19.5 C
Tirana
E enjte, 26 Qershor, 2025

Mungon konsensusi në Parlamentin e Kosovës, shtyhet për të premten seanca për Demarkacionin

Kuvendi i Kosovës ka shtyrë për të premten seancën e jashtëzakonshme, ku në rend dite është votimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi. Deri te shtyrja e seancës erdhi, pasi që nuk u sigurua numri prej 80 votave të nevojshme për ratifikimin e marrëveshjes. Andaj, liderët politikë dhe deputetët fituan edhe një ditë shtesë për negociata mes vete. Pas një pritjeje prej më gjatë se 2 orë e gjysmë, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli doli në foltoren e Kuvendit dhe ftoi deputetët të shpërndahen. Ai tha se, seanca pritet të fillojë të premten, nga ora 10:00. Pas shtyrjes së seancës, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha para mediave se, Kuvendi duhet të marrë vendim, të ratifikojë demarkacionin, për t’iu mundësuar qytetarëve të Kosovës të lëvizin lirshëm, pa viza, brenda këtij viti. Ai tha se ka zhvilluar një takim të suksesshëm me partitë politike, ambasadorin amerikan Greg Delawie dhe Shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian, Nataliya Apostolova, ku sipas tij, kishte frymë pozitive që deri të mërkurën, të përmbyllet ratifikimi i Marrëveshjes me Malin e Zi për shënjimin e vijës kufitare. “E gjithë përpjekja ime është arritja e një konsensusi nacional. Të jemi unik në seancë dhe të mos i maltrenojmë më qytetarët”, tha Veseli. “Nuk ka patriotizëm më të madh sot në Kosovë sesa hapja e perspektivës euro-atlantike dhe liberalizmi i vizave për qytetarët”, theksoi Veseli. Qeveria e Kosovës ia ka bashkangjitur këtij Projektligji edhe një raport të Komisionit shtetëror për shënjimin e vijës kufitare, i cili nuk e mbështet Marrëveshjen e arritur me Malin e Zi më 2015, si dhe Deklaratën e nënshkruar nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, përmes së cilës shprehet gatishmëria dypalëshe për korrigjimin e gabimeve eventuale gjatë procesit të Demarkacionit të kufirit.

Për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, nevojiten 80 vota të deputetëve apo dy të tretat e numrit të tërësishëm të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Aktualisht, votën kundër e ka paralajmëruar vetëm Lëvizja Vetëvendosje, përderisa subjekti tjetër opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës, pritet që të kërkojë shmangien e votimit për raportin e Komisionit shtetëror, të cilin e konsideron vetëm si një draft të papërfunduar. Para fillimit të seancës, deputetja Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje tha se kanë dorëzuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës padi ndaj Presidentit Hashim Thaçi. Vetëvendosje e ka akuzuar Thaçin për “shkelje të rëndë” dhe “tradhti ndaj vendit” në çështjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Ajo iu referua nenit 124 të Kodit Penal të Kosovës, i cili e vë Presidentin në përgjegjësi në rast të shkeljes së sovranitetit të shtetit. “Kemi deponuar në Prokurorinë Speciale kallëzimin penal kundër Hashim Thaçit për shkak të veprës penale ‘tradhti ndaj vendit’”, tha Haxhiu. Vetëvendosje i kishte marrë në seancë dosjet me emrat e atyre që kanë nënshkruar peticionin kundër demarkacionit. Edhe Lista Serbe ka kumtuar se nuk do ta përkrahë ratifikimin e demarkacionit. “Një gjë e tillë nuk është dakorduar me ne dhe nuk do ta mbështesim demarkacionin”, thuhet në deklaratën e Listës Serbe, duke iu referuar disa shkrimeve nëpër media të ndryshme. “Ne do të vazhdojmë të luftojmë për të drejtat e bashkësisë serbe që jeton në Kosovë”, thuhet në deklaratë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka ftuar të gjithë deputetët ta ratifikojnë demarkacionin, duke i adresuar një thirrje të veçantë edhe Listës Serbe. “Sot, kur krejt bota është duke na shikuar, besoj thellë në vullnetin e të gjitha partive politike për të ratifikuar këtë marrëveshje, e cila krijon një dinamikë të re edhe në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.Vota për ratifikimin e demarkacionit është votë për lirinë e lëvizjes së qytetarëve në zonën Shengen, është votë për Kosovën në Evropë”, ka shkruar Thaçi në Facebook. Ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, mbetet kushti i fundit, që i ka vënë Komisioni Evropian Kosovës, në procesin e liberalizimit të vizave. Në Kuvendin e Kosovës, në hapësirën e rezervuar për mysafirë, ishte i pranishëm edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie. “Jam këtu që t’i inkurajojë të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës për të ratifikuar Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi”, tha Delawie. Ai tha se kjo është një “marrëveshje e denjë dhe saktë” dhe se secili deputet duhet ta dijë qëllimin e fundit të saj, që është marrja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. “Abstenimi është votë kundër, kështu që i ftojmë të gjithë deputetët të votojnë për marrëveshjen”, tha Delawie. Përmes disa shkrimeve në rrjetin social Twitter, Delawie kishte shprehur edhe habinë e tij me veprimet e disa deputetëve që janë pozicionuar kundër Demarkacionit.

“E çuditshme se sa shumë po punojnë disa njerëz për t’i mbajtur qytetarët e Kosovës larg udhëtimit në Evropë!”, ka shkruar ambasadori amerikan, në rrjetin social, në internet. Edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, përmes rrjeteve sociale, ka thënë se po i ndjek me interesim të madh zhvillimet në Kosovë për çështjen e demarkacionit. “Po e ndjek me interesim të madh debatin dhe votimin për demarkacionin në Kuvendin e Kosovës. Gjithë të mirat për miqtë, partnerët e qytetarët që treguan përkushtim të vërtetë për liberalizimin e vizave. Mirënjohëse edhe për Malin e Zi”, ka shkruar Fajon. Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Si e tillë, kjo marrëveshje ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi, por jo edhe nga ai i Kosovës. Pa ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, Komisioni Evropian e ka bërë të qartë se, Kosova nuk mund të përfshihet në agjendën për liberalizimin e vizave.

Ferdinand pranon se nuk besonin fillimisht te De Gea

Ish-mbrojtësi i Manchester United, Rio Ferdinand, zbuloi se ai dhe shokët e tij dyshonin nëse David de Gea do të vazhdonte të bëhej një portier i klasit botëror, pas ardhjes së tij në “Old Trafford”, në vitin 2011. De Gea bëri një performancë të mrekullueshme në barazimin pa gola të Manchester United në fushën e Sevilla, në ndeshjen e parë të 1/8 finale të Ligës së Kampioneve. Ai e përforcoi më tej rastin e De Geas si portierin më të mirë në botë, mes spekulimeve të vazhdueshme të një lëvizjeje të mundshme te Real Madridi. Megjithatë, nuk ka qenë i gjithë “lundrimi” i qetë për spanjollin ndërkombëtar në “Old Trafford”. “Ne ishim duke folur më parë për të, kur erdhi së pari. Madje si lojtarë, ne ishim të ulur atje me dyshime, tha Ferdinand për “BT Sport”. Një fëmijë i ri po vinte i vetëm te Manchester United dhe neve na duhej të fitonim çdo vit. Si do ta bëjmë këtë me një fëmijë të ri, i cili ishte i papërvojë dhe dukej sikur i mungonte besimi? Por ju shikoni se ku është sot dhe kjo është një shenjë e dikujt që ka punuar shumë”, tha ai. De Gea dhe Manchester United rikthehen në veprim të dielën, kur të mirëpresin Chelsea e Antonio Conte në “Teatrin e Ëndrrave”. Skuadra e Jose Mourinhos do të mirëpresë Sevilla në “Old Trafford”, më 13 mars, për ndeshjen e dytë të 1/8 finale të Ligës së Kampionëve.

Zëvendësojini multivitaminat me këto ushqime

Multivitamina mund të duket si një zgjedhje e zgjuar: merrni disa lëndë ushqyese njëkohësisht nga një pilulë e vetme. Por, studime të ndryshme kanë treguar se multivitaminat nuk mund të parandalojnë asnjë sëmundje, si ato të zemrës, kancerit ose sëmundjet e lidhura me moshën. Akoma më keq, disa prej këtyre studimeve kanë zbuluar se dozat e larta të betakarotenës, vitaminës A dhe E mund t’i bëjnë keq shëndetit. Por, si mund t’i merrni vitaminat, mineralet dhe lëndët ushqyese të nevojshme? Ja cilat janë disa ushqimet e pasura me multivitamina dhe lëndë ushqyese, duke filluar nga vitamina A deri tek zinku.

Bajamet
Multivitaminat mund t’i zëvendësoni shumë mirë me bajame. Një studim i ri ka zbuluar se duke shtuar rreth 40 gramë bajame në dietën e përditshme të fëmijëve dhe të rriturve, rriten nivelet e acideve yndyrore, vitaminës E dhe magnezit, lëndë ushqyese këto shumë të rëndësishme për trupin. Plus, duke ngrënë fruta të thara çdo ditë, prireni të merrni më pak kalori nga ushqime të pashëndetshme.

Goca deti
Produktet e detit ofrojnë disa nga vitaminat dhe mineralet më të rëndësishme për trupin. Ato janë të pasura me një sërë lëndësh ushqyese, ndërkohë që përmbajnë shumë pak kalori dhe yndyra. Ndryshe nga pilulat me multivitamina, ata janë gjithashtu të shijshme. Një racion me goca deti ofron vitaminën B12, zink, koper dhe selen. Sa i përket hekurit, mund të merrni të gjithë sasinë e rekomanduar çdo ditë me vetëm një racion. Gocat e detit janë gjithashtu të pasura në acide yndyrore omega 3 dhe më pak në omega 6. Ata janë të pasur me koper, magnez dhe fosfor. Gocat e detit janë gjithashtu një burim ekselent i vitaminës D.

Kuinoa
Ky ushqim pak i shtrenjtë mund të zëvendësojë shumë mirë të gjitha multivitaminat. Kuinoa është e pasur me fibra, proteina dhe një sasi të shëndetshme të të gjitha aminoacideve të rëndësishme për trupin. Teknikisht, kuinoa nuk është drithë, por farë nga një bimë në të njëjtën familje me panxharin dhe spinaqin. Kjo farë e vogël siguron yndyra të shëndetshme për zemrën dhe lëndë ushqyese si folate, magnez, hekur, kopër, fosfor dhe zink.

Algat e detit
Rezulton që ato bimët nën ujë që ju rrethojnë kyçin e këmbës në plazh janë një central lëndësh ushqyese. Algat e detit absorbojnë mineralet e oqeanit, që do të thotë se ata janë plot me hekur, kalcium, kalium, niacin, fosfor dhe magnez, më saktë ato përmbajnë 56 minerale që i nevojiten trupit. Prit, ka edhe më shumë! Algat e detit janë të pasura gjithashtu me vitaminat B (janë i vetmi burim jo shtazor i vitaminës B12), së bashku me vitaminat A, K, C dhe E. Fibrat tek algat e detit kanë veti antiinflamatore, antivirale dhe kundër kancerit, që nxjerrin jashtë metalet e forta nga trakti digjestiv dhe mbështesin shëndetin kardiovaskular.

Perimet e fermentuara
Perimet e fermentuara, si lakrat, kastravecët, domatet, janë të mira për shëndetin nëse konsumohen në sasi të moderuar. Ato mbahen në ujë të pastër dhe kripë dhe emetohen nga një bakter i njohur si laktobacilus. Ky proces rrit nivelet e vitaminave dhe enzimave. Një racion me këto ushqime siguron një dozë plot me vitaminë C, të gjitha vitaminat B dhe aminoacidet esencialë, sidomos lysine dhe metionine.

Keylor Navas te Liverpool në verë?

Titullar i padiskutueshëm te Real Madrid-i prej disa sezonesh, Keylor Navas nuk duket se do të qëndrojë edhe për shumë kohë tek “Los Blancos”. Mediat spanjolle kanë raportuar mbi mbërritjen e një portieri të ri në kryeqytetin spanjoll. Nëse Navas do të largohet nga Real-i, ndaj tij sigurisht që nuk do të mungonin kërkesat. Sipas “Diario Gol”, Liverpool-i ka lakuar emrin e portierit të kombëtares së Kosta Rikës. Duket se profili i Navas pëlqehet shumë nga trajneri Jurgen Klopp, dhe klubi i “Të Kuqve” dëshiron një përforcim të vërtetë mes shtyllave ku prej vitesh portierë të ndryshëm nuk kanë dhënë atë që pritej.
Kështu Livepool-i do të formulonte një ofertë për Real Madrid-in në merkaton e kësaj vere. Në moshën 31-vjeçare, Keylor Navas është zhvilluar te Real Madrid-i prej 3 vjet e gjysmë tashmë. Ai u rekrutua nga Real më 2014-ën pas një performance të shkëlqyer në Kupën e Botës. Me Real Madrid-in Navas ka fituar dy trofe të Ligës së Kampioneve radhazi.

Epoka e Iniesta dhe Messit

Askush nuk e përfaqëson më mirë epokën fitimtare të Barcelonës në vitet e fundit se çifti i formuar nga Messi dhe Iniesta, dy protagonistët e fundit të ndeshjes së Ligës së Kampionëve, në të cilën Barcelona arriti të marrë një barazim të mrekullueshëm në “Stamford Bridge” kundër Chelsea. Kjo konfirmohet nga shtypi katalanas, i cili përkon kryesisht me lavdërimin e të dy lojtarëve. Një foto e Messit dhe Iniestës zë mbulesën e “Mundo Deportivo”, e cila kujton se të dy lojtarët tashmë i kanë rrumbullakosur nga 30 tituj secili te Barcelona. Nga ana e saj, “L’Esportiu” ka titullin e madh “The Nightmare Blue”, duke kujtuar se si nëntë vjet më parë, një lojë në mes të dyja skuadrave do të shënonte kalimin e Barcelonës në finalen e Romës, ku katalanasit do të mundnin Manchester United dhe do të fitonin Champions-in. “La Vanguardia” nënvizon se Messit i kanë mbetur gjashtë ekipe pa iu shënuar gol në Champions (Atletico Madrid, Liverpool, Benfica, Rubin Kazan, Inter dhe Udinese), me të cilat është përballur argjentinasi në këtë kompeticion madhor për klubet europiane. “Sport” flet për mënyrën se si po komplikohet nënshkrimi me Arthur, i cili, pavarësisht se është në rrugë të mbarë, është ngatërruar disi nga interesi i Monakos. Së fundi, “El Periódico” e hap seksionin e vet të sportit duke pyetur pse Dembélé nuk luan.

Sulmohet ambasada amerikane në Podgoricë

Një person hodhi një pajisje shpërthyese në ndërtesën e ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Podgoricë, konfirmoi qeveria e Malit të Zi. Sulmi ndodhi në orët e para të ditës së sotme, thuhet në njoftimin e postuar në Twitter. “Një person i panjohur bëri vetëvrasje me një pajisje shpërthyese. Para kësaj, ai person hodhi një pajisje shpërthyese nga kryqëzimi pranë Qendrës së Sporteve në ambasadën e Shteteve të Bashkuara”, thuhet në njoftim. Qeveria tha se pajisja e hedhur në ambasadë “ka shumë të ngjarë” të ketë qenë granatë dore dhe se hetimet janë në proces. Ambasada amerikane në Podgoricë tha se askush nga stafi nuk është plagosur. Policia e Malit të Zi dyshon se sulmuesi është Dalibor Jaukoviç, shtetas malazez, i lindur në Kralevë të Serbisë. Drejtoria e Policisë së Malit të Zi tha se po ndërmerr të gjithë hapat për të identifikuar sulmuesin. “Ky person mashkull, sipas aktiviteteve të ndërmarra deri më tani, është vrarë pasi ka shpërthyer një mjet shpërthyes dhe pasi ka hedhur një mjet shpërthyes në kompleksin e ambasadës”, thuhet në deklaratën e policisë. Në të njëjtën theksohet se nuk ka asnjë dëm tjetër përveç një krateri nga shpërthimi. Në një postim në Twitter, zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert, konfirmoi se ka pasur një “shpërthim të vogël pranë kompleksit të ambasadës amerikane në Podgoricë”. Ambasada i paralajmëroi shtetasit amerikanë që të qëndrojnë larg deri në njoftimin e radhës.

“Ambasada e SHBA-së në Podgoricë i paralajmëron shtetasit amerikanë për një situatë aktive të sigurisë në ambasadën në Podgoricë. Shmangeni ambasadën deri në njoftimin e radhës”, thuhet në njoftimin e publikuar në uebfaqen e saj. Ambasada po ashtu i udhëzoi amerikanët që t’i shmangin tubimet e mëdha në Podgoricë dhe të monitorojnë mediat lokale për përditësime mbi situatën. Ajo i anuloi të gjitha shërbimet e parapara për ditën e sotme. Qeveria e Malit të Zi tha se e dënon fuqishëm sulmin, ndërsa ministri i Brendshëm malazez, Mevludin Nuhoxhiç dhe drejtori i Policisë, Sllavko Stojanoviç, vizituan sot vendin e ngjarjes dhe ambasadën amerikane. Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiç, tha se dhuna nuk është diçka që mund të falet, porse BE-ja pret rezultatet e hetimeve që po bëjnë autoritetet malazeze. Incidenti në Podgoricë ndodhi saktësisht dhjetë vjet pasi demonstruesit sulmuan dhe dogjën ambasadën amerikane në Beograd, në shenjë kundërshtimi ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Mali i Zi i është bashkuar NATO-s vitin e kaluar, duke zemëruar qytetarët pro rusë atje dhe gjetkë në Ballkan.

Mishi me hormone në thertoren e liçencuar në Tiranë, blegtori: Me gjilpërën në qafë për dy muaj bën 1 kv mish

Në redaksinë e emisionit BOOM vjen informacioni se në datën 6 shkurt në një thertore të licensuar në Tiranë janë futur 106 krerë qingja te pamatrikuluar, të cilet janë potencial sëmundjesh nëse do të konsumohen nga blerësit.
Dëshmia tronditëse e fermerit
Blegtori: Po e di ca do të thotë hormon apo jo?
Gazetarja: Po për viçin i përdorin apo jo?
Blegtori: I përdorin posi jo bëhet viçi naaa, kur ta therrësh është tërë shkumbë brenda. Në një dasmë u shtruan të tërë në spital vetëm nga vici me mish me hormone.
Gazetarja: Ajo gjilpëra që i bën për sa e rrit vicin?
Blegtori: Për 2 muaj, i merr 800 mijë lekë
Gazetarja: Ta leverdis?
Blegtori: Ta leverdis se 16 mijë lekë është vaksina
Gazetarja: Ku blihet vaksina?
Blegtori: Nëpër qendra që shesin mjekime per blektorinë

Gazetarja: Është e lejueshme?
Blegtori: Jooo. Në qafë ja bëj unë. Ai sa vjen dhe fryhet. Për dy muaj ai bën 1 kv mish
Gazetarja: Dhe e shet 800 mijë lekë, ia vlen
Blegtori: Ia vlen, ia vlen, por po na vdesin nipër e mbesa. Unë bukë e kripë e me qepë ha, këto nuk i ha se ja di vlerën.
Kjo është deklarata e një blegtori në një fshat shqiptar i cili tregon pa e ditur se po filmohej se çfarë mishi shitet në të vërtetë në shumë prej tregjeve të Shqipërisë.
Dhe për ta bërë më të frikshme situatën, mendojnë ata që merren me rritjen dhe shitjen e qingjave. Në redaksinë e emisionit BOOM denoncohet hyrja e 106 qingjave në një therrtore të Tiranës të pamatrikulluar.
Gazetarja- Ju nuk mund t’ia ktheni subjektit që jua solli?
Pronari i thertores- Po, atij do ia kthejme.
Punonjësja e thertores- Si rregull ne na takon që t’ia kthejmë atyre mbrapsht.
Veterinerja-Dëgjo, ato janë qingja qumështi,që nuk durojnë dhe nuk janë mësuar akoma që të ushqehen me bar.
Punonjësja e thertores- Afatin kohor dhe vendimin e inspektorit të Ministrise e kemi respektuar.

Pronari i thertores- Brenda 72 orëve.
Gazetarja- Ministria e Bujqësisë duhet të merrte një vendim?
Por si kanë ardhur këta qengja të pakontrolluar? Kush ka firmosur?
Gazetarja- Përshëndetje zoti Marjus !
Veterineri – Përshëndetje!
Gazetarja- Kam në dorë një çertifikatë shëndetësore veterinare të lëvizjes së kafsheve nga subjekti Agim Cako. Ju keni firmosur këte çertifikatë ndërkohë kafshët kanë qënë të pa matrikulluara. Si ka mundësi që këto kafshë të pa matrikulluara me firmën tuaj kanë lëvizur drejt Tiranës?
Veterineri –E kemi diskutuar edhe me Drejtorin e Bujqësis. Ishte një gabim njerëzor, pasi ishte natë dhe kafshët aty mendova se ishin te matrikulluara. Pashë disa kafshë që ishin të matrikulluara dhe më tha që do t’i vendos unë sepse ishte pa mundësi ishte erresirë dhe ia lashë me mirbesim.

Gazetarja-Kujt ia late me mirbesim?
Veterineri –Pronarit të kafshëve, nuk isha i vetdijshëm që ato ishin të pa matrikulluara.
Gazetarja-106 krerë te pa matrikulluar, dhe ju nuk ishit i vetdijshëm?
Veterineri – Unë i pashë me sy ato po ia lashë vendin bosh atij sepse ishte duke u nxituar, dhe më tha që do ia shënoj unë,do i çoj në thertore.
Gazetarja- Ju ia latë në dorë pronarit të kafshëve që t’i matrikullonte?
Veterineri – Nuk na priste puna që t’i shikonim një nga një se ishte dhe natë aty , dhe thjesht nuk i hodha në ate.Më tha do t’i hedh unë të gjitha me mirbesim ndërkohë që ai kishte ikur dhe i kishte sjelle në Tiranë ashtu.

Gazetarja- Këto nuk janë çështje mirbesimi. Ju keni firmosur që janë të matrikulluara.
Veterineri – E kuptoj. E lashë vendin sepse do t’i shënoj unë të gjitha.
Detyra e këtij veterineri vetëm kaq është, ashtu si Inspektorët e Bujqësisë kishin për detyrë vetëm ndjekjen e urdhërit të tyre për asgjësimin deri në fund. Por jo gjithçka ka shkuar kështu. Pronari i qingjave jep një version të tijin.
Gazetarja- Këto qingja pse i kishit të pa matrikulluat?
Blegtori-Po di unë…. Ja i matrikulluam i shitëm.
Gazetarja- Kujt ia keni shitur qingjat?
Blegtori-Alket Dacit.
Gazetarja-Në çfarë date ia keni shitur?
Blegtori-Mi sollën këtu i matrikulluam dhe i shitëm prap.

Gazetarja- I keni shitur prapë te ai?
Blegtori- Po normale.
Gazetarja-Në çfarë date i keni shitur?
Blegtori-Në datën 10.
Por kjo mohoet me forcë nga pronari i therrtores në Tiranë.
Gazetarja- Pasi i keni kthyer qingjat, a jua kanë risjell përsëri?
Pronari i thertores- Jo.
Gazetarja- Kam kontaktuar me fermerin dhe më ka thënë që ato mi kanë kthyer qingjat, unë i kam matrikulluar brenda ditës dhe i kam çuar te e njëjta thertore.
Pronari i thertores- Jo, s’ka shanc. Ai mund të thojë ça të dojë.
Gazetarja- Kemi kontaktuar me personin dhe ka thënë që unë i kam çuar përsëri te thertorja, dhe mi kanë mbajtur ato.
Pronari i thertores- Jo,jo.
Gazetarja- I kam sjellë në datën 6 deri në datën 8 i kanë mbajtur ato, në datën 9 mi kthyen mua dhe në datën 10 unë i kam rikthyer përsëri.
Pronari i thertores- Jo, jo unë nuk kam asnjë lloj hyrje asnjë lloj dalje në datën 10. Ato janë shit në treg në Fier,edhe procesverbali i Ministrisë është bërë që ka shkuar kontroll Shërbimi Veterinar në orën 11 të natës edhe u ka thënë unë i kam shit në treg.
I kam marrë ,ka deklaratën me firemen e atij që i ka marrë qingjat edhe i ka shit në treg. I ka matrikullu edhe i ka shit, edhe Shërbimi Veterinar i ka nxjerr qingjat pa matrikull dhe delet pa matrikull ia kan gjet në stallë.
Te unë nuk i ka prurë më.
Pyetja është ku shkuan 106 qingja të cilët u vendosën për t’u eliminuar sepse nuk ishin kontrolluar dhe matrikulluar dhe që përbëjnë rrezik për qytetarët.
“Ora news”

Vendi në gropë nga hajdutëria e Ramës, OSBE e konfirmon: Ndryshoi trendi pozitiv pas vitit 2013

Prezenca e OSBE në Shqipëri ka reaguar në lidhje me Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International për vitin 2017, ku Shqipëria kishte pësuar përkeqësim me 8 vende. Në një reagim në Twitter, OSBE thotë se ky rezultat për Shqipërinë tregon se korrupsioni mbetet sfida më e madhe.
Deklarata
“Rezultatet e #CPI2017 paralajmërojnë se korrupsioni mbetet një nga sfidat më të mëdha të Shqipërisë. Prezenca OSBE vëren me keqardhje se trendi pozitiv që nga viti 2013 ndryshoi, dhe nxit për më shumë llogaridhënie nga institucionet publike & hetim të pavarur të korrupsionit. Prezenca e OSBE-së i nxit institucionet publike dhe agjencitë ligjzbatuese të Shqipërisë të vijojnë zbatimin e reformave në drejtësi dhe antikorrupsion, sipas rekomandimeve ndërkombëtare. Ne mbetemi të përkushtuar ta mbështesim Shqipërinë në luftën e saj kundër korrupsionit”, shprehet OSBE. Shqipëria është një ndër vendet më të korruptuara në Evropë dhe krahasuar me një vit më parë, korrupsioni është rritur ndjeshëm. Këto janë përfundimet kryesore të Indeksit të përvitshëm të Perceptimit të Korrupsionit 2017, hartuar nga Transparency International, organizata më e rëndësishme kundër korrupsionit në botë.

Raporti ka matur nivelet e perceptuara të korrupsionit në sektorin publik gjatë vitit 2017, në 180 vende të botës. Shqipëria renditet e 91-ta në botë, ndërsa mes vendeve evropiane, renditet mes dy vendeve të fundit, duke lënë pas vetëm Maqedoninë (e 107-ta) dhe duke u vlerësuar njësoj me Bosnje-Hercegovinën. Krahasuar me një vit më parë, Shqipëria është përkeqësuar ndjeshëm në renditje, duke rënë me 8 pozicione. Në një shkallë nga 0 pikë – vend me korrupsion shumë të lartë deri në 100 pikë – vend pa korrupsion fare, Shqipëria u vlerësua me 39 pikë. Ky rezultat është më i dobët se mesatarja e përgjithshme botërore prej 43 pikësh. Krahasuar me mesataren e vendeve evropiane e cila është 66 pikë, diferenca është ndjeshëm më e lartë. Vlen të theksohet se Kosova ka bërë një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me një vit më parë. Në 2017-ën ajo renditej më dobët se Shqipëria, në vend të 95-të, ndërsa këtë vit Kosova është përmirësuar me 10 pozicione, duke u renditur e 85-ta dhe duke lënë pas Shqipërinë.

Ndarje e Kosovës? Vuçiç për mediat serbe: Rama është në krah të Serbisë

Më 29 Janar Rama udhëtoi në drejtim të Davosit në Zvicër ku zhvillohej aktiviteti i përvitshëm ekonomik dhe ku morën pjesë drejtues të lartë shtetesh. Në Davos ishte edhe kreu i qeverisë serbe, Vuçiç. Njoftimi i Tiranës zyrtare ka qenë mjaft i thatë dhe bënte fjalë vetëm për një takim ku është diskutuar për integrimin e rajonit në BE. Sipas njoftimit zyrtar të qeverisë, Samiti ekonomik i Davosit, përveç axhendës së referimeve për politikat globale që do të ndiqen, shfrytëzohet edhe për takime bilaterale mes drejtuesve të shteteve e qeverive që marrin pjesë në të. Kyeministri i Shqipërisë Edi Rama ka zhvilluar një takim me presidentin serb Aleksandër Vucic, me të cilin ka vijuar të ndajë qëndrimet e përbashkëta për integrimin e rajonit të Ballkanit në Bashkimin Europian. “Davos – Me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për bashkëpunimin bilateral e rajonal dhe ecurinë e dialogut mes Serbisë e Kosovës”, shkruan Rama në Facebook, duke shpërndarë edhe videon gjatë takimit me presidentin serb.
Rama pranon se ka diskutuar me Vuçiç për dialogun me Kosovën kokë më kokë dhe pa praninë e përfaqësuesve të Kosovës. Pyetja që shtrohet është se me çfarë mandati Rama diskuton me Vuçiç për dialogun me Kosovën? Autoritete zyrtare të Kosovës nuk kanë pasur asnjë njoftim në lidhje me këtë takim, ndërsa dje janë zbardhur nga mediat se Rama ka biseduar për mundësinë e ndarjes së Kosovës.

Në lidhje me të njëjtin takim, të premten e javës së kaluar Presidenti i Serbisë deklaroi për mediat serbe se “Shqipëria është në krah të Serbisë” për tregun e përbashkët në Ballkan dhe se nuk mund të flet më shumë për përkrahjen që mori nga Kryeministri i Shqipërisë gjatë takimit në Davos pasi që kjo “nuk do të ishte fer” ndaj Kryeninistrit të Shqipërisë. Duke marrë parasysh se ideja e Presidentit të Serbisë për krijimin e tregut të përbashkët në Ballkan nuk është vetëm ekonomike, kërkoj nga Kryeministri i Shqipërisë që t’ia shpjegojë opinionit publik se për cilat çështje “Shqipëria është në krah të Serbisë!?” Menjëherë pas këtij takimi kanë nisur të qarkullojnë edhe tezat për ndarje të Kopsovës dhe shkëmbim territoresh. Diplomatja Harxhi deklaroi se ka informacione diplomatike se në Davos, Rama ka diskutuar me Vuçiç për ndarjen e Kosovës. Deri tani Rama në asnjë rast nuk është deklaruar zyrtarisht kundër ndarjes së Kosovës, çka shton dyshimet për një lojë që bie në kundërshtim me interesat e Kosovës dhe është në të njëjtën linjë me Beogradin zyrtar.

Studimi, kanella qetëson dhembjet më shumë se sa ilaçet

Studimet kanë dalë në përfundimin se kanella mund të jetë më e dobishme në lehtësimin e dhimbjeve sesa Ibubrufeni. Ky përfundim ka dalë nga një sondazh që është bërë një një numër të madh grash ku ka rezultuar se kanella është një ilaç më efektiv kundër dhimbjeve sesa ibubrufeni. Rëndësi i është kushtuar edhe përdorimit të ibubrufenit nga ana e grave, për dhimbjet gjatë ciklit menstrual. Një grua që ndien dhimbje një herë në muaj, duke marrë ibuprofen për të lehtësuar dhimbjen, gjatë jetës së saj do të thotë se ajo do të konsumojë një sasi të konsiderueshme të ilaçeve farmaceutike. Problemet me stomakun dhe problemet kardiovaskulare janë vetëm dy nga ndërlikimet që mund të vijnë me marrjen e qetësuesve për vite. Prandaj kërkimet e reja kanë konfirmuar se ekziston një alternativë më e mirë. Hulumtimet e kryera në Indi dhe të botuara në Journal of Clinical and Diagnostic Research zbuluan se kanella është erëz me lehtësim më efektiv të dhimbjeve, sidomos për gratë. Kanella, sikurse shafrani i Indisë ka vlera të mrekullueshme medicinale. Është e njohur për të zvogëluar nivelin e sheqerit në gjak, mban nën kontroll presionin e gjakut dhe “vret” dhimbjet. Ajo është përdorur për shekuj në mjekësinë lindore. Filloni ta përdoni edhe ju kanellën, në rast se doni të qetësoni dhimbjet në mënyrë natyrale!