27.5 C
Tirana
E martë, 24 Qershor, 2025

Pse Irani ka frikë nga dervishët dhe kush janë dervishët Gonabadi?

Nematollahi Gonabadi konsiderohet rregulli më i gjerë sufist në Iran, me pjesëtarë të shumtë, duke përfshirë edhe në qytetet e mëdha siç janë, Teherani apo Isfahan. Sikur shumë iranianë, ata janë praktikues të islamit shiit. Ata luten pesë herë në ditë dhe agjërojnë muajin e Ramazanit. Në ritualet e tyre përfshihet leximi i poezisë shpirtërore. Dervishët Gonabadi, e shohin sufizmin si mënyrë të jetesës, përmes së cilës e gjejnë Zotin. Ata kundërshtojnë ashpër përdorimin e drogës dhe predikojnë tolerancën. Ata po ashtu mendojnë se feja dhe politika duhet të jenë të ndara. Lideri apo “shtylla” e tyre, është 90-vjeçari, Nurali Tabandeh, avokat i shkolluar në Paris, i cili ka mbrojtur shumë të burgosur para Revolucionit të vitit 1979. Dervishët kanë deklaruar se sigurinë e liderit të tyre e kanë “vijë të kuqe”. Në javët e fundit dhjetëra dervishë, kanë qëndruar jashtë rezidencës së tij në veri të Teheranit për ta mbojtur. Ata kanë thënë se janë të shqetësuar prej kohës kur disa agjentë, që besohet të kenë lidhje me organet e sigurisë, e kanë zënë rrugën e tij.

Pse Teherani i sheh ata si kërcënim?
Udhëheqësia e klerikëve të Iranit, ka kundërshtuar çdo grup që e ka konsideruar si rrezik për monopolin që ka në fe. Dervishët kanë deklaruar se rritja e popullaritetit të tyre, është arsyeja se pse shteti po i përball ata me presion. Ata pretendojnë të kenë 2 deri në 5 milionë anëtarë në Iran dhe më gjerë. Dervishët po ashtu kanë thënë se, komuniteti i tyre i lidhur shumë me njëri-tjetrin përbën kërcënim për autoritetet iraniane. Redaktori i Majzooban.org, me bazë në Australi, Farhad Nouri, i cili mbulon lajmet për sufizëm, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se liderët iranianë janë të shqetësuar edhe për faktin se dervishët mund të përdorin rrjetin e tyre për t’u mobilizuar kundër udhëheqësisë, e cila është përballur me protesta në rrugë në kohën e fundit. “Pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2009, për shkak të rritjes së mbështetjes për dervishët, për kandidatin presidencial, Mehdi Karrubi, udhëheqësia është e shqetësuar se dervishët mund të organizojnë aksione kundër regjimit”, ka thënë Nouri më 2013. Disa klerikë konservativë e kanë cilësuar sufizmin si rrezik për Islamin. Kleriku në Qom, Ajatollah Hossein Nuri Hamedani, ka thënë më 2006, se duke mos u kyçur në politikë, sufistët e dobësojnë Islamin. Anëtarët e linjës së ashpër kanë akuzuar dervishët, se janë duke u përdorur nga fuqi të huaja, për të shkaktuar trazira në shoqërinë iraniane. Më 2007, përmes një letre të publikuar nga një grup, anëtarët e së cilës e kanë cilësuar veten si seminaristë të Qom-it, kanë paralajmëruar për “rreziqet” e sufizmit dhe u kanë bërë thirrje autoriteteve të përballen “më ashpër” me këtë gjë. Ata kanë shtuar se, “Hezbollahu në Iran”, është i gatshëm të bashkëpunojë dhe t’iu ndihmojë zyrtarëve. Organizata, Amnesty International, ka thënë se është rritur persekutimi i dervishëve, pas një fjalimi të liderit suprem, Ali Khamenei, në tetor të vitit 2010, i cili ka kundërshtuar “grupet e reja të misticizmit të rremë”. Sufistët, që besojnë se një person mund të arrijë kontakte direkte me Zotin dhe myslimanët ortodoksë, po përballen një kohë të gjatë me mosmarrëveshje në Iran. Tensionet janë përkeqësuar prej krijimit të Republikës Islamike, me ç’rast toleranca për sufistët është zvogëluar.

Me çfarë lloji të presionit përballen ata?
Dervishët janë ankuar për presion shtetëror dhe keqtrajtim ndër vite. Disa prej objekteve ku ata janë lutur janë shkatërruar në vitet e kaluara, derisa qindra anëtarë janë ndaluar dhe dhjetëra prej tyre janë burgosur. Në vitin 2006, një shtëpi e lutjes së sufitëve, është shkatërruar në Qom dhe 1,000 dervishë janë ndaluar, pas përleshjeve, në të cilat janë raportuar 100 të lënduar. Autoritetet kanë supozuar, se sufistët në mënyrë joligjore kanë kthyer ndërtesën presidenciale në një qendër të shërbimeve të tyre fetare dhe kanë refuzuar të dalin nga aty. Dervishët po ashtu kanë akuzuar autoritetet për përjashtim të përkrahësve të tyre nga punët shtetërore dhe u kanë ndaluar studimet universitare, për shkak të lidhjeve të tyre me rregullin Gonabadi.

A i kanë rezistuar dervishët një presioni të tillë?
Shumë dervishë i kanë rezistuar presionit shtetëror të Iranit duke mbajtur protesta publike, greva urie apo thjesht duke nisur letra për të kërkuar më shumë të drejta.
Si i sheh komuniteti ndërkombëtar?
Presioni ndaj dervishëve është cituar edhe në disa raporte të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut në Iran, por edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit.
Grupet për të Drejtat e Njeriut, e kanë akuzuar Iranin për shkelje të të drejtave të minoriteteve në këtë vend. Irani i ka hedhur poshtë akuzat.

Çka dimë për rastin e fundit të dhunës, duke përfshirë sulmin me një autobus?
Përleshjet e fundit janë raportuar, pasi disa dervishë, kanë protestuar për arrestimin e njërit prej anëtarëve të tyre, i cili ka udhëtuar në Teheran për ta mbrojtur rezidencën e Tabandehut. Agjencia e lajmeve Fars, e cila ka lidhje me Gardën Revolucionare Islamike, ka raportuar se një ndjekjes i sufizmit, ka përplasur një autobus drejt një grupi të zyrtarëve policorë më 19 shkurt, duke vrarë tre persona para se të arrestohej. Përmes një postimi në Telegram, Majzooban.org, ka mohuar përfshirjen e sufistëve. Mirëpo, anëtarët e rregullit sufist Gonabadi, janë cituar të kenë thënë nga mediet iraniane, se të paktën një anëtar i tyre është vrarë nga forcat e sigurisë në përleshjet e fundit. Redaktori Nouri, i ka thënë Radios Farda, se dervishët nuk kanë qenë të përfshirë dhe se aktivistët opozitarë mund të kenë pasur qëllim krijimin e dhunës, duke i cilësuar ata si fajtorë. “Kanë qenë disa grupe opozitare, të cilat kanë pasur qëllim krijimin e akteve të dhunshme kundër udhëheqësisë”, ka thënë Nouri në një intervistë përmes telefonit për Radion Farda, e cila funksionon në kuadër të Radios Evropa e Lirë. Ai ka thënë se dervishët nuk kanë nxitur kurrë dhunë në dekadën e kaluar, pasi “mezi e kanë mbrojtur veten”. I pyetur për videot në të cilat shihen disa dervishë me thika ai ka thënë: “Kur jeni duke u sulmuar, nuk kemi çfarë të bëni tjetër përveç se të mbroheni”. “Dervishët besojnë se të gjithë janë të lidhur me njëri-tjetrin dhe kur njëri sulmohet të gjithë vrapojnë për t’i ndihmuar”, ka shtuar ai.

Willian: Barcelona është e mirë edhe pa Neymar

Barcelona është ende e frikshme, edhe pa Neymar, sipas sulmuesit të Chelsea, Willian. Goli i minutës së 62-të i Willian u barazua nga ai i Lionel Messit, pasi ekipet sigluan rezultatin 1-1 në “Stamford Bridge”, në ndeshjen e parë të 1/8 finale të Ligës së Kampionëve. Ylli i Brazilit, Neymar, mund ta ketë lënë Barçën për PSG-në verën e vitit të kaluar, por Willian beson se gjigantët spanjollë mbeten një nga ekipet më të mira të planetit. “Mendoj se Barcelona është Barcelona, me ose pa Neymar, tha Willian. Sigurisht, Neymar është një lojtar i madh, por ata kanë Messin, kanë Iniesta, kanë Suarez. Ata kanë lojtarë me të vërtetë të mirë, kështu që Barcelona është gjithmonë Barcelona”. Ndërsa hapi rezultatin, Willian, gjithashtu, e goditi dy herë shtyllën e portës katalanase gjatë përplasjes së të martës. Dhe pavarësisht dështimit të Chelsea për ta mundur Barçën, 29-vjeçari ende beson se ekipi i tij mund të arrijë në çerekfinale, me një rezultat pozitiv në “Camp Nou”, më 14 mars. “Sigurisht, ne mund të shkojmë atje dhe të bëjmë një punë të madhe, përsëri. Do të jetë një lojë krejtësisht e ndryshme, tha Willian. Mendoj se mund të shkojmë atje me këtë mentalitet, mund të luajmë me shpirt të madh dhe të përpiqemi të fitojmë ndeshjen”.

Nishani: Skandali që po fshihet, qeveria ka parashikuar ndarjen e territorit shqiptar me Greqinë

Pas disa denoncimesh publike se Qeveria Shqiptare nuk ka zbatuar Vendimin e Gjykatës Kushtetuese (GjK) Nr 15, dt. 15.04.2010 mbi “Marrëveshjen e Detit me Greqinë” për marrjen e Autorizimit të Plotfuqishmërisë, kjo e fundit u detyrua të dërgoj një kërkesë formale tek Institucioni i Presidentit të Republikës. Në të dy aspektet, si atë formal procedurjal ashtu dhe atë përmbajtësor ajo kërkesë përveçse konfirmon shkeljen e vendimit kushtetues, demonstron fyerjen arrogante dhe tentativën për të përdhosur Institucionin e Kreut të Shtetit. Kërkesa tallëse e qeverisë konfirmon faktin se prej 3 (tre) vitesh paskan biseduar dhe negociuar për Marrëveshjen pa denjuar të marrin Autorizimin Presidencial siç detyron GjK.

Ja çfarë shkruan Qeveria Shqiptare në letrën drejtuar Presidentit, citoj: “Diskutimet e deritanishme për çështjen e delitimimit të hapësirave detare nevojitet të konkretizohen me negociata mes palëve”.  Por le të kujtojmë se çfare ka kërkuar qeveria e sotme kur ishte në opozitë në kërkesën e saj drejtuar GjK, citoj ; …..”grupi negociator shqiptar, gjatë bisedimeve dhe në momentin e lidhjes së marrëveshjes nuk ka qenë i pajisur me plotfuqi nga Presidenti i Republikës. Si rrjedhojë, grupi negociator nuk ka pasur autorizim nga organi kompetent për të hyrë në bisedime me palën greke dhe aq më pak për të lidhur marrëveshje mbi delimitimin e hapësirave detare. Mungesa e plotfuqisë, sipas kërkuesit, e bën marrëveshjen antikushtetuese”, … thoshte qeveria e sotme atëhere në opozitë përpara Gjykatës.

Këto dy qëndrime konfirmojnë shkeljen e vendimit të GjK nga ana e Qeverisë Shqiptare gjatë gjithë këtyre kohëve të negocimit me palën greke mbi Marrëveshjen e Detit.
Ndaj ajo lloj kërkese nga ana proçedurjale është një tentativë për tu tallur me Institucionin e Presidentit. Por pse ajo kërkesë është skandaloze dhe nga pikpamja përmbajtësore? Shih se çfarë thotë vendimi i GjK, citoj :…”37. Gjykata çmon se qëllimi i plotfuqisë është dhënia e autorizimit nga organi kompetent për të biseduar me palën tjetër për çështje që caktohen shprehimisht në objektin e plotfuqisë. Përfaqësuesit e shtetit që pajisen me plotfuqi janë të autorizuar të bisedojnë vetëm për aq sa është përcaktuar në mandatin e dhënë për përfaqësim”. Por kërkesa e dërguar tek Presidenti nuk ka asnjë çështje të renditur shprehimisht për të cilën do vazhdohet bisedimet madje nuk ka se as cilët janë “përfaqësuesit e shtetit” që do të bisedojnë.

Qeveria vallë i mban “sekret” nga Kreu i Shtetit këta përfaqësues të shtetit?!! Nga përgjigjja e Presidentit të Republikës kuptohet se në kërkesën e saj drejtuar Presidentit, Qeveria nuk ka respektuar në shumicën e tij vendimin e GjK. Ajo që po fshihet dhe që ende nuk po denoncohet ka të bëjë me faktin e rëndë se Qeveria Shqiptare ka negociuar deri tani ndarjen e Shelfit Kontinental të Shqipërisë.
Pra është parashikuar ndarja e territorit shqiptar. Qytetarët duhet ta dinë se Shelfi Kontinental është vijimi i territorit tokësor në tabanin e detit që sipas konventave ndërkombëtare Shqipërisë i takon rreth 13 mijë km2 të cilat i shtohen sipërfaqes 28 mijë km2.

Pikërisht në Shelfin Kontinental Shqiptar gjënden burimet e mëdha të naftës dhe gazit që në shkëmbim të neutralitetit të shkëmbinjve të Barketës ato po u jepen Greaisë. Ndarja e Shelfit Kontinental të Shqipërisë përbën një SKANDAL me përmasa të cënimit të integritetit territorjal të vendit. Nga letra e Presidentit mësojmë se Qeveria Shqiptare deklaron se nga pala zyrtare greke ka pretendime territorjale ndaj Shqipërisë!!! Ky është një SKANDAL tjetër i paimagjinuesh deri me sot që tregon se në çfarë derexheje është katandisur niveli i një ministri në Republikën e Shqipërisë. Të njehësosh përçartjet haluçinante të grupimeve ekstremiste pa identitet me qeverinë apo zyrtarë të shtetit grek është një lajthitje po aq halucinante sa ajo e ekstremistëve neonazist në vendin fqinj. Në këtë situatë të rrezikshme ku është përfshirë integriteti territorjal i Shqipërisë qëndrimi më i fundit i Presidentit të Republikës duhet mbështetur dhe inkurajuar. Qeveria Shqiptare jo vetëm duhet të përgjigjet për kërkesat korrekte dhe kushtetuese të Kreut të Shtetit por me çdo kusht duhet ti paraqesë Presidentit hartën e Shelfit Kontinental të Shqipërisë mbi të cilën ka bërë deri tani pazarin politik.

SHBA: Të zhgënjyer nga Rama, po dëmton Shqipërinë

Ambasada e SHBA reagon pas deklaratës së kryeministrit Rama për një President të përbashkët mes Shqipërisë e Kosovës.
Deklarata e Ambasadës
Ambasada e SHBA mbeti e zhgënjyer nga deklarata e Kryeministrit Rama mbi Shqipërinë dhe Kosovën me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Gjuha e shkujdesur që aludon për bashkim është e padobishme dhe dëmton marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet fqinje. Ne i bëjmë thirrje udhëheqësve që të jenë fqinjë të mirë dhe të lënë mënjanë gjuhën ndarëse të së shkuarës.

Përplasja tek Blloku, flet Neritan Ceka: Protestuesit menduan se Nexhmija kishte bërë grusht shteti, si i tërhoqa

Neritan Ceka ka rrëfyer historinë e 21 shkurtit të vitit 1991, kur një grup protestuesish kërkonin të hynin në Bllok. “Më duket sikur ajo ngjarje ka ndodhur dje. Ka njerëz që thonë më mirë t’i kisha lejuar njerëzit të shkonin drejt Bllokut. Më 21 shkurt e gjithë Shqipëria kishte ardhur në Tiranë pas rrëzimit të bustit. Pati disa të shtëna nga Blloku dhe siç ndodhte në atë komunikim vesh më vesh, ishte më i shpejtë se media dhe u përhap lajmi se kishte ndodhur një grusht shteti. Sipas asaj që u tha, ishte se pushtetin e kishte marrë Nexhmije Hoxha dhe Sulo Gradeci. Ky ishte motivi që njerëzit shkuan, jo për të sulmuar Bllokun, por për të kërkuar që të mos vendosej diktatura”, rrëfen Ceka për Report TV. Ceka ka rrëfyer edhe momentin kur nxori djalin e tij për t’i treguar turmës se nuk kishte një grusht “Ka pasur edhe njerëz të tjerë që kërkuan të frenonin turmën. Nuk kam qenë unë i vetmi. Kur ishte formuar kordoni i Policisë dhe kishte dalë garda nga garnizonet, nga PD kishin ardhur disa persona si: Agron Çika, Bashkim Sala, Pëllumb Karameta, gjeta edhe disa intelektualë si Edmond Budina, të cilët po mundoheshin të ndalonin popullin. Unë pata refleksin të kërkoj një megafon nga Policia. Pyeta Policinë, në atë kohë komandant ka qenë Sejdo Brahimaj, që më dha informacionin që nuk ka ndodhur asgjë. Kishte pasur një kalim të një motoçiklete, që kërkonte të kalonte në Bllok dhe rojet kishin shtirë në ajër dhe nga alarmi që ishte dhënë në Bllok kishte dalë Garda.

I thashë: Më thua të vërtetën? Sepse unë do të shkoj t’i them popullit të tërhiqet, pra që nuk ka grusht shteti dhe nuk e ka marrë pushtetin Nexhmije Hoxha. Më tha “Absolutisht jo, Nexhmije Hoxha ka shkuar në Dajt”. I kishte shpërngulur një natë më parë Ramiz Alia të gjithë familjet e Bllokut. Mora megafonin, hipa në makinën e PD, i bëra thirrje popullit, por asnjë nuk tërhiqej. Në atë kohë u shfaq gruaja ime me djalin, i cili po kthehej nga kopshti. Kërkova djalin dhe i thashë popullit: Ky është djali im. Po shkoj unë i pari dhe keni për të parë që do të qëllojnë dhe le të jem unë dhe djali im dëshmorët e parë të demokracisë. Atëherë e gjithë turma thirri “kthehemi, kthehemi”, ka sqaruar Ceka.

Edi Rama rrezikohet nga një sëmundje e rëndë

Nga Lavdrim Lita
Kryeministri Edi Rama rrezikohet nga një sëmundje e rëndë. Është e njëjta sëmundje që prek regjizorët, aktorët dhe spikërat e lajmeve: rrezatimi i tëpërt ndaj kameras. Është një sëmundje profesionale. Nuk është vetëm perceptim gazetaresk i daljeve të shumta të zotit Rama në lidhje drejtpërdrejt. Ka edhe të dhëna. Kryeministri Edi Rama ka konsumuar ditëm e sotme tre dalje në ERTV, dy vet-intervista “eskluzive” në Tv Klan dhe Top Channel, për ta përmbyllur me 30 minuta në ABC në emisionin e ri, Provokacija të Mustafa Nanos. Të gjitha të marra së bashku bëjnë 4 orë Live. Në 18 prill të 2017, Emisioni ‘Ajsberg’ në News24, i gazetarit, Artur Cani regjistroi minutazhin që ka shpenzuar Km Rama për vetëm 15 ditë të muajit prill. Nga kjo doli se, KM Rama ka folur afërsisht 8 orë diskutim live vetëm në një gjysmë muaji, ose 34 minuta live në ditë. Gjatë fushatës zgjedhore, sipas KQZ, KM Edi Rama ka folur 53 orë televizive. Në datën 16 tetor 2017, është matur me telemetrix se më pak se 24 orë, Kryeministri i foli drejtpërdrejt popullit të tij për 285 minuta, ose 4 orë e treçerek.
Përmes ekranit të vogël të televizorit, KM Edi Rama ka hyrë në shtëpitë tona duke kaluar përmes kuzhinës, dhomës së ndenjes apo dhe dhomës së gjumit e duke përhapur kështu aromën e ndikimin e tij retorik.

Revolta e socialistëve në PS e Kukësit, nuk pranojnë Ramën: Koha e monizmit ka vdekur

PS e Kukësit është në revoltë dhe kundër Ramës e të dërguarve të tij. Rama shpalli zgjedhje të reja për Asamblenë e PS në Kukës pas sherreve mes grupeve brenda partisë, por kjo nuk është pranuar nga PS e Kukësit. Ato e kanë konsideruar të papranueshëm këtë vendim të Ramës.

Deklarata e PS-Kukës
Nisur nga prononcimi ne media i z. Taulant Balla per situaten ne Kukes dhe vendimet e Kryesise se PSSH per Kukesin bejme kete deklarate per publikun. Prisnim zgjidhje te problemeve tona nga kryesia por prape mendojme se ato deklarime nuk jane vendime te kryesise port e z. Taulant pasi: Zgjedhjet ne PS Kukes kane perfunduar para tre muajsh dhe jane konstituuar. Nuk ka mundesi te shkarkohet nje asamble dhe te behet nje e re vetem per z. Safet Gjici dhe z. Balla. Pasi kohe e Monizmit ka perfunduar. Nuk pranojme ndeshkime te pa argumentuara dhe me telefon pasi partia socialiste si institucion funksionon nepermjet Statutit dhe egziston ne perberje te tij nje komision per garancite statuore.
Ne asamblene e PS Kukes jane te gjithe te zgjedhur me vote te lire dhe me nje process te rregullt ne zbatim te statutit te PS dhe deklarimi juaj per te zgjedhurit e Asamblese Kukes “ te pashkolle” nuk qendron. Nese ti z. Balla kerkon te formosh nje parti te re mund te krijosh dhe nje asamble te re por me keto veprime jovetem PS Kukes eshte ne krize por e gjithe partia socialiste e Shqiperise do te shkoje ne krize. Presim zgjidhje te problemeve tona dhe jo anashkalime dhe ndeshkime te panevojshme te cilat i marrim vesh ne media dhe jo zyrtarisht.

Henry: Neymar të ndryshojë sport

Thierry Henry ndau tri sezone me Leo Messin, në të cilët mundi të shihte se si ylli nga Rosario e kalonte atë. Ish-lojtari i Arsenalit dhe Barçës tha se ndeshja mes Chelsea dhe skuadrës katalanase rihap debatin që ekziston në lidhje me faktin nëse Neymar mund të arrijë nivelin e ish-shokut të tij. “Nuk e di nëse Neymar e la Barcelonën që të mos mbetet në hijen e Messit, por e di se të gjithë lojtarët janë në hije të Messit. Nëse Neymar nuk dëshiron të qëndrojë në hije të Messit, ai duhet të ndryshojë sport”, tha Henry. Francezi i njohur gjithmonë është karakterizuar nga lavdërimet e tij ndaj “Rosarino”, madje tha se duhet të jetë i kujdesshëm për të mos shikuar lëvizjet e tij në çdo trajnim.

Heynckes ka sërish vlerësime për Besiktas

Jupp Heynckes këmbëngul se Bayern Munich nuk do të marrë asnjë rrezik kundër Besiktas, megjithë turpërimin e vizitorëve turq, 5-0, në ndeshjen e parë të 1/8 finale të Ligës së Kampionëve. Kampioni gjerman, Bayern, e lehtësoi punën për sfidën e kthimit, teksa shënoi pesë gola në ndeshjen e së martës, në Mynih, pasi Besiktas u reduktua në 10 lojtarë, në fillim të ndeshjes. Çdo shpresë për një rezultat konkurrues në “Allianz Arena” u thye kur Domagoj Vida e pa të kuqin në minutën e 16-të. Megjithatë, trajneri Jupp Heynckes nuk pranoi të largohej shumë pas ndeshjes, edhe pse Bayerni bëri 14 fitore të njëpasnjëshme në të gjitha garat. “Është shumë e vështirë për çdo skuadër të luajë në Ligën e Kampionëve me 10 lojtarë, tha Heynckes, pas ndeshjes. Unë ende besoj se Besiktas është një ekip shumë i mirë, me shumë lojtarë me përvojë, që kanë luajtur në të gjithë Europën. Jam shumë i lumtur që kemi fituar kaq pastër ndaj një ekipi të tillë. Ne do të vazhdojmë të përgatitemi normalisht për kthimin. Ju nuk mund të merrni ndonjë rrezik në Ligën e Kampionëve. Unë mendoj se kemi parë dy pjesë loje të ndryshme. Në gjysmën e parë të ndeshjes nuk kishte asnjë tempo në lojën tonë. Hapësira para pushimit na dha një avantazh psikologjik dhe në pjesën e dytë kemi parë një ekip tjetër të Bayernit, kemi shënuar disa gola të mëdhenj dhe luajtëm futboll të mirë. Sigurisht, jam i kënaqur me performancën”.

Conte mbron Christensen

Andreas Christensen i kushtoi Chelsea fitoren kundër Barcelonës, në Ligën e Kampioneve, të martën, por Antonio Conte përshëndeti “performancën e pabesueshme” të mbrojtësit. Pas një ekspozite mbrojtëse të pastër në “Stamford Bridge”, ku kampionët e Premier League udhëhoqën me golin e Willian, Christensen bëri një gabim, kur kishin mbetur edhe 15 minuta për t’u luajtur. Kapiteni i Barcelonës, Andres Iniesta, më pas ngriti Lionel Messin për të mposhtur Thibaut Courtois. Katalanasit shënuan një gol vendimtar, për ta pritur më të qetë ndeshjen e kthimit më 14 mars. Conte la kapitenin Gary Cahill në stol, por italiani tha se nuk u pendua për përzgjedhjen e Christensen në zemër të një mbrojtjeje me tre. Danezi ndërkombëtar ishte i rrethuar nga Antonio Rudiger dhe Cesar Azpilicueta. “Ishte një shfaqje e shkëlqyer, një performancë e pabesueshme, tha Conte në një konferencë shtypi, pas ndeshjes. Ai është vetëm 21 vjeç dhe luan shkëlqyeshëm. Ishte një nga lojtarët më të mirë, luajti një ndeshje të nivelit të lartë dhe unë jam shumë i kënaqur për performancën e tij. Barcelona kishte një shans në pjesën e parë me Paulinhon dhe pastaj, në pjesën e dytë, me Luis Luis Suarez. Mendoj se kemi luajtur një lojë vërtet të mirë dhe duhet të jem i kënaqur, sepse lojtarët e mi bënë një përpjekje të madhe. Ata ndoqën planin, programin që ne kishim përgatitur.

Barcelona tregoi se është një ekip shumë i fortë, një ekip fantastik. Rezultati nuk na favorizon, por mendoj se mund të bëjmë diçka të pabesueshme në “Camp Nou”. Conte nuk e bëri ndryshimin e tij të parë deri në minutën e 83-të. Alvaro Morata zëvendësoi Pedron, me Danny Drinkwater, pastaj, duke ardhur për ish-mesfushorin e Barçës, Fabregas. Por Conte, i cili nuk e ka përdorur zëvendësimin e tij të tretë, me Olivier Giroud në mesin e lojtarëve të mbetur në stol, përsëriti se “vendosi një sulm me tre: Willian, Pedro dhe Eden Hazard. Pa gabimin tonë, Barça po luftonte për të krijuar një shans për të shënuar, vijoi Conte. Ne u përpoqëm të shfrytëzonim situatën, mos harroni që e goditëm shtyllën e portës kundërshtare dy herë. Pra, ishim edhe të pafat. Tre sulmuesit tanë luajtën shumë mirë, bënë një ndeshje fantastike”.