14.5 C
Tirana
E enjte, 8 Maj, 2025

Marrëveshja e fshehtë e Ramës për detin, Presidenti i kthen Bushatit kërkesën për plotfuqishmërinë

Publikohet letra e Presidentit Ilir Meta drejtuar Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati dhe për dijeni të Kryeministrit Edi Rama ku shpjegon pse nuk vendosi t’i japë momentalisht plotfuqishmërinë për negociatat me Greqinë.
Nga shqyrtimi i kërkesës së paraqitur, për Autorizim negociatash me palën Greke, Presidenti thotë se konstatohet se “Kërkesa nuk përkufizon qartë objektin e negociatave për të cilin kërkohet Autorizim për Plotfuqi”.
Presidenca thotë se shkresa nr. 2428 prot, datë 13.02.2018, që në “Lëndë”, është e paqartë, pasi sipas saj objekti është “Përcillet kërkesë për autorizim negociatash me palën Greke” dhe ky përkufizim nuk parashikon, se cili është objekti konkret për të cilin kërkohet Autorizim për Plotfuqi dhe nuk reflekton detyrimet që rrjedhin nga Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 15, datë 10.04.2010.
“Vetëm duke përcaktuar objektin e saktë të negociimit, grupi negociator legjitimohet për të zhvilluar diskutime brenda objektit të tij.”
Nuk janë përfshirë hartat analoge dixhitale,
Janë të paqartë elementët konkret të objektit të negocimit.
Lënda: Mbi kërkesën nr. 2428 prot, datë 13.02.2018 “Kërkesë për autorizim negociatash me palën greke”.
Drejtuar: Zotit Ditmir BUSHATI
MINISTËR I EVROPËS DHE PUNËVE TË JASHTME
Për Dijeni: Zotit Edi RAMA
KRYEMINISTËR

I nderuar Zoti Ministër,
Nëpërmjet shkresës suaj nr. 2428, datë 12.02.2018, u njoha me kërkesën për “Autorizim negociatash me palën greke”.
Presidenti i Republikës, vlerëson angazhimin e Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme për të nisur negociatat për një marrëveshje të re ndërshtetërore për delimitimin e hapësirave detare me Greqinë. Bashkëpunimi i hapur dhe i ndërsjelltë është në themel të parimit të fqinjësisë së mirë.
Presidenti i Republikës, është i bindur se delimitimi i hapësirave detare me Greqinë, është në interesin më të mirë të vendit tonë në të gjitha aspektet, si në drejtim të ushtrimit të sovranitetit dhe juridiksionit kombëtar, ashtu edhe në drejtim të sigurisë, dobisë ekonomike, politike, sociale, etj.
Në këtë kontekst, zgjidhja për ndarjen, përdorimin dhe shfrytëzimin racional, efektiv dhe në mënyrë sa më të drejtë e të barabartë të hapësirave detare dhe burimeve të tyre me Republikën e Greqisë, duhet të vijë përmes një emëruesi të përbashkët midis dy vendeve.
Theksoj, se është e detyrueshme që çdo zgjidhje të respektojë parimet e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, detyrimet e vendosura për zbatim nga Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 15, datë 15.04.2010, kuadri ligjor i brendshëm, aktet ndërkombëtare ku Shqipëria është palë, si dhe duke patur parësor interesin shtetëror. Nga shqyrtimi i kërkesës së paraqitur, për Autorizim negociatash me palën Greke, konstatohet se;

1. Kërkesa nuk përkufizon qartë objektin e negociatave për të cilin kërkohet Autorizim për Plotfuqi.
Shkresa nr. 2428 prot, datë 13.02.2018, që në “Lëndë”, është e paqartë, pasi sipas saj objekti është “Përcillet kërkesë për autorizim negociatash me palën Greke” dhe ky përkufizim nuk parashikon, se cili është objekti konkret për të cilin kërkohet Autorizim për Plotfuqi dhe nuk reflekton detyrimet që rrjedhin nga Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 15, datë 10.04.2010.
Së pari, duhet evidentuar se kjo kërkesë është e përbërë gjithsej nga një kërkesë e vetme (gjithsej 4 – fletë) dhe nuk përmban asnjë dokument shoqërues apo shpjegues bashkëlidhur.
Nga shqyrtimi tërësor i kërkesës rezulton se ajo nuk shpreh në mënyrë të qartë dhe eksplicite titullin e marrëveshjes dhe objektin konkret për të cilin shteti shqiptar kërkon të hyjë në negociata zyrtare me shtetin grek.
Përcaktimi i saktë dhe pa asnjë ekuivok i titullit të marrëveshjes dhe objektit të negociatave, në proceset e diskutimeve negociuese ndërkombëtare me qëllim lidhjen e një marrëveshjeje të kësaj natyre është kushti themelor që duhet të plotësohet, dhe mbi të cilin lëshohet Autorizimi për Plotfuqi nga Presidenti i Republikës.
Vetëm duke përcaktuar objektin e saktë të negocimit, grupi negociator legjitimohet për të zhvilluar diskutime brenda objektit të tij.
Në pjesën hyrëse të shkresës citohet se :

“Delitimimi i hapësirave detare me fqinjët nëpërmjet marrëveshjeve dypalëshe mbetet një çështje e rëndësisë prioritare për vendin tonë”. Ndërkohë në faqen 3 të kërkesës suaj, parashtrohet se:
“Delitimimi i hapësirave detare është përfshirë dhe në paketën e çështjeve të hapura mes dy vendeve të diskutuara në kuadrin e mekanizmit dypalësh”…. “Nisur nga sa më sipër me palën greke është rënë në parim dakord për të negociuar një marrëveshje të re për të delitimuar hapësirat detare sipas një ndarjeje të drejtë për palët. Diskutimet e deritanishme për çështjen e delitimimi të hapësirave detare nevojitet të konkretizohen me negociata mes palëve”.
Në paragrafin e fundit të faqes 3 të kësaj kërkese parashtrohet se :
“Synimi i negociatave teknike me palën greke do të jetë:
Negocimi dhe finalizimi i një marrëveshje të re për delitimimin e të gjitha hapësirave detare të përcaktuara për të Drejtën e Detit me koordinata gjeografike; Detin Territorial, Zonën Ekskluzive Ekonomike dhe Shelfin Kontinental”.
Në lidhje me këtë që ju citoni, gjithçka që është vlerësuar nga qeveria se duhet të negociohet nuk mundet që t’i kërkohet autoritetit më të lartë, duke përdorur terma të tillë si “synim”, por qartësisht sipas Kushtetutës dhe ligjeve, kërkesa për Autorizim duhet të jetë e shprehur ekzaktësisht mbi titullin e marrëveshjes dhe objektin e saj.
Për më tej në kërkesën për Autorizim për Negocim, do të duhej të përfshiheshin edhe hartat analoge dixhitale, si instrumente negociuese teknike parësore që pasqyrojnë realitetin gjeografik të hapësirës që delimitohet.

Në paragrafin e parafundit të faqes 4 të kërkesës suaj, citohet edhe një fakt tjetër, ku ju parashtroni se: “Arritja e marrëveshjes do të shërbente paralelisht dhe për plotësimin e kuadrit ligjor ndërkufitar tokësor me lidhjen e Marrëveshjes për Piramidat Kufitare dhe Marrëveshjes për Zgjidhjen e Incidenteve Kufitare të cilat janë kërkuar për dekada me radhë nga pala jonë, por që nuk kanë patur reagim pozitiv të palës Greke. Kjo paketë marrëveshjesh do të zgjidhte njëherë e mirë problematikat ndërkufitare mes dy vendeve dhe do të rrëzonte çdo lloj pretendimi territorial që mund të ekzistojnë në të dy vendet”.
Lidhur me këtë paragraf të letrës suaj, të sqarohet qartë se për çfarë pretendimesh konkrete territoriale bëhet fjalë?, cila palë i ka shfaqur ato, në ç’mënyrë, në çfarë kohe, dhe a ka qenë kjo çështje objekti i diskutimit eksploratore diplomatike që janë realizuar përpara paraqitjes së kërkesës për negocim dhe kërkohet që nga ju me prioritet të vihet në dispozion të Presidentit të Republikës, i gjithë informacioni që dispononi në lidhje me këtë çështje?
Për më tepër, nga shqyrtimi tërësor dhe analitik i objektit të kërkesës, konstatohet se janë të paqartë elementët konkret të objektit të negocimit.
Gjykata Kushtetuese në pikën 82.3, ka përcaktuar një detaj të rëndësishëm që ndikon në përcaktimin e objektit konkret të negocimit.
Gjithashtu është i paqartë objekti i negocimit, edhe sa i takon pjesës ku puqen hapësirat detare ndërmjet tre shteteve (Itali-Greqi-Shqipëri), pasi kjo mund të kapërcente kufijtë e këtij autorizimi negocimi dypalësh.

Si konkluzion, përcaktimi i qartë i objektit të negocimit dhe vënia në jetë e detyrës së marrë nga grupi negociator që formalizohet në aktin e Autorizimit për Plotfuqi që Presidenti i Republikës lëshon nëpërmjet delegimit është një kërkesë e qartë e neneve 3, 4, 7 dhe 92/ë, të cilat shpjegohen gjerësisht në mënyrë shteruese në Vendimin nr. 15/2010, të Gjykatës Kushtetuese ku ndër të tjera në pikën, 37, përcaktohet se :
“37.Gjykata çmon se qëllimi i plotfuqisë është dhënia e autorizimit nga organi kompetent për të biseduar me palën tjetër për çështje që caktohen shprehimisht në objektin e plotfuqisë.Përfaqësuesit e shtetit që pajisen me plotfuqi janë të autorizuar të bisedojnë vetëm për aq sa është përcaktuar në mandatin e dhënë për përfaqësim. Në çdo rast, negocimi dhe lidhja e marrëveshjes duhet të bëhet brenda kufijve të përcaktuar në plotfuqinë e dhënë nga organi kompetent. Në këtë mënyrë, për çdo ndryshim, shtesë apo zvogëlim të objektit të negocimeve, përfaqësuesit e shtetit shqiptar janë të detyruar të kërkojnë marrjen e një plotfuqie të re ose ndryshimin, shtesën apo zvogëlimin e objektit të plotfuqisë së dhënë, duke respektuar parimin e shtetit të së drejtës”.
Në përfundim, duke iu referuar standardit Kushtetues, të hierarkisë së zbatimit të normës, parashikuar në nenin 4, dhe 116 pika 1 të Kushtetutës, dhe mbështetur në parashikimet e pjesës arsyetuese të Vendimit nr. 15/2010 të Gjykatës Kushtetuese, në krahasim me çfarë parashtrohen në kërkesën Tuaj, rezulton se nuk është përcaktuar qartë objekti i kërkimit për negocim për të cilin i kërkohet Presidentit i Republikës Autorizim për Plotfuqi.

Objekti i saktë i tagrit të përfaqësimit që do të delegohet duhet të jetë i specifikuar në këtë akt që Presidenti i Republikës duhet të lëshojë, dhe mbi të cilin grupi negociator i mandatuar duhet të veprojë gjatë negociatave.
Paqartësia e objektit konkret të negocimit për të cilin kërkohet Autorizim për Plotfuqi nga Presidenti, evidentohet edhe më tepër, pasi kërkesa e paraqitur nuk është e shoqëruar as me tekstin e projekt-marrëveshjes dhe as relacionin shoqërues, kërkesë kjo e nenit 6, pika 3, germa “c”, të ligjit nr.43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, ku citohet se:
“c) në rastet e përmendura në shkronjat “a” dhe “b”, të kësaj pike, kërkesa për lëshimin e plotfuqisë i drejtohet autoritetit kompetent për lëshimin e autorizimit nga institucioni që ka iniciativën për lidhjen e marrëveshjes, të shoqëruar nga teksti i projektmarrëveshjes dhe një relacion shpjegues.”
Për më tepër, në kërkesën e paraqitur për autorizim negociatash me palën Greke, në faqen 3, citohet se :
“Prej vitit 2014 e deri më sot janë zhvilluar disa diskutime eksploratore, në nivel diplomatik me palën greke për zgjidhjen e kësaj çështjeje…”.

Në përgatitjen e qëndrimeve të palës sonë për këtë çështje janë mbajtur parasysh parimet e Konventës për të Drejtën e Detit, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, legjislacioni ynë i brendshëm për kufijtë detar dhe analiza e brendshme”.
Nga sa më sipër, konstatohet aktivizimi edhe i instrumenteve të karakterit teknik përveçse politik në fazën përgatitore që i paraprijnë hyrjes në negociata, e për rrjedhojë dhe kërkesës për pajisjen me Autorizim për Plotfuqi.
Ndaj, është e nevojshme që dokumentet që shoqërojnë kërkesën tuaj, të përcillen pranë institucionit të Presidentit dhe të përmbajnë edhe një informacion shterues mbi materialet apo minutat e diskutimeve eksploratore me palën greke si dhe në mënyrë të veçantë analiza e brendshme e bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme lidhur me këtë çështje, si dhe personat dhe funksionet e tyre, që e kanë kryer këtë analizë.
Si përfundim, nga sa konstatohet më sipër në lidhje me objektin e saktë të negocimit, Presidenti i Republikës, konkludon se:
– Të qartësohet në mënyrë të mirëpërcaktuar objekti i kërkesës për negocim, duke përmbushur të gjitha mangësitë e konstatuara, si dhe të paraqiten informacionet shtesë të kërkuara.

2. Në kërkesën e paraqitur lidhur me përbërjen e grupit negociator referohet se: “Pas autorizimit Tuaj, do të ngrihet me Urdhër të Kryeministrit Grupi Negociator”, i cili do të negociojë marrëveshjen e re me palën Greke. Në këtë grup negociator të përfshihen përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes, Forca Detare, Institucioni i Gjeografisë dhe Infrastrukturës Ushtarake, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Infrastrukturës, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Brendshme”.
Në lidhje me këtë çështje, Gjykata Kushtetuese në Vendimin nr. 15/2010, në pikën 36, ka përcaktuar qartë se:
“36. Presidenti i Republikës është përfaqësuesi më i lartë i shtetit shqiptar në marrëdhëniet me jashtë, në kuptim të nenit 86/1 të Kushtetutës dhe ka autoritetin për të lidhur marrëveshje ndërkombëtare si përfaqësues legjitim i shtetit, sipas nenit 92/ë të Kushtetutës. Nga kjo rezulton se, ose ai vetë duhet të kishte marrë pjesë në lidhjen e marrëveshjes ose, nëpërmjet plotfuqisë, duhej të kishte autorizuar grupin negociator për këtë qëllim.”
Mbështetur në parashikimet e nenit 92/ë, të Kushtetutës, dhe Vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr.15/2010, në të cilin është qartësuar mënyra se si Presidenti e ushtron të drejtën për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare konstatohet se :

– Përbërja e grupit negociator sa i takon institucioneve të përfshira nuk është e plotë, dhe
– Mungesa e përcaktimit nominal të delegacionit krijon hapësirë që të mos përmbushë standardet për nivelin e njohurive të kërkuara apo, nuk jep garancitë e nevojshme për integritetin moral dhe profesional për të marrë pjesë në negociata kaq të rëndësishme për shtetin shqiptar.
Nga sa më sipër, rezulton se;
Së pari, grupi negociator që do të realizojë negociatat, duhet të përfaqësojë ekspertizën më të thelluar dhe më të mirë profesionale në të gjitha fushat në interes të negocimit, me qëllim që niveli i përfaqësimit të Shtetit Shqiptar dhe mbrojtja e interesave të tij të realizohet në lartësinë e kërkuar nga interesat e vendit.
Në funksion të realizimit të objektivave të negocimit dhe të ekspertizës, do të duhet të merret në konsideratë dhe pjesëmarrja e përfaqësuesve të institucioneve të tjerë veç atyre të cituar në kërkesë të tilla si Akademisë së Shkencave, Agjencisë së Informacionit Gjeohapësinor (ASIG), Universitetit të Tiranës, Akademisë së Albanologjisë, Institutit të Arkeologjisë, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Kulturës, etj.

Së dyti, kërkesa për dhënien e Autorizimit për Plotfuqi, siç rezulton nga kërkesat e Kushtetutës, Vendimit nr.15/2010 të Gjykatës Kushtetuese, ligjit nr. 43/2016, por edhe nga praktika tashmë e konsoliduar në këtë drejtim, duhet të përcaktojë qartë se cila do të jetë përbërja nominale e grupit negociator, pra jo vetëm me emërtesat e institucioneve, por dhe emrat konkret të personave dhe funksionet dhe profesionet që ata përfaqësojnë.
Në kërkesë nuk përcaktohet se kush do të jetë personi që do të udhëheqë Grupin Negociator, gjë që është tepër e rëndësishme nisur nga përvoja jo pozitive në të kaluarën.
Kërkesa për pajisjen me autorizim, duhet të shoqërohet detyrimisht me listën nominale të emrave konkret përbërjes të grupit negociator, shoqëruar me CV përkatëse, që do të krijonte mundësinë e vlerësimit të përmbushjes së kritereve të integritetit moral dhe profesional që krijojnë besimin tek Presidenti i Republikës, për t’i dhënë besimin që ta përfaqësojnë atë në këto negociata.
Për nga rëndësia e kësaj marrëveshjeje dhe njohuritë e veçanta që kërkohen në këtë fushë, Presidenti i Republikës nuk është informuar nëse, deri në këto momente, është këshilluar ekspertizë e jashtme dhe nëse synohet të merret një e tillë gjatë procesit të negocimit për këtë marrëveshje.
Për sa më sipër, në formën e paraqitur, kërkesa lidhur me grupin negociator dhe përbërjen e tij është jo e plotë dhe e pabazuar në Kushtetutë, Vendimin nr.15/2010 të Gjykatës Kushtetuese, praktikës së mëparshme.
Plotësimi i mangësive të konstatuara në lidhje me grupin negociator dhe përbërjen e tij është kusht i domosdoshëm në vlerësimin e kërkesës për pajisjen me Autorizim për Plotfuqi.

3. Çështja e standardeve dhe metodologjisë të përdorshme për negocim.
Në kërkesë fq 2-3, parashtrohet se:
Delimitimi i vitit 2009 ishte rezultati më minimal që mund të arrinte vendi ynë me Greqinë;
Nevojitet lidhja e një marrëveshjeje të bazuar në një parim të ri delimitimi.Parimi i barazlargësisë shërben si pikënisje për korrektimin e vijës delimituese në favor të palës sonë. Për këtë qëllim nevojitet aplikimi i parimit barazlargësi me korrektim;
Delimitimi i ri duhet të sjellë përfitim në hapësirat detare të Shqipërisë. Përfitimi në hapësirën e Detit Territorial, do të ishte më i favorshëm sepse në këtë hapësirë detare ushtrohet sovranitet i plotë në det, tabanin e detit dhe hapësirën ajrore mbi të, ndërsa në Shelfin Kontinental dhe ZEE vendi ynë do të përfitonte zgjerimin e të drejtave sovrane (shfrytëzim burimesh që ekzistojnë në këto hapësira, por jo sovranitet të plotë).
Lidhur me sa më sipër, bazuar dhe në pikat 82.1, 82.2, 82.3, 82.4, 86, 90, 92, 95, 96 dhe 98 të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr.15/2010, kërkesa e paraqitur do të duhej të shoqërohej me përcaktimin e qartë se në cilën pjesë të hapësirës detare të vijës së delitimit do të përdoret parimi i barazlargësisë strikte dhe ku parimi i barazlargësisë me korrektim, duke saktësuar gjithashtu se cilat janë momentet konkrete që kërkojnë negocim dhe janë objekt i mosmarrëveshjeve ndërmjet palëve.
Përmbushja e kësaj detyre do të qartësonte objektivat, metodologjinë dhe parimet që do të përdorte grupi negociator, për përcaktimi e një kufiri detar në përputhje me Konventën e OKB-së mbi të Drejtën e Detit, praktikën Ndërkombëtare, Kushtetutën, vendimin nr.15/2010 të Gjykatës Kushtetuese dhe mbi të gjitha në interesin më të mirë të Shqipërisë.

Saktësimi i hapësirës konkrete detare të përdorimit të parimit të “Ekitesë”, është thelbësor për arritjen e një marrëveshje të drejtë siç ka arsyetuar Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj nr.15/2010.
Presidenti i Republikës vlerëson se;
Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, detyrimeve të vendosura për zbatim nga Vendimi nr.15, datë 15.04.2010, të Gjykatës Kushtetuese, kuadrit të brendshëm ligjor, akteve ndërkombëtare ku Shqipëria është palë dhe në interes parësor shtetëror, përmbushja e kritereve, kërkesave, të parashtruara e të konstatuara më sipër, përbën domosdoshmëri kushtetuese për marrjen e vendimit për pajisjen me Autorizim për Plotfuqi, të kërkuar me shkresën nr. 2428 prot, datë 13.02.2018.

Sy e veshë nga “Stamford Bridge”, luhet finalja e parakohshme e Champions

Gjashtë vjet më vonë, Barça kthehet në vendngjarje. Sonte, ora 20:45, në “Stamford Bridge”. Tempulli i Chelsea pret një duel të lartë-fluturues. Skuadra e Ernesto Valverde duhet të jetë shumë e kujdesshme kundër Chelsea, sepse blutë e Londrës duken “me lëkurë qingji”, pas heqjes së “posterit” të tyre si kampionë të Anglisë, duke qenë 19 pikë prapa Manchester City në Premier League. Sidoqoftë, mos harroni se edhe Real Madridi është 17 pikë larg prej azulgranëve në La Liga, por tashmë kanë fituar përparësi në Champions, në raport me PSG-në, të cilin e mundi 3-1 në “Bernabeu”. Liga e Kampioneve mezi jep hapësira për pesë minuta frymëmarrje.
Gabim-dënimi është maksimal në rast shpërqendrimi, pothuajse vdekjeprurës. Dhe si kampioni aktual anglez, askush nuk i zë besë Chelsea të Antonio Contes në kampin katalanas. Në të njëjtën mënyrë, udhëtuesit presin që në “Stamford Bridge” Leo Messin të “ngjallet” dhe t’i japë fund magjisë, që e ndjek atë në ballafaqimet me “blues”. Numri “10” i Barcelonës e ka si “gur në qafë” penalltinë e dërguar në tranversë, në gjysmëfinalen e vitit 2012. Ishte ndeshja e tij e tetë kundër londinezëve.
Barcelona, e pamposhtur në fazën e grupeve, si Liverpool, Tottenham dhe Besiktas, e tillë edhe në La Liga, finaliste e Kupës së Mbretit, i ka të gjitha shifrat me vete. Por, jo ato të ballafaqimeve me Chelsea. Andaj, kjo sfidë mbart në vetvete rreziqe nga më të ndryshmet. Megjithatë, për sa kohë që Barça nuk ka humbur në “Stamford Bridge” (1-2 në vitin 2006 dhe 1-1 në vitin 2009), ajo ka mbërritur në finale dhe është shpallur kampione e Europës.

“Macja e Zezë” eliminon Manchester Cityn, Guardiola sherr në tunel

Macja e zezë e City-t ka goditur sërish. Skuadra që ka eliminuar Manchester City-n disa vite më parë, dhe madje ka fituar kupën në një finale me City-n prapë në vitet e fundit ka arritur të mposhtë sërish skuadrën e miliardave me rezultatin 1-0 në DW Stadium.
Pjesa e parë nuk ishte tipike për skuadrën e Pep Guardiola-s. City arrin të kontrollojë ndeshjen por pa krijuar mundësi shënimi teksa të gjitha goditjet që nisen drejt portës përfundojnë jashtë fushës. Rasti i parë serioz i City-t vjen në minutën e 30’ nga Fernandinho.
Pak pas tij Gundogan ka një mundësi të mirë por edhe ai tregohet i pasaktë. Pak sekonda përpara se të përfundonte pjesa e parë situata vështirësohet për City-n kur Fabian Delph del me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të rëndë ndaj kundërshtarit.
Gjithsesi, kjo nuk ndikon shumë në ndeshje pasi City vazhdon të kontrollojë ndeshjen por pa krijuar arste për gol dhe vetëm goditjet nga distanca janë të rrezikshme. Mrekullia vjen në minutën e79’ kur vendasit nisin një kundërsulm që finalizohet me gol nga Will Grigg. City tenton të shpëtojë të paktën humbjen por përpjekjet e De Bruyne me shokë ishin të kota. Wigan triumfon sërish me City-n.

Guardiola: Asgjë nuk ndodhi
Pep Guardiuola e ka përjetuar keq eliminimin nga “FA Cup”, pas humbjes 1-0 ndaj Wigan. Duke bërë vlerësimin e ndeshjes, njeriu i stolit të Manchester City tha: “Unë e përgëzoj Wiganin për fitoren, luajti shumë mirë në pjesën e dytë, kur ne nuk kemi pasur shumë ndikim. Jemi ndëshkuar nga një kundërsulm në fund dhe kemi humbur. Kur humbas, fjalët e mia të para janë urime ndaj kundërshtarit, siç kam bërë me Liverpool. Kemi bërë gjithçka, por dy ndeshje janë të ndryshme, në një ndeshje kjo mund të ndodhë. E kuqe për Delph? Po, ishte karton i kuq. Ishte një veprim i panevojshëm. Arbitri vendosi atë që vendosi. Mund të jetë e kuqe, po. Tension në tunelin e stadiumit? Asgjë nuk ndodhi në tunel”.

Dieta ushqimore për të sëmurët me gastrit

Gastriti është një problem shëndetësor, i cili lind si pasojë e një sërë faktorësh fizikë dhe kirurgjikalë, të cilët çojnë në ënjtjen e mukozës së stomakut. Kjo gjendje shpeshherë shndërrohet në kronike, gjë që sjell dhe përkeqësimin e mëtejshëm. Ashtu si edhe për shumë sëmundje të tjera, çelësi është në parandalimin e tyre. Nëse gastriti arrin të shfaqet njëherë, ai sjell me vete edhe shumë rregulla dhe kufizime në mënyrën e jetesës. Për këtë arsye është më mirë që të marrim masat e nevojshme për ta parandaluar.

Gastriti, qetësoni stomakun
Të shkosh shpesh në tualet, të kesh të vjella, dridhje… të gjithë i njohin simptomat e pakëndshme të gastritit. Menjëherë kemi një tendencë të shkojmë te mjeku dhe të marrim ilaçe, por do të ishte më mirë që gjithçka të kalonte nga ushqimi. Duhet të keni parasysh se duhet të evitoni ëmbëlsirat e tepërta dhe pikantet, të cilat e irritojnë stomakun. Ndërsa përdorimi i qumështit mund të ishte një zgjidhje e përkohshme për gastritin. Prandaj do të ishte e mira që në menunë tuaj të shtohej orizi, pure me karotë, komposto molle, banane e shtypur. Këto janë disa lloj ushqimesh që e lënë pak të qetësohet stomaku. Po kështu është mirë që të hani pak dhe shpesh: duhet që të fragmentizoni masën e ushqimit, duke ngrënë 6 deri në 10 herë në ditë, por duke ngrënë me porcione të vogla. Po kështu, për të mos pasur probleme me dehidratimin, është mirë që të pihen lëngje shpesh e në sasi të vogla. Ajo që duhet të pini është uji që ka sodium, do të ishte mirë që të pini nga një gllënjkë në çdo 10 minuta. Pijet që duhet të evitoni: Alkool, kafe, pije me gaz, si ujë, limonada, koka-kola.

Produktet e qumështit
Gjatë trajtimit të të sëmurëve me gastrit dhe me ulçer nuk duhet të hani qumësht të paskremuar apo edhe gjalpë dhe kos. Po kështu, nuk duhet të hani as djathë me shumë yndyrë.

Mishi dhe sallami
Gjatë periudhës së trajtimit nuk duhet të hani produkte krudo, por edhe produkte mishi dhe sallami të tymosura. Nuk duhet të konsumoni mish të pjekur fort. Po kështu nuk duhet të hani mish me dhjam, si mish pate apo rosaku, apo edhe lëkurën e pulave dhe sallam me dhjam dhe të tymosura.

Peshku
Nga ushqimet tuaja duhet të hiqni peshqit që kanë dhjam, si ngjala, salmoni. Këtu mund të shtohen dhe peshku i tymosur, i marinuar apo i ruajtur në konserva

Buka
Buka duhet të përdoret gjithnjë e freskët. Por duhet të evitoni ëmbëlsirat me krem, apo produkte të skuqura me gjalpë, po kështu dhe prodhime ëmbëlsirash që përmbajnë shumë yndyrna

Perimet dhe patatet
Duhet të evitoni pjatat që kanë shumë yndyrë dhe që janë me bazë patate, si patate të skuqura apo të konservuara. Nuk duhet t’i hani patatet të shoqëruara me majonezë. Të kini sa më pak vaj në ushqimet që përdorni. Evitoni preshin, hudhrën, kërpudhat, ullinjtë, kastravecin, perimet e thata, sallatat me perime të përgatitura me majonezë apo me salcë të yndyrshme.

Frutat dhe arrat
Duhet të mos përdorini fruta të papjekura. Arra, bajame, pistakë gjatë kohës që merrni ilaçe për gastritin apo ulçerën. Po kështu, duhet të mos përdorni sheqer me tepri, qoftë edhe në formë pudre.

Gjellët
Siç u tha dhe më sipër, duhet të shmanget çdo gjë që është me yndyrna, duke përfshirë supat dhe salcat. Po kështu edhe vezët e skuqura, apo pikante me bazë majoneze; mos u përpiqni të përdorni ushqime të pjekura fort dhe mos përdorni shumë qepën.

Gastriti, si ta kuroni
Mukoza gastrite është e bardhë dhe nuk sekreton më acid klorhidrik. Në përgjithësi ka një mungesë të vitaminës B12. Por cilat janë shkaqet e shfaqjes së gastritit? Fillimisht ato kanë të bëjnë me infeksionet në gojë apo te dhëmbët. Po kështu, ka lidhje me mënyrën se si ushqehemi: ushqime shumë të ngrohta, shumë pikante, marrja me tepri e alkoolit. Po kështu të prekurit me gastrit sjell dhe alergji nga përdorimi i vezëve dhe qumështit. Edhe përdorimi i tepërt i duhanit dhe alkoolit është i dëmshëm. Shenjat e gastritit kronik mund të jenë dobësim, mungesë oreksi, dhembje barku, të vjella. Por që të mos prekeni nga disa sëmundje është mirë që disa rregulla duhet të respektohen. Është shumë e rëndësishme ndalimi i duhanit, pasi tymi është i dëmshëm për mukozën gastrike. Duhet të evitoni marrjen e aspirinës si qetësues, pasi është shumë i dëmshëm, po kështu edhe alkoolin dhe përdorimin e pikanteve: si piper, mustardë, uthull etj. Në listën e produkteve që s’duhet të hani janë edhe ushqimet e ëmbla dhe shumë të ëmbla, si bonbonet me mjaltë apo reçelrat. Edhe të skuqurat dhe ushqimet me shumë yndyrë nuk duhet të jenë pjesë e menusë suaj. Duhet të evitoni dhe ushqimet që janë të vështira për t’u tretur, si lakrat, bizelet, thjerrëzat, kërpudhat, kastraveci etj. Duhet të merrni një shtesë të ushqimeve që kanë vitaminë B12 dhe vitaminë C. Ndërkohë, të shihet edhe ndonjë infeksion i mundshëm i dhëmbëve, gojës, faringut.

Çfarë duhet të hamë
Në përgjithësi, duhet të përdorni ushqime që nuk ju sjellin diarre, as dhembje apo të vjella, as ushqime që ju japin ndjesinë e fryrjes në stomak. Duhet të përdorni ushqim sa më të lehtë, çka do të thotë ushqim që përmban sa më pak yndyrna. Te produktet e qumështit nuk duhet të hani shumë kos. Ndërkohë që mund të përdorni drithëra. Kështu, në listën e ushqimeve që treten lehtë janë karotat, kopër, lulelakër, bizele dhe barbunja, domate, kungulli dhe sallatë jeshile. Mbi të gjitha, përdorni barëra të freskët dhe të thatë, lëng limoni dhe pak kripë. Ndërsa te të ëmblat është i rekomandueshëm përdorimi i mjaltit dhe reçelit. Mund të hani ëmbëlsira pa krem apo ëmbëlsira me fruta, ndoshta dhe vetëm biskota. Është e nevojshme që pjekja të jetë me avull apo në ndonjë enë me baltë dhe të mos përdoret yndyra. Ndërsa për të pirë mund të merrni çdo lloj çaji, kafe me bazë drithërash, ujë i pagazuar, lëng frutash apo lëng perimesh. Duke përdorur këto ushqime, mund të sjellim një lehtësim edhe në organe të tjera të tretjes apo në metabolizëm. Ndërsa alergjitë ushqimore janë të ndryshme te njerëz të ndryshëm.

Dicitura
Gastriti është një problem shëndetësor, i cili lind si pasojë e një sërë faktorësh fizikë dhe kirurgjikalë, të cilët çojnë në ënjtjen e mukozës së stomakut
Përdorimi i tepërt i duhanit dhe alkoolit është i dëmshëm për gastritin
Buka duhet të përdoret gjithnjë e freskët
Duhet të evitoni pjatat që kanë shumë yndyrë dhe që janë me bazë patate, si patate të skuqura apo të konservuara

Ushqimet që ndihmojnë për një lëkurë të shëndetshme

Mund të përdorni të gjithë kremrat dhe pomadat më të shtrenjta në treg, por për të pasur lëkurë të butë dhe me shkëlqim, ushqimi është ilaçi më i fuqishëm. (Mund të jetë edhe armiku më i keq, sheqeri sidomos). Dermatologët kanë zbuluar 5 ushqimet më të mira për lëkurën, të cilat e hidratojnë, luftojnë rrudhat, njollat dhe puçrrat, madje mund të lehtësojnë edhe ekzemën dhe psoriazën.

Avokado
“Konsumoj të paktën një avokado në javë. Ajo siguron yndyra të pangopura që mbrojnë membranat qelizore dhe mbajnë lëkurën të butë, të lëmuar dhe të hidratuar. Avokado është gjithashtu e pasur në fitokimikë që shërbejnë si antioksidues të fortë, të cilët mbrojnë lëkurën nga dëmtimet, së bashku me vitamina dhe minerale që trajtojnë problemet në lëkurë”, shprehet Charles Crutchfield, profesor i dermatologjisë tek Universiteti i Minesotës.

Fara liri
“Konsumoj fara liri të bluara ose vajin e nxjerrë prej tyre rregullisht. Farat e lirit përmbajnë disa përbërës bimorë që funksionojnë si acidet yndyrore omega 3 për të luftuar inflamacionin që shkakton akne dhe parandaluar tharjen e lëkurës. Ato mund të ndihmojnë gjithashtu në trajtimin e problemeve në lëkurë, si psoriaza dhe ekzema. Vaji i farave të lirit ndihmon gjithashtu me tretjen. Kjo është e rëndësishme, duke qenë se nxjerrja jashtë e toksinave nga trupi është e rëndësishme për shëndetin e përgjithshëm dhe pamjen e jashtme të lëkurës”, shprehet Robin Evans, themelues i klinikës Southern Connecticut Dermatology.

Çokollatë
Lajmi i mirë: Çokollata është e mirë për lëkurën. Kakao përmban flavonole, të cilat luftojnë tharjen e lëkurës duke parandaluar humbjen e lëngjeve në sipërfaqe të saj. Flavonolet e kakaos përmirësojnë gjithashtu edhe qarkullimin e gjakut, kështu transportohen më mirë lëndët ushqyese dhe oksigjeni në lëkurë. “Më pëlqen çokollata e zezë, që përmban rreth 70% kakao dhe konsumoj 1 në ditë”, thotë Arielle Kauvar, drejtuesja e klinikës New York Laser & Skin Care.

Grejpfrut
“Më pëlqen të konsumoj grejpfrut në darkë. Krahasuar me qitrot e tjerë, ka më shumë vitaminë C, e cila i nevojitet trupit për të prodhuar kolagjen për qetësimin e lëkurës. Dhe nëse ka indeks të ulët glicemik, ka më pak ndikim në sheqerin në gjak krahasuar me frutat e tjerë. Kjo është e rëndësishme, duke qenë se nivelet e qëndrueshme të sheqerit në gjak ngadalësojnë procesin natyral të plakjes që shkatërron kolagjenin”, thotë Harold Lancer, themeluesi i Lancer Dermatology në Beverly Hills.

Fruta të thata
“Konsumoj fruta të thata me kos çdo mëngjes. Frutat e thata kanë efekt antiinflamator, ndërsa probiotikët në kos mbrojnë lëkurën nga aknet dhe ekzema. I rekomandoj gjithmonë pacientët që të pinë sa më shumë çaj – polifenolët e çajit na mbrojnë nga rrezet ultraviolet të diellit”, shprehet Debra Jaliman, asistente profesore e dermatologjisë tek Shkolla Mjekësore Icahn në New York.

Stresi dhe ndikimi i tij në lëkurë
Nëse je duke kaluar një periudhë të vështirë, mos u çudit nëse lëkura jote humbet shkëlqimin dhe butësinë. Truri reagon dhe stresi prodhon disa substanca të quajtura neurotransmetues, të cilat shtrëngojnë enët e gjakut duke shkaktuar një ngadalësim të qarkullimit. Cili është rezultati? Epiderma bëhet opake dhe rrudhat rreth syve, buzëve dhe gojës theksohen më tepër, duke e bërë lëkurën tuaj që të ngjajë më e plakur. E nëse stresit i shtohet edhe një ambient i ndotur qyteti, plakja është padyshim e parakohshme. Më të rrezikuarat janë femrat e reja nga 20 deri në 30 vjeç. Sugjerimet e specialistëve për këtë grupmoshë janë: Kushtoji çdo ditë një gjysmë ore kohë vetes tënde, lexo një libër, bëj joga ose bëj ushtrime të frymëmarrjes së thellë. Pra, kaloje kohën ashtu siç të pëlqen ty, por dhe pasuro kozmetikën me trajtime rivitalizuese.

Pasojat e ndotjes në lëkurë
Nëse jeton në qytet, çdo ditë je e detyruar të bësh llogaritë me ndotjen. Ajri që të rrethon dëmton shtresën mbrojtëse të lëkurës tënde dhe në të njëjtën kohë depozitohen mikrograme dhe substanca toksike në formë pluhurash metalikë të padukshëm. Në këtë fushë beteje padyshim që fytyra jote është në radhë të parë: Ndotet dhe merr një ngjyrë gri në kafe. Pa llogaritur këtu rreziqet e zhvillimit të alergjisë. Në epidermat më të ndjeshme, akumulimi i substancave të jashtme mund të shkaktojë irritime të bezdisshme antiestetike. Të vegjëlit zakonisht kanë një jetë më të mbrojtur dhe më pak të ekspozuar në krahasim me shtëpiaket ose punëtoret, që çdo ditë janë në kontakt me substanca alergjike si detersivë, spray dhe ozoni që është prezent në disa fotokopje. Sistemi imunitar i të rriturve është më delikat dhe gati që të shpërthejë në reagime alergjike në prezencë të substancave irrituese. Pastroje gjithmonë lëkurën me kujdes me detergjentë delikatë. Nëse e ke të irrituar ose sensibël, evito ato që përmbajnë sodiolaurilsolfato (substancë kimike që rrit irritimin), si dhe produktet që bëjnë shumë shkumë. Ato kanë një efekt të madh në heqjen e yndyrës deri në thellësi dhe e lënë lëkurën më të ekspozuar nga pluhurat alergjizues.

Pasojat e duhanit
Cigarja e rëndon pamjen e lëkurës tënde, aq sa specialistët thonë “fytyrë tym” për të treguar atë bashkësi rrudhash rreth syve, buzëve dhe gojës që krijohen mbas dhjetë vjet pirje e rregullt cigaresh. Cigarja bën keq, sepse nikotina krijon një lloj tape që pengon oksigjenin që të hyjë në inde. Dhe pa oksigjen qelizat mbeten të uritura dhe nuk arrijnë që të jenë të shëndetshme. Në këtë mënyrë, lëkura humbet shkëlqimin, epiderma thahet dhe irritohet plotësisht. Përveç kësaj nikotina prish mikroqarkullimin, duke penguar prodhimin e kolagjenit dhe të fibrave elastike. Kështu lëkura humbet elasticitetin dhe plaket më shpejt. Nëse je vajzë e re dhe lë cigaren, dëmet e saj mund të riparohen dhe në mënyrë mjaft efikase. Ndërsa për një 40-vjeçare që ka 10 vjet që e pi cigaren, dëmet janë më të vështira për t’u eliminuar dhe nganjëherë të pakthyeshme. Kërko t’u thuash lamtumirë cigareve dhe ndërkohë shto konsumin e vitaminës A. Gjendet sidomos në vezë, në domate, në spinaq dhe është vitamina e preferuar si një element toksik ndaj duhanit. Kremi i duhur është ai antirrudhë.

Pasojat e diellit
Bukuria jote e ardhshme varet edhe nga raporti që ti ke me diellin sot. Me kalimin e viteve epiderma reagon ndaj agresorëve diellorë dhe shtresa e jashtme e saj humbet elasticitetin. Mbrohu gjithmonë nga rrezet e diellit dhe jo vetëm në verë ose kur je në mal. Edhe dielli që merr kur je në qytet, madje edhe në dimër, e vë në provë të fortë lëkurën tënde. Duhet të përdorësh kremra me filtra UV, madje edhe fondotintën blije me këtë cilësi.
Dicitura
Avokado është e pasur në fitokimikë që shërbejnë si antioksidues të fortë, të cilët mbrojnë lëkurën nga dëmtimet
Lajmi i mirë: Çokollata është e mirë për lëkurën
Grejpfruti krahasuar me qitrot e tjerë, ka më shumë vitaminë C, e cila i nevojitet trupit për të prodhuar kolagjen për qetësimin e lëkurës
Farat e lirit përmbajnë disa përbërës bimorë që funksionojnë si acidet yndyrore omega 3 për të luftuar inflamacionin që shkakton akne dhe parandaluar tharjen e lëkurës

20 shkurti, Berisha: Luftë kultit të Diktatorit

27 vite pas shembjes së shtatores së diktatorit të Enver Hoxhës, ish-kryeministi Sali Berisha ka mbajtur fjalën në një konferencë të quajtur, “Ju flet Radio”. Ish-kreu i Partisë Demokratike ka treguar se ishin pikërisht studentët që 27-vite më parë treguan qëndrueshmëri dhe kurajo duke përmbysur regjimin e diktaturës. Berisha, protestën e studentëve e konsideron si më paqësoren, me vetëm një të plagosur me snajper. Ai qëllimi kryesor i Partisë Demokratike është lufta kundër kultit të Enver Hoxhës.
Berisha tha më tej se studentët që kërkuan rrëzim të bustit të Enver Hoxhës u arrestuan. Berisha tha se, qëllimi kryesor i Partisë Demokratike është lufta kundër kultit të Enver Hoxhës.
Berisha tregoi më tej dhe skenarin e Ramiz Alisë për të zhvarrosur trupin e Enver Hoxhës. “Që atë pasdite shpalosi skenarë të kobshëm. U përpoq të manipulojë turmat dhe të çojë për të zhvarrosur trupin e Enver Hoxhës. PD bëri gjithçka dhe e bllokoi këtë pa vështirësi pasi u kuptua se ishte kurth. Të nesërmen, manipuluan njerëzit dhe i vërsulën drejt bllokut pasi kishte larguar Nexhmijen dhe e kishte dërguar në Dajt. Këta të tjerët, përfshi dhe Edi Ramën, në bunkerin që e ndërtoi për Enver Hoxhën në Zall Herr. Tani tha, hajdeni sulmoni bllokun. Në fakt vetë ishte në zyrë, dhe ai mund të ikte dhe në tunelet se kishte tunelet”, u shpreh Berisha.

Orët e betejës historike të Tiranës në rrëzimin e bustit
Tre ditët e grevës së urisë të studentëve kishin tensionuar situatën në Tiranë. Disa qindra mijëra vetë morën rrugën drejt Kinoklubit të Qytetit “Studenti” për të shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e tyre për studentët grevistë. Më 20 shkurt 1991, sheshi para Kinoklubit ishte mbushur më shumë se kurrë ato ditë. Thirrjet e turmës “Studentët janë heronj”, “Jemi me studentët”, “Poshtë diktatura”, “Enver-Hitler”, si dhe do ta heqim qelbësirën, ishin një kurajo e madhe për studentët grevistë.
Afro 900 studentë grevistë u ngujuan në këto ambiente. Komisioni organizator i grevës nuk lejoi të hynin në ambientet e grevës operatorët me kamerat e Televizionit Shqiptar, si dhe asnjë qytetar që nuk ishte student ose pedagog i Universitetit të Tiranës. Në ambientet e Qytetit “Studenti” u mblodhën me mijëra e mijëra qytetarë dhe familjarë të studentëve grevistë, të shqetësuar për të afërmit e tyre. Mbajmë mend parullat, qytetarët thërrisnin jashtë në mbështetje të studentëve: “Ejani mblidhuni këtu, këtu, bashkë me ne”. “Poshtë burokratët” dhe mjaft parulla të tjera patriotike. Brenda tek studentët hyri vetëm operatori televiziv i Partisë Demokratike, Agim Buxheli, që kreu filmimet e rralla të studentëve të ngujuar.
Nga ballkoni i godinës së konviktorëve të Gjeologjisë, oratorë të ndryshëm mbanin fjalime kundër qeverisë dhe PPSH, të cilat po flijonin studentët për emrin e një të vdekuri.

Falë organizimit të mirë të sindikatave, sidomos të atyre të minatorëve, u arrit që të mblidheshin afro 100 mijë veta midis tyre punëtorë, studentë, pedagogë, qytetarë të tjerë të Tiranës që protestuan në Qytetin “Studenti”, në përkrahje të grevës së urisë së studentëve. Të parët që erdhën ishin minatorët e Valiasit, të cilët duke brohoritur nga rruga e “Durrësit” e deri tek Qyteti “Studenti” arritën të mblidhnin rreth vetes një turmë prej afro 10 mijë qytetarësh.
Rreth orës 10:00 në Qytetin “Studenti” ndodheshin 100 mijë protestues. Ata të gjithë së bashku brohorisnin për fitore dhe shprehnin urrejtjen e tyre ndaj regjimit komunist me promovimin e parullave si: “O Ramiz o zagar, do të varim në litar”, “Poshtë diktatura”, “Liri Demokraci”, etj. Në mbarim të fjalimeve të disa oratorëve demonstrues, aktorja e talentuar Rajmonda Bulku, duke e mbyllur mitingun solidarizues, u bëri thirrje protestuesve të shkojnë tek Sheshi “Skënderbej”. Thirrja e Rajmondës u bë në një çast, kur u duk se të gjithë protestuesit e dëgjuan atë. Një grup protestuesish, të përbërë kryesisht nga familjarë dhe nëna të studentëve të grevës së urisë, nisen në drejtim të Presidencës për të takuar Ramiz Alinë. Ndërsa turma kryesore e protestuesve niset në drejtim të Liceut Artistik. Në krye të protestuesve, ne vumë gratë dhe fëmijët e vegjël në mënyrë, që policia të mos keqtrajtonte turmën e protestuesve.

Një turmë rreth 100 mijë vetash ka lëvizur nëpërmjet rrugës së “Elbasanit”. Tek Liceu, njerëzve u dalin përpara rreshta policësh me skafandra dhe armë. Qentë e policisë u vërsulën njerëzve, ndërsa zbrazën kallashnikovë mbi kokat e protestuesve, të cilët qëllojnë me gur dhe sende të forta policinë dhe Forcat Speciale. Turma çan përpara, por tashmë në drejtim të Sheshit “Skënderbej”.
Beteja e sheshit është vendimtare. Pas një përleshjeje mes popullit dhe forcave të Ministrisë së Brendshme busti ndjen lëkundjet e para. Në ora 14:00, monumenti i Enver Hoxhës bie në krah të majtë të tij, pas tre-katër lëkundjesh të forta. Disa njerëz kishin punuar tek këmbët e bustit, ku ishin edhe vidat mbajtëse, ndërsa të tjerë i kishin hedhur kavon në grykë. Enveri ra dhe bashkë me të edhe miti i tij. Policë dhe qytetarë u përqafuan për disa çaste në shesh.
Atmosfera ishte mjaft e ndezur. Qindra dhe mijëra njerëz shtyheshin kush e kush të shkelte më shumë me këmbë shtatoren që nëpërkëmbej. Për tetë orë rresht, statuja e diktatorit u zvarrit nëpër Tiranë. Urrejtja ndaj diktaturës po dëshmohej mjaft qartë në ato momente. Pas rrëzimit, busti i ndarë në dy pjesë u lidh me kavo në një makinë plehrash, e cila nisi ta tërhiqte zvarrë për ta dërguar në ambientet e Qytetit “Studenti”, ku po vazhdonte greva e urisë së studentëve. Përgjatë gjithë rrugës, njerëzit vazhdonin të pështynin dhe të shkelnin me këmbë bustin e copëtuar të diktatorit. Nëpër rrugët e Tiranës shihje njerëz të përlotur nga gëzimi, të cilëve nuk u besohej se, busti i diktatorit ishte rrëzuar. Të gjithë u bashkuan në një varg të gjatë, duke vazhduar ecjen në drejtim të godinës, ku po zhvillohej greva e urisë së studentëve. Pikëtakimi ishte pikërisht ajo, godina e studentëve të grevës së urisë. Mbi njëqind mijë njerëz në një kor gjigant thërrisnin pa pushim “e hoqëm, e hoqëm, e hoqëm qelbësirën”.

Reagimi i diktaturës
Menjëherë pas rrëzimit të bustit, përfaqësuesi i qeverisë, ministri i Arsimit, Skënder Gjinushi, pranoi se emri i diktatorit do të hiqej nga universiteti. Ndërkohë u publikua një lajm i dalë nga kabineti i Kryeministrit, Adil Çarçani, në të cilën thuhej: “Meqë do të riorganizohej, Universiteti i Tiranës nuk do të ketë më emrin e Enver Hoxhës. Ky dekret hyn në fuqi menjëherë”.
Pas humbjes së bustit, vullnetarët e Enverit kërcënuan se do të marshonin në Tiranë për të rivendosur monumentin dhe se do të shpallnin kryeqytet të ri të Shqipërisë, Vlorën. Më 21 shkurt 1991, ora 11:00 nga Blloku i udhëheqjes dëgjohen krisma. Ndodh një grumbullim spontan, i cili marshon drejt Bllokut. Turma ndalohet nga Neritan Ceka tek Hotel “Dajti”.
Në këto rrethana, Ramiz Alia shpalli krijimin e Këshillit Presidencial, Adil Çarçani largohet dhe vendin e tij e zë Fatos Nano, ish-zëvendësdrejtor i Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste. Më 22 shkurt, gjendja acarohet më shumë, nis revolta e ushtarakëve në Akademinë e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”. Sigurimi i Shtetit fillon goditjen ndaj demokratëve. Goditen shumë veprimtarë të PD në Tiranë, në Elbasan, në Korçë, Fier, Lushnjë etj. Ushtarakët shpallin një Komision Nismëtar të Lëvizjes për Mbrojtjen e Institucioneve të Popullit. Ata u lëshuan një ultimatum forcave politike për një referendum për Enverin, si dhe për zbatimin e ligjit për mbrojtjen e monumenteve dhe vënien e RTSH nën varësinë direkte të Këshillit Presidencial.
Ushtarakët kërkojnë revansh. Më 22 shkurt, zhvillohet një takim mes tyre dhe politikanëve. Takimi i 22 shkurtit pati një ndeshje të ashpër mes përfaqësuesve të opozitës të kryesuar nga Abdi Baleta dhe ushtarakëve. Baleta deklaroi menjëherë se, veprimet e ushtarakëve mund të quhen grusht shteti.

Situata u tensionua pas lajmit se, ushtarakët do të vinin natën bustin e diktatorit që kishin në shkollën e tyre, në Sheshin “Skënderbej”. Turma e popullit rrethoi Akademinë. Ndërkohë edhe brenda në shkollë pati përleshje mes studentëve ushtarakë, por dhe kundër Enverit. Ushtarakët kulmin e presionit do ta arrinin kur thirrën Ramiz Alinë në Ministrinë e Brendshme. Ata i kërkuan atij llogari se, përse nuk kishte marrë masa për mbrojtjen e Enver Hoxhës. Ramizi u mbrojt duke thënë se, “kishte dhënë urdhër për të qëlluar, por nuk e kishin zbatuar urdhrin”.
Më 23 shkurt, Tirana gdhihet e tronditur nga përgjakja. Sipas lajmeve të kohës ka patur katër të vrarë, përfshirë një polic dhe një vajzë 12-vjeçare me emrin Olta. Ajo vdiq, duke parë televizorin në shtëpinë e saj nga një plumb qorr. Vendi po shkonte drejt katastrofës dhe dëshpërimit. Ndërsa më 6 mars, 20 mijë vetë hipën nëpër anije në Durrës dhe u nisën drejt Italisë, duke lënë pas pak shpresë për një jetë në paqe dhe qetësi.

Shpërthejnë protestat ndaj qeverisë në Kukës dhe Fier

Revolta popullore kundër qeverisë ka shpërthyer në të katër anët e vendit. Vetëm ditën e djeshme kanë shpërthyer tre protesta në Kukës, Fier dhe Berat. Lejet e miratuara nga KKT për ndërtimin e 5 hidrocentraleve në fshatrat Turaj, Novosej dhe Topojan të Kukësit, nuk janë pritur mirë nga komuniteti i banorëve të zonës. Kryeplaku i fshatit Novosej, u ka bërë thirrje banorëve të fshatrave të zonës, ku parashikohet ndërtimi i hidrocentraleve, të bashkohen në një protestë anti-HEC-e.
Qindra banorë u mblodhën ditën e djeshme në orën 10:00 tek Ura e Topojanit, duke protestuar kundër vendimit të qeverisë për ndërtimin e 5 HEC-ve. Banorët i bënë thirrje qeverisë që të tërhiqet nga ndërtimi i HEC-ve, pasi në të kundërt do të ndërmerren masa ekstreme. Banorët paralajmëruan se do të përshkallëzojnë protestat deri në bllokimin e autostradës.
“Ka dalë i gjithë populli i kësaj zone për politikat e hajdutëve dhe keqbërësve që janë bërë në kundërshtim me rregullat ndërkombëtare të devijimit të lumenjve dhe prishjen e ekosistemit. Të mos marrë asnjë guxim që të vendosë hidrocentral në këtë zonë. Jemi të vendosur ta mbrojmë këtë zonë deri në vdekje”, thonë banorët.
Ndërkohë, edhe fermerët e Fierit u ngritën dje në protestë, duke kërcënuar me bllokimin e autostradës për shkak të mos marrjes së dëmshpërblimeve nga përmbytjet. Edhe këtë vit, përmbytjet e shpeshta kanë shkaktuar dëmtime të shumta në fermerët e zonës së Fierit, të mbjellat e tyre janë shkatërruar tërësisht, duke sjellë edhe vështirësi financaire për mbijetesën.

Kjo ka sjellë që janë ngritur në një protestë banorët e disa fshatrave në Njësinë Administrative Frakull-Fier.
Protesta e fermerëve të zonës që u përfshinë nga përmbytjetdy herë radhazi zhvillohet në fshatin Kafaraj. Ata kërkojnë ngritjen një komisioni nga qeveria për të parë situatën si dhe dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara, sipas banorëve të pranishëm në këtë protestë. Që kur është bërë autostrada përmbytemi. Faji është i qeverisë. Ka dëme të mëdha në të mbjella dhe dru frutorë, hedhim luleshtrydhe të dëmtuara në rrugë.
Kultivimi i luleshtrydhes i ka bërë të njohur në të gjithë Shqipërinë, ndaj frutat e dëmtuara nga përmbytjet i kthyen në simbol të protestës. Fermerët e Njësisë Administrative Frakull në Fier u bënë bashkë në fshatin Kafaraj në një protestë për dëmet që u kanë shkaktuar përmbytjet e herëpashershme. Banorë të vjetër të këtyre anëve, ata thonë se shkak për përmbytjet e herë pas hershme është bërë ngushtimi i urës në autostradën Levan-Vlorë. “Brenda një shekulli, Vjosa ka dalë vetëm tre herë tani brenda një vit del tre herë. Problemi i gjithë kësaj situate është autostrada Levan-Vlorë”, u shpreh një banor.

Fermerët thonë se, dy përmbytje në harkun e dy muajve i kanë falimentuar plotësisht, ndaj kërkojnë kompensim nga qeveria ose në të kundërt paralajmërojnë përshkallëzojnë protesta në fillim të marsit. “Në 1 mars do të bëjmë një protestë shumë të fuqishme”, u shpreh një banor.
Ndërkohë, Bashkia e Fierit me një vendim të miratuar në Këshillin Bashkiak heqjen e taksës së tokës për një vit për fermerët e prekur nga përmbytjet.
“Është hera e tretë, që ne përmbytemi tani brenda një viti dhe asnjë nga qeveritarët nuk ka ardhur të pyesë se çfarë ka ky popull”, shprehet një fermer. “Problemi i të gjithë kësaj situate është ura e autostradës Levan -Vlorë. Këtu janë hedhur inerte me miliona metër kub, duke ngritur bazën e lumit dhe poshtë saj është bërë një ngushtim mjaft i madh nga 150 metra deri 300 metra që duhet ta ketë lumi kur del, e kanë lënë vetëm 70 metra”, tha një tjetër. “Kultura e luleshtrydhes është kultura bujqësore që kërkon më tepër shpenzime. Kosto për një dynym është rreth 8 milionë lekë”, thotë një fermer.

 

Pa drita dhe ilaçe, 70-vjeçarja jeton me lëmoshën e fqinjëve

Valdete Thoma jeton në lagjen “1 Maji” në Vlorë. Vuan nga një sëmundje e rëndë dhe pensioni i invaliditetit prej 14 mijë lekësh nuk i mbulon as mjekimin. Ndërprerja e energjisë për disa borxhe të vjetra të gati 10 viteve më parë e ka zhytur më thellë në mjerim.
“Kam 20 ditë që më është prerë energjia. Kam bërë një kërkesë te OSHEE dhe te ministria, por nuk më ka ardhur përgjigje. Këta të OSHEE-së më kanë hyrë nga muri, hajdutshe, për të më prerë energjinë”, thotë Valdetja.
Në shtëpinë e Valdetes, përveç errësirës mbizotëron dhe lagështia. Bashkëshorti i ka vdekur, ndërsa djali i vetëm punon ku të mundet. 70-vjeçarja thotë se kërkon borxhe te fqinjët, por dhe kjo nuk mjafton, ndaj dëshpërimi ka zëvëndësuar turpin dhe sot ajo kërkon ndihmë publikisht.
“Jam në gjendje të keqe, nuk jetoj dot më. Jam e sëmurë me tumor. As për ilaçe nuk më del. Më vjen prapë fatura 27 mijë lekë, me çfarë ta paguaj? Ia kam thënë fatorinos, mos më vër aforfe. Po kalbem në ujë”, thotë e përlotur e moshuara.
Ligji nuk kursen, por as hallet. Në shtëpinë e Valdetes, dritat do të vijnë kur detyrimet të shlyhen, ndoshta me ndihmën e njerëzve të mirë që sigurisht nuk mungojnë. Por, 70-vjeçarja nuk është e vetme në Shqipëri. Ndaj, bamirësia nuk është gjithnjë zgjidhja e fundit për të ndihmuar ata që jeta u ka marrë pak më shumë se të tjerëve. /Top Channel/

Spitali i Sarandës, si agjenci funerali. Biznes me të vdekurit

 

“Fiks Fare” denoncoi këtë të hënë sesi personeli i Spitalit të Sarandës bashkëpunon me agjenci funerale kundrejt pagesës 10-20 mijë lekë, duke njoftuar pronarët e agjencisë sa herë ka raste vdekjesh në spital.
Punonjës të spitalit pranojnë se, sa herë ka raste vdekjesh njoftohet prej tyre agjencia funerale me telefon dhe lejojnë të rrinë personat dhe mjetet e zyrave funerale në ambientet e spitalit, pavarësisht se kjo është në kundërshtim me ligjin dhe me urdhrat e autoriteteve përkatëse.
Në “Fiks Fare” u ankuan disa qytetarë për abuzimet nga personeli i Spitalit të Sarandës. Madje, sipas ankesave, më shpejt njoftohen agjencitë funerale për vdekjen e një personi në spital, sesa njoftohen familjarët e viktimës.
Bashkë me ankesat, në redaksi mbërritën dhe disa fotografi, ku në ambientet e spitalit vihen re motorët dhe punonjës të agjencisë funerale. I njëjti motor, ngjyrë blu, pa targa, që është i parkuar tek agjencia funerale, shihet i parkuar edhe në hyrje të spitalit.

Pas ankesës së qytetarëve, gazetarët e “Fiksit” verifikuan situatën edhe në spital, ku gjatë bisedave me ndihmësmjekë, infermierë e punonjës të ndryshëm të spitalit, pranohet se agjencia funerale bashkëpunon me stafin për të marrë njoftime për vdekjet, megjithëse kjo është e ndaluar që prej vitit 2015, kur ka dalë një udhëzim i ministrit të Shëndetësisë dhe një urdhër i drejtorit të spitalit.
Madje, në një rast, vet pronarja e agjencisë funerale “Bebri” vjen me një furgon në oborrin e spitalit, pasi do të priste një të vdekur dhe askush nuk e ndalon, pavarësisht se nuk lejohet. Ndërsa një infermiere tregon se, pronarja e agjencisë funerale jep 10 mijë lekë për personin që e njofton se ka rast vdekjeje në spital.
Në një tjetër bisedë me bashkëpunëtorët e “Fiks Fare”, një qytetare, të cilës i kishte vdekur një i afërm në Tiranë, tregon se gjatë të gjithë rrugës për në Sarandë, shoferi dhe infermierja i janë lutur të kryejë shërbimet e varrimit me agjencinë funerale “Bebri”, me qëllim që të marrin nga 10 mijë lekë për person.
Pra, personeli mjekësor pranon se agjencitë funerale njoftohen nga vet ata, edhe pse ka një urdhër dhe udhëzim prej gati 3 vitesh që nuk duhen lejuar.

Për këtë arsye, “Fiks Fare” pyeti edhe drejtorin e Spitalit, Tajar Lako. Drejtori Lako tha se ka rreth një muaj që ka marrë këtë detyrë, por para pak ditësh është vënë në dijeni nga një qytetar, që nuk ka lidhje me agjencitë funerale, se ky problem ekziston, megjithëse nuk e ka konstatuar vet.
Ai pranon se ka një urdhër që i ndalon këto abuzime, por për të minimizuar këtë veprimtari tha se në rastet e vdekjeve, transportimi i viktimave nga pavijoni në morg nuk do të bëhet më nëpërmjet korridoreve, por do të bëhet përmes një kalimi që bashkon spitalin me morgun, me qëllim që të shmangen të gjitha abuzimet dhe familjarët do të shikojnë të vdekurin në morg, ku mund të kontraktojnë agjencitë funerale që duan, pa u ndikuar nga personeli mjekësor.
Madje, menjëherë pas interesimit të “Fiks Fare”, drejtori i Spitalit ka nxjerrë një urdhër edhe më të qartë sesa ai i para tri viteve, që ua ka vënë në dispozicion shefave dhe kryeinfermierëve të pavijoneve. Sipas urdhrit, çdo shkelje e tillë nga personeli mjekësor është e barabartë me largim nga puna.