24.5 C
Tirana
E diel, 4 Maj, 2025

Veriu paralizohet nga dëbora, Jugu në rrezik nga përmbytjet

Reshjet e dendura të shiut si edhe reshjet e dëborës në zonat veriore dhe Juglindje të vendit, kanë sjellë edhe bllokim të rrugëve. Në shumë akse rrugore kalimi është i mundur vetëm me zinxhirë, ndërsa disa rrugë janë të bllokuara. Situata më e vështirë paraqitet në Pukë, ku reshjet e dendura të dëborës kanë sjellë bllokim të akseve kryesore. Në Qafë Mali trashësia e dëborës ka arritur 40 cm, ndërsa këshillohet evitimi i këtij aksi.
Në Shkodër u bllokua aksi Shkodër-Theth dhe Shkodër-Breg Lumi. Disa akse në Veri dhe Verilindje janë të kalueshme me zinxhirë. Lartësia e borës në aksin Tunel-Kalimash është 20 cm, por rruga është e kalueshme dhe borëpastrueset janë në punë.
Aksi rrugor Librazhd-Bulqizë, është i pakalueshëm, segmenti Shkalla e Lunikut-Steblevë është i bllokuar nga reshjet e shumta të dëborës. Trashësia në Steblevë ka arritur rreth 50 cm. Nga ana tjetër në zonën e Dibrës vijojnë që të jenë izoluara zonat si Trebisht, Lurë, Kala e Dodës, Ostren dhe Selishtë, ndërsa trashësia e dëborës ka arritur në 70 centimetra.
Por jo vetëm në Dibër, edhe në Theth dhe zona të tjera të thella në Dukagjin ka probleme me qarkullimin nga dëbora. Në Pukë, si pasojë e reshjeve të dëborës është bllokuar rruga në fshatin Iballë. Ka probleme në aksin rrugor Pukë–Fushë Arrëz. Banorët kërkojnë ndërhyrjen e mjeteve të ARRSH për zhbllokimin e rrugës ku në segmente të caktuara trashësia i kalon 40 cm.

Vijojnë që të jenë të izoluara zonat si Trebisht, Lurë, Kala e Dodës, Ostren dhe Selishtë, ndërsa trashësia e dëborës ka arritur në 70 centimetra.
Përpos këtyre zonave, është bllokuar edhe Dogana e Trebishtit nga rrëshkitja e dherave në rrugë. Kjo doganë lidh zonën e Gollobordës me Maqedoninë. Por jo vetëm në Dibër, edhe në Theth dhe zona të tjera të thella në Dukagjin ka probleme me qarkullimin nga dëbora. Trashësia e borës në majën e Qafës së Thanës ka shkuar në 30 cm.
Në zonat qendrore nuk janë raportuar probleme të mëdha, përveç reshjeve të vazhdueshme të shiut përgjatë gjithë ditës. Temperaturat janë në rënie, ndërsa situata pritet të vazhdojë edhe për disa ditë të tjera.
Si pasojë e motit të rënduar, disa fshatra kanë mbetur pa energji elektrike në zonën e Devollit dhe në rrethin e Pogradecit. Në Steblevë të Librazhdit bora arrin 70 cm, ndërsa në fshatin Jagodinë të Elbasanit u përmbytën 30 ha tokë bujqësore nga përroi i Llixhës.
Nga reshjet shumë të dendura të rëna gjatë mesditës në qytetin e Vlorës ka pasur rritje të nivelit të ujit në disa rrugë. Në zonën e Dukat-Orikumit të gjitha familjet të cilat kanë banesat afër lumit të Izvorit, janë paralajmëruar që të marrin masat për largim.

Dëmtimet në argjinaturën e Mifolit kanë alarmuar vendorët. Ata kanë frikë se në Novoselë mund të kthehen sërish përmbytjet. Kamionet me inerte po shkarkohen për të siguruar argjinaturën. Dëmet më të fundit në Mifol kanë rikthyer frikën e përmbytjeve në Vlorë. Pasi uji vërshoi për qytet dhe në të gjitha rrugët lidhëse me bulevardin, problematike mbetet Novosela.
Dobësimi i agjinaturës së Mifolit ka alarmuar vendorët. Kreu i Shtabit të Emergjencave Civile, prefekti Flamur Mamaj, tha se zona do të mbikqyret, pasi nëse dëmtohet agjinatura përmbytjes nuk i shpëton as Vlora.
E qetë prezantohet edhe situata në Orikum dhe Selenicë, ku erozioni ka prekur fshatin Kropisht, por pa shënuar probleme serioze. Në vitin 2015, në këtë vend është çarë argjinatura e Lagunës së Nartës dhe uji përmbyti shtëpitë e banorëve të Nartës. Ndaj, autoritetet dhe banorët janë angazhuar në përforcimin e argjinaturës me gurë për t’i bërë pritë prurjeve të Vjosës.

“Teatri do të shembet vetëm kur të kaloni mbi trupat tanë”!

Të martën në mbrëmje, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro është përballur me artistët në emisionin “Top Show” përballë artistëve të skenës Arben Derhemi, Altin Basha, Genc Fuga, Gëzim Kame dhe Robert Budina. Kumbaro u shpreh qartë se, Teatri Kombëtar do të shembet për të ndërtuar një tjetër më dinjitoz, projekti itë cilit po studiohet.
“Në këtë truall do të ndërtohet një teatër kombëtar dinjitoz. Në këtë truall të bëhet ky Teatër. Këtë nuk e kam fshehur. Më lejoni ta them dhe e regjistroni. Ideja jonë është që të ndërtohet një Teatër i mirëfilltë Kombëtar në këtë zonë. Në bashkëpunim me kryetarin e Bashkisë kemi folur edhe për ndërtimin e disa institucioneve kulturore. Ne i kemi kërkuar kryetarit të Bashkisë që të parashikojë në të njëjtin truall një projekt për Teatër Kombëtar. Nuk ka ende një projekt. Është çdo gjë duke u diskutuar për projektin dhe anën financiare”, u shpreh ajo.
Aktori Arben Derhemi tha se trupa e artistëve nuk do të lejojë zhvendosjen e Teatrit Kombëtar dhe se një gjë e tillë ndodh vetëm po të kalohet mbi trupat e tyre. “Ne do të dalim nga ai Teatër kur të kaloni mbi trupat tanë”, tha Derhemi.

Artistët tek Avokati i Popullit: Të ndalet arroganca qeveritare

Artistët kanë zhvilluar sot një takim me Avokatin e Popullit, lidhur me debatin e gjerë për zhvendosjen e Teatrit Kombëtar. Regjisori Kastriot Çipi deklaroi se kjo është kthyer në një mollë sherri prej 20 vitesh dhe tipike, sipas tij, është se Ministria e Kulturës nuk ka dashur asnjëherë të dëgjojë zërin e komunitetit.
“Çështja e dytë përveç këtij ligji, është ndërtesa e Teatrit Kombëtar, një mollë sherri prej 20 vitesh. Historia është e gjatë, e dhimbshme, tipike është se ministria nuk ka dashur asnjëherë të dëgjojë zërin e komunitetit. Askush nga ne nuk thotë që, ndërtesa të mbetet ashtu siç është. Diskutimi është a duam të kemi një histori apo jo, një qytet me histori apo pa histori. Urbanistë, arkitektë, po shprehin shqetësim për arrogancën e ministrisë”, tha Çipi.
Nga ana e saj, Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, tha se nuk ka kaluar ende faza e konsultimit dhe se zëri i artistëve do të dëgjohet edhe në fazat e tjera. “Nga pikëpamja ime, së pari, nëse ka pasur apo nuk ka pasur konsultim me grupin e interesit për ligjin është çështje e parashikuar dhe duhet të ketë. Ju duhet të paraqisni idetë tuaja dhe jo domosdoshmërisht duhet të pranohen, por konsultimi duhet që të kryhet. Kjo fazë nuk ka kaluar. Presioni nuk është gjë e keqe. Zëri juaj do të dëgjohet edhe në faza të tjera. Duhet para se çfarë ndryshon te ligji. E vetmja gjë që duket se ka impakt dhe është e paqartë është fakti i mundësisë për lirimin para përfundimit të mandatit”, sqaroi Ballanca.

 

Ekzekutohet me armë një person në mes të Tiranës

Një burrë rreth 50 vjeç është vrarë me armë me silenciator mbrëmjen e djeshme në qendër të Tiranës. Trupi i viktimës është gjetur nga qytetarët në trotuarin e rrugës “Nikolla Tupe” në zonën e ish-Bllokut i mbuluar nga gjaku. Dyshohet që ky person të jetë vrarë me silenciator. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe pritet të japë detaje të reja në vijim.
Policia ka shkuar në vendngjarje ka konstatuar shenja plumbash dhe gjaku në trupin e viktimës. Dyshohet se atentatorët kanë qëlluar nga një makinë tip ‘BMË’ e zezë, ndërsa më pas janë larguar. Policia nuk ka mundur të zbulojë autorët e krimit.
Krimi bën ligjin në të gjithë vendin, ndërsa policia është e pafatë të vendosë rendin. Vetëm ditën e djeshme ndodhën dy grabitje me maska. Një banesë në Kuçovë, ku jetojnë një çift të moshuarish, ka rënë pre e një grabitje orët e para të mëngjesit. Nën kërcënimin e thikës, ata kanë marrë një shumë monetare, që sipas kallëzimit në komisariat të M.K., janë rreth 300 mijë lekë. I moshuari ka thënë në dëshminë e tij se janë kërcënuar me jetë për t’i dhënë paratë që kishte në banesë.
Ndërkohë, në katër minuta u grabitën dy kasaforta, në orët e para të mëngjesit në Rrëshen. Zyrat postare në qytetin e Rrëshenit janë grabitur në orët e para të ditës së djeshme rreth orës 04:00. Pavarësisht se rojet e sigurisë kanë mbërritur shumë shpejt, nga zyrat janë marrë dy kasaforta që janë ngarkuar në një automjet nga katër grabitës. Policia në asnjë rast nuk ka mundur të arrestojë autorët.

21-vjeçarja vdes në derën e spitalit, familjarët akuzojnë mjekët

Një 21-vjeçare ka ndërruar jetë në derë të Spitalit të Fierit ditën e hënë, ku sipas familjarëve ishte paraqitur tre herë në harkun e pak orëve me shqetësime të theksuara shëndetësore, por është trajtuar si e prekur nga virozat. Viktima është Xhuljeta Gjeka, nga fshati Mujalli i Fierit.
Xhuljeta Xheka është paraqitur në spital me temperaturë të ulët, ndërsa mjekët e Fierit kanë dyshuar se ishte prekur nga ndonjë virozë e stinës.
Vajzës i është bërë një serum e më pas është përcjellë drejt banesës, por gjendja e saj ka ardhur dhe është përkeqësuar. Familjarët e kanë nisur sërish drejt spitalit, por për të renë ka qenë tepër vonë. Ndërsa familjarët kanë ngritur akuza të rënda për mjekët, pritet që autopsia të nxjerrë edhe shkaqet e vdekjes së papritur të vajzës së re. Për rastin në fjalë, Policia e Fierit është shprehur se vdekja e së resë ka ardhur për shkaqe natyrale.
Pilo dhe Altin Gjeka, gjyshi dhe babai i vajzës, tregojnë se herën e parë e kanë dërguar vajzën në spital me temperaturë të ulët të dielën, por mjekët e kanë lejuar të largohet drejt banesës, pasi i kanë bërë një serum. Por gjendja e 21-vjeçares është përkeqësuar në vijim dhe ajo është dërguar sërish drejt Spitalit të Fierit, por këtë herë ka qenë vonë.

Gjyshi i 21-vjeçares:Në orën 3:30 na dha recetë mora dhe ilaçet erdha në shtëpi, çështje gripale më thanë. E mbajtëm çupën me të ngrohta në orën 3 të natës vetë në spital. Këtu ishte më e keqja. Çupa mua më ka vdekur tek porta e spitalit, sepse nuk doli një njeri të më sillte një barelë. Kam bërtitur “o maskarenj” ndofta gabova, më ra çupa nga duart.
Por ndërsa familja Gjeka hedh akuza të forta për neglizhencë ndaj mjekëve të urgjencësës, kartelat e trajtimit të vajzës po verifikohet nga një grup pune nga Spitali Rajonal i Fierit dhe Prokuroria lokale.
Babai i 21-vjeçares: Vajza ime ka ikur nga doktorët vëlla, nga neglizhenca e doktorëve.
Drejtorja e Spitalit të Fierit, Nevila Shuke, tha se krahas verifikimeve të procedurës së ndjekur, do të pritet ekspertiza për shkakun e vdekjes së 21-vjeçares.
Por ndërsa ekspertiza Mjekoligjore dhe Prokuroria ende nuk e kanë thënë fjalën e tyre, Policia e Fierit në një njoftim paraprak për vdekjen e të resë flet për shkaqe natyrale. Ora News u interesua për rastin edhe në Ministrinë e Shëndetësisë ku na thanë se do të priten rezultatet e verifikimit për trajtimin e rastit.

 

“Lekët ose iu therëm”, grabitet me maska dhe thika banesa

Një banesë në Kuçovë, ku jetojnë një çift të moshuarish, ka rënë pre e një grabitje orët e para të mëngjesit. Sipas një rindërtimi paraprak të ngjarjes nga policia lokale, gjatë natës, dy persona të maskuar kanë hyrë në banesën private të M.K. nga një dritare. Nën kërcënimin e thikës, ata kanë marrë një shumë monetare, që sipas kallëzimit në komisariat të M.K., janë rreth 30.000 lekë (të reja).
I moshuari ka thënë në dëshminë e tij se janë kërcënuar me jetë për t’i dhënë paratë që kishte në banesë. Burime thanë se deri më tani, policia ka shoqëruar 6 persona në ambientet e komisariatit për t’u pyetur lidhur me ngjarjen. Po vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve, njofton zyrtarisht Policia.
Ndërkohë, në katër minuta grabiten dy kasaforta, të cilat në orët e para të mëngjesit janë gjetur në afërsi të Milotit. Zyrat postare në qytetin e Rrëshenit janë grabitur në orët e para të ditës së djeshme rreth orës 04:00. Pavarësisht se rojet e sigurisë kanë mbërritur shumë shpejt, nga zyrat janë marrë dy kasaforta që janë ngarkuar në një automjet nga katër grabitës.
Nga verifikimi i kamerave të sigurisë rezulton se grabitja ka zgjatur rreth 4-5 minuta. Grabitësit kanë shtrembëruar kamerën e jashtme të sigurisë, ndërsa kanë përdorur mjete të forta për të hyrë në ambientet e postës dhe prej aty kanë marrë dy kasaforta të lëvizshme. Brenda tyre nuk ka pasur vlera parash. Grabitësit i kanë hedhur kasafortat në afërsi të Milotit, pasi kanë parë që nuk u vlejnë dhe mund të identifikoheshin.

105 kg drogë në makinë nga Shqipëria në Itali

 

Policia e qytetit të Bolonjës ka arrestuar shtetasin shqiptar Rinardi Haxhiaj 35 vjeç me akuzën e trafikut të drogës së tipit marijuanë. 35-vjeçari shqiptar u arrestua në flagrancë në automjetin e tij ku u gjetën rreth 105 kg marijuanë e konfeksionuar në pako. Në banesën e shqiptarit u sekuestruan rreth 5400 euro cash si dhe materiale që përdoren për konfeksionimin e drogës.
Arrestimi i shqiptarit është fryt i operacionit të disa ditëve më parë i koduar “Rexton”, i cili çoi në shkatërrimin e dy grupeve trafikantësh shqiptarë dhe marokenë që trafikonin drogë në rajonin e Emilia Romagnës, në Lazio e në qytetin e Bolognas.
Një tjetër operacion i suksesshëm i policisë italiane ka çuar në sekuestrimin e një sasie të madhe marijuane dhe në vënien nën pranga të një trafikanti shqiptar. Gjatë ditës së djeshme, policia italiane e qytetit të Riminit ka arrestuar një 52-vjeçar shqiptar me akuzën e trafikut të drogës.
Në makinën e tij u sekuestruan 65 kg marijuanë e konfeksionuar në 49 pako. Vlera e drogës do të sillte një përfitim prej 700 mijë euro. Shtetasi shqiptar banues prej vitesh në Rimini u ndalua pranë daljes së autostradës Rimini Sud. Ai ishte i skeduar më parë nga autoritetet italiane për veprën penale të trafikut të drogës.

 

Asqeriu-Kumbaros: Investoni zonja ministre, lëri fjalët. Nuk bëhet me pordhë por me lekë, Teatri po vdes

Debati i Bujar Asqeriut me ministren e Kulturës për Teatrin
Ktheje kokën nga teatri, pasi po vdes. Shikoni se çfarë ndodh me teatrot në rrethe, kanë vdekur. Kam shkuar në Shkodër, Fier, Sarandë dhe gjendja ka qenë skandaloze. E dini ju zonja ministre që në Fier, ujin për të larë fytyrën aktorët e merrnin nga një lokal afër me llastik? Më thoni ju zonja ministre pse studentët e talentuar që përfundojnë aktrimin nuk kthehen në rrethe? Sepse teatrot kanë vdekur”, iu drejtua Asqeriu ministres Kumbaro.
Në vijim aktori i madh, i tha Kumbaros se për 3 vjet del në pension dhe fanellën e tij mund ta varnin në Teatrin Kombëtar, por gjendja në të cilën ndodhet ai, është e turpshme.
“E dini ju zonja ministre që artistët lahen me ujë të ftohtë? E dini ju zonja ministre që nuk ka asnjë kusht? Investoni zonja ministre! Unë jam rritur jetim që 13 vjeç dhe e kam çarë vetë jetën, nuk kam frikë askënd, por më dhimbset gjendja në të cilën sot ndodhet Teatri Kombëtar”, i tha Asqeriu, Kumbaros.
Disa herë ministrja e Kulturës tentoi të hidhte batuta në drejtim të revoltës së shprehur nga Bujar Asqeriu, por aktori i njohur i tha: “unë jam ky që jam, jam i vërteti, po më pranuat mirë, nëse jo është çështja juaj”.

Grindjet në mort:
Bujar Asqeriu: Teatri ka vdekur dhe këta nuk duan. Le t’i bëjmë qejfin njëri-tjetrin, le të bëjmë teatrin. Në shfaqjet tona lahemi me ujë të ftohtë.
Tan Imami-Asqeriut: Ishte një banjo e prishur, u rregullua. Tani ti ça do më?
Asqeriu-Imamit: Ti je artist, nuk duhet të merresh me banjon. E kupton ku je? Lere zotëri..
Asqeriu-Kumbaros: Investoni zonja ministre, lëri fjalët. Nuk bëhet me pordhë por me lekë. Duhet të marrësh iniciativa dhe të mbrosh teatrin.

Bie pazari i Ramës me Greqinë, Manjani: Negociatat për detin do ti drejtojë Presidenti, jo qeveria

Ylli Manjani në profilin e tij në Facebook ka reaguar në lidhje me negociatat që po bën qeveria shqiptare me Greqinë.
Manjani në statusin e tij është shprehur: Ka një keqkuptim të madh me kërkesën e qeverisë për Plotfuqishmëri, që kërkon nga Presidenti i Republikës për të negocuar e nënshkruar marrëveshjen e kufirit detar me Greqinë.

Statusi i plotë:
Një sqarim kushtetues.
Ka një keqkuptim të madh me kërkesën e qeverisë për Plotfuqishmëri, që kërkon nga Presidenti i Republikës për të negocuar e nënshkruar marrëveshjen e kufirit detar me Greqinë.
Sipas Gjykatës Kushtetuese me numër 15 i datës 15.04.2010, vendim i cili është pjesë e Kushtetutës, Presidenti në këtë rast nuk lëshon thjesht një autorizim dhe rri e pret!
Jo!
Presidenti i Republikës i drejton në themel negociatat, natyrisht nëpërmjet negociatorëve zyrtarë që Ai cakton! Padyshim edhe me negociatorë të propozua nga Qeveria!
Kërkohet të lidhet një marrëveshje ndërshtetërore me natyrë politike, ndaj Gjykata Kushtetuese, pra Kushtetuta, ka mandatuar Presidentin ta drejtojë këtë proces.
Pa dyshim Qeveria nuk përjashtohet, por ajo duhet thjesht në vihet në shërbim të negociatave që duhet të drejtohen nga kryetari i Shtetit.
Pra me pak fjalë, qeveria ska pse kërkon plotfuqishmëri, por të vihet në shërbim në ekipit negociator!
Kjo ështe qasja e duhur dhe korrekte me përcaktimet Kushtetuese.
Këtë sugjeron dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese që u inicua nga Partia Socialiste që sot qeveris e vetme.
Shpresoj që kjo gjë tashmë të mos ketë debat…

Artistët e kanë kot

Frrok ÇUPI

Çfarë duan artistët në këtë revoltë të ditës?
E para, duan bukën e gojës. Njëri prej më të njohurve të skenës së filmit tha sot gjatë revoltës, se paga e një artisti është më e vogël se e një punëtori në ministri. Artistët shfaqen ‘për turpin’ tonë; vishen keq, blejnë o te Gabi o njerëzit e tyre marrin në kishat e Italisë; trashen sepse ushqehen keq dhe pinë alkool të dorës së fundit; firojnë, sepse ndjehen në nxitim për të mbyllur jetën dhe jo për të lexuar libra. Vetëm një artiste shqiptare ka mbetur ‘Mbretëreshë’ e vetvetes dhe jona, që nga krenaria, nga kultura, nga shfaqja dhe nga arti. Por nuk ka të dytë si Tinka Kurti.
E dyta, duan të kenë qendër teatrale. Një seli të Teatrit Kombëtar që më parë e kishte nofkën ‘Popullor’ (njësoj si Fronti Popullor, Drejtësia Popullore, Republika Popullore…), edhe atë e kishte ndërtuar ushtria e Duçes së Italisë në orët kur donte të argëtonte infermieret e garnizoneve të veta. Por edhe kjo ka ‘hije’ të mirë për të ndërtuar një pallat të lartë me qëllim që një zyrtar shumë i lartë i shtetit të pasurohet edhe më shumë. Gjithë bota moderne e ka policentruar Teatrin; në çdo lagje të qytetit ke një teatër. Këtu edhe godinën e Duçes duan t’a lënë të vetme dhe ta çojnë në një skërkë.

E treta, duan dinjitet. Dinjitetin artistët, në fakt, nuk e mbajnë për vete, por e ndajnë me shoqërinë. Për shembull, sa më dinjitoz të jetë arti i një vendi, aq më e lartësuar është shoqëria. Jemi i vetmi komb mes kombeve ballkanikë, që akoma nuk kemi një ‘Nobelist’. As kemi për ta pasur kurrë. Sapo u përmendën emri i Fishtës dhe i Kadaresë si kandidatë, u desh të tërhiqeshin; njërin e gjuajtën me gurë si ‘anti-kombëtar’ dhe tjetrin si ‘spiun’.
Artistët duan…, por më parë duan të duken para publikut, ose para ‘popullit’. Ashtu e kanë produktin këto specie: Që duke u dukur, aty japin vlerë.
Artistët e kanë kot.
Një pjesë e tyre, sentimentalët dhe moralistët, e dinë se kjo që po iu bën shteti, është inat kundër tyre. Kjo nuk është e vërtetë. Kjo është kotësia e parë. Këta nuk i ka askush inat, sepse askush nuk i njeh. Shteti thjesht i ‘mbron’ nga inati dhe analiza e të tjerëve, i mbron duke i zhytur diku në një tryezë me raki dhe cigare. A keni dëgjuar që në vendin tonë të kenë ankesa për fenomenin ‘Weinstein’- producent hollivudian i akuzuar për ngacmime seksuale?… Jo. Ku ka takat një artist të merret me punë kaq të fisme sa djalli?! Ata shtyjnë jetën në errësirën ku i kanë futur.
Artistët e kanë kot kur thonë se, qeveria nuk iu kushton vëmendjen më të thjeshtë. Artistët, akademikët, intelektualët…, janë si foshnjë e një nëne që i ka harruar brenda në makinë dhe për vete ka hyrë në një music-club. Sa bebe janë asfiksuar në këtë mënyrë, një zot e di! Kujdestari ka punë të tjera, ose mendjen të tërbuar.

Ku e ka mendjen kujdestarja qeveri në këtë moment?
Duhet të japë llogari te George Soros, se si po e zbaton vijën e tij. (Artistët shqyhen duke thënë ‘llogari te populli!’… Po-po, në atë krah flini). Kohët e fundit po vërehet se, Soros po ul Ramën dhe po pompon Veliajn. Atëherë si do ta ketë qeveria mendjen te ‘foshnja në makinë”? Kujdestarja e ka mendjen te narkotikët… Direktiva e Soros ishte që të mbillet vetëm narkotikë, por të mos zbulohet- e para; t’u jepet në dorë liderëve të BE dhe të mos shkojë në duar bregdetarësh italianë; të mblidhen paratë dhe diçka t’u jepet edhe skllevërve, me qëllim që të ‘mos na e çajnë kokën”, dmth., padronit… Por edhe këtë nuk e bënë mirë këta këtu,dhe prandaj nuk mund ta kenë mendjen te artistët.
Kujdestari tani është në ‘tunel’, aty po paketon krimin e vet. Jo ‘po e paketon’ për ta hedhur në lumë; jo! Po e paketon për të gjetur mënyrën si do ta mbulojë… Ta mbulojë jo nga artistët, as nga ti e unë, as nga populli shqiptar…, por nga përplasja e madhe botërore. Bota ndodhet para një përplasje të afërt e të fuqishme. Në këtë suazë, këta kanë zgjedhur që ta mbulojnë krimin me një konflikt ballkanik, të nisur nga ndryshimi i kufijve. Po nisi lufta, atëherë krimi shpëtoi, por edhe këta mund të quhen heronj…
Ndërsa artistët mendojnë se, “kanë të drejta”. Kot!