23.5 C
Tirana
E diel, 4 Maj, 2025

Të nderuar donatorë; A ndiheni ju rehat kur suksesin e reformave në Shqipëri e vlerëson bashkëshortja e Kryeministrit?

Nga Klodian Tomorri

Në fund të vitit të kaluar, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, deklaroi se ambicia e qeverisë së tij ishte që brenda vitit 2030, Shqipëria të tërhiqte 20 milionë turistë në vit. Pak ditë më parë, bashkëshortja e kryeministrit të Shqipërisë, zonja Linda Rama, publikoi në rrjetet sociale studimin e saj më të fundit me titull “Tregu i Punës dhe Aftësitë përballë sfidës së 20 milion turistëve.” Pra, kryeministri shpall objektivat e zhvillimit të Shqipërisë, ndërsa bashkëshortja e tij i vlerëson ato.

Materiali përmbledhës i studimit niste me kryeministrin Edi Rama, kur ai vite më parë shpalli programin e Rilindjes Urbane për të nxitur turizmin, vazhdonte me lavdërimet e reformave dhe politikave të ndërmarra nga qeveria e tij gjatë këtyre 11 viteve dhe mbyllej me shkrimet e mediave ndërkombëtare, që e cilësonin Shqipërinë fanarin europian të turizmit. (Kliko këtu për materialin video të studimit të BERZH). Të gjithë të lumtur dhe të gëzuar.

Nëse zonja Rama do të vlerësonte tregun e punës dhe suksesin e politikave të qeverisë në sektorin e turizmit për llogari të bashkëshortit të saj kryeministër, që ky i fundit të kishte një zë më tepër eksperti si input për vendimarrje, kjo nuk do të kishte asgjë të keqe. Problemi është se studimet e zonjës Rama kryhen për llogari të organizatave më më të rëndësishme botërore, të cilët janë dhe zërat më prestigjozë që vlerësojnë qeverisjen në Shqipëri.

Studimi për tregun e punës përballë sfidës së 20 milionë turistëve është kryer për llogari të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Por BERZH nuk është donatori i vetëm, i cili ja ka besuar zonjës Rama vlerësimin e reformave dhe progresit në Shqipëri. Thuajse të gjitha studimet e UNDP-së në Shqipëri, po ashtu, kanë autorësinë e zonjës Rama dhe bashkëpunëtorës së saj Elena Polo. Nga vlerësimet për financat e zhvillimit e deri të analiza për pasojat e tërmetit. Organizata Botërore e Punës, po ashtu.

Studime e organizatave ndërkombëtare prestigjozë janë inputi kryesor mbi të cilin Shqipëria vlerësohet në arenën ndërkombëtare, Pra ato janë materialet mbi të cilat BERZH, UNDP, ILO dhe të tjerë i vënë notë progresit dhe qeverisjes në Shqipëri. Ndaj, pyetja që shtrohet natyrshëm është vetëm një; Sa të besueshme mund të jenë ato, kur kryhen nga një person i cili ndodhet në konflikt të hapur interesi?

Me apo pa vetëdije institucionet më të rëndësishme të botës kanë krijuar në Shqipëri një sistem të mbyllur, i cili tashmë po u heq shqiptarëve edhe mundësinë për t’u vlerësuar objektivisht nga ekspertë jashtë konfliktit të interesit. Megjithatë këtu vlen të theksohet diçka shumë qartë. Bashkëshortja e kryeministrit ka të gjithë të drejtën e saj të punojë si eksperte e BERZH, UNDP, Bankës Botërore e madje edhe e Departamentit të Shtetit dhe Komisionit Europian për të vlerësuar gjendjen e ekonomisë dhe ecurinë e reformave në Kazakistan, Gjermani apo dhe Shtetet e Bashkuara. Madje kjo do të ishte dhe motiv krenarie për Shqipërinë, që arrin të prodhojë ekspertë të këtyre niveleve.

Por nëse zonja Rama e bën këtë në Shqipëri, ka një problem shumë të madh. A ndihen rehat donatorët që të flasin në Shqipëri me zërin e bashkëshortes së kryeministrit?!

UNDP dhe BERZH janë ndër dy organizatat më prestigjoze të zhvillimit në botë, të cilat asistojnë vendet në zhvillim si të luftojnë korrupsionin dhe të shmangin konfliktin e interesit. Por siç pati thënë i madhi Koço Devole dikur në një nga skeçet e tij brilante, instancat paskan rënë vetë brenda në pusin e konfliktit të interesit.

Në Rumaninë komuniste, Elena Çaushesku, bashkëshortja e diktatorit rumun Nikolae Çaushesku, kishte një fiksim të papërmbajtshëm për t’u bërë shkencëtare. Për këtë qëllim, i gjithë aparati shtetëror në Rumani u vu në punë, jo vetëm për ta shpallur zonjën Çaushesku shkencëtare në Rumani, por edhe për ta afirmuar atë në mbarë botën.

Falë kësaj pune ajo arriti të merrte edhe titullin më prestigjoz shkencor në Europë, anëtarësimin në Shoqërinë Mbretërore Britanike. Megjithatë edhe fiksimet e marra të zonjës Çaushesku e kishin një kufi. Ajo kurrë nuk shkoi deri në pikën që të vlerësonte suksesin e politikave dhe reformave të bashkëshortit të saj për llogari të komunitetit ndërkombëtar.

Ndaj, nuk shkon që kjo të ndodhë sot në Shqipëri./ Kapitali.al

Shënim/ Sot nuk ka asnjë dilemë përse i është dashur Berishës vula e PD-së!

Gjithkush që e ka njohur Berishën e hershëm ka pasur bindjen e thellë se po të vijë puna që ky përbindësh të shtrëngohet ta lërë pushtetin, ai do kapej pas kangjellave të Presidencës dhe nuk do shkulej pa e tërhequr zvarrë me gjithë kangjella.

Kjo është profecia që po vërtetohet. Veç jo me kangjella dhe Presidencë, por me PD dhe opozitë.
Sot nuk ka asnjë dilemë se për çfarë i është dashur Berishës vula.

Tre vite me radhë i gënjeu demokratët kur u premtoi bashkimin dhe fitoren. Ata, për shkak të tij, sot janë më të përçarë, më të dëshpëruar, më larg fitores, se kurrë.

Hetimi i nisur nga SPAK, arrestimi i dhëndrit, masa e dhënë ndaj vetë atij, si dhe zhvillime të tjera majtas dhe djathtas, tregojnë se PD-ja i është dashur pikërisht për këtë ditë.
Ka shpresuar se nëpërmjet saj do të mbante larg Drejtësinë, se duke e shndërruar selinë në një bunker nuk do t’i afrohej rreziku, se duke u vetëflijuar demokratët si kamikazë do t’i ripërtëriheshin forcat.

Nuk është rastësi pse një numër i të implikuarve në dosjen e kompleksit “Partizani” janë sot mbrojtësit e tij më të zjarrtë.

Janë pikërisht ata që iu bashkuan të parët turravrapit të tij drejt kurrkundit, ashtu sikurse nuk është për t’u habitur se si të ngjashëm me probleme me drejtësinë, i janë bërë gardh dhe shpresojnë se, nëpërmjet zhurmës dhe kaosit, do të arrijnë të shpëtojnë të thatë nga barka që po fut ujë.

Lajmi i mirë në gjithë këtë histori është se qytetarët shqiptarë janë thellësisht indiferentë ndaj asaj që po ndodh, pavarësisht zhurmës mediatike.

Prokuroria e Posaçme po tregon se është e vendosur t’i shkojë në fund korrupsionit tridhjetëvjeçar.

Goditja e Berishës dhe e familjes së tij është prova e sigurt se gjithë hajdutët e tjerë i pret i njëjti fat mbi të njëjtën barkë të çpuar që po mbytet pak nga pak.

Ndjekja në radhë e Ilir Metës dhe pas tij e Erjon Veliajt dhe Edi Ramës janë tregues se Berisha ishte fillimi i fundit të pandëshkueshmërisë së këtij vendi. Pas tij nuk ka më të paprekshëm/ Nga Namir Lapardhaja

Dilema e madhe, pro SPAK apo kundër tij?

Nga Ervis Iljazaj

Dje, gjithë debatet politike në emisionet kryesore televizive kishin vetëm një temë, atë mbi arrestimin e Ilir Metës. Por përtej këtij rasti debatet televizive do të vazhdojnë të kenë për shumë kohë temën e tyre kryesore hetimet ndaj pushtetarëve politikë dhe aktivitetin e SPAK. Edhe komentatorët politikë dhe gazetarët kishin një ndarje me thikë. Ata që e mbështesnin aktivitetin e SPAK dhe ata që e kritikonin atë.

Tashmë debatete politik nuk bëhet më për çështje si ekonomia, arsimi apo shëndetësia, por nëse SPAK është i kapur apo i pavarur. Aq shumë po ndikon në opinion publik aktiviteti i këtij institucioni sa që është kthyer në kryefjalën e jetës publike. Nuk dihet nëse i gjithë ky debat publik i bënë mirë apo jo punës së tij, por fakt është se nuk mund të shmanget.

Nuk ka dyshim se SPAK është ndoshta institucioni më i përfolur në muajt e fundit në mediat shqiptare. Nuk ka emision televiziv apo media e shkruar që më së paku të merret njëherë në ditë me lajmet që vijnë prej tij. Madje, sot në Shqipëri nuk besohet se ka ndonjë qytetar që nuk ka dëgjuar më së paku njëherë për këtë emër.

Duke filluar nga ata që i intereson politika e deri te ata që janë më pak të interesuar. Madje me SPAK kanë filluar të bëhen dhe batuta gazetareske apo politike. Të gjithë e përmendin si një institucion të cilin tashmë nuk e shmang dot nga debatet publike.
Më të drejtë, pasi të vetmet lajme politike që janë prodhuar kohët e fundit, janë lajme që vijnë nga SPAK. Ky institucion i drejtësisë që është formuar për të hetuar korrupsionin në nivele të larta të politikës, tashmë është kthyer në një faktor kyç në mekanizmat që lëvizin pushtetin në Shqipëri.

Jo për faktin se është pjesë e pushtetit politik, por sepse natyrshëm me hetimet e tij ndaj politikanëve sigurisht që e ndikon atë. Dhe këtë vëmendje publike dhe mediatike SPAK e ka fituar me meritë. Sepse si asnjëherë më parë një numër kaq i madh pushtetarësh të niveleve të larta nuk kanë qenë nën akuza apo edhe të dënuar për korrupsion.

Ky realitet i ri ka bërë që dikotomia e re politike në Shqipëri të jetë: pro SPAK ose kundër tij. Sot politika shqiptare nuk ndahet më midis të majtës dhe të djathtës, por ata që mbështesin SPAK dhe ata që e sulmojnë atë. Jo më kot, pro SPAK ka politikanë nga të dyja krahët, si nga opozita ashtu edhe pozita. Ashtu sikurse nga ata që e kritikojnë nga të dyja krahët. Sepse problemi më i madh i shumicës së politikës sot është pikërisht rënia në rrjetën e drejtësisë. E për këtë arsye gjuha kundër tij sa vjen e bëhet më e ashpër.

Sot mbështetja ndaj SPAK ose jo mund të konsiderohet edhe si një platformë politike ku palët do ta përdorin në fushatën elektorale në zgjedhjet e ardhshme. E vërteta është se politika shqiptare ka kohë që nuk ka një ndarje më të madhe se sa ajo në raport me institucionin e ri të drejtësisë.

Aq i madh ka qenë ndikimi i tij në jetën publike, saqë edhe ata që merren me gazetari apo ata që bëjnë debate publike në emisione televizive ndahen më së shumti pikërisht te aktiviteti i SPAK. Ka nga ata që besojnë te puna e tij, ka dhe nga ata që e konsiderojnë atë si një organ të kapur nga qeveria.
Sigurisht të zhvillosh një betejë të bazuar mbi drejtësinë dhe mbështetjen ndaj saj ose jo përbën një çështje të rëndësishme politike dhe palët mund të ndahen.

Problemi qëndron, ose më saktë e veçanta qëndron te fakti se kjo betejë nuk zhvillohet midis dy poleve politike. Por zhvillohet në aleanca shumë-ngjyrëshe politike. Ka aleanca të politikës së majtë dhe të djathtë që e kritikojnë SPAK dhe aleanca të majta dhe të djathta që e mbështesin atë. Si të thuash, mbështetja ose sulmi ndaj tij nuk ka ngjyra politike.

Është një ndarje trasversale, pa dallim bindjesh politike. Megjithatë, deri më sot SPAK një betejë e ka fituar. Ka fituar mbështetjen e qytetarëve shqiptarë ku e mbështesin 70 për qind e tyre. Nuk dihet nëse do të fitojë dhe mbështetjen e shumicës së politikës, edhe pse kështu siç e ka nisur duket shumë e vështirë.

Nga Ian Tomson: Si e njoha Shqipërinë në regjimin e Enver Hoxhës, vendi ballkanas që jeton prej kohësh nën ‘hijen’ e Italisë

*Ian Tomson

“Shqipëria jeton prej kohësh nën ‘hijen’ e Italisë”

Shqiptarët e kanë prejardhjen nga popujt më të lashtë europianë, ilirët. Vendi u krijua vetëm pas vitit 1912 me rënien e pushtetit osman në Europë. Sundimtari i saj i parë, prijësi i lavdëruar mysliman Mbreti Zog, u përzu nga Musolini kur Italia fashiste pushtoi vendin në vitin 1939. (Zog u vendos në Londër për një kohë)

Pesë vjet më vonë gjermanët nazistë u dëbuan nga rezistenca shqiptare e partizanëve të udhëhequr nga Enver Hoxha. Nga pamja e jashtme, një stalinist, Hoxha i zgjuar ishte një figurë osmane me origjinë myslimane, e cila terrorizoi vendin e tij të vogël ballkanik përmes vrasjeve hakmarrëse, spastrimeve dhe zhdukjes së armiqve të klasës. Shqipëria jeton prej kohësh nën hijen e Italisë. Javën e kaluar, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, thuhet se u zemërua kur plani i saj për të dërguar azilkërkues në Shqipëri u bllokua nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë dhe emigrantët u kthyen në Itali nga një qendër paraburgimi, në det të hapur. Por ajo nuk ka gjasa të heqë dorë.

Për herë të parë vizitova vendin e trazuar të Ballkanit në vitin 1988, kur në krye ishte pasardhësi i mirosur i Hoxhës, Ramiz Alia. E veja e diktatorit, Nexhmije Hoxha (“Zonja Makbeth e Ballkanit”), ishte dora e fshehur pas policisë sekrete e të frikshme të Sigurimit. Duke qenë se turistët nuk lejoheshin të hynin të veçuar, unë shkova me një grup prej 20 miqsh të Akademisë Mbretërore Skoceze. Midis tyre ishte edhe Lady Rosebery (“Një konteshë!”). Në doganë, në kufirin me Jugosllavinë, njërit prej grupit tonë i është rruar mjekra, pasi mjekra ishte sinonim i ortodoksisë greke dhe ishte e ndaluar.

Unë u ktheva në Shqipëri së fundi me gruan time në një festë, që zhvillohej në Bjeshkët e Nemuna që kufizohen me Kosovën dhe Malin e Zi. Një natë para se të largoheshim, në Café Oto në Londër, pamë kompozitorin Dave Smith duke performuar veprën e tij dedikuar Shqipërisë, me Jan Steele në saksofon dhe gruan e tij Janet Sherbourne në piano. Muzika, hipnotikisht e mirë, ishte e ndikuar me ritmet popullore osmane që Smith kishte mbledhur nga vizitat, në malësitë shqiptare gjatë regjimit 40-vjeçar të Hoxhës. Ideja jonë ishte të ndiqnim gjurmët e etnografes Eduardiane Edith Durham, e cila në fillim të viteve 1900 kaloi nëpër malësi me një fund Burberry të papërshkueshëm nga uji dhe një kapelë golfi plaid, duke ndjekur zakonet fisnore. Shqiptarët u morën aq shumë me të dhe me librin e saj sa e kurorëzuan atë “Mbretëresha e maleve”.

Nga hoteli ynë në rrugën Edith Durham në qytetin verior shqiptar të Shkodrës, u nisëm për në Bajram Curri rreth 30 milje në perëndim të kufirit. Fshati ishte rrethuar nga një grumbull i egër pyjesh me gështenja. U ngjitëm lart përmes livadheve alpine drejt Valbonës, ku shfaqej mali i Shkëlzenit nga larg. Malësitë ishin të zëna me ekskursionistë: Shqipëria është destinacioni turistik me rritjen më të shpejtë në Evropë.

Në katundin malor të Thethit hasëm në një kullë pjesërisht të rrënuar. Vështirë se ndonjë nga këto kulla ka mbijetuar në Shqipëri. Në kohën parakomuniste ato shërbenin si strehë për shqiptarët e kapur nga gjakmarrja. Kulti hakmarrës i epokës osmane – gjak lahet me gjak – sanksionohet nga kushtetuta e lashtë fisnore e Shqipërisë e njohur si Kanuni të cilin ilirët e kodifikuan. Enver Hoxha bëri një shfaqje të nxjerrjes jashtë ligjit të Kanunit si tribalizëm i prapambetur ballkanik, por ai u rishfaq për pak kohë pasi komunizmi u shemb.

Në një vizitë në Theth 30 vjet më parë, takova një grua të moshuar që ishte fejuar nga babai i saj, në përputhje me Kanunin. Hakmarrja – ideja e vjetër e larjes së hesapeve me gjak – ishte tema e romanit Prilli i thyer i shkrimtarit të ndjerë shqiptar Ismail Kadare. Gjaku lahet shpejt në Shqipëri – dhe në lindje të Londrës gjithashtu. Bandat shqiptare që kanë kapur tregun e kokainës në Britaninë e Madhe respektojnë kodin e kanunit, domosdoshmërinë e mbajtjes së një premtimi. Gjak për gjak siguron besnikërinë e bandës.

Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, është një vend i zhurmshëm sot me një sërë baresh. Përballë vilës së madhe të zbrazët të Hoxhas ndodhet një nga KFC-të. Fëmijët e Hoxhës kërcënuan me veprime ligjore kur u njoftuan planet për ta kthyer vilën në një Muze. Enveri dhe Nexhmije besohet se kishin në pronësi 25 frigoriferë, 28 televizorë me ngjyra dhe 19 linja telefonike. Enveri ishte i njohur për dashurinë e tij për filmat e Norman Wisdom, të cilët vinin në lojë pronarët e fabrikave. Asnjë nga Sigurimi i tij nuk u vu në gjyq për tortura apo mizori të tjera.

Nexhmija vdiq në vitin 2020 në moshën 99-vjeçare. E intervistova kur ishte në arrest shtëpie për akuzën e korrupsionit në vilën e Partisë nr. 6 në bulevardin e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë. Statuja prej bronzi e Enverit sapo ishte rrëzuar. “Kjo ishte më e dhimbshme për mua sesa vdekja e tij aktuale,” tha ajo. Nexhmije dhe burri i saj ekzekutuan më shumë se 6,000 kundërshtarë politikë shqiptarë, burgosën rreth 34,000 (1,000 prej të cilëve vdiqën) dhe dërguan 59,000 në internim. Shqipëria nën regjimin e Hoxhës ishte një model i vetëdjegur i planifikimit stalinist.

Natën tonë të fundit në Tiranë darkuam në liqenin e Shkodrës, peshk krapi, gjizë qumështi dhe bukë misri. Kamerieri kishte mjekër.

Artikull i publikuar në mediat britanike Spectator

Të dielën ndryshon ora

Ndërmjet të shtunës 26 dhe të dielës 27 tetor 2024, akrepat do të ndryshojnë 60 minuta, duke shënuar kështu rivendosjen e orës diellore.

Akrepat do të shkojnë 60 minuta mbrapa, ose thënë ndryshe, do të flemë një orë më shumë. Si zakonisht ndryshimi bëhet rreth orës 03:00 të mëngjesit. Në aparatet e celularëve smart, ndërrimi bëhet automatikisht.

Lëvizja e akrepave të orës si fenomen ndodh dy herë në vit: në javën e fundit të tetorit dhe në të dielën e fundit të marsit, kohë kur ora shkon para.

Ndryshimi i orës në Europë u vendos si ligj evropian në vitin 1981. Zhvendosja e akrepave në Europën Perëndimore është vendosur në fillim të viteve ‘70-ta me shpjegimin se me këtë zgjatet dita, rritet produktiviteti, përmirësohet aftësimi i njerëzve dhe dita e punës bëhet më efikase.

Sulmet ajrore izraelite, SHBA i kërkon Iranit të mos hakmerret: Nëse zgjedh të përgjigjet, ne jemi gati dhe do të ketë pasoja

Ushtria izraelite ka kryer sulme ajrore në Iran. Sipas, ushtrisë izraelite u goditën objektet ku u prodhuan raketat që Irani sulmoi Izraelin vitin e kaluar.

“Në të njëjtën kohë, IDF goditi grupe raketash tokë-ajër dhe aftësi shtesë ajrore iraniane, që synonin të kufizonin lirinë ajrore të Izraelit të operimit në Iran,” shton deklarata.

Izraeli thotë se sulmet e Iranit në prill dhe tetor, si dhe mbështetja e tij për përfaqësuesit në rajon, “minojnë stabilitetin dhe sigurinë rajonale, dhe ekonominë globale”.

SHBA i ka kërkuar Iranit të mos hakmerret ndaj sulmeve të fundit izraelite kundër tij.

“Nëse Irani zgjedh të përgjigjet edhe një herë, ne do të jemi gati dhe do të ketë pasoja për Iranin”, thuhet në një deklaratë nga zyrtarë të lartë të administratës.

“Ky duhet të jetë fundi i këtij shkëmbimi të drejtpërdrejtë zjarri midis Izraelit dhe Iranit,” vazhdoi deklarata, duke shtuar se Uashingtoni ishte i përgatitur të “udhëheqë një përpjekje për të siguruar një fund të luftës në Liban” dhe të përpiqet të arrijë një armëpushim në Gaza, së bashku me kthimin e pengjeve të kapur nga Izraeli.

Administrata Biden ka deklaruar se Izraeli ka të drejtë të mbrohet dhe t’i përgjigjet sulmit iranian në fillim të këtij muaji.

Por presidenti mësohet se i tha Izraelit se nuk do të mbështeste një sulm që synon objektet bërthamore të Iranit për shkak të shqetësimeve se mund të shkaktojë një tjetër përshkallëzim në konfliktin në zgjerim.

Gjithashtu, Biden deklaroi se SHBA nuk do të mbështeste një sulm izraelit në infrastrukturën e naftës të Iranit.

“Nëse do të isha në vendin e [Izraelit], do të mendoja për alternativa të tjera përveç goditjes së fushave të naftës iraniane,” tha ai më 4 tetor.

Këtë muaj ai i kërkoi Izraelit të jetë proporcional në përgjigjen e tij ndaj sulmeve nga Irani.

Izraeli ka thënë se sulmet që po ndodhin janë në objektiva ushtarake në Iran.

Jo vetëm “ylli” i Milanit, Bayerni synon t’i “rrëmbejë” dy lojtarë Guardiolës

Rrallë ndodh që Bayern Munich të mbyllë sezonin pa trofe. Bavarezët dështuan në kampionat dhe Kupën e Gjermanisë, ndërkohë që ishin shumë afër finales së Champions League.

Tifozët kërkojnë rikthimin te trofetë sezonin e ardhshëm dhe drejtuesit janë gati të zhvillojnë një merkato cilësore. Theo Hernandez është një nga emrat që përfliten, por jo vetëm.

Bayerni ka hedhur sytë edhe nga Manchester City. Dy janë të preferuarit e gjermanëve nga ekipi i Pep Guardiolës: John Stones dhe Jack Grealish.

I pari cilësohet si një përforcim fantastik për qendrën e mbrojtjes, me shtatlartin anglez që ka “mësuar” të bëjë edhe rolin e mesfushorit te Citizens.

Pëlqim të madh ka edhe për Grealish, sulmuesin e majtë të kampionëve të Anglisë dhe kombëtares ishullore.

Pavarësisht vështirësisë së këtyre dy operacioneve, drejtuesit e Bayernit do të bëjnë të pamundurën për t’i transferuar në Bundesliga./Super Sport

Frutat e thata ndihmojnë me kancerin e gjirit?

Hulumtimet e fundit sugjerojnë se një mineral i gjetur në arrat braziliane mund të luajë një rol kyç në parandalimin e përhapjes së kancerit të gjirit, veçanërisht në rastin e formës trefishtë negative, e cila është e njohur për vështirësitë në trajtim.

Ky studim, i mbështetur nga Cancer Research UK, shqyrton rolin e selenit, një antioksidant që gjendet në ushqime si arrat, mishi, kërpudhat dhe drithërat.

Hulumtimi zbuloi se qelizat e kancerit të gjirit kanë nevojë të madhe për selen, sidomos kur ato janë të shpërndara dhe jo të grumbulluara. Kur qelizat e kancerit nuk janë të lidhura ngushtë, ato nuk mund të mbijetojnë pa këtë mineral. Duke ndërhyrë në metabolizmin e selenit në këto qeliza, studiuesit arritën të vrasin ato, veçanërisht ato që përpiqen të përhapen në mushkëri.

Dr. Saverio Tardito, nga Instituti i Kërkimeve të Kancerit në Glasgou, theksoi rëndësinë e këtyre gjetjeve: “Ne nuk mund ta eliminojmë selenin nga dieta jonë, por nëse arrijmë të zhvillojmë një trajtim që pengon marrjen e tij nga qelizat e kancerit, mund të parandalojmë përhapjen e sëmundjes në pjesë të tjera të trupit.”

Ai theksoi se shpesh, vdekjet nga kanceri i gjirit ndodhin pas përhapjes, kështu që gjetja e një mënyre për ta frenuar atë është jetike për të shpëtuar jetë.

Ky zbulim sjell shpresa për zhvillimin e trajtimeve të reja që mund të luftojnë këtë formë të kancerit, duke e bërë atë më të menaxhueshme.

“Lahuta e Malcis” është antisllave”, pse regjimi komunist e shpalli Gjergj Fishtën “Armik i Popullit”! Dy letrat që i dërgoi Musolinit

Më 23 tetor 1871, lindi “Homeri i letrave shqipe”, At Gjergj Fishta. Vepra që përjetësoi figurën e tij si krijues është epika “Lahuta e Malcis”, së cilës i kushtoi 40 vjet punë.

gjergj fishta

Krahas barabitjes me “Iliadën” e autorit helen, në veprën e Fishtës do të gjendeshin afinitete edhe me stilin e Dantes dhe të Gëtes, për nga pleksjet e mitologjisë me realitetin, mendimi filozofik dhe dramaticiteti. Fishta ka qenë frat françeskan, arsimtar, shkrimtar, përkthyes dhe po ashtu kryetar i komisionit për hartimin e alfabetit në Kongresin e Manastirit, anëtar i delegacionit të qeverisë Përmeti në Konferencën e Versajës, zëvendëskryetar i legjislativit shqiptar më 1921 si dhe përfaqësues diplomatik i shtetit shqiptar ndër disa konferenca ballkanike gjatë viteve ’30. Pas pushtimit italian u zgjodh anëtar i Akademisë së Italisë, që e priti ngrohtësisht ardhjen e “Perandorisë Romake” në Shqipëri në veprën e fundit të jetës së tij, shkrime të cilat më pas u përdorën nga regjimi fashist për qëllime propagandistike.

Pas dekadës së dytë të shekullit 20, Fishta iu imponua kulturës shqiptare jo vetëm si shkrimtar (poet, dramaturg, prozator etj.), por edhe si kritik, historian i letërsisë dhe estet. Për një gjysmëshekull, ishte figura mbizotëruese e letërsisë shqipe, madje sa ishte gjallë u kurorëzua “Poet kombëtar”. Për kontributet e tij u nderua me urdhra nderimi dhe dekorata nga autoritetet osmane, austro-hungarezët, grekët, kleri katolik dhe italianët. Pas vitit 1945, kur u vendos regjimi komunist, vepra e tij u ndalua dhe qëndroi e tillë deri kur ra diktatura komuniste. Mësimet e para i mori në seminarin françeskan të Shkodrës. Studimet e mëtejshme i ndoqi në Bosnjë, në disiplinat e filozofisë dhe të teologjisë. Fishta qe drejtori i parë shqiptar i Shkollës Françeskane. Në drejtimin e tij, u mundësua që shqipja të përdorej në katedër si gjuhë mësimi.

Si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi” mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe në cilësinë e kryetarit, drejtoi veprimtarinë e Komisionit të Alfabetit. Në vitin 1913, themeloi revistën letrarekulturore “Hylli i Dritës”. Gjatë Luftës së Parë Botërore, bashkëthemeloi me Luigj Gurakuqin Komisinë Letrare, që kishte për qëllim krijimin e gjuhës letrare kombëtare. Gjatë vitit 1920 u caktua Sekretar i Përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Po atë vit, u zgjodh deputet i Shkodrës. Mori pjesë në Revolucionin e Qershorit 1924. Për kontributin e dhënë në lëmin e edukimit, të letërsisë dhe të fesë, Fishta mori dekoratën “Foenix” (1931), si edhe u bë anëtar të Akademisë italiane (1939). Në 1886, vetë i gjashti dhjak u nis për në Bosnie nga Urdhri Françeskan. Vitin e parë të provës e kaloi në Guçjagorë afër Travnikut, ku sipas sharteve të urdhrit ndërroi emrin në Gjergj. I rrethuar nga një mjedis ku kultivohej edhe nacionalizmi kroat, ku njihej edhe nacionalizmi serb e malazez, prej ku dhe mori shkas për të frymëtuar nacionalizmin në veriun shqiptar.[5] Në kontakt me françeskanin boshnjak Grga Martiæ (1822-1905) dhe lirikun kroat Silvije Strahimir Kranjèeviæ (1865-1908), ai u ndikua nga vargjet e tyre dhe të Kaèiæ, Mažuraniæ dhe Njegoshit. Në vitin 1893 kreu me lavd këndimet në Bosnie dhe vetë i gjashti u kthye në vendlindje, ku u bë meshtar më 25 shkurt 1894 duke çuar meshën e parë në kishën e Troshanit.

ANGAZHIMET

Pasi u kthye nga Bosnja, punoi për disa vite mësues në Kolegjin e Troshanit. Të dielave mbulonte me shërbim meshtarak në kishën e Zojës Nunciatë në Lezhë, ku shërbeu si famullitar (1896-1897). Në 1899 u caktua famullitar i përkohshëm në Gomsiqe, nën juridiksionin kishtar të Abatit. Në 1899 qe ndër anëtarët themelues të shoqërisë “Bashkimi”. Në 1902 u emërua sekretar i Komisariatit Gjeneral të Misionit Françeskan në Shkodër dhe po atë vit u bë i pari drejtor shqiptar i shkollës françeskane. Porsa mori drejtimin e shkollës, ndërroi gjuhën e mësimdhënies nga italishtja në gjuhën shqipe. Me mbarështimin e tij, iu shtuan edhe klasët që atëkohë quheshin qytetnore. Duke qenë në periudhën osmane ndoshta e vetmja shkollë kombëtare në Shkodër, duke u nderuar më pas edhe nga Xhonturqit ngaqë ishte pa ndikime të huaja si shkollë. Më 15 shkurt 1907 me Gjeçovin themeloi të parën bibliotekë shkollore në viset shqiptare. Në nëntor 1908 Fishta si përfaqësues i shoqërisë Bashkimi mori pjesë në Kongresin e Manastirit, ku u ujdisën për alfabetin. Me kryengritjen e Mbishkodrës në 1911, Arqipeshkvi Serreqi i dërguar nga autoritetet osmane, mori me vete Fishtën dhe Bumçin në Podgoricë për të ndërmjetësuar për paqe mes autoriteteve dhe prijësve të maleve.

POLITIKA

Me administrimin ndërkombëtar të Shkodrës, Fishta drejtoi të përkohshmen “Hylli i Dritës”, por u mbyll pas një viti prej autoriteteve prej artikujve thumbues të vetë Fishtës. Për shkak të qëndrimeve të tij, autoritetet lëshuan urdhrin që të syrgjynosej në Maltë, gjë për të cilën u strehua ndër famullitë e krahinës dhe kleri i lartë ndërhyri që t’i pezullohej urdhri i mërgimit. Me pushtim-administrimin austro-hungarez pas 1916, botoi fletoren “Posta e Shqypniës”. Po atë vit çoi shtypshkronjën në Shkodër, e cila do të marrë emnin “Shtypshkroja Françeskane”: françeskanët që deri atëherë botonin tek shtypshkronjën “Nikaj” tashmë nisën të botonin vetë. Më 6 qershor 1921 u zgjodh deputet i prefekturës së Shkodrës. Fishta në fillim u zgjodh anëtar e më vonë kryetar i komisionit të buxhetit, anëtar i komisionit të arsimit dhe në gusht të atij viti u zgjodh nënkryetar i Parlamentit. Kur iu desht ta linte, propozoi Marlaskajn si zëvendësues. Në tetor së bashku sivëllaun Dodajn, shkuan në Romë për të takuar Kryetarin e Urdhnit dhe u pritën nga Papa Benedikti XV, ku morën ndihma për hapjen e shkollës publike “Illyricum”.

Në fillim të vitit 1922 u nis në Mbretërinë e Bashkuar, në shkurt, 1922 nga Liverpuli, pas 12 ditëve mbërrin në Amerikë. Takoi senatorë katolikë, të cilët ndikuan tek Henry Cabot Lodge i Partisë Republikane, për njohjen diplomatike Shqipërisë së pavarur. Fishta mbështeti Lëvizjen e qershorit, por me rikthimin e legjitimitetit nga forcat e Ahmet Zogut, shkoi dhe qëndroi në arrati deri në vitin 1926, kur pati një dekret të veçantë për amnistim. Gjatë gjysmës së parë të viteve ’30 ka qenë përfaqësues diplomatik i shtetit shqiptar nëpër konferencat parapërgatitore të Kuvendit Ballkanik më 1934 (Athinë, 1930; Sofia, 1931; Bukuresht, 1932). Prej 1935 deri më 1938 shërbeu ministër provincial i Françeskanëve në Shqipëri. Më 1937 u tërhoq nga jeta publike, duke iu përkushtuar jetës rregulltare dhe krijimtarisë së vet që e lëvronte në kuvendin e urdhrit përbrinjë Kishës së Gjuhadolit. Pas pushtimit italian, më 3 qershor 1939 u zgjodh anëtar i Akademisë së Italisë. Më 1940, Papa Piu XII e priti atë në një audiencë të gjatë në Vatikan.

Nga fundi i vitit 1940 shkoi në Troshan, ku kishte nisë së pari jetën rregulltare dhe atë letrare. Sëmuret më 10 dhjetor ku iu gjendën pranë miku i vet Doda dhe sekretari Volaj. Më 14 dhjetor e sollën në Shkodër, ku u shtrua në spital për një sëmundje zemre dhe polmoni. Më 22 dhjetor ra një borë e madhe dhe Fishta mori një polmonit që e rëndoi shëndetin e tij. Më 27 dhjetor, mjekët humbasin shpresat dhe Fishta ra në kllapi. Më 30 dhjetor 1940 ndërroi jetë në spitalin e Shkodrës. Në valën e Revolucionit Kulturor, më 20 mars 1967 eshtrat e Fishtës me urdhër të strukturave të shtetit komunist u zhvarrosën nga Kisha e Gjuhadolit. Sipas një dëshmie, eshtrat e tij me të sivëllezërve të tjerë u hodhën pas tri ditëve në lumin Drin. Por dëshmi të tjera përcjellin se eshtrat u shpëtuan, u ruajtën dhe u varrosën tinëz sërishmi në varrezat e Rrëmajit në Shkodër. U rivarros më 1996.

VEPRA

Në fushën e letrave Fishta lëvroi gjini të ndryshme si poezinë epike ashtu edhe atë lirike e satirike, dramën, publicistikën dhe përkthimin. Si ndër më përfaqësuesit të poetëve romantikë, shkroi vepra që zhvillojnë tema të poezisë gojore dhe të traditës, duke u mbështetur shumë mbi modelet stilistikore folklorike dhe duke përfshirë metrikën folklorike. Fillimisht u shqua në anonimat në sajë të dy këngëve të “Lahutën e Malcis” (Zarë, 1905 dhe 1907), i ndikuar nga poezia epike e sllavëve të jugut, si dhe nga vargjet e Grga Martiæ dhe poeti kombëtar malazez Njegoš. Me ritmin e poezive popullore, herë-herë i përngjasonin kumteve homerike, duke evokuar përplasjet e deriatëhershme osmano-malazeze ku aktorët shqiptarë nëpër vargjet e tij ishin malësorët (Marash Uci, 1905) dhe shkodranët (Oso Kuka, 1907) përpunohej ideja e armiqësisë kundër sllavëve. Sentimentet antiturke në veprën e tij do t’i shkruante vetëm në këngët që botoi pas pavarësisë së vendit.

I financuar nga qeveria austro-hungareze, më 1907 botoi në Sarajevë në mënyrë anonime përmbledhjen me poezi satirike Anxat e Parnasit (rib. Anzat e Parnasit), duke hedhur kështu themelet e zhanrit të satirës në letërsinë shqipe. Ka dëshmi shkrimore që ka lënë pas piktura dhe po ashtu qe arkitekti i njërës prej kishave të Shkodrës.[Ka botuar 9 tekste dramatike. Përshtati veprën Le Furberier Escarpet të Molierit në pjesëzën Dredhitë e Patukut, e pabotuar, dorëshkrimi i së cilës gjendet në Bibliotekën Françeskane në Shkodër. Me ardhjen në pushtet të regjimit komunist, Fishta u shpall “armik i popullit” dhe si autor u ndalua sepse kryevepra e tij “Lahuta e Malcís” është antisllave. Ndër akuzat e tjera që i bëheshin postum qenë edhe pranimi i medaljes së dhënë nga sulltani, të qenët agjent i austro-hungarezëve kur botonte Posta e Shqypnís si dhe për mosrefuziminin e titullit akademik i Akademisë së Shkencave të Italisë fashiste pasi kjo pushtoi Shqipërinë.

MERITAT

Pas propozimit të valiut Hasan Riza Pasha, sulltani i kishte akorduar Fishtës dekoratën e klasit II “Maarif Nishani” për merita të veçanta në fushën e arsimit. Më 28 janar 1912, Klubi “Gjuha Shqype” në pallatin ipeshkvnor në praninë e Imzot Serreqit, përmes kryetarit të saj Ndoc Çobës, i cili më këtë rast mbajti edhe një ligjëratë mbi veprimtarinë e tij, i dhuroi Fishtës një kurorë argjendi për merita në krijimtarinë letrare dhe po këtë vit ai dekorohet dhe nga Mbretëria Austro-Hungareze me medaljen “Ritterkreuz” (1912), për kontributin kulturor në Shqipëri, qyteti i Beratit i dërgoi një pupël ari (1913), Piu XI “Medaglia di Benemerenza” (1925), Urdhri françeskan e dekoroi “Lector Jubilatus” (1929), Greqia me dekoratën “Phoenix” (1931); qeveria italiane e bëri anëtar të akademisë së saj më 1939. Me rastin e 130-vjetorit të ditëlindjes së tij, Këshilli i Bashkisë së Lezhës e bëri “Qytetar Nderi”. Në këtë mbledhje përkujtimore, një grup intelektualësh kërkuan nga Kryetari i Qarkut dhe Prefekti që t’i bëhet një propozim Presidencës që t’i akordojë poetit të madh titullin e lartë “Nderi i Kombit” për merita të shquara në shërbim të Kombit Shqiptar. Kjo dëshirë u realizua nga presidenti Alfred Moisiu më 28 nëntor 2002.

LETËRKËMBIMI

Njihen dy letra që Fishta i ka drejtuar Benito Musolinit. Letra e parë i takon vitit 1934 dhe është e postuar në Livorno, Itali. Është e shkruar italisht, herë-herë me fjalë jo të italishtes së sotme. Duke ndier se nuk i mbetej shumë për të jetuar, Fishta i kërkon Musolinit që vepra e tij të botohet e plotë dhe “e paraqitshme”, gjë që nuk mund ta bëjë as Urdhri Françeskan dhe as Provinca e Fishtës. Dhe, të ardhurat nga shitja e veprës t’i kalojnë kësaj province. Deri në atë kohë dijetari shqiptar thuajse e kishte mbyllur ciklin e gjithë veprimtarisë së tij, pavarësisht rishikimeve të mëvonshme. Lutja qëndron në botimin e të shtatë vëllimeve të veprës ku përfshihen poezia ajo epike me “Lahutën e Malcís”, lirika, drama, satira politike dhe sociale, proza, përkthimet nga Iliada e Homerit, Molieri etj. Letra e dytë e Fishtës drejtuar Musolinit është shkruar në Romë, më datë 27 prill 1940, dhe po ashtu si letra e parë mban edhe vitin përkatës fashist, viti XVIII, i drejtohet tashmë udhëheqësit, Duçe.

Në këtë letër të shkurtër i shkruan për prof. Gino Bottiglioni i Universitetit të Bolonjës që në atë kohë ishte thirrur nga Akademia Italiane, anëtar i së cilës u bë edhe Gjergj Fishta në 1939, i ngarkuar me misionin për të promovuar studime në të gjitha fushat e dijes dhe për të drejtuar të rinjtë studentë. “Qendra jonë e Studimeve Shqiptare do donte një impuls të dukshëm nga profesori i Universitetit të Bolonjës ku me nismën e tij, po organizohet një grup të rinjsh veçanërisht i përkushtuar ndaj albanologjisë”. Për këtë Fishta “guxon” t’i drejtohet Duçes dhe “gjykimit të tij të ndritur” për t’u gjetur një mënyrë që ta shtyjë më tej këtë nismë. Letra drejtuar Jakomonit, mëkëmbësit të mbretit Viktor Emanueli III është një lutje për të ndihmuar albanologun Norbert Jokl./ Gazeta Panorama

A duhet Meta sipas ligjit të gjykohet me dyer të hapura dhe me kamera për popullin?

Nga Kreshnik Spahiu

I pandehuri Ilir Meta duhet gjykuar si i barabartë me çdo shtetas shqiptar para gjykatës.

Gjykata duhet të garantojë një proces transparent, me dyer të hapura.

Larg çdo presioni politik, SPAK duhet të kërkojë një gjykim publik.

Pavarësisht akuzave, gjykimi ndaj ish-presidentit Meta duhet të jetë model dhe bindës për publikun.

Vendimi i Gjykatës duhet të bindë popullin për “fajësinë apo pafajësinë” bazuar mbi fakte, prova, dëshmitarë…

Shtetasi Ilir Meta sipas Kushtetutës dhe Kodit të Procedurës Penale duhet gjykuar me dyer të hapura sepse çështja penale nuk parashikon përjashtimet kur gjykimi bëhet me dyer të mbyllura:

ProfitSence Logo
– kur publiciteti mund të dëmtojë moralin

– kur nga ana e publikut prishet seanca

– kur mbrohet siguria e dëshmitarëve

– kur gjykohen të mitur ose dëshmitarë;

– kur viktima kërkon dyer të mbyllura.

Referuar Ligjit, nuk ekziston asnjë nga rrethanat që Gjykata të mbyllë dyert për “ndeshjen” Meta-Dumani.

Kreu i SPAK nuk duhet të hezitojë nga hakërrimi i Metës, apo kërcënimet e 5 zheleve që i shkojnë pas.

Altin Dumani ka sfidën e jetës por dhe vendosjen e një standardi të ri.

Pretenca kundër shtetasit Meta është kapitull që do shkruhet, si mundësi për të hapur një faqe të re në historinë e Shqipërisë.

Altin Dumani duhet të përballet me kërcënimet politike apo psiqike të Metës përpara kamerave dhe do të fitojë besimin popullor.

Beteja e Altinit kundër Metës s’është personale por ligjore.

Atje në gjykatë do përballen e reja me të vjetrën.

Sytë e gjithë shqiptarëve do jenë atje për të kuptuar si iu shkuan dëm 34 vite nga jeta e tyre.

Altini do t’i kërkojë gjykatës të hapë dyert që të fitojë një betejë popullore dhe jo personale.

Hapni dyert e gjykatës se miliona sy janë aty, për të dëgjuar çekiçin e drejtësisë dhe hakërrimin e fundit të mafies politike shqiptare.

Mbështetja popullore në një gjykim me impakt publik, është më e rëndësishme se prezenca e diplomatëve të huaj në sallë.

Vetëm Pretenca publike e bën gjykatën të vendosë në emër të popullit.