Gjinushin. Edhe pse kemi të bëjmë me një formulë politike jashtë realitetit, nuk mendoj të bëhemi ne sebep si parti për ta hedhur poshtë. (Ishte ky mendim i të gjithëve). Nuk do të ishte keq të shkojmë te studentët së bashku me Skënder Gjinushin, i cili po na pret përjashta”.
Ora 02:00 Përsëri midis përfaqësuesve të studentëve. Biseda ishte e ashpër. Studentët ishin të acaruar. U lexua formula. Universiteti do të ndahej në katër pjesë. Asnjë universitet i ri nuk do të mbante emrin e Enver Hoxhës. Do të nënshkruhej një kontratë midis përfaqësuesve të studentëve dhe ministrit të Arsimit.
“Jo! Jo! Dhe Jo! Pa lëshuar qeveria një deklaratë, ku të shkruajë se ka vendosur t’i hiqet emri i Enver Hoxhës Universitetit të Tiranës, ne nuk heqim dorë nga greva e urisë”, thanë studentët. Folën disa anëtarë të komisionit nismëtar të Partisë Demokratike. Askush nuk u bind. Më në fund u vendos:
“Përfaqësuesit e Partisë Demokratike le të largohen. Do të bisedojmë vetëm me ministrin e Arsimit”.
Duke lënë sallën, ndërsa gjarpëronim midis këmbëve të studentëve që flinin në çimenton e ftohtë, në errësirë u dëgjua një zë: “Këta janë mjeshtra. E shndërruan politikën në ekuacione e formula matematike”. Lum kombi që e ka ministrin e Arsimit profesor matematike.

E mërkurë, 20 shkurt. Që në mëngjes herët në Tiranë u dha kushtrimi. Mijëra punëtorë, nxënës, pensionistë, fëmijë, studentë morën rrugën drejt “Sheshit të Demokracisë”. Përmasat e sheshit nuk mund të mbanin brenda një kryeqytet të tërë. Në shërbim të popullit u vunë taracat, dritaret e godinave. Ballkoni i një godine u shndërrua në tribunë. Folën shumë. Një zë i kthjellët u shpërnda në eter. Kush flet? Ç’është ky zë i njohur?! Pa dëgjoni! Po flet Rajmonda Bulku! Po çfarë tha se nuk e dëgjova mirë? U bën thirrje grave, nënave tiranase që të shkojnë e të manifestojnë përpara godinave të qeverisë e të Presidiumit të Kuvendit Popullor.

Turma u elektrizua dhe u derdh tatëpjetë drejt rrugës së “Elbasanit”…

Ora 11:00. Pesëmbëdhjetë gra e vajza, të prira nga Afërdita Havari ngjitën shkallët e Presidiumit. Kërkuan takim me Presidentin. Do ta njoftojmë, tha sekretari. Kaluan minutat. Gratë prisnin. Fluturuan 50 minuta. Presidenti nuk po dukej. Mos u mërzisni, qetësonte sekretari. Ai do të vijë nga çasti në çast… Në kufijtë e pritjes prej një ore, u hap dera dhe u duk Lumturi Rexha me dy-tre të tjerë. Po këta çfarë duan! Ne, në emër të nënave tiranase kërkuam takim me Presidentin e jo me shoqen Lumturi!.. Presidenti është i zënë. Ka punë. Situata…
Ndërkohë turma mbushi sheshin “Skënderbej”. U ngjita në verandën e hotel “Tirana”. Përpara shtrihej sheshi, si një ekran gjigant televizioni. Turma shtyhej. Policët mbronin zonën. Ushtarët, me qen për dore, vraponin. Dy makina hidhnin ujë mbi turmën… Krisma. Automatikë… Një pjesë e turmës ngjiti shkallët drejt bustit… Policët i shtynë… Dy-tre ngjitje e zbritje dhe busti u rrethua nga turma… Një copë litari. Sikur doli nga dheu! Bëri një hark dhe përfundoi në qafë të diktatorit…

Ora 14:05. Disa lëkundje dhe busti i Enver Hoxhës u rrëzua përtokë. Qëndroi ai në sheshin “Skënderbej” vetëm 858 ditë. Nuk e ruajtën dot bustin as policët, as sampistët, as dekreti special për mbrojtjen e monumenteve… Trupi i diktatorit në bronx u pushtua nga turma. U gjet një makinë. E tërhoqi zvarrë drejt rrugës së “Kavajës”… Turma ecte. Busti zvarritej… Qëndroi para selisë së Partisë Demokratike, karshi selisë së Kishës Ortodokse… Pa kuptuar mbinë ushtarë të Gardës… Qëllonin në ajër… Agim Buxheli filmonte duke qëndruar mbi murin rrethues të godinës… Turma u largua… Busti mbeti në mes të rrugës… U afrova… Trupit i mungonte koka… “Koka në Stamboll, trupi në Janinë/Të vranë Ali Pasha, o Ali të shtrinë…” Me motivet e kësaj kënge, mora rrugën te studentët e ngujuar…
…Në hyrje të godinës, koka prej bronxi e diktatorit… Rreth qafës një litar. Përpjekje për ta ngjitur kokën në katin e dytë… Shumë bronx i derdhur. I rëndë… Në dritare doli Shinasi Rama: “Nuk ia vlen që koka e diktatorit të ngjitet lart! Uleni!” Dhe bronxi u përplas në çimento… Lëshoi një tingull të zgjatur… Rënkimi i fundit i Enverit…
Ora 21:00. Studentët janë larguar nga Kinoklubi i grevës së urisë. Në salla, në korridore ka rënë qetësi… Në hyrje të godinës një kokë gjigante… Në vetmi… Mes mbetjeve të grevës …

Artikullin e kam botuar më 22 shkurt 1991

Siguron presidenti

Pas shpalljeve të “Il Corriere della Sera”, numri një i Milanit, Yonghong Li, lajmërohet dhe largon dyshimet për fuqinë e tij financiare. Ai e ka bërë këtë nëpërmjet një deklarate zyrtare, e cila u shfaq në faqen e klubit të Milanit: “Në fund të dyzet e tetë orëve kam parë që janë raportuar nga mediat disa lajme të papërgjegjshme, që duan të dëmtojnë klubin, kompaninë time, familjen time dhe veten time. Që kur bleva Milanin, jam përballur me të gjitha llojet e vështirësive dhe kam duruar një presion të paparë. Si rezultat i këtyre thashethemeve dhe lajmeve të papërgjegjshme, kam kërkuar për të krijuar një atmosferë të qetë rreth ekipit dhe klubit. Të tilla lajme kanë ardhur deri në pikën e dëmtimit të rëndë të klubit, kompanisë dhe familjes sime. Prandaj, do të doja të përfitoj nga ky rast për të shpjeguar, që unë shpresoj se është hera e fundit, se situata në lidhje me të gjitha burimet e mia personale është plotësisht e shëndetshme. Klubi dhe kompanitë e mia po punojnë rregullisht. Unë shpresoj, pra, që të mos i jepet kredibilitet lajmit, sepse nuk është i vërtetë. Jam i fokusuar në atë që ka rëndësi më të madhe për mua dhe për të gjithë ju, domethënë në menaxhimin dhe rritjen e ekipit. Dua që ju të vazhdoni ta mbështetni trajnerin Gattuso. Ne do të bëjmë gjithçka të mundshme për ta rikthyer Milanin përsëri në krye. Këtë sezon kam shikuar çdo ndeshje të ekipit.

Në momentet më të këqija të sezonit kam parë shumë lojtarë të derdhin lot mbi humbjen e një loje, sikurse pashë Han Li dhe Fassone të gëzohen për lojërat e fituara. Kam provuar çdo lloj ndjenje dhe emocioni. Besimi për të arritur suksese të reja në të ardhmen dhe t’u japim kënaqësi të gjithë tifozëve që Milani ka në botë, do të thotë se duhet të jemi të duruar para një presioni kaq të madh. Në sajë të përpjekjeve të të gjithëve, ekipi është duke përjetuar një kohë të madhe. Falënderoj për përpjekjet trajnerin Gattuso dhe të gjithë lojtarët. Ekipi është përmirësuar në të gjitha aspektet, në sajë të të gjithëve”.

Valverde: Goli i Mesit mjaft i rëndësishëm

Ernesto Valverde beson se largimi i Barcelonës me një barazim 1-1 nga ndeshja e parë e 1/8 finale të Ligës së Kampionëve kundër Chelsea, nuk është një shenjë përfundimtare se të tijtë do të përparojnë në çerekfinale. Goli i Willian dukej i vendosur për t’i dhënë kampionit të Premier League një epërsi të ngushtë për pjesën e dytë të betejës në kthim. Por, Andres Iniesta hapi rrugën për Lionel Mesin, që të shënonte golin e tij të parë ndaj bluve të Londrës në 9 ndeshje dhe të barazonte gjithçka në “Stamford Bridge”. Ndërsa Valverde pranoi se goli i Mesit ishte një moment i madh në kontekstin e barazimit, ai nuk mendon se kjo do të thotë se Barça do të kalojë në raundin tjetër. “Barazimi ishte shumë i rëndësishëm, sidomos duke shënuar këtu, tha Valverde për një konferencë për shtyp pas ndeshjes. Chelsea mund të jetë i lumtur me rezultatin dhe duhet të respektojmë stilin e tij të lojës. Kundërshtari nuk bëri aq shumë kalime si ne, por kërkuan lojën e lartë dhe na e bënë të vështirë. Goli në fushën kundërshtare në të tilla ndeshje nuk është kualifikim definitiv, por mbetet mjaft i rëndësishëm.
Ishte një përplasje e stileve të ndryshme të lojës, u përpoqëm ta kontrollonim ndeshjen, patëm shumë posedim topi dhe u munduam të afroheshim me golin. Ne kishim një mungesë të kualitetit në fazën e tretë, sepse Chelsea mbrohej mirë.

Willian e goditi portën disa herë, ndërsa neve na mungonte shansi i qartë. Por kemi arritur të nxjerrim golin nga një gabim i tyre. Të barazosh këtu është një rezultat i mirë, në fund të fundit”. Valverde vendosi të largohej nga Ousmane Dembele si një zëvendësues i papërdorur, duke bërë vetëm dy nga tri ndryshimet e tij në formacion, por trajneri i Barcelonës e mbrojti përzgjedhjen e Paulinhos si një mesfushor të katërt. “Kur shkova për të zgjedhur ekipin, më duhej të mendoja për mënyrën më të mirë të mundshme për të luajtur, aq shumë sa duhet të zgjidhja Paulinhon titullar dhe të kisha Aleix Vidal si alternativë të tij, sqaroi Valverde. Unë e mora këtë vendim dhe respektoj mënyrën se si luajtëm. Paulinho kishte një shans në pjesën e parë, por e humbi”.

Investimet në naftën shqiptare dhe përfshirja e dy firmave të George Soros

Miliarderi George Soros më 2016 investoi 238 milionë dollarë në kompani nafte e gazi, sipas evidencave financiare federale, ka bërë të ditur The Daily Caller News Foundation Investigative Group. Vlera totale e Soros Fund Management, në pronësi të familjes së tij, vlerësohet 2.7 miliardë dollarë. Ai ka 207 aksione në këtë fond me përqindje të lartë fitimi prej 33%.
Dy firma izraelite nafte, ILDC dhe San Leon Energy, në pronësi të Sorosit, kanë marrë pellgje naftëmbajtëse në Shqipëri, ku aktualisht industria e naftës është në lulëzim. Një total prej tetë kompanish nafte kanë marrë licencën për 18 blloqe, në tokë dhe det, duke përfshirë edhe Shell e Petromanas, Bankers Petroleum e Stream Oil & Gas, të dyja kanadeze, dhe firmën britanike Cairn. Ky zhvillim, i cili i zbret më poshtë në jug interesat e Shell, paksa më sipër kufirit greko-shqiptar, koncidon në rezultatet e një tenderi për licenca kërkimi e shfrytëzimi në tre pellgje në tokë në Greqinë Perëndimore.

Pellgu naftëmbajtës Arta-Preveza, i cili ka tërhequr oferta nga ELPE (Hellenic Petroleum) dhe Energean Oil & Gas, i është dhënë ELPE-s. Pellgu Etoloakarnania iu dha Energean Oil & Gas, tenderuesi i vetëm për këtë pellg, ndërsa pellgu i Peloponezit veriperëndimor iu ofrua ELPE-s, gjithashtu tenderues i vetëm. Rajoni i Janinës në Greqinë veriperëndimore, ku kryhen kërkime nga Energean Oil & Gas, ka trajta gjeologjike të ngjashme me rajonet fqinjë shqiptare. Kjo e rrit perspektivën e kërkimit të naftës në Greqi. Duke u kthyer në Shqipëri, duhet theksuar se Shell deklaroi interesimin për rajonin pas përfundimit të raundit të parë të shpimeve. Në vijim të procedurës u njoftua zbulimi i sasive të konsiderueshme të naftës dhe gazit natyror. Shell vendosi të rriste nivelin e investimeve në Shqipëri sapo u konfirmuan zbulimet, marsin e kaluar, në zonën e Beratit.

“Messi thyen Chelsea”

Shtypi britanik është dorëzuar përsëri para Leo Messit dhe Andres Iniesta. Ylli argjentinas ka prishur magjinë kundër Chelsea-t, duke i shënuar të parin gol, ndërsa Iniesta, nga ana tjetër, konfirmohet një lloj “bishe e zezë” për ekipin nga “Stamford Bridge”. Titujt si “Messi thyen zemrën e Chelsea”-t apo “Mallkim” ishin më të spikaturit në mesin e shtypit britanik të mërkurën. Gazetat britanike, gjithashtu, shprehin keqardhje për fatin e keq të Chelsea kundër Barcelonës, edhe pse pranojnë se fitorja përfundimtare e bluve u çua dëm nga një gabim i Andreas Christensen, i cili, sipas tyre, ka të bëjë pikërisht me atë mallkim, që ka Iniesta me Chelsea. “Chelsea erdhi aq afër mposhtjes së Barcelonës, por gabimi i Christensen bëri që Messi të barazojë golin e Willian”, citon “Daily Mail”, ndërsa “Daily Star” raporton se “Messi ‘anulon’ golin e parë të Willian, për t’i dhënë Barcelonës një gol vendimtar”. “Daily Mirror”, ndërkohë, theksoi se “Barcelona u përpoq t’i zgjidhte gjërat nga fillimi, me qarkullim të dendur të topit dhe posedim të tij, por kishte vështirësi në gjetjen e rrugës drejt portës së Chelsea”. U mbyll në barazim 1-1 sfida për 1/8-t e finaleve të Champions League mes Chelsea dhe Barcelona, rezultat që favorizon katalanasit për ndeshjen e kthimit që do të luhet pas 21 ditësh në “Camp Nou”. Gjithçka ndodhi në pjesën e dytë, teksa Willian, më i miri në fushën e lojës, shënoi golin e avantazhit për kampionët e Anglisë, por festa e tyre u prish nga Lionel Messi, në të vetmen goditje që argjentinasi bëri drejt portës kundërshtare, 15 minuta para fundit. Chelsea kishte nevojë për ndeshjen perfekte, por një gabim në ndërtimin e aksionit në fund të sfidës i dha mundësinë ekipit “blaugrana” të shmangë humbjen dhe të jetë i avantazhuar për kalimin në çerekfinale.

Pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola. Barcelona dominoi me qarkullimin e topit 70% kundër 30%, por nuk goditi asnjëherë në kuadratin e portës së mbrojtur nga Thibaut Courtois. Nga ana tjetër, Chelsea nuk pati fat sepse dy tentativa të brazilianit Willian nga jashtë zone u ndalën nga shtyllat e Ter Stegen. Braziliani goditi një herë shtyllën e majtë pingule dhe një herë të djathtën, me portierin gjerman që në të dyja situatat ishte krejtësisht i mposhtur. Ishte hera e parë që nga janari 2016 që Barça i mbylli 45 minutat e para në një ndeshje të Champions League pa e goditur qoftë edhe një herë kuadratin e portës kundërshtare. Në fillimin e pjesës së dytë, Courtois priti goditjen e Luis Suarez dhe për sulmuesin uruguaian vazhdon “agjërimi” në Champions League ku nuk ka shënuar asnjë gol në 871 minutat e luajtura. Kur u mbush një orë lojë, Willian nuk u dënua më nga fati. Këtë herë goditja nga jashtë zone e brazilianit shkoi në cepin e portës së mbrojtur nga Ter Stegen, duke kaluar në avantazh vendasit në “Stamford Bridge”. Gjithsesi, çerekore para fundit, duke përfituar nga një gabim në pasim i Christensen, Barça gjeti golin e barazimit kur Iniesta shërbeu për Messin në qendër të zonës dhe argjentinasi, krejtësisht i vetëm shënoi golin e tij të parë kundër Chelsea.

Taksa e infrastrukturës, reagojnë ndërtuesit

Ndërtuesit në vend kërkojnë nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, marrjen e një vendimi për uljen e vlerës së taksës së ndikimit në infrastrukturë edhe për apartamentet dhe jo vetëm për objektet me destinacion zyra apo ambiente tregtare.
Sipas nënkryetarit të Shoqatës së Ndërtuesve, Arben Dervishi, kjo do ndihmonte biznesin, por edhe qytetarët, të cilët preken në këtë rast në momentin që blejnë një apartament.
Arben Dervishi, Shoqata e Ndërtuesve: Ashtu siç Këshilli Bashkiak korigjoi këtë taskë për objektet, zyra apo ambient tregtare, ne do kërkojmë që të rishikohet edhe pjesa e taskës së ndikimit në infrastrukturë, për apartamente në mënyrë që të mos reflektohet në rritje çmimesh, por të ndodhë e kundërta: të ketë ulje çmimesh.
Sa i përket shlyerjes së taksës për zyra apo ambiente tregtare, Dervishi thotë se, Këshilli Bashkiak duhet të marrë një vendim, për pagesën e saj me këste, siç e kanë edhe shtete shumë pranë Shqipërisë.
Arben Dervishi, Shoqata e Ndërtuesve: Duke marrë shembull edhe nga Kosova që e paguan me disa këste taksën e ndikimit në infrastrukturë, edhe ne kemi kërkuar ta paguajmë me kestë. Fillimisht të paguhet mbi bazën e vlerës së ndërtimit, pra sa është kostoja minimale e ndërtimit, dhe në fund kur ne kemi realizuar procesin e shitjes, ne do ta paguajmë me çmimin e shitjes.

Megjithatë, për ndërtuesit ulja e vlerës së taksës për objekte me destinacion tregtar, është i drejtë dhe me ndikim.
Arben Dervishi, Shoqata e Ndërtuesve: Ndikon në çmimet që do ofrohen, por mos harrojmë se çmimi i zyrave, kur bëhej baza e vlerësimit të taskës, ka qenë dyfish me çmimin e banesës. Kështu që ka vajtur në të njëjtën taksë që është çmimi i banesës, por ne e shohim të drejtën si vendim.
Sa i përket lëvizjes së çmimeve për apartamente, Dervishi thotë se kjo ka ardhur për shkak të rritjes së vlerës së taksës, dy vite më parë, nga 4 në 8%.
Arben Dervishi, Shoqata e Ndërtuesve: Kjo rritje që ka ardhur, një pejsë e kësaj rritje është kontribut i rritjes së kësaj takse. Pra, kishim një taksë 4% të vlerës së ndërtimit, pra çmimi minimal fiskal, dhe vajti 8% e çmimit të shitjes, që në zonat e qendrës u rrit 8 herë.
Këshilli Bashkiak i Tiranës vendosi që të ndryshojë taksën e ndikimit në infrastrukturë nga 8 në 4% për objekte me destinacion zyra apo njësi tregtare, në zonën e qendrës së kryeqytetit.

Si në mesjetë, kushte skandaloze në konviktet e studentëve

Mes ankesave për kushte të këqija higjienike në godinat e konvikteve, studentët rrëfejnë mundimet e tyre të përditshme për të shtyrë vitet e shkollimit të lartë në godinat e vjetra dhe të pamirëmbajtura, ndërsa i bëjnë thirrje administratës së Qytetit “Studenti” të ndërhyjë menjëherë për të siguruar një jetesë normale.
Lorena Manjani, e cila prej dy vitesh jeton në konviktin e Qytetit “Studenti” e ka vendosur veten në frontin e parë të përpjekjeve për të zgjidhur problemet me të cilat hasen studentët në konvikt. Ajo thotë se është ankuar deri më tani katër herë për çështje të ndryshme dhe se shtyrja e zgjidhjes së problemeve për të ardhmen është pikërisht, ajo që po i largon studentët dhe po i zbraz godinat.
“Kur ankohemi thonë se do të ndërtohen godina të reja, nuk do të presim për ‘do të’ [në kohën e ardhme], duam të shikojmë përmirësime tani”, tha 22-vjeçarja, e cila studion për gazetari dhe që përfaqësoi grupimin Qëndresa Qytetare në sondazhin për kushtet e konvikteve. Manjani thotë se, përveç higjienës, ajo që e shqetëson më shumë është papërgjegjshmëria e mjekëve në lëshimin fiktiv të vërtetimit të shëndetit fizik dhe mendor që u kërkohet studentëve që regjistrohen.
Sondazhi zbuloi se, studentët i marrin në shumicën e rasteve raportet mjeko-ligjore pa vizita te mjekët dhe se gjysma e tyre paguajnë ryshfet për ta siguruar atë nga mjeku i familjes apo urgjenca e Qytetit “Studenti”. “Ka shumë zhurma në konvikt, kështu nuk ke mundësi as të studiosh dhe as të flesh si njeri normal”, tha Manjani për BIRN.

Sipas saj, kjo i fut konviktorët në grindje personale për ta vendosur vetë qetësinë. “Por kush të siguron që studentja tjetër nuk ka probleme me shëndetin mendor?” pyet ajo, duke cituar raportet fiktive. 22-vjeçarja thotë se papërgjegjshmëria e mjekëve u rrezikon atyre jetën nga sëmundjet ngjitëse që mund të mbartin vajzat e tjera, rënduar kjo edhe nga higjiena e keqe në tualete dhe dushe, të cilave nuk i hidhet mjaftueshëm dizinfektues.
Pamundësitë ekonomike, i detyrojnë studentët konviktorë të ndajnë dhe pajisje të tjera për përdorim të përbashkët, duke e shtuar edhe më shumë gjasën e përhapjes së sëmundjeve. BIRN kontaktoi drejtoreshën e Rezidencës Studentore Universitare nr. 1, Anila Shehu për të komentuar mbi ankesat e studentëve për higjienën dhe kushtet e këqija të konvikteve, por nuk mori përgjigje në kohën e publikimit.
I vendosur për të përjetuar plotësisht eksperiencën e viteve të tij si student, Emiljando, 19 vjeç nga Lezha, i cili studion shkenca politike në Tiranë, thotë se iu drejtua vendit të njohur si simbol i studentëve, Qyteti “Studenti”, i nxitur jo vetëm nga arsyet ekonomike.
Por sipas tij, miti i krijuar për Rezidencën Studentore Universitare nr. 1, siç njihet zyrtarisht kompleksi i godinave të konvikteve studentore Qyteti “Studenti”, rezultoi në fakt të ishte “një qytet i vdekur”, të cilin studentët e kishin braktisur. “Kur kam pa si bëhet jeta, është si dita me natën. Kushtet janë vërtet skandaloze”, tha ai për BIRN, duke shtuar se studentët jetojnë me pajisje të vjetra, dhoma me lagështi, dushe me orare dhe banjo të pista.
“Sigurisht që vitin tjetër nuk do të jem më aty. Do të dal në shtëpi me qira me disa shokë, por kjo nuk është zgjidhje”, vazhdoi ai, ndërsa tha se kjo do t’i shtonte barrën e shpenzimeve për të mbuluar vetë faturën e dritave dhe ujit.

“Shteti duhet të gjejë një zgjidhje që godinat t’i shërbejnë studentëve”, përfundoi Emiljando. E ndërtuar në fillim të viteve ’60 në Shqipërinë komuniste, Ndërmarrja e Trajtimit të Studentëve Nr.1 që sot njihet si Qyteti “Studenti”, ka një histori të gjatë në strehimin e studentëve të ardhur nga rrethet për të studiuar në kryeqytet.
Megjithatë vitet kanë rënduar në infrastrukturën e 26 godinave, ku strehohen disa mijëra studentë çdo vit. Pagesa totale për një student është 4.500 lekë në muaj, ku përfshihen uji e dritat, ndërsa studentët akomodohen kryesisht në dhoma me nga dy-tre persona, të cilët vijnë nga qytete të ndryshme pa njohje paraprake.
Genta, një 20-vjeçare nga Dibra, e cila studion në Fakultetin Ekonomik të Tiranës i tha BIRN se, jetesa në kryeqytet për studime ka rezultuar për të e vështirë dhe se largësia nga familja e lë shpesh edhe pa mjete financiare. Ajo jeton prej një viti e gjysmë në konviktin e Qytetit “Studenti”, të cilin e zgjodhi prej shpenzimeve të përballueshme dhe afërsisë me shkollën.
“Tualetet janë një problem i ditur; sapunët dhe letrat i blejmë vetë, por për drynat si i bëhet?” pyet ajo, ndërsa shpjegon se këtu dyshekëve u kanë dalë sustat, ngrohëset nuk funksionojnë, interneti kap vetëm në katin e parë. “Kërkojmë vetëm një jetesë normale. Sigurisht që 4500 lekë në muaj nuk janë shumë, por prandaj janë konviktet”, thotë ajo e shqetësuar.

Një sondazh i publikuar së fundmi nga qendra Qëndresa Qytetare zbuloi se rreth 65% e studentëve i vlerësojnë kushtet higjienike të tualeteve të konvikteve si të këqija dhe pohojnë se uji i rrjedhshëm në to mungon. Sondazhi që u shtri mbi 300 studentë të moshave 18-27 vjeç që banojnë në Qytetin “Studenti” ngriti po ashtu shqetësimin se tualeteve u mungojnë sapunët dhe letrat higjienike, ndërsa 86% e studentëve pohojnë se dyert e tualeteve nuk mbyllen.
BIRN vizitoi më 19 shkurt ambientet e një godine të Rezidencës Studentore Universitare nr. 1, ku fotografoi kushtet shqetësuese të tualeteve dhe banesave të studentëve. “Kur vjen data e lekëve kujdestaret vijnë me urgjencë për t’i mbledhur”, thotë Genta, “por kur ankohemi ne, nuk e kanë me ngut të reagojnë”. Përveç kushteve të mjeruara brenda konviktit, studentët e intervistuar nga BIRN u ankuan po ashtu për transportin urban që lidh zonën e tyre me qendrën e qytetit. Ata thonë se, autobusi merr intervale 40 minutëshe për të mbërritur në stacion dhe se mjeti i vogël mbipopullohet në përmasa çnjerëzore. “Duam autobusë më të mëdhenj dhe më të shpeshtë”, kërkuan ata.

Të punësuarit mbeten pa larë

Renato, tashmë ish-konviktor, i tha BIRN se qe i detyruar pas një viti e gjysmë qëndrimi aty, të kërkonte një shtëpi me qira me pesë shokë të tjerë, pasi oraret e dusheve e linin shpesh pa u larë.
“Punoja gjithë ditën me allçi si skulptor dhe kur kthehesha në darkë në godinë kishte kaluar orari 9 me 7 i dusheve, nuk lahesha dot. Në mëngjes duhet të shkoja në shkollë”, tha ai.
“Jam ndjerë mirë në konvikt. Po të mundja do të vazhdoja të jetoja aty e nuk do të rëndohesha me pagesat e ujit dhe dritave”, shtoi ai.
Të tjerë konviktorë i thanë BIRN se, ata që studionin dhe punonin, detyroheshin të laheshin me kusitë që ngrohnin në dhomat e tyre në tualetet e zakonshme, pasi dushet mbylleshin në darkë.
“Edhe kur jemi brenda orarit, lahemi sa te njëra godinë te tjetra, duke lëvizur me peshqir nëpër kate, pasi dushet janë në të parin dhe hapësira është e vogël, saqë rrobat e tjera mund të lagen”, thanë ata.
“Kjo punë edhe kur temperaturat janë nën zero, ndërkohë që uji është më tepër i ftohtë se i ngrohtë”, shprehën acarimin e tyre konviktorët.
E pyetur për kohën e kaluar në Rezidencën Studentore Universitare nr. 1 në Tiranë, një 21-vjeçare nga Gjirokastra, e cila refuzoi të zbulonte emrin e saj të vërtetë, nxjerr një duhmë të gjatë dhe thotë se kujtimi i atij vendi i sjell në mendje përfytyrimin e një burgu.
21-vjeçarja tregon se kaloi një vit e gjysmë në Qytetin “Studenti”, pasi erdhi në Tiranë për të studiuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës me paratë e ofruara nga familja.

Jetesa e pamundur e studentëve

Edhe pse ndryshoi vazhdimisht godinat – e favorizuar dhe nga njohjet që kishte me stafin e konviktit – studentja tregon se “edhe me miq, kushtet mbeteshin skandaloze”. “Dhomat ishin me lagështi, higjiena qe aq e dobët saqë u sëmura tetë herë në një vit e gjysmë që qëndrova aty”, thotë ajo. “Normal që do të largohesha, kushtet ishin mizerabël, thjesht një krevat, një lavaman dhe një dollap, sikur të ishe në burg”, tregon studentja nga Gjirokastra, duke shtuar se një jetesë e atillë ishte depresionuese. Ajo thotë se qe e pamundur të gatuaje në dhomën e vogël që përdorej për studim dhe fjetje dhe se detyrohej të hante në një nga mensat aty pranë, ku siguria ushqimore qe thuajse inekzistente. Pasi gjeti punë si operatore në një call center, ajo priti një muaj të mblidhte paratë e qirasë dhe doli në shtëpi me qira në një nga shtëpitë private të zonës mbi Qytetin “Studenti” e njohur si vilat gjermane, e cila ka çmime relativisht të ulëta strehimi që parapëlqehen nga studentët që refuzojnë konviktin. “Në konvikt nuk kthehem, edhe sikur të rri pa bukë”, përfundon e ngrysur ajo rrëfimin e saj. Nga brenda konviktit megjithatë, studentët e tjerë thonë se nuk do të dorëzohen për të marrë kushtet që meritojnë. “Unë besoj në drejtësi dhe do të luftoj për të deri sa të përmirësohen kushtet tona”, u shpreh e vendosur Manjani.

Denoncimet e studentëve, Avokati i Popullit të inspektojë situatën

Studentët denoncojnë kushtet e rënda me të cilën përballen në jetën e përditshme në Qytetin “Studenti”, duke kërkuar inspektimin nga afër të tyre nga ana e Avokatit të Popullit. Në një anketim të kryer me banorët e qytezës rinore, dalin në pah mungesa të shumta që nga uji e deri tek dyshekët. Një grup studentësh, të cilët jetojnë në Qytetin “Studenti” kanë denoncuar kushtet e vështira në të cilat jetojnë çdo ditë brenda godinave të nxënësve.
Lorena Manjani është një nga studentet, e cila thotë se në godinën ku është strehuar mungon uji, sapuni, letra higjenike, dyert e tualeteve janë pa çelësa, ndërkohë, dyshekët ku flenë janë të shkatërruara. Lorena rrëfen, se zërin e ka ngritur, por deri tani drejtuesit e qytetit të nxënësve nuk kanë ndërhyrë për zgjidhjen e problemit.
Lorena Manjani, student: Ka dy vite që jetoj këtu dhe çdo ditë përballemi me probleme nga më të ndryshmet që kemi në godina. Problemet nisin nga ndotja akustike, dushet me orare, nuk ka ujë të rrjedhshëm, pajisjet janë të amortizuara. Dyshekët janë të amortizuar, dyert nuk mbyllen me çelës, që do të thotë, se studentët kryejnë nevojat personale në mënyrë të ekspozuar. Dua të mirëmbahen këto pajisje që janë. Kam kërkuar tek Drejtoria e Qytetit “Studenti”, por marr të njëjtën përgjigjie që godinat do rikonstruktohen.
Për të nxjerrë në pah këto problematika, studentët kanë bërë një anketim, ku vetë banorët e këtij qyteti, pranojnë kushtet e vështira ku jetojnë, por i bëjnë apel Avokatit të Popullit që të shkojë dhe shohë nga afër kushtet ku ata jetojnë.

Ogerta Ujkashi, studente: Mendojmë të bëjmë diçka pak më të thelluar. Ne nuk kemi gjetur asnjë rregullore sesi funksionon konvikti. Do të studiojmë më thellë sesi është rregullorja dhe pse shërbimet nuk iu jepen studentëve, atëherë do i drejtohemi Drejtorisë. Nga ana tjetër, i bëjmë apel Avokatit të Popullit që të vijë dhe të shohë nga afër situatën e studentëve.
Një tjetër problem është edhe marrja e raporteve mjeko-ligjore në mënyrë fiktive, për akomodimin në godina, duke vënë në rrezik jetën e nxënësve.
Ogerta Ujkashi, studente: Është bërë anketimi tek 300 studentë, nga 5300 që strehohen këtu. 210 studentë, ose 70% e tyre, janë shprehur se kanë marrë vërtetimin mjeko-ligjor në mënyrë fiktive.
Në anketimin e realizuar nga të rinjtë, për problemet e jetesës në Qytet “Studenti” janë pyetur 300 studentë nga 5500 që strehohen në qytetin e nxënësve.

Ivana Dervishi

Kosovë, sot shansi i fundit për liberalizimin e vizave

Qeveria e Kosovës e procedoi për miratim në Kuvend, ligjin e demarkacionit me Malin e Zi, së bashku me marrëveshjen për përmirësime të mundshme të vijës kufitare. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar sot të mbahet seanca e jashtëzakonshme për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, të plotësuar edhe me një aneks-marrëveshje ndërmjet dy presidentëve, të Kosovës Hashim Thaçi dhe Malit të Zi, Filip Vujanoviq. Në marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet dy presidentëve, thuhet se pas ratifikimit të demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, të dy vendet do ta rishikojnë vijën kufitare dhe do të bëhen korrigjime nëse ka pasur lëshime.

Vullneti për korrigjime
“Ekziston një vullnet i madh që kjo të ndodhë sa më shpejt. Për shkak të konsultimeve që janë ende në vazhdim, në mes të grupeve parlamentare, të deputetëve, propozoj që seanca të mbahet pasnesër, në orën 10:00. Edhe për këtë kemi bërë konsultime ndërinstitucionale. Shpresoj që do të jemi unik dhe do ta kemi një përkrahje, po e quaj maksimale për këtë vendim kaq të rëndësishëm për qytetarët e Kosovës”, tha Ramush Haradinaj, i cili tash e tri vjet ishte me i zëshmi kundër demarkacionit me Malin e Zi. E kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, që është edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), thotë se Kuvendi tashmë e ka pranuar nga qeveria e Kosovës Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi. “Kam ftuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, për sot në orën 16:00, për të proceduar më tutje me këtë çështje. Ftoj të gjithë deputetët që të mendojnë për interesin e qytetarëve dhe ta përkrahin këtë Marrëveshje, e cila forcon sovranitetin e vendit dhe i hap rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët tanë”, u shpreh Kadri Veseli.

LDK pro marrëveshjes
Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, e mbështetë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në opozitë, e cila thotë se “kundërshtimi i deritashëm i demarkacionit siç po dëshmohet haptazi, ka qenë vetëm një kauzë fiktive dhe jashtëzakonisht e dëmshme”. “Mos ratifikimi i saj deri më tani, vendin tonë e mbajti të izoluar dhe larg perspektivës evropiane, ndërsa qytetarët tanë i la pa të drejtën elementare njerëzore – lirinë e lëvizjes. LDK si partia kryesore në vend dhe me grupin më të madh parlamentar e përcaktues në këtë proces, me votën në Kuvendin e Kosovës, do të hapë dyert për lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë. Në këtë moment të rëndësishëm, LDK kërkon nga shumica parlamentare që ta dëshmojë mbështetjen për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje”, thuhet në kumtesën e kësaj partie. Marrëveshjen e Demarkacionit e mbështet edhe Nisma për Kosovën, por jo edhe lëvizja Vetëvendosje. Sipas deputetit të Vetëvendosjes, Ali Lajçi, “aneks-marrëveshja që iu bashkua ligjit për demarkacion, është vetëm një deklaratë politike dhe nuk e obligon Malin e Zi ta votojë në Parlamentin e tyre. Në këto kushte është çështje e pabesueshme dhe nuk e garanton vijën e drejt kufitare”, thotë Ali Lajçi.

“Srpska” abstenon?
Lista “Srpska”, që përfaqësohet me 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës gjatë mbledhjes së qeverisë, e cila e procedoi në Kuvend ligjin për demarkacionin, abstenoi kur u votua ligji. Ndërsa tash për tash akoma nuk ka një qëndrim të prerë sesi do të votojë në Parlament. Një ditë më parë, njëri nga deputetët e listës Srpska Igor Simiq, ka thënë se, “për deputetët serbë më e rëndësishme është që të formohet asociacioni i komunave me shumicë serbe, sesa ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi, i cili është i rëndësishëm për shqiptarët, por jo për serbët”. Thirrje deputetëve të pakicave dhe të gjithë deputetëve të tjerë që ta votojnë demarkacionin, u ka bërë edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie. Sipas tij, ratifikimi i demarkacionit do të ishte pozitiv për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. “Kalimi i marrëveshjes për demarkacionin është thelbësor për të siguruar mundësinë e qytetarëve nga të gjitha komunitetet e Kosovës që të udhëtojnë lirshëm në Evropë. Gjithkush mund të pajtohet për këtë. Unë shpresoj se deputetët nga çdo parti do të votojnë me PO”, ka shkruar Greg Delawie në Twitter.

Shansi i fundit
Edhe shefja e zyrës së BE-së në Prishtinë, Natalya Apostolova, pret ratifikim të demarkacionit. “Po presim që suksesshëm dhe shpejt të ratifikohet marrëveshja e diskutuar gjatë në demarkimin me Malin e Zi që do t’i sjellë qytetarëve të Kosovës të gëzojnë mundësitë për lëvizje të lirë”, shprehet shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova. Që të ratifikohet Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, duhen 80 vota nga 120 deputetë, sa i ka Parlamenti i Kosovës. Ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi është kusht për Kosovën në mënyrë që Komisioni Evropian t’ia heqë regjimin e vizave. Kosova është vendi i vetëm në Evropë që akoma ka regjim vizash për lëvizje në zonën Shengen. Njohës të çështjeve politike dhe integrimeve evropiane, thonë se Kosova tash e ka shansin e fundit që ta ratifikojë demarkacionin me Malin e Zi dhe të përfitojë liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian. Në të kundërtën, vitin e ardhshëm në BE do të ketë zgjedhje për Parlamentin Evropian, ku mund të forcohet e djathta evropiane, e cila në shumë raste ka kundërshtuar madje edhe pavarësinë e Kosovës.

Gjermani, SPD në prag të vdekjes

“Alte Tante” (tetoja plakë) kështu e quajnë me dashuri prej shumë dekadash gazetarët dhe anëtarët e partisë socialdemokracinë gjermane. Por kjo nofkë nuk i ka shkuar kurrë aq mirë sa sot. Tetot plaka janë të lezetshme, kanë shumë gjëra për të rrëfyer nga e kaluara, i ke për ndonjë sherry apo ndonjë copë keku të bërë vetë me mollë, por për ndonjë gjë tjetër? Askush nuk i merr aq seriozisht, sepse janë ca demode. Dhe veç kur vjen një ditë e ato nuk janë më. Traditat dhe meritat historike nuk janë kategori në biznesin politik. Një parti dhe kandidatët e saj do të zgjidhen, sepse në të ardhmen pritet diçka prej tyre. Sepse ofrojnë synime të qarta dhe drejtim dhe sepse ata i kuptojnë problemet dhe hallet e zgjedhësve të tyre. Por të gjitha këto aftësi SPD-së ka vite që i mungojnë.

Kur injoron hallet e votuesve
Sipas të gjitha sondazheve, tema e migracionit dhe e refugjatëve është tema që i shqetëson më së shumti gjermanët. Klientela klasike e SPD-së, e cila nuk hyn te më të kamurit e vendit, është në hall për banesa të pagueshme, të cilat nëpër qytete thuajse nuk ekzistojnë. E ç’bën partia? Partia e vë bashkimin famljar të refugjatëve si temën kryesore të negociatave për koalicion! Dhe kështu del në pah se përse perëndimi i SPD-së vjen në të njëjtën kohë me ngritjen e AfD-së së djathtë – dhe shpesh në ato zona elektorale, në të cilat SPD-ja dikur kishte qenë vërtet e fuqishme. Kjo nuk duhet të mbetet gjithmonë kështu. Që sondazhe të tilla që bëhen çdo javë reflektojnë atmosferën aktuale – më mirë se SPD-ja këtë nuk e di askush? Vetëm para një viti entuziazmi për gjysme magjistarin Martin Schulz ishte i jashtëzakonshëm.. Por një gjë është e qartë: zgjedhje të reja në këtë moment do të ishin katastrofale për SPD-në. Këtë duhet ta kenë të qartë edhe ata që nuk e mbështesin koalicionin me CDU-në dhe bëjnë thirrje të votohet kundër tij duke besuar se ripërtëritja e partisë mund të bëhet vetëm në opozitë. Kjo nuk ka kuptim fare. Unioni Demokristian po e demonstron këtë më së miri. Asnjë anëtar i kësaj partie nuk është i gatshëm të heqë dorë nga qeverisja, megjithëse edhe aty shumëkush e ka kuptuar se kursi i Angela Merkelit nuk siguron më shumica të mjaftueshme.

Mundësia e ripërtëritjes në qeveri
Por emërimi i Annegret Kramp-Karrenbauerit si Sekretare e Përgjithshme tregon edhe diçka: Kjo pasardhëse e mundshme e Angela Merkelit sigurisht që nuk do të sjellë një kurs komplet të ri. Por pritet që ajo t’u mëshojë më shumë disa aspekteve konservatore, të cilat Unionit Demokristian i kanë munguar me Angela Merkelin. Në këtë moment nga zgjedhjet e reja do të përfitonte vetëm partia djathtiste, Alternativë për Gjermaninë, e cila sipas kreut të saj nuk dëshiron të qeverisë. Dhe pikërisht këtu qendron drama e sondazhit aktual. Partia Socialdemokrate humb shumë pikë, Unioni Demokristian e Kristiansocial nuk fiton, votat e tyre së bashku nuk do të mjaftonin as për një koalicion. Dëgjohet si ironi fati. Një vend kaq i pasur, me mirëqenie dhe lulëzim ekonomik, nuk është në gjendje të gjejë një shumicë parlamentare për të krijuar qeveri.

Vetëvrasje nga frika e vdekjes
Prandaj, nëse anëtarët e SPD-së do të votojnë kundër koalicionit, do të ishte sikur do të bënin një vetëvrasje nga frika se mos vdesin. Prandaj të dashur shoqe dhe shokë: Merrni guxim dhe kini besim te vetja! Bashkëqeverisni dhe tregoni se ç’jeni në gjendje të bëni. Dhe qëndroni pas sukseseve tuaja – sepse ashtu do t’ju shpërblejnë sërish edhe zgjedhësit. Partia Socialdemokrate e ka bërë njëherë një gabim të rëndë, në vitin 1990, kur anëtarët e saj nuk donin të pranonin në gjirin e tyre ish-anëtarë të partisë shtetërore të RDJ-së, SED. Këtë gabim ata po e vuajnë edhe sot e kësaj dite, në formën e ekzistencës së partisë rivale E Majta, që ka pas më shumë se 10 për qind të elektoratit. Një gabim të përmasave të ngjashme partia nuk do ta përballonte dot. Dhe kjo do të ishte atëherë me të vërtetë vdekja e tetos plakë, SPD.

Poroshenko dëshmon sot në gjykimin për tradhti të Yanukovych-it

epa06505671 Visiting Ukrainian President Petro Poroshenko speaks during a joint news conference with Austrian Federal President Alexander Van der Bellen (not in picture) after their meeting at the presidential office of the Hofburg Palace in Vienna, Austria, 08 February 2018. Ukrainian President Petro Poroshenko is in Austria for a work-visit and will attend the traditional Vienna Opera Ball. EPA-EFE/FLORIAN WIESER

Presidenti ukrainas, Petro Porosheno do të dëshmojë sot në Kiev, në gjykimin për tradhti të paraardhësit të tij, Viktor Yanukovych. Poroshenko ka konfirmuar, se do të marrë pjesë në gjykimin në mungesë të Yanukovychit, që njihet si mik i Moskës. Ai është larguar nga pushteti, duke ikur në Rusi, pas protestave masive në rrugë, katër vite më parë. “Djalli duhet të ndëshkohet. Për këtë arsye, për herë të parë në historinë e Ukrainës, unë kam vendosur të marrë pjesë në gjykim”, ka thënë ai më 18 shkurt. Protestat në Ukrainë, të njohura si Euromaidan, kanë nisur në nëntor të vitit 2013, pas deklaratave të Yanukovychit, se do të shtynte planet për marrëveshje me Bashkimin Evropian, duke synuar lidhje ekonimike më të ngushta me Rusinë. Prokurorët ukrainasë, kanë thënë se 104 persona kanë vdekur dhe 2,500 të tjerë janë lënduar në protestat që janë mbajtur në qendër të Kievit. Yanukovych ka kundërshtuar deklaratat, se ka udhëruar të shtëna drejt protestuesve dhe ka prenteduar se dhuna ka qenë “operacion i planifikuar” për të rrëzuar qeverinë e tij. Si përgjigje ndaj rrëzimit të tij, Moska ka aneksuar Krimenë nga Ukraina në mars të vitit 2014 dhe ka përkrahur separatizmin në lindje të këtij shteti. Nga konflikti në mes të forcave pro-qeveritare të Kievit dhe separatistëvë pro-rusë, kanë vdekur 10,300 persona, ndërsa 1.6 milionë të tjerë janë shpërngulur.