25.5 C
Tirana
E diel, 4 Maj, 2025

“Kim Jong Un i thashë pse nuk shkon në plazh të relaksohesh”- Rrëfimi ndryshe i Donald Trump: Gabimi më i madh gjatë kohës kur isha president është…

Ish-Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka folur për gabimin më të madhe që ai ka bërë gjatë kohës kur ka drejtuar Shtëpinë e Bardhë.

 

Sipas Trump “gabimi më i madh” i presidencës së tij 2017-2021 ishte se ai kishte zgjedhur disa njerëz të gabuar.

“Njerëz të këqij ose njerëz të pabesë,” tha ai në podacstin e Joe Rogan, duke iu referuar neokonservatorëve, politikëbërësve që mbështesin një politikë të jashtme ndërhyrëse të SHBA.

Trump gjithashtu e përshkroi ish-këshilltarin e tij të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Bolton si “një idiot”.

Trump tregoi edhe çfarë i tha liderit të Koresë së Veriut.

Ish presidenti thotë se i kishte kërkuar Kim Jong Un të ndalonte ndërtimin e rezervave të tij “të konsiderueshme” të armëve.

Unë i thashë: ‘A bëni ndonjëherë ndonjë gjë tjetër? Pse nuk e merr me qetësi? Shkoni në plazh, pushoni.

“Ju jeni gjithmonë duke ndërtuar armë bërthamore, nuk keni pse ta bëni atë. Relaksohuni!”, tregon Trump.

Hipertensioni/ Ushqimet që ulin presionin e lartë të gjakut

Presioni i lartë i gjakut, ose hipertensioni, është një nga shkaqet kryesore që rrisin rrezikun e goditjes në tru dhe sëmundjeve kardiovaskulare.

 

Të gjithë e dimë se sa e rëndësishme është të mbrojmë shëndetin e zemrës dhe enëve të gjakut. Nëse dëshironi të zvogëloni shanset për goditje në tru dhe të mbani presionin e gjakut në një nivel të shëndetshëm, mund të bëni ndryshime të vogla dhe të thjeshta në dietën tuaj që do t’ju ndihmojnë vërtet.

Pra, le të shohim se cilat janë këto ushqime që mund të bëhen aleatët tuaj në mbrojtjen e shëndetit tuaj.

Dieta mesdhetare: “Dieta e jetëgjatësisë”

Dieta mesdhetare është e njohur për shumë arsye. I mbushur me ushqime që ushqejnë shëndetin tuaj dhe mbushin pjatën tuaj me shije, mund të zvogëlojë rrezikun e goditjes në tru. Vendosni drithëra, fruta, perime dhe shumë peshk në pjatën tuaj për të përmirësuar shëndetin tuaj kardiovaskular. Mendoni si mënyrën më të shijshme për t’u kujdesur për zemrën dhe enët e gjakut!

Drithërat e plota

Nëse dëshironi të mbani nën kontroll presionin e gjakut, drithërat janë zgjidhja më e mirë për ju. Krundet, tërshëra, orizi kaf dhe buka me grurë integrale ofrojnë lëndë ushqyese që ndihmojnë në uljen e kolesterolit dhe mbajnë nivelet e presionit të gjakut në nivele të shëndetshme. Përpiquni t’i përfshini ato në dietën tuaj ditore, sepse janë një përbërës kyç për shëndetin afatgjatë.

Fruta: Mburoja natyrale kundër inflamacionit

Shumë fruta janë plot me antioksidantë dhe fibra, të cilat ndihmojnë në reduktimin e inflamacionit dhe mbrojtjen e shëndetit kardiovaskular. Shtoni në programin tuaj fruta të tilla si portokall, dardha, mollë dhe boronica, ato janë ideale për të mbajtur në ekuilibër inflamacionin dhe presionin tuaj.

Perimet: Përbërësit e vlefshëm për presion të ulët

Perimet janë plot me vitamina, minerale dhe fibra që mbështesin shëndetin kardiovaskular. Nëse dëshironi t’i jepni një shtysë dietës suaj, vendosni në pjatën tuaj karota, brokoli, lakër dhe zarzavate me gjethe. Këto do t’ju ndihmojnë të ulni presionin e gjakut, të mbani zemrën të fortë dhe të ruani shëndetin e enëve të gjakut.

Proteina: Jo vetëm për muskujt tuaj

Proteina nuk është e nevojshme vetëm për muskujt tuaj, por edhe për shëndetin e zemrës. Shtoni ushqime të pasura me proteina në dietën tuaj, të tilla si mish pa dhjamë, peshk (p.sh. salmoni dhe sardelet), fasulet, thjerrëzat dhe arrat. Këto ushqime mund të zvogëlojnë rrezikun e goditjes në tru duke ndihmuar enët tuaja të gjakut të qëndrojnë të forta dhe të shëndetshme.

Alarmi në shkolla për çamçakëzin që përgjum nxënësit, reagon policia: U sekuestrua tableta me ngjyrë jeshile, ja çfarë rezulton nga analizat

Dy ditë më parë u bë një denoncim për një tabletë që konsumohej nga nxënësit si çamçakëz, por që shkaktonte përgjumje.

Sot policia me anë të një njoftim thotë se ka sekuestruar tabletën në një shkollë në Yzberisht dhe nga analizat në sektorin e toksikologjisë pranë ISHP rezulton se kjo tabletë nuk përmban lëndë psikotrope.

Po sipas analizave kjo tabletë ka në përbërje vitaminë E.

Njoftimi:

Në vijim të njoftimit të dhënë ditën e premte, më datë 25.10.2024, për një substancë në formë tableti, në ngjyrë jeshile, që dyshohet se përgjum fëmijët, ju njoftojmë se:

Në vijim të kontrolleve të ushtuara, në një shkollë në Yzberisht është sekuestruar një tabletë në ngjyrë jeshile dhe nga analizat përkatëse në sektorin e toksikologjisë pranë ISHP, është arritur në përfundimin që nuk ka prani të ndonjë lënde psikotrope dhe rezulton të ketë në përbërje vitaminë E.

Pavarësisht këtij rezultati të nxjerrë, strukturat e Policisë do të vazhdojnë kontrollin dhe monitorimin në të gjitha shkollat.

Durim Bami arrestohet për herë të dytë në Dubai/ Çfarë po ndodh me një nga emrat më të njohur të botës së krimit në Nikël

Një nga personazhet më të njohur të botës së krimit në Shqipëri, Durim Bami, është arrestuar për të dytën herë në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ndalimi i Durim Bamit është kryer në datën 21 Tetor 2024, fiks në ditën kur në Tiranë u prangos ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Metaj.

Mësohet se Durim Bami është ndaluar nga policia e Dubait dhe po bën 5 ditë që mbahet i izoluar.

Nuk dihet me saktësi se cilat janë rrethanat që kanë shtyrë arrestimin e tij për herë të dytë nga policia e Emirateve.

Informacionet për arsyen e arrestimit të Bamit në Dubai, po mbahen tepër diskrete nga Policia e Shtetit dhe prokuroria e posaçme SPAK, të cilat nuk japin asnjë koment.

Kjo është hera e dytë që Durim Bami, arrestohet nga policia e Dubait.

Herën e parë ai u ndalua për llogari të SPAK-ut në muajin qershor 2024, pasi prokurorët e posaçëm, kishin lëshuar në muajin maj një mandat arresti si i përfshirë në kultivimin e parcelave të drogës në zonën e Fushë-Krujës, sigurimin e kushteve për të vrarë ish-deputetin e PS-së në Lezhë, Arben Ndoka, si dhe sigurimin e kushteve për të vrarë dy miqtë e

Ervis Martinajt, Erigers Mihasin dhe Hektor alias Tori Xheçuka.

Por për këtë arrestim, Durim Bami, mundi të lirohej nga gjykata e Dubait.

Ndërsa arrestimi i dytë i Bamit është kryer në 21 Tetor dhe ende nuk dihet me saktësi nëse ndaj Durim Bamit është lëshuar një masë sigurimi e dytë “arrest me burg” nga SPAK, që detyroi policinë e Dubait të rivihet në lëvizje për të arrestuar për herë të dytë, Durim Bamin.

Tashmë Bami mund të jetë në procedurat e një ekstradimi të mundshëm, apo riatdhesimi të menjëhershëm, siç ndodhi me rastin e Plaurent Dervishajt dhe Julian Meçajt, dy njerëzve të grupit të Durrësit të akuzuar për atentatin ndaj Landi Muharremit dhe prokurorit, Arjan Ndoja./Ora News

Korrupsioni: Nga “lufta” me llafe pazari te lufta me Ligj dhe Drejtësi

Nga Preç Zogaj

Për një kohë të gjatë, rreth çerek shekulli, lufta kundër korrupsionit në sferat e larta, në vendin tonë, është zhvilluar në nivelin e gjesteve dhe llafeve, ku partitë kryesore PD, PS dhe LSI kanë akuzuar njëra-tjetrën për lloj-lloj skandelesh, shpërdorimesh, vjedhjesh. Përbetimet e krerëve të tyre nga transheja opozitare për çrrënjosjen e korrupsionit qeveritar kanë qenë kolona zanore e tranzicionit tonë të zgjatur.

Me të ardhur në pushtet, përveç poltronave në qeveri, kanë shkëmbyer edhe qëndrën e zërit të gurgulesë “antikorrupsion”, kuptimi i nënkuptuar i së cilës ka qenë: “Vjedhim duke bërë sikur po luftojmë njëri-tjetrin”.

Bilanci i këtij teatri cinik ka qenë rritja eksponenciale e korrupsionit nga rrotacioni në rrotacion dhe nga qeveria në qeveri, krijimimi i një “elite” të paprekshmish në sferat e larta, konsakrimi i pandëshkueshmërisë në këto sfera. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe. Akuzat që mbahen në nivelin e retorikës politike, duke shmangur zbardhjen e tyre në organet e drejtësisë, prodhojnë vetëm mjergullnajë, pra atë që duan realisht ujqërit e korrupsioni. Si të tilla ato vetëm e helmojnë shoqërinë, thoshte Makiaveli.

Një shembull tipik i antikorrupsionit retorik janë akuzat e Sali Berishës në opozitë kundër Ilir Metës në pushtet në vitin 2015 për aferën ÇEZ-DIA, që shohim të jenë përfshirë së fundi në akuzën penale të SPAK kundër këtij të fundit. Natyrisht jo me pikënisje nga Berisha.

Dikush që po lexon këto rreshta, por nuk i ka ndjekur ngjarjet mund të pyesë: Mirë politikanët e bënë zakon t’i nxirrnin sytë dhe të palarat njëri-tjetrin e pastaj të përqafoheshin me një “ashtu ishte loja”, po drejtësia ku ishte gjatë gjithë kësaj kohe? Pse nuk niste ajo hetimet kryesisht duke marrë shkas nga denoncimet e ndërsjellta të politikanëve, që zakonisht i dinë saktë bëmat e fshehta të njëri-tjetrit?

Drejtësia ishte e ndaluar të çonte ligjin në sferat e larta, ku kasta politike plurale-solidare mbretëronte si në pushtet, si në opozitë. Në kompensim, prokurorët dhe gjyqtarët ishin të inkurajuar të bënin pasuri në sferat poshtë, gjë që shumë prej tyre, siç është provuar nga vetingu, e kanë bërë. Drejtësia ka përmbushur në këtë mënyrë kuptimin shqiptar të kapjes së saj, që ishte mosfunksionimi i saj në majat e piramidës së pushtetit bipartizan.

Vdekja e ligjit në sferat e larta u parashkrua të arkivohej me votimin unanim të Reformës në Drejtësi nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2016. Më tej, me daljen në skenë të organeve të reja të saj ku shquhen SPAK dhe GHKKO.
Kësisoj, epoka e “luftës” kundër korrupsionit me fjalë ka kaluar në fazën e hetimit konkret nga organi ligjor i akuzës që është SPAK.

Ky zhvillim është historik për shtetin e së drejtës dhe sundimin e ligjit në Shqipëri. Kriza e drejtësisë sonë ka qenë pikësëpari kriza e akuzës penale. Me shumë pak përjashtime, Prokuroria nuk është lejuar të zhvillojë hetime të aferave me spec ku janë përfshirë zyrtarë shumë të lartë. Edhe aty ku ka pas nisur, siç janë Gërdeci, ÇEZ-DIA, 21 janari, e tjerë, hetimi është penguar të jetë shterues, i pakushtëzuar nga pozicioni politik i të përfshirëve në aferat përkatëse.

Ky kapitull i hidhur po mbyllet njëherë e përgjithmonë. Nuk ka më të paprekshëm. Nuk ka më mbi ligjin. Nuk ka më “ligji jam unë”.
Askush kundër të cilit do të ketë kallzime serioze apo të dhëna nga rrugë të tjera të pëfshirjes në afera korruptive nuk do t’i shpëtojë hetimit nga SPAK. As gjykimit në rastet kur hetimi do të prodhojë një akuzë penale.

Nga ana tjetër, askush që ndihet i pastër nuk ka arsye të verë kujën e anatemojë SPAK-un, por ta sfidojë atë në gjykatë. Gjykata është institucioni i vetëm që bën drejtësi në të tre shkallët e sistemit përkatës. Madje edhe në një shkallë të katërt që është Gjykata e Strasburgut. Shto edhe në një të pestë që është Gjykata Kushtetuese për çështje që kanë cënuar të drejtat kushtetuese të shtetasve. Në një sistem të tillë, drejtësia është e pamohueshme në shumicën dërrmuese të rasteve, për të mos thënë në çdo rast. Kush del i pafajshëm në gjykatë rilind edhe moralisht e politikisht, nëse ka ketë problem. Merr edhe dëmshpërblimin ligjor. Politika ka benefitet e veta, ka famën, por ka edhe trasparencën. Trasparenca nuk mund të ndalet më në burim, në hetim.

SPAK sulmohet egërsisht nga Berisha e Meta dhe anash-anash edhe nga Rama, pikësëpari sepse po bën detyrën që i ngarkon ligji, po bën fiks atë për të cilin është ngritur, po heton zyrtarë e ish zyrtarë të lartë, pavarësisht nga posti që kanë mbajtur a mbajnë.

Kjo stuhi është ngritur dhe shihet qartë se nuk do të ndalet. Përkundrazi: trasparenca ligjore do të ndriçojë aspekte të tjera të panjohura të veprimtarisë antiligjore e antipopullore të personave të inkriminuar. Edhe në versionin e fitores eventuale të ish Presidentit Trump në zgjedhjet e 5 nëntorit në SHBA, prej së cilës kasta jonë plurale solidare, me Ramën lojtar në fushë, shpreson minimalisht të fitojë kohë për t’i thyer tehun e mbajtur dorën drejtësisë së re dhe maksimalisht ta tjetërsojë atë, duke i mbivendosur “drejtësinë tjetër të re” të komisionit parlamentar Xhafa. Iluzion. Mbështetja e fuqishme e drejtësisë së re nga SHBA, një shërbim në lartësinë e shërbimeve të mëdha që ky vend i madh ka bërë Shqipërisë prej më shumë se një shekulli, nuk ka asgjë gjasë të rreshtë.

“Brigada VIII”, kulla e radhës në ish-Bllok

Nga Arbjona Çibuku

“Brigada VIII” është një nga projektet e shumta të pallateve shumëkatëshe që po zhvillohen në zonën e ish-Bllokut mbi vilat e vjetra.

Projekti, i konceptuar nga Marco Casamonti dhe X-Plan Studio, parashikon 14 kate godinë me funksion të përzier për “shërbime dhe hoteleri” në rrugën me të njëjtin emër “Brigada e VIII”.

Struktura e re po ngrihet krah “City Hotel”-it, një tjetër projekt i ideuar po nga studioja e Casamontit, Archea.

Casamonti njihet si arkitekti i stadiumit kombëtar “Arena”, kullës “Alban Tower” dhe “Velierës” në Durrës.

Ky arkitekt ka disa bashkëpunime me X-Plan Studio, e cila zotërohet nga çifti Ornela Muçaj e Jurgen Memisha. Që prej vitit 2010 X-Plan ka gëzuar projekte të ndryshme arkitekturore në bashkëpunim me arkitektë të huaj si “Eyes of Tirana, “Emerald Center”, “Square 21”, “Soho Towers”, “Aeroporti i Vlorës”, qendra multifunksionale, resorte etj.

Lexo gjithashtu: Stairway to The Sky Palace “vazhdon murin” e pallateve në ish-Bllok

Citizens/ Dy projektet e Mario Casamontit – Brigada VIII dhe City Hotel në ish-Bllok.

Në vendin ku po ngrihet “Brigada VIII” ndodheshin dy vila tre katëshe dhe pas tyre dy njëkatëshe në të cilën qe vendosur restoranti “Ejona”, kthyer në pikë referimi për turistët, që në gusht 2022 mbylli aktivitetin.

Zhvillimi i projektit është marrë përsipër nga kompania “Forever Construction”, e cila zotërohet nga sipërmarrësi Lefter Sota, njohur për aktivitet të kahershëm në përpunim dhe tregtim të hekurit, mallrave industriale dhe ndërtimit.

Sota mori në zotërim kompaninë e ndërtimit në vitin 2021 duke ia blerë kuotat Klodian Allajbeut. Ky ia kishte blerë kompaninë Asllan Fetiut një vit më përpara për vetëm 100 lekë.

Njëmbëdhjetë muaj pasi Sota bleu kompaninë, “Forever Construction” iu gëzua lejes së zhvillimit për projektin madhor Lana Riverside – një bllok prej dy godinash 8 katëshe dhe një kullë me 56 kate krah “Bulevardit Gjergj Fishta” në vendin ku ka qenë Universiteti Europian i Tiranës.

Projekti “Brigada VIII mori lejen e zhvillimit pesë muaj më vonë në dhjetor 2022.

Aktualisht kjo kompani po zhvillon tre projekte, duke pasur parasysh edhe projektin “Manhattan 1” – një pallat masiv prej 30 katesh në nisje të rrugës “Don Bosko” – që mori lejen në prill 2023.

Historiku i zonës ku po ndërtohet

Zona – e njohur rëndomtë si ish-blloku, – u zhvillua kryesisht në periudhën 1925-1943 nën ndikimin e arkitekturës italiane.

Mbi 30 vila dhe blloqe rezidenciale dy-trekatëshe u ndërtuan gjatë kësaj kohe sipas konceptit urbanistik të parcelizimit me oborre dhe lulishte duke i dhënë qytetit një zonë të re me stil modern.

Fillimisht atje u vendosën familje oficerësh italianë, më tej nëpunës, zyrtarë dhe sipërmarrës të kohës së monarkisë.

Gjatë diktaturës vilat u konfiskuan dhe zona u konceptua si bllok ku u vendos udhëheqja politike.

Asaj iu shtuan disa pallate 5-katëshe, ndërsa pas viteve 90-të – dhe veçanërisht dhjetëvjeçarin e fundit – zhvillimi i paplanifikuar mirë tjetërsoi vilat dhe hapësirat e gjelbra në komplekse pallatesh shumëkatëshe./Citizens.al

Njeriu më i fuqishëm i Gjeorgjisë fiton zgjedhjet parlamentare! Mes Perëndimit dhe Rusisë, çfarë pritet të ndodhë

Njeriu më i fuqishëm i Gjeorgjisë fitoi zgjedhjet parlamentare të shtunën, sipas rezultateve të hershme zyrtare, një goditje për ata gjeorgjianë që shpresojnë për një integrim në Bashkimin Evropian.

Themeluesi i partisë Ëndrra Gjeorgjiane, miliarderi Bidzina Ivanishvili, opozita dhe diplomatët e huaj, i kishin cilësuar zgjedhjet si një moment vendimtar që do të vendoste nëse Gjeorgjia do t’i afrohej Perëndimit ose do të anonte përsëri drejt Rusisë, në mes të luftës në Ukrainë.

Rezultatet e hershme zyrtare me 70 për qind të zonave të numëruara, që përfaqësojnë shumicën e votave të hedhura, treguan se partia në pushtet kishte fituar 53 për qind të votave, tha Komisioni i Zgjedhjeve. Rezultatet nuk përfshijnë shumicën e votave të hedhura nga gjeorgjianët që jetojnë jashtë vendit.

Sondazhet e kryera menjëherë pas përfundimit të procesit të votimit ofruan parashikime të ndryshme mbi rezultatin e zgjedhjeve. Sipas një sondazhi të kryer nga kanali televiziv ‘Imedi’ që mbështet Ëndrrën Gjeorgjiane, partia në pushtet ka fituar zgjedhjet duke siguruar 56 për qind të votave.

Por, sondazhet e kryera nga kanalet pro-opozitës ‘Formula’ dhe ‘Mtavari Arkhi’ treguan se partitë opozitare pro-perëndimore, kishin fituar mbështetje të madhe, duke siguruar së bashku 83 vende në parlamentin me 150 deputetë.

Bidzina Ivanishvili, dikur kryeministër i partisë në pushtet, shpalli fitoren dhe lavdëroi qytetarët e Gjeorgjisë.

“Është një rast i rrallë në botë që e njëjta parti të arrijë një sukses të tillë në një situatë kaq të vështirë. Ky është një tregues i mirë i talentit të popullit gjeorgjian”, u tha Ivanishvili mbështetësve që po kremtonin.

Megjithëse Ëndrra Gjeorgjiane humbi përballë opozitës në pjesë të kryeqytetit, Tbilisi, ajo fitoi deri në 90 për qind në disa zona rurale.

Opozita gjeorgjiane fillimisht kremtoi gjithashtu fitoren dhe disa vëzhgues raportuan shkelje zgjedhore. Por, një numërim paralel i kryer nga një prej partive opozitare tregoi se Ëndrra Gjeorgjiane është në një pozicion të fortë për të fituar shumicën.

Ivanishvili, i cili bëri pasurinë e tij në Rusi në vitet e 90-ta, mori pushtetin në vitin 2012 duke mbrojtur pikëpamjet pro-perëndimore, bashkë me një politikë pragmatike ndaj Rusisë.

Që atëherë, ai është acaruar me Perëndimin, duke e akuzuar se po kërkon të tërheqë Gjeorgjinë në luftë me Rusinë, ndonëse këmbëngul se Gjeorgjia është në rrugën e anëtarësimit në BE.

Nëse fitorja për partinë e Ivanishvilit konfirmohet, do të ishte një goditje për shpresat e BE-së për të sjellë në orbitën e saj më shumë ish-republika sovjetike. Moldavia më 20 tetor votoi me një shumicë shumë të ngushtë për të mbështetur anëtarësimin në BE.

Rusia vazhdimisht kishte sinjalizuar se donte që Ëndrra Gjeorgjiane të fitojë, ndërsa akuzoi vendet perëndimore për ndërhyrje të panevojshme në politikën gjeorgjiane.

“Gjeorgjianët fituan. Ju lumtë!”, tha Margarita Simonyan, redaktore e medias shtetërore ruse RT, të cilën Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar për përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet amerikane.

Nuk pati ndonjë koment të menjëhershëm nga BE-ja për zgjedhjet e së shtunës.

Presidentja e Gjeorgjisë Salome Zourabichvili, dikur aleate e partisë në pushtet që u kthye në kritike të ashpër, dhe vëzhguesit e pavarur vendas të zgjedhjeve pretenduan se Ëndrra Gjeorgjiane ishte përfshirë në blerje të gjerë votash dhe forma të tjera abuzimi zgjedhor në prag të votimeve.

Shoqata Ndërkombëtare për Zgjedhje të Drejta dhe Demokraci (ISFED), një grup i pavarur vëzhgues gjeorgjian i themeluar në vitin 1995, tha se kishte dokumentuar shkelje të shumta dhe raste të dhunës jashtë shumë qendrave të votimit.

Një video e shfaqur në mediat sociale tregonte një burrë që mbushte një kuti votime me shumë fletëvotime në Marneuli, një qytet me rreth 25,000 banorë në jug të Tbilisit. Votat më vonë u shpallën të pavlefshme, tha një zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sipas agjencisë së lajmeve Interpress.

Giorgi Kalandarishvili, kryetar i Komisionit të Zgjedhjeve, tha se votimi ishte i qetë dhe i lirë dhe tha se zgjedhjet u zhvilluan në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Gjeorgjia ishte dikur një nga shtetet më properëndimore që doli nga kaosi që pasoi rënien e Bashkimit Sovjetik. Rruga që të çon në aeroportin e Tbilisit mban emrin e ish-presidentit amerikan George W. Bush.

Që nga agresioni rus në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, marrëdhëniet e Tbilisit me Perëndimin kanë pësuar rënie. Ndryshe nga shumë aleatë perëndimorë, Gjeorgjia nuk pranoi të vendoste sanksione ndaj Moskës, ndërsa retorika e Ëndrrës Gjeorgjiane është bërë gjithnjë e më pro-ruse.

Ëndrra Gjeorgjiane ka nxitur zemërimin e aleatëve perëndimorë për atë që ata e konsiderojnë si prirjen e saj gjithnjë e më autoritare. Kryeministri hungarez Viktor Orban uroi Ëndrrën Gjeorgjiane për “fitoren e thellë”.

Ëndrra Gjeorgjiane bëri një fushatë të fortë për ta mbajtur Gjeorgjinë jashtë luftës në Ukrainë, me pamje të fushatës që krahasonin qytetet e pacenuara gjeorgjiane me ato të shkatërruara ukrainase./VOA

Rekord historik/ Realizoi në “El Classico”, Lamin Jamal bëhet golëshënuesi më i ri

Barcelona, mund të thuhet me plot gojë, që është skuadra për t’u mundur këtë sezon, me katalanasit që turpëruan me rezultatin 0-4, Real Madridin, mbrëmjen e djeshme të 26 tetorit, duke i dhënë një “leksion” futbolli, skuadrës së Ançelotit.

Dopieta e Levandovskit si dhe golat e Jamal dhe Rafinjës, tronditën madrilenët në shtëpi.

Ndërkohë rekordet historike të talentit Jamal nuk kanë të ndalur. Falë realizimit të sotëm, spanjolli, vetëm 17 vjeç e 105 ditë, ka parakaluar, Ansu Fati (17 vjeç e 359 ditë), duke u bërë golashënuesi më i ri në të gjithë historinë e “El Classicos”.

Frutat që të shëndoshin, cilat kanë më shumë kalori?

Frutat i bëjnë shumë mirë organizmit dhe shëndetit.

Kjo vështirë të mohohet apo kundërshtohet.Frutat përmbajnë shumë minerale, vitamina, antioksidantë dhe fibër.

Kjo pasuri vlerash është arsyeja përse shkencëtarët insistojnë se rritja e konsumit të frutave dhe perimeve mund të përgjysmojë rrezikun e vdekjes së parakohshme nga sëmundjet kronike.

Ndaj ju duhet të hani shumë fruta, ama nëse po përpiqeni të humbni në peshë, ngrënia e panumërt e frutave do të ketë një efekt negativ.

E vërteta është se frutat përmbajnë kalori dhe sheqerna natyralë, ndaj nuk duhet të konsumoni më shumë se dy racione në ditë.

Frutat mund t’i konsumoni në vend të ëmbëlsirave ose për të shuar nepsin për sheqer, thonë ekspertët.

Sipas tyre, njerëzit nuk duhet të kenë frikë nga frutat, por thjesht të përkujdesen për racionet.

Frutat si avokado, arra e kokosit, frutat e thata dhe lëngjet e frutave kanë kalori.

Frutat e pyllit përmbajnë shumë pak kalori dhe fibër duke ju mbajtur të ngopur për shumë kohë.

Më poshtë do të gjeni nga AgroWeb.org listën e plotë të frutave që shoqërohen me shumë kalori, pavarësisht vlerave ushqimore.

Avokado

Një avokado e vetme përmban 322 kalori. Megjithatë ky frut është shumë i mirë për zemrën sepse përmban yndyrna mono-të-pangopura.

Një avokado përmban 30 gramë nga këto yndyrna.

Rrjedhimisht ju këshillojmë të hani gjysëm avokadoje në ditë.

Përpos yndyrnave, avokado përmban edhe fibër që është shumë e mirë për tretjen.

Fiqtë

Pesë fiq të vegjël përmbajnë 150 kalori. Fiqtë janë shumë të ëmbël dhe një kokërr përmban 7 gram sheqer.

Megjithatë, bashkë me sheqerin përfitoni vitaminën K dhe manganin.

Hurmat e Arabisë

100 gramë me hurma Arabie përmbajnë 277 kalori.

30 gramë hurma ofrojnë 25 gramë sheqerna natyralë.

Megjithatë mos u shqetësoni sepse hurmat e Arabisë janë një burim shumë i mirë fibre.

Arra e kokosit

Një filxhan me grimca të arrës së kokosit përmban 466 kalori. Ky frut tropikal përmban yndyrna të mira që ju ngopin.

Rrushi i thatë 

Një filxhan me rrush të thatë përmban 429 kalori.

Këto fruta janë në vetvete një burim i përqendruar sheqeri.

Një filxhan me rrush të freskët përmban 62 kalori, ndaj zgjidhja është e juaja.

Bananja

Një banane e madhe përmban 121 kalori.

Bananet ofrojnë shumë ushqyes të mirë e të dobishëm për zemrën siç është kaliumi dhe vitamina C.

Ndaj ju këshillojmë që të konsumoni banane të vogla për më pak kalori.

Kumbullat e thata

Një filxhan me kumbulla të thata përmban 418 kalori.

Kumbullat e thata ashtu si edhe rrushtë e thatë përmbajnë sasi të larta sheqeri dhe kalorish në krahasim me kumbullat dhe rrushtë e freskët.

Megjithatë, ato përmbajnë shumë fibër që përmirëson përpjekjet tuaja për të humbur në peshë./AgroWeb.org

“Kryeministër turist i një vendi të korruptuar”, Basha: Rama sot kthye te vendi i krimit, aty ku korruptoi Charles McGonigal

Kreu i PD-Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, shprehet se kryeministri Edi Rama, sillet si “turist” në krye të një prej vendeve më të varfra dhe më të korruptuara të Europës. Sipas Bashës, Rama po përpiqet të mashtrojë qytetarët me sukseset imagjinare të qeverisë së tij, ndërkohë që realiteti tregon një situatë të përkeqësuar.

Në postimin e tij, Basha thotë se kryeministri është rikthyer tek vendi i krimit, aty ku korruptoi Charles McGonigal, agjentin e kundërzbulimit të partnerëve tanë strategjikë, duke dëshmuar se nuk respekton vlerat e vendit që bujarisht na ka ndihmuar dhe mbështetur.

Basha thotë se imazhi i suksesit të Ramës janë ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, zv/kryeministri Arben Ahmetaj, si dhe figura të tjera të cilat, sipas tij, janë përgjegjëse për keqpërdorimin e fondeve publike dhe kriminalizimin e institucioneve.

Ai më tej thotë se qytetarët shqiptarë kanë nevojë për një udhëheqje të re që të punojë për të përmirësuar jetën e tyre dhe për t’i dhënë fund korrupsionit që ka përkeqësuar varfërinë dhe ka nxitur shpopullimin masiv të vendit.

Postimi i plotë i Bashës:

Kryeministri turist i vendit më të varfër dhe me të korruptuar në Europë, mund të gënjejë veten, por jo qytetarët.

Sot është kthyer në vendin e krimit, aty ku korruptoi Charles McGonigal, agjentin e kundërzbulimit të partnerëve tanë strategjikë, duke dëshmuar se nuk respekton vlerat e vendit që bujarisht na ka ndihmuar dhe mbështetur, por ato të autokratëve lindorë.

Sukseset imagjinare të qeverisë së tij kanë imazhin e Saimir Tahirit si ministër të Brendshëm i kriminalizimit të institucioneve, e Arben Ahmetaj si zv. kryeminsitër i korrupsionit masiv, e Beqaj të Shëndetësisë së vjedhur, e Kokës së bandës së inceneratorëve, e Krifcës së fondeve të zhvatura të BE-së, e Çyrbes si ura e Ramës me botën e krimit dhe vjedhjes së zgjedhjeve, e Veliaj të 5D-së, e Xhaçkës për të cilën grisi Kushtetutën, dhe dhjetra emra e zullume që Rama i ka mbrojtur dhe inkurajuar, ndërsa bashkëqytetarët tanë anembanë botës nuk kanë për t’i harruar.

Rama që flet për drejtësinë si drejtuesi i qeverisë më të korruptuar në Europë, në fakt, është arkitekti i vonesave të saj, të cilat u dekonspiruan dhe bllokuan nga partnerët strategjikë kur kërkoi të fuste duart e tij të pista në garën për drejtuesin e SPAK dhe në hetimet për inceneratorët.

Teksa vendi i afrohet zgjedhjeve dhe Rama ka më shumë bashkëpunëtorë në burg sesa në krah, duhet të kujtojmë se për 12 vjet ai kishte të gjithë pushtetin për të bërë mirë, por zgjodhi të punojë për interesat e tij, jo të familjeve shqiptare, që gjatë qeverisjes së tij janë varfëruar e përgjysmuar nga shpopullimi masiv.

Shqipëria meriton më shumë!