11.5 C
Tirana
E diel, 4 Maj, 2025

Sulmet amerikane vrasin mercenarë rusë në Siri

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, thotë se nuk ka njohuri se nga sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara janë vrarë dhjetëra ushtarë mercenarë rusë në Siri, megjithqë ai ka parë raporte në media për vrasjet e këtilla.
Pentagoni tha se nga sulmet në Deir al-Zor të Sirisë, javën e kaluar, janë sulmuar trupat qeveritare të Sirisë, që e kishin sulmuar një bazë të forcave amerikane dhe atyre opozitare siriane, duke i vrarë afro 100 sulmues.
“Kjo tani po raportohet në shtyp”, tha Mattis dhe ka shtuar se “nuk kam asnjë raport se disa rusë, që nuk janë ushtarë të Federatës Ruse, por kontraktorë rusë, ishin në mesin e viktimave”.
“Ne nuk e kemi marrë këtë njoftim në Komandën Qendrore ose në Pentagon”, tha Mattis.
Një zdhënës i Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, po ashtu, ka thënë se nuk ka njohuri për ndonjë vrasje të rusëve në sulmin më 7 shkurt.
Por, mediat kanë raportuar se farefisi dhe kolegët e ushtarëve mercenarë rusë kanë thënë se dhjetëra rusë mund të jenë vrarë nga sulmet.
Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara ka njoftuar se i kishte lansuar sulmet ajrore, pasi më se 500 sulmues e kishin filluar atë që duket se ishte sulm i koordinuar, kundër një baze të forcave opozitare siriane, të shoqëruara nga këshilltarët amerikanë në Deir al-Zor.
I pyetur mbrëmë gjatë një dëgjimi në Komitetin e Inteligjencës të Senatit të Shteteve të Bashkuara, nëse ka ndodhur ndonjë vrasje e mercenarëve rusë, drejtori i Agjencisë CIA, Mike Pompeo, tha pa elaboruar se “nga perspektiva e inteligjencës, ne kemi parë në shumë raste forcat e jashtme, duke i përdorë mercenarët në beteja, që do të fillojnë t’u qasen Shteteve të Bashkuara”.
Më herët, Pentagoni ka refuzuar t’i identifikojë 100 ushtarët, për të cilët tha se ishin vrarë nga sulmet ajrore amerikane.
“Nuk do të spekulojë për kompozicionin e kësaj force ose nën kontrollin e kujt ishte ajo”, tha gjeneral Jeffrey Harrigian, zëdhënës i Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara dhe ka shtuar se, “ne jemi të fokusuar në armikun e vetëm: IS-in”.
Mëtutje ai theksoi se, “ushtria amerikane nuk synon luftë me dikë tjetër, por siç ka thënë sekretari Mattis javën e kaluar – nëse ju na kërcënoni ne, do të jetë dita juaj më e gjatë dhe më e vështirë”.
Gjatë fundjavës, janë paraqitur raporte në blogjet ruse dhe tjetër kund, se një numër i panjohur i ushtarëve rusë me kontratë janë vrarë.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, ka thënë se asnjëri prej ushtarëve të vet nuk ishte në atë territor dhe ka sugjeruar se luftëtarët e Qeverisë së Sirisë ndoshta kanë dështuar t’i koordinojnë aksionet e tyre me ushtrinë ruse.
Zyrtarët amerikanë thanë, po ashtu, se gjatë sulmit të tyre ata ishin në kontakt me ushtrinë ruse, nëpërmjet linjës speciale “të nxehtë” të krijuar nga të dy palët për evitimin e incidenteve armiqësore ndërmjet dy armatave.
Conflict Intelligence Team me seli në Moskë, që e monitoron përfshirjen ruse në konfliktet në Siri dhe Ukrainë, i ka identifikuar tre rusë, për të cilët tha se ishin në mesin e atyre që janë vrarë.
Organizata Cossack në Kaliningrad të Rusisë nëpërmjet postimit në mediat sociale, tha se një pjesëtar i vet është vrarë, po ashtu.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se intervenimi i Rusisë në Siri, që ka filluar në fund të vitit 2015, është në rënie e sipër dhe në dhjetor të vitit të kaluar ka urdhëruar që të tërhiqen ushtarët e uniformuar rusë.
Njëherësh, një numër i panjohur i rusëve, që punojnë për kompanitë private ushtarake, kanë shërbyer së bashku me trupat e rregullta ruse. Kompania, PWC Vagner, në Shën Petersburg, ishte njëra nga më të njohurat.
E përditshmja ruse, Novaya Gazeta, tha se 13 rusë ishin vrarë në sulm, ndërsa 15 të tjerë janë plagosur.
Agjencia Bloomberg, duke i cituar dy rusë të paemëruar, ka raportuar se më tepër se 200 ushtarë me kontratë janë vrarë në sulm.
E përditshmja “New York Times”, e ka cituar një oficer ushtarak sirian, që ka thënë se afro 100 ushtarë rusë janë vrarë.
I pyetur për këto raporte, Dmitry Peskov, zëdhënës i Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, u tha dje gazetarëve në Moskë, se Qeveria ka njohuri vetëm për aksionet e ushtrisë së Rusisë në Siri.
“Ne nuk kemi informacion për rusët e tjerë, që mund të jenë në Siri”, tha Peskov.
Raportet për vrasjet e rusëve në një incident në Deir al-Zor, janë paraqitur në periudhën e tensioneve të vazhdueshme në raportet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, që janë përkeqësuar për shkak të mospajtimeve për Sirinë dhe disa çështje të tjera.
Këto raporte u paraqitën edhe para zgjedhjeve presidenciale më 18 mars në Rusi, në të cilat gjerësisht pritet që Putin do ta sigurojë edhe mandatin e katërt të Presidentit.

Si u aneksua Krimeja?

Ish-ligjvënësi rus, Ilya Ponomaryov, ka dëshmuar në një gjykatë në Kiev të Ukrainës, me ç’rast tha se Presidenti rus, Vladimir Putin, personalisht ka urdhëruar aneksimin e Krimesë së Ukrainës, në vitin 2014.
Duke folur në procesin gjyqësor kundër ish-Presidentit të Ukrainës, Viktor Yanukovich, zoti Ponomaryov tha sot se “e dinë me siguri” se Putin ka kërkuar marrjen e Krimesë në Ukrainë.
Atëherë, Viktor Yanukovich, që ishte aleat i Rusisë, fluturoi nga Ukraina në Rusi, për shkak të protestave masive proevropiane, të njohura me emrin Euromaidan ose Maidan.
Sipas Ponomaryovit, shumë zyrtarë rusë ishin kundër aneksimit të Krimesë në mars të vitit 2014, por Putini i kishte bindur ata që ta mbështesin këtë ide.
“Putin i ka shikuar ngjarjet në Maidan dhe ka kuptuar se personi të cilin ai e mbështeste, po humbte. Rrjedhimisht, ai personalisht ishte dashur të kujdesej për evaakuimin dhe shpëtimin e jetës së tij. Putini këtë situatë e ka parë si tradhti nga komuniteti ndërkombëtar, si ndërhyrje në interesat e tij personale”, tha Ponomaryov.
Ponomaryov, që ishte i vetmi anëtar i Dumës Shtetërore ruse, që kishe votuar kundër aneksimit të Krimesë, jeton në kryeqytetin Kiev në Ukrainë, prej vitit 2015.
Prokurorët në Ukrainë kërkojnë burgim të përjetshëm për Yanukovichin, i cili është i akuzuar për tradhti, shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, dhe për mbështetje të agresionit rus.
Procesi kundër Yanukovichit mbahet në mungesë të tij. Pas largimit të tij nga Ukraina, Rusia e mori kontrollin ndaj Krimesë dhe e nxiti kundërshtimin e qeverisë qendrore nga pjesa lindore e Ukrainës, ku shpërtheu lufta ndërmjet forcave qeveritare dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia, nga e cila prej prillit të vitit 2014, janë vrarë më se 10,300 vetë.

Ka ardhur koha e Napolit!

Marek Hamsik beson ka ardhur koha që Napoli të fitojë titullin e Serie A dhe zbulon punën e madhe që duhet të bëjë skuadra nën drejtimin e Sarri-t. “Që nga momenti i parë që mbërrita këtu e kuptova menjëherë se sa i rëndësishëm është futbolli për napolitanët. Është si një fe apo një sëmundje që të shoqëron çdo ditë. Pas kaq shumë vitesh kam një marrëdhënie tepër të veçantë me tifozët”.
Stili i bukur i futbollit që ka implementuar Sarri ka fituar zemrat e të gjithë botës, por nuk është e lehtë të mësohet kollaj nga blerjet e reja. “Është e bukur për t’u parë, por shumë e vështirë për t’u implementuar. Duhet të vrapojmë shumë, të bëjmë presing. Nuk është futboll i thjeshtë. Nëse rifitojmë topin, atëherë mund të fokusohemi te forca jonë – mbajtja e topit”.
“Gjatë javës gjithmonë luajmë në stërvitje me vetëm dy të prekura të topit. Në mënyrë që të lëvizim topin sa më shpejt. Por nëse topi shkon te një nga sulmuesit ata janë të lirë të driblojnë”.
“Sarri është një duhanpirës i apasionuar. Nuk kam parë njeri të tymosë si ai. Kur jemi në fushë ai pret shumë nga ne. Ndërsa jashtë saj ai është një njeri i qetë, bën shaka dhe është shumë i shoqërueshëm”.
“Kemi luajtur më shumë se gjysmën e sezonit dhe jemi kokë më kokë me Juve-n. Klubet e tjera janë larguar. Mbase nuk do të ndodhë më në vitet e ardhshme, prandaj duhet të mundohemi me të gjitha forcat të fitojmë këtë sezon. Juve është një klub i klasit botëror me vlerë 600 milionë euro. Nuk mund të krahasohemi me këtë. Por jemi pranë arritjes së diçkaje të pabesueshme dhe duam t’i mundim. Jam i sigurt se ka ardhur koha e Napolit”.

SHBA, kreu i FBI jep informacionin mbi këshilltarin Porter

Drejtori i FBI-së, Christopher Wray u tha të martën ligjvënësve se hetuesit pothuajse e kishin përfunduar kontrollin e sigurisë për figurën e një ish-këshilltari të Presidentit Donald Trump para disa muajsh, shumë më parë kohës kur Shtëpia e Bardhë tha se kishte dëgjuar për herë të parë akuzat sipas së cilave, sekretari i personelit Rob Porter kishte abuzuar emocionalisht dhe fizikisht dy ish-gratë e tij.
Zoti Wray paraqiti rrjedhën kronologjike të informacionit që FBI-ja i kishtë dhënë Shtëpisë së Bardhë që ngrinte pikëpyetje rreth pretendimit të administratës së Presidentit Trump sipas së cilit për herë të parë kishte marrë vesh për akuzat serioze ndaj zotit Porter javën e kaluar, gjë që solli si rezultat dorëheqjen e tij brenda dy ditësh.
Dy ish-bashkëshortet e zotit Porter, Colbie Holderness dhe Jennifer Willoughby, kanë thënë se u kishin dhënë hetuesve të FBI-së detaje nga martesat e tyre me probleme me 40-vjeçarin Porter Porter që në janar 2017. Holderness dha një fotografi ku ajo shfaqet me sy të nxirë që ajo thotë se ishin shkaktuar kur Porter e kishte goditur me grusht në fytyrë, ndërsa ishin me pushime në Itali në vitin 2005, ndërsa Willoughby paraqiti provë se kishte siguruar një urdhër policie që nuk e lejonte ish-bashkëshortin e saj t’i afrohej në vitin 2010.
Zoti Wray nuk pranoi të diskutonte përmbajtjen e raporteve të FBI-së mbi zotin Porter për Shtëpinë e Bardhë, por i tha Komisionit të Senatit për Zbulimit se FBI-ja i “paraqiti një raport të pjesshëm për hetimin” Shtëpisë së Bardhë në mars të vitit të kaluar dhe pastaj një raport të plotë të përfunduar për figurën e tij në fund të korrikut.
Ai tha se Shtëpia e Bardhë kërkoi “një hetim të mëtejshëm” dhe se FBI-ja ia dorëzoi informacionin shtesë në nëntor. Zoti Wray tha se FBI-ja e mbylli hetimin zyrtarisht në janar, por “mori disa informacione shtesë” që ia kishte kaluar Shtëpisë së Bardhë më herët këtë muaj.

“Jam i bindur që në këtë rast FBI-ja ndoqi protokollet e duhura”, tha ai.
Shtëpia e Bardhë nuk e ka sqaruar asnjëherë qartë se kur i kishin marrë vesh zyrtarët informacionet për të kaluarën e Porterit, ndërkohë që vazhdonte të punonte pranë Presidentit Trump me një leje sigurie të përkohshme dhe jo atë të përhershme.
Pasi dolën njoftimet e para për abuzim para një jave, shefi i Pesonelit i Shtëpisë së Bardhë, John Kelly dhe sekretarja e shtypit, u shprehën me superlative për punën e Rob Porterit. Por, pasi doli fotografia e ish-gruas së tij me sy të nxirë, ai e humbi shpejt postin në Shtëpinë e Bardhë.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se niveli i sigurisë për zotin Porter ishte lënë në duart e FBI-së. Por zyrtarët e FBI-së thonë se, hetuesit e saj mbledhin informacion dhe më pas ia kalojnë atë agjencive federale, përfshirë Shtëpinë e Bardhë që të vendosin nëse miratojnë lejen për nivelin e lartë të sigurisë të nevojshme për të pasur qasje në informacione sekrete.
Zëdhënësja Sanders u ka thënë gazetarëve se, Shtëpia e Bardhë dhe zoti Trump e marrin shumë seriozisht çështjen e “dhunës në familje” dhe se Presidenti Trump “mbështet para së gjithash viktimat e dhunës në familje”.
Holderness e përshkroi martesën me zotin Porter në një artikull në gazetën “Washington Post”.
“Të jetoja vazhdimisht me frikën e zemërimit të Robit dhe t’u nënshtrohesha sulmeve të tij degraduese verbale për vite të tëra, ishte një gërryerje e pavarësisë dhe respektit për veten. Kur dola nga ajo marrëdhënie, isha një hije e vetes sime, por m’u desh kohë të kuptoja se çfarë pasojash sjellja e tij kishte shkaktuar tek unë”, tha ajo, duke shtuar në kllapa se Porter i ka mohuar akuzat por se ajo dhe Willowghby e dinin të vërtetën.
“Të jesh i fortë – me instinkte të shkëlqyera, të jesh besnik, i zgjuar – nuk do të thotë se je e imunizuar nga abuzimi. Nuk do të thotë se mund të parandalosh një marrëdhënie me një abuzues. Abuzimi shpesh nuk shfaqet që herët, por vetëm më vonë, kur ke kohë që je në një marrëdhënie dhe pas dyerve të mbyllura”, shkruante ajo.

Refuzohet kërkesa e Assange për heqjen e urdhër-arrestit

Themeluesit të WikiLeaks, Julian Assange ju refuzua të martën një kërkesë që ai kishte bërë, për heqjen e urdhër-arresti ndaj tij, që ai kishte menduar se do ta lironte nga strehimi i vetë imponuar në Ambasadën e Ekuadorit në Londër.
Gjykatësja britanike Emma Arbuthnot e hodhi poshtë argumentin e avokatit të zotit Assange, sipas të cilit nuk ishte në interes të publikut mbajtja në fuqi e një urdhër arresti për shkelje të rregullave të lirimit me kusht; Assange pati hyrë në ambasadë ekuadoriane 6 vjet më parë, për të shmangur ekstradimin në Suedi, ku ai kërkohej lidhur me një hetim që po zhvillohej ndaj tij për një rast përdhunimi; Suedia e mbylli hetimin vitin e kaluar.
“Unë mendoj se arrestimi është masa e përshtatshme ndaj tij, edhe pse zoti Assange ka patur liri të kufizuar për disa vite”, tha gjykatësja Arbuthnot.
“Të pandehur e liruar me kusht brenda vendit dhe persona, të cilët përballen me ekstradimin, paraqiten vetë në gjykatë për t’u përballur me pasojat e zgjedhjeve të tyre. Edhe Assange duhet të ketë kurajon ta bëjë një gjë të tillë”, tha gjykatësja.
Arbuthnot tha se 46-vjeçari Julian Assange “duket se e sheh veten mbi rregullat normale të ligjit dhe dëshiron që drejtësia të funksionojë vetëm në favor të tij”.
Julian Assange ka thënë se ka frikë që arrestimi i tij mund të çojë në ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara, për t’u përballur me akuza kriminale, lidhur me publikimin nga WikiLeaks të dokumenteve sekrete të ushtrisë amerikane dhe kabllove diplomatike në vitin 2010.
Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Jeff Sessions, ka thënë se arrestimi i zotit Assange është “një përparësi”.
Gjykatës në Britani i është thënë se Assange ka probleme me shëndetin: ai ka dhëmbë të prishur, ka dhimbje në shpatull dhe vuan nga depresioni. Duke patur frikë për sigurinë e tij, ai del rrallë në ballkonin e ambasadës, por shpesh merr pjesë në konferenca shtypi, ku flet për rastin e tij përmes videos.
Muajin e kaluar, Ekuadori i dha shtetësinë Julian Assange-it, i cili ka lindur në Australi.

Netanyahu kundërshton akuzat për korrupsion

Israeli Prime Minister Benjamin Netanyahu gestures while addressing the 2015 American Israel Public Affairs Committee (AIPAC) Policy Conference in Washington, Monday, March 2, 2015. (AP Photo/Cliff Owen)

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, thotë se rekomandimet e policisë për të ngritur akuza ndaj tij do të përfundojnë pa sukses.
Në një fjalim përmes të cilit ai ju drejtua kombit me televizion, Netanyahu i mohoi me forcë thëniet se kishte pranuar dhurata të tepruara, si shampanjë dhe puro të shtrenjta nga manjati i Hollivudit, Arnon Milchan, në këmbim të favoreve. Zoti Netanyahu po ashtu dyshohet se ka trajtuar me preferencë një botues, në këmbim të mbulimit të tij pozitiv në gazetë.
Netanyahu tha se karriera e tij e gjatë politike është fokusuar vetëm tek e mira e vendit. Ai e akuzoi policinë për një gjueti shtrigash kundër tij dhe u zotua se ka për të vazhduar të qëndrojë në pushtet. Ai e mbylli fjalimin e tij në televizion, duke thënë se ka ndërmend të kandidojë përsëri në zgjedhje.
Rekomandimet e policisë i shkojnë Prokurorit të Përgjithshëm, i cili do të marrë një vendim në se do të ngrejë akuza ndaj kryeministrit.
Por njoftimi i së martës është tepër shqetësues për zotin Netanyahu dhe mund të bëhet shkak për thirrje për dorëheqjen e tij.

Ish-trajneri, Juliano tregon mafien e basteve tek Partizani ku drejton Olsi Rama: Më vinin në vështirësi, luanin të gjithë

Në një intervistë për hapësirën “Gazzamercato” të së përditshmes sportive “Gazzetta dello Sport”, ish-mbrojtësi i Juventusit dhe Italisë ka folur rreth eksperiencës së tij shqiptare, mes shumë gjërave të tjera.
“Në fillim hezitova ta pranoja këtë ofertë e gjatë rrjedhës së punës sime kuptova se kisha pasur të drejtë. Kjo, sepse në Shqipëri iu lejohet të gjithëve, nga futbollistët, drejtuesit e klubeve, por edhe presidentëve, që të vendosnin baste mbi ndeshjet sportive. Kjo më vuri shpesh në vështirësi, sepse ishte një ambient i kushtëzuar, e ku nuk mund të punoja i qetë. Shumë ndeshje, sipas meje, kanë pasur rezultate të dyshimta. Pas largimit nga Partizani kam refuzuar disa propozime nga ekipet e Serie B dhe Serie C, por tani dua të përgatitem sa më mirë që të kthehem të jap kontributin tim”, thotë Mark Iuliano.
Në intervistë, Iuliano ka kujtuar edhe kohët e para kur debutoi të luante, por edhe atë sfidë të shumëpërfolur mes Juventusit dhe Interit në vitin 1998. Sa i përket ekipit të tij të zemrës, Juventusit, ai mendon se me Dybala në formë, Championsi është një objektiv më i realizueshëm.

Itali, frymë kundër emigrantëve në fushatën zgjedhore

Për vite Ponte Milvio, një urë e lashtë mbi lumin Tiber në Romën Veriore, është e lidhur me romancën. Çiftet bashkangjisin “kyçe dashurie” në urë dhe i hedhin çelësat në lumë, si një shprehje simbolike për dashuri të përjetshme.
Javën e kaluar, megjithatë, dashuria nuk ishte në mendjen e fashistëve të maskuar që vendosën një parullë pranë urës, në respekt të ekstremistit të armatosur, që plagosi disa imigrantë, duke i qëlluar nga makina e tij në lëvizje më 3 shkurt, në një rajon rreth 200 kilometra larg kryeqytetit italian.
“Nderim për Luca Trainin”, thuhej në parullën për 28-vjeçarin që ishte pjesë e grupit neo-nazist “Skinheads”, i cili plagosi gjashtë imigrantë gjatë një sulmi me armë në fillim të shkurtit, në qytetin e vogël italian të Maceratës.
“Shfaqja e parullës në Ponte Milvio është një akt i mjerë”, shkroi në Twitter, kryetarja e Bashkisë së Romës, Virginia Raggi. “Dhuna nuk justifikohet kurrë”, shtoi ajo.
Por, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 4 marsit, shumë italianë, duke përfshirë politikanë populistë të krahut të djathtë, duket se janë të prirur për t’i fajësuar emigrantët për çdo akt të dhunës kundër tyre, duke i shpjeguar sulmet ndaj emigrantëve si shprehje të zemërimit ndaj “pushtimit imigrant”. Sipas sondazheve, kjo është çështja më parësore në mendjet e votuesve dy javë para zgjedhjeve.

Në platformat elektorale, Matteo Salvini, kreu i Partisë Lidhja e Italisë, i ka intensifikuar përpjekjet për të fituar mbështetjen e votuesve anti-imigrantë. Traini ka qenë më parë kandidat rajonal i Lidhjes Veriore të Italisë dhe ndërsa Salvini dënoi sulmin e kryer nga Traini, ai fajësoi emigrantët për provokim të sulmit, për “kaosin, zemërimin” dhe “trafikun e drogës, vjedhjet, përdhunimet dhe dhunën” që ata sollën në vend.
Që nga sulmi me armë që Traini kreu, pas përdhunimit dhe vrasjes së një vajze adoleshente në Macerata, veprime që thuhet se janë bërë nga imigrantë nigerianë, Salvini ka shtuar thirrjet për riatdhesim masiv të imigrantëve. Gjatë një tubimi fushate në Umbria të premten e kaluar, ai bëri thirrje për mbylljen e qindra xhamive të paliçencuara në Itali, duke e përshkruar Islamin si një fe që “nuk përputhet me vlerat, të drejtat dhe lirinë tonë”. Rreth 1.7 milionë myslimanë jetojnë në Itali dhe qeveria ka licencuar vetëm një numër të vogël xhamish. Shumica e myslimanëve falen në xhami të improvizuara në dyqane, biznese ose apartamente.
Salvini ka injoruar thirrjet e Kishës Katolike dhe të ministrave të Partisë Demokratike në qeveri, për të kufizuar retorikën e tij të ashpër kundër imigrantëve.
Partia e tij është quajtur Lidhja Veriore e Italisë deri kohët e fundit, kur ai vendosi të heqë dorë nga qëllimi i tij për të kërkuar shkëputjen e Veriut, rajoni më i pasur të vendit dhe për të kërkuar mbështetjen e votuesve në Jug, të cilët ai dikur i ka quajtur parazitë. Tani fokusi i Partisë Lidhja e Italisë është zhvendosur kryesisht në trajtimin e çështjes së 600,000 imigrantëve që kanë ardhur në vend në katër vitet e fundit.
Ish-kryeministri Silvio Berluskoni pritej të kishte një ndikim më të moderuar, krahasuar me Salvini-n dhe populistët e një tjetër partie, “Fratelli d’Italia”, me të cilën është në koalicion zgjedhor; por në vazhdën e sulmit në Macerata, edhe ai bëri thirrje për deportimin e 600.000 imigrantëve, pa përmendur mbylljen e xhamive. Analistët thonë se zoti Berlusconi është i vendosur të sigurohet që partia e tij “Forza Italia” të fitojë më shumë vota se “Lidhja e Italisë”.

Marrëveshja e Berluskonit me partnerët e tij zgjedhorë, është se kreu i partisë që siguron shumicën e votave do të bëhet kryeministër i ardhshëm. Tani, duket se aleanca e krahut të djathtë gëzon mbështetje të madhe, mund të fitojë zgjedhjet dhe mund të jetë në gjendje të formojë një qeveri koalicioni.
“Ata që justifikojnë incidente si ajo në Macerata i hapin derën kthimit të fashizmit”,tha ministri i Transportit, Graziano Delrio. Organizatat jo-fitimprurëse që punojnë me imigrantët thonë se po përballen me vështirësi në rritje, kur bëhet fjalë për bashkëpunimin me komunat lokale për të ndihmuar imigrantët.
Dhuna neo-fashiste dhe kundër imigrantëve ka patur një rënie për shumë vite me radhë. Megjithatë, kohët e fundi ka patur njoftime për rritje të sulmeve fizike dhe verbale nëpër rrugë ndaj imigrantëve dhe të huajve. Të dhënat zyrtare mbi krimet e urrejtjes të mbledhura nga Ministria e Brendshme, tregojnë një rritje të shpejtë, nga 71 krime të urrejtjes në vitin 2012, në 803 në vitin 2016.

Dhori Kule u hakërrehet pedagogëve para Ramës: T’u vijë turp që kërkoni pagat

Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Dhori Kule, në fjalën e tij, u shpreh se askush mund të tallej me profesorët lidhur me vonesën me tre ditë të pagave. Ai u është hakërryer pedagogëve para Ramës duke thënë se kjo ishte turp.
“Askush nuk mund të tallet me ne. Na u vonuan pagat tre ditë dhe sikur vdiqëm për bukë. Janë disa personazhe mediatike që e kanë fryrë këtë çështje në media. Na shohin si ata që kanë mbetur pa lekë dhe pse na u vonuan pagat 3 ditë u bë hataja. Na vjen turp të dalim rrugës e dëgjojmë që thonë se na u vonuan rrogat tre ditë dhe ne u ankuam. Kush ju jep të drejtën të tallen me integritetin tonë. Bënë mirë që u shqetësuan për rrogat në fakt sepse buxheti i Ekonomikut nuk u realizua se ka ndodhur futur një situatë e turpshme kur pezullohej administratori dhe rrinte prapar derës se nuk i donte qejfi rektorit që ai të futej brenda. Hallet tona nuk na i zgjidhni dot ju”, iu drejtua Kule, kryeministrit.
Edhe diskutimet e pjesëmarrësve të tjerë të Senatit të UT-së, të pranishëm në takim ishin në të njëtën frymë dhe në thelb gjatë takimit nuk u trajtua asnjë çështje me rëndësi dhe as nuk u zgjidh gjë, por gjithçka u përmblodh në një shkëmbim batutash mes tyre dhe kryeministrit.
Rama u justifikua për vonesën ne paga dhe bëri shoë-n e tij të zakonshëm, kurse Koni, Kule e të tjerët që përfaqësonin sistemin universitar, vazhduan stilin e uljes së kokës.

Ekonomia e Rusisë në gjendje të keqe përpara zgjedhjeve

Gjendja ekonomike e popullatës ruse keqësohet gjithnjë e më shumë. Por Putini dhe mediet e tij nuk kanë drojë që të pohojnë se pa të gjithçka do të ishte shumë më e keqe, mendon Miodrag Soriç.
Ndërtimi i kështjellave të fantazisë nuk kushton gjë. Por mirëmbajtja e tyre mund të kushtojë para. Presidenti Vladimir Putin premton pas rizgjedhjes së tij të pritshme si President më shumë para për arsimin dhe shëndetësinë, paga më të larta, rritje ekonomike, një luftë më konsekuente kundër korrupsionit, siguri juridike, një infrastrukturë më të mirë – shkurt: deklaron të gjitha ato që premtoi edhe në zgjedhjet e fundit, por të cilat mjerisht nuk i respektoi. Në intervista dhe në konferenca vjetore shtypi ai premton sërish qumësht dallëndyshesh. Por a do të ndryshojë gjë pas rizgjedhjes së tij?

Risovjetizimi vazhdon

Me siguri që jo. “Ta shtyjmë si të mundemi” do të vazhdojë – një zhvillim që i kushton miliona shtetit. Reformat e ekonomisë së tregut mbeten ëndrra. Në të vërtetë, “risovjetizimi”, shtetëzimi i ekonomisë vazhdon. Tri të katërtat e produktit të brendshëm bruto të Rusisë e gjenerojnë firma, të cilat ndodhen nën kontroll shtetëror – tendenca në rritje. Mungesa e efikasitetit, burokracia e gjithanshme, mungesa e konkurrencës janë pasojat. Veçanërisht mirë këtë mund ta kuptosh po të vështrosh sektorin bankar. Ndërkohë, në shumë institute financiare fjalën e fundit e ka Banka Qendrore. Kur bankat punojnë keq, ato i drejtohen Bankës Qendrore, e cila vazhdon t’i financojë: gjithnjë në kurriz të taksapaguesit. Shembull tjetër: degë ekonomie, të cilat shteti i ka kategorizuar se janë kaq të rëndësishme, sa këtu nuk lejohet të angazhohen të huajt. Kush mund të habitet, që firmat e huaja i kthejnë kurrizin tregut rus në një numër gjithnjë e më të madh? Edhe nëse shoqatat lobiiste si dhomat e tregtisë së jashtme preferojnë të skicojnë një pamje tjetër.
Rritja ekonomike e Rusisë ka vite që është e dobët. De facto ekonomia ndodhet në stanjacion që prej vitit 2013. Vrull i ri mund të vijë në treg vetëm nëse shteti do të lejonte më shumë konkurrencë, do të luftonte burokracinë dhe korrupsionin dhe nëse gjykatat do ta bënin punën pa ndikim nga jashtë. Edhe këto janë ëndrra. Sepse të gjitha këto do të rrezikonin pushtetin e Putinit. Në fund të fundit janë shumë nga ata që e shoqërojnë në rrugën politike, shokët e tij dhe mbështetësit, të cilët e kanë kthyer shtetin në pre.
Popullariteti i një Aleksej Navalni te rusët e rinj buron para së gjithash nga rrethana se ai e dënon publikisht dhe pa frikë korrupsionin e klasës politike. Por për të mbetur tek e vërteta: Navalni me narcizmin e tij, madje ngritjen në piedestal të vetes është gjithçka tjetër, por jo alternativë ndaj qeverisë aktuale. Dënimi i korrupsionit nuk mjafton si program ekonomik. Një gjë politikani i opozitës megjithatë e arriti: tek shumë nxënës dhe studentë nuk konsiderohet më në modë që të korruptohesh.

Ndikimi i mediave të drejtuara nga shteti
Si rezultat, në 18 mars rusët do të rizgjedhin Putinin, megjithëse prej vitesh pagat reale janë në rënie, çmimet e ushqimeve rriten dhe aktualisht nuk duket në horizont ndonjë përmirësim i gjendjes. Pse? Sepse mediat e drejtuara nga shteti u mbushin mendjen njerëzve që në zgjedhjet e ardhshme “presidenciale” alternativa e vetme është “Putin ose kaos”. Ata zgjojnë frikëra se situata mund të bëhet kaq e keqe sa në vitet 1990. Dhe kështu, televizori në dhomën e ndenjies mund frigoriferin gjithnjë e më të zbrazët në kuzhinë. Por dikur frigoriferi do të kundërgodasë.