15.5 C
Tirana
E hënë, 5 Maj, 2025

Euro bie me shpejtësi, dollari në nivelin më të ulët të 4 viteve

Rënia e valutave në tregun e brendshëm ka vijuar me shpejtësi edhe gjatë ditës së sotme. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 132.64 lekë, me një rënie prej 0.19 lekë, në raport me një ditë më parë, duke shënuar të dytën javë radhazi vetëm me rënie. Sjellja e euros ka qenë krejt e kundërt me bursat, ku euro u forcua sot ndaj dollarit me 0.29%, duke arritur në 1.248 USD, niveli më i lartë në tre vjet. Rënia e euros në tregun e brendshëm, ndërkohë që ajo është rritur në bursa, ka tërhequr dhe dollarin, i cili në tregun e brendshëm është zhvlerësuar sot me 1.23 lekë, për të arritur në 106.26 lekë. Ky është niveli më i ulët i monedhës së gjelbërt në Shqipëri, që nga shtatori i vitit 2014.
Ekspertët e agjencive më të mëdha të këmbimit valutor në vend, të kontaktuar nga Monitor, pohuan se arsyeja kryesore e kësaj rënieje të vazhdueshme lidhet me efektin psikologjik të deklarimeve të Bankës së Shqipërisë për fushatën që ka ndërmarrë për të ulur përdorimin e euros në ekonomi. “Vijnë e më pyesin shumë njerëz se çfarë do të ndodhë dhe nuk e kuptojnë realisht se çfarë do të ndodhë, por kanë dëgjuar deklarimet në media të Bankës”, thonë një prej ekspertëve.

Ai thotë se shqetësime kanë ngritur edhe emigrantët, të cilët marrin të afërmit e tyre në telefon, ndërsa ka dhe nga ata që duan të kthejnë depozitat në lekë. Ekspertët kanë konstatuar se së fundmi është rritur numri i atyre që kërkojnë të spekulojnë me kursin për të përfituar nga luhatshmëria e ditëve të fundit. Efekti psikologjik i shtohet faktit që shkurti është përgjithësisht një muaj i dobët për qarkullimin në ekonomi, duke ndikuar në një kërkesë të ulët për valutat.
Banka e Shqipërisë ka nisur së fundmi një fushatë për uljen e përdorimit të euros në ekonomi, që tek ne konsiderohet shumë e lartë. Aktualisht rreth 53% e kursimeve të shqiptarëve janë në valutë, kryesisht euro, ndërsa gjysma e stokut të huasë së dhënë është në valutë. Gjatë një konference për shtyp ditën e djeshme, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se Procesi i de-euroizimit nuk është luftë ndaj euros, por stimulim për përdorimin e monedhës kombëtare për të rritur fleksibilitetin e politikës monetare. Lidhur me një ndikim të mundshëm mes masave të Bankës së Shqipërisë dhe kursit të këmbimit Sejko, tha se psikologjikisht mund të ketë interes për të ditur më shumë. “Psikologjikisht nga ana e eksportuesve që kanë marrëdhënie tregtare dhe kryejnë shkëmbime në euro si dhe individët që kanë të ardhura nga puna apo remitancat në këtë monedhë mund të ketë një interes më të madh për ndikimet. Por këto janë masa rregullatore dhe nuk prekin kursin, sepse ai caktohet nga regjimi i lirë”, nënvizoi Sejko.

Norma e interesit të lekut, BSH mund të ndryshojë “kurs” drejt rritjes në fund të 2018-ës

Banka e Shqipërisë vlerëson se politika monetare lehtësuese ka dhënë efektet e saj me një rritje të kreditimit në lekë dhe intensiteti i kësaj politike nuk pritet të zbehet para fundit të 2018. Edhe pse i “koduar” mesazhi i Bankës duket se lidhet me një mundësi të rritjes së normës së interesit për lekun, kur prej vitesh ajo ka hyrë në një cikël rënës të imponuar nga Banka Qendrore në përpjekje të nxitjes së investimeve dhe ekonomisë. “Në bazë të informacionit të disponuar Banka e Shqipërisë vlerëson se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për përmbushjen e objektivit tonë dhe intensiteti i stimulimit monetar nuk do të zbehet përpara tremujorit të katërt të 2018. Edhe më tej politika monetare do të vazhdojë të mbetet në kahun stimulues gjatë gjithë horizontit afatmesëm për të siguruar konvergimin e qëndrueshëm të inflacionit në objektiv”, vlerësoi BSH në prezantimin e raportit të Politikës Monetare për tremujorin e parë 2018.

Rritet kredia në lekë

Politika monetare lehtësuese sipas Bankës së Shqipërisë është përcjellë në sektor duke dhënë interesa më të ulëta të kredisë, por ecuria totale e kreditimit edhe pse pozitive ka qenë e moderuar. “Kjo politikë ka reduktuar normat e interesit dhe primet e rrezikut në tregjet financiare. Portofoli i kredisë në lekë u rrit mesatarisht me 9.5 për qind gjatë 2017 dhe pesha e tij përfaqëson rreth 47.1 për qind të kredisë totale.
Me gjithë ecurinë pozitive, financimi i sektorit privat vazhdon të rritet, vazhdon të rritet me norma të moderuara në reflektim të kredisë ende të dobët si dhe të kushteve ende të shtrënguara të kreditimit. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik pritet të shoqërohet me një kërkesë të shtuar cilësore për kredi. Në vlerësim sistemi bankar është në gjende për të përballuar me likuiditet nevojat e një ekonomie në rritje. Ai mbetet i shëndetshëm i mirëkapitalizuar dhe likuid. Rreziku i kredisë ka ardhur në rënie siç ilustrohet nga rënia e raportit të kredive me probleme ndaj totalit të kredisë në nivelin 13.2 për qind në 2017”, vlerëson BSH.

Rritja ekonomike dhe inflacioni

Inflacioni mesatar ka shënuar nivelin 1.8 për qind në tremujorin e katërt të 2017-ës. Kryesisht sipas Bankës së Shqipërisë kjo është ndikuar nga çmimi i qirave dhe lëndët djegëse. Për gjithë 2017-ën inflacioni mesatar ishte 2 për qind nga 1.3 për qind që ishte në 2016-ën. “Inflacioni mbetet nën objektivin tonë prej 3 për qind në prani të shfrytëzimit jo të plotë të kapaciteteve prodhueseve të presioneve të ulëta inflacioniste nga tregjet e huaja dhe të nivelit të ulët të pritjeve të inflacionit”, vlerëson Banka.
Nga ana tjetër, duke marrë në analizë rritjen ekonomike, në tremujorin e tretë ajo regjistroi nivelin 3.55 për qind, duke u ngadalësuar kundrejt normës 3.9 për qind të shënuar në gjashtëmujorin e parë. “Ky ngadalësim erdhi nga ulja e rritjes së investimeve nga zgjerimi i deficitit të tregtisë me jashtë, si dhe nga reduktimi i impulsit fiskal. Nga ana tjetër, konsumi privat vijon të rritet, duke dhënë kontributin kryesor në zgjerimin e aktivitetit ekonomik. Të dhënat e disponuara tregojnë vazhdimin e këtyre tendencave dhe në tremujorin e katërt të vitit 2017.
Parashikimet tona sugjerojnë se, ekonomia do të rritet gjatë horizontit afatmesëm e ndihmuar nga përmirësimi i ambientit të huaj dhe nga kushtet e favorshme të financimit në vend. Shfrytëzimi më i plotë i kapaciteteve prodhuese, rritja e presioneve inflacioniste nga jashtë dhe ankorimi më i mirë i presioneve inflacionit afatmesme do të krijojë premisa për forcimin e presioneve të përgjithshme inflacionit. Banka e Shqipërisë parashikon se inflacioni do të kthehet në objektiv brenda vitit 2019”, thekson BSH.

Revolucion deri në përmbysjen e klikës Rama

Sali BERISHA

Në këtë seancë shqiptarët panë ‘kreun e të gjithave’ në Shqipëri, që ka ndërmarrë nga pozitat e injorancës totale e të dështimit të plotë, të zhulit e të injorancës, një sulm frontal kundër elitës së kombit. Kjo që po zhvillohet në Shqipëri është replikë e kohërave më të zeza të këtij vendi. Kohë kur xhahilët, vulgarët, kriminelët morën pushtetin dhe iu përveshën me egërsinë më të madhe elitës kombëtare. Në aktet e para që ka bërë, do t’i marrë hua fjalën Petrit Vasilit, ky i keqshkolluar apo i pashkolluar, ishte beteja me arsimin e vendit.
Asgjë nuk ka më të vështirë për një komb, më jetike se sa sistemi arsimor. Asgjë ska më delikat. Por, siç dëshmon Pisa, në dy vlerësimet e saj ky sistem nisi ngjitjen, pavarësisht se injorantët këtu pas meje, Noriega dhe ndrikull Nikolla, që nuk dinë të lexojnë Pisën dhe nuk dinë për ç’periudhë shtrihet ky studim, dolën e tundën ‘Eureka’ se fituam, po kur e panë se ishte e periudhës së mëparshme, heshtën dhe e mbyllën gojën e nuk cituan më Pisën. S’kanë asgjë të përbashkët me arsimin, me shkollën, me inteligjencën.
Me një urrejtje patologjike atërore është vërsulur këto ditë kundër universiteteve.
Me atë ligj që ky mburret ka vendosur për fëmijët tuaj tarifat më të larta të kontinentit europian, në proporcion 3 deri në 7 herë më të larta se në çdo vend tjetër, ndërsa pa proporcion janë tarifat më të larta se çdo vend tjetër të kontinentit përjashtuar këtu Britania e Madhe. A e dini ju se, me ligjin që bëri paratë e taksave tuaja ua kalon universiteteve që i sjellin eurot me çanta në zyrë. Ai prej 5 vitesh ka ndaluar doktoraturat në universitetet publike dhe ato vazhdojnë pa asnjë ligj në universitetet private, vetëm se ndajnë nga 8 mijë euro për copë qeveritarët tuaj me universitetet e klientelës, me Universitetin “Kristaq Rama” dhe universitetet e tjera.
Pasi dështoi të emërojë rektorin me sikarët e tij, shullazët e tij, shkoi dje dhe foli me gjuhën e Shullazit para trupës akademike të universiteteve. Edhe Shullazi do ta kishte lakmi gjuhën që përdori para pedagogëve. Kjo sepse janë tenderat që duhet të bëjë universiteti dhe tani me Mynyr Konin s’bëjnë dot pazare, si me atë zonjën që kishte bërë takime dhe pazare paraprake për tenderat e universitetit. Dhe o burra tani të shkatërrojnë Universitetin Publik të Tiranës se ai është universiteti me nr më të madh të studentëve dhe duhet që universitetet e klientelës, Universiteti “Kristaq Rama” dhe universitete të tjera satelite, të jenë ato që do marrin fondet dhe këta të ndajnë së bashku me ta paratë e taksapaguesve shqiptarë. Kjo është beteja që zhvillohet me universitetin.
Korrupsioni është më i madh se mali i Dajtit. Të quash universitetin fundin e bishtit të kavallit, tregon gjuhën e një ordineri. O urrejtës që ke vetëm veten shok. Mediat për ty janë kazan, universitetet bisht kavalli, artistët s’dinë çkërkojnë. Dëgjoje këtu të të them një fjalë. Ka qenë një Petro Koleka. Një i çmendur që sillej nga Vlora në Himarë, ai ka qenë gjyshi i tij (Ramës). Shkoni pyesni pak në Breg për të. Njeriu që del e sulmon çdo gjë, ky ka rrjedhur, ky jo ka rrjedhur, po ka luajtur dhe është çmendur fare. Ngrihet dhe u thotë artistëve se nuk dinë ç’kërkojnë dhe thotë se nuk ka më keq se sa kur artisti kërkon mbështetjen e shtetit. Po na thuaj si i çove ti ato shkarravinat e tua në bienalen e Venezias. Pa na thuaj pak kush t’i çoi ty atje, pa na thuaj pak çfarë të thanë kritikët ndërkombëtarë. Ata të turpëruan në mënyrën më solemne, zhgarravinat e tua u cilësuan si zhgarravina të një adoleshenti të droguar. Pra në zhgarravinat e tua gjetën drogën brenda. I ftoj mediat të nxjerrin shkrimin e gazetës italiane dhe të dy kritikëve të artit që i quajtën vizatimet e tij si zhgarravina të një adoleshenti të droguar. A e dini ju që diagnozat psikike bëhen nëpërmjet vizatimeve apo shkrimeve, ato janë një nga më kryesoret që analizohen për të diagnostikuar një të droguar dhe një të sëmurë.
Ky bën betejën e dështakut me suksesin. Ata artistë pa diskutim që nuk janë në perfeksion, por ka prej tyre që janë artistë vërtet të mëdhenj. Sigurisht që kanë bërë diskriminime. A e dëgjuat ju zonjën Bisha që tha se, akti i parë që bëri më hoqi pjesën, ai që ndan paratë me vëllain e ministres dhe shkon i lë të gjitha në bixhoz (Çuli). Po të çosh drejtor të atillë natyrisht talentet do trysnohen. Po kush ta ndërtoi atë studion ty nën Kryegjyshatë? Me çfarë parash? Po kush ta ndërtoi Surrelin ty? Me çfarë parash e ndërtove Surrelin? E dini që janë 315 gardistë të angazhuar për të ruajtur fshatin Surrel? A e dini se si hajnë të shkretët? Hajnë në stola, s’kanë ku rrinë, por vetë jeton në saraje ky. Vetëm xhami i tavanit i ka kushtuar 170 mijë euro se është super-special. 70 mijë euro ka bërë vetëm pigmenti i bojës së vilës. Një batalion policie ruan rrugën nga Surreli deri në Kryeministri. Se burrë më frikacak, bota ska më të madh se këtë. E patë vetë që u fut në vrimën e miut. Ndaj lëri ato, s’mund të gënjesh t’i artistët. Aty ke parashikuar kullën 45 katëshe. Ke parashikuar të marrësh për vete nja 4-5 kate të mira njëherë. Po lufton dhe ndrikulla të marri diçka, siç thonë qytetarët. Të vërtetat këto janë, ja u tha juve zonja Tabaku. 178 milionë euro iceneratorë, të gjitha vjedhje dhe vetëm vjedhje prej të paktën 130 milionë. Me cilin? Me Hermesin e tij, i cili pasi vodhi shkoi të ndërtonte strehim politik në Rumani (Ahmetaj). Ky zotëri arrin të bëjë 9 akte në një ditë. Po pse? Sepse absolutisht i paguan këtij këtu (Ramës) të paktën gjysmën e atyre që vjedh se përndryshe s’bën dot kurrë 9 akte në një ditë. Do t’u lutesha shumë atyre parlamentarëve britanikë t’ja u përçojnë atyre kolegëve të këtyre këtu, këtë kërkesë timen: Nëse doni miq dhe kolegë, nëse doni një kryeministër që bën 9 akte në një ditë shkoni se e keni bashkë me ministrin e tij në Tiranë, se vetëm aty ndodhin këto dhe bëjnë vaki.
Ndaj dhe kjo që po ndodh është një betejë kundër elitës kombëtare, një betejë e narko-shtetit kundër atyre që s’duan drogën, por duan ligjin, një betejë e dështakut kundër atyre që s’duan suksesin. Teatri Kombëtar është një simbol kombëtar dhe është për çdo vend të qytetëruar një institucion shumë i rëndësishëm, atë do që ta shkatërrojë. Universiteti publik është një institucion kombëtar edhe këtë do që ta shkatërrojë. Që të gjitha për të mbushur xhepat e tij, dhe kjo është një arsye tjetër, një thirrje për të gjithë shqiptarët, që të vazhdojmë revolucionin deri në përmbysjen e kësaj klike, e cila nuk ka interesa kombëtare, por ka interesa kriminale dhe të pasurimit të saj.

Rama i dha Besos edhe fushën e gazit në Delvinë, 10 milionë euro vlera

Strategjia e Sali Berishës nuk është kurrë ajo që bën ky me ARMO-n, me Besnikun e tij. 5 ditë pasi ka dorëzuar qeverinë Sali Berisha tek ARMO është vendosur një firmë, dhe ajo është Besnik Sula. Dhe kush u dërgua tek ARMO? Tek ARMO u dërgua don Agaçio, Engjell Agaçi, i plotfuqishmi i Edi Ramës. Dhe pasi vodhi mirë e mirë, i mbushi valixhet i solli, u kthye plenipotenciario, Sekretar i Përgjithshëm pothuajse kryeministër de facto se ky (Rama) vetëm kryeministër s’bën se s’merr vesh fare as nga ligjet e as nga ekonomia, di vetëm të vjedhë. A e dini ju deputetë të Fierit dhe Mallakastrës, që u krijua dhe një kompani tjetër. Po kush ishte menaxheri saj? Ishte Sulo bis, binjaku i Besnik Sulos. Njëri mori ARMO-n e Ballshit tjetri mori ARMO-n e Fierit. Vidh e vidh nuk kanë të sosur. A e dini ju se përpunohej nafta e ARMO-s dhe Besnik Sulo s’paguante asnjë qindarkë. Pra shko në mulli, bluaj miellin dhe thuaji mullixhiut që s’të paguaj asnjë qindarkë. A mund të besohet kjo? A keni ju ndërgjegje njerëzore? Iu dha fushën e Delvinës, me një emër tjetër, me 10 mln, fusha më e madhe e gazit. A e dini ju pastaj çfarë ndodhi pas 2015? Erdhi serxhent Henry i tretë, shkoi vrapo Peleshi, vrapo Gjiknuri për ta paraqitur si shpëtimtarin, që në fakt çfarë ishte ai? Ishte një emër që zgjodhi përsëri vëllain e Besnik Sulës si përfaqësues të tij në Shqipëri. A e dini ju që ARMO-s, me urdhër të këtij Besnikut që kam këtu mbrapa, u shitën mbi 225 mijë ton naftë, u shitën gjithsej me një çmim që shkon në total 23 milionë dollarë më pak se sa ç’ofronte Bankers apo Bursa, dhe me urdhër të këtij iu shitën Besnik Sulës”, tha Berisha.

Vendi po degradon me shpejtësi të madhe

Berisha replikoi ashpër dje me kryeministrin Rama në lidhje me planin skandaloz të shkatërrimit të teatrit, aferën me inceneratorët si dhe vjedhjet prej miliona euro përmes koncesioneve në të gjithë vendin. “Kur ishe ministër i pseudo-kulturës mbushje xhepat duke zënë sallat e Teatrit me ruletat e bingove dhe të bixhozit. I ke të dokumentuara. Përsa i përket investimeve për kulturën, ke mbushur xhepat. Por investimet në periudhën e qeverisë së kaluar kanë qenë të paktën tre herë më të mëdha se sa ç’janë sot. Si për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, e cila po degradon çdo ditë në të katër anët e vendit, po shemben monumentet e pavdekshme të kohërave të lashta, të braktisura, të një vendi që ska shtet, të një lukunie që përpiqet të vjedhë dhe të nxjerrë paratë kudo për të mbushur xhepat. U fol këtu gjërësisht për djegësat, inceneratorët. Cili ishte argumenti?! Strategjinë e ka bërë Sali Berisha u tha. Strategjia nuk shkruan në asnjë rresht që të vjedhin. Strategjia e Sali Berishës shkruan që t’u jepet përgjigje e merituar problemit të plehrave. Strategjia e Sali Berishës nuk shkruan në asnjë fjalë, se për të vendosur inceneratorin duhet të mos shpallim tender, por duhet të zgjedhim kompaninë e Klodian Zotos. Stategjia e Berishës nuk shkruan në asnjë rresht që pasi të kompletohet prokurimi dhe tenderimi brenda një dite me 9 procedura, me 28 milionë të shitet me 13 milionë dhe 14 milionë të futen në xhep siç ka ndodhur me Elbasanin. Strategjia e Sali Berishës nuk thotë kërkund, në asnjë paragraf se mund të sillen makineri jashtë çdo standardi, se mund të sillen impiante të viteve ‘70 për të helmuar qytetarët e Elbasanit. Nuk thotë në asnjë vend që ajo të mos vizitohet një vit rresht se e kemi në prova. Strategjia e Sali Berishës thotë të instalohet aty ku e kemi të nevojshme brenda standardeve më të larta mjedisore. Strategjia e Sali Berishës nuk thotë kurrë që ortaku i ministrit të fitojë tre tenderat e inceneratorëve. Ku e ke të shkruajtur ti këtë? Ska kod që e shkruan këtë, por vetëm ju vidhni e që nuk ngopeni kurrë! Vetëm ju mund të bëni një akt të tillë. Strategjia e Sali Berishës nuk thotë kurrë që hiqen nga ndihma ekonomike me dhjetëra e mijëra shqiptarë dhe u thuhet merrni rrugët e botës se në këtë vend s’keni jetë. I dhatë pesë milionë euro për t’i derdhur në fushatë elektorale pa bërë asnjë punë, asnjë metër asfalt, asnjë buldozier. Cila strategji e thotë këtë? Këtë e thotë strategjia e hajnave dhe hajdutëve. Po ska strategji qeveritare në botë që e thotë një gjë të tillë. Strategjia e Sali Berishës nuk thotë kurrë që tenderin që bëre për Fierin, 25 milionë, ta shesim brenda javës për 200 mijë lekë të vjetra. Ku e keni parë këtë strategji ju? Ky po ju fundos ju në fund të detit. Nëse e duroni dhe e mbani ju qofshi. Rama është kryehajduti, këta që shihni këtu s’janë asgjë para tij, këta s’lëvizin dot qimen pa lejen e këtij, këta shkojnë derdhin paratë në zyrën e tij çdo ditë. Strategjia e Sali Berishës nuk thotë kurrë që Tirana të bëhet me fshehtësinë më të madhe dhe nga e njëjta kompani, por kësaj here jo më 30 apo 27 milionë, po me 128 milionë. Në një kohë kur, në kushte teknike inceneratori i Elbasanit mund të djegë plehrat e Tiranës, Korçës, Lushnjës dhe të gjithë Shqipërisë për kapacitetin që ka. Kjo është e vërteta, po këta vjedhin e vjedhin dhe nuk ngopen kurrë”.

NATO: Hapësirë e përbashkët ushtarake për Shengenin

Në kuadër të armatimit të NATO-s përballë Rusisë, Bundeswehri do të ndërtojë një Komandë Qendrore për transportet e trupave në Evropë. Objektivi: një reagim sa më i shpejtë për sulme të mundshme.
Gjermania i ofroi NATO-s ngritjen dhe strehimin e një komande të re për transportimin e trupave dhe të materialit brenda Evropës. Ministrja e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen i konfirmoi në një takim përkatës të aleancës në Bruksel planet përkatëse.
“Gjermania ka ofruar që të shërbejë si komb kuadër dhe për këtë të tjerët janë shumë mirënjohës”, tha politikania konservatore e CDU-së. NATO-ja duhet të jetë në gjendje që në “rast tensioni ose krize” t’i transportojë shpejt trupat e saj. Pro Republikës Federale flasin gjendja “në zemër të Evropës” dhe “përvoja në temën e logjistikës dhe të mbështetjes”.

Këln-Bonn – rajoni i mundshëm për Komandën
Se ku do të ndërtohet saktësisht Kuartieri Qendror i logjistikës dhe sa ushtarë do ta kryejnë atje shërbimin, kjo nuk është vendosur përfundimisht. Si favorit konsiderohet rajoni Këln-Bonn, ka mësuar agjencia gjermane e lajmeve “dpa”. Në Këln-Bonn e kanë edhe sot vendndodhjen baza e Forcave të Armatosura gjermane dhe Zyra e Forcave të Armatosura të Bundeswehrit.
Me forcimin e strukturës së saj të komandimit dhe të Forcave të Armatosura, NATO-ja reagon para së gjithash ndaj politikës së Rusisë, që perceptohet si politikë agresive. Që prej krizës së Ukrainës dhe aneksimit të Krimesë nga Rusia, NATO-ja e ka shtuar dukshëm praninë e trupave të saj në Evropën Lindore. Tani ajo përshtat edhe strukturën e komandës së saj, për të përshpejtuar zhvendosjen e trupave nga SHBA në Evropë dhe brenda Evropës.
Në kuadër të politikës së shtensionimit këto struktura janë reduktuar në mënyrë të konsiderueshme dekadat e fundit. Nga disa duzina kuartiere qendrore të NATO-s, sot kanë mbetur vetëm shtatë. Numri i personelit ka rënë prej shumë më tepër se 20.000 ushtarakë që ishte, në rreth 6800.

Dyshime në aftësinë për të reaguar
Në një raport të NATO-s të klasifikuar sekret, ushtarakët kanë shprehur së fundi dyshime, nëse Aleanca do të ishte në gjendje që të reagonte aktualisht në mënyrë të përshtatshme dhe me shpejtësi ndaj një sulmi ushtarak të papritur rus. Shqetësime paraqiten para së gjithash për gjendjen e rrugëve dhe të linjave hekurudhore që mund të përdoren për synime ushtarake në drejtim të Lindjes, dhe para së gjithash për pengesat burokratike në transportimin e trupave dhe të pajisjeve.
Kemi nevojë për një “Shengen ushtarak”, deklaroi Von der Leyen në Bruksel. “Kur në rast krize dhe tensioni të duhet të zhvendosësh me shpejtësi trupa në distanca të mëdha brenda Evropës, atëherë kjo duhet të jetë planifikuar mirë dhe të funksionojë me shpejtësi dhe efikasitet të madh”.
Krahas Gjermanisë mendohet se një komandë tjetër do të ndërtojnë SHBA, për të siguruar më mirë mbi Atlantik rrugët e transportit midis Amerikës së Veriut dhe Evropës. Këtu është fjala veç mbrojtjes së rrugëve detare edhe për mbrojtjen e infrastrukturës së ndjeshme. Në Atlantik p.sh ndodhen kabllo për transportimin e të dhënave të internetit dhe të komunikimit.

Skema e zhvatjes 178 milionë euro Ahmetaj-Gjiknuri me inceneratorët

Jorida TABAKU

Gjatë këtyre pesë viteve ka shumë raste kur ne kemi denoncuar afera të ndryshme korruptive. Dëmi i KLSH 2,8 mld euro, fasada 400 mln euro, koncesionet po shkojnë pothuajse 1 mld, po ka jo pak raste kur vjedhja është kaq e qartë dhe e pastër sa nuk kanë pyetur as për ligje dhe as për Kushtetutë. E në këto raste të shkeljes flagrante të ligjit mund të përfaqësohen nga koncesioni i tre inceneratorëve.
Qeveria shqiptare në vite bashkë me GTZ (GIZ) hartoi një strategji për manaxhimin e mbetjeve dhe përcaktoi landfill rajonal. U ndërtuan landfill në Shkodër, Tiranë etj. Filluan të ndërtohen, por papritmas 3 vite më parë, nga asgjëja, qeveria dha vendimin e parë për një incenerator për djegien e mbetjeve në Elbasan. Vazhdoi i dyti në Fier e i treti në Tiranë.
Çfarë ka ndodhur realisht?
Në 16 dhjetor 2014, qeveria Rama i dhuron kompanisë Albtek Energy të krijuar 5 muaj më parë dhe me një kapital më pak se 1.000 euro (100.000 lekë) koncesionin me propozim të pakërkuar të Inceneratorit të Bradasheshit në Elbasan. Jo vetëm kaq, por ministria nuk kreu asnjë publikim/njoftim mbi garën, sikundër legjislacioni në fuqi e kërkon (Neni 24, i Ligjit Nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe PPP”, i ndryshuar dhe neni 26i VKM nr. 575, datë 10.07.2013 “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/PPP, si dhe dispozitat e ligjit për prokurimin publik lidhur me njoftimet), nuk bëri asnjë shpallje publike procedurash dhe nuk ka bërë publike, siç ligji e kërkon, mbi cilat kritere ligjore, financiare dhe teknike vlerësoi, kualifikoi dhe më pas lidhi kontratën me firmën fituese.

Më konkretisht, lidhja e kontratës është paraprirë nga një procedurë që ligji nuk e parashikon. Se si është zhvilluar procedura, ende nuk është bërë publike, por pothuajse tre muaj i kërkoi qeverisë dhe ministrave dosjen, ndërkohë që vetëm dy ditë më parë më kanë vënë në dispozicion procedurën për koncensionin vetëm për inceneratorin e Fierit; asgjë për Elbasanin, asgjë për Tiranën.
Pse e gjithë kjo skemë mafioze u zbatua në funksion të dhurimit të një koncensioni, të një personi të vetëm në të tre qytetet.
Aq i rëndësishëm ishte ky koncesion për qeverinë saqë vendosi të përshpejtojë 9 procedura brenda 24 orëve:
1- Me 16 dhjetor 2014 kompania Albtek Energy u shpall fituese.
2- Afatet ligjore të ankimit janë 7 ditë.
3- Pavarësisht kësaj, brenda ditës mbyllet data e shqyrtimit të ankesave në 16 dhjetor; kjo pasi autoriteti kontraktor e dinte që nuk do të kishte asnjë ankesë, sepse asnjë operator nuk do të kishte përse të ankohej, përderisa kjo procedurë u zhvillua fshehtas dhe askush nuk ishte në dijeni.
4- Dërgohet drafti për mendim në ministritë e tjera brenda datës 16 dhjetor.
5- Erdhi përgjigja nga ministritë e tjera brenda datës 16 dhjetor.
6- Hartohet po në datën 16 dhjetor një kontratë me 40 faqe ndërmjet qeverisë shqiptare dhe kompanisë.

7- Negociohet kontrata mes palëve brenda datës 16 dhjetor me 40 faqe.
8- Firmoset kontrata mes Ministrisë së Mjedisit dhe kompanisë fituese brenda datës 16 dhjetor.
9- Miratohet financimi i kontratës së lidhur me firmën në fjalë, pra Klodian Zotos, në mbledhjen e qeverisë në 17 dhjetor 2014, pra të nesërmen!
Eficencë të tillë qeveritare nuk kemi parë kurrë.
Cila është arsyeja që një qeveri kryen një seri kaq të gjatë veprimesh proceduriale me një nxitim kaq të madh dhe me një devocion kaq të padëgjuar më parë?
Unë kam këtu shkresat zyrtare nga Agjencia e Koncensioneve që më kanë kthyer përgjigje që nuk janë bërë pjesë e këtij procesi siç e kërkon ligji.
Ndiqni paratë të nderuar kolegë, ndiqni paratë dhe do të kuptoni se në të njëjtën adresë ku është regjistruar kjo kompani është regjistruar edhe kompania që mori inceneratorin e Fierit që është bashkëpronare me kompaninë italiane që shfaqet përsëri në inceneratorin e Tiranës dhe në pak ditë të treja kompanitë në të njëjtën adresë lidhin kontratën me qeverinë shqiptare.
Kompania ITS, e përmendur më sipër si kompania që ndan zyrën me koncesionarin e inceneratorit të Elbasanit dhe Fierit, në bashkëpunim me Energy 2 srl fitojnë në 26 shtator 2016 koncesionin për Inceneratorin e Fierit me vlerë 28 milionë euro. Edhe këtu, skema e njëjtë. Unë kam këtu dosjen e procedurave që më kanë dhënë në dispozicion ministri, të cilin do ta analizoj më vonë në varësi të përgjigjes që jep ai.

Me një kontratë ku nuk ka asnjë specifikim, sepse thuhet se do të ndërtohet në fshatin Portos, ndërkohë që në fshatin Portos nuk ndërtohet, sepse banorët hidhen në protestë. Në një kontratë, e cila nuk specifikon absolutisht asgjë, e cila bie e gjitha poshtë pas protestës së banorëve, qeveria fal përsëri 28 milionë euro. Kolegu im Luan Baci ka qenë në fshatin Mbrostar, në Vërri më saktësisht, atje janë në protestë për inceneratorin e Fierit. Pavarësisht se banorët janë në protestë, pavarësisht se atje nuk janë vendosur një tullë e vetme. Atje ka vetëm disa makineri të shkreta, të cilat sot nuk punojnë, qeveria i ka paguar 5.2 milionë euro, 8 miliardë euro në një vit e gjysëm pa bërë as edhe një ditë punë.
Kjo është e vërteta dhe unë besoj se faktet janë të gjitha të qarta për qytetarët.
Ndërkohë, që kompania që kishte vetëm 1 mijë euro asete, që fitoi koncesionin, dy ditë pasi fiton koncensionin, shkon dhe blen makineritë prej 15 milionë eurosh.
E kuptoni që kompania që ka fituar një koncension prej 22 milionë eurosh në Elbasan, 28 milionë eurosh në Fier dhe 128 milionë euro në Tiranë, nuk kishte as makineri, nuk kishte as eksperiencë, nuk kishte kriteret e duhura teknike dhe ligjore për të fituar këtë koncesion, blen makineritë dy ditë pasi fiton koncesionin. Që do të thotë se fitimi i kompanisë vetëm pse mori kontratën koncesionare që në momentin e parë me vetëm njërën prej kontratave koncesionare është me 13 milionë euro në xhep, pa bërë absolutisht asgjë.
Unë do të dëgjoj edhe ministrin dhe më pas do të paraqes edhe fakte të tjera në varësi, sigurisht edhe në varësi të dokumenteve që ne mund të njihemi këtu që sigurisht ministri mund të na i ketë sjellë dhe nuk na i ka vënë në dispozicion.

Kompania me 1 mijë euro asete mori koncesionin prej 15 milionë euro

Në fakt në 15 minuta unë dëgjova justifikime, pse duhen inceneratorët. Në 15 minuta dëgjova justifikime se si duhet bërë menaxhimi i mbetjeve në Republikën e Shqipërisë; çfarë është landfilli, çfarë është inceneratori, çfarë teknologjie ka.
Ministri është jurist dhe e di mirë që deklaratat e bëra këtu publike janë dëshmi edhe në gjyq. Ministri sapo pranoi që ne kemi shkelur ligjin për inceneratorin e Elbasanit, ia kemi dhënë një kompanie me duar në xhepa, pa teknologji, pa kritere ligjore, pa procedurë, pa tender ndërkombëtar, pa shpallje siç thotë ligji i koncesionit dhe partneritetit publik privat. Sepse donim që t’ia jepnim kompanisë që ne njihnim, që kishim mik të gjithë, donim t’ia jepnim z.Klodian Zoto. Kompania kishte vetëm 1 mijë euro asete dhe vetëm një javë, pasi mori koncesionin bleu teknologjinë prej 15 milionë euro.
Unë nuk dua t’i futem këtu fare diskutimit se si e nisi ministri. Kam këtu shkresat që i kam dërguar tre minsitrive dhe dy institucioneve shtetërore, i kam nisur këto shkresa që në mes të muajit nëntor. Asnjë përgjigje. Vetëm z.Klosi që më thotë se nuk e kam unë dosjen, javë pas jave nuk e kam unë dosjen, nuk e kam unë dosjen.
Vetëm dy ditë më parë, më kanë sjellë një dosje, e cila në qoftë se ajo është dosja e plotë e të gjithë koncesioneve për 178 milionë euro që qeveria shqiptare i ka dhënë një kompanie të vetme, atëherë nuk di çfarë të them, vetëm shprehjen e z.Alibeaj: Burgu 313 është gati, megjithëse thonë se edhe burgjet do t’i jepni me koncesion.

Ministri këtu sapo tha që kompania që ka marrë inceneratorin e Tiranës, kompania Pol Urth thotë është e njohur, ndërkombëtare. Por harroi të thotë, dhe deklaratat këtu janë deklarata publike, janë dëshmi edhe në gjyq, që këtu është partner edhe ITS që këtu është partner edhe Klodian Zoto.
Një kompani me një person të regjistruar, me një zyrë një dhomë e një kuzhinë te Shallvaret ka marrë një koncesion me 128 milionë euro.
Pse ka mundësi që një kompani, pa garë me tender të mbyllur, pa shpallje ndërkombëtare, pa publikim ndërkombëtar të marrë të tre koncesionet.
Do të ndodhte kjo nëse tenderi do të ishte ndërkombëtar?
A do të kishte mundësi nëse tenderi do të ishte ndërkombëtar, që një kompani e vetme t’i fitonte të treja?
A do të kishte mundësi, që një kompani pa asnjë eksperiencë, pa asnjë ditë pune në këtë sektor të merrte tre koncesione në menaxhimin e mbetjeve kur incenerimi i mbetjeve është kaq i rëndësishëm për qeverinë shqiptare?
Çfarë ndodhi pasi u fitua koncecioni i inceneratorit të Fierit?
Si pjesë e koncesionit ishte edhe një kompani italiane. Kompania italiane ishte pjesë, sepse kishte një eksperiencë të caktuar. Tre ditë pas u fitua koncesioni i Fierit, kompania italiane del nga loja dhe i blen një kompani shqiptare, ndërtim-montim Patos, e cila pagoi 20 mijë lekë për të blerë aksionet e një koncensioni 128 milionë euro.

Në qoftë se kjo skemë është kaq e pastër pse nuk vihet dosja në dispozicion?
Në qoftë se kjo skemë është kaq e pastër, ashtu siç thotë ministri, pse pagesat që kanë filluar që në vitin 2016, 2017 siç e thotë kontrata koncesionare vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, ndonëse puna nuk ka filluar akoma?
Pse nuk amendohet kontrata?
Unë këtu kam analizuar të gjithë dosjen e koncesionit të Fierit për të cilën më është vënë në dispozicion ose një pjesë të saj, të cilën më ka vënë qeveria në dispozicion.
Çfarë thotë dosja e koncesionit të Fierit, në qoftë se ajo është e gjitha që ato kanë.
Dosja e koncesionit të Fierit thotë se, fillimisht ajo u vendos në fshatin Portos, u mblodh Këshilli Bashkiak, nuk ranë dakord, u ndryshua. Por që incenenatori të ndryshohej në fshatin Portos kompania kishte përgatitur vlerësimin teknik, kishte përgatitur vlerësimin gjeologjik të tokës, vlerësimin ekonomiko-financiar të tokës. Në kontratë thuhet se, nuk do të ketë shpronësime. Brenda ditës të gjitha hidhen poshtë, shumëzohen me zero dhe zhvendoset në fshatin Mbrostar. Qeveria paguan edhe 46 milionë lekë si shpronësim që janë mbartë OST, koston.
Në dosje thuhet se duhet të merret miratimi paraprak i ministrit të Financave, sepse është një koncesion që do të ketë mbështetjen nga buxheti i shtetit.
Çfarë ndodh realisht?
Ministri Cani nuk e firmos, largohet nga detyra, e kam dosjen atje. Ndoshta për koncesionin e TVSH-së, ndoshta sepse nuk firmosi inceneratorin e Elbasanit, nuk e di, këtë e di qeveria. Shpallet koncesioni, megjithëse nuk kishte miratimin nga personi që ka përgjegjësinë për buxhetin e Shqipërisë. Vjen ministri Ahmetaj e firmos.

Janë paguar 5 milionë euro për inceneratorin e Fierit por nuk ka filluar puna

Nga ana tjetër për inceneratorin e Tiranës u deklarua nga ministri këtu, në mos gaboj: Në nëntor 2017, projekti i Tiranës është ende larg konkretizimit dhe hë për hë nuk mund të themi se është e sigurt që mund të zbatohet.
Ky ministër që këtu tha që në nëntor 2017 kishte firmosur vetë për këtë koncesion, erdhi këtu në Parlament, gënjeu dhe tha se nuk dihet, nëse do të zbatohet apo jo. Ndërkohë që Ministria e Financave kishte dhënë OK-in për këtë incenerator.
Ministri Gjiknuri dhe ministri Ahmetaj thonë se, nuk kanë asnjë lidhje në këtë proces, që nuk kanë asnjë ndikim në këtë proces.
Ministri Gjiknuri sipas të gjitha kontratave të koncesionit ka pasur një përfaqësues të ministrisë së Energjetikës. Sipas kontratës koncesionare të Fierit, ministri ka ngritur një njësi zbatuese projekti ku ai ishte përgjegjës që ky koncesion të ndiqej hap pas hapi që të zbatohej ose jo.
Pse i ka vazhduar këto pagesa?
Pse buxheti i shtetit i ka paguar sot e kësaj dite 5 milionë euro për inceneratorin e Fierit kur nuk ka filluar puna?
Pashë fotot që nxori ministri për inceneratorin Elbasanit. Kolegu Boçi që ka qenë atje, që ka biseduar me banorët thotë që zona ku është ndërtuar është totalisht e papërshtatshme, është ndërtuar në buzë të Shkumbinit, që ka rrezik për dëmtime të mëtejshme të ambientit atje, që banorët edhe atje nuk janë dakord.

Unë e di që jo gjithmonë banorët do të jenë dakord për veprat publike. Unë e di që gjithmonë mund të ketë protesta, sepse bëhet fjalë për djegie mbetjesh, për incenerim mbetjesh, ndoshta mund të ketë ndotje në mjedis.
Por pse nuk janë ndjekur procedurat ligjore? Pse është shkelur me të dyja këmbët ligji? Pse në të gjithë Republikën e Shqipërisë është zgjedhur një person me një kompani me 1 mijë euro asete për ta kryer këtë?
Pse z.Klodian Zoto që ka pasur vetëm një punë të vetme në kompaninë Hermes, nuk e di nëse e keni dëgjuar besoj herë tjetër këtë kompani.
Sot ka marrë 178 milionë euro nga taksat e shqiptarëve.
Pse hiqen 60 mijë familje nga ndihma ekonomike dhe paguhen 5.2 milionë euro për inceneratorin e Fierit?
Pse nuk paguhen 15 mijë pedagogë dhe staf akademik dhe gjenden paratë për të paguar 5.2 milionë euro për inceneratorin e Fierit?
Këto janë pyetje që sot kërkojnë përgjigje nga shqiptarët. Këto janë pyetje që duhet t’i ktheni përgjigje. Në qoftë se e gjithë procedura për të tre koncensionet është ajo dosje që ju keni sjellë, ju sapo bëtë këtu një deklaratë publike që keni shkelur ligjiin me të dyja këmbët.

178 milionë euro qeveria ia jep një personi të vetëm dhe zero lekë për artistët

Në ndërhyrjen e dytë të saj ndaj ministrit Damian Gjiknuri, deputetja demokrate Jordina Tabaku tha: Neni 22, pika 3 e Ligjit të thotë se: “Nuk të lejohet të bësh tender, koncesion, sepse është Partneritet Publik Privat, pa bërë njoftim të hapur, tender ndërkombëtar, pa bërë shpallje dhe jo për situatë emergjente, pa pasur ofertë të vlefshme”.
Nuk ke pasur asnjë ofertë të vlefshme. Leja e Elbasanit ka dalë 4 muaj, pasi është marrë koncesioni. Me lejen e Fierit, ke një dosje të tërë me shkelje proceduriale. Mund të të citoj jo një ligj, por 10 ligje dhe 10 shkelje ligjore që ke bërë.
Si përmbledhje; nuk mora përgjigje pse një kompani me asete prej 1 mijë eurosh merr 178 milionë euro koncesione?
Nuk mora përgjigje; pse e vetmja kompani që kishte eksperiencë për inceneratorin e Fierit, të Tiranës dhe të Elbasanit, kompania italiane i lan duart dhe ikën me 200 mijë lekë, sapo fitohet koncesioni?
Nuk mora përgjigje; si ka mundësi që në Fier vazhdojnë akoma pagesat, kur nuk ka filluar puna. Banorët janë në protestë.
Nuk mora akoma përgjigje, se pse shteti ka shkelur ligjet me të dyja këmbët, që një person të fitojë të treja koncesionet kur nuk kishte asnjë ditë eksperiencë pune në këtë fushë dhe në këtë sektor?
Nuk mora akoma përgjigje se pse nuk informoni publikun, nëse keni pasur apo nuk keni pasur kontakte me z.Klodian Zoto ju apo ministra të tjerë të qeverisë?

Nuk mora akoma përgjigje për pyetjet që ju kam bërë, sepse shkeljet në këtë koncesion janë shumë të qarta.
Unë këtu mund të flas pa fund për koncesionin dhe inceneratorët, por zgjodha të them një fjali edhe për elitën e këtij vendi, kur e krahasoi me këtë vjedhje galoponte dhe kur e shoh që kolegët e mi atje sot ndodhen përballë fyerjeve, përballë poshtërimeve, përballë akuzave që Universiteti i Tiranës është bishti i kavallit. Ndërkohë që aty është elita e vendit.
Pranojeni se keni dështuar me këtë koncesion dhe nesër keni një kallëzim në Prokurori.
Pranojeni se keni dështuar edhe me Ligjin e Arsimit të Lartë.
Që preferoni të jepni edhe një herë 178 milionë euro një personi të vetëm të lidhur me ju dhe nuk pranoni të mbështesni elitën e vendit.

Skema mafioze e ngritur mbi tre inceneratorët

Unë kam bërë një analizë për të tre inceneratorët, një listë e gjatë shkeljesh ku ligji dhe Kushtetuta është shkelur me të dyja këmbët.
Në qoftë se kjo paska qenë një procedurë kaq e mirë pse nuk janë të gjitha dokumentet publike?
Në qoftë se kjo paska qenë procedura ideale për menaxhimin e mbetjeve në Shqipëri, pse nuk u ftuan partnerë ndërkombëtarë?
Pse nuk u bë që kompania që kanë pasur eksperiencë të ngjashme në vende të tjera të vinin dhe të jepnin eksperiencën edhe këtu në Shqipëri?
E dini çfarë po ndodh?
Po ndodh që nëse inceneratori i Elbasanit do të punojë me kapacitet të plotë, do të incenerojë çdo mbetje që do të shkojë në inceneratorit, ndërkohë që në vende të tjera të ngjashme, unë kam raste këtu të Italisë, të Greqisë incenerojnë vetëm 20% të mbetjeve, kapaciteti që të djegë mbetje për një popullsi prej 4.3 milionë banorësh, Shqipëria dhe Maqedonia bashkë.
Po pasi të djegim mbetjet e Shqipërisë dhe të Maqedonisë, ku do të gjejmë ne mbetje të tjera për të djegur mbetje të inceneratori i Fierit dhe i Tiranës?
Çfarë do të ndodhë?
Kjo është një pyetje që ministri këtu nuk na kthen përgjigje. Përveç skemës mafioze që është ngritur.

Ka akuza nga kolegë të mi që ministrat Gjiknuri dhe Ahmetaj janë përzier në aferat me z.Klodian Zoto. Unë nuk e di, dorën në zjarr nuk e vë, por presim që të flasë Prokuroria për këtë gjë.
Kolegë të mi të opozitës thonë se kanë prova të sigurta për këtë gjë. Sepse inceneratorët nuk mund t’i ishin dhënë një personi të vetëm në qoftë se nuk do të kishte mbështetje të tillë.
Në qoftë se ne do të kishim një prokuror të Përgjithshëm të zgjedhur sipas një procedurë normale, unë jam e sigurt që sot e kësaj dite ne nuk do të ishim duke diskutuar mbi procedurën e inceneratorit. Ne sot do të ishim, duke diskutuar mbi kallëzimin penal për të gjithë personat që janë përfshirë në inceneratorin e Fierit, të Elbasanit dhe të Tiranës.
Ka një parim shumë të thjeshtë mbi të cilën është ngritur kjo qeveri; ka qenë droga, ka qenë krimi, ka qenë vjedhja, tani u bënë edhe mbetjet.
Unë besoj se e gjithë procedura që ne kemi analizuar, të gjitha elementët që kanë shkelur ligjin, të gjitha ligjet e këtij vendi që lidhen me procedurat e Prokurimit Publik Privat, procedurat e koncesionit, të gjitha ligjet që lidhen me menaxhimin e mbetjeve, sot duhet të kishim një person përgjegjës para drejtësisë.
Dhe sot qeveria shqiptare nuk është e mundur që të bëjë 9 procedura dhe 9 VKM brenda ditës në qoftë se këtu nuk do të kishte diçka pas.

Unë ju thashë pak më përpara që data 16 dhjetor e vitit 2014 ka qenë një ditë ideale për qeverinë shqiptare, ka negociuar kontratën, i ka dhënë vendimin të gjithë ministrive të linjës, ka pritur ankesat për koncesionin, ka lidhur kontratën, ka bërë skedulin për pagesat, ka miratuar me vendim qeverie edhe kontratën finale koncesionare.
Unë shpresoj që eficencë qeveritare ta kishim edhe për Ligjin e Arsimit të Lartë. 31 VKM nuk janë miratuar akoma dhe pedagogët janë ende pa pagesa.
Pse gjendet qeveria në një shpejtësi kaq të madhe për të marrë vendime për inceneratorin për 178 milionë euro, kur sot nuk gjenden paratë për stafin akademik dhe pedagogët?
Unë dëgjova dje diskutimet për universitetet publike. Kam qenë pedagoge e Universitetit të Tiranës që kur jam diplomuar në Universitetin e Tiranës. Kam zgjedhur gjithë jetën time vetëm universitetin publik dhe asnjëherë privat sa herë jam diplomuar në Shqipëri.
U ndjeva e fyer, e ofenduar kur kam dëgjuar dhe kam parë pedagogët e Universitetit të Tiranës që dje dëgjonin fyerje dhe ofendime.
Ndoshta nuk mund të jetë fakulteti ideal, ndoshta nuk mund të jetë universiteti ideal, por gjysma e pedagogëve të këtij Parlamenti kanë dalë nga ai fakultet, nga ai universitet.
Si mundet intelektualët, pedagogët, artistët, të gjithë në një vend të jenë kundër? Diçka po ndodh, nuk do të thotë se gjithçka po shkon vaj.

Si mundet që qeveria të japë një koncesion me 178 milionë euro dhe të jetë e gatshme të bëjë të gjitha këto veprime brenda një dite, dhe të mos jetë e gatshme që të ndihmojë ato shtresa që janë elita e këtij vendi?
Këtë përgjigje unë besoj që nuk kemi për ta dëgjuar ndonjëherë nga kjo qeveri. Edhe përgjigjen për inceneratorët nuk besoj se keni për ta dëgjuar ndonjëherë nga kjo qeveri.
Por nuk ka për të qenë e largët dita, kur të gjitha këto dosje që ne po denoncojmë sot të jenë kallëzime penale dhe të jenë punë për Prokurorinë e ardhshme. Sepse kjo e sotmja nuk e di nëse e ka vullnetin apo jo.
Faleminderit!

Koncesionari nuk zbaton kontratën por lekët e Ramës i merr njëlloj

Një tjetër replikë të ashpër deputetja demokrate Jorida Tabaku e pati edhe me ministrin e Financave, Arben Ahmetaj. “Në fakt, unë jam përpjekur që në këtë Parlament për kaq vite sa jam as të mos hedh baltë mbi askënd, as të sulmoj askënd. Por, meqenëse ministri më përmendi disa herë, thashë konkretisht që: “Ish-ministri Cani i Financave nuk e dha miratimin paraprak për kërkesën që ministri i Mjedisit kishte dhënë për kontratën në datën 30.07.2016”.
Kontrata shpallet, ministri Cani ikën, pas tre muajsh ministri e jep miratimin. Në qoftë se kontrata e koncesionit të Fierit është kaq e keqe, meqenëse e amenduat për fshatin Portos dhe e çuat në fshatin Brostar dhe Vërri, pse nuk e amendoni edhe për skedulin e pagesave? Pse vazhdoni dhe e paguani akoma? Kjo është pyetja. Në qoftë se e shikoni që nuk po ecën puna, pse vazhdon zotëria dhe merr para?
Unë e di që pagesat nuk i bën ministri i Financave, i bën njësia zbatuese, i bën ministri i Energjetikës, por Thesari i autorizon. A ka skedul pagesash këtu? A ka miratime procesverbalesh mbi të cilat është bërë një punë e kryer dhe Thesari duhet të procedojë për të dhënë miratimin?
Këto gjëra biznesmeni nuk i ka bërë vetëm, i ka bërë në bashkëpunim me ministrat, se ku bie përgjegjësia më e madhe tek Gjiknuri apo tek Ahmetaj, unë nuk e di.
Dëgjova këtu që përmendet edhe z.Koka, ish-ministrin e LSI-së. Në fakt, unë e kam dëgjuar disa herë z.Koka që e ka sqaruar këtë, por z.Koka nuk ka pasur autoritetin që brenda një dite të mblidhte Këshillin e Ministrave dhe të miratonte 9 VKM. Ato nuk i ka bërë z.Koka, ato i ka bërë qeveria”.

Brexit, mashtrimet e Boris Johnson

Boris Johnson është njëri nga përfaqësuesit më të shquar të Brexitit. Por pas grindjes së pafundme në qeverinë britanike premtimet e tij tingëllojnë vetëm bosh dhe optimizmi i tij pa bazë, mendon Barbara Wesel.
Ai kalon dorën në flokët e tij të shpupurisur, citon tabela antike me ligje të Hamurabit dhe përmend mendimtarin John Steëart Mill. Por ndërkohë njihen truket e vogla retorike të Boris Johnsonit: ai bën gjeste madhështore, për të fshehur boshësinë intelektuale dhe mospërfilljen e plotë të fakteve.
Ministri i Jashtëm konsiderohet si njëri nga përfaqësuesit më të shquar të Brexitit, por sa më shumë afrohet largimi nga BE, aq më të fortë bëhen kundërshtarët e tij. Tani Boris Johnsoni lufton për trashëgiminë e tij politike dhe për të ardhmen e tij.

Johnson premton male të praruara
Ai i kupton frikërat e skeptikëve nga pasojat e Brexitit, betohet Boris Johnson. Për t’i fshirë ato me një të rënë të dorës nga tryeza në momentin pasues. Britania e Madhe nuk do të bëhej as ishullore, as më pak e rëndësishme nga pikëpamja strategjike me largimin nga BE. Dhe menjëherë pas kësaj, ai pohon me guxim se tregtia me BE nuk është kaq e rëndësishme për ekonominë britanike. E ardhmja ekonomike pret diku tjetër jashtë në botën e madhe, para së gjithash në Azi. “Global” është po ashtu fjala e preferuar e tij. Faktet ekonomike, deputetët konservatorë të Tory nuk i kanë kundërshtuar kurrë: BE është vërtet, me dallim të madh nga të tjerët, partneri më i madh tregtar i Britanisë së Madhe, por këtë pak gjë do ta zëvendësojnë Singapori dhe të tjerët pas Brexitit pa problem, apo?
Edhe njëherë tjetër u pikturon Johnsoni bashkëatdhetarëve të tij një të ardhme të lavdishme dhe në mirëqenie pa Evropën. Edhe nëse ekonomistët dhe gazetarët i dëshmojnë atij njëqind herë të kundërtën: Borisi e njeh rregullin bazë të propagandës. Një gjë vetëm duhet ta përsëritësh mjaftueshëm dendur, që të konsiderohet e vërtetë.

Johnsoni lufton për trashëgiminë dhe për të ardhmen e tij
Shumica e britanikëve e njohin tashmë raportin e tensionuar të Boris Johnsonit me të vërtetën dhe trajtimin tepër të shpenguar që u bën ai fakteve të rëndësishme politike. Si ministër i Jashtëm, ai ka kohë që është diskredituar. Por edhe si kryebrexitas ai ka humbur çdo besueshmëri. Interesi i tij kryesor para së gjithash është që të pengojë një referendum të dytë dhe që të nxisë ambicien e tij. Johnsoni vazhdon të besojë se në fakt fati e ka caktuar që të jetë kryeministër dhe se në fund mund të bëhet pasardhës i Theresa May-t.
Brexiti duhet të jetë i ashpër, është mesazhi i tij, përndryshe gjithçka do të jetë e kotë. Vetëm e çliruar nga vargonjtë e marrëveshjeve dhe rregullave evropiane mund të ngrihet Britania e Madhe si shqiponjë në ajër. Kështu flet dikush që ose nuk kupton asgjë nga ekonomia botërore ose që e paraqet veten me qëllim si injorant. Në fund mbeten vetëm fjalë të marra të një kryemjeshtri të premtimeve boshe. Gjithçka do të rregullohet? Këtë nuk duhet ta besosh, kur përcjellësi i këtij mesazhi është Boris Johnsoni.

Qeveria ishte dhe mbetet e përçarë
Johnsoni duhet të jetë tani i pari që të tregojë ato që mendon lidhur me Brexitin e tij. Ministra të tjerë dhe në fund vetë kryeministrja duan të paraqesin në ditët në vijim strategjinë e tyre të Brexitit. Ajo vjen e vonuar me muaj të tërë, aq më tepër kur nuk pritet një plan i besueshëm: kabineti është dhe mbetet i përçarë.
Brexiti është vendimi më i rëndësishëm në historinë më të re të vendit, thonë vëzhguesit britanikë. Por qeveria në Londër dështon dhe nuk është e përgatitur për përgjegjësinë e saj. Lufta për Brexitin po e copëton vendin, po i përçan Tory-t dhe po e helmon klimën politike. Kjo vetëm mund të keqësohet në kuadër të negociatave me Brukselin muajt e ardhshëm.

Dhoma Amerikane kryqëzon doganat

Dhoma Amerikane e Tregtisë ka listuar problemet me Administratën Doganore në një takim me këtë të fundit. Një nga shqetësimet e anëtarëve të Dhomës Amerikane, i cili është ringritur në vite është aplikimi i çmimeve të referencës nga ana e doganës. “Ne tashmë kemi një Kod të ri Doganor, i cili hyri në fuqi në 1 qershor 2017 dhe dispozitat zbatuese të Kodit Doganor të miratuar me VKM, të cilët përmbajnë parashikime të qarta për mënyrën e përcaktimit të vlerës doganore. Gjithashtu, ministri i Financave dhe Ekonomisë ka miratuar udhëzimin përkatës për vlerësimin e mallrave për qëllime doganore. Megjithatë edhe më parë ne kemi patur parashikime të qarta në legjislacion për këtë çështje. Problematika e çmimeve të referencës nuk ka të bëjë me mungesën e legjislacionit, por me zbatimin e gabuar në praktikë të dispozitave nga Administrata Doganore”.
Duke iu referuar sistemit rregullator, i cili përcakton qartë se kur përdoret nga dogana vlera e transaksionit dhe kushtet në të cilat kalohet për rivlerësim, të cilat zbatohen sipas radhës, dhe duke iu referuar udhëzimit të fundit të ministrit të Financave, i cili përcakton se kur ekziston një ndryshim i dukshëm midis vlerës së deklaruar dhe çmimeve të Database Kombëtar apo të të dhënave të disponueshme nga bursat, Dhoma Amerikane sqaron se ky përbën një indikator risku dhe rrjedhimisht në praktikë duhet të ketë sipas saj një rivlerësim të vlerës së transaksionit.

Shqetësimi tjetër i biznesit amerikan ka të bëjë me mosrespektimin e procedurave të nevojshme për rivlerësimet doganore. Kjo ka të bëjë me rivlerësimin e iniciuar nga dogana, por edhe rastet kur operatori ekonomik kërkon rishikimin e një deklarate doganore të dorëzuar më parë. Rishikimi mund të ndodhë në rastet, kur ka një ndryshim të vlerës (skonto) pas çlirimit të mallrave në import, ose një ndryshim të vlerës doganore në eksport (qoftë në rritje apo ulje), në rastet kur eksportimi bëhet mbi bazën e një fature pro-forma dhe çmimi final përcaktohet në një moment të dytë.
Kontrabanda në vlera të vogla që kryhet në pikat doganore kufitare, është kthyer në një shqetësim tjetër për anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë.
Gjithashtu sipas tyre, Administrata Doganore nuk ka një procedurë të konsoliduar dhe një praktikë të mirëfilltë që mund të ndiqet ndryshe nga praktika e punës në Administratën Tatimore sa i takon procedures së apelimit në doganë. Ata theksojnë se janë vënë re raste kur nuk zbatohet dispozita proceduriale (afati, kushtet e tjera) për rastet e apelimit në doganë. Dhoma Amerikane e Tregtisë kërkon që të bëhet konsolidimi i praktikës që ndiqet nga drejtoria që shqyrton apelimet në mënyrë që të shmangen vendimet, kur Drejtoria e Përgjithshme e Doganave sipas anëtarëve të dhomës, me pa të drejtë nuk e shqyrton apelimin, në mënyrë që më pas të diskutohet për themelin e çështjes që ankimohet.

Zaev: Maqedonia e gatshme për shtesë në emrin e vet

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, thotë se vendi i tij dhe Greqia kanë bërë progres të rëndësishëm kah zgjidhja e kontestit për emër, që po zgjat për një periudhë të gjatë.
Zoti Zaev tha dje se qeveria e Maqedonisë është e gatshme ta shtojë një “përcaktues gjeografik” në emrin e vendit, një ndryshim që është kërkuar nga Greqia.
Por, ai theksoi se ka edhe çështje të tjera kontestuese, përfshirë atë se si do të quhet zyrtarisht gjuha maqedonase.
Maqedonia dhe Greqia për më tepër se 25 vjet kanë mospajtim të ashpër lidhur me të drejtën për emrin Maqedoni.
Greqia thotë se duke e përdorur atë, vendi fqinj shpreh pretendim ndaj provincës greke me të njëjtin emër, raporton “AP” nga Shkupi.
Lidhur me këto çështje, ministrat e Jashtëm të të dy vendeve janë takuar këtë javë në Vjenë, së bashku me ndërmjetësuesin e Kombeve të Bashkuara, Matthew Nimetz.

Raporti i KLSH, qeveria 826 milionë euro abuzime në 2017

Rreth 826 milionë euro dëm ekonomik në vitin 2017, abuzime, vjedhje dhe korrupsion, pothuajse çdo javë nga një kallëzim penal dhe asnjë të dënuar. Kontrolli i Lartë i Shtetit evidenton disa drejtime, nëpërmjet të cilave po bëhet shpërdorimi i fondeve publike. Në analizën vjetore të Kontrollit të Lartë të Shtetit, kreu i këtij institucioni Bujar Leskaj bëri me dije se, përgjatë vitit 2017 janë kryer plot 256 auditime, ndërsa dëmi ekonomik përllogaritet 11.5 miliardë lekë. Teksa bëri një pasqyrë të vitit që kaloi, Leskaj tha se, janë bërë 47 kallëzime penale për drejtues të nivelit të mesëm e të lartë. KLSH vijon të raportojë çdo vit e më shumë abuzime me fondet publike, por po kështu drejtësia vijon të mos dënojë asnjë përgjegjës për këto abuzime. Në analizën vjetore, kryetari Bujar Leskaj evidentoi se, sektorët me më shumë abuzime janë administrimi i pronës shtetërore, doganat dhe prokurorimet publike. Puna e Kontrollit të Lartë të Shtetit ka pasur këtë fat edhe gjatë vitit 2017, ku siç duket nga të dhënat, abuzimi me fondet publike ka qenë më i lartë se viti 2016, ku dëmi ekonomik i shkaktuar buxhetit ishte 534 milion euro. “Në total janë konstatuar shkelje në shumën 110.5 miliardë lekë ose afërsisht 826 milionë euro”, tha Leskaj. Dhe bazuar në analizën vjetore, sipas kreut të KLSH rezulton se, administrimi i pronës shtetërore ka peshën kryesore në këtë dëm, e ndjekur nga doganat dhe prokurimet publike.

“Mungesa e inventarizimit të pronës publike vijon prej më shumë se 20 vite të jetë një nga problemet kryesore”, tha Leskaj. Si një institucion që jo vetëm konstaton, por edhe sugjeron, KLSH ka një këshillë për qeverinë: Të tregojë kujdes me programimet buxhetore, pasi borxhi publik nuk po ulet në nivelet e synuara. “Se vijohet me praktikat e programimeve jo realiste të buxhetit, sëmundje kjo e qeverive shqiptare në këto vite”, tha Leskaj. Qeveria ka nisur reformën e ujit, por për kreun e KLSH-së, Leskaj, abuzues të mëdhenj janë edhe drejtorët e Ujësjellësave. “Më përpara ky aksion pikë të parë duhet të ketë zbatimin e masave ndëshkuese ndaj drejtuesve abuziv në këto vite”.

Shifrat e KLSH

Parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale prej 11.5 miliardë lekë ose 85.8 milionë euro.
Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 99.05 miliardë lekë, afërsisht 739.7 milionë euro nga e cila: 92.7 miliardë lekë në fushën e të ardhurave, afërsisht 692.1 milionë euro dhe 6.3 miliardë lekë afërsisht 47.8 milionë euro, në fushën e shpenzimeve jo më eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të fondeve.
Në total janë konstatuar shkelje në shumën 110.5 miliardë lekë ose afërsisht 825,6 milionë euro.
c) Për vitin 2016 rritja e detyrimeve ndaj tatimeve dhe doganave (borxhi tatimor dhe doganor) si dhe skemës së sigurimeve shoqërore është në vlerën 51,175 milionë lekë ose 41% më e lartë se viti 2015.
Në analizën vjetore për 2017-ën, kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj ka evidentuar se abuzime të shumta ka me tenderat, ku mungon konkurrenca.
“Shkeljet më të mëdha janë me prokurimet publike, ku nuk ka konkurrencë të drejtë”, ka deklaruar Leskaj.
KLSH ka kritikuar qeverinë edhe për nivelin e lartë të borxhit, që pavarësisht angazhimit për ta ulur, duket se nuk po ia arrin dot. “Borxhi publik brenda dy vjetësh nuk është ulur, sipas objektivave. Kemi kërkuar angazhim maksimal të të gjitha institucioneve për të ulur borxhin publik. Duhet kujdes me programimin e investimeve”, është shprehur Leskaj.

Shkeljet sipas sektorëve

Shitja dhe dhënia me qira e pasurisë shtetërore 36%
Riblerja e pasurisë shtetërore 24%
Sektori i doganave 16%
Prokurimet Publike 14%
Sektori i Tatim-Taksave 3%

266 kallëzime penale asnjë ndëshkim për abuzuesit

Edhe pse qeveria e konsideron reformën territoriale-administrative si të suksesshme, KLSH ka vërejtje të forta për të. Sipas kreut të institucionit, bashkitë e reja po keqmenaxhojnë fondet publike. “Nga auditimi në qeverisjen vendore rezulton se, reforma territoriale nuk ka arritur synimet e vendosura. KLSH ka konstatuar keqmenaxhim, sidomos me pronat”, u shpreh Leskaj. Kreu i KLSH-së ka një koment edhe për drejtuesit e shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve, në kuadër të nisjes edhe të Reformës së ujit të pijshëm. “Ujësjellësat kanë detyrime të larta. Edhe pse ka nisur aksioni, të ketë në synim drejtuesit që kanë abuzuar, të cilët duhet të mbajnë përgjegjësi”, u shpreh Leskaj. Kontrolli i Lartë i Shtetit evidenton se pavarësisht shkeljeve, nuk ka largime të drejtuesve nga detyra, gjë që sipas kreut të këtij institucioni, rrit kulturën e pandëshkueshmërisë. “Kemi kallëzuar 266 persona gjatë periudhës 2012-2017. Reforma në Drejtësi është e rëndësishme”, u shpreh Leskaj. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kritikuar qeverinë për buxhetin, duke deklaruar se për vitin 2017 ai nuk ka qenë realist dhe kjo ka bërë që të ndryshojë disa herë brenda vitit. Kritika ka pasur edhe për tatimet, ku KLSH evidenton një dëm të konsiderueshëm nga borxhi tatimor.

Talibanët kërkojnë bisedime me Amerikën

Në një letër të publikuar dje, talibanët kanë kërkuar nga “populli amerikan” që t’i bëjë presion qeverisë së tyre për tërheqje nga Afganistani, duke i përkujtuar ata se lufta në këtë vend është konflikti më i gjatë në të cilin ata ishin të involvuar, me një çmim prej “miliarda dollarësh”.
Në këtë letër me më se 3,000 fjalë, përsëritet oferta e njohur për një kohë të gjatë, për bisedime direkte me Shtetet e Bashkuara.
Por, Uashingtoni disa herë e ka refuzuar këtë ofertë, duke thënë se negociatat paqësore duhet të zhvillohen ndërmjet militantëve dhe qeverisë afgane.
Në këtë letër premtohet regjim më gjithpërfshirës, arsim dhe të drejta për të gjithë, përfshirë femrat, por duket se përjashtohet ndarja e qeverisjes, pasi theksohet se militantët kanë të drejtë ta formojnë qeverinë.