15.5 C
Tirana
E hënë, 5 Maj, 2025

Përshkallëzim i luftës në Ukrainë? Deklarata e fortë e Zelenskyt: Rusia do të dërgojë ushtarë koreano-veriorë në betejë në ditët në vijim

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha sot se Rusia planifikon të vendosë trupat e Koresë së Veriut në fushën e betejës duke filluar nga data 27-28 tetor, duke cituar raportet e inteligjencës.

 

“Sipas raporteve të inteligjencës, më 27-28 tetor, trupat e para të Koresë së Veriut nga Rusia do të përdoren në zonat e luftimit ,” tha ai përmes Telegramit pasi mori raporte nga komandanti i tij i lartë.

Zelensky u bëri thirrje aleatëve që t’i përgjigjen kësaj ” lëvizje të përshkallëzuar ” duke ushtruar “presion të prekshëm” mbi Moskën dhe Phenianin.

Në të njëjtën kohë, prokurorët ukrainas thanë se kanë hapur një hetim për mbështetjen e Koresë së Veriut për Rusinë në luftë si një krim i mundshëm agresioni.

Duke ofruar armë dhe forca tokësore për t’u përfshirë në luftimet kundër Ukrainës, zyrtarët e Koresë së Veriut mund të përballen me akuza, tha Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm për Reuters.

“Ne regjistrojmë dhe mbledhim prova për të gjitha anët e mundshme të përfshirjes së tillë si pjesë e procesit bazë për krimin e agresionit,” tha zyra në një deklaratë.

Këto aspekte kanë të bëjnë me sigurimin e armatimeve për Federatën Ruse, organizimin e trajnimit të personelit ushtarak rus dhe pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të forcave të Koresë së Veriut në armiqësi, sipas prokurorisë.

Shërbimi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës, Koreja e Jugut dhe disa qeveri perëndimore kanë thënë se ushtarët e Koresë së Veriut, të trajnuar në Rusi, janë vendosur në rajonin Kursk në kufirin rus, ku forcat ukrainase nisën një operacion të madh infiltrimi në gusht.

Kremlini ka hedhur poshtë raportet për vendosjen e trupave të Koresë së Veriut si “lajm të rremë“. Megjithatë, presidenti rus, Vladimir Putin, dje i pyetur për këtë çështje, nuk e mohoi drejtpërdrejt se trupat e Koresë së Veriut ndodhen në Rusi.

Shërbimi inteligjent i Ukrainës ka thënë se një total prej rreth 12,000 trupash të Koresë së Veriut, duke përfshirë 500 oficerë dhe tre gjeneralë, janë tashmë në Rusi dhe stërviten në pesë baza ushtarake.

“Unë jam bija e jote, nga lidhja jashtëmartesore…”/ Zbulohet dokumenti i bujshëm: Feçor Shehu na urdhëroi të zbulonim vajzën nga Elbasani, që i shkoi në shtëpi infermieres së Enver Hoxhës dhe i tha…

Nga Dashnor Kaloçi

Grupi Operativ Special që u krijua menjëherë pas arrestimit të ish-ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu dhe zëvendësit të tij, Feçor Shehut, në mesin e muajit tetor të vitit 1982, në krye të të cilit ishte zv/ministri i Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizi, dhe si vartës të tij, Enver Zeneli e Hasan Ulqinaku, ndërmjet masave të tjera, siç ishin; studimi dhe analiza e një numër të madh dosjesh arkivore, që i përkisnin një periudhe të gjatë kohe, (1945-1982), u bëri thirrje dhe u kërkoi edhe disave prej ish-funksionarëve të lartë të udhëheqjes së PPSH-së dhe ish-kuadrove të lartë drejtues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, oficerëve të Sigurimit të Shtetit, etj., që të jepnin me gojë apo shkrim, ato që ata dinin, apo kishin dyshime, lidhur me “veprimtarinë armiqësore”, të Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, Llambi Peçinit, Mihallaq Ziçishtit, Llambi Ziçishtit, apo dhe personave të tjerë, me të cilët ata i kishte lidhur puna apo jo, gjatë periudhës që ata kishin shërbyer pranë asaj ministrie, apo në Degët e Brendshme në rrethe, në sektorin e Zbulimit Politik, pranë përfaqësive tona diplomatike të akredituara në shtete të ndryshme të botës, etj., etj.

Ndër ish-funksionarët e lartë të PPSH-së dhe kuadrot drejtuese e oficerët e Sigurimit të Shtetit, etj., që iu përgjigjën kësaj thirrje, duke dhënë dëshmitë e tyre me gojë apo shkrim pranë Grupit Operativ Special, ishin: Liri Belishova, (ish-anëtare e Byrosë Politike dhe sekretare e Komitetit Qendror të PPSh-së për propagandë, artin dhe kulturën), Nesti Kerenxhi, (ish-gjeneral-major, Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe ministër i Punëve të Brendshme), Xhule Çiraku (ish-gjeneral-major, Drejtor i Sigurimit dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme), Rexhep Kolli (ish-gjeneral-major, Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme), Zija Kambo (ish-gjeneral-major dhe komandant i Gardës së Republikës), Zoi Themeli (ish-gjeneral-major, Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme), Nevzat Haznedari, (ish-gjeneral-major dhe Kryetari i Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme), Hekuran Pobrati (ish-kolonel dhe oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit), Feti Smokthina (ish-kolonel dhe Komandant i Gardës së Republikës), Zylfi Saliu (ish-kolonel, oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit, kryetar Dege të Brendshme në disa rrethe, e deputet i Kuvendit Popullor), Lelo Sinaj, (ish-oficer madhor dhe Drejtor i Sigurimit të Shtetit), Halil Zeneli (ish-kolonel i Sigurimit dhe kryetar Dege të Brendshme në disa rrethe), Ilo Manushi (oficer madhor dhe shefi Drejtorisë së Kuadrit të Ministrisë së Brendshme), Xhemal Bejto Fasllia, (ish-oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Brendshme), Ibrahim Kubati (ish-kuadër i lartë, i dënuar me burg politik, së bashku me të vëllanë, Ali Kubati, ish-nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, shok dhe miq të ngushtë të Myslym Ketës), Mark Dodani (ish-nënkolonel dhe oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit) etj.,  të cilat Memorie.al, i ka publikuar në numrat e kaluar.

Në vijim të publikimit të këtyre letrave, dëshmive dhe raport-informacioneve, të cilat janë me qindra dhe ndodhen në dosjen voluminoze prej disa mijëra fletësh, në ngarkim të ish-ministrit të Punëve të Brendshme Kadri Hazbiu, e cila ndodhet në fondin e Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, në shkrimin e sotëm, po publikojmë një letër të ish-Punëtorit Operativ, Taras Kroi, (djali i shefit të kabinetit të Enver Hoxhës, Haxhi Kroi), dërguar Grupit Operativ Special, më datën 20 tetor të vitit 1982, ku ai i informon lidhur me disa ngjarje që ia ka dëgjuar nga eprorët e tij, ku ndër të tjera është edhe ajo që ka lidhje me Kostandina Naunin, e cila për vite me radhë, ka shërbyer si infermiere personale e Enver Hoxhës dhe gjithashtu e familjes së tij. Për më shumë rreth kësaj, na njeh dokumenti që po publikojmë në këtë shkrim, së bashku me faksimilet përkatëse.

DOKUMENTI SEKRET ME SHËNIMIN OPERATIV TË OFICERIT TË SIGURIMIT TË SHTETIT TARAS KROI, DËRGUAR GRUPIT OPERATIV SPECIAL NË MINISTRINË E BRENDSHME, LIDHUR ME INFERMIERIN E ENVER HOXHËS, KOSTANDINA NAUNI   

Grupit  Operativ                                                                            “S e k r e t”                                                                                                                                                           Ekzemplar i vetëm

                                                                                                      Tiranë, më 20.10.1982    

                                                      SH Ë N I M  – O P E R A T I V 

  1. Më kujtohet se në vitin 1976, ish-zëvendës Drejtori i Drejtorisë së Tiranës, Kadri Ismailati (vdekur në prill 1977), më ka thënë se: “Gjatë viteve 1957, 1958, 1959, kur kam qenë në punë, shefi i Sigurimit të Zbulimit të Kufirit në rrethet Gjirokastër dhe Sarandë, kisha në ndjekje disa përpunime, që lidheshin më Grupin e Teme Sejkos. Bile, nëpërmjet agjenturës që unë mbaja në atë kohë në lidhje, arrita të mësoj se………..!

Në vitin 1959, jam thirrur për të raportuar në Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit, për lidhjet që unë përpunoja. Analizën e bëmë tek Kadri Hazbiu, ku midis disa kuadrove kryesorë (emrat nuk m’i ka thënë), ishte dhe Mihallaq Ziçishti.

Emri i……..nuk u përmend fare në këtë analizë, ndonëse ishim mbledhur për zbulimin e plotë të veprimtarisë armiqësore të një grupi armiqësor, pjesëtari së cilës doli dhe……………….!

Nuk m’u durua dhe mbasi dolën të gjithë, u ktheva dhe kërkova takim Kadri Hazbiut dhe duke qenë vetëm i thashë se………..! Ai më tha se; nga e di ti këtë gjë dhe ndonëse kish porositur …………të kishte kujdes, të mos merrte nëpër gojë kuadrot.

Siç më ka treguar Kadri Ismailati, për Teme Sejkon, ka pasur të dhëna nga agjentura e zonës kufitare, por konkretisht, ai pseudonimet nuk m’i ka thënë.

Në vitin 1977, (disa ditë para se të vdiste Kadri Ismailati), rreth datës 15 apo 16 Prill, ish-drejtori i Drejtorisë së Tiranës, Nustret Dauti, më dërgoi në ministri, për një çështje pune. Në korridor, mbaj mënd se jam takuar me Kadri Hazbiun, dhe në distancë, pasi u përshëndeta, i tregova se Kadri Ismailati, kishte vdekur.

Ai ndaloi dhe më tha se Kadriu ka qenë kuadër i aftë dhe i përgatitur, edhe pse nuk kishte shkollë, ishte tip inteligjent dhe mjaft i mprehtë. Ndër të tjera më tha se në vitin 1959, Kadri Ismailati i kishte thënë atij se…….por unë ja mohova vetëm për çështje sekreti, pasi ishte problem qe dije vetëm nga disa kuadro këtu në Ministri.

  1. Me sa kujtoj, rreth vitit 1976 ose 1977, muaji Qershor, me porosi të Kadri Hazbiut, me porosi të një P.Op. të Tiranës, u investuam me një çështje që lidhej me shoqen Kostandina Nauni, infermiere pranë familjes së udhëheqësit kryesor të Partisë. Në analizë dhe detyrën që morëm në Ministri, ishin Feçori, shoku Xhule, Gëzim Hila, kryetar Dege në Elbasan e, dikush tjetër që nuk më kujtohet.

Na u tha se brenda pak ditësh, të merrnim masa për të zbuluar se kush e kishte dërguar një vajzë nga Elbasani në shtëpinë e Kostandinës, e cila mbasi e takoi, iu tha se; ju jeni nëna ime e vërtetë, që më keni braktisur. Na u tha se mos ka ndonjë Kostandinë tjetër me këtë mbiemër, e cila ka lindur fëmijë tjetër jashtë martese.

Nga sqarimi i çështjes, doli se kjo vajzë ishte nga Elbasani e lindur në vitin e 1953, nga Kostandina Nauni, por jo kjo që punon në grupin e udhëheqësit kryesor.

Mendoj se kjo çështje duhet sqaruar, mbasi mund të jetë manipuluar dhe kurdisur me qëllime të caktuara nga Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu, të cilët në se mund ta ekzaktësonin që ishte e vërtetë se Kosntandina Nauni, (që punonte tek grupi i shoqërimit), të kishte lindur (…………………………) këtë me………….!

                               PUNËTORI OPERATIV

                                  TARAS KROI

SHËNIMI I MINISTRIT TË BRENDSHËM HEKURAN ISAI, MBI RAPORT-INFORMACIONIN E GRUPIT OPERATIV SPECIAL, PËR ÇËSHTJEN E INFERMIERES SË ENEVR HOXHËS, KOSTANDINA NAUNI

Në bazë të dokumenteve që kam lexuar, nuk është kjo Kostandin. Mund të jetë dhe manipuluar, por Kostandina e vërtetë, u gjet sa thuhet në informacion. Memorie.al

                          Hekuran Isai

Alarm në shkollat e Tiranës, mësuesja denoncon për çamçakëzin-drogë, që përgjum nxënësit!

Përhapja e një çamçakëzi misterioz në shkollat e kryeqytetit ka ngritur shqetësimin tek stafi pedagogjik dhe në opinionin publik, nëpërmjet sinjalizimeve në rrjetet sociale.

Rasti më i fundit është ai i një mësueseje në një shkollë 9-vjeçare në Tiranë, e cila ka sinjalizuar prindërit e fëmijëve për “substancën” që nuk dihet nëse ka përmbajtje narkotiku apo përbërës psikotropë sintetikë.

Policia e kryeqytetit ka njoftuar se pas ngritjes së shqetësimeve në rrjetin social, ka nisur verifikimet dhe hetimet. Por nuk jepen detaje të tjera rreth rastit, teksa është postuar edhe një foto e çamçakëzit në ngjyrë jeshile.

Mësuesja ka njoftuar se çamçakëzi u sjell një gjendje përgjumjeje fëmijëve në klasë, dukuri që e ka hasur shpesh.

Me një postim në rrjetin social Facebook, gazetari Mentor Kikia thekson:

“Kujdes! Ruani fëmijët nga një “substancë” e tillë

Në një shkollë 9-vjeçare në Tiranë është identifikuar një substancë në formë të  tillë, që ka trajtën e një çamçakëzi, dhe që përdorej nga një/disa nxënës. Mësuesja që e ka identifikuar, është treguar vigjilente dhe ka lajmëruar prindërit e nxënësve të klasës që të bëjnë kujdes, pasi ajo ka vërejtur se nga përdorimi i saj fëmijët pësojnë një gjendje përgjumjeje.

Po e bëj këtë publikim për të tërhequr vëmendjen e prindërve në kontrollin që duhet të tregojnë ndaj fëmijëve. Nuk kam informacion nëse kjo është një substancë narkotike apo jo, por padyshim që duhet të jetë e dëmshme në raport me gjendjen që prodhon.

Gjithashtu, duhet doemos një bashkëpunim me policinë për të zbuluar se çfarë është dhe nga vjen.

Shkollat kanë qenë dhe janë të synuara nga shpërndarësit e substancave narkotike, pasi rrjetet e trafikantëve kërkojnë klientelë të re konsumatorësh. Ndërkohë që lista e produkteve narkotike shtohet rregullisht me substanca të reja sintetike.

Kundër këtyre problemeve sociale e kriminale, duhet një bashkëpunim mes shkollës, familjes dhe policisë. Jeni të lutur ta shpërndani këtë postim, për më shumë informim”.

“Wall Street Journal”: Elon Musk ka qenë në bisedime sekrete me Vladimir Putin që nga viti 2022

Gazeta “Wall Street Journal” ka zbuluar të enjten mbrëma se njeriu më i pasur në botë, Elon Musk, ka qenë në “kontakt të rregullt” me presidentin rus Vladimir Putin që nga viti 2022.

 

Diskutimet e Musk me Putinin, të cilat u konfirmuan nga disa zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë amerikanë, evropianë dhe rusë, u rrotulluan rreth çështjeve personale, si dhe bizneseve dhe tensioneve gjeopolitike.

Sipas gazetës, Elon Musk ka qenë në komunikim të rregullt me ​​Vladimir Putinin, i cili në një nga bisedat e tyre i ka kërkuar që të mos aktivizojë rrjetin Starlink në Tajvan si një “favor” për presidentin kinez Xi Jinping.

Starlink nuk siguroi kurrë një licencë për të ofruar shërbime interneti në Tajvan, qeveria e të cilit vendos kufizime për kompanitë satelitore jo-tajvaneze.

Musk u shfaq këtë vit si një mbështetës kryesor i fushatës zgjedhore të Donald Trump dhe nëse Trump fiton, ai mund të ketë një rol në administratën e re.

Ndërsa SHBA dhe aleatët e saj e kanë izoluar Putinin vitet e fundit, dialogu i Musk me të mund të shënojë fillimin e një raundi të ri bisedimesh me liderin rus, duke forcuar dëshirën e shprehur të Trump për të arritur një marrëveshje me Rusinë për luftën në Ukrainë.

Kishte humbur kontaktet me pronarin e stanit që prej 4 ditësh, 47-vjeçari çoban gjendet i pajetë në mal

Një 47-vjeçar çoban, i cili kishte humbur kontaktet me pronarin e stanit që prej datës 21 tetor, është gjetur i pajetë ditën e djeshme në një mal në Selenicë.

47-vjeçari nga Elbasani me iniciale E.G ishte punësuar si çoban në atë zonë prej kohësh. Por për fat të keq ai u gjet dje pa shenja jete në malin e fshatit Gjormë.

Njoftimi i policisë

Stacioni i Policisë Selenicë referoi materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi më datë 24.10.2024, në malin e fshatit Gjormë, dyshohet se ka humbur jetën, për shkaqe natyrale, shtetasi E. G., 47 vjeç, banues në Elbasan, i cili ishte punësuar si çoban në atë zonë dhe prej datës 21.10.2024 kishte humbur kontaktet me pronarin e stanit ku punonte.

Materialet iu referuan Prokurorive, për veprime të mëtejshme.

“Kurthi i vdekjes”/ Investigimi i BBC për kalimin me gomone drejt Britanisë, kontrabandistët lojëra ‘macja-miu’ me policinë gjermane

Një hetim pesë-mujor i BBC-së ka zbuluar lidhjet e trafikut të emigrantëve në Kanalin Anglez, duke nxjerrë në pah operacionet e paligjshme që zhvillohen në Gjermani. Gazetarët e BBC-së zbuluan se për një shumë prej 15,000 eurosh (rreth 12,500 £), emigrantët mund të sigurojnë një paketë që përfshin një gomone të fryrë, motor jashtë bord dhe 60 xhaketa shpëtimi për kalimin e Kanalit.

Ky informacion u përftua nga një gazetare e fshehtë e BBC-së gjatë një takimi me dy kontrabandistë në Essen, një qytet ku jetojnë ose kalojnë shumë emigrantë. Kontrabandistët i treguan gazetarit se ruanin varkat në magazina të fshehta, duke u përballur me policinë gjermane në një lojë të vazhdueshme të “macja-miu”.

Raportet tregojnë se vitit 2023 i është bërë vit më i rrezikshëm për emigrantët, me më shumë se 28,000 persona që kanë kaluar Kanalin me varka të vogla, duke rritur numrin e viktimave. Agjencia Kombëtare e Krimit të Britanisë konfirmoi se Gjermania ka bërë një rol kyç në ruajtjen e anijeve dhe motorëve që përdoren për kalimet.

Qeveria e re britanike ka premtuar të “shpartallojë bandat” që përfshihen në këtë tregti të paligjshme, ndërsa situata e emigrantëve vazhdon të përkeqësohet.

Shkrimi i BBC:

Gazetari i fshehtë po pret jashtë stacionit qendror në qytetin e Essen. Ai ka veshur një kamerë sekrete dhe pozon si një emigrant nga Lindja e Mesme, i etur për të kaluar Kanalin për në Mbretërinë e Bashkuar me familjen dhe miqtë e tij.

Ai duhet të mbetet anonim, për sigurinë e tij, por ne do t’i referohemi si Hamza. Ai i afrohet një burri. Është dikush me të cilin Hamza ka qenë në kontakt prej muajsh, përmes telefonatave në WhatsApp, pasi ka marrë numrin e tij përmes një kontakti brenda komunitetit të emigrantëve – por kjo është hera e parë që ata takohen. Emri i këtij njeriu – ose të paktën emri që ai na ka dhënë – është Ebu Sahar.

Që kur Hamza e kontaktoi atë, ata kanë diskutuar se si Sahar mund të ndihmojë në sigurimin e një gomone për të shkuar në bregun jugor të Anglisë. Hamza i ka thënë se përvojat e këqija me bandat e kontrabandës në rajonin e Calais e kanë shtyrë atë, familjen dhe miqtë e tij të përpiqen të menaxhojnë kalimin e tyre vetëm – një hap i pazakontë. Sahar ka dërguar tashmë një video të një gomone të fryrë, e cila, sipas tij, është “e re”, e disponueshme dhe që mbahet në një magazinë në zonën e Essen.

Ai do të vazhdojë të ofrojë më shumë filmime, duke përfshirë edhe varka të tjera, me pamje të ngjashme, si dhe motorë jashtë.

Hamza ka thënë se dëshiron të kontrollojë vetë cilësinë e produkteteve që ofrohen dhe për këtë arsye ka insistuar për një takim personal.

Një ekip i BBC-së është afër, duke monitoruar lëvizjet e Hamzës, në rast se ndonjë gjë shkon keq, ose duhet ta nxjerrin atë shpejt.

Ndërsa dy burrat ecin nëpër qendrën e Essen, Sahar deklaron se është shumë “e rrezikshme” të shkosh në magazinë për të parë varkën, edhe pse ai thotë se është më pak se 15 minuta larg me makinë.

Kur Hamza pyet përse mbahen varkat në këtë pjesë të Gjermanisë, Sahar flet për “siguri” dhe “logjistikë”. Essen është vetëm katër deri në pesë orë me makinë nga zona e Calais – mjaft afër për të arritur anijet atje shpejt, por jo shumë afër plazheve më të monitoruara të Francës veriore.

Ndërsa bastisjet e policisë ndodhin, lehtësimi i kontrabandës me njerëz nuk është teknikisht i paligjshëm në Gjermani nëse bëhet fjalë për një vend të tretë jashtë BE-së, të cilin Britania e Madhe tani është pas Brexit.

Ministria e Brendshme në Berlin argumenton se, për shkak se Gjermania dhe Britania e Madhe nuk janë fqinjë gjeografikë, “nuk ka kontrabandë të drejtpërdrejtë” në të vërtetë – por një burim i Zyrës së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar i tha BBC-së se ka “frustrim” për kuadrin ligjor të Gjermanisë.

Sahar e çon Hamzën në një kafene ku porosisin kafe dhe ndezin cigare, megjithëse lëvizin nga tavolinat sepse pranë tyre ka arabisht folës dhe Sahari nuk dëshiron të dëgjohet.

Pak më shumë se 35 minuta më vonë, Sahar ngrihet nga karrigia dhe i thotë Hamzës: “Ule zërin, ai po vjen.”

Një burrë i veshur mirë me kapele bejsbolli po afrohet. Ai përmendet si “al-Khal”, që do të thotë “xhaxhai” – një frazë në arabisht që nënkupton dikë që ka respekt të konsiderueshëm.

Khal shoqërohet nga një burrë tjetër i cili do të qëndrojë kryesisht i heshtur, por duket se është truproja e tij. Ka disa shtrëngime duarsh përpara se Khal të flasë me kamarieren në gjermanisht dhe më pas të kthehet në arabisht, gjuhën e tij amtare.

Hamzait i thuhet të dorëzojë telefonin e tij, i cili është vendosur në një tavolinë të veçantë. Truproja ulet pranë Hamzës dhe do të kalojë pjesën më të madhe të 22 minutave të ardhshme duke e parë me vëmendje.

Gjatë takimit, për shkak të ligjit të rreptë gjerman, BBC mund të regjistrojë vetëm video, jo audio. Prandaj, raportimi ynë për të bazohet pjesërisht në kujtimin e menjëhershëm të gazetarit tonë të fshehtë – një metodë e vendosur në raportimin investigativ gjerman.

Ai mbështetet nga mesazhet, regjistrimet e thirrjeve dhe shënimet zanore mes Hamzës dhe kontrabandistëve. “Mos e ngri zërin,” thotë Khal ndërsa e udhëzon Hamzën të shpjegojë se kush është dhe çfarë dëshiron.

Hamza përsërit historinë e tij. Ai sugjeron gjithashtu se blerja e anijes që ata po diskutojnë tani, në fakt, nuk mund të jetë as e paligjshme për shkak të zonave gri në ligjin gjerman.

Por Khal e hedh poshtë këtë sugjerim. “Kush ju tha këtë?” pyet ai. “Nuk është e ligjshme.”

Edhe nëse ka boshllëqe ligjore në Gjermani rreth kontrabandës me varka, duket se këta burra e dinë se janë të përfshirë në një rrjet më të gjerë kriminal.

Gjatë kafesë së tyre, Khal ndonjëherë e shtyn Hamzën në gjoks, ndërsa kontrabandistët zbulojnë se kanë rreth 10 magazina në zonën e Essen.

Kjo, nënkuptohet, është një mënyrë për të ndarë mallrat e tyre në rast të një bastisjeje policore – që ka ndodhur “disa ditë më parë”.

Ndonjëherë, sugjerohet, ata marrin lajmin se po vjen policia, që do të thotë se furnizimet janë konfiskuar, por me sa duket nuk janë të mjaftueshme për të ndërprerë seriozisht operacionin.

Kontrabandistët flasin për aftësinë e tyre për të marrë pajisje në Calais brenda “tre, katër orësh”, gjë që tregon se ata ndjehen mjaft të guximshëm për të përdorur autostradat, në vend të rrugëve të tjera.

Vendndodhja e Essen do të thotë se varkat mund të dorëzohen brenda një mëngjesi ose pasdite, nëse ka kërkesë për udhëtim.

Sipas hulumtimit të Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional, anijet zakonisht transportohen me furgona ose makina nga Gjermania, Belgjika ose Holanda në bregdetin francez, me Gjermaninë një “pikë tranziti veçanërisht të rëndësishme”.

Shumica e anijeve, zbuluan ata, janë prodhuar në Kinë përpara se të dërgoheshin, me kontejnerë, në Turqi dhe më pas të zhvendoseshin në Evropë.

Një nga autorët e raportit, Tuesday Reitano, thotë se roli i Gjermanisë si qendër është rritur për arsye të ndryshme, duke përfshirë “kontrollet e fuqishme kundër kontrabandës” në Francë, të cilat kanë shtyrë bandat gjithnjë e më të organizuara të veprojnë në distanca më të gjata.

Ajo gjithashtu beson se autoritetet gjermane janë më pak të angazhuara me çështjen e kalimit të Kanalit sepse, “Nuk është një problem që është në kufirin e tyre”.

Khal me sa duket është i kënaqur që Hamza fillon të flasë për para. Synimi i tij është që Hamza të marrë marrëveshjen “paketë” e cila do të kushtojë 15,000 € (12,500 £).

Kjo përfshin marrjen e varkës pranë Calais, së bashku me një motor, karburant, pompë dhe 60 xhaketa shpëtimi – më shumë se sa Hamza ka thënë se i duhen, por kjo është oferta e përgjithshme dhe ajo që ka më shumë gjasa t’i bëhet një tjetër kontrabandist që organizon drejtpërdrejt kalimet në Francë.

Fitimet e këtyre kontrabandistëve janë potencialisht “të jashtëzakonshëm” nëse supozoni se të rriturit po tarifohen rreth 2,000 € (1,660 £) për një udhëtim të vetëm me dhjetëra njerëz në bord – sipas Global Initiative.

Nëse një marrëveshje arrihet tani, Khal pretendon se ai mund të marrë një varkë në një vend që është vetëm 200 metra nga bregu francez, deri nesër.

Khal dhe Sahar i referohen gjithashtu një “pike të re kalimi”, duke sugjeruar se ata kanë gjetur një vend më pak nën syrin e autoriteteve franceze, megjithëse ata nuk e zbulojnë vendndodhjen e saj.

Ekziston një alternativë e dytë, më e lirë, të cilën Hamza e ka përgatitur gjatë gjithë kohës. Për rreth 8,000 € (6,670 £) Hamza mund ta merrte vetë varkën, këtu në një magazinë në Essen, dhe ta çonte atë në Francën veriore në mënyrë të pavarur.

Nëse kapeni, i thonë kontrabandistët, nuk kemi përgjegjësi. Biseda kthehet në mënyrën se si Hamza do ta paguante bandën, pasi të ketë vendosur se çfarë të bëjë.

Khal dëshiron që paratë e gatshme të paguhen në Turqi, sepse “të gjitha gjërat” vijnë nga atje. Paratë, sugjeron ai, mund të depozitohen përmes sistemit Hawala – një metodë pagese që shmang bankën formale dhe në vend të kësaj mbështetet në një rrjet agjentësh për të ofruar para përtej kufijve. Më vonë, Hamzës i dërgohet një emër llogarie në WhatsApp.

Mesazhe të tjera dhe shënime zanore në arabisht, të dërguara gjithashtu pas takimit në kafene, përfshijnë Sahar që përshkruan markat e motorëve jashtë. Ai “i do” ato të Mërkurit, thotë ai, megjithëse “nëse ka Yamaha, unë preferoj Yamaha”.

Ai flet për mënyrën se si ata mund të “dorëzojnë dhe varrosin” pajisjet, duke lënë të kuptohet se mund të fshihet nën tokë pranë një pike kalimi, me Boulogne një opsion më të mirë sepse, “Calais, është e vështirë”.

Në atë që duket të jetë një taktikë e presionit të shitjeve, Hamzës i thuhet gjithashtu se kontrabandistët kanë stoqe “të kufizuara”, por shumë blerës.

Khal është më i kujdesshëm në komunikimet e tij, por në një shënim të vetëm, të përcjellë nga Sahar, ai shpreh shqetësimin pas takimit me Hamzën, duke thënë: “Shoku yt, ai duket se nuk është në rregull”.

Megjithatë, ai e udhëzon Saharin që të marrë një vendim nga Hamza nëse dëshiron të blejë një varkë apo jo: “Pyete atë në një ose dy orët e ardhshme”.

Përfundimisht, Hamza u thotë atyre se nuk mund të vazhdojë më me marrëveshjen.

BBC nuk pagoi asnjë para për këta burra, identitetet e të cilëve ne nuk kemi qenë në gjendje t’i përcaktojmë përfundimisht.

Ne ia kemi treguar pamjet që i kemi marrë nga varkat Kryetarit të Shoqatës Kombëtare të Varkave të Shpëtimit, Neil Dalton, i cili thotë se nuk do të shkonte as në një “pellg rosash” me anije të tilla.

Duke e krahasuar me një “kurth vdekjeje”, ai thotë se do të ishte “tmerrësisht e rrezikshme” për të transportuar dhjetëra njerëz në këto varka për një kalim në Kanal, për shkak të asaj që duket të jetë një material “jashtëzakonisht i dobët”.

Ndërkohë, diplomatët këmbëngulin se bashkëpunimi midis Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, për trajtimin e këtyre bandave, është përmirësuar.

Arrestimet dhe bastisjet e magazinës kanë ndodhur në Gjermani, në partneritet me vende të tjera – ndërsa i ashtuquajturi “krim kolateral”, si dhuna ose pastrimi i parave, mund të ndiqet penalisht brenda Gjermanisë.

Shkurti pati një bastisje të madhe ku në Gjermani u sekuestruan varka, motorë, jelek shpëtimi dhe pajisje flotacioni për fëmijë, me 19 arrestime – por këto u kryen nën urdhrat e drejtësisë belge dhe franceze. Një gjyq i veçantë, pas një operacioni të ngjashëm në vitin 2022, po ndiqet penalisht në Francë.

Një zëdhënës i Zyrës së Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar i tha BBC-së se qeveria po “përshpejton me shpejtësi” punën me vendet, përfshirë Gjermaninë, për “të goditur bandat kriminale të kontrabandës”, por “gjithmonë ka më shumë për të bërë së bashku”.

Një plan i përbashkët veprimi është duke u zhvilluar me Gjermaninë, ndërsa Komanda e re e Sigurisë Kufitare e Mbretërisë së Bashkuar do të jetë “thelbësore” në çmontimin e rrjeteve kriminale, shtuan ata.

“Është e rëndësishme t’u tregojmë gjermanëve se këto varka janë të lidhura me shkeljet në brigjet tona, gjë që do t’i lejojë ata të ndërhyjnë,” tha Pascal Marconville, një prokuror në Francën veriore, për BBC në fillim të këtij muaji.

Ministria e Brendshme e Berlinit i tha BBC-së se bashkëpunimi dypalësh ishte “shumë i mirë” dhe se autoritetet gjermane mund të ndërmarrin veprime me kërkesë të MB.

Një zëdhënës shtoi se megjithëse nuk është e paligjshme të ndihmosh kontrabandën nga Gjermania në MB, është e dënueshme të ndihmosh kontrabandën në Belgjikë ose Francë, ku ndodhin kalimet e Kanalit.

Përgjatë brigjeve të Francës verilindore, mund të gjeni mbetjet e tentativave të dështuara të kalimit me varka që, sipas Agjencisë

Kombëtare të Krimit, po bëhen “gjithnjë e më të rrezikshme dhe të papërshtatshme për lundrim”.

Gomat e shfryra dhe jelekët e shpëtimit të braktisura në këto plazhe mund të duken të pavlera, por dikush do të ketë paguar shuma të mëdha për atë që ata shpresonin se ishte një rrugë për një jetë më të mirë.

Është një tregti me mjerim, dëshpërim dhe, në rastin më të keq, vdekje – por që vazhdon të zhvillohet dhe të lulëzojë thellë brenda Evropës./BBC

Shtyhet seanca për inceneratorin e Fierit, zbulohet arsyeja

Shtyhet seanca gjyqësore për inceneratorin e Fierit.

Lajmi konfirmohet nga burimet për media, teksa shkak i shtyrjes është bërë pasi palët janë tek inceneratori i Elbasanit.

Ndërkohë po zhvillohet seanca gjyqësore për inceneratorin e Elbasanit, ku SPAK kërkoi në Apelin e Posaçëm ndryshimin e vendimit të shkallës së parë, që shpalli të pafajshëm për akuzën “shpërdorim detyre” ish deputetin socialist Alqi Bllako dhe ish ministrin e Mjedisit Lefter Koka.

Gjatë seancës, Lefter Koka deklaroi se “S’jam unë peshku i madh, nuk dënoni korrupsionin me mua”, raporton gazetarja Anila Hoxha.

I komunikohet akuza/ SPAK merr zyrtarisht të pandehur deputetin socialist, Plarent Ndreca!

SPAK ka përfunduar hetimet për deputetin e Partisë Socialiste Plarent Ndreca i cili është marrë i pandehur, për akuzën e shkeljes pabarazisë në tenderë.

Mësohet se përmes avokatit të tij, Ermal Yzeiraj, SPAK i ka komunikuar akuzën e “shkeljes së barazisë në tendera”.

Ndreca akuzohet për abuzim me një tender për rikonstruksionin e 4 komisariateve gjatë kohës që mbante pozicionin e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme.

Kallëzimi në SPAK u bë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili dyshon se zyrtarët kanë lejuar mospërputhje dhe devijime ligjore në garën për ndërhyrje në Komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë

“Prodhuesit do të rrisin çmimin e bukës deri në 20 lekë”- Flet ekspertja: Ndikim i madh te familjet me të ardhura të ulëta

Nga 1 nëntori nis zbatimin vendimi i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) për aplikimin e çmimeve të rritura të energjisë në orarin e pikut të furrave prodhuese të bukës dhe pastiçerive.

 

Në një intervistë për gazetën “Panorama” ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi tregon se çmimet do të rriten me 15% për të gjitha kategoritë, në varësi të llojit të aktivitetit të furrave. Por kjo rritje e çmimit të energjisë elektrike pritet të ndikojë edhe në rritjen e çmimit të bukës. Më tej ekspertja tregon se prodhuesit pohojnë se rritjen e çmimit të energjisë do ta reflektojnë në rritjen e çmimit të bukës në 15- 20 lekë. Kjo situatë sipas saj nënvizon nevojën për masa mbështetjeje për këtë sektor për të lehtësuar presionin e kostove mbi këto biznese, duke i ndihmuar të ruajnë konkurrueshmërinë dhe të ofrojnë produkte më të përballueshme për konsumatorët.

Sa do të rritet çmimi i energjisë konkretisht dhe kush do të preket nga kjo rritje?

Sipas këtij vendimi, çmimi i energjisë elektrike do të rritet me 15% për katër orët e pikut të prodhimit të bukës. Kjo rritje pritet të ndikojë në koston e prodhimit dhe mund të reflektohet në çmimet e produkteve përfundimtare që ofrohen për konsumatorët. Sipas vendimit, orari i pikës për aplikimin e çmimit të energjisë është si në vijim: Nga 1 nëntor deri më 31 mars: çmimi do të jetë në fuqi nga ora 18:00 deri në 22:00; nga 1 prill deri më 31 tetor: çmimi do të aplikohet nga ora 19:00 deri në 23:00. Sipas pikës 2 të vendimit, tani që ka hyrë në fuqi, çmimi i energjisë aktive në orarin e pikut do të jetë si më poshtë: Kategoria I: Furra Buke/ Prodhim mielli do të paguajë 8.74 lekë/kWh, nga 7.6 lekë/kWh që ishte më parë; Kategoria II: Furrë Buke/ produkte mielli shoqëruese, pastiçeri nga 9.5 lekë në orarin e pikut çmimi i energjisë do të jetë 10.93; Kategoria III: Furra Buke/Prodhim mielli, Pastiçeri, shërbim Kafe (ekspres) çmimi nga 12 lekë do të jetë në 13.8 lekë/kWh.

Cili është komenti juaj për këtë vendim? Mund të na jepni disa detaje më të thelluara lidhur me të?

Ky vendim është marrë për shkak se ngarkohet rrjeti gjatë orarit të pikut. Furrat e bukës kanë mundësinë të zgjedhin një orar tjetër për prodhimin e bukës, duke minimizuar kështu ndikimin në kostot e energjisë. Kjo do të ndihmojë në menaxhimin më efikas të burimeve dhe do të lehtësojë ngarkesën në rrjet.

Prodhuesit e bukës janë kundër vendimit. A është e mundur që ata të vazhdojnë aktivitetin e tyre normalisht duke shmangur orarin e pikut?

Prodhuesit e bukës janë kundër vendimit për rritjen e çmimit të energjisë në orarin e pikut, pasi kjo do të rrisë kostot e prodhimit dhe, për pasojë, do të ndikojë në rritjen e çmimeve për konsumatorët. Shumë nga këta prodhues kanë pohuar se po planifikojnë të rrisin çmimin e bukës me 15 deri në 20 lekë. Prodhuesit e bukës e konsiderojnë këtë vendim si të padrejtë, pasi besojnë se duhet të kenë lehtësira në kushte të tilla. Ata po përballen me vështirësi financiare si rezultat i rritjes së çmimeve të lëndës së parë dhe rritjes së pagave të punonjësve. Sipas tyre, një rritje tjetër në kostot e energjisë do t’i vështirësojë akoma më shumë situatën dhe do të ndikojë negativisht në qëndrueshmërinë e bizneseve të tyre.

Si do të bëhet faturimi i prodhuesve të bukës pas këtij vendimi?

Faturimi do të behet me dy fasha, kjo nënkupton se ato do të përballen me kosto të ndryshme për energjinë elektrike.

A do të sjellë kjo rritjen e çmimit të bukës?

Kërkesa e Shoqatës së Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave për pezullimin e tarifës shtesë në oraret e pikës tregon shqetësimin e prodhuesve për rritjen e kostove të energjisë elektrike. Prodhuesit pohojnë se ato rritjen e çmimit të energjisë do ta reflektojnë në rritjen e çmimit të bukës në 15- 20 lekë. Kjo situatë nënvizon nevojën për masa mbështetjeje për këtë sektor për të lehtësuar presionin e kostove mbi këto biznese, duke i ndihmuar të ruajnë konkurrueshmërinë dhe të ofrojnë produkte më të përballueshme për konsumatorët.

Pse qytetarët janë të ndjeshëm ndaj rritjes së çmimit të bukës?

Ushqimi është një nevojë themelore për çdo njeri, dhe buka ka një rol kyç në dietën tonë. Në Shqipëri, shpenzimet për ushqim përbëjnë një pjesë të madhe të buxhetit familjar, siç tregon statistika nga INSTAT. Kjo tregon se për shumë familje, siguria ushqimore është një prioritet i rëndësishëm. Këto të dhëna, gjithashtu, pasqyrojnë sfidat ekonomike me të cilat përballen shumë njerëz dhe nevojën për qasje në ushqim cilësor dhe të përballueshëm. Buka është një pjesë thelbësore e dietës së përditshme për shumicën e shqiptarëve. Një familje me katër anëtarë konsumon mesatarisht një bukë në ditë, kjo do të thotë se çmimi i bukës ka një ndikim të drejtpërdrejtë në shpenzimet e tyre për ushqim. Një rritje e çmimit të bukës ka ndikim të rëndësishëm në buxhetin familjar, veçanërisht për ata që kanë të ardhura të kufizuara. Kjo nënvizon rëndësinë e monitorimit të çmimeve ushqimore për të siguruar që familjet të kenë akses në produkte të përballueshme dhe cilësore.

A mund ta përballojnë qytetarët një rritje të tillë?

Familjet me të ardhura nën mesatare dhe të ulëta, një rritje prej 15-20 lekësh për bukë mund të ketë një ndikim të madh, duke i detyruar të rishikojnë buxhetin e tyre dhe të ndjekin një stil jetese më të kufizuar. Pensionistët do të jenë ndër të parët që do të ndiejnë efektet e rritjes së çmimeve të bukës. Ky grup është veçanërisht i ndjeshëm ndaj rritjeve të çmimeve për produkte themelore, si buka. Me një buxhet të kufizuar, çdo rritje e çmimeve i detyron ata të rishikojnë prioritetet e shpenzimeve, duke ndikuar në cilësinë e jetesës së tyre. Kjo është një situatë e vështirë, veçanërisht për ata që jetojnë vetëm me pensione të ulta, ku rritjet e çmimeve mund të krijojnë tensione financiare dhe mundësi të kufizuara për të përmbushur nevojat themelore. Indeksimi i pensioneve me 4.1% po perceptohet si kompensim i rritjes së çmimit të bukës.

Si mund të shmanget rritja e çmimit të bukës?

Prodhuesit duhet të planifikojnë prodhimin e bukës në orët e natës, kur tarifat nuk janë të larta. Megjithatë, kjo kërkon një organizim të mirë të proceseve prodhuese për të siguruar që produktet të jenë të freskëta. Kjo mund të përmirësojë efikasitetin dhe t’i ndihmojë ata të mbajnë çmimet e produkteve më të ulëta për konsumatorët. Prodhuesit duhet të kuptojnë që duhet të gjejnë zgjidhje për të mos rritur çmimin e bukës (duke garantuar cilësinë dhe peshën) sepse kjo do të ndikojë në uljen e fuqisë blerëse.

Sulmuan Klodiana Lalën si avokate të SPAK-ut, Desada Metaj thumbon gazetarët avokatë të Metës

Desada Metaj ka reaguar pasi gazetarja Klodiana Lala është sulmuar në emisionin “Të Paekspozurit”, si “avokate e SPAK”-ut.

“Disa burra në një studio bëhen bashkë dhe sulmojnë një grua që ka dalë të bëjë lajme që në 7 të mëngjesit duke e intimiduar me zhargonin “avokate e SPAK-ut”….

Këta burrat kanë 20 e kusur vjet që i thonë vetes gazetarë pa dalë kurrë për të bërë ndonjë lajm.

Dhe nuk di të them me siguri nëse ja vlen t’i kesh për avokatë në ditë të këqija si këto”, shkruan Desada Metaj.