Numri i mjekëve që kanë kërkuar të largohen jashtë vendit 4 vitet e fundit është 3-fishuar. Pas publikimit të këtij lajmi nga redaksia e “Pro Pacientit”, pati një reagim shumë të madh nga ana e mjekëve. Ndërkohë, sipas burimeve të redaksisë, reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë u reflektua në një urdhër (jo të shkruar) të brendshëm, për mosdhënien në vazhdim të asnjë informacioni lidhur me këtë çështje.
Ndjeshmëria që ka kjo temë, u bë shkak që redaksia e “Pro Pacientit” të publikonte një anketim të thjeshtë. Pyetjet e së cilës lidheshin pikërisht me arsyet e largimit të mjekëve jashtë vendit.
Rezultatet e anketimit, u tha që do të botoheshin bashkë me një analizë të ekspertëve të fushës së shëndetësisë. Por, ajo që u vu re ishte se mjekët jo vetëm që nuk janë treguar të kursyer me përgjigjet, por përkundrazi kanë shtjelluar arsyet, duke bërë kështu që të vlerësonim si të paarsyeshëm ndërhyrjen e ekspertëve të shëndetësisë.
Anketimi ka patur 168 përgjigje, dhe sipas të dhënave të mbledhura, rezulton se pjesa më e madhe e mjekëve që janë përgjigjur, ushtrojnë profesionin në institucionet shëndetësore në Tiranë.
Brain Drain ose ndryshe largimi i trurit përcaktohet si migrimi i personelit shëndetësor në kërkim të standardit më të mirë të jetesës dhe cilësisë së jetës, paga më të larta, qasje në teknologji të përparuar dhe kushte politike, ekonomike më të qëndrueshme. Pjesa më e madhe e migracionit lind si rrjedhojë e zhvillimit të vendeve të zhvilluara, ky është një shqetësim gjithnjë në rritje për shkak të ndikimit të tij në sistemin shëndetësor në vendet në zhvillim, pasi këto vende kanë investuar në edukimin dhe trajnimin e profesionistëve të rinj shëndetësorë, e kjo me kalimin e kohës do të përkthehet në humbje të resurseve të konsiderueshme.
Nga pikëpamja ekonomike, ikja e trurit ndikon ndjeshëm në vendet në zhvillim, këto vende kanë shpenzuar kohë dhe para, duke edukuar personelin e kujdesit shëndetësor që më pas ka emigruar. Ndërsa disa janë kthyer në atdhe, shumica kanë qëndruar jashtë vendit dhe janë pasuar nga familjet e tyre. Dr. Barker i Komisionit Ekonomik të Afrikës së OKB-së ka paralajmëruar se në 25 vitet e ardhshme, Afrika do të jetë e zbrazur nga truri (Tebeje, 2015). Komenti i tij tregon alarmin në rritje mbi fluturimin e kapitalit njerëzor.
Është koha për të kuptuar dhe pranuar që lëvizshmëria e profesionistëve shëndetësor është pjesë e jetës së shekullit 21. Vendet duhet të pranojnë se konkurrojnë me institucionet më të mira në botë për një fuqi punëtore sa më cilësore.
Në 4 vite, numri i mjekëve të larguar nga Shqipëria u trefishua
Largimi i mjekëve nga Shqipëria në katër vitet e fundit ka tronditur gjithë sistemin shëndetësor, ndërsa është shndërruar në një eksod të vërtetë që vijon edhe sot. Shifrat zyrtare flasin për një trefishim të numrit të mjekëve të larguar, ndërsa kërkesa e tyre për të lënë vendin është në rritje. Nga viti 2014 dhe deri vitin e kaluar me qindra mjekë kanë kërkuar çertifikatën e sjelljes profesionale me qëllim paraqitjen e saj për të aplikuar për punë jashtë Shqipërisë. Çertifikata e sjelljes së mirë profesionale (Good Standing Cerificate) lëshohet nga Urdhri/Dhoma apo Shoqata e Mjekëve të vendit të vet, ku vërtetohet se mjeku është i regjistruar, e ushtron profesionin dhe se gjatë ushtrimit të profesionit nuk ka asnjë masë disiplinore kundrejt tij/saj. Kjo çertifikatë është një dokument që kërkohet nga të gjithë mjekët që aplikojnë për specializime afatgjata ose afatshkurtra jashtë vendit, kërkohet për të konvertuar diplomën e Universitetit të Mjekësisë së Tiranës në një vend të huaj, kërkohet për të punuar jashtë vendit.
Sondazhi, 87% e mjekëve shqiptarë të pakënaqur nga qeveria
A janë të motivuar mjekët në Shqipëri?
89.3% – aspak të motivuar
8.3% – disi të motivuar
2.4% -shumë të motivuar
Sa të kënaqur jeni me pagat që merrni?
87.5% – aspak të kënaqur
9.5% -disi të kënaqur
2.4% -shumë të kënaqur
0.6% -mjeku nuk shpërblehet për punën që bën (përgjigje e shtuar nga vetë mjekët)
A mendoni se pagat e ulëta janë arsyeja kryesore përse po largohen mjekët nga Shqipëria?
66.1% -po
12.5%- jo
Përgjigje të shtuara:
-përveç pagave edhe organizimi i dobët i sistemit shëndetësor
-pagat e ulta dhe kushtet e këqija të punës
-pagat dhe siguria në punë, imazhi i keq i mjekëve i ushqyer nga media
-mungesa e mjeteve dhe motivimit
-pagat dhe trajtimi
-pagat dhe presioni
-kushtet e këqia në punë
-standardi, siguria në punë
-kushtet dhe paga
-përbuzja dhe mosvlerësimi
-arsyet e largimit të mjekëve janë pagat e ulta dhe kushtet e punës
-pagat, kushtet dhe siguria, jetesa
-mungesa e vlerësimit
-paga, por më e rëndësishmja, kushtet në të cilat punojmë
-mungesa e sigurisë në punë, kushtet jo të mira, mungesa e ngritjes në karrierë
-shihemi si armiq
– mungesën e kushteve për të ushtruar siç duhet profesionin dhe mungesa e meritokracisë në çdo institucion
-kushtet e punës
-përveç pagave skandaloze kemi dhe mosrespektim të figurës sonë nga qeveritarët e le pastaj nga populli i thjeshtë; mungesë totale e kushteve të punës dhe për në shërbimin parësor gjoba të pajustifikueshme për shkak të një sistemi shumë të gabuar rimbursimesh
-të pambrojtur nga Ligji dhe Urdhri i Mjekut
-mungesa e besimit te mjekët dhe faturimi i të gjitha dështimeve të sistemit të tyre; mungesa e vlerësimit
Nëse do t’ju jepej mundësia, a do të punonit jashtë?
95.2% – po
3%- jo
0.6%- Nuk është çështje mundësie, por guximi për të nisur nga e para në vendin që do të shkosh
(Përgjigje të shtuara)
-tashmë jemi familjarë dhe nuk është vetëm vendim personal
-dua të jem e vlerësuar këtu
A ndiheni të pambrojtur në punën tuaj?
79.8% -shumë të pambrojtur
19% -disi të pambrojtur
1.2 %- të mbrojtur
A keni menduar të përfitoni nga sistemi i bonusit për të punuar në spitalet rajonale?
70.2%- jo
23.2%- po
(Përgjigje të shtuara)
-nuk jam mjeke specialiste, por mjeke familje
-nëse do të përfitoja, pse jo
-nuk jam mjek specialist
-punoja në sptial rajonal, por kushte shumë të këqia s’munda t’i përballoja
-ta marrin bonusin ata që punojnë e shërbejnë jo vetëm ata që vijnë nga Tirana
-është mashtrim
-jo të gjithë specialistëve iu ofrohet bonusi
-ky bonus nuk ofrohet për të gjithë specialitetet
-ndonjëherë
-ndoshta
A mendoni që profesioni i mjekut në 5 vitet e ardhshme do të jetë më i vlerësuar?
81% -jo
11.3%- po
1.2% -ndoshta
(Përgjigje të shtuara)
1.2% -shpresoj
-nuk shoh asnjë përpjekje reale
-ndoshta
-duhen bërë politika të tilla që figura e mjekut të fitojë sërish respektin në popull
-të shohim
-jo, jemi të kultivuar me një kulturë materialiste deri në qelizë, kjo sepse fillojnë që tek shkolla e marrë me pagesë. Si vlerësohet një profesion i blerë?
-të shpresojmë