23.5 C
Tirana
E diel, 4 Maj, 2025

Al-Khelaifi i vë vulën: Neymar, me 100 për qind qëndron te PSG-ja

Nasser al-Khelaifi këmbënguli se Neymar do të jetë “100 për qind” një lojtar i PSG-së edhe sezonin e ardhshëm. Presidenti i klubit parisien hodhi kështu poshtë spekulimet në rritje për një lëvizje të mundshme të brazilianit te Real Madridit. E bëri këtë gjë pikërisht pas humbjes 3-1 të të tijve në “Bernabeu”, në kuadrin e Ligës së Kampioneve. Neymar iu bashkua PSG-së nga Barcelona gushtin e kaluar, pasi gjigantët francezë aktivizuan klauzolën e lirimit prej 222 milionë eurosh, por ylli i Brazilit tashmë është lidhur me një kalim sensacional në kryeqytetin spanjoll. 26-vjeçari luajti kundër mbajtësve të Ligës së Kampioneve, të mërkurën, por skuadra e tij u rrëzua me një humbje 3-1 të ndeshjes së parë të 1/8 finale të Champions-it. Duke iu drejtuar raporteve të vazhdueshme, pas ndeshjes, Al-Khelaifi tha për “beIN SPORTS”: “Sigurisht, me 100 për qind, Neymar do të jetë lojtar i PSG-së edhe vitin e ardhshëm”. Al-Khelaifi ndjeu se rezultati ishte i padrejtë për PSG-në, duke theksuar gjykimin e kryesorit italian, Gianluca Rocchi. “Rezultati nuk ishte i drejtë, ne luajtëm më mirë në pjesën e dytë dhe patëm shanse për të shënuar, shtoi ai. Mendoj se arbitri i ndihmoi Real Madridit. Megjithatë, do të jetë shumë e vështirë për Real Madridin në Paris”.

Liverpuli drejt kualifikimit

Steven Gerrard u largua i impresionuar nga Mohamed Salah i Liverpul, pas “momentit magjik” të tij kundër Portos, por nuk mendon se është mjaft e drejtë ta krahasojmë atë me Lionel Messin. Liverpul luajti rol të rëndësishëm në ndeshjen e parë të 1/8 finale të Ligës së Kampionëve, duke fituar 5-0. Gerrard mendon se Porto thjesht u mposht nga sulmi i Premier League. “Liverpul ka pasur shumë agresion ndaj Portos. Lojtarët e Klopp dukej sikur mund të shënonin çdo herë që shkonin përpara, tha Gerrard për ‘BT Sport’. Dhe ne kemi parë një moment magjie nga Salah. Sidoqoftë, nuk është e drejtë për ta krahasuar atë me Messin”. Fitorja e së mërkurës mungonte prej një kohe të gjatë për Liverpul, i cili nuk kishte qenë në raundet me eliminim direkt të Ligës së Kampionëve që nga sezoni 2008-2009, kur Gerrard ishte anëtar kryesor i “Reds”. Goli i Salah ishte i 30-ti i tij në të gjitha garat, këtë sezon. Vetëm Harry Kane ka më shumë gola në pesë ligat kryesore europiane se Salah, në këtë edicion.
Liverpul prek me njërën dorë çerekfinalen e Champions League, pasi ka fituar 5-0 në “Dragao” ndaj Porto, një rezultat që e bën ndeshjen e kthimit në “Anfield Road” thjesht një formalitet për ekipin e drejtuar nga Jurgen Klopp. Në mesin e pjesës së parë, Saido Mane realizoi golin e avantazhit për miqtë, duke përfituar edhe nga një reagim i dobët i portierit vendas Jose Sa.
Katër minuta pas golit të parë, Liverpul gjeti të dytin me anë të Mohamed Salah, i cili tregoi momentin e jashtëzakonshëm të formës që po kalon duke shënuar me gjakftohtësi pas një “palexho” të topit me katër kohë. Ky ishte goli numër 30 i Salah për Liverpul në të gjitha veprimtaritë, vetëm 1 gol larg rekordit të Luis Suarez me 31 gola në sezonin 2013/14. Pjesa e dytë vazhdoi me të njëjtën tablo si e para…
Porto u shfaq shumë e dobët për të reaguar ndaj “të kuqve”, ndërsa Liverpul gjeti edhe golin e tretë, sërish me anë të Saido Mane, që tundi rrjetën duke shënuar golin e tretë. Kur kishin mbetur 20 minuta lojë Firmino kompletoi “pokerin” e britanikëve, ndërsa goli i pestë mban sërish firmën e Mane, autor i një “triplete” që vulosi fatet e ndeshjes dhe të kualifikimit.
Pas City, që fitoi 4-0 të martën në fushën e Bazel, Liverpul është një tjetër skuadër nga Premier League që “blindon” kualifikimin që në ndeshjen e parë. Skuadra e Jurgen Klopp ka shënuar 28 gola në këtë edicion të Champions Leauge, më shumë se kushdo tjetër.

Reagon klubi i Skënderbeut: Nuk jemi dënuar nga UEFA, ja e vërteta

Duke marrë shkas nga lajmet më të fundit të publikuara sot në mediat sportive mbi ekzistencën e vendimit të UEFA-s për dënimin e klubit të Skënderbeut, Klubi i futbollit ‘Skënderbeu’ dëshiron te informoje opinionin publik, se nuk ka aktualisht ndonjë vendim të trupave gjykuese, disiplinore të UEFA-s për klubin e Skënderbeut.
Shpjegojmë se dokumenti i publikuar nuk është aspak vendimi përfundimtar, por kërkesa për gjykim e inspektorëve të disiplinës së UEFA-s, drejtuar trupës së apelit, të komisionit të disiplinës dhe etikës në UEFA. Duam të qartësojmë se ky është një apelim i inspektorëve ndaj vendimit të marrë pothuajse dy vite me parë ndaj Skënderbeut në bazë të nenit 34(3) të statutit të UEFA-s dhe jo një çështje e re kundër klubit.
Kjo procedurë është konform nenit 29/3 të kodit të disiplinës së UEFA-s, gjithashtu ju bëjmë me dije se kemi të bëjmë me një çeshtje disiplinore në proces për të cilën nuk është caktuar ende një seancë dëgjimore.
KF Skënderbeu është njohur me kohë me këtë akuzë të inspektorëve të disiplinës.
Sektori juridik i KF Skënderbeu po ndjek proçedurat e nevojshme juridike për çështjen në fjalë dhe shprehim sigurinë tonë që çështja do të mbyllet me sukses.
Faleminderit për mirëkuptimin!
Zyra për shtyp
KF Skënderbeu

“BW” zbulon stilin e vjedhjes së Ramës

Një lapsus i gazetarit të Parlamentit të agjencisë së lajmeve “BW” në raportimin mbi lajmet nga Kuvendi nuk ka kaluar pa vëmendje nga nënkryetari i Parlamentit, Paloka, i cili ka evidentuar edhe gabimin si një “Lapsus mentis”.
“Lapsus mentis i BW per Edvin Ramen. Ne nje shkrim ku komentohet veshja e Rames sot ne Parlament dhe ne disa raste te tjera (kostum zyrtar me atlete tenisi) gazetari i BW ben nje lapsus mentis. Ne vend qe te shkruaj stili i veshjes, shkruan “stili i vjedhjes se kryeministrit”. Kjo per arsyen e thjeshte se mendja, jo vetem e gazetarit, por dhe e cdo shqiptari, e lidh instiktivisht emrin e Rames me vjedhjen…”, shkruan Paloka.

Shkëlzen Berisha përballet në Gjykatë me Ballën: Po fshihet si tualet pas Ramës

Shkëlzen Berisha është përballur me Taulant Ballën dhe çështja i ka kaluar për gjykim Gjykatës së Lartë. “Po fshihet si tualet pas Ramës”, tha Shkëlzen Berisha për Ballën.
Shkëlzen Berisha, djali i ish-Kryeministrit Sali Berisha, ka mbërritur në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku ka dhënë dëshminë e tij për çështjen CEZ. Berisha shoqërohej në Gjykatë nga avokati i tij. Përballë Berishës mësohet se në Gjykatën e Krimeve të Rënda ka dëshmuar dhe Taulant Balla. Berisha ka hyrë në ambientet e Krimeve të Rënda rreth orës 15:00, dhe pak pas tij ka hyrë dhe socialisti Taulant Balla.

Deklarata e Shkëlzen Berishës
Jam këtu për të vendosur drejtësi. Gjykata iu përgjigj kërkesës së prokurorit dhe ia kthen sërish gjykatës së lartë. Kjo është frikë për të vendosur drejtësi. Gjykata e Lartë është institucioni më i lartë dhe një kryeprokuror dhe gjykatës që ka frikë mund të kthejë sërish në gjykatën e Lartë. Balla e ka një damkë si shpifës, dua që të marrë një përgjigje ligjore. CEZ? Kjo është cështje e ndryshme, për të cilën Balla thotë se për tre vite nuk kam paguar asnjë taksë. Unë kam paguar mbi 15 mln lekë taksa. Përsa i përket CEZ është një shashkë dhe kam deklaruar atë që kam deklaruar para jush. Nuk kam lidhje as me privatizimin dhe as CEZ në Shqipëri.
Taulant Balla ka thënë që unë nuk kam paguar asnjë taksë, unë dua transparencë, kam dokumente nga tatimet, kam paguar taksa. Balla është i vetmi kryetar grupi që nuk zbaton vendimin e Apelit si shpifës dhe fshihet pas Ramës dhe nuk paguan detyrimin. Nëse ky vend do të kishte prokurori, Balla do të ishte proceduar. Dosja CEZ? Nuk kam pritshmëri, pasi nuk ka lidhje me privatizimin apo privatizime.
– Po qëndrimi i Prokurorisë, e cila tha se vendimi i mëparshëm i gjykatës së Lartë është i padrejtë, si e gjykoni ju?
Gjykata e Lartë është institucioni më i lartë i këtij vendi kur vjen puna në çështjet e drejtësië dhe vetëm një kryeprokuror, një përfaqësues i kryprokurorit Edi Rama dhe një kryeprokuror ose një gjykatës që ka frikë mund ta kthejë ose ta marrë këtë si argument dhe ta kthejë prapë çështjen në Gjykatën e Lartë.
– Patët një replikë me Ballën, ai deklaroi se kjo çështje është në hetim për të cilën unë akuzohem, ju kërkuat prova aty.
Ju jeni gazetar, keni lidhjet tuaja në prokurori dhe gjykatë, sikundër unë është hera e parë që dëgjoj diçka të tillë. E vërteta është krejt tjetër. E vërteta është se Balla e ka ngritur këtë shpifje gjatë komisionit hetimor parlamentar për këtë arsye është sjellë këtu si shpifës jo për arsye se unë kam dëshirë ti vë një damkë të dytë si shpifës, se ai e ka një damkë si shpifës, por sepse kam dashur që publiku përveç përgjigjes mediatike të marrë një përgjigje ligjore për sa i përket kësaj çështje.

– Keni dëshmuar për CEZ në prokurorinë e Tiranës, keni një koment?
Këto çështje janë të ndryshme, kjo çështje është për shpifjen e Ballës që thotë se unë në 2009-2011 nuk kam paguar asnjë taksë. Unë vetëm në vitet 2009-2010, nuk po flas për 2008, kam paguar mbi 50 milion lekë taksa pa llogaritur taksat e biznesit. Sa i përket prokurorisë kam thënë ato gjëra që kam thënë sa herë kam dalë nga komisioni, kjo është një shashkë politike që nuk përcjell asnjë fakt, asnjë provë. Në zbatim të ligjit unë kam shkuar në prokurori siç kam shkuar para komisionit dhe kam thënë ato që kam deklaruar para jush që asnjë e ardhur e imja, asnjë kontakt i imi nuk ka lidhje as me privatizimin as me aktivitetin e CEZ në Shqipëri.
– Cilat janë pritshmëritë tuaja?
Pritshmëria ime është të dalë e vërteta. Taulant Balla ka dalë dhe ka thënë që unë nuk kam paguar asnjë taksë për tre vite.Unë kam me vete dokumenta nga Tatimet që deklarojnë se vetëm në dy vite kam paguar 50 milion lekë taksa. Unë vi këtu në respekt të ligjit, njeriu që nuk respekton ligji është shpifësi që do të flasë pas meje sepse është i vetmi kryetar grupi parlamentar në Europë që nuk zbaton vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Apelit. Është dënuar si shpifës, është dënuar që duhet të paguajë shpifjen dhe fshihet pas imunitetit, Edi Ramës që e trajtion si tualet dhe nuk paguan detyrimin për shpifje. Nëse ky vend do të kishte prokurori, nëse prokuroria do të kishte sado pak dinjitet duhet ta kishte proceduar penalisht sepse refuzon të zbatojë vendimin e formës së prerë të gjykatës. Nuk kam asnjë pritshmëri përpos së vërtetës.
– Në proces kërkonit dënimin e Ballës apo dëmshpërblim financiar?
Dëmshpërblimi financiar kërkohet në një padi civile por sigurisht ka dhe një kërkesë për dëmshpërblim financiar, kryesisht është dënimi i shpifësit dhe mbi të gjitha transparenca që kjo është shpifje.

Basha me deputetët gjermanë dhe britanikë: Shteti i kapur nga krimi dhe interesat private

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, priti në takime të veçanta raporterin e Grupit Parlamentar CDU/CSU në Bundestag z. Thorsten Frei dhe anëtarët e Parlamentit Britanik, John Whittingdale dhe Martin Vickers.
Deputeti gjerman Frei ishte me mision faktmbledhës për permbushjen nga Shqipëria të 7 kushteve të integrimit, për të cilat do t’i raportojë grupit më të madh parlamentar në Bundestag, CDU/CSU.
Në të dyja takimet temat e bisedimeve u përqendruan tek nevoja jetike e Shqipërisë për të ndarë qeverisjen nga krimi, aleanca me të cilin vazhdon të jetë pengesa kryesore për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.
Kryetari i opozitës theksoi se ashtu sic kontatohet edhe në strategjinë e zgjerimit, kapja e shtetit nga krimi dhe interesat private është sfida më jetike me të cilën përballet Shqipëria. Treguesi më i mirë për këtë është çështja “Tahiri”, dhe qëndrimi që mbajti Rama duke rrëzuar kërkesën e prokurorisë dhe mbrojtur Tahirin me imunitet duke e kthyer Kuvendin në Gjykatë.
Ai u shpreh se kanabizimi i vendit ndodhi me dijeninë dhe mbështetjen e plotë të kryeministrit dhe instancave më të larta qeveritare të cilët kanë bashkëpunuar me organizatat kriminale në këmbim të parave dhe ndërhyrjes së tyre në zgjedhje.
Për të mbrojtur pushtetin e tij, theksoi kryetari i opozitës Basha, kryeministri po përqendron të gjithë pushtetin dhe vendimmarrjen dike shkelur Kushtetutën dhe ligjet dhe duke uzurpuar çdo institucion, përfshirë Prokurorinë, Gjykatat dhe Reformën ne Drejtësi.
Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se krimi i organizuar me mbështetje qeveritare, përveç investimit në zgjedhje po kap sektorë jetikë të ekonomisë.
Basha tha se eksodi i shqiptarëve është pasojë direkte e krizës ku e ka zhytur vendin aleanca e qeverisë me krimin. Pseudo -stabiliteti i bazuar në bashkqeverisjen me krimin nuk është real dhe si i tillë nuk mund të zgjasë.
Kreu i opozitës rikonfirmoi qëndrimin e opozitës për krijimin e një qeverie antimafia si hap i domosdoshëm për të zgjidhur krizën dhe për të rikthyer procesin politik përmes reformës zgjedhore dhe zgjedhjeve demokratike.
Kryetari Lulzim Basha siguroi bashkëbiseduesit se Partia Demokratike mbështet plotësisht hapjen e negociatave, duke e konsideruar këtë hap si kontribues në monitorimin e qeverisë, e cila është përgjegjëse për mospërmbushjen e kushteve të integrimit.

Shehi: Rama, një klysh komunisti, më merrte në telefon dhe më pyeste…

Deputeti demokrat Dashamir Shehi i ka dhënë sërish sot një përgjigje batutave të kryeministrit Rama për qofte dhe raki.
Në fjalën e tij Shehi dha sqarime se pse ai ishte kundër investimeve turke, duke theksuar faktin se ky është një shtet që po shkon drejt autoritarizmit.
“Pse jam kundër investimeve turke? Është e tepruar dhe çdo ndërhyrje tjetër është në dëm të Shqipërisë. E di pse e them këtë? I kemi te bankat, porti, tani do i kemi dhe te aeroporti, i kemi te energjia, i kemi te arsimi, që i kishim deri dje, i kemi te telekomunikacioni për të cilën folëm dje.
Këtu edhe dy kompani që ishin perëndimore, gjermanët e aeroportit dhe kanadezët, i përzumë dhe i zëvendësuam me kinezë a indonezianë a çfarë janë, se nuk i kemi parë ndonjëherë.
Kthimi i kokës mbrapa nuk i shërben këtij vendi, është një tezë shumë e madhe, do përplaseni këtu në të ardhmen. Kjo nuk i shërben Shqipërisë, Turqia është shtet autoritarist. Por kjo është punë për to, po vesh gratë me ferexhe, e që nuk bën zgjedhje të lira është punë për ta. Turqia që lidhet me Rusinë dhe Sirinë, është punë për ne, se duam të shohim drejt perëndimit.
Ku nuk ka asnjë lidhje me perëndimin, është turp që na qeveris ky njeri. Le të thojë për mua që ha groshë e plënc, mjafton që ti shërbej mirë vendit tim. Baba im ka mbaruar në Torino dhe jo në Rusi ku ka mbaruar baba e tij. Vijnë edhe na japin leksione këta klysh komunistësh.
Nëse është këtu për batuta plënc e raki, unë e lë mbrapa ata, 200 vjet, se është nxënësi im. Më merrte në telefon dhe më pyeste. Por këtu jemi për punët e Shqipërisë. I qëndroj kësaj linje, besoj se i shërbej vendit tim, ju bëni çtë doni për ato punët e stomakut”, u shpreh Shehi në Kuvend.

Debati mes tyre lindi disa javë më parë, kur Shehi shprehur shqetësimin lidhur me investimet turke të shtuara kohët ë fundit në Shqipëri. Por, pas këtij reagim, një javë më parë, kryeministri Edi Rama e sulmoi ashpër Shehin, duke e cilësuar atë si një pijanec, që ha plënca dhe grosh.
Ndërsa, ditën e sotme deputetit i PD-së thotë se Rama është një kryeministër autoritar dhe karagjoz, ndërsa ka shtuar se është turku i vetëm që ka mbetur në këmbë.
“Nuk kam qenë këtu kryeministri jonë i nderuar është shprehur këtu për një sërë gjërash kundër meje. Me një inat dhe një paudhësi të pa dëgjuar më parë dhe dua t’ia shpjegoj se nga i vjen kjo. Unë kam kundërshtuar aeroportin në Vlorë se është puro korruptive, por sepse është një prezencë turke e ekzagjeruar. Prezenca në sektorët strategjik është shumë e ekzagjeruar dhe nuk tërhiqem këtu, i kemi tek bankat, i kemi tek arsimi, i kemi tek telekomunacioni, të gjitha këto ja kemi lënë nga një copë miqve tanë turq. Këtu dy kompani perëndimore që ishin i përzumë. Kthimi mbrapa tek perandoria otomane është një gjë shumë e gabuar. Turqia sot është një shtet me autoritar por kjo është punë për to.

Kryeministri e blen dhe e shet Shqipërinë si intereson atij dhe ka kurajo të tallet me çdo lloj kolegu se mendon ndryshe. Ka frikë se i marrin flamurin e oksidentalizimit, pasi vetëm ky me atlete të bardha ka të drejtë për të shkuar në Evropë, ne të tjerët jemi turkoshak. Ne hajmë plonca, hajmë grosh, ndërsa ky ha havjar ky aristokrati.
Kryeministër autoritar dhe karagjoz, është turku i vetëm që ka mbetur në këtë komb. Këta janë thjeshtë këlushët e komunizmit, nuk e duan Shqipërinë, të gjithë ata që janë kundër janë turkoshak. Nëse është për batuta unë ate e lje mbrapa, është nxënësi im për këtë punë, të më arr dhe në telefon për të më pyet”, tha Shehi.

Vendimi ekstrem, UEFA përjashton Skënderbeun për 10 vite nga kompeticionet europiane, përse hetohej?

UEFA ka marrë vendimin ekstrem për përjashtimin e Skënderbeut për 10 vite nga kompeticionet europiane për trukim të ndeshjeve.
Përse hetohej Skënderbeu
Me eliminimin nga Liga e Kampionëve, për Skënderbeun vazhdojnë lajmet e hidhura. UEFA ka vendosur që ta hetojë për fiksim rezultati në ndeshjen e dytë ndaj skuadrës nga Irlanda e Veriut, Krusaders dhe atë në Zagreb ndaj Dinamos.
Gjigantja spanjolle “El Pais” shkruan se më 21 korrik të këtij viti, Skënderbeu ka ndeshjen e dytë me Crusaders, të cilën e humbi me rezultatin 2-1.
Sipas kësaj gazete, ka prova serioze që Skënderbeu e la ndeshjen. Për herë të parë në histori, një skuadër shqiptare arrin që të kualifikohet në një kompeticion europian.
Por ky sukses ka edhe nanë e errët. “Federbet”, një shoqatë kundër fiksimit të rezultateve në futboll, ka vënë re diçka të pazakontë në dy ndeshje të Skënderbeut.
Ajo ka analizuar koficientët dhe fluksin e basteve për Skënderbeun. Në ndeshjen e dytë ndaj Crusaders, thuhet se pati një fluks bastesh para minutës 78-të, kur ndeshja ishte 1-0 për Skënderbeun.
Pas asaj minute, Skënderbeu pësoi dy gola dhe u mposht. Por megjithatë kaloi raundin, për shkak se fitoi ndeshjen e parë 4-1.

Fluksi i Basteve
Kur ndeshja ishte 1-0 për Skënderbeun, kompanitë e basteve nisën të merrnin shumë baste se Skënderbeu do të shënonte një gol tjetër, kjo bëri që të uleshin kofiecientët për Skënderbeun dhe të ngriheshin ato për Crusaders.
Mirëpo pas minutës së 78, pati një dyndje bastesh për Crusaders që shënonte edhe dy gola. Dhe ajo ndodhi. Skënderbeu e la thuajse lojën dhe Crusaders shënoi dy gola.
Pas kësaj ndeshjeje, Skënderbeu u përball me Milsamin nga Moldavia. Pasi eliminuan Milsamin u përballën me Dinamon e Zagrebit ku i humbën të dyja ndeshjet, 2-1 dhe 5-1.
Në ndeshjen e dytë, Dinamo luajti më shumë se 40 minuta me një lojtar më pak dhe ishte logjike që të mbronte rezultatin. Mirëpo, koficientët për Dinamon, në vend që të rriteshin, u ulën që të shënonte sërish.
Kjo ngjall dyshime se Skënderbeu ka lënë edhe ndeshjen në Zagreb. Vetë UEFA, e kontaktuar nga “El Pais” nuk ka preferuar të komentojë lidhur me hetimet.
Por ka thënë se Crusaders dhe Dinamo e Zagrebit, janë jashtë çdo hetimi për fiksim rezultati. Kjo do të thotë se Skënderbeu është në listë.

Kujt i trembet? 315 paramilitarë ruajnë Ramën tek vila në Surrel, ja si ushqehen

Berisha deklaroi në Parlament se është një batalion me ushtarë që e ruajnë Ramën në vilën e tij në Surrel dhe numri i tyre arrin në 315 persona. Berisha paralajmëroi se kishte edhe foto se si ushqehen në stola se nuk kanë vende ku të rrinë. Fotoja është ilustrimi më i mirë i asaj çfarë ndodh me Ramën, i cili duket jo pak i trembur nga mëkatet e shumta.
“Po kush ta ndërtoi Surrelin ty? Me çfarë paresh e ndërtove Surrelin? E dini që janë 315 gardistë të angazhuar për të ruajtur fshatin Surrel? A e dini se si hajnë të shkretët? Hajnë në stola, s’kanë ku rrinë por vetë jeton në saraje ky. Vetëm xhami tavanit i ka kushtuar 170 mijë euro se është super-special. 70 mijë euro ka bërë vetëm pigmenti i bojës së vilës. Një batalion policie ruan rrugën nga Surreli deri në Kryeministri. Se burrë më frikacak bota ska më të madh se këtë. E patë vetë që u fut në vrimën e miut. Ndaj lëri ato, s’mund të gënjesh t’i artistët. Aty ke parashikuar kullën 45 katëshe. Ke parashikuar të marrësh për vete nja 4-5 kate të mira njëherë. Po lufton dhe ndrikulla të marrë diçka, siç thonë qytetarët”, u shpreh Berisha në Parlament.

73 vjet më parë, kryengritja e Prek Calit që luftoi me pushkë Enver Hoxhën dhe partizanët jugosllavë

Nga Kastriot Dervishi

Në mesin e nëntorit 1944, pra dy javë para se komunistët të hynin në Shkodër, partizanët jugosllavë të ardhur nga Kolashini sulmuan Vermoshin. Vodhën pasurinë e shqiptarëve.
Vetëm Prek Calit i morën një mall me vlerë prej 20 mijë napolonash flori. Malësorët nuk patën mundësi të reagonin ndaj këtij sulmi, por u bënë gati që në vijim sulmuesit me yll të kuq nga brenda apo jashtë kufirit t’i prisnin me pushkë.
Më 28.11.1944 batalioni i 1-rë i brigadës së 1-rë pasi parakaloi para Enver Hoxhës në Tiranë, u drejtua për ekspedita ndëshkimore në Prefekturën e Shkodrës, duke nisur së pari nga Nënprefektura e Mirditës. Më 11.11.1945 ky batalion u gjend në Shkodër.
Sipas historikut të brigadës së 1-rë, qëllimi i udhëtimit në Kelmend ishte “spastrimi nga reaksionarët” dhe “ngritja e këshillave nacionalçlirimtare”. Siç edhe dihet Dushan Mugosha e Miladin Popoviçi nuk e shtrinë dot pushtetin e tyre në pjesën më të madhe të veriut të vendit. Kjo “punë” ngeli pas lufte. Çdo përpjekje e popullsisë vendase ka qenë vetëmbrojtje ndaj një bande gjakatare që përpiqej të vendoste pushtetin e saj.
Më 10.1.1945 afër kishës së Kastratit u zhvilluan luftime midis komunistëve e malësorëve vendas. Këtu nisi në fakt qëndresa që përfundoi me arrestimin e Prek Calit më 16.2.1945.

Në vijim, më 13.1.1945 në Kalcë u mbajt kuvendi i burrave të Kelmendit i kryesuar nga Prek Cali. Teksa po diskutohej çfarë duhej të bënin përballë rrezikut që i kanosej prej komunistëve, një gjyle e partizanëve ra afër vendit ku po bëhej kuvendi. Kjo gjyle dhe të tjerat pas saj, vulosën vendimin e malësorëve se qëndresa ndaj komunistëve ishte e pashmangshme.
Forcat e batalionit të 1-rë me një eufori të pazakontë u nisën drejt veriut me dëshirën për t’i dhënë një ndëshkim të mirë banorëve të Kelmendit që normalisht e urrenin komunizmin.
Në afërsi të urës së Tamarës forcat komuniste hasën në qëndresën e banorëve. U zhvilluan luftime për rreth 10 orë, nga ora 6.00 deri në orën 16.00. Në përfundim u vranë 13 komunistë, me 2 vdiqën nga i ftohti, ndërsa mbeturinat e batalionit kaluan në Jugosllavi te aleatët e vet.
Nisur nga humbjet që pësuar në aventurën e tyre terroriste, komunistët organizuan dy operacione kundër popullsisë civile, sipas këtyre datave: 14 – 31 janar 1945/ 1 – 16 shkurt 1945.

Operacioni i parë përfundoi me humbjen e komunistëve dhe sprapsjen e tyre. Operacioni i dytë është quajtur “spastrimi”. Operacioni mbi veriun e vendit kishte karakter thellësisht antikombëtar. Persona të armatosur, kryesisht kontingjente të botës së krimit, shkonin në operacione duke kënduar: “Luaje, luaje goce këmbënë; t’ia q…gegës mëmënë”.
Më 26.1.1945 mbërriti në Shkodër, Mehmet Shehu. Ai urdhëroi menjëherë që terrori të niste nga qyteti. Duke njohur rëndësinë dhe natyrën e papërkulur të Shkodrës, Shehu “bllokoi” qytetin nga 29 janari deri më 2 shkurt 1945, duke arrestuar 168 persona, duke krijuar një gjendje të paparë ndonjëherë. Mehmet Shehu i shkruante Enver Hoxhës se Ferit Radovicka me tre batalione do marshonte nga Jugosllavia e do dilte në Vermosh për të goditur “armikun” pas shpine nga veriu. Ndreko Rino me dy batalione do sulmonte në drejtimin Bogë-Okël për të dhënë goditjen nga lindja. Ndërsa Abaz Fejzo me katër batalione do sulmonte nga Broja. Operacioni do zhvillohej në trekëndëshin Bunë-Drin-Shëngjin. Kundër popullsisë civile u përdorën edhe topat e batalionit “Antonio Gramshi”.
Qëndresa e popullit të Malësisë mori fund ditën e arrestimit të Prek Calit më 16.2.1945. Ky i fundit ishte në fortesën e fundit në shpellën e Vuklit së bashku me disa burra të tjerë. Qëndroi në kushte të vështira për 7 ditë. Partizanët nuk e mundën dot Prek Calin, pavarësisht se kishin forca të shumta ushtarake. Cali pranoi të dalë nga shpella në “besë” të Abaz Fejzos.

“Nacionalçlirimtarët”, si forcë antikombëtare morën edhe masa të tjera që renditen si krime ekonomike e sociale. Ata dogjën 34 shtëpi në Vermosh, Nikël, Vukël e Rahovicë; konfiskuan 80 kokë lopë, 315 dhen, 35 barrë bereqet. Ushtria “çlirimtare” si mishngrënëse e paparë gjatë ushtrimit të gjenocidit të saj, hëngri aty 225 krerë bagëti.
Komunistët patën 39 të vrarë dhe 48 të plagosur (prej tyre 30 të vrarë dhe 48 të plagosur ishin të brigadës së parë). Ndërsa popullsia vendase pati 44 të vrarë dhe 21 të plagosur. 19 familje u internuan e përfunduan më pas në kampin e Beratit.
Prek Cali u gjykua në një proces të Gjyqit Ushtarak të Korparmatës së 3-të në Shkodër, ku u dënuan 25 persona. Në gjyq Cali deklaroi se “partizanët janë njerëz të këqij, të djegin, vrasin dhe janë njerëz pa fe”.
Me vendimin nr.42, datë 3.3.1945, gjykata komuniste ndër të tjerë, deklaroi fajtorë dhe dënoi 70-vjeçarët Prek Calin dhe Ded Lulash Smaili me vdekje. Prek Cali dhe 8 të dënuar të tjerë janë ekzekutuar nga brigada e 2-të të Mbrojtjes së Popullit në Shkodër.
Kujtimi i veprës së Prek Calit e burrave të malësisë, u kujtua për herë të parë në vitin 1992, në një ceremoni të zhvilluar në alpet shqiptare të cilën e nderoi edhe pjesëmarrja e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Rajërson.