15.5 C
Tirana
E hënë, 5 Maj, 2025

Skandal! Rama ndërsen zagarët e Forcave Speciale ndaj qytetarit Vrenozi

Qytetari nga Korça, Ilir Vrenozi është kërcënuar nga punonjës i Forcave Speciale. Tifozi më i famshëm i Skënderbeut, Ilir Vrenozi, në një postim në faqen e tij në Facebook ka rrëfyer se ka marrë kërcënime nga një pjesëtar i Forcave Speciale, RENEA. Madje tifozi korçar e ka publikuar kërcënimin dhe sharjen e pjesëtarit të RENEA, ku shkruan: “Arjan Bitri i Forcave Speciale RENEA më ka sharë e ofenduar. A lejohet ky pjesëtar i Forcave Speciale që përfaqëson shtetin shqiptar të merret me mua që jam një qytetar i thjeshtë… të më shajë e ofendojë”.
Vrenozi ka qënë kritik në shkrimet e tij neë faqen sociale ndaj kryeministrit Rama. Në shumë statuse në Facebook Vrenozi ka bërë reagime të forta ndaj Ramës dhe qeverisë që ai drejton. Në foton që po publikojmë mund të shihni vetë çfarë i shkruan oficeri i RENEA-s korçarit më të famshëm në Shqipëri.

Basha në Hungari me ftesë të Orban

Me ftesë të kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha po merr pjesë në Samitin e Komitetit Ekzekutiv të CDI-së, Organizatës Botërore të Partive të Qendrës së Djathtë, i cili mbahet në Budapest. Në fokus të takimit dy ditor, janë zhvillimet politike dhe bashkëpunimi mes partive të qendrës së djathtë. Në Samit marrin pjesë një numër i madh drejtuesish politikë të Partisë Popullore Europiane dhe partive të qendrës së djathte nga e gjithë bota.

Komisioni i MSA: Të ndalohet trajtimi i veçantë i qeveritarëve

Më 12-13 shkurt u zhvillua në Tiranë takimi i 12-të i Komisionit parlamentar i Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri. Komisioni ka rikonfirmuar mbështjen ndaj Shqipërisë për hapjen e bisedimeve me BE-në. Ai ka kërkuar zbatimin e Reformës në Drejtësi, e cila do të gjykohet vetëm përmes arritjeve të rëndësishme dhe të pakthyeshme. Në dokument cilësohen prioritetet kryesore të autoriteteve shqiptare në zbatimin e ligjit, të cilat janë:
Zyrtarët e lartë nuk duhet të përfitojnë nga asnjë lloj trajtimi i veçantë në krahasim me qytetarët e zakonshëm, ata duhet të dënohen. Autoritetet shqiptare duhet të tregojnë rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar me anë të prokurorëve dhe gjyqtarëve të paanshëm, dhe të vazhdojnë përpjekjet e tyre në vendosjen e një rruge të gjurmueshme për hetime efektive, ndjekje penale dhe dënim për çështje të krimit të organizuar, korrupsionit, pastrimit të parave etj., në të gjitha nivelet dhe të sigurojnë pakthyeshmërinë e tyre. Autoritetet shqiptare duhet të luftojnë kundër korrupsionit, kultivimit dhe trafikimit të drogës, pastrimit të parave dhe krimit të organizuar.

Për Reformën në Drejtësi: Komisioni duhet të shohë rezultate konkrete, në Reformën në Drejtësi, në vetingun e gjykatësve dhe prokurorëve, procese që janë në thelb të rekomandimit të kushtëzuar të Komisionit për hapjen e bisedimeve. I bën thirrje qeverisë shqiptare dhe Kuvendit të sigurojë burimet e duhura për institucionet e vetingut në të gjitha fazat e procesit, në mënyrë që të sigurohet funksionimi i tyre i pavarur dhe i vazhdueshëm; vlerësimet dhe rishikimet periodike janë të nevojshme për të caktuar fonde të vazhdueshme.
Ndërsa për luftën kundër trafikimit dhe prodhimit të drogës, krimit të organizuar dhe korrupsionit, Komisioni shkruan se: Kujtojmë se ka një lidhje të qartë ndërmjet varfërisë, nivelit të lartë të papunësisë dhe lulëzimit të tregtisë së kanabisit. Duhet të merren masa të qëndrueshme kundër drogave, përfshirë drogat e rënda. Duhet të forcohen masat kundër kultivimit të drogës, prodhimit dhe trafikimit, në veçanti të identifikohen, hetohen dhe dënohen rrjetet kriminale që qendrojnë pas tregtisë së narkotikëve dhe të sigurohet në praktikë sekuestrimi i produkteve kriminale, instrumentave dhe përfitimeve nga këto aktivitete kriminale.

Për Emigracionin e paligjshëm: Autoritetet shqiptare duhet të adresojnë shkakun e numrit të lartë të emigrantëve.
Për Koncesionet dhe PPP-të: Autoritetet shqiptare duhet të adresojnë në mënyrën e duhur dhe të forcojë mbikëqyrjen e PPP-ve.
Për Ligjin e Kthimit dhe Kompesimit të Pronave: Autoritetet shqiptare duhet të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ligjin e ri të kthimit dhe kompesimit të pronave dhe të tregojë arritje të prekshme në këtë çështje.
Për Lirinë e Medias në vend:
Duhet të zbatohet legjislacioni për lirinë e shprehjes, përfshirë zbatimin e Kodit të Punës për të forcuar mbrojtjen e punës dhe të drejtave shoqërore të gazetarëve dhe të tregohet pozitive në këtë çështje.
Për Reformën Zgjedhore dhe klimën politike: Debati politik duhet të ndodhi në Kuvend në zbatim të ligjeve dhe procedurave ekzistuese. Duhet të zbatohen rekomanidmet e OSBE-ODIHR për Reformën Zgjedhore përpara zgejdhjeve të ardhshme. Mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të drejta është thelbësore për progresin e mëtejshëm të Shqipërisë në BE.
Kuvendi i Shqipërisë duhet të monitorojë zbatimin e reformave dhe përputhjen e tyre me standardet e BE-së dhe të sigurojë përfaqësimin e duhur për opozitën.
Për diskriminimin dhe dhunën në familje: Autoritetet shqiptare duhet të marrin masa efektive në luftën kundër dhunës në familje, përjashtimit shoqëror, diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes ndaj komunitetit rom, LGBT, dhe grupeve të tjera vulnerabël.

Exit.al

Anëtari i KLGJ u kërkon pedagogëve të bëjnë shkrime në revistën e fondacionit të Tahirit

Thellohet skandali në raport me pedagogët. Pas vonesave me pagat, gjuhës së përdorur nga Kryeministri Edi Rama ndaj trupës elitare të sistemit arsimor në vend, reklamës që i bëhet nga dekani i Drejtësisë, revistës “Politicus” të Fondacionit “Qemal Stafa” të krijuar nga PS dhe të drejtuar nga Saimir Tahiri, zv. Dekani i këtij fakulteti, përmes e-mail u kërkon trupës pedagogjike të bëjnë shkrime për këtë revistë politike.
Referuar emaile-ve që kanë mbërritur në adresat e pedadogëve, Erjon Muharremaj, që është zgjedhur përmes shortit me gogla si anëtar i KLGJ-së, një prej institucioneve më të rëndësishme të Reformës në Drejtësi, kërkon artikuj analitik për revistën “Politicus” të Fondacionit “Qemal Stafa”.
Ky fondacion funksionon si pjesë e strukturave të PS-së dhe vetëm pak ditë më parë u mblodh nga Kryeministri Edi Rama, ndërsa për vite me radhë ai është drejtuar nga ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, që sot ndodhet nën hetim nga krimet e rënda si i dyshuar në përfshirjen apo favorizimin e Habilajve në trafikun e drogës.
Ja çfarë i përkohet pedagogëve përmes email-it

Revista politike “POLITICUS” Fondacioni “QEMAL STAFA”

Fondacioni “Qemal Stafa” në kuadër të lancimit të Revistës Politike, “POLITICUS”, hap thirrjen për publikimin e artikujve analitik. Për të inkurajuar reflektimin politik, me anë të kësaj thirrje, mirëpresim kontributin tuaj nën temën “Drejt drejtësisë sociale në Shqipëri”.
Drejtësia sociale është një term që rrjedh nga qëllimi për të patur marrëdhënie shoqërore të rregulluara nga ligji, por mbi të gjitha, “e drejta” të zbatohet nga institucionet, duke i vendosur individët në kushte të barabarta.
Aktualisht një sërë hapash po merren nga shteti shqiptar për arritjen e këtij standardi prandaj ajo çfarë pritet nga kjo thirrje është kontributi që mund të ofrohet, duke reflektuar mbi drejtimin dhe trajtimin që duhet t’i bëhet drejtësisë sociale në politikë. Në mënyrë që shteti të hartojë politika sa më të drejta dhe eficente në funksion të këtij qëllimi, idetë dhe opinionet inovatore të akademikëve dhe ekspertëve të fushës duhen promovuar në të gjitha format e mundshme, si një ndihmë dhe vlerë e shtuar për ata që merren me politikbërjen.

Spaho paralajmëron Ramën për pedagogët

Deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho ka theksuar se kjo forcë politike është në mbështetje të kërkesave të pedagogëve dhe të artistëve. Nga foltorja e Kuvendit, deputeti Spaho tha se kryeministri Rama duhet të dëgjojë pretendimet e pedagogëve sa i takon Ligji për Arsimin e Lartë, si dhe kërkesat e artistëve, për Ligjin e Artit.
Sakaq, deputeti demokrat i bëri thirrje kryeministrit Rama që të ketë parasysh faktin se, “Kur të fillojë të presë koka, duhet të përballet edhe me reagimin e tyre”.
“Pedagogët e UT kanë ngritur probleme për mënyrën sesi funksionon ky universitet, dhe kjo nuk mund të fshihet me retorikën e kryeministrit. Ju atje nuk shkuat për bravat, se nëse kryeministri shkon të takohet me ta për bravat, se nëse është kështu na ka marrë lumi. E ka marrë lumi gjithë vendin. Debati nuk ishte dhe nuk është për bravat, por për Ligjin e Arsimit të Lartë. Më e pakta që mund të bëhet është të dëgjohen, dhe më pas të jepen shpjegime. Pedagogët kanë pretendime për autonominë e universitetit.

Problemi nuk është për ato ditë që iu vonuan pagat, por problemet e vërteta që ka ky universitet. Në UT ka kapacitete të mëdha, pedagogët e UT duhet të quhen elitë, dhe jo kryeministri, apo ministrat tuaj. Dhe së dyti për artistët. Ka një histori që ka lidhje me ju z.kryeministër, që kur ishit ministër Kulture, dhe donit të ndërtonit teatër me kullë. Dhe këtë doni të bëni dhe sot. Nuk i bindni dot ju artistët, se i keni gënjyer njëherë. Kontradiktën me ju ata e kanë për Ligjin për Artin. Se nuk janë dëgjuar asnjëherë. Artistët janë pala e interesuar për Ligjin për Artin, dhe deri më tani nuk janë dëgjuar. Kur të fillosh të presësh ‘koka’, duhet të përballesh edhe me reagimin e tyre”, u shpreh deputeti Spaho.

LSI: Fund teatrit të Ramës për çarqe minjsh

Nënkryetari i LSI-së, Rama, ka sulmuar kryeministrin Rama lidhur me qëndrimin e tij ndaj artistëve të Teatrit Kombëtar. Në fjalën e tij në Kuvend, Rama theksoi se mungesa e transparencës ka provokuar një zinxhir reagimi qytetar, më i fundit ai i aktorëve dhe punonjësve të Teatrit Kombëtar, i lënë qëllimisht të rrënohet e degradohet. ‘Shkatërrimi i Teatrit Kombëtar, lufta, përçmimi e fyerja që ju bëhet artistëve, është shfaqja më alarmante e obskurantizmit qeveritar. Teatri nuk është vetëm i artistëve, më së pari, ai është i qytetarëve, ndaj mbrojtja e teatrit është përgjegjësi qytetare. Ndërsa transparenca e dialogu me artistët është detyrim i qeverisë. Nuk ka se pse çuditemi me këtë që po ndodh. Sepse e dimë mirë se, ç’mungesë konsiderate, ç’fyerje poshtëruese kanë dalë përgjatë dy dekadave nga goja e lidershipit të sotëm. Janë përdorur të gjitha mjetet për ta përballur këtë inkuizicion: dialogu, protesta, kundërshtimi. Por pa asnjë efekt. Ka një qëndrim konstant lidershipi i sotëm ndaj të gjitha institucioneve të kulturës, arsimit, dijes, shkencës, informimit. Më tej në fjalën e tij, Rama u shpreh se kryeministri ka përbaltur të gjitha institucionet në vend, duke thënë se kjo është politikë qeverisëse dhe kompleks i kryeministrit, që tregon obskurantizmin e qeverisjes.

‘Dje, Akademia e Shkencave etiketohej agjenci funerelesh e më parë institucionet e informimit publik e mediatik cilësoheshin kazan, sot universitetet janë vrima e fundit e kavallit. Sot, universitetet janë vrima e fundit e kavallit e nesër teatri është një gërmadhë e së shkuarës. Nuk ka mbetur institucion pa e përbaltur. A është kjo politikë qeverisëse apo kompleks i kreut të saj? Askund tjetër më mirë se sa përballë kulturës, punëtorëve dhe institucioneve të saj nuk del më në pah obskurantizmi i kësaj qeverie, e cila nuk mbërrin dot as deri tek sllogani komunist i qeverisë së 1946-ës “më shumë bukë – më shumë kulturë për popullin’. Në fund, Rama tha se teatri i lojërave politike, një teatër çarqesh për minj nuk i nevojitej askujt. ‘Ne kemi nevojë për çdo formë teatri. Ka vetëm një teatër që padyshim nuk i nevojitet askujt – e kam fjalën për teatrin e lojërave politike, një teatër qarqesh për minj, një teatër politikanësh, një teatër i pabukë politik. Ajo që padyshim nuk na nevojitet është një teatër terrori i përditshëm – individual apo kolektiv’.

Albana Vokshi: Ligji për Arsimin ka dështuar

Deputetja e PD Albana Vokshi, duke folur gjate nje seance parlamentare, ku mazhoranca dhe opozita kane debatuar ne lidhje me vendimet e miratuara dite me pare ne Komisionin e Ligjeve per heqjen e kompetences se Presidentit per te propozuar kryetarin e ILDKP.

Albana Vokshi, deputetja demokrate deklaroi dje në Kuvend se Ligji për Arsimin e Lartë ka dështuar. Deputetja Vokshi, njëkohësisht edhe kryetare e Komisionit parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit rrëfeu statistikat që ministrja e Arsimit u ka dërguar lidhur me aktet nënligjore të miratuara dhe të pamiratuara. ‘Ka treguar edhe listën e akteve nënligjore, 27 që duhet të miratoheshin, numri i të miratuarave 18. Pra, kemi 9 akte të pamiratuara. Udhëzime të ministrit janë miratuar vetëm 6, tha Vokshi. Vokshi u shpreh se, ka gati 3 vite që një pjesë e mirë e këtij ligji nuk zbatohet, duke e quajtur një ligj klientelist. “I miratuar në protestë nga stafi akademik sot po tregon që ka dështuar! Dhe kjo pranohet nga vetë ministrja. Atëherë kush është përgjegjëse?! Është vetëm një: ministrja Nikolla që drejton Ministrinë e Arsimit!’, theksoi deputetja. Sipas Vokshit, Rama është i nervozuar, sepse është i ndërgjegjshëm që fundi do t’i vijë prej ligjit. ‘Po ç’ka kryeministri atëherë që është i nervozuar?! Pse sulmon, fyen, përçmon mësuesit, pedagogët, akademikët, artistët?! Pse kërcënon me bukën e gojës apo me ‘koka të prera’ të vëna si trofe në tepsinë e pushtetit të tij?! Sepse Edi Rama e di që fundi do t’i vijë pikërisht prej ligjit! Dhe nëse hapen negociatat, të cilat urojmë të hapen sa më parë, Brukseli do të shtrëngojë darët e llogaridhënies në Tiranë! Nuk ka më shanse diplomatike të livadhisë në ekrane e të mbajë më shumë se tre vite fshehur kanabizimin e Shqipërisë, nuk mund të mbajë më të fshehur as ministrat e tij trafikantë apo të fusë në Parlament tutorë vajzash apo trafikantë fëmijësh, deklaroi nga foltorja deputetja demokrate.

Gabriel në Kosovë: Serbia duhet ta njohë Kosovën

Kosovën e vizituan dje dhe sot ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel dhe kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq. Porositë për autoritetet kosovare ishin shumë të qarta.
Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel përshëndeti pas takimit me kryeministrin Ramush Haradinaj “vullnetin e Kosovës për të zgjidhur çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi”. Gabriel nënvizoi se, “Gjermania është ndër vendet e para që e ka njohur Kosovën dhe është krenare me të gjitha të arriturat e deritanishme në këtë vend”. Ai shfrytëzoi këtë vizitë për të uruar popullin e Kosovës për 10-vjetorin e pavarësisë. Por shefi i diplomacisë gjermane nënvizoi se, “Kosova edhe më tej gjendet para sfidave të mëdha”.
“Gjermania dëshiron të mbetet edhe në të ardhmen një partner i qëndrueshëm, jo vetëm në sferën politike, por edhe ekonomike. Shpresojmë që Kosova ta arrijë një stabilitet ekonomik dhe politik, sepse qytetarët e kanë merituar këtë”, theksoi Gabriel, pas takimit me kryeministrin Haradinaj në Prishtinë.

Sfidat, gjykata dhe demarkacioni
Ministri i Jashtëm gjerman Gabriel tha se, Kosova duhet të përballet me “sfidat si zbatimi i ligjit, kryerja e reformave dhe gjykatat e pavarura”. Ndërkohë që Gjermania, sipas tij do të vazhdojë të angazhohet që Kosova edhe më tej të përgatitet për t’u përballur me çështjet jo të këndshme. “Një nga to janë edhe Dhomat e Specializuara, të cilat do të trajtojnë krimet e mundshme të luftës”, nënvizoi Gabriel. Ai u shpreh “i lumtur me gatishmërinë dhe vullnetin e palës kosovare për të zgjidhur edhe çështja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. E mbështesim këtë, sepse është në të mirën e qytetarëve të Kosovës, në mënyrë që ky kriter të plotësohet dhe të ketë liberalizim të vizave”, theksoi Gabriel, i cili Kosovën e vizitoi pas qëndrimit në Beograd dhe takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Gabriel tha se, Serbia duhet t’i plotësojë kushtet për anëtarësim në BE, nëse dëshiron të vazhdojë këtë rrugë. E një prej këtyre kushteve është normalizimi i raporteve me Kosovën dhe njohja e pavarësisë së Kosovës.

Serbia duhet ta njohë Kosovën
“Nëse Serbia do të vazhdojë rrugën e integrimit në BE, sundimi i ligjit është prioriteti i parë. Por natyrisht edhe pranimi i pavarësisë së Kosovës”, theksoi Gabriel. “Kjo është kërkesa qendrore në rrugën drejt Evropës”.
Gabriel premtoi vazhdimin e mbështetjes së Gjermanisë në rrugën e vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE. Gabriel është takuar në Prishtinë edhe me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Por takimi është mbajtur me dyer të mbyllura dhe nuk ka pasur prononcime për opinion. Më pas, Gabriel ka vizituar edhe Mitrovicën e Veriut, ku është njoftuar me gjendjen në Veri dhe tendosjet e fundit, në veçanti pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Demarkacioni tema kryesore në takimet me Markoviqin
Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq deklaroi në një konferencë të përbashkët për media me homologun Ramush Haradinajn “demarkacioni për palën malazeze ka përfunduar në momentin që u ratifikua në Kuvendin e Malit të Zi”. Por si një fqinj i mirë, Markoviq thotë se, Mali i Zi dëshiron ta ndihmojë Kosovën. Markoviq ka thënë se, Mali i Zi ka përfunduar obligimin lidhur me këtë çështje. Por, Mali i Zi do të ketë fqinjësi dhe miqësi të shëndoshë me Kosovën, me të cilën nuk ka probleme. Çështja e demarkacionit nuk është problem, por vetëm një çështje e hapur, tha Markoviq, i cili shpreson se në të ardhmen të gjenden përgjigje adekuate për zgjidhjen e të gjitha çëshjeve të hapura. Markoviq premtoi se, Mali i Zi do ta ndihmojë Kosovën në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.
Edhe kryeministri Ramush Haradinaj tha se ekziston një vullnet i përbashkët në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, që të gjendet një zgjidhje për demarkacionin. “Duke pasur parasysh zhvillimet e mëhershme, jam i bindur se do të gjendet kjo zgjidhje”, tha shkurtimisht Haradinaj. Por Markoviq dhe Haradinaj nuk folën për afatet deri kur eventualisht mund të zgjidhet ky problem, i cili ndërlidhet me heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës.

LSI: Kjo qeverisje është një sinjal alarmi për të gjithë

Kreu i Grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, theksoi se varfëria e shqiptarëve, çmimi i lartë i energjisë elektrike dhe jetesës në vendin tonë, si dhe problemet e mëdha që na shoqërojnë çdo ditë, vijnë vetëm për shkak të mungesës së seriozitetit nga ana e qeverisë shqiptare dhe arrogancës së ministrave dhe kryeministrit Edi Rama. Gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, Vasili theksoi se mungesa e seriozitetit të qeverisë shqiptare ndaj institucioneve europiane dhe ndaj vetë qytetarëve shqiptarë është në kulm. “E duke i qëndruar kryesisht besnik asaj ideje që të mos flas me çfarë thotë opozita, megjithëse kemi një qeveri, e cila ka një nivel budallallëku që të mos dëgjojë asgjë ç’thotë opozita, së paku t’u referohem atyre se çfarë thonë institucionet ndërkombëtare që na asistojnë, që na financojnë, dhe së paku ato për shqiptarët janë një burim informacioni, edhe korrekt, edhe i ndershëm. Për qeverinë jam i bindur që do të jetë e njëjta shurdhtësi, që vjen e rrjedh nga një budallëk dhe arrogancë që është pa shërim. Çfarë thotë Banka Botërore për sektorin e energjisë, përtej ekzaltimeve që dëgjova nga disa kolegë që më çuditën, që ose nuk lexojnë fare, ose kanë marrë atë detyrën që të themi ç’thotë partia dhe të ecim përpara. Banka Botërore thotë që humbjet në rrjet vazhdojnë të jenë 28%, ndërkohë që objektivi i qeverisë ka qenë ulja në 26% në 2016, dhe 22.5% në vitin 2017.

Ky është elementi i parë themelor dhe thelbësor i dështimit në energji. Vijojmë më tej, niveli i humbjeve teknike, në 3 vjet të monitorimit të Bankës Botërore, jo të opozitës, rrini të qetë se nuk është e opozitës, se kur e thotë opozita filloni e dridheni të tërë që nga kryeministri, fillon një histeri kolektive. Po të vijmë te Banka Botërore, se te Banka e mbyllin gojën. Nga 15.3% që ka qenë baza kur ka nisur monitorimi në 3 vjet ka zbritur afërisht në 15% dhe shumë larg objektivave që ka Shqipëria të vendosur nga strategjia, të negociuar dhe me Bankën Botërorë përkatësisht dhe për të marrë financimin. Dhe Banka Botërore rekomandon hartimin e një plani të ri për rimëkëmbjen financiare të sektorit energjetik, pra do të thotë që plani që bëtë dështoi. Nuk jemi për të ekzaltuar, jemi pse jo dhe për të vënë duart në kokë, sepse kemi nisur një reformë, e cila degradoi vetëm për të futur njerëz në burg, ata që s’paguanin energji, por që ishin të varfër, sepse të mëdhenjtë dolën publikisht që kishin nga 1 milion euro dhe s’guxonte të shkonte dhe tua kërkonte njeri. Pra, ishte një terror për të varfërit dhe një parajsë për të pasurit që mos ta paguajnë. Vijojmë më tej, një tregues tjetër, edhe ky skandaloz, është që Shqipëria sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, të jeni prapë të qetë, këtë nuk e thotë opozita, le të mos shqetësohet askush, është që konsumatorit shqiptar i mungon energjia elektrike 97 orë, më shumë nga të gjithë në Ballkan, dhe është 50 herë më e lartë se sa krahasuar me vendet e Bashkimit Europian. Kush di aritmetikë e kupton që është edhe më e lartë se Kosova, më e lartë se Maqedonia, nuk bëhet fjalë fare për Bosnjen, dhe për të siguruar këtë energji nuk është kursyer burgu për mijëra vetë, të raportuara gjerësisht dhe mediatikisht, dhe për njerëz, të cilët në kushtet e dëshpërimit, kanë humbur edhe jetën në burg.

Tjetra që është akoma dhe më interesante. Sekretariati i Energjisë në Vjenë ka paditur Shqipërinë në Këshillin e Ministrave të Evropës, jo opozita, sepse ka thyer jo një, por tre detyrime që rrjedhin nga Traktati i Komunitetit për Energjinë dhe e ka thënë shqip: Shqipëria ka dështuar të transpozojë Nenin 25 të Direktivës mbi Ndarjen Ligjore dhe Funksionale të Operatorit të Shpërndarjes, i cili administrohet nga shteti. Sipas Sekretariatit, jo vetëm që qeveria nuk e miratoi në kohë ligjin, por qeveria dhe OSHEE dështuan në ndarjen praktike të kompanisë, ndërsa vetë kompania nuk miratoi oficerin e etikës, një funksion kyç”, tha Vasili. Më tej, Vasili nënvizoi se “në fund të këtij diskutimi dalim në përfundimin që: rrënimi i seriozitetit qeveritar, përzier me arrogancën janë dy shina ku ecën rrënimi i qeverisjes së vendit dhe debati i sotëm dhe komedia e paradites është një sinjal alarmi për të gjithë për të kuptuar se rrënimi është shumë më i shpejtë se ç’e mendojmë”.

VOA: Drama e Amarildos, të cilit qeveria i preu ndihmën ekonomike

Amarildo Hysi është banor i Gjirokastrës dhe mbijeton duke marrë frymë me oksigjen për shkak të astmës. Tek po intervistohej nga “Zëri i Amerikës” bombula nuk lëshoi më oksigjen, pasi u boshatis. Amarildos i duhen rreth 30 dollarë në javë për të blerë oksigjenin. Por situata e tij financiare është vështirësuar, pasi autoritetet shtetërore ia ndërprenë ndihmën ekonomike, pasi aplikimi i tij dhe bashkëshortes nuk u zgjodh fitues nga sistemi elektronik që Shërbimet Sociale në Shqipëri kanë vënë në funksion prej një janarit të këtij viti. Ky sistem vlerëson me pikë dokumentacionin që familjet kanë dorëzuar për ndihmën ekonomike. Vetëm në Qarkun e Gjirokastrës sistemi ka përjashtuar pjesën dërmuese të rreth 1800 aplikuesve, ndërsa në të gjithë vendin mijëra familje nuk kanë arritur të përfitojnë ndihmën ekonomike. Në disa qytete, banorët kanë reaguar me zemërim, duke u kërkuar, si autoriteteve vendore dhe atyre qëndrore, të shohin situatën në terren. Drejtoritë e Shërbimit Social kanë pranuar problemet dhe u kanë bërë thirrje personave që nuk ishin përzgjedhur nga sistemi elektronik të riaplikojnë. Ndërkohë, ende nuk ka një shpjegim nga autoritetet se si skema e mëparshme e ndihmës ekonomike që ishte në fuqi prej shumë vitesh u zëvendësua nga një sistem vlerësimi, nga i cili rezultojnë përjashtime masive të familjeve që merrnin ndihmë ekonomike.

VOA