25.5 C
Tirana
E diel, 4 Maj, 2025

Shfarosja e çamëve, e vërteta e takimit të Mid’hat Frashërit me Napoleon Zervën në ‘44! Atdhetari i shkruante Abaz Kuptit: Katastrofa e 7 prillit erdhi edhe nga tradhtia e disa shqiptarëve, të cilët…

NGA URAN BUTKA

Në daljen përpara mediave të projektit të Akademisë së Shkencave “Historia e re e shqiptarëve”, drejtues dhe anëtarë të komisionit hartues u shprehën për përmasat, kriteret dhe vlerat e këtij projekti të ri. Ka disa vite që shqiptarët e interesuar për historinë e tyre, por edhe studiues, historianë, njerëz të kulturës e të tjerë kërkojnë rishkrimin apo korrigjimin e historisë, për shkak të një historie të deritanishme ende të politizuar, të deformuar dhe të njëanshme, por edhe për shkak se gjatë këtyre tri dekadave të tranzicionit demokratik kanë dalë në dritë mjaft dokumente të reja, që kërkojnë doemos këtë rishkrim, sidomos të historisë së Pavarësisë dhe të Luftës së Dytë botërore. Personalisht e kam parashtruar me kohë nevojën e këtij procesi rindërtues, prandaj edhe lajmin e përgatitjes së një historie të re të shqiptarëve e prita me pozitivitet. Mirëpo, në këto dy javë të paraqitjes në media të projektit nga Akademia e Shkencave, u zhgënjeva, jo vetëm unë. Në daljen e parë të komisionit hartues, profesor Paskal Milo tha se ka boll fakte të reja që do të përfshihen në tekstin e ri. ”Do të fillojmë me një fakt historik të panjohur, që ka të bëjë me Mid’hat Frashërin, i cili në 1-3 maj 1944 ka takuar Napoleon Zervën, një nga përgjegjësit kryesorë të shfarosjes së popullsisë çame. Kryetari i Ballit Kombëtar është ulur në bisedime me të për të bashkëpunuar në kohën e luftës”.

Ky i ashtuquajturi “fakt historik”, përbën një “zbulim” dhe një “lajm” për Paskal Milon, ndërkohë që, sipas mendimit tim, është një “fake”, një tendencë për mashtrim, sipas tipologjisë së propagandës së dikurshme komuniste, që paradamkoste personalitete historike, për të njollosur e për të goditur.

Përse duhej të trumbetonte me aq bujë e ngutje këtë paragjykim para mediave dhe përpara komisionit hartues të historisë, kur ky komision do të punojë për dy-tre vjet për të konkluduar mbi faktet dhe fenomenet historike?

Përse deklaron se “do ta fillojmë historinë e re të shqiptarëve me një fakt të panjohur që ka të bëjë me Mid’hat Frashërin? Në ç’dokument është mbështetur Paskal Milo për të nxjerrë me përparësi këtë “fakt historik të ri”?

Në të vërtetë, nuk është një gjë e panjohur, apo e re. Filip Liço autor i librit “Probleme të marrëdhënieve greko-shqiptare”, botuar në Tiranë në vitin 2009, përfshin në këtë botim edhe një fragment kujtimesh te sekretarit të Napolon Zervës, kolonel Th. Sarandis, mbi një takim, sipas tij, mes Napoleon Zervës, me një grup të nacionalistëve shqiptarë, mes tyre edhe Mid’hat Frashëri, në fshatin Voskop të Korçës nga 1-3 maj 1944. Pra, nuk kemi të bëjmë me asnjë dokument apo fakt historik, apo fakt të ri, por me një kujtim të pretenduar të një ushtaraku grek të Zervës. Nuk mund të konsiderohen kujtimet si dokumente apo fakte historike të mirëfillta. Vetë Prof. Paskal Milo dhe Prof. Pëllumb Xhufi kanë theksuar disa herë se historia nuk bëhet me kujtimet, nga që ato përmbajnë subjektivizma apo interesa. Mirëpo, kur ju intereson atyre, i marrin dhe i paraqesin kujtimet si fakte të vërteta, si në këtë rast.

Mendoj që politikanë shqiptarë apo të huaj në kohë të ndryshme, kanë bërë takime madje edhe marrëveshje edhe me kundërshtarët politikë apo armiqtë, në kushte e kontekste të caktuara historike. Përse nuk flet Paskal Milo për një takim të Enver Hoxhës më një oficer gjerman në kohën e Luftës? Unë e kam lexuar atë dokument dhe them se E. Hoxha u takua, por nuk bëri marrëveshje zyrtare me oficerin gjerman. Unë kam dijeni që PKSh ka bërë takime, marrëveshje dhe bashkëpunime me lëvizjen komuniste greke (EAM- Elas). Sipas një raporti Britanik “Një marrëveshje mes Frontit NÇ të Shqipërisë dhe EAM-it (Lëvizja komuniste greke) është firmosur midis datave të dhëna në korrik ose shtator 1943. Oficerët grekë të EAM të atashuar pranë Frontit NÇ të Shqipërisë janë raportuar të kenë qenë Alexis Janaris, Angelos Doupis, Alias Dhimitriu (përfaqësues ushtarak) dhe Kristoferos Prinos. Një marrëveshje ushtarake mes Frontit NÇ-së dhe ELAS-it është raportuar se është bërë gjatë muajit dhjetor 1943, me rastin kur ndihmat e aleatëve për ELAS-it u ndërprenë. Një takim i mëvonshëm midis Frontit NÇ dhe ELAS u raportua se u mbajt në Nepravishtë, gjatë muajit mars 1944”.

Po ashtu, PKSH mori pjesë në paktin e krijimit të Shtabit Ballkanik mes ushtrive nacionalçlirimtare të Jugosllavisë, Shqipërisë dhe ushtrisë së Greqisë në verën e vitit 1943.

Këto çështje duhen analizuar e ndriçuar me objektivitet, pa qenë nevoja për aludime apo akuza politike të tipit komunist. Mirëpo Paskal Milo nxjerr konkluzione eklektike të qëllimshme, duke futur edhe helmin brenda: “Mid’hat Frashëri, më 1-3 maj 1944 ka takuar Napoleon Zervën, një nga përgjegjësit kryesorë të shfarosjes së popullsisë çame. Kryetari i Ballit Kombëtar është ulur në bisedime me të për të bashkëpunuar në kohën e luftës”.

Së pari, sipas Th. Sarandis, N. Zerva u takua me një grup nacionalistësh si Mid’hat Frashëri, Xhafer Dibra, Ali Këlcyra, Suat Asllani, Tane Malishova, Ali Nivica, Shukli Zakomeri, Qazim Prodani, Thoma Orollogai etj dhe jo vetëm me kryetarin e Ballit Kombëtar, M. Frashërin.

Së dyti, takimi mes tyre, gjithnjë sipas Sarandis, u bë me 1- 3 maj 1944, kur dihet që operacioni zervist kundër popullsisë Çame nuk kishte nisur ende, ai filloi në 27 qershor 1944 dhe nuk duhet kurrsesi të ngatërrohet enkas e të kamuflohet sikur Mid’hat Frasheri, mbrojtësi më i madh i çështjes çame, është ulur në bisedime me Napolon Zervën, një nga përgjegjësi kryesorë të shfarosjes së çështjes çame për të bashkëpunuar në kohën e luftë!

Përse Paskal Milo e përmend enkas vetëm Mid’hat Frashërin, duke aluduar për një takim personal me Zervën, kur, sipas burimit, në takim ishin dhe përfaqësues të tjerë të së djathtës shqiptare?

Së treti, as Th. Sarandis nuk thotë se u bë një marrëveshje, por një takim. Madje nuk e citon fare Mid’hat Frasherin, por vetëm fjalët e Suat Asllanit, i cili nuk ishte pjesë e Ballit Kombëtar.

Së katërti, vetë autori i librit “Probleme të marrëdhënieve greko-shqiptare”, Filip Liço, argumenton: “Mendojmë se të dhënat e paraqitura nga mbledhja në Voskop të Korçës nga Th. Sarandis, janë shumë të cunguara. Nga pohimet e tij që Greqia “të bashkohen me çfarë do mënyrë me Shqipërinë”, apo “do t’ia transmetojmë (Zervës) pikëpamjet tuaja”, del se në atë mbledhje u shfaqen mendime të ndryshme lidhur me bashkëpunimin shqiptarogrek”, por nuk u bë ndonjë marrëveshje. Takim nuk do të thotë marrëveshje apo bashkëpunim.

Paskal Milo e lidh enkas “takimin” me Zervën,”shfarosësi i popullsisë çame”, duke ia shtuar qëllimisht këtë bisht për efekt publik. Dihet se kush ishte N. Zervasi, që kreu gjenocid kundër popullsisë çame në Greqi, por takimi me M. Frashërin dhe përfaqësuesit e të djathtës shqiptare nuk kanë asnjë lidhje me këtë gjenocid. Përkundrazi, Mid’hat Frashëri e ka denoncuar ndërkombëtarisht këtë gjenocid.

Dr. Ermal Frashëri, i diplomuar ne Universitetin e Harvardit dhe pedagog në këtë universitet, del kundër këtyre insinuatave: “Milo krijon sensacion me Mid’hat Frashërin. Ai foli për Mid’hat Frashërin e Zervën pa dhënë kontekstin. Duke folur për një takim, pa dhënë arsyet dhe rrethanat, Milo krijoi insinuata për Mid’hat Frashërin”.

Duke u nisur nga ky fakt, por edhe nga daljet në media të drejtuesve të komisionit të historisë, mendoj që projekti i Akademisë së Shkencave për historinë e re, është i tejkaluar, një model zyrtar tashmë i dështuar. Ideimin, konceptimin, udhëheqjen, financimin, botimin, si edhe përzgjedhjen e historianëve pjesëmarrës në komisionin hartues, e ka bërë vetë Akademia sipas preferencave të saj, pa projekte konkurruese. Ndonëse thuhet publikisht se nuk është një projekt zyrtar, e nxjerrin vetë në shesh të kundërtën. Historiani Paskal Milo pohon: “Projekti udhëhiqet e monitorohet nga Akademia e Shkencave”, ndërsa historiani Marenglen Kasmi e thotë më troç: “Duhet të ketë një version zyrtar të historisë dhe nuk e bëjnë më mirë këtë gjë, sesa institucionet shtetërore!”.

Siç shihet qartë, një koncept pushteti totalitar për historinë. Është provuar tanimë se të gjitha botimet zyrtare të “Historisë së Shqipërisë “ kanë qenë tejet të politizuara dhe të deformuara historikisht, sepse janë udhëhequr e krijuar nga pushteti dhe jo nga historianët profesionistë.

Drejtues dhe historianë të projektit, Prof. Paskal Milo dhe sidomos Prof. Pëllumb Xhufi etj., kanë dëshmuar gjatë këtyre tri dekadave një politizim të dukshëm e të dëmshëm në trajtimin sidomos të ngjarjeve të periudhës së Pavarësisë, të Luftës së Dytë Botërore dhe të Pasluftës.

“Si Paskal Milo dhe Pëllumb Xhufi që kanë shfaqur në kohë të ndryshme protagonizëm politik”, thekson Ermal Frashëri.

Por edhe gjatë këtyre ditëve të prezantimit te projektit të Akademisë, këtë gjë kanë demonstruar, duke diktuar pikëpamjet dhe mendësitë e tyre , pra, duke u përpjekur t’i paravënë pikat mbi i-të mbi ngjarje e personalitete historike, përpara se të realizohet projekti.

Dr. Ermal Frashëri, i përfshirë në këtë debat, jep argumentet pse teksti i ri, “nuk do të prodhojë asgjë të re. Do të jetë një histori zyrtare, që ka ngjyrim mentaliteti totalitar. Vetë zyrtarizimi i punimit shkencor është antitezë e shkencës. Vula e Akademisë së Shkencave nuk është mburojë për historinë. Qasje e gabuar dhe organizim i mbrapshtë.”

Në debatin televiziv “ABC-News”, dt 13 5.2021, moderatori Endri Xhafo, i pyet prezantuesit e projektit: A ka pasur luftë civile në vitet 1943-44?

Skënder Gjinushi menjëherë përgjigjet- “Nuk ka pasur luftë civile”

Pra, kryetari i Akademisë së Shkencave, pronari i këtij projekti, vuri vulën këtij fenomeni kaq të debatueshëm, në vend që të thoshte: këtë do ta vendosin historianët e komisionit mbi bazën e dokumenteve. Pra, historia jam unë, tha Skënder Gjinushi.

Dihet që në këto 30 vite të demokracisë janë botuar me qindra botime, që dokumentojnë ekzistencës e luftës civile në Shqipëri pas prishjes së njëanshme nga komunistët të Marrëveshjes së Mukjes. Historiani Beqir Meta, drejtor i Institutit të Historisë ka pohuar e botuar ekzistencën e Luftës civile në Shqipëri dhe pasojat e saj. Le të kujtojmë debatin e tij në Muzeun Kombëtar me Presidentin Moisiu.

Historiania Ana Lalaj, që nuk është pjesë e komisionit, e kundërshtoi Gjinushin dhe të tjerët, duke thënë se kjo luftë nisi pas vendimit të PKSH në Konferencën e Labinotit, shtator 1943, ku u shpall lufta e armatosur kundër Ballit Kombëtar dhe çdo tendence tjetër, një luftë civile.

Rrjedhimisht ka pasur një luftë civile ndërmjet forcave komuniste me ato nacionaliste, e dokumentuar nga dokumentet e Arkivit të Shtetit, Arkivit të Ushtrisë, Arkivit të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë, arkivave të Britanisë, Gjermanisë, SHBA, Jugosllavisë etj. Thuajse gjithë oficeret britanikë që ishin atashuar në Shqipëri gjatë luftës, rreth 150, e kanë pohuar e vërtetuar Luftën civile, po ashtu edhe historianët e huaj si R. Bejl, B. Fisher etj. Por, mjafton të lexosh raportet ushtarake të komandantëve dhe komisareve te divizioneve, brigadave, e batalioneve te ushtrisë NÇ, si Mehmet Shehu, Dali Ndreu, Shefqet Peçi, Ndreko Rino, e shumë të tjerë, për të kuptuar vërtetësinë autentike dhe përmasat tragjike të luftës civile në Shqipëri. Mjafton të përmendim luftën civile në Malësinë e Madhe, dhjetor 1944-shkurt 1945, një luftë frontale civile për një muaj e gjysmë pa ndërprerje, ku merrnin pjesë divizione dhe brigada të ushtrisë NÇ, që sulmuan ushtarakisht me zjarr e me hekur, dhe ku u vranë me qindra luftëtarë e malësorë nga të dy palët, u dogjën 34 shtëpi dhe pushkatuan e burgosën qindra malësorë, u internuan qindra familje në kampet e internimeve të të gjithë Shqipërisë burg.

Historianët enveristë e kanë fshehur dhe e fshehin edhe sot luftën civile, për të ngritur dhe mbrojtur mitin dhe glorifikimin e Luftës NÇ edhe të figurës së Enver Hoxhës, duke mohuar e baltosur luftën e faktorëve të tjerë të luftës antifashiste. Dua t’u kujtoj atyre se luftën kundër italianëve e nisën nacionalistët qysh më 7 prill 1939, që betejën më të madhe kundër tyre, luftën e Gjormit 1 dhjetor 1942- janar 1943, ku u vra edhe koloneli Klementi, e kanë bërë çetat e Ballit Kombëtar të Hysni Lepenicës, Skënder Muços dhe Isuf Luzajt, bashkë me çetën e partizane të Neki Ymerajt; që luftën e parë kundër italianëve menjëherë pas Konferencës së Mukjes, 4 gusht 1943, e bënë forcat e bashkuara nacionaliste dhe partizane të komanduara nga Abaz Kupi, ku u vra edhe kapiteni italian Scampa; që betejën e parë kryesore kundër gjermanëve e kanë bërë çetat nacionaliste të Safet Butkës më 13 gusht 1943 në kthesat e Barmashit, (sipas dokumenteve arkivore të marrëveshjes Bill Maklin-Safet Butka, 8 gusht 1943), betejë në të cilën merrte pjesë e majori britanik Deivid Smajl, ku u vranë 25 gjermanë dhe u shkatërruar mjaft mjete ushtarake, autoblinda etj. (shih D. Smajl, “Me detyrë në Shqipëri”). (Betejë të rëndësishme historianët komunistë e paraqesin luftën në Barmash, korrik 1943, ku disa forca të Batalionit “Tomorri” goditën autokolonën gjermane, duke kujtuar se ishte autokolonë italiane, dhe ikën pasi hodhën disa pushkë, pa vrarë asnjë gjerman, duke e lënë gjithë zonën pa mbrojtje dhe gjermanët për hakmarrje dogjën Barmashin, vranë 117 viktima te pafajshme në Borovë etj); Po ashtu, përmendim betejat e Muharrem Bajraktrarit kundër gjermanëve, teksa i binin prapa krahëve komunistët; luftërat e Gani Kryeziut kundër gjermanëve etj. Mirëpo këto dokumente të reja të nxjerra nga arkivat pas përmbysjes së diktaturës komuniste, nuk i përmendin historianët Pëllumb Xhufi, Marenglen Kasmi etj për të treguar se vetëm Nacionalçlirimtarja me në krye E. Hoxhën ka luftuar, ndërsa Balli e Legaliteti kanë bashkëpunuar me pushtuesit.

Unë e vlerësoj Luftën NÇ kundër pushtuesve nazifashistë, gjakun dëshmorëve partizanë për liri; vlerësoj edhe luftën e faktorëve të tjerë antifashistë, si Balli Kombëtar, edhe gjakun e dëshmorëve nacionalistë për liri dhe Shqipëri etnike. Elementë bashkëpunues me okupatorët ka pasur nga të dy krahët. Veço qeveritë kolaboracioniste nën pushtimin italian (1939) dhe Regjencën nën pushtimin gjerman (1943-1944), të cilat për mendimin tim janë rreshtuar në drejtim historik të gabuar. I kësaj natyre ishte edhe bashkëpunimi PKSH dhe E. Hoxhës me komunistët jugosllave e rusë gjatë e pas luftës në dëm të Shqipërisë.

Pyetjes së gazetarit Xhafo, si e çmoni Enver Hoxhën, historianët iu përgjigjen:

Pëllumb Xhufi: “Ka pasur të mira dhe të këqija”.

Paskal Milo: ”Pozitiv gjatë luftës, diktator pas luftës”.

Ana Lalaj: “Nuk ka dy Enverë, është vetëm një, Enveri -fytyra më e zezë historike, gjatë dhe pas luftës, ka urdhëruar të vriten njerëz, jo vetëm kundërshtarë politikë, por edhe antifashistë brenda gjirit te lëvizjes NÇ, si Mustafa Gjinishi, Zai Fundo etj. E. Hoxha i thotë përfaqësuesit britanik Palmer: Më kanë vrarë shokun e ngushtë Mustafa Gjinishin, kur Enveri e kishte urdhëruar vetë vrasjen e Gjinishit. Një mashtrues. Enveri- vegël e jugosllavëve”.

Për mendimin tim, individët, por edhe personazhet historike, duhet te paraqiten në kompleksitetin e tyre, dhe jo bardhë apo zi. Por në vlerësimin përfundimtar të tyre duhet peshuar ajo që është dominante në veprën e tyre. Dominante për Enver Hoxhën gjatë luftës ka qenë terrorizmi paranojak dhe demagogjia, lufta për ta marrë pushtetin me dhunë e me gjak, (siç e pohon vetë) dhe pas luftës – diktatori stalinist më i egër, për ta mbajtur pushtetin me anë të diktaturës më ekstreme se në gjithë vendet e Lindjes komuniste. Por Pëllumb Xhufi thotë se ka pasur të mira dhe të këqija, ndërsa Paskal Milo thotë se ka qenë pozitiv gjatë luftës dhe diktator pas luftës!” Asnjëri prej tyre nuk thotë se Enver Hoxha ka urdhëruar krime lufte dhe krime kundër njerëzimit (të dokumentuara) gjatë luftës dhe pas luftës, të denja për gjyqin e Hagës.

Por studiues dhe historianë të tjerë gjykojnë ndryshe. Në bisedën televizive të datës dt. 17 maj, në përballjen e Pëllumb Xhufit, Marenglen Kasmit me Dritan Egro dhe Erald Kaprin, u shfaqën mendimet ndryshe edhe për projektin e historisë, edhe për Enver Hoxhën, edhe për Mid’hat Frashërin.

Studiuesi Erald Kapri parashtroi argumentin e tij se “projekti i Akademisë që drejtohet nga Skënder Gjinushi, është i tipit sovjetik. S’ka alternativë, s’ka procedura konkuruese. Historinë e re duhet ta bëjnë studiues e historianë të rinj, të paideologjizuar, duhet të kishte studiues nga diaspora, si edhe historianë të huaj. Kemi nevojë për një model të ri.”

Mirëpo profesorët e Komisionit e mësyjnë personalisht:

Marenglen Kasmi: Çfarë diskuton ti? A ke recenca për botimet e tua? Nuk ke!

E. Kapri: Po vë në diskutim formimin tim? Kam botuar 6 artikuj shkencorë dhe dy libra. Për studimin “Mbreti Zog”, kam pasur recensën e Roderik Bejlit.

Dritan Egro: Kemi të njëjtin model të shkrimit të historisë, si në kohën e komunizmit, kur përcaktohej linja ideologjike dhe historianët ishin të detyruar ta mbushnin me fakte. Të gjitha botimet e historisë së Shqipërisë deri tani kanë qenë zyrtare dhe të politizuara. Kjo po ndodh edhe tani. U tha se do ta fillojmë historinë e re të shqiptarëve me Mid’hat Frashërin që paska bërë një takim me Napoleon Zervën, një shqiptar me origjinë nga Suli… Ky është një qëndrim politik. Takimet duhen shikuar në kohën dhe kontekstin e tyre. Edhe Ismail Qemali ka bërë një marrëveshje me palën greke, për një shtet të vetëm greko-shqiptar në vitin 1907. Kjo është e dokumentuar, e kam dokumentin.

Pëllumb Xhufi, në vend të argumenteve historike, sillet ndaj Dritanit me shpërfillje e fyerje: “Do të ishte mirë të merresh me regjistrat osmanë për t’u bërë shumë i njohur …, duke harruar t’i thoshte vetes së tij: “do të ishte mirë Pëllumb të merresh vetëm me historinë e Mesjetës, për tu bërë shumë i njohur, sesa me Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri, që e tjetërson”.

Mid’hat Frashëri ishte një atdhetar i madh, demokrat dhe antifashist, figurë e shquar kombëtare dhe proevropiane.

Mid’hati i shkruante nga Stambolli Abaz Kupit më 1948: “Një komitet i përbashkët do të ishte një vegël e çmueshme për të rifituar të drejtat kombëtare. Por a nuk mendoni ju, se kondita e parë e një organi që të merrte përsipër një barrë të tillë, duhet të jetë formuar prej njerëzish, mbi të cilët të mos peshojnë njolla dhe faje kundër atdheut. E dini fort mirë se Shqipëria pësoi katastrofën e 7 prillit jo vetëm prej fuqisë ushtarake të huaj, por edhe nga tradhtia e disa shqiptarëve, të cilët me liri dhe koshiencë të plotë përgatitën komplotin kundër atdheut dhe vepruan si pararojë e fuqive okupuese…”

Kështu, sipas këtij kriteri të Mid’hat Frashërit, nuk mund të merrnin pjesë në Komitetin “Shqipëria e Lirë”, ata krerë të Bllokut Indipendent, apo të Ballit Kombëtar e të Legalitetit, që ishin komprometuar me pushtuesit nazifashistë, ndonëse ishin antikomunistë të vendosur si Mustafa Kruja, Ernest Koliqi, Gjon Marka Gjoni, Shefqet Vërlaci, Xhaferr Deva, Kadri Cakrani etj, ndërkohë që Mid’hat Frashëri zgjodhi, si përfaqësues të Kosovës në këtë komitet Said Kryeziun nga familja e shquar antifashiste Kryeziu. Vetë fakti që aleatët perëndimorë përzgjodhën Mid’hat Frashërin në krye të Komitetit “Shqipëria e lirë” (1949) si një figurë e pastër dhe proevropiane, është tejet kuptimplotë.

Nuk kam asgjë personale me Prof. Paskal Milon dhe Prof. Pëllumb Xhufin e të tjerët, kam pasur debate mbi historinë dhe secili ka paraqitur opinionet e tij. Normale. Por tani që Pëllumb Xhufi është drejtor i projektit të historisë së re të shqiptarëve dhe Paskal Milo drejtues për historinë e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, nuk mundem të hesht dhe të mos kundërshtoj trajtesat e tyre të politizuara, si edhe hipotezat e tyre të fundit tejet ndikuese te Komisioni hartues i historisë. Janë po ata që kanë shkruar tekstet e mëparshëm të historisë së falsifikuar e të dëmshëm për higjienën shoqërore.

Nuk mund të bëhet një shtëpi e re me qereste të vjetër.

Marrë nga libri i ri “Polemikat”, 2024

Stairway to The Sky Palace “vazhdon murin” e pallateve në ish-Bllok

“Stairway to The Sky Palace” është një nga projektet e shumta të pallateve shumëkatëshe që po zhvillohen në zonën e ish-Bllokut mbi vilat historike.

Projekti, i konceptuar nga Nicola Gilardi dhe Albana Koçollari, parashikon strukturë 13 katëshe banimi dhe shërbimesh anës rrugës “Brigada e VIII”.

Vendosur mes dy pallatesh ekzistuese, “Stariway to The Sky Palace” nisi të ndërtohej në shkurt 2020. Punimet janë parashikuar të zgjasin të paktën 5 vite.

Në koncept-ide struktura prezantohet si “vazhdim i murit urban të krijuar nga godinat ekzistuese” duke nënkuptuar këtu plotësimin me 13 kate pallat të një hapësire që deri katër vite më parë ishte e një vile historike trekatëshe me lulishte.

Projekti po zhvillohet nga kompania “Metro Design” e zotëruar nga Arjan Çukaj, një inxhinier ndërtimi, i cili së bashku me Ferid Sukajn në vitin 2006 themeloi Universitetin Metropolitan të Tiranës – njohur fillimisht si Future University of Tirana.

Çukaj njihet edhe për angazhimin politik krah Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Në periudhën 2015-2019 ai ishte përfaqësues i kësaj partie në Këshillin Bashkiak të Tiranës.

Në ortakëri me Sukajn, apo dhe si investitor i vetëm, Çukaj rezulton të jetë investitor edhe i tre projekteve të tjera – Selvia Luxury Living, Twister Palace dhe Diamond Palace – ku njëri prej tyre po zhvillohet në rrugën “Moskat” krah selisë së Partisë së Lirisë, rreth 450 metra larg “Stairway to The Sky Palace”.

Përveç ndërtimeve, Çukaj është përfshirë si sipërmarrës edhe në sektorin e energjetikës dhe teknologjisë.

Historiku i zonës dhe vendit ku po ndërtohet

Zona – e njohur rëndomtë si ish-blloku, – u zhvillua kryesisht në periudhën 1925-1943 nën ndikimin e arkitekturës italiane.

Mbi 30 vila dhe blloqe rezidenciale dy-trekatëshe u ndërtuan gjatë kësaj kohe sipas konceptit urbanistik të parcelizimit me oborre dhe lulishte duke i dhënë qytetit një zonë të re me stil modern.

Fillimisht atje u vendosën familjet e sipërmarrësve, oficerëve, nëpunësve dhe zyrtarëve italianë.

Gjatë diktaturës vilat u konfiskuan dhe zona u konceptua si bllok ku u vendos udhëheqja politike.

Asaj iu shtuan disa pallate 5-katëshe, ndërsa pas viteve 90-të – veçanërisht dhjetëvjeçarin e fundit – zhvillimi i paplanifikuar mirë tjetërsoi vilat dhe hapësirat e gjelbra në komplekse pallatesh shumëkatëshe.

“Stairway to The Sky Palace” zuri vendin e një ish-vile trekatëshe të periudhës së italianëve, e cila deri në vitin 2020 përdorej nga Universiteti Metropolitan i Tiranës për zyrat qendrore të saj.

Citizens Channel 

“Poshtë komunzimi, poshtë diktatura”/ Diaspora e New York-ut pret me ‘këmbët e para’ Edi Ramën

Kryeministri Edi Rama është pritur me protestë ditën e sotme në SHBA. Siç shihet dhe nga fotot e mëposhtme, qindra qytetarë janë mbledhur në vendin që Rama do të bëj takimin me diasporën shqiptare në New York dhe po protestojnë kundër tij.

Ndërkohë që është paralajmëruar se në këtë takim do të marrin pjesë administrata dhe krerët e bashkive të të gjithë vendit. Po ashtu qytetarët në protestën e sotme janë parë me pankarta me vete, kundër Ramës.

Vizita në SHBA vjen 2 muaj përpara nisjes së procesit të regjistrimit të diasporës për zgjedhjet parlamentare të 2025-ës, që u mundësua pas bashkimit të votave mes mazhorancës dhe opozitës në muajin korrik. Gjithashtu, në kuadër të këtij turi, do të ketë dhe një rikthim i Ramës në Greqi më datën 3 nëntor në Selanik. Ndryshe nga takimet e majit në Athinë dhe Milano formati do të jetë më i ngushtë, teksa mësohet se takimet do të zhvillohen në holle hotelesh dhe jo në stadium.

“I gjithë populli i Gazës veriore në prag të vdekjes”- Zyrtarja e OKB-së: Mospërfillja nga humanizmit duhet të ndalet!

Zyrtarja lartë i OKB-së në sektorin e çështjeve humane, Joyce Msuya, ka akuzuar forcat izraelite se kanë treguar “mospërfillje ndaj humanizmit bazë” në operacionet e tyre të fundit në Gazën veriore.

“Ajo që forcat izraelite po bëjnë në Gazën e Veriut të rrethuar nuk mund të lejohet të vazhdojë,” tha ajo në një deklaratë në mediat sociale, duke theksuar se spitalet janë goditur, punonjësit e shëndetësisë janë ndaluar, strehimoret janë djegur dhe  se ekipet e terrenit për ndihmën e parë janë penguar të shpëtojnë njerëzit.

“Qindra palestinezë janë vrarë dhe dhjetëra mijëra janë detyruar të largohen… Një shpërfillje e tillë për humanizmin dhe për ligjet e luftës duhet të ndalet”.”, shkruan ndër të tjera zyrtarja e lartë e OKB-së.

Ajo gjithashtu thotë se “e gjithë popullsia e Gazës veriore është në prag të vdekjes”.

Izraeli filloi një tjetër ofensivë ushtarake në Gazën veriore në fillim të këtij muaji, duke thënë se qëllim kishte të parandalonte luftëtarët e Hamasit nga rigrupimi.

Gazeta “SOT”, simbol i pavarësisë mediatike në Shqipëri prej 22 vitesh

Nga Rigels Seliman

Sot mbushen plot 22 vite nga dita kur në Shqipëri ka lindur Gazeta “SOT”, media më e dashur për qytetarët shqiptarë dhe diasporën shqiptare.
Në 22-vjetorin e saj, gazeta “SOT” feston një rrugëtim të jashtëzakonshëm si një nga mediat më të pavarura në Shqipëri. E themeluar me vizionin për të sjellë një zë të qartë dhe të fortë për qytetarët, “SOT” ka luajtur një rol të rëndësishëm në denoncimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend. Në një kohë kur shumë media janë nën ndikimin e pushtetarëve, “kokave” të krimit dhe oligarkëve, gazeta “SOT” ka qëndruar e patundur, duke u bërë një pikë referimi për ata që kërkojnë informacione të sakta dhe të paanshme.
Gjatë viteve, gazeta “SOT” ka zbuluar skandale të shumta që lidhen me politikanët dhe pushtetarët, duke nxjerrë në pah abuzimet me pushtetin dhe shkeljet e ligjit. Kjo ka bërë që “SOT” të njihet si një nga denoncuesit më të mëdhenj të padrejtësive në Shqipëri. Pavarësia e saj i ka dhënë mundësinë të kritikojë dhe të kërkojë përgjegjësi nga ata që drejtojnë vendin (qeveritë ndër vite), duke mbështetur gjithashtu dhe reformat që forcojnë sistemin e drejtësisë.
Gazeta “SOT” ka një qasje të qartë pro SHBA-së, Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe, duke theksuar rëndësinë e partneriteteve ndërkombëtare për stabilitetin dhe zhvillimin e Shqipërisë. Kjo qasje e orientuar drejt perëndimit është një testament i angazhimit të “SOT” për një Shqipëri më të mirë, ku sundimi i ligjit dhe drejtësia janë prioritete kryesore. Gazeta “SOT” mbështet fuqishëm Reformën në Drejtësi dhe institucionet si Prokuroria e Posaçme (SPAK), Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), etj, të cilat kanë si mision luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Një nga karakteristikat më të rëndësishme të “SOT” është qëndrueshmëria e saj ndaj presioneve politike, kriminale dhe ekonomike. Në një peizazh mediatik ku shumë gazeta janë të varura nga financimet e pushtetarëve, “SOT” është bërë media e qytetarëve, duke mbajtur një linjë të qartë dhe të paanshme. Ky angazhim për integritet dhe transparencë e bën atë një model për mediat e tjera në vend.
Duke u përballur me sfida të shumta, “SOT” ka arritur të ruajë besueshmërinë e saj si një burim informacioni të qëndrueshëm. Ajo ka ndihmuar në ngritjen e vetëdijes qytetare për çështjet që prekin përditshmërinë e shqiptarëve. Kjo gazetë nuk është thjesht një mjet informimi, por një instrument që fuqizon zërin e qytetarëve dhe inkurajon angazhimin e tyre në proceset demokratike.
Në përfundim, 22-vjetori i gazeta “SOT” është një rast për të festuar kontributin e saj në forcimin e demokracisë dhe promovimin e një shoqërie më të drejtë. Si një media e pavarur, ajo vazhdon të mbetet një forcë e rëndësishme në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe në luftën kundër korrupsionit. Të gjitha këto arritje e bëjnë gazetën “SOT” një simbol të paanshmërisë dhe të gazetarisë së ndershme në Shqipëri.

Netanyahu, një armik më i rrezikshëm se Irani për izraelitët

Një nga shkrimtarët më të lexuar dhe më të njohur izraelit, regjisor dhe skenarist, Etgar Keret, është kritik me mënyrën si po e drejton kryeministri Benjamin Netanyahu konfliktin në Gaza.

Më shumë sesa lufta me Hamasin, Hezbollahun apo Iranin, ai sheh si kërcënim për shtetin e Izraelit shtypjen e lirisë së ideve. Në një intervistë për Avvenire, Keret thotë se Netanyahu po e përdor konfliktin si një mjet për të qëndruar në pushtet dhe për të mos marrë përsipër përgjegjësitë e tij.

A keni menduar ndonjëherë të largoheni jashtë vendit për shkak të luftës?

Cila luftë? Jo nga ajo me Hamasin apo Hezbollahun apo ajo e mundshme me Teheranin. Asnjë nga këto konflikte nuk më ka shtyrë dhe nuk do të më shtynte të largohesha. Do ta bëja vetëm nëse Izraeli do të humbiste një luftë tjetër dhe do të kthehej në një vend ku nuk mund të shprehja më idetë e mia apo të luftoja për liri. Një vend me të cilin nuk identifikohem më dhe që nuk e njoh. Në atë rast do të largohesha. Dhe do të jetoja në mërgim të përhershëm. Asnjë vend nuk mund të zërë vendin e Izraelit në zemrën time.

A është një pjesë e shoqërisë izraelite në luftë me qeverinë Netanyahu?

Unë do të thosha pjesa mbizotëruese. Shtatë milionë njerëz morën pjesë në protestat kundër reformës në drejtësi dy vjet më parë. Çështja është se një grup kolonësh dhe ultra-ortodoksë, së bashku me Netanyahun, po e mbajnë vendin të burgosur. E kam shkruar së fundmi: ka 101 pengje të mbajtura nga Hamasi në Gaza dhe 7 milionë izraelitë peng të kësaj qeverie të tmerrshme që na pengon të kthejmë në shtëpi të rrëmbyerit nga Rripi. Qëllimi i tij është ta transformojë demokracinë tonë në një shtet hebre fundamentalist. Nuk është hera e parë që ndodh. Objektiva të tilla, historia na tregon se ka pasur edhe më parë. Për këtë arsye, unë them se rreziku më i madh për këtë vend është Netanyahu, jo sulmi nga Irani. Një luftë me ajatollahët, apo me ndonjë “armik të jashtëm”, nuk do të mund të na shkatërronte. Konflikti i brendshëm mbi vlerat themelore që na mbajnë të bashkuar, megjithatë, mund ta bëjë këtë. Nuk e kam të vështirë ta mendoj jetën krah për krah me palestinezët dhe libanezët. Në fakt, mendoj se do të bëheshim miq të mirë. Sigurisht, do të duhet kohë. Por do të ndodhte. Megjithatë, nuk e imagjinoj veten të jetoj me kolonë apo fundamentalistë të ndonjë feje, për të cilët ideologjia e tyre apokaliptike vlen më shumë se jetët njerëzore.

Pavarësisht kritikave dhe mbi një vit lufte, megjithatë, Netanyahu është ende në pushtet. Si ka ardhur kjo?

7 tetori ishte një tronditje. Kur Netanyahu tha: fillimisht le të shkojmë në luftë për të shpëtuar veten, pastaj të përballemi me çështjet tona, shumë, madje edhe nga kundërshtarët e tij, e besuan. Megjithatë, me kalimin e kohës, të gjithë po kuptojmë se konflikti është mjeti i tij për të qëndruar në pushtet dhe për të mos marrë përsipër përgjegjësitë e tij. Për këtë arsye e zgjat pafundësisht. E kundërta e strategjisë së ndjekur nga Izraeli për shtatëdhjetë vjet: luftërat, me përjashtim të asaj të Pavarësisë, kanë qenë gjithmonë të shkurtra, sepse ne jemi një vend i vogël që nuk i përballojmë dot kostot për një kohë të gjatë. Atëherë për çfarë po luftojmë? Më shumë se dymbëdhjetë muaj pas fillimit të luftës, qeveria nuk na e ka shpjeguar. Netanyahu vazhdon të përsërisë sloganin “fitore totale” që është si të thuash “dashuri e plotë”, nuk do të thotë asgjë. Në tregimet e ilustruara fitoret janë totale, në histori jo. Konfliktet përfundojnë me një marrëveshje. Ideja që Netanyahu dëshiron të na imponojë më kujton atë të Samsonit, i gatshëm të vdesë për t’i vrarë të gjithë. A është kjo e ardhmja që duam: të na shembet tempulli mbi kokë, vetëm për të vrarë të ashtuquajturit armiq? Sigurisht që nuk është ajo që ëndërroj për vendin dhe për mua. Fitorja është ndërtim, jo ​​shkatërrim.

A besoni ende se paqja është e mundur?

Siç kam shkruar në një ese gjatë luftës në Gaza në 2014, unë jam gjithnjë e më pak i interesuar për paqen. Në vend të kësaj, unë besoj në kompromis. Paqja është një dhuratë nga Zoti, diçka idilike, e përsosur. Kompromisi, megjithatë, bëhet nga qeniet njerëzore, tek të cilët unë vazhdoj të kem besim, pavarësisht gjithçkaje. Për këtë arsye, nuk besoj se shumica e palestinezëve e mbështesin sulmin e 7 tetorit apo se një pjesë e madhe e izraelitëve duan vdekjen e njerëzve të Fazës, edhe nëse disa sondazhe e thonë këtë. Është një gjë t’u përgjigjesh pyetjeve në mënyrë abstrakte, veçanërisht kur je i zemëruar, por është tjetër gjë të ushtrosh dhunë. (Respublica)

Pilula çudibërëse e lumturisë

Nga Namir Lapardhaja

Në vitin 1932 në Varshavë, kryeqytet i Polonisë, u botua një roman me titull “Pangopësia” me autor Stanislav Vitkieviç, i cili ishte njëkohësisht piktor, shkrimtar dhe filozof. Ngjarjet ishin vendosur në Evropën e viteve ’40-’50, ndërsa mjedisi që përshkruhej ishte ai i artistëve dhe i shoqërisë së lartë. Të gjitha ndodhin në një kohë kur qytetërimi perëndimor ishte i kërcënuar, vendi ishte i pambrojtur dhe do të pësonte i pari goditjen e një ushtrie lindore. Heronjtë e romanit janë njerëz fatkeq: ata kanë humbur besimin në gjithçka dhe çdo gjë që bëjnë u duket e pakuptimtë. Në këtë atmosferë, nëpër qytete të ndryshme, shfaqen tregtarë shëtitës, të cilët shesin fshehtas pilulat “Murti-Bing” dhe çdo njeri që i përdor ato gjen qetësinë shpirtërore dhe lumturinë e përhershme, duke fituar imunitet ndaj çdo tundimi për vramendje metafizike. Epilogu i këtij romani është dhënë me pak fjalë: lufta ka vënë përballë ushtritë e Perëndimit me ato të Lindjes dhe, në çastin kur pritet të fillojë beteja, komandanti i ushtrisë perëndimore shkon e dorëzohet në shtabin e armikut; si “shpërblim” i pritet koka. Ushtria lindore pushton vendin dhe fillon “jeta e re”, në të cilën zbatohet “Murti-Bingu” dhe personazhet e romanit, dikur të rënuar shpirtërisht nga “pangopësia” filozofike, kalojnë në shërbim të sistemit të ri. Qetësia e tyre spikat përballë gjithçkaje që ndodh përreth.
Mbi këtë histori e ngre parabolën e kapitullit me të njëjtin titull (Murti-Bing) Çesllav Milloshi në veprën “Mendja e robëruar”, shkruar në vitet ’51-’52, në kulmin e stalinizmit.
Ajo që na thotë Milloshi është se “Murti-Bingu” është një tundim i madh për intelektualin, i cili konformohet me regjimin me zell dhe entuziazëm.
Sipas tij, në romanin e Vitkieviçit, vihen re disa elementë, të cilët ndihmojnë të kuptojmë se si njerëzit piqen për “Murti-Bingun”:
Elementi i parë që rendit ai është zbrazëtia, që ka të bëjë me mungesën e besimit fetar, i cili ka pushuar së ekzistuari. Elementi i dytë që merr në konsideratë është absurdi. Ai sërish merr në analizë një prej heronjve të Vitkieviçit, i cili bën një shëtitje, ku e shqetëson ndjenja marramendëse e absurdit. Cila është arsyeja që e përligj ekzistencën e të gjithë këtyre përfaqësuesve të species njerëzore, ç’kuptim ka kjo lëvizje, këto buzëqeshje, këto përpjekje për të fituar para, këto zbavitje prej shtazësh budallaqe? Këto lloj pyetjesh janë, pothuajse, të pashmangshme dhe bashkudhëtare të asaj që quhet urrejtja ndaj borgjezisë. Ndaj, vijon ai, le të ngrihet Njeriu i ri, i cili, në vend që t’i nënshtrohet botës, e transformon atë, njeriu që mendon në përmasa botërore dhe që vetë e krijon formimin e tij historik në vend që të jetë skllav i tij. Vetëm kështu mund të çlirohesh nga absurditeti i ekzistencës fiziologjike. Elementi i tretë është domosdoshmëria. Sipas Milloshit, ajo që e karakterizon këtë personazh është frika për të menduar në mënyrë të pavarur.
Suksesi është elementi që kurorëzon analizën e Çesllav Milloshit. Sipas tij, vjen një kohë kur bëhet e domosdoshme të merret e tërë doza e “Murti-Bingut”, edhe pse kjo nuk kalon pa dhimbje për pacientin.
Në epilogun e romanit të Vitkieviçit, heronjtë që kanë kaluar në shërbim të “Murti-Bingut”, shndërrohen në skizofrenë. Është lufta e brendshme midis një bote “të re” dhe asaj “të vjetër”, midis asaj që është dhe asaj që duhet të jetë, është dyzimi i tyre, i cili, pavarësisht pilulës “çudibërëse” nuk i lë të qetë duke i shkaktuar vështirësi të mëdha në jetën e përditshme.
Në fund le t’i kthehemi edhe një herë asaj se çfarë ndodhi me autorin e romanit “Pangopësia”: kur ai mori vesh se Ushtria e Kuqe kishte pushtuar Poloninë, u vetëvra duke pirë helm dhe prerë damarët. Romani i tij, shkruar disa vjet më parë, kishte shërbyer si profetësi e asaj që do t’i ndodhte vendit më pas.

Forcojnë kockat dhe mbrojnë zemrën, ja si t’i përdorni gjethet e hurmës për shëndetin

Ashtu si fruti edhe gjethet e hurmave mbartin një “pushtet” të fuqishëm plot vlera kurative.

Hurmat e shijshme dhe ekzotike kanë diçka magjike që shkon përtej kënaqësisë së shqisave tona të shijes.

Nga veriu në jug, Shqipëria është e bekuar nga prania e këtij fruti të mrekullueshëm, i preferuar nga të gjithë shqiptarët.

Krahas shijes unike, hurmat janë një pasuri më vete në aspekt vlerash shëndetsore. Por ashtu si fruti edhe gjethet e hurmave mbartin një “pushtet” të fuqishëm plot vlera kurative për shëndetin sidomos për forcimin e kockave dhe zemër.

Sipas ekspertëve të AgroWeb.org në krahasim me çajrat apo lëngjet e tjera, çaji i gjetheve të hurmave përmban një nivel të lartë përfitimesh dhe vlerash.

10 herë më shumë vitaminë C

Studime kanë treguar se lëngu i gjetheve të hurmave përmban 10 herë më shumë vitaminë C, tanina, flavonoidë, rutinë, kolinë dhe amino acide.

Lëngu i gjetheve të hurmës forcon zemrën. Flavonoidët që gjenden në këtë lëng ulin tensionin e lartë të gjakut dhe zbusin barrën e rëndë të stresit në zemër.

Gjethet e hurmave kanë aftësinë të përmirësojnë shëndetin e syve, ngadalësojnë plakjen, parandalojnë disa sëmundje, përmirësojnë tretjen.

Gjithashtu ato forcojnë sistemin imunitar, ulin kolesterolin, rrisin metabolizmin, forcojnë kockat, rrisin aftësitë mendore, ulin tensionin e gjakut dhe përmirësojnë paraqitjen e lëkurës.

Për më tepër, lëngu i gjetheve të hurmave përshpejton shërimin e trupit, humbjen në peshë, lufton inflamacionin dhe rrisin qarkullimin e gjakut.

Për virozat, alergjinë dhe tretjen

Lëngu i gjetheve të hurmave nuk përmban kafeinë dhe ka një shije bimore të athët. Aftësitë mirëbërëse të këtyre gjetheve ndikojnë në rritjen e metabolizmit falë vitaminave dhe mineraleve që ato përmbajnë.

Vitamina C tek gjethet e hurmave ndihmon në prodhimin e qelizave të bardha të gjakut. Ato mbrojnë organizmin nga toksinat, bakteret, virozat dhe forcojnë fuqinë imunitare.

Lëngu i gjetheve të hurmave ndihmon në rënien në peshë. Ai është i pasur me shumë flavonoidë anti-alergjikë. Ky lëng pakëson gjasat e shfaqjes së alergjive apo inflamacionit.

Njësoj sikur fruti, gjethet janë të pasura me fibër që ndihmon shumë për tretjen e duhur të ushqimit. Fibra vjen në ndihmë edhe në sekretimin e lëngjeve tretëse dhe të gastritit.

Si të përgatisni lëngun e gjetheve të hurmës në shtëpi

Zieni një filxhan me ujë

Hidhni një lugë çaji me gjethe të thata hurme

Ziejini për 10 deri në 15 minuta

Kullojeni dhe servireni të ngrohtë.

Çaji arrin të marrë një shije të kombinuar mes të ëmblës dhe të athtës vetëm kur ftohet.

Në çdo rast ju mund të shtoni mjaltë sipas preferencës./AgroWeb.org

Supercikli i rritjes së çmimit të shtëpive sapo ka filluar, faktorët kryesorë që ndikojnë

Pas krizës financiare të viteve 2007-09, çmimet globale të banesave ranë me 6% në terma realë. Por pa kaluar shumë kohë, ato u rritën përsëri dhe kaluan kulmin e kohës para krizës.

Kur goditi pandemia Covid-19, ekonomistët parashikuan një shembje të tregut të pronave.

Në fakt, pati një lulëzim, sepse njerëzit që punonin nga shtëpia filluan të kërkonin shtëpi të reja në zona periferike. Më pas, nga viti 2021 e më tej, ndërsa bankat qendrore rritën normat e interesit për të ulur inflacionin, u rrit frika se do të kishte rënie të jashtëzakonshme të çmimeve të banesave.

Në fakt, çmimet reale ranë me vetëm 5.6% dhe tani ato po rriten sërish me shpejtësi. Sektori i strehimit duket se ka një aftësi të jashtëzakonshme për t’u përshtatur me kushtet e reja, cilado qofshin ato. Ndoshta ai do të sfidojë gravitetin edhe në vitet e ardhshme.

Gjatë historisë së tij, sektori i banesave është shndërruar nga një klasë asetesh dikur e papërfillshme, në një nga më të mëdhatë në botë. Rreth vitit 1950, çmimet e banesave në vendet e pasura ishin të qëndrueshme në terma realë.

Ndërtuesit i ndërtonin shtëpitë aty ku donin njerëzit, duke parandaluar rritjen e madhe të çmimeve në përgjigje të kërkesës. Përhapja e infrastrukturës në shekullin XIX dhe në fillim të shekullit XX, ndihmoi gjithashtu në zbutjen e çmimeve, argumenton një studim nga David Miles, ish-studiues në Bankën e Anglisë dhe James Sefton nga universiteti Imperial College London.

Duke i lejuar njerëzit të jetonin më larg nga vendi i punës, transporti më i mirë rriti sasinë e tokës së dobishme ekonomikisht, duke ulur konkurrencën për hapësirë në qendrat urbane.

Ngjarjet pas Luftës së Dytë Botërore, i kthyen përmbys të gjitha këto procese, duke krijuar ciklin me të cilin jetojmë sot.

Qeveritë ndërhynë në biznesin e subvencionimit të kredive hipotekore. Njerëzit në të 20-at dhe të 30-at po bënin shumë fëmijë, duke rritur nevojën për strehim. Urbanizimi rriti kërkesën për strehim në vende që tashmë ishin të mbushura me njerëz.

Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, u shtuan rregulloret e përdorimit të tokës. U vështirësua ndërtimi i infrastrukturës, duke i bërë qytetet më pak të zgjerueshme. Metropolet që dikur kishin ndërtuar banesa me vrull, nga Londra në Nju Jork, e ndalën hapin.

Në të gjitha vendet e pasura, ndërtimi i shtëpive i shprehur si përqindje e popullsisë, arriti kulmin në vitet 1960, më pas ra vazhdimisht deri në përgjysmim në ditët e sotme. Çmimet e banesave filluan të ngriheshin në mënyrë të qëndrueshme.

Parashikimet e gabuara

Vitet e fundit, kanë qenë më pak shkatërruese për tregjet e banesave sesa parashikonin edhe analistët më optimistë tre vjet më parë. Ndërsa bankat qendrore kanë rritur normat e interesit, shumë zotërues kredish hipotekore nuk e kanë ndier këtë.

Para dhe gjatë pandemisë, shumë persona ishin ngarkuar me kredi hipotekore me normë fikse, duke qenë kështu të mbrojtur nga tarifat e larta. Në Amerikë, ku shumë njerëz kanë një normë hipoteke 30-vjeçare, pagesat e interesit të hipotekave të familjeve, si pjesë e të ardhurave, mbeten të qëndrueshme (shih grafikun 2).

Blerësit e rinj po përballen me kosto më të larta të hipotekës. Por rritja e shpejtë e të ardhurave po e kundërshton këtë efekt. Pagat në të gjitha shtetet anëtare të G10-s, janë 20% më të larta se sa ishin në vitin 2019.

Në disa vende ka pasur luhatje. Për shembull, në Gjermani, Zelandën e Re dhe Suedi, çmimet reale të banesave kanë rënë me më shumë se 20% që nga kulmi i pandemisë. Megjithatë, në vende të tjera, çmimet e banesave ranë vetëm pak dhe pritet një rritje.

Çmimet amerikane të banesave arrijnë nivele të reja të larta pothuajse çdo muaj. Në Portugali, çmimet po rriten gjithashtu. Vende të tjera me tregje të dobëta banesash po përjetojnë ndryshime.

Nga viti 2011 deri në vitin 2019, çmimet e banesave në Romë, ranë me më shumë se 30% në terma nominalë, pasi Italia u përball me një krizë të borxhit sovran. Tani ato po rriten përsëri.

Tendenca

Në një periudhë afatshkurtër, çmimet e banesave ndoshta do të vazhdojnë të rriten. Rënia e normave të interesit do të ndihmojë në këtë drejtim. Në Amerikë, norma për një kredi hipotekore fikse 30-vjeçare ka rënë me afro 1.5 pikë përqindje që nga kulmi i saj i fundit.

Në Europë, huamarrësit me normë fikse, së shpejti do të jenë në gjendje të rifinancojë me norma më të ulëta, pasi bankat qendrore të ulin normat e interesit. Por ka edhe forca më të thella që po veprojnë. Tre faktorë do të sigurojnë që për dekadat në vijim, cikli i lulëzimit të strehimit të zgjasë.

I pari ka të bëjë me demografinë. The Economist llogarit se popullsia e vendeve të pasura e lindur jashtë shtetit, po rritet me një normë vjetore prej 4%, rritja më e shpejtë në histori. Emigrantët kanë nevojë për një vend për të jetuar, gjë që, sipas studimeve, do të rriste qiratë dhe çmimet e shtëpive.

Një studim i fundit nga Rosa Sanchis-Guarner në Universitetin e Barcelonës, që mori në studim Spanjën, zbuloi se një rritje me 1% në normën e emigrimit, rrit çmimet mesatare të banesave me 3.3%.

Në përgjigje të ardhjeve rekord, politikanët e ndryshëm, nga Kanadaja në Gjermani, po frenojnë emigracionin. Por edhe duke marrë parasysh politikat më të rrepta, shtetet e pasura ndoshta do të vazhdojnë të pranojnë më shumë emigrantë se sa më parë.

Nevoja për t’u kujdesur për një popullsi të plakur, ka të ngjarë të mposhtë dëshirën për të shtrënguar kufijtë. Banka Goldman Sachs llogarit se nëse Kamala Harris fiton zgjedhjet presidenciale amerikane, emigracioni neto do të bjerë butësisht, në 1.5 milionë në vit, nga mbi 2 milionë në vitin 2024. Nëse Donald Trump fiton, pritet që emigracioni të bjerë deri në 1.25 milion në vit.

Faktori i dytë lidhet me qytetet. Kur Covid-19 goditi në vitin 2020, shumë njerëz menduan se zonat urbane do të humbnin popullaritetin. Me rritjen e punës në distancë, në teori, njerëzit mund të jetonin kudo dhe të punonin nga shtëpia, duke pasur mundësinë të blinin banesa më të mëdha për më pak para.

Por nuk ka ndodhur kështu. Njerëzit punojnë nga shtëpia shumë më tepër sesa dikur, por qytetet e mëdha vazhdojnë të jenë tërheqëse. Në Amerikë, 37% e bizneseve janë të vendosura në zona të mëdha urbane, e njëjta përqindje si në vitin 2019.

The Economist llogarit se pjesa e punësimit të përgjithshëm në kryeqytetet e vendeve të pasura, është rritur në vitet e fundit. Në Japoni, Korenë e Jugut dhe Turqi, po krijohen më shumë vende pune në kryeqytete sesa gjetiu.

Ata mundësojnë edhe më shumë argëtim: pjesa e bareve dhe lokaleve britanike që ndodhen në Londër, është rritur që nga koha e pandemisë. E gjithë kjo rrit konkurrencën për hapësirën e banimit, ku furnizimi me banesa është tashmë i kufizuar.

Infrastruktura

Faktori i tretë është infrastruktura. Në shumë qytete, udhëtimi në punë është bërë më i lodhshëm, duke bërë që më shumë njerëz të dëshirojnë të jetojnë pranë vendit të punës.

Në Britani, shpejtësia mesatare e udhëtimit ka rënë me 5% në dekadën e fundit (shih grafikun 4). Në shumë qytete amerikane, trafiku është afër nivelit më të lartë të të gjitha kohërave, sipas të dhënave nga Instituti i Transportit A&M i Teksasit.

Shumë qeveri e kanë thuajse të pamundur të ndërtojnë rrjete të reja transporti për të lehtësuar ngarkesën e trafikut. Hekurudha me shpejtësi të lartë në Kaliforni, që synon të lidhë qytetet Los Anxhelos dhe San Francisko, ndoshta nuk do të ndërtohet kurrë.

Kthesa

Disa ekonomistë shpresojnë se po ndodh një kthesë dhe po rritet pranimi për ndërtimin e shtëpive të reja. Ata njerëz që pranojnë për të pasur banesa të reja “në oborrin e tyre”, e kanë fituar argumentin dhe duket se kanë bindur disa politikanë.

Disa shtete po ndryshojnë rregullat e përdorimit të tokës për të nxitur ndërtimin. Në fillim të vitit 2022, lejet e ndërtimit të shtëpive në Zelandën e Re, arritën nivelin më të lartë të të gjitha kohërave, duke shkaktuar uljen e çmimeve të pronave.

Sidoqoftë, me përjashtim të Zelandës së Re, ndikimi i lëvizjes pro-banesave të reja, mbetet i vogël. Një punim nga ekonomistët Knut Are Aastveit, Bruno Albuquerque dhe André Anundsen, zbuloi se “elasticiteti i ofertës” së banesave amerikane (shkalla në të cilën ndërtimi i përgjigjet kërkesës më të lartë), ka rënë që nga vitet 2000.

Nuk gjejmë asnjë provë se ka pasur një rritje të përgjithshme të ndërtimit që nga koha e pandemisë.

Problemi mbetet më i mprehtë në qytete, ku rregulloret janë më të rrepta. Në San Jose, qyteti më i shtrenjtë i Amerikës, vitin e kaluar u autorizuan për ndërtim vetëm 7,000 shtëpi, shumë më pak se norma e një dekade më parë. Por edhe në qytete si Huston dhe Majami, të cilat krenohen me shmangien e gabimeve të bëra nga qytetet e tjera të mëdha, ndërtimi është i ngadaltë.

Pritshmëritë

Gjatë viteve të ardhshme, tregjet e banesave mund të përballen me goditje të ndryshme, nga luhatjet e rritjes ekonomike dhe normave të interesit, deri tek rrënimet bankare.

Por duke pasur parasysh efektet afatgjata të demografisë, ekonomisë urbane dhe harmonizimit të infrastrukturës, duket i drejtë një parashikim i vitit 2017 i bërë nga zotërinjtë Miles dhe Sefton.

Ai konstaton se “në shumë vende, çmimet e banesave ka të ngjarë të rriten vazhdimisht më shpejt se sa të ardhurat”. Klasa më e madhe e aseteve në botë, ka të ngjarë të bëhet gjithnjë e më e madhe./ Monitor

“Tërmet” në SHBA pas vendimit të Washington Post: Nuk do mbështesim asnjë kandidat

Ka shkaktuar një tërmet të vërtetë për opinionin publik në SHBA lëvizja e fundit e Washington Post, e cila njoftoi se nuk do të mbështesë këtë radhë asnjërin kandidat në zgjedhjet presidenciale.

Vendimi i marrë nga nga vetë pronari i gazetës, themeluesi i Amazon, Jeff Bezos, prek mbështetjen për demokraten Kamala Harris.

Ai ka ngjallur pakënaqësinë e stafit të Washingtonit Post, sindikata e të cilit doli me një deklaratë ku shprehte “shqetësimin thellë” për këtë vendim, veçanërisht duke marrë parasysh se “roli i bordit editorial” përfshin dhe mbështetjen e kandidatëve për të shërbyer kështu si një lloj udhërrëfyesi për lexuesit.

Deklarata vë në dukje gjithashtu se fakti që lajmi rreth vendimit për të mos mbështetur kandidatët erdhi nga drejtori ekzekutiv i gazetës dhe jo nga kryeredaktori, duke përcjellë shqetësimin për ndërhyrje në punën e gazetarëve në redaksi.

Gazeta e njohur, e themeluar në 1877-tën, duke nisur nga viti 1992 ka mbështetur gjithmonë një kandidat për president në SHBA. Me vendimin e Jeff Bezos për “neutralitet”, shtohet lista e miliarderëve që kanë dalë në favor të Donald Trumpit ose të paktën nuk kanë zgjedhur të shprehin “armiqësi” ndaj tij.

Elon Musk po bën fushatë aktive për manjatin republikan e Peter Thiel është gjithashtu një mbështetës. Ndërkohë, yje të shumtë të spektaklit janë rreshtuar në krah të Kamala Harris, nga Taylor Sëift, Beyonce e deri tek Bruce Springsteen.