Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin, tha se ai do të imponojë sanksione të reja “në një të ardhme të afërt” kundër rusëve të pasur, në shenjë të hakmarrjes ndaj Moskës për përzierjen e saj në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2016.
“Ne po punojmë në mënyrë aktive në këto sanksione”, tha mbrëmë Mnuchin në Komitetin e Financave të Senatit të Shteteve të Bashkuara.
Verën e kaluar Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka votuar për sanksione të reja kundër rusëve. Ky legjislacion me hezitim ishte nënshkruar nga presidenti, Donald Trump, i cili gjatë fushatës së tij zgjedhore është angazhuar për raporte më të mira me Rusinë.
Për ta respektuaar këtë ligj, Departamenti i Thesarit muajin e kaluar e ka publikuar listën e 114 personaliteteve të larta politike ruse dhe 96 “oligarkëve”, për të cilët është thënë se kanë bërë pasuri ose autoritet, nëpërmjet lidhjeve me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
SHBA: Sanksione të reja kundër oligarkëve rusë
Trump, thirrje Senatit për reformën në imigracion
Presidenti Donald Trump i ka bërë thirrje Senatit të mbështesë një projektligj për imigracionin të propozuar nga ligjvënësi republikan Charles Grassley, duke thënë se miratimi i tij do të ratifikonte “katër shtyllat” e planit të administratës për reformën në imigracion.
Projektligji lejon mundësinë që 1.8 milionë vetë që ndodhen në Shtetet e Bashkuara ilegalisht, pasi u sollën në moshë të mitur, të mund të aplikojnë për shtetësi. Po në bazë të propozimit, akordohen 25 miliardë dollarë për sigurinë kufitare, kufizohet imigracioni familjar dhe eliminohet lotaria e vizave duke u zëvendësuar me një sistem që bazohet në meritat e individit.
Në një deklaratë të nxjerrë të mërkurën nga Shtëpia e Bardhë, presidenti u bëri thirrje senatorëve të mos binin në kurthin e zgjidhjeve të përkohshme, por të miratonin reforma të logjikshme dhe “të përgjegjshme që janë në interes të popullit amerikan”.
Senati hapi të hënën debatin mbi propozimet; votime për këto projektligje pritet të fillojë që të mërkurën. Udhëheqësi i shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell, la të kuptohet se synon ta mbyllë debatin mbi imigracionin brenda kësaj jave dhe akuzoi demokratët se po e zgjasin pa nevojë procesin.
Udhëheqësi i pakicës demokrate në Senat, Charles Schumer shprehu kundërshtimin e tij kur Senatori McConnell mori fjalën për të hapur debatin mbi nevojën për të goditur praktikën e qyteteve “strehë e sigurtë”, bashki që u japin strehim imigrantëve të paligjshëm dhe nuk bashkëpunojnë me autoritetet federale për të kapur dhe deportuar individë pa dokumente të rregullta.
Qindra mijëra të rinj, që njihen bashkërisht si Ëndërrimtarët, ndodhen nën mbrojtjen e statusit të përkohshëm që u jep mundësi të punojnë e studiojnë në Shtetet e Bashkuara në bazë të një urdhri ekzekutiv të ish-presidentit Obama.
Presidenti Trump e ka sfiduar këtë program dhe i ka kërkuar Kongresit ta rishikojë programin që u ofron mbrojtje këtyre të rinjve të sjellë në Shtetet e Bashkuara në moshë të mitur.
Presidenti Trump ka caktuar 5 marsin si afatin e skadencës së programit që i mbron këta të rinj, pas kësaj date ata janë në rrezik deportimi.
Çdo propozim për imigracionin kërkon votat e të paktën 3/5 së senatorëve. Demokratët kanë thënë se do të mbështesin vetëm një projektligj që ofron zgjidhje për statusin e Ëndërrimtarëve dhe forcon sigurinë kufitare.
17 të vdekur në një shkollë të mesme të Floridës
Autoritetet thonë se 17 persona kanë humbur jetën në një shkollë të mesme në Floridën Jugore dhe se personi që dyshohet se qëlloi me armë zjarri është arrestuar.
Policia u vu në alarm pas të shtënave brenda shkollës Marjory Stoneman Douglas në Parkland, që ndodhet në një zonë të qetë nënurbane në veriperëndim të qytetit Fort Lauderdale dhe nisi kërkimin për personin e armatosur, ndërkohë që dhjetëra nxënës e mësues qëndronin të ngujuar brenda klasave.
12 veta u vranë brenda shkollës, ndërsa 3 të tjerë jashtë saj. Dy persona vdiqën në spitalet e zonës.
Të shtënat filluan menjëherë pas mbarimit të mësimit. Policia njoftoi se e kishte arrestuar personin e dyshuar, i cili është identifikuar me emrin Nicolas Cruz.
Zyrtarët thanë se nuk kishin qenë në dijeni të ndonjë kërcënimi që mund të ishte bërë para ngjarjes.
Policia dhe punonjësit e ndërhyrjes së shpejtë rrethuan zonën dhe pamjet televizive tregonin nxënësit që dilnin nga klasat duke u larguar me të shpejtë nga vendi i ngjarjes.
Presidenti Trump dërgoi përmes Twitterit ngushëllimet e tij për familjet e viktimave. “Asnjë fëmijë, mësues apo çdokush tjetër nuk duhet të ndihet kurrë i pasigurtë në një shkollë amerikane”, shkruante ai.
Pogba duhet të luajë më mirë
Paul Pogba duhet të bëjë më mirë te Manchester United, sipas Roy Keane. Teksa francezi ndërkombëtar po përballet me kritika, duke luftuar për t’u përshtatur me skemat e Jose Mourinhos, figura të tjera kanë ndërhyrë në këtë debat. Keane, si një mesfushor ikonik i së kaluarës, jep mendimin e tij. Sipas irlandezit, një lojtar, që konsiderohet të jetë ndër më të mirët në botë, duhet të jetë në gjendje për të ofruar maksimumin në çfarëdo roli që kërkohet prej tij. “Nëse do të luani në mesfushë, duhet të jeni në gjendje të mbuloni dy ose tre pozicione”, tha Keane për ITV. “Pogba duhet të bëjë më mirë me veten dhe të përqendrohet në atë që futbolli është në të vërtetë”.
Për fat të keq për Manchester United, nuk është vetëm “dhoma e motorit” në mesfushë, e cila po paraqet probleme për momentin. Pikëpyetjet janë ngritur edhe për repartin e mbrojtjes, me Keane që mendon se lojtarët janë duke luajtur jashtë funksionit, në mënyrë që të mbushin boshllëqet. Ai shton: “Manchester United nuk i ka zgjidhur problemet mbrojtëse, që kanë pasur gjatë viteve të fundit dhe që po vazhdojnë”.
Do ta marr menjëherë në FIFA

Kuptimin e shprehjes “gjaku nuk bëhet ujë” e gjen tek intervista e presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, që e shfaq hapur keqardhjen e madhe për eliminimin e Italisë në play off nga Suedia, duke i mohuar pjesëmarrjen në “Rusi 2018”. Kreu i qeverisë së futbollit botëror, edhe pse ka lindur në Zvicër, është me origjinë italiane dhe si i tillë shpreh keqardhje për rezultatet e fundit të të kaltërve, që, sipas tij, nuk janë rastësi.
“Kam frikë se moskualifikimi i Italisë në Botëror nuk ishte rastësi. Sinjalet ishin dhënë prej kohësh. Goditja e Darmian mund të kishte përfunduar brenda dhe jo të godiste shtyllën, por prapëseprapë, thjesht do të kishte fshehur problemet. Italia ka qenë e parë në organizimin e klubeve, në strukturë, taktikë dhe prodhimin e talenteve. Të tjerët nuk kanë qëndruar thjesht duke parë. Sa lojtarë të rinj kalojnë në skuadrat e para?”.
Nga dëshira për t’ia dorëzuar Kupën e Botës Buffonit te dëshira për ta patur bashkëpunëtor në FIFA. Infantino ka një ofertë për portierin 40-vjeçar të Juventusit. “Më vjen të qaj që në Botërorin e parë të presidencës sime nuk do të jetë Italia. Do të më pëlqente që t’ia dorëzoja Kupën e Botës Buffonit. Nëse var dorezat në gozhdë do të shkoj ta marr personalisht për t’i ofruar një detyrë të rëndësishme në FIFA”.
Buffon i dëshpëruar
Pavarësisht nga gabimi në golin e barazimit të shënuar nga Tottenham, edhe në natën e Champions League, Gigi Buffon tregon edhe një herë se është numri 1, pavarësisht nga karta e identitetit. Në pritje për të parë nëse do të shtyjë lamtumirën dhe nëse do të veshë fanellën e Italisë në dy ndeshje miqësore kundër Argjentinës dhe Anglisë, kapiteni i Juventus dhe përfaqësueses ka folur në një intervistë për dy tema, Donnarumma dhe dëmtimi!
Donnarumma
“Nuk mund të them gënjeshtra ose fraza falso. E vërteta është që duhet të takohem me presidentin e Juventus me të cilin kemi një pakt xhentilmenësh që nënshkruam në fillim të kampionatit. Do të takohem me Agnelli-n edhe në fund të kampionatit dhe aty do të marr një vendim përfundimtar. E vërteta është se një futbollist nuk vendos kurrë të tërhiqet. Unë mendoj se për aftësitë që ka dhe mënyrën si e ka nisur karrierën Donnarumma është portieri i momentit dhe për të flasin të gjithë. Unë mendoj se ai do të jetë portieri i ardhshëm i Italisë. Pastaj mendoj se ka dy apo tre djem të tjerë që po punojnë mirë dhe mund ta rivalizojnë në të ardhmen”.
“Sëmundja”
“Calciopolo dhe bastet më kanë bërë keq, sepse jo vetëm një herë, por në dy situata është hedhur shumë baltë mbi mua dhe mbi të gjitha për një aspekt që për mua është shumë i rëndësishëm, ndershmëria sportive. Kjo është një pikë që nuk toleroj. Ka qenë një pushkatim i mirëfilltë ndaj një sportisti dhe njeriu që nuk e meritonte absolutisht. Ka momente shumë të vështira në jetë ku duhet të bësh llogaritë edhe me disa gropa të zeza që të hedhin në depresion. Gjithsesi janë momente që kalojnë dhe i ndodhin të gjithëve, por duhet të bësh kujdes sepse rrezikon edhe të mos dalësh më nga trishtimi”.
Higuain
“Gabimi është për njeriun, gjithashtu ndodh me kampionët. Por kush bën gabime, siç ndodhi me Higuain, duke shpërdoruar penalltinë e një epërise të mundshme 3-1 ndaj Tottenham, duhet të jetë i vetëdijshëm se mund të përfundojë në fokusin e kritikave. Kjo ndodh, madje edhe për shumë më pak. Pas të gjithave, tifozët kanë të drejtë të shprehin mendimet dhe eventualisht zhgënjimin: kjo është pjesë e lojës së futbollit. Dhe pastaj paga luksoze e ‘Pipitës’, ato 7.5 milionë euro që Juventusi i paguan atij çdo sezon, gjithashtu, përfshin barrën e këtyre shqetësimeve. Kjo është arsyeja pse Higuain, i cili është një njeri i pjekur, përveç një bombarduesi fantastik, duhet të pranojë gjykimet dhe qortimet, që të jetë më pak i ndjeshëm. Është e vërtetë, është pjesë e karakterit të tij, por ai, gjithashtu, duhet të dijë se tifozët që tani e kritikojnë, në ndeshjen e ardhshme do të jenë atje, përsëri, për ta nxitur atë”.
Bayern Munich do ta blejë James Rodriguez në verë
James Rodriguez është bërë një pjesë thelbësore në skemën e Jupp Heynckes, për shkak të multifunksionimit të tij, sigurisë për të dhënë topin dhe aftësisë në fazën mbrojtëse. Për këto arsye, “Sport Bild” i Gjermanisë pohon se Bayern Munich është i kënaqur me performancën e mesfushorit kolumbian dhe do të ushtrojë mundësinë për ta blerë në merkaton e ardhshme të verës (qershor), pasi James është aktualisht i huazuar nga Real Madrid deri në sezonin 2018-2019.
Kur James arriti te Bayern, verën e kaluar, ai pagoi pesë milionë euro për çdo sezon të transferimit dhe opsioni i blerjes është 35.2 milionë (përveç kësaj, ai do të kujdeset për pagën e lojtarit, rreth 8 milionë euro bruto). Nëse bavarezët e zbatojnë këtë klauzolë në vitin 2019, Real Madridi do të përfundojë duke rimbursuar 45.2 milionë euro për largimin e kolumbianit, që i kushtoi atij 80 milionë në vitin 2014. James, i cili është mesfushori më i mirë ofensiv në pesë ligat kryesore të Europës, deri tani, këtë sezon, do të ketë sfidën e tij të ardhshme të shtunën, më 17 shkurt, kur Bayerni të vizitojë Wolfsburgun, në javën e 23-të të Bundesligës.
Morata: Mourinho më udhëzoi të “vrisja” Diego Costa-n
Alvaro Morata ka pranuar se një herë ka goditur Diego Costa-n në derbin e Madridit pas instruksioneve të Jose Mourinho-s. Morata shpërtheu në arenën ndërkombëtare nën drejtimin e Mourinho-s te Real Madrid, duke nënshkruar kontratën e tij të parë profesionale me skuadrën e La Liga-s më 2010. I etur për t’i bërë përshtypje trajnerit, spanjolli ka pranuar se i merrte shumë seriozisht fjalët e trajnerit të tij. Pasi trajneri aktual i Manchester United i kishte thënë të luftonte gjatë derbit të tij të parë ndaj Atletico Madrid, ai ka zbuluar se ai ka bërë një ndërhyrje të ashpër me paramendim ndaj Costa-s. “Mourinho ka karakter, ai kujdesej për lojtarët e rinj. Ai më dha kontratën e parë të madhe me Madrid dhe më tha që për të qenë i madh duhet të luftosh në jetë”.
“Nuk isha i fokusuar që në momentin e parë, isha 17 vjeç dhe stërvitesha për të bërë qejf jo për të qenë një lojtar i Madrid dhe për të mbështetur familjen”. “Në prag të ndeshjes në Calderon më tha se duhet të luftoja. Gati sa nuk vrava rëndë Diego Costa-n me një goditje brutale. Gjithsesi tani e kemi harruar atë incident dhe qeshim me Costa-n kur e kujtojmë”.
Mkhitaryan: Ai është numri 10 më i mirë
Henrikh Mkhitaryan ka thënë se shoku i tij i skuadrës tek Arsenal, Mesut Ozil, “është një nga më të mirët në botë” dhe ka shtuar se numri 10-të i londinezëve “është më i miri në pozicionin e tij”.
Ozil konsiderohet si një nga fantazistët më të mirë të historisë së Arsenal, edhe pse Mkhitaryan ka dhënë një asist më shumë se ai në këtë sezon të Premier League.
“Të gjithë e dinë se Mesut është një nga lojtarët më të mirë në botë. Është një kënaqësi të luash në krah të tij sepse ai e kupton shumë mirë ndeshjen e futbollit, ka një vizion të jashtëzakonshëm dhe është më i miri në pozicionin e tij”, ka thënë armeni. Mkhitaryan është bashkuar me Aubameyang te Arsenal: “E njoh shumë mirë atë, është një nga shokët e tij më të mirë. Jam shumë i lumtur që e i kam në ekip dhe mendoj se ai do t’i gëzojë shumë tifozët. Adhuroj të luaj me të”.
Hazard kërkon shtëpi në Madrid!
Sulmuesi i Chelsea, Eden Hazard, po kërkon një shtëpi në Madrid, duke treguar se mund të transferohet te Real gjatë merkatos së verës, bën të ditur “Don Balon”. Lajmi se sulmuesi i kombëtares belge është përfolur disa herë për një kalim rekord te “Los Blancos” përreth 200 milionë euro, sidomos pas lajkave që i ka bërë trajneri Zinedine Zidane. Hazard do të priste me kënaqësi kalimin në “Bernabeu” si një mundësi më shumë për t’iu afruar objektivit të tij për të fituar “Topin e Artë”.
Flitet se kalimi i Hazard te Real do të pasohet me kalimin e Marco Asensio te Chelsea, si pjesë e marrëveshjes. “Don Balon” ka shkruar se njerëz shumë pranë Hazard kanë kontaktuar një agjenci të specializuar për të gjetur një shtëpi në Madrid. Klubet nuk e kanë zyrtarizuar nisjen e bisedimeve për në Londër, qarkullojnë prej kohësh thashethemet se Hazard i ka kërkuar pronarit të Chelsea, Roman Abramoviç, largimin nga Chelsea dhe nëse Real Madrid ofron rreth 200 milionë euro plus Asensio, askush nuk mund ta pengojë marrëveshjen.
Kevin de Bruyne është futbollisti më i mirë në Premier League për momentin. Ky është mendimi i shokut të tij te kombëtarja e Belgjikës, futbollisti i Chelsea, Eden Hazard. Mesfushori i Manchester City po shkëlqen në drejtimin e Guardiola, ashtu si e gjithë skuadra që kryeson kampionatin me 16 pikë avantazh ndaj Manchester United. De Bryne ka shënuar shtatë gola dhe ka dhënë 14 asiste në 27 ndeshje të luajtura me Manchester City në të gjitha veprimtaritë.
De Bruyne u shit nga Chelsea te Wolfsburg për 25 milionë euro, në janar 2014, pasi nuk arriti të gjejë një vend në formacion, por Hazard mendon se aktualisht ai po shkëlqen në skemat e Guardiola-s. “Kevin për momentin është futbollisti më i mirë në Premier League dhe nuk kam asnjë dyshim për këtë. Momentalisht, City është skuadra më e mirë dhe De Bruyne është shumë i rëndësishëm për sistemin e lojës së aplikuar nga Guardiola. Personalisht e kam kënaqësi të luaj me Kevin, sepse është një futbollist i jashtëzakonshëm”.