24.5 C
Tirana
E diel, 4 Maj, 2025

Ekonomia e Rusisë në gjendje të keqe përpara zgjedhjeve

Gjendja ekonomike e popullatës ruse keqësohet gjithnjë e më shumë. Por Putini dhe mediet e tij nuk kanë drojë që të pohojnë se pa të gjithçka do të ishte shumë më e keqe, mendon Miodrag Soriç.
Ndërtimi i kështjellave të fantazisë nuk kushton gjë. Por mirëmbajtja e tyre mund të kushtojë para. Presidenti Vladimir Putin premton pas rizgjedhjes së tij të pritshme si President më shumë para për arsimin dhe shëndetësinë, paga më të larta, rritje ekonomike, një luftë më konsekuente kundër korrupsionit, siguri juridike, një infrastrukturë më të mirë – shkurt: deklaron të gjitha ato që premtoi edhe në zgjedhjet e fundit, por të cilat mjerisht nuk i respektoi. Në intervista dhe në konferenca vjetore shtypi ai premton sërish qumësht dallëndyshesh. Por a do të ndryshojë gjë pas rizgjedhjes së tij?

Risovjetizimi vazhdon

Me siguri që jo. “Ta shtyjmë si të mundemi” do të vazhdojë – një zhvillim që i kushton miliona shtetit. Reformat e ekonomisë së tregut mbeten ëndrra. Në të vërtetë, “risovjetizimi”, shtetëzimi i ekonomisë vazhdon. Tri të katërtat e produktit të brendshëm bruto të Rusisë e gjenerojnë firma, të cilat ndodhen nën kontroll shtetëror – tendenca në rritje. Mungesa e efikasitetit, burokracia e gjithanshme, mungesa e konkurrencës janë pasojat. Veçanërisht mirë këtë mund ta kuptosh po të vështrosh sektorin bankar. Ndërkohë, në shumë institute financiare fjalën e fundit e ka Banka Qendrore. Kur bankat punojnë keq, ato i drejtohen Bankës Qendrore, e cila vazhdon t’i financojë: gjithnjë në kurriz të taksapaguesit. Shembull tjetër: degë ekonomie, të cilat shteti i ka kategorizuar se janë kaq të rëndësishme, sa këtu nuk lejohet të angazhohen të huajt. Kush mund të habitet, që firmat e huaja i kthejnë kurrizin tregut rus në një numër gjithnjë e më të madh? Edhe nëse shoqatat lobiiste si dhomat e tregtisë së jashtme preferojnë të skicojnë një pamje tjetër.
Rritja ekonomike e Rusisë ka vite që është e dobët. De facto ekonomia ndodhet në stanjacion që prej vitit 2013. Vrull i ri mund të vijë në treg vetëm nëse shteti do të lejonte më shumë konkurrencë, do të luftonte burokracinë dhe korrupsionin dhe nëse gjykatat do ta bënin punën pa ndikim nga jashtë. Edhe këto janë ëndrra. Sepse të gjitha këto do të rrezikonin pushtetin e Putinit. Në fund të fundit janë shumë nga ata që e shoqërojnë në rrugën politike, shokët e tij dhe mbështetësit, të cilët e kanë kthyer shtetin në pre.
Popullariteti i një Aleksej Navalni te rusët e rinj buron para së gjithash nga rrethana se ai e dënon publikisht dhe pa frikë korrupsionin e klasës politike. Por për të mbetur tek e vërteta: Navalni me narcizmin e tij, madje ngritjen në piedestal të vetes është gjithçka tjetër, por jo alternativë ndaj qeverisë aktuale. Dënimi i korrupsionit nuk mjafton si program ekonomik. Një gjë politikani i opozitës megjithatë e arriti: tek shumë nxënës dhe studentë nuk konsiderohet më në modë që të korruptohesh.

Ndikimi i mediave të drejtuara nga shteti
Si rezultat, në 18 mars rusët do të rizgjedhin Putinin, megjithëse prej vitesh pagat reale janë në rënie, çmimet e ushqimeve rriten dhe aktualisht nuk duket në horizont ndonjë përmirësim i gjendjes. Pse? Sepse mediat e drejtuara nga shteti u mbushin mendjen njerëzve që në zgjedhjet e ardhshme “presidenciale” alternativa e vetme është “Putin ose kaos”. Ata zgjojnë frikëra se situata mund të bëhet kaq e keqe sa në vitet 1990. Dhe kështu, televizori në dhomën e ndenjies mund frigoriferin gjithnjë e më të zbrazët në kuzhinë. Por dikur frigoriferi do të kundërgodasë.

Rusia planifikon rindërtimin e industrisë së shkatërruar të Sirisë

Rusia planifikon ta ndihmojë Sirinë për rindërtim të kapaciteteve që janë shkatërruar nga disa vite të luftës, ka thënë ministri i Energjisë i Rusisë, Aleksandr Novak.
“Ne kemi nënshkruar një plan të veprimit, jo vetëm në sektorin e energjisë elektrike, por edhe në atë të gazit dhe naftës, që përfshijnë ripërtëritjen e fushave të naftës dhe zhvillimin e rezervave të reja”, tha Novak, raportuan dje agjencitë ruse të lajmeve.
Si mbështetësi kryesor ndërkombëtar i presidentit të Sirisë, Bashar al- Assad, Rusia është involvuar thellë në ndihmën për shtetin e shkatërruar nga lufta, derisa beteja kundër kryengritësve sunitë është qetësuar muajt e fundit.
Javën e kaluar, është nënshkruar një marrrëveshje për “rehabilitimin, modernizimin dhe ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike në Siri”, thuhet në faqen në Internet të Ministrisë së Energjisë së Rusisë.

Holandë, kryeministri i shpëton votëbesimit në Parlament

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, me shumicë votash në Parlament mbrëmë vonë, i shpëtoi shkarkimit, disa orë pasi ministri i tij i Jashtëm dha dorëheqje, pasi pranoi se ka gënjyer se ka marrë pjesë në një takim me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Ministri i Jashtëm, Halbe Zijlstra, dje paraqiti dorëheqje, pasi pranoi në Parlament se ka gënjyer se personalisht e ka dëgjuar Putinin, duke folur në vitin 2016, për planet për krijimin e “Rusisë së Madhe” në Evropë.
Ligjvënësit opozitarë ishin të tmerruar me këtë mashtrim të ministrit Zijlstra dhe kanë kërkuar votim të mosbesimit për kryeministrin në Dhomën e Ulët të Parlamentit të Holandës. Por, votimi ishte në favor të kryeministrit Rutte me 101 vota për dhe 43 kundër.
Rutte më parë e ka mbrojtur ministrin Zijlstra, duke thënë se vërejtjet e tij për ekspanzionizmin rus tingëllojnë si të vërteta.

Rita Ora vjen në Prishtinë për 10-vjetorin e pavarësisë

Këngëtarja më famë botërore, Rita Ora do të marrë pjesë në manifestimin qendror që do të organizohet në Prishtinë, për 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Pjesëmarrjen e yllit botëror të pop muzikës, me prejardhje nga Kosova, e ka konfirmuar për Radion “Evropa e Lirë”, Adil Behramaj nga Këshilli Organizativ për shënimin e 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
“Mund të konfirmoj se më 17 shkurt 2018, në orën 22:00 para shikueseve dhe qytetarëve të Kosovës do të performojë këngëtarja me famë botërore Rita Ora”, ka thënë Behramaj.
Shënimi i 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës ka filluar me aktivitete të ndryshme. Ndërkaq manifestimi qendror do të zhvillohet më 17 shkurt.

Nesër Meta takon Berishën për pazarin e Ramës me Greqinë për faljen e detit

Me anë të një shkrese zyrtare të dorëzuar këtë të mërkurë në Presidencë, Ministria e Jashtme kërkon nga Ilir Meta plotfuqishmërinë për negociatat e detit me Greqinë. Pas kësaj kreu i shtetit, Ilir Meta ka nisur takimet me ish-presidentët për t’u konsultuar në lidhje me këtë çështje të ndjeshme për opinionin shqiptar.
Burime nga Presidenca, kanë bërë të ditur se edhe ish-Presidenti Sali Berisha ka pranuar ftesën e Metës.
Ende nuk dihet ora e saktë e takimit, por ish-Presidenti Sali Berisha i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Presidentit Ilir Meta për konsultime, në lidhje me marrëveshjen që kërkon të nënshtruajë qeveria me Greqinë.
Një nga pikat e nxehta të kësaj marrëveshja është ndarja e detit, ku pala shqiptare deri më tani i ka dhënë Greqisë, 22.1 kilometra.

Bujar Asqeriu ja plas në fytyrë Kumbaros: Tundu ministre tundu, nuk jemi tregtar specash

Aktori Bujar Asqeriu ka replikuar ashpër me ministren Mirela Kumbaro dhe me njërin nga aktorët, Artan Imami.
Asqeriu ka ndarë disa nga shqetësimet më të forta të aktorëve të teatrit. Asqeriu ka thënë se teatrot janë në gjendjen më të keqe të mundshme.
Bujar Asqeriu: Nuk jemi tregtar specash jemi artistë.
Më përmende bashkitë në rrethe, teatrot në bashki kanë vdekur, tundu ministre, tundu!
Merrej me llastikë uji për të larë fytyrën, këto janë gjëma. Uji nga llastika .
E lëviz shumë mirë amplitudën jam aktor unë. Më njeh populli mua. Unë flas se dua Shqipërinë, dua Teatrin, nuk dua të fitoj lekë, dua të më respektosh si artist.
Duhet ta kuptosh mirë vëllain tënd, Arben Kumbaro është artist i vërtetë. Unë jam origjinal. Nuk pyes për askënd përveç Zotit. Laheshim me ujë të ftohtë, ne artistet.
Kumbaro: Dmth biem dakord që kushtet janë të këqija?
Asqeriu: Kush të pengoi ty të më krijosh kushte mua? Pse mos t’i themi? Për çfarë ta shfrytëzojmë këtë tavolinë për ti bërë qejfin njëri-tjetrin?
Ti projektligjin mos ma shpjego mua.
Ti je artist more, merresh me banjën. Merresh me halenë. Teatri bëhet me lekë, nuk bëhet me pordhë.

Ambasadori austriak: Kujdes me Teatrin, është kartvizita e një shteti
“Sigurisht që ne nuk mund të japim zgjidhjen e këtij problemi, por duhet ta trajtojmë me shumë seriozitet sepse kultura është kartvizita e një shteti dhe Shqipëria është një vend që ofron vërtet shumë.
Në këtë rast unë citoj me shumë kënaqësi një nga themeluesit e Bashkimit Europian Robert Schumann, i cili kur ishte duke përshkruajtur bibliografinë e tij tha se nëse do ti jepej mundësia që të fillonte edhe njëherë me projektin europian atëherë do të fillonte nga kultura.
Unë shpresoj që kultura në Shqipëri përmes të gjithë aktiviteteve sigurisht edhe nëpërmjet kontributit tonë në këtë vit kulturor të marri vëmendjen e duhur dhe të mbetet në vëmendjen e duhur”, u shpreh ambasadori austriak.
Koncerti Viena përshëndet Tiranën, pas shfaqjes në Vjenë në sallën “Moxart”, nëntorin e shkuar, shënon çeljen zyrtare të vitit të vitit kulturor Austri-Shqipëri. me pjesëmarrjen tenorit botëror Ramon Vargas, Gynter Haumer, Genc Tukiçi, balerinët Gerd e Enada Vaso.
Programi parashikon Moxart, Shtraus, Brams, por edhe serenata korçare e këngë të tjera qytetare apo të muzikës së lehtë shqiptare nën drejtimin e koncertmaestrit Benjamin Cirfogel.
“Mbështes atë që u shpreh këtu. Shpresojmë që kultura, edhe nëpërmjet kontributit tonë në këtë vit kulturor, të marrë vëmendjen e duhur dhe të vendoset në vëmendjen e duhur.

Kane kryeson Ronaldinhon dhe Drogba

Harry Kane ka kryesuar rekordet e Didier Drogba dhe Ronaldinho, duke shënuar golin e nëntë në nëntë paraqitje të tij në Ligën e Kampionëve. Ylli i Tottenham ka dribluar edhe Gianluigi Buffon, pastaj e ka rrëshqitur topin në një portën bardhezi, për të rihapur rezultatin e ndeshjes në Torino, e cila kishte shkuar shumë herët 2-0 në favor të vendësve. Më pas ishte Christian Eriksen, ai që shënoi golin e barazimit 2-2, në minutën e 72-të, duke vulosur një barazim që favorizon dukshëm “Suprs” për të kaluar në çerekfinale të Champions-it. Goli i Kane ishte, gjithashtu, një rekord anglez për golat në një sezon të vetëm të Ligës së Kampionëve, duke e barazuar atë me Steven Gerrard, në shtatë gola. Por, ky gol, gjithashtu, e vendosi yllin e “Spurs” në majë, pavarësisht nga çdo lojtar tjetër në historinë e Ligës së Kampionëve.
Didier Drogba, Ronaldinho, Simone Inzaghi dhe Diego Costa kanë shënuar nga 8 gola në 9 ndeshjet e para të një edicioni të Ligës së Kampionëve, që përbënin para të martës rekordin më të mirë në këtë drejtim. Por, ritmi i jashtëzakonshëm i golave të Kane vazhdoi në Torino dhe ai tani qëndron i vetëm, në majë të “grumbullit”. 24-vjeçari është edhe golashënuesi kryesor në mesin e të gjithë lojtarëve, në pesë ligat më të mira në Europë, me 33 gola në të gjitha garat, këtë sezon. Ai, gjithashtu, kryeson Premier League me 23 gola të shënuar këtë sezon dhe ndjek i vetëm yllin e Real Madridit, Cristiano Ronaldo, i cili ka 9 gola në Ligën e Kampionëve, këtë edicion. Kane do të ketë një shans për të thyer rekordin anglez për golat në një fushatë të vetme të Ligës së Kampionëve në ndeshjen e dytë kundër Juventusit, e cila do të zhvillohet më 7 mars në Londër, në stadiumin “Wembley”.

Tottenham “i çmendur”

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Alegri, hodhi poshtë kritikat ndaj skuadrës së tij, pas barazimit të Ligës së Kampionëve me Tottenhamin, duke thënë se kundërshtari ishte “i çmendur”. Gonzalo Higuain shënoi një dopietë të hershme në ndeshjen e parë të 1/8 finale, në Torino, të martën, por humbi një penallti në fund të gjysmës së parë. Harry Kane kishte ngushtuar rezultatin me një gol për “Spurs”, teksa këta të fundit barazuan 2-2 në sajë të një goli të Eriksen, në pjesën e dytë. Alegri, i cili pret që Paulo Dybala dhe Blaise Matuidi të kthehen për ndeshjen e kthimit, tha se pritshmëritë që Juve do ta vriste ndeshjen që në Torino ishin të pavendosura.
“Juventusi luan për të fituar Ligën e Kampionëve, por ne nuk jemi favoritë për këtë. Është e pamundur të arrijmë në finale çdo vit. Ne po bëjmë më të mirën dhe lojtarët e mi duhet të jenë të lumtur, sepse ata kanë zhvilluar një sezon të mahnitshëm. Edhe unë jam i lumtur për atë që po bëjnë. Ne e dimë se duhet të përmirësohemi. Ende kemi një shans të mirë për t’u kualifikuar në Londër, por është krejtësisht e çmendur të mendojmë se Juventusi duhet të fitojë 3-0 në raundin e 1/8 finale të Ligës së Kampionëve. Është diçka që më bën të çmendur, sepse nuk jeni në gjendje të analizoni se sa ekipe të mira janë në Ligën e Kampionëve. Unë nuk mund të pranoj që njerëzit mendojnë se rezultati 2-2 ndaj Tottenhamit mund të na bëjë të depresionuar”, tha trajneri bardhezi.
Alegri tha se skuadra e tij kurrë nuk ishte favorite kundër “Spurs”, ndërsa përgatitet për një “finale” në ndeshjen e dytë, në “Wembley”, muajin e ardhshëm. “Ne patëm një shans 50 për qind përpara ndeshjes së parë dhe ende kemi 50 për qind mundësi kualifikimi për më tej. Tottenham është një skuadër e mahnitshme. Gjithsesi, futbolli është i çuditshëm, sepse Buffon na shpëtoi kur ishim 2-0. Pastaj patëm mundësinë të shkojmë përpara 3-0. Rezultati u ngushtua 2-1. Mund të shkonim 3-1 me penallti, por Higuain e humbi atë. Ne e dinim se do të ishte një ndeshje e vështirë. Jemi përballë Tottenhamit në Ligën e Kampionëve, një ekip fizik dhe teknik. Tani, në Londër, do të jetë një finale dhe do të duhet të luftojmë për ta kaluar me sukses”, përfundoi Alegri.
Juventus pati fillimin e ëndërruar pasi shënoi dy gola në harkun e tetë minutave. Gonzalo Higuain vuri rekordin me dygolëshin më të shpejtë në historinë e Champions League. Pas dy minutash lojë argjentinasi shënoi me një kthesë të befasishme, pas pasimit të marrë nga Pjaniç, ndërsa gjashtë minuta më vonë ai tundi rrjetën me penallti, si rrjedhojë e faullit që Davies shkaktoi ndaj Bernardeschi. Përgjigjja e Tottenham erdhi dhjetë minuta para fundit të pjesës së parë me anë të Harry Kane.
Juve humbi mundësinë për të mbyllur llogaritë në minutën e fundit të pjesës së parë kur Higuain humbi penalltinë e dytë të dhënë për bardhezinjtë, duke e përplasur topin në traversë. Tottenham nuk hoqi dorë nga sulmi dhe mori barazimin e merituar, 18 minuta para fundit. Cristian Eriksen shënoi me goditje dënimi golin e barazimit 2-2, duke përfituar edhe nga ai që mund të quhet gabim i portierit Buffon, i cili nuk mbrojti shtyllën e tij. Në “Allianz Stadium” mbyllet në barazim 2-2 dhe skuadra çerekfinaliste do të vendoset në sfidën e kthimit në Londër, më 7 mars.

Policia nuk lejon protestë para Parlamentit, qytetarët nuk tërhiqen: Nesër ora 10.00 kundër papunësisë e varfërisë

Kryetarja e Shoqatës për Mbrojtjen e të Larguarve nga Administrata, Nertila Ismailgeci, ka reaguar lidhur me protestën e paralajmëruar për t’u mbajtur ditën e nesërme para Kuvendit të Shqipërisë.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Ismailgeci, shprehet se, policia nuk ka pranuar që të lejojë protestën e nesërme dhe është shprehur se ajo mund të zhvillohet një ditë tjetër.
Përkundrejt kësaj Ismailgeci shprehet se, protesta do të mbahet pavarësisht pse nuk u dha leje nga policia.
“Diktatura është instaluar miqtë e mi.Sapo njoftohem nga Drejtoria e Policisë se nuk mund te zhvillojmë protestën nesër pasi shkembyem nja 3 shkresa per plotesim 1.kush do flasë?sa do jetë numri i pjesmarësve?3.personi përgjegjës….
Shkresa që për 5 vjet i kam çuar rregullisht në Drejtorinë e Policisë.Mbas nje sorollatje pafund doli problemi se nuk mund te protestojme nesër por një dite tjeter ,debat jo sqarues.Pra çorganizohuni o të organizuar.
A do te terhiqemi??????Jooooooooo
Neser ora 10 perpara parlamentit
Varferi Papunesi”, shkruan Ismailgeci.

Iuliano: Në Shqipëri ka rezultate të dyshimta

Foto Alfredo Falcone - LaPresse 19/04/2015 Latina ( Italia) Sport Calcio US Latina - Catania Campionato di Calcio Serie B 2014 2015 - Stadio Domenico Francioni di Latina Nella foto: MARK IULIANO Photo Alfredo Falcone - LaPresse 19/04/2015 Latina (Italy) Sport Soccer US Latina - Catania Italian Football Championship League B 2014 2015 - Domenico Francioni Stadium of Latina In the pic: MARK IULIANO

Ish-mbrojtësi qendror i Juventusit dhe ekipit kombëtar italian ka dhënë një intervistë për mikrofonat e “Casa Baggio” dhe “GazzaMercato”, duke kujtuar episodin e shumëdiskutuar të ndeshjes Juventus-Inter, në vitin 1998. Në të gjitha ato që thotë, ai mban ndjenjën e humorit, teksa një sy e ka vigjilent ndaj asaj që do të bëjnë bardhezinjtë e tij në Ligën e Kampionëve. Nuk ka munguar pyetja dhe përgjigjja e tij edhe për karrierën si trajner, veçanërisht për eksperiencën e ndërprerë në mes në stolin e Partizanit të Tiranës. Pyetja e gazetarit ishte: Pse eksperienca juaj me Partizan Tirana, me drejtor Luciano Moggi, përfundoi para kohe?
Përgjigjja e Iulianos është denoncuese për vërtetësinë e futbollit shqiptar. “Në fillim kisha hezitim për ta pranuar këtë ofertë dhe gjatë punës kuptova se ndjenjat e mia ishin të drejta. Kjo, për shkak se, për fat të keq, në Shqipëri u është dhënë mundësia futbollistëve, menaxherëve dhe presidentëve që të vënë baste për ndeshjet. Dhe e gjithë kjo më ka vënë shpesh në vështirësi, për shkak se ishte një ambient i kushtëzuar dhe për këtë arsye nuk mund të punoja i qetë. Shumë lojëra, sipas mendimit tim, kanë pasur rezultate të dyshimta. Më vonë hodha poshtë disa propozime për të drejtuar në Seria B dhe C. Tani dua të përgatis veten e të kthehem për të dhënë më të mirën”, u shpreh Iuliano.