John Terry synon të rikthehet se Chelsea si trajner si pjesë e synimit të tij që një ditë të drejtojë skuadrën në “Stamford Bridge”. Ish-kapiteni i “bluve” ka një kontratë deri në qershor me Aston Villa, skuadër në kategorinë e dytë angleze, ku qendërmbrojtësi shkoi pas fundit të kontratës me Chelsea. Ai nuk e ka fshehur kurrë interesimin për të qenë trajner dhe sipas “The Mirror”, Terry mendon se një ditë do të drejtojë skuadrën e Chelsea, duke e nisur punën fillimisht si pjesë e stafit të trajnerëve të kësaj skuadre.
E ardhmja e trajnerit Antonio Conte është në dyshim, vetëm një vit pasi fitoi titullin në atë që ishte sezoni i tij i parë në Angli. Në këto kushte, Terry, i cili jeton shumë pranë qendrës stërvitore të Chelsea në Cobham, mund të shohë t’i hapet një dritare në një karrierë të re. Conte duket se do të rikthehet në Itali, atje ku ka qenë i suksesshëm me ekipin kombëtar dhe Juventusin, kësisoj ekzistojnë të gjitha gjasat se trajneri i ardhshëm i “bluve” do të pranojë dëshirën e Terry për ta përfshirë në stafin e tij.
Terry mendon se do të ishte më mirë ta niste karrierën si trajner në stafin e Chelsea, sesa të bëhej trajner i parë diku gjetkë në etapën e tij të parë në profesionin e ri. Gjithsesi, nuk përjashtohet mundësia që trajneri i Aston Villa, Steve Bruce, ta dojë edhe një vit në ekip nëse kjo skuadër futet në Premier League. Villa është në vendin e dytë në Championship, me një pikë më shumë se Derby County dhe Cardiff City. Nëse e mban këtë pozicion deri në fund do ta ketë realizuar objektivin.
Nëse ikën Conte do të rikthehet “kapiteni legjendar”!
Guardiola betohet për blerjen që kushtoi 43.5 milionë euro
Pep Guardiola ka premtuar ta mbajë Bernardo Silva te Manchester City për aq kohë sa ai është trajner, me 43.5 milionë paundët shtesë, të vendosur për t’u dhënë në kohë, që të provojë vlerën e tij. Trajneri katalanas është pyetur mbi situatën e 23-vjeçarit, pas transferimit për një sasi të madhe parash në “Etihad”, verën e vitit 2017. Ai shkëlqeu me Monakon gjatë sezonit të shkuar, kur fitoi titullin në “Ligue 1”, ndërkohë që bëri përshtypje edhe në një fazë ndërkombëtare me Portugalinë. Udhëheqësit e Premier League, Manchester City, janë ende në pritje për të parë më të mirën e tij, por kjo është për shkak të konkurrencës së ashpër në rolin e tij. Guardiola mban besim të plotë te Silva dhe ka lëvizur për të përjashtuar çdo shans që talenti të lëvizë, duke u thënë gazetarëve:
“Kur ka luajtur, ai ka treguar nivel të lartë. Është një djalë i ri, për të cilin jemi kaq të lumtur që e kemi këtu. Ai do të qëndrojë një kohë të gjatë te Manchester United. Sa të jem unë këtu, nuk do të lëvizë. Ai do të qëndrojë me mua. Nuk e kam parë atë të trishtuar, madje edhe për një ditë. Gjithmonë është në gjendje të mirë dhe ju nuk mund ta imagjinoni se sa e rëndësishme është kjo”. Ndërsa Silva nuk ka qenë në gjendje të ketë të njëjtin ndikim si Leroy Sane dhe Raheem Sterling në këtë sezon, ai ka kontribuar me 5 gola dhe 5 asiste në të gjitha garat. Më shumë nga paraqitjet e tij kanë ardhur nga stoli.
Bajerni i Mynihut, favorit
Robert Lewandowski, golashënuesi më i mirë në Bundesligë me 20 gola dhe kontratë aktuale me Bayernin deri në verën e vitit 2020, ka folur për një kalim të tij të mundshëm te Real Madridi, nisur nga zërat, të cilët kanë kohë që e veshin me të bardha në sezonin e ardhshëm. Champions, Jupp Heynckes dhe ish-bashkëlojtari i tij te Dortmund, Pierre-Emerick Aubameyang, janë tema të tjera të diskutuara nga sulmuesi polak në një intervistë të dhënë për “Kicker”. Pyetjes se çfarë mund të thotë në lidhje me një të ardhme të mundshme në “Bernabeu”, Lewandowski iu përgjigj shkurt: “Në futboll nuk mund të mohosh asgjë…”. Po cilat janë skuadrat favorite në Champions, sipas polakut? “Ne duam të fitojmë gjithçka. Nuk do të ishte një surprizë, nëse Bayern Munich e fiton Ligën e Kampionëve, edhe pse në të ardhmen gjërat mund të komplikohen. Pastaj, le të shohim se çfarë do të ndodhë në pjesën tjetër të ligave. Edhe Manchester City është në mesin e favoritëve për titull, me Real Madrid, Barcelona dhe Bayern. Skuadrat e mëdha janë gjithmonë aty”, nënvizon sulmuesi i bavarezëve. Dy fjalë edhe për supersfidën midis PSG-së dhe Real Madridit: “Në sfond, PSG-ja është e të njëjtit nivel. Mbetet për të parë nëse ata janë në gjendje të përmbysin disavantazhin 3-1 në Paris”.
Ronaldo ka 21 gola më shumë se Mesi
Sipas UEFA-s, Ronaldo ka shënuar 21 gola më shumë se Leo Messi në Champions, që kur portugezi u transferua në Madrid nga Manchester United, në vitin 2009. 101 golat me fanellën e Real Madridit dhe 116 golat në përgjithësi, në historinë e Ligës së Kampionëve, e bëjnë Cristiano Ronaldon “mbretin” e kompeticionit më të rëndësishëm europian për klube. Kuotën e 101 golave në Champions me Realin, Ronaldo e arriti pas dy finalizimeve ndaj PSG-së, në fitoren 3-1 të së mërkurës së kaluar në “Bernabeu”. “Që nga shtatori i viti 2009 në Champions, Cristiano Ronaldo ka shënuar 101 gola, ndërsa Leo Messi 80 gola”, ka shkruar faqja e UEFA-s në Twitter, në momentin kur Ronaldo kompletoi dopietën e tij kundër PSG-së. Këto 101 gola vetëm me fanellën e Real Madridit, duke mos llogaritur ato me Manchester United, portugezi i ka realizuar në 95 ndeshje, ndërsa 80 golat e tij, që nga viti 2009, Leo Messi i ka grumbulluar në 88 ndeshje.
Pavarësisht se ka jetuar sezonin e tij më të keq, që kur u bashkua me Real Madridin, Cristiano Ronaldo, në të vërtetë ka një rekord më të mirë golashënimi se Lionel Messi, këtë fushatë. Ish-sulmuesi i Manchester United ka gjetur formën e tij më të mirë në javët e fundit dhe e ka vënë PSG-në me “shpatulla pas murit” në 1/8 e parë finale të Ligës së Kampionëve, mesjavën e kaluar. Gjatë sezonit deri tani, Ronaldo ka luajtur 30 ndeshje, në të cilat ai ka shënuar 26 gola, duke pasur një mesatare prej rreth 0.86 golash për ndeshje. Kjo mesatare është më e mirë se e yllit të Barcelonës, kryegolashënuesit aktual në La Liga, edhe pse duhet të thuhet se argjentinasi ka luajtur nëntë ndeshje më shumë se rivali i tij. Në 38 ndeshje, këtë sezon, Messi e ka gjetur rrjetën në 27 raste. Kjo shkon deri në një mesatare prej rreth 0.71 golash për ndeshje. Luis Suarez kishte një magji të paduruar të tij në këtë sezon, megjithëse si Ronaldo, ai i ka gjetur golat në momentin më të favorshëm të fushatës. Uruguajani ka shënuar 19 gola në 24 ndeshje (0.55 gola për lojë). Ka mundësi që të vërtetohen të gjitha llojet e sugjerimeve se Ronaldo nuk ka gjasa të arrijë nivelin e mëparshëm të performancës, megjithatë, ai ka treguar se ende e di saktësisht se ku është goli. Në garën e brendshme në Spanjë, Messi ka një rekord prej 0.83 golash për ndeshje, ndërsa Ronaldo e ka këtë shifër 0.81.
Interi në kolaps!
Nga udhëheqës i Seria A, Interi e sheh veten tashmë në krizë identiteti të dukshme. Rënia e ekipit të drejtuar nga Spalletti në vitin 2018 është evidente dhe tani zikaltrit rrezikon të humbasin vendin e 4-t. Pra, nuk janë dhe aq në gjendje për të goditur një sezon të madh, kualifikimin në Ligën e Kampionëve për edicionin e ardhshëm. Interi ka fituar vetëm 9 pikë në 10 ndeshjet e fundit të Seria A, me një “plaçkë” prej 48 pikësh në 25 ditë identike me atë të sezonit të kaluar. Nëse Lazio do të fitojë sonte me Verona, ajo do t’i spostojë zikaltrit në vendin e 5-të të renditjes. Problemet e pjesës tjetër, mes lojtarëve, trajnerit dhe klubit nuk mungojnë. Në origjinën e ngadalësimit të mprehtë të ecurisë së Interit, sipas një raporti të “La Gazzetta dello Sport”, është mosndërhyrja e pronarëve të klubit në merkaton e janarit, duke injoruar sinjalet e ekipit, që tashmë kishte filluar të tregonte disa kufizime. Huazimet e Ramires dhe Texeira nga klubet simotra të Jiangsu kanë qenë të ngrira, ndaj nuk është bërë një investim i madh. Ekziston edhe problemi i distancës së pronësisë nga ekipi, një faktor tjetër jo i mesëm: koha e fundit që Zhang Jindong ishte në Milano daton më 18 shtator 2016, gjatë ndeshjes Inter-Juventus 2-1. Ndonëse djali i tij, Steven, është vendosur në kryeqytetin e Lombardisë, mungesa e pronarit të madh nuk mund të neglizhohet. Sa i përket grupit, midis lojtarëve zikaltër nuk ka më unitet. Eshtë prishur ajo kompaktësi, që ka qenë një nga komponentët e startit mbresëlënës të ekipit. Një aspekt tjetër, që duhet theksuar nga fjalët e fundit të trajnerit Luciano Spalletti, është i përfaqësuar nga konfuzioni i roleve dhe nganjëherë mbivendosja e detyrave midis Gardini, Sabatini dhe Ausilio. Tani edhe tifozët fillojnë të jenë të paduruar, ata presin investime nga klubi dhe reagim në fushë nga lojtarët.
Dueli i “Scudetto” midis Napolit dhe Juventusit vazhdon me një ritëm marramendës. Napoletanët, me fitoren në shtëpi ndaj SPAL, janë ngjitur në kuotën e 66 pikëve, një më shumë se bardhezinjtë, të cilët regjistruan 65 pikë me fitoren në derbin e Torinos. “Blues” udhëtojnë me një mesatare prej 2.64 pikësh për ndeshje, çka, nëse vazhdon kështu në projeksion, në fund të sezonit do t’i çojë të besuarit e Sarrit në tejkalimin e “murit” të 100 pikëve. Ritmi do të ishte shumë i ngjashëm me atë të Juventusit të Contes, në sezonin 2013-2014, të cilin “Zonja e Vjetër” e mbylli duke fituar titullin me 102 pikë. Mesatarja e Juventusit është paksa më e ulët dhe do t’i projektonte bardhezinjtë në kuotën e 98.8 pikëve në fund të kampionatit. Rreziku i shikimit të një ekipi që tejkalon 90 pikë dhe nuk e fiton titullin, një fakt që kurrë nuk ka ndodhur deri më tani në historinë e kampionatit italian, është shumë i lartë kësaj here. Mund të ndodhë që të dyja skuadrat ta përfundojnë kampionatin me më shumë se 100 pikë, me përplasjen e drejtpërdrejtë, që do të ishte vendimtare. Napoli, duke i fituar të gjitha ndeshjet e mbetura në kampionat, do ta mbyllte në kuotën e 105 pikëve dhe do të fitonte titullin pas 28 vjetësh, ndërsa Juventusi, duke humbur vetëm sfidën e brendshme me napoletanët, por duke fituar të gjitha garat e tjera, do të përfundojë në vendin e dytë me 101 pikë. Megjithatë, nëse Napoli humbet në Torino, pavarësisht se i fiton të gjitha ndeshjet e tjera, Juventusi i Allegrit do ta mbyllë në vendin e 1, me 104 pikë, ndërsa blutë e Sarrit do të jenë të dytët, me 102 pikë. Sidoqoftë, të dyja ekipet do ta kalonin “murin” me 100 pikë.
Fabregas mohon krizën te Chelsea

Cesc Fabregas ka mohuar se Chelsea është në krizë përpara ndeshjes së Ligës së Kampionëve me Barcelonën, duke pretenduar se shokët e tij të ekipit janë duke injoruar negativitetin e tanishëm, që synon drejt klubit. Antonio Conte u përball me spekulime se do të humbiste punën e tij pas disfatave në Premier League. Fabregas, nga ana e tij, beson se sezoni i ekipit të tij nuk ka qenë aq i keq. “Unë nuk mendoj kështu, që të jem i sinqertë, tha Fabregas për “Goal”, kur u pyet nëse lojtarët janë prekur. Mendoj se jemi të gjithë lojtarë profesionistë. Spekulimet rreth nesh nuk do të mungojnë, sepse luajmë për një klub të madh futbolli. Gjithmonë do të ketë thashetheme dhe gjëra për t’u thënë. Ne vetëm përqendrohemi te futbolli dhe në lojën tonë. Në futboll, jeni më të mirët pas fitores dhe, nëse humbisni, bëheni më të këqijët. Nuk ka asnjë pikë të mesme në futboll; ose jeni më të mirët, ose jeni të këqij.
Vetëm duhet të përqendrohemi në punën tonë, të jemi mirë çdo tri ditë, të konkurrojmë si duhet dhe pastaj të flasin rezultatet. Ndoshta kemi luftuar pak këtë vit, por mendoj se kemi luajtur mirë. Ndoshta jo në nivelin tonë maksimal, ose nivelin që kemi treguar vitin e kaluar, por është ende një sezon i mirë. Jemi në 1/8 finale të Ligës së Kampionëve, tri pikë larg Manchester Unitedit, që është i dyti në Premier League. Arritëm në gjysmëfinalen e “Kupës Carabao”. Pra, nuk mund të thoni se është një sezon mesatar, apo i keq; është një sezon i mirë. Gjëja më e rëndësishme është që skuadra të luajë mirë dhe të rritet përsëri. Të kthehemi te besimi, sepse muaji dhe gjysma e ardhshme, dy muaj, nëse shikoni kalendarin tonë, janë shumë të vështirë dhe do të kemi nevojë për çdo lojtar të vetëm në dispozicion”.
Real vendos rekord golash
Real Madrid ka trembur tifozët në pjesën e parë, por pas pushimit është rikthyer bindshëm, duke mundur Betis me rezultatin 5-3 në Estadio Benito Villamarin. Nuk ishte aspak e lehtë për të besuarit e Zidane të ekzekutonin këtë ndeshje delikate pas triumfit në Champions League ndaj PSG, por ata ia arritën të prodhonin një tjetër paraqitje fantastike, duke siguruar fitoren e 13-të të sezonit. Real është bërë ekipi i parë që ka shënuar 6000 gola në La Liga, një tjetër rekord historik për Los Blancos.
Sfida nisi shumë mirë për Los Blancos, me Asensio që zhbllokon rezultatin në minutën e 11’. Por dy gola të shpejtë të vendasve përmbysin gjithçka që në pjesën e parë. Në fillim ishte Mandi dhe më pas autogoli i Nacho-s, që riktheu ankthet e vjetra të tifozëve të Real Madrid.
Por pas pushimit në fushë u rikthye Reali i madh me Sergio Ramos që barazon rezultatin dhe Asensio që kalon të tijtë në avantazh për të dytën herë pak minuta më pas. Për të vulosur fitoren mendon Cristiano Ronaldo me një gol të bukur nga brenda zonës. Gjithsesi, Betis ringjall shpresat në fund të takimit me golin e ish-it Sergio Leon, por Real kundërpërgjigjet me Benzema në fund. Me këtë fitore, Real tashmë ndodhet në vend të 4-t me një ndeshje më pak se skuadrat e tjera.
Barcelona kundër Chelsea
Ernesto Valverde. Nuk ka asnjë trajner tjetër në historinë e Barcelonës, i cili e ka filluar La Liga-n pa e njohur humbjen në 24 javët e tij të para. Tekniku në fjalë e mposhti startin më të mirë, si i pamposhtur, të Pep Guardiolës, me 21 ndeshje në sezonin 2009-2010. Duke vënë së bashku edhe të shtatë fitoret e skuadrës së Luis Enrique në kampionatin e shkuar, klubi katalanas ka tashmë 31 ndeshje pa humbur, shifër e barabartë me rekordin historik të “Pep Team” në sezonin 2010-2011. Sfvajtje tani është që të arrijë 38 ndeshje pa humbje, të vendosur nga Real Sociedad midis viteve 1979 dhe 1980. Megjithatë, Barcelona e Valverde gjendet edhe para një sfide tjetër. I pamposhtur edhe në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, me një balanc prej katër fitoresh dhe dy barazimesh, “Txingurri” u çiftua në dhjetor me legjendat e kampit të “Camp Nou”, si Helenio Herrera dhe Rinus Michels. Të dy mbetën pa u mundur në gjashtë angazhimet e tyre të para të Kupës së Europës, derisa u thyen në të shtatën, në të dyja rastet. Në rastin e Herera, disfata e parë ishte në “Chamartín”, kundër Real Madridit, në ndeshjen e parë të gjysmëfinaleve (3-1), pa Ladislao Kubala, i lënduar. Në sfidat e mëpasshme për Valverden shtrohet rruga e pushtimit të Ligës së Kampionëve pa humbur asnjë ndeshje. Me Barçën, vetëm Frank Rijkaard fitoi 9 fitore dhe mori 4 barazime në 13 ndeshjet e edicionit 2005-2006.
Problemet e Pogba!
Jose Mourinho shpreson se Manchester United do të përforcohet për ndeshjen e Ligës së Kampionëve të së mërkurës, me Sevilla. Sëmundja e Paul Pogba në mëngjesin e sfidës së “FA Cup”, të shtunën, në Huddersfield Town, kufizoi mundësitë e mesfushës së Mourinhos, me të riun Ethan Hamilton që zëvendësoi transferimin rekord të klubit. Romelu Lukaku shënoi dy herë për të siguruar një fitore 2-0 në “FA Cup”. Dueli i ardhshëm i “Djajve të Kuq” është një udhëtim i frikshëm në “Ramon Sanchez Pizjuan”, por Mourinho shpreson të ketë Ander Herrera, Marcus Rashford dhe Antonio Valencia përsëri në dispozicion, megjithëse rimëkëmbja e Pogba mbetet mister. “Unë nuk pushova një lojtar të vetëm, kështu që kishim çdonjërin në dispozicion, këtu u tha Mourinho gazetarëve. Nuk kam pushuar askënd, kam sjellë dy fëmijë, që luajtën 90 minuta, sepse nuk kam ndonjë tjetër lojtar. A mund t’i shërojmë disa prej tyre për të mërkurën? Mendoj se Rashford, Herrera, Valencia… e kanë një shans. Paul, unë nuk e di. Marcos Rojo, Phil Jones, Marouane Fellaini, Zlatan Ibrahimoviç…, nuk mendoj se kanë ndonjë shans. Ne arrijmë në këtë moment vendimtar me disa probleme, por mendoj se mentaliteti është shumë i rëndësishëm, kemi etikë të fortë të ekipit, mentalitet të fuqishëm. E dimë se është një ndeshje shumë e vështirë, por ne shkojmë për të fituar”.
2552 biznese u mbyllën në 2017, kryeson Tirana
Rreth 2552 biznese kryesore dhe dytësore janë mbyllur gjatë vitit që lamë pas në kryeqytet. Konkretisht bëhet fjalë për subjekte të mbyllura, që kanë aplikuar për çregjistrim apo që kanë kaluar në status pasiv. Sipas të dhënave të raportuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Taksave vendore, 1613 prej tyre janë biznese kryesore dhe 939 subjekte sekondare. Ndër subjektet kryesore, pjesën më të madhe të mbylljeve e zë biznesi i vogël me 1513, ndërkohë që janë rreth 93 biznese të mëdha që kanë vendosur të mos operojnë më në treg. Ndërsa raporti është i përmbysur sa i përket subjekteve sekondare, ku rezultojnë 485 biznese të mëdha të mbyllura dhe 185 biznese të vogla.Në muajin e parë të këtij viti 1479 biznese kaluan statusin në pasiv, sipas të dhënave të përditësuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Krahasuar me janarin e 2017-ës, numri i bizneseve që kanë kaluar në status pasiv është rritur me 38%. Në 2018-ën, janë mbyllur çdo ditë mesatarisht 50 biznese, duke përshpejtuar ritmet nga rreth 40 biznese që u mbyllën mesatarisht në ditë përgjatë vitit 2017.
Tirana, qarku me peshën më të lartë të subjekteve të mbyllura
Tirana është qarku që ka numrin më të lartë të bizneseve që kanë pezulluar aktivitetin me 467 biznese të mbyllura gjatë muajit të parë, apo 35 për qind e totalit të bizneseve që kanë pezulluar aktivitetin. Mesatarisht, çdo ditë të janarit 15 biznese kanë bërë kërkesë për të mos operuar më.
Korça, rekord pezullimesh për 2018-ën
Krahasuar me muajin e parë të 2017-ës, bizneset në Drejtorinë Rajonale Tatimore Korçë, që kanë kërkuar pezullim aktiviteti, është trefishuar në janarin e 2018-ës. Sipas listës së subjekteve të publikuar në faqen e Tatimeve, Korça e nisi muajin e parë të vitit me 157 biznese më pak. Numri i bizneseve që u mbyllën për të njëjtën periudhë një vit më parë ishte 54.
Edhe në Qarkun e Vlorës është dyfishuar numri i bizneseve që kanë kaluar në status pasiv, nga 51 biznese që ishin në janar të 2017-ës, numri i bizneseve që kërkuan të mos operonin më ishte 109, 7% e totalit të bizneseve të pezulluara në vend. Pjesa më e madhe e bizneseve të mbyllura janë persona fizikë, të vetëpunësuar, që kishin hapur subjektet me emrat e tyre. Biznese të tilla, kryesisht në tregti me pakicë, hapen dhe mbyllen vazhdimisht, teksa konkurrenca nga rrjetet e organizuara të tregtisë po shtohen ndjeshëm. Lokalet janë një tjetër kategori që falimentojnë vazhdimisht.