18.5 C
Tirana
E diel, 4 Maj, 2025

Të dielën ndryshon ora

Ndërmjet të shtunës 26 dhe të dielës 27 tetor 2024, akrepat do të ndryshojnë 60 minuta, duke shënuar kështu rivendosjen e orës diellore.

Akrepat do të shkojnë 60 minuta mbrapa, ose thënë ndryshe, do të flemë një orë më shumë. Si zakonisht ndryshimi bëhet rreth orës 03:00 të mëngjesit. Në aparatet e celularëve smart, ndërrimi bëhet automatikisht.

Lëvizja e akrepave të orës si fenomen ndodh dy herë në vit: në javën e fundit të tetorit dhe në të dielën e fundit të marsit, kohë kur ora shkon para.

Ndryshimi i orës në Europë u vendos si ligj evropian në vitin 1981. Zhvendosja e akrepave në Europën Perëndimore është vendosur në fillim të viteve ‘70-ta me shpjegimin se me këtë zgjatet dita, rritet produktiviteti, përmirësohet aftësimi i njerëzve dhe dita e punës bëhet më efikase.

Sulmet ajrore izraelite, SHBA i kërkon Iranit të mos hakmerret: Nëse zgjedh të përgjigjet, ne jemi gati dhe do të ketë pasoja

Ushtria izraelite ka kryer sulme ajrore në Iran. Sipas, ushtrisë izraelite u goditën objektet ku u prodhuan raketat që Irani sulmoi Izraelin vitin e kaluar.

“Në të njëjtën kohë, IDF goditi grupe raketash tokë-ajër dhe aftësi shtesë ajrore iraniane, që synonin të kufizonin lirinë ajrore të Izraelit të operimit në Iran,” shton deklarata.

Izraeli thotë se sulmet e Iranit në prill dhe tetor, si dhe mbështetja e tij për përfaqësuesit në rajon, “minojnë stabilitetin dhe sigurinë rajonale, dhe ekonominë globale”.

SHBA i ka kërkuar Iranit të mos hakmerret ndaj sulmeve të fundit izraelite kundër tij.

“Nëse Irani zgjedh të përgjigjet edhe një herë, ne do të jemi gati dhe do të ketë pasoja për Iranin”, thuhet në një deklaratë nga zyrtarë të lartë të administratës.

“Ky duhet të jetë fundi i këtij shkëmbimi të drejtpërdrejtë zjarri midis Izraelit dhe Iranit,” vazhdoi deklarata, duke shtuar se Uashingtoni ishte i përgatitur të “udhëheqë një përpjekje për të siguruar një fund të luftës në Liban” dhe të përpiqet të arrijë një armëpushim në Gaza, së bashku me kthimin e pengjeve të kapur nga Izraeli.

Administrata Biden ka deklaruar se Izraeli ka të drejtë të mbrohet dhe t’i përgjigjet sulmit iranian në fillim të këtij muaji.

Por presidenti mësohet se i tha Izraelit se nuk do të mbështeste një sulm që synon objektet bërthamore të Iranit për shkak të shqetësimeve se mund të shkaktojë një tjetër përshkallëzim në konfliktin në zgjerim.

Gjithashtu, Biden deklaroi se SHBA nuk do të mbështeste një sulm izraelit në infrastrukturën e naftës të Iranit.

“Nëse do të isha në vendin e [Izraelit], do të mendoja për alternativa të tjera përveç goditjes së fushave të naftës iraniane,” tha ai më 4 tetor.

Këtë muaj ai i kërkoi Izraelit të jetë proporcional në përgjigjen e tij ndaj sulmeve nga Irani.

Izraeli ka thënë se sulmet që po ndodhin janë në objektiva ushtarake në Iran.

Jo vetëm “ylli” i Milanit, Bayerni synon t’i “rrëmbejë” dy lojtarë Guardiolës

Rrallë ndodh që Bayern Munich të mbyllë sezonin pa trofe. Bavarezët dështuan në kampionat dhe Kupën e Gjermanisë, ndërkohë që ishin shumë afër finales së Champions League.

Tifozët kërkojnë rikthimin te trofetë sezonin e ardhshëm dhe drejtuesit janë gati të zhvillojnë një merkato cilësore. Theo Hernandez është një nga emrat që përfliten, por jo vetëm.

Bayerni ka hedhur sytë edhe nga Manchester City. Dy janë të preferuarit e gjermanëve nga ekipi i Pep Guardiolës: John Stones dhe Jack Grealish.

I pari cilësohet si një përforcim fantastik për qendrën e mbrojtjes, me shtatlartin anglez që ka “mësuar” të bëjë edhe rolin e mesfushorit te Citizens.

Pëlqim të madh ka edhe për Grealish, sulmuesin e majtë të kampionëve të Anglisë dhe kombëtares ishullore.

Pavarësisht vështirësisë së këtyre dy operacioneve, drejtuesit e Bayernit do të bëjnë të pamundurën për t’i transferuar në Bundesliga./Super Sport

Frutat e thata ndihmojnë me kancerin e gjirit?

Hulumtimet e fundit sugjerojnë se një mineral i gjetur në arrat braziliane mund të luajë një rol kyç në parandalimin e përhapjes së kancerit të gjirit, veçanërisht në rastin e formës trefishtë negative, e cila është e njohur për vështirësitë në trajtim.

Ky studim, i mbështetur nga Cancer Research UK, shqyrton rolin e selenit, një antioksidant që gjendet në ushqime si arrat, mishi, kërpudhat dhe drithërat.

Hulumtimi zbuloi se qelizat e kancerit të gjirit kanë nevojë të madhe për selen, sidomos kur ato janë të shpërndara dhe jo të grumbulluara. Kur qelizat e kancerit nuk janë të lidhura ngushtë, ato nuk mund të mbijetojnë pa këtë mineral. Duke ndërhyrë në metabolizmin e selenit në këto qeliza, studiuesit arritën të vrasin ato, veçanërisht ato që përpiqen të përhapen në mushkëri.

Dr. Saverio Tardito, nga Instituti i Kërkimeve të Kancerit në Glasgou, theksoi rëndësinë e këtyre gjetjeve: “Ne nuk mund ta eliminojmë selenin nga dieta jonë, por nëse arrijmë të zhvillojmë një trajtim që pengon marrjen e tij nga qelizat e kancerit, mund të parandalojmë përhapjen e sëmundjes në pjesë të tjera të trupit.”

Ai theksoi se shpesh, vdekjet nga kanceri i gjirit ndodhin pas përhapjes, kështu që gjetja e një mënyre për ta frenuar atë është jetike për të shpëtuar jetë.

Ky zbulim sjell shpresa për zhvillimin e trajtimeve të reja që mund të luftojnë këtë formë të kancerit, duke e bërë atë më të menaxhueshme.

“Lahuta e Malcis” është antisllave”, pse regjimi komunist e shpalli Gjergj Fishtën “Armik i Popullit”! Dy letrat që i dërgoi Musolinit

Më 23 tetor 1871, lindi “Homeri i letrave shqipe”, At Gjergj Fishta. Vepra që përjetësoi figurën e tij si krijues është epika “Lahuta e Malcis”, së cilës i kushtoi 40 vjet punë.

gjergj fishta

Krahas barabitjes me “Iliadën” e autorit helen, në veprën e Fishtës do të gjendeshin afinitete edhe me stilin e Dantes dhe të Gëtes, për nga pleksjet e mitologjisë me realitetin, mendimi filozofik dhe dramaticiteti. Fishta ka qenë frat françeskan, arsimtar, shkrimtar, përkthyes dhe po ashtu kryetar i komisionit për hartimin e alfabetit në Kongresin e Manastirit, anëtar i delegacionit të qeverisë Përmeti në Konferencën e Versajës, zëvendëskryetar i legjislativit shqiptar më 1921 si dhe përfaqësues diplomatik i shtetit shqiptar ndër disa konferenca ballkanike gjatë viteve ’30. Pas pushtimit italian u zgjodh anëtar i Akademisë së Italisë, që e priti ngrohtësisht ardhjen e “Perandorisë Romake” në Shqipëri në veprën e fundit të jetës së tij, shkrime të cilat më pas u përdorën nga regjimi fashist për qëllime propagandistike.

Pas dekadës së dytë të shekullit 20, Fishta iu imponua kulturës shqiptare jo vetëm si shkrimtar (poet, dramaturg, prozator etj.), por edhe si kritik, historian i letërsisë dhe estet. Për një gjysmëshekull, ishte figura mbizotëruese e letërsisë shqipe, madje sa ishte gjallë u kurorëzua “Poet kombëtar”. Për kontributet e tij u nderua me urdhra nderimi dhe dekorata nga autoritetet osmane, austro-hungarezët, grekët, kleri katolik dhe italianët. Pas vitit 1945, kur u vendos regjimi komunist, vepra e tij u ndalua dhe qëndroi e tillë deri kur ra diktatura komuniste. Mësimet e para i mori në seminarin françeskan të Shkodrës. Studimet e mëtejshme i ndoqi në Bosnjë, në disiplinat e filozofisë dhe të teologjisë. Fishta qe drejtori i parë shqiptar i Shkollës Françeskane. Në drejtimin e tij, u mundësua që shqipja të përdorej në katedër si gjuhë mësimi.

Si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi” mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe në cilësinë e kryetarit, drejtoi veprimtarinë e Komisionit të Alfabetit. Në vitin 1913, themeloi revistën letrarekulturore “Hylli i Dritës”. Gjatë Luftës së Parë Botërore, bashkëthemeloi me Luigj Gurakuqin Komisinë Letrare, që kishte për qëllim krijimin e gjuhës letrare kombëtare. Gjatë vitit 1920 u caktua Sekretar i Përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Po atë vit, u zgjodh deputet i Shkodrës. Mori pjesë në Revolucionin e Qershorit 1924. Për kontributin e dhënë në lëmin e edukimit, të letërsisë dhe të fesë, Fishta mori dekoratën “Foenix” (1931), si edhe u bë anëtar të Akademisë italiane (1939). Në 1886, vetë i gjashti dhjak u nis për në Bosnie nga Urdhri Françeskan. Vitin e parë të provës e kaloi në Guçjagorë afër Travnikut, ku sipas sharteve të urdhrit ndërroi emrin në Gjergj. I rrethuar nga një mjedis ku kultivohej edhe nacionalizmi kroat, ku njihej edhe nacionalizmi serb e malazez, prej ku dhe mori shkas për të frymëtuar nacionalizmin në veriun shqiptar.[5] Në kontakt me françeskanin boshnjak Grga Martiæ (1822-1905) dhe lirikun kroat Silvije Strahimir Kranjèeviæ (1865-1908), ai u ndikua nga vargjet e tyre dhe të Kaèiæ, Mažuraniæ dhe Njegoshit. Në vitin 1893 kreu me lavd këndimet në Bosnie dhe vetë i gjashti u kthye në vendlindje, ku u bë meshtar më 25 shkurt 1894 duke çuar meshën e parë në kishën e Troshanit.

ANGAZHIMET

Pasi u kthye nga Bosnja, punoi për disa vite mësues në Kolegjin e Troshanit. Të dielave mbulonte me shërbim meshtarak në kishën e Zojës Nunciatë në Lezhë, ku shërbeu si famullitar (1896-1897). Në 1899 u caktua famullitar i përkohshëm në Gomsiqe, nën juridiksionin kishtar të Abatit. Në 1899 qe ndër anëtarët themelues të shoqërisë “Bashkimi”. Në 1902 u emërua sekretar i Komisariatit Gjeneral të Misionit Françeskan në Shkodër dhe po atë vit u bë i pari drejtor shqiptar i shkollës françeskane. Porsa mori drejtimin e shkollës, ndërroi gjuhën e mësimdhënies nga italishtja në gjuhën shqipe. Me mbarështimin e tij, iu shtuan edhe klasët që atëkohë quheshin qytetnore. Duke qenë në periudhën osmane ndoshta e vetmja shkollë kombëtare në Shkodër, duke u nderuar më pas edhe nga Xhonturqit ngaqë ishte pa ndikime të huaja si shkollë. Më 15 shkurt 1907 me Gjeçovin themeloi të parën bibliotekë shkollore në viset shqiptare. Në nëntor 1908 Fishta si përfaqësues i shoqërisë Bashkimi mori pjesë në Kongresin e Manastirit, ku u ujdisën për alfabetin. Me kryengritjen e Mbishkodrës në 1911, Arqipeshkvi Serreqi i dërguar nga autoritetet osmane, mori me vete Fishtën dhe Bumçin në Podgoricë për të ndërmjetësuar për paqe mes autoriteteve dhe prijësve të maleve.

POLITIKA

Me administrimin ndërkombëtar të Shkodrës, Fishta drejtoi të përkohshmen “Hylli i Dritës”, por u mbyll pas një viti prej autoriteteve prej artikujve thumbues të vetë Fishtës. Për shkak të qëndrimeve të tij, autoritetet lëshuan urdhrin që të syrgjynosej në Maltë, gjë për të cilën u strehua ndër famullitë e krahinës dhe kleri i lartë ndërhyri që t’i pezullohej urdhri i mërgimit. Me pushtim-administrimin austro-hungarez pas 1916, botoi fletoren “Posta e Shqypniës”. Po atë vit çoi shtypshkronjën në Shkodër, e cila do të marrë emnin “Shtypshkroja Françeskane”: françeskanët që deri atëherë botonin tek shtypshkronjën “Nikaj” tashmë nisën të botonin vetë. Më 6 qershor 1921 u zgjodh deputet i prefekturës së Shkodrës. Fishta në fillim u zgjodh anëtar e më vonë kryetar i komisionit të buxhetit, anëtar i komisionit të arsimit dhe në gusht të atij viti u zgjodh nënkryetar i Parlamentit. Kur iu desht ta linte, propozoi Marlaskajn si zëvendësues. Në tetor së bashku sivëllaun Dodajn, shkuan në Romë për të takuar Kryetarin e Urdhnit dhe u pritën nga Papa Benedikti XV, ku morën ndihma për hapjen e shkollës publike “Illyricum”.

Në fillim të vitit 1922 u nis në Mbretërinë e Bashkuar, në shkurt, 1922 nga Liverpuli, pas 12 ditëve mbërrin në Amerikë. Takoi senatorë katolikë, të cilët ndikuan tek Henry Cabot Lodge i Partisë Republikane, për njohjen diplomatike Shqipërisë së pavarur. Fishta mbështeti Lëvizjen e qershorit, por me rikthimin e legjitimitetit nga forcat e Ahmet Zogut, shkoi dhe qëndroi në arrati deri në vitin 1926, kur pati një dekret të veçantë për amnistim. Gjatë gjysmës së parë të viteve ’30 ka qenë përfaqësues diplomatik i shtetit shqiptar nëpër konferencat parapërgatitore të Kuvendit Ballkanik më 1934 (Athinë, 1930; Sofia, 1931; Bukuresht, 1932). Prej 1935 deri më 1938 shërbeu ministër provincial i Françeskanëve në Shqipëri. Më 1937 u tërhoq nga jeta publike, duke iu përkushtuar jetës rregulltare dhe krijimtarisë së vet që e lëvronte në kuvendin e urdhrit përbrinjë Kishës së Gjuhadolit. Pas pushtimit italian, më 3 qershor 1939 u zgjodh anëtar i Akademisë së Italisë. Më 1940, Papa Piu XII e priti atë në një audiencë të gjatë në Vatikan.

Nga fundi i vitit 1940 shkoi në Troshan, ku kishte nisë së pari jetën rregulltare dhe atë letrare. Sëmuret më 10 dhjetor ku iu gjendën pranë miku i vet Doda dhe sekretari Volaj. Më 14 dhjetor e sollën në Shkodër, ku u shtrua në spital për një sëmundje zemre dhe polmoni. Më 22 dhjetor ra një borë e madhe dhe Fishta mori një polmonit që e rëndoi shëndetin e tij. Më 27 dhjetor, mjekët humbasin shpresat dhe Fishta ra në kllapi. Më 30 dhjetor 1940 ndërroi jetë në spitalin e Shkodrës. Në valën e Revolucionit Kulturor, më 20 mars 1967 eshtrat e Fishtës me urdhër të strukturave të shtetit komunist u zhvarrosën nga Kisha e Gjuhadolit. Sipas një dëshmie, eshtrat e tij me të sivëllezërve të tjerë u hodhën pas tri ditëve në lumin Drin. Por dëshmi të tjera përcjellin se eshtrat u shpëtuan, u ruajtën dhe u varrosën tinëz sërishmi në varrezat e Rrëmajit në Shkodër. U rivarros më 1996.

VEPRA

Në fushën e letrave Fishta lëvroi gjini të ndryshme si poezinë epike ashtu edhe atë lirike e satirike, dramën, publicistikën dhe përkthimin. Si ndër më përfaqësuesit të poetëve romantikë, shkroi vepra që zhvillojnë tema të poezisë gojore dhe të traditës, duke u mbështetur shumë mbi modelet stilistikore folklorike dhe duke përfshirë metrikën folklorike. Fillimisht u shqua në anonimat në sajë të dy këngëve të “Lahutën e Malcis” (Zarë, 1905 dhe 1907), i ndikuar nga poezia epike e sllavëve të jugut, si dhe nga vargjet e Grga Martiæ dhe poeti kombëtar malazez Njegoš. Me ritmin e poezive popullore, herë-herë i përngjasonin kumteve homerike, duke evokuar përplasjet e deriatëhershme osmano-malazeze ku aktorët shqiptarë nëpër vargjet e tij ishin malësorët (Marash Uci, 1905) dhe shkodranët (Oso Kuka, 1907) përpunohej ideja e armiqësisë kundër sllavëve. Sentimentet antiturke në veprën e tij do t’i shkruante vetëm në këngët që botoi pas pavarësisë së vendit.

I financuar nga qeveria austro-hungareze, më 1907 botoi në Sarajevë në mënyrë anonime përmbledhjen me poezi satirike Anxat e Parnasit (rib. Anzat e Parnasit), duke hedhur kështu themelet e zhanrit të satirës në letërsinë shqipe. Ka dëshmi shkrimore që ka lënë pas piktura dhe po ashtu qe arkitekti i njërës prej kishave të Shkodrës.[Ka botuar 9 tekste dramatike. Përshtati veprën Le Furberier Escarpet të Molierit në pjesëzën Dredhitë e Patukut, e pabotuar, dorëshkrimi i së cilës gjendet në Bibliotekën Françeskane në Shkodër. Me ardhjen në pushtet të regjimit komunist, Fishta u shpall “armik i popullit” dhe si autor u ndalua sepse kryevepra e tij “Lahuta e Malcís” është antisllave. Ndër akuzat e tjera që i bëheshin postum qenë edhe pranimi i medaljes së dhënë nga sulltani, të qenët agjent i austro-hungarezëve kur botonte Posta e Shqypnís si dhe për mosrefuziminin e titullit akademik i Akademisë së Shkencave të Italisë fashiste pasi kjo pushtoi Shqipërinë.

MERITAT

Pas propozimit të valiut Hasan Riza Pasha, sulltani i kishte akorduar Fishtës dekoratën e klasit II “Maarif Nishani” për merita të veçanta në fushën e arsimit. Më 28 janar 1912, Klubi “Gjuha Shqype” në pallatin ipeshkvnor në praninë e Imzot Serreqit, përmes kryetarit të saj Ndoc Çobës, i cili më këtë rast mbajti edhe një ligjëratë mbi veprimtarinë e tij, i dhuroi Fishtës një kurorë argjendi për merita në krijimtarinë letrare dhe po këtë vit ai dekorohet dhe nga Mbretëria Austro-Hungareze me medaljen “Ritterkreuz” (1912), për kontributin kulturor në Shqipëri, qyteti i Beratit i dërgoi një pupël ari (1913), Piu XI “Medaglia di Benemerenza” (1925), Urdhri françeskan e dekoroi “Lector Jubilatus” (1929), Greqia me dekoratën “Phoenix” (1931); qeveria italiane e bëri anëtar të akademisë së saj më 1939. Me rastin e 130-vjetorit të ditëlindjes së tij, Këshilli i Bashkisë së Lezhës e bëri “Qytetar Nderi”. Në këtë mbledhje përkujtimore, një grup intelektualësh kërkuan nga Kryetari i Qarkut dhe Prefekti që t’i bëhet një propozim Presidencës që t’i akordojë poetit të madh titullin e lartë “Nderi i Kombit” për merita të shquara në shërbim të Kombit Shqiptar. Kjo dëshirë u realizua nga presidenti Alfred Moisiu më 28 nëntor 2002.

LETËRKËMBIMI

Njihen dy letra që Fishta i ka drejtuar Benito Musolinit. Letra e parë i takon vitit 1934 dhe është e postuar në Livorno, Itali. Është e shkruar italisht, herë-herë me fjalë jo të italishtes së sotme. Duke ndier se nuk i mbetej shumë për të jetuar, Fishta i kërkon Musolinit që vepra e tij të botohet e plotë dhe “e paraqitshme”, gjë që nuk mund ta bëjë as Urdhri Françeskan dhe as Provinca e Fishtës. Dhe, të ardhurat nga shitja e veprës t’i kalojnë kësaj province. Deri në atë kohë dijetari shqiptar thuajse e kishte mbyllur ciklin e gjithë veprimtarisë së tij, pavarësisht rishikimeve të mëvonshme. Lutja qëndron në botimin e të shtatë vëllimeve të veprës ku përfshihen poezia ajo epike me “Lahutën e Malcís”, lirika, drama, satira politike dhe sociale, proza, përkthimet nga Iliada e Homerit, Molieri etj. Letra e dytë e Fishtës drejtuar Musolinit është shkruar në Romë, më datë 27 prill 1940, dhe po ashtu si letra e parë mban edhe vitin përkatës fashist, viti XVIII, i drejtohet tashmë udhëheqësit, Duçe.

Në këtë letër të shkurtër i shkruan për prof. Gino Bottiglioni i Universitetit të Bolonjës që në atë kohë ishte thirrur nga Akademia Italiane, anëtar i së cilës u bë edhe Gjergj Fishta në 1939, i ngarkuar me misionin për të promovuar studime në të gjitha fushat e dijes dhe për të drejtuar të rinjtë studentë. “Qendra jonë e Studimeve Shqiptare do donte një impuls të dukshëm nga profesori i Universitetit të Bolonjës ku me nismën e tij, po organizohet një grup të rinjsh veçanërisht i përkushtuar ndaj albanologjisë”. Për këtë Fishta “guxon” t’i drejtohet Duçes dhe “gjykimit të tij të ndritur” për t’u gjetur një mënyrë që ta shtyjë më tej këtë nismë. Letra drejtuar Jakomonit, mëkëmbësit të mbretit Viktor Emanueli III është një lutje për të ndihmuar albanologun Norbert Jokl./ Gazeta Panorama

A duhet Meta sipas ligjit të gjykohet me dyer të hapura dhe me kamera për popullin?

Nga Kreshnik Spahiu

I pandehuri Ilir Meta duhet gjykuar si i barabartë me çdo shtetas shqiptar para gjykatës.

Gjykata duhet të garantojë një proces transparent, me dyer të hapura.

Larg çdo presioni politik, SPAK duhet të kërkojë një gjykim publik.

Pavarësisht akuzave, gjykimi ndaj ish-presidentit Meta duhet të jetë model dhe bindës për publikun.

Vendimi i Gjykatës duhet të bindë popullin për “fajësinë apo pafajësinë” bazuar mbi fakte, prova, dëshmitarë…

Shtetasi Ilir Meta sipas Kushtetutës dhe Kodit të Procedurës Penale duhet gjykuar me dyer të hapura sepse çështja penale nuk parashikon përjashtimet kur gjykimi bëhet me dyer të mbyllura:

ProfitSence Logo
– kur publiciteti mund të dëmtojë moralin

– kur nga ana e publikut prishet seanca

– kur mbrohet siguria e dëshmitarëve

– kur gjykohen të mitur ose dëshmitarë;

– kur viktima kërkon dyer të mbyllura.

Referuar Ligjit, nuk ekziston asnjë nga rrethanat që Gjykata të mbyllë dyert për “ndeshjen” Meta-Dumani.

Kreu i SPAK nuk duhet të hezitojë nga hakërrimi i Metës, apo kërcënimet e 5 zheleve që i shkojnë pas.

Altin Dumani ka sfidën e jetës por dhe vendosjen e një standardi të ri.

Pretenca kundër shtetasit Meta është kapitull që do shkruhet, si mundësi për të hapur një faqe të re në historinë e Shqipërisë.

Altin Dumani duhet të përballet me kërcënimet politike apo psiqike të Metës përpara kamerave dhe do të fitojë besimin popullor.

Beteja e Altinit kundër Metës s’është personale por ligjore.

Atje në gjykatë do përballen e reja me të vjetrën.

Sytë e gjithë shqiptarëve do jenë atje për të kuptuar si iu shkuan dëm 34 vite nga jeta e tyre.

Altini do t’i kërkojë gjykatës të hapë dyert që të fitojë një betejë popullore dhe jo personale.

Hapni dyert e gjykatës se miliona sy janë aty, për të dëgjuar çekiçin e drejtësisë dhe hakërrimin e fundit të mafies politike shqiptare.

Mbështetja popullore në një gjykim me impakt publik, është më e rëndësishme se prezenca e diplomatëve të huaj në sallë.

Vetëm Pretenca publike e bën gjykatën të vendosë në emër të popullit.

“Tek telefoni i Monikës do të gjeni ‘peshkun e madh’”- Afera e inceneratorëve/ Ç’ndodhi gjatë seancës së Lefter Kokës

Pas disa seancash të dështuara, dje u zhvillua seanca për çështjen e inceneratorit të Elbasanit, në Gjykatën e Posaçme të Apelit.

Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka kundërshtoi në Apelin e Posaçëm dënimin e tij me 6.8 vite burg nga GJKKO, për aferën e inceneratorëve. Koka është shprehur se nuk është ai “peshku i madh” dhe se nuk duhej të ishte dënuar për korrupsion.

SPAK ka relatuar në gjykatë ankimin e bërë kundër vendimit të shkallës së parë që shpalli të pafajshëm Alqi Bllakon për shpërdorim detyre. Për të njëjtën vepër, pafajësi mori edhe ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, por u dënua për korrupsion dhe pastrim parash me 5 vite e 6 muaj burg. Kërkesa e SPAK para Gjykatës së Posaçme të Apelit solli edhe reagimin e ish-ministrit i cili kërkoi pafajësi.

“Jam i pafajshëm, ju po kërkoni të më dënoni mua si “peshkun e madh”, por nuk jam unë “peshku i madh”. Unë jam biznesmen dhe nuk kam pasur nevojë të më paguajë biletat e udhëtimit Mirel Mërtiri. Avokatët e tij thanë që biletat e rezervuara janë 3 vjet më vonë se sa lidhja e kontratës. Prokurorët pse nuk marrin si referencë kontratat e tjera për landfille, si ai i Vlorës dhe Lezhës që janë më të shtrenjtë. Pse e ndatë dosjen apo që të më dënoni sa më shumë mua”, deklaroi Lefter Koka.

Ish-ministri i Mjedisit nuk i kursyeu akuzat ndaj Monika Kryemadhit duke kërkuar drejtësi. Lefter Koka u shpreh se po të hapet telefoni i Monika Kryemadhit, aty do të gjendet edhe “peshku i madh” i inceneratorëve.

“Ky është fiks kallëzimi i bërë nga Monika Kryemadhi, doni të gjeni korrupsionin, hapni telefonin e Monikës. Nuk më dënoni dot për korrupsion. Megjithëse ka kaluar një vit, konkluzionet e prokurorëve janë të njëjta. Unë e kuptoj që institucioni do të marrë kredibilitet dhe kjo gjykatë do të jetë në presion, por besoj se do të jepni drejtësi dhe do të ngriheni në nivelin e duhur të integritetit”, deklaroi z.Koka.

Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka foli në gjykatë për të paktën 20 minuta, në lidhje me këtë çështje. Ai është dënuar edhe për dosjen e inceneratorit të Fierit me 10 vite burg që për shkak të gjykimit të shkurtuar i ulet 1/3 e dënimit dhe përfundimisht u dënua me 6 vite e 8 muaj heqje lirie. Ndaj Kokës është caktuar një masë e tretë sigurimi edhe për inceneratorin e Tiranës ku dyshohet për “shpërdorim detyre”.

Lefter Koka u dënua me 10 vjet burg, i konvertuar në 6.8 vite heje lirie për shkak të gjykimit të shkurtuar për krijimin e skemave mashtruese me faturat fiktive, për inceneratorin e Fierit. SPAK akuzon Kokën për abuzim me rreth 4 mln euro. Ish-ministri sipas SPAK, përfitoi në mënyrë të parregullt shuma të ndryshme monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë koncesionare.

Ai u lirua nga akuzat sa i takon djegësit të Elbasanit. Për inceneratorin e Elbasanit, SPAK kërkon në Apelin e Posaçëm ndryshimin e vendimit të shkallës së parë, që shpalli të pafajshëm për akuzën “shpërdorim detyre” ishdeputetin socialist Alqi Bllako dhe ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka. Në seancën që u zhvillua në Apel pas dështimit disa mujor, prokurorët Klodian Braho dhe Arben Kraja kërkuan që Bllako të dënohet me 4 vite burg, në përfitim të gjykimit të shkurtuar 2.8 vite burg, ndërsa për Kokën kërkon t’i shtohet edhe dënimi për “shpërdorim detyre”.

“Ka marrë fund koha e pandëshkueshmërisë”, thirrja e ambasadorit gjerman: Mos e prekni reformën në drejtësi

“Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë probleme jo vetëm për investimet gjermane në vend, por edhe për zhvillimin ekonomik të vendit, por edhe në rrugën drejt integrimit Europian të vendit”.

Kështu u shpreh në një intervistë në “Çdo Kënd nga Merita Haklaj” në A2 CNN, ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner. Teksa foli për reformën në drejtësi, ai theksoi se ajo e vitit 2016 nuk duhet të preket kurrsesi.

“Jemi tepër të gëzuar në lidhje me miratimin e reformën në drejtësi në vitin 2016, e cila hodhi bazat dhe jep një kontribut mjaft të rëndësishëm në përmirësimin e gjendjes në vend dhe dhënien fund të kulturës së pandëshkueshmërisë. Në këndvështrimin tonë, reforma në drejtësi e vitit 2016 nuk duhet të preket. Ndryshimet mund të bëhen vetëm për të zgjeruar fushën e veprimtarisë së kësaj reforme edhe në sektorë të tjerë të vendit”, tha Berger në A2.

Me arrestimet e fundit, ambasadori i Gjermanisë u shpreh se në Shqipëri ka marrë fund koha e pandëshkueshmërisë.

Suksesi më i dukshëm i kësaj reforme është puna e SPAK-ut, i cili ka mbërritur në arrestime të rëndësishme dhe pa u bërë konkret me emra, koha e pandëshkueshmërisë ka mbërritur në fundin e saj. Gjithsekush është subjekt i zbatimit të ligjit dhe ky është një lajm shumë i mirë për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Meta në burg, Haklaj: Po kërkonte azil politik! Pas tij janë gati 100 fletë-arreste! Radha për 10 zyrtarë të lartë

Aksioni i SPAK, për të goditur të korruptuarit në radhët e politikës do të vijojë, ndërsa pritet që pas arrestimit të kreut të PL Ilir Meta të ketë edhe arrestime të tjera.

Ka qenë kjo deklarata e fortë e ish-deputetit të PD, Azgan Haklaj, i cili ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Studio Live’, në Report Tv me gazetarin Arbër Hitaj, ku ndër të tjera u shpreh se brenda këtij viti në pranga do të bien edhe zyrtarë të niveleve të larta.

“Janë dhjetëra deri në qindra fletërreste, ku janë politikan e zyrtarë. 10 zyrtar janë të lartë, ka deputet, ministra. Janë si majtas dhe djathtas, ora e drejtësisë po troket. Do kemi zyrtarë të niveleve më të larta që do të shkojnë në pranga, brenda këtij viti”, tha ai.

Teksa foli për arrestimin e Ilir Metës, ai u shpreh se kreu i PL, e kishte marr njoftimin më parë që do të arrestohej.

Hakaj u shpreh se i bëjnë përshtypje akuzat e Berishës se Meta është rrëmbyer, ku sipas tij Berisha e ka rrëmbyer Metën në vitin 2000.

“Meta e kishte njoftimin që do te arrestohej, por ajo që është çudia më e madhe është Berisha që hedh akuza se Meta është rrëmbyer, kur në fakt Meta e ka rrëmbyer Berishën në vitin 2000, në mënyrë të dhunshme dhe duke u torturuar nga Tropoja në Tiranë dhe pjesë e forcave që e arrestuan kanë qenë edhe njerëz që nuk kanë qenë fare pjesë e forcave të policisë për të arrestuar”, tha ai.

Haklaj theksoi se Meta ishte duke kërkuar azil politik në mënyrë që ti shmangej drejtësisë.

“Meta do të shkonte në azil politik, dhe do të shkonte kudo, në çdo vend vetëm që të shpëtonte. Tani do të ketë edhe goditje të tjera”, tha ai.

Shqipëria vendi me informalitetin më të lartë në rajon/ RCC: Konkurrenca e padrejtë vijon të pengojë zhvillimin e tregut

Ekonomia informale, e cila përfshin aktivitete jashtë kuadrit ligjor dhe rregullator, mbetet një sfidë e vazhdueshme në shumë vende të Ballkanit Perëndimor. Të dhënat e “Barometrit të Ballkanit” për vitet 2023 dhe 2024, tregojnë se perceptimi mbi ekonominë informale dhe konkurrencën e padrejtë është përmirësuar lehtë, por mbetet një shqetësim i moderuar.

Sipas këtij raporti lidhur me shkallën e informalitetit në vend, Shqipëria ka marrë një vlerësim prej 2.1 pikë, çka tregon se bizneset në vend e perceptojnë këtë faktor si një pengesë të moderuar, por me një ndikim më të vogël krahasuar me vitin 2023, kur ky tregues ishte në nivelin e 2.4 pikëve. Edhe krahasuar me mesataren e Ballkanit Perëndimor, e cila është 2.5 pikë, Shqipëria renditet më keq. Ky fakt tregon se problemet me ekonominë informale në Shqipëri janë më të mëdha në krahasim me disa vende të tjera të rajonit. Theksojmë se vlerësimi është nga 1 në 4 pikë, ku 1 do të thotë pengesë e madhe, 2-pengesë e moderuar, 3-pengesë e vogël dhe 4-nuk ka pengesë.

Por, ky vlerësim për Shqipërinë lidhur me informalitetin tregon se ka ende sfida të konsiderueshme të lidhura me konkurrencën e parregulluar. Bizneset informale operojnë me më pak kosto, pasi shmangin tatimet gjë që krijon një fushë të pabarabartë, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Kur krahasohet me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria paraqitet në një situatë më pak të favorshme. Vendet si Serbia dhe Bosnje Hercegovina kanë marrë një vlerësim prej 2.6 pikë duke treguar se bizneset atje e perceptojnë informalitetin si një pengesë më të vogël për zhvillimin e vendit. Nga ana tjetër, Kosova dhe Maqedonia e Veriut gjithashtu përballen me probleme të ngjashme me vendin tonë përsa i përket ekonomisë informale. Këto vende u vlerësuan përkatësht me 2.3 pikë dhe 2.4 pikë.