25.5 C
Tirana
E martë, 24 Qershor, 2025

Shqiptari me drogë në makinë kapet në Itali

Policia italiane e Raguzës në Siçili ka arrestuar shtetasin shqiptar H.F 24 vjeç me akuzën e trafikut të drogës të tipit kokainë. Në zotërim të tij janë gjetur 30 gramë kokainë si dhe rreth 350 euro cash. Në automjetin e tij ndodhej dhe një vajzë 5-vjeçare, e bija e një kushëriri të tij.
Ka qenë shpejtësia e madhe e automjetit me të cilën udhëtonte shqiptari që ka shtyrë policinë e Raguzës të vihet në në ndjekje të automjetit. Sapo ka nuhatur makinën e policisë, shqiptari ka shtuar shpejtësinë, duke u munduar të humbasë gjurmët, si dhe ka hedhur nga dritarja e automjetit rreth 12 gramë kokainë.
Pas një ndjekje prej disa minutash, 24-vjeçari shqiptar është ndaluar nga policia italiane, e cila ka zbuluar se në sediljen pranë tij ndodhej një vogëlushe 5-vjeçare që qante e terrorizuar. Vogëlushja i është dorëzuar babait të saj, i cili ishte familjar i afërt me 24-vjeçarin e që pohoi se i kishte dhënë makinën e tij dhe vajzën për ta shëtitur dhe se nuk kishin dijeni mbi aktivitetin e të arrestuarit.
Kontrolli në banesën e 24-vjeçarit çoi në sekuestrimin e 18 gramë të tjera kokainë si dhe instrumenta për konfeskimin e drogës. Shqiptari i arrestuar H.F banonte prej vitesh në Raguza dhe ishte i skeduar më parë nga policia italiane.

20 mijë familje në uri, PD mocion me Ramën

Partia Demokratike dorëzoi të martën në Kuvend kërkesën për mocion me debat me Kryeministrin Edi Rama për heqjen nga skema e ndihmës ekonomike të më shumë se 20 mijë familjeve ekstremisht të varfra në të gjithë vendin.
Në kërkesën e Partisë Demokratike theksohet se përjashtimi është abuziv, i bërë në proçedura aspak transparente, në tejkalim të përcaktimeve ligjore dhe, me shumë gjasë, në kushtet e ndjekjes penale.
Partia Demokratike e kërkon debatin me kryeministrin për këtë çështje që në seancën e së enjtes, sepse nga kontaktet direkte, qindra kryefamiljarë kanë pohuar se nuk kanë para për bukë në kuptimin e parë të fjalës.
“Situata e verifikuar deri më tani është shkaktuar prej papërgjeshmërisë së qeverisë dhe ka rënduar gjendjen e këtyre familjeve në kufijtë e një drame njerëzore dhe të një emergjence kombëtare, pasi ndihma ekonomike është e vetmja mundësi mbijetese për ta”-thuhet në kërkesën e Psrtisë Demokratike.
Partia Demokratike e cilëson kriminal dhe të papërgjegjshëm aktin e përjashtimit të mbi 20 mijë familjeve në nevojë, duke i lënë në mëshirën e fatit, pa u dhënë asnjë sqarim dhe duke u hequr të drejtën kushtetuese, të përcaktuar në nenin 52. Aty thuhet se “Kushdo, kur mbetet pa punë për shkaqe të pavarura nga vullneti i tij, dhe, kur nuk ka mjete të tjera jetese, ka të drejtën e ndihmës në kushtet e parashikuara me ligj.”

Absurditeti i kritereve

Nga përgjigja është e qartë se kriteret e ndihmës janë subjektive dhe abuzive. Sipas përgjigjes së qeverisë, nëse një familje ka tualet brenda banesës, lavatriçe apo sobë me dru apo pa dru, qeveria e skualifikon nga skema e ndihmës. Absurditeti i kritereve qëndron tek fakti se këto kritere janë vendosur, kur e njëjta qeveri u ka shpërndarë të njëjtave familje dekodera dixhitale. Siç vihet re në shkresë, qeveria vazhdon të fshehë sistemin e pikëve që merr secili kriter dhe si përllogariten në çdo zonë ku po aplikohet kjo skemë. Kjo do të thotë se skema është e manipulueshme.
“Përjashtimi nga skema e ndihmës ekonomike e mijëra familjeve u paralajmërua nga opozita kohë më parë, qeveria u fsheh duke mos dhënë asnjë sqarim dhe sot jemi para faktit të kryer, ku vetëm këtë muaj janë nxjerrë dhe lënë pa asnjë ndihmë ekonomike mbi 20 mijë familje në gjithë Shqipërinë.
Qeveria jo vetëm ju ka hequr bukën e gojës fëmijëve, të moshuarve apo personave me aftësi ndryshe, por edhe nuk iu jep asnjë sqarim mbi ç’baza dhe cilat kritere janë përjashtuar nga skema e ndihmës ekonomike. Ne duke e parashikuar këtë situatë që kamuflohej me të fashmen “reformë” kemi kërkuar të bëhet transparente formula që përzgjedh familjet përfituese të ndihmës ekonomike. Kemi kërkuar publikisht, në seancë parlamentare dhe i jemi drejtuar me shkresë zyrtare ministrisë përkatëse. Pas presionit të vazhdueshëm vetëm sot erdhi përgjigjia që Ministria e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, në përgjigje të shkresës sonë të dërguar në janar të 2018.

Në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë fatkeqësisht pranohet ajo ç’ka qeveria ka mohuar dhe fshehur me vite ndaj publikut.
Siç shihet në shkresën bashkëngjitur qeveria pranon atë që opozita dhe qytetarët kishin dhe e kanë shqetësim, kriteret e ndihmës janë subjektive dhe tërësisht abuzive. Në kriteret e ndihmës ekonomike radhiten edhe pajisje bazike jetike, të cilat mund t’i ketë çdo familje e varfër.
Siç mund të shihet në shkresën e ministrisë, radhitet si kriter nëse një familje ka: (1) tualet brenda shtëpisë, nëse përdor gaz (2), nëse ka sobë me dru (3), nëse ka lavatriçe (4) apo sobë elektrike. (5)
Mjafton të përmendim që familjeve në ndihmë ekonomike i janë shpërndarë falas dekodera, dhe po kjo pajisje po t’i gjendet në shtëpi e nxjerr nga skema e ndihmës, për të kuptuar sa abuzive është ndërtuar kjo formulë për ti lënë jashtë familjet më në nevojë.
Këto pajisje bazike janë pjesë e përzgjedhjes së familjarit që kërkon ndihmë ekonomike, dhe siç lihet evazive në shkresë mundet që po pate njërën prej tyre, pra po të kesh tualet brenda banesës, lavatriçe apo sobë me dru apo pa dru të skualifikohesh nga skema e ndihmës.
Kriteret ç’njerëzore të vendosura në skemë, nuk bazohen në asnjë përcaktim apo vendim mbi cilat janë kushtet e jetës minimale të qytetarit shqiptar. Ndërkohë që kriteret duhet të bazoheshin vetëm në të ardhurat që ka një familje në muaj.

Përpos këtyre i kemi kërkuar qeverisë shqiptare jo vetëm të na sjellë me shkresë, cilat janë kriteret, por mbi të gjitha sa pikë ka secili prej tyre dhe si përllogariten në çdo zonë ku po aplikohet kjo skemë.
Siç shihet dhe në përgjigjen e bashkëngjitur të ministrisë, mbajtja në fshehtësi e pikëve përkatëse që ka çdo kriter, pra sa pikë vlerësohet nëse qytetari ka një lavatriçe, sa pikë vlerësohet nëse ka një sobë dhe si variojnë në seicilën zonë të Shqipërisë; është qartësia që skema është e manipulueshme.
Kjo përgjigje e detyruar e Ministrisë së Shëndetësisë, vërtetoi shqetësimin tonë të parë që kriteret e vendosura për të përfituar ndihmën ekonomike janë jashtë standardit të kushteve të jetës minimale. Po ashtu vërtetohet që qeveria nuk pranon të bëjë transparente pikët përkatëse të çdo kriteri, sepse nëse i publikon do të shfaqet qartë mënyra se si manipulohet me kriteret dhe përzgjedhjen e përfituesve.
Në këto kushte flagrante të shkeljes së të drejtës së informimit për qytetarët është bërë abuzimi me bukën e gojës apo me ilaçet e përditshme për çdo familje, duke i hequr plotësisht nga skema.
Partia Demokratike do të ndjekë çdo hallkë dhe veprim politik dhe ligjor për të siguruar rimarrjen e të drejtës për ndihmë ekonomike të familjeve në nevojë”.

Mafia e tokave, kryebashkiakut të Rrogozhinës i bllokohet pasaporta

Kryetarit të Bashkisë së Rrogozhinës, Beqir Nuredini i është bllokuar pasaporta, pasi akuzohet si një nga zyrtarët që ka abuzuar me pronat në bregdetin e Kavajës dhe Rrogozhinës. Beqir Nuredinit i është ndaluar dalja jashtë vendit, dhe i është përcaktuar masa detyrim paraqitjeje nga Gjykata.
Beqir Nuredini, kryetari i Bashkisë Rrogozhinë është një ndër 8 personat e akuzuar për abuzim me pronat. Nuredini është zgjedhur si kryetar bashkie në zgjedhjet lokale të 2015-ës, nën logon e Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet.
Katër persona janë vënë në pranga, e dy të tjerë janë nën hetime me masë sigurie ‘arrest shtëpie’ dhe detyrim paraqitje. Arrestimet dhe hetimet janë bërë në lidhje me çëshjet e pronave të zonës së bregdetit në Kavajë dhe Rrogozhinë. Burime nga policia kanë bërë të ditur, se kryebashkiaku i Rrogozhinës, Beqir Nuredini i ka shpëtuar arrestimit.

Hetimet e Prokurorisë për zyrtarët e përfshirë

Pas një hetimi shumëmujor të Prokurorisë së Kavajës u mundësua identifikimi i disa shtetasve të dyshuar si përgjegjës për përfshirje në tjetërsimin e pronave në bregdetin e Spillesë në Kavajë. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë vazhdoi me fazën e dytë të hetimit, pjesë e procedimit penal të regjistruar më parë për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal në lidhje me ndërtimet në zonën e plazhit të Spillesë. Këtij procedimi penal i janë bashkuar edhe 4 procedime të tjera për të njëjtin fakt penal.
Deri tani në këtë hetim të vazhduar janë përfshirë gjithsej në të dy fazat 23 persona, për tjetërsimin e pronave nëpërmjet krijimit të një mekanizmi të njëjtë, duke administruar AMTP të një periudhe mbi 15 vjet, në kundërshtim me ligjin, më pas duke proceduar me konfirmimet nga zyrat e Këshillit të Qarkut Tiranë, duke fshehur dhe zëvendësuar konfirmimet e qarkut me konfirmime që parashtrojnë rrethana të rreme, nëpërmjet falsifikimit të statusit të parcelave apo pasurive të veçanta, duke i bërë pjesë e praktikës (dosjes) të aplikuesve kanë arritur t’i regjistrojnë si pasuri personave të ndryshëm.
Në vijim të hetimeve ka rezultuar se, këto pasuri janë regjistruar e më pas janë tjetërsuar nga persona të tjerë, nëpërmjet shitblerjeve në një periudhë tepër të shpejtë, në kundërshtim të hapur me ligjin. Gjithashtu janë kryer hetime dhe në lidhje me ndërtimet e 27 (njëzet e shtatë) lokaleve përgjatë vijës bregdetare, ku vetëm 4 (katër) persona (investitorë) rezultojnë të jenë banorë të zonës, ndërsa të gjithë personat e tjerë janë qytetarë të rretheve të tjera.

Ndërtimet e këtyre lokaleve rezultojnë vetëm mbi bazën e një aplikimi në Bashkinë Rrogozhinë, duke paraqitur vetëm një plan vendosje, kjo sipas preferencave të investitorëve, pa patur asnjë plan zhvillimor të Bashkisë Rrogozhinë. Së bashku me procedimin penal N.92 viti 2017 është vendosur bashkimi edhe i procedimit penal Nr.201 viti 2017. Nga ky procedim penal ka rezultuar se: Nga ana e Komandës së Forcës Ajrore dhe nga ana e Komisariatit të Policisë Rrogozhinë është bërë kallëzim penal. Në pronën Poligoni i Qitjes Rreth-Greth me numër pasurie 368 është konsatuar prerje pyjesh dhe pastrim i barishteve nga një grup punëtorësh. Këta punëtorë janë sjellë nga shtetasi Idlir Karkini, i cili ka çertifikatë pronësie për këtë sipërfaqe toke në pyllin dhe rërën buzë detit.
Në kallëzim pretendohet se kjo tokë është pronë shtetërore në pronësi të aviacionit shqiptar. Ministria e Mbrojtjes ka aplikuar 3 herë për regjistrimin e pronës së saj nga viti 2005-2007 dhe nuk i është regjistruar kjo pronë, ndërsa në vitin 2016, kjo pronë regjistrohet në favor të Idlir Karkinit. Nga Këshilli i Qarkut Tiranë jemi informuar se shkresa Nr.2147 dt.28.12.2015 e Këshillit të Qarkut Tiranë drejtuar ZVRPP Kavajë, që ka shërbyer për ndryshimin e zërit kadastral nuk është përgatitur nga institucioni i tyre dhe nuk është dërguar në ZVRPP Kavajë. Ndërsa shkresa Nr.5836 dt.18.11.2015 e ZVRPP Kavajë nuk është dërguar fare në Këshillin e Qarkut Tiranë as dorazi dhe as me postë.

Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masave të sigurisë për: Asim Arkaxhiu, ish-regjistrues i ZVRPP Kavajë për nenin 248-25 KP Shpërdorim i detyrës, i cili dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim, vepra penale të parashikuar nga neni 248-25 të Kodit Penal, masa e sigurimit e “Arrest në burg”, që parashikohet nga neni 238 i K. Pr. Penale.
Aldo Kila, Jurist pranë ZVRPP Kavajë për nenin 248-25 të K.Penal (Shpërdorimi i detyrës), i cili dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim, vepra penale të parashikuar nga neni 248-25 të Kodit Penal, masa e sigurimit “Arrest në burg”, që parashikohet nga neni 238 i K. Pr. Penale.
Idlir Karkini, Biznesmen, për veprën penale të parashikuar nga neni 287/3 të K.Penal (Pastrim i produkteve të veprës penale), i cili dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale” me pasoja të rënda, vepra penale të parashikuar nga neni 287/3 të Kodit Penal, masa e sigurimit e “Arrest në burg”, që parashikohet nga neni 238 i K. Pr. Penale.
Julian Zhelegu, Noter Dhoma e Noterisë, Tiranë, për veprat penale të parashikuar nga nenet 186/3 e 248 të K.Penal (Falsifikimi i dokumentave) dhe Shpërdorimi i detyrës), i cili dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”, vepra penale të parashikuar nga neni 248 dhe 186/3 të Kodit Penal, masa e sigurimit e “Arrest në burg”, që parashikohet nga neni 238 i K. Pr. Penale. Gjykata i vendosi arrest në shtëpi.

Arbër Aliu, Noter, Dhoma e Noterisë, Durrës, për veprat penale të parashikuar nga nenet 186/3 e 248 të K.Penal (Falsifikimi i dokumentave) dhe (Shpërdorimi i detyrës), i cili dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”, vepra penale të parashikuar nga neni 248 dhe 186/3 të Kodit Penal, masa e sigurimit e “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, që parashikohet nga neni 242 i K. Pr. Penale me afat 3 (tre) muaj.
Beqir Nuredini, Kryetar i Bashkisë Rrogozhinë për veprën penale neni 248 KP “Shpërdorimi i detyrës”, i cili dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, vepra penale të parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal, masa e sigurimit e “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” që parashikohet nga neni 233 i K. Pr. Penale dhe masa e “Detyrimit për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, që parashikohet nga neni 234 i K. Pr. Penale.
Shpendi Dema, Jurist, Bashkia Rrogozhinë për veprën penale të parashikuar nga nenet 186/3 e 248 -25 të K.Penal (Falsifikimi i dokumentave) dhe (Shpërdorimi i detyrës), i cili dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim dhe “Falsifikimit të dokumenteve”, vepra penale të parashikuara nga neni 248-25 dhe 186/3 të Kodit Penal, masa e sigurimit “Arrest në burg”, që parashikohet nga neni 238 i K. Pr. Penale.

Arben Daja, sekretar i protokollit Bashkia Rrogozhinë për veprën penale të parashikuar nga nenet 186/3 e 248-25 të K.Penal (Falsifikimi i dokumentave) dhe (Shpërdorimi i detyrës), i cili dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim dhe “Falsifikimit të dokumenteve”, vepra penale të parashikuara nga neni 248-25 dhe 186/3 të Kodit Penal, masa e sigurimit “Arrest në burg”, që parashikohet nga neni 238 i K. Pr. Penale.
Artur Tosku, Kryenspektor Specialist të IMTV Bashkia Rrogozhinë, i cili dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, vepra penale të parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal, masa e sigurimit e “Arrest në burg”, që parashikohet nga neni 238 i K. Pr. Penale.
Arben Kaja, Specialist të IMTV Bashkia Rrogozhinë, i cili dyshohet se ka konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, vepra penale të parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal, masa e sigurimit e “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, që parashikohet nga neni 234 i K. Pr. Penale.

Rama: “Me Beqirin do kemi qeverisjen e duhur, 100% socialist”

Kryeministri Edi Rama gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të vitit 2015, në ndalesën e tij në Rrogozhinë, prezantoi Beqir Nuredinin, si kandidatin që do qeveriste këtë qytet. Sot pas gati 3 vitesh, Beqir Nuredinit të besuarit të Partisë Socialiste në pushtet i është bllokuar pasaporta dhe mbi të rëndojnë akuzat e abuzimit me pronat në bregdet.
Nuredini ishte një propozim i PDIU-së, por që u mor në protektoratin e Ramës dhe u prezantua si një socialist 100%. “Dua ta bëj shumë të qartë për të gjithë. Beqir Nuredini është kandidati i Partisë Socialiste 100%, siç është kandidati i PDIU-së, LSI-së dhe i gjithë Aleancës për Shqipërinë Europiane. Ne nuk kemi ndarë bashki, ne kemi ndarë përgjegjësi. I kemi dhënë mbështetje totale të gjithë kandidatëve, pavarësisht nëse i kemi propozuar vetë apo aleatët. Ndaj me Nuredinin do kemi qeverisjen e duhur për Rrogozhinën”, tha Rama në 2015.
Rama dhe PS nuk kanë bërë asnjë reagim për këtë skandal të radhës, në një kohë kur Prokuroria bën me dije se në aferën e abuzimit me pronat janë të përfshirë rreth 23 zyrtarë, 8 prej tyre zyrtarë të lartë të Hipotekave dhe jo vetëm.

Sulo Jaupaj: Me autobusin e minierës hoqa zvarrë Enverin

Pas gjithë këtyre, makina IFA e drejtuar nga Ardian Heta vazhdon itinerarin në drejtim të rrugës së “Elbasanit”. Pesëdhjetë metra larg nga godina e ish-të përndjekurve politikë (sot), shkëputet busti nga pjesa tjetër e monumentit gjigant të diktatorit. Gjithashtu, makina IFA pëson defekt (i digjet freksioni) për arsye të peshës së madhe të demonstruesve të hipur mbi makinë dhe mbi monumentin e diktatorit. Turma e demonstruesve shkëput kavon nga makina dhe fillon të tërheqë vetë bustin e diktatorit, deri pranë Parkut të Lodrave në rrugën e “Elbasanit”. Gjithashtu, tek pjesa e mbetur e monumentit të diktatorit, nga këmbët deri tek gjoksi, afrohet një “Skodë” e parkut të mallrave me shofer Sulo Jaupaj. Shumë demonstrues e lidhin këtë pjesë të mbetur të monumentit me “Skodën”. Shoferi Sulo Jaupaj me makinën e tij lëviz afro dy kilometra nëpër rrugët e Tiranës i përshëndetur nga mijëra qytetarë. Në pjesën malore të rrugës së “Elbasanit” për t’u ardhur në ndihmë demonstruesve të lodhur, vjen një autobus me ngjyrë të kuqe, që ishte i punëtorëve të minierës së Krrabës. Kjo makinë drejtohej nga një shofer zeshkan 50-vjeçar, që quhej Hysen Alla.

Autobusi ishte i mbushur me minatorë. Minatorët dhe protestuesit e lidhën shpejt e shpejt bustin e diktatorit pas autobusit. Pastaj, Hysen Alla e drejton makinën e tij për tek godina e studentëve grevistë. Kur autobusi mbërriti atje, shpërtheu një gëzim i jashtëzakonshëm midis studentëve grevistë të urisë të ngujuar dhe protestuesve. Busti i diktatorit u la i varur lart tek godina e studentëve grevistë. Pasdite, mjaft qytetarë mblidhen përsëri tek Sheshi “Skënderbej”. Shumë prej tyre filluan të thyejnë bazamentin prej mermeri të errët të ish-monumentit të diktatorit. Mbasi u errësua, minatorët e Krrabës e rilidhën përsëri bustin e diktatorit tek autobusi i tyre. Pas kësaj, autobusi me disa minatorë brenda vazhdon itinerarin për tek rruga e “Kavajës”. Në zonën pranë ambasadave, policia gjuan me snajper autobusin dhe i thyen dy xhama. Arrestohen dhjetë minatorë, midis tyre zotërinjtë Hysen Alla, Vladimir Xhillari, Agim Abazi, Arben Lame, Luan Paja (ish-themeluesi i degës së PD-së për minierën e Krrabës, i vdekur) etj. Po atë ditë në qytetet e Gjirokastrës dhe të Korçës rrëzohen monumentet e diktatorit komunist. Radiotelevizioni Shqiptar si dhe agjencitë e huaja të lajmeve jepnin njoftimin se në Tiranë, në mesditë, u rrëzua monumenti gjigant i diktatorit komunist.

Në ora 20:00 shfaqet në televizionin shqiptar Ramiz Alia, ish-President i Republikës, i cili në një prononcim të tij publik ndër të tjera thotë: “Sot, kryeqyteti ynë kaloi një nga ditët më dramatike dhe të rënda të jetës së tij. Turma të irrituarish, duke humbur çdo arsye logjike kaluan në akte vandalizmi dhe arritën të rrëzonin monumentin e Enver Hoxhës”.
Pas orës 21:00 të asaj nate dhe në ditët në vazhdim, policia dhe Sigurimi komunist bazuar në filmimet e kamerave sekrete dhe nga të dhënat e informatorëve të tyre të infiltruar midis protestuesve, arrestoi rreth 300 protestues. Ndër ta, afro 70 veta u dënuan me burgime të ndryshme me akuzat për grumbullime të paligjshme, shkatërrim monumentesh dhe goditje të përfaqësuesve të shtetit. Me qindra qytetarë të tjerë u pushuan nga puna.

Si ra Busti, Astrit Hatellari vendosi litarin, ndërsa Ardian Heta e tërhoqi me makinën IFA

Një grup i madh qytetarësh ishin të vendosur pranë vendit ku qëndronte akoma monumenti i diktatorit komunist. Nga rruga e “Durrësit” vijnë dy djem të rinj me një rrotull litari prej liri. Po në këtë kohë mbërrin tek Sheshi “Skënderbej” makina IFA e drejtuar nga Ardian Heta. Ai e drejton makinën drejt e tek vendi ku ndodhej monumenti i diktatorit. Pastaj një grup njerëzish ndihmojnë Astrit Hatellarin që të vendoste litarin tek monumenti i diktatorit. Përpjekja e parë dështon, sepse litari shkëputet. Nga makina sjellin një kavo çeliku jo shumë të gjatë, të cilën e lidhin me litarin. Në përpjekjen e dytë, Astrit Hatellari i ndihmuar edhe nga një qytetar tjetër e vendos litarin pranë gishtave të dorës së majtë i ulur poshtë, të monumentit të diktatorit. Pastaj u larguan të gjithë njerëzit, që të mos dëmtoheshin nga rreziku i shembjes së monumentit gjigant. Makina e tërheq 3-4 herë monumentin e derdhur në bronz të diktatorit komunist, i cili bie anash në drejtim të Muzeut Historik Kombëtar.

Afro 100 mijë vetë që ndodheshin tek Sheshi “Skënderbej”, duke u përqafuar me njëri-tjetrin nga gëzimi i madh i kësaj ngjarjeje të papërsëritshme, filluan të brohorasin të entuziazmuar tej mase. Ra simboli i komunizmit. Ndërsa në momentin që do të rrëzohej ky monument, populli demokrat i Tiranës me entuziazëm të papërshkruar bërtiste: “Ta heqim, ta heqim qelbësirën”. Njerëzit nga kureshtja e madhe shkuan tek koka e monumentit të diktatorit dhe me veprime nga më të çuditshme shprehnin urrejtjen e tyre të madhe ndaj tij. Pastaj protestuesit i vënë kavon kokës së këtij monumenti gjigant. Makina IFA e drejtuar nga Ardian Heta i shoqëruar në kabinë nga shoku i tij, Indrit Sukaj, e tërheq zvarrë këtë monument gjigant përgjatë Sheshit “Skënderbej”. Mbi makinë dhe mbi monument, rrinin të ulur njerëz të shumtë. Gjithë populli i Tiranës, që ndodhej në Sheshin “Skënderbej” e shoqëronte kamionin me thirrje dhe brohoritje të shumta.

Tentativa për grusht shteti në Shkollën e Bashkuar ku pati tre të vrarë dhe si reagoi Bujar Nishani nga brenda shkollës

Kastriot DERVISHI

Kur ushtria del nga binarët e merret me punët e politikës, ky veprim quhet grusht shteti. Edhe në të shkollën që përgatiste oficerë, në shkurtin e vitit 1991 u demonstrua një veprim i afërt me grushtin e shtetit, por që nga presioni i qytetarëve të Tiranës nuk e kapërceu dot murin e rrethimit të kësaj shkolle. Kryeqyteti në atë kohë ishte në shumicë antikomunist.
Pas rrëzimit të shtatores së diktatorit, shkolla kaloi në gatishmëri nr.1. Të nesërmen, shefi i Shtabit të Ushtrisë i kërkoi mendim trupës pedagogjike dhe komanduese nëse ishin për mbrojtjen e shtatores së shkollës që mendohej të vendosej në sheshin e kryeqytetit.
Ngjarjet në këtë shkollë, si kërcënim ndaj demokracisë së re u zhvilluan më 21-23 shkurt 1991. Këto ngjarje hapën ciklin e shpërthimit enverist të fundit të shkurtit të zhvilluar në disa provinca të vendit. Kishte mbi 1 muaj që Ministria e Mbrojtjes, aparati ushtarak i Komitetit Qendror dhe krejt Dega e Sigurimit të Ushtrisë e Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit ishin vendosur në shkollë.
Në mëngjes të datës 22 shkurt krijohet në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm komisioni për vendosjen e shtatores në qendër me ultimatume drejtuar forcave politike qeverise etj. Në orën 15.30 të kësaj dite nëpërmjet një mitingu të madh, nën vringëllimën e armëve e thirrjet “Shqipëri-Enver, jemi gati kurdoherë” e duke kënduar këngën “Enver Hoxha tungjatjeta”, u kërcënua në mbrojtje të emrit të diktatorit.

Të gjithë folësit kërkuan rivendosjen e shtatores së diktatorit në shesh. Pas mitingut grupi u shtua edhe me ushtarakë nga shkollat e tjera ushtarake. Komisioni enverist kërkoi nëpërmjet një peticioni që “figura e Enver Hoxhës të vendoset menjëherë me anën e një referendumi mbarëpopullor dhe ajo të vlerësohet ashtu siç e do populli”.
Kundra grupit enverist kanë qenë pedagogët e shkollës që vlejnë të përmenden: Bujar Nishani, Hysen Arapi, Andrea Çupa, Bajram Hysa, Teuta Bubsi, Halil Hyseni dhe disa studentë, një grup i specifikuar si kundërshtarë edhe nga vetë autoritetet e Ministrisë së Mbrojtjes në atë kohë.
Në përfundim të këtyre ngjarjeve, u vranë një polic ushtar dhe 2 persona jashtë rrethimit të shkollës. U plagosën me armë zjarri 15 persona, një polic shërbimi në krye të detyrës, 10 persona jashtë rrethimit, 3 persona në banesat e tyre e 1 kalimtar. Të plagosur rëndë ishin 4 veta. Organet e punëve të brendshme ndaluan e kallëzuan në hetuesi 92 persona

E vërteta këngës “Ky marak”: “Këtë e kam shkrue për gruen tande”

Muza që ka inspiruar një prej këngëve më të bukura të dashurisë (“Ky marak” nga Pjetër Gaci), ishte një prej femrave më të bukura shkodrane, në vitet ’70 të shekullit të kaluar. Por, kjo “dashuri” që ngjan me “Elegjinë e Marienbadit” të Gëtes – “vlerë e lartë njerëzore dhe aspak të përlyer prej banaliteteve të përditshme” – shpërfaq kulturën dhe humanizmin shqiptar që po tretet.
Pjetër Gaci veç e ka parë muzën në rrugë (“Kur kalon rrugës me naze/ si lule zambak/ ndalu pak e hidhma synin/ se kam zanë marak”), ndërsa nuk e ka publikuar këngën pa e marrë lejen e burrit të muzës (me të cilin po ashtu nuk ka ndenjur kurrë).
Për ta kuptuar këtë ndjesi dhe historinë prapa këngës, lexojeni një pjesë të rrëfimit profesorit, dramaturgut dhe shkrimtarit Stefan Çapaliku, nga vepra “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”!
“Nuk e nxirrte që nuk e nxirrte zotni Pjetri këngën në publik, pa ia treguar më së pari të shoqit të asaj zonje e pa marrë leje prej tij, edhe pse askund në këngë nuk permendej emri i saj.

– Unë jam Pjetër Gaci, i doli përpara një mëngjes të shoqit të muzës së vet, dhe unë e di se kush jeni.
– Unë, e di se kush jeni ju, iu përgjigj zotëria.
Atëherë Pjetri i kërkoi vetëm pesë minuta për të kthyer së bashku te shtëpia e vet. U ul në piano dhe ia këndoi këngën.
– Ja, këtë desha me ta tregue, i tha, dhe ti je i pari që e dëgjon. Këtë kangë e kam shkrue për gruen tande e në qoftë se ti thue mos me e nxjerrë, unë tash e fshij e të kërkoj të falun për guximin.
Duhet të ketë ndejë me kryet ulë ai farë burri. Ndoshta edhe ai tjetri. Por jo.
Pauza nuk kish zgjatë shumë.
-Unë po ndjehem i nderuem, mor zotni Pjetër, për këto fjalë e këtë muzikë të bukur që ia paske kushtue sime shoqe. Të falemnderës, i ka zgjatë dorën dhe ka dalë”! /Telegraf/

Pse po hesht Mogerini? Tre vende në BE i kërkojnë të deklarohet kundër ndarjes së Kosovës

Agron BAJRAMI

Pavarësisht zhvillimeve të mëtutjeshme, Kosova do të duhej të jetë në gjendje të përcaktojë vijat e veta të kuqe në raport me dialogun me Serbinë dhe marrëveshjen finale që ai proces do të mund të prodhojë
Hyrje
Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është në fazën e rimendimit. Bashkimi Evropian e sheh procesin si pjesë të rëndësishme për strategjinë e vet të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor; suksesi i dialogut tashmë hapur është vendosur si parakusht i afrimit të Kosovës dhe Serbisë me BE-në. Përparimi i Kosovës është më i ndërlikuar, për shkak të mosnjohjes së Pavarësisë nga pesë vende anëtare të BE-së, derisa Serbia e ka rrugën e anëtarësimit të hapur, nëse e arrin marrëveshjen e plotë për normalizim me Kosovën.
Deri tani, me gjithë faktin se dialogu është shndërruar në kushtin qendror për avancimin e Serbisë dhe Kosovës drejt BE-së, ai mbetet i brishtë – siç dëshmon edhe rasti i vrasjes së politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, në Mitrovicën Veriore. Vetëm disa orë pas krimit, delegacioni serb në Bruksel vendosi të tërhiqet nga takimet që shpresohej se do ta ringjallte dialogun pas më shumë se një viti.
Sidoqoftë, periudha e gjatë pa rezultate të prekshme nga dialogu, e përshkuar me tensionime të shpeshta dhe pa implementim të plotë të marrëveshjeve të arritura, ka nxitur një pajtim mes palëve që dialogu i Brukselit të rimendohet. Ndryshimi i formës dhe i përmbajtjes së dialogut është kërkuar shumë më parë, sidomos në Kosovë, por një gjë e tillë është vendosur të bëhet vetëm pasi është parë që dialogu po ngec kohë të gjatë.

Pritjet në BE ishin që dialogu të ngrihet në nivel të presidentëve, me çka supozohej se do të krijohej një situatë më e favorshme për arritjen e një marrëveshjeje finale për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Nga pala serbe dialogu tashmë është duke u udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq. Në Kosovë ka kohë që Zyra e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, përpiqet të marrë drejtimin e dialogut.
Megjithatë, edhe pse çështja e përfaqësimit të palëve ka marrë më shumë vëmendje tek publiku kosovar, thelbësore gjithsesi është forma që do të ketë dialogu në të ardhmen, dhe posaçërisht caku që pritet të vendoset para palëve: përmbajtja e marrëveshjes ligjërisht obliguese. Apo, siç e thotë një zyrtar i një shteti të fuqishëm të BE-së: “Dialogu nuk mund të vazhdojë pa e ditur se çka duhet të ndodhë në fund të tij… një dritë në fund të tunelit është e domosdoshme nëse duam të arrijmë deri atje”.
Rrjedhimisht, pyetja kryesore në këtë moment është se çka, saktë, mund të përmbajë marrëveshja përfundimtare. Deri tani Kosova ka insistuar se dialogu duhet të përmbyllet me njohje mes Kosovës dhe Serbisë. Por Serbia ka insistuar, së paku publikisht, se “kurrë nuk do ta njohë Kosovën e pavarur”.

Loja e Vuçiqit: Dialogu i brendshëm i Serbisë
E ,megjithatë, disa diplomatë dhe vëzhgues besojnë se tashmë ka një lloj lëvizjeje nga pozicioni refuzues serb dhe se presidenti aktual, Vuçiq, është i hapur për “zgjidhje kreative” që mund të çojnë në drejtim të një “marrëveshjeje historike” mes Kosovës dhe Serbisë. Madje, i ashtuquajturi “dialog i brendshëm për Kosovën”, të cilin Vuçiqi e ka nisur si një proces që do të duhej të prodhonte një pozicion të ri dhe konsensual serb rreth Kosovës, shihet si mekanizëm që do t’i mundësojë Serbisë të ndryshojë pozicionin e deritanishëm.
“Besojmë se Vuçiqi është i gatshëm për të lëvizur nga pozicioni i deritanishëm. Ai tashmë ka dhënë sinjale se po përgatitet ta bëjë këtë”, thotë një diplomat evropian.
Në anën tjetër, jo pak vëzhgues dhe njohës të zhvillimeve në Serbi insistojnë se i gjithë dialogu i brendshëm “është një farsë” e inskenuar nga vetë Vuçiqi, me synimin që publikut serb t’i krijohet përshtypja se “presidenti është duke e konsultuar popullin”.
“Vuçiqi tashmë e ka ndarë mendjen se çka do të bëjë… ai vetëm aktron, thuajse pret propozime dhe sugjerime nga dialogu i brendshëm”, thotë një vëzhgues i pavarur nga Beogradi.
Në fakt, disa burime të ndryshme perëndimore e kanë konfirmuar se Vuçiqi ka kohë që ka nisur biseda joformale me qarqe të ndryshme perëndimore, të cilëve po ua prezanton opsionet e pranueshme për të.
Dhe çka është ajo që Vuçiqi e paraqet si koncesion të pranueshëm nga ana e tij?

Sipas një zyrtari të lartë evropian, në bisedime me diplomatët e shteteve perëndimore, Vuçiqi joformalisht po paralajmëron se ai mund ta heqë referencën për Kosovën në Kushtetutën e Serbisë, dhe se eventualisht mund të tërhiqet edhe nga kundërshtimi për anëtarësimin e Kosovës në OKB.
Derisa nuk është e qartë se çka kërkon saktë si kundërshpërblim për këtë, burimet diplomatike vlerësojnë se Beogradi në përgjithësi nuk do të lëvizë nëse nuk ka zbatim të marrëveshjeve tashmë të arritura, para së gjithash themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Vëzhgues nga Beogradi paralajmërojnë se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të mundë të vihet nga Vuçiqi si parakusht për heqjen e referencës për Kosovën nga Kushtetuta e Serbisë. “Në atë rast Vuçiqi do të mundë të ofronte në pajtim të Serbisë, që Kosova të marrë ulëse në OKB të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare për normalizim”, thotë vëzhguesi.
Sipas diplomatëve, pajtimi i Serbisë me ulësen e Kosovës në OKB do të ishte një “koncesion i madh”. Zyrtarët në disa nga kryeqendrat evropiane besojnë se në rast se Beogradi pajtohet me anëtarësimin e Kosovës në OKB, atëherë kjo do ta bëjë të pavlefshëm argumentin e kundërshtimit tek disa shtete që nuk e njohin Pavarësinë e Kosovës, përfshirë pesë shtetet anëtare të BE-së.
Por, siç vërejnë analistë perëndimorë, pengesë për anëtarësimin e Kosovës në OKB është, para së gjithash, Rusia, dhe jo Serbia. “Vetoja ruse në Këshillin e Sigurimit nuk është diç që mund të eliminohet si mundësi nga Serbia… veton ruse mund ta eliminojë si pengesë vetëm Putini”, thotë një analist evropian.
Sipas këtyre burimeve, ofrimi i ulëses në OKB nga Vuçiqi është një karrem të cilin Kosova nuk do të duhej ta gëlltiste.

Ndarja ende në tavolinë?
Megjithatë, javët e fundit, sidomos pas vrasjes së Ivanoviqit, deklaratat zyrtare sikur shpijnë në konkludimin se Serbia, në masën më të madhe, nuk pret që të ketë një marrëveshje me Kosovën. Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, së fundi deklaroi se pritjet që ka Bashkimi Evropian se gjatë vitit 2018 do të mundë të arrihet pajtim për zgjidhjen përfundimtare për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë “janë përralla”.
“Skepticizmi im bazohet në realitet, dhe kjo do të thotë se kur dikush flet se duhet të arrihet zgjidhja për Kosovën, ata në Perëndim kryesisht mendojnë që ne duhet ta pranojmë Pavarësinë e Kosovës të shpallur njëanshëm. Nëse këto janë pritjet nga viti 2018, unë me sigurinë e plotë mund të them se këto janë përralla”, ka thënë Daçiqi në një intervistë dhënë Radiotelevizionit të Vojvodinës.
Daçiqi i ka quajtur “përralla” edhe deklarimet se Serbia do të mundë t’i hapë rrugë Kosovës për në OKB. “Vendimi i anëtarëve të përhershme të Këshillit të Sigurimit, në fund, do të varet nga Serbia, ndërsa Rusia dhe Kina do të respektojnë vendimin e Serbisë”, ka thënë Daçiqi, duke qartësuar se: “Që ne ti sugjerojmë Rusisë që ta lejojë Kosovën në OKB dhe të votojë për një gjë të tillë… kjo nuk është as përrallë, është fatamorgan”.

Një pozicionim i tillë nga Beogradi vjen në kohën kur Bashkimi Evropian përgatit strategjinë e re për zgjerim në rajonin e Ballkanit Perëndimor, e cila, në fakt, Serbinë e sheh si të parën nga shtetet e rajonit në rendin për anëtarësim. Për më tepër, Serbia dhe Mali i Zi janë dy vendet e vetme për të cilat Komisioni Evropian ka dhënë një datë indikative kur do të mundë të anëtarësohen në BE: Vitin 2025.
Pra, derisa Brukseli i ofron Serbisë rrugën e qartë për anëtarësim në BE, me kushtin që me Kosovën të arrijë një “marrëveshje gjithëpërfshirëse normalizimi në formën e një dokumenti ligjërisht obligues”, që nuk nënkupton njohjen e Pavarësisë së Kosovës, Beogradi reziston duke paralajmëruar se arritja e një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë-Serbi në afatet e përcaktuara nga BE-ja “është joreale”.
Po çka, atëherë, është reale, sipas Beogradit?
Nëse do të kërkonim përgjigje nga Daçiqi, ai tashmë e ka thënë disa herë, publikisht: “Po përpiqem të propozoj një zgjidhje afatgjatë që bazohet në kompromisin e së drejtës historike dhe asaj etnike, që nënkupton caktimin e kufijve të asaj që është serbe dhe asaj që është shqiptare”.
Dhe, derisa Vuçiqi publikisht nuk e ka përkrahur këtë ide, ai as nuk e ka kundërshtuar, derisa Daçiqi ka folur gjerësisht për këtë shpeshherë, duke elaboruar se ndarja apo shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte “zgjidhja e vetme reale afatgjate”.

Sidoqoftë, indikative në gjithë këtë zhvillim nuk është fakti se Daçiqi ka folur për një zgjidhje të tillë për “normalizimin e marrëshënieve, por është fakti se pakkush ka reaguar ndaj deklarimeve të tilla të Daçiqit, të cilat, megjithatë, janë në kundërshtim direkt të qëndrimeve bazë të BE-së dhe Perëndimit në Ballkanin Perëndimor kundër ndryshimit të kufijve dhe kundër ndarjeve në vija etnike.
Në fakt, sipas burimeve diplomatike dhe analistëve të pavarur, në takime joformale me zyrtarë të zgjedhur dhe disa personalitete me ndikim në Perëndim, edhe vetë presidenti serb Vuçiq e ka diskutuar mundësinë e ndarjes së Kosovës apo shkëmbimin e territoreve mes Serbisë dhe Kosovës si një zgjidhje që mund të jetë e pranueshme për Beogradin.
Sipas një zyrtari të një shteti evropian, problem nuk është që kohë pas kohe Serbia po e lanson këtë ide. “Problemi është se shohim një pasivitet tek Zyra e Mogherinit, as nuk ka vendosur vija të kuqe për tema të tilla, as nuk reagon fare kur këto gjëra thuhen… ndërsa shohim edhe një heshtje domethënëse tek disa në Prishtinë, po ashtu”.
Sipas burimeve, janë së paku tri shtete të BE-së që e kanë ngritur këtë çështje me Zyrën e Mogherinit, duke insistuar se BE-ja duhet të ketë një kufi të qartë përtej të cilit nuk shkohet.“Dhe ndarja e Kosovës, apo shkëmbimi i territoreve, apo ndryshimi i kufijve, nuk janë të pranueshme.

Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga një analist i pavarur evropian, i cili tha se palëve tashmë u është tërhequr vërejtja se ndarja apo shkëmbimi i territoreve nuk mund të diskutohet. “Sigurisht, në kryeqytetet evropiane janë të vetëdijshëm se një gjë e tillë do të ndikonte rëndë në gjithë rajonin, para së gjithash, në Bosnjë-Hercegovinë, dhe do të ishte në kundërshtim me gjithçka që kemi bërë në këta 25 vjetët e fundit në Ballkan… andaj dhe ka që janë të vendosur se kjo duhet hedhur poshtë, pa asnjë dilemë”.
Megjithatë, duhet pasur shumë vëmendje ndaj zhvillimeve në të ardhmen e afërt, kur në Serbi pritet të përmbyllet i ashtuquajturi “dialog i brendshëm”. Derisa njohësit e rrethanave në Serbi përgjithësisht pajtohen se “dialogu i brendshëm i Vuçiqit” është sajuar për t’i krijuar presidentit serb alibi për çfarëdo vendimi që ai do ta marrë në raport me Kosovën, zhvillimet e fundit pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit sikur paralajmërojnë se jo gjithçka mund të kalojë qetë, ndërsa pasojat gjithsesi do të ndihen edhe në Kosovë.
Dhe një nga rrethanat që duhet marrë parasysh te vrasja e Oliver Ivanoviqit, sipas një burimi të afërt me Qeverinë e Kosovës, është se i vrari ka qenë “kundërshtari ndoshta më i madh dhe më kredibil i ndarjes së Kosovës” te serbët kosovarë. “Rrjedhimisht, mënjanimi i Ivanoviqit, përveçse ka krijuar tensione në Kosovë dhe i ka dhënë arsye Beogradit sërish për të ndërprerë dialogun, po ashtu ka mbjellë frikën te serbët e Kosovës, si dhe e ka kthyer ndarjen si opsion”.

Kosova në kaos
Por Kosova nuk duket mirë e mbrojtur ndaj këtyre kërcënimeve. Derisa brenda BE-së tashmë janë alarmuar me zhvillimet e fundit në Kosovë, Serbi dhe me dialogun e Brukselit, vetë Prishtina nuk duket se e vëren kontekstin skajshmërisht të pafavorshëm për Kosovën në të cilin ndodhin lëvizjet e Vuçiqit dhe Serbisë.
Kështu, derisa BE-ja përgatit strategjinë e re për zgjerim në Ballkanin Perëndimor, e cila do të përcaktojë ritmin e integrimit evropian për shumë vjet të ardhshëm, dhe Serbia përpiqet që përmes lojërave të ndryshme dhe balancimit mes Perëndimit dhe Rusisë vetes t’i sigurojë pozicione sa më të favorshme përballë Brukselit, në Kosovë vazhdon të mbretërojë një kaos politik. Vendi nuk ka një qëndrim konsensual ndaj pothuajse asnjë çështjeje me rëndësi fondamentale, përfshirë dialogun dhe rezultatin e tij përfundimtar. Partitë e ndryshme kanë qasje të kundërta rreth procesit, prej atyre që e përkrahin pjesëmarrjen në të si një proces që “nuk ka alternativë”, e deri te ata që e kundërshtojnë dialogun aktual me çdo kusht.
Por mungesa e konsensusit rreth dialogut tani nuk duket të jetë problemi më i madh i Kosovës. Që nga dhjetori i vitit 2017 vendi është zhytur në një krizë edhe më të thellë politike; iniciativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale ka lëkundur raportet me përkrahësit më të mëdhenj të shtetësisë së Kosovës, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në anën tjetër, përpjekjet e fundit për të zhbërë Gjykatën Speciale përveçse e kanë thelluar krizën politike në vend (të nisur me kontestin rreth demarkacionit me Malin e Zi), i kanë përkeqësuar raportet me shtetet kryesore perëndimore, që përgjithësisht konsiderohen të jenë përkrahësit më të mëdhenj të Pavarësisë së Kosovës.
Në rrethana të tilla, me një BE edhe ashtu më shumë të interesuar për të afruar pranë vetes Serbinë, ftohje të raporteve mes Kosovës dhe shteteve të Quintit, dhe mungesë të çfarëdo konsensusi të brendshëm politik dhe shoqëror, është e qartë se Kosova ka një pozicion shumë më të dobët edhe në dialog.
Por, derisa tashmë është dëshmuar e vështirë nëse jo e pamundshme që të arrihet konsensus rreth çështjeve strategjike, si demarkacioni me Malin e Zi apo (sh)fuqizimi i Gjykatës Speciale, në rastin e dialogut, mundësia që Kosova të gjejë një pozicion konsensual, së paku në raport me synimet e Serbisë, do të duhej të ishte e arritshme.

Vijat e kuqe
Pavarësisht zhvillimeve të mëtutjeshme, Kosova do të duhej të jetë në gjendje të përcaktojë vijat e veta të kuqe në raport me dialogun me Serbinë dhe marrëveshjen finale që ai proces do të mund të prodhojë.
Për më tepër, analiza tregon se nuk do të ishte e paarritshme edhe që Kosova në dialog të paraqitet me një pozicion i tëri konsensual, i cili njëkohësisht do të ishte edhe në vijën e parimeve fondamentale evropiane, dhe i përkrahur nga disa shtete të fuqishme perëndimore, të cilat tashmë kanë shfaqur vërejtjet e veta për procesin e Brukselit.
Një gjë e tillë – që pozicioni i Kosovës të jetë parimisht i përkrahur nga vende të mëdha perëndimore – do të ndihmonte edhe në shtimin e presionit ndaj BE-së për të mbajtur procesin brenda kufijve të zgjidhjeve evropiane.
Kështu, vijat e kuqe kosovare do të mundë të përfshinin parime si këto:
– Sikur të gjithë kufijtë në rajon, ashtu edhe ata të Kosovës janë të pacenueshëm. Kosova nuk pranon bisedime që lejojnë mundësinë e ndryshimit të kufijve.
– Territori i Kosovës është një dhe i pandashëm. Si i tillë, ai nuk mund të qeveriset nga askush tjetër përveç institucioneve demokratike të Kosovës, të zgjedhura nga populli i Kosovës, me mandatin e caktuar nga Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës.
– Dialogu i Brukselit është qenësor për paqen dhe stabilitetin jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin. Kosova është e përkushtuar për pjesëmarrje në këtë proces si mjet për arritjen e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë përmes një marrëveshjeje, e cila nuk mund të jetë në kundërshtim me parimet, standardet, normat dhe praktikat evropiane.

Rekomandimet për institucionet e Kosovës, Qeverinë dhe partitë politike
– Kundër ndarjes: Qeveria e Kosovës është e obliguar nga Kushtetuta e Kosovës që të kundërshtojë mundësinë e ndarjes së Kosovës, apo shkëmbimit të territoreve me Serbinë. Rrjedhimisht, është obligim i Qeverisë, por edhe i Kuvendit, i presidentit dhe i institucioneve të tjera të shtetit, që publikisht të kundërshtojnë idetë e ndarjes apo shkëmbimit të territoreve, pa marrë parasysh prej kujt vijnë.
– Mandati i ri për dialog: Institucionet e Kosovës do të duhej urgjentisht të hapnin diskutimin që do të shpinte drejt vendosjes së një mandati të ri për pjesëmarrje në dialogun e Brukselit. Rezoluta e re parlamentare është e nevojshme për t;i dhënë mandate ekipit të Kosovës për të negociuar atë që në dokumentet e BE-së po quhet “Marrëveshje gjithëpërfshirëse normalizimi në formën e një dokumenti ligjërisht obligues”. Përsëritja e gabimit që është bërë në negociatat e deritanishme, ku përfaqësuesit e Kosovës kanë nënshkruar marrëveshje pa konsensus paraprak politik parlamentar, mund të sjellë pasoja edhe më të rënda se që ishte kriza politike e shkaktuar nga Marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi dhe Marrëveshja për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
– Kërkimi i konsensusit: Edhe pse rrethanat aktuale nuk lënë vend për shpresa të mëdha, institucionet, partitë politike, po edhe shoqëria kosovare nuk duhet të heqin dorë nga ideja e arritjes së një uniteti nacional për çështje me rëndësi themelore për shtetin. Kërkimi i konsensusit duhet të jetë prioritet në agjendën e secilit institucion të vendit, para së gjithash, Parlamentit.
– Qeveria e Kosovës duhet ta vendosë si prioritet të vet adresimin e obligimeve që burojnë nga dialogu. Marrëveshjet e arritura në Bruksel duhet të zbatohen nëse janë konform ligjeve, ose duhet të modifikohen për të qenë në përputhje me ligjet e Kosovës. Zvarritja e zbatimit në çdo rast jep argumente në favor të Serbisë.

Rekomandimet për Bashkimin Evropian
– Parimet e reja për dialog: Bashkimi Evropian, apo më saktësisht Shërbimi i Jashtëm i BE-së, duhet të dalë publikisht me parimet mbi të cilat mund të lehtësojë dialogun Kosovë-Serbi. Këto parime nuk mund të jenë në kundërshtim me standardet e BE-së.
– BE-ja, qartë dhe hapur kundër ndarjes: Zyra e Mogherinit duhet të dalë qartë dhe publikisht kundër çdo ideje për ndarje apo shkëmbim territoresh, pa marrë parasysh prej kujt vijnë këto. Tolerimi i diskursit të ndarjes etnike vetëm sa do të thellojë mosbesimin jo vetëm mes palëve, por edhe ndaj BE-së, ndërsa ndarja në vetvete nuk është zgjidhje, por thjesht një prolongim i konfliktit.
– Trajtimi i barabartë i palëve: Ndërmjetësi mund të ketë sukses vetëm nëse palët i trajton në mënyrë të barabartë. Zyra e Mogherinit do të duhej të tregonte përkushtim të njëjtë për avancimin e Kosovës drejt BE-së, sikur që ka për Serbinë.
– Roli i BE-së: Në fazën e re, të fundit të dialogut, BE-ja do të duhej të ketë një rol më të qartë të definuar, që tejkalon pozicionin komod të lehtësuesit, i cili nuk merr përgjegjësi për asgjë nga procesi. Një diskutim i hapur për rolin e ri të BE-së është i nevojshëm.

Analiza është e punuar për Grupin për Studime Juridike dhe Politike

Masakër natyrore në lagunën e Nartës

Dalja nga shtrati e lumit Vjosë në fillim të muajit shkurt ka sjellë dhe mbeturina të ndryshme, duke sjellë një masakër mjedisore. Këto mbeturina të çfarëdollojshme janë përqendruar në një vijë bregdetare prej 3 km, që nga plazhi i hidrovorit në fshatin Akërni deri në kanalin e Lagunës së Nartës.
Me mbeturinat plastike lumi ka sjellë dhe mbetje drunjsh të djegur, kjo një tjetër masakër për gjënë e gjallë të Lagunës së Nartës, pasi karboni që mbart druri i djegur helmon peshkun dhe gjënë e gjallë në këtë lagunë. Nuk është e para herë që lumi Vjosë, pasi del nga shtrati sjell mbeturina pa fund, por kësaj herë si asnjëherë në 25 vite deti i ka spostuar në afërsi të Lagunës së Nartës.
Peshkatarët e Nartës ndihen të kërcënuar nga këto mbetje, pasi kanali që lidh Lagunën me detin është dhe zona ku janë mbetjet më të shumta, pasi është dhe periudha ku peshku nga deti hyn në lagunë, dhe nqs së bashku me ujin e detit hyn dhe mbeturinat, kjo do të jetë një masakër dhe një ngordhje masive e gjësë së gjallë në lagunë. Ata shprehen se me mundësitë tona po heqim sa të mundim këto mbetje nga hyrja e kanalit. Por është e pa mundur, pasi janë sasi të mëdha me mbetje dhe është një masakër mjedisore. Janë njoftuar të gjitha instancat për këtë situatë, edhe Ministria e Bujqësisë dhe presim që të vinë për të ndërhyrë.