33.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Qershor, 2025

Analisti Pallaska: Rama po negocion me Serbinë për ndarjen e Kosovës

Analisti Dastid Pallaska, është shprehur në lidhje me ndarjen e Kosovës, se çështja nuk qëndron tek shkëmbimi i territoreve, por tek shkëputja e një territori nga Kosova.
Pallaska theksoi se shkëmbim territoresh mund të kemi vetëm në një rast, kur të dy shtetet kanë nën kontroll një territor të caktuar, të cilët bien dakord për t’a shkëmbyer.
Sipas tij, Kosova dhe Shqipëria nuk kanë një territor të tillë dhe nuk kanë se çfarë të shkëmbejnë. Ai bën me dije se Serbia ka pretendime për të shkëputur një pjesë të territorit të Kosovës.
Ndërkaq, në lidhje me rolin e Shqipërisë, Pallaska theksoi se pala serbe shprehet se Shqipëria është me ne. Ai tha se kryeministri Rama negocion drejpërdrejt me serbët.

Gomari i Ramës, Muç Nano: Kosova është edhe e Serbisë

Një analist gomar i afërt me Ramën deklaron në studion e “opinion” se Kosova është edhe tokë serbe. Sipas tij nëse i referohemi historisë, “Kosova është edhe pjesë e Serbisë” dhe këtu ai i referohej kishave serbe. Diplomatja Harxhi ka replikuar duke i kujtuar se gjithmonë Kosova ka qenë tokë shqiptare, ndërsa kishat kanë qenë gjithmonë të ngritura në toka shqiptare. “Serbët e Mitrovicës janë të ardhur në Kosovë, ndërsa shqiptarët e Preshevës janë autoktonë në tokat e tyre”, tha Harxhi.
Nano, i cili është dashuruar së fundi me Serbinë dhe mundohet të hiqet si liberal u shpreh në favor të këbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës.
Harxhi është shprehur se mundësia e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë është një ide e ngritur nga serbët, por që shqiptarët dalin të humbur. ‘Shqiptarët nuk mund të shkëmbejnë territore me shqiptarët’
Harxhi tha se historia e shkëmbit të territoreve ka nisur në 16 tetor në 2016, gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama në Beograd.
Ajo bën me dije se në takimin ‘kokë më kokë’ që ka pasur me Vuçiçin, serbët kanë hapur tezën për ndarje të Kosovës dhe këmbimit të territoreve.

Raporti i Antimafias: Shqipëria, importuesja e madhe e drogës

Shërbimi Inteligjent i Antimafias në Itali ka dorëzuar në Komisionet e Sigurisë të Parlamentit italian raportin për vitin 2017. Ajo që bie në sy në këtë raport, sipas asaj që raportojnë mediat italiane, është rritja e aktivitetit të grupeve kriminale shqiptare, që për “007” italianë konsiderohet mafia më e rrezikshme e huaj.
Raporti thekson se, grupet shqiptare shtrijnë aktivitetin e tyre në të gjitha fushat e paligjshme, që nga trafiku i drogës, prostitucioni, grabitjet, gjobëvënia e deri tek vrasjet. Sipas raportit, shqiptarët janë kërcënim shumë i madh për sigurinë kombëtare të Italisë. Në raport përmenden shqiptarët si grupi dominant për trafikun e drogës në Evropë. Në raport flitet dhe për shqetësimin e shërbimit sekret italian lidhur me emigrantët, dhe se në Shqipëri nuk është regjistruar mbërritja.
DIA (Direzione Investigativa Antimafia) thekson në raport se ndryshe nga mafia kineze dhe ajo afrikane, të cilat kanë rritur edhe ato aktivitetin e tyre në Itali, ajo shqiptare po bëhet gjithnjë e më e rrezikshme për faktin se është më bashkëpunuese me mafian vendase, por shumë herë më e dhunshme se ajo.
Inteligjenca italiane shkruan në raport se, grupet mafioze shqiptare janë importuesit kryesorë të drogërave të forta që mbërrijnë nga Azia, por edhe të hashashit në drejtim të Italisë nga Ballkani, duke bashkëpunuar me grupet italiane, kryesisht në Pulja dhe zonat e tjera të Jugut të Italisë.
Raporti thotë se, mafia ka evoluuar duke shfrytëzuar në rrugë dhe kanalizime komplekse pastrimin e parave, kryesisht në sektorin e ndërtimeve.

Tiparet e grupeve

Në këtë raport thuhet konkretisht se, krahas trafikut të drogës bandat shqiptare kryesojnë edhe në grabitje. “Nga ana e saj, kriminaliteti i huaj në Itali, i përbërë mbi të gjitha nga grupe nigerianësh, rusofonësh, shqiptarësh, kinezësh dhe pakistanezësh, po shfaq gjithnjë e më shumë një vokacion të dyfishtë: i pari, banditesk, me banda të pritura kryesisht ndaj grabitjeve dhe shpërndarje droge; e dyta, para-mafioze, me grupe me një vokacion të theksuar kriminalo-sipërmarrës”, thuhet në raport.

Shqiptarët kryesojnë në trafikun e drogës

Në raport thuhet se shqiptarët kryesojnë në trafikun e drogës. “Si rrjedhojë e rolit të dorës së parë të ushtruar në trafikun e lëndëve narkotike me prejardhje nga Ballkani, organizatat kriminale shqiptare janë ato që lidhin më shpesh marrëdhënie bashkëpunimi me organizatat kriminale italiane. Përballë një angazhimi në rritje në administrimin e rrugëve ndërkombëtare të kokainës dhe marijuanës, grupet shqiptare mbeten tejet aktive edhe në krimet e grabitjes dhe të shfrytëzimit të prostitucionit”, thuhet në raport.
Një tjetër çështje është edhe ajo e emigrantëve, për të cilën në raport evidentohet se gjatë dy viteve të fundit, nga Shqipëria nuk është regjistruar mbërritja e tyre. Ky raport vjen në kohën kur vendi ynë është duke u përgatitur për të nënshkruar një marrëveshje me Frontex për kontrollin e kufijve. Gjithashtu, mësohet se në 2017-ën, 6 shqiptarë janë përjashtuar nga Italia, si të dyshuar për lidhjet e tyre me xhihadizmin terrorist.

Noteri i tokave në Spille lihet në “arrest shtëpie”

Në dosjen e tjetërsimit të pronave shtetërore dhe të ushtrisë në zonën bregdetare të Spilles së Kavajës, është edhe noteri Julian Zhelegu, për të cilin gjykata ka vendosur masën e sigurisë arrest në shtëpi ndonëse Prokuroria kërkoi arrest me burg.
Zyra noteriale e këtij në fundit, ndodhet në zonën e ish-Bllokut, ndërsa ai rezulton certifikues i shumë shit-blerjeve apo privatizimesh apo çështjesh të mëdha biznesi. Së fundmi, emri i tij doli si noterues i kontratës koncesionare për ndërtimin e hidrocentraleve në kanionet e Osumit, kontrata të cilat u anuluan sepse ishin te parregullta dokumentet e lejes mjedisore.
Prokuroria ngriti dy akuza për noterin Zhelegu, atë të falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës. Top Channel kontaktoi edhe me Dhomën Kombëtare të Avokatisë, sipas së cilës, Zhelegu ka disa vite që ushtron këtë aktivitet ndërsa vetë noteri në fjalë nuk pranoi të prononcohet për çështjen.
Noteri Zhelegu ka patur probleme me ligjin edhe në të kaluarën. Në vitin 2002 kur punonte në doganën e Durrësit ku u akuzua për trafikim të mallrave kontrabandë, por në atë kohë u hetua në gjendje të lirë. Në dosjen e Prokurorisë për të njëjtat akuza është edhe noteri nga Durrësi, Arbër Aliu për të cilin u mor masa “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publike”.

Skandali i Spillesë, si u përfshinë pa dashje banorët në skemën e mashtrimit

Skandali i tjetërsimit të 58 hektarëve brez me pisha në plazhin e Spillesë të tjetërsuara në letra si tokë arë, ka prekur edhe një bazë ushtarake. 9600 metra/katrorë tokë brenda zonës, që duhet t’i përkisnin Komandës së Forcës Ajrore, i kanë kaluar me certifikatë pronësie biznesmenit Idlir Karkini.
Në normalitet, në një zonë ushtarake, telat me gjemba dhe tabelat paralajmëruese të ndalojnë të kalosh përtej tyre. Por, kjo gjë nuk i ka ndaluar punonjës të shtetit dhe biznesmenë, që jo vetëm të kalojnë përtej poligonit të qitjes në Rreth-Greth, por edhe të përvetësojnë sipërfaqe të tëra me tokë, jo vetëm të pyjeve të Spillesë, por edhe të tokës rërë.
Zinxhiri i falsifikimit për të privatizuar bazën ushtarake përfshin ish-kryetarë të Komunës Kryevidh, regjistrues e noterë. Praktika është e njëjtë si edhe me formulën e përdorur edhe në parcelat e tjera me pisha.

Banorë të zonës përzgjidheshin duke ju marrë dokumentin e identifikimit, regjistrohej toka e më pas firmosej tjetërsimi i saj. Në fshatin Stërbeg, 7 kilometra larg bazës ushtarake jeton 74-vjeçari Rrahman Qoshja.
Sipas dokumentacionit të sekuestruar nga prokuroria ai është pronari që ja ka shitur bazën ushtarake biznesmenit Idlir Karkini. Por, i moshuari nuk di asgjë, nuk e njeh Karkinin dhe ka mësuar që i përkiste poligoni i qitjes kur e kanë thirrur në prokurori.
Rrahman Qoshja ra në kurthin e mashtrimeve tre vjet më parë, kur agronomi i zonës, Ilir Kaja i kërkoi kartën e identitetit për t’i regjistruar 900 metra tokë në fshatin Stërbeg. Madje, Kaja që gjendet nën arrest në dosjen e parë të skandalit të Spillesë e ka çuar edhe tek noteri.
“Kam hedhur firmën. Kam paguar 22 a 21 mijë lekë, por për tokën që kam këtu në fshat. Në Prokurori e mora vesh që isha pronar i poligonit. Jam habitur kur më ka thërritur Prokurori dhe i thashë që nuk e kam unë këtë tokë. Unë s’e kam dëgjuar dhe as e kam shitur. Nuk njoh asnjë person”, tregon Rrahmani.

Akoma më e habitur është Sanija, që gjithashtu sipas kësaj skeme është një nga njerëzit që i ka shitur poligonin Karkinit.
“Ku e dimë ne Poligonin se ku është?! Lirit i dhamë (kartat e identitetit), atij që bën letrat e tokës”, thotë Sanija.
Burimet e prokurorisë pohojnë se në këtë mënyrë janë përdorur të dhënat e 180 banorëve të fshatrave Domen, Zhabjak, Spille, Kryevidh dhe Spanesh, të cilët pa patur dijeni janë bërë pronarë ranishteje dhe pyjesh, që më pas janë regjistruar si tokë arë dhe u janë shitur të tretëve.
Por, situata duket më e rëndë në fshatin Shardushk, ku siç denoncojnë banorët një pjesë e tyre rezulton t’u kenë dhuruar kullotat e fshatit personave të panjohur prej tyre.
“Agron Xhelezi, Ilir Kaja dhe të tjerë që ishin staf i Komunisë. Na thanë që do të na bëjnë tokë shtesë. Kur shkuam në hipotekë për të kërkuar këtë pronë, përfundon e dhuruar toka në kontratë. Bëhet fjalë për pyjet që ndahen për kullota në fshat me vendim të Këshillit të Ministrave. Atyre u punojë mendja dhe bënë këtë. E gjithë kjo është bërë në 70 për qind të fshatit. Na kanë thënë që e ka marrë një person tjetër, por nuk e dimë”, thonë banorët e Shardushkut.
Për tokat e bregdetit të Spillesë, Prokuroria e Kavajës ka nën hetim 23 persona dhe kjo është vetëm maja e ajsbergut e abuzimit dhe vjedhjes që i është bërë njërës prej pjesëve më të bukura të bregdetit shqiptar.

Shuhet vajza 10-vjeçare e aksidentit në Velipojë

Rritet në 4 numri i viktimave të aksidentit tragjik të së dielës në rrugën Shkodër-Velipojë. Sot është shuar në spital edhe vajza e madhe e familjes Preka, e cila u godit shumë rëndë nga ky aksident. Noemi Preka e humbi betejën, nuk mundi të jetojë. As për nënën e saj që kërkon fëmijët vazhdimisht në spital. Dhe as për ata që luteshin.
Prej pasdites së dielë, vajza dhjetë vjeçe ishte në koma. Tre pjesëtarë të tjerë të familjes së saj u përcollën për në banesën e fundit të martën. Bashkë humbën jetën në aksidentin tragjik në Velipojë. Noemi Preka është fëmija i tretë i familjes që ndërron jetë.
Babai, Edmondi që drejtonte makinën humbi jetën në vend, pasi përplasja me një mjet tjetër tip “Fuoristradë” rezultoi fatale. Por atë natë në spital ndërruan jetë edhe djali tetë muajsh dhe vajza 5-vjeçe. Në spital ndodhet e plagosur nëna, Evisa Preka 36 vjeçe. Ajo është përmendur dhe mjekët thonë se është jashtë rrezikut për jetën, por jo në dijeni për tragjedinë. Të plagosur nga aksidenti i së dielës ishin edhe dy personat që ndodheshin në “Fuoristradë”, por jashtë rrezikut.

Bilanc lufte, 134 aksidente me 13 të vdekur dhe 162 të plagosur në janar

Muaji janar ka shënuar një rritje të numrit të aksidenteve me 12.6% krahasuar me një njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas INSTAT, në muajin janar 2018 numërohen 134 aksidente rrugore, nga 119 aksidente të ndodhur në janar 2017.
Ndërkohë numri i të aksidentuarve është 175 persona, nga 158 që ishte një vit më parë, duke u rritur me 10,8%. Krahasuar me numrin mesatar të aksidentuarve gjatë vitit 2017, ky numër është ulur me 19,6%.
Numri i personave të plagosur gjatë muajit janar 2018 është 162, nga 136 të plagosur në muajin janar 2017. Krahasuar me mesataren e personave të plagosur gjatë vitit 2017, ky numër është ulur me 18,6%.
Sipas INSTAT, në muajin janar 2018 numri i të vdekurve nga aksidentet është 13 persona, nga 22 që ishte një vit më parë për të njëjtën periudhë, duke u ulur me 40,9%.
Në janar 2018, aksidentet rrugore në 74,6% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit.
Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup mosha 45 – 60 vjeç, duke zënë 24,6% të numrit të aksidenteve rrugore, duke u rritur me 50,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shpërthim me eksploziv në një banesë në Krujë, s’ka të lënduar

Një shpërthim me eksploziv është regjistruar gjatë natës në lagjen “Bakushe Visha”. Tritoli është hedhur në oborrin e banesës së shtetasit me inicialet G.A. Ndërsa janë shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale. Policia ka marrë në pyetje pronarët e banesës për konfliktet e mundshme që mund të kenë pasur kohët e fundit, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit.
Zyrtarisht, Policia njofton se, salla e Komandimit Krujë është njoftuar se gjatë natës, në fshatin Halil, Fushë-Krujë është hedhur një sasi lënde plasëse në oborrin e banesës së shtetasit G.A. Janë shkaktuar dëme të vogla materiale, shtojnë të njëjtat burime, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorit.

Burime thanë se, nga hetimet paraprake, nuk rezulton që anëtarët e familjes të kenë ndonjë konflikt që mund të ketë sjellë në një hakmarrje të mundshme.
Ndërkohë, Policia sekuestroi 103 kg kanabis, një peshore elektronike, një armë gjahu tip çifte, 8 fishekë dhe një mjet tip “Benz” gjatë një aksioni, ndërsa ka arrestuar një person në Fushë-Krujë. Kanabisi ishte fshehur në 14 thasë në një banesë. I arrestuari është me inicialet V.P, ndërsa në kërkim janë shpallur edhe tre persona të tjerë me inicialet O.H, A.H dhe J.H, vjeç 31, 35 e 24 vjeç. Personat e shpallur në kërkim janë banorë në fshatin Fushë-Kuqe, Gurëz, Kurbin e fshatin Zall, Fushë-Krujë. Policia vijon operacionin për të arrestuar personat e tjerë, të cilët janë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Maskat lidhin burrë e grua, grabisin makinën dhe një shumë parash

Persona të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur në mesnatë një çift të moshuarish brenda banesës së tyre në fshatin Shirq të Shkodrës. Grabitësit kanë vjedhur me dhunë një sasi lekësh dhe automjetin e parkuar në oborr. I zoti i shtëpisë, Mark Alia rrëfen momentet e tmerrit, kur grabitësit i kanë vënë litarin në fyt, ndërsa e shoqja është tentuar të goditet me levë. “Mua më kanë hipur sipër dhe kanë dashur të më mbysin. Morën automjetin dhe dy çifte”, shprehet Mark Alia.
I zoti i shtëpisë tregon se grabitësit janë të njohur për të. Madje, thotë se babai i njërit prej grabitësve ka bërë punime në shtëpinë e tij dhe se ai për këtë nuk e fal. “Djalin nuk e fal, të atin e tij po. Më ka kërkuar falje”, thotë Mark Alia. Ndërkohë, policia pohon se emrat e grabitësve nuk bëhen të ditur pasi, hetimet vazhdojnë dhe dyshohet se ky grup ka kryer të tjera grabitje me armë.

Dy persona të armatosur kanë hyrë në banesë. Ishin edhe të maskuar. Fillimisht kanë shkëputur sinjalin e alarmit tek dera e oborrit dhe të kamerave. Më pas kanë mbyllur derën e shtëpisë time. Kanë hyrë brenda dhe më kanë vënë litarin në qafë. Më thanë se po lëvize të vrasim. Kishin një hekur në dorë që e mbanin për të më goditur në rast se do lëvizja. Më kanë lidhur. Kanë kontrolluar të gjithë shtëpinë, sepse donin para, por nuk ka e arritur që ta hapin kasafortën në banesë. Kanë marrë dy çifte, makinën dhe një orë dore.
Njërin prej tyre e njoh. Kristjan Marashi bashkë me babain kanë punuar më përpara në banesën time dhe e dinë sistemin dhe kasafortën. Babai ka ardhur në mëngjes dhe më ka kërkuar falje, duke më thëne se Kristjani nuk është më djali im. Babain e kam falur, ndërsa Kristjanin jo. Më kanë mbyllur derën e banesës se po të kisha dalë do i kisha vrarë të dy pa problem fare. Gruaja ime ka qenë në gjumë dhe nuk ka dëgjuar asgjë, sepse i kanë hedhur një ilaç për gjumin. Unë nuk i kam askujt borxh, kemi qenë vetëm dy të moshuar në banesë. Kur kam dalë kam patur një çifte të fshehur dhe kam qëlluar në ajër njëherë. Komshiu doli dhe njoftoi menjëherë policinë, sepse na kishin marrë edhe telefonin. Policia erdhi shpejt dhe i falenderoj që i kanë kapur shpejt. Këtu në zonë kanë ndodhur shumë vjedhje teksa kanë marrë bagëti, por edhe sende në banesa”, ka rrëfyer ai.

Trafik droge në Greqi, dy shqiptarë në pranga

Dy shqiptarë janë vënë në pranga, ndërsa një i tretë është shpallur në kërkim në dy operacione të ndryshme antidrogë të policisë greke. Në ishullin Rodos, një shtetas shqiptar u arrestua nga policia greke dhe një tjetër u shpall në kërkim për trafik droge. Policia sekuestroi 312 gr kokainë, 1700 euro, një automjet dhe dy motoçikleta që përdoreshin për shpërndarjen e drogës. Nga ana tjetër, dy shtetas grekë dhe një shqiptar janë vënë në pranga nga Policia në afërsi të Kapshticës.
Të arrestuarit akuzohen për futjen në territorin grek të 62,3 kg marijuane dhe 54 fara kanabisi. Për të njëjtën çështje më herët u arrestuan në Kozani dy shtetas grekë.