25.5 C
Tirana
E martë, 24 Qershor, 2025

Moska: Marrëdhëniet SHBA-Rusi vështirë se do të përmirësohen

Rusia ka thënë sot se do të jetë “shumë e vështirë” për të rregulluar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, të cilat aktualisht janë në nivelin më të ulët prej periudhës së Luftës së Ftohtë. Të dyja vendet kanë qëndrime të kundërta lidhur me krizën në Siri dhe Ukrainë, por edhe lidhur me akuzat për ndërhyrje ruse në zgjedhjet presidenciale në SHBA më 2016.
Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, ka akuzuar Uashingtonin për siç ka thënë ndërhyrje në çështjet e brendshme të Rusisë, pak muaj para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në këtë vend. Shtetet e Bashkuara kanë paditur 13 rusë lidhur me supozimet se kanë ndërhyrë në zgjedhjet amerikane. “Paradoksalisht, amerikanët janë duke marrë hapa për të ndërhyrë në çështjet tona të brendshme dhe duke përkeqësuar tensionet në marrëdhëniet bilaterale, pak kohë para zgjedhjeve presidenciale” që do të mbahen më 18 mars në Rusi, i ka thënë Ryabkov agjencisë së lajmeve, “Interfax”. “Pavarësisht kësaj, ata vazhdojnë që pa bazë dhe pa të dhëna të akuzojnë për ndërhyrje në procesin e tyre zgjedhor”, ka thënë ai. “Natyrisht, neve në Moskë na vjen keq për këtë gjë”, ka thënë ai duke iu referuar sanksioneve potenciale kundër 13 rusëve që janë paditur javën e kaluar në kuadër të hetimeve të qeverisë federale në SHBA.

“Do të jetë shumë e vëshirë për të rregulluar marrëdhëniet me SHBA-në, bazuar në gjendjen momentale”, ka thënë Ryabkov. Disa komitete kongresionale në SHBA dhe prokurori special, Robert Mueller janë duke hetuar supozimet për ndërhyrje ruse në zgjedhjet presidenciale në SHBA, si dhe për ndonjë bashkëpunim eventual në mes të fushatës së Trumpit dhe Rusisë. Moska ka kundërshtuar se ka pasur ndonjë rol në këto ndërhyrje.

Sëmundjet e stomakut, ushqimet që mbajnë larg mjekun

Për sëmundjet e stomakut mund të themi se janë të shumta në numër dhe të ndryshme nga njëra-tjetra. Për mjekimin e tyre, mjekësia popullore iu vjen në ndihmë me disa kura popullore, të cilat mund t’i përgatitni lehtësisht. Stomaku gjendet në pjesën e sipërme të barkut, nën brinjë dhe diafragmë dhe lidhet me gurmazin dhe zorrët si një kanal i përbashkët, i cili vazhdon deri në anus. Stomaku ka formën e një qeseje, ndërsa madhësia e tij ndryshon sipas moshës dhe gjinisë. Stomaku është në gjendje të zgjerohet dhe të mbajë lëndë ushqimore në sasi deri në disa litra. Mjekët popullorë kanë shpjeguar sëmundjet që shfaqen në stomak, si dhe kurat popullore për shërimin e tyre. Mënyra e të ushqyerit dhe ushqimi që konsumon çdo njeri janë shkaktarët kryesorë të kësaj sëmundjeje. Ngrënia e tepruar, mospërtypja mirë e ushqimit nga goja, kur përdoren ushqime të rënda, të nxehta, të ftohta, ngacmuese, shumë të ëmbla, mish, peshk, patate, perime të kalbura, duhan, alkool, hudhra, kafe, salcë, shkaktojnë gastrit akut. Gastriti akut ka këto shenja dobësim trupor, të vjella, dhembje në pjesën e sipërme të barkut, ndjesi thartire dhe djegie në stomak. Gastriti kronik është pezmatimi i stomakut për një kohë të gjatë, si pasojë e proceseve akute, sidomos kur stomaku rëndohet me ushqime të tepërta, të nxehta dhe të forta. Sëmundja shkaktohet nga humbja e oreksit, të vjellat, rëndimi i ushqimit në bark, thartia në stomak, dhembjet e kokës, etj. Ulçera e stomakut shkaktohet si pasojë e gastritit kronik, ku zhvillohen puçrra në cipën e stomakut ose në pjesën fillestare të zorrës së hollë (duoden). Kjo është një sëmundje nga e cila stomaku preket më shpesh.

Kura të dobishme për ulçerën e stomakut
Personat më të prekur nga sëmundja e ulçerës në stomak janë pikërisht meshkujt. Ende nuk dihet shkaku i vërtetë i shfaqjes së saj. Por, meqenëse ulçera në më të shumtën e rasteve është e pranishme te personat që konsumojnë pije alkoolike, mendohet se mund të jetë kjo arsyeja, pse ajo është më e përhapur te meshkujt. Njerëzve që vuajnë nga ulçera në stomak nuk u rekomandohet të pinë kafe. Konsumimi i saj do të ishte e dëmshme për shëndetin e tyre. Gjithashtu, nuk u këshillohet përdorimi i aspirinave. Njerëzit që konsumojnë alkool dhe që vuajnë nga kjo sëmundje duhet të tregojnë një kujdes të veçantë. Alkooli i marrë me aspirinën ose analgjezikë të ngjashëm rrit rrezikun për gjakrrjedhje nga stomaku.

Mjalti
Një prej mundësive të pakta që përdoret për kurimin e ulçerës në stomak është mjalti. Vetitë e tij kuruese janë të dukshme, nëse ai përdoret të paktën 4 lugë çaji mjaltë në ditë. Ky përfundim u bë i ditur pas shpalljes së rezultateve të një studimi të kryer në Zelandën e Re. Në të morën pjesë më shumë se 2000 pjesëmarrës, në të cilin u vërtetuan efektet pozitive të tij. Mjalti kishte në përbërje të tij elementë, të cilat kishin efekt rigjenerues, sidomos te plagët. Ai i pastronte ato dhe i mbronte nga infeksionet e ndryshme. Për kurimin e kësaj sëmundjeje, shpesh mjalti mund të përdoret me lëngun e gjetheve të murrizit. Çaji i këtyre gjetheve, duke u përzier me një sasi mjalti duhet lënë për 24 orë në një enë dhe më pas pihet nga 1 lugë çdo mëngjes.

Ulliri veti kuruese për stomakun
Jo më kot, ulliri është cilësuar si një ndër bimët mrekulluese. Gjethet e ullirit dhe lëvoret e degëve përmbajnë taninë dhe kanë shije të hidhur. Ato kanë veti rrudhëse, tonike dhe antipiretike. Përdoren me rezultate shumë të mira kundër arteriosklerozës, tensionit të lartë të gjakut dhe në rastet e sëmundjeve me temperaturë. Ato kanë veti direkte dhe pakësojnë sasinë e sheqerit në gjak.

Bananet ulin aciditetin e stomakut
Bananet janë shumë të rëndësishme në përdorimin kundër hemorragjisë cerebrale, po ashtu ato ulin tensionin e lartë, ulin aciditetin e stomakut, si dhe ndihmojnë kundër diarresë. Në qoftë se vuani nga tensioni i lartë, duhet të mendoni gjithmonë për frutin tropikal të bananes. Dielli është ai që ngre tensionin, ndërsa banania bën të kundërtën e tij. Studimet kanë treguar se, banania është një frut shumë i pasur me kalium dhe si e tillë ajo ndihmon në uljen e rrezikut të hemorragjisë cerebrale. Banania është burim kaliumi, një frut i tillë ka 396 miligramë ose 11 për qind të mineraleve të nevojshme të një dite. “Dy deri tri banane në ditë janë optimale”, thotë biofisikanti David Young. Nëpërmjet këtij fruti ndodh ulja e ndjeshme, që shkakton kundër aciditetit të lartë në stomak. Banania mbron stomakun, pasi arrin të bllokojë bakteret që mund të jenë aktive në të.

Drama e 20 mijë familjeve në prag urie, Basha takon familjet në Kamëz: Jemi në emergjencë kombëtare

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vizitoi disa familje ekstremisht të varfra, të cilat janë hequr padrejtësisht nga skema e ndihmës ekonomike. Dëshmitë tronditëse të grave kryefamiljare, të mbetura pa asnjë ndihmë, të nënave që nuk kanë bukë për fëmijët tregojnë lënien në mëshirë të fatit nga qeveria të më shumë se 20 mijë familjeve në të gjithë vendin. Marie Gjoka është një nënë e vuajtur, që tregon historinë tronditëse sesi ngeli pa asnjë të ardhur, pas vdekjes së bashkëshortit të sëmurë, në përpjekje për të marrë KEMP-in ditën që bashkëshorti u nda nga jeta. “Marije Gjoka: Kisha burrin për KEMP dhe vdiq ditën që ia lidhën dhe vajta të kërkoja KEMP-in që ta varrosja dhe nuk ma dhanë. Më dhanë vetëm 50 mijë lekë për me e varros. Nuk e di nga t’ia mbaj. Ka ardhur kulmi.” Në bashkinë e Kamzës, ku Basha vizitoi familjet në skamje, janë hequr në janar rreth 780 familje nga skema e ndihmës ekonomike, por askush prej tyre nuk e di arsyen, edhe pse ata janë njësoj të varfër. Në frigoriferët apo dollapët e vjetër të Shpresa Arapit, Artur Rungos, Donika Shetës nuk ka asgjë për të ngrënë.

“Basha: Për çfarë u thanë që skeni pikë mjaftueshëm? U dhanë shpjegim?
Shpresa Arapi: Jo fare. Kemi mbetur pa asnjë lek. Nuk kemi asgjë dhe frigoriferin e kam bosh.
Basha: Pra, pa ndihmën ekonomike, ju do t’ju presin edhe dritat dhe ujin. Ose do t’ju marrin do t’ju çojnë në burg. Kjo është e papranueshme.”
“Bashkëshortja e Artur Rungos: Listën e kam bërë të gjatë në dyqan dh s’kemi me çfarë të paguajmë. Vetëm me borxhe dhe asnjë lloj ndihme.
Basha; Nuk u dhanë shpjegim pse ua hoqën ndihmën?
Artur Rungo: Jo fare, asnjë shpjegim.”
“Basha: Kishit ndihmë ekonomike?
Donika Sheta: Kisha, por ma kanë hequr tani.
Basha: Po pse ta kanë hequr?
Donika Sheta: Më thanë që nuk plotëson kushtet. Nuk e di çfarë kushtesh, kur unë s’kam asgjë, asnjë kusht për të jetuar. Thanë nuk plotëson pikët. Nuk kam as lavatriçe, as dush. Asgjë nuk kam.
Basha: Po të ardhura të tjera përveç ndihmës ekonomike keni pasur?
Donika Sheta: Kam vetëm 20 mijë lekë pension të vjetra.”
Pak ditë më parë qeveria deklaroi se ka hequr nga skema e ndihmës ekonomike ata që nuk e meritojnë, por dëshmitë në familjen e Pranvera Tetovajt dhe Gëzim Ukdashit tregojnë për një situatë katastrofike, ku iu është prerë edhe uji i pijshëm.

“Pranvera Tetovaj: Nënën e kam të paralizuar. Asistencën ma kanë hequr. Lekët e përmbytjes nuk i kemi marrë. Skam asgjë, as dyshek për nënën.“
“Bashkëshortja e Gëzim Ukdashit: Edhe ujin na e kanë ndërprerë. Kush të na japë ndonjë pikë ujë, e marrim. S”kemi lekë të blejmë një thes miell, pale dritat dhe ujin.
Basha: Prandaj kemi ardhur, në rradhë të parë t’i tregojmë botës kujt ia kanë hequr ndihmën, njerëzve më të pamundur dhe kjo është kriminale. Kjo do të thotë t’ju kërcënojë me bukën e gojës. “
Partia Demokratike e konsideron një emergjencë kombëtare mbetjen pa asnjë të ardhur dhe heqjen e ndihmës shtetërore të mbi 20 mijë familjeve dhe për këtë arsye ka kërkuar një debat urgjent me kryeministrin.

Ushqimet që forcojnë imunitetin tuaj

Imuniteti është një parakusht për shëndet të mirë dhe jetë të gjatë, dhe në qoftë se doni ta mbani të fortë, aplikoni ndryshime në dietën tuaj. Në ditët e sotme nuk është lehtë ta mbash sistemin imunitar të shëndetshëm dhe të fortë. Ajri i papastër, ushqimi i pashëndetshëm dhe stresi i tepërt gjithsesi lënë gjurmët. Si t’i ndihmoni vetes? Mënyra më e mençur është që këtë ta bëni në mënyrë natyrale – me ushqim! Ekspertët rekomandojnë ushqime që e forcojnë sistemin imunitar. Spinaqi – Spinaqi gjithmonë konsiderohet si një ushqim i shkëlqyeshëm. Në spinaq fshihet një thesar i vërtetë vitaminash – nga vitaminat A, B2 dhe B6 deri tek vitaminat C, K dhe E. Përveç kësaj, spinaqi është i pasur me antioksidantë, fitonutrientë, proteina, acide yndyrore omega-3 dhe kalcium. Me fjalë të tjera, ai është një ushqim aq i shëndetshëm sa që duhet të jetë pjesë e çdo vakti. Arrat – Nuk keni nevojë të konsumoni në baza ditore sasi të mëdha të arrave për të pasur imunitet të fuqishëm, mjafton vetëm një sasi e vogël në ditë dhe efekti do të jetë i dukshëm. Arrat përmbajnë shumë vitamina, acide yndyrore omega 3 dhe vlera të tjera ushqyese që e mbrojnë shëndetin e zemrës dhe trurit. Disa studime kanë treguar se arrat e ngadalësojnë edhe zhvillimin e sëmundjeve të alzheimerit dhe parkinsonit.

Ato mund t’i hani në mes të mesvakteve, kur ju rrëmben dëshira për të ngrënë diçka të lehtë.
Fasulja – Fasulja e shijshme është e shkëlqyeshme, sepse ajo përmban leptinë, e cila ndihmon në zvogëlimin e oreksit. Përveç kësaj, fasulja është e mbushur me vitaminë B, kalcium, kalium dhe acid folik. E gjithë kjo është e mirë për shëndetin e trurit dhe të lëkurës dhe ndihmon në uljen e shtypjes së gjakut. Gjithashtu, fasulja është e mirë në parandalimin e sulmeve në tru. Do të ishte mirë të konsumohet më shpesh, prandaj rekomandohet si një pjatë e dytë në vend të patateve – ndjenja e ngopjes do t’ju mbajë gjatë.

Raporti: Qytetet në Shqipëri po zbrazen, varfëria në prag

Më shumë se 80 për qind e qyteteve të Shqipërisë kanë humbur masivisht popullsinë e tyre në dekadën e dytë të tranzicionit (2000-2010), duke e renditur vendin në tonë në tre vendet me humbjen më të lartë të popullsisë në Rajonin e ECA (Shqipëria, Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Bosnja, Gjeorgjia, Kazakistani, Kosova, Kirgistani, Maqedonia, Moldavia, Malin e Zi, Rusia, Serbia, Taxhikistani, Turkmenistani, Ukraina dhe Uzbekistani).
Fenomeni që vijon te thellohet edhe gjatë 2011-2018, lajmëron një situatë stresuese sipas një raporti të posaçëm të Bankës Botërore për tranzicionin demografik në qytetet e Rajonit të ECA.
Rënia e mprehtë ose rritja e papritur e popullsisë mund të çoje në kolaps financimin e infrastrukturës lokale dhe ofrimin e shërbimeve komunale.
Nga ana tjetër sfidat në qytetet me rritje të shpejtë te popullsisë krijojnë deficit ne strehimin dhe plotësimin e nevojave infrastrukturore.
Qytetet e ECA-së po përjetojnë rënie të popullsisë në mënyrë të paprecedentë dhe në një shkallë të paparë lajmëron Banka Botërore. Midis 2000 – 2010 rreth 61 për qind e qyteteve në ECA shënuan rënie të popullsisë. Qytetet në rënie kanë humbur mesatarisht 11 për qind të popullsisë së tyre ndërmjet viteve 2000 dhe 2010. Nga vendi në vend ndryshimet janë të mëdha.
Për shembull, vende si Shqipëria, Moldavia, Rusia dhe Serbia kanë parë rritje në përqindjen e qyteteve që po pësojnë rënie. Bullgaria, Shqipëria dhe Rumania kanë më shumë se 80 për qind të qyteteve të tyre në rënie.
Para viteve 1990 popullsia në qytetet e vendeve lindore ishte e shtrirë sipas një planifikimi ekonomik. Per shembull në disa raste, qytetet u krijuan në zona të largëta per rritur dominancen gjeografike, si në rastin e Rusisë.
Në raste të tjera, rritja e qyteteve u ndikua kryesisht nga vendimet e imponuara nga qendra. Vendbanimet e vogla u rritën në mënyrë eksponenciale kur shteti u dha atyre statusin e veçantë të qytetit ose i bëri ato selinë e institucioneve të arsimit të lartë.
Migracioni gjithashtu luan një rol themelor në formësimin e tendencave demografike kombëtare dhe urbane ne ECA. Për disa dekada, Evropa Perëndimore ka tërhequr një numër të konsiderueshëm të migrantëve nga Evropa Qendrore dhe Lindore. Për pasojë lindshmëria po bie dhe popullsia e këtyre vendeve është në rënie.
Një rënie në popullsi dhe densitetit të saj mund të përkthehet në sfida të shumta për ofrimin e shërbimeve, të cilat përfitojnë nga ekonomitë e shkallës dhe densitetit.
Përvojat e qyteteve në SHBA sugjerojnë se të parët që largohen nga qyteti janë ata që kanë më shumë burime ekonomike në dispozicion. Si e tillë, rënia e popullsisë lidhet me rritjen e shkallës së varfërisë. Në SHBA, shkalla e varfërisë në 10 qytetet më rënie të popullsisë është dy herë më e lartë se ajo kombëtare.

Berisha: Ndarja e Kosovës, nuk do të çuditesha sikur Rama të ketë biseduar me “Sandrin”

GazetaExpress: Kohëve të fundit po qarkullon një ide për ndarje të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Edhe kësaj radhe përmendet të jetë i përfshirë Rama. Nëse kjo është duke ndodhur, cili është qëndrimi juaj, pra a duhet që të negociohet shkëmbimi i territoreve?
Sali Berisha: Ideja për ndarjen e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë është një ide e viteve 1990 e Sllobodan Millosheviqit, e ndërmarre nga Beogradi edhe pas çlirimit të Kosovës.
Unë mendoj se pranimi i diskutimit për këtë problem i jep Beogradit një të drejtë që ai nuk duhet kurrë të ketë, i jep atij një justifikim dhe legjitimim të pretendimeve të tij territoriale ndaj Kosovës. Prandaj dhe jam i bindur se mos hapja e kësaj çështje duhet të jetë kusht për të gjitha negociatat me Serbinë. Me uljen në tryezën e bisedimeve, Beogradi de facto ka njohur Kosovën, me kërkesën për ndarje të saj apo me kushtëzimin e njohjes edhe de juro të Kosovës, ai faktikisht bën pazar me troje shqiptare. Nuk kam të dhëna konkrete të implikimit të Ramës në këtë kërkesë por si tip okazional që është dhe protagonizmin fodull që kërkon të marrë, paternalizmin enverist që ishte përdorimi i Kosovës për qëllime të veta jo kombëtare, unë nuk do çuditesha aspak që të ketë diskutuar me “Sandrin”, siç e thërret ai më ledhati Vuçiqin.

Pse deklaratat e Ramës i shërbejnë vetëm atij dhe Vuçiçit

GazetaExpress: Pse mendoni se Rama e dha një propozim të tillë?
Sali Berisha: Në mendimin tim, procesi i negociatave me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjeve me këtë vend është dhe duhet të jetë përparësia më kryesore e autoriteteve të Kosovës dhe shndërrimi i këtyre marrëveshjeve në marrëveshje paqe. Në këtë kontekst, një deklaratë e tillë u shërben vetëm interesave të ngushta të Ramës dhe Vuçiqit. Të parit sepse, me deklarata te tilla kërkon të mbulojë dështimet e tij dhe se i duhen si qyrkë nacionalisti për shqiptarët e Kosovës për të mbuluar defiçitin e tmerrshëm patriotik dhe çelësin e artë të Tiranës që i vendosi në gjoks Bregoviçit. Me një fjalë, kjo deklaratë e Ramës në Parlamentin e Kosovës është si atletet e tij të kuqe në takime ndërkombëtare. Të dytit i duhet për ta tundur para të tjerëve si “eureka”, ja sepse nuk ecin negociatat (për të cilat ai nuk ka asnjë interes që të ecin) sepse ata, shqiptarët, nuk duan marrëveshjen, por bashkimin.

GazetaExpress: Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj kësaj ideje duke thënë se e njëjta është e dëmshme për të dyja vendet. Sipas jush, a po ndërhynë kryeministri Rama në masë të madhe në punët e Kosovës?
Sali Berisha: Mendoj se nuk është aspak e dobishme për asnjërën palë dhe asnjërin vend.
Kjo deklaratë, dhe të ngjashme si kjo, krijojnë pështjellim edhe në BE dhe në qëndrimin e vendeve anëtare ndaj integrimit të Kosovës pasi ato pranojnë vetëm vende pa sherre njëra me tjetrën dhe jo ato që kanë probleme madhore për të zgjidhur.

GazetaExpress: A mendoni se e ardhmja e përbashkët e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të jetë në BE dhe të hiqet dorë nga bashkimi kombëtar?
Sali Berisha: Mendoj se e ardhmja më e mirë e shqiptarëve është anëtarësimi i plotë në BE i Shqipërisë, Kosovës por edhe vendeve të tjera ku jetojnë shqiptarë. Por mendoj se ky proces jo që nuk duhet të pengojë dhe të lërë në pritje integrimin ndërshqiptar, por përkundrazi duhet të nxisë atë!
Në këtë kontekst është e papranueshme që autoritetet midis dy vendeve tona të mos vendosin brenda një kohe të shkurtër të gjitha standardet që ekzistojnë në lëvizjen e njerëzve, mallrave, kontrollin e kufijve, njësimin e ligjeve e praktikave që ekzistojnë midis dy vendeve anëtare të BE. Asgjë nuk pengon autoritetet e dy vendeve tona të ndërmarrin investime e projekte të rëndësishme integruese në fushën e infrastrukturës, rrugëve, hekurudhave, në fushën e arsimit, kulturës, kutikulave, në shkencat e etnogjenezë e në adaptimin e dy shtetësisë për qytetarët e të dy vendeve që e dëshirojnë atë.

Berisha: Ka vetëm një rrugë për bashkimin kombëtar Shqipëri-Kosovë, ajo kalon përmes…

Ish-Presidenti dhe ish-Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, e ka dëgjuar ‘live’ në Parlamentin e Kosovës Edi Ramën duke thënë se Kosova dhe Shqipëria do ta kenë një President të përbashkët në të ardhmen. Rama i ka rënë pishman për këtë deklaratë, duke e shpjeguar si shëtitje nëpër imagjinatë, por sipas Berishës deklarata të tilla i bëjnë dëm Kosovës, tani që po bën negociata me Serbinë, e cila mund ta përdorë këtë si kartë në tryezën e bisedimeve.
Për më tepër, Berisha thotë se Rama ka deficit patriotik në Kosovë, të cilin ende po përpiqet ta mbulojë. Por, jo vetëm këtë. Sipas Berishës, ai po përpiqet t’i mbulojë edhe dështimet në Shqipëri.
Në intervistën për Express, Berisha flet edhe për idenë e ndarjes, për çka thotë se nuk ka fakte nëse Rama është i përfshirë në këtë, por thotë se nuk do të çuditej fare se ai do të mund ta ketë diskutuar me Vuçiqin.

Gazeta Express: Z.Berisha, Kosovën dhe Shqipërinë gjithmonë e kanë karakterizuar zërat se duhet ndodhur një bashkim kombëtar, për të cilën ju jeni deklaruar kundër. Por, meqenëse kjo është një ide e kahmotshme, tash u propozua edhe një President mbarëkombëtar. Kjo u tha pikërisht nga Edi Rama në festën e Pavarësisë. E prisnit ju këtë dhe a e shihni të realizueshëm këtë koncept?
Sali Berisha: Mendimi im është i pandryshueshëm, ideali suprem i shqiptarëve është ideali i bashkimit kombëtar. Por kjo në vlerësimin tim mund të ndodhë vetëm si një bashkim i dy vendeve demokratike, të pavarura, plotësisht të integruara në NATO dhe BE dhe natyrisht me një pëlqim të domosdoshëm të SHBA dhe BE, por duhet që edhe fqinjët të binden se një shtet i tillë nuk paraqet kërcënim për ta.
Nuk duhet harruar se dokumenti ndërkombëtar Ahtisari, mbi të cilin është shpallur pavarësia e Kosovës, përcakton mosbashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe as me Serbinë. Mendoj se ideja e bashkimit apo deklarata për bashkimin në këtë fazë të negociatave ndihmon ndjeshëm në rrafshin ndërkombëtar palën serbe dhe dobëson qartë pozitën e palës shqiptare në negociata, u jep serbëve një kartë të fortë në dorë për mungesë serioziteti dhe sinqeriteti të palës shqiptare, e cila tjetër negocion, tjetër ka në mendje.

Sulmohet këshilltari i PD në Tepelenë, reagon PD: Akt kriminal!

Partia Demokratike dënon me forcë aktin kriminal të zjarrvënies së qëllimshme të automjetit personal të këshiltarit të Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tepelenës, z. Xhafer Meçe. “Ne i bëjmë thirrje policisë dhe prokurorisë të zbardhin e pa vonesë ngjarjen dhe të arrestojnë e vendosin para ligjit autorët dhe porositësit e këtij akti të shëmtuar kriminal. Partia Demokratike shpreh solidaritetin dhe mbështetjen e plotë për këshilltarin tonë në Bashkinë e Tepelenës z. Xhafer Meçe dhe familjarët e tij”, thuhet në reagimin e PD.

Funksionari i PD, Meçe: Ishte e qëllimshme!
Makina tip Benz e anëtarit të Këshillit Bashkiak të Partisë Demokratike në Tepelenë, Xhaferr Meçe. Paraprakisht dyshohet se ngjarja mund të jetë e qëllimshme, pasi makinës i është thyer xhami. Avokati Meçe, në një prononcim për Report TV u shpreh, “Zjarrëvënia ishte e qëllimshme, zjarri nuk ka ardhur nga defekt teknik”.
Meçe ka qenë kryetar i PD në Tepelenë, ndërsa aktualisht është pjesë e Kryesisë së PD dhe anëtar i PD-së në Keshillin Bashkiak të qytetit.