19.5 C
Tirana
E hënë, 25 Gusht, 2025

Vasili: Fundi i Ramës është shumë afër

Kryetari i Grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili në një intervistë tha se, mënyra më e mirë për të rrëzuar Edi Ramën si Kryeministër është ajo që po bën opozita në mënyrë të përditshme, duke denoncuar skandalet dhe keqqeverisjen. Vasili tha se, sot shqiptarët janë në protestë për ato çështje që opozita i ka denoncuar më parë. “Sot, shqiptarët po protestojnë dhe opozita është në ballë. Nuk ka asnjë kulisë pallati për të rrëzuar Edi Ramën, përveç kësaj që po bën opozita në mënyrë të përditshme.Ndërkohë që, oligarkët kanë miliona pa paguar energjinë elektrike, qytetarët e thjeshtë përfundojnë në burgje. Rama sot kërcënon sërisht me burg qytetarët për faturat e ujit, nxjerr të tjerë që janë në kufijtë e mbijetesës nga skema e ndihmës ekonomike. Shqiptarët po protestojnë, janë aktorët, pedagogët, qytetarët e thjeshtë. I vetmuari në politikë është i destinuar të vdesë politikisht dhe ky i vetmuar është Edi Rama”, tha Vasili.

Ai tha se, qeverisja e Edi Ramës do të mbahet mend për kanabizimin që i bëri vendit. Madje Vasili tha se, përveç milionave që u përdorën për të blerë zgjedhjet, sot mediat kanë paralajmëruar se milionat e kanabisit po ndikojnë edhe në tregun e imobilareve, duke i kthyer shtëpitë në mollë të ndaluar për shqiptarët. Në lidhje me thirrjen në Prokurori të Edmond Haxhinasto, Vasili tha se deputeti i LSI-së nuk është në akuzë apo në hetim. Vasili tha se, Prokuroria po bën goditje selektive. “Dashamir Xhika u arrestua pas një denoncimi të bërë nga Auditi i Brendshëm i ministrit Damian Gjiknuri. Por zoti Gjiknuri është akuzuar nga KLSH për 600 milionë euro, dhe sot nuk është as i arrestuar as i hetuar. Çfarë po ndodh sot? Po goditen kundërshtarët politikë, por kjo tregon se ky është fundi i atyre që marrin veprime të tilla. Të jeni të bindur për çdo goditje politike, përgjigjia e shqiptarëve do të jetë 10 herë më e fortë. Goditjet politike nuk bëjnë asgjë tjetër, vetëm sesa shpejtojnë rënien e tyre”, tha Vasili.

Euro në nivelin më të ulët që nga gushti

Monedha vendase po reflekton sjelljen e një “superekonomie”. Është kjo ironia me të cilët përgjigjen ekspertët e kursit të këmbimit, kur i pyet se pse euro po vijon të bjerë dhe leku është kaq i fortë. Pasi u duk sikur ndaloi në fund të javës së kaluar, euro është zhvlerësuar sot sërish në tregun e brendshëm. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 132.5 lekë, me një rënie prej 0.16 lekësh në raport me të premten e javës së kaluar. Në të kundërt, dollari është forcuar me 0.64 lekë, duke u këmbyer me 106.7 lekë. Ky është niveli më i ulët i euros që nga muaji gusht, kur monedha vendase sezonalisht forcohet për shkak të hyrjes së valutës nga emigrantët. Por, janari dhe shkurti janë periudha ku tradicionalisht, euro forcohet, teksa aktiviteti ekonomik fillon e gjallërohet, duke rritur dhe kërkesën për importe. Në fakt, të dhënat e sotme të INSTAT treguan se deficiti tregtar (diferenca mes importeve dhe eksporteve) u rrit me 31% në krahasim me janarin e vitit 2017. Edhe në bursat ndërkombëtare euro po luhatet në nivelet më të larta të tre viteve. Një euro u këmbye sot me 1.24 dollarë, me një rritje ditore prej 0.16 dhe duke qenë 17% më i lartë sesa një vit më parë, sipas të dhënave që publikohen nga Financial Times (shiko në fund grafikun euro-dollar në bursa për tre vitet e fundit). Përgjithësisht, euro në tregun vendas ndikohet më shumë nga faktorë të brendshëm dhe me bursat ndërkombëtare ruan vetëm raportin e kryqëzuar me dollarin. Psh, një vit më parë, në janar euro këmbehej në bursa me 1.06 dollarë, ndërsa tek ne u këmbye me 137 lekë.

Teksa ekonomia vendase nuk është shumë e fortë, ajo po rritet mesatarisht me 3.5%, vendi është i varur nga importet për shumë produkte (raporti i mbulimit të importeve nga eksportet ishte vetëm 52% në janar, sipas INSTAT) dhe turizmi nuk është në kulmin e tij, ekspertët ngrenë supet kur i pyet për arsyet e forcimit të monedhës vendase. Arsyeja e vetme që ata japin është oferta e lartë e valutës që po qarkullon në treg, ajo që po e mban lekun të fortë. Teksa burimet e ligjshme ekonomike nuk justifikojnë këtë ofertë të lartë, gishti drejtohet te burimet e paligjshme të hyrjes apo të hedhjes në treg të valutës. Një tjetër arsye, që ndikoi javën e kaluar ishin dhe deklaratat e deuroizimit nga Banka e Shqipërisë (e cila mori disa masa për të ulur përdorimin e euros në ekonomi), por efektet psikologjike të saj konsiderohen afatshkurtër. Një euro e dobët është favorizuese për importet, që vijnë më të lira, ndërsa dëmton eksportuesit, që marrin më pak të ardhura në lekë për të njëjtën sasi në euro. Këstet e kredisë bëhen gjithashtu më të lira. Më të lira janë dhe blerjet onlne, si në euro ashtu dhe në dollarë, po ashtu dhe për udhëtimet jashtë vendit mund të marrësh më shumë valutë për të njëjtën sasi lekësh. Të dëmtuar janë ata që jetojnë në Shqipëri dhe i marrin pagat në valutë, si në euro, ashtu dhe në dollarë. Blerja e shtëpive gjithashtu bëhet më e lirë, duke amortizuar disi rritjen e fundit të çmimeve të apartamenteve.

Sëmundjet kardiovaskulare, shkaku kryesor i vdekjeve në Shqipëri

Një shqiptar ka gati dyfish shanse të vdesë prej sëmundjeve kardiovaskulare se mesatarja botërore e vdekjeve.
Sipas të dhënave më të fundit të Our World in Data, për çdo 100 vdekje në Shqipëri, 58 shkaktohen nga sëmundjet kardiovaskulare, 19 prej tumoreve, 4 prej diabetit, 3 prej sëmundjeve mendore, 1 prej infeksioneve në rrugët e frymëmarrjes, 1 prej aksidenteve rrugore, dhe 10 prej shkaqeve të tjera. Sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku kryesor i vdekjeve në Shqipëri. Portali Our World in Data ka publikuar se cilat janë shkaqet kryesore të vdekjeve për vendet e të gjithë botës. Të dhënat e publikuara janë përpunuar nga Instituti për Vlerësim dhe Matje të Shëndetit. Më shumë se 58% e vdekjeve në Shqipëri kishin si shkak sëmundjet kardiovaskulare. Prej 1990 deri në 2016-ën (viti i fundit me të dhëna të përditësuara), pesha e vdekjeve e shkaktuar nga sëmundjet kardiovaskulare është rritur me 18%. Vdekjet nga kanceri kishin një peshë prej 19.65% në vdekjet totale në Shqipëri në 2016-ën. Ndërkohë që sipas të dhënave të OBSH, të publikuara pak kohë më parë nga i njëjti portal, kanceri i aparatit respirator ishte ndër shkaktarët kryesorë të vdekjeve që vinin nga kanceri. Skizofrenia, sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes, diabeti, infeksionet respiratore, sëmundjet e veshkave dhe sëmundjet e mëlçisë, përbëjnë rreth 16% të vdekjeve të tjera. Vrasjet dhe vetëvrasjet kanë një peshë prej rreth 1%. Për sa i përket 2016-ës, vdekjet e shkaktuara prej sëmundjeve kardiovaskulare në të gjithë botën zinin një peshë prej 32% të totalit, thuajse dy herë më pak se në Shqipëri. Ndërsa vdekjet e shkaktuara nga kanceri kanë të njëjtën peshë.

Hapet dosja e liderit laburist Corbyn, spiun i bllokut komunist kundër Britanisë në Luftën e Ftohtë

Një ish-spiun çek, i cili u dëbua nga qeveria britanike në vitet 1980, pretendon se udhëheqësi britanik i opozitës Jeremy Corbyn, ishte një nga 15 informatorët e tij mes ligjvënësve të Partisë Laburiste me të cilët takohej rregullisht kur ndodhej në Londër. Sipas ish-spiunit, ata e dinin që ai ishte një oficer i shërbimeve të fshehta dhe jo një diplomat.
Pretendimet e Jan Sarkocy-t, i cili thotë se politikanët e Partisë Laburiste paguheshin për takimet e tyre sekrete me spiunë komunistë gjatë kulmit të Luftës së Ftohtë, janë kundërshtuar ashpër nga zoti Corbyn dhe ligjvënësit e tjerë të kësaj partie të përmendur nga ish-spiuni, përfshirë dhe ish-kryebashkiakun e Londrës Ken Livingstone.
Sipas tyre pretendimet janë “gënjeshtra” që ngjajnë më shumë me një variant të keq të filmit James Bond. Ata e quajtën ish-agjent çek, i cili tani jeton në kryeqytetin sllovak të Bratislavës, një “fantazist”.
Sipas Svetlana Ptacnikovas, drejtore e Arkivave të Forcave të Sigurisë çeke, ku mbahen dokumentet e shërbimit të zbulimit së periudhës komuniste, në dosjet që ajo ka parë nuk tregohet se zoti Corbyn të ishte regjistruar si një bashkëpunëtor apo agjent.

Në Britani konservatorët në pushtet, i kanë kërkuar zotit Corbyn të shpjegojë me hollësi qëndrimin e tij ndaj ish bllokut sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë. Disa dokumente të publikuara nga gazetat britanike konfirmojnë takime të zhvilluara në mes të viteve 1980 midis zotin Corbyn dhe zotit Sarkocy, që punonte si diplomat në ambasadën çeke në kryeqytetin britanik. Ai njihej me emrin Jan Dymcic përpara se të dëbohej në vitin 1989. Zoti Sarkocy-t thotë se arkivat çeke nuk kanë të dhëna të plota pasi sipas tij shumë dokumente janë zhdukur.
Disa ligjvënës po kërkojnë një hetim parlamentar mbi këtë çështje. Ish-kryetari i komitetit të zbulimit dhe sigurisë të parlamentit britanik Malcolm Rifkind, tha se “nëse këto dokumente janë të vërteta, sikurse duket të jenë, ky përbën një rast serioz për zotin Corbyn që të përgjigjet”.

Katër grupet e protestuesve që rrëzuan bustin dhe historia me Adrian Hetën që drejtoi makinën IFA tek busti

Turma e protestuesve qe dhe më energjike, kur arriti në Sheshin “Skënderbej”, për t’u vendosur afër monumentit të diktatorit komunist. Për arsye se numri i forcave të policisë dhe i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë që ndodheshin pranë Sheshit “Skënderbej” dhe Muzeut Historik Kombëtar, ishte tepër i madh, u vendos që protestuesit të prisnin valën tjetër të protestuesve që vinin nga Qyteti “Studenti”. Në Sheshin “Skënderbej” kaloi një veturë e bardhë dhe me sa morëm vesh brenda saj ndodhej Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike. Kjo gjë i entuziazmoi protestuesit. Një grup protestuesish që ishin tek Liceu Artistik, pasi u përleshën me policinë, u futën tek lulishtja pranë Parlamentit nëpërmjet Rrugës së “Elbasanit”. Pastaj, pasi kaluan pranë godinës së Bashkisë, u vendosën rreth monumentit të Skënderbeut. Policia dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të shoqëruara me qen kufiri, të cilët i kishin fshehur prapa Muzeut Historik Kombëtar, filloi t’u bëjë presion protestuesve të shumtë për t’u tërhequr dhe për t’u shpërndarë larg monumentit të Skënderbeut. Policia përdori edhe zjarrfikësen, e cila hidhte me presion ujë me ngjyrë të kuqe, që njolloste rrobat e protestuesve. Turma tjetër e protestuesve që ishin të bllokuar tek godina e Kryeministrisë, e frikësuar nga breshëritë në ajër të armëve të policisë, u tërhoq nga tentativa për të hyrë në Bllokun qeveritar. Ata kaluan në lulishten mbrapa Kryeministrisë dhe mbërritën tek Sheshi “Skënderbej”, për t’u vendosur tek kolonat e Pallatit të Kulturës. Ndërkohë, ky grup protestuesish tentoi të sulmojë për nga shatërvani, por u smbrapsën nga policia. Disa makina të vogla të policisë qarkullonin nëpër Sheshin “Skënderbej”, duke u rënë sirenave për t’u bërë protestuesve presion psikologjik. Një djalë i ri, i quajtur Durim Hoxha, shkëputet nga grupi kryesor i protestuesve që ndodhej pranë Bankës së Shtetit, për t’u kapur pas kabinës së zjarrfikëses. Por, pas pak ai rrëzohet i dëmtuar nëpër trup dhe me fraktura të brinjëve.

Grupi i katërt i protestuesve vjen nga Qyteti “Studenti” dhe vendoset përreth Sheshit “Skënderbej”. Ndërmjet protestuesve (banorë kryesisht në rrugën e “Kavajës”, në Laprakë, në rrugën “Ali Demi”, Kombinat etj.), që ndodheshin pranë Bankës Kombëtare dhe monumentit të diktatorit, hodhën mendimet se si të sulmohej monumenti. Fillimisht, duheshin thyer pllakat e mermerta të shkallëve për të smbrapsur dhe për t’u përleshur me policinë. Gjithashtu, pas kësaj nevojitej të ndalohej ndonjë makinë e rastit, e tonazhit të rëndë për të rrëzuar me kavo monumentin e diktatorit komunist. Për të realizuar këtë aksion, Saimir Maloku së bashku me shokët e tij i kërkojnë ndihmë protestuesve për të gjetur midis tyre një shofer. Prania e ushtarëve të armatosur me snajper sipër Pallatit të Kulturës, Hotel “Tiranës”, Muzeut Historik Kombëtar dhe në pallatet përreth e bënte të pamundur dhe tepër të rrezikshëm këtë aksion dhe ky mund të lihej për një ditë tjetër kur të krijohej mundësia. Minutë pas minute shtohej numri i protestuesve në shesh. Për një moment u dëgjua një e thirrur: “Mos u sprapsni dhe mos u trembni nga policia, se ata janë të armatosur me fishekë manovër” (fishekë stërvitjeje që bëjnë zhurmë, pa pasur plumb brenda). Kjo u dha shumë kurajo protestuesve. Tri makina IFA të policisë të mbuluara me tenda shkarkojnë pranë shatërvanit një grup të madh Forcash Speciale të pajisura me skafandra plastike dhe me shkopinj gome. Ata krijojnë një gardh të fuqishëm mbrojtës përreth sheshit tek monumenti.

Ndërkohë Sheshi “Skënderbej” ishte mbushur plot e përplot nga dhjetëra mijëra vetë dhe të vendosur rreth e përqark tij, që bërtisnin duke thirrur: “Ushtria është me ne, Të hiqet qelbësira, Liri-Demokraci” etj. Një grup prej 40 deri 50 vetësh shkëputet nga turma e popullit protestues dhe vendoset pranë monumentit të diktatorit. Ata filluan të thyejnë pllakat prej mermeri të shkallëve dhe nisën të qëllojnë policinë. Forcat Speciale të Ruajtjes së Rendit dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë, të armatosura me shot gun dhe armë të ndryshme filluan të qëllojnë në ajër me fishekë manovër dhe të sulmonin herë pas here grupin e protestuesve tek monumenti. Ndërkaq, protestuesit i kundërpërgjigjeshin, duke i qëlluar me gurë e copa mermeri. Nga krahu lindor i Muzeut Historik Kombëtar, në ndihmë të policisë erdhën forca të shumta të ushtrisë dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë me qen kufiri. Një protestues pranë monumentit mbante një flamur kombëtar. Sipër godinës së Bankës Kombëtare, Muzeut Historik Kombëtar dhe pallateve në hyrje të rrugës së “Durrësit dhe të “Kavajës” etj., policia kishte vendosur snajper dhe kamera të fshehta. Në mes të radhëve të protestuesve, policia dhe Sigurimi i Shtetit kishin infiltruar shumë informatorë, të cilët kishin për detyrë të raportonin mbi veprimtarinë e elementëve të rrezikshëm rebelë. Por, përpjekjet e policisë dhe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë ishin të kota para turmës së madhe të protestuesve, të cilët u sulën nga të gjitha krahët dhe i detyruan ata të tërhiqen. Protestuesit, duke bërtitur: “Fitore, Fitore” u sulën drejt monumentit dhe u bënë zot të Sheshit “Skënderbej”.

Një helikopter policie fluturonte dhe filmonte protestuesit e shumtë që u mblodhën përreth monumentit. Një kameraman i quajtur Agim Buxheli bënte filmime me një kamera amatore. Në mes të turmës, një qytetar rreth 70 vjeç i quajtur, Hysen Berberi, vjehrri i Saimirit, ishte i goditur në kokë dhe i mbuluar tërë gjak në fytyrë. Disa gra protestuese e morën për ta çuar në mjekim pranë Ambulancës Nr. 5 që ndodhej përballë ish-godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve. Një qytetar tjetër në gjendje të plagosur ishte i shtrirë përtokë. Gjashtë qytetarë e marrin në krah e vendosin tek një makinë aty pranë dhe e nisin drejt spitalit. Gjatë kohës së përleshjeve të protestuesve me forcat speciale tek monumenti, qytetari Ardian Heta (nipi i kirurgut të njohur Prof. Dr. Hysen Heta), mori një makinë IFA të braktisur, që ndodhej në Sheshin “Skënderbej”. Ardiani merr drejtimin e makinës IFA dhe pasi bën dy xhiro rreth shatërvanit, godet me spond një makinë zjarrfikëse që lagte popullin me ujë të ngjyrosur me bojë të kuqe. Makina zjarrfikëse nga kjo goditje ndalon së lëvizuri. Ndërkohë, aty pranë ndodhej një polic rreth 35 vjeç, i plagosur në kokë nga gurët e protestuesve dhe i mbuluar me gjak. Ardian Heta së bashku me shokun e tij Indrit Sukaj, e marrin në makinë policin e plagosur dhe e transportojnë në Spitalin Ushtarak në Laprakë. Para se të nisej makina, shumë protestues i thonë Ardianit që të kthehej prapa se makina mund të nevojitej edhe për rrëzimin e monumentit. Ai e mbajti premtimin dhe u kthye me makinën përsëri në shesh.

Arben SHAHINI

KE kritika Ramës: Mos cëno fqinjësinë

Komisioni Europian ka reaguar ndaj komenteve të kryeministrit Edi Rama në Kuvendin e Kosovës.
Gjatë një fjalimi, Edi Rama tha se Shqipëria e Kosova mund të kenë një president të përbashkët.
Por zëdhënësja e KE, Catherine Ray, tha se këto deklarata janë të papranueshme.
“Deklaratat që mund të interpretohet si ndërhyrje politike në vendet fqinje nuk janë të dobishëm në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, kështu shprehet zëdhënësi i BE, Catherine Ray, në Bruksel, duke komentuar deklaratën e fundit të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që kohët e fundit ka sugjeruar që Shqipëria dhe Kosova mund të kenë vetëm një kryetar shteti në të ardhmen”. “Bashkimi Evropian pret që në të gjithë rajonin, shtoi zëdhënësi, të vazhdohet të ndërtohen marrëdhënie konstruktive dhe bashkëpunuese dhe që të fokusohen në intensifikimin e punës në programet e tyre të reformave për të vazhduar procesin e integrimit në BE”.

Paloka: Rama deklarata prej kllouni në dëm të shqiptarëve

Klloun e ka emërtuar nënkryetari i PD-së, Paloka, kryeministrin Rama lidhur me deklaratat e këtij të fundit për president të përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Paloka shkruan se kreu i qeverisë bën deklarata bombastike, por kur vjen puna te interesat e tij është gati të ulë të mbathurat.
Në statusin e tij, Paloka thekson se të njëjtën gjë ka bërë Rama në marrëdhëniet me Greqinë dhe Serbinë, duke vepruar në dëm të interesave të shqiptarëve kudo ku jetojnë.
‘Kllouni! Pasi ul të mbathurat në çdo rast e akt ku realisht mbrohen interesat e shqiptarëve, del e bën deklarata bombastike pa asnjë vlerë praktike e që madje mund të dëmtojnë interesat e shqiptarëve kudo që jetojnë.
Të gjithë e mbajnë mend se si me deklarata boshe nacionaliste i çoi marrëdhëniet me Greqinë në krizë e në mënyrë krejt të panevojshme. Por në momentin e parë që ju desh të veprojë e jo të flasë uli të mbathurat si për varrezat e ushtarëve, për detin dhe për Çamërinë.

Të njëjtën gjë bën me Kosovën. Bënte show me mbledhje të përbashkëta qeverie, pa asnjë vlerë praktike e reale, po ndërkohë puthej e lëpihej me Vuçiç. Deklaronte gjoja “me guxim” në Serbi se Kosova është e pavarur , (a thua se po mos e deklaronte ky, Kosova do humbte pavarësinë) po ndërkohë nga dashuria Rama-Vuçiç përfitonte Serbia që hapte negociatat.
Sot bën një deklaratë tjetër bombastike për “President të përbashkët me Kosovën”. Të shohim ku do ti uli mbathjet këtë herë në dëm të shqiptarëve’, shkruan Paloka në Facebook.

Dokumentet, Rama po prish Teatrin Kombëtar për të fshehur gjurmët e krimit të vet

Deputeti i PD-së, Boçi, akuzon kryeministrin Rama se po e prish Teatrin Kombëtar për të fshehur gjurmët e krimit të vet.
Në një reagim në Facebook, deputeti ka publikuar dokumentet dhe radhit arsyet që sipas tij po e çojnë Ramën që të ndërmarrë veprimin për shatërrimin e teatrit edhe pse kundër prishjes së tij janë kundër jo vetëm artistët, por edhe opinioni publik.
Statusi
Debati për Teatrin, duket se po shkon drejt një zgjidhje aspak të mirëpranuar nga artistët e opinioni publik.
Teatri Kombëtar me gjasa do të prishet dhe në vend të tij do të ngrihet një godinë teatër. Pavarësisht nga katet, ajo do të jetë tip kulle, përderisa ndërtohet me PPP.
Godina ekzistuese është pjesë e historisë dhe rrafshimi i saj zhduk një memorie të domosdoshme.
Ndërkohë, restaurimi dhe shpallja monument kulture dhe ndërtimi i një teatri në një vend tjetër do ishte zgjidhja që kënaq palët.

Por presioni i klientelës me një histori me kulla që nis në 1999 me Ramën ministër Kulture, vazhdon me 2002 me Ramën Kryetar Bashkie (teatri do merrte 25% nga kulla) është rikthyer tani 2018 me Ramën Kryeministër.
Jo vetëm kaq!
Ka dhe një detaj.
Në kohën që ishte ministër Rama dha Teatrin për 5 vite me qira për bingo (1999), duke falsifikuar sipërfaqen e lëshuar nga 575 m2 në 500 m2 dhe duke shkaktuar një dëm ekonomik prej 100.000 dollarësh, atëkohë shumë stratosferike.
Këtë e bëri sepse sipas ligjit, kur sipërfaqa e një objekti kalonte 500 m2, autoriteti që firmoste sipas parimit socialist 1 dollar 1 m2, ishte Ministria e Ekonomisë jo e Kulturës.
Rama nuk mund ta linte këtë rast të artë. Falsifikoi dhe mori çfarë deshte.
Media e kohës që atëherë nuk ishte bë kazan për Ramën, pak vite më pas (2002), e denoncoi fort aferën (foto).
Në foto njëkohësisht jepet qartë dhe kontrata e Ramës e nxjerrë në rrjete nga K. Çipi (1999) dhe sipërfaqja reale e dhënë me qira e matur dhe e firmosur në 1995 nga inxhinierët.
Kjo duket qartë një arsye më shumë që Rama po insiston të rrafshojë Teatrin Kombëtar.
Kështu ai po kërkon, krahas të tjerave, të fshijë provat e veprës penale të kryer.

Fotoreporterët e parë që fiksuan rrëzimin e bustit

Më 20 shkurt 1991, të gjitha kanalet televizive të botës transmetuan si lajm të parë një vullkan urrejtjeje, që u zbraz mbi një statujë shtatë metra të lartë të diktatorit Enver Hoxha. Ndonëse busti i udhëheqësit komunist nuk ishte veçse një tog bronzi, i vendosur në sheshin më të madh të Tiranës, përmbysja e tij ishte simboli i rrëzimit të një sistemi dogmatik që i kishte ardhur koha të ikte. Lulëzim Lika, në atë kohë fotoreporter i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, ishte një nga të paktët që arriti të fiksonte këtë moment historik. Fotoja e rrëzimit të bustit u transmetua nga ATSH-ja, me diçiturën “Pamje nga rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës”, paçka se, për ironi të fatit, në agjencinë e vetme të lajmeve punonte në një post drejtues nusja e djalit të Enver Hoxhës. Por, do të ishte kjo foto që do t’i ndryshonte karrierën fotoreporterit Lika, sepse të nesërmen, drejtues të “Reuters” i kërkuan atij të punonte për agjencinë prestigjioze, me të cilën Lika punon edhe sot.

Armando Babani, fotoreporter, kujton se në ato ditë gri e mbante aparatin gjithnjë me vete. Studentët në qytezën e tyre ishin në kulm të protestave kundër regjimit komunist. Për fat, Babani u ndodh në Sheshin “Skënderbej”, në momentin e duhur. Në tarracat dhe ballkonet e ndërtesave, përbri bustit, kishin hipur qindra njerëz. Ishin disa syresh që e ngjitën Babanin në një nga ballkonet e katit të dytë, ku ai do të arrinte të fiksonte momentet historike. “Hipeni lart se është fotograf!”, kujton sot Babani. “Mund të kem bërë 9-10 shkrepje dhe ishte e gjitha kjo, gati 1 sekond e gjysmë, se më pas bustin e mbuluan njerëzit. Unë nuk e dija ç’do të ndodhte më vonë, por sot them se këto kanë qenë fotografitë e jetës sime”, thotë Babani, një nga fotoreporterët më të njohur në Shqipëri. Fotografitë e Babanit u botuan në gazetën “Republika” dhe “Rilindja Demokratike”, ndërsa sot fotot e Likës nga ATSH-ja, të Babanit, por edhe një fotoreporteri italian, ndodhen në të gjitha arkivat e medias në botë.
Fatmir Çepani, operator në Televizionin Shqiptar, ishte i vetmi që hodhi në celuloid këto momente historike. “Me kameran në sup, ku mbaja edhe peshën e dhjetëra njerëzve që vrojtonin mbi trupin tim, arrita të xhiroja atë që po ndodhte në shesh”.
17 minuta xhirim të Fatmir Çepanit, shprehin përjetimet e këtyre momenteve historike, ku mbretëronte kaotizmi, turmë e revoltuar, plumba, gurë dhe forca të blinduara të policisë.

Përleshja e qytetarëve me policinë në rrugët e Tiranës

Forca të shumta Speciale, të Ruajtjes së Rendit dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë, të pajisura me skafandra kauçuku, shkopinj gome, gaz lotsjellës dhe qen kufiri, kishin bllokuar rrugën që të çonte nga Liceu Artistik tek godina e Radiotelevizionit. Gjithashtu për këtë qëllim, ato kishin bllokuar rrugën automobilistike edhe me dy makina IFA të ushtrisë. Një zjarrfikëse e madhe lëshoi me presion ujë me ngjyrë të kuqe në një rreze të madhe hedhëse prej 20-30 metrash, duke lagur të gjithë protestuesit. Kjo gjë irritoi pa masë popullin demonstrues dhe ai filloi të drejtohej tek gardhi i madh i policisë dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Nga presioni i madh i ujit të zjarrfikëses, shumë gra dhe fëmijë u rrëzuan përtokë. Kishte shumë me fëmijë të vegjël të tyre dhe ndër to ishte edhe zonja Liri Berisha me djalin e saj të vogël, Shkëlzenin. Zjarrfikësja hidhte ujë me ngjyrë të kuqe dhe nga kjo nuk shpëtoi as Liri Berisha, e cila u lag nga uji i ngjyrosur me të kuqe dhe u dëmtua edhe nga sytë si pasojë e presionit të madh të ujit të hedhur nga pompat e fuqishme të zjarrfikëses. Duke parë këtë moment të rrezikshëm, protestuesit filluan të bërtisnin që gratë me fëmijët e vegjël të kthehen prapa. Policia arriti të smbrapste një pjesë të protestuesve deri tek ish-Shkolla “Kosova” ku edhe aty u bënë përleshje fyt më fyt deri në goditje me tulla e tjegulla.
Ndërsa turma kryesore e protestuesve prej mijëra vetash, duke valëvitur disa flamuj kombëtarë, iu sul me një vrull dhe kurajo gardhit të madh të ushtrisë dhe policisë. Pas përleshjeve dhe përpjekjeve të pandalshme të protestuesve, policia u detyrua të tërhiqej tek godina e Radiotelevizionit.

Këtu policia filloi të shtënat në ajër, të hedhë gazlotsjellës dhe të vërë në veprim edhe qentë e kufirit ndaj protestuesve. Në këtë moment duhet të falënderojmë punonjësit e Radiotelevizionit Shqiptar dhe të Institutit të Informatikës, që në numër të shumtë kishin dalë jashtë godinës së tyre dhe ndërkaq bërtitën me të madhe: “Mos qëlloni, mos qëlloni”. Këtu u bë një përleshje e dytë midis turmës tonë të protestuesve dhe policisë edhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Këto të fundit, të ndodhura përballë presionit dhe qëndresës heroike të protestuesve u tërhoqën pranë godinës së Kryeministrisë, duke krijuar një gardh mjaft të fuqishëm mbrojtës në mënyrë që të mos lejonin turmën e protestuesve prej afro 5 mijë vetash që i ndiqte ata, të drejtoheshin drejt Bllokut qeveritar.
Afro 10 deri 15 ushtarë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë ishin të rrethuar nga protestuesit pranë murit të ish-Drejtorisë së Pritjes. Protestuesit i rrëmbyen atyre mburojat prej kauçuku dhe shkopinjtë e gomës. Ndërkaq, disa prej ushtarëve filluan edhe të qanin. U nxitën protestuesit që ata të fillonin thirrjet: “Ushtria është me ne. Ushtarët janë vëllezërit tanë”. Ata i lirojnë ushtarët, iu dhanë edhe pajimet përkatëse me vete, si dhe nuk lejuan që të dhunoheshin fizikisht nga njerëzit e irrituar. Tek Liceu Artistik, një turmë tjetër e madhe Forcash të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe të Rendit, të shoqëruar edhe me qen kufiri, kishin përçarë dhe ndaluar turmën e madhe të protestuesve që vinte mbas nesh nga Qyteti “Studenti”.

Arben SHAHINI

Adrian Heta: Unë në makinën që rrëzoi bustin e Enverit

Turma e protestuesve qe dhe më energjike, kur arriti në Sheshin “Skënderbej”, për t’u vendosur afër monumentit të diktatorit komunist. Për arsye se numri i forcave të policisë dhe i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë që ndodheshin pranë Sheshit “Skënderbej” dhe Muzeut Historik Kombëtar, ishte tepër i madh, u vendos që protestuesit të prisnin valën tjetër të protestuesve që vinin nga Qyteti “Studenti”. Në Sheshin “Skënderbej” kaloi një veturë e bardhë dhe me sa morëm vesh brenda saj ndodhej Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike. Kjo gjë i entuziazmoi protestuesit. Një grup protestuesish që ishin tek Liceu Artistik, pasi u përleshën me policinë, u futën tek lulishtja pranë Parlamentit nëpërmjet Rrugës së “Elbasanit”. Pastaj, pasi kaluan pranë godinës së Bashkisë, u vendosën rreth monumentit të Skënderbeut. Policia dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të shoqëruara me qen kufiri, të cilët i kishin fshehur prapa Muzeut Historik Kombëtar, filloi t’u bëjë presion protestuesve të shumtë për t’u tërhequr dhe për t’u shpërndarë larg monumentit të Skënderbeut. Policia përdori edhe zjarrfikësen, e cila hidhte me presion ujë me ngjyrë të kuqe, që njolloste rrobat e protestuesve. Turma tjetër e protestuesve që ishin të bllokuar tek godina e Kryeministrisë, e frikësuar nga breshëritë në ajër të armëve të policisë, u tërhoq nga tentativa për të hyrë në Bllokun qeveritar. Ata kaluan në lulishten mbrapa Kryeministrisë dhe mbërritën tek Sheshi “Skënderbej”, për t’u vendosur tek kolonat e Pallatit të Kulturës. Ndërkohë, ky grup protestuesish tentoi të sulmojë për nga shatërvani, por u smbrapsën nga policia. Disa makina të vogla të policisë qarkullonin nëpër Sheshin “Skënderbej”, duke u rënë sirenave për t’u bërë protestuesve presion psikologjik.

Një djalë i ri, i quajtur Durim Hoxha, shkëputet nga grupi kryesor i protestuesve që ndodhej pranë Bankës së Shtetit, për t’u kapur pas kabinës së zjarrfikëses. Por, pas pak ai rrëzohet i dëmtuar nëpër trup dhe me fraktura të brinjëve.
Grupi i katërt i protestuesve vjen nga Qyteti “Studenti” dhe vendoset përreth Sheshit “Skënderbej”. Ndërmjet protestuesve (banorë kryesisht në rrugën e “Kavajës”, në Laprakë, në rrugën “Ali Demi”, Kombinat etj.), që ndodheshin pranë Bankës Kombëtare dhe monumentit të diktatorit, hodhën mendimet se si të sulmohej monumenti. Fillimisht, duheshin thyer pllakat e mermerta të shkallëve për të smbrapsur dhe për t’u përleshur me policinë. Gjithashtu, pas kësaj nevojitej të ndalohej ndonjë makinë e rastit, e tonazhit të rëndë për të rrëzuar me kavo monumentin e diktatorit komunist. Për të realizuar këtë aksion, Saimir Maloku së bashku me shokët e tij i kërkojnë ndihmë protestuesve për të gjetur midis tyre një shofer. Prania e ushtarëve të armatosur me snajper sipër Pallatit të Kulturës, Hotel “Tiranës”, Muzeut Historik Kombëtar dhe në pallatet përreth e bënte të pamundur dhe tepër të rrezikshëm këtë aksion dhe ky mund të lihej për një ditë tjetër kur të krijohej mundësia. Minutë pas minute shtohej numri i protestuesve në shesh. Për një moment u dëgjua një e thirrur: “Mos u sprapsni dhe mos u trembni nga policia, se ata janë të armatosur me fishekë manovër” (fishekë stërvitjeje që bëjnë zhurmë, pa pasur plumb brenda). Kjo u dha shumë kurajo protestuesve.

Tri makina IFA të policisë të mbuluara me tenda shkarkojnë pranë shatërvanit një grup të madh Forcash Speciale të pajisura me skafandra plastike dhe me shkopinj gome. Ata krijojnë një gardh të fuqishëm mbrojtës përreth sheshit tek monumenti.
Ndërkohë Sheshi “Skënderbej” ishte mbushur plot e përplot nga dhjetëra mijëra vetë dhe të vendosur rreth e përqark tij, që bërtisnin duke thirrur: “Ushtria është me ne, Të hiqet qelbësira, Liri-Demokraci” etj. Një grup prej 40 deri 50 vetësh shkëputet nga turma e popullit protestues dhe vendoset pranë monumentit të diktatorit. Ata filluan të thyejnë pllakat prej mermeri të shkallëve dhe nisën të qëllojnë policinë. Forcat Speciale të Ruajtjes së Rendit dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë, të armatosura me shot gun dhe armë të ndryshme filluan të qëllojnë në ajër me fishekë manovër dhe të sulmonin herë pas here grupin e protestuesve tek monumenti. Ndërkaq, protestuesit i kundërpërgjigjeshin, duke i qëlluar me gurë e copa mermeri. Nga krahu lindor i Muzeut Historik Kombëtar, në ndihmë të policisë erdhën forca të shumta të ushtrisë dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë me qen kufiri. Një protestues pranë monumentit mbante një flamur kombëtar. Sipër godinës së Bankës Kombëtare, Muzeut Historik Kombëtar dhe pallateve në hyrje të rrugës së “Durrësit dhe të “Kavajës” etj., policia kishte vendosur snajper dhe kamera të fshehta. Në mes të radhëve të protestuesve, policia dhe Sigurimi i Shtetit kishin infiltruar shumë informatorë, të cilët kishin për detyrë të raportonin mbi veprimtarinë e elementëve të rrezikshëm rebelë. Por, përpjekjet e policisë dhe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë ishin të kota para turmës së madhe të protestuesve, të cilët u sulën nga të gjitha krahët dhe i detyruan ata të tërhiqen.

Protestuesit, duke bërtitur: “Fitore, Fitore” u sulën drejt monumentit dhe u bënë zot të Sheshit “Skënderbej”. Një helikopter policie fluturonte dhe filmonte protestuesit e shumtë që u mblodhën përreth monumentit. Një kameraman i quajtur Agim Buxheli bënte filmime me një kamera amatore. Në mes të turmës, një qytetar rreth 70 vjeç i quajtur, Hysen Berberi, vjehrri i Saimirit, ishte i goditur në kokë dhe i mbuluar tërë gjak në fytyrë. Disa gra protestuese e morën për ta çuar në mjekim pranë Ambulancës Nr. 5 që ndodhej përballë ish-godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve. Një qytetar tjetër në gjendje të plagosur ishte i shtrirë përtokë. Gjashtë qytetarë e marrin në krah e vendosin tek një makinë aty pranë dhe e nisin drejt spitalit. Gjatë kohës së përleshjeve të protestuesve me forcat speciale tek monumenti, qytetari Ardian Heta (nipi i kirurgut të njohur Prof. Dr. Hysen Heta), mori një makinë IFA të braktisur, që ndodhej në Sheshin “Skënderbej”. Ardiani merr drejtimin e makinës IFA dhe pasi bën dy xhiro rreth shatërvanit, godet me spond një makinë zjarrfikëse që lagte popullin me ujë të ngjyrosur me bojë të kuqe. Makina zjarrfikëse nga kjo goditje ndalon së lëvizuri. Ndërkohë, aty pranë ndodhej një polic rreth 35 vjeç, i plagosur në kokë nga gurët e protestuesve dhe i mbuluar me gjak. Ardian Heta së bashku me shokun e tij Indrit Sukaj, e marrin në makinë policin e plagosur dhe e transportojnë në Spitalin Ushtarak në Laprakë. Para se të nisej makina, shumë protestues i thonë Ardianit që të kthehej prapa se makina mund të nevojitej edhe për rrëzimin e monumentit. Ai e mbajti premtimin dhe u kthye me makinën përsëri në shesh.