21.5 C
Tirana
E enjte, 26 Qershor, 2025

Toma mohon akuzat: Faktet të rreme

Gjykata e Apelit në Durrës ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Faktit në Elbasan për katër prej të arrestuarve për korrupsion, ndërsa ka ndryshuar vendimin për dy ish-administratorët. Dashamir Xhika dhe Andi Toma, dy ish-drejtorët e Përgjithshëm të Rrugëve janë arrestuar me urdhër të Prokurorisë për abuzime në ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan. Gjykata vendosi “arrest në burg”, sikurse edhe për Rexhep Tarbën (mbikëqyrës i punimeve në rrugën e Gjinarit) dhe administratorin e kompanisë Kujtim Hyska.
Ndërkohë për dy ish-administratorët e kompanive Agron Hyska dhe Rezarta Bokçiu u vendos detyrim paraqitje. Ish- kreu i ARRSH-es, Dashamir Xhika, heshti gjatë seancës gjyqësore në Gjykatën e Apelit Durrës. Ndërsa Anti Toma, i akuzuari tjetër, preferoi të flasë, madje për një moment u përlot. Të akuzuar për ‘shpërdorim detyre’ dhe ‘korrupsion’ me tenderin e aksit rrugor Elbasan-Gjinar, Toma e quajti absurd arrestimin e tij. “Faktet e paraqitura nga organi akuzës për abuzimin në miliarda lekë janë të rreme”, tha Toma, duke mos i përmbajtuar as lotët.

Të njëjtën gjë pretendoj edhe avokati i të akuzuarve, duke kërkuar pavlefshmëri të vendimit, pasi është i paarsyetuar.
Pasi dëgjoi akuzën dhe mbrojtjen për rreth tre orë, trupi gjykues me relator çështje Izet Dushaj dha vendimin. Për Xhikën dhe Tomën, Apeli Durrës ka lënë në fuqi masën ‘arrest në burg’, ndërsa për Argon Hysën dhe Rezarta Bokçiun në rolin e administratorëve të firmës dha detyrim paraqitje. Për të parin, trupi gjykues tha se nuk ishte kompetencë e tij, por e Kujtim Hysës mbikëqyrja e punimeve ndaj dhe ndryshoi masën e sigurisë.
Ndërsa për Rezarta Bokçiun, problemet shëndetësore dhe vizita të shpeshta që duhet të kryejë, ishte arsyeja e mjaftueshme për ta lënë të lirë. Të pranishëm në sallë krahas të pandehurve ishin edhe familjarët e tyre. Ata ndoqën nga afër apelimin e masës së sigurisë për rreth 3 orë. Arrestimet e ish-zyrtarëve u bë pas një hetimi të nisur nga Prokuroria e Elbasanit më 11 prill 2017 për veprat penale “vjedhje dhe shpërdorim detyre”. Ishte ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, ai që kërkoi hetimin e çështjes pas auditit të zhvilluar për rrugën Tiranë-Elbasan ku u gjetën 5.3 miliardë lekë të vjetra dëme financiare.

Aksidenti me tre viktima në Velipojë, përmendet gruaja, vajza akoma në koma

Me tre viktima dhe një 10-vjeçare në vdekje klinike, të gjithë nga një familje, ky ishte aksidenti më tragjik në Shkodër vitet e fundit. Ekspertët bënë matje edhe mëngjesin e së hënës para se të largonin mjetet nga rruga që të çon në plazhin e Velipojës. Paraprakisht dyshimet e policisë janë se shkak për aksidentin u bë, shpejtësia e lartë, një parakalim i gabuar dhe errësira në rrugë.
Dëshmitari i parë i aksidentit ka qenë banori Gjon Gjekaj, përballë shtëpisë së të cilit ndodhi ngjarja e rëndë. Ai tregon momentet e para të përplasjes fatale.
Gjon Gjekaj: Vetëm kur e kemi parë, ka kërcitur dhe kemi dalë jashtë. Rreth orës 18:00. Njoftuan ambulancën, por ambulanca ka vonuar rreth 15 minuta me ardhë. Rruga nuk ka ndriçim.
Në Urgjencën e Shkodrës mjekët dhe anëtarët e familjes Preka që humbi tre persona janë të traumatizuar. Vajza 10- vjeçare e familjes ndodhet në koma dhe në rrezik për jetën.
Dhurata Uruçi, n/drejtoreshë e spitalit: Situata e saj është e rëndë, nuk po reagon fare karshi mjekimit. Gjendja është e rëndë.

37-vjeçarja që humbi bashkëshortin dhe dy fëmijët, është në gjendje të rënduar, por jashtë rrezikut për jetën sikurse edhe Ndrekë Gjergji e Sokol Mullaj që udhëtonin në mjetin që u përplasën.
Dhurata Uruçi, n/drejtoreshë e spitalit: Rasti më i dhimbshëm që ka kaluar nëpërmjet Urgjencës së Spitalit të Shkodrës.
Familja Preka që humbi kryefamiljarin Edmond Preka dhe dy fëmijër udhëtonte në një mjet tip “Alfa Romeo” që u përplas me një mjet tip “Fuoristradë” që sipas Policisë së Shkodrës drejtohej nga Ndreke Gjergji bashkë me të cilin udhëtontye edhe Sokol Mullaj.
Aksidenti me përmasa tragjike ndodhi pasditen e të dielës në rrugën Shkodër-Velipojë. Nga përplasja kokë më kokë e dy makinave, ka humbur jetën, Edmond Preka 40 vjeç dhe dy fëmijët e tij të mitur, vajza 5 vjeçe dhe djali 9 muajsh. Në gjendje kome është vajza tjetër 10 vjeçe dhe po në gjendje të rëndë, bashkëshortja e tij, Evisa Preka, 37 vjeçe. Familja Perka udhëtonte me një “Alfa Romeo” kur u përplas me një “Fuoristradë” ku udhëtonin dy djem që janë jashtë rrezikut për jetën.

 

Gjendet i vrarë në makinë një 22-vjeçar në Krujë

Një 22-vjeçar është gjetur i vrarë mëngjesin e djeshëm brenda automjetit të tij. Shtetasi Ledi Cypi nga Kruja u gjet i pajetë në makinë nga të afërmit e tij. Mësohet se 22-vjeçari kishte dy ditë që ishte kthyer nga Italia. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Gramëz.
Trupi i pajetë i 22-vjeçarit është dërguar në Tiranë për të kryer ekspertizën, ndërsa policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorëve. Mësohet se kanë qenë familjarët e shtetasit me inicialet M.Ç, ata të cilët e kanë gjetur të pajetë djalin e tyre, dhe menjëherë kanë njoftuar policinë. Nga hetimet paraprake dyshohet se 22-vjeçari është vetëvrarë me armë zjarri pistoletë.

Shpërthim tritoli në një dyqan në Vlorë

Shpërthim i radhës është shënuar në Kaninë të Vlorë rreth mesnatës, fatmirësisht pa persona të lënduar. Ora shënonte rreth 23:45, kur një zhurmë trembi gjumin e banorëve. Objektiv ishte një dyqan që tregonte produkte ushqimore në pronësi të 44-vjeçarit Festim Yzeiraj, në atë kohë i mbyllur.
Si pasojë e shpërthimit nuk u shënuan persona të lënduar, megjithatë ka dëme materiale: janë dëmtuar qepeni dhe xhamat e derës së banakut të dyqanit ushqimor. Kanë qenë të zotët e dyqanit, të cilët banojnë jo larg biznesit, që kanë dhënë alarmin në Sallën Operative.
Burime nga policia lokale thanë se, disa persona janë shoqëruar për t’u pyetur lidhur me ngjarjen. “Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve”, njoftoi zyrtarisht Policia, ndërsa “materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për veprat penale ‘Shkatërrim i pronës me eksploziv’ dhe ‘Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit’.

20 Shkurti ‘91, kur populli ngrihet…

Tre ditët e grevës së urisë të studentëve kishin tensionuar situatën në Tiranë. Disa qindra mijëra vetë morën rrugën drejt Kinoklubit të Qytetit “Studenti” për të shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e tyre për studentët grevistë. Më 20 shkurt 1991, sheshi para Kinoklubit ishte mbushur më shumë se kurrë ato ditë. Thirrjet e turmës “Studentët janë heronj”, “Jemi me studentët”, “Poshtë diktatura”, “Enver-Hitler”, si dhe do ta heqim qelbësirën, ishin një kurajo e madhe për studentët grevistë.
Afro 900 studentë grevistë u ngujuan në këto ambiente. Komisioni organizator i grevës nuk lejoi të hynin në ambientet e grevës operatorët me kamerat e Televizionit Shqiptar, si dhe asnjë qytetar që nuk ishte student ose pedagog i Universitetit të Tiranës. Në ambientet e Qytetit “Studenti” u mblodhën me mijëra e mijëra qytetarë dhe familjarë të studentëve grevistë, të shqetësuar për të afërmit e tyre. Mbajmë mend parullat, qytetarët thërrisnin jashtë në mbështetje të studentëve: “Ejani mblidhuni këtu, këtu, bashkë me ne”. “Poshtë burokratët” dhe mjaft parulla të tjera patriotike. Brenda tek studentët hyri vetëm operatori televiziv i Partisë Demokratike, Agim Buxheli, që kreu filmimet e rralla të studentëve të ngujuar.

Nga ballkoni i godinës së konviktorëve të Gjeologjisë, oratorë të ndryshëm mbanin fjalime kundër qeverisë dhe PPSH, të cilat po flijonin studentët për emrin e një të vdekuri.
Falë organizimit të mirë të sindikatave, sidomos të atyre të minatorëve, u arrit që të mblidheshin afro 100 mijë veta midis tyre punëtorë, studentë, pedagogë, qytetarë të tjerë të Tiranës që protestuan në Qytetin “Studenti”, në përkrahje të grevës së urisë së studentëve. Të parët që erdhën ishin minatorët e Valiasit, të cilët duke brohoritur nga rruga e “Durrësit” e deri tek Qyteti “Studenti” arritën të mblidhnin rreth vetes një turmë prej afro 10 mijë qytetarësh.
Rreth orës 10:00 në Qytetin “Studenti” ndodheshin100 mijë protestues. Ata të gjithë së bashku brohorisnin për fitore dhe shprehnin urrejtjen e tyre ndaj regjimit komunist me promovimin e parullave si: “O Ramiz o zagar, do të varim në litar”, “Poshtë diktatura”, “Liri Demokraci”, etj. Në mbarim të fjalimeve të disa oratorëve demonstrues, aktorja e talentuar Rajmonda Bulku, duke e mbyllur mitingun solidarizues, u bëri thirrje protestuesve të shkojnë tek Sheshi “Skënderbej”. Thirrja e Rajmondës u bë në një çast, kur u duk se të gjithë protestuesit e dëgjuan atë. Një grup protestuesish, të përbërë kryesisht nga familjarë dhe nëna të studentëve të grevës së urisë, nisen në drejtim të Presidencës për të takuar Ramiz Alinë. Ndërsa turma kryesore e protestuesve niset në drejtim të Liceut Artistik. Në krye të protestuesve, ne vumë gratë dhe fëmijët e vegjël në mënyrë, që policia të mos keqtrajtonte turmën e protestuesve.

Një turmë rreth 100 mijë vetash ka lëvizur nëpërmjet rrugës së “Elbasanit”. Tek Liceu, njerëzve u dalin përpara rreshta policësh me skafandra dhe armë. Qentë e policisë u vërsulën njerëzve, ndërsa zbrazën kallashnikovë mbi kokat e protestuesve, të cilët qëllojnë me gur dhe sende të forta policinë dhe Forcat Speciale. Turma çan përpara, por tashmë në drejtim të Sheshit “Skënderbej”.
Beteja e sheshit është vendimtare. Pas një përleshjeje mes popullit dhe forcave të Ministrisë së Brendshme busti ndjen lëkundjet e para. Në ora 14:00, monumenti i Enver Hoxhës bie në krah të majtë të tij, pas tre-katër lëkundjesh të forta. Disa njerëz kishin punuar tek këmbët e bustit, ku ishin edhe vidat mbajtëse, ndërsa të tjerë i kishin hedhur kavon në grykë. Enveri ra dhe bashkë me të edhe miti i tij. Policë dhe qytetarë u përqafuan për disa çaste në shesh.
Atmosfera ishte mjaft e ndezur. Qindra dhe mijëra njerëz shtyheshin kush e kush të shkelte më shumë me këmbë shtatoren që nëpërkëmbej. Për tetë orë rresht, statuja e diktatorit u zvarrit nëpër Tiranë. Urrejtja ndaj diktaturës po dëshmohej mjaft qartë në ato momente. Pas rrëzimit, busti i ndarë në dy pjesë u lidh me kavo në një makinë plehrash, e cila nisi ta tërhiqte zvarrë për ta dërguar në ambientet e Qytetit “Studenti”, ku po vazhdonte greva e urisë së studentëve. Përgjatë gjithë rrugës, njerëzit vazhdonin të pështynin dhe të shkelnin me këmbë bustin e copëtuar të diktatorit. Nëpër rrugët e Tiranës shihje njerëz të përlotur nga gëzimi, të cilëve nuk u besohej se, busti i diktatorit ishte rrëzuar. Të gjithë u bashkuan në një varg të gjatë, duke vazhduar ecjen në drejtim të godinës, ku po zhvillohej greva e urisë së studentëve. Pikëtakimi ishte pikërisht ajo, godina e studentëve të grevës së urisë. Mbi njëqind mijë njerëz në një kor gjigant thërrisnin pa pushim “e hoqëm, e hoqëm, e hoqëm qelbësirën”.

Reagimi i diktaturës

Menjëherë pas rrëzimit të bustit, përfaqësuesi i qeverisë, ministri i Arsimit, Skënder Gjinushi, pranoi se emri i diktatorit do të hiqej nga universiteti. Ndërkohë u publikua një lajm i dalë nga kabineti i Kryeministrit, Adil Çarçani, në të cilën thuhej: “Meqë do të riorganizohej, Universiteti i Tiranës nuk do të ketë më emrin e Enver Hoxhës. Ky dekret hyn në fuqi menjëherë”.
Pas humbjes së bustit, vullnetarët e Enverit kërcënuan se do të marshonin në Tiranë për të rivendosur monumentin dhe se do të shpallnin kryeqytet të ri të Shqipërisë, Vlorën. Më 21 shkurt 1991, ora 11:00 nga Blloku i udhëheqjes dëgjohen krisma. Ndodh një grumbullim spontan, i cili marshon drejt Bllokut. Turma ndalohet nga Neritan Ceka tek Hotel “Dajti”.
Në këto rrethana, Ramiz Alia shpalli krijimin e Këshillit Presidencial, Adil Çarçani largohet dhe vendin e tij e zë Fatos Nano, ish-zëvendësdrejtor i Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste. Më 22 shkurt, gjendja acarohet më shumë, nis revolta e ushtarakëve në Akademinë e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”. Sigurimi i Shtetit fillon goditjen ndaj demokratëve. Goditen shumë veprimtarë të PD në Tiranë, në Elbasan, në Korçë, Fier, Lushnjë etj. Ushtarakët shpallin një Komision Nismëtar të Lëvizjes për Mbrojtjen e Institucioneve të Popullit. Ata u lëshuan një ultimatum forcave politike për një referendum për Enverin, si dhe për zbatimin e ligjit për mbrojtjen e monumenteve dhe vënien e RTSH nën varësinë direkte të Këshillit Presidencial.

Ushtarakët kërkojnë revansh. Më 22 shkurt, zhvillohet një takim mes tyre dhe politikanëve. Takimi i 22 shkurtit pati një ndeshje të ashpër mes përfaqësuesve të opozitës të kryesuar nga Abdi Baleta dhe ushtarakëve. Baleta deklaroi menjëherë se, veprimet e ushtarakëve mund të quhen grusht shteti.
Situata u tensionua pas lajmit se, ushtarakët do të vinin natën bustin e diktatorit që kishin në shkollën e tyre, në Sheshin “Skënderbej”. Turma e popullit rrethoi Akademinë. Ndërkohë edhe brenda në shkollë pati përleshje mes studentëve ushtarakë, por dhe kundër Enverit. Ushtarakët kulmin e presionit do ta arrinin kur thirrën Ramiz Alinë në Ministrinë e Brendshme. Ata i kërkuan atij llogari se, përse nuk kishte marrë masa për mbrojtjen e Enver Hoxhës. Ramizi u mbrojt duke thënë se, “kishte dhënë urdhër për të qëlluar, por nuk e kishin zbatuar urdhrin”.
Më 23 shkurt, Tirana gdhihet e tronditur nga përgjakja. Sipas lajmeve të kohës ka patur katër të vrarë, përfshirë një polic dhe një vajzë 12-vjeçare me emrin Olta. Ajo vdiq, duke parë televizorin në shtëpinë e saj nga një plumb qorr. Vendi po shkonte drejt katastrofës dhe dëshpërimit. Ndërsa më 6 mars, 20 mijë vetë hipën nëpër anije në Durrës dhe u nisën drejt Italisë, duke lënë pas pak shpresë për një jetë në paqe dhe qetësi.

Fotoreporterët e parë që fiksuan rrëzimin e bustit

Më 20 shkurt 1991, të gjitha kanalet televizive të botës transmetuan si lajm të parë një vullkan urrejtjeje, që u zbraz mbi një statujë shtatë metra të lartë të diktatorit Enver Hoxha. Ndonëse busti i udhëheqësit komunist nuk ishte veçse një tog bronzi, i vendosur në sheshin më të madh të Tiranës, përmbysja e tij ishte simboli i rrëzimit të një sistemi dogmatik që i kishte ardhur koha të ikte. Lulëzim Lika, në atë kohë fotoreporter i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, ishte një nga të paktët që arriti të fiksonte këtë moment historik. Fotoja e rrëzimit të bustit u transmetua nga ATSH-ja, me diçiturën “Pamje nga rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës”, paçka se, për ironi të fatit, në agjencinë e vetme të lajmeve punonte në një post drejtues nusja e djalit të Enver Hoxhës. Por, do të ishte kjo foto që do t’i ndryshonte karrierën fotoreporterit Lika, sepse të nesërmen, drejtues të “Reuters” i kërkuan atij të punonte për agjencinë prestigjioze, me të cilën Lika punon edhe sot.
Armando Babani, fotoreporter, kujton se në ato ditë gri e mbante aparatin gjithnjë me vete. Studentët në qytezën e tyre ishin në kulm të protestave kundër regjimit komunist. Për fat, Babani u ndodh në Sheshin “Skënderbej”, në momentin e duhur. Në tarracat dhe ballkonet e ndërtesave, përbri bustit, kishin hipur qindra njerëz.

Ishin disa syresh që e ngjitën Babanin në një nga ballkonet e katit të dytë, ku ai do të arrinte të fiksonte momentet historike. “Hipeni lart se është fotograf!”, kujton sot Babani. “Mund të kem bërë 9-10 shkrepje dhe ishte e gjitha kjo, gati 1 sekond e gjysmë, se më pas bustin e mbuluan njerëzit. Unë nuk e dija ç’do të ndodhte më vonë, por sot them se këto kanë qenë fotografitë e jetës sime”, thotë Babani, një nga fotoreporterët më të njohur në Shqipëri. Fotografitë e Babanit u botuan në gazetën “Republika” dhe “Rilindja Demokratike”, ndërsa sot fotot e Likës nga ATSH-ja, të Babanit, por edhe një fotoreporteri italian, ndodhen në të gjitha arkivat e medias në botë.
Fatmir Çepani, operator në Televizionin Shqiptar, ishte i vetmi që hodhi në celuloid këto momente historike. “Me kameran në sup, ku mbaja edhe peshën e dhjetëra njerëzve që vrojtonin mbi trupin tim, arrita të xhiroja atë që po ndodhte në shesh”.
17 minuta xhirim të Fatmir Çepanit, shprehin përjetimet e këtyre momenteve historike, ku mbretëronte kaotizmi, turmë e revoltuar, plumba, gurë dhe forca të blinduara të policisë.

Adrian Heta: Unë në makinën që rrëzoi bustin e Enverit

Turma e protestuesve qe dhe më energjike, kur arriti në Sheshin “Skënderbej”, për t’u vendosur afër monumentit të diktatorit komunist. Për arsye se numri i forcave të policisë dhe i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë që ndodheshin pranë Sheshit “Skënderbej” dhe Muzeut Historik Kombëtar, ishte tepër i madh, u vendos që protestuesit të prisnin valën tjetër të protestuesve që vinin nga Qyteti “Studenti”. Në Sheshin “Skënderbej” kaloi një veturë e bardhë dhe me sa morëm vesh brenda saj ndodhej Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike. Kjo gjë i entuziazmoi protestuesit. Një grup protestuesish që ishin tek Liceu Artistik, pasi u përleshën me policinë, u futën tek lulishtja pranë Parlamentit nëpërmjet Rrugës së “Elbasanit”. Pastaj, pasi kaluan pranë godinës së Bashkisë, u vendosën rreth monumentit të Skënderbeut. Policia dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të shoqëruara me qen kufiri, të cilët i kishin fshehur prapa Muzeut Historik Kombëtar, filloi t’u bëjë presion protestuesve të shumtë për t’u tërhequr dhe për t’u shpërndarë larg monumentit të Skënderbeut. Policia përdori edhe zjarrfikësen, e cila hidhte me presion ujë me ngjyrë të kuqe, që njolloste rrobat e protestuesve. Turma tjetër e protestuesve që ishin të bllokuar tek godina e Kryeministrisë, e frikësuar nga breshëritë në ajër të armëve të policisë, u tërhoq nga tentativa për të hyrë në Bllokun qeveritar. Ata kaluan në lulishten mbrapa Kryeministrisë dhe mbërritën tek Sheshi “Skënderbej”, për t’u vendosur tek kolonat e Pallatit të Kulturës. Ndërkohë, ky grup protestuesish tentoi të sulmojë për nga shatërvani, por u smbrapsën nga policia. Disa makina të vogla të policisë qarkullonin nëpër Sheshin “Skënderbej”, duke u rënë sirenave për t’u bërë protestuesve presion psikologjik.

Një djalë i ri, i quajtur Durim Hoxha, shkëputet nga grupi kryesor i protestuesve që ndodhej pranë Bankës së Shtetit, për t’u kapur pas kabinës së zjarrfikëses. Por, pas pak ai rrëzohet i dëmtuar nëpër trup dhe me fraktura të brinjëve.
Grupi i katërt i protestuesve vjen nga Qyteti “Studenti” dhe vendoset përreth Sheshit “Skënderbej”. Ndërmjet protestuesve (banorë kryesisht në rrugën e “Kavajës”, në Laprakë, në rrugën “Ali Demi”, Kombinat etj.), që ndodheshin pranë Bankës Kombëtare dhe monumentit të diktatorit, hodhën mendimet se si të sulmohej monumenti. Fillimisht, duheshin thyer pllakat e mermerta të shkallëve për të smbrapsur dhe për t’u përleshur me policinë. Gjithashtu, pas kësaj nevojitej të ndalohej ndonjë makinë e rastit, e tonazhit të rëndë për të rrëzuar me kavo monumentin e diktatorit komunist. Për të realizuar këtë aksion, Saimir Maloku së bashku me shokët e tij i kërkojnë ndihmë protestuesve për të gjetur midis tyre një shofer. Prania e ushtarëve të armatosur me snajper sipër Pallatit të Kulturës, Hotel “Tiranës”, Muzeut Historik Kombëtar dhe në pallatet përreth e bënte të pamundur dhe tepër të rrezikshëm këtë aksion dhe ky mund të lihej për një ditë tjetër kur të krijohej mundësia. Minutë pas minute shtohej numri i protestuesve në shesh.

Për një moment u dëgjua një e thirrur: “Mos u sprapsni dhe mos u trembni nga policia, se ata janë të armatosur me fishekë manovër” (fishekë stërvitjeje që bëjnë zhurmë, pa pasur plumb brenda). Kjo u dha shumë kurajo protestuesve. Tri makina IFA të policisë të mbuluara me tenda shkarkojnë pranë shatërvanit një grup të madh Forcash Speciale të pajisura me skafandra plastike dhe me shkopinj gome. Ata krijojnë një gardh të fuqishëm mbrojtës përreth sheshit tek monumenti.
Ndërkohë Sheshi “Skënderbej” ishte mbushur plot e përplot nga dhjetëra mijëra vetë dhe të vendosur rreth e përqark tij, që bërtisnin duke thirrur: “Ushtria është me ne, Të hiqet qelbësira, Liri-Demokraci” etj. Një grup prej 40 deri 50 vetësh shkëputet nga turma e popullit protestues dhe vendoset pranë monumentit të diktatorit. Ata filluan të thyejnë pllakat prej mermeri të shkallëve dhe nisën të qëllojnë policinë. Forcat Speciale të Ruajtjes së Rendit dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë, të armatosura me shot gun dhe armë të ndryshme filluan të qëllojnë në ajër me fishekë manovër dhe të sulmonin herë pas here grupin e protestuesve tek monumenti. Ndërkaq, protestuesit i kundërpërgjigjeshin, duke i qëlluar me gurë e copa mermeri. Nga krahu lindor i Muzeut Historik Kombëtar, në ndihmë të policisë erdhën forca të shumta të ushtrisë dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë me qen kufiri.

Një protestues pranë monumentit mbante një flamur kombëtar. Sipër godinës së Bankës Kombëtare, Muzeut Historik Kombëtar dhe pallateve në hyrje të rrugës së “Durrësit dhe të “Kavajës” etj., policia kishte vendosur snajper dhe kamera të fshehta. Në mes të radhëve të protestuesve, policia dhe Sigurimi i Shtetit kishin infiltruar shumë informatorë, të cilët kishin për detyrë të raportonin mbi veprimtarinë e elementëve të rrezikshëm rebelë. Por, përpjekjet e policisë dhe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë ishin të kota para turmës së madhe të protestuesve, të cilët u sulën nga të gjitha krahët dhe i detyruan ata të tërhiqen. Protestuesit, duke bërtitur: “Fitore, Fitore” u sulën drejt monumentit dhe u bënë zot të Sheshit “Skënderbej”. Një helikopter policie fluturonte dhe filmonte protestuesit e shumtë që u mblodhën përreth monumentit. Një kameraman i quajtur Agim Buxheli bënte filmime me një kamera amatore. Në mes të turmës, një qytetar rreth 70 vjeç i quajtur, Hysen Berberi, vjehrri i Saimirit, ishte i goditur në kokë dhe i mbuluar tërë gjak në fytyrë. Disa gra protestuese e morën për ta çuar në mjekim pranë Ambulancës Nr. 5 që ndodhej përballë ish-godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve. Një qytetar tjetër në gjendje të plagosur ishte i shtrirë përtokë.

Gjashtë qytetarë e marrin në krah e vendosin tek një makinë aty pranë dhe e nisin drejt spitalit. Gjatë kohës së përleshjeve të protestuesve me forcat speciale tek monumenti, qytetari Ardian Heta (nipi i kirurgut të njohur Prof. Dr. Hysen Heta), mori një makinë IFA të braktisur, që ndodhej në Sheshin “Skënderbej”. Ardiani merr drejtimin e makinës IFA dhe pasi bën dy xhiro rreth shatërvanit, godet me spond një makinë zjarrfikëse që lagte popullin me ujë të ngjyrosur me bojë të kuqe. Makina zjarrfikëse nga kjo goditje ndalon së lëvizuri. Ndërkohë, aty pranë ndodhej një polic rreth 35 vjeç, i plagosur në kokë nga gurët e protestuesve dhe i mbuluar me gjak. Ardian Heta së bashku me shokun e tij Indrit Sukaj, e marrin në makinë policin e plagosur dhe e transportojnë në Spitalin Ushtarak në Laprakë. Para se të nisej makina, shumë protestues i thonë Ardianit që të kthehej prapa se makina mund të nevojitej edhe për rrëzimin e monumentit. Ai e mbajti premtimin dhe u kthye me makinën përsëri në shesh.

Përleshja e qytetarëve me policinë në rrugët e Tiranës

Forca të shumta Speciale, të Ruajtjes së Rendit dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë, të pajisura me skafandra kauçuku, shkopinj gome, gaz lotsjellës dhe qen kufiri, kishin bllokuar rrugën që të çonte nga Liceu Artistik tek godina e Radiotelevizionit. Gjithashtu për këtë qëllim, ato kishin bllokuar rrugën automobilistike edhe me dy makina IFA të ushtrisë. Një zjarrfikëse e madhe lëshoi me presion ujë me ngjyrë të kuqe në një rreze të madhe hedhëse prej 20-30 metrash, duke lagur të gjithë protestuesit. Kjo gjë irritoi pa masë popullin demonstrues dhe ai filloi të drejtohej tek gardhi i madh i policisë dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Nga presioni i madh i ujit të zjarrfikëses, shumë gra dhe fëmijë u rrëzuan përtokë. Kishte shumë me fëmijë të vegjël të tyre dhe ndër to ishte edhe zonja Liri Berisha me djalin e saj të vogël, Shkëlzenin. Zjarrfikësja hidhte ujë me ngjyrë të kuqe dhe nga kjo nuk shpëtoi as Liri Berisha, e cila u lag nga uji i ngjyrosur me të kuqe dhe u dëmtua edhe nga sytë si pasojë e presionit të madh të ujit të hedhur nga pompat e fuqishme të zjarrfikëses. Duke parë këtë moment të rrezikshëm, protestuesit filluan të bërtisnin që gratë me fëmijët e vegjël të kthehen prapa. Policia arriti të smbrapste një pjesë të protestuesve deri tek ish-Shkolla “Kosova” ku edhe aty u bënë përleshje fyt më fyt deri në goditje me tulla e tjegulla.

Ndërsa turma kryesore e protestuesve prej mijëra vetash, duke valëvitur disa flamuj kombëtarë, iu sul me një vrull dhe kurajo gardhit të madh të ushtrisë dhe policisë. Pas përleshjeve dhe përpjekjeve të pandalshme të protestuesve, policia u detyrua të tërhiqej tek godina e Radiotelevizionit. Këtu policia filloi të shtënat në ajër, të hedhë gazlotsjellës dhe të vërë në veprim edhe qentë e kufirit ndaj protestuesve. Në këtë moment duhet të falënderojmë punonjësit e Radiotelevizionit Shqiptar dhe të Institutit të Informatikës, që në numër të shumtë kishin dalë jashtë godinës së tyre dhe ndërkaq bërtitën me të madhe: “Mos qëlloni, mos qëlloni”. Këtu u bë një përleshje e dytë midis turmës tonë të protestuesve dhe policisë edhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Këto të fundit, të ndodhura përballë presionit dhe qëndresës heroike të protestuesve u tërhoqën pranë godinës së Kryeministrisë, duke krijuar një gardh mjaft të fuqishëm mbrojtës në mënyrë që të mos lejonin turmën e protestuesve prej afro 5 mijë vetash që i ndiqte ata, të drejtoheshin drejt Bllokut qeveritar.
Afro 10 deri 15 ushtarë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë ishin të rrethuar nga protestuesit pranë murit të ish-Drejtorisë së Pritjes. Protestuesit i rrëmbyen atyre mburojat prej kauçuku dhe shkopinjtë e gomës. Ndërkaq, disa prej ushtarëve filluan edhe të qanin. U nxitën protestuesit që ata të fillonin thirrjet: “Ushtria është me ne. Ushtarët janë vëllezërit tanë”. Ata i lirojnë ushtarët, iu dhanë edhe pajimet përkatëse me vete, si dhe nuk lejuan që të dhunoheshin fizikisht nga njerëzit e irrituar. Tek Liceu Artistik, një turmë tjetër e madhe Forcash të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe të Rendit, të shoqëruar edhe me qen kufiri, kishin përçarë dhe ndaluar turmën e madhe të protestuesve që vinte mbas nesh nga Qyteti “Studenti”.

Arben SHAHINI

Avokati i financierit të Habilajve: “Si e arratisën nga burgu Seitajn”

Avokati shqiptar i Nezar Seitajt, i njohur si financieri i grupit të Habilajve, është marrë në pyetje në lidhje me ekstradimin e paprecedentë të klientit të tij drejt Italisë. Avokati Detar Hysi është pyetur në Prokurorinë e Durrësit, e cila ka nisur hetimet për të verifikuar procedurat e ndjekura për ekstradimin e Seitait, ndaj të cilit Gjykata e Krimeve të Rënda kishte vendosur masë sigurie arrest me burg për llogari të hetimit në kuadër të grupit të Habiljave.
Në këtë procedim po hetohet edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Burime të “Top Channel” u shprehen se avokati Hysi, ka shpjeguar mënyrën si e kishte marrë vesh për ekstradimin e papritur të klientit të tij si dhe ka dëshmuar faktin se kishte informuar edhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda për këtë ekstradim. Avokati ka pohuar gjithashtu se, ekstradimi i Seitajt është bërë në të njëjtën ditë kur ai kishte firmosur zgjatjen e hetimeve nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Ekstradimi i Nezar Seitajt, përveç procedurës ekstraproceduriale që është ndjekur duke thyer masën e arrestit, që kishte vendosur Gjykata e Krimeve të Rënda, u shoqërua edhe me akuza nga opozita. Ajo akuzoi mazhorancën se e ekstraduan Seitaj në kundërshtim me ligjin, pasi ai ishte i vetmi dëshmitar që mund të dëshmonte ndaj Saimir Tahirit për implikimin në grupin e Habilajve.

Mazhoranca po largon dëshmitarët

Opozita akuzoi mazhorancën dje se po largon dëshmitarët e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili akuzohet si bashkëpunëtor në trafikun e drogës në grupin e Habilajve. Në përfundim të Konferencës së Kryetarëve, dy nënkryetarët e PD-së, Edmond Spaho dhe Edi Paloka, kanë dalë në një deklaratë për mediat, ku kanë folur për atë çka është diskutuar në mbledhje.
Spaho ka thënë se nuk është bërë asnjë hap lidhur me çështjen Tahiri. Spaho ka theksuar se nuk është marrë asnjë vendim për kërkesën e opozitës për ngritjen e një Komisioni Hetimor për çështjen Tahiri.
“Kërkuan kohë për të parë kërkesën tonë. Rregullorja u jep 2 javë kohë për të parë kërkesën. Po bëjnë çmos që çështja të shtyhet e të mos hetohet. Mazhoranca ngre pretendimin se, objektivi i komisionit është i gjerë. Nëse është e nevojshme, le të vijë dhe Rama. Nuk u mor asnjë vendim, çështja Tahiri po zvarritet. Mazhoranca po largon dëshmitarët”, ka thënë Spaho.

Ndërsa Paloka u shpreh se: “Ka edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese, që nuk pengohet hetimi parlamentar edhe kur ka një hetim nga Prokuroria. Mbledhja sot përsëritje e çdo here që opozita kërkon Komision Hetimor. Ata kërkojnë që të ndryshojmë objektin e hetimit. Rregullorja ua jep kohën deri në dy javë”.
Qëllimi i komisionit të kërkuar nga PD është që të kontrollohet ligjshmëria e veprimeve administrative të organeve të pushtetit legjislativ apo ekzekutiv në kultivimin dhe trafikun e lëndëve narkotike, përfshirë çështjen për të cilën akuzohet ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Opozita ka kërkuar të thirret për të dëshmuar në Komision jo vetëm ish-ministri i Brendshëm, por edhe Kryeministri Rama.

Pazari i Ramës, zyrtari i qeverisë konfirmon Berishën: Blloqet “Joni 1 dhe 2” të gazit, jo më pjesë e territorit shqiptar

Ish-kryeministri Sali Berisha ka denoncuar më herët qeverinë e kryeministrit Edi Rama se me marrëveshjen e re të detit, i ka falur Greqisë blloqet 1 dhe 2 në detin Jon, të cilat janë të pasura me naftë dhe gaz.
Ndonëse nga qeveria dhe Ministria e Jashtme vijojnë të qëndrojnë në heshtje, është kreu i Agjencisë së Burimeve Natyrore, Adrian Bylyku, i cili konfirmon për ‘Tv Klan’ se këto blloqe nuk janë më pjesë e territorit të Shqipërisë.
“Blloku Joni 5 është bllok në territorin shqiptar, kurse blloku 1 dhe blloku 2 nuk bëjnë pjesë në territorin shqiptar. Saktësimi i ndarjes midis dy blloqeve është një element i cili do të sqarohet, por kurrsesi nuk cënon pjesën e interesit të hidrokarbureve”, ka deklaruar Bylyku.
Kjo është hera e parë që një drejtues institucioni në Shqipëri pranon heqjen dorë nga dy blloqet e rëndësishme në Jon.
Kreu i Agjencisë së Burimeve Natyrore ka deklaruar gjithashtu se për çështje ditësh, qeveria shqiptare do të firmosë marrëveshjen me kompaninë Shell e cila do të nisë kërkimin e naftës në bllokun 4 në tokë, mes Gjirokastrës e Delvinës.

Kapitullanti Edvin Kristaq Rama kapet mat?!

Te dashur miq, mashtrimi me Top Channel dhe mediat e tjera te majta te Edvin Kristaq Rames, eshte nje deshmi tjeter e kapitullimit te tij dhe faljes Greqise te fushave me te medha te naftes dhe gazit ne Jon dhe Mesdhe.
Dje, media e specializuara greke ne fushen e energjise “energypress.gr” publikoi harten dhe njoftimin se ne marreveshjen e re te detit Greqia si perfitime kryesore kishte heqjen dore nga Shqiperia nga blloqet 1 dhe 2 te trilionave te gazit dhe naftes ne Jon.
Fill pas ketij publikimi Edi Rama reagoi, por ne menyre trashanike dhe qesharake, per te mashtruar shqiptaret. Keshtu, sugar Fuga shperndau nje njoftim shtypi, te cilin TCH, dhe pas tij ne kor ne portale dhe gazeta te majta, e serviren dizinformimin e Fuges si te nje diplomati grek pa emer, mbiemer as dhe adrese, sipas te cilit Greqia bujare i kishte falur Shqiperise blloqet 1 dhe 2 dhe shume territore te tjera, me pretendimin qesharak se ajo e beri kete bujari sepse donte te korrigjonte marreveshjen e meparshme per zemermiresi, dhe se ajo me urgjence donte te firmoste kete marreveshje me Shqiperine per shkak te marreveshjeve qe ajo do te firmose me Egjiptin, Qipron, Izraelin dhe Turqine!
Me kete akt te pergenjeshtrimit te mediave te specializuara greke nga zyra e tij, provohet perfundimisht se Edvin Kristaq Rama ka arritur marreveshjen e Detit me Greqine dhe, siç kemi njoftuar jave me pare dhe konfirmuar disa here publikisht nga pala greke, ai ka kapitulluar dhe falur fushat me te medha te gazit dhe naftes ne Jon dhe Mesdhe.
Perveç kesaj, sipas ketij lajmi perseri provohet se ishujt e Egjeut percaktojne qendrimet per ishujt e Jonit!? sb

Ndarje e Kosovës? Cili është roli i Aleksandër Soros në takimet me Ramën dhe Vuçiç?

Adriatik KELMENDI

Naivisht, nëse e mohojmë flamurin e Kosovës dhe kërkojmë që ai të zëvendësohet me atë shqiptar, i bie se tërthorazi po çojmë ujë në mullirin e atyre që po duan ta ndajnë Kosovën. E apetite të këtilla po vërehen këta muaj nga qarqe që nuk ua duan të mirën as Kosovës e as shqiptarëve
DUALIZIMI ARTIFICIAL me flamurin shqiptar, ose kontestimi dhe mohimi i flamurit të Republikës nga disa shqiptarë të Kosovës, është loja më e rrezikshme që do të mundë t’ia bënte dikush shtetit sot, në prag të dhjetëvjetorit të Pavarësisë.
Do të duhej të ishim të lehtësuar nëse kjo po ndodh nga ndonjë idealizëm naiv.
Do të duhej të ishim më pak të brengosur në qoftë se kjo po bëhet për shkak të populizmit ose bajraktarizmit, se kush ka qenë në pushtet e kush në opozitë në ditën shpalljes së Pavarësisë.
Do të duhej të mos na dhembte shumë nëse është për arsye procedurale, ose estetike, ose nostalgjie.
Mirëpo, zhvillimet rreth Kosovës lënë hapësirë bindëse interpretimi se dikush mund ta ketë edhe me qëllim. Dhe me asi qëllimi që nuk ua do të mirën as Kosovës e as shqiptarëve.
DEBATI LIDHUR ME mohimin e flamurit të Kosovës, që çoi edhe deri në djegien e tij në Gjilan, po ndodh në kohën kur qarqe të caktuara që, po ashtu, nuk ua duan të mirën as shqiptarëve e as Kosovës janë duke u përpjekur të rikthejnë në agjendë opsionin e ndarjes së vendit.

Naivisht, nëse e mohojmë flamurin e Kosovës dhe kërkojmë që ai të zëvendësohet me atë shqiptar, i bie se tërthorazi po çojmë ujë në mullirin e atyre që po duan ta ndajnë Kosovën.
Thjesht, veriu i Kosovës sot ende nuk është nën kontroll faktik të Prishtinës, ashtu siç nuk janë as një numër i komunave me shumicë serbe në brendësi të vendit. I vetmi depërtim i mundshëm i institucioneve të Prishtinës në veri dhe në komunat e tjera me shumicë serbe, i përkrahur edhe nga bashkësia ndërkombëtare, do të mundë të bëhej nën petkun e flamurit të Kosovës.
Flamuri shqiptar do të mund të depërtojë deri në lumin Ibër. Pra, deri aty ku ka shqiptarë. Nuk do të ketë asnjë arsye që ndonjë zyrtar serb, i cili sot ende ilegalisht mban në zyrë flamurin e Serbisë, të pranonte që këtë ta zëvendësonte me flamurin shqiptar. Nuk ka asnjë rezon të shëndoshë politik, i cili beson se ndonjë nga shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe që angazhohet që edhe Serbia ta njohë Kosovën, do ta përkrahte një iniciativë që në institucionet e komunave me shumicë serbe të vendoset jo flamuri i Kosovës, por ai shqiptar.
Logjikisht, meqë shqiptarët e Kosovës e kanë shumë për zemër për 100 arsye flamurin shqiptar, do të mundë të pritej që ky flamur do të ishte OK të zëvendësonte flamurin e Kosovës në komunat e banuara me shumicë shqiptare, mirëpo aty edhe do të ndalej. Se prej aty e tutje do të vazhdonte të valonte flamuri i Serbisë.

A i bie kjo që shqiptarët po heqin dorë nga veriu dhe komunat e tjera me shumicë serbe?
A do të thotë kjo se shqiptarët po e pranojnë ndarjen e Kosovës?
NUK ËSHTË GJË e re – rihartimi i kufijve në Ballkan i konvenon më së shumti Serbisë.
Serbia sot është shtet, i cili është i rrethuar në kufijtë e saj me popullatë etnike serbe. Me krijimin e shteteve etnike do t’i binte që Serbisë t’i bashkëngjitej së paku territori i Republikës Serbe të Bosnjës, pastaj së paku veriu i Kosovës, një pjesë e Maqedonisë dhe një pjesë ose i gjithë Mali i Zi.
Në anën tjetër, sot shqiptarët i kanë dy shtete – Shqipërinë dhe Kosovën.
Koshinet për këto, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nën petkun e të ashtuquajturit “dialog për Kosovën” brenda Serbisë, paralelisht në qarqet politike e diplomatike me ndikim ka filluar ta ritestojë idenë për ndarje të Kosovës, si një “marrëveshje historike ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve”.
Jo rastësisht, edhe strategjia e qeverisë së Beogradit nga viti 2016 flet për “zgjidhjen e çështjes shqiptaro-serbe”, një taktizim perfid nga gjuha që fliste për “problemin e Kosovës” më parë.
Kjo temë është hapur edhe në takimet e tij në SHBA, në fillim të vjeshtës, kurse diplomatë amerikanë në rajon, por edhe të tjerë nga shtete të fuqishme të Bashkimit Evropian janë duke matur pulsin për opsionin e ndarjes, ndonëse Qeveria e SHBA-së, si dhe të Britanisë e Gjermanisë janë shprehur kategorikisht kundër.
Mirëpo, njësoj nuk mund të thuhet edhe për përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, e cila e sheh me admirim një opsion të tillë dhe të njëjtin e ka hapur së paku në një takim në Bruksel së bashku me Hashim Thaçin dhe Vuçiqin. Asnjëri deri më sot nuk e ka mohuar këtë.

Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk është krejt i virgjër në këtë çështje. Ka kohë që raportohet se ai me Vuçiqin kanë folur për nevojën e zgjidhjes së“problemit shqiptaro-serb”, qëllimisht duke anashkaluar “çështjen e Kosovës”. Rama, si një politikan megaambicioz, nuk është se e ka fshehur shumë dëshirën për t’u imponuar si çelës i zgjidhjes së problemeve në Ballkan. Qeveria e Tiranës nuk ka mohuar diçka të këtillë.
Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, këto ditë sërish ka folur për opsionin e ndarjes së Kosovës. Qeveria në Beograd nuk u distancua nga deklarimet e tij. As Brukseli nuk ia tërhoqi vërejtjen.
Në anën tjetër, ka mbetur si një episod i mistershëm edhe përfshirja në “opsionin e ndarjes së Kosovës” e Alexander Sorosit, të birit të filantropit miliarder George Soros, njëherësh edhe anëtar i bordit të organizatës së themeluar nga i ati, Fondi për Shoqëri të Hapur. Burime diplomatike ndërkombëtare bëjnë të ditur se ai në takime të nivelit më të lartë me përfaqësuesit institucionalë serbë në Beograd, përfshirë Vuçiqin, më 20 nëntor të vitit të kaluar ka shtyrë përpara “agjendën” e ndarjes së Kosovës. I njëjti, më 13 janar, qëndroi edhe në Prishtinë, ku u takua me Thaçin dhe Haradinajn. Porosia e njëjtë është dërguar edhe në këto takime.
Ndërkohë ka një insistim që tema e ndarjes së Kosovës të imponohet edhe në tryezat e konferencat e ndryshme, të hapura ose nën Chatham House Rules, që nga fundi i verës.
Rastësi?!
DUHET TË JETË e qartë – çdo ide për ndarjen e Kosovës i konvenon vetëm Serbisë. Çdo lider shqiptar i Kosovës, i cili pranon që fare të hapet si mundësi çështja e ndarjes së Kosovës – qoftë e paketuar si krijim i shteteve etnike ose çfarëdo – po vepron me agjendë të Serbisë, me ose pa vetëdije.

Kosova është një dhe e pandarë, si projekt kompromisi i arritur me përpjekjet e shumë brezave të shqiptarëve që kanë luftuar për liri dhe pavarësi, dhe e cila u kurorëzua me shpalljen e koordinuar të Pavarësisë, 17 shkurtin e para 10 vjetëve.
Jo rastësisht, pra, debati i mohimit të shtetësisë së Kosovës dhe mohimit të simboleve të Kosovës sot u konvenon Serbisë dhe të gjithë atyre që nuk i duan shqiptarët dhe nuk iu konvenon pavarësia e Kosovës.
POST SCRIPTUM:
Nëse i vihet gishti kokës, del se disa nga arsyet që jepen nga një grup gjithsesi i vogël shqiptarësh të Kosovës për ta kundërshtuar flamurin e Kosovës, thënë se buti, janë edhe sipërfaqësore.
Pyetje: Sa flamuj përgjatë historisë nuk kanë qenë të imponuar nga mbreti, cari, kryetari, partia në pushtet, organizatat ndërkombëtare etj?!
Pyetje: Sa flamuj janë votuar nëpër referendume nga qytetarët e shteteve?!
Pyetje: A është votuar në referendum nga shqiptarët flamuri shqiptar (respekt për flamurin)?!
Urime 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës sonë të dashur!

Noka: Vettingu të nisë nga Fatmir Xhafa

Ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka ka kërkuar dje në Komisionin e Sigurisë në Kuvend që vettingu të nisë nga ministri Fatmir Xhafaj. Sipas tij, ‘PD nuk është kundër vettingut në polici, por ligji i qeverisë nuk është zgjidhja’.
‘Nuk mund t’i kërkohet llogari vëtem policit për kriminalizim, kur ministri i Brendshëm e ka vëllain të dënuar për trafik ndërkombëtar droge’, tha Noka në Komision.
Sipas ish-ministrit të Brendshëm ‘vettingu nis nga lart-poshtë. Vetting edhe për Ramën dhe Xhafajn. Nuk mund t’i kërkojmë llogari vetëm policit për kanabis, kur kryeministri përdor kokainë.
Qeveria “Rama” e inkriminoi dhe kanabizoi policinë, nuk mund të bëjë ajo vettingun’.
Fjala e plotë e nënkryetarit të Komisionit, Flamur Noka
Vettingu në polici është i nevojshëm dhe ne si opozitë nuk jemi kundër në parim. Megjithëse në ligjin organik të Policisë së Shtetit ka pasur të sanksionuar nene të caktuara, kur flasim për vërtetimet e personalitetit, për kontrollin e figurës së personalitetit dhe deklarimit të pasurisë të çdo oficeri policie.Nuk janë zbatuar, por ajo që është e rëndësishme është, që policia qenka e rrënuar, e degraduar, e kanabizuar.

Kush e solli policinë në këtë gjendje?
Ku na humbi ajo policia që duam, ku na shkoi policia e rilindur, kush e inkriminoi këtë strukturë?
Kush futi ata qindra persona që me kërkesë të Ambasadës së SHBA-së në 2004, u larguan?
Kush e kanabizoi dhe i priu kanabizimit sot në këtë vend?
Kush e rrënoi dhe e degradoi policinë?
A kanë këta mundësinë që ta ringjallin besimin e opinionit tek kjo polici dhe a kanë këta mundësinë që ta rikthejnë në parametra normalë Policinë e Shtetit?
Sepse jemi dëshmitarë. Për katër vjet ky institucion është përdorur si një instrument dhune dhe jo një instrument ligji ndaj qytetarëve dhe në asnjë moment si një instrument ligjor në duart e shtetit, kundër krimit, bandave dhe trafikantëve.
Sepse kjo polici u katandis në këtë pikë dhe në këtë gjendje, pasi i duhej dyshes Rama-Tahiri: E para, për t’i kthyer borxhin krimit dhe për ta mbushur me ushtarët e saj policinë. E dyta, për ta përdorur për trafik droge dhe për të mbledhur para për të blerë votat.
A mund ta zgjidhë ky projektligj këtë situatë dhe këtë gjendje të degraduar të këtij institucioni?! Unë besoj që jo. Sepse zgjidhja nuk vjen kurrë nga poshtë-lart, gjithmonë zgjidhja nga lart-poshtë.

Si mund t’i kërkojmë një polici të thjeshtë llogari për hashashin, kur kemi një kryeministër që mbush hundët me kokainë?
Si mund t’i kërkojmë një polici pse ka një kushëri të implikuar apo të përzier në një histori trafiku apo bande kriminale, kur ke ministrin e Brendshëm me vëlla të dënuar për trafik ndërkombëtar droge?
Pra, ky formular, ky veting duhet të fillojë nga lart-poshtë, nga ata që e shkaktuan dhe e sollën në këtë gjendje dhe duhet të vazhdojë pastaj deri tek polici i thjeshtë.
Se nuk ka bërë ndonjëherë vaki që në këtë vend, në vend që të ishin në kërkim kriminelët, sot ke më shumë të kërkuar në kupolën e policisë. Sot të gjithë ish-drejtorët që i patët ju dhe u mburrët me to në 4 vjet, janë në kërkim. Të gjithë janë të zhdukur dhe nuk janë fare as në Shqipëri ose janë fshehur në Shqipëri.
Kostot e kësaj maskarade sigurisht që i bien qytetarëve, i bien vendit. Po kush i shkaktoi?! I shkaktoi qeveria, i shkaktoi kryeministri i vendit.
Ndaj e përsëris, opozita në parim nuk është kundër, por ky ligj që keni sjellë nuk është i mjaftueshëm, është thjesht një shou propagandistik për t’i larë fytyrën që ja keni baltosur dhe njollosur policisë.

Kryeministrit i duhet treguar kavalli!

Luan RAMA

Pasi e cilësoi Akademinë e Shkencave agjenci funerali, pasi mediat e vendit të vet që e pasqyrojnë atë ditë për ditë e deri në neveri i quajti kazan, kryeministri ynë mblodhi Senatin e Universitetit të Tiranës për t’jua thënë në sy që “jeni bishti i fundit i kavallit”!
Teksa e dëgjova këtë “krahasim” e shikoja senatorët e universitetit tonë që dëgjonin gojëhapur ekselencën e tij, zotin Kryeministër, mendova se qe një lapsus e jo lajthitje shprehja “bishti i fundit i kavallit”, të cilën senatorët tanë universitarë nuk e vunë re, se helbete, si profesorë me një barrë mend, kishin nivelin e bisedës tek drynët e bravat e dyerve të tyre!
Mirëpo, kur të njëjtin “krahasim”, i përndritshmi ynë Kryeministër e përsëriti edhe në sallën e Kuvendit në përpjekje për të ironizuar opozitën, u duk qartë se nuk ishte më një lapsus, që gjithkujt mund t’i ndodhë, po ishte lajthitje!
Sepse shprehja popullore nuk është “bishti i fundit i kavallit” siç e tha Kryeministri, por vrima e fundit e kavallit, siç e thotë populli, që i referohet kavallit si instrument popullor, i ngjashëm me fyellin, por më i gjatë e me më shumë vrima.
Sipas fjalorit të gjuhës së sotme shqipe, kavalli është fyell i madh me tytë prej druri dhe me gojëz në trajtë sqepi.
E për të mos lënë shteg për ndonjë paqartësi, po i shpjegojmë zotit Kryeministër se çfarë është fylli, që të kuptojë më mirë edhe kavallin.
Fyelli është vegël muzikore si gyp i hollë e i gjatë, prej druri a prej metali e me disa vrima, së cilës i bien duke i fryrë me gojë.
Pra, edhe fyelli, edhe kavalli janë instrumenta muzikorë popullorë të së njëjtës familje, si gyp i hollë e i gjatë, gjithnjë bosh nga brenda, me të vetmin ndryshim që kavalli është fyell më i madh ose më i gjatë dhe ka më shumë vrima.
Referuar formës së tyre e faktit që nga brenda janë bosh, mënçuria popullore na ka dhënë një mori shprehjesh frazeologjike që shpesh herë perdoren si krahasim, ndër to ka edhe me tone ironizuese, stigmatizuese e shpesh herë edhe tallëse, si përshembull: shtati pyll e mendja fyell!
Për koherencë me terminologjinë e kryeministrit, meqë ai përdori kavallin, po ju sjell në vëmendje edhe një shprehje tjetër: bjeri kavallit!
Por që i përndritshmi ynë kryeministër të mos gabojë herë tjetër e të mos thotë “bishti i fundit i kavallit” në vend të “vrima e fundit e kavallit” i duhet treguar kavalli!