23.5 C
Tirana
E diel, 4 Maj, 2025

“Tek telefoni i Monikës do të gjeni ‘peshkun e madh’”- Afera e inceneratorëve/ Ç’ndodhi gjatë seancës së Lefter Kokës

Pas disa seancash të dështuara, dje u zhvillua seanca për çështjen e inceneratorit të Elbasanit, në Gjykatën e Posaçme të Apelit.

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka kundërshtoi në Apelin e Posaçëm dënimin e tij me 6.8 vite burg nga GJKKO, për aferën e inceneratorëve. Koka është shprehur se nuk është ai “peshku i madh” dhe se nuk duhej të ishte dënuar për korrupsion.

SPAK ka relatuar në gjykatë ankimin e bërë kundër vendimit të shkallës së parë që shpalli të pafajshëm Alqi Bllakon për shpërdorim detyre. Për të njëjtën vepër, pafajësi mori edhe ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, por u dënua për korrupsion dhe pastrim parash me 5 vite e 6 muaj burg. Kërkesa e SPAK para Gjykatës së Posaçme të Apelit solli edhe reagimin e ish-ministrit i cili kërkoi pafajësi.

“Jam i pafajshëm, ju po kërkoni të më dënoni mua si “peshkun e madh”, por nuk jam unë “peshku i madh”. Unë jam biznesmen dhe nuk kam pasur nevojë të më paguajë biletat e udhëtimit Mirel Mërtiri. Avokatët e tij thanë që biletat e rezervuara janë 3 vjet më vonë se sa lidhja e kontratës. Prokurorët pse nuk marrin si referencë kontratat e tjera për landfille, si ai i Vlorës dhe Lezhës që janë më të shtrenjtë. Pse e ndatë dosjen apo që të më dënoni sa më shumë mua”, deklaroi Lefter Koka.

Ish-ministri i Mjedisit nuk i kursyeu akuzat ndaj Monika Kryemadhit duke kërkuar drejtësi. Lefter Koka u shpreh se po të hapet telefoni i Monika Kryemadhit, aty do të gjendet edhe “peshku i madh” i inceneratorëve.

“Ky është fiks kallëzimi i bërë nga Monika Kryemadhi, doni të gjeni korrupsionin, hapni telefonin e Monikës. Nuk më dënoni dot për korrupsion. Megjithëse ka kaluar një vit, konkluzionet e prokurorëve janë të njëjta. Unë e kuptoj që institucioni do të marrë kredibilitet dhe kjo gjykatë do të jetë në presion, por besoj se do të jepni drejtësi dhe do të ngriheni në nivelin e duhur të integritetit”, deklaroi z.Koka.

Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka foli në gjykatë për të paktën 20 minuta, në lidhje me këtë çështje. Ai është dënuar edhe për dosjen e inceneratorit të Fierit me 10 vite burg që për shkak të gjykimit të shkurtuar i ulet 1/3 e dënimit dhe përfundimisht u dënua me 6 vite e 8 muaj heqje lirie. Ndaj Kokës është caktuar një masë e tretë sigurimi edhe për inceneratorin e Tiranës ku dyshohet për “shpërdorim detyre”.

Lefter Koka u dënua me 10 vjet burg, i konvertuar në 6.8 vite heje lirie për shkak të gjykimit të shkurtuar për krijimin e skemave mashtruese me faturat fiktive, për inceneratorin e Fierit. SPAK akuzon Kokën për abuzim me rreth 4 mln euro. Ish-ministri sipas SPAK, përfitoi në mënyrë të parregullt shuma të ndryshme monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë koncesionare.

Ai u lirua nga akuzat sa i takon djegësit të Elbasanit. Për inceneratorin e Elbasanit, SPAK kërkon në Apelin e Posaçëm ndryshimin e vendimit të shkallës së parë, që shpalli të pafajshëm për akuzën “shpërdorim detyre” ishdeputetin socialist Alqi Bllako dhe ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka. Në seancën që u zhvillua në Apel pas dështimit disa mujor, prokurorët Klodian Braho dhe Arben Kraja kërkuan që Bllako të dënohet me 4 vite burg, në përfitim të gjykimit të shkurtuar 2.8 vite burg, ndërsa për Kokën kërkon t’i shtohet edhe dënimi për “shpërdorim detyre”.

“Ka marrë fund koha e pandëshkueshmërisë”, thirrja e ambasadorit gjerman: Mos e prekni reformën në drejtësi

“Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë probleme jo vetëm për investimet gjermane në vend, por edhe për zhvillimin ekonomik të vendit, por edhe në rrugën drejt integrimit Europian të vendit”.

Kështu u shpreh në një intervistë në “Çdo Kënd nga Merita Haklaj” në A2 CNN, ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner. Teksa foli për reformën në drejtësi, ai theksoi se ajo e vitit 2016 nuk duhet të preket kurrsesi.

“Jemi tepër të gëzuar në lidhje me miratimin e reformën në drejtësi në vitin 2016, e cila hodhi bazat dhe jep një kontribut mjaft të rëndësishëm në përmirësimin e gjendjes në vend dhe dhënien fund të kulturës së pandëshkueshmërisë. Në këndvështrimin tonë, reforma në drejtësi e vitit 2016 nuk duhet të preket. Ndryshimet mund të bëhen vetëm për të zgjeruar fushën e veprimtarisë së kësaj reforme edhe në sektorë të tjerë të vendit”, tha Berger në A2.

Me arrestimet e fundit, ambasadori i Gjermanisë u shpreh se në Shqipëri ka marrë fund koha e pandëshkueshmërisë.

Suksesi më i dukshëm i kësaj reforme është puna e SPAK-ut, i cili ka mbërritur në arrestime të rëndësishme dhe pa u bërë konkret me emra, koha e pandëshkueshmërisë ka mbërritur në fundin e saj. Gjithsekush është subjekt i zbatimit të ligjit dhe ky është një lajm shumë i mirë për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Meta në burg, Haklaj: Po kërkonte azil politik! Pas tij janë gati 100 fletë-arreste! Radha për 10 zyrtarë të lartë

Aksioni i SPAK, për të goditur të korruptuarit në radhët e politikës do të vijojë, ndërsa pritet që pas arrestimit të kreut të PL Ilir Meta të ketë edhe arrestime të tjera.

Ka qenë kjo deklarata e fortë e ish-deputetit të PD, Azgan Haklaj, i cili ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Studio Live’, në Report Tv me gazetarin Arbër Hitaj, ku ndër të tjera u shpreh se brenda këtij viti në pranga do të bien edhe zyrtarë të niveleve të larta.

“Janë dhjetëra deri në qindra fletërreste, ku janë politikan e zyrtarë. 10 zyrtar janë të lartë, ka deputet, ministra. Janë si majtas dhe djathtas, ora e drejtësisë po troket. Do kemi zyrtarë të niveleve më të larta që do të shkojnë në pranga, brenda këtij viti”, tha ai.

Teksa foli për arrestimin e Ilir Metës, ai u shpreh se kreu i PL, e kishte marr njoftimin më parë që do të arrestohej.

Hakaj u shpreh se i bëjnë përshtypje akuzat e Berishës se Meta është rrëmbyer, ku sipas tij Berisha e ka rrëmbyer Metën në vitin 2000.

“Meta e kishte njoftimin që do te arrestohej, por ajo që është çudia më e madhe është Berisha që hedh akuza se Meta është rrëmbyer, kur në fakt Meta e ka rrëmbyer Berishën në vitin 2000, në mënyrë të dhunshme dhe duke u torturuar nga Tropoja në Tiranë dhe pjesë e forcave që e arrestuan kanë qenë edhe njerëz që nuk kanë qenë fare pjesë e forcave të policisë për të arrestuar”, tha ai.

Haklaj theksoi se Meta ishte duke kërkuar azil politik në mënyrë që ti shmangej drejtësisë.

“Meta do të shkonte në azil politik, dhe do të shkonte kudo, në çdo vend vetëm që të shpëtonte. Tani do të ketë edhe goditje të tjera”, tha ai.

Shqipëria vendi me informalitetin më të lartë në rajon/ RCC: Konkurrenca e padrejtë vijon të pengojë zhvillimin e tregut

Ekonomia informale, e cila përfshin aktivitete jashtë kuadrit ligjor dhe rregullator, mbetet një sfidë e vazhdueshme në shumë vende të Ballkanit Perëndimor. Të dhënat e “Barometrit të Ballkanit” për vitet 2023 dhe 2024, tregojnë se perceptimi mbi ekonominë informale dhe konkurrencën e padrejtë është përmirësuar lehtë, por mbetet një shqetësim i moderuar.

Sipas këtij raporti lidhur me shkallën e informalitetit në vend, Shqipëria ka marrë një vlerësim prej 2.1 pikë, çka tregon se bizneset në vend e perceptojnë këtë faktor si një pengesë të moderuar, por me një ndikim më të vogël krahasuar me vitin 2023, kur ky tregues ishte në nivelin e 2.4 pikëve. Edhe krahasuar me mesataren e Ballkanit Perëndimor, e cila është 2.5 pikë, Shqipëria renditet më keq. Ky fakt tregon se problemet me ekonominë informale në Shqipëri janë më të mëdha në krahasim me disa vende të tjera të rajonit. Theksojmë se vlerësimi është nga 1 në 4 pikë, ku 1 do të thotë pengesë e madhe, 2-pengesë e moderuar, 3-pengesë e vogël dhe 4-nuk ka pengesë.

Por, ky vlerësim për Shqipërinë lidhur me informalitetin tregon se ka ende sfida të konsiderueshme të lidhura me konkurrencën e parregulluar. Bizneset informale operojnë me më pak kosto, pasi shmangin tatimet gjë që krijon një fushë të pabarabartë, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Kur krahasohet me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria paraqitet në një situatë më pak të favorshme. Vendet si Serbia dhe Bosnje Hercegovina kanë marrë një vlerësim prej 2.6 pikë duke treguar se bizneset atje e perceptojnë informalitetin si një pengesë më të vogël për zhvillimin e vendit. Nga ana tjetër, Kosova dhe Maqedonia e Veriut gjithashtu përballen me probleme të ngjashme me vendin tonë përsa i përket ekonomisë informale. Këto vende u vlerësuan përkatësht me 2.3 pikë dhe 2.4 pikë.

Izraeli godet Iranin në shenjë hakmarrjeje për sulmin me raketa balistike! Rrezikohet përshkallëzimi i luftrave në Lindjen e Mesme

Izraeli goditi Iranin me një sërë sulmesh ajrore të shtunën herët, duke thënë se kishte në shënjestër objektivat ushtarakë, në shenjë hakmarrjeje ndaj sulmit me raketa balistike që Republika Islamike kreu ndaj Izraelit në 1 tetor.

Në kryeqytetin e Iranit, Teheran mund të dëgjoheshin shpërthimet, edhe pse Republika Islamike këmbënguli se sulmet shkaktuan “dëme të kufizuara”.

Mediat iraniane raportuan se ishin dëgjuar një sërë shpërthimesh në kryeqytetin Teheran, si edhe në qytetin pranë tij Karaj, të shtunën herët.

Sulmi rrezikon përshkallëzim të luftrave në Lindjen e Mesme, ku grupet militante të mbështetura nga Irani, përfshirë Hamasin në Gazë dhe Hezbollahun në Liban, janë tashmë në luftë me Izraelin. Kjo ishte hera e parë që ushtria izraelite sulmoi hapur Iranin, i cili nuk ishte përballur me një sërë sulmesh nga një armik i huaj që prej luftës së 1980 me Irakun.

Sulmi disa orësh i Izraelit përfundoi pak para se të dilte dielli në Teheran, ndërsa ushtria izraelite tha se kishte në shënjestër objektet e përdorura për prodhimin e raketave me të cilat Irani goditi Izraelin. Izraeli nuk ofroi të dhëna mbi dëmet.

“Regjimi në Iran dhe grupet e lidhura me të në rajon kanë sulmuar intensivisht Izraelin që nga 7 tetori, në disa fronte, duke përfshirë sulme të drejtpërdrejta nga toka iraniane”, thuhej në një deklaratë të ushtrisë izraelite. “Ashtu si çdo vend tjetër sovran në botë, shteti i Izraelit ka të drejtën dhe detyrën të përgjigjet”.

Ushtria iraniane tha se sulmet kishin në shënjestër bazat ushtarake në provincat Ilam, Khuzestan dhe Teheran dhe shkaktuan “dëme të kufizuara”, por pa dhënë detaje.

Fillimisht, objektet bërthamore dhe rezervat e naftës ishin parë si objektiva të mundshme për kundërpërgjigjen e Izraelit ndaj Iranit, por në mes të tetorit administrata e Presidentit Biden njoftoi se besonte se kishte marrë garanci nga Izraeli se nuk do të godiste objektiva të tilla, çka do të përbënte edhe një përshkallëzim më të rëndë të gjendjes.

Sulmi izraelit ndaj Iranit ndodhi ndërsa Sekretari amerikan Shtetit, Antony Blinken arriti në Shtetet e Bashkuara pas një turneu në Lindjen e Mesme. Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare Sean Savett i tha Zërit të Amerikës se “Uashingtoni është në dijeni se Izraeli po kryen sulme të sakta ajrore ndaj objektivave të caktuara ushtarake në Iran në ushtrim të së drejtës për t’u vetë-mbrojtur dhe në përgjigje të sulmit të Iranit me raketa balistike ndaj Izraelit, në 1 tetor”.

Presidenti Joe Biden dhe Nën Presidentja Kamala Harris u informuan mbi operacionin e Izraelit, njoftoi Shtëpia e Bardhë të premten. Ata po ndjekin nga afër zhvillimet dhe do të vazhdojnë të informohen, raportojnë mediat.

Një zyrtar amerikan i Mbrojtjes i tha Zërit të Amerikës se Izraeli i kishte njoftuar Shtetet e Bashkuara para se të niste sulmin ndaj Iranit. “U njoftuam paraprakisht mbi atë që do të ndodhte”, tha zyrtari , duke theksuar se “ne nuk ishim të përfshirë”.

Media shtetërore iraniane nuk dha hollësi se ku kishin ndodhur shpërthimet. Ajo përcolli pamje nga aeroporti i Teheranit dhe nga një treg fruta perimesh në qytet, që tregonin normalitet. Media izraelite raportoi se qeveria izraelite e kishte marrë të premten në mbrëmje vendimin për të sulmuar Iranin.

Izraeli ishte zotuar se do të godiste Iranin pas sulmit me raketa balistike nga Teherani në 1 tetor. Pas atij sulmi, kryeministri Netanyahu tha se udhëheqësit iranianë bënë “një gabim të madh” dhe paralajmëroi se “do ta paguanin”. Sulmi i Iranit në tetor përfshiu rreth 200 raketa balistike dhe ishte sulmi më i madh i drejtpërdrejtë ndaj Izraelit nga territori iranian. Ai ishte sulmi i dytë i drejtpërdrejtë ndaj Izraelit në gjashtë muaj; Irani lëshoi raketa dhe dronë në prill në përgjigje të një sulmi izraelit në një bazë diplomatike iraniane në Siri. Në të dyja sulmet, sistemet e mbrojtjes izraelite, të mbështetura nga forcat amerikane, interceptuan shumicën e raketave, duke shmangur dëme të mëdha. Agjencia iraninane gjysmë zyrtare e lajmeve Fars tha se disa baza ushtarake në perëndim dhe jugperëndim të Teheranit kishin qenë objektiva të sulmeve izraelite./VOA

Asllani buzëqesh përsëri, gati për duelin kundër Juventusit. Por Interi humb një tjetër lojtar

Kristjan Asllani do të jetë gati për “derbin e Italisë” përballë Juventusit. Mesfushori shqiptar më në fund ka lënë pas dëmtimin dhe sot raportohet se ka kryer një seancë të plotë stërvitore.

Asllani kishte munguar në dy ndeshjet e fundit të Interit, ndaj Romës dhe Jang Bojs, pa dhënë kontributin e tij për shkak të kësaj situate me dëmtimin. Por ai është lënë pas dhe ky është një lajm i mirë për futbollistin, por edhe për trajnerin Inzagi i cili duhet të modifikojë mesfushën pas dëmtimit të Çalhanollu.

Asllani do të jetë një alternativë në pankinë, pasi vështirë se Inzagi mund ta rrezikojë mes titullarëve duke pasur parasysh se sapo ka ardhur nga dëmtimi. Por ndërkohë, një alternativë nuk do të jetë Karlos Augusto, i cili ka një problem muskulor në kofshën e majtë dhe kësisoj është mungesë e sigurt për ndeshjen e të dielës në darkë.

“Mbretëresha e frutave”- Njihuni me përfitimet shëndetësore dhe ushqyese të shegës

Brenda shegës gjenden 700-800 fara të vogla ngjyrë të kuqe. Shija e shegës varion nga ato të ëmblat deri te e tharta. Shega kryesisht ka madhësie një portokalli apo grejpfruti. Ka formë ovale dhe lëvore ngjyrë të kuqërremtë.

Kokrrat e saj janë të pasura me vitaminë A, B, ndërsa plotëson rreth 50 për qind të nevojave tona për vitaminë C. Hipokrati e cilësonte si ilaçin më të mirë për gripin, ndërsa egjiptianët e katër mijë viteve më parë tregonin se kishin zbuluar vetitë terapeutike të lëngut të saj. Në Evropë, në fillim të shekullit XIX, lëkura e shegës përdorej shumë për të kuruar tenjën dhe në të vërtetë analizat e kohëve të fundit kanë treguar se për virtytet që të parët tanë i atribuonin asaj, kishin plotësisht të drejtë.

Shkenca po merret me zbulimin e sekreteve të shegës, studimin e përbërësave nutritivë dhe shërues të frutës, lëngut, madje edhe vajit i cilit merret nga farat. Gjithashtu, shega kohë më parë është shpallur “kampione” midis pemëve dhe sërish është gjendur në qendër të vëmendjes, jo vetëm për shkak të shijes të mirë të thartë e deri te shija e ëmbël, por për shkak të kontributit të saj në ruajtjen e shëndetit.

Shega kundër sëmundjeve

Shega, një nga frutat më të shijshme këshillohet që të jetë pjesë e dietës sonë. Fakti që ky frut maturohet plotësisht në fillim të vjeshtës dhe vazhdon të korret deri në fillim të janarit, na bind edhe më tepër se përmban vlera ushqyese dhe kuruese të jashtëzakonshme.

Mjekësi tradicionale

Që nga koha e Hipokratit, terapeutistë përdornin lëkurën, gjethet dhe farat e saj për diarrenë, dizenterinë kronike dhe plagët. Farat e pabëra përdoren për temperaturën, ndërsa të pjekurat për kollën. Në Romën Antike, ajo ishte e njohur për cilësitë kozmetike të saj. Kleopatra përdorte lëngun e saj në fytyrë, në flokë dhe në thonj.

Çfarë mbështesin të dhënat e reja

Specialistët theksojnë se, lëngu i shegës rrit prodhimin e rruazave të kuqe të gjakut, lehtëson nga temperatura dhe zvogëlon ngarkesën kardiake që vëzhgohet kur dikush është i sëmurë me grip.

Ajo është ideale të përdoret kur fëmijët e vegjël shfaqin kollë dhe temperaturë. Për më tepër, përmban një sasi të madhe fitoestrogjenesh (estrogjene bimore) dhe flavonoide, që kanë ndikim mbrojtës në lëkurë, flokë dhe thonj.

Studime të mëparshme kanë treguar se shega është e përshtatshme edhe për të parandaluar infarktin dhe sëmundje të tjera në zemër, pasi është i pasur me antioksidues të shumtë.

Hulumtimet e fundit mbështesin se, lëngu i saj mund të mbrojë nga infeksionet bakteriale, tumoret e lëkurës, bënë parandalimin dhe ngadalësimin e përhapjes së kancerit në mushkri, kancerit në prostatë, kancerit në gji, diabeti, osteoporoza, etj.

Një studim i ri i Universitetit Elizabetian të Edinburgut, në Skoci, provoi se konsumi i një shege në gjendje frutore apo si lëng, është në gjendje të rrisë dëshirën seksuale në orët në vazhdim.

Përse është e dobishme:

Shkencëtarë amerikanë mbështesin se, konsumimi i përditshëm i shegës nga një mama e ardhshme, mund të pengojë një dëmtim të mundshëm në trurin e embrionit. Përmban lëndë antioksiduese që kontrollojnë tensionin arterial dhe ulin nivelet e kolesterolit.

Shega e pjekur është e nxehtë dhe e lagësht, i ndihmon fytit, mushkërive dhe bronkeve, vepron si lehtësues dhe qetësues i kollës dhe është i mirë për vrerin.

Si laksativ i lehtë, pengon kalbëzimin në lukth dhe është më e fuqishmja në mesin e kategorive të ngjashme të ushqimit si burim me vlera të shumta të substancave për tërë trupin. Shega tretet në lukth dhe thithet shpejt për shkak të temperamentit të saj të jashtë zakonshëm dhe të lehtë, e nxeh lukthin ngadalë, i nxjerr jashtë gazrat e lukthit dhe e rrit sasinë e spermës, megjithatë shega nuk duhet të hahet kur njeriu ka temperaturë.

Lëngu i shegës shuan etjen, rrit oreksin dhe i jep freski mendimit të njeriut për shkak të efektit pozitiv në sistemin nervor.

Gjithashtu përdoret me sukses për heqjen e njollave dhe rrudhave të fytyrës.

Lëngu i shegës ka tre herë nivelin më të lartë të antioksidantëve se të rrushit të zi, çajit jeshil dhe se vena e kuqe.

Përmban një sasi të lartë të përbërësve bioaktivë, flavonoide; anthocyane, thartirën phenol; polyphenole; të cilat kanë shumë rëndësi në rregullimin, ripërtrirjen dhe zhvillimin e qelizave. Është edhe shumë e pasur me kalium, potas,hekur dhe Vitaminat A,C dhe E.Përdorimi i shegës në mjekësinë popullore

Në mjekësinë popullore përdoren frutat dhe lëvozhgat e tyre, lulet, farat, rrënjët dhe lëvorja e degëve dhe e rrënjëve, e cila ka shije te athet dhe ere.

Lëngu i shegës përmban mesatarisht 12 për qind sheqer, acide organike, pektinë, vitamine C, etj. Vetëm 30 minuta pas marrjes se lëngut te shegës aktiviteti ynë rritet me 32 për qind.

Lëngu i shegës shuan etjen, nxit oreksin dhe përmirëson tretjen e ushqimeve.

Ai përdoret me sukses në sëmundjet e stomakut dhe te zorrëve, është freskues dhe mënjanon helmet e organizmit.

Lëngu i shegës jep rezultate në luftimin e paraziteve që zhvillohen në zorrë.

Lulet e shegës përmbajnë taninë dhe kanë veti rrudhëse e tonike; ato rekomandohen në dhimbjet e barkut, në hemorragji, në hemorroidet, si dhe për gargara të gojës, kundër ënjtjes se bajameve dhe acarimeve te mishrave te dhëmbëve.

Merren 20-30 gramë lule shege në një litër ujë dhe vihen të zihen për gjysmë ore. Nga ky çaj merren 2-3 gota çaji në ditë. Edhe lëvozhga e frutave të shegës ka veti regjëse. Lëvozhga e thatë, para se të përdoret, duhet të vihet në ujë për disa orë që të zbutet.

Çaji i lëvozhgave të shegës përdoret kundër diarreve, si dhe për luftimin e krimbave parazitarë të zorrëve.

Lëvozhga e frutave të shegës lufton me sukses amebat, të cilat e dobësojnë shumë organizmin, e veçanërisht te fëmijët. Për këtë merren lëvozhgat e një kokrre shege, vendosen në një enë prej balte dhe zihen në gjysmë litri ujë derisa të mbetet gjysma e sasisë së ujit. Pasi ftohet lëngu, pihen dy gota likeri në ditë, një në mëngjes e një në darkë, gjithmonë para buke, për 10-15 ditë. Pa përdorur tjetër ilaç, organizmi do të çlirohet nga amebat.

Përzierja magjike:

Lëng shege me kivi.Përzierje fantastike, antikancerogjene dhe energjike. Që të dyja përmbajnë sasi të konsiderueshme të vitaminës C.

Rënia e grupit socialist të Durrësit

Në zgjedhjet e vitit 2021, Durrësi ishte një nga qarqet që kontribuoi në fitoren e mandatit të tretë qeverisës të kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste, një palë zgjedhje në të cilat tashmë është e qartë që struktura të krimit të organizuar patën rol domethënës, e ndoshta, vendimtar në disa zona për garantimin e fitores.

Socialistët fituan 50% të votave në Qarkun Durrës ose 77 mijë, duke rrëmbyer tetë mandate pasi votat e opozitës u ndanë mes PD dhe LSI ndërsa LSI nuk arriti të marrë një mandat për shkak se mori 136 vota më pak nga sa nevojiteshin.

Por ndërsa socialistët fituan zgjedhjet, si falë numrit të votave ashtu edhe rastësisë së shkaktuar nga formula D-Hondt që përdoret për ndarjen e mandateve, telashet e tyre filluan menjëherë pas fitores. Akoma pa marrë mandatin, Lefter Koka, një politikan vendor të cilin PS e mori nga LSI, dha dorëheqjen në shtator të vitit 2021 pa dhënë shpjegime për shkaqet. Në deklaratën e dorëheqjes, Koka la të kuptohet gjithashtu se ai po tërhiqej nga politika.

Shqiptarët votuan në zgjedhjet e vitit 2021 me lista thuajse të mbyllura të partive, por Edi Rama, në ndryshimet që i bëri Kodit Zgjedhor në vitin 2020, i dha mundësinë votuesve të jepnin edhe një “votë pëlqyese” për kandidatin për deputet. Koka kontribuoi fort në fitoren e socialistëve në Durrës pasi mori në ato zgjedhje 9,600 vota pëlqyese ose 15% të të gjitha votave të socialistëve. Dhe Koka ishte i pari që u rrëzua. Në dhjetor të atij viti, ai u arrestua nga SPAK nën akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Ai është dënuar dy herë për incineratorët e Elbasanit dhe të Fierit. Çështja e tij vijon të shqyrtohet në Apel.

Rrahman Rraja, deputeti nga zona e Fushë-Krujës, i cili në zgjedhjet e vitit 2021 mori gati 7800 vota pëlqyese ose 12%, u dorëhoq dhe u tërhoq nga politika në gusht 2023. Arsyeja e dorëheqjes së tij lidhej me publikimin e një video ku të afërm të tij, përfshirë edhe të birin, rrahën në mënyrë barbare dy qytetarë, “krimi” i të cilëve ishte që ata ishin ankuar në komisariatin e policisë për shpërthimet që po kryheshin në një gurore dhe që po i dëmtonin shtëpitë. Mes dhunuesve ishte i biri i deputetit, Rexhep Rraja, dhe i vëllai, Xhelaj Rraja. I vëllai u arrestua së fundmi si pjesë e dosjes së shtatë bandave, i akuzuar se në aleancë me Durim Bamin planifikoi vrasjen e Arben Ndokës, një ish-deputet tjetër socialist.

Së fundmi, arrestimi i Jurgis Çyrbjes duket se do të rëndojë mbi socialistët më gjatë. Karriera e Çyrbjes ka  nisur si drejtor hipoteke në Durrës në vitin 2013 kur ishte 28 vjeç. Ai u bë katër vjet më vonë deputet në listat e Partisë Socialiste dhe u konfirmua më 2021, kur fitoi gati 6600 vota. Njoftimi i prokurorisë për arrestimin e tij për tre akuza, e portretizon Çyrbjen si një njeri që kryente ndërmjetësin mes strukturave të paidentifikuara shtetërore dhe grupeve kriminale për të trafikuar informacion sekret mbi planet policore për operacione dhe për arrestime te krimi. Prokuroria veçon marrëdhënien e tij me Altin Hajrin, pronari i një kompleksi dasmash në Shijak në të cilin, në vitin 2020 humbi jetën Jan Prenga. Sipas prokurorisë, Çyrbja ka ndihmuar Hajrin t’i shpëtojë drejtësisë, duke ndërhyrë në agjenci ligjzbatuese ndërsa ka kryer korrupsion aktiv në zgjedhje në lidhje me të. Hajri nga ana e tij i ka siguruar atij votues.

Në total, Koka, Rraja dhe Çyrbja morën bashkërisht në zgjedhjet e vitit 2021 24 mijë vota ose 38% të të gjithë votave të Partisë Socialiste në qarkun Durrës./reporter.al

Shtohen problemet e shëndetit mendor tek të rinjtë në Shqipëri

Në Shqipëri, ekspertët pohojnë se është në rritje numri i të rinjve me probleme të shëndetit mendor.

Psikologët dhe mjekët psikiatër thojnë se sfidat e shoqërisë si dhe krizat e identitetit tek shumë të rinj po shoqërohen me stres dhe shfaqje të problemeve të shëndetit mendor.

Rastet në rritje të problemeve të shëndetit mendor tek të rinjtë, sipas ekspertëve, lidhen me shndërrimet që po pëson vetë shoqëria shqiptare si dhe me fenomenet që shfaqen në jetën e përditshme edhe tek të rinjtë.

Mjeku psikiatër Gjon Preçi thotë se ballafaqimi i të rinjve me streset e jetës së përditshme, emigracioni, përdorimi i substancave narkotike dhe, në veçanti, jeta intensive në rrjetet sociale, po lënë pasoja në shëndetin e tyre mendor.

“Kemi mjaft të rinj që pothuajse bëjnë një jetë virtuale. Gjithë natën rrijnë në rrjetet sociale dhe gjithë ditën flejnë gjumë. Një kundërshti me rritjen biologjike që ka njeriu. Dhe këto janë personat tek të cilët ne shikojmë një stres të vazhdueshëm. Janë shumë vulnerabël dhe shumë të prirur për të zhvilluar një problem të shëndetit mendor, që fillon nga një stres i thjeshtë tek psikozat e mirëfillta”, tregon ai.

Ajo që bie në sy, thotë mjeku Preçi, janë rastet në rritje të të rinjve që kthehen nga emigracioni me probleme të rënduara të shëndetit mendor.

“Personat që na vijnë, pasi kanë kaluar një periudhë ndoshta edhe në burgje dhe i janë nënshtruar një stresi të mirëfilltë dhe të vazhdueshëm, duke tentuar të luftojnë stresin, kanë abuzuar me alkool dhe me droga nga më të ndryshmet”, tregon ai.

Për psikologun Fatjon Taipi problematikat e të rinjve janë të lidhura me sfidat që ka vetë shoqëria. Përballë këtyre sfidave, të rinjtë përpiqen të krijojnë dhe të shpalosin identitetin e tyre, gjë që shpeshherë shoqërohet me shtim të stresit dhe shfaqje të problemeve të shëndetit mendor.

“Të rinjtë, duke qenë se janë në një fazë shumë konfuze të krijimit të identitetit të tyre, shpeshherë ndjekin dy rrugë. E para, është e lidhur me të dhënat e personalitetit të tyre, që mund të krijojnë çrregullime të shëndetit mendor dhe, e dyta, ato identifikohen me grupe sociale dhe aktivitete, të cilat janë të dëmshme për veten e tyre, shoqërinë, por në fund të fundit janë edhe anti-ligjore”, tregon ai.

Në Shqipëri, sipas INSTAT, në vitin 2023, nga grup-mosha 18-29 vjeç janë kryer 10.472 krime ose 26.5 përqind e të gjithë krimeve të kryera në Shqipëri. Ndërsa në burg kanë përfunduar 1758 të rinj të kësaj moshe, me një rritje 203 të rinj më shumë se në vitin 2022. Këto raste, sipas ekspertëve, më së shumti shoqërohen me çrregullime të shëndetit mendor.

Programi “Nxitja e aksesit në mbështetjen e shëndetit mendor për të rinjtë”, i cili zbatohet me partnerët nga Franca, Maqedonia e Veriut, Polonia, Qipro, dhe Greqia, tregon se jo rrallë ka keqkuptime për problemet e shëndetit mendor tek të rinjtë, thotë koordinatorja e këtij programi Klodiana Serraj.

“Në Shqipëri është ende tabu të flasësh për shëndetin mendor, sepse trajtohet si një keqkuptim duke u nisur edhe nga klishetë, shoqëria ku jemi rritur. Në fakt, shëndeti mendor është një sëmundje normale, si çdo sëmundje tjetër”.

Për mjekun psikiatër Gjon Preçi nuk është i vështirë diagnostikimi i problemeve të shëndetit mendor. Por, trajtimi i rasteve, thotë ai, është i vështirë dhe zgjat në kohë.

“ Mundësia është e kufizuar për shkak të situatës, që është komplekse në shoqërinë tonë. Aksesi që kanë familjarët për të marrë shërbime nga periferia, nga zonat e largëta, pamundësia për lëvizje, shërbimet e kufizuara në zonë, etj. Dhe kjo e bën shumë kompleks problemin dhe me një perspektivë jo të mirë”.

Sipas hulumtimeve të ekspertëve të UNICEF deri në 20 përqind e adoleshentëve në mbarë botën përjetojnë çrregullime mendore dhe se tre nga katër problemet e shëndetit mendor të të rriturve fillojnë në fëmijëri dhe adoleshencë”./ VOA

“Shkelje e barazisë në tendera”/ VOA: Një tjetër deputet socialist nën akuzë! Plarent Ndreca merret i pandehur nga SPAK

Në Shqipëri, deputeti socialist Plarent Ndreca u mor sot i pandehur nga Prokuroria e posaçme. Avokatit të tij, iu komunikua se deputeti akuzohet “Shkeljes së barazisë në tendera”, për rastin e rikonstruksionit të katër komisariateve në qytete të ndryshme të vendit. Në atë kohë, ai ishte Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme. Fundjavën e shkuar, u arrestua një tjetër deputet socialist i porsadorëhequr, Jurgis Çurbja, ndërsa të hënën, u vendos nën masë sigurie dhe deputetja e opozitës Monika Kryemadhi, si pjesë e hetimeve që çuan në arrestimin, po atë ditë, dhe të ish presidentit Ilir Meta.

Hetimet për tenderin e zhvilluar për rikonstruksionin e komisariateve të Mirditës, Vlorës, Pogradecit dhe atij numër 4 në kryeqytet, kanë nisur në vitin 2021. Shkak u bë një kallzim i Kontrollit të Lartë të Shtetit, sipas të cilit procesi kishte patur shkelje të procedurave. Në kohën kur është zhvilluar, gara, deputeti socialist Plarent Ndreca ishte Sekretar i Përgjithshëm i ministrisë së Brendshme, kur ky institucion drejtohej nga zoti Sandër Lleshaj. Dyshimet janë se fituesi i tenderit ka qenë i paracaktuar.

Zoti Ndreca nuk u paraqit vetë në Prokurori, por zgjodhi të dërgojë një avokat mbrojtës, të cilit iu komunikua akuza për deputetin socialist, ajo e “Shkeljes së barazisë në tendera”. Nën akuzë përfunduan dhe persona të tjerë, ish anëtarë të Komisionit të vlerësimit të ofertave.

Zoti Ndreca u bë pjesë e parlamentit në janar të këtij viti, duke marrë mandatin e ndërprerë të ish zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, po ashtu nën disa akuza nga Prokuroria e Posaçme dhe i larguar nga vendi.

Atij ju besua roli i nënkryetarit të Komisionit hetimor për koncensionet në Shëndetësi, ku u dallua për përplasje të herëpashershme me drejtuesen demokrate Albana Vokshi.

Zoti Ndreca nuk ka bërë asnjë koment mbi rastin, sikundër nuk ka patur asnjë reagim as nga Partia socialiste apo grupi i saj parlamentar. Fundjavën e kaluar, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme u arrestua ish deputeti tjetër socialist Jurges Cyrbja, i cili vetëm pak ditë përpara arrestimit kishte dhënë dorëheqjen. Ai dyshohet për lidhje me elementë të rrezikshëm të botës së krimit e bashkëpunim me ta, duke i ndihmuar që t’i shpëtojnë ndjekjes së autoriteteve e duke përfituar mbështetjen e tyre për të marë vota.

Të hënën, po me urdhër të Prokurorisë së Posaçme u arrestua ish presidenti Ilir Meta. Ai dyshohet për korrupsion, pastrim parash, dhe fshehje të pasurisë. Hetimet përfshijnë katër episode të ndryshme. Për të njejtat akuza, ndaj ish bashkëshortes së tij, deputetes së Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi u dha masa e detyrimit për paraqitje.