Njohja e Kosovës është biletë për Serbinë për të hyrë në Bashkimin Evropian, thotë analisti austriak, Gerald Knaus, themelues dhe president i Iniciativës Evropiane për Stabilitet. “Nëse Serbia nuk e njeh Kosovën, ajo definitivisht nuk do t’i bashkohet kurrë BE-së. Këtë e dinë të gjithë. Dhe, sa më gjatë që kjo e vërtetë e dukshme nuk pranohet nga ana e politikanëve në Beograd, aq më shumë kohë do të humbet”, thotë Knaus në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë. Duke komentuar deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, se Kosova dhe Shqipëria një ditë do të duhet të kenë një president, Knaus thotë se ajo më shumë është një përpjekje për të mashtruar Bashkimin Evropian. “Mendoj se është një bllof, nuk mendoj se ka mbështetje reale për ndryshim të kufijve, as në Tiranë, as në Prishtinë. Marrëdhëniet e mira midis fqinjëve nuk janë kërcënim për askënd, por më shumë se kaq do të ishte krejtësisht e padëshirueshme dhe tërësisht joreale. Mirëpo, është e qartë se, nëse Shqipëria dhe Kosova nuk trajtohen seriozisht nga pjesa tjetër e Evropës, nëse lihen jashtë, ato do t’ia kujtojnë Evropës se mund të nxjerrin në agjendë edhe çështje që i bëjnë sërish interesante”, thotë Knaus. Të hënën, Bashkimi Evropian ka paralajmëruar Shqipërinë kundër “ndërhyjes” në vendet fqinje, pasi Rama ka thënë se vendi i tij dhe Kosova mund të kenë një ditë një president të vetëm si “simbol të unitetit kombëtar”.
Ministri i Jashtëm turk paralajmëron Sirinë
Me rritjen e intensitetit të operacioneve ushtarake të forcave që udhëhiqen nga Turqia kundër milicisë kurde siriane YPG në enklavën Afrin të kontrolluar nga kurdët e Sirisë, Ankaraja ka reaguar me kujdes ndaj njoftimeve se Damasku do të ndërhyjë ushtarakisht. Ankaraja ka paralajmëruar Damaskun për mbështetjen që ofron për YPG-në. Duke folur të hënën gjatë një vizite në Jordani, ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu paralajmëroi Damaskun për çdo veprim që kishte planifikuar të ndërmerrte. “Nëse ata po shkojnë atje për të pastruar YPG-në, atëherë nuk ka asnjë problem”, tha ai, “Por nëse forcat siriane po hyjnë në Afrin për të mbrojtur YPG-në, askush nuk mund të na ndalojë ne ushtarakisht”. Qeveria turke ka deklaruar se qëllimi i operacionit të saj është të largojë milicinë YPG-së nga Afrini dhe të krijojë një zonë sigurie prej 30 kilometrash. Ankaraja akuzon milicinë si terroriste dhe si shkaktare të trazirave prej disa dekadash në Turqi. Shtetet e Bashkuara e mbështetin YPG-në në luftën kundër Shtetit Islamik.
Të hënën, televizioni shtetëror sirian njoftoi se forcat e mbështetura nga qeveria e Presidentit Bashar al-Assad kishin arritur një marrëveshje me YPG-në për t’u vendosur në enklavën e pretenduar nga palët atë të Afrinit. Njoftohet se zyrtarët e milicisë kurde të Sirisë po japin mesazhe të ndryshme nëse është arritur një marrëveshje përfundimtare me Damaskun. Zyrtarët sirianë thonë se ofensiva turke në Afrin është një shkelje e integritetit territorial dhe paralajmëruan se do të ndërmarrin hapa për t’i rezistuar. Ankaraja thotë se, operacioni synon vetëm sigurimin e kufijve të saj dhe është brenda kufijve që përcakton ligji ndërkombëtar. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i ka refuzuar thirrjet e krerëve të partive opozitare në Turqi për të hapur një dialog me homologun e tij sirian. Një përplasje e mundshme ushtarake mes Turqisë dhe Sirisë paraqet një problem për Rusinë, që është mbështetëse kryesore e regjimit të Asadit, por që i ruan lidhjet me presidentin turk Erdogan. Forcat ruse po i lejojnë avionët turq të hyjnë në hapësirën ajrore siriane, në mbështetje të ofensivës së vazhdueshme ushtarake. Të hënën mediat turke njoftuan se udhëheqësit rusë dhe turq biseduan në telefon në lidhje me Sirinë.
Kurdët bashkohen me Assadin kundër Turqisë
Turqia po avancon gjithnjë e më shumë në armik të përbashkët: milicia kurde YPG do të krijojë aleancë me pushtetmbajtësin sirian Assad, për të përballur ofensivën turke në Sirinë Veriore. Kurdët e sulmuar nga Turqia në rajonin e Sirisë Veriore Afrin i kanë bashkuar forcat e tyre kundër Ankarasë me qeverinë në Damask. Ushtria siriane do të stacionojë poste kufitare në rajonin Afrin, i tha përfaqësuesi i nivelit të lartë të kurdëve Badran Jia Kurd agjencisë së lajmeve Reuters. Marrëveshja është fillimisht thjesht ushtarake. Kurdët në Afrin e patën thirrur ushtrinë e Assadit për ndihmë kundër Turqisë. Televizioni shtetëror sirian ndërkohë i konfirmoi lëvizjet përkatëse të trupave. Ushtarët sirianë mund të ndodhen “brenda disa orësh” në rajonin Afrin. “Forcat e popullit do të jenë brenda disa orësh në Afrin, për të mbështetur rezistencën e popullit kundër sulmit të regjimit turk”, bëri të ditur agjencia shtetërore e lajmeve Sana. Hollësi të tjera nuk u bënë të ditura.
Ofensivë turke në Sirinë Veriore
Turqia ka sulmuar që prej janarit rajonin përreth Afrinit. Objektiv i ofensivës në shtetin fqinjë, sipas paraqitjes së qeverisë në Ankara është dëbimi i milicëve kurdë nga rajoni në afërsi të kufirit turko-sirian. Si kurdët, ashtu edhe udhëheqja siriane duan të pengojnë nga ana tjetër që Turqia ta zgjerojë zonën e saj të ndikimit. Turqia ndërkohë i ka hedhur poshtë kritikat, se ushtria e saj ka përdorur gaz helmues në ofensivën e saj kundër milicisë kurde YPG në rajonin e Sirisë Veriore Afrin. Këto janë fajësime pa bazë, tha një diplomat turk në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih. “Turqia nuk ka përdorur kurrë armë kimike. Në operacionin tonë “Dega e ulllirit” ne jemi shumë të kujdesshëm ndaj civilëve”. Nga ana tjetër, YPG thotë se ka të dhëna për një sulm turk me gaz ndaj një fshati në Afrin. Në goditjen në afërsi të kufirit me Turqinë të premten u plagosën gjashtë vetë, tha një zëdhënës. Personat thuhet se kanë pasur probleme me frymëmarrjen dhe simptoma të tjera të një sulmi me gaz. Një gjë të ngjashme bëri të ditur Qendra Siriane e Vëzhgimit, e afërt me opozitën siriane si dhe agjencia e lajmeve Sana. Të dyja palët ishin orientuar në deklaratat e mjekëve në Afrin.
SHBA i kundërshtojnë planet kurde për autonomi
YPG dhe aleatët e saj kanë ngritur që prej fillimit të kryengritjes kundër Presidentit Assad në vitin 2011 tri rajone autonome në veri të Sirisë, midis tyre Afrinin. Ndikimi i YPG është rritur, kur e vendosi veten në krye të Forcave të Armatosura Demokratike Siriane (SDF) dhe pas luftës së suksesshme kundër Shtetit Islamik. Meqenëse YPG mbështetet nga SHBA, ofensiva e Turqisë në Veri të Sirisë ka shkaktuar grindje midis partnerëve të NATO-s SHBA dhe Turqi. Megjithatë, SHBA i kundërshtojnë planet e kurdëve për autonomi, ngjashëm me qëndrimin e udhëheqjes siriane që mbështetet nga Rusia.
Merkel ndryshon drejtimin e CDU-së
Merkel sjell një të besuarën e saj si sekretare të përgjithshme të CDU-së. Pas kësaj mendohet të qendrojë një kurs i ri. Edhe Angela Merkel ka qenë një herë, prej vitit 1998 deri në vitin 2000, sekretare e përgjithshme e Partisë Demokristiane, CDU. Ky post jo rrallë ka shërbyer si trampolinë për karrierë partiake. Emërimi i Annegret Kramp-Karrenbauerit, e njohur edhe me akronimin AKK, si sekretare e përgjithshme e CDU-së, mund ta vërtetojë edhe një herë këtë teoremë politike. Së paku, kështu kuptohet kjo lëvizje në mediat sociale.
Sigurisht, çfarë thonë mediat sociale, janë spekulime. Por çfarë mund të thuhet me siguri për Kramp-Karrenbauerin, është se ajo është një person i besueshëm i Merkelit. Të dyja kanë pikëpamje të ngjashme politike. Ato përfaqësojnë një CDU moderne, të hapur në aspektin politiko-shoqëror dhe të gatshme për të bërë koalicion edhe me Të Gjelbrit. Por ato ngjajnë edhe për nga tipi. Të qeta, thuajse modeste para publikut, pa aspak ekzagjerim. Politologu Karl-Rudolf Korte e cilëson këtë brez të ri politikanësh të tipit të Merkel-it, si diçka që përkon me “dëshirën e gjermanëve për qendrureshmëri dhe orientim”. Korte e ka përshkruar Merkelin dikur në një intervistë si “disi pa pasion dhe të ftohtë, por serioze dhe autentike në shërbim të zgjedhësve dhe jo të vetes”. Ky përshkrim i shkon më së miri edhe Kramp-Karrenbauerit. Por pas këtyre figurave qendron një ambicie shumë e lartë politike.
Një kryeministre e fortë
Merkeli ishte përpjekur prej kohësh ta afronte kryeministren aktuale të republikës së vogël në kufirin franko-gjerman, Saarland. Ajo e njeh prej shumë vjetësh 55-vjeçaren, e cila prej vitit 2010 është anëtare e kryesisë së partisë. Emri i saj është diskutuar madje edhe për presidente të Gjermanisë. Por ka edhe disa dallime mes dy grave: Kramp-Karrenbauer është katolike dhe nënë e tre fëmijëve, Merkel protestante dhe pa fëmijë. Para pak kohësh, Kramp-Karrenbauer mbajti një fjalim humoristik në karneval, diçka që vështirë të përfytyrohet për Angela Merkelin. Para gati një viti, në mars 2017, Kramp-Karrenbauer i fitoi sërish zgjedhjet në landin e vet, duke e ruajtur postin e saj si kryeministre me një rezultat çuditërisht të mirë për CDU-në: afro 40 për qind. Për herë të dytë, ajo krijoi një koalicion me socialdemokratët. Në dhjetor 2017, në një anketim përfaqësues, afro 45 për qind e anëtarëve të CDU-së ishin të mendimit se Kramp-Karrenbauer ishte e përshtatshme për t’u bërë pasardhësja e Merkelit. Miratimi ishte më i lartë se për politikanët e tjerë të CDU-së, për të cilët ishte shtruar e njëjta pyetje.
Refuzim ndaj krahut të djathtë
Në fakt, lajmi që Merkel po e sjell Kramp-Karrenbauerin në Berlin nuk do të kishte çuditur askënd në një situatë tjetër politike. Sepse ishte diçka që pritej. Por, në një kohë që në zgjedhjet federale, ku CDU-ja pësoi humbje të hidhura, ndërsa populistët djathtistë të Alternativës për Gjermaninë (AfD) dolën me fitore dyshifrore, në CDU u hap debati rreth pyetjes se mos nevojitej ndoshta një orientim i ri politik i partisë. Se a ishte i drejtë kursi i Merkelit për ta shtyrë partinë kah mesi politik? Diskutimi u gjallërua edhe njëherë këtyre ditëve, kur bisedimet e ngurta për koalicionin e ri qeveritar me socialdemokratët (SPD) përfunduan me një ndarje ministrish që për ndokënd në CDU ishte zhgënjyese. Flitej se Merkel kishte negociuar keq, sepse për shembull, ua kishte lënë socialdemokratëve ministritë e Financave dhe të Drejtësisë. Madje kishte zëra kritikë që kërkonin edhe program të ri parimor për CDU-në. Programi aktual është i vitit 2007 dhe është bazuar në kursin modernizues dhe stabilizues të Merkelit. Motra bavareze e Unionit Demokristian, Unioni Kristiancocial (CSU), javëve të fundit kishte reaguar ndaj konkurencës së krijuar nga AfD me një zhvendosje drejt kah e djathta: Sekretari i përgjithshëm i saj kërkoi një kthesë të re “konservatore”; një përfaqësuses i krahut të djathtë në CSU, Markus Söder, sipas të gjitha gjasave do të bëhet kryetar partie dhe kryeministër i Bavarisë.
Do të ketë edhe ndryshime të tjera
Reagim i ngjashëm ishte pritur edhe nga politika e Berlinit dhe Merkelit. Zëvendësimi i sekretarit të përgjithshëm të deritanishëm të CDU, Peter Tauber, në fakt nuk ishte ndonjë surprizë. Ai kishte kohë që mungonte për shkak të një sëmundjeje serioze. Por kjo lëvizje kishte edhe shkaqe të tjera: Sepse Tauberi kishte bërë disa gabime politike dhe nuk kishte arritur të dëshmonte shumë forcë politike. Që në fushatën zgjedhore, terreni i mirëfilltë ky për një sekretar të përgjithshëm, Merkel i kishte vënë atij dikë tjetër përballë. Asokohe kjo u kuptua si e shtënë paralajmëruese. Kohëve të fundit ka pasur spekulime edhe për emra të tjerë. Për shembull, për Jens Spahn-in, i cili në CDU konsiderohet si shpresë e re konservatore. Por lëvizjet nuk kanë përfunduar ende. Merkel ka premtuar se deri në kongresin e jashtëzakonshëm të partisë që do të mbahet pas një jave, më 26 shkurt, ajo do të prezantojë ndryshimet e kreut partiak. A do t’i marrë në bord edhe kritikët e saj brenda partisë apo do të vazhdojë me rigorozitet kursin e saj? Ardhja e Kramp-Karrenbauerit sinjalizon se Merkel nuk do që CDU të zhvendoset nga e djathta. Rizgjedhja e saj në krye të partisë në kongresin e ardhshëm të rregullt konsiderohet e gjasshme. Një ndër kritikuesve të Merkelit nga radhët e veta, kryetari i Bashkimit të Ekonomisë, Martin Linneman, ka sinjalizuar që tani mbështetje: Kramp-Karrenbauer është “personi i duhur për të ribashkuar krahët dhe rrymat e ndryshme në partinë tonë”.
Kosovë, asnjë datë për seancën e ratifikimit të demarkacionit
Është shtyrë pa afat seanca e Kuvendit të Kosovës për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Kjo ndonëse, seanca ishte paralajmëruar se mund të mbahej në datën 19 shkurt. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj bëri të ditur se për mbajtjen e seancës mund të duhet edhe një javë kohë, për faktin që seanca duhet të përgatitet mirë. Të premten (16.02.) udhëheqësit politikë kosovarë publikuan me shumë entuziazëm marrëveshjen ndërmjet Presidentit të Kosovës dhe atij të Malit të Zi. Ata ranë dakord që Parlamenti i Kosovës ta ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi të nënshkruar në vitin 2015 dhe më pas të dyja vendet të bëjnë korrigjimet e duhura në pjesët e kufirit, ku Prishtina zyrtare pretendon se Kosova humb territor. “Thirrja e seancës për të dielën ishte nga vullneti i madh dhe i mirë pas arritjes së marrëveshjes, por tema e demarkacionit është temë që ka pritur me vjet dhe dëshiron konsultë me të gjitha grupet parlamentare, me të gjithë deputetët me kujdes, në mënyrë që të kemi një seancë të përgatitur mirë. Ka një ndryshim në gjendjen faktike. Ka një marrëveshje mes presidentëve, e cila flet për opsionin e rishikimit dhe të korrektimit të gjendjes në drejtim të Çakorrit dhe Kullës”, bëri të ditur kryeministri Haradinaj në një deklaratë për mediat. Ai tha se ligjin për demarkacionin me Malin e Zi duhet ta votojnë të gjithë deputetët pa përjashtim. “Kjo marrëveshje dhe ligji për ratifikimin që do t’i kalojë Parlamentit duhet të jetë një dokument dhe duhet të votohen së bashku. Ne do t’i ndjekim të gjitha procedurat dhe përgatitjet për këtë. Historia do ta tregojë që nga e gjithë kjo ne kemi fituar të drejtën territoriale të vendit dhe lirinë e lëvizjes dhe e kemi nxjerrë Kosovën nga një pozicion shumë i rëndë. Këtë nuk kishim arritur ta bëjmë të vetëm, pa mirëkuptimin e shumë të tjerëve dhe tash ka rëndësi ta kemi mirëkuptimin e të gjithëve, Listës Serbe, Vetëvendosjes dhe çdo deputeti në Kuvend, se është një moment që duhet të jemi të gjithë bashkë”, tha Haradinaj. Që të ratifikohet marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, duhen 80 vota nga 120 deputetë sa ka Parlamenti i Kosovës. Tash për tash, votën pro marrëveshjes e kanë deklaruar Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demopkratike, Nisma për Kosovën, Aleanca e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe disa deputetë të pakicave, që së bashku bëjnë 78 vota, mirëpo, akoma nuk kanë qëndrim të prerë Pro ratifikimit të demarkacionit, Lëvizja Vetëvendosje dhe lista Srpska. Njëri nga deputetët e listës Srpska Igor Simiq, ka thënë se “për deputetët serb më e rëndësishme është që të formohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, se ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi, i cili është i rëndësishëm për shqiptarët, por jo për serbët”.
“Për Listën Serbe prioritet është formimi i Asociacionit të Komunave serbe (AKS) në Kosovë, e jo çështja e demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi. Demarkacioni është me rëndësi për shqiptarët e Kosovës, por për serbët në Kosovë shumë më i rëndësishëm është formimi i AKS-së dhe avancimi i pozitës së serbëve në Kosovë. Ne po e presim prej shumë kohësh AKS-në përmbushjen e pikave të tjera nga marrëveshja e koalicionit qeverisës në mënyrë që ta avancojmë jetën e serbëve në Kosovë. Për këto Lista Serbe dëshiron të flasë, e pastaj një herë tjetër në rend dite do të vijë demarkacioni”, citon mediumi publik i Serbisë, deputetin serb të Kosovës, Igor Simiq. “Çështja e demarkacionit nuk kërkon përkrahjen e shumicës së dy të tretave të komuniteteve jo shumicë, të deputetëve që vijnë nga bashkësitë serbe, rome e turke. Te shqiptarët ka mjaft vota që të zgjidhet kjo çështje. Ajo që ata e duan është pjesëmarrja e serbëve, sepse kështu dëshirojnë ta manifestojnë karakterin shumëetnik të këtij vendimi”, citohet të ketë thënë Simiq. Ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, është kriteri i fundit që Kosova duhet të plotësojë në mënyrë që Komisioni Evropian t’ia heqë regjimin e vizave edhe Kosovës, si i vetmi vend në Evropë që akoma ka regjim vizash për në zonën Shengen. Sapo Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, publikuan marrëveshjen ku zotoheshin për rishikim të shënimit të vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, zyra e BE-së në Prishtinë e mirëpriti këtë marrëveshje dhe e cilësoi “një hap të rëndësishëm në drejtim të regjimit pa viza për Kosovën”. “Po presim që suksesshëm dhe shpejt të ratifikohet marrëveshja e diskutuar gjatë në demarkimin me Malin e Zi, që do t’i bëjë qytetarët e Kosovës të gëzojnë mundësitë për lëvizje të lirë”, u shpreh shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova.
Protesta në Kiev kundër Presidentit Poroshenko
Në Kiev mijëra vetë kanë kërkuar dorëheqjen e Presidentit Poroshenko. Demonstruesit solidarizohen me opozitarin e dëbuar Mihail Saakashvili, i cili pati bërë thirrje për këto protesta. Rreth 2500 vetë kaluan sipas të dhënave të policisë nëpër qendrën e Kievit, për të kërkuar dorëheqjen e Presidentit të vendit, Poroshenko. Mbi 3000 policë qenë në gjendje gatishmërie. Edhe në pjesë të tjera të vendit pati protesta.
Pakënaqësi për gjendjen e keqe ekonomike
Pjesëmarrës të aksionit të protestës mbanin në duar pllakata, në të cilat dukej fytyra e Poroshenkos, së cilës ata i kishin hequr vizë. Në thirrje në kor ata e quajtën kryetarin e shtetit “hajdut” dhe kërkuan dorëheqjen e tij. Një demonstruese tha se njerëzit nuk duan të pranojnë më që “të mos ndryshojë asgjë dhe që gjithçka të bëhet më keq”. Si shumë të tjerë ata kanë ardhur për të mbështetur politikën e ish-gjeorgjianit Mihail Saakashvili.
Ish-Presidenti i Gjeorgjisë, i dëbuar nga Ukraina, Saakashvili, i cili që prej kohësh kur u shpërngul katër vjet më parë në Ukrainë është shndërruarr nga mik në armik të betuar të Poroshenkos, pati bërë thirrje për demonstratat. Ka muaj që ai kërkon shkarkimin e Presidentit. Ai e akuzon qeverinë e Kievit se nuk e lufton sa duhet korrupsionin në vend. Saakashvilin e arrestuan të hënën në Kiev dhe e dëbuan në Poloni. Ndërkohë ai ndodhet në Holandë, pasi bashkëshortja e tij dhe fëmijët janë holandezë. Ai ka deklaruar se do të rikthehet në Ukrainë.
Ancelotti promovon Gattuson
Është ende herët të thuhet nëse nxënësi mund ta kapërcejë mësuesin, por premisat janë absolutisht pozitive deri më tani. Gennaro Gattuso punon në gjurmët e Carlo Ancelottit, teknikut me të cilin ai është më i lidhur, duke marrë parasysh marrëdhëniet e shkëlqyeshme midis të dyve. Sot, “Gazzetta dello Sport” ka intervistuar Ancelottin, një teknik, i cili aktualisht është pushim, pas shkarkimit nga Bayern Munich, i cili donte të lavdëronte Gattuson, me të cilin u përball me një mijë beteja ekipe gjatë eksperiencës së përbashkët e të mrekullueshme te Milani. Ancelotti menjëherë foli për atë se sa i mahnitshëm është ndikimi i Gattusos si trajner i ekipit të parë, pavarësisht nga vështirësitë e rastit. “Kur të marrësh përsipër drejtimin e një skuadre, ka gjithmonë shumë faktorë të panjohur, shumë dyshime, shumë pengesa për t’u kapërcyer. Rino kishte përpara vështirësitë e veta, por u ndoq si duhet nga lojtarët. Nëse duhet të jeni të besueshëm në sytë e tyre, atëherë nevojitet të merrni ndonjë rezultat. E shoh atë si një udhëheqës autentik. Ai ka grupin në dorë, djemtë do të hyjnë në zjarr për të dhe ky aspekt është vendimtar në futboll dhe në përgjithësi në jetë. Gattuso është shpirti i Milanit, ndërsa lojtarët ofrojnë njohuritë dhe energjinë e tyre për të arritur sukses. Kjo është rruga e drejtë. Gattuso kishte pak kohë për të krijuar alkiminë e duhur. Ndonjëherë, kjo gjë kërkon muaj, vite. Rino, nga ana tjetër, kaloi një muaj, apo më shumë, por përfitoi ngaqë u bashkua me Milanin, duke e njohur historinë e këtij klubi. Nuk ka asnjë cep ‘Milanello’, që mbart sekrete për të. Rino ishte një shtyllë e Milanit tim, i cili bazohej në një filozofi të saktë të lojës dhe të menaxhimit. Champions-i? Për Milanin, nëse shkon përpara Interit, do të ishte një sukses i madh. Por në këtë moment unë shoh që zikaltrit janë shumë në vështirësi. Nëse Milani do të arrijë në Ligën e Kampionëve, ndoshta duhet të planifikojë rivalë Romën dhe Lazion”, u shpreh Ancelotti.
Lufta mes Juves e Napolit
Dueli më i bukur që është parë në Itali në vitet e fundit vazhdon përpara në shenjën e rekordeve. Vetëm Inter, më parë, ka arritur të grumbullojë më shumë se 66 pikët e Napoli-t pas 25 javësh kampionat dhe askush nuk ka qenë në gjendje, si vendi i dytë në renditje, të grumbullojë 65. Domethënë, jemi dëshmitarë të një lufte të paprecedent mes dy skuadrash që, mes shumë diferencash, gjejnë një mënyrë të ngjasojnë. Kjo garë paralele duket se do të vazhdojë deri në fund dhe ndjesia e përgjithshme, duke lënë mënjanë ndeshjet europiane, është se titulli do të fitohet një të mërkurë. Po, sepse duhet shikuar dhe studiuar me kujdes kalendari për të parashikuar se kur mund të vendoset kjo sfidë. Të gjithë javët janë të rëndësishme, si ajo e 3 marsit, me Napoli-n që do të presë Romën dhe Juventus që do të luajë në fushën e Lazio-s, por java më e rëndësishme mund të jetë ajo e përballjes së drejtpërdrejtë e 22 prillit. E vetmja javë me tri ndeshjeve të kampionatit që do të luhen në tetë ditë. Në fillim do të luhen sfidat Milan-Napoli dhe Juventus-Sampdoria, më pas do të vijë e mërkura e fundit e Serisë A për këtë sezon, me Udinese dhe Crotone, për të arritur tek super sfida që do të luhet në “Allianz Stadium”. Ka shumë mundësi që kampionati të mos vendoset në përballjen direkte, por mund të jenë zgjedhjet që do të bëhen në ndeshjet e mesjavës ato që mund të rezultojnë përcaktuese.
Juventus fitoi derbin kundër Torinos 1-0, duke mbetur në ndjekje të Napolit falë një goli të shënuar në pjesën e parë nga Alex Sandro, por shqetësuan shumë lëndimet e Gonzalo Higuain dhe Federico Bernardeschi. “Pipita” u detyrua të largohet nga fusha pas vetëm 15 minutash, për shkak të përplasjes me Sirigu, gjë që i shkaktoi atij një dëmtim në kyçin e këmbës. Testet e para treguan një traumë kontuzive (shtrembëruese), duke përjashtuar përfshirjen e ligamenteve. Asgjë serioze, veçanërisht për Higuain, i cili duhet të pushojë vetëm ndeshjen e ardhshme të Seria A ndaj Atalantës. Në profilin e tij në Instagram, megjithatë, ky lojtar ka shkruar një mesazh të mirë: “Mirëmëngjes, unë dua t’ju falënderoj të gjithëve: miqtë, shokët, tifozët, njerëzit që nuk e dinë, por dëshirojnë atë që është e mirë për ju. Ju faleminderit shumë të gjithëve. Unë do të kthehem së shpejti për të gëzuar me ekipin dhe me të gjithë ju”. Sa i përket Bernardeschi, ai filtron vendosmërisht më pak optimizëm te Juventusi. Raporti i parë mjekësor flet për “trauma shtrembëruese, përfshirje ligamentare në gjurin e majtë”. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, ish-lojtari i Fiorentinës rrezikon të qëndrojë jashtë për rreth një muaj. Në këtë rast, përtej sfidës së dyfishtë me Atalantën, Bernardeschi do të humbasë edhe rikthimin e Ligës së Kampionëve kundër Tottenhamit. Priten teste të mëtejshme për të sqaruar shkallën reale të dëmtimit, por përshtypjet e para nuk janë pozitive. Lajmi i keq për Allegri, i cili sapo kishte gjetur Dybala, pas një ndalimi 40-ditor.
De Vrij nuk rinovon, Interi e merr me parametra zero
Konfirmimi zyrtar erdhi përpara ndeshjes Lazio-Verona nga Igli Tare: Stefan de Vrij nuk do të rinovojë kontratën me bardhekaltrit dhe është i lirë të gjejë një ekip tjetër. Ose ndoshta e ka gjetur tashmë. Sipas raporteve të “La Gazzetta dello Sport”, mbrojtësi holandez ka arritur një marrëveshje të gjatë me Interin, në bazë të një bonusi pesëvjeçar prej 4.2 milionë euro në sezon. Një ofertë shumë më e lartë se ajo e Lazios, që ofroi një rinovim njëvjeçar, me 2.5 milionë euro, e cila mbartte brenda një klauzolë 25 milionë euro largimi. Në fakt, De Vrij, deri disa javë më parë dukej në prag të nënshkrimit. Për të parandaluar “tymin e bardhë” ka menduar “Seg”, agjencia që duket pas interesave të De Vrij, e cila ka siguruar kontratën e majme financiare, të propozuar nga Interi. “Ka një limit për të, se si gjërat shkuan, kjo është një çështje e drejtësisë. Ai ka qenë një profesionist i shquar, ka dhënë aq shumë për Lazion dhe Lazio i ka dhënë aq shumë atij, por në fund të sezonit rrugët tona ndahen. Nuk ka asgjë të keqe, e falënderojmë Stefan për atë që dha, por tani për tani nuk themi arsyet e ndarjes. E vetmja gjë e sigurt është se në botë nuk ka mungesë të lojtarëve dhe ne do të duhet të jemi të mirë në gjetjen e tyre”, shpjegoi Igli Tare në “Premium”. Humbja e De Vrij me parametër zero, në çdo rast mbetet një goditje e fortë për Lazion, ndërsa blerja e tij do të jetë një marrëveshje e madhe për Interin. Në këtë mënyrë, holandezi do të formonte me Skriniar një duet mbrojtës absolut për vitet e ardhshme. Tani, me pak fjalë, vetëm duhet të presim për nënshkrimin dhe zyrtarizimin e tij si zikaltër. Ndërkohë, tifozët e Interit ëndërrojnë.
Guardiola: Te Barça kishte probleme me holandezët
Emmanuel Petit ka thënë se Pep Guardiola ka pasur një problem me lojtarët holandezë kur ka qenë te Barcelona. Shumë është folur për ndikimin që kanë pasur lojtarët holandezë që kanë luajtur nën drejtimin e Louis van Gaal në atë kohë, me Petit dhe Marc Overmars që janë transferuar atje nga Arsenal. “Ka pasur shumë rivalitet brenda skuadrës dhe Guardiola ka pasur mosmarrëveshje me lojtarët holandezë ka thënë francezi.“Ne kishim një ekip shumë të talentuar, por senatorët e skuadrës ishin shumë të vjetër dhe ne kishim shumë probleme jashtë fushës. Unë kam luajtur më pak se 30 ndeshje me Barcelona-n dhe pjesën më të madhe të tyre i kam luajtur në mbrojtje. Ka qenë një sezon për t’u harruar profesionalisht dhe për klubin”, ka thënë Petit. Pas kësaj aventure zhgënjyese me katalanasit, fituesi i Kupës së Botës është transferuar në “Stamford Bridge”. “Doja të kthehesha në Angli”, ka thënë ai. “Shkova te Chelsea dhe i kam treguar atyre se zemra ime ishte blu dhe se nuk isha më një topçi”.