18.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Qershor, 2025

Klauzola sekrete, që u fsheh në kontratën e Mbappe

Nënshkrimi i papritur i Neymar nga PSG nuk ishte bombardimi i vetëm i së kaluarës verore. Në fakt, ekipi parisien, gjithashtu, mbylli një tjetër nga operacionet më të diskutuara të merkatos, për të marrë shërbimet e Kylian Mbappé, francezit premtues, që u evidentua te Monako me 25 gola të tij në 44 ndeshje. Megjithatë, sulmuesi francez nuk arriti në “Parc des Princes” në pronë, por e bëri këtë si një huazim me një opsion blerjeje prej 180 milionë euro. Kjo ishte strategjia e ndjekur nga Nasser al-Khelaïfi në përputhje me “fair play financiar” të UEFA-s. Edhe pse sezoni nuk ka përfunduar ende, Mbappé tashmë është bërë një lojtar i PSG-së për të gjitha qëllimet dhe synimet. Kjo është përcaktuar nga një klauzolë kurioze, që fiksoi klubi i kryeqytetit me Monakon në kontratën e detyrës, siç është shënuar nga “Daily Mail”. Mesa duket, ky seksion parashikon se sulmuesi do të kthehej në Monako, nëse skuadra e drejtuar nga Unai Emery do të zbriste në Ligue 2. Por, pasi fitoi ndaj Strasburg 5-2, fundjavën e kaluar, skuadra parisiene e ka vërtetuar vazhdimësinë e saj. Prandaj, Mbappé tashmë është bërë një lojtar i plotfuqishëm i PSG-së. Edhe pse, klubi i kryeqytetit do të duhet të paguajë verën e ardhshme 180 milionë eurot, për të cilat ka rënë dakord, një shifër që do ta kthejë atë në lojtarin e dytë më të shtrenjtë në historinë e futbollit.

Donnaruma mposht Mbappe

Portieri i Milanit, Gianluigi Donnaruma, është adoleshenti më premtues i Europës në bazë të paraqitjeve të bëra në dy vitet e fundit. “CIES Football Observatory” ka publikuar një raport mbi lojtarët më premtues nën moshën 20 vjeç dhe Donnaruma ka zënë vendin e parë, duke lënë mbrapa portierin e Toulouse, Alban Lafont dhe sulmuesin e PSG, Kylian Mbappe. CIES ka analizuar paraqitjet e lojtarëve në kampionatet ku luajnë gjatë dy viteve të fundit dhe i kanë dhënë një vlerësim lojtarëve mbi mundësinë që ata kanë të kthehen në yjet e futbollit të së ardhmes.
Donnaruma është i pari, Lafont i dyti dhe Mbappe i treti, ndërsa 19-vjeçari i Borussia Dortmund, sulmuesi amerikan Christian Pulisic, renditet i katërti. Portieri i “Djallit” ka siguruar vendin në formacionin titullar në vitin 2015-të, kur ishte vetëm 16 vjeç. Paraqitjet e tij kanë tërhequr vëmendjen e Real Madrid dhe ai shihet si pasardhësi natyral i Gianluigi Buffon tek Italia. Ndërkohë, Lafont, që mban vendin e dytë, është bërë portieri më i ri në histori që ka debutuar në një ndeshje të Ligue 1. Ai ka debutuar me Toulouse në nëntorin e 2015-ës, një muaj pas debutimit të Donnaruma me Milan-in. Lafont ka lindur në Burkina Faso, por luan me ekipin e moshave të Francës dhe nuk ka pësuar gol në 11 nga 38 ndeshjet që ka luajtur në Ligue 1 vitin e kaluar.
Mbappe, i vendit të tretë, ka ndihmuar Monaco të fitojë titullin sezonin e kaluar para se të transferohej te PSG për 180 milionë euro verën e kaluar. Ai ka dhunuar 15 gola në 29 ndeshjet e para që ka luajtur me PSG-në dhe ka luajtur 10 ndeshje me kombëtaren e Francës.

Asensio mund të jetë Raul-i i ardhshëm

Vitet e para të karrierës profesionale janë tepër të rëndësishme për të siguruar një identitet futbollistik. Mësimi nga më të vjetrit në skuadër dhe krijimi i marrëdhënieve është jetësor për të zhvilluar një lojtar.
Sezoni i 1994/95 ishte sezoni kur një Raul i ri festoi golat e parë me një të rrëshqitur me gjunjë dhe gishtin në ajër, ashtu si Amavisca. Rul vazhdoi duke influencuar një gjeneratë të tërë, e cila filloi të imitonte festimin e tij.
Aftësia e tij për të bërë portierin kundërshtar të duket si një lolo ishte diçka me të cilën u mësuan të gjithë, bashkë me tendencën tij për t’u mos u dorëzuar kurrë. Dhe festimi i tij tipik mori edhe emrin “Raulismo”.
Legjenda e tij u gdhend vit pas viti deri në përsosmëri deri në momentin që nuk mund të imagjinohej një ndeshje e Real Madrid pa Raul. Ai ishte lojtari i preferuar i tifozëve.
Marco Asensio i ka të gjitha aftësitë për të qenë Raul i kohës sonë. Ai ka kualitetin, golat, pamjen dhe rininë, e cila është më e rëndësishmja.
Një ndeshje me të në fushë është gjithmonë e veçantë pasi asnjëherë nuk i dihet se çfarë do të bëjë aksionin tjetër.
Ai sjell të njëjtën paparashikueshmëri si Raul dhe kjo është diçka që tërheq tifozët. Ata janë të dy lojtarë që godasin me të majtën, dhe çfarë goditje ka Aseniso!
Por për t’u bërë Raul i ri është e nevojshme që Zidane të tregojë të njëjtin besim tek Asensio siç e kishte Jorge Valdano me Raul. Ai duhet të rrezikojë me të dhe t’i japë kohën e duhur në mënyrë që të shkëlqejë.
Zidane duhet ta kthejë fushën e “Bernabeu-t” në shtëpinë e tij dhe jo stolin e rezervave.

Rënia e sheqerit në gjak njësoj e rrezikshme sa diabeti

Rënia e sheqerit në gjak është po kaq e rrezikshme, në mos më shumë, se sa vetë ngritja e sheqerit në gjak, që është diabeti. Le të themi që çdo njeri funksionon në kushte normale kur ka nivele sheqeri nga 80 mg/dl – 150/ 120 mg/dl esëll dhe mbi 200 mg/dl të paktën pas ushqimit. Kur këto shifra bien poshtë 80, fillon ajo që në e quajmë hipogicemi. Kur shkon poshtë 70 mg/dl, fillon dhe rëndohet situata. Në varësi të rënies së sheqerit, sa më e thellë të jetë rënia, aq më shumë do të ketë klinikë (vuajtje) tek i sëmuri, të cilat mund të fillojnë thjesht me një papërqendrim, lodhje, djersitje apo nervozizëm, por mund të përfundojnë dhe në gjendje kome kur truri nuk e merr siç duhet sheqerin. Ndaj në rastin konkret është tejet e rrezikshme, por lufta ndaj saj fillon me gjetjen e shkakut. A është vetë organizmi që nuk e mban balancën në normë apo mund të jetë si sëmurë me diabet që duke marrë mjekim e sjell në këtë lloj gjendje. Duhet kontaktuar mjeku specialist për të ndarë se cili është shkaku dhe dhënë pastaj mjekimin përkatës. Disa këshilla: Pacientët me diabet duhet të bëjnë shumë kujdes me marrjen e barnave, nuk duhet që të bëjnë vetë kurrsesi ndryshimin e dozave apo të shtojnë mjekime (e theksoj këtë sepse është një problem që ne e hasim shpesh), nga ana tjetër duhet të mundohen të hanë shpesh dhe nga pak në mënyrë që të mos lejnë shumë kohë organizmin pa marrë sheqerin e nevojshëm, që ta parandalojnë.

Diabeti dhe ëmbëlsirat
Personat që vuajnë nga sëmundja e diabetit e tipit 2 duhet të bëjnë shumë kujdes me ngrënien e ëmbëlsirave, kjo sidomos për shkak të sheqerit, sepse sipas një studimi të fundit mësohet se mund të krijohen probleme edhe në rast të konsumimit të gjalpit ose vajit. Në qendrën e madhe studimore shkencore, “Bay Care Centre for Geriatric Care”, në vitin 2012, studiuesit kanë arritur të testojnë kujtesën e disa vullnetarëve, të cilët më parë kishin konsumuar një pjatë me makarona me shumë yndyrna, pak yndyrna të tjera alternative dhe ujë. Ata që hëngrën rëndë demonstruan humbje shumë më të madhe të kujtesës në krahasim me pjesën tjetër të grupit që iu nënshtrua këtij testimi. Kushdo, duke filluar nga personat që janë mbipeshë, mund ta shohë këtë si avantazh për të kontrolluar linjat dhe shëndetin. Si produkti më i mirë i mundshëm për të ruajtur këto parametra është zgjedhur buka e bardhë: vlera e saj numerike është 100. Mishi dhe peshku kanë vlerë zero.

Tottenham refuzon 200 milionë euro nga Real Madridi për Kane

Harry Kane, sulmuesi i Tottenham, është objektivi kryesor për sulmin, të cilin e dëshiron Real Madridi për sezonin e ardhshëm. Sulmuesi anglez përbën prioritet për “Los Blancos”, të cilët duan t’u japin fund vështirësive të shkaktuara nga mungesa e shënimit prej Karim Benzema. Ky i fundit do të largohet nga ekipi madrilen, nëse Florentino Perez e bindur presidentin e Tottenham, Daniel Levy, për ta shitur yllin e tij. Ky është një objektiv, për të cilin Real Madridi ka nisur punën, madje ka propozuar një ofertë për klubin e Londrës për Kane prej 200 milionë eurosh, e ndarë në një normë fikse prej 175 milionë eurosh plus 25 milionë euro në formë variablash. Ky kontakt i parë është refuzuar nga presidenti i klubit anglez, me një “kurrë” të plotë, në synimin për të mos e lënë futbollistin e tij të largohet. Një ofertë, që vijon për herë të tretë mes dy klubeve, pas transferimit të Modriç dhe më pas të Gareth Bale në “Bernabeu”. Daniel Levy është një negociator i paimagjinueshëm, me të cilin Florentino Pérez mban marrëdhënie të mira. Përgjigjja qëndron te vetë lojtari, i cili do të shikonte me sy të mirë ndryshimin e objektivit të “Spurs” për Real Madridin. Në moshën 24-vjeçare, ai nuk ka ndonjë ngut, por Kane nuk dëshiron të humbasë trenin e Real Madridit, që të ndjekë hapat e Modriçit dhe Bale, të cilët ndryshuan ekipet dhe fituan tre Champions me të bardhët.

30 milionë euro për një talent brazilian

Lazio ka kthyer sytë nga Brazili. Kërkohet një zëvendës-Immobille që të jetë i ri dhe premtues. Për këtë arsye, drejtori sportiv i bardhekaltërve, Igli Tare, ka vënë në shënjestër Everton, një sulmues i datëlindjes 1996-të, i cili luan për Gremio-n. Sipas brazilianes “Radio Bandeirantes”, emisarët e Lazio-s janë vënë në lëvizje për të riun: sulmues i krahut të majtë ose sulmues i dytë, Everton është i shpejtë dhe ka vizion, një version brazilian i Keita. Në ndeshjen e Recopa-s së Amerikës së Jugut kanë qenë të pranishëm emisarët italianë.
Në Amerikën e Jugut janë të sigurt: Lazio duket se e ka bërë të sajin. Një ofertë që duhet të ketë qenë e lartë sepse klubi brazilian e vlerëson lojtarin rreth 30 milionë euro. Një shifër e rëndësishme, që mund ta demoralizojë klubin italian, në rast se nuk vjen një shitje e rëndësishme. Ndoshta ato 150 milionë eurot e famshme për Milinkoviç-Saviç…

Modriç, i lënduar: 10 ditë pushim, por do të jetë ndaj PSG

Luka Modriç ka një lëndim të muskujve dhe mund të jetë larg fushave të blerta për diçka mes shtatë dhe dhjetë ditëve, siç mëson “AS”. Lojtari ka kaluar testet mjekësore me Marcelon, i cili u plagos rëndë kundër Betis. Modriç ka munguar në seancën fundit, që Real Madridi ka zhvilluar këtë të martë, para se të vizitojë Leganes nesër, në La Liga, sfidë e shtyrë dhjetorin e kaluar për shkak të “Los Blancos” në Botërorin e Klubeve. Mungesa e pranisë së kroatit u duk befasuese, sepse dje mori pjesë në seancën e parë të javës, edhe pse ai nuk luajti kundër Betisit, një ndeshje në të cilën Zidane vendosi t’i japë atij pushim. Modriç vuan nga një dëmtim i muskujve, por nuk do ta pengojë atë që të arrinte ndeshjen e kthimit me PSG-në, më 26 mars, në Champions. Kroos dhe Vallejo vazhdojnë të punojnë “jashtë mureve”, ndërsa Marcelo do ta mësojë sot masën e dëmtimit që pësoi të dielën e kaluar kundër Betisit.

PS shpall Xhafën “monument krimi”, nuk lejon të preket nga Vetingu

Fatmir Xhafa është shpallur sot nga deputetët socialist si monument krimi që është i paprekshëm nga Vettingu.Çfarë e ka trembur PS për të mos e dorëzuar Xhafën tek Vettingu? Dy janë arsyet e kësaj vote të PS. Arsyeja e parë ka të bëjë me lidhjet e të vëllait me drogën dhe arsyeja e dytë janë lidhjet e tij me diktaturën si hetues dhe torturues i regjimit. Në prezantimin që i bëri projektligjit të Vetingut në polici, Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj lëshoi një deklaratë të guximshme për llojin e politikanëve shqiptarë. Pa iu dridhur qerpiku, Xhafaj paralajmëroi vetingun e politikanëve. Madje Xhafaj mori poza prej martiri, kur u vetëofrua të kontrollohej i pari nga vetingu politik, sipas deklaratës së mëposhtme. “Nëse duhet një ligj i vetingut për politikanët, unë jam i pari që do ta votoja me të dy duart. Besoj që ai draft duhet të ketë që të vetohem unë i pari, meqenëse jam hartuesi i reformës në drejtë- si, hartuesi i këtij projektligji dhe Ministër i Brendshëm për momentin në këtë detyrë. Por besoj fort që në mënyrën si është ndërtuar dhe vetë reforma në drejtësi, në mënyrën se si është konceptuar ajo, unë besoj shumë shpejt që do të kemi dhe veting për politikën, qoftë për çështje të figurës, qoftë për çështje të njerëzve në politikë. Dhe në mënyrë të veçantë të atyre që kanë pasur rol vendimmarrës, në fatet e këtij vendi dhe në pasuritë e qytetarëve të këtij vendi”.

Nuk kaluan as 24 orë dhe deputetët e Partisë Socialiste e kanë nxjerrë bllof. Propozimit të opozitës që në vetingun e policisë të përfshihej edhe Ministri i Brendshëm, socialistët i kanë thënë Jo, duke e rrëzuar me votën “kundër” në Komisionin e Sigurisë. Me votimin në Komisionin e Sigurisë, Fatmir Xhafaj kishte shansin të tregonte se deklarata e tij nuk ishte thjesht një shashkë. Por siç duket pohimi pompoz u bë vetëm për efekte mediatike, sepse në të vërtetë frika nga vetingu politik është e qartë në votën një ditë më pas.
Propozimet e Partisë Demokratike në projektligjin e Vetingut në Polici
Ministri i Brendshëm, shefi i tij i kabinetit dhe zëvendësministrat të jenë subjekt i vettingut sipas të njëjtave kritere për trupën e policisë.
Organet e vettingut të jenë jopolitike dhe jo nën varësinë e Ministrisë së Brendshme apo qeverisë, siç parashikohet në draft.
Shtrija nga 5-10 vjet e vettingut për ndalimin e përfshirjes së policëve në aktivitete politike. Në draftin aktual është vetëm 3 vjet.

Dy të vdekur nga fruthi, 132 të prekur

Dy foshnje kanë humbur jetën nga fruthi në Shqipëri, ndërsa 132 janë të prekur. Fruthi ose morbilli, e njohur edhe si e “keqja e vogёl”, ёshtё sёmundje ngjitёse virale, qё klinikisht pёrcillet me temeraturё tё lartё, me shenja tё shprehura katarrale dhe paraqitjen e ekzantemës nёpёr lёkurё dhe enantemёs nё mukoza. Fruthi zakonisht atakon moshat fёminore, por mund tё paraqitet edhe te tё rriturit. Fruthi pёrhapet pёrmes spërklave tё ajrit dhe para përdorimit tё vaksinës, sёmundja ёshtё paraqitur nё formë epidemike çdo 2-5 vite. Pas aplikimit tё vaksinёs, incidenca e kёsaj sёmundje ёshtё zvogëluar, por herё pas here paraqiten epidemi nё popullatën joimune. Nё vendet e pazhvilluara fruthi ёshtё njёri nga problemet kryesore shёndetёsore pёr moshat e fёmijёve, ku pёr shkak tё komplikacioneve nё sistemin nervor qendror dhe sistemin respirator, vdekshmëria arrin deri nё 20%.
Kush e shkakton fruthin? Virusi i fruthit bënё pjesё nё grupin e paramixovirusve, ka madhёsi 120-150nm.

Si pёrhapet?
Fruthi ёshtё sёmundje vetёm e njerëzve. Burim i nfeksionit ёshtё njeriu i sёmurё, i cili e mban virusin nё mukozёn e rrugёve tё frymarrjes, ndёrsa infekcioziteti mё i madh ёshtё nё javёn e parё, nё stadin katarral tё sёmundjes. Nё stadin e ekzantemës, infekcioziteti ёshtё i vogёl pёr shkak tё sasisё sё vogёl tё virusit nё rrugёt respiratore. Dy ditё pas paraqitjes sё ekzantemës, i sёmuri nuk ёshtё mё infekcioz. Pёrhapja e virusit bёhet pёrmes rrugёs frymarrjes dhe konjuktivёs, pёrmes spërklave tё ajrit nё kontakt tё drejtpërdrejt me tё sёmurin. Pasi qё virusi i morbillit ёshtё shumё i ndieshёm nё ambientin e jashtёm ku qёndron vetёm 10 minuta, pёrhapja e sёmundjes nga personi i tretё (mёnyra indirekte) bёhet nё raste tё rralla nё çerdhe dhe institucione ku ka shumё persona. Kёshtu qё, gjatё kohёs sё paraqitjes sё sёmundjes duhet qё dhoma e tё sёmurit tё ajroset sa mё shumё.Sёmundja mё shumё pёrhapet nё qytete ku ka karakter endemik pёr shkak tё kontakteve mё tё shpeshta nё mes njerёzve dha paraqitet nё sezonin dimёr- pranverё. Tё porsalindurit deri nё moshёn 6 mujore, nuk sëmuren nga fruthi nё qoftё se nёna e fёmiut e ka kaluar sёmundjen ose ёshtё vaksinuar, sepse antitrupat barten nё formё pasive me rrugё transplacentare nga nёna te fryti. Nёse nёna nuk ёshtё imune mund tё sëmuren nga fruthi edhe tё porsalindurit.

Meta rrëzon Ramën për pazarin me detin: Trego hartat dhe qëllimin e vërtetë të Negociatave

Presidenti Meta ka zbardhur përgjigjen që institucioni i tij i kthen Ministrisë së Jashtme. Kleçka qëndron në faktin se në kërkesën e bërë nga Bushati nuk përcaktohet se cili është qëllimi i Negociatave me Greqinë për të cilat kërkohet autorizim për Plotfuqishmëri tek Presidenti. Në të njëtën kohë Meta I kërkon qeverisë edhe hartat dixhitale mbi të cilat do të negociohet.
Kreu i Shtetit, Ilir Meta bën publike letrën dërguar në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati.
Gjithashtu nga Presidenca njoftohet se në orën 11:00 në faqen zyrtare të Institucionit do bëhet publike letra zyrtare.
Ndërsa po në funksion të transparencës në orën 13:00 Presidenti i Republikës do të zhvillojë një konferencë për shtyp në Institucionin e Presidencës. Ky zhvillim vjen vetëm disa ditë pasi ministri Bushati i kërkoi Presidentit Meta plotfuqishmërinë për të nisur negociatat me Greqinë. Por nga ana e institucionit të Kreut të Shtetit thuhet se ende nuka ka emra konkretë se kush do e drejtojë këtë proces.
LETRA
Presidenti Meta bën publik qëndrimin e tij lidhur me “Kërkesën për autorizim negociatash me palën greke”
20 shkurt 2018
Në funksion të transparencës me opinionin publik, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerëson të bëjë publik qëndrimin e tij lidhur me “Kërkesën për autorizim negociatash me palën greke” dërguar Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme, ditën e premte, datë 16 shkurt 2018, dhe po në funksion të transparencës Presidenti i Republikës së Shqipërisë Sh.T.Z. Ilir Meta do të mbajë një konferencë shtypi në Institucionin e Presidencës sot, me datën 20 shkurt 2018, në orën 13:00.
Lënda: Mbi kërkesën nr. 2428 prot, datë 13.02.2018 “Kërkesë për autorizim negociatash me palën greke”.
Drejtuar: Zotit Ditmir BUSHATI
MINISTËR I EVROPËS DHE PUNËVE TË JASHTME
Për Dijeni: Zotit Edi RAMA
KRYEMINISTËR

I nderuar Zoti Ministër,
Nëpërmjet shkresës suaj nr. 2428, datë 12.02.2018, u njoha me kërkesën për “Autorizim negociatash me palën greke”.
Presidenti i Republikës, vlerëson angazhimin e Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme për të nisur negociatat për një marrëveshje të re ndërshtetërore për delimitimin e hapësirave detare me Greqinë. Bashkëpunimi i hapur dhe i ndërsjelltë është në themel të parimit të fqinjësisë së mirë.
Presidenti i Republikës, është i bindur se delimitimi i hapësirave detare me Greqinë, është në interesin më të mirë të vendit tonë në të gjitha aspektet, si në drejtim të ushtrimit të sovranitetit dhe juridiksionit kombëtar, ashtu edhe në drejtim të sigurisë, dobisë ekonomike, politike, sociale, etj.
Në këtë kontekst, zgjidhja për ndarjen, përdorimin dhe shfrytëzimin racional, efektiv dhe në mënyrë sa më të drejtë e të barabartë të hapësirave detare dhe burimeve të tyre me Republikën e Greqisë, duhet të vijë përmes një emëruesi të përbashkët midis dy vendeve.
Theksoj, se është e detyrueshme që çdo zgjidhje të respektojë parimet e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, detyrimet e vendosura për zbatim nga Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 15, datë 15.04.2010, kuadri ligjor i brendshëm, aktet ndërkombëtare ku Shqipëria është palë, si dhe duke patur parësor interesin shtetëror.

Nga shqyrtimi i kërkesës së paraqitur, për Autorizim negociatash me palën Greke, konstatohet se;
1. Kërkesa nuk përkufizon qartë objektin e negociatave për të cilin kërkohet Autorizim për Plotfuqi.
Shkresa nr. 2428 prot, datë 13.02.2018, që në “Lëndë”, është e paqartë, pasi sipas saj objekti është “Përcillet kërkesë për autorizim negociatash me palën Greke” dhe ky përkufizim nuk parashikon, se cili është objekti konkret për të cilin kërkohet Autorizim për Plotfuqi dhe nuk reflekton detyrimet që rrjedhin nga Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 15, datë 10.04.2010.
Së pari, duhet evidentuar se kjo kërkesë është e përbërë gjithsej nga një kërkesë e vetme (gjithsej 4 – fletë) dhe nuk përmban asnjë dokument shoqërues apo shpjegues bashkëlidhur.
Nga shqyrtimi tërësor i kërkesës rezulton se ajo nuk shpreh në mënyrë të qartë dhe eksplicite titullin e marrëveshjes dhe objektin konkret për të cilin shteti shqiptar kërkon të hyjë në negociata zyrtare me shtetin grek.
Përcaktimi i saktë dhe pa asnjë ekuivok i titullit të marrëveshjes dhe objektit të negociatave, në proceset e diskutimeve negociuese ndërkombëtare me qëllim lidhjen e një marrëveshjeje të kësaj natyre është kushti themelor që duhet të plotësohet, dhe mbi të cilin lëshohet Autorizimi për Plotfuqi nga Presidenti i Republikës.
Vetëm duke përcaktuar objektin e saktë të negocimit, grupi negociator legjitimohet për të zhvilluar diskutime brenda objektit të tij.
Në pjesën hyrëse të shkresës citohet se :
“Delitimimi i hapësirave detare me fqinjët nëpërmjet marrëveshjeve dypalëshe mbetet një çështje e rëndësisë prioritare për vendin tonë”.
Ndërkohë në faqen 3 të kërkesës suaj, parashtrohet se:
“Delitimimi i hapësirave detare është përfshirë dhe në paketën e çështjeve të hapura mes dy vendeve të diskutuara në kuadrin e mekanizmit dypalësh”…. “Nisur nga sa më sipër me palën greke është rënë në parim dakord për të negociuar një marrëveshje të re për të delitimuar hapësirat detare sipas një ndarjeje të drejtë për palët. Diskutimet e deritanishme për çështjen e delitimimi të hapësirave detare nevojitet të konkretizohen me negociata mes palëve”.
Në paragrafin e fundit të faqes 3 të kësaj kërkese parashtrohet se :

“Synimi i negociatave teknike me palën greke do të jetë:
Negocimi dhe finalizimi i një marrëveshje të re për delitimimin e të gjitha hapësirave detare të përcaktuara për të Drejtën e Detit me koordinata gjeografike; Detin Territorial, Zonën Ekskluzive Ekonomike dhe Shelfin Kontinental”.
Në lidhje me këtë që ju citoni, gjithçka që është vlerësuar nga qeveria se duhet të negociohet nuk mundet që t’i kërkohet autoritetit më të lartë, duke përdorur terma të tillë si “synim”, por qartësisht sipas Kushtetutës dhe ligjeve, kërkesa për Autorizim duhet të jetë e shprehur ekzaktësisht mbi titullin e marrëveshjes dhe objektin e saj.
Për më tej në kërkesën për Autorizim për Negocim, do të duhej të përfshiheshin edhe hartat analoge dixhitale, si instrumente negociuese teknike parësore që pasqyrojnë realitetin gjeografik të hapësirës që delimitohet.
Në paragrafin e parafundit të faqes 4 të kërkesës suaj, citohet edhe një fakt tjetër, ku ju parashtroni se :
“Arritja e marrëveshjes do të shërbente paralelisht dhe për plotësimin e kuadrit ligjor ndërkufitar tokësor me lidhjen e Marrëveshjes për Piramidat Kufitare dhe Marrëveshjes për Zgjidhjen e Incidenteve Kufitare të cilat janë kërkuar për dekada me radhë nga pala jonë, por që nuk kanë patur reagim pozitiv të palës Greke. Kjo paketë marrëveshjesh do të zgjidhte njëherë e mirë problematikat ndërkufitare mes dy vendeve dhe do të rrëzonte çdo lloj pretendimi territorial që mund të ekzistojnë në të dy vendet”.
Lidhur me këtë paragraf të letrës suaj, të sqarohet qartë se për çfarë pretendimesh konkrete territoriale bëhet fjalë?, cila palë i ka shfaqur ato, në ç’mënyrë, në çfarë kohe, dhe a ka qenë kjo çështje objekti i diskutimit eksploratore diplomatike që janë realizuar përpara paraqitjes së kërkesës për negocim dhe kërkohet që nga ju me prioritet të vihet në dispozion të Presidentit të Republikës, i gjithë informacioni që dispononi në lidhje me këtë çështje?
Për më tepër, nga shqyrtimi tërësor dhe analitik i objektit të kërkesës, konstatohet se janë të paqartë elementët konkret të objektit të negocimit.
Gjykata Kushtetuese në pikën 82.3, ka përcaktuar një detaj të rëndësishëm që ndikon në përcaktimin e objektit konkret të negocimit. Gjithashtu është i paqartë objekti i negocimit, edhe sa i takon pjesës ku puqen hapësirat detare ndërmjet tre shteteve (Itali-Greqi-Shqipëri), pasi kjo mund të kapërcente kufijtë e këtij autorizimi negocimi dypalësh.
Si konkluzion, përcaktimi i qartë i objektit të negocimit dhe vënia në jetë e detyrës së marrë nga grupi negociator që formalizohet në aktin e Autorizimit për Plotfuqi që Presidenti i Republikës lëshon nëpërmjet delegimit është një kërkesë e qartë e neneve 3, 4, 7 dhe 92/ë, të cilat shpjegohen gjerësisht në mënyrë shteruese në Vendimin nr. 15/2010, të Gjykatës Kushtetuese ku ndër të tjera në pikën, 37, përcaktohet se :

“37.Gjykata çmon se qëllimi i plotfuqisë është dhënia e autorizimit nga organi kompetent për të biseduar me palën tjetër për çështje që caktohen shprehimisht në objektin e plotfuqisë. Përfaqësuesit e shtetit që pajisen me plotfuqi janë të autorizuar të bisedojnë vetëm për aq sa është përcaktuar në mandatin e dhënë për përfaqësim. Në çdo rast, negocimi dhe lidhja e marrëveshjes duhet të bëhet brenda kufijve të përcaktuar në plotfuqinë e dhënë nga organi kompetent. Në këtë mënyrë, për çdo ndryshim, shtesë apo zvogëlim të objektit të negocimeve, përfaqësuesit e shtetit shqiptar janë të detyruar të kërkojnë marrjen e një plotfuqie të re ose ndryshimin, shtesën apo zvogëlimin e objektit të plotfuqisë së dhënë, duke respektuar parimin e shtetit të së drejtës”.
Në përfundim, duke iu referuar standardit Kushtetues, të hierarkisë së zbatimit të normës, parashikuar në nenin 4, dhe 116 pika 1 të Kushtetutës, dhe mbështetur në parashikimet e pjesës arsyetuese të Vendimit nr. 15/2010 të Gjykatës Kushtetuese, në krahasim me çfarë parashtrohen në kërkesën Tuaj, rezulton se nuk është përcaktuar qartë objekti i kërkimit për negocim për të cilin i kërkohet Presidentit i Republikës Autorizim për Plotfuqi. Objekti i saktë i tagrit të përfaqësimit që do të delegohet duhet të jetë i specifikuar në këtë akt që Presidenti i Republikës duhet të lëshojë, dhe mbi të cilin grupi negociator i mandatuar duhet të veprojë gjatë negociatave. Paqartësia e objektit konkret të negocimit për të cilin kërkohet Autorizim për Plotfuqi nga Presidenti, evidentohet edhe më tepër, pasi kërkesa e paraqitur nuk është e shoqëruar as me tekstin e projekt-marrëveshjes dhe as relacionin shoqërues, kërkesë kjo e nenit 6, pika 3, germa “c”, të ligjit nr.43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, ku citohet se:
“c) në rastet e përmendura në shkronjat “a” dhe “b”, të kësaj pike, kërkesa për lëshimin e plotfuqisë i drejtohet autoritetit kompetent për lëshimin e autorizimit nga institucioni që ka iniciativën për lidhjen e marrëveshjes, të shoqëruar nga teksti i projektmarrëveshjes dhe një relacion shpjegues.”
Për më tepër, në kërkesën e paraqitur për autorizim negociatash me palën Greke, në faqen 3, citohet se :
“Prej vitit 2014 e deri më sot janë zhvilluar disa diskutime eksploratore, në nivel diplomatik me palën greke për zgjidhjen e kësaj çështjeje…”.

Në përgatitjen e qëndrimeve të palës sonë për këtë çështje janë mbajtur parasysh parimet e Konventës për të Drejtën e Detit, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, legjislacioni ynë i brendshëm për kufijtë detar dhe analiza e brendshme”.
Nga sa më sipër, konstatohet aktivizimi edhe i instrumenteve të karakterit teknik përveçse politik në fazën përgatitore që i paraprijnë hyrjes në negociata, e për rrjedhojë dhe kërkesës për pajisjen me Autorizim për Plotfuqi.
Ndaj, është e nevojshme që dokumentet që shoqërojnë kërkesën tuaj, të përcillen pranë institucionit të Presidentit dhe të përmbajnë edhe një informacion shterues mbi materialet apo minutat e diskutimeve eksploratore me palën greke si dhe në mënyrë të veçantë analiza e brendshme e bërë nga Ministria e Punëve të Jashtme lidhur me këtë çështje, si dhe personat dhe funksionet e tyre, që e kanë kryer këtë analizë.
Si përfundim, nga sa konstatohet më sipër në lidhje me objektin e saktë të negocimit, Presidenti i Republikës, konkludon se:
– Të qartësohet në mënyrë të mirëpërcaktuar objekti i kërkesës për negocim, duke përmbushur të gjitha mangësitë e konstatuara, si dhe të paraqiten informacionet shtesë të kërkuara.
2. Në kërkesën e paraqitur lidhur me përbërjen e grupit negociator referohet se:
“Pas autorizimit Tuaj, do të ngrihet me Urdhër të Kryeministrit Grupi Negociator”, i cili do të negociojë marrëveshjen e re me palën Greke. Në këtë grup negociator të përfshihen përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes, Forca Detare, Institucioni i Gjeografisë dhe Infrastrukturës Ushtarake, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Infrastrukturës, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Brendshme”.

Në lidhje me këtë çështje, Gjykata Kushtetuese në Vendimin nr. 15/2010, në pikën 36, ka përcaktuar qartë se:
“36. Presidenti i Republikës është përfaqësuesi më i lartë i shtetit shqiptar në marrëdhëniet me jashtë, në kuptim të nenit 86/1 të Kushtetutës dhe ka autoritetin për të lidhur marrëveshje ndërkombëtare si përfaqësues legjitim i shtetit, sipas nenit 92/ë të Kushtetutës. Nga kjo rezulton se, ose ai vetë duhet të kishte marrë pjesë në lidhjen e marrëveshjes ose, nëpërmjet plotfuqisë, duhej të kishte autorizuar grupin negociator për këtë qëllim.”
Mbështetur në parashikimet e nenit 92/ë, të Kushtetutës, dhe Vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr.15/2010, në të cilin është qartësuar mënyra se si Presidenti e ushtron të drejtën për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare konstatohet se :
– Përbërja e grupit negociator sa i takon institucioneve të përfshira nuk është e plotë, dhe
– Mungesa e përcaktimit nominal të delegacionit krijon hapësirë që të mos përmbushë standardet për nivelin e njohurive të kërkuara apo, nuk jep garancitë e nevojshme për integritetin moral dhe profesional për të marrë pjesë në negociata kaq të rëndësishme për shtetin shqiptar.
Nga sa më sipër, rezulton se;
Së pari, grupi negociator që do të realizojë negociatat, duhet të përfaqësojë ekspertizën më të thelluar dhe më të mirë profesionale në të gjitha fushat në interes të negocimit, me qëllim që niveli i përfaqësimit të Shtetit Shqiptar dhe mbrojtja e interesave të tij të realizohet në lartësinë e kërkuar nga interesat e vendit.
Në funksion të realizimit të objektivave të negocimit dhe të ekspertizës, do të duhet të merret në konsideratë dhe pjesëmarrja e përfaqësuesve të institucioneve të tjerë veç atyre të cituar në kërkesë të tilla si Akademisë së Shkencave, Agjencisë së Informacionit Gjeohapësinor (ASIG), Universitetit të Tiranës, Akademisë së Albanologjisë, Institutit të Arkeologjisë, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Kulturës, etj.
Së dyti, kërkesa për dhënien e Autorizimit për Plotfuqi, siç rezulton nga kërkesat e Kushtetutës, Vendimit nr.15/2010 të Gjykatës Kushtetuese, ligjit nr. 43/2016, por edhe nga praktika tashmë e konsoliduar në këtë drejtim, duhet të përcaktojë qartë se cila do të jetë përbërja nominale e grupit negociator, pra jo vetëm me emërtesat e institucioneve, por dhe emrat konkret të personave dhe funksionet dhe profesionet që ata përfaqësojnë.

Në kërkesë nuk përcaktohet se kush do të jetë personi që do të udhëheqë Grupin Negociator, gjë që është tepër e rëndësishme nisur nga përvoja jo pozitive në të kaluarën.
Kërkesa për pajisjen me autorizim, duhet të shoqërohet detyrimisht me listën nominale të emrave konkret përbërjes të grupit negociator, shoqëruar me CV përkatëse, që do të krijonte mundësinë e vlerësimit të përmbushjes së kritereve të integritetit moral dhe profesional që krijojnë besimin tek Presidenti i Republikës, për t’i dhënë besimin që ta përfaqësojnë atë në këto negociata.
Për nga rëndësia e kësaj marrëveshjeje dhe njohuritë e veçanta që kërkohen në këtë fushë, Presidenti i Republikës nuk është informuar nëse, deri në këto momente, është këshilluar ekspertizë e jashtme dhe nëse synohet të merret një e tillë gjatë procesit të negocimit për këtë marrëveshje.
Për sa më sipër, në formën e paraqitur, kërkesa lidhur me grupin negociator dhe përbërjen e tij është jo e plotë dhe e pabazuar në Kushtetutë, Vendimin nr.15/2010 të Gjykatës Kushtetuese, praktikës së mëparshme.
Plotësimi i mangësive të konstatuara në lidhje me grupin negociator dhe përbërjen e tij është kusht i domosdoshëm në vlerësimin e kërkesës për pajisjen me Autorizim për Plotfuqi.
3. Çështja e standardeve dhe metodologjisë të përdorshme për negocim.
Në kërkesë fq 2-3, parashtrohet se:
Delimitimi i vitit 2009 ishte rezultati më minimal që mund të arrinte vendi ynë me Greqinë;
Nevojitet lidhja e një marrëveshjeje të bazuar në një parim të ri delimitimi. Parimi i barazlargësisë shërben si pikënisje për korrektimin e vijës delimituese në favor të palës sonë. Për këtë qëllim nevojitet aplikimi i parimit barazlargësi me korrektim;
Delimitimi i ri duhet të sjellë përfitim në hapësirat detare të Shqipërisë. Përfitimi në hapësirën e Detit Territorial, do të ishte më i favorshëm sepse në këtë hapësirë detare ushtrohet sovranitet i plotë në det, tabanin e detit dhe hapësirën ajrore mbi të, ndërsa në Shelfin Kontinental dhe ZEE vendi ynë do të përfitonte zgjerimin e të drejtave sovrane (shfrytëzim burimesh që ekzistojnë në këto hapësira, por jo sovranitet të plotë).

Lidhur me sa më sipër, bazuar dhe në pikat 82.1, 82.2, 82.3, 82.4, 86, 90, 92, 95, 96 dhe 98 të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr.15/2010, kërkesa e paraqitur do të duhej të shoqërohej me përcaktimin e qartë se në cilën pjesë të hapësirës detare të vijës së delitimit do të përdoret parimi i barazlargësisë strikte dhe ku parimi i barazlargësisë me korrektim, duke saktësuar gjithashtu se cilat janë momentet konkrete që kërkojnë negocim dhe janë objekt i mosmarrëveshjeve ndërmjet palëve.
Përmbushja e kësaj detyre do të qartësonte objektivat, metodologjinë dhe parimet që do të përdorte grupi negociator, për përcaktimi e një kufiri detar në përputhje me Konventën e OKB-së mbi të Drejtën e Detit, praktikën Ndërkombëtare, Kushtetutën, vendimin nr.15/2010 të Gjykatës Kushtetuese dhe mbi të gjitha në interesin më të mirë të Shqipërisë.
Saktësimi i hapësirës konkrete detare të përdorimit të parimit të “Ekitesë”, është thelbësor për arritjen e një marrëveshje të drejtë siç ka arsyetuar Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj nr.15/2010.
Presidenti i Republikës vlerëson se;
Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, detyrimeve të vendosura për zbatim nga Vendimi nr.15, datë 15.04.2010, të Gjykatës Kushtetuese, kuadrit të brendshëm ligjor, akteve ndërkombëtare ku Shqipëria është palë dhe në interes parësor shtetëror, përmbushja e kritereve, kërkesave, të parashtruara e të konstatuara më sipër, përbën domosdoshmëri kushtetuese për marrjen e vendimit për pajisjen me Autorizim për Plotfuqi, të kërkuar me shkresën nr. 2428 prot, datë 13.02.2018.
ILIR META