18.5 C
Tirana
E hënë, 5 Maj, 2025

Tre personalitete refuzojnë dekoratën nga Presidenti Thaçi

epa05792927 President of the Republic of Kosovo Hashim Thaci during his meeting with Norwegian Minister of Foreign Affairs Brende Borge (not pictured) in Pristina, Kosovo, 14 February 2017. Borge is one-day official visit to Kosovo. EPA/VALDRIN XHEMAJ

Qindra personalitete e dhjetëra organizata i ka dekoruar presidenti Hashim Thaçi me Medaljen e 10- vjetorit të Pavarësisë. Por, Thaçit medaljet ia kanë refuzuar Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe Veton Surroi, raporton KTV.
Në listën e të dekoruarve, emri i publicistit Surroi është përfshirë për pjesëmarrjen dhe kontributin në Konferencën e Rambujesë dhe në Procesin e Vjenës, ndërsa në një postim në Facebook ka dhënë arsyet për e tij për refuzimin. Aktualisht deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka shkruar gjithashtu arsyet se pse të pranojë dekoratën nga një person si Thaçi.
Ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka konsideruar se presidenti Thaçi, po bën pazare politike me medalje e dekorata, derisa veprimet e vendimet e Thaçit prej 2010 e tutje, i ka konsideruar rrënuese për shtetin.
Krasniqi ka rikujtuar se edhe ishte fyer personalisht nga Thaçi, dhe atë jo vetëm një herë. Krasniqi ka shtuar se ndihet i fyer të dekorohet nga dikur bashkëpartiaku i tij, derisa ka shprehur keqardhje që këtë refuzim i duhet ta bëjë në ditën e pavarësisë dhe nga institucioni përfaqësues i shtetit, Presidenti.
Përveç personaliteteve e organizatave, Thaçi dekoroi me medaljen e njëjtë ka dekoruar edhe deputetët që votuan e nënshkruan deklaratën e pavarësisë më 17 shkurt 2008.

Mbyllen hetimet në SHBA, Mueller nuk gjen asnjë provë kompromentuese për Trump me rusët

Prokurori i posaçëm Robert Mueller zyrtarizoi dje akuzat për 13 shtetas rusë dhe tre kompani ruse për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016. Në akuzë pretendohet se rusët u përpoqën të ndihmojnë Presidentin Donald Trump dhe të dëmtojnë kundërshtaren e tij politike, kandidaten Hillary Clinton.
Prokurori i posaçëm Robert Mueller paraqiti akuza të detajuara për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane. Dokumenti prej 37-të faqesh tregon se duke filluar që në vitin 2014, Rusia përdori postime të rreme në mediat sociale, si dhe reklama, për të ndikuar opionin publik në favor të kandidatit Donald Trump.
“Të akuzuarit zhvilluan luftë informative ndaj Shteteve të Bashkuara, siç e quajtën vetë, me objektiv të deklaruar mbjelljen e mosbesimit ndaj kandidatëve dhe sistemit politik në përgjithësi”, deklaroi Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm, Rod Rosenstein.
Dymbëdhjetë nga të akuzuarit punonin për Agjensinë Kërkimore të Internetit, një kompani me seli në Rusi që zhvillon operacione influence në emër të Moskës. Të akuzuarit përballen me tetë akuza penale, përfshirë përpjekjet për të mashtruar Shtetet e Bashkuara, konspiracion për mashtrim, si dhe vjedhje identiteti.

Megjithatë, nuk akuzohen zyrtarë të fushatës Trump për pjesëmarrje në këtë skemë. “Nuk ka asnjë akuzë për amerikanë që mund të kenë marrë pjesë me vetëdije në këtë aktivitet të paligjshëm. Nuk ka asnjë akuzë se këto veprime të paligjshme mund të kenë ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2016”, saktësoi zoti Rosenstein.
Presidenti Donald Trump e ka quajtur hetimin ndaj Rusisë një “rreng” dhe një “gjueti shtrigash”, të drejtuar nga kundërshtarët e tij politikë. Gjithashtu, ai ka refuzuar në mënyrë të përsëritur akuzat se Rusia ndërhyri në zgjedhje. /VOA/

Valbona Maloku: Fatmir Xhafa na torturonte dhe na kërkonte florinjtë

Në një intervistë të dhënë për “Rilindja Demokratike” më 17 maj 2017, Valbona Maloku (Duka) ka rrëfyer tortuat që sipas saj i janë ushtruar në hetuesinë e diktaturës nga Fatmir Xhafa. Valbona Maloku me origjinë nga Kruja, sot 51 vjeç dhe me banim në Gjermani që prej viteve ’90 ka qenë një ndër të persekutuarit politikë në kohën e diktaturës, ku babai i ka vdekur në internim dhe vëllai, pasi doli nga burgu politik.
Valbona tregon se është rrahur pa mëshirë nga dora e ish-hetuesit Fatmir Xhafa, sot ministër i Brendshëm. Imagjinoni një vajzë 17 vjeçe që rrihet në mënyrë shtazarake. Vëllai i saj gjatë hetuesisë do të duronte tortura nga më të tmerrshmet, që nga shkulja e dhëmbëve me darë dhe deri tek vendosja e vezëve të ziera poshtë sqetullave.
-Përse akuzohej familja juaj?
Historia fillon ditën e vdekjes së Enver Hoxhës, më 11 prill 1985. Vëllai im me katër shokë, kanë qenë duke drekuar në një lokal, kur kanë marrë vesh për vdekjen e Enver Hoxhës, dhe kanë ngritur dolli. Njëri prej tyre kish qëlluar spiun dhe e raporton në Degën e Punëve të Brendshme. Vëllain e futën në burg, e arrestuan më 22 shtator të atij viti, ndërsa gjysmën e familjes time e internuan. Na kanë lënë në shtëpi vetëm mua, në atë kohë unë 17 vjeç, motra tjetër 14 vjeçe dhe vëllai i vogël 11 vjeç. Nënën, babain i internuan, duke na lënë vetëm në shtëpi. Babai vdiq një ditë pas internimit, pra më 20 maj. Ndërsa vëllain Arbenin e arrestuan ditën e dasmës më 22 shtator të vitit 1985. Nusja e tij e la, ditën që u mor vendimi dhe që u dënua me 22 vjet burg.

-Ju thoni që hetues ishte Fatmir Xhafa?
Po, ai ishte, Fatmir Xhafa. Nuk do e harroj kurrë atë ditë. Pas internimit të prindërve, unë isha e detyruar të filloja punë në fermë! Mbas dhjetë ditësh, aty ku punoja më vjen një xhip i Ministrisë së Brendshme të asaj kohe. Më thotë brigadieri, dil se të kërkojnë. Hipa në makinë dhe më dërguan në një zyrë tek ish-ndërtesa e Komitetit Ekzekutiv në Krujë. Aty ishin dy hetues, ku njëri prej tyre siç mësova ishte Fatmir Xhafa. Ky ishte dhe më i zellshmi, sepse ky drejtonte pyetjet dhe tjetri mbante shënim. Por, mund të them se ishte një egërsirë e vërtetë. Nuk arrij ta imagjinoj tërë atë egërsi ndaj një fëmije, njëvajze 17 vjeçe siç isha unë në atë kohë. Ma ka nxirë fytyrën, duke më qëlluar herë me shuplaka dhe herë me grushta, ma ka bërë krahun plagë nga të pickuarat. Nuk e di po s’kam parë qenie më mizore përgjatë gjithë jetës time. Dhe sot kur më kujtohet, më dridhet trupi.
-Sa ditë zgjati marrja e pyetjes në Hetuesi?
Më kanë thirrur tre herë! Dhe sa herë shkoja përsëritej e njëjta histori. Shkoja në punë me sy të nxirë dhe nuk mund të thoja se më ka rrahur hetuesi! Se atëherë as nuk kishe ku të ankoheshe ndaj pushtetit.

-Për çfarë ju pyeste kryesisht Xhafa?
Gjithfarë pyetjesh, por më shumë kërkonte të dinte se ku i kisha fshehur florinjtë. E ku kishim florinj neve. Trego ku i ke fshehur më thosh, se na ka thënë Arbeni, vëllai që ishte në burg, se florinjtë ja kam dhënë Valbonës. Dhe sa herë kërkonte florinjtë godiste dhe më me egërsi. Më ka bërë përshtypje diçka. Mbaj mend se kisha një sëndyk, ku kisha bërë pajën dhe aty kisha tërë rrobat e martesës. Ato m’i kanë sekuestruar, kur vajta të interesohesha më thanë që ishin në një dyqan në pazarin e Krujës. Shkoj atje dhe shitësi më thotë se rrobat i “ka blerë” Fatmir Xhafa, me hetuesin tjetër Kujtim Lulo. Kam parë gruan e Kujtim Lulos me fustanin tim në gjyqin e Halim Balikës. Kur ka dalë në pushim i kam thënë mos e gëzofsh fustanin tim.
-Po vëllai juaj u torturua?
Vëllai im ishte ai që mbajti dhe peshën më të madhe të torturave. Një mikesha ime infermiere, më tregonte se e mbanin në jetë me injeksione, nuk e di çfarë i injektonin që të mos vdiste gjatë torturave. Më tej më tregoi se Fatmir Xhafa, i kish bërë gjithëfarë lloj torturash, si shkulje dhëmbësh me darë, vendosje vezësh të nxehta nën sqetulla, e të gjitha të zezat e tjera, që kush i kujton tani. Torturat ndaj tij filluan që nëmomentin që e kapën, dhe policia e çoi gjysëm të vdekur në duart e Fatmir Xhafës, që i shtoi dhe më tej torturat ndaj tij.

-Si vazhdoi më tej kalvari i vuajtjeve të familjes suaj?
Siç ju thashë, Fatmir Xhafa na internoi gjysmën e familjes, dhe mua më vdiq babai në internim, në fshatin Bruz Mal të Krujës afër Qafë Shtamës, atje ka akoma dhe sot varrin. Nuk duroi dot hidhërimin dhe vdiq nga infarkti, që sa mbërriti. Xhenazenë nuk na lanë ta sillnim në Krujë me pretendimin se, “është i internuar dhe duhet të mbarojë dënimin”, nëna mbeti vetëm. Tre fëmijët mbetëm vetëm. Unë detyrohesha të punoja në fermë dhe që 18 vjeç të filloja të shisja gjakun e trupit, pasi duhet t’i çoja bukë nënës time në internim, dhe të mbaja vëllanë në burg. Kështu vazhdoi deri sa erdhi demokracia dhe nëna do kthehej në shtëpi. Të gjitha këto i kemi peshqesh ja prej atij që sot është ministër i Rendit. Duhet tju them, se veç rrobave të trupit na sekuestruan dhe të gjitha orenditë, deri tek rrugicat e shtëpisë. Donin të na merrnin dhe shtëpinë, dhe të na linin tre fëmijëve jashtë. Kush e di kujt ja kish premtuar Xhafa.

-Keni një koment për emërimin e ish-hetuesit tuaj në krye të Ministrisë së Brendshme!
Unë jetoj në Gjermani aktualisht, por nuk arrij ta imagjinoj se si një hetues i komunizmit, që ka torturuar, burgosur e internuar të arrijë të emërohet ministër i Brendshëm. Ai është një kriminel, një hajdut që duhet ta kishte vendin tjetërkund dhe kjo që ndodh është e papranueshme. Unë dhe familja ime jemi vetëm një rast, por po të hetohet dalin dhe të tjera. Fatmir Xhafa, e them me bindje ka qenë një shërbëtor, nga më të devotshmit të atij regjimi dhe imagjinoni i japin sot në dorë policinë shqiptare. Nuk e di, a ka ndonjë ligj që i përjashton këta, se ka kohë që jam larguar, por di të them vetëm këtë. Fatmir Xhafa jo një ditë, por as edhe një orë nuk duhet të jetë në atë post.

Shtrenjtimi i apartamenteve: Si paratë e krimit po zhvlerësojnë kursimet e shqiptarëve

Çmimet e apartamentee po shtrenjtohen dukshëm në Tiranë, duke reflektuar kërkesën e lartë, që po vjen kryesisht nga burime informale. Kredia (për individë dhe kompani) dhe rritja zyrtare e të ardhurave nuk e justifikojnë këtë tendencë.
Shqiptarët po përballen me faktin që kursimet e tyre po zhvlerësohen me shpejtësi. Një familjeje me të ardhura mesatare sot i duhen 31 vjet për të blerë një shtëpi, nga 14 vjet në 2005-n
Artani dhe Sonila u martuan në 2005-n. Në ato kohë, të dy ishin të punësuar dhe të ardhurat e tyre mujore ishin 120 mijë lekë, kjo ishte një shifër mbi mesataren e pagave të asaj kohe. Me kursimet që kishin nga puna në emigracion, Artani na tregoi se mori një kredi 30 mijë euro, dhe ata blenë një shtëpi me sipërfaqe rreth 100 metra katrorë për 50 mijë euro në një zonë të mirë të Tiranës. Sot, prindër të dy fëmijëve, ata tregojnë se e kanë të pamundur të blejnë të njëjtën shtëpi, edhe pse pagat i kanë rreth 20% më të larta.
“Është e pamundur që të blejmë një shtëpi me çmimet aktuale, pasi kanë prekur majat”, – tregon Sonila. Ata po mendonin se një mënyrë e mirë investimi do të ishte blerja e një shtëpie të dytë dhe ta lëshonin me qira, deri sa fëmijët të rriteshin. Edhe pse ndihen mirë ekonomikisht, ata hoqën dorë shumë shpejt nga kjo ide. Nga 500 euro për metër katror që mesatarisht kushtonte një shtëpi brenda Unazës në 2005-n, sot atë nuk e gjen më lirë se 1100-1200 euro për metër katror.
Si rrjedhojë, një shtëpi sot, me të njëjtën sipërfaqe, kushton 110 mijë euro, ose dyfishin e 13 viteve më parë. Shuma të tilla stepin edhe kreditë. “Bankat nuk financojnë më shumë se 70% të shumës,- rrëfen Artani,- kështu që ne na duhen 30-60 mijë euro kursime për një shtëpi brenda Tiranës”.

Pagat, në kahun tjetër, janë rritur me ritme shumë më të ulëta. Sipas të dhënave zyrtare, rritja reale e pagave në Shqipëri, pas vitit 2013, ka qenë më e vogël se 1%. Në 2016, paga mesatare në Shqipëri pësoi rënie me 0.4%. (Për vitin 2017, INSTAT ka publikuar vetëm ndryshimin e pagave në administratë publike, të cilat u rritën 7%. Paga mesatare në shtet në 2017-n llogaritej 60,500 lekë).
Mirëpo ndryshe ka ndodhur me rritjen e çmimeve të banesave në vend. Sipas të dhënave të “Monitor” ndër vite, në vitin 2003, çmimet mesatare në qendër të Tiranës ishin nga 450-600 euro për metër katror, në Unazë çmimi i apartamenteve luhatej nga 500-550 euro për m².
Sot, çmimet brenda Unazës fillojnë nga 1200 euro/m² dhe shkojnë deri në 3000 euro/m² (zona e Radio Televizionit Shqiptar) ose 3-4 herë më shumë se 13 vjet më parë.
Në vitin 2005, familja e Artanit dhe Sonilës, nëse nga të ardhurat mujore prej 120 mijë lekë, kursente rreth 30% të shumës për blerjen e shtëpisë do t’i duheshin 14 vite për të shlyer shtëpinë 100 metra katrorë, me vlerë rreth 50 mijë euro.
Sot, një shtëpi në qendër të Tiranës kushton mesatarisht 150 mijë euro, apo 20.6 milionë lekë. Edhe pse të ardhurat e Artanit dhe Sonilës janë rritur prej asaj kohe, duke arritur 187 mijë lekë (llogaritur në bazë të rritjes mesatare të pagës që nga 2005-a sipas INSTAT), çiftit i duhen 31 vite për të paguar të gjithë shtëpinë nëse e blejnë sot.

Kush po blen
Një valë ndërtimesh ka përfshirë vitin e fundit kryeqytetin dhe sipas një vëzhgimi të “Monitor”, apartamentet po shiten me shpejtësi. Kjo, së bashku me faktorë të tjerë, si taksa e infrastrukturës dhe ndërtimet më cilësore, po rrisin çmimet, që vetëm në janar u shtrenjtuan me rreth 20%.
Por, kush po blen. Brenda unazës është e vështirë që të gjesh sipërfaqe të vogla më pak se 100 metra katrorë, ndërsa çmimi është mesatarisht 1500 euro/ m². Ekspertët e financave dhe real estate pohojnë se niveli i pagave në vend dhe shuma mesatare e kredisë që jepet nga bankat nuk e justifikojnë blerjen e apartamenteve të shtrenjta mbi 2000 euro/m² dhe me sipërfaqe të mëdha mbi 100 m², por deri në 1000-1200 euro/m² dhe sipërfaqe të moderuar.
As kredia për individë nuk e justifikon një kërkesë të tillë. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë për periudhën janar-dhjetor, huaja e re për kredinë për banesë për individë shënoi një rritje vjetore normale prej 6.7%. Edhe shuma mesatare që japin bankat për individë për një hua për shtëpi, përgjithësisht nuk i kalon 50 mijë euro. Banka llogarit që kësti mujor nuk duhet të kalojë 30% të të ardhurave. P.sh., një familje, me të ardhura 140 mijë lekë, dhe që përballon një këst mujor prej rreth 300 eurosh, nuk mund të marrë më shumë se 50 mijë euro kredi për 20 vjet. E megjithatë, apartamentet po shiten, siç pohojnë dhe vetë ndërtuesit…

Si u trefishuan çmimet në 13 vjet
Në harkun kohor të 13 viteve, preferencat e njerëzve nuk ndryshojnë, të paktën jo për një qytet sa Tirana. Megjithatë çmimet duket se kanë kapur majat. Zonat më të preferuara për apartamentet e reja janë zona nga ish-Blloku, zona përreth Televizionit Publik Shqiptar dhe Zona e Tiranës së Re, e cila preferohet për banim, pasi është një zonë e qetë. Ndërsa zonat më të shtrenjta janë zona e ish-Bllokut, Pallatet Agimi dhe deri te stadiumi “Dinamo”.
Në vitin 2005, në këto zona, çmimet e apartamenteve varionin nga 750 euro/m² deri në 850 euro/m². Aktualisht, çmimet mesatare për këtë zonë variojnë nga 1800 euro për metër katror deri në 3000 euro. Një individi për të blerë një shtëpi 1+1, do t’i duhen mesatarisht 165 mijë euro, për një shtëpi 2+1 do t’i duhen 236 mijë euro dhe për një shtëpi 3+1 (sipërfaqe 130 m²) do t’i duhen mesatarisht 283 mijë euro. Në zonën e parë përfshihen këto lagje: RTSH; Garda; ish-Blloku; Liqeni Artificial; Gjuhët e Huaja.
Zona e dytë më e preferuar përfshin këto lagje: Rruga e Kosovarëve; Komuna e Parisit; Kopshti Zoologjik; Ambasada Amerikane; ish-Parku Shkolla e Kuqe. Çmimi mesatar në këtë zonë është 1100-1800 euro (te Rruga Kosovarëve) dhe në varësi të sipërfaqes së banesës, një individi do t’i duhen 90 mijë deri në 180 mijë euro.
Zona e tretë përfshin lagjet: Farmacia 10; Porcelan; Liqeni i Thatë; Shkolla e Bashkuar; Kinostudio. Në këto zona, individi mund të blejë një shtëpi në varësi të sipërfaqes nga 60-100 mijë euro.

Për të tjerët me të ardhura më të vogla, alternativa e lirë mbetet periferia (zona e katërt). Ndryshe nga të gjitha zonat e tjera të Tiranës që çmimi ka ardhur në rritje, në periferi po ndodh e kundërta, çmimi po ulet. Sipas statistikave të agjencisë Tirana Real Estate, çmimet mesatare në zonën e Freskut kanë rënë nga çmimi mesatar prej 545 metër katrorë në vitin 2012, në 500 euro në 2017-n. Po ashtu, edhe në zonën e Kasharit. Sipas inxhinieres Xheni Jahja nga Tirana Real Estate, ndryshe nga zonat e qendrës, çmimet e periferisë janë më të paqëndrueshme.
Hajredin Fratari, ndërtues, thotë se aktualisht, kërkesa për të blerë apartamente në periferi vjen nga çiftet e reja dhe ata që banojnë me qira. Kërkohen apartamente të vogla dhe në periferi të Tiranës, ku çmimet variojnë midis 400 dhe 500 euro për metër katror. Ata blejnë kryesisht me ndihmën e bankave.
Në vitin 2005, çmimi i apartamenteve nga njëra zonë në tjetrën ndryshonte nga 20% deri në 40%. Zonat më pak të preferuara sipas arkivës së “Monitor” ishin zonat në periferi të kryeqytetit, por brenda Tiranës historike. Në Unazë dhe brenda saj, çmimi i apartamenteve varionte nga 500-550 euro për m², në Selitë çmimi i apartamenteve ishte 500 euro për m². Çmimi më i ulët i apartamenteve ishte në zonën e Laprakës me 400-430 euro për m².
Kështu, nëse një familje dëshironte të blinte një apartament në kryeqytet 1+1 do t’i duheshim të paktën 30 000-35 000 euro, ndërsa për një apartament 2+1 do t’i duhej të shpenzonte mesatarisht nga 45 000-55 000 euro. Kurse për shtëpitë me 3 dhoma dhe një kuzhinë, çmimi arrinte nga 55 000-85 000 euro.

Pak të ardhura, çmimet më të larta
Në harkun kohor të pesë viteve, raporti çmim-të ardhura është rritur në Shqipëri, sipas të dhënave të publikuara nga Numbeo.
Portali më i madh i të dhënave për kostot në shtete dhe qytete të ndryshme të botës, Numbeo, ndër të tjera publikon edhe treguesit e pasurive të paluajtshme. Treguesi i raportit çmim – të ardhura është matësi kryesor që tregon sa e përballueshme është blerja e një apartamenti në një vend (sa më i ulët ky tregues, aq më mirë).
Në 2012-n, ky tregues ishte 12.5, ndërsa në 2017-n treguesi është 17.2. Sipas të dhënave për shtete të ndryshme në Ballkan dhe në Europë, Shqipëria është vendi me rritjen më të madhe të këtij treguesi, që do të thotë se Shqipëria është vendi me ndryshimin më të madhe të raportit të çmimit me të ardhurat. Rritja më e shpejtë e çmimeve të apartamenteve, krahasuar me të ardhurat e disponueshme të familjeve, ka qenë shumë herë më e madhe.
Në rajon, e para për sa i përket raportit çmim – të ardhura është kryeqyteti i Serbisë, Beogradi. Megjithatë, në krahasim me vitin 2012, ky tregues ka ardhur në rënie, që do të thotë që ose çmimet e pasurive kanë qenë në rënie, ose të ardhurat e disponueshme të familjeve në Beograd kanë ardhur në rritje.

Ky tregues llogaritet në përgjithësi si raporti i çmimeve mesatare të apartamenteve mesatare me të ardhurat e disponueshme mesatare familjare. Formula supozon dhe përdor:
-të ardhurat neto të disponueshme familjare, siç përcaktohet si 1.5 * paga mesatare neto (50% është marrë përqindja e grave në fuqinë punëtore)
-madhësia mesatare e banesës është 90 metra katrorë
-çmimi për metër katror është mesatare e çmimit mesatar në qendër të qytetit dhe çmimit mesatar në periferi /Monitor/

Kastriot Islami për incidentin në Kosovë të Ramës: Pse u kthye nga “gangster” në “frikacak lëpirës”

Rama dje në shkëmbimin e replikave me Rumush Haradinajn ka shfaqur karakterin e tij që ja njohin të gjithë qytetarët e Shqipërisë dhe që gradualisht po ja njohin edhe shqiptarët kudo ku janë.
Gjithnjë në monolog, pra kur ska kërkënd përballë bën “cubin” dhe “gangsterin” duke lëshuar “ofendime e fyerje” dhe pret reagimin. Në të gjithë këto rast është nën efektin e eksitantëve dhe “ofendimet e fyerjet” pa emër konkret i drejton të shoqëruara me xheste e poza të neveritshme për një burrë.
Nëse reagimi ndaj “fyerjeve dhe ofendimeve” të tij mungon apo është në terma intelektualë ai vazhdon i krekosur me grupin e “bazhibozukëve” që e rrethojnë të shpërndajë lajme të rreme se “ja bëra kështu e ja bëra ashtu apo se e meritonte atë që thashë” në mënyrë që ata që rrethojnë të amplifikojnë gjithcka ka thënë apo të shpërndajnë shkaqet që kanë shtyrë të lëshojë “fyerjet apo ofendime”. Madje udhëzohen të shpërndajnë edhe gjëra që ai as i ka thënë dhe as i ka bërë për ta paraqitur atë superior.

Nëse reagimi është simetrik atëhere ai “kthjellohet”, kthehet në një “frikacak lëpirës” dhe merr të gjithë masat për të shpjeguar se “është keqkuptuar”, se ‘ato që kishte thënë nuk kishin të bënin me atë që kishte reaguar”, se “për për reaguesin ka respekt”, e lloj lloj shpjegimesh, një gamë lëpirjesh të neveritshme që bëhen edhe më të patolerueshme kur dëgjon dhe ridëgjon gjithcka ka thënë më parë në publik.
Kaq për këtë rradhë!
Duhet përshëndetur Ramush Haradinajn, i cili përmes reagimit adekuat e ka detyruar të kthjellohet e të shfaqet në sytë e publikut gjithëshqiptar nga një “ganster” langaraq në një “frikacak” lëpirës. Sic është në realitet.

Mesazhi i veçantë i Laura dhe George W. Bush për Kosovën

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George W. Bush ka uruar Kosovën me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë. Në letrën e tij të urimit, Bush shkruan: “Përshëndetjet më të përzemërta qytetarëve të Kosovës, të cilët festojnë 10-vjetorin e Deklaratës së Pavarësisë. Në vitin 2008, Presidenti Sejdiu ra dakord të merrte përgjegjësitë e përcaktuara nga Plani i Ahtisaarit për të nxitur lirinë, tolerancën dhe drejtësinë për qytetarët e Kosovës, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike. Isha krenar të pranoja kërkesën e tij për Shtetet e Bashkuara të njohin Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur.
Dhjetë vjet më vonë, kjo ditë historike është një reflektim i angazhimit të vendit për të vazhduar ndjekjen e standardeve më të larta të dinjitetit njerëzor dhe për të çuar përpara çështjen e lirisë. Laura dhe unë përgëzojmë popullin e Kosovës në këtë rast të rëndësishëm dhe dërgojmë urimet tona më të mira për një të ardhme paqësore, demokratike dhe të begatë. Zoti ju bekoftë!

Haradinaj ja përplas Ramës: Merru me shpikjet e tua në Shqipëri, larg duart nga Kosova

epa06229975 Kosovo Prime Minister Ramush Haradinaj (L) and Albanian Prime Minister Edi Rama (R) answer media questions during a joint press conference in Tirana, Albania, 27 September 2017. Kosovo's Prime Minister Ramush Haradinaj arrived in Tirana for an one day official visit. EPA-EFE/MALTON DIBRA

Kreu i ekzekutivit në Kosovë, përmes facebookut i ka dërguar porosi homologut të tij në Shqipëri, Edi Rama. I ka thënë mos të merret me shpikjet politike në Kosovë, por të merret me shpikjet e veta brenda Shqipërisë.
“Urime pavarësia e Kosovës të gjithë shqiptarëve. Edi Rama nuk ka çfarë të flasë për shpikjet politike në Kosovë! Le të merret me shpikjet e veta brenda Shqipërisë se i dalin boll”, ka thënë Haradinaj.
Shkas për këtë mund të jetë bërë deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, se problematika rreth demarkacionit u shpik nga politika e brendshme e Kosovës. Ai tha gjithashtu se kjo ka rrezikuar seriozisht reputacionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Haradinaj për Demarkacionin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj publikon në Facebook një njoftim, ku thekson, gëzimin për një ujdi lidhur me demarkacionin. “Në këtë jubile të Pavarësisë së Kosovës, jam i lumtur që sot u arrit aneks-marrëveshja për ratifikimin, rishikimin dhe korrektimin e demarkacionit me Malin e Zi. Sot u vulos që sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Zhlepit do të rishikohen dhe korrektohen.”
Në një deklaratë të përbashkët të Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidentit të Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviq, arrihet marrëveshja e nevojshme. Haradinaj e sheh këtë deklaratë si epilogun e një paqartësie dhe ndarjeje të gjatë në shoqërinë tonë. “Me këtë po përfundojmë obligimin e fundit për liberalizim të vizave dhe po hapim një kapitull të ri në lirinë e lëvizjes për qytetarët tonë”, shkruan Haradinaj në Facebook.

Axhenda e festimeve në Kosovë

Me një agjendë të ngjeshur kremtimesh, autoritetet kosovare synojnë një 10-vjetor të paharrueshëm për Kosovën. Të angazhuar do të jenë të gjithë, duke nisur nga policia, që zhvilloi një aktivitet në sheshin “Skënderbeu”; të rinjtë e përfshirë në debatin për Pavarësinë në Qendrën Rinore të Prishtinës; për të vazhduar me ngjarje të tjera si lancimi i Pullës Postare me rastin e një dekade mëvetësie, festivalin shumëkulturor të komuniteteve në Prizren, ekspozita, koncerte e shfaqje teatrale.
Të shtunën në orën 08:00, ashtu siç ishte paralajmëruar, Rita Ora mban një koncert në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa shfaqjet e ditës së shtunë nisin me mbledhjen solemne të Qeverisë, për t’u zgjatur deri të dielën me mbjelljen e 115 pemëve në Memorialin “Adem Jashari” në Prekaz, e parakalimin e Forcave të Sigurisë e Policisë.

Basha reagon pas incidentit të Ramës në Kosovë: Ky i droguar i jep mend Kosovës

Kryetari i PD Basha ka reaguar përmes një statusi ntë shkurtër në facebook mbi incidentin e Ramës në Kosovë duke i kujtuar se një i droguar dhe mashtrues që ka mbush qeverinë dhe Parlamentin me kriminelë nuk mund ti japë mend Kosovës.
“Mashtruesi i Tiranës paska hapur thesin edhe në Prishtinë. Futi kriminelët në qeveri dhe parlament, e mbushi vendin me drogë, çoji 500 mijë shqiptarë në emigracion, vodhi zgjedhjet, dhe tani po i jep mend Kosovës. Turpi i shqiptarëve, ky gënjeshtar i droguar!”, shprehet Basha në facebook.

Skandali/Rama emëron në krye të Drejtorisë së Rrugëve një të dënuar me burg

I emëruari në krye të Autoritetit Rrugor, pas ikjes së Dashamir Xhikës së LSI-së, del se ka qenë i dënuar me gjashtë muaj burg, pasi ju vërtetua edhe gjyqësisht se kishte qenë fajtor në hapjen e portave të digës së Liqenit Artificial në Tiranë. Veprim ky që solli përmbytjen e kryeqytetit, dhe një dëm të pakrahasueshëm financiar tek qytetarët.
Fjala është për Afrim Qendron, i cili në atë kohë ka qënë drejtor i Ndërmarrjes numër 1 në Bashkinë e Tiranës, për gjelbërimin, dhe në këtë cilësi zyrtari doli i përfshirë në veprën penale.
Denoncimin e ka bërë një portal pranë qeverisë sipas të cilit: ka qënë prokurori i Antiterrorit në Prokurorinë e Përgjithshme, Zamir Shtylla, që ka urdhëruar prangosjen e Fisnik Vathit, me profesionin inxhinier, Sotiraq Selenicës, me të njëjtin profesion, të dy përfaqësues të firmës ndërtuese “Triss”, të drejtorit të Ndërmarrjes së Gjelbërimit, Afrim Qëndro, dhe rojes së digës, Ilir Lulja.
Që të gjithë të dënuar me vendim të formës së prerë. Megjithse Afrim Qendro nuk e ka marrë pafajsinë në asnjë rast, dënimi me burg nuk e ka ndalur të emërohet në krye të Autoritetit të Rrugëve, me firmën e Ministrit të Energjisë dhe Infrastrukturës. Ka ndodhur kjo megjithese është në fuqi veprimi ligji i dekriminalizimit i cili e ndalon një veprim të tillë.